1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 53 / 19 DHJETOR 2013, PRISHTINË
LIGJI NR. 04/L-202 PËR SISTEMIN E LEJEVE DHE LICENCAVE
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR SISTEMIN E LEJEVE DHE LICENCAVE
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i Ligjit
Ky ligj ka për qëllim të vendos parimet dhe rregullat për përmirësimin e mjedisit për të bërë biznes,
nëpërmjet reduktimit të barrierave administrative, në kryerjen e veprimtarive ekonomike, tregtare apo
profesionale, që është e domosdoshme për të mbrojtur shëndetin publik, sigurinë publike, mjedisin
dhe përdorimin e resurseve natyrore në Republikën e Kosovës.
Neni 2
Fushëveprimi
Ky ligj rregullon të gjitha rregullimet që i bëhen veprimtarisë private dhe publike nga cilido institucion
publik në Republikën e Kosovës.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Autoriteti kompetent - një institucion publik që ushtron detyrat dhe kompetencat e
deleguara sipas rregullit nga një autoritet i tillë, i autorizuar sipas ligjit që është kompetent për
të rregulluar një apo më shumë fusha të veprimtarisë.
1.2. Arsimim i vazhdueshëm – program i vazhdimit të arsimimit profesional që mund të
kërkohet nga bordi i licencimit.
1.3. I licencuari – personi fizik të cilit i është lëshuar një licencë profesionale.
1.4. Bordi licencimit – një trupë e formuar nga një autoritet kompetent për të administruar të
gjitha aspektet e licencimit profesional për një profesion specifik.
1.5. Njoftimi – një lloj leje të cilën autoriteti kompetent mund ta kërkojë me përcaktimin se
veprimtaria do të zhvillohet si instancë e vetme dhe do të paraqesë rrezik të ulët për
shëndetin publik, sigurinë publike ose mjedisin.
2
1.6. Lejim – mekanizëm i kërkesave rregullative që autoriteti kompetent mund ta përdorë për
të rregulluar veprimtarinë private dhe publike; llojet e lejeve dallojnë nga rreptësia e tyre, e
cila duhet të jetë proporcionale me nivelin e rrezikut që paraqet veprimtaria që rregullohet.
1.7. Sistemi i lejeve dhe licencave profesionale – tërësi e parimeve ligjore dhe kërkesave
të përcaktuara nga institucioni publik për të rregulluar veprimtarinë publike dhe private.
1.8. Leje – lloj i lejimit që autoriteti kompetent mund ta kërkojë me tu përcaktuar se
veprimtaria do të paraqesë rrezik të mesëm apo të lartë për shëndetin publik, sigurinë dhe
mjedisin dhe që nuk është e rregulluar me licencë profesionale.
1.9. Person – person fizik apo person juridik.
1.10. Licencë profesionale – lloj lejimi i dhënë një personi fizik për tu angazhuar në një
profesion me tu përcaktuar nga autoriteti kompetent se ky profesion paraqet rrezik të mesëm
apo të lartë për shëndetin publik, sigurinë dhe mjedisin siç përcaktohet me ligj.
1.11. Regjistrimi – një lloj lejimi të cilin autoriteti kompetent mund ta kërkojë me tu përcaktuar
se veprimtaria do të kryhet në baza të vazhdueshme dhe se do të paraqesë rrezik të ultë për
shëndetin publik, sigurinë publike ose mjedisin.
1.12. Deklaratë vullnetare e pajtueshmërisë – raportim vullnetar te autoriteti kompetent që
deklaron pajtueshmërinë me kërkesat e një leje të lëshuar.
KREU II
RREGULLAT E PËRGJITHSHME
Neni 4
Rregullat e përgjithshme që rregullojnë lejimet
1. Është e drejtë themelore e personit për tu angazhuar në aktivitet ligjor brenda territorit të
Republikës së Kosovës.
2. Asnjë veprimtari nuk do ti nënshtrohet rregullimit apo kufizimit nga një institucion publik përveç siç
parashihet me këtë ligj.
3. Asnjë institucion publik nuk do të rregullojë ose kufizojë të drejtën e një personi për tu angazhuar
në një veprimtari përveç përmes një lejimi që është në përputhje me kërkesat e këtij ligji.
4. Lejimi nuk do të ketë fuqi ligjore nëse nuk i përmbush kriteret e mëposhtme:
4.1. Veprimtaria të cilën lejimi i tillë është projektuar ta rregullojë është gjetur në baza
objektive se paraqet rrezik për shëndetin publik, sigurinë publike ose mjedisin ose se ka
ndikim në përdorimin e resurseve natyrore;
4.2. Rreziku ose ndikimi i përmendur në nënparagrafin 4.1. të këtij neni nuk mund të
adresohen përmes mekanizmave të tregut të lirë në mungesë të rregullimit të tillë;
4.3. Forma e lejimit e përdorur për të rregulluar veprimtarinë është proporcionale me rrezikun
ose ndikimin e krijuar nga veprimtaria; dhe
4.4. Lejimi i tillë angazhon mjetet më pak kufizuese të mjaftueshme për të adresuar rrezikun
apo ndikimin e identifikuar.
5. Një veprimtari mund ti nënshtrohet një ndalimi të përgjithshëm vetëm në bazë të Kodit penal.
3
KREU III
LLOJET E LEJIMEVE
Neni 5
Llojet e Lejimeve
1. Llojet e lejimeve të lejueshme me këtë ligj do të jenë si më poshtë, të listuara në renditje
proporcionale me nivelin e rrezikut të cilin secili lloj është i projektuar të adresojë, nga rreziku më i ultë
për shëndetin publik, sigurinë publike ose mjedisin ose ndikimin më të ultë në përdorimin e resurseve
natyrore deri te rreziku apo ndikimi më i lartë:
1.1. njoftimi;
1.2. regjistrimi;
1.3. leja;
1.4. licenca profesionale; dhe
2. Asnjë lejim nuk do të ketë fuqi ligjore nëse nuk është në përputhje me kërkesat, si përshkruhet më
poshtë, për një nga llojet e lejimeve të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.
Neni 6
Njoftimi
1. Njoftimi mund të kërkohet nga një autoritet kompetent me tu përcaktuar se veprimtaria do të
ushtrohet si instancë e vetme dhe do të paraqesë rrezik të ultë për shëndetin publik, sigurinë publike
ose mjedisin.
2. Sa i përket një veprimtarie për të cilën kërkohet njoftimi nga autoritetet kompetente, dhënia e
njoftimit të tillë do të mjaftojë për të lejuar ushtrimin e veprimtarisë.
Neni 7
Regjistrimi
1. Regjistrimi mund të kërkohet nga autoriteti kompetent për një aktivitet që do të ushtrohet në baza të
vazhdueshme dhe do të paraqesë rrezik të ultë për shëndetin publik, sigurinë publike ose mjedisin.
2. Regjistrimi përbën një njoftim nga një person të qëllimit për tu angazhuar në një veprimtari në baza
të vazhdueshme.
Neni 8
Leja
Një leje mund të kërkohet nga një autoritet kompetent për një veprimtari që paraqet një rrezik të
mesëm apo të lartë për shëndetin publik, sigurinë publike ose mjedisin, që nuk është i rregulluar nga
një licencë profesionale.
Neni 9
Licenca profesionale
4
1. Një licencë profesionale mund të kërkohet nga autoriteti kompetent për tu angazhuar në një
profesion që paraqet një rrezik të mesëm apo të lartë për shëndetin publik, sigurinë publike ose
mjedisin.
2. Një autoritet kompetent që kërkon një licencë profesionale për një profesion të caktuar duhet të
vendosë dhe tu përmbahet kërkesave për licencim profesional siç parashihet në këtë ligj.
KREU IV
RREGULLAT DHE PROCEDURAT QË RREGULLOJNË
LICENCIMIN PROFESIONAL
Neni 10
Bordi i Licencimit Profesional
1. Autoriteti kompetent, për çdo lloj të licencimit profesional që ndërmerr, krijon bord licencimi.
2. Bordi i licencimit vepron si organ ekzekutiv që administron dhe mbikëqyrë të gjitha fushat që kanë
të bëjnë me licencimin e profesionistëve në atë profesion.
3. Çdo bord licencimi ka detyrat e përcaktuara me Rregullore të nxjerrë nga Qeveria dhe përfshin
çështjet e mëposhtme:
3.1. Shtrirjen e veprimtarive të rregulluara me licencë profesionale;
3.2. Kërkesat për marrjen e licencës profesionale;
3.3. Procedurat për aplikim për licencë profesionale;
3.4. Rregullat dhe kërkesat për provimet profesionale, nëse aplikohen;
3.5. Kërkesat për mbajtjen e licencës profesionale;
3.6. Rregullat dhe procedurat që rregullojnë mohimin, revokimin dhe pezullimin e licencës
profesionale;
3.7. Të gjitha taksat e lidhura me licencën profesionale;
3.8. Rregullat dhe procedurat që rregullojnë ankesat ndaj një vendimi të marrë nga bordi i
licencimit;
3.9. Rregullat etike dhe disiplinore që rregullojnë të licencuarit
3.10. Përpilimin dhe miratimin e raportit vjetor dhe përcjelljen te Ministria sponsorizuese.
Raporti vjetor do të përfshijë një raport financiar.
4. Çdo bord licencimi do të krijojë dhe mbajë regjistrin e tij në internet, që do të përmbajë informatat e
mëposhtme:
4.1. njoftimet;
4.2. informata për bordin e licencimit;
4.3. veprimtaritë e ardhshme; procesverbalet e takimeve të kaluara;
4.4. rregulloret e bordit licencues;
4.5. vendimet e bordit të licencimit dhe njoftimet;
5
4.6. procedurat për paraqitjen e ankesës;
4.7. një listë të atyre personave të cilëve licenca profesionale u është lëshuar,
mohuar,pezulluar ose revokuar;
4.8. aplikimet për licencë profesionale që janë në pritje të shqyrtimit.
5. Çdo bord licencimi mban dosjet e veta elektronike që përfshijnë emrin dhe adresën aktuale të çdo
të licencuari, identifikuesin e licencës, datën e lëshimit dhe skadimit dhe statusin. Të gjitha informatat
që këto dosje elektronike përmbajnë do të jenë informata publike.
Neni 11
Veprimet Administrative për Licenca Profesionale
1. Autoriteti kompetent do ti lëshojë licencë profesionale një aplikuesi që i përmbush kërkesat për
licencë profesionale dhe paguan taksën e kërkuar.
2. Mbajtësi i licencës profesionale do ti nënshtrohet kërkesave disiplinore dhe etike të miratuara nga
bordi i licencimit.
3. Asnjë mbajtës i licencës profesionale nuk mund të privohet nga licenca e tillë, përveç siç parashihet
me rregulla dhe procedura të qarta dhe transparente që janë bërë publike paraprakisht.
4. Një bord licencimi mund të marrë masat e mëposhtme disiplinore:
4.1. pezullimin e licencës profesionale; dhe
4.2. revokimin e licencës profesionale.
5. Bordi i licencimit mund të marrë masë disiplinore sipas përcaktimeve të këtushme ndaj një të
licencuari në bazë të një ankese me shkrim nga një anëtar i bordit ose person tjetër. Ankesa e tillë do
të deklarojë në mënyrë specifike faktet në të cilat bazohet ankesa.
6. Nëse bordi licencues gjen se ankesa pohon fakte që bazë adekuate për masë disiplinore, bordi
licencues duhet ti ofrojë personit ndaj të cilit parashihet masa disiplinore mundësin për një dëgjim
para bordit të licencimit. Nëse bordi i licencimit nuk bën gjetje të tillë, do të refuzojë ankesën.
7. Ky dëgjim do të mbahet brenda një kohe të arsyeshme, që nuk tejkalon gjashtë (6) muaj pas bërjes
së ankesës në bordin licencues. Personi ndaj të cilit parashihen masa disiplinore do të njoftohet siç
parasheh ligji. Në rast se ky njoftim është bërë dhe personi nuk paraqitet në dëgjim, bordi licencues
mund të marrë veprime përfundimtare për atë çështje.
Neni 12
Njohja e Licencave Profesionale të lëshuara jashtë
1. Personi që mban licencë profesionale, para angazhimit në veprimtarinë e rregulluar,do ti paraqesë
bordit përkatës të licencimit dokumentet relevante që dëshmojnë posedimin e licencës profesionale të
lëshuar jashtë vendit
2. Personi sipas paragrafit 1. të këtij neni nuk mund të angazhohet në ndonjë veprimtari derisa nuk
njihet nga Bordi përkatës për licenca.
3. Në rast të një ndryshimi në statusin e licencimit profesional në një vend tjetër, i licencuari do të
njoftojë bordin licencues përkatës brenda dhjetë (10) ditëve të punës nga ndodhja e ndryshimit.
6
Neni 13
Arsimim i vazhdueshëm
Bordi licencues mund tu kërkojë të licencuarve të plotësojnë programe të arsimimit të vazhdueshëm
përmes trajnimeve për të mbajtur kualifikimet e tyre profesionale.
KREU V
KËRKESAT SHTESË
Neni 14
Qasja Elektronike Publike në Informata
1. Çdo autoritet kompetent do ti bëjë lehtësisht të arritshme për publikun në faqen e vet të internetit
informatat e plota dhe të sakta që kanë të bëjnë me secilin lloj të lejimeve që i lëshojnë. Këto
informata do të përfshijnë, por nuk ka nevojë të kufizohen në, përshkrimin e lejimit; fushëveprimin dhe
qëllimin e tij; llojet e veprimtarive të cilave u referohet lejimi; kërkesat, rregullat dhe procedurat që
rregullojnë lëshimin, administrimin dhe revokimin e tij; dhe formularët, me informata shpjeguese, që
do të përdoren kur aplikohet për lejim ose për të qenë në përputhje me kërkesat e lejeve ose
licencave.
2. Çdo autoritet kompetent duhet ta bëjë të mundur për një person që aplikacionin për lejim ta bëjë në
mënyrë elektronike.
Neni 15
Shqyrtimi paraprak i lejimeve të propozuara
1. Nëse një autoritet kompetent ne kuadër të Qeverisë së Kosovës propozon një projekt-akt që ka
ndikim në veprimtarinë ekonomike ose përfshin vendosjen ose rishikimin e një kërkese për lejim, ky
autoritet kompetent do ti dorëzojë Zyrës së Kryeministrit, para dorëzimit të projekt-aktit të tillë në
Qeveri, një mendim me shkrim për konformitetin e këtij projekt-akti me këtë ligj.
2. Zyra e Kryeministrit do të përgatisë dhe paraqesë në Qeveri një mendim me shkrim për
konformitetin e projekt-aktit të tillë me këtë ligj para rishikimit të këtij projekt-aktit nga ana e Qeverisë.
3. Nëse një autoritet kompetent, që është agjenci e pavarur dhe i raporton Kuvendit, propozon një
projekt-akt që ka ndikim në veprimtarinë ekonomike ose përfshin vendosjen ose rishikimin e një
kërkese për lejim, ky autoritet kompetent, do të dorëzojë projekt aktin te komisioni parlamentar i
fushës përkatëse, se bashku me një mendim të hollësishëm me shkrim për konformitetin e projekt-
aktit të propozuar me këtë ligj.
Neni 16
Parimi i një sporteli të vetëm
Autoriteti kompetent që kërkon lejim do të krijojë një sportel të vetëm ose pikë kontakti përmes së
cilës të gjitha çështjet e lidhura me këtë lejim do të mund të kryhen.
Neni 17
Kriteret për lejime
1. Lejet dhe licencat përcaktohen vetëm me ligj.
7
2. Kriteret, kërkesat, rregullat dhe procedurat lidhur me lëshimin, administrimin dhe revokimin, nëse
janë të aplikueshme, e një lejimi definohen me ligj ose me akt nënligjor
Neni 18
Taksat për lejimet
Taksa që autoriteti kompetent mund të ngarkojë për një lejim nuk do të kalojë shumën e nevojshme
për të mbuluar shpenzimet që i dalin autoritetit kompetent për të administruar lejimin.
Neni 19
Vlerësimi i rrezikut
1. Gjatë përcaktimit nëse një lejim është i përshtatshëm për të rregulluar veprimtari,autoriteti
kompetent do të bëjë një vlerësim të rrezikut në lidhje me veprimtarinë. Veprimtaritë do të klasifikohen
si:
1.1. pa rrezik të dukshëm;
1.2. rrezik i ultë;
1.3. rrezik i mesëm; ose
1.4. rrezik i lartë.
2. Kur vendoset për nivelin e rrezikut që paraqet një veprimtari, faktorët në vijim do të merren
parasysh:
2.1. shtrirja e ndikimit të mospajtueshmërisë në shëndetin dhe sigurinë publike;
2.2. ashpërsia e pasojave të mospajtueshmërisë në shëndetin dhe sigurinë publike; dhe
2.3. probabiliteti i mospajtueshmërisë nga subjektet ekonomike që ndërmarrinveprimtarinë.
3. Autoriteti kompetent do të merr për bazë standardet ndërkombëtare kur përcakton nivelin e rrezikut
për një veprimtari dhe llojin e lejimit që është i përshtatshëm për rregullimin e kësaj veprimtarie.
Neni 20
Mjetet për vlerësimin e përputhshmërisë me kërkesat e lejeve dhe licencave
1. Sa i përket mbajtësit të lejes, sipas përkufizimeve të këtij ligji, autoriteti kompetent mund të
monitorojë përputhshmërinë e mbajtësit të lejes me kushtet e lejes duke kryer inspektime, siç
parashihet me legjislacionin në fuqi për inspektimet. Kompetenti mund të zgjedhë që, në lidhje me
kryerjen e inspektimit, të kërkojë një deklaratë vullnetare për pajtueshmëri nga mbajtësi i lejes.
2. Sa i përket mbajtësit të licencës profesionale, sipas përkufizimeve të këtij ligji, autoriteti kompetent
mund të vlerësojë përputhshmërinë e të licencuarit me kushtet e licencës profesionale në përgjigje të
një ankese të bazuar për të licencuarin siç parashihet në nenin 11 të këtij ligji.
Neni 21
Arsyet për refuzim të lnjoftimit, regjistrimit ose lejes
Autoriteti kompetent mund të refuzojë shënimin e një njoftimi, regjistrimi ose lëshimi të lejes vetëm në
rast se personi i cili kërkon të bëjë njoftim apo regjistrim ose të marrë leje nuk i përmbush kërkesat e
përcaktuara nga autoriteti kompetent.
8
KREU VI
CERTIFIKIMI DHE TRANSFERI I LEJIMIT
Neni 22
Certifikata e lejimit
1. Çdo certifikatë e lëshuar për leje ose licencë profesionale do të përmbajë si më poshtë:
1.1. emrin dhe logon e autoritetit kompetent;
1.2. numrin identifikues të certifikatës dhe datën e lëshimit;
1.3. emrin e palës së regjistruar ose të njoftuar, mbajtësit lejes ose licencës;
1.4. destinimi i llojit të lejimit të lëshuar;
1.5. lloji i veprimtarisë me të cilën ka të bëjë lejimi;
1.6. vendi i veprimtarisë, nëse ka;
1.7. periudha e vlefshmërisë, nëse ka; dhe
1.8. vula e autoritetit kompetent dhe/apo nënshkrimi i personit të autorizuar për të nënshkruar
në emër të autoritetit kompetent.
Neni 23
Zëvendësimi i certifikatës së lejimit
1. Në rast të humbjes apo dëmtimit të një lejimi, apo të informatave që identifikojnë palën e regjistruar
apo të shënuar, nëse mbajtësi i lejes ose i licencuari ka ndryshuar, personi i tillë do të dorëzojë një
kërkesë të shkruar ose elektronike te autoriteti kompetent për lëshim të kopjes së certifikatës së
lejimit.
2. Në rast se autoriteti kompetent përcakton se lejimi është i vlefshëm, do të lëshojë një kopje të
certifikatës së lejimit brenda dy (2) dite pas përcaktimit. Autoriteti kompetent do të bëjë përcaktimin
brenda pesë (5) dite pas pranimit të kërkesës.
Neni 24
Transferimi i lejimeve
Licencat profesionale nuk do të jenë të transferueshme te palët e treta.
Neni 25
Transferimi i dokumentit lejues
1. Dokumentet lejuese mund të transferohen nga titullarët e tyre te ndonjë person tjetër vetëm nëse
ato të drejta specifikohen në mënyrë të veçantë në ligjet përkatëse.
2. Titullari i lejes për shfrytëzim mund të transferojë licencën për shfrytëzim apo ta ndajë në disa pjesë
dhe t'i transferojë të drejtat e shfrytëzimit në pjesë te personat tjerë përmes shitjes apo qirasë.
9
3. Nëse bartësi i dokumentit lejues dëshiron të bëjë transferimin e Licencës ose Lejes në fjalë, Bartësi
i kësaj Licence ose Leje dhe pranuesi i propozuar i saj duhet që bashkërisht të dorëzojnë tek autoriteti
kompetent një kërkesë të plotësuar në formën e paraparë së bashku me taksën e paraparë. Kësaj
kërkese duhet t’i bashkëngjiten të dhënat në vijim:
3.1. një (1) kopje të dokumentit lejues dhe të marrëveshjes së propozuar për transferim si
dhe të gjitha dokumentet tjera përkatëse;
3.2. një (1) deklaratë nga Bartësi i dokumentit lejues që i parashtron arsyet për transferimin e
propozuar;
3.3. të dhënat që vërtetojnë se pranuesi i transferimit sipas këtij ligji do të kishte të drejtë që të
marrë dokumentin lejues në fjalë, nëse pranuesi i transferimit do të kishte aplikuar për atë
dokument lejues dhe
3.4. një (1) deklaratë me shkrim nga ana e pranuesit të transferimit të propozuar që i pranon
dhe do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e mbetura të bartësit të dokumentit lejues –
pavarësisht nëse këto detyrime lindin nga Licenca, Leja, ky ligj ose ndonjë element tjetër i
Ligjit të Kosovës – nga data e hyrjes në fuqi transferimit.
4. Me miratimin e kërkesës, autoriteti kompetent bën ndryshimet përkatëse në regjistrin qendror për
dokumentet lejuese dhe lëshon certifikatën përkatëse të dokumentit lejues brenda tre (3) ditëve.
Neni 26
Pezullimi dhe Revokimi i Lejeve
1. Kur autoriteti kompetent të ketë përcaktuar se ka ndodhur një mospërputhje me kushtet dhe
kërkesat e një leje, autoriteti kompetent do ti jep njoftimin për mospërputhjen mbajtësit të lejes dhe do
ti jep mbajtësit të lejes kohë të arsyeshme për të korrigjuar mospërputhjen.
2. Nëse mbajtësi i lejes nuk e korrigjon mospërputhjen, autoriteti kompetent mund të vendosë një
gjobë.
3. Gjobat do të specifikohen nga autoriteti kompetent me një udhëzim administrativ dhe do ti
nënshtrohen aprovimit nga Qeveria.
4. Në rast se mbajtësi i lejes vazhdon të jetë në mospërputhje me kushtet dhe kërkesat e lejes pas
vendosjes së gjobës, leja mund të pezullohet ose revokohet për një periudhë të caktuar kohore, deri
në korrigjimin e mospërputhjes.
5. Vendimi për të pezulluar ose revokuar lejen do të bazohet në nivelin rrezikut që autoriteti
kompetent ia atribuon mospërputhjes me kushtet dhe kërkesat e lejes.
6. Nëse mospërputhja krijon rrezik të pashmangshëm dhe të rëndë për shëndetin publik, sigurinë
publike ose për mjedisin, mbajtësi i lejes duhet të pushojë veprimtarinë e tij të lejuar menjëherë dhe
leja do të pezullohet.
7. Në rast se autoriteti kompetent pezullon ose revokon një leje, do të njoftojë mbajtësin e lejes
menjëherë.
8. Mbajtësi i lejes nuk do të ushtrojë veprimtarinë e lejuar derisa leja është e pezulluar ose revokuar.
9. Në rast të revokimit apo pezullimit të një leje, mbajtësi i lejes do të kthejë certifikatën e lejimit te
autoriteti kompetent brenda tri 3 ditësh pas hyrjes në fuqi të vendimit për revokim ose pezullim të
lejes.
10. Kur mospërputhja me kushtet dhe kërkesat e lejes të jetë korrigjuar, mbajtësi i lejes do të njoftojë
autoritetin kompetent për këtë efekt dhe pas konfirmimit ë kësaj, autoriteti kompetent do të anulojë
pezullimin apo revokimin dhe do të njoftojë mbajtësin e lejes për këtë efekt në kohën e duhur.
10
11. Autoriteti kompetent do të shënojë në kohë të duhur në regjistrin e duhur në internet çdo ndryshim
që ndodh në statusin e lejes.
12. Nëse për ndonjë arsye gjatë afatit të vlefshmërisë së lejes, mbajtësi i lejes nuk mund të jetë në
përputhje me kushtet dhe kërkesat e lejes, mbajtësi i lejes duhet ta njoftojë autoritetin kompetent me
shkrim menjëherë për këtë. Pezullimi ose revokimi i lejes do të jetë efektiv në datën e dorëzimit të
njoftimit me shkrim.
13. Në rast se mbajtësi i lejes është në gjendje për të rifilluar përputhshmërinë me kushtet e lejes,
mbajtësi i lejes mund të njoftojë autoritetin kompetent për këtë dhe pas konfirmim të kësaj autoriteti
kompetent do të anulojë pezullimin ose revokimin dhe do të njoftojë mbajtësin e lejes për këtë brenda
pesë (5) dite pune.
Neni 27
E drejta për ankesë ndaj një vendimi administrativ
1. Vendimi i autoritetit kompetent për të refuzuar, pezulluar ose revokuar një lejim do të jetë plotësisht
i arsyetuar dhe i përcaktuar me shkrim.
2. Për një vendim të tillë mund të bëhet ankesë tek autoriteti kompetent.
3. Autoriteti kompetent do ta shqyrtojë dhe do të nxjerr një vendim për ankesën.
4. Në rast se autoriteti kompetent afirmon vendimin fillestar ose dështon të nxjerr vendim të vetin siç
parashihet më lartë, mund të bëhet ankesë për vendimin në gjykatën e kompetente.
5. Një ankesë siç përshkruhet në paragrafët 2. dhe 4. këtij neni do të pezullojë vendimin për lejim në
pritje të zgjidhjes së ankesës.
Neni 28
Zbatimi i ligjit për procedurën e përgjithshme administrative
Nëse me këtë ligj nuk përcaktohet ndryshe, për procedurën për leje dhe licenca, zbatohen dispozitat
e ligjit për procedurën e përgjithshme administrative.
KREU VII
REGJISTRI QENDROR I LLOJEVE TË LEJEVE DHE LICENCAVE
Neni 29
Regjistri Qendror i llojeve të lejeve dhe licencave
Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit apo autoriteti tjetër i përcaktuar nga Qeveria mban dhe
përditëson Regjistrin e lejeve dhe licencave që lëshohen nga institucionet qendrore në Republikën e
Kosovës.
Neni 30
Transparenca e Regjistrit Qendror të llojeve të lejeve dhe licencave
Regjistri i lejeve dhe licencave që lëshohen nga institucionet qendrore në Republikën e Kosovës
mbahet në formë elektronike dhe do jetë i hapur për publikun.
Neni 31
Përmbajtja e Regjistrit Qendror të llojeve të lejeve dhe licencave
11
1. Regjistri i llojeve të Lejeve dhe licencave përmban:
1.1. llojin e Lejes apo licencës;
1.2. autoritetin përkatës që lëshon lejen apo licencën;
1.3. procedurat dhe kushtet e përfitimit të lejeve dhe licencave;
1.4. dokumentacioni i nevojshëm dhe kostoja për realizimin e shërbimit;
1.5. formulari i aplikimit për çdo shërbim dhe udhëzuesi i plotësimit të tij;
1.6. afati i detyrueshëm për të marrë përgjigje për shërbimin e kërkuar;
1.7. afati dhe organi, ku bëhet Ankimi, në rast refuzimi të përgjigjes, apo të mos ofrimit të
shërbimit në afatin e detyrueshëm ligjor, si dhe kushtet dhe detajet tjera të përcaktuara me
akt nënligjor sipas paragrafit 2. të këtij neni;
2. Të gjitha autoritetet e nivelit qendror, që lëshojnë leje dhe licenca, janë të detyruara që të dërgojnë
të dhënat e kërkuara për Regjistrin qendror të llojeve të Lejeve dhe licencave, sipas kërkesave të këtij
ligji dhe aktit përkatës nënligjor të miratuar nga Qeveria.
Neni 32
Efekti juridik i Regjistrit Qendror të llojeve të lejeve dhe licencave
1. Të gjitha llojet e lejeve dhe licencave të cilat nuk figurojnë në Regjistrin Qendror të lejeve dhe
licencave nuk kanë efekt juridik.
2. Udhëheqësit e institucione përkatëse që lëshojnë leje dhe licenca janë përgjegjës për dërgimin dhe
përditësimin e të dhënave për Regjistrin Qendror të llojeve të lejeve dhe licencave.
KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 33
Lejimet dhe Regjistri i Lejimeve
1. Brenda gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji:
1.1. të gjitha institucionet qendrore që lëshojnë leje dhe licenca sipas nevojës propozojnë
ndryshime të ligjeve përkatëse për të sjellë kërkesat e tyre për lejime në përputhje me këtë
ligj.
1.2. çdo autoritet kompetent do të sjellë lejimet e veta në përputhje me këtë ligj dhe duhet të
krijojë regjistrin e vet të lejimeve dhe ti dërgojë të dhënat e kërkuara në Regjistrin Qendror të
lejeve dhe licencave.
2. Një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha lejet dhe licencat te cilat janë te
përcaktuara me akte nënligjore. Të gjitha autoritetet që kanë nxjerrë akte nënligjore ku përcaktohen
lejet dhe licencat me akte nënligjore obligohen që në harmoni me këtë ligj të propozojnë lejet dhe
licencat me akte ligjore.
12
Neni 34
Hyrja në fuqi
Ky ligj hynë në fuqi pesëmbëdhjetë (15) dite pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji nr. 04/L-202
21 nëntor 2013
Shpallur me dekretin Nr. DL-054-2013, datë 11.12.2013 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga