LIGJI Nr. 04/L-193 PËR AVOKATINË

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 31 MAJ 2013, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-193 PËR AVOKATINË

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR AVOKATINË


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Me këtë ligj rregullohen kushtet për ushtrimin e avokatisë, mënyrat dhe format e punës, të drejtat,
detyrimet dhe përgjegjësitë e avokatëve dhe praktikantëve, organizimi dhe puna e Odës së
Avokatëve të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Oda), si dhe çështje tjera të rëndësishme për ushtrimin
e avokatisë.

Neni 2
Zyra e Avokatit

Avokatët mund ta ushtrojnë avokatinë në zyrën individuale, në zyrën e përbashkët të avokatëve ose
në shoqërinë të avokatëve, të regjistruar në regjistrin e Odës.

Neni 3
Avokatia

1. Avokatia është profesion i lirë dhe i pavarur që merret me dhënien e ndihmës juridike personave
fizikë dhe juridikë për mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe të interesave të tyre në pajtim me rendin
juridik.

2. Pavarësia e avokatisë realizohet përmes:

2.1. ushtrimit të pavarur të avokatisë;

2.2. dhënies së ndihmës juridike;

2.3. nxjerrjes së Statutit dhe akteve tjera të Odës;

2.4. vendosjes për fitimin, ndërprerjen dhe pushimin e të drejtës në ushtrimin e avokatisë.

Neni 4
Ndihma juridike

1. Ndihma juridike përfshin:

1.1. dhënien e këshillave dhe mendimeve juridike;

1.2. hartimin e padive, kërkesave, propozimeve, lutjeve, mjeteve juridike dhe parashtresave
tjera;

2

1.3. hartimin e kontratave, marrëveshjeve, testamenteve, deklaratave, akteve të përgjithshme
dhe të veçanta si dhe dokumenteve tjera;
1.4. përfaqësimin dhe mbrojtjen e personave fizikë dhe juridikë, shoqëritë afariste dhe
subjektet tjera juridike para gjykatave dhe organet tjera shtetërore;

1.5. përfaqësimi i personave fizikë e juridikë në punët e tyre juridike, në zgjidhjen miqësore të
kontesteve dhe raporteve kontestuese;

1.6. kryerjen e punëve tjera të ndihmës juridike në emër dhe për llogari të personave fizikë e
juridikë vendorë apo të huaj, në bazë të të cilave realizohen të drejtat dhe mbrohen liritë dhe
interesat tjerë.

Neni 5
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Avokatia – profesion që merret me dhënien e ndihmës juridike;

1.2. Avokat – person që është i regjistruar në Odë, që e ka dhënë betimin dhe merret
me avokati;

1.3. Avokat vendor – avokatin shtetas të Republikës së Kosovës;

1.4. Avokat i huaj – avokati, i cili e ka fituar të drejtën për ushtrimin e profesionit të avokatit
në shtetin amë, mund të ushtrojë profesionin e avokatit në Republikën e Kosovës në pajtim
me kushtet e përcaktuara me këtë ligj dhe aktet tjera të Odës;

1.5. Kandidat – personi që e ka dorëzuar kërkesën për regjistrim në regjistrin e avokatëve
dhe e mban këtë status gjer në ditën e regjistrimit në listën e avokatëve dhe të dhënies së
betimit;

1.6. Kartela – Kartela identifikuese e çdo avokati dhe praktikanti të regjistruar në Odë;

1.7. Kodi – Kodi i Etikës së Avokatëve;

1.8. Oda – Oda e Avokatëve të Kosovës;

1.9. Pala – person fizik apo juridik, i cili i drejtohet avokatit me kërkesë për ndihmë juridike
dhe personi, të cilin avokati e përfaqëson apo e mbron;

1.10. Përfaqësim – përfaqësim apo mbrojtje në procedurë;

1.11. Praktikant – juristi i diplomuar, i cili është regjistruar në regjistrin e praktikantëve dhe
është duke u aftësuar për profesionin e avokatit;

1.12. Regjistri – regjistri, në të cilin regjistrohen avokatët, praktikantët, zyrat e përbashkëta të
avokatëve dhe shoqëritë e avokatëve;

1.13. Regjistrimi – Regjistrimi i Avokatëve, zyrave të përbashkëta të avokatëve, shoqërive të
avokatëve dhe praktikanteve në regjistrin përkatës të odës.

1.14. Shoqëria e avokatëve – ortakëria e përgjithshme, shoqëria komandite dhe shoqëria
me përgjegjësi të kufizuar siç është përkufizuar në Ligjin për Shoqëritë Tregtare.

1.15. Zyra e avokatisë – lokali në të cilin ushtrohet avokatia.




3



KREU II
KUSHTET PËR USHTRIMIN E AVOKATISË

Neni 6
E drejta për ushtrimin e avokatisë

1. E drejta për ushtrimin e avokatisë fitohet me regjistrim në regjistrin e Odës.

2. Procedura për realizimin e të drejtës për ushtrimin e avokatisë iniciohet me parashtrimin e kërkesës
së kandidatit për regjistrim në Odë.

3. Kundër vendimit lidhur me refuzimin e kërkesës për regjistrimin, pezullimin, ndërprerjen ose
humbjen e të drejtës për ushtrimin e avokatisë lejohet ankesa.

4. Ankesa i dorëzohet Komisionit për Ankesa të Odës në afat prej tetë (8) ditësh prej ditës së
pranimit.

5. Vendimi i Komisionit për Ankesa është përfundimtar.

6. Kundër vendimit të Komisionit të Odës për Ankesa, mund të iniciohet konflikti administrativ.

Neni 7

1. Kandidati për avokat është i detyruar të bëjë pagesën e shpenzimeve të parapara për regjistrim
dhe të lidhë kontratën për sigurimin ndaj përgjegjësisë profesionale. para dhënies së betimit.

2. Me akt të veçantë të nxjerrë nga Oda përcaktohet lartësia e shpenzimeve për regjistrim. Lartësia e
shpenzimeve për regjistrim nuk mund të jetë më e lartë se vlera e tri (3) pagave minimale në Kosovë.

Neni 8

1. Avokati, i cili është i regjistruar në regjistrin e avokatëve në pajtim me dispozitat e këtij ligji, pajiset
për çdo vit me kartelën e identifikimit të avokatit.

2. Organi, para të cilit është duke u zhvilluar procedura, mund të kërkojë kartelën identifikuese nga
çdo person që prezantohet në cilësinë e avokatit.

Neni 9

Avokati i cili e ka fituar të drejtën për ushtrimin e profesionit të avokatit në shtetin amë, mund të
ushtrojë profesionin e avokatit në Republikën e Kosovës në pajtim me kushtet e përcaktuara me këtë
ligj.

Neni 10
Kushtet për regjistrim

1. Oda merr vendim të regjistrojë kandidatin, i cili i plotëson kushtet në vijim, përveç nëse nuk është
përcaktuar ndryshe me këtë ligj:

1.1. shtetësia e Republikës së Kosovës;

1.2. diploma e fakultetit juridik në Kosovë apo diploma e fituar në fakultetin juridik të ndonjë
shteti tjetër, e cila është pranuar në pajtim me ligjet që rregullojnë fushën e arsimit të lartë në
Republikën e Kosovës;

1.3. zotësia e plotë e veprimit;

1.4. provimi i dhënë i jurisprudencës në Republikën e Kosovës;
4


1.5. të mos jetë në marrëdhënie të punës;
1.6. që kundër tij mos të jetë në zhvillim e sipër procedurë penale apo të mos jetë gjykuar për
vepër penale, për të cilën është paraparë dënimi me burg deri në një (1) vit, e cila kandidatin
do ta kishte bërë të padenjë për të ushtruar avokatinë;

1.7. të jetë i denjë për ushtrimin e avokatisë në pajtim me Kodin;

1.8. të ketë siguruar zyrën e përshtatshme për ushtrimin e avokatisë dhe kushtet e nevojshme
teknike në pajtim me aktet nënligjore të Odës;

1.9. të ketë kaluar më së paku një (1) vit nga vendimi i plotfuqishëm për refuzimin e
regjistrimit në Odë;

1.10 të këtë dhënë provimin nga kodi i etikës profesionale të avokatëve sipas Rregullores së
miratuar nga Oda.

2. Vetëm avokatët kanë të drejtë të japin ndihmë juridike, nëse me ligj nuk është paraparë ndryshe.

3. Profesorët ordinar dhe inordinar të lëndëve juridike në fakultetet e Republikës së Kosovës janë të
autorizuar të ofrojnë këshilla dhe mendime juridike me pagesë, por jo edhe për forma të tjera të
ndihmës juridike.

4. Shprehjet "këshillë juridike" dhe "mendim juridik" nga paragrafi 3. i këtij neni nuk nënkuptojnë
përpilimin e shkresave (kontratave, testamenteve, deklaratave, etj.) e as të padive, kërkesave, lutjeve,
mjeteve juridike të jashtëzakonshme dhe parashtresave tjera.

5. Personat nga paragrafi 2. i këtij neni janë të detyruar te njoftojnë Odën për ushtrimin e veprimtarisë
së tyre sipas këtij ligji me qëllim evidentim që ushtrojnë veprimtarinë e tyre ne pajtim me aktet e Odës.

6. Evidentimi i personave nga paragrafi 2. i këtij neni bëhet në pajtim me aktet e Odës.

7. Personat nga paragrafi 2. i këtij neni ofrojnë këshilla dhe mendime juridike në pajtim me dispozitat
e ligjit, akteve të Odës dhe të Kodit të Etikës së Avokatëve.

8. Oda është e autorizuar dhe e detyruar të fillojë procedurën përkatëse ligjore për çdo rast të ofrimit
të ndihmës juridike në mënyrë të paautorizuar, përveç nëse me ligj të veçantë nuk është përcaktuar
ndryshe.

Neni 11
Betimi

1. Avokati, për të cilin është marrë vendimi për regjistrim në regjistrin e avokatëve, është i detyruar që
brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, prej ditës kur i dorëzohet njoftimi për lejimin e regjistrimit,
të jep betimin solemn para organit kompetent të Odës. Në të kundërtën, konsiderohet se ka hequr
dorë nga regjistrimi.

2. Teksti i betimit solemn është si vijon:

„Betohem, se avokatinë do ta ushtroj me dinjitet, ndërgjegje, i pavarur dhe me nder, duke
respektuar rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës”


KREU III
TË DREJTAT DHE DETYRIMET E AVOKATIT

Neni 12
Detyrimet themelore të avokatit

1. Avokati është i detyruar:
5


1.1. të ofrojë ndihmën juridike në mënyrë profesionale, të ndërgjegjshme, te denjë dhe në
pajtim me këtë ligj, Statutin dhe Kodin;

1.2. të ruaj fshehtësinë e të dhënave, fakteve dhe informatave që i janë dhënë gjatë
përfaqësimit të klientëve.

Neni 13
Arsimi i vazhdueshëm ligjor

1. Avokati është i detyruar të arsimohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të pasurojë njohuritë për
ushtrimin e avokatisë në pajtim me aktet e përgjithshme të Odës.

2. Avokati është i detyruar që, praktikantit që kryen stazhin në zyrën e tij, t’i sigurojë kushte të
përshtatshme për punë dhe trajnim në pajtim me programin e trajnimit të përcaktuar nga Oda si dhe
të mbikëqyr punën e tij dhe ngritjen profesionale.

Neni 14
Liria dhe detyrimi i dhënies së ndihmës juridike

1. Avokati vendos në mënyrë të lirshme se a e pranon dhënien e ndihmës juridike, përveç rasteve të
përcaktuara me këtë ligj.

2. Avokati nuk mund ta refuzojë ndihmën juridike, nëse gjykata, ndonjë organ tjetër shtetëror ose Oda
e caktojnë si përfaqësues apo mbrojtës, në pajtim me ligjin, përveç nëse ekzistojnë arsyet e parapara
me ligj, për shkak të të cilave avokati është i detyruara ta refuzojë ndihmën juridike.

Neni 15
Ndihma juridike pa pagesë

Oda është e detyruar të rregullojë ndihmën pa pagesë personave në gjendje sociale të vështirë në
çështjet juridike, në të cilat, personat e tillë realizojnë të drejtat që janë në lidhje të drejtpërdrejtë me
pozitën e tyre, si dhe me rastet tjera të parapara me aktet nënligjore të Odës.

Neni 16
Detyrimi i refuzimit të ndihmës juridike

1. Avokati është i detyruar t'ia refuzojë palës ndihmën juridike:

1.1. nëse ai ose ndonjë avokat tjetër, i cili ka punuar në zyrën e njëjtë dhe ka qenë i
angazhuar në çështjen e njëjtë apo në ndonjë çështje që ka pasur lidhje juridike me të parën
duke përfaqësuar palën kundërshtare ose të dy palët, i ka dhënë këshillë juridike;

1.2. nëse në çështjen e njëjtë apo në çështjen që ka lidhje juridike me të parën ka punuar si
praktikant te avokati, i cili e ka përfaqësuar palën kundërshtare;

1.3. nëse është anëtar, apo ka qenë anëtar i zyrës së përbashkët të avokatëve apo të
shoqërisë së avokatëve, në të cilat, pala kundërshtare është duke u përfaqësuar apo ka qenë
e përfaqësuar;

1.4. nëse në çështjen e njëjtë apo në çështjen që ka lidhje juridike me të parën ka punuar si
gjyqtar, prokuror apo person zyrtar në procedurë administrative apo ndonjë procedurë tjetër;

1.5. në rastet tjera të parapara me ligj, statut dhe me kod.

Neni 17
Fshehtësia e avokatit

1. Avokati është i detyruar që, në pajtim me Statutin dhe Kodin të ruaj sekretin profesional dhe të
kujdeset që, në mënyrë të njëjtë të veprojnë edhe të gjithë të punësuarit në zyrën tij.
6


2. Detyrimi i ruajtjes së fshehtësisë profesionale nuk është i kufizuar në kohë.

Neni 18
Refuzimi i prokurës

1. Avokati ka të drejtë ta refuzojë përfaqësimin (prokurën) në pajtim me këtë ligj.

2. Avokati është i detyruar ta informojë menjëherë organin kompetent, te i cili është duke u zhvilluar
procedura.

3. Në rast të kërkesës së klientit, prokurën e të cilit e ka refuzuar, avokati është i detyruar të vazhdojë
t’i jep ndihmë juridike të domosdoshme, por jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ditë prej ditës së
dorëzimit të denoncimit rregullisht në organin, i cili është duke udhëhequr procedurën për denoncimin
e prokurës.

Neni 19
Ruajtja dhe kthimi i shkresave të lëndës

1. Avokati është i detyruar t'ia kthejë palës të gjitha shkresat e lëndës pas përfundimit të përfaqësimit
me kërkesën e tij.

2. Avokati është i detyruar t'i ruaj shkresat e lëndës në formë të shkresave apo të skanuara më së
paku për pesë (5) vjet pas përfundimit të plotfuqishëm të procedurës, përveç nëse pala ka hequr dorë
me shkrim nga një kërkesë e tillë.

Neni 20
Zëvendësimi i avokatit

1. Avokatin mund ta zëvendësojë praktikanti i punësuar në zyrën e tij ose ndonjë avokat tjetër në
pajtim me këtë ligj.

2. Praktikantit të punësuar në zyrën e avokatit nuk i nevojitet autorizimi zëvendësuar për përfaqësim.

3. Praktikanti është i detyruar të veprojë sipas udhëzimeve të avokatit që e zëvendëson.

4. Për shkeljet e bëra nga praktikanti, përgjegjësinë materiale e bartë avokati, te i cili është i punësuar
praktikanti.

Neni 21
Shpërblimi dhe kompensimi i shpenzimeve

1. Avokati ka të drejtë për pagesën e honorarit dhe kompensimin e shpenzimeve për punën e tij në
pajtim me Rregulloren për tarifën e avokatëve.

2. Për përfaqësim sipas detyrës zyrtare, lartësinë e shpërblimit dhe shpenzime të avokatëve e
përcaktojnë Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Agjencia për ndihmë Juridike falas
në bashkëpunim me organet e Odës.

3. Fatura e avokatit për shpërblim dhe shpenzime paraqet dokument autentik në procedurën e
përmbarimit.

Neni 22
E drejta e pagesës dhe pengut

1. Honorarin dhe shpenzimet, avokati, zyra e përbashkët e avokatëve apo shoqëria e avokatëve janë
të autorizuar t'i paguajnë nga të hollat e deponuara nga pala, apo nga të hollat që i janë paguar apo i
ka pranuara në emër të klientit, nëse avokati dhe klienti nuk janë marrë vesh ndryshe.

2. Avokati është i detyruar t'ia jap palëve faturën për shërbimet e kryera dhe shpenzimet e paguara.
7


3. Nga mjetet financiare të pranuara në emër të palës, avokati ka të drejtën e pengut për pagesën e
shpërblimit dhe shpenzimeve.


KREU IV
PRAKTIKANTËT

Neni 23
Kushtet për regjistrim në regjistrin e praktikantëve

1. Të drejtën për t'u regjistruar në regjistrin e praktikantëve e fiton personi, i cili i plotëson këto kushte:

1.1. të jetë shtetas i Republikës së Kosovës;

1.2. të posedojë diplomën e fakultetit juridik në Kosovë apo diplomën nga fakulteti juridik i
ndonjë shteti tjetër, e cila është pranuar në pajtim me ligjet që rregullojnë lëmin e shkollimit të
lartë në Republikën e Kosovës;

1.3. të ketë zotësinë e plotë e veprimit;

1.4. të mos jetë në marrëdhënie të punës;

1.5. të mos jetë i dënuar për vepër penale, e cila do ta kishte bërë të padenjë për t’i besuar
ushtrimin e avokatisë;

1.6. të mos merret me ndonjë veprimtari tjetër të regjistruar;

1.7. të jetë i denjë për ushtrimin e avokatisë në pajtim me kodin;

1.8. të ketë lidhur kontratën e punës me avokatin, zyrën e përbashkët të avokatëve apo me
shoqërinë e avokatëve.

2. Kohëzgjatja e praktikës në zyrën e avokatit është një (1) vit.

3. Dispozitat tjera materiale dhe procedurale që kanë të bëjnë me avokatët, në mënyrë të
përshtatshme aplikohen edhe për praktikantët.

Neni 24
Të drejtat dhe detyrimet e praktikantit

1. Praktikanti është i detyruar të kryejë të gjitha punët që ia beson avokati dhe detyrohet t'u
përmbahet udhëzimeve të tij.

2. Praktikantit i ndalohet kryerja e punëve juridike të avokatit pa lejen shprehimore të avokatit, te i cili
është duke kryer praktikën.

Neni 25
Përgjegjësia e praktikantëve

1. Për dëmin që mund të shkaktojë praktikanti ndaj palës gjatë kryerjes së detyrës sipas autorizimit
me shkrim të avokatit, në mënyrë të drejtpërdrejt përgjigjet avokati, Zyra e përbashkët e avokatëve
dhe shoqëria e avokatëve.

2. Praktikanti përgjigjet personalisht për dëmin e shkaktuar gjatë ushtrimit të detyrës, nëse ky dëm
është shkaktuar me dashje apo nga pakujdesia e rëndë.




8


KREU V
ZYRA E AVOKATISË

Neni 26

1. Avokati individual, zyrat e përbashkëta të avokatëve dhe shoqëritë e avokatëve mund të kenë
vetëm një zyrë, e cila duhet të jetë në vendin, për të cilin ekziston vendimi i Odës.

2. Vendi, pajisja dhe rregullimi i zyrës duhet të jenë në harmoni me rëndësinë dhe prestigjin e
avokatisë në kushtet e nevojshme për ruajtjen e sekretit profesional, në pajtim me kriteret e
përcaktuara me aktet nënligjore të Odës.

3. Avokati mund të jep ndihmën juridike vetëm në zyrë, përveç rasteve kur përfaqëson në seanca,
shqyrtime, shikime në vendin e ngjarjes, rekonstruktime, negociata ose në lidhjen e punëve juridike.

4. Përjashtimisht, për arsye të rrethanave të rastit dhe natyrës së ndihmës juridike, avokati mund të
ofrojë ndihmë juridike edhe në banesë/shtëpi apo në selinë së palës.

5. Avokati është i detyruar që në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh ta informojë me shkrim Odën
për çdo ndërrim të selisë së zyrës së tij.

6. Themelimi, organizimi dhe funksionimi i zyrës së avokatit rregullohet me aktet e përgjithshme të
Odës.


KREU VI
FORMAT E USHTRIMIT TË AVOKATISË

Neni 27

1. Avokatët mund ta ushtrojnë avokatinë:

1.1. në zyrë individuale;

1.2. në zyrën e përbashkët të avokatëve dhe

1.3. në shoqërinë e avokatëve.

Neni 28
Zyra individuale

1. Avokati mund të ketë vetëm një (1) zyrë.

2. Avokati mund të veprojë si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

3. Selia e zyrës së avokatit duhet të jetë në vendin, në të cilin avokati e ka të lajmëruar në Odë dhe,
për të cilin ekziston vendimi i Odës.

4. Vendi dhe rregullimi i zyrës së avokatit duhet të jenë në harmoni me rëndësinë dhe prestigjin e
avokatisë në kushtet e nevojshme për ruajtjen e sekretit profesional, në pajtim me kriteret e
përcaktuara me aktet e Odës.

5. Avokati mund të jep ndihmën juridike vetëm në zyrën e tij, përveç rasteve kur përfaqëson në
seanca, shqyrtime, shikime në vendin e ngjarjes, rekonstruktime, negociata ose në lidhjen e punëve
juridike.

6. Përjashtimisht, për arsye të rrethanave të rastit dhe natyrës së ndihmës juridike, avokati mund të
ofrojë ndihmë juridike edhe në banesë/shtëpi apo në zyrat e selisë së palës.

9

7. Avokati është i detyruar që në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh ta informojë me shkrim Odën
për çdo ndërrim të selisë së zyrës së tij.

Neni 29
Zyra e përbashkët e avokatëve

1. Disa avokatë mund të kenë zyrë të përbashkët dhe në atë rast, të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella
i rregullojnë me kontratë.

2. Avokatët që kanë për qëllim themelimin e zyrës së përbashkët janë të detyruar ta informojnë Odën
për lidhjen e kontratës nga paragrafi 1. i këtij neni.

3. Themelimi i zyrës së përbashkët të avokatëve regjistrohet në regjistrin përkatës të Odës pas
marrjes së vendimit.

4. Oda është e detyruar që të bëjë regjistrimin nga paragrafi 2., 3. i këtij neni në afat prej tridhjetë (30)
ditësh.

Neni 30
Shoqëritë e avokatëve

1. Dy ose më shumë avokatë të regjistruar në Odë, mund të themelojnë shoqëri të avokatëve.

2. Vetëm avokati mund të jetë anëtar i shoqërisë së avokatëve.

3. Vetëm avokatët dhe praktikantët e shoqërisë së avokatëve mund të ofrojnë ndihmë juridike në
shoqërinë e avokatëve.

4. Shoqëria e avokatëve mund të punësojë avokatë pa status të anëtarit të shoqërisë.

5. Me anë të akteve të përgjithshme të shoqërisë duhet të mbrohet pavarësia e avokatëve në kryerjen
e profesioni.

6. Avokati që është i punësuar në shoqëri është i detyruar të ofrojë atë ndihmë juridike që ia cakton
shoqëria, nëse me kontratë nuk është përcaktuar ndryshe.

7. Format e organizimit dhe të qeverisjes së shoqërive të avokatëve rregullohet me akte nënligjore të
Odës dhe me Ligjin për shoqëritë tregtare.

Neni 31
Ndërlidhja e zyrave të avokatëve

1. Zyrat e avokatëve mund të ndërlidhen me zyra tjera vendore dhe të huaja për kryerjen e punëve të
caktuara me interes të përbashkët dhe për bashkëpunim të ndërsjellë.

2. Ndërlidhja e zyrave të avokatëve bëhet me anë të kontratës me shkrim, e cila i dorëzohet Odës në
kopje në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh prej ditës së nënshkrimit të saj.

3. Kushtet dhe mënyra e ndërlidhjes së zyrave nga paragrafi 1. i këtij neni rregullohet me akte të
përgjithshme të Odës.

Neni 32
Pacenueshmëria e zyrës së avokatit

1. Zyra e avokatit, gjësendet dhe të dhënat që gjenden në të, mund t'i nënshtrohen kontrollimit vetëm
në pajtim me këtë ligji.

2. Asnjë organ publik nuk mund të zbatojë masat e mbylljes ose të vulosjes ndaj zyrës së avokatit,
gjatë procedurës penale, kundërvajtëse, administrative apo të ndonjë delikti ekonomik që është duke
u zhvilluar kundër avokatit.
10

Neni 33
Heqja e lirisë e avokatit dhe bastisja e zyrës së tij

1. Avokati nuk mund të privohet nga liria për vepra penale lidhur me ushtrimin e shërbimet e tij në
cilësinë e avokatit pa vendimin e gjykatës kompetente.

2. Për privimin e avokatit nga liria njoftohet Oda.

3. Zyra e avokatit mund të bastiset vetëm në bazë të vendimit të gjykatës kompetente edhe atë, lidhur
me shkresa, dokumente apo lëndë të përcaktuara shprehimisht.

4. Zyra e avokatit mund të bastiset vetëm në prezencën e avokatit dhe të përfaqësuesit të autorizuar
të Odës të caktuar nga Kryetari i Odës.

5. Sendet, shkresat ose dokumentet, përveç atyre nga paragrafi 3. i këtij neni, si dhe informatat që
mund të mblidhen me rastin e bastisjes së zyrës së avokatit, nuk mund të shfrytëzohen për zhvillim të
asnjë procedure kundër palëve të avokatit nga zyra e tij.

6. Gjykatat ose organet tjera shtetërore duhet menjëherë ta informojnë Odën për fillimin e procedurës
kundër avokatit apo për vendimin e mbajtjes apo paraburgimit të tij.

Neni 34
E drejta e avokatit për sigurimin e informatave

Organet shtetërore, personat fizikë dhe juridikë me autorizime publike janë të detyruar që avokatit me
kërkesën e tij në pajtim me ligjin ti ofroj të dhënat dhe informatat që i nevojiten për ushtrimin e
avokatisë në rastet konkrete, nëse një gjë e tillë nuk është në kundërshtim me ruajtjen e fshehtësisë
zyrtare dhe profesionale.

Neni 35
Sigurimi i detyrueshëm ndaj përgjegjësisë profesionale

1. Avokati është i detyruar të sigurohet ndaj përgjegjësisë profesionale në institucionin që është i
regjistruar për këtë lloj të sigurimit.

2. Oda e përcakton shumën minimale të sigurimit për dëmin nga përgjegjësia profesionale.

3. Oda do t’ia refuzojë dhënien e kartelës avokatit, i cili nuk e ka lidhur kontratën e sigurimit ndaj
përgjegjësisë profesionale.

4. Procedura për sigurimin e përgjegjësisë profesionale rregullohet me aktet e Odës.

Neni 36
Shënjimi i parashtresave dhe i dokumenteve

Avokati duhet të nënshkruaj dhe të vëj vulën e tij në çdo parashtresë dhe dokument. Në qoftë se
avokati profesionin e avokatisë e ushtron në shoqërinë e avokatëve krahas vulës së shoqërisë së
avokatëve duhet të vej edhe vulën e vetë.


KREU VII
PEZULLIMI, NDËRPRERJA DHE HUMBJA E TË DREJTËS PËR USHTRIMIN E AVOKATISË

Neni 37
Pezullimi i ushtrimit të avokatisë

1. Avokati ka të drejtë të kërkojë pezullimin e përkohshëm të ushtrimit të avokatisë:

1.1. për shkak të ngritjes profesionale apo shkaqeve tjera të arsyeshme, për periudhën sa të
zgjasin ato shkaqe;
11

1.2. gjatë kohës së pengimit të përkohshëm për shkak të sëmundjes, pushimit të lehonisë,
pushimit për kujdesin ndaj fëmijës dhe shkaqeve tjera shëndetësore;

1.3. në rast të zgjedhjes apo emërimit në funksion publik për kohëzgjatjen e mandatit.

2. Vendimin për ndërprerjen, gjegjësisht pezullimin e ushtrimit të avokatisë e merr Oda.

3. Nëse ushtrimi i avokatisë është ndërprerë për shkak se kundër avokatit është në zhvillim e sipër
procedura disiplinore, kohëzgjatja e ndërprerjes së ushtrimit të avokatisë llogaritet në kohëzgjatjen e
masës së shqiptuar, sipas të cilës iu ka ndërprerë e drejta e ushtrimit të avokatisë.

4. Pas pushimit të ndërprerjes gjegjësisht pezullimit të shkaqeve, avokati fillon ushtrimin e profesionit
të avokatisë.

Neni 38
Ndërprerja e ushtrimit të avokatisë

1. Ushtrimi i avokatisë ndërpritet, nëse:

1.1. kundër avokatit është iniciuar procedurë penale për veprën penale, e cila e bën të
padenjë për ushtrimin e avokatisë;

1.2. kundër avokatit është iniciuar procedurë disiplinore për shkak të shkeljes së rëndë të
detyrës së avokatit dhe prestigjit të avokatisë,

1.3. avokati është dënuar për veprën penale, e cila e bën të padenjë për ushtrimin e
avokatisë;

1.4. në rastet nga paragrafi 1. i këtij neni dhe në rastet tjera, në të cilat avokati, për shkaqe të
arsyeshme, nuk e ushtron avokatinë detyrohet ta informojë Odën.

Neni 39
Humbja e të drejtës për ushtrimin e avokatisë

1. Avokati e humb të drejtën për ushtrimin e avokatisë, nëse:

1.1. humb shtetësinë e Republikës së Kosovës;

1.2. humb zotësinë për të vepruar;

1.3. për arsye shëndetësore e humb përgjithmonë aftësinë për ta ushtruar avokatinë;

1.4. i është shqiptuar masa e sigurisë - ndalesa e ushtrimit të avokatisë;

1.5. i është shqiptuar dënimi disiplinor i ndalesës së përhershme të ushtrimit të avokatisë;

1.6. vullnetarisht heq dorë nga ushtrimi i avokatisë;

1.7. më shumë se gjashtë (6) muaj pa shkaqe të arsyeshme nuk e ushtron avokatinë;

1.8. themelon marrëdhënie pune, përveç në zyrë të avokatisë, zyrën e përbashkët apo
shoqëri të avokatëve;

1.9. është dënuar më shumë se një (1) vit pa kusht me burgim për vepra penale, të cilat e
bëjnë të padenjë për ushtrimin e avokatisë;

1.10. në periudhë prej një (1) viti nuk i përmbush detyrimet financiare ndaj Odës.



12

KREU VIII
USHTRIMI I AVOKATISË NGA AVOKATËT E SHTETEVE TJERA NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Neni 40

1. Avokatët nga shtetet e tjera mund të ushtrojnë profesionin e avokatit në territorin e Republikës së
Kosovës nën kushtet e reciprocitetit.

2. Konfirmimin për ekzistimin e reciprocitetit e lëshon Ministria e Drejtësisë pas marrjes paraprake të
mendimit të Odës së Avokatëve.

3. Me Statutin e Odës së Avokatëve rregullohen kushtet, mënyra dhe procedura sipas të cilëve
avokatët nga shtetet e tjera mund të ushtrojnë profesionin e avokatisë në territorin e Republikës së
Kosovës.

4. Avokatët nga shtetet anëtare të Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të
ushtrojnë profesionin e avokatit në territorin e Republikës së Kosovës.

5. Me rastin e regjistrimit në Regjistrin e veçantë të avokatëve në Odën e Avokatëve të Republikës së
Kosovës, avokati nga paragrafi 1. dhe 4. i këtij neni, paraqet dokumentin e odës së avokatëve
anëtarë i të cilës është për të dëshmuar se në shtetin amë ushtron profesionin e avokatit, si dhe
dokumentet për plotësimin e kushteve nga paragrafi 1, nënparagrafët 2, 3, 5, 6, 7, 8 dhe 9 të nenit 10
të këtij ligji.


KREU IX
ODA E AVOKATËVE

Neni 41
Organizimi dhe statusi i Odës

1. Oda është organizatë profesionale e pavarur e avokateve me cilësinë e personit juridik e themeluar
në pajtim me ligjin dhe Statutin e Odes, e cila është kompetente për ushtrimin e autorizimeve publike
dhe kryerjen e punëve me interes të përgjithshëm, në pajtim me këtë ligj dhe Statutin e Odes me
autorizime publike me cilësi të personit juridik.

2. Selia e Odës është në Prishtinë.

3. Oda e avokatëve:

3.1. vendos për fitimin dhe pushimin e drejtës së ushtrimit të veprimtarisë së avokaturës dhe
shlyerjen në Regjistrin e avokatëve, zyrat e përbashkëta të avokatëve, dhe të shoqërive të
avokatëve;

3.2. vendos për kërkesat për pushimin e ushtrimit të përkohshëm të profesionit të avokatit;

3.3. nxjerr Tarifën për shpërblimin dhe kompensimin e shpenzimeve të avokatëve;

3.4. nxjerrë aktet e përgjithshme të Odës;

3.5. nxjerr Kodin profesional të avokatëve;

3.6. vendos për përgjegjësinë për shkeljen e detyrës së avokatëve dhe imazhin e avokaturës;

3.7. kujdeset për aftësimin dhe ngritjen profesionale të bashkëpunëtorëve profesional të
avokaturës dhe të praktikantëve të avokaturës;

3.8. jep mendim për reciprocitet me kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë.

4. Organizimi i brendshëm i Odës rregullohet me Statut.
13

5. Oda i ka degët regjionale në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë. Me
Statutin e Odes përcaktohen kompetencat e degëve regjionale.

6. Avokatët, zyrat e përbashkëta të avokatëve dhe shoqëritë e avokatëve detyrimisht anëtarësohen
në Odë.

Neni 42
Organet e Odës

1. Organet e Odës janë: Konferenca e përgjithshme, Kuvendi, Kryetari, Këshilli Drejtues, Këshilli
Mbikëqyrës, organet disiplinore, dhe organet e përcaktuara me Statutin e Odës.

2. Struktura, kompetenca, përbërja, mënyra e zgjedhjes, të drejtat dhe detyrimet e organeve të Odës
rregullohen me aktet e Odës.

3. Kuvendi i Odës përbëhet nga përfaqësuesit e degëve regjionale, mbi parimin e sistemit të
delegimit, të cilët zgjidhen në proporcion me numrin e anëtarëve të Degëve Regjionale.

4. Kuvendin e Odës e përbëjnë tetëdhjetë e pesë (85) delegatë.

Neni 43
Bashkëpunimi me institucionet

1. Oda e informon Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Qeverinë, përmes një raporti vjetor të
shkruar, për ecuritë e punës, gjendjen dhe sfidat e avokatisë dhe masat që duhet ndërmarrë për
qëllim të përparimit të avokatisë dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

2. Oda bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe me organet e vetëqeverisjes lokale në zgjedhjen
e problemeve me rëndësi për realizimin e detyrave të avokatisë.

3. Oda vendos bashkëpunim me odat dhe asociacionet tjera ndërkombëtare me qëllim të zhvillimit të
avokatisë.

Neni 44
Mbikëqyrja dhe përcjellja e punës së Odës dhe avokatisë

1. Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka
të drejtë që gjer në vendimin e gjykatës kompetente, të ndaloj ekzekutimin e aktit i cili është në
kundërshtim me ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e
cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve.

2. Ministria e Drejtësisë përcjell punën e avokatisë dhe kushtet për punën e saj. Për këtë qëllim nga
Oda mund të kërkojë informacione dhe të dhëna përkatëse duke pasur kujdes për pavarësinë e
avokatisë.

3. Informacionet dhe të dhënat nga paragrafi 2. i këtij neni Oda është e detyruar t’ia dërgoj Ministrisë
së Drejtësisë në afat prej tridhjetë (30) ditësh apo të njoftoj për arsyet për të cilat nuk mundet t’i
dërgojë informacionet dhe të dhënat e kërkuara.

Neni 45
Evidenca dhe regjistrat e avokatëve

1. Oda e mban regjistrin e avokatëve, praktikantëve, zyrave të përbashkëta, të shoqërive të
avokatëve dhe të avokatëve të huaj.

2. Evidencat, regjistrat dhe vërtetimet nga paragrafi 1. i këtij neni paraqesin dokumente publike.




14

Neni 46
Pagesa e anëtarësisë

Avokatët e regjistruar në regjistrin e avokatëve janë të detyruar të paguajnë anëtarësinë vjetore dhe
të përmbushin të gjitha detyrimet tjera të parapara me Statut dhe aktet e përgjithshme të Odës.

Neni 47
Format e financimit të Odës

1. Oda e Avokateve të Kosovës financohet nga të hyrat:

1.1. për licencim;

1.2. për anëtarësi;

1.3. nga pulla e Odës;

1.4. nga dhuratat dhe grantet, si dhe

1.5. të hyrat tjera në pajtim me ligjin dhe statutin.


KREU X
SPECIALIZIMI I AVOKATIT DHE SHOQËRIVE TË AVOKATËVE

Neni 48
Specializimi i avokatëve

1. Avokati mund të kërkojë t'i pranohet specializimin në ndonjë lëmi të së drejtës.

2. Për kërkesën për pranimin e specializimit vendos organi i Odës, i përcaktuar me Statut.

3. Kundër vendimit, me të cilin refuzohet kërkesa për pranimin e specializimit mund të ushtrohet
ankesë.

4. Specializimi i pranuar i avokatit regjistrohet në regjistrin e avokatëve dhe mund të ceket në
emërtimin e zyrës së avokatit.

Neni 49
Shoqëritë e specializuara të avokatëve

1. Shoqëritë e avokatëve, me rastin e regjistrimit mund të përcaktohen për ndihmë juridike në ndonjë
lëmi të caktuar. Në atë rast, specializimi i shoqërisë së avokatëve detyrimisht ceket në emërtimin e
saj.

2. Specializimi do t'i pranohet shoqërisë së avokatëve nëse vetëm njërit prej anëtarëve të saj i është
pranuar specializimin sipas dispozitave të nenit paraprak.

3. Kushtet, procedura dhe lëmenjtë, në të cilët mund t'i pranohet specializimi avokatit dhe shoqërisë
së avokatëve përcaktohet me aktet e Odës.










15

KREU XI
PËRGJEGJËSIA DISIPLINORE E AVOKATËVE, PRAKTIKANTËVE

Neni 50
Shkeljet disiplinore

1. Avokatët dhe praktikantët përgjigjen për shkelje të lehta dhe të rënda të detyrës dhe prestigjit të
avokatisë para organeve disiplinore të Odës, të përcaktuara me Statut.

2. Shkelje e rëndë konsiderohet posaçërisht prishja e prestigjit të avokatisë si funksion i
mëvetësishëm dhe i pavarur.

3. Shkelje e rëndë konsiderohet edhe çdo shkelje e detyrës zyrtare, prestigjit dhe Kodit të etikës së
avokatëve, e cila ka peshë më të rëndë për shkak të rëndësisë së të mirave të rrezikuara, natyrën e
detyrës zyrtare të shkelur, lartësia e dëmit material ose pasojat tjera dhe duke marrë parasysh
rrethanat, në të cilat është kryer apo nuk është kryer veprimi.

4. Shkelje të lehtë paraqet shkelja e detyrës zyrtare, prestigjit dhe Kodit të etikës së avokatëve me
peshë më të vogël.

5. Me Statutin e Odës përcaktohet se çka konsiderohet shkelje e rëndë e avokatisë, prestigjit dhe
Kodit të etikës së avokatëve.

Neni 51
Masat disiplinore

1. Për shkelje të rëndë të detyrave dhe prestigjit të avokatisë, mund të shqiptohen këto masa:

1.1. vërejtje;

1.2. gjoba;

1.3. humbja e të drejtës së ushtrimit të avokatisë prej gjashtë (6) muajsh gjer në pesë (5) vjet;

1.4. humbja e të drejtës së ushtrimit të avokatisë prej pesë (5) gjer në dhjetë (10) vjet;

1.5. humbja e përhershme e të drejtës së ushtrimit të avokatisë.

2. Për shkelje më të rënda të detyrës dhe prestigjit të avokatisë, praktikantit mund t'i shqiptohen këto
masa:

2.1. gjoba;

2.2. çregjistrimi nga regjistri i praktikantëve prej gjashtë (6) muajsh;

2.3. çregjistrimi i përhershëm nga regjistri.

3. Për shkelje të lehta të detyrës dhe prestigjit të avokatisë, avokatit mund t'i shqiptohet vërejtja,
gjoba, kurse praktikantit vërejtja.

4. Lartësia dhe destinimi i gjobave sipas këtij neni, përcaktohet me Statutin e Odës. Gjobat e
shqiptuara paguhen në favor të Odës së avokatëve.

Neni 52
Inicimi i procedurës disiplinore

1. Procedura disiplinore iniciohet nga organi disiplinor, i përcaktuar me Statut, sipas detyrës zyrtare
ose me kërkesën e organit të përcaktuar me Statut.

16

2. Për kërkesën lidhur me inicimin e procedurës disiplinore kundër avokatëve nga shtetet tjera, që
janë të regjistruar në regjistrin e avokatëve të huaj në pajtim me nenin 40 të këtij ligji, organi disiplinor
do ta informojë organin gjegjës në shtetin amë të atij avokati.

3. Komisioni disiplinor hetimor është i detyruar t'i mundësoj përfaqësuesit të organit kompetent të
shtetit amë të avokatit të huaj të merr pjesë në procedurë duke iu mundësuar të jep propozime për
ndihmë të avokatit.

4. Dënimi disiplinor dhe masa disiplinore, me të cilën i kufizohet avokatit ushtrimi i avokatisë mund të
zbatohet vetëm në territorin e Republikës së Kosovës.
5. Nëse organi kompetent i shtetit amë i avokatit ia ndalon përkohësisht apo përgjithmonë ushtrimin e
avokatisë, efekti i një vendimi të tillë të ndalesës së ushtrimit të avokatisë vlen edhe për territorin e
Republikës së Kosovës.

Neni 53
Zbatimi i përshtatshëm i ligjit

Në procedurën disiplinore kundër avokatit apo praktikantit në mënyrë të përshtatshme zbatohen
dispozitat e legjislacionit penal dhe procedurës penale, nëse nuk është përcaktuar ndryshe me Statut
apo me ndonjë akt tjetër të përgjithshëm të Odës të aprovuar në pajtim me këtë ligj dhe me statutin.

Neni 54
Ekzekutimi i gjobave

Vendimet e plotfuqishme të organeve disiplinore të Odës me të cilat janë shqiptuar gjobat paraqesin
dokumente ekzekutive dhe Oda është e autorizuar të kërkojë përmbarimin e tyre me dhunë në pajtim
me dispozitat e Ligjit të Procedurës përmbarimore.

Neni 55
Apelimi në gjykatën kompetente

Kundër vendimit të shkallës së dytë përkatësisht përfundimtar, me të cilin është shqiptuar masa
disiplinore – humbja e të drejtës për ushtrimin e avokatisë prej gjashtë (6) muajsh deri në pesë (5)
vjet, humbjes së të drejtës së ushtrimit të avokatisë prej pesë (5) vjet gjer në dhjetë (10) vjet apo të
humbjes së përhershme të së drejtës për ushtrim të avokatisë apo shlyerje nga regjistri i
praktikantëve prej gjashtë (6) muajsh gjer në tre (3) vjet, si dhe shlyerja e përhershme nga regjistri i
praktikantëve, mund të hapet konflikti administrativ në gjykatën kompetente.

Neni 56
Parashkrimi

1. Fillimi i procedurës disiplinore për shkelje të lehta parashkruhet gjashtë (6) muaj pas njoftimit për
shkeljen e bërë dhe kryesin, kurse në çdo rast parashkruhet pas kalimit të afatit kohor prej një (1) viti
prej ditës së kryerjes së shkeljes.

2. Fillimi i procedurës disiplinore për shkelje të rënda, parashkruhet një (1) vit pas njoftimit për
shkeljen e bërë dhe për kryesin, kurse gjithsesi parashkruhet pas kalimit të afatit kohor prej dy (2)
vjetësh prej ditës së kryerjes së shkeljes.

3. Ekzekutimi i masave disiplinore, të shqiptuara për shkelje të lehta, parashkruhet pas kalimit të afatit
kohor prej gjashtë (6) muajve prej ditës së plotfuqishmërisë së vendimit.

4. Ekzekutimi i masave disiplinore, të shqiptuara për shkelje të rënda parashkruhet pas kalimit të afatit
kohor prej një (1) viti prej ditës së plotfuqishmërisë së vendimit.

5. Nëse ndaj avokatit të paraqitur ka filluar procedura për përcaktimin e përgjegjësisë penale për të
njëjtën vepër për të cilën ka filluar procedura disiplinore, afati i parashkrimit ndërpritet deri në
përfundimin definitiv të procedurës penale para gjykatave të rregullta.

17

6. Pas përfundimit të procedurës penale, afati i parashkrimit për procedurën disiplinore, vazhdon të
rrjedhë.


KREU XII
DISPOZITAT NDËSHKUESE

Neni 57

1. Për ndihmën e dhënë juridike në kundërshtim me dispozitat e këtij Ligji neni 10 paragrafi 2., personi
juridik do të dënohet për kundërvajtje me gjobë në lartësi prej katërmijë (4,000) Euro gjer në dyzetmijë
(40,000) Euro.

2. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni do të dënohet personi përgjegjës në personin juridik
me gjobë në lartësi prej pesëqind (500) Euro gjer në pesëmijë (5,000) Euro.

3. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni të përsëritur për herë të dytë, përveç dënimit me të
holla, personit juridik do t'i shqiptohet masa e marrjes së lejes për ushtrimin e avokatisë në
kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajsh, kurse për kundërvajtjen e përsëritur për herë të tretë, pos dënimit
me të holla, do të shqiptohet masa e marrjes së përhershme të lejes për ushtrimit të avokatisë.

Neni 58

Për ndihmën e dhënë juridike të dhënë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, do të dënohet
personi fizik me gjobë në lartësi prej njëmijë (1,000) Euro gjer në pesëmijë (5,000) Euro.


KREU XIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 59
Afati për harmonizimin e akteve të Odës


1. Oda është e detyruar të bëjë harmonizimin e akteve të përgjithshme me dispozitat e këtij Ligji në
afat prej një (1) viti nga dita e hyrjes së këtij ligji në fuqi.

2. Deri në nxjerrjen e Statutit dhe të akteve tjera të përgjithshme të Odës së Avokatëve të Kosovës do
të zbatohen Statuti dhe aktet e tjera të përgjithshme ekzistuese të cilat nuk janë në kundërshtim me
këtë ligj.

Neni 60
Sigurimi për përgjegjësinë profesionale

Dispozitat e këtij ligji që kanë të bëjnë me sigurimin për përgjegjësinë profesionale zbatohen duke
filluar prej 1 janarit 2014.

Neni 61
Procedurat në zhvillim e sipër

Procedurat në zhvillim e sipër në organet e Odës në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të
vazhdohen sipas dispozitave që kanë qenë në fuqi në atë kohë.

Neni 62
Shfuqizimi i dispozitave

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji për Avokatinë nr. 03/L-117 (Gazeta Zyrtare e
Republikës së Kosovës nr. 49, datë 23.09.2009).


18

Neni 63
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji nr. 04/L-193
2 maj 2013

Shpallur me dekretin Nr.DL-025-2013, datë 21.05.2013 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.