1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 4 KORRIK 2013, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-150 PËR ODAT E PROFESIONISTËVE SHËNDETËSOR
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR ODAT E PROFESIONISTËVE SHËNDETËSOR
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Me këtë ligj themelohen Odat e profesionistëve shëndetësor si organizata të pavarura profesionale që
ushtojnë veprimtari publike, rregullohet anëtarësia në Oda, kompetencat e Odave, organizimi dhe
funksionimi i Odave, mbajtja e regjistrit të anëtarëve të Odave, organet e Odave, përgjegjësia
disiplinore e anëtarëve të Odave, burimet e financimit të Odave dhe çështjet tjera me rëndësi për
punë dhe funksionim të Odave.
Neni 2
1. Odat e profesionistëve shëndetësor në Republikën e Kosovës janë organizata të pavarura të cilat
mbrojnë dhe prezantojnë interesat profesionale të anëtarëve të saj, sigurojnë standardet e larta të
kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore, promovojnë dhe mbrojnë veprimtarinë e profesionistëve
shëndetësor në institucionet shëndetësore publike dhe private, sigurojnë edukimin e vazhdueshëm
profesional me qëllim të ofrimit sa më cilësor të shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve tjera që
kanë të bëjnë me kujdesin shëndetësor.
2. Për ushtrimin e këtij misioni dhe përgjegjësive formohen:
2.1. Oda e mjekëve;
2.2. Oda e stomatologëve;
2.3. Oda e farmacistëve;
2.4. Oda e fizioterapeutëve, dhe;
2.5. Oda e infermiereve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësor.
Neni 3
Qëllimi i themelimit të Odave të profesionistëve shëndetësor
1. Odat e profesionistëve shëndetësor (në tekstin e mëtejmë: Odat) do të themelohen në mënyrë që
të:
1.1. japin profesionistëve shëndetësor pavarësinë profesionale;
1.2. sigurojnë organizata profesionale të vetëqeverisura;
1.3. kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në përgjithësi;
2
1.4. krijojnë kushtet për ushtrimin e profesionit të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve,
infermierëve dhe mamive, fizioterapeutëve dhe profesionistëve tjerë shëndetësor;
1.5. mbrojnë interesat e tyre profesionale, sociale dhe ekonomike;
1.6. japin konsulta, informacione dhe shërbime të tjera për anëtarët;
1.7. promovojnë standardet e larta të sjelljes profesionale;
1.8. promovojnë interesat e pacientëve për kujdesin shëndetësor;
1.9. kryejnë lehtësime për ushtrimin e aktiviteteve profesionale;
1.10. promovojnë dhe mbrojnë aktivitetet e profesionistëve shëndetësor në institucionet
shëndetësore publike dhe private;
1.11. zhvillojnë dhe zbatojnë programe të shkollimit specialistik pasuniversitar dhe proceseve
për të siguruar cilësi të lartë të shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve të tjera që lidhen
me kujdesin shëndetësor;
1.12. promovojnë dhe kryejnë zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe proceset e të
mësuarit afatgjatë;
1.13. organizojnë pjesëmarrjen në përmirësimin dhe zbatimin e kujdesit shëndetësor dhe
mbrojtjen e interesave të pacientëve në ushtrimin e të drejtës së tyre për kujdesin
shëndetësor;
1.14. marrin pjesë në krijimin e parimeve shëndetësore dhe zhvillimin e kujdesit shëndetësor
dhe japin këshilla për ata që konsiderohen përgjegjës për formulimin e parimeve
shëndetësore dhe zbatimin e tyre.
Neni 4
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Qeveria - Qeveria e Republikës së Kosovës;
1.2. Ministria - Ministria e Shëndetësisë;
1.3. Qytetari - personi me shtetësi të Republikës së Kosovës sipas Ligjit mbi Shtetësinë e
Kosovës, ose personi i kualifikuar si refugjat në pajtim me ligjin;
1.4. Shfrytëzuesi i shërbimeve shëndetësore - personi i cili i shfrytëzon shërbimet
shëndetësore;
1.5. Agjencioni i Financimit Shëndetësor (AFSH) - agjencion ekzekutiv i Ministrisë që në
emër të shtetit realizon të drejtat, obligimet, përgjegjësitë dhe autorizimet përkitazi me
kontraktimin, blerjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga institucionet shëndetësore në
të gjitha format e pronësisë, si dhe grumbullimin e të gjitha mjeteve financiare për këtë qëllim.
1.6. Lista e barërave dhe materialit shpenzues - Lista e produkteve mjekësore dhe
materialeve shpenzuese që mbulohen nga Qeveria dhe bashkëpagesat e qytetarëve;
1.7. Lista e shërbimeve të kujdesit shëndetësor - Lista e formave dhe llojeve të
shërbimeve të kujdesit shëndetësor që mbulohen nga Qeveria dhe nga bashkëpagesat
(përfshirë Listën e produkteve mjekësore dhe materialeve shpenzuese) e cila përpilohet nga
komiteti teknik i emëruar nga Ministria.
1.8. Profesionisti shëndetësor - punëtori që ofron shërbime shëndetësore;
3
1.9. I diplomuar - personi që ka përfunduar studimet themelore universitare;
1.10. Specialist - kualifikimi profesional i fituar gjatë shkollimit specialistik pasdiplomik, të
kryer në Republikën e Kosovës ose jashtë saj, që është i njohur dhe i nostrifikuar në pajtim
me këtë ligj;
1.11. Sub-specialist - kualifikimi i ngushtë profesional i fituar gjatë shkollimit pas specialistik
në Republikën e Kosovës ose jashtë saj, që është i njohur dhe i nostrifikuar nga organi i
autorizuar ose i njohur në pajtim me këtë ligj;
1.12. Bashkëpunëtori shëndetësor - personi i cili nuk e ka kryer shkollimin formal medicinal,
që me qëllim të realizimit të veprimtarisë shëndetësore është i punësuar në institucion
shëndetësor;
1.13. Kujdesi shëndetësor - masat dhe veprimet që ndërmerren nga organizatat,
institucionet dhe profesionistët shёndetёsor, që për qëllim parësor kanë përmirësimin e
shëndetit të qytetarëve dhe të banorëve;
1.14. Shërbimi profesional - organizimi administrativ dhe profesional i institucioneve
shëndetësore brenda një lëmie specialistike, që ka për qëllim sigurimin e vazhdimësisë së
kujdesit shëndetësor në të gjitha nivelet e organizimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor;
1.15. Institucioni shëndetësor - institucioni i themeluar nga personi juridik ose fizik që ofron
shërbime të kujdesit shëndetësor, në bazë të licencës së lëshuar në pajtim me këtë ligj;
1.16. Fshehtësia profesionale - ruajtja e të dhënave për gjendjen shëndetësore të
shfrytëzuesit të shërbimeve shëndetësore nga qasja në to prej personave të paautorizuar.
Neni 5
Statusi ligjor i Odave
1. Odat janë organizata të pavarura profesionale që ushtrojnë veprimtari publike dhe kanë cilësinë e
personit juridik, me të drejta dhe detyra të përcaktuara me këtë ligj, aktet nënligjore, legjislacionin
tjetër përkatës dhe Statutin e Odave.
2. Odat do të kenë selinë e vet në Prishtinë dhe nuk do të kenë zyra të degëve.
3. Secila Odë do të veprojë në emër të vet dhe do të jetë përgjegjëse për detyrimet e veta me të gjitha
pasuritë e tyre.
4. Odat do të miratojnë statutet për organizimin dhe funksionimin e brendshëm, përfaqësimin,
kompetencat dhe përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve, dispozitat themelore për
zgjedhjet dhe emërimet, çështjet financiare, përgjegjësi disiplinore dhe çështje të tjera të rëndësishme
për funksionimin e tyre.
Neni 6
Atributet e Odave
Secila Odë duhet të ketë vulën e vet, simbolet dhe atributet e tjera duke i bërë ato publikisht të
njohura. Atributet do të përcaktohen më tej në statutet e tyre.
Neni 7
1. Veprimtaria e Odave është transparente.
2. Transparenca e punës së Odave sigurohet në harmoni me këtë ligj, me ligjet tjera dhe statutin e
Odës.
4
KREU II
ANËTARËSIMI NË ODA
Neni 8
1. Anëtarësimi në Oda është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë, doktorët e
stomatologjisë, farmacistët e diplomuar, infermierët e diplomuar, mamitë e diplomuara,
fizioterapeutët e diplomuar, laborantët e lartë mjekësor, logopedët e diplomuar, foniatët e diplomuar,
psikologët klinik, profesionistët tjerë shëndetësor me kualifikim të mesëm dhe të lartë të përcaktuar në
regjistrin zyrtar të ministrisë të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e
Kosovës.
2. Anëtarësimi në Oda është i detyrueshëm edhe për profesionistët shëndetësor nga paragrafi 1. i
këtij neni të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në kushte të mbrojtjes sociale, institucione tjera të
organeve shtetërore, në fakultete, gjegjësisht në shkolla profesionale, në ambulanca të mjekësisë së
punës si dhe në të gjitha rrethanat tjera ku ushtrohet veprimtaria shëndetësore në përputhje me ligjet
në fuqi.
KREU III
KOMPETENCAT E ODAVE
Neni 9
Kompetencat publike të Odave
1. Kompetencat publike të Odës janë:
1.1. miraton kodin e etikës profesionale (kodin e etikës);
1.2. regjistron dhe mirëmban regjistrin e profesionistëve dhe bashkëpunёtorёve shëndetësor
dhe mbanë regjistrin e të gjitha Institucioneve shëndetësore;
1.3. lëshimi i licencave, ri-licencimi dhe revokimi i tyre;
1.4. zbatimi i mbikëqyrjes profesionale me angazhim të eksperteve të lёmive përkatëse;
1.5. bashkëpunimi me organet shtetërore dhe lokale që adresojnë çështjet e shëndetësisë
dhe bashkëpunimi me shoqatat e tjera profesionale në vend dhe jashtë vendit;
1.6. ushtrojnë mbikëqyrjen profesionale dhe ligjore mbi punën e profesionistëve shëndetësor;
1.7. verifikon ligjshmërinë e procesit të specializimit, organizon provimin specialistik,
organizon dhe mbikëqyr sub-specializimet;
1.8. planifikojnë, zbatojnë edukimin e vazhdueshëm profesional;
1.9. ndërmjetëson në kontestet në mes anëtarëve të Odës dhe shfrytëzuesve të shërbimeve
shëndetësore;
1.10. organizon gjyqet e nderit në lidhje me përcaktimin e shkeljeve dhe obligimeve
profesionale të anëtarëve të Odave dhe shqipton masa disiplinore;
1.11. cakton lartësinë e pagesës së anëtarësisë të anëtarëve të Odave;
1.12. cakton lartësinë e taksës për licencim, ri-licencimit, dhe lejeve tjera për ushtrim të
veprimtarisë profesionale në bazë të autorizimeve ligjore;
5
1.13. lëshon kartelat e identifikimit dhe numrat identifikues për anëtarët e Odave;
1.14. me kërkesën e anëtarëve të Odës lëshon certifikata, vërtetime dhe dokumente tjera në
bazë të evidencës zyrtare të Odës.
Neni 10
Kompetencat tjera të Odave
1. Përveç autorizimeve publike nga neni 9 i këtij ligji Odat ushtrojnë edhe këto punë:
1.1. përfaqëson dhe mbron interesat profesionale të anëtarëve të Odës në ushtrimin e
profesionit;
1.2. kujdeset për ruajtjen e autoritetit të anëtarëve të Odave në ushtrimin e punëve
profesionale në pajtim me etikën profesionale;
1.3. mban evidencën e anëtarëve të Odave që ushtrojnë veprimtarinë shëndetësore dhe të
cilët janë të regjistruar në regjistrin e organit kompetent në pajtim me ligjin;
1.4. bashkëpunimi me organet shtetërore dhe lokale që adresojnë çështjet e shëndetësisë
dhe bashkëpunimi me shoqatat e tjera profesionale në vend dhe jashtë vendit;
1.5. bashkëpunimi në përgatitjen e ligjeve, dokumenteve si dhe akteve tjera nënligjore nё
sektorin e shëndetësisë si dhe mbikëqyrja e zbatimit të tyre;
1.6. propozimi dhe inicimi i procedurave për nxjerrjen e akteve të përgjithshme dhe të veçanta
në përputhje me ligjin, statutin dhe aktet tjera të Odës;
1.7. bashkëpunimi në përcaktimin e çmimores së shërbimeve shëndetësore dhe shërbimeve
farmaceutike, në bashkëpunim me fondin e sigurimeve shëndetësore dhe shfrytëzuesit e
shërbimeve shëndetësore;
1.8. bashkëpunimi në përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale në bashkëpunim me
institucionet tjera përgjegjëse;
1.9. bashkëpunimi nё përpilimin e plan-programeve për edukimin e vazhdueshëm profesional
për të gjithë profesionistët shëndetësor;
1.10. zbatimi i aktiviteteve shkencore dhe hulumtuese në përputhje me detyrat dhe
pёrgjegjёsitё e Odës;
1.11. përfaqësimi i interesave profesionale dhe sociale të profesionistëve shëndetësor dhe
bashkёpunёtorёve tjerë;
1.12. konsultimi, ofrimi i ndihmës dhe përfaqësimi i interesave të anëtarëve nё fushën e
legjislacionit si dhe lёmive tjera qё ndërlidhen me fushën e shëndetёsisё;
1.13. pjesëmarrja në vendimmarrje nё lidhjen e kontratave me fondin për sigurime
shëndetësore;
1.14. krijimi dhe menaxhimi i fondit tё Odës;
1.15. bashkëpunimi me institucione përkatëse në parandalimin e veprimtarisë shëndetësore
ilegale;
1.16. përgatitja dhe lëshimi i formave dhe dokumenteve si dhe i revistave, librave dhe
publikimeve tjera;
1.17. promovimi i bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve të Odës;
6
1.18. promovimi dhe zbatimi i aktiviteteve kulturore dhe shoqërore të anëtarëve, organizimi i
ngjarjeve kulturore, sportive dhe ngjarje të tjera sociale;
1.19. emërimi i përfaqësuesve tё Odës nё marrëveshje me institucionet e të gjitha niveleve të
kujdesit shëndetësor;
1.20. zhvillimi i aktiviteteve tjera nё përputhje me ligjin, statutin dhe aktet tjera tё përgjithshme
tё Odës.
KREU IV
REGJISTIRIMI I PROFESIONISTËVE SHËNDETËSOR
Neni 11
1. Odat e profesionistëve shëndetësor në pajtim me këtë ligj mbajnë këto regjistra të Odës:
1.1. regjistri i të gjithë anëtarëve të Odës;
1.2. regjistri i licencave të lëshuar dhe të revokuara;
1.3. regjistri i masave të shqiptuara disiplinore anëtarëve të Odave.
Neni 12
1. Organet kompetente të Odave të profesionistëve shëndetësor në afat prej pesëmbëdhjetë (15)
ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës nga profesionistët shëndetësor me vendim lejojnë regjistrimin
në regjistrin e profesionistit shëndetësor.
2. Ndaj vendimit nga paragrafi 1. i këtij neni mund ti ushtrohet ankesa organit kompetent në afat prej
pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e nxjerrjes së vendimit.
Neni 13
Anëtarët e Odave të profesionistëve shëndetësor obligohen që organit kompetent të Odës ti
paraqesin çdo ndryshim me rëndësi për regjistrim nga neni 11 i këtij ligji si dhe fakte tjera të
rëndësishme në kompetencë të Odës më së largu tridhjetë (30) ditë nga dita e informimit për
ndryshime respektivisht fakte të reja.
Neni 14
Regjistrat nga neni 11 i këtij ligji janë dokumente publike.
Neni 15
Odat me akte të veçanta përcaktojnë mënyrën e regjistrimit, evidentimit dhe mirëmbajtjes së
regjistrave, përmbajtjen e regjistrave si dhe formën e shkresave, vërtetimeve dhe akteve tjera të Odës
në bazë të evidencës zyrtare.
KREU V
ORGANET E ODAVE
Neni 16
1. Organet e Odave janë:
1.1. Kuvendi;
1.2. Kryetari i Odës;
7
1.3. Këshilli drejtues;
1.4. Këshilli mbikëqyrës për buxhet dhe financa;
1.5. Këshilli etik;
1.6. Gjyqi i nderit;
1.7. Prokurori i Odës;
1.8. Komisionet e përhershme të Odës.
2. Anëtarët e kuvendit të Odave zgjidhen për mandat katër (4) vjeçar.
3. Anëtarët e kuvendit të Odave mund të zgjidhen sërish pas skadimit të mandatit edhe për një
mandat katër (4) vjeçar.
4. Autorizimet, kompetencat dhe mënyra e punës së organeve nga paragrafi 1. i këtij neni më për së
afërmi rregullohen me statut.
Neni 17
Kryetari i Odës, zëvendëskryetarët, anëtarët e këshillit drejtues dhe sekretari i përgjithshëm nuk mund
të jenë persona të zgjedhur dhe të emëruar në funksione tjera publike dhe politike, përveç
profesionale mjekësore dhe në mësimdhënie.
Neni 18
Organet nga neni 11 i këtij ligji në përbërjen e vet duhet të sigurojnë përfaqësimin e barabartë të të
gjitha nivelet të organizimit funksional dhe profesional.
Neni 19
Kompetencat e Kuvendit
1. Kuvendi është organi më i lartë i Odës, i cili ka këto përgjegjësi dhe autorizime:
1.1. miraton, ndryshon dhe plotëson statutin dhe aktet e tjera normative;
1.2. miraton kodin e etikës profesionale;
1.3. miraton programin e punës së Odës;
1.4. miraton rregulloren e punës së Odës;
1.5. zgjedh dhe shkarkon kryetarin;
1.6. miraton dhe shkarkon anëtarët e këshillit drejtues të Odës;
1.7. zgjedh dhe shkarkon kryetarin, zëvendës kryetarin dhe anëtarët e këshillit etik;
1.8. zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe anëtarët e këshillit mbikëqyrës;
1.9. zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe anëtarët e gjyqit të nderit;
1.10. zgjedh dhe shkarkon prokurorin e Odës;
1.11. zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe anëtarët e komisioneve të përhershme të Odës;
1.12. përcakton lartësinë e anëtarësisë për anëtarët e Odës;
8
1.13. përcakton lartësinë e kompensimit (taksës) për anëtarët e Odës, taksën për licencim
dhe rilicencim si dhe lartësinë e taksës për lëshimin e certifikatave, vërtetimeve dhe
dokumenteve tjera për të cilat Oda mban evidencë zyrtare;
1.14. shqyrton dhe miraton raportet e punës së organeve të Odës;
1.15. miraton raportin financiar dhe llogarinë përfundimtare të Odës;
1.16. merr vendim për shkarkim të kuvendit të Odës dhe shpall zgjedhjet e parakohshme;
1.17. shqyrton dhe merr qëndrime parimore për çështjet me rëndësi për punën e Odës;
1.18. kryen dhe punë të tjera të parapara me statutin e Odës.
Neni 20
Kryetari i Odës
1. Detyrat dhe përgjegjësitë e kryetarit të Odës:
1.1. përfaqëson Odën dhe vepron në emër të saj;
1.2. fton dhe udhëheq seancat e kuvendit;
1.3. ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit të Odës;
1.4. ekzekuton aktet e kuvendit të Odës;
1.5. i propozon kuvendit të Odës emërimin dhe shkarkimin e zëvendësve të tij/saj.
1.6. organizon punën dhe drejton politikën e Odës;
1.7. propozon rregullore apo akte të tjera për miratim në kuvendin Odës;
1.8. raporton para kuvendit të Odës për situatën ekonomiko-financiare të Odës, së paku një
herë në vit apo kurdoherë që kërkohet nga kuvendi i Odës;
1.9. kryen aktivitetet tjera që i caktohen me statut.
2. Në rast mungese kryetarin e Odës e zëvendëson njëri nga zëvendësit e kryetarit të Odës.
Neni 21
Këshilli drejtues i Odës
1. Këshilli drejtues i Odës:
1.1. është përgjegjës për zbatimin e vendimeve të Odës;
1.2. përcakton propozimin e statutit dhe akteve tjera të Odës;
1.3. propozon kuvendit anëtarët e organeve të Odës;
1.4. përcjell dhe harmonizon, punën e organeve të Odës;
1.5. përcakton propozimin e programit të punës së Odës;
1.6. propozon organeve shtetërore masat për mbrojtjen dhe përparimin e mbrojtjes
shëndetësore dhe sigurimit shëndetësor;
1.7. përcakton planin financiar të Odës dhe kujdeset për zbatimin;
9
1.8. miraton llogaritë periodike financiare;
1.9. emëron dhe shkarkon sekretarin e përgjithshëm të Odave;
1.10. shqyrton dhe miraton raportet periodike të punës së Odave në fushat për të cilat është
përgjegjëse;
1.11. miraton rregulloren mbi organizimin dhe sistematizimin e punëve të shërbimit
profesional të Odës dhe merr masa për sigurimin e ligjshmërisë dhe efikasitetin e punës së
shërbimit profesional;
1.12. vendos në shkallë të dytë sipas ankesave nga marrëdhënia e punës së punëtorëve të
shërbimit profesional të Odës;
1.13. kryen dhe punë tjera të parapara me statut të Odës.
Neni 22
1. Këshilli drejtues i Odës ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë, nga të cilët një (1) anëtar i komunitetit jo
shumicë dhe një (1) anëtar nga radhët e komuniteteve tjera.
2. Kryetari dhe zëvendëskryetarët e Odës janë anëtarë të këshillit drejtues sipas detyrës zyrtare.
3. Pesë (5) anëtarë të këshillit drejtues i zgjedh kuvendi i Odës nga radha e anëtarëve të vet, ndërsa
tre (3) anëtarë të këshillit drejtues i delegon Ministria e Shëndetësisë.
4. Mënyra e punës së këshillit drejtues më hollësisht rregullohet me statut.
5. Sekretari i Përgjithshëm i Odës është person i ftuar gjithmonë në takimet e Këshillit drejtues.
6. Sekretari i Përgjithshëm i Odës nuk ka të drejtë vote, por ka të drejtë për të propozuar pika në
rendin e ditës dhe dokumentet mbështetëse të tyre.
Neni 23
Këshilli mbikëqyrës i Odës
1. Këshilli mbikëqyrës i Odës:
1.1. mbikëqyrë dhe përcjellë afarizmin financiar të Odës;
1.2. përcjellë dhe mbikëqyrë realizimin e të drejtave dhe obligimeve të anëtarëve të Odës;
1.3. mbikëqyrë dhe përcjellë punën e shërbimit profesional të Odës;
1.4. propozon këshillit drejtues marrjen e masave dhe veprimeve në rastet kur vlerëson se ka
shkelje ligjore dhe të akteve të miratuar nga kuvendi i Odës;
1.5. kryen dhe punë tjera të parapara me statut dhe me akte tjera të Odës.
2. Këshilli mbikëqyrës i Odës përbëhet nga shtatë (7) anëtarë.
3. Kryetarin, zëvendëskryetarin dhe tre (3) anëtarë tjerë të këshillit i zgjedh kuvendi i Odës nga
radha e anëtarëve të vetë, ndërsa dy (2) anëtarë i delegon Ministria e Shëndetësisë.
4. Këshilli mbikëqyrës i Odës për punën e vet i përgjigjet kuvendit të Odës.
Neni 24
Këshilli etik
1. Këshilli etik:
10
1.1. mbikëqyrë zbatimin e kodit të etikës dhe deontologjisë mjekësore;
1.2. siguron udhëheqjen etiko-morale e deontologjike dhe promovon principet dhe parimet të
etikës profesionale;
1.3. merr masat e duhura në rast të shkeljes së kodit etik dhe të deontologjisë mjekësore;
1.4. pranon dhe shqyrton ankesat nga ana e qytetarëve;
1.5. jep mendimet dhe vlerësimet për punën e anëtarëve të Odës në pajtim me kodin e etikës
profesionale;
1.6. i ofron mbështetje qytetarëve në realizimin e të drejtës së cilësisë së shërbimeve, llojit
dhe përmbajtjes së shërbimeve;
1.7. kryen dhe punë tjera të parapara me statut të Odës si dhe me akte të veçanta të Odës.
1.8. këshilli etik ka pesë (5) anëtarë;
1.8.1. Kryetarin, zëvendëskryetarin dhe dy (2) anëtarët e tjerë të këshillit etik i zgjedh
kuvendi i Odës nga radha e anëtarëve të vet, ndërsa një (1) anëtarë e delegon
Ministria e shëndetësisë.
KREU VI
MASAT DISCIPLINORE
Neni 25
1. Këshilli etik është organ i shkallës së parë i cili fillon procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë të
profesionistëve shëndetësor për shkelje të këtij ligji, statutit të Odës dhe kodit të etikës mjekësore dhe
varësisht nga shkeljet e konstatuara shqipton këto masa disiplinore:
1.1. rekomandim kolegial;
1.2. kërkim falje ndaj pacientit;
1.3. qortim ose qortim publik;
1.4. arsimim shtesë dhe të detyrueshëm pasuniversitar dhe trajnim;
1.5. trajtimi i detyrueshëm nga alkooli, droga dhe vese të tjera;
1.6. tërheqja e përkohshme ose e përhershme e licencës dhe/ose fshirja e profesionistit
shëndetësor nga regjistri;
1.7. dënimi me të holla njëmijë (1.000) deri në tremijë (3.000) Euro për çdo shkelje të ligjit,
detyrave profesionale dhe etike.
Neni 26
1. Në procedurë para Këshillit Etik të Odës, zbatohen dispozitat e Ligjit për procedurën administrative,
në lidhje me thirrjen e palëve, sigurimin e provave, dëgjimin e palëve, përgatitjen e procesverbaleve
dhe procedurat tjera.
2. Anëtarit të Odës ndaj të cilit është filluar procedura disiplinore doemos duhet ti mundësohet
deklarimi dhe mbrojtja pranë këshillit etik.
3. Në procedurën e marrjes në pyetje të anëtarëve të Odës dhe vlerësimit të provave në procedurë
disiplinore para këshillit etik mbahet procesverbali.
11
4. Sipas ankesës ndaj vendimit të këshillit etik vendos gjyqi i nderit.
Neni 27
Fillimi i procedurës para Gjyqit të Nderit për përcaktimi e shkeljeve të anëtarit të Odës nga
nënparagrafët 1.4., 1.5., 1.6., dhe 1.7. të paragrafit 1. të nenit 25 të këtij ligji nuk mund të filloj pas
skadimit të një (1) viti nga dita e shkeljes profesionale dhe shkeljes së nderit të anëtarit të Odës.
KREU VII
GJYQI I NDERIT
Neni 28
1. Gjyqi i nderit ka (5) pesë anëtarë, Kryetarin, zëvendësin e tij dhe tre (3) anëtarë të zgjedhur nga
kuvendi i Odës.
2. Një (1) anëtar dhe zëvendësin e tij e propozon Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Neni 29
Gjyqi i nderit vendosë edhe lidhur me ankesat e anëtarëve, qytetarëve dhe parregullsive në procesin
e zgjedhjeve të organeve të Odës.
Neni 30
Ndaj vendimit përfundimtar me të cilën është shqiptuar masa disiplinore nga nënparagrafët 1.4., 1.5.,
1.6., dhe 1.7. të paragrafit 1. të nenit 25 të këtij ligji profesionistët shëndetësor mund të ushtrojnë
ankesë pranë gjykatës së nderit të profesionistëve shëndetësor.
KREU VIII
PROKURORI I ODËS
Neni 31
Prokurori i Odës është organ i pavarur për inicimin e procedurës ndaj anëtarëve të Odës ndaj të
cilëve ekziston dyshimi i bazuar se ka bërë shkelje të ligjit, statutit dhe kodit të etikës mjekësore.
Neni 32
Rastet e shkeljes nga neni 25 i këtij ligji mund ti denoncojnë: Oda e profesionistëve Shëndetësor,
Ministria e Shëndetësisë, Shoqatat e Profesionistëve Shëndetësor, Institucionet Shëndetësore, Fondi
i Sigurimeve Shëndetësore, Prokuroria Shtetërore, anëtaret e Odës dhe pala e dëmtuar.
Neni 33
1. Prokurorin edhe zëvendësin e tij e zgjedhë Kuvendi i Odës nga radha e anëtarëve të Odës.
2. Prokurori i Odës për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Odës.
KREU IX
KOMISIONET E PËRHERSHME TË ODËS
Neni 34
Odat e profesionistëve shëndetësor kanë komisionet e përhershme dhe të përkohshme. Anëtarët e
komisioneve të Kuvendeve të Odës i zgjedh kuvendi i Odës nga radha e anëtarëve të Odës.
12
Neni 35
1. Komisionet e përhershme të Odës janë :
1.1. Komisioni për çështje etike;
1.2. Komisioni për licencim të profesionistëve shëndetësor;
1.3. Komisioni për edukim specialistik;
1.4. Komisioni për edukim të vazhdueshëm profesional;
1.5. Komisioni për buxhet dhe financa;
1.6. Komisioni i solidaritetit dhe ndihmës reciproke.
Neni 36
Përbërja dhe fushëveprimi i komisionit nga neni 35 i këtij ligji përcaktohen me statut dhe akte të tjera
normative të Odës.
Neni 37
1. Kuvendi i Odës sipas nevojës mund të formoj edhe komisione tjera të përkohshme.
2. Me vendim për formimin e komisionit të përkohshëm kuvendi i Odës përcakton përbërjen dhe
fushëveprimin e komisionit të përkohshëm.
KREU X
BURIMET E FINANCIMIT TË ODËS
Neni 38
1. Mjetet për themelimin dhe funksionimin e Odës sigurohen nga:
1.1. Buxheti i Republikës së Kosovës për fazën kalimtare tre (3) vjeçare;
1.2. mjetet e realizuara sipas nenit 39 të këtij ligji, për tri (3) vitet e para nga hyrja në fuqi e
këtij ligji, derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Neni 39
1. Odat e profesionistëve shëndetësor realizojnë të hyra vetanake nga:
1.1. anëtarësia;
1.2. taksa për licencim dhe ri-licencim si dhe lartësia e taksës për lëshimin e certifikatave,
vërtetimeve dhe dokumenteve tjera për të cilat Oda mban evidencë zyrtare;
1.3. dhuratat dhe donacionet e tjera si dhe të hyrat tjera në pajtim me ligjin.
Neni 40
1. Anëtarët e Odës kanë obligim që në mënyrë të rregullt të paguajnë anëtarësinë, kompensimin për
regjistrim, licencim dhe shërbime të tjera administrative në pajtim me ligjin dhe aktet tjera normative të
Odës.
2. Në rast dështimi të përmbushjes së këtyre obligimeve organet e Odës marrin masa disiplinore ndaj
anëtarëve të saj.
13
Neni 41
1. Mjetet e Odës derdhen në xhirollogarinë e Odës dhe menaxhohen si në vijim:
1.1. për tri (3) vitet e para kalimtare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, mjetet sigurohen nga
Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë në pajtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike
dhe Përgjegjësitë.
1.2. të hyrat e parapara për financim të Odës sipas nenit 39 të këtij ligji fillojnë të zbatohen
me themelimin e Odës në pajtim me këtë ligj dhe për tri (3) vitet e para derdhen në Buxhetin e
Republikës së Kosovës. Mjetet e grumbulluara në vitin e tretë mbahen në Buxhetin e
Republikës së Kosovës si mjete të alokuara për Odën sipas Ligjit për Menaxhimin e
Financave Publike dhe Përgjegjësive, të cilat derdhen në xhirollogarinë e Odës me fillimin e
vitit të katërt me qëllim të funksionimit të Odës.
1.3. pas vitit të tretë, Oda vetëfinancohet sipas mënyrës së paraparë me këtë ligj.
2. Oda e ka xhirollogarinë e vet të hapur nga Thesari.
3. Kryetari i Odës është përgjegjës financiar i Odës.
4. Oda është përgjegjëse për punën e saj me tërë pasurinë që disponon.
Neni 42
Oda hap llogari të veçantë, menaxhon mjetet e dedikuara në fondin e solidaritetit dhe ndihmës
reciproke të anëtarëve të Odës.
KREU XI
TRANSPARENCA E PUNËS SË ODAVE
Neni 43
1. Odat e profesionisteve shëndetësor obligohen që të njoftojnë opinionin mbi çështjet e rëndësishme
nga fushëveprimi i Odave.
2. Odat kanë për obligim të njoftojnë organet kompetente të ndjekjes, organet kompetente gjyqësore
dhe Ministrinë përkatëse për Shëndetësi për procedurë disiplinore që udhëhiqet ndaj anëtarëve të
Odës nga organet e Odës si dhe procedurën e licencimit, ri-licencimit dhe revokimit të licencës nëse
dyshohet se në këto procedura ekziston dyshimi i bazuar që është kryer vepër penale.
3. Odat kanë për obligim që me kërkesë të organeve nga paragrafi 2. i këtij neni t’i vejë në disponim
të gjitha faktet dhe informatat që posedon.
Neni 44
Odat bashkëpunojnë me institucionet arsimore të profilit shëndetësor, institucionet shëndetësore,
shoqatat e profesionistëve shëndetësor, fondet e sigurimeve shëndetësore lidhur me çështjet e
rëndësishme për punët e Odës dhe të mbrojtjes shëndetësore të qytetarëve.
KREU XII
MBIKËQYRJA E PUNËS SË ODËS
Neni 45
1. Mbikëqyrjen ndaj ligjshmërisë së punës së Odës në ushtrimin e funksioneve publike nga neni 9 i
këtij ligji e bënë Ministria për Shëndetësi.
14
2. Në ushtrimin e mbikëqyrjes nga paragrafi 1. i këtij neni Ministria për Shëndetësi mund të kërkon
nga organet e Odës raport dhe informata për çështje të caktuara.
3. Odat janë të obliguara që raportet dhe informatat nga paragrafi 2. i këtij neni t’ia ofrojnë Ministrisë
për Shëndetësi në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e kërkesës, ose të informojë për arsyet për të
cilat nuk është e mundur të dërgojë brenda afatit të kërkuar.
4. Odat janë të obliguara që gjer më 31 mars të vitit vijues ti dërgojnë Ministrisë për Shëndetësi
raportin vjetor për vitin paraprak.
Neni 46
1. Për financimin e aktiviteteve dhe raportimet financiare të Odës duhet të zbatohen rregullat e
afarizmit financiar dhe kontabilitetit në përputhje me ligjet e Kosovës.
2. Odat e profesionistëve që shfrytëzojnë mjetet e Buxhetit të Republikës së Kosovës dhe mjetet tjera
publike, duhet të zbatojnë dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë
dhe Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës. Mjetet e shfrytëzuara auditohen nga Zyra e
Auditorit të Përgjithshëm në përputhje me legjislacionin në fuqi.
KREU XIII
AKTET E PËRGJITHSHME TË ODËS
Neni 47
1. Odat miratojnë statutin dhe aktet e tjera të përgjithshme në pajtim me statutin.
2. Statuti i Odës është akti më i lartë i Odës me të cilin në pajtim me këtë ligj më për së afërmi
rregullohen çështjet:
2.1. punët dhe përgjegjësitë e Odave në kuadër të autorizimeve ligjore;
2.2. mënyra e ushtrimit të punës së Odave;
2.3. organizimi i brendshëm i Odave;
2.4. përbërja e organeve të Odave;
2.5. mënyra dhe procedura e zgjedhjes në organet e Odave;
2.6. kompetencat e organeve të Odave;
2.7. numri i anëtarëve të organeve të Odave;
2.8. mënyra dhe procedura e zgjedhjes, revokimit dhe shkarkimit të anëtarëve në organet e
Odave;
2.9. mënyra, procedura e propozimit, emërimit dhe propozimit të kryetarit të Odave;
2.10. përbërja dhe zgjedhja e anëtarëve të Odave;
2.11. shkelje të lehta dhe të rënda të detyrave profesionale dhe autoritetit të Odave;
2.12. procedura për fillimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë së anëtarit të Odave;
2.13. procedura para këshillit etik të Odës, gjyqit të nderit, shqiptimit të masave ndëshkuese
dhe mënyra e realizimit të masave të shqiptuar, afatet për fillimin e procedurës si dhe çështjet
tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me përgjegjësinë e anëtarëve të Odave;
15
2.14. organizimi i shërbimit profesional të Odës dhe çështje tjera të rëndësishme për
funksionimin e shërbimit të Odave;
2.15. rregullon dhe çështje tjera të cilat nuk janë në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 48
Statuti i Odës miratohet dhe mund të ndryshohet me votim të së paku dy të tretave (2/3) të anëtarëve
të kuvendit të Odës.
Neni 49
1. Statuti i Odës, pas miratimit nga Odat sipas neneve 47 dhe 48 i dërgohet Ministrisë së
Shëndetësisë për miratim.
2. Në rast se Ministria përgjegjëse për shëndetësi nuk deklarohet në afat prej tridhjetë (30) ditësh për
projektstatutin, konsiderohet se është pajtuar me këtë projektstatut.
Neni 50
1. Odat nxjerrin edhe akte tjera të përgjithshme brenda kompetencave ligjore të Odave.
2. Procedura e miratimit të akteve të përgjithshme të Odave përcaktohet me statutin e Odave.
Neni 51
1. Kuvendi i Odës miraton kodin etik me të cilin më drejtpërdrejtë rregullohen parimet etike në
ushtrimin e veprimtarisë profesionale të anëtarëve të Odës.
2. Kodi etik përcakton dhe rregullon raportet në mes të anëtarëve të Odës dhe shfrytëzuesve të
shërbimeve shëndetësore si dhe raportet reciproke në mes të anëtarëve të Odës.
KREU XIV
SHËRBIMI PROFESIONAL I ODAVE
Neni 52
Kompetencat
1. Zyra Administrative në bazë të marrëveshjes në mes të Odave përkatëse të profesionistëve
shëndetësor ushtron veprimtaritë e mëposhtme:
1.1. ushtrimin e detyrave administrative dhe profesionale si:
1.1.1. regjistrimin, licencimin dhe autorizimin e profesionistëve shëndetësor dhe
bashkëpunëtorëve shëndetësor e që nuk janë anëtarë të Odave;
1.1.2. mbajtjen e regjistrit të profesionistëve shëndetësor;
1.1.3. aktivitete të tjera që Odat mund t'i delegojnë Zyrës Administrative;
1.1.4. ushtron edhe detyra tjera administrative nga neni 9 dhe 10 i këtij ligji;
1.1.5. këto detyra duhet të kryhen në bazë të kontratës për shërbime ndërmjet
Odave dhe Zyrës Administrative.
16
Neni 53
Financimi fillestar dhe transferimi i personelit
1. Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë fondet fillestare në mënyrë që të fillojë puna e Zyrës
Administrative dhe do të sigurojë pagesën për ushtrimin e detyrave publike të deleguara tek Odat siç
është paraparë me ligj.
2. Ministria e Shëndetësisë do të transferoj personelin e tyre administrativ për kryerjen e detyrave
publike, sipas një marrëveshjeje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Odave.
3. Zyra Administrative do të pranojë numrin e dakorduar të personelit që kanë punuar deri tani në
Ministrinë e Shëndetësisë.
Neni 54
Kontrata e shërbimeve publike dhe inspektimit administrativ
1. Odat përkatëse shëndetësore do të bien dakord për çdo vit të ardhshëm për:
1.1. planifikimi i shërbimeve që do të kryhen në vitin e ardhshëm;
1.2. kompensimi bëhet në proporcion me vëllimin e shërbimeve;
1.3. të drejtat tjera dhe detyrat e palëve kontraktuese.
2. Kontrata do të nënshkruhet më së largu deri në fund të Dhjetorit për vitin e ardhshëm.
3. Për vitin e parë kontrata duhet të nënshkruhet para se Zyra Administrative të fillojë së ushtruari
detyra publike.
4. Inspektimi administrativ i Odave dhe Zyrës Administrative bëhet me vendim të Ministrit të
Shëndetësisë. Inspektimi administrativ mund të ndërmerret vetëm me çështjet në lidhje me ushtrimin
e detyrave publike të deleguara.
Neni 55
Kontratat e shërbimeve të tjera
Zyra Administrative do të kryej shërbime dhe detyra të tjera në emër të Odave në bazë të kontratave
të shërbimeve.
Neni 56
Përgjegjësia, llogaridhënia dhe raportimi
1. Zyra Administrative do të jetë plotësisht përgjegjëse për cilësinë e punës dhe performancës për
palët kontraktuese dhe përfituesit e shërbimeve të tyre.
2. Zyra Administrative i jep llogari Odave. Ajo do të udhëheqë financat e alokuara nga Odat në
mënyrë transparente për çdo Odë veçmas.
3. Për ushtrimin e detyrave publike Zyra Administrative do të raportojë në përputhje me aktet
themeluese, statutin dhe kontratat e shërbimeve. Ajo do tu raportojë Odave, së paku çdo tre (3) muaj,
dhe për çdo vit, deri në fund të Janarit për vitin paraprak.
KREU XV
SEKRETATI I PËRGJITHSHËM
Neni 57
1. Zyra Administrative do të udhëhiqet nga Sekretari i përgjithshëm, i zgjedhur me konkurs publik.
17
2. Sekretari i përgjithshëm i kryen detyrat të cilat ia përcakton Oda.
3. Sekretari i përgjithshëm i Odës zgjidhet nga këshilli drejtues në bazë të konkursit publik.
KREU XVI
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Neni 58
1. Me dënim me të holla në lartësinë prej pesëmijë (5.000) deri dhjetëmijë (10.000) Euro do të
gjobitet Oda për këto kundërvajtje:
1.1. nëse refuzon regjistrimin e profesionistit shëndetësor që plotëson kushtet për regjistrim
të anëtarëve të Odës, gjegjësisht nëse regjistron profesionistin shëndetësor që nuk plotëson
kushtet ligjore (nënparagrafi 1.2 i nenit 9. të këtij ligji);
1.2. nëse me kërkesë të punëtorit shëndetësor ose personit të autorizuar ligjorë nuk lëshon
certifikata dhe vërtetime për të cilat Oda mban evidencën zyrtare (nënparagrafi 1.14. i neni 9
të këtij ligji);
1.3. në rast të licencimit, ri-licencimit dhe revokimit të paligjshëm të licencës në kundërshtim
me ligjin.
KREU XVII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 59
1. Ministria e Shëndetësisë në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e miratimit të këtij ligji
duhet të formojë këshillat për përgatitjen, konstituimin dhe fillimin e punës së Odave.
2. Këshillat në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e emërimit, do të përgatisin dhe miratojnë
vendime statutare (Statutet e përkohshme) me të cilat caktohen çështje të rëndësishme për
konstituimin e organeve të Odave, mënyrën dhe procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Odave.
3. Këshillat e Odës do të marrin vendim për shpalljen e zgjedhjeve në afat prej pesëmbëdhjetë (15)
ditësh nga dita e miratimit të vendimeve statutare.
4. Procedurat e kandidimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të organeve të Odave do të bëhen në afat
prej dyzetepesë (45) ditësh nga paragrafi 3. i këtij neni.
5. Konstituimi i organeve të Odave do të bëhet më së largu tridhjetë (30) ditë nga dita e zgjedhjeve të
anëtarëve të kuvendit të Odës nga paragrafi 4. i këtij neni.
6. Odat e profesionistëve shëndetësor do të fillojnë së funksionuari në afat prej katër (4) muajsh nga
dita e miratimit të ligjit.
7. Odat janë të obliguara që më së largu tridhjetë (30) ditë nga dita e konstituimit të organeve të Odës
të miratojnë statutet dhe aktet tjera të përgjithshme të Odës.
8. Odat do të fillojnë ushtrimin e funksioneve publike, pas miratimit të statutit, në pajtim me këtë ligj në
afat më së largu gjashtë (6) muaj nga dita e konstituimit të kuvendeve të Odës.
9. Në periudhën kalimtare tre (3) vjeçare, të gjitha aktet e Odave që kanë të bëjnë me ushtrimin e
autorizimeve publike nënshkruhen edhe nga Ministri i Shëndetësisë
18
Neni 60
Hyrja në fuqi
Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji nr. 04/L-150
30 maj 2013
Shpallur me dekretin Nr.DL-029-2013, datë 17.06.2013 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.