GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
9
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
LIGJI NR. 08/L-109 
PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës, 
Në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, 
Miraton:
LIGJ PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Qëllimi i këtij ligji është të rregullojë funksionimin e Programit për kompensim të viktimave të 
krimit dhe procedurave që lidhen me këtë program.
2. Ky ligj është në pajtueshmëri me Direktivën e Këshillit 2004/80/EC të 29 prillit 2004 lidhur me 
kompensimin e viktimave të krimit.
Neni 2
Fushëveprimi
Ky ligj rregullon të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale 
dhe të vartësve të tyre, autoritetet vendimmarrëse si dhe procedurat për realizimin e të drejtës 
për kompensim në situatat vendore dhe tejkufitare.
Neni 3
Përkufizimet
1.Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Viktimë e krimit - viktima ose i dëmtuari ashtu siç definohet me Kodin e Procedurës 
Penale;
1.2. Viktimë e rastit – personat të cilët aksidentalisht janë gjendur në vendin e ngjarjes, 
persona që janë lënduar duke i dalë në ndihmë viktimës ose policisë për të ndaluar 
kryerjen e një vepre penale ose për të kapur autorin e veprës; 
1.3. Viktimë e huaj e trafikimit - shtetasi i huaj i identifikuar nga autoritetet e Kosovës 
si viktimë apo viktimë e supozuar e trafikimit; 
1.4. Vartësit - personat e mbajtur nga viktima e ndjerë dhe personat të cilët kanë pasur 
të drejtë me ligj që të kërkojnë të mbahen nga i ndjeri;
1.5. Anëtar i familjes - siç përcaktohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës;
1.6. Fëmijë - siç përcaktohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës;
1.7. Dëmi - dëmin  për të cilën parashihet kompensimi sipas nenit 10 të këtij ligji; 
1.8. Shpërfytyrim - kur viktima si pasojë e veprës është deformuar apo shëmtuar;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
10
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
1.9. Parashtruesi i kërkesës - personi i cili parashtron një kërkesë për kompensim 
me pretendimin se është viktimë e krimit. Ky term përfshin edhe personat tjerë të cilët 
mund të parashtrojnë kërkesë në emër të viktimës;
1.10. Kërkesa - kërkesa për kompensim nga Programi për Kompensimin e viktimave 
të krimit; 
1.11. Përfituesi - personi i cili me vendim të komisionit përfiton nga e drejta për 
kompensim sipas këtij ligji;
1.12. Komisioni - Komisioni për Kompensimin e Viktimave të Krimit;
1.13. Viktima e ndjeshme - siç përcaktohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës;
1.14. Territor i Republikës së Kosovës - siç përcaktohet me Kodin Penal të 
Republikës së Kosovës;
1.15. Trajtimi mjekësor - medikamente dhe shërbime mjekësore, përfshirë edhe 
psikoterapi. 
2. Për qëllime të këtij ligji, emrat e gjinisë mashkullore nënkuptojnë edhe gjininë femërore dhe 
anasjelltas.
Neni 4
Parimet e përgjithshme
1. Autoritetet e parapara me ligj duhet të sigurohen që viktima e krimit (në tekstin e mëtejmë: 
viktima) të trajtohet me profesionalizëm, duke respektuar të drejtën në siguri, dinjitet, jetën 
private dhe familjare të tyre dhe duke njohur ndikimin negativ të krimit në viktimën.
2. Të drejtat e caktuara sipas këtij ligji vlejnë për viktimat në mënyrë jo-diskriminuese duke 
përfshirë edhe statusin e tyre të qëndrimit.
3. Sipas këtij ligji, viktima dhe vartësit e tyre nuk mund të marrin kompensim të dyfishtë në 
pajtim me nenin 19 të këtij ligji.
Neni 5
Dispozitat supsidiare
Në çështjet procedurale që nuk mbulohen nga ky ligj aplikohen dispozitat e Ligjit për procedurën 
e përgjithshme administrative.
KAPITULLI II
E DREJTA PËR KOMPENSIMIN DHE LLOJET E KOMPENSIMEVE
Neni 6
Veprat e dhunshme të kompensueshme
1. Veprat e dhunshme të kompensueshme (në tekstin e mëtejmë: veprat), janë të gjitha veprat 
që rezultojnë në:
1.1. vdekjen e viktimës; 
1.2. lëndim të rëndë trupor;
1.3. dëmtim të rëndë të shëndetit fizik, apo;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
11
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
1.4. dëmtim të shëndetit mendor.
2. Veprat penale kundër sigurisë së trafikut publik nuk mbulohen sipas këtij ligji edhe nëse kanë 
rezultuar në pasojat nga paragrafi 1 i këtij neni. 
Neni 7
Kushtet formale dhe materiale
1. Kushtet formale për të drejtën në kompensim janë që: 
1.1. vepra të jetë kryer brenda territorit të Republikës së Kosovës. Në rastet kur vepra 
apo një pjesë e veprës është kryer në territorin e Republikës së Kosovës dhe në 
territorin e shtetit apo shteteve tjera, kompensimi bëhet nga shteti në të cilin viktima 
apo vartësit kanë banim të përhershëm; 
1.2. për shtetasit e Republikës së Kosovës, vepra të jetë kryer jashtë territorit të 
Republikës së Kosovës, por viktima të mos ketë pasur mundësinë e realizimit të 
kompensimit në vendin ku është kryer vepra penale. Kompensimi bëhet në pajtim me 
dispozitat e këtij ligji; 
1.3. vepra të jetë zbuluar dhe raportuar tek autoriteti kompetent dhe të jetë trajtuar si 
vepër penale.
2. Në rast të vdekjes së viktimës së krimit si pasojë e veprës penale, anëtarët e familjes së 
viktimës mund të gëzojnë të drejtat në pajtim me dispozitat e këtij ligji. 
3. Viktimat e rastit mund të gëzojnë të drejtën në kompensim nëse plotësojnë kriteret e caktuara 
me dispozitat e këtij ligji. 
Neni 8
Kompensimi i menjëhershëm 
1. Kërkesa për qasje të menjëhershme në kompensim mund të parashtrohet në rastet kur kemi 
të bëjmë me:
1.1.  viktimat fëmijë;
1.2. viktimat e trafikimit me qenie njerëzore; 
1.3. viktimat e dhunimit;
1.4. viktimat e veprave penale që bien brenda përkufizimit të dhunës në familje; 
1.5. anëtarët e familjes së viktimës së ndjerë.
2. Llojet e kompensimeve që mund të paguhen sipas këtij neni përfshijnë kategoritë si në vijim:
2.1. shpenzimet e varrimit nga neni 16 paragrafi 1 të këtij ligji.
2.2. shpenzimet e paguara nga viktima apo anëtari i familjes në emër të viktimës të 
cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen me sa vijon:
2.2.1. shpenzimet nga nenet 11, 12 dhe 17 të këtij ligji;
2.2.2. shpenzime tjera të arsyeshme të cilat Komisioni vlerëson se mund të 
përfshihen në kompensim të menjëhershëm në lartësinë maksimale prej 
pesëqind (500) euro.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
12
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
2.3. kompensimi sipas këtij neni nuk mund të tejkalojë shumën prej tremijë (3000) euro 
për totalin e të gjitha kategorive si më sipër. 
3. Kushtet që mund të përcaktojnë nëse mund të jepet kompensim i menjëhershëm për 
kategoritë nga paragrafi 1 i këtij neni, përfshijnë por nuk kufizohen me sa vijon: 
3.1. vepra penale është kryer ndaj viktimës së ndjeshme; 
3.2. viktima është në gjendje të vështirë financiare; përfitues i ndihmës sociale ose në 
situatë të ngjashme. 
4. Viktima e huaj e trafikimit mund t’ia paraqesë kërkesën Komisionit, gjatë kohës sa është 
ende në territorin e Republikës së Kosovës, sikurse edhe viktimat vendore. Në këtë rast viktima 
duhet të bashkëpunojë arsyeshëm me organet e drejtësisë, për hetimin dhe ndjekjen e kryesit 
të veprës penale.
5. Kompensimi sipas këtij neni nuk u mohon viktimave të drejtën e paraqitjes së kërkesës së 
rregullt për kompensim për kategoritë tjera të kompensimeve të parapara me këtë ligj apo për 
shumën e mbetur të kompensimit nga e njëjta kategori deri në maksimumin e paraparë me ligj.
6. Komisioni ruan të drejtën të shtyjë trajtimin e kërkesës për kompensim të paraqitur sipas këtij 
neni deri në ngritjen e kallëzimit penal apo aktakuzës, në rastet kur një pezullim i tillë i trajtimit 
të kërkesës është i nevojshëm për të përcaktuar se lëndimet e shkaktuara kanë rezultuar nga 
vepra e dhunshme. Pezullimi nuk duhet të ketë për rrjedhojë vonesa të paarsyeshme apo të vej 
në vështirësi financiare parashtruesin e kërkesës. 
7. Komisioni mund të refuzojë kërkesën për kompensim sipas këtij neni nëse konsideron se të 
dhënat e siguruara nuk mbështesin mjaftueshëm kërkesën për kompensim të menjëhershëm. 
Neni 9
Kërkesa e rregullt për kompensim
1. Kërkesa e rregullt për kompensim parashtrohet pas përfundimit të procedurës së rregullt 
gjyqësore, respektivisht pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. 
2. Për të kërkuar kompensim të rregullt, parashtruesi i kërkesës është i obliguar që, të kërkojë 
fillimisht dëmshpërblim nga i pandehuri në procedurë penale në pajtim me Kodin e Procedurës 
Penale, përveç në rastet kur viktima dokumenton se e ka pasur të pamundur paraqitjen e një 
kërkese të tillë. 
3. Në rastet kur i pandehuri nuk e dëmshpërblen viktimën, viktima ka të drejtë të parashtrojë 
kërkesë për kompensim nga programi për kompensim të viktimave të krimit. 
4. Në rastet kur i pandehuri vetëm pjesërisht dëmshpërblen viktimën, atëherë viktima ka të 
drejtë të parashtrojë kërkesë për kompensim shtesë nga programi për kompensim të viktimave 
të krimit.
5. Përveç rregullit nga paragrafët 1 deri 3 të këtij neni, parashtruesi i kërkesës ka të drejtë të 
kërkojë kompensim të rregullt edhe në rastet kur dëmshpërblimi nuk do të jetë i mundur të 
realizohet nga kryesi për shkak të rrethanave në vijim:
5.1. nëse vërtetohet se personi ka qenë viktimë por:
5.1.1. kryesi nuk është penalisht i përgjegjshëm; 
5.1.2. kryesi është i panjohur;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
13
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
5.1.3. kryesi ka vdekur;
5.1.4. ka ikur dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë; 
5.1.5. kryesi është i paaftë të paguajë kompensimin, përfitues i ndihmës 
sociale ose në situatë të ngjashme; 
5.1.6. kanë kaluar dy (2) vjet nga raportimi i veprës penale dhe nuk ka pasur 
ngritje të aktakuzës; 
5.1.7. është arritur parashkrimi relativ apo absolut.
5.2. nëse përmbarimi i dëmshpërblimit të caktuar në procedurë gjyqësore është bërë i 
pamundur apo kur nga shkaqe tjera të parapara me legjislacionin në fuqi për shkak të 
cilave i njëjti nuk mund të zbatohet.
6. Kërkesa sipas këtij neni mund të parashtrohet edhe nëse parashtruesi i kërkesës paraprakisht 
ka kërkuar kompensim të menjëhershëm sipas nenit 8 të këtij ligji. Kjo vlen si në rastet kur iu 
është refuzuar kërkesa për kompensim të menjëhershëm, po ashtu edhe kur kompensimi iu 
është dhënë vetëm për disa nga kategoritë, respektivisht shpenzimet e parapara me këtë ligj. 
Neni 10
Llojet e kompensimeve
1. Llojet e kompensimeve sipas këtij ligji janë:
1.1. kompensimi për lëndim fizik apo dëmtimit të shëndetit;
1.2. kompensimi për dëmtim të shëndetit mendor;
1.3. kompensimi për vuajtje psikike;
1.4. kompensimi për vuajtje psikike për humbjen e anëtarit të familjes;
 
1.5. kompensim për humbjen e të drejtës në mbajtje;
1.6. kompensim për shpenzimet e varrimit;
1.7. kompensim për dëmtimin apo shkatërrimin e pajisjeve mjekësore.
2. Viktimat kanë të drejtën e parashtrimit të kërkesës për një ose me tepër lloje të kompensimit 
të përcaktuara me ligj.
3. Qeveria e Republikës së Kosovës, nxjerr udhëzim administrativ për mënyrën e kompensimit, 
përfshirë edhe llogaritjen e kompensimit për dëmtime të shumëfishta.
Neni 11
Kompensimi për lëndim fizik apo dëmtim të shëndetit 
1. Kompensimi sipas këtij neni do të jepet për dhimbjet fizike dhe dhembje shpirtërore dhe si 
rrjedhojë edhe zvogëlimit të aktivitetit jetësor të shkaktuara si pasojë e lëndimit fizik, dëmtimit të 
shëndetit apo sëmundjeve që kanë rezultuar nga kryerja e veprës penale. 
2. Kompensimi sipas këtij neni nuk do të njihet për rastet kur viktima e krimit është paaftësuar 
përkohësisht apo për të cilat është paaftësuar në një shkallë më të ulët.
3. Kompensimi përcaktohet duke marrë parasysh rrethanat e rastit, shkallën e dhimbjes së 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
14
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
shkaktuar nga lëndimi apo dëmtimin e shëndetit, kohëzgjatja e dhimbjes dhe në përputhje me 
parimin e kompensimit të drejtë monetar. Shuma fikse për kompensim përcaktohet në pajtim 
me shkallët e mëposhtme:
3.1. lëndimet, dëmtimet apo sëmundjet mesatarisht të rënda që zgjasin më shumë se 
gjashtë (6) javë, të cilat rezultojnë në paaftësi për atë periudhë, duke i pamundësuar 
realizimin e të hyrave. Kompensimi do të jepet në një shumë të vetme, duke llogaritur 
jo më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) euro në muaj nga paraqitja e lëndimit apo 
dëmtimit sipas këtij neni, por në asnjë rast, duke mos e kaluar shumën maksimale prej 
dy mijë (2,000) euro; 
3.2. lëndimet, dëmtimet apo sëmundjet e rënda me pasoja të dukshme ose funksionale, 
afatgjate apo të përhershme, apo të cilat kanë qenë objektivisht kërcënuese për jetën. 
Llogaritja e kompensimit për këtë kategori bëhet në pajtim me nënparagrafin 3.1 të këtij 
neni, duke mos e kaluar shumën maksimale prej katërmijë (4000) euro.
4. Përveç kompensimit nga paragrafi 3 i këtij neni, viktimat apo vartësit e tyre të cilët kanë bartur 
shpenzimet e hospitalizimit, medikamenteve dhe shërbimeve tjera përcjellëse të domosdoshme 
për trajtim të viktimave iu njihet e drejta në kompensim deri në shumën maksimale prej pesë 
mijë (5,000) euro, gjithnjë përderisa mund të dokumentojnë ato shpenzime. 
5. Përjashtimisht, nëse komisioni pa varësisht nga lloji i lëndimit, dëmtimit, apo sëmundjes dhe 
medikamenteve apo shërbimeve tjera përcjellëse të marra e sheh të arsyeshme, mundet, me 
votë unanime, të rris maksimumin e kompensimit deri në dhjetë mijë (10,000) euro.
 
Neni 12
Kompensimi për dëmtim të shëndetit mendor
1. Kompensimi për dëmtim të shëndetit mendor paguhet vetëm kur është shkaktuar nga një 
vepër e dhunshme. 
2. Dëmtimi i shëndetit mendor nuk përfshin gjendjen e paaftësisë, zhvillimit të vonshëm mendor, 
çrregullimit të përkohshëm apo gjendje të tilla të ngjashme. Pasoja duhet të jetë në atë shkallë 
që të ndikojë në aktivitetet e zakonshme të viktimës apo gjendjen psikologjike të tij/saj për një 
periudhë të zgjatur kohore dhe viktima të ketë nevojë për trajtim të vazhdueshëm.
3. Kompensim deri në vlerën prej tremijë (3000) euro mund të jepet për: 
3.1. shpenzimet e dokumentuara për shërbimet e specialistëve për trajtimin ambulantor 
për sanimin e gjendjes së krijuar; 
3.2. shpenzimet e projektuara për shërbimet e parapara për sanimin e gjendjes së 
krijuar, nëse konstatohet nga specialistët e fushës se dëmtimi është i natyrës së tillë 
që kërkon trajtim të vazhdueshëm; 
3.3. shpenzimet e hospitalizimit, medikamenteve dhe shërbimeve tjera përcjellëse. 
4. Nëse shërbimet e trajtimit për dëmtim të shëndetit mendor nga paragrafi 3 i këtij neni, nuk 
mund të realizohen në institucionet publike të shëndetit mendor, Komisioni mund të kërkojë 
kontraktimin e institucioneve private që ofrojnë këto shërbime.
5. Komisioni mund të shqyrtojë edhe një kërkesë të dytë për kompensim sipas paragrafit 3 të 
këtij neni, të dorëzuar nga parashtruesi, pas pranimit të shërbimeve të parapara me këtë nen, 
nëse për shkak të dëmtimit të shëndetit mendor i njëjti ka nevojë t’i nënshtrohet tretmanëve 
të vazhdueshme përtej atyre të pranuara apo të projektuara fillimisht nga specialistët apo 
Komisioni. Lartësia e kompensimit sipas kërkesës shtesë nuk mund të tejkalojë dyfishin e 
shumës së paraparë me këtë nen. 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
15
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
6. Kompensimi nga ky nen mund të përfshijë edhe kompensimin nga neni 11, paragrafi 3 të këtij 
ligji, në rastet kur pasoja e shkaktuar e kualifikon viktimën për kompensim. 
Neni 13
Kompensimi për vuajtje psikike
1. Kompensimi për vuajtje psikike si pasojë e veprës penale mund t’u jepet viktimave të:
1.1. viktimat fëmijë; 
1.2. dhunës në familje të cilat iu janë nënshtruar dhunës psikike, seksuale, fizike dhe 
ekonomike; 
1.3. viktimave të trafikimit me qenie njerëzore; 
1.4. viktimave të dhunimit, sulmit seksual, degradimit të integritetit seksual apo detyrimit 
në pornografi;
1.5. viktimat të cilat iu janë nënshtruar shpërfytyrimit, torturave të vazhdueshme, 
abuzimeve psikike, seksuale dhe fizike në mënyrë të vazhdueshme apo kufizimit të 
lirisë dhe si rezultat kanë pësuar traumë në atë shkallë sa të ketë ndikuar rëndë në 
gjendjen, sjelljen dhe personalitetin e viktimës.
2. Vuajtja psikike nënkupton shqetësimin emocional, traumën psikologjike, ndjenjën e pashpresës 
e të pafuqisë, turpin, humbjen e kënaqësisë për jetë dhe shqetësime tjera të natyrës psikologjike 
që rezultojnë si pasojë e veprës penale dhe mund të ndikojnë në aspektin emocional, njohës 
dhe sjelljen e personit. Vuajtja psikike do të përcaktohet duke marrë parasysh rrethanat e rastit, 
llojin e veprës penale, nivelin dhe kohëzgjatjen e shqetësimit si dhe faktorë tjerë relevant. 
3. Kompensimi sipas këtij neni jepet në shumë fikse prej dymijë (2000) euro. 
Neni 14
Kompensimi për vuajtje psikike për humbjen e anëtarit të familjes
1. Të drejtë kompensimi sipas këtij neni kanë anëtarët e familjes së viktimës së ndjerë. 
2. Kompensimi sipas këtij neni bëhet në pajtim me nenin 12, paragrafin 3 të këtij ligji, dhe nuk 
mund të tejkaloj shumën prej tremijë (3000) euro në total për të gjithë anëtarët e familjes së 
viktimës. 
Neni 15
Kompensimi për humbjen e të drejtës në mbajtje
1. Vartësit kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për kompensim për humbjen e të drejtës në 
mbajtje në ato raste kur mund të dokumentojnë se i ndjeri ka qenë kontribues në mbajtjen e 
tyre.
2. Kompensimi sipas këtij neni jepet në pajtim me kategorizimin e lëndimeve dhe dëmtimeve 
sipas nenit 11, paragrafi 3 i këtij ligji dhe në asnjë rast nuk do të kalojë shumën maksimale prej 
tre mijë (3,000) euro për të gjithë vartësit.
Neni 16
Kompensimi i shpenzimeve të varrimit 
1. Anëtarët e familjes së viktimës së ndjerë kanë të drejtë në kompensim për shpenzimet e 
varrimit. Kompensimi sipas këtij neni paguhet në shumë fikse prej një mijë (1,000) euro. 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
16
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
2. Kompensimi për shpenzimet nga paragrafi 1 i këtij neni, mund të kërkohet si pjesë e kërkesës 
për kompensim të menjëhershëm ose të rregullt. Parashtruesi i kërkesës duhet të posedojë 
autorizimin e anëtarëve të tjerë të familjes për tërheqjen e këtij kompensimi.
3. Përveç kompensimit të paraparë me paragrafin 1 të këtij neni parashtruesi i kërkesës mund 
të kërkojë edhe kompensim për shpenzimet e transportimit të kufomës së viktimës nga një shtet 
tjetër. Shpenzimet rreth këtij transporti duhen të jenë të dokumentuara. 
Neni 17
Kompensim për dëmtimin apo shkatërrimin e pajisjeve mjekësore
1. Parashtruesi i kërkesës kompensohet për pajisjet mjekësore të domosdoshme për shëndetin 
e viktimës dhe të cilat pajisje janë dëmtuar si pasojë e veprës së dhunshme nga e cila ka 
rezultuar edhe dëmtimi i viktimës.
2. Kompensimi sipas këtij neni nuk do të kalojë shumën maksimale prej tremijë (3,000) euro.
Neni 18
Rrethanat që ndikojnë në kompensim
1. Kompensimi mund të zvogëlohet ose të refuzohet:
1.1. në varësi të kontributit të viktimës në shkaktimin e dëmit apo në përkeqësimin e 
dëmtimit të shkaktuar;
1.2. në varësi të sjelljes së viktimës para, gjatë ose pas veprës penale;
1.3. në varësi të përfshirjes së viktimës në krimin e organizuar apo të anëtarësisë së tij 
në një organizatë që përfshihet në krim të dhunshëm;
1.4. nëse dhënia e plotë apo e pjesshme e kompensimit është në kundërshtim me 
kuptimin e drejtësisë, moralit apo rendit publik.
Neni 19
Marrja parasysh e kompensimeve të tjera
1. Shuma e kompensimit për një lloj të caktuar të dëmit sipas këtij ligji do të zvogëlohet për 
pjesën e shërbimeve te mbuluara falas nga institucionet shëndetësore publike, dëmshpërblimin 
e pranuar nga kryesi, kompensimin e pranuar nga sigurimi shëndetësor publik apo privat, 
kompensimin nga fondet tjera publike, apo kompensimin e pranuar nga programet tjera të 
kompensimit brenda ose jashtë vendit nëse janë mbuluar në emër të të njëjtit dëm respektivisht 
nga e njëjta bazë.
2. Në vendimin për kompensim Komisioni do të merr parasysh edhe cilindo dëmshpërblim 
të urdhëruar nga gjykata që vendos në çështjen penale për veprën për të cilin kërkohet 
kompensimi, përveç nëse ai dëmshpërblim nuk është paguar.
Neni 20
Bartja e së drejtës në kompensim
1. E drejta në paraqitjen e kërkesës për kompensim nuk bartet tek vartësit në rast të vdekjes së 
viktimës pas paraqitjes së kërkesës për kompensim.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, në rastet kur viktima e krimit ka kërkuar kompensim 
për lëndimet që iu janë shkaktuar si pasojë e veprave të dhunshme, por në ndërkohë i njëjti 
vdes jo si pasojë e atyre lëndimeve, anëtari i familjes së të ndjerit ka të drejtë në kompensim në 
rast të plotësimit kumulativ të kushteve të mëposhtme:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
17
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
2.1. nëse Komisioni para vdekjes së viktimës ka marrë vendimin përfundimtar për 
kompensim të viktimës për lëndim, por ende nuk është bërë transferi i shumës së 
kompensimit në llogarinë e viktimës; 
2.2. nëse anëtari i familjes ka qenë financiarisht i varur nga i ndjeri dhe nuk ka burime 
tjera të mbajtjes.
KAPITULLI III
AUTORITET KOMPETENTE
Neni 21
Komisioni për kompensimin e viktimës së krimit
1. Komisioni për kompensim të viktimave të krimit emërohet nga Qeveria e Republikës së 
Kosovës me këtë përbërje:
1.1. një (1) gjyqtar i Gjykatës Supreme, si kryetar i Komisionit, i propozuar nga Këshilli 
Gjyqësor i Kosovës;
1.2. një (1) përfaqësues nga shoqëria civile me njohuri në fushën e mbrojtjes së 
viktimave, anëtar, i propozuar nga Ministri i Drejtësisë, i përkrahur nga së paku pesë 
(5) organizata të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të 
viktimave; 
1.3. një (1) anëtar nga radhët e mjekëve të licencuar në fushën e psikiatrisë të 
propozuar nga Oda e Mjekëve të Kosovës;
1.4. udhëheqësi i njësisë administrative të Komisionit është anëtarë pa të drejtë vote. 
Përjashtimisht në mungesë të kuorumit, Udhëheqësi i njësisë ka të drejtën e votës.
2. Mandati  i  anëtarëve  të  Komisionit  është   (3)  tri  vite. Mandati  i  kryetarit të Komisionit 
është katër (4) vite. Anëtarët e Komisionit, përfshirë edhe kryetarin mund të rizgjidhen edhe për 
një mandat shtesë.
3. Përbërja e Komisionit do të ketë parasysh kuotën gjinore dhe etnike.
Neni 22
Pushimi dhe shkarkimi nga funksioni i anëtarit të Komisionit
1. Anëtarëve të Komisionit u pushon funksioni i anëtarit me:
1.1. vdekje;
1.2. humbjen e zotësisë për veprim për më shumë se tre (3) muaj për shkak të arsyeve 
mjekësore të vërtetuara;
1.3. dështimin e vazhdueshëm për të marrë pjesë në veprimtaritë e Komisionit për më 
shumë se tre (3) muaj;
1.4. pushimin e statusit mbi të cilin bazohet caktimi si anëtar;
1.5. skadimin e mandatit;
1.6. dorëheqje duke informuar Komisionin me njoftim paraprak prej tridhjetë (30) ditësh.
2. Anëtarët e Komisionit shkarkohen nga funksioni para skadimit të mandatit për të cilin është 
zgjedhë nëse veprimet e tij e bëjnë të padenjë ushtrimin e funksionit të anëtarit të Komisionit 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
18
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
në raste kur anëtari:
2.1. kryen detyrat në Komision në mënyrë të pandërgjegjshme, dhe;
2.2. dënohet për vepër penale.
3. Nëse një vend në Komision lirohet para skadimit të mandatit të një anëtari, pozita e lirë 
plotësohet në të njëjtën mënyrë si për anëtarin të cilit i ka skaduar mandati.
Neni 23
Kryerja e detyrave nga Komisioni
1. Komisioni vendosë për kërkesat për kompensim në mbledhjet e thirrura nga Kryetari.
2. Sipas nevojës Komisioni mund të intervistojë apo kërkojë raport me shkrim nga zyrtarë 
përkatës, të cilët kanë qenë të përfshirë gjatë procedurës penale në rast dhe mund të kenë 
njohuri për ndikimin e veprës në viktimën.
3. Komisioni gjatë vendimmarrjes ka diskrecion si në vijim: 
3.1. tejkalimin e shumave maksimale siç parashihet për kategoritë e veçanta të 
kompensimit, në rastet kur shpenzimet e dokumentuara janë të arsyeshme. 
3.2. caktimin e lartësisë së kompensimit sipas nenit 8, nënparagrafi 2.2.2 dhe nenit 11, 
paragrafi 5, të këtij ligji. 
3.3. vazhdimin e afatit për dorëzim të kërkesës apo plotësimeve të kërkuara në rastet 
kur është qartësisht e arsyeshme se një vonesë e tillë ka qenë e pashmangshme. 
4. Anëtarëve të Komisionit për punën e tyre u takon e drejta në shpërblim në pajtim me vendimin 
e qeverisë.
5. Komisioni do të miratojë rregulloren e punës për mënyrën e funksionimit të tij, rolin dhe 
detyrat e njësisë mbështetëse dhe komunikimin mes tyre.
Neni 24
Përjashtimi dhe kundërshtimi
Dispozitat e Ligjit të procedurës kontestimore të cilat vlejnë për përjashtimin e gjyqtarëve janë 
të aplikueshme në mënyrë analoge edhe për anëtarët e Komisionit për kompensim.
Neni 25
Mbështetja nga njësia administrative e Komisionit
1. Ministria e Drejtësisë do të sigurojë mbështetjen administrative-teknike për Komisionin (tutje: 
Njësia).
2. Njësia është përgjegjëse për pranimin dhe shqyrtimin paraprak të kërkesave si në vijim: 
2.1. nëse kërkesa është dorëzuar në afatin e përcaktuar me ligj; 
2.2. nëse kërkesa përmban ndonjë mangësi, është e pakompletuar apo e pakuptueshme.
3. Nëse kërkesa është e pasafatshme, Njësia e njofton Kryetarin e Komisionit dhe parashtruesin 
për refuzimin e kërkesës. 
4. Në rastet nga nënparagrafi 2.2. i këtij neni, Njësia komunikon me parashtruesit e kërkesave 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
19
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
për t’u kërkuar të dhënat shtesë dhe korrigjimet e nevojshme. Afati i përcaktuar për korrigjimin e 
një mangësie në një kërkesë të pakompletuar dhe të pakuptueshme, nuk është më i shkurtër se 
tridhjetë (30) ditë. Nëse kërkesa nuk plotësohet edhe pas afatit shtesë, Komisioni merr vendim 
për refuzim të rastit.
5. Njësia pas shqyrtimit paraprak të kërkesës, mund të udhëzojë parashtruesin se në bazë të 
dokumentacionit të prezantuar, i njëjti mund të bëj plotësimin e kërkesës duke aplikuar edhe për 
kategorinë përkatëse të kompensimit për shqyrtim nga Komisioni.
6. Njësia është përgjegjëse edhe për komunikimin me autoritetet kompetente për sigurimin e 
informatave të nevojshme.
7. Detyrat dhe përgjegjësitë e veçanta të Njësisë përcaktohen me Rregulloren për organizimin 
e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të Ministrisë së Drejtësisë.
Neni 26
Obligimi për të siguruar informata
1. Secili institucion i cili bie në kontakt me viktimën, ka për obligim të informojë atë 
për të drejtën në kompensim sipas këtij ligji.
2. Ministria e Drejtësisë do të publikojë në faqen e saj të internetit informatat e nevojshme për të 
kërkuar kompensim, formularët për paraqitje të kërkesës dhe udhëzimet tjera të nevojshme për 
të gjitha situatat vendore dhe tejkufitare. Ministria e Drejtësisë do të bëjë publike informacione 
në lidhje me programin për kompensim. Të gjitha informatat do të publikohen në pajtim me 
Ligjin për përdorimin e gjuhëve si dhe në gjuhën angleze.
3. Ministria e Drejtësisë në rast nevoje, do të ofrojë udhëzime të përgjithshme për parashtruesit 
e kërkesës. Udhëzimet do të përfshijnë informatat se si do të plotësohet aplikacioni dhe çfarë 
dokumentacioni mbështetës mund të jetë i nevojshëm.
4. Ministria e Drejtësisë, kurdo që është e nevojshme, do të sigurojë shkëmbimin e informatave 
me autoritetet kompetente të shteteve tjera, sipas rregulloreve të shteteve përkatëse kompetente 
për kryerje të detyrave në procedurat e kompensimit të kërkesave. Ministria e Drejtësisë do të 
ofrojë asistencë dhe të kërkojë zgjidhje adekuate lidhur me zbatimin e dispozitave në situatat 
tejkufitare.
5. Me kërkesë të Komisionit, policia i siguron Komisionit të dhëna mbi veprën penale nga e cila 
pretendon se ka pësuar viktima.
6. Institucionet shëndetësore, sociale, policia, prokuroria, gjykatat dhe institucionet tjera të 
nivelit lokal dhe qendror duhet t’i vendosin në dispozicion në vende publike informata rreth 
programit të kompensimit. 
KAPITULLI IV
PROCEDURAT E KËRKIMIT TË KOMPENSIMIT
Neni 27
Dorëzimi i kërkesës për kompensim
1. Kërkesa për kompensim dorëzohet në Ministrinë e Drejtësisë, adresuar Njësisë përkatëse 
për mbështetje Komisionit për Kompensim të Viktimave të Krimit. 
2. Kërkesa e plotësuar së bashku me dokumentacionin përkatës dorëzohet në adresë të 
Komisionit për kompensim në Ministrinë e Drejtësisë në njërën nga mënyrat si më poshtë: 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
20
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
2.1. drejtpërdrejtë;
2.2. me postë; 
2.3. me postë elektronike (e-mail). 
3. Për plotësimin e kërkesës për kompensim, viktima e krimit mund të kërkojë ndihmën 
e mbrojtësit të viktimave apo organizatave joqeveritare që ofrojnë ndihmë juridike falas për 
viktima.
4. Në rast të angazhimit të avokatit privat për plotësimin dhe dorëzimin e kërkesës për 
kompensim, Komisioni nuk do të kompensojë parashtruesin e kërkesës për tarifën e kërkuar 
nga avokati privat.
5. Komisioni, në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, mund të shqyrtojë edhe 
kërkesat për kompensim të referuara nga Gjykata.
6. Parashtresat në procedurat e kompensimit janë të përjashtuara nga çdo tarifë.
7. Ministria e Drejtësisë do të përgatisë formularët standard të kërkesës për kompensim nga 
nenet 8, 9 dhe 34 të këtij ligji. 
8. Viktima e krimit do të jep pëlqim për procesim të të dhënave personale përkatëse dhe të 
dhënat e ndjeshme personale për qëllim të vlerësimit të kërkesës për kompensim.
9. Nëse viktima e krimit është e penguar për të dhënë pëlqim për shkak të dëmtimit fizik apo 
psikik, konsiderohet se të drejtën e dhënies së një pëlqimi të tillë e ka përfaqësuesi ligjor i 
viktimës. 
10. Parashtruesi i kërkesës deklaron se nuk ka të drejtë të kërkojë kompensimin nga burime 
tjera.
11. Vërtetësia e deklaratave në kërkesë i nënshtrohet dispozitave përkatëse që i referohen 
deklarimit të rremë të Kodit Penal.
12. Kërkesa duhet të dorëzohet në gjuhën shqipe apo serbe për viktimat vendore, ndërkaq për 
situatat tejkufitare vendore është i pranueshëm edhe versioni në gjuhën angleze.
Neni 28
Dokumentet që duhet bashkëngjitur kërkesës për kompensim
1. Kërkesës së parashtruar në pajtim me nenin 8 të këtij ligji, i bashkëngjiten dokumentet në 
vijim:
1.1. çfarëdo dokumenti të lëshuar nga policia i cili dokumenton se vepra penale është 
zbuluar, raportuar dhe trajtuar, përfshirë edhe cilësimin si viktimë e veprës penale; 
1.2. dëshminë mbi gjendjen financiare të parashtruesit të kërkesës.
2. Kërkesës së parashtruar në pajtim me nenin 9, paragrafët 1 deri 4 të këtij ligji duhet ti 
bashkëngjitet vendimi i plotfuqishëm.
3. Kërkesës së parashtruar në pajtim me nenin 9, paragrafin 5 të këtij ligji, për të vërtetuar këto 
situata, duhet ti bashkëngjitet vendim apo ndonjë dokument tjetër zyrtar.
4. Përpos dokumenteve të specifikuara në paragrafët 1, 2 dhe 3 të këtij neni, kërkesës së i 
bashkëngjiten edhe dokumentet në vijim:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
21
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
4.1. dokumentin e identifikimit. Në rast të një viktime të trafikimit, kur viktima nuk posedon 
dokumente identifikuese, identiteti i viktimës konstatohet në bazë të raportit të policisë 
respektivisht nga aktgjykimi i gjykatës kompetente që ka trajtuar çështjen penale;
4.2. autorizimi për parashtruesin e kërkesës në rastet kur ky person kërkon kompensimin 
në emër të viktimës apo vartësve të viktimës;
4.3. raportet përkatëse mjekësore dhe dokumentet apo prova tjera të besueshme 
që dëshmojnë që viktima e krimit ka pësuar lëndim trupor, dëmtim të shëndetit apo 
vuajtje, përpos rasteve nga paragrafi 2 i këtij neni;
4.4. dëshmitë e shpenzimeve kur ky dokumentim kërkohet sipas kategorisë së caktuar;
4.5. çertifikatën e bashkësisë familjare në rastet kur kërkesa për kompensim 
parashtrohet nga vartësit, respektivisht anëtarët e familjes së viktimës; 
4.6. dokument që dëshmon që viktima ka qenë kontribues në mbajtjen e familjes, në 
rastet kur kërkohet kompensim për humbjen e të drejtës në mbajtje;
4.7. dokumentet tjera relevante në mbështetje të kërkesës për kompensim.
5. Dokumentet e hartuara në ndonjë gjuhë të huaj, përveç gjuhës angleze, do të shoqërohen 
me përkthim në gjuhën shqipe apo serbe. 
Neni 29
Afati për dorëzimin e kërkesës
1. Kërkesa për kompensim të menjëhershëm nga neni 8 i këtij ligji, mund të dorëzohet brenda 
afatit prej tre (3) vjetësh nga raportimi i veprës penale tek autoritetet kompetente. 
2. Kërkesa për kompensim të rregullt nga neni 9  i këtij ligji, mund të dorëzohet brenda afatit 
prej  tre (3) vjetësh nga:
2.1. pranimi i aktgjykimit të plotfuqishëm;
2.2. pranimi i njoftimit nga ana e parashtruesit për ekzistimin e rrethanave nga neni 
9, paragrafi 5 i këtij ligji. 
3. Nëse viktima është nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, afatet sipas paragrafëve 1 dhe 2 
të këtij neni do të fillojnë të rrjedhin pasi viktima të mbushë moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.
4. Përjashtimisht, nëse viktima për shkak të dëmtimeve trupore, apo shkaqeve tjera të 
arsyeshme që pamundësojnë dorëzimin e kërkesës, nuk është në gjendje të dorëzojë kërkesën 
e tij deri në afatin e përcaktuar me këtë nen, ai/ajo do të dorëzojë kërkesën më së voni brenda 
tre (3) muajsh nga dita kur arsyet për të cilat ai nuk ka qenë në gjendje të dorëzon kërkesën 
kanë pushuar së ekzistuari.
Neni 30
Marrja e vendimeve lidhur me kërkesën
1. Vendimet e Komisionit merren me shumicë votash.
2. Komisioni do të:
2.1. pranojë kërkesën në tërësi apo pjesërisht dhe të caktojë lartësinë e kompensimit, 
apo;
2.2. refuzojë kërkesën si të pabazuar.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
22
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
3. Komisioni mund të mbajë mbledhje kur janë prezent 2/3 e anëtarëve.
4. Për kërkesën për kompensim të menjëhershëm nga neni 8 i këtij ligji, Komisioni merr vendim 
brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të dokumentacionit të plotë.
5. Për kërkesën për kompensim të rregullt  nga neni 9 i këtij ligji, Komisioni merr vendim brenda 
nëntëdhjetë (90) ditësh nga dita e pranimit të dokumentacionit të plotë.
6. Një kopje e vendimit do t’i dërgohet parashtruesit të kërkesës dhe gjykatës kompetente.
7. Nëse viktima e krimit është fëmijë, apo person pa aftësi të veprimit, një kopje e vendimit do 
t’i dërgohet kujdestarit ligjor.
8. Pala e pakënaqur ndaj vendimit të Komisionit mund të iniciojë konflikt administrativ në pajtim 
me legjislacionin përkatës në fuqi.
9. Vendimi për njohjen e të drejtës në kompensim do të përmbajë edhe klauzolën për transferimin 
e kërkesës sipas nenit 40 të këtij ligji, ndaj kryesit, nga përfituesi në buxhetin e Republikës së 
Kosovës deri në lartësinë e kompensimit të dhënë.
Neni 31
Bartja e mjeteve
1. Mjetet financiare në rastet e ekzekutimit barten ekskluzivisht tek përfituesi.
2. Mjetet financiare për viktimat fëmijë barten tek përfaqësuesi ligjor. 
3. Ekzekutimi i mjeteve financiare bëhet në pajtim me legjislacionin në fuqi. 
Neni 32
Transmetimi dhe qasja në të dhëna
1. Administratorët e bazave të të dhënave të informacionit personal, autoritetet shtetërore, 
autoritetet e komuniteteve lokale dhe organet që ushtrojnë kompetenca publike të cilat posedojnë 
të dhëna mbi rrethanat dhe faktet e rëndësishme për vendimmarrje, duhet të transferojnë të 
dhënat e lartpërmendura te Komisioni çdoherë kur kjo kërkohet me shkrim.
2. Pas një kërkese me shkrim nga Komisioni, të dhënat mbi rrethanat dhe faktet e rëndësishme 
për vendimmarrje gjithashtu mund t’i dorëzohen vullnetarisht Komisionit nga individët në 
posedim të të dhënave.
3. Qasja në përmbajtjen e aktakuzës, dokumentet përcjellëse, raportet e Prokurorisë së Shtetit 
dhe vendimet e gjykatës, të cilat i posedon Komisioni për qëllime të vendimmarrjes, mund 
t’u vihen në dispozicion vetëm anëtarëve të Komisionit, zyrtarëve të Njësisë mbështetëse 
të Komisionit që trajtojnë kërkesën, viktimës apo përfaqësuesit të tij ligjor, përfaqësuesit të 
autorizuar dhe autoriteteve kompetente shtetërore.
KAPITULLI V
PROCEDURAT NË SITUATAT TEJKUFITARE
Neni 33
Situatat tejkufitare
1. Situatat tejkufitare përfshijnë situatat tejkufitare vendore, situatat tejkufitare të huaja, përfshirë 
edhe situatat nga neni 7 nënparagrafi 1.2, të këtij ligji.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
23
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
2. Situatë tejkufitare vendore është situata kur vepra është kryer në territorin e Republikës 
së Kosovës. Në këtë rast Komisioni i themeluar sipas këtij ligji është në rolin e autoritetit 
vendimmarrës ndërkaq kërkesa për kompensim nga ana e viktimës së huaj dorëzohet përmes 
autoritetit asistues të shtetit të huaj, shtetas i së cilës është viktima e huaj.
3. Situatë tejkufitare e huaj është situata kur vepra është kryer në një shtet tjetër ku e drejta 
në kompensim përcaktohet me vendim të autoritetit vendimmarrës të atij shteti. Parashtruesi 
i kërkesës në këtë rast është shtetasi i Republikës së Kosovës, ndërkaq Komisioni mund të 
shërbejë në rolin e autoritetit asistues dhe është përgjegjës për transmetimin e kërkesave të 
parashtruesit të kërkesës autoritetit të huaj vendimmarrës.
Neni 34
Situatat tejkufitare vendore
1. Me të pranuar kërkesën nga autoriteti kompetent i një shteti të huaj, shtetas i së cilës është 
parashtruesi i kërkesës, Komisioni do t’i komunikojë autoritetit përkatës të shtetit të huaj, brenda 
tridhjetë (30) ditëve informatat në vijim:
1.1. konfirmimin për marrjen e kërkesës;
1.2. të dhënat e personit kontaktues, apo departamentit përgjegjës për çështjen;
1.3. nëse është e mundur, një afat të përafërt kur do të merret një vendim mbi kërkesën.
2. Ministria e Drejtësisë do të hartojë formular të veçantë të kërkesës për situatat tejkufitare 
vendore. 
3. Nëse kërkesa e pranuar nuk është dërguar në formularin standard të përcaktuar nga Ministria 
e Drejtësisë apo kërkesa nuk është e kompletuar, e njëjta do t’i kthehet për plotësim autoritetit 
nga e ka pranuar atë.
4. Nëse kërkesa dhe dokumentet e bashkëngjitura nuk janë në gjuhën shqipe, serbe apo 
angleze, Komisioni do t’ia kthejë ato parashtruesit të kërkesës ose autoritetit nga i ka pranuar 
ato, të shoqëruara nga një udhëzim për përdorimin e gjuhës shqipe, serbe apo angleze. 
5. Të gjitha kërkesat dhe dokumentet që transmetohen gjatë komunikimit në mes të autoriteteve 
në situata tejkufitare, duhet të përjashtohen nga çdo lloj i verifikimit autentik apo formaliteti 
ekuivalent.
6. Nëse Komisioni zbulon në një situatë tejkufitare vendore që vendimi për këtë çështje 
përkatëse kërkon procedura të veçanta, sikur dëgjimin e viktimës së krimit, dëshmitarit ose 
ekspertit, mund të kërkojë nga autoriteti i huaj asistues në të cilën parashtruesi i kërkesës ka 
paraqit kërkesën e tij për kompensim, për të kryer procedurat përkatëse, me kusht që personi 
që dëgjohet të pajtohet për seancën dëgjimore apo intervistën e tillë.
7. Seanca dëgjimore e kërkuar në procedurën përkatëse gjithashtu mund të kryhet edhe 
nëpërmjet video-konferencës apo tele-komunikimit, me kusht që personi që dëgjohet të pajtohet.
8. Seancat e referuara në paragrafin e mësipërm do të kryhet nga Kryetari i Komisionit ose nga 
anëtari i Komisionit, i autorizuar në përputhje me rrethanat nga Kryetari i Komisionit.
9. Vendimi i Komisionit do t’i dërgohet autoritetit asistues të shtetit të huaj dhe parashtruesit të 
kërkesës direkt apo përmes këtij autoriteti. 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
24
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
Neni 35
Situatat tejkufitare të huaja
1. Në rast të situatës tejkufitare të huaj parashtruesi i kërkesës mund të paraqesë kërkesën e 
tij për Komisionin duke përdorur formularin standard të përcaktuar me nenin 34, paragrafin 2 
të këtij ligji.
2. Sa më parë që është e mundur, Komisioni do të dërgojë kërkesën bashkë me dokumentet 
përcjellëse autoritetit kompetent të shtetit prej ku parashtruesi i kërkesës kërkon kompensimin. 
Nëse autoriteti i huaj vendimmarrës nuk do të pranojë kërkesën, apo do të kërkojë të dhëna 
shtesë, Komisioni do të informojë menjëherë parashtruesin e kërkesës.
3. Komisioni do të sigurohet që kërkesa zyrtare për kompensim e dërguar tek autoriteti i huaj 
vendimmarrës do të bëhet në formularin e caktuar nga autoriteti i atij shteti.
4. Kërkesa bashkë me dokumentet përcjellëse do të dërgohen në një nga gjuhët zyrtare të 
shtetit të cilit i dërgohet kërkesa apo në një nga gjuhët zyrtare të BE të cilat shteti pranues ka 
deklaruar se mund t’i pranojë.
5. Nëse një autoritet i huaj vendimmarrës kërkon që një seancë dëgjimore apo intervistë e 
viktimës së krimit, dëshmitarit ose ekspertit të mbahet në Republikën e Kosovës, seanca 
dëgjimore apo intervista e tillë do të kryhet nga Komisioni, me kusht që personi që dëgjohet të 
pajtohet për seancën dëgjimore apo intervistën e tillë. Komisioni do t’i dërgojë një raport për 
seancën dëgjimore autoritetit të huaj vendimmarrës.
6. Nëse një autoritet i huaj vendimmarrës kërkon që seanca dëgjimore të kryhet përmes 
përdorimit të video-konferencës apo telekomunikimit, dëgjimi i tillë do të kryhet në bashkëpunim 
me komisionin, me kusht që personi i cili do të dëgjohet pajtohet për dëgjim të tillë.
7. Komisioni në rolin e autoritetit asistues, nuk duhet të bëjë vlerësimin e kërkesës së parashtruar 
për kompensim.
8. Veprimet e kryera nga Komisioni në rolin e autoritetit asistues, nuk mund të ankimohen dhe 
nuk mund të paraqesin bazë për kërkesë për kompensim të tarifave apo shpenzimeve nga 
parashtruesi i kërkesës apo autoriteti vendimmarrës i shtetit të huaj.
9. Në rastin kur autoriteti i huaj vendimmarrës nuk i njeh shtetasit të Republikës së Kosovës, 
me banim të përhershëm në Republikën e Kosovës, të drejtën në kompensim për shkak të 
shtetësisë që ai ka, Republika e Kosovës merr përsipër shqyrtimin e të drejtës në kompensim 
nga Programi për kompensimin e viktimave të krimit, në pajtim me dispozitat e këtij ligji. 
10. Për të realizuar të drejtën nga paragrafi 9 i këtij neni, parashtruesi duhet të dokumentojë se 
kërkesa drejtuar autoritetit kompetent, është refuzuar mbi bazën e mosplotësimit të kriterit të 
kërkuar në atë shtet lidhur me shtetësinë. 
11. Parashtruesi nga paragrafi 9 i këtij neni, mund të paraqet kërkesë në pajtim me dispozitat e 
këtij ligji dhe vetëm për llojet e kompensimit të parapara me këtë ligj.
KAPITULLI VI
PROGRAMI PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
Neni 36
Financimi i Kompensimit të Viktimave të Krimit
1. Programi për kompensimin e viktimave të krimit do të financohet nga Buxheti i Republikës së 
Kosovës për Ministrinë e Drejtësisë si pjesë e ligjit vjetor të buxhetit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
25
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
2. Programi për kompensimin e viktimave mund të financohet edhe përmes kontributeve 
vullnetare dhe donacioneve private në pajtim me Rregullat e Kontrollit dhe Menaxhimit Financiar.
3. Gjykata me shqiptimin e aktgjykimit dënues shqipton edhe taksën për kompensimin e 
viktimave si në vijim:
3.1. Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore, shumën prej njëzet (20) euro;
3.2. Departamenti i Krimeve të Rënda, shumën prej pesëdhjetë (50) euro; 
3.3. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, shumën prej njëqind (100) euro. 
4. Gjatë procesit të rregullt buxhetor të përcaktuar në Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike 
dhe Përgjegjësitë, Ministria e Drejtësisë do të bëjë një kërkesë buxhetore për të financuar një 
linjë buxhetore për programin e kompensimit të viktimave të krimit. Kërkesa e Ministrisë së 
Drejtësisë do të ketë parasysh projeksionet për të hyrat e pritura nga paragrafi 3 i këtij neni, si 
dhe shpenzimet nga Programi për Kompensim nga vitet paraprake. 
5. Niveli i ndarjeve buxhetore për programin e kompensimit të viktimave të krimit do të bëhet 
përmes proceseve të rregullta buxhetore, duke marrë parasysh të hyrat e pritura nga paragrafi 
3 i këtij neni, kontributi i paguar në programin për kompensim sipas pezullimit të përkohshëm 
të procedurës penale, të hyrat nga shitja e pasurisë së paligjshme të konfiskuar, të hyrat nga 
dorëzania e konfiskuar në pajtim me ligjin si dhe nivelin e përgjithshëm të të hyrave të pritura 
buxhetore dhe kërkesave për financim nga Buxheti i Kosovës.
Neni 37
Raportimi Financiar
1. Si pjesë e kërkesës buxhetore sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe 
Përgjegjësitë, Ministria e Drejtësisë do t’i dorëzojë Ministrisë së Financave një raport vjetor mbi:
1.1. numrin e përgjithshëm të parashtruesve të kërkesave;
1.2. numrin e parashtruesve të kërkesave që u është mohuar kompensimi;
1.3. numrin i parashtruesve të kërkesave që u është dhënë kompensimi;
1.4. shumën e kompensimit, të dhënë parashtruesve të kërkesave;
1.5. shpenzimet e Komisionit dhe programit nga vitet paraprake.
KAPITULLI VII
REGJISTRAT PËR PARASHTRUESIT E KËRKESAVE DHE PËR VENDIMET E LËSHUARA
Neni 38
Mbajtja e regjistrave
1. Komisioni mban regjistrat për parashtruesit e kërkesës dhe për vendimet e lëshuara rreth 
kompensimeve. Përmbajtja e këtyre regjistrave rregullohet me udhëzim administrativ nga 
Ministria e Drejtësisë.
2. Regjistrat do të mbahen në raste individuale, secili i shënuar me numrin e saj vijues dhe 
numrin e lëndës.
3. Numri i lëndës është numri që i atribuohet rastit me dorëzimin e kërkesës në Ministrinë e 
Drejtësisë.
4. Ministria e Drejtësisë do të krijojë një bazë të digjitalizuar të të dhënave.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
26
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
Neni 39
Ruajtja e informatave
1. Të gjitha dosjet e parashtruesve të kërkesave për kompensim do të ruhen në pajtim me afatet 
e parapara në legjislacionin përkatës në fuqi.
2. Kërkesat për kompensim, dëshmitë, ekspertizat dhe regjistrat janë të dhëna personale 
të ndjeshme e të cilat duhet të përpunohen dhe ruhen me konfidencialitet, në pajtim me 
legjislacionin përkatës në fuqi.
KAPITULLI VIII 
TRANSFERIMI I KËRKESAVE DHE KTHIMI I MJETEVE TË MARRA 
NË MËNYRË JO TË DREJTË
Neni 40
Transferimi i kërkesave
1. Kërkesat e përfituesit ndaj kryesit do të kalojnë, deri në lartësinë e kompensimit në Qeverinë 
e Kosovës në ditën e ekzekutimit të vendimit për njohjen e të drejtës për kompensim.
2. Me transferimin e kërkesës sipas paragrafit 1 të këtij neni, Qeveria e Republikës së Kosovës 
në raport me kryesin do të veprojë në cilësinë e përfituesit.
3. Avokatura Shtetërore do të ndërmerr veprimet e nevojshme zyrtare për realizimin e 
dëmshpërblimit, respektivisht kompensimit në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Neni 41
Kthimi i mjeteve të marra në mënyrë jo të drejtë
1. Në rast të pranimit të informatës se kompensimi i përfituesit është bërë mbi bazën e të dhënave 
të rreme/falsifikuara apo çfarëdo mashtrimi të mundshëm me qëllim të realizimit të kërkesës për 
kompensim, Komisioni dhe çdo palë tjetër e interesuar duhet të informojë prokurorin e shtetit.
2. Përfituesi i kompensimit sipas këtij ligji, ka për obligim të informojë Komisionin në çdo kohë 
nëse pas marrjes së kompensimit apo deri në ekzekutimin e vendimit të Komisionit, përfituesi 
përfiton dëmshpërblim nga burimet tjera.
KAPITULLI IX
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 42
Dispozitat kalimtare
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji Nr. 05/L -036 për Kompensimin e Viktimave 
të Krimit.
2. Anëtarët e Komisionit me mandat të fituar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, qëndrojnë në detyrë 
deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të tyre. 
3. Të gjitha kërkesat e proceduara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, trajtohen me ligjin që është 
më i përshtatshëm për parashtruesin e kërkesës, në pajtim me vendimin e Komisionit për këtë 
çështje. 
4. Viktimat dhe vartësit e tyre, të cilët nuk kanë mundur të realizojnë të drejtën në kompensim 
sipas ligjit të shfuqizuar, por të cilët plotësojnë kushtet për kompensim sipas këtij ligji, kanë të 
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
27
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT
drejtë të dorëzojnë kërkesat e tyre për shqyrtim nga Komisioni nëse konsiderojnë se plotësojnë 
kushtet sipas këtij ligji. Kërkesa nga ky paragraf nuk mund të paraqitet mbi bazën e ndryshimit 
në lartësisë së kompensimit me këtë ligj.
Neni 43
Aktet Nënligjore
Aktet nënligjore të parapara në këtë ligj nxjerrën brenda gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi 
të këtij ligji.
Neni 44
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së 
Kosovës. 
Ligji Nr. 08/L-109 
14 tetor 2022
Shpallur me dekretin Nr. DL-321/2022, datë 28.10.2022 nga Presidentja e Republikës së 
Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 33 / 2 NËNTOR 2022, PRISHTINË
28
LIGJI NR. 08/L-109 PËR KOMPENSIMIN E VIKTIMAVE TË KRIMIT