LIGJI NR. 04/L-220 PËR INVESTIMET E HUAJA

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 1 / 09 JANAR 2014, PRISHTINË

LIGJI NR. 04/L-220 PËR INVESTIMET E HUAJA



Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton



LIGJ PËR INVESTIMET E HUAJA


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja në
Republikën e Kosovës, tu ofrojë investitorëve të huaj të drejta dhe garanci themelore, që u japin siguri
investitorëve të huaj që investimet e tyre të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë në pajtim
me standardet dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare.


Neni 2
Përkufizimi

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Ministria - Ministrinë përkatëse për Tregti dhe Industri;

1.2. Investitor i huaj – një person i huaj që bën një investim në Republikën e Kosovës.

1.3. Person i huaj:

1.3.1. çdo person fizik që është shtetas i një vendi të huaj;

1.3.2 çdo person fizik që është shtetas i Republikës së Kosovës, por ka vendbanim
jashtë vendit;

1.3.3. një person juridik i themeluar sipas ligjit të një vendi të huaj.

1.4. Investim - çdo aset në pronësi apo ndryshe ligjërisht e mbajtur nga një Person i huaj në
Republikën e Kosovës me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të ligjshme komerciale, duke
përfshirë por jo dhe kufizuar:

1.4.1. Pasuri e luajtshme apo e paluajtshme, duke përfshirë të drejta në dhe mbi një
pasuri të tillë siç është hipoteka, pengu, garancia, dhënia me qira dhe servituti;

1.4.2. Prona e paprekshme dhe intelektuale, duke përfshirë të drejtat në pronësinë në
fjalë, si dhe vullnetin e mirë, proceset teknike dhe njohuritë;

1.4.3. Paratë e gatshme, fondet, letrat me vlerë, aksionet apo llojet tjera të interesave
pronësore në një shoqëri tregtare të Republikës së Kosovës apo të huaj;
obligacionet, dëftesat e borxhit, instrumentet tjera të kredive;

2

1.4.4. Kërkesat ose të drejtat në para, të mirat, shërbimet dhe performanca nën
kontratë;

1.4.5. Koncesionet ose licencat të rregulluara me ligj, akt administrativ apo kontratë,
dhe

1.4.6. Fitimin e akumuluar nga një investim në Republikën e Kosovës apo ndonjë
investim diku tjetër.

1.5. Shoqëri tregtare e Republikës së Kosovës - shoqëri tregtare që është themeluar nën
ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës dhe që nuk është shoqëri e huaj tregtare.

1.6. Aktivitet afarist- çdo aktivitet që përfshinë ofertën, ofrimin apo prodhimin e mallrave,
shërbimeve, pronës dhe/ose punë për dikë në kthim me ndonjë tip të pagesës apo
kompensimit.

1.7. Akti i shpronësimit - çdo akt apo masë, çdo seri e akteve apo masave, çdo dështim për
të vepruar apo çdo seri e dështimeve për të vepruar nëse në mënyrë direkte apo indirekte,
shoqërisë së huaj tregtare investuese në fjalë ia heq pronësinë apo kontrollin, apo një përfitim
të rëndësishëm ose shfrytëzim të një aseti; me kusht që termi “akt i shpronësimit” të mos
aplikohet gjatë detyrimeve në Republikën e Kosovës nga tatimet dhe detyrimet e
përgjithshme të aplikueshme.

1.8. Shoqëri e huaj investuese - çdo organizatë afariste e Republikës së Kosovës e
themeluar ligjërisht në Republikën e Kosovës nëse:

1.8.1. së paku dhjetë për qind (10%) të kapitalit të vetë është kontribuar direkt apo
indirekt nga një investitor i huaj, ose

1.8.2 kontrollohet nga një apo më shumë investitorë të huaj në bazë të një kontrate
me shkrim, të drejtave për të ushtruar pjesën më të madhe të aksioneve votuese të
organizatës apo të drejta ngjashme pronësore, ose të drejtat për të emëruar pjesën
më të madhe të bordit të vetë të drejtorëve apo të organeve tjera mbikëqyrëse.

1.9. Valuta lirshëm të konvertueshme - çdo valutë e përcaktuar si e tillë nga Fondi Monetar
Ndërkombëtar.

1.10. Autoritet Publik - çdo organ, autoritet ekzekutiv qeveritar, ministri, organ publik,
departament, agjenci, ose autoritete të tjera të ngjashme që ushtrojnë kompetenca
ekzekutive, ligjdhënëse, rregullative, administrative ose gjyqësore në territorin e Republikës
së Kosovës.

1.11. QNZKI - Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve.

1.12. Konventa QNZKI – Konventa e Qendrës Ndërkombëtare për zgjidhjen e Kontesteve të
Investimit ndërmjet shteteve dhe shtetasve të vendeve të ndryshme.

1.13. Rregullat lehtësuese shtesë të QNZKI - Rregullat e Arbitrimit (Lehtësim shtesë) të
Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve.

1.14. Rregullat UNCITRAL- Rregullat e Arbitrazhit të Komisionit të Kombeve të Bashkuara
për të Drejtën e Tregtisë Ndërkombëtare.

1.15. Rregullat OEN - Rregullat e Arbitrazhit të Odës Ekonomike Ndërkombëtare.

1.16. Konventa e Nju Jorkut - Konventa mbi Njohjen dhe Zbatimin Vendimeve të Huaja
Arbitrazhit.

1.17. Gjykatë - Gjykata Kompetente për Çështje Administrative.

3

1.18. Agjenci - Agjencia për Investime dhe për përkrahjen e ndërmarrjeve.

1.19. Kontest për një investim të huaj - çdo mosmarrëveshje ose pretendim që lind nga një
investim i huaj ose që ka lidhje me të.

1.20. Heshtja është pranim - garantimi i së drejtës së çdo personi që të ndërmarrë një
aktivitet apo veprim biznesor të llojit të caktuar pa marrjen e aprovimit nga e organit
kompetent, nëse një aprovim apo refuzim i kërkesës nuk është dhënë në kuadër të
kufizimeve kohore të paraparë me legjislacionin në fuqi.

1.21. Ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme NMVM-të - Ndërmarrjet të cilat kanë
statusin e njërës nga ndërmarrjet të klasifikuara si vijon:

1.21.1. mikro-ndërmarrja duhet të ketë të punësuar deri nëntë (9) punëtorë;

1.21.2. ndërmarrja e vogël duhet të ketë të punësuar prej dhjetë (10) deri dyzet e
nëntë (49) punëtorë;

1.21.3. ndërmarrja e mesme duhet të ketë të punësuar prej pesëdhjetë (50) deri
dyqind e dyzet e nëntë (249) punëtorë.


Neni 3
Trajtimi i përgjithshëm

1. Republika e Kosovës do t’ju jep investitorëve të huaj dhe investimeve të tyre trajtim të njëjtë dhe të
barabartë me ndonjë investitor vendor dhe investimeve vendore.

2. Republika e Kosovës i siguron investitorët e huaj dhe investimet e tyre mbrojtje dhe siguri të plotë
dhe të vazhdueshme në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Në asnjë rast trajtimi, mbrojtja ose siguria që kërkohet nga ky paragraf nuk do të jetë më pak i
favorshëm sesa që kërkohet nga normat e përgjithshme të pranuara të së drejtës ndërkombëtare apo
ndonjë dispozitë të këtij ligji.

4. Republika e Kosovës nuk do të dëmtojë me asnjë veprim apo mosveprim të paarsyeshëm apo
diskriminues, veprimtarinë, menaxhimin, mirëmbajtjen, shfrytëzimin, gëzimin apo largimin e një
organizate të huaj investuese apo të ndonjë investimi tjetër nga një investitor i huaj në Republikën e
Kosovës. Republika e Kosovës nuk ndërhynë me aktivitetet dhe të drejtat e ligjshme dhe me interesat
ligjërisht të njohura të një investitori të huaj.

5. Çdo autoritet publik që shkel apo në ndonjë mënyrë dështon të respektojë të drejtat dhe garancitë
të siguruara me këtë ligj për investitorët e huaj dhe investimet e tyre, do të jenë të detyruar të
paguajnë kompensim, në pajtim me nenin 8 paragrafi 2. të këtij ligji për humbjet dhe harxhimet e
shkaktuara si pasojë e një shkeljeje apo dështimi të tillë. Asnjë lloj imuniteti ligjor nuk do të shërbejë si
mbrojtje për përgjegjësinë e krijuar nga ky nen.


Neni 4
Mos diskriminimi

1. Republika e Kosovës trajton njëjtë investitorët e huaj pavarësisht bazës së shtetësisë, origjinës,
vendbanimit, vendit të themelimit të afarizmit ose kontrollit.

2. Investitorët e huaj dhe investimet e tyre do të jenë në pajtim dhe do të kenë të drejtë dhe obligime
me ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës njëlloj sikurse investitorët vendor dhe investimet e
tyre.



4




Neni 5
Pajtueshmëria me Detyrimet

1. Republika e Kosovës përmbushë me mirëbesim të gjitha detyrimet që ka ndaj investitorëve të huaj.
Kjo dispozitë aplikohet për çdo lloj detyrimi, qoftë i krijuar me ligj, marrëveshje, ose akt tjetër ligjor.

2. Nëse autoriteti publik nxjerr një akt apo ndërmerr një detyrim lidhur me një investitor të huaj të
caktuar dhe nxjerrja e një akti të tillë apo ndërmarrja e një detyrimi të tillë është përtej autorizimeve të
një autoriteti të tillë publik, investitori i huaj ka të drejtë në kompensim sipas nenit 8 paragrafi 2. të këtij
ligji, për humbjet dhe harxhimet e shkaktuara si rezultat i mirëbesimit të investitorit të huaj në
besueshmërinë e një akti të tillë apo detyrimi.


Neni 6
Stabiliteti i regjimit të investimeve

1. Asnjë ligj, rregullore apo akt tjetër ligjor nuk do të ketë fuqi retroaktive apo nuk do të aplikohet në
mënyrë retroaktive në dëm të investitorit të huaj apo një investimi të investitorit të huaj.

2. Asnjë ligj, rregullore ose akt tjetër normativ nuk ka fuqi retroaktive ose nuk mund të zbatohet në
mënyrë retroaktive në dëm të investitorit të huaj ose një investimi të investitorit të huaj. Nëse,
investitori i huaj ka bërë investim në Republikën e Kosovë, dhe brenda periudhës pesë (5) vjeçare,
menjëherë pas bërjes së investimit, ndonjë dispozitë e këtij ligji ndryshohet ose revokohet, dhe kjo ka
ndikim negativ në investitorin e huaj ose investimin e tij, atëherë investitori i huaj ka të drejtë në
kompensim nga Qeveria e Republikës së Kosovës sipas nenit 8 paragrafi 2. të këtij ligji, për të gjitha
dëmet dhe shpenzimet e shkaktuara si pasojë e ndryshimit, revokimit ose nxjerrjes së një akti të tillë.
Ky privilegj i investitorit të huaj i jepet atij dhe mund të zbatohet menjëherë pas bërjes së investimit në
Republikën e Kosovës.


Neni 7
Shpronësimi dhe Nacionalizimi

Investimet e huaja nuk do të shpronësohen apo nacionalizohen në mënyrë të drejtpërdrejt a të
tërthortë, nuk do të jenë objekt i ndonjë mase tjetër të barasvlershme me to, me përjashtim të rasteve
të veçanta në interes të përdorimit publik të përcaktuara me ligj, pa diskriminim, me kompensim të
menjëhershëm, të përshtatshëm dhe efektiv në përputhje me procedurat ligjore.


Neni 8
Kompensimi

1. Kompensimi për shpronësim dhe nacionalizim do të bëhet si në vijim:

1.1. të paguhet në valutë lirshëm të konvertueshme;

1.2. do të jetë sipas vlerës së tregut të asetit në fjalë para aktit të ndërmarrë të shpronësimit;
me kusht që vlera e tregut të asetit në fjalë të rregullohet për të siguruar se nuk reflekton
asnjë ndryshim në vlerë që mund t’i atribuohet vetë aktit të shpronësimit apo ndonjë njohurie
paraprake ose parashikimi të aktit të shpronësimit nga persona privat apo publik, dhe të
vendoset në bazë të valute lirshëm të konvertueshme;

1.3. Do të përfshijë një kamatë që është e barabartë me London Interbank Offered Rate
[LIBOR] plus dy përqind (2%) për periudhën që fillon nga data e ndërmarrjes së aktit të
shpronësimit dhe përfundon në datën kur të gjitha kompensimet e kërkuara nga paragraf 1. i
këtij neni të jenë paguar.

5

2. Kur nga ky ligj kërkohet pagesa e kompensimit për dëmet dhe harxhimet e dala nga veprimi apo
nga dështimi për të vepruar që nuk përbën një veprim shpronësimi, shuma e një kompensimi të tillë
duhet të jetë e barabartë me vlerën e tregut të humbjeve dhe harxhimeve në fjalë, të përcaktuara nga
data kur ato janë shkaktuar. Një kompensim i tillë do të paguhet me valutë lirshëm të konvertueshme
dhe të përfshijë një kamatë që është e barabartë me London Interbank Offered Rate [LIBOR] plus dy
për qind (2%) për periudhën duke filluar prej datës kur dëmet dhe harxhimet janë shkaktuar dhe
përfundon në datën kur kompensimi i kërkuar nga ky ligj të jetë paguar.

3. Procedura e rregullt ligjore, sipas paragrafit 1. të këtij neni, përfshinë, në veçanti, përputhjen me
kërkesat procedurale dhe materiale të ligjit të aplikueshëm për shpronësim dhe të drejtën e investitorit
të huaj, shoqërisë së huaj tregtare investuese apo personit të huaj që pohon se është ndikuar nga një
veprim i shpronësimit për të marrë një shqyrtim të shpejtë të rastit të tij, përfshirë një caktim të
kompensimit të rregullt, nga Gjykata apo gjykatë arbitrazhi në pajtim me nenin 16 të këtij ligji.


Neni 9
Konvertimi i Valutës dhe Transferimet e Garantuara

1. Një investitor i huaj, në lidhje me çdo pagesë, obligime, dhe fitime që kanë të bëjnë me një
organizatë të huaj investimi apo investime tjera në Republikën e Kosovës kanë të drejtë të
konvertojnë çdo valutë lokale që përdoret në mënyrë ligjore në Republikën e Kosovës në një valutë
lirshëm të konvertueshme dhe të konvertojë çdo valutë të konvertueshme në valutë lokale që përdoret
ligjërisht në Republikën e Kosovë.

2. Një investitor i huaj ka të drejtë të transferojë lirshëm valutën e konvertueshme brenda dhe jashtë
Republikës së Kosovës, përfshirë, por duke mos u kufizuar në, shumat e pranuara në një transaksion
të konvertimit sipas paragrafi 1. i këtij neni.

3. Të drejtat e konvertimit dhe transferimit të vendosura në paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni janë të
zbatueshme pa kufizim, kurdo që investitori i huaj konstaton, në diskrecionin e tij, që një konvertim i
tillë apo transferim është i nevojshëm apo i këshillueshëm për të:

3.1. Bërë kontribute në kapitalin e deklaruar apo operues të një organizate të huaj investimi
ose të investimeve tjera në Republikën e Kosovës;

3.2. Mbrojtur të ardhurat e riatdhesuara, fitimet, pagesat, ose kuotat e pranuara në lidhje me
organizatën e huaj investuese apo investime tjera në Republikën e Kosovës;

3.3. Bërë pagesa nën çdo kontratë;

3.4. Mbrojtur vlerën apo kuotat e riatdhesuara nga shitja apo likuidimi i një aseti ose ndonjë
pjesë të interesit të shoqërisë së huaj tregtare investuese apo investime tjera në Republikën e
Kosovës; dhe

3.5. Mbrojtur vlerën apo për të riatdhesuar pagesat e kompensimit që dalin nga zgjidhja e
kontesteve apo të pranuara si rezultat i zbatimit të këtij ligji.

4. Republika e Kosovës do të lejojë të gjitha konvertimet e tilla dhe transferimet të kryhen pa vonesë
në pajtim me procedurat normale dhe të zakonshme bankare në pajtim me ligjin e aplikueshëm
përveç nëse përcaktohet ndryshe nga një vendim i bazuar dhe final gjyqësor të marrë nga një gjykatë
me juridiksion kompetent në pajtim me ligjin e aplikueshëm.

5. Të gjitha konvertimet do të bëhen me kursin e këmbimit në treg.

6. Nëse një autoritet publik ndërhynë ose i zvogëlon të drejtat e parashtruara në këtë nen, autoriteti i
tillë publik, në pajtim me paragrafin 3. të këtij neni do të kompensojë investitorin e huaj për të gjitha
dëmet dhe harxhimet e shkaktuara si rezultat i ndërmarrjes së veprimit të tillë.

7. Republika e Kosovës mund të kufizojë transferimin nëpërmjet zbatimit të paanshëm, të barabartë
dhe jodiskriminues të ligjeve të karakterit të përgjithshëm, duke përfshirë ato që kanë të bëjnë me
6

pagimin e taksave, detyrimeve tatimore, lehtësimin e kontrollit të aktiviteteve kriminale, dhe
vendimeve gjyqësore.
Neni 10
Veprimet joligjore apo Mos-veprimet

1. Pa paragjykuar ndonjë të drejtë tjetër apo mjet juridik që investitori i huaj mund t’i ketë, investitori i
huaj ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës ose arbitrazhit për kompensim për dëmet dhe harxhimet e
krijuara si pasojë e çdo veprimi apo mosveprimi që është e drejtuar kundër investitorit të huaj dhe që
është një shkelje e ligjit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës apo të normave të përgjithshme të
së drejtës ndërkombëtare dhe që i atribuohen Republikës së Kosovës.

2. Heshtja është pranim do të aplikohet në rast se investitori i huaj ndërmerr një aktivitet apo veprim
biznesor të llojit të caktuar pa marrjen e aprovimit nga e organit kompetent, nëse një aprovim apo
refuzim i kërkesës nuk është dhënë në kuadër të kufizimeve kohore të paraparë me legjislacionin në
fuqi.


Neni 11
Konflikti i armatosur dhe Trazirat Qytetare

1. Nëse një investitor i huaj pëson humbjen e një aseti apo një investim në Republikën e Kosovës si
rezultat i dhunës që është i lidhur me situatën politike apo ekonomike, përfshirë luftën, konfliktet tjera
të armatosura, revolucion, kryengritje, demonstrata, protesta, trazira qytetare, akte terroriste apo
ngjarje të tjera të ngjashme, Republika e Kosovës do të trajtojë atë investitor të huaj apo person të
huaj, sa i përket kompensimit apo zgjidhjes tjetër, trajtim të njëjtë dhe të barabartë me ndonjë
investitor vendor dhe investimeve vendore.

2. Një investitor i huaj ka të drejtë të marrë kompensim në pajtim me nenin 8 paragrafi 1. të këtij ligji
në rast të:

2.1. përvetësimit të një aseti nga një autoritet publik;

2.2. një shkatërrimi apo dëmtimi të një aseti nga autoriteti publik nëse një shkatërrim apo
dëmtim i tillë nuk ka qenë i nevojshëm sipas situatës; ose

2.3. dështimit të Republikës së Kosovës për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë në pajtim me
obligimet e saj në nenin 3 dhe 4 të këtij ligji, përveç nëse dispozitat e mbrojtjes dhe sigurisë
së tillë ishin të pamundura si rezultat i fuqisë madhore.


Neni 12
Respektimi i të drejtave

Autoritetet publike duhet të njohin dhe respektojnë të gjitha të drejtat e një investitori të huaj lidhur me
investimet e huaja në Republikën e Kosovës, posaçërisht kur ato të drejta lidhen me pronë të
luajtshme dhe të paluajtshme, pronën intelektuale dhe asetet tjera, të drejtën e kontraktimit, dhe të
drejtat e krijuara me këtë ligj.


Neni 13
Pajtueshmëria me Ligjet dhe Standardet

1. Një investitor i huaj që kryen aktivitetet e tij në Republikën e Kosovës do të veprojë në pajtim me të
gjitha ligjet dhe standardet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, në baza të barabarta me
investitorët tjerë vendorë.

2. Gjatë ushtrimit të aktivitetit, një investitor i huaj duhet të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore për
mbrojtjen e mjedisit që janë të aplikueshme edhe për investitorët vendorë.


7



Neni 14
Personeli i huaj

1. Një investitor i huaj ka të drejtë të punësojë ose në ndonjë mënyrë tjetër të kontraktojë persona fizik
që janë shtetas të një vendi të huaj për qëllim të angazhimit të personave të tillë për të siguruar apo
perfomuar, në Republikën e Kosovës, shërbime profesionale, të menaxhimit, administrative,
mbikëqyrjes, apo të konsultimit ose funksione teknike.

2. Personat e tillë fizik do të lejohen të hyjnë dhe të qëndrojnë në Republikën e Kosovës për
periudhën e kërkuar me kontratën e tyre me investitorin e huaj në pajtim me ligjin e aplikueshëm.

3. Personat e tillë fizik, gjatë qëndrimit të tyre në Republikën e Kosovës, duhet që të jenë në pajtim
me të gjitha ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.


Neni 15
Likuidimi i një investimi

1. Një investitor i huaj ka të drejtë të likuidojë ose të ndërpresë aktivitetet e investimit, në pajtim me
ligjin e aplikueshëm.

2. Me likuidimin apo ndërprerjen e aktivitetit të investimit, investitori i huaj ka të drejtë të riatdhesojë të
gjitha asetet fizike dhe jo monetare të fituara si rezultat i likuidimit.

3. Me likuidim apo ndërprerjen e aktivitetit të investimit, investitorët e huaj kanë të drejtë të
konvertojnë dhe transferojnë në pajtim me nenin 9 të këtij ligji, të gjithë valutën dhe të hollat e fituara
si rezultat i likuidimit, pas pagesave paraprake të të gjitha tatimeve dhe obligimeve ndaj Republikës
së Kosovës.


Neni 16
Mekanizmat për zgjidhjen e kontesteve të investimit

1. Një investitor i huaj ka të drejtë të kërkojë që një kontest i investimit të zgjidhet sipas ndonjë kushti
apo procedure të aplikueshme me të cilën është arritur pajtimi me shkrim në mes investitorëve të huaj
dhe Republikës së Kosovës.

2. Në mungesë të një procedure të tillë të pajtuar, investitori i huaj ka të drejtë të kërkojë që kontesti i
investimit të zgjidhet qoftë nëpërmjet procedurës gjyqësore në një gjykatë kompetente në Republikën
e Kosovës apo nëpërmjet arbitrazhit vendor dhe ndërkombëtar. Investitori i huaj mund të zgjedhë
secilën nga rregullat e mëposhtme procedurale për të qeverisur zgjidhjen e kontestit të investimit:

2.1. Konventën e QNZKI, nëse investitori i huaj është shtetas i një vendi të huaj dhe ai vend
dhe Kosova të dyja janë palë e asaj konvente në kohën e dorëzimit të kërkesës për arbitrazh;

2.2. Rregullat Lehtësuese Shtesë të QNZKI, nëse kushtet juridike “ratione personae” të nenit
25 të Konventës QNZKI nuk janë përmbushur në kohën e dorëzimit të kërkesës për arbitrazh;

2.3. Rregullat e UNCITRAL, në një rast të tillë autoritetit emërues i përmendur aty do të jetë
Sekretari i Përgjithshëm i QNZKI; ose

2.4. Rregullat OEN.

3. Pëlqimi i Republikës së Kosovës për dorëzimin e një kontesti të investimit për arbitrazh sipas këtij
neni në këtë mënyrë është i dhënë nën autoritetin e këtij ligji. Pëlqimi i investitorit të huaj mund të
jepet në çdo kohë, qoftë me dorëzimin e një kërkese për arbitrazh apo duke ia paraqitur Agjencisë një
kërkesë me shkrim ku jepet pëlqimi.

8

4. Pëlqimet e përmendura më larët mendohet se kënaqin kërkesat për format e pëlqimit nën Kreun II
të Konventës QNZKI, Rregullat Lehtësuese Shtesë të QNZKI, Rregullat e UNCITRAL, Rregullat e
OEN, si dhe Konventa e Nju Jorkut. Në veçanti, nëse një vendim i arbitrazhit merret nga një organ
arbitrazhi të huaj apo ndërkombëtar sipas procedurave të autorizuara me këtë nen, një vendim i tillë
do të jetë i zbatueshëm sipas ligjit të aplikueshëm për arbitrazh dhe zbatimit të vendimit të arbitrazhit
të huaj.

5. Përveç nëse investitori i huaj dhe Republika e Kosovës pajtohen ndryshe me shkrim, çdo arbitrazh
sipas këtij ligji do të mbahet në një vend anëtare të BE-së që gjithashtu është palë e Konventës së
Nju Jorkut.


Neni 17
Ligji i Zbatueshëm për Kontestet e Investimit

1. Gjykata ose Tribunali i arbitrazhit që shqyrton një kontest të investimit do të vendosë për çështjet
në kontest sipas rregullave thelbësore apo ligjeve të pajtuara me shkrim nga palët.

2. Në mungesë të një pajtimi të tillë, gjykata apo tribunali i arbitrazhit do të aplikojë ligjin e
aplikueshëm në Republikën e Kosovës, duke përjashtuar rregullat private të ligjeve ndërkombëtare
dhe rregullat e tilla të ligjeve publike ndërkombëtare që mund të jenë të aplikueshme për çështjet
kontestuese.


Neni 18
Natyra finale dhe detyruese e vendimeve të arbitrazhit

1. Të gjitha vendimet e arbitrazhit të marra në lidhje me një kontest të investimit të mbuluar nga ky ligj
do të konsiderohen si të plotfuqishme dhe të detyrueshme për palët në kontest, përfshirë Republikën
e Kosovës.

2. Një vendim i tillë do të jetë i zbatueshëm në Republikën e Kosovës në masë dhe shkallë të njëjtë
sikurse të ishte vendim i plotfuqishëm i gjykatës më të lartë kompetente në Republikën e Kosovës.
Asnjë lloj i imunitetit nuk mund të kërkohet apo të shërbejë si mbrojtje për zbatimin e një vendimi të
tillë.


Neni 19
Konfliktet me Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe me Ligjet tjera

1. Në rast të konfliktit ndërmjet një dispozite të këtij ligji dhe të një dispozite të një marrëveshjeje
ndërkombëtare bilaterale ose multilaterale lidhur me investimet e huaja dhe Republika e Kosovës
është palë, një marrëveshje e tillë ndërkombëtare do të ketë përparësi.

2. Në rast të konfliktit ndërmjet ndonjë dispozite të këtij ligji dhe dispozite të ndonjë ligji të
aplikueshëm në Republikën e Kosovës, dispozitat e këtij ligji do të mbizotërojnë, me kusht që ligji i
tillë përmban qëllim të shprehur qartë për të evituar zbatimin e një dispozite të këtij ligji.

3. Asgjë në këtë nen nuk do të interpretohet apo aplikohet në asnjë mënyrë që dëmton apo pengon të
drejtën në kompensim të krijuar sipas neni 8 të këtij ligji.


Neni 20
Aplikimi ndaj investimeve të mëparshme

Ky ligj dhe të drejtat, garancitë, privilegjet dhe mbrojtjet e vendosura me këtë ligj do të aplikohen
njëlloj për investitorët e huaj që kanë investuar në Republikën e Kosovës para hyrjes në fuqi të këtij
ligji.


9



Neni 21
Regjistri i investimeve të huaja

1. Ministria themelon dhe mban një regjistër për të gjithë investitorët e huaj dhe investimet e huaja.

2. Regjistri duhet të jetë publik dhe i përditësuar së paku dy herë në vit, me 30 qershor dhe 31
dhjetor.

3. Forma dhe përmbajtja e regjistrit përcaktohet me akt nënligjor të nxjerrur nga Ministria.


Neni 22
Programet dhe Masat për krijimin dhe zhvillimin e NMVM-ve

1. Qeveria e Republikës së Kosovës, pasi që t’i merr parasysh burimet e kufizuara administrative dhe
buxhetore, mund të autorizojë Agjencinë që të mbështesë krijimin dhe zhvillimin e një mjedisi të
përshtatshëm për NMVM-të duke:

1.1. punuar me huadhënësit në sektorin privat për të siguruar për NMVM-të një qasje të drejtë
dhe jo-diskriminuese në huazimet private dhe mundësitë tjera kredituese;

1.2. punuar së bashku me kredidhënësit e sektorit privat për të identifikuar dhe minimizuar
pengesat ligjore, administrative dhe/ose juridike të cilat pa nevojë e kufizojnë kredidhënien në
përgjithësi, apo kredidhënien për NMVM-të në veçanti;

1.3. bashkëpunuar me Zyrën e Statistikave të Republikës së Kosovës, për të mbledhur,
analizuar, dhe shpërndarë statistika dhe shënime të tjera të cilat do të shërbenin për:

1.3.1. të kuptuar më mirë mjedisin ekonomik dhe komercial të NMVM-ve;

1.3.2. të ndihmuar në krijimin e politikave racionale me kosto të arsyeshme për
NMVM-të;

1.3.3. të inkurajuar investime nga furnizuesit e sektorit privat të mallrave dhe
shërbimeve;

1.3.4. të mundësuar një zgjedhje të drejtë në vendimmarrje ndërmarrësve,
huadhënësve, dhe konsumatorëve në lidhje me prodhimet dhe shërbimet e NMVM-
ve;

1.4. bashkëpunuar me Ministrinë përkatëse të Financave, Ministrinë përkatëse të Bujqësisë,
dhe me autoritetet tjera publike, që të sigurojë që legjislacioni dhe praktikat administrative nuk
i diskriminojnë në mënyrë të paarsyeshme ndërmarrjet e vogla dhe të mesme;

1.5. punuar dhe u takuar rregullisht me NMVM-të për të identifikuar dhe zhvilluar propozime
që eliminojnë ose minimizojnë barrierat ose kushtet burokratike të panevojshme, të tepërta,
ose problematike, që rrjedhin nga një ligj ose instrument tjetër legjislativ, ose nga praktika e
administratës publike;

1.6. angazhuar shoqatat afariste, ato profesionale, OJQ-të dhe organizatat tjera qytetare në
zhvillimin e infrastrukturës për mbështetjen e krijimit të NMVM-ve dhe zhvillimin e tyre;

1.7. siguruar që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të kenë mundësi konkurrimi të drejtë dhe
jodiskriminues në kontratat Qeveritare;

1.8. punuar me organizatat relevante ndërkombëtare dhe institucionet qeveritare për të krijuar
mundësi tregtie jashtë Republikës së Kosovës, për prodhimet dhe shërbimet e llojeve të
ndryshme me prejardhje nga Republika e Kosovës;
10


1.9. punuar me Ministrinë përkatëse të Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të tjerët për
përpilimin e politikave dhe instrumenteve të nevojshme juridike për t’u siguruar NMVM-ve
rregulla më fleksibile mbi marrëdhëniet punëdhënës-punonjës; dhe

1.10. lehtësuar komunikimin:

1.10.1. ndërmjet NMVM-ve;

1.10.2. ndërmjet NMVM-ve dhe ndërmarrjeve të mëdha të cilat kanë nevojë për
prodhimet ose shërbimet e NVM-ve; dhe

1.10.3. ndërmjet NMVM-ve dhe këshilltarëve, trajnerëve, profesionistëve privat që
mund të ngrisin kapacitetin dhe nivelin e ekspertizës së NMVM-ve;

1.11. ndërtuar skema të trajnimeve dhe këshillimeve për kategoritë e ndërmarrësve potencial
dhe atyre ekzistues dhe NMVM në tërësi;

1.12. zhvilluar programin e hapësirave të punës përmes inkubatorëve të biznesit, parqeve të
biznesit dhe parqeve industriale;

1.13 bashkëpunuar me Ministrinë përkatëse të Financave dhe Autoritetin Qendror Bankar të
Republikës së Kosovës, që së bashku të përgatitin dhe propozojnë Kuvendit programin dhe
skemat për mbështetjen e NMVM-ve për qasje ne kapitalin privat dhe burimet financiare.


Neni 23
Agjencia për Investime dhe për përkrahjen e ndërmarrjeve në Republikën e Kosovës

1. Agjencia është institucion në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe është përgjegjës
për mbrojtjen, dhe promovimin e investimeve, mbështet zbatimin e politikave dhe programeve publike
në fushën e zhvillimit të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme dhe zhvillon politika lidhur me
themelimin dhe zhvillimin e zonave ekonomike.

2. Agjencia drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm, emërimi, shkarkimi, funksionet dhe përgjegjësitë e
Drejtorit të Përgjithshëm realizohen në pajtim me dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës
së Kosovës si dhe Rregulloren përkatëse për procedurat e emërimit në pozita të larta drejtuese.

3. Rekrutimi i zyrtarëve të Agjencisë bëhet sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me dispozitat
ligjore në fuqi për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

4. Organizimi dhe funksionimi i Agjencisë rregullohet me akt nënligjor për organizimin dhe
strukturimin e brendshëm të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

5. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, bëhet bashkimi i “Agjencisë së Promovimit dhe Investimeve në
Republikën e Kosovës dhe Agjencisë për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme”, ku të
drejtat dhe detyrimet i barten Agjencisë.


Neni 24
Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për zbatimin e këtij ligji, nxjerrë akte nënligjore brenda
dymbëdhjetë (12) muajsh nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.






11


Neni 25
Shfuqizimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji nr. 02/L-33 për investimet e huaja, si dhe Ligji Nr. 02/L-
5 për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Ligji Nr. 03/L-031 për ndryshimin dhe
plotësimin e Ligjit nr. 02/L-5 për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.


Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.



Ligji nr. 04/L-220
12 dhjetor 2013

Shpallur me dekretin Nr. DL-059-2013, datë 30.12.2013 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga