1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 14 QERSHOR 2013, PRISHTINË
LIGJI NR. 04/L-161
PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR SIGURINË DHE SHËNDETIN NË PUNË
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit
të të punësuarve në punë.
2. Ky ligj përmban parimet e përgjithshme për parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e
faktorëve të rrezikut dhe aksidentev, informimit, konsultimit,pjesëmarrjes së balancuar në
përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajnimit të të punësuarve, përfaqësuesve të
tyre dhe udhëzimeve të përgjithshme për zbatimin e këtyre parimeve.
Neni 2
Fushëveprimi
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen në sektorin publik, privat, publiko-privat dhe sektorin e administratës
shtetërore të nivelit qendror dhe lokal.
2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për: praktikantët, nxënësit dhe studentët në punë praktike gjatë
shkollimit, personat në vuajtje të dënimit të angazhuar në punë, vizitorët, bashkëpunëtorët afaristë,
shfrytëzuesit e shërbimeve dhe personat në aftësim ose riaftësim profesional te punëdhënësi.
3. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen në sektorët, veprimtaria e të cilëve rregullohet me ligje të
veçanta, si: Forcat e Sigurisë së Kosovës, policia, shërbimi i zjarrfikësve dhe shërbimet për mbrojtje
dhe shpëtim
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Punëdhënësi – personi fizik apo juridik i cili siguron punë për një ose më shumë të
punësuar, i paguan pagën të punësuarit/ve për punën ose shërbimet e kryera dhe është
përgjegjës për subjektin punues;
1.2. I punësuari - personi fizik i cili kryen punë ose shërbime me pagesë për punëdhënësin
dhe ka marrëdhënie punësimi me punëdhënësin;
1.3. Siguria dhe shëndeti në punë – pjesë përbërëse e organizimit të procesit të punës,
duke ndërmarrë masat parandaluese, që kanë synim përmirësimin e kushteve të punës,
mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve, përmirësimin e ambientit të punës, mbrojtjen fizike dhe
psikike të punësuarëve dhe të tjerëve që marrin pjesë në procesin e punës;
2
1.4. Rrezik – mundësia që të punësuarit t’i shkaktohet plagë, sëmundje ose probleme
shëndetësor të menjëhershme apo të mëvonshme, si rezultat i ekspozimit në ambientin e
punës ku paraqiten elemente të dëmshme kimike, fizike dhe biologjike, mjeteve të punës dhe
makinerive pa pajisje mbrojtëse dhe të pasigurta për përdorim, mënyrës së gabuar të
përdorimit të mjeteve të punës dhe makinerive si dhe mënyrës së gabuar të organizimit të
punës;
1.5. Rrezik i mundshëm dhe serioz - veprimtari e identifikueshme, që paraqet rrezik, dhe e
cila në një periudhë të shkurtër kohore mund të shkaktojë dëme materiale ose në njerëz;
1.6. Sëmundje profesionale - çdo sëmundje e shkaktuar nga ekspozimi në elementet e
dëmshme dhe të rrezikshme kimike, fizike dhe biologjike në ambientin e punës gjatë
ushtrimit të veprimtarisë së punës;
1.7. Masat parandaluese - të gjitha veprimet e ndërmarra dhe të planifikuara në të gjitha
proceset e punës në subjektin punues për të evituar dhe minimizuar rreziqeve që shkaktohen
nga ushtrimi i veprimtarisë së punës;
1.8. Vendet e punës - përfshijnë të gjitha vendet dhe hapësirat nën mbikëqyrjen direkte dhe
indirekte nga punëdhënësit ku të punësuarit duhet të kryejnë aktivitete pune dhe të qëndrojnë
gjatë procesit të punës;
1.9. Dokument i vlerësimit të rrezikut - dokumenti ku përshkruhen karakteristikat e procesit
të punës, identifikimi i burimit të rrezikut, përcaktimi kush mund të rrezikohet, nga çfarë
rrezikohet dhe si, vlerësimi i rrezikut për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe përcakton masat
e nevojshme dhe të domosdoshme, që duhet të ndërmerren për t’i përparuar këto masa në
pajtim me rivlerësimet që do të bëhen kohë pas kohë;
1.10. Personi i ngarkuar për sigurinë dhe shëndetin në punë - profesionist i cili është i
punësuar te punëdhënësi dhe është i caktuar për të kryer detyra që lidhen me sigurinë dhe
shëndetin në punë;
1.11. Persona ose shërbime të specializuara – personat fizikë ose juridikë, jashtë
subjekteve punuese të kualifikuar dhe të licencuar, për të kryer veprimtarinë nga siguria dhe
shëndeti në punë në pajtim me këtë ligj;
1.12. Aksident në punë ose për shkak të punës - çdo ngjarje të papritur gjatë procesit të
punës, që shkakton dëmtimin të menjëhershëm trupor të të punësuarit/ve, dëmtim që sjell
paaftësi të përkohshme, paaftësi të përhershme ose që sjell vdekje, si dhe çdo dëmtim tjetër
të shëndetit që lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e veprimtarisë së punës;
1.13. Inspektorati i Punës – trup ekzekutiv i MPMS që mbikëqyr zbatimin e legjislacionit të
punës, përfshirë edhe këtë ligj.
1.14. Ministria - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Neni 4
Këshilli Nacional për siguri dhe shëndet në punë
1. Qeveria e Republikës se Kosovës, në bazë të propozimit të Ministrit të punës dhe mirëqenies
sociale, themelon Këshillin Nacional për Siguri dhe Shëndet në Punë, i cili propozon, rekomandon
dhe harton politika për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përcjell në
vazhdimësi gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë të të punësuarve.
2. Këshilli, përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë: tre (3) përfaqësues të Qeverisë, dy (2)
përfaqësues të punëdhënësve, dy (2) përfaqësues të të punësuarve, dy (2) ekspertë nga lëmi i
sigurisë dhe shëndetit në punë, një (1) ekspert i mjekësisë së punës dhe një (1) ekspert ad hoc,
varësisht nga natyra e çështjes.
3. Mandati i anëtareve te Këshillit, është tre (3) vjeçar.
3
4. Rregullat dhe procedurat e punës së Këshillit, përcaktohen me akt të veçantë të cilën e nxjerr
Qeveria.
KREU II
DETYRIMET E PUNËDHËNËSIT
Neni 5
Parimet e përgjithshme për punëdhënësin
1. Punëdhënësi është përgjegjës për të krijuar kushtet e punës të sigurta dhe të shëndetshme në të
gjitha aspektet e punës.
2. Punëdhënësi është i detyruar që të mbulojë të gjitha shpenzimet për kurimin e të punësuarit që ka
pësuar lëndim në punë apo sëmundje profesionale, nëse nuk i ka siguruar në ndonjë kompani të
sigurimeve të të punësuarit në pikëpamje shëndetësore.
3. Punëdhënësi është i detyruar të bëjë vlerësimin e hollësishëm mbi rreziqet për secilën vend të
punës.
4. Punëdhënësi është i detyruar të udhëhiqet nga parimi i trajtimit të barabartë në marrjen e masave
të sigurisë dhe shëndetit në punë për të gjithë të punësuarit.
Neni 6
Detyrimet e përgjithshme të punëdhënësit
1. Në kuadër të përgjegjësive të tij, punëdhënësi detyrohet të ndërmarrë masat për siguri dhe shëndet
në punë, përfshirë masat për parandalimin e rreziqeve profesionale, sigurimin e informatave,
trajnimeve të të punësuarve për punë të sigurtë, udhëzimet e duhura për përdorimin dhe mirëmbajtjen
e makinerive, instrumenteve, pajisjeve dhe veglave të punës, masat për organizimin dhe mbarëvajtjen
e procesit të punës.
2. Punëdhënësi duhet të veprojë në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve të punës për të ngritur
nivelin e sigurisë dhe shëndetit në punë, duke i ndryshuar dhe plotësuar masat e ndërmarra më parë
varësisht prej rrethanave të cilat krijohen me ndryshimet e proceseve teknike – teknologjike.
3. Punëdhënësi i përgjigjet të punësuarit për dëmet e shkaktuara nga lëndimi në punë, sëmundjet
profesionale ose sëmundjet e lidhura me punën, sipas parimit të përgjegjësisë objektive të së drejtës
së detyrimeve.
Neni 7
Masat parandaluese
1. Punëdhënësi detyrohet të zbatojë masat parandaluese, bazuar në parimet e përgjithshme të
parandalimit, si:
1.1. shmangien e rreziqeve;
1.2. vlerësimin e rreziqeve të pashmangshme;
1.3. luftimin e rrezikut prej fillimit ose burimit
1.4. tejkalimin e shkaqeve të rrezikut;
1.5. adaptimin e punës ndaj individit, veçmas në lidhje me karakteristikat e vendit të punës
dhe ambientit të punës;
1.6. zgjedhjen e pajisjeve, metodave të punës dhe të procesit të punës, për të lehtësuar
punën e njëtrajtshme- monotone dhe për t’i reduktuar efektet e saj në shëndet;
4
1.7. përshtatjen me progresin teknik;
1.8. zëvendësimin e kushteve të rrezikshme, me kushte të pa rrezikshme ose më pak të
rrezikshme;
1.9. zhvillimin e një politike parandaluese gjithëpërfshirëse që ka të bëjë me teknologjinë,
organizimin e punës, kushtet e punës, marrëdhëniet shoqërore dhe ndikimin e faktorëve që
lidhen me mjedisin e punës;
1.10. hënien e përparësisë së sigurisë kolektive në raport me sigurinë individuale;
1.11. sigurimin e udhëzimeve të përshtatshme për punë të sigurtë dhe të shëndetshme, për të
punësuarin dhe vendosjen e tyre në vendet e dukshme dhe në gjuhën që e kupton ai/ajo.
2. Punëdhënësi, duke marrë parasysh natyrën e aktiviteteve të subjektit punues, bën vlerësimin e
rrezikshmërisë të vendeve të punës, substancave ose preparateve kimike që përdoren.
3. Punëdhënësi, pas vlerësimit të bërë nga paragrafi 2. i këtij neni, nëse është e domosdoshme,
duhet të:
3.1. sigurojë një nivel më të mirë të sigurisë dhe shëndetit në punë për të punësuarit duke
eliminuar faktorët e rrezikut, zvogëluar ndikimin e substancave të dëmshme kimike,
përmirësuar pajisjet e punës dhe duke larguar shprehitë e këqija në veprim gjatë procesit të
punës;
3.2. integrojë dhe zbatojë masat parandaluese që dalin prej vlerësimit të rrezikut në të gjitha
aktivitetet e subjektit punues dhe në të gjitha nivelet e hierarkisë.
4. Punëdhënësi, kur ia beson detyrat e punës një të punësuari, detyrohet të marrë parasysh aftësitë e
tij/saj për kryerjen e atyre detyrave të punës.
5. Punëdhënësi detyrohet t’i informojë dhe trajnojë të punësuarit për punë të sigurtë, me rastin e
zëvendësimit të teknologjisë ekzistuese me teknologji të reja.
6. Punëdhënësi detyrohet që të ndërmarrë masat e duhura për sigurinë dhe shëndetin në punë, duke
siguruar udhëzime të përshtatshme për punë, për të punësuarit në vende të punës me rrezikshmëri të
lartë dhe në këto vende të punës mund t’i angazhojë vetëm të punësuarit e trajnuar dhe të kualifikuar
për ato vende përkatëse.
Neni 8
Bashkëpunimi i punëdhënësve në zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë
1. Punëdhënësit të cilët shfrytëzojnë të njëjtën zonë (hapësirë, lokale, rrugë, etj.) të punës, janë të
detyruar që të bashkëpunojnë në zbatimin e masave që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë,
duke marrë parasysh natyrën e aktiviteteve të subjekteve punuese.
2. Punëdhënësit duhet të koordinojnë aktivitetet e tyre për të krijuar kushte të sigurta dhe të
shëndetshme në punë, dhe t’i informojnë të punësuarit ose përfaqësuesit e tyre për rreziqet në punë.
3. Masat e sigurisë dhe shëndeti në punë, nën asnjë rrethanë, nuk mund të bien në ngarkesë
financiare të të punësuarve.
4. Punëdhënësi në cilësinë e investitorit, do të lidhë marrëveshje kontraktuale në formë të shkruar,
me personat të cilët kryejnë veprimtari pune për të, përkatësisht me kontraktuesit dhe
nënkontraktuesit, në të cilën marrëveshje përcaktohet përgjegjësia për sigurinë dhe shëndetin në
punë.
5. Nëse nuk arrihet marrëveshje kontraktuale në pajtim me paragrafin 4. të këtij neni, përgjegjësia për
sigurinë dhe shëndetin në punë, sipas këtij ligji, bie mbi investitorin.
5
Neni 9
Shërbimet për mbrojtjen dhe parandalimin
1. Çdo punëdhënës është i detyruar të ngarkojë një ose më shumë të punësuar, për të kryer aktivitete
nga siguria dhe shëndeti në punë, nëse nuk është përcaktuar ndryshe me këtë ligj.
2. I punësuari i ngarkuar sipas paragrafit 1. të këtij neni, nuk mund të cenohet për shkak të
aktiviteteve të tij në lidhje me mbrojtjen dhe parandalimin e rreziqeve në punë, as nga punëdhënësi,
as nga të punësuarit e tjerë.
3. Për të punësuarin e ngarkuar, i cili ushtron aktivitetet nga siguria dhe shëndeti në punë,
punëdhënësi duhet të sigurojë trajnime dhe mjete të nevojshme për punë.
4. Punëdhënësi, në mungesë të personelit të kualifikuar për të udhëhequr me sigurinë dhe shëndetin
në punë, brenda subjektit të tij do të angazhojë persona ose institucione për shërbime profesionale të
jashtme.
5. Ministria, me akt nënligjor, varësisht prej llojit të veprimtarisë, përcakton kushtet dhe kriteret, për
certifikimin dhe licencimin e personave dhe institucioneve për shërbime nga paragrafi 4. i këtij neni.
6. Personat e jashtëm apo institucionet për të ushtruar aktivitetet nga fusha e sigurisë dhe shëndetit
në punë duhet të jenë të pajisura me mjetet dhe pajisjet e duhura profesionale të punës si dhe
aparaturat matëse adekuate.
7. Në rastet kur punëdhënësi angazhon persona apo institucion për shërbime nga siguria dhe
shëndeti në punë, është i detyruar t’i informojë dhe njoftojë ata me procesin e punës, me rreziqet e
mundshme, me rrethanat të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në sigurinë dhe shëndetin e të
punësuarve dhe me masat parandaluese që i ka ndërmarrë për të krijuar kushte të sigurta dhe të
shëndetshme të punës për të punësuarit.
Neni 10
Të punësuarit e ngarkuar për siguri dhe shëndet në punë
1. Punëdhënësi i cili punëson deri në pesëdhjetë (50) të punësuar, nëse është i aftë/kompetent, mund
të marrë vetë përgjegjësinë për zbatimin e masave të përcaktuara në paragrafin 1. të nenit 9 të këtij
ligji, me kusht që t’i plotësojë kushtet dhe kriteret sipas paragrafit 5. të nenit 9 të këtij ligji.
2. Punëdhënësi i cili punëson mbi pesëdhjetë (50) e më pak se dyqindepesëdhjetë (250) të punësuar,
është i detyruar të caktojë një ekspertë, për kryerjen e detyrave nga siguria dhe shëndeti në punë.
3. Punëdhënësi i cili punëson më shumë se dyqind e pesëdhjetë (250) të punësuar duhet të
angazhojë një (1) ose më shumë ekspertë për kryerjen e detyrave nga siguria dhe shëndeti në punë.
Neni 11
Ndihma e parë, fikja e zjarreve, evakuimi i të punësuarve, rreziqet serioze dhe të mundshme
1. Punëdhënësi është i detyruar të ndërmarrë masat e nevojshme për ndihmën e parë, fikjen e zjarrit
dhe evakuimin e të punësuarve, të përshtatura sipas natyrës së aktiviteteve dhe madhësisë së
subjekteve punuese.
2. Punëdhënësi është i detyruar të organizojë dhe t’i ofrojë ndihmën e parë të punësuarve në rast të
lëndimit në punë ose sëmundjeve të papritura dhe të sigurojë përcjelljen e tyre për trajtim mjekësor.
3. Punëdhënësi trajnon personat, që do të kryejnë evakuimin, shpëtimin, fikjen e zjarrit dhe dhënien e
ndihmës së parë.
4. Punëdhënësi përmes personave të trajnuar, kryen evakuimin, shpëtimin, fikjen e zjarrit dhe
dhënien e ndihmës së parë, për të punësuarit në subjektin punues.
6
5. Punëdhënësi harton një plan për evakuimin dhe shpëtimin në situata emergjente, të cilin ia bën të
ditur të gjithë të punësuarve, si dhe kryen ushtrime praktike, të paktën një herë në dy (2) vjet, në
përputhje me këtë plan.
6. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë kontakte të nevojshme me shërbime të jashtme, sidomos
lidhur me ndihmën e parë, kujdesin emergjent mjekësor, shërbime shpëtimi dhe shërbimin e
zjarrfikësve.
7. Punëdhënësi, në rast të rrezikut të mundshëm dhe serioz për jetën dhe shëndetin e të punësuarve,
duhet që:
7.1. sa më shpejtë të jetë e mundur, t’i informojë të gjithë të punësuarit të cilët janë, apo mund
të jenë të ekspozuar në rreziqe serioze dhe të mundshme, në mënyrë që të parandalojë ose
zvogëlojë rrezikun për jetën dhe shëndetin;
7.2. të marrë masa dhe të japë udhëzime për t’iu mundësuar të punësuarve, që në rast të
rreziqeve serioze dhe të mundshme në vendin e punës ta ndërpresin punën dhe menjëherë
ta braktisin atë vend të punës dhe të vendosen në një vend të sigurt;
7.3. të përmbahet nga kërkesa drejtuar të punësuarve që të vazhdojnë punën në situatë kur
ende ka rrezik serioz dhe të mundshëm;
7.4. të angazhojë në punë për evitimin e rrezikut dhe normalizimin e procesit të punës, vetëm
të punësuarit e kualifikuar, të specializuar dhe të trajnuar për kryerjen e punëve në kushte të
veçanta dhe me rrezikshmëri të lartë;
7.5. të organizojë vazhdimin e procesit të punës vetëm pas kalimit të rrezikut, përveç në
rastet e jashtëzakonshme dhe objektivisht të justifikuara kur ndërprerja e procesit të punës
shkakton dëme më të mëdha në njerëz.
8. Të punësuarit në rastet kur janë të rrezikuar seriozisht dhe të cilët nuk mund të kontaktojnë
menjëherë me eprorin përgjegjës do të veprojnë sipas aftësive të tyre të fituara me trajnime dhe
pajisjeve teknike që kanë në dispozicion, për të shmangur pasojat e një rreziku të tillë.
9. Të punësuarit të cilët veprojnë në përputhje me paragrafit 8. të këtij neni, nuk do të kenë
përgjegjësi për pasojat e mundshme, përveç në rastet kur ata veprojnë qëllimisht në kundërshtim me
udhëzimet për veprim ose nuk veprojnë fare duke neglizhuar rrezikun.
Neni 12
Detyrimet e punëdhënësit për caktimin e masave për parandalimin e aksidenteve në punë dhe
të sëmundjeve profesionale
1. Punëdhënësi, për caktimin e masave për të parandaluar aksidentet në punë dhe sëmundjet
profesionale, është i detyruar që të:
1.1. miratojë fazën e kërkimit, të projektimit dhe hartimit të planit për përdorimin e pajisjeve të
punës, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe ligjeve tjera të aplikueshme, që çojnë në
zvogëlimin dhe shmangien e rreziqeve, aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale;
1.2. përpilojë një dokument vlerësimi dhe parandalimi të rrezikut që përmban masat me
karakter teknik, organizativ, higjieniko-sanitar, të cilat do të zbatohen sipas kushteve specifike
të vendeve të punës për veprimtarinë përkatëse;
1.3. përcaktojë cilësitë dhe përgjegjësitë e të punësuarit në fushën e sigurisë dhe të
shëndetit në punë, në përshkrimet e punës, sipas pozicionit përkatës të punës.
7
Neni 13
Detyrimet e punëdhënësit për zbatimin e masave për parandalimin e aksidenteve në punë dhe
të sëmundjeve profesionale
1. Për garantimin e zbatimit të masave për të parandaluar aksidentet në punë dhe sëmundjet
profesionale, punëdhënësi është i detyruar që të:
1.1. mbikëqyrë punën dhe cilësinë e kryerjes së shërbimeve të personave ose të shërbimeve
të jashtme të kontraktuara prej tij për sigurinë dhe shëndetin në punë;
1.2. ndërmarrë masat për të siguruar materialet e nevojshme për informimin dhe trajnimin e të
punësuarve dhe të vendosë shenja adekuate për siguri, postera, fletushka, filma, filmime të
lidhura me sigurinë dhe shëndetin në punë;
1.3. sigurojë informimin e çdo të punësuari përpara fillimit të punës për rreziqet ndaj të cilave
ai mund të ekspozohet në vendin e tij/saj të punës, si dhe për masat e nevojshme
parandaluese dhe mbrojtëse;
1.4. sigurojë që të punësuarit të jenë të pajisur me kualifikimet përkatëse profesionale;
1.5. sigurojë funksionimin e vazhdueshëm dhe të duhur të sistemeve dhe mjeteve mbrojtëse,
mjeteve të matjes dhe të kontrollit, si dhe të pajisjeve të diktimit, mbajtjes nën kontroll dhe
neutralizimit të substancave të rrezikshme që lirohen gjatë zhvillimit të proceseve
teknologjike;
1.6. marrë në punë të punësuarin në bazë të ekzaminimit mjekësor të tij, në varësi të vendit
të punës;
1.7. lejojë përfaqësuesin e të punësuarve, me kërkesën e këtij të fundit, të marrë pjesë gjatë
vizitës së inspektimit, si dhe në rastet e hetimit të ngjarjeve;
1.8. lejojë të punësuarin të marrë pjesë në inspektimin dhe hetimin e ngjarjeve, me kërkesën
e inspektorit të punës;
1.9. ruajë të gjitha provat në vendngjarje ku ka ndodh aksidenti me pasojë vdekjeje, qoftë ky
dhe kolektiv, me përjashtim të rasteve kur ruajtja e atyre provave në vendngjarje mund të
shkaktojë një tjetër aksident;
1.10. sigurojë numër të mjaftueshëm të aparateve për fikjen e zjarrit dhe të njëjtat të jenë me
mbushje adekuate sipas llojit të shkaktarit të zjarrit;
1.11. mbajë në gjendje të rregullt dhe t’i rimbushë në afate të caktuara të cilat shënohen në
tiketën e vendosur në aparat;
1.12. vendosë në vende të përshtatshme aparatet për fikjen e zjarrit;
1.13. instalojë hidrantë në subjektet punuese ku ka rrezik të shtuar për shpërthimin e zjarrit
dhe ku konsiderohet që aparatet për fikjen e zjarrit nuk janë të mjaftueshme;
1.14. vendosë hidrantet në vende të dukshme, të përshtatshme dhe duhet të jenë në gjendje
të rregullt për përdorim në çdo kohë;
1.15. të shënojë qartë ndalimin e pirjes së duhanit në vendet e punës dhe në vende publike;
1.16. pajisë të punësuarit, në mënyrë të detyrueshme, me pajisje mbrojtëse individuale, të
sigurojë mirëmbajtjen e tyre dhe të respektojë afatet e skadimit të përdorimit të tyre.
8
Neni 14
Përdorimi i mjeteve të punës dhe pajisjeve mbrojtëse individuale gjatë procesit të
punës
1. Punëdhënësi është i obliguar që mjetet e punës t'i mbajë në gjendje të rregullt, ta kontrollojë
rregullsinë dhe sigurinë e tyre me kontrolla të herëpashershme në afate të përcaktuara me aktin që e
miraton ai, përkatësisht me udhëzimin e prodhuesit, dispozitat dhe standardet teknike.
2. Nëse me udhëzimin e prodhuesit nuk janë parashikuar afate të tjera, punëdhënësi është i obliguar
që mjetet e punës t'i kontrollojë, provojë dhe testojë:
2.1. para përdorimit të parë,
2.2. pas rekonstruktimit, pas avarisë dhe
2.3. pas zhvendosjes nga njëri vend në vendin tjetër.
3. Punëdhënësi duhet të sigurojë që mjetet e punës dhe pajisjet individuale mbrojtëse, të jenë në
gjendje të mirë dhe të rregullt në çdo kohë.
4. Punëdhënësi nuk mund të përdorë apo të vërë në punë, mjetet dhe pajisjet për mbrojtje individuale,
në qoftë se ato nuk i përgjigjen standardeve teknike në përputhje me rregullat e sigurisë dhe shëndetit
në punë.
Neni 15
Objektet/ndërtesat
1. Për çdo objekt / ndërtesë, të destinuar për punë, punëdhënësi duhet të sigurojë:
1.1. secila ndërtesë t’i ketë daljet emergjente;
1.2. planin për evakuim në mënyrë që të punësuarit të evakuohen nga objekti/ndërtesa, në
rastin e ngjarjeve të papritura, prej të cilave rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre;
1.3. që rrugët dhe daljet emergjente të jenë të shënuara qartë me shenja adekuate, të cilat
do të vendosen në vende të dukshme dhe në përputhje me rregullat;
1.4. që rrugët dhe daljet emergjente të jenë të lira, pa pengesa dhe të cilat të dërgojnë direkt
jashtë zonës së rrezikshme apo në një zonë të sigurt;
1.5. hapësirën për dhënien e ndihmës së parë dhe pajisjet e nevojshme;
1.6. hapësirën e nevojshme për pushim;
1.7. hapësirat ndihmëse (dhoma për ushqim, dhoma e veshjeve/garderoba, banjo, tualetet
ndaras për femra dhe meshkuj);
1.8. objektet për pastrimin dhe dezinfektimin e rrobave të punës dhe pajisjet mbrojtëse.
Neni 16
Vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës
1. Punëdhënësi është i detyruar të bëjë vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës, me qëllim të
parandalimit të rrezikut, përfshirë dhe ekspozimin e të punësuarve nga elementet e dëmshme dhe të
rrezikshme për shëndetin dhe sigurinë në punë gjatë procesit të punës.
2. Vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës bëhet nga profesionistë të fushave përkatëse brenda
subjektit punues të caktuar nga punëdhënësi, përkatësisht nga shërbimet e jashtme ose personat e
kontraktuar nga punëdhënësi.
9
3. Punëdhënësi, pas procesit të vlerësimit të rrezikshmërisë, është i detyruar të hartojë dokumentin e
vlerësimit të rrezikut dhe të ndërmarrë masat mbrojtëse të domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin
në punë të të punësuarve.
4. Mënyra e përgatitjes së dokumentit për vlerësimin rrezikut, përmbajtja e tij si dhe të dhënat mbi të
cilat duhet të bazohet vlerësimi i rrezikut, rregullohen me akt nënligjor, të nxjerrë nga Ministria, në
pajtim me ministrinë kompetente për çështjet e shëndetësisë.
5. Punëdhënësi është i detyruar të mbajë evidencën për lëndime në punë, sëmundjet profesionale
dhe të pajisë të lënduarin me fletëlëndim në vend të punës.
6. Punëdhënësi është i detyruar që në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për siguri dhe
shëndet në punë, të hartojë raporte mbi aksidentet dhe sëmundjet profesionale në subjektin e tij
punues.
Neni 17
Punët me kushte të veçanta
1. Punë me kushte të veçanta sipas dispozitave të këtij ligji, janë punët që mund të kryhen vetëm nga
të punësuarit të cilët përveç kushteve të përgjithshme për themelimin e marrëdhënies së punës, duhet
të përmbushin edhe kushtet dhe kriteret e veçanta të moshës, gjinisë, aftësisë profesionale,
shëndetësore, fizike, gjendjes mendore, psiko-fizike dhe psikologjike.
2. Punëdhënësi nuk duhet të caktojë të punësuarin në punë me kushte të veçanta, në qoftë se
paraprakisht, në mënyrë të shkruar, nuk është përcaktuar që i punësuari i plotëson kushtet dhe
kriteret e nevojshme nga paragrafi 1. i këtij neni.
3. Punëdhënësi është i detyruar që para së ta caktojë të punësuarin në vend të punës me kushte të
veçanta, ta dërgojë atë në kontroll mjekësor, që të konstatojë aftësitë e tij shëndetësore, fizike dhe
psikike, për kryerjen e punëve në atë vend të punës.
4. Punëdhënësi është i detyruar të ofrojë dëshmi me shkrim në përshkrimin e punëve dhe detyrave të
punës për të punësuarin në vend të punës me kushte të veçanta, se ai i plotëson kushtet dhe kriteret
për punë në vend të punës me kushte të veçanta në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni.
5. Punëdhënësi të punësuarin i cili punon në vend të punës me kushte të veçanta të punës, është i
detyruar ta dërgojë në kontrollim mjekësorë së paku një herë në vit dhe sa herë të paraqitet nevoja,
varësisht prej gjendjes shëndetësore të tij.
Neni 18
Informimi i të punësuarve
1. Punëdhënësi merr masa adekuate që të punësuarit apo përfaqësuesit e tyre të marrin të gjitha
informatat e nevojshme lidhur me:
1.1. çdo rrezik që mund të paraqitet në vendet e punës, masat mbrojtëse dhe parandaluese si
dhe aktivitetet që i ndërmerrë nga ana e tij për eliminimin e këtyre rreziqeve;
1.2. informimin e të punësuarve dhe përfaqësuesve të tyre për ndihmën e parë, masat në rast
zjarri, evakuimin, si dhe përgjegjësitë e veçanta të secilit për marrjen e këtyre masave;
1.3. vlerësimin e rrezikut, si dhe masat e ndërmarra për të siguruar shëndetin dhe mbrojtjen
në punë për të punësuarit, fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna, gratë me fëmijë në gji dhe
personat me aftësi të kufizuara.
2. Punëdhënësi do të ndërmarrë masa adekuate për informimin e punëdhënësit të kontraktuar, të
angazhuar me punë në subjektin e tij ekonomik lidhur me nën-paragrafët 1.1., 1.2. dhe 1.3. të
paragrafit 1. të këtij neni.
3. Punëdhënësi vë në dispozicion të të punësuarve udhëzimet e hollësishme, në zbatimin e
10
dokumentit të vlerësimit dhe parandalimit të rrezikut, për çdo vend pune, i dokumentuar nëpërmjet një
procesverbali.
Neni 19
Konsultimet dhe pjesëmarrja e të punësuarve
1. Punëdhënësi duhet të konsultohet me të punësuarit dhe përfaqësuesit e tyre duke i’u mundësuar
atyre të marrin pjesë në diskutime lidhur me çështjet e sigurisë dhe shëndetit në punë që përfshijnë:
1.1. masat që duhen ndërmarrë, të cilat mund të kenë ndikim të konsiderueshëm në rritjen e
nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë;
1.2. informacionin për vlerësimin e rreziqeve, masat mbrojtëse dhe parandaluese, regjistrin
dhe raportet e aksidenteve në punë, si dhe raportet nga inspektorati;
1.3. listën e personave ose të shërbimeve të jashtme që kontraktohen për të kryer shërbime
sipas nenit 9 të këtij ligji;
1.4. planin dhe organizimin e trajnimeve të punëtorëve nga siguria dhe shëndeti në punë.
2. Përfaqësuesit e të punësuarve dhe anëtarët e Këshillit për Siguri dhe Shëndet në punë kanë të
drejtë të kërkojnë nga punëdhënësi që të ndërmarrë masa adekuate dhe të dorëzojnë propozime tek
ai me qëllim të zvogëlimit të rreziqeve për të punësuarit ose të largojë burimet e rrezikut.
3. Të punësuarit ose përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë ankese në përputhje me ligjet, tek inspektori i
punës, nëse ata konsiderojnë që masat e ndërmarra nga punëdhënësi nuk janë adekuate dhe të
mjaftueshme për sigurinë dhe shëndetin në punë.
4. Përfaqësuesve të të punësuarve duhet t’u jepet rasti që të paraqesin vërejtjet e tyre tek inspektori i
punës për mangësitë që kanë ndikim në sigurinë dhe shëndetin në punë.
Neni 20
Trajnimi i të punësuarve
1. Punëdhënësi përkujdeset që secili i punësuar të trajnohet nga siguria dhe shëndeti në punë, për
vendin e tij të punës si:
1.1. para ose pas themelimit të marrëdhënies së punës;
1.2. në rast të transferimit apo ndërrimit të vendit të punës;
1.3. në rast të paraqitjes së pajisjeve të reja apo ndërrimit të pajisjeve të punës;
1.4. në rast të përdorimit të teknologjisë së re;
1.5. kohë pas kohe nëse është e domosdoshme.
2. Punëdhënësi përkujdeset që të punësuarit e subjektit të kontraktuar të marrin udhëzimet adekuate
për sigurinë dhe shëndetin në punë gjatë aktivitetit të tyre në subjektin e tij.
3. Përfaqësuesit e punëtorëve me rol specifik për sigurinë dhe shëndetin në punë do të kenë të drejtë
të vijojnë trajnime adekuate.
4. Trajnimi i referuar në paragrafin 1. të këtij neni organizohet gjatë orarit të punës.
11
KREU III
DETYRIMET E TË PUNËSUARVE
Neni 21
Detyrimet e të punësuarit
1. Çdo i punësuar ka përgjegjësi të përkujdeset për sigurinë dhe shëndetin e vet dhe të personave të
tjerë në punë, në përputhje me trajnimin dhe udhëzimet që i janë dhënë nga punëdhënësi.
2. Në përputhje me trajnimin, udhëzimet e dhëna nga punëdhënësi, doracakët, udhëzimet dhe
rregulloret teknike, i punësuari është i detyruar të:
2.1. përdorë me korrektësi makineritë, aparaturat, veglat, pajisjet e transportit mjetet tjera për
punë dhe të veprojë me kujdes me substancat e rrezikshme;
2.2. përdorë me korrektësi pajisjet mbrojtëse individuale të vëna në dispozicion të tyre dhe
pas përdorimit t’i rikthejë ato në vendin që është planifikuar për ruajtjen e tyre të sigurt;
2.3. mos nxjerrë jashtë shërbimit, të ndryshoj ose të zhvendosë arbitrarisht mekanizmat e
sigurisë të montuara në makineri, aparatura, vegla, impiante, ndërtesa dhe t’i përdorë si duhet
këta mekanizma;
2.4. njoftojë menjëherë punëdhënësin, personin e ngarkuar për çështjet e sigurisë dhe
shëndetit në punë dhe përfaqësuesit e të punësuarve, për çdo situatë pune, për të cilën kanë
një motiv të arsyeshëm për ta vlerësuar si rast që paraqet një rrezik të rëndë dhe të
menjëhershëm për sigurinë dhe shëndetin në punë;
2.5. respektojë të gjitha detyrimet e përcaktuara prej punëdhënësit nga fusha e sigurisë dhe
shëndetit në punë, në të kundërtën do të jetë përgjegjës për dëmin ose aksidentin e
shkaktuar.
3. I punësuari do ta lajmërojë inspektorin e punës, nëse punëdhënësi nuk i ka ndërmarrë masat
përkatëse për mënjanimin, evitimin dhe eliminimin e rrezikut të bazuar nga nën-paragrafi 2.4. i
paragrafit 2. të këtij neni.
4. I punësuari mund të refuzojë urdhëresën për punë, nëse e ka lajmëruar punëdhënësin, personin
për çështje të sigurisë dhe shëndetit në punë dhe përfaqësuesin e të punësuarve për rrezikun që i
kanoset atij/asaj nëse punon në ato kushte të punës, derisa nuk evitohet rreziku dhe nuk krijohen
kushtet normale për punë.
KREU IV
KONTROLLIMET MJEKËSORE TË TË PUNËSUARVE
Neni 22
Kontrollimet mjekësore
1. Punëdhënësi është i detyruar t’iu sigurojë të punësuarve kontrollime mjekësore në institucionet
shëndetësore të licencuara për shërbime nga mjekësia e punës në pajtim me paragrafin 5. të nenit 17
të këtij ligji.
2. Punëdhënësi është i detyruar t’i dërgojë në kontrollim mjekësor të gjithë të punësuarit së paku një
herë në tre (3) vite.
12
KREU V
NJOFTIMI PËR AKSIDENTET NË PUNË
Neni 23
Njoftimi për aksidentet në punë
1. Në rastet kur ka ndodhur aksidenti me pasojë lëndimin apo vdekjen e të punësuarit, punëdhënësi
është i detyruar ta lajmërojë menjëherë inspektorin e punës.
2. Për aksidentet në punë, inspektori i punës detyrohet të bëjë procesverbal me shkrim me të cilin
konstaton gjendjen faktike në kohën kur ka ndodhur aksidenti.
3. Inspektori i punës do t’i marrë masat adekuate në pajtim me ligjin për shkeljet e konstatuara në
rastin kur ka ndodhur aksidenti.
4. Inspektori i punës urdhëron me vendim ndërrmarrjen e masave të menjëhershme për evitimin e
rrezikut, dhe nëse ka fakte të pamohueshme se kushtet e punës paraqesin rrezik serioz për sigurinë
dhe shëndetin e të punësuarve, urdhëron ndalimin e përkohshëm të procesit të punës në atë subjekt
punues, njësi të subjektit punues ose makinë punuese.
5. Ndalimi i përkohshëm i procesit të punës do të zgjasë deri në ofrimin e fakteve nga punëdhënësi i
subjektit punues, se janë ndërmarrë masat për evitimin e rrezikshmërisë dhe se kushtet aktuale të
punës nuk paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë e të punësuarve.
6. Inspektori i punës me të pranuar faktet nga paragrafi 4. i këtij neni, do të bëjë inspektim në
subjektin punues. Pas konstatimit se kushtet e punës janë përmirësuar dhe është evituar rreziku për
sigurinë dhe shëndetin në punë, me vendim lejon vazhdimin e procesit të punës për të punësuarit.
7. Aksidenti vlerësohet se ka ndodhur në punë ose lidhur me punën kur i punësuari lëndohet gjatë:
7.1. kryerjes së punës në subjektin e punës ku është i punësuar;
7.2. kryerjes së një pune tjetër, pa ose me urdhër të punëdhënësit për arsye madhore në
interes të punës;
7.3. kohës së pushimit të përcaktuar nga punëdhënësi, vënien në rregull të makinerive,
veglave të punës, veshmbathjeve, pastrimit të vendit të punës para ose pas mbarimit të
punës;
7.4. kohës së aftësimit dhe trajnimit profesional;
7.5. dhënies së ndihmës së parë lidhur me punën.
8. Bazuar në pasojat, aksidentet në punë klasifikohen si më poshtë:
8.1. aksidente të cilat shkaktojnë paaftësi të përkohshme për punë;
8.2. aksidente të cilat shkaktojnë paaftësi të përhershme në punë;
8.3. aksidente me pasojë vdekje në punë.
9. Bazuar në numrin e personave të lënduar në punë, aksidentet në punë klasifikohen si më poshtë:
9.1. aksidente individuale kur lëndim në punë pëson vetëm një i punësuar dhe
9.2. aksidente masive ku të paktën dy (2) apo më shumë të punësuar lëndohen në të njëjtën
kohë dhe për shkak të arsyeve të njëjta.
13
KREU VI
DISPOZITAT PERFUNDIMTARE
Neni 24
Mbikëqyrja
Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji e bën Inspektorati i Punës.
Neni 25
Gjobat
1. Personi fizik dhe personi juridik, që nuk i zbaton dispozitat e këtij ligji, në procedurë ligjore do të
dënohet në të holla për secilën dispozitë të shkelur.
2. Për shkelje të dispozitave të nenit 5, 6, 9 dhe 10 të këtij ligji, punëdhënësi do të dënohet në të holla
në shumën prej pesqind (500) deri në dhjetmijë (10.000) Euro.
3. Për shkeljet e dispozitave të nenit 7, 11, 12, 13, 15 dhe 17 të këtij ligji, punëdhënësi do të dënohet
në të holla në shumën prej pesqind (500) deri tridhjetepesëmijë (35.000) Euro.
4. Për shkeljet e dispozitave të nenit 8 të këtij ligji, investitori, kontraktuesi, ose nënkontraktuesi do të
dënohet në të holla në shumën prej pesmijë (5.000) deri tridhjetepesëmijë (35.000) Euro.
5. Për shkeljet e dispozitave të nenit 14 dhe 16 të këtij ligji, punëdhënësi do të dënohet në të holla në
shumën prej pesqind (500) deri njëzetepesëmijë (25.000) Euro.
6. Për shkeljet e dispozitave të nenit 18 dhe 19 të këtij ligji, punëdhënësi do të dënohet në të holla në
shumën prej pesqind (500) deri pesëmbëdhjetëmijë (15.000) Euro.
7. Për shkeljet e dispozitave të nenit 20, 22 dhe 23 të këtij ligji, punëdhënësi do të dënohet në të holla
në shumën prej pesqind (500) deri njëzetmijë (20 000) Euro.
8. Për shkeljet e dispozitave të nenit 21 të këtij ligji, i punësuari do të dënohet në të holla në shumën
prej njëqind (100) deri pesëmijë (5.000) Euro.
Neni 26
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e drejtë dhe të plotë
të këtij ligji, në afat prej gjashtë (6) muajsh.
2. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale detyrohet që në vazhdimësi të hartojë akte normative për
zbatimin e politikave dhe për të realizuar përputhshmërinë me Acquis në fushën e sigurisë dhe
shëndetit në punë.
Neni 27
Shfuqizimi i akteve ligjore
Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, shfuqizohet Ligji Nr. 2003/19 për
Siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës dhe aktet nënligjore.
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.
14
Ligji Nr. 04/L-161
16 maj 2013
Shpallur me dekretin Nr. DL-026-2013, datë 31.05.2013 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga