LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
11
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
LIGJI NR. 08/L-120
PËR USHQIM
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR USHQIM
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Ky Ligj ka për qëllim përcaktimin e parimeve dhe kërkesave të përgjithshme për sigurinë e
ushqimit, dhe ushqimit për kafshë, masat dhe procedurat lidhur me ushqimin dhe ushqimin
për kafshë si dhe përcaktimin e autoritetit kompetent për sigurinë e ushqimit, dhe ushqimit për
kafshë.
2. Ky Ligj është pjesërisht në përputhje me:
2.1. Rregulloren (KE) Nr.178/2002 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e datës 28
janar 2002, e cila përcakton parimet dhe kërkesat e përgjithshme te ligjit të ushqimit
dhe e themelon Autoritetin Evropian për Siguri të Ushqimit dhe përcakton procedurat
në çështjet e sigurisë ushqimore;
2.2. Rregulloren 1223/2009 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të datës 30 nëntor
2009 në produktet kozmetike;
2.3. Direktivën e Këshillit Nr.98/83 mbi cilësinë e ujit të destinuar për konsum njerëzor;
2.4. Direktivën 2001/83/EC e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të datës 06 nëntor
2001;
2.5. Direktivën 2014//40/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të datës 3 prill
2014, mbi përafrimin e ligjeve, rregulloreve dhe dispozitave administrative të Shteteve
Anëtare në lidhje me prodhimin, prezantimin dhe shitjen e produkteve të duhanit dhe
produkteve të ngjashme dhe që shfuqizon Direktivën 2001/37/KE.
Neni 2
Fushëveprimi
Ky ligj zbatohet në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit, deponimit dhe shpërndarjes të ushqimit
dhe ushqimit për kafshë, përveç prodhimtarisë primare, përgatitjes, ruajtjes dhe përdorimit të
ushqimit në ekonomitë familjare të cilat nuk janë të destinuara për shitje në treg.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këto kuptime:
1.1. Ushqim - çdo materie ose produkt i përpunuar, pjesërisht i përpunuar ose i
papërpunuar, i destinuar për konsum ose pritet që njerëzit ta konsumojnë, pijet,
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
12
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
çamçakëzët dhe çdo substancë e cila qëllimisht shtohet gjatë procesit të prodhimit,
përgatitjes dhe përpunimit. Ushqim përfshinë edhe ujin, si: uji që shërben për furnizimin
publik të qytetarëve si ujë i pijshëm, uji që përdoret ose e përbën ushqimin me rastin
e prodhimit, përgatitjes dhe përpunimit të tij, uji i paketuar në paketim origjinal si uji i
pijshëm. Ushqim nuk nënkupton ushqimin për kafshë, kafshët e gjalla, përveç nëse
janë përgatitur për plasim në treg për konsumim nga njerëzit, bimët dhe frutat para
korrjes ose para vjeljes, barnat dhe prodhimet mjekësore, kozmetikën, duhanin dhe
produktet e tij, substancat narkotike dhe psikotrope si dhe mbetjet dhe kontaminantët;
1.2. Biznesi me ushqim - çdo procedurë të biznesit, pa marrë parasysh se a është
bërë me qëllim të krijimit të përfitimit apo jo, publik apo privat në kuadër të të cilit
kryhen punët lidhur me cilëndo fazë të prodhimit, përpunimit, deponimit, transportit apo
shpërndarjes të ushqimit;
1.3. Operatori i biznesit me ushqim – personi fizik apo juridik, përgjegjës për të
siguruar se kërkesat e këtij ligji janë arritur në kuadër të biznesit me të cilin menaxhon;
1.4. Ushqimi për kafshë - çdo substancë apo produkt, duke përfshirë edhe shtesat në
ushqimin për kafshë, i përpunuar, pjesërisht i përpunuar ose i papërpunuar i destinuar
për ushqimin e kafshëve;
1.5. Biznesi me ushqimin për kafshë - çdo veprimtari publike apo private me qëllim
përfitimi apo jo, që ndërmerren në prodhimin, përpunimin, deponimin transportin ose
shpërndarja e ushqimit të kafshëve, përfshirë çdo prodhues i cili prodhon, përpunon
apo deponon ushqim për kafshë në ekonominë e tij familjare;
1.6. Operatori i biznesit me ushqimin për kafshë - personi fizik apo juridik, përgjegjës
për të siguruar se kërkesat e këtij ligji janë arritur në kuadër të biznesit të tij me ushqim
për kafshë me të cilin ai menaxhon;
1.7. Shitje me pakicë - trajtimi dhe/apo përpunimin e ushqimit dhe ruajtjen e tij në
pikën e shitjes apo shpërndarjen ndaj konsumatorit final, që përfshinë terminalet:
shpërndarëse, operacionet hotelerie, mensa, furnizim me ushqim nga institucioni,
restorante dhe shërbime tjera të ngjashme operative të ushqimit, dyqane, qendrat
shpërndarëse të vetëshërbimeve- supermarketeve dhe shitoreve me shumicë;
1.8. Vënia në treg - mbajtja e ushqimit dhe ushqimit për kafshë për shitje, duke përfshirë
ofertën për shitje dhe çdo mënyrë tjetër e transferimit pa marrë parasysh se a është
me pagesë apo jo, shitjen, shpërndarja dhe mënyrat tjera të qarkullimit;
1.9. Rreziku - një funksion të probabilitetit të një efekti negativ shëndetësor dhe
ashpërsisë së atij efekti si pasojë e një rreziku;
1.10. Analiza e rrezikut - procesi i përbërë nga tre (3) komponentë të ndërlidhur
ndërmjet veti: vlerësimi i rrezikut, menaxhimi i rrezikut dhe komunikimi i rrezikut;
1.11. Vlerësimi i rrezikut - një proces të bazuar shkencërisht që përbëhet nga katër
(4) hapa: identifikimi, karakterizimi i rrezikut, vlerësimi i ekspozimit dhe karakterizimi i
rrezikut;
1.12. Menaxhimi i rrezikut – procesi përmes të cilit bëhet krahasimi i mundësive të
veprimit të organeve kompetente lidhur me rrezikun në bashkëpunim me pjesëmarrësit
e interesuar, duke marrë parasysh vlerësimin e rrezikut dhe faktorët tjerë relevant e
nëse është e nevojshme edhe procesin e përzgjedhjes së masave preventive adekuate
dhe mënyrat e kontrollit;
1.13. Komunikimi i rrezikut - shkëmbimi i ndërsjellët i informatave dhe mendimeve
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
13
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
gjatë tërë procesit të analizave mbi rrezikun, për faktorët dhe paralajmërimin e rrezikut,
në mes të vlerësuesve të rrezikut, organeve kompetente, konsumatorëve, prodhuesve
të ushqimit dhe ushqimit për kafshë, ekspertëve profesional dhe palëve tjera të
interesuara nga komuniteti akademik, duke i përfshirë edhe sqarimet dhe dëshmitë
gjatë vlerësimit të rrezikut, bazat për nxjerrjen e vendimeve gjatë menaxhimit të rrezikut;
1.14. Hazardi - agjenti biologjik, kimik apo fizik në ushqim dhe ushqim për kafshë me
potencial për të shkaktuar një efekt të dëmshëm në shëndet;
1.15. Gjurmueshmëria - aftësia për të gjurmuar dhe përcjellë ushqimin, ushqimin për
kafshë dhe kafshët prodhuese të ushqimit apo substancat që mendohen apo priten
të përfshihen në ushqim të njerëzve apo kafshëve nëpër të gjitha fazat e prodhimit,
përpunimit dhe shpërndarjes;
1.16. Fazat e prodhimit, përpunimit dhe distribuimit - cilado fazë, duke përfshirë
importin dhe prodhimtarinë primare, përpunimin, deponimin si lëndë e parë apo
pjesërisht i përpunuar, transportimin, shitjen apo furnizimin e konsumatorit të fundit
me ushqim, si dhe importin, prodhimin, përpunimin, deponimi dhe transportimin,
distribuimin, shitjen dhe furnizimin me ushqim për kafshë;
1.17. Prodhimtaria primare prodhimi, rritja ose kultivimi i produkteve primare duke
përfshirë vjeljen, mjeljen, dhe prodhimin e kafshëve para therjes. Ajo përfshinë
gjithashtu gjuetinë, peshkimin dhe korrjen e produkteve të bimëve të egra;
1.18. Konsumatori i fundit - personi fizik i cili e përdor dhe e konsumon ushqimin për
nevojat e veta personale dhe nuk e shfrytëzon atë për asnjë fazë të biznesit me ushqim
për qëllime të tjera;
1.19. Qeveria - Qeveria e Republikës së Kosovës;
1.20. Ministria - Ministria përgjegjëse për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural;
1.21. AUV - Agjencia përgjegjëse për ushqim dhe veterinari (AUV);
1.22. IKSHPK - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës;
1.23. HACCP - analiza e Hazardit dhe Pikat Kritike të Kontrollit;
1.24. Kontrolli zyrtar - çdo kontroll të kryer nga AUV për vërtetimin e përputhshmërisë
me Ligjin e ushqimit dhe ushqimit për kafshë dhe me rregullat për shëndetin, mirëqenien
e kafshëve dhe mjedisit;
1.25. Aditiv ushqimor - çdo substancë, shtimi i së cilës në ushqim bëhet për arsye
teknologjike të prodhimit, përpunimit, përgatitjes, paketimit, transportit ose ruajtjes
dhe si rrjedhojë ky aditiv apo nënprodukti i tij, në mënyrë direkte apo indirekte, bëhet
pjesë përbërëse e ushqimit. Aditivi ushqimor si i tillë nuk përdoret si ushqim dhe nuk
konsiderohet si përbërës i ushqimit pa marrë parasysh vlerën e tij ushqyese.
KAPITULLI II
PARIMET E PËRGJITHSHME
Neni 4
Objektivat e përgjithshme
1. Ky ligj synon arritjen e një ose më shumë objektivave të përgjithshme të nivelit të lartë të
mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të njerëzve si dhe mbrojtjen e interesave të konsumatorëve,
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
14
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
duke përfshirë praktikat e mira në tregtimin me ushqim, duke marrë për bazë mbrojtjen e
shëndetit dhe mirëqenien e kafshëve, shëndetin e bimëve dhe mbrojtjen e ambientit.
2. Ky ligj rregullon qarkullimin e lirë të ushqimit dhe ushqimit për kafshë në Republikën e
Kosovës i prodhuar dhe tregtuar sipas parimeve dhe kritereve të përgjithshme sipas këtij ligji.
3. Kur ekzistojnë standardet ndërkombëtare apo plotësimi i tyre është i domosdoshëm, në
zhvillimin ose përshtatjen e ligjit të ushqimit, përveç kur këto standarde ose pjesët përkatëse
do të jenë mjet jo efektiv dhe jo i duhur për përmbushjen e objektivave të arsyeshme për ligjin
e ushqimit apo kur ka arsyetim shkencor ose kur do të kishin rezultuar në një nivel të ndryshëm
të mbrojtjes nga ai i përcaktuar si i përshtatshëm në Republikën e Kosovës.
Neni 5
Analiza e rrezikut
1. Me qëllim të arritjes së nivelit të lartë të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të njerëzve, masat
të cilat përdorën në harmoni me dispozitat ligjore për ushqimin, bazohen në analizat e rrezikut,
përveç kur nuk u përgjigjen rrethanave ose natyrës së masave.
2. Vlerësimi i rrezikut bazohet në të arriturat shkencore të vërtetuara dhe bëhet në mënyrë të
pavarur, objektive dhe transparente.
3. Menaxhimi i rrezikut duhet të merr parasysh rezultatet e vlerësimit të rrezikut, në veçanti
faktorët tjerë legjitim për çështjet në konsiderim dhe parimin e kujdesit kur kriteret e përcaktuara
me nenin 7 paragrafi 1. të këtij ligji janë relevante për arritjen e objektivave të përgjithshme nga
neni 4 i këtij ligji.
4. Agjencia mund të kërkoj mendim shkencor nga Autoriteti Evropian për Siguri të Ushqimit
- EFSA lidhur me vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut apo institucioneve tjera shkencore
ndërkombëtare.
Neni 6
Komunikimi i rrezikut
1. Komunikimin e rrezikut e bënë Agjencia me qëllim që me kohë të sigurohen informata
objektive, reale dhe të qarta lidhur me Hazardin dhe rrezikun në ushqimin dhe ushqim për
kafshë dhe e njofton:
1.1. Qeverinë e Republikës së Kosovës;
1.2. Ministrinë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural;
1.3. Ministrinë e Shëndetësisë;
1.4. Bizneset qe operojnë me ushqim ose ushqim të kafshëve;
1.5. Konsumatorët, dhe
1.6. Institucionet relevante dhe palët me interes.
Neni 7
Parimi i kujdesit
1. Nën rrethanat e veçanta, kur pas vlerësimit të informatave të ofruara, është identifikuar
mundësia e veprimit të dëmshëm të ushqimit për shëndetin e njerëzve, por ekzistojnë dyshimet
shkencore, organet kompetente duhet të ndërmarrin masat e përkohshme të menaxhimit të
duhur të rrezikut, për sigurimin e mbrojtjes së nivelit të lartë të shëndetit të njerëzve, derisa të
sigurohen informatat e duhura të bazuara shkencërisht për vlerësimin e tërësishëm të rrezikut.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
15
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
2. Masat e miratuara nga paragrafi 1 i këtij neni, duhet të jenë të përshtatshme dhe të mos e
kufizojnë tregtinë më tepër se sa është e nevojshme me qëllim të arritjes së nivelit të lartë të
mbrojtjes së shëndetit publik, duke llogaritur në realizueshmërinë e tyre teknike dhe ekonomike
të bazuar në gjendjen faktike.
3. Masat duhet sërish të shqyrtohen në afatin e duhur, varësisht nga niveli i identifikimit të
rrezikut për jetë dhe shëndet të njerëzve dhe nga lloji i informatave të bazuara shkencërisht për
sqarimin e dyshimit shkencor, sikurse edhe për zbatimin e vlerësimit gjithëpërfshirës të rrezikut.
Neni 8
Mbrojtje e interesit të konsumatorit
1. Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e interesave të konsumatorëve dhe krijimin e mundësisë
për konsumatorët që në bazë të informatës të bëjnë përzgjedhjen e ushqimit që e konsumojnë.
2. Ky ligj synon parandalimin e:
2.1. praktikave mashtruese;
2.2. falsifikimeve të ushqimit, dhe
2.3. çdo praktikë tjetër e cila mund të çorientoj dhe mashtroj konsumatorin.
KAPITULLI III
PARIMI I TRANSPARENCËS
Neni 9
Konsultimi publik
1. Agjencia detyrohet që së paku një (1) herë në vit apo sipas nevojës të mbaj konsultime
publike.
2. Konsultimi publik, duhet të jetë i hapur dhe transparent, i drejtpërdrejtë apo nëpërmes
përfaqësuesve të konsumatorëve ose të grupeve të interesit gjatë përgatitjes, vlerësimit dhe
rishikimit të masave për menaxhimin e rrezikut, përveç kur rasti urgjent nuk lejon.
Neni 10
Informimi publik
Pa paragjykuar dispozitat e Ligjit për Qasjen në Dokumentet Publike, kur ekzistojnë baza të
arsyeshme për të dyshuar që një ushqim i njerëzve ose kafshëve mund të paraqes rrezik
për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve, pastaj, varësisht nga natyra, serioziteti dhe shtrirja
e rrezikut, Agjencia ndërmerr hapa të duhur që ta informoj publikun për natyrën e rrezikut për
shëndetin, duke identifikuar në masë të gjerë ushqimin e njerëzve dhe kafshëve, ose llojin e
ushqimit të njerëzve dhe kafshëve, rrezikun të cilin mund ta prezantoj, dhe masat të cilat janë
ndërmarr ose do të ndërmerren për ta parandaluar, zvogëluar apo eliminuar atë rrezik.
Neni 11
Konfidencialiteti
Me përjashtim të neneve 9 dhe 10 të këtij ligji, Agjencia nuk i jep palës së tretë informacionet që
i merr për të cilat është kërkuar dhe arsyetuar konfidencialitetin, përveç për informatat të cilat
duhet të bëhen publike nëse e kërkojnë rrethanat, për ta mbrojtur shëndetin publik.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
16
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
KAPITULLI IV
DETYRIMET E PËRGJITHSHME PËR TREGTIMIN ME USHQIM
Neni 12
Importi i ushqimit dhe ushqimit për kafshë
1. Vendosja në treg e ushqimit dhe ushqimit për kafshë të importuar në Republikën e Kosovës
duhet të jetë në pajtim me këtë ligj dhe marrëveshjet e lidhura ndërmjet Republikës së Kosovës
dhe shteteve eksportuese, duke u bazuar në ekuivalencë.
2. Ministria me akt nënligjor përcakton kushtet e importit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
Neni 13
Eksporti i ushqimit dhe ushqimit për kafshë
1. Ushqimi dhe ushqimi për kafshë i eksportuar apo re-eksportuar nga Republika e Kosovës
për t’u plasuar në treg në një vend tjetër, duhet të jetë në pajtim me kriteret e këtij ligji, nëse
nuk kërkohet ndryshe nga autoritetet e vendit importues apo të përcaktuara me ligje, rregullore,
standarde, kode të procedurave praktike apo procedurave tjera ligjore dhe administrative të
cilat mund të jenë në fuqi në vendin importues.
2. Në rrethanat tjera, përveç në rastet kur ushqimi është i rrezikshëm për shëndetin apo ushqimi
për kafshë është i pasigurt, ushqimi dhe ushqimi për kafshë mund të eksportohet apo ri-
eksportohet vetëm nëse autoritet kompetente të vendit të destinimit janë pajtuar dhe informuar
plotësisht për arsyet dhe rrethanat pse ushqimi apo ushqimi për kafshë nuk mund të vendoset
në tregun e Republikës së Kosovës.
3. Ku ushqimi dhe ushqimi për kafshë i destinuar për eksport nga Kosova në shtetin tjetër i
nënshtrohet një dispozite të një marrëveshje bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe
një shteti tjetër, ky ushqim duhet të jetë në përputhshmëri me dispozitat e asaj marrëveshje.
4. Ministria me akt nënligjor i përcakton kushtet e eksportit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
Neni 14
Standardet ndërkombëtare
1. Republika e Kosovës do të:
1.1. kontribuon në zhvillimin e standardeve teknike ndërkombëtare si dhe standarde
sanitare dhe fito sanitare për ushqimin dhe ushqimin për kafshë;
1.2. promovon koordinimin e punës të ndërmarra nga organizatat ndërkombëtare,
qeveritare dhe jo qeveritare për standardet e ushqimit dhe ushqimit për kafshë;
1.3. kontribuon, sipas nevojës, në lidhjen e marrëveshjeve për njohjen e barasvlershëm
së masave specifike që kanë të bëjnë me ushqimin dhe ushqimin për kafshë;
1.4. kushton vëmendje të veçantë zhvillimit, nevojave financiare dhe tregtare të vendeve
në zhvillim, për t’u siguruar që standardet ndërkombëtare nuk krijojnë pengesa të
panevojshme për eksportet nga vendet në zhvillim;
1.5. promovon qëndrueshmërinë ndërmjet standardeve teknike ndërkombëtare dhe
dispozitave të këtij ligji, duke siguruar se niveli i lartë i mbrojtjes i miratuar në Republikën
e Kosovës nuk do të cenohet.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
17
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
KAPITULLI V
KËRKESAT E PËRGJITHSHME
Neni 15
Kërkesat e sigurisë së ushqimit
1. Ndalohet vënia në treg e ushqimit jo të sigurt.
2. Ushqimi konsiderohet jo i sigurt nëse është:
2.1. i dëmshëm për shëndetin e njeriut;
2.2. i papërshtatshëm për konsum nga njeriu.
3. Gjatë përcaktimit se a është një ushqim jo i sigurt, duhet të merren parasysh:
3.1. kushtet normale të përdorimit të ushqimit nga konsumatori në secilën fazë të
prodhimit, përpunimit, shpërndarjes, dhe
3.2. informatat të cilat i janë dhënë konsumatorit, duke përfshirë informatat në etiketë
ose informatat tjera të përgjithshme që i përkasin shmangies së veprimeve specifike të
ndonjë ushqimi apo të një kategorie të ushqimit, të dëmshëm për shëndetin e njeriut.
4. Në rast të përcaktimit se a është një ushqim i dëmshëm për shëndetin e njeriut, merren
parasysh:
4.1. përveç efekteve të dëmshme të menjëhershme të mundshme, afatshkurta apo
afatgjata tek personi që e konsumon, por edhe efekteve të dëmshme që ndikojnë në
brezat e ardhshëm;
4.2. veprimi i mundshëm kumulativ toksik;
4.3. ndjeshmëria e veçantë e një kategorie specifike e konsumatorëve për ushqimin e
destinuar për atë kategori të konsumatorëve.
5. Gjatë përcaktimit nëse është një ushqim i pa përshtatshëm për konsum të njeriut, duhet të
merret parasysh nëse është i papranueshëm ai ushqim sipas destinimit të tij, kontaminimit nga
shkaktarët e jashtëm apo në një mënyrë tjetër, kalbjes, prishjes ose dëmtimit të tij.
6. Kur ushqimi nuk është i sigurt në aspekt shëndetësor, të një serie ose grumbulli të prodhuar
ose dërgesës së llojit të njëjtë të ushqimit sipas kategorisë dhe përshkrimit, konsiderohet se i
gjithë ushqimi i asaj serie, grumbulli apo asaj dërgese, është gjithashtu jo i sigurt në aspekt
shëndetësor, përveç nëse me vlerësim të detajuar vërtetohet e kundërta.
7. Përshtatja e ushqimit me dispozitat specifike të aplikueshme për atë ushqim nuk e ndalon
agjencinë për të ndërmarr masa të duhura për të imponuar kufizime për vendosjen e tij në treg
apo kërkon heqjen e tij nga tregu kur ekzistojnë arsye për dyshim, përkundër një konformiteti të
tillë, ushqimi është i pasigurt.
8. Ministria me akt nënligjor përcakton standardet për siguri të ushqimit lidhur me mikroorganizmat,
substancat e dëmshme, aditivët, toksinat dhe radionukleidet.
Neni 16
Ushqimi jo i sigurt
1. Ushqim i dëmshëm jo i sigurt për njerëz konsiderohet nëse:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
18
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
1.1. përmban mikroorganizma ose parazitë të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve mbi
kufirin e lejuar;
1.2. përmban toksinë të baktereve, mykotoksinë, ose substanca tjera toksike mbi kufirin
e lejuar;
1.3. përmban mbetje të pesticideve, barnave veterinare, metale të rënda, dhe materie
tjera të dëmshme për shëndetin e njerëzve mbi kufirin e lejuar;
1.4. përmban aditiv ushqimor të cilët nuk lejohen të përdorën në një lloj të ushqimit ose
përbërja e aditivëve të përdorur në ushqim është mbi sasitë e lejuara;
1.5. përmban radionukleide mbi kufirin e lejuar ose është i rrezatuar mbi kufirin e lejuar;
1.6. ambalazhi përmban mikroorganizma dhe materie tjera të cilat mund të ndikojnë në
rritjen e materieve të dëmshme për shëndetin e njerëzve;
1.7. ka prejardhje nga shtazët e ngordhura ose nga shtazët të cilave për çfarëdo arsye
nuk është e lejuar therja.
2. Ushqim i papërshtatshëm për konsum të njerëzve konsiderohet nëse:
2.1. cilësitë organoleptike të ushqimit për shkak të proceseve fizike, kimike
mikrobiologjike dhe proceseve të tjera kanë ndryshuar karakteristikat tipike të atij lloji
të ushqimit;
2.2. përmban materie apo lëndë të parë të cilat nuk janë të përshtatshme për konsum
të njerëzve;
2.3. përmban papastërti fizike dhe përzierje të cilat mund të jenë të dëmshme për
shëndetin e njerëzve.
Neni 17
Kërkesat e sigurisë së ushqimit për kafshë
1. Ushqimi i pa sigurt për kafshë nuk lejohet të vendoset në treg dhe të përdoret për ushqimin
e kafshëve nga të cilat prodhohet ushqimi.
2. Ushqimi për kafshë konsiderohet i pasigurt për përdorim, nëse:
2.1. ka efekt të dëmshëm në shëndetin e kafshës apo njeriut;
2.2. e bënë ushqimin e përfituar nga kafshët të pa sigurt për konsum nga njerëzit.
3. Kur një ushqim i cili është i identifikuar si ushqim që nuk i përmbush kërkesat për siguri të
ushqimit është pjesë e një serie apo pjesë e ngarkesës së ushqimit për kafshë të klasës apo
përshkrimit të njëjtë, konsiderohet që i tërë ushqimi për kafshë në atë seri, pjesë apo ngarkesë
është i prekur, vetëm nëse bëhet një vlerësim i hollësishëm dhe nuk ka dëshmi që pjesa e
mbetur e serisë apo ngarkesës dështon në përmbushjen e kërkesave për siguri të ushqimit.
4. Përshtatja e një ushqimi për kafshë me dispozita të aplikueshme në ushqim për kafshë nuk
e ndalon agjencinë për të ndërmarr masa të duhura për të vendosur kufizime për vendosjen e
tij në treg apo kërkon heqjen e tij nga tregu nëse ekzistojnë arsye për dyshim, përkundër një
konformiteti të tillë, ushqimi është i pasigurt.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
19
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
KAPITULLI VI
USHQIMI PËR KAFSHË
Neni 18
Kërkesat për ushqimin e sigurt për kafshë
1. Ministria me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe shëndetit të kafshëve, përcakton
kërkesat lidhur me ushqimin e sigurt për kafshë duke ju referuar si vijon:
1.1. aditivëve të cilët mund të shtohen në ushqimin për kafshë, përdorimit të produkteve
të caktuara dhe ndalimit të substancave të padëshiruara;
1.2. metodave të mostrimit, analizave të ushqimit dhe vlerësimit të produkteve dhe
aditivëve të përdorur në ushqimin për kafshë;
1.3. ndalimit të përdorimit të ushqimit për kafshë që përmban medikamente;
1.4. inspektimit të ushqimit për kafshë të prodhuar në vend dhe të importuar nga vendet
tjera.
2. Nëse konstaton ndonjë parregullsi në lëmin e ushqimit për kafshë, Agjencia do të lajmërojë
Departamentin përgjegjës të Ministrisë.
3. Me propozimin e Agjencisë, Ministria vendos që ushqimi për kafshë, të tërhiqet, shkatërrohet,
ripërpunohet ose të rieksportohet dhe përkohësisht të ndalohet therja e kafshëve për konsum të
njerëzve të cilat kanë konsumuar atë ushqim.
4. Ministria përcakton përdorimin e aditivëve për kafshë të cilët duhet të shtohen në ushqimin
për kafshë, tregtimin e enzimave dhe mikroorganizmave për qëllime të ushqimit për kafshë dhe
duhet të ndalojë përdorimin e substancave të caktuara që janë të padëshiruara për t’u përdorur
në ushqimin për kafshë.
5. Ministria me akt nënligjor përcakton kërkesat për ushqim të sigurt të kafshëve.
Neni 19
Parametrat e ushqimit për kafshë dhe aditivë
1. Parametrat specifik të deklaratës së cilësisë, peshës, afati i përdorimit dhe
udhëzuesve për përdorimin e ushqimit dhe aditivëve si dhe etiketat të cilat përcjellin llojet e
materieve ushqyese dhe aditivëve janë të obligueshëm.
2. Përbërja kimike e ushqimit për kafshë dhe aditivëve të deklaruar, duhet të jetë
brenda kufijve të lejuar dhe të përcaktuar në përmbajtjen e deklaruar.
3. Ndalohet falsifikimi dhe keqpërdorimi i etiketës që e shoqëron ushqimin.
4. Ministria, harton planin për marrjen e mostrave të ushqimit për kafshë dhe aditiv.
5. Ministria me akt nënligjor e rregullon prodhimin, përpunimin, përdorimin,
ruajtjen, tregtimin, transportin dhe shpërndarjen e ushqimit për kafshë dhe aditiv si dhe bënë
aprovimin e personave që merren me këto veprimtari.
Neni 20
Prezantimi
Përjashtimisht nga dispozitat e këtij ligji, etiketimi, reklamimi dhe prezantimi i ushqimit apo
ushqimit për kafshë, duke përfshirë formën, pamjen apo paketimin e tyre, materialet e përdorura
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
20
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
për paketim, mënyra në të cilën janë përgatitur dhe ambienti në të cilin janë vendosur, si dhe
informatat në dispozicion, duhet të jenë në pajtim me legjislacionin për mbrojtën e konsumatorit.
KAPITULLI VII
OPERATORËT E BIZNESIT
Neni 21
Përgjegjësia
1. Operatori i biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë i cili ushqim është nën kontrollin e tij
në të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe distribuimit të ushqimit apo ushqimit për kafshë,
duhet t’i plotësojnë kërkesat e këtij ligji.
2. Agjencia mbikëqyr dhe verifikon se janë përmbushur kriteret relevante të përcaktuara nga
paragrafi 1 i këtij neni.
3. Agjencia menaxhon sistemin e kontrolleve zyrtare dhe aktiviteteve tjera, duke përfshirë
komunikimin me publikun për sigurinë dhe rrezikun e ushqimit dhe ushqimit për kafshë,
mbikëqyrjen e sigurisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë dhe aktivitetet tjera monitoruese të
cilat mbulojnë të gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes.
Neni 22
Gjurmueshmëria
1. Gjurmueshmëria e ushqimit, ushqimit për kafshë, kafshëve që prodhojnë ushqim apo ndonjë
substancë tjetër që pritet të përfshihet në ushqim të njerëzve apo kafshëve zbatohet nëpër të
gjitha fazat e prodhimit, përpunimit dhe shpërndarjes.
2. Operatoret e biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë duhet të jenë në gjendje ta
identifikojnë çdo person që ka furnizuar me ushqim, ushqim për kafshë apo me kafshë prej të
cilave është prodhuar ushqim, apo ndonjë substancë tjetër që është apo do të përfshihet në
ushqim apo ushqim për kafshë. Operatori duhet te krijoj sistemet dhe procedurat për të ofruar
informata sipas nevojës të cilat i ka në dispozicion agjencia.
3. Operatori i biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë duhet te kenë sisteme dhe procedura
për të identifikuar biznese tjera, të cilat kanë qenë të furnizuara me produktet e tyre. Ky
informacion është në dispozicion për agjencinë sipas kërkesës.
4. Ushqimi ose ushqimi për kafshë i cili është i plasuar apo do të plasohet në tregun
e Republikës së Kosovës duhet të etiketohet apo identifikohet në mënyrë adekuate për ta
lehtësuar gjurmueshmërinë e tij, me anë të dokumenteve dhe informatave në përputhje me
kërkesat specifike.
5. Ministria me akt nënligjor i përcakton rregullat për gjurmueshmëri.
Neni 23
Përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit me ushqim
1. Nëse një operator i biznesit me ushqim konsideron ose ka arsye të besoj se ushqimin të
cilin e ka importuar, prodhuar, përpunuar apo distribuuar nuk është në përputhje me kërkesat
e sigurisë së ushqimit, menjëherë duhet të inicioj procedurat e tërheqjes së atij ushqimi nga
tregu dhe për këtë e informon autoritetin kompetent. Nëse produkti arrin deri te konsumatori,
operatori i biznesit me ushqim do ti njoftoj menjëherë konsumatorët për arsyen e tërheqjes dhe
sipas nevojës kërkon kthimin e produkteve të shitura konsumatorit në ato raste kur masat tjera
nuk janë të mjaftueshme për të arritur nivelin e duhur të mbrojtjes së shëndetit.
2. Operatori i biznesit me ushqim i cili merret me shitje me pakicë apo shpërndarje të ushqimit,
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
21
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
i cili nuk ndërhyn në paketimin, etiketimin, sigurinë ose cilësinë e ushqimit në kuadër të
limiteve të aktiviteteve përkatëse, inicion tërheqjen e produkteve nga tregu të cilat nuk janë në
përputhshmëri me kërkesat e sigurisë së ushqimit dhe kontribuon në sigurinë e ushqimit, duke
përcjell informatat relevante të nevojshme për të gjurmuar ushqimin.
3. Operatori i biznesit me ushqim detyrohet që menjëherë të informojë agjencinë nëse konsideron
apo ka arsye të besoj se ushqimi të cilin e ka vendosur në treg mund të jetë i dëmshëm për
shëndetin e njeriut.
4. Operatori i biznesit e informon agjencinë për ndërmarrjen e masave për ta parandaluar
rrezikun që vjen nga përdorimi i atij ushqimi dhe nuk e parandalon apo de inkurajon asnjë
person që të bashkëpunoj, ne pajtim me legjislacionin në fuqi dhe praktikat juridike, që mund të
parandaloj, zvogëloj apo eliminoj rrezikun që vjen nga ushqimi.
5. Operatori i biznesit me ushqim bashkëpunon me agjencinë për veprimet e ndërmarra për
të shmangur apo zvogëluar rreziqet të shkaktuara nga ushqimi të cilin e furnizojnë apo e kanë
furnizuar.
Neni 24
Përgjegjësitë e operatorit të biznesit me ushqim për kafshë
1. Nëse një operator i biznesit të ushqimit për kafshë konsideron apo ka arsye të besoj që
ushqimi i importuar, prodhuar, përpunuar apo shpërndarë nuk i përmbush kërkesat për siguri
të ushqimit, menjëherë i fillon procedurat për heqjen e ushqimit nga tregu dhe e informon
agjencinë për këtë. Në këto rrethana apo, në rast të nenit 17, paragrafi 3 të këtij ligji, kur
seria, pjesa apo ngarkesa nuk i përmbush kërkesat për sigurim të ushqimit, ai ushqim duhet të
asgjësohet, vetëm në rast se Agjencia siguron ndryshe. Atëherë operatori e njofton saktësisht
përdoruesin e ushqimit për kafshë për arsyen e heqjes së tij, dhe nëse është e nevojshme,
kërkon nga ata qe produktet me të cilat tashmë janë furnizuar, te tërhiqen nga përdorimi.
2. Operatori i biznesit të ushqimit për kafshë i cili është përgjegjës për shitje me pakicë apo
shpërndarje të aktiviteteve të cilat nuk ndikojnë në paketimin, etiketimin, sigurinë ose cilësinë
e ushqimit brenda limiteve të aktiviteteve përkatëse iniciojnë procedura për heqjen nga tregu të
produkteve të cilat nuk janë në pajtim me kërkesat për sigurinë e ushqimit dhe kontribuojnë në
sigurinë e ushqimit, duke përcjellë informata përkatëse të nevojshme për gjurmimin e ushqimit,
duke bashkëpunuar në ndërmarrjen e veprimeve nga prodhuesit, përpunuesit, fabrikuesit dhe/
apo agjencinë.
3. Operatori i biznesit me ushqim për kafshë menjëherë i informon autoritetet kompetente nëse
konsideron apo ka arsye të besoj që ushqimi për kafshë i cili është plasuar në treg mund të mos
i plotëson kërkesat për siguri të ushqimit për kafshë. E informon agjencinë për ndërmarrjen e
masave për ta parandaluar rrezikun që vjen nga përdorimi i atij ushqimi dhe nuk e parandalon
apo dekurajon asnjë person që të bashkëpunoj, në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe praktikat
juridike, që mund të parandaloj, zvogëloj apo eliminoj rrezikun që vjen nga ushqimi.
4. Operatori i ushqimit për kafshë bashkëpunon me autoritetet kompetente në marrjen e
veprimeve për t’i shmangur rreziqet e paraqitura nga ushqimi me të cilin furnizojnë apo kanë
furnizuar.
Neni 25
Përgjegjësitë
Përgjegjësitë e operatorëve të biznesit me ushqim nga ky ligj nuk i cenojnë përgjegjësitë e
përcaktuara me dispozitat e Ligjit përkatës për Mbrojtjen e Konsumatorit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
22
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
Neni 26
Regjistrimi dhe aprovimi i operatorit të biznesit
1. Operatorët e biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë duhet te aprovohen dhe regjistrohen
në agjenci.
2. Aprovimi dhe regjistrimi i operatorëve të biznesit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë bëhet
sipas kritereve të ndërlidhura me llojin e ushqimit, sasinë, qarkullimin dhe parimeve të vlerësimit
të rrezikut.
3. Ministria me akt nënligjor i përcakton kriteret dhe procedurat për aprovimin dhe regjistrimin e
operatorëve të biznesit me ushqim dhe ushqim për kafshë.
KAPITULLI VIII
SISTEMI I VETËKONTROLLIT
Neni 27
Kërkesat për sistemin e vetëkontrollit
1. Operatori i biznesit me ushqim, dhe ushqim për kafshë, përveç atij të nivelit të prodhimtarisë
primare, është i obliguar të vendos dhe të mbajë vetëkontroll të rregullt të kushteve higjienike të
prodhimit në secilin objekt nën kontrollin e tij.
2. Operatori i biznesit nga paragrafi 1 i këtij neni, zbaton procedurat preventive të vetëkontrollit
të zhvilluar në pajtim me parimet e sistemit të analizës së Hazardit dhe pikave kritike të kontrollit
– HACCP.
3. Ministria me akt nënligjor i përcakton rregullat lidhur me vetëkontrollin e operatorëve të
biznesit me ushqim dhe ushqim për kafshë.
KAPITULLI IX
DEKLARACIONI I USHQIMIT
Neni 28
Informatat për ushqim
1. Ushqimi i destinuar për tu vendosur në tregun e Kosovës, duhet të ketë informatat e
nevojshme për konsumatorin.
2. Informatat lidhur me ushqimin, duke përfshirë etiketimin, të dhënat shëndetësore të
deklaruara dhe çështjet tjera që ndërlidhen me deklaracionin e ushqimit që rregullohet me
Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit akteve nënligjore për zbatim të tij dhe legjislacioni tjetër
përkatës në fuqi.
Neni 29
Kontrolli zyrtarë nga agjencia
1. Agjencia siguron që kontrollet zyrtare të kryhen rregullisht dhe mbi bazën e rrezikut dhe me
shpeshtësi të duhur, për zbatimin e këtij ligji.
2. Agjencia, kontrollet zyrtare i kryen pa paralajmërim, përveç në rastet e auditimit, kur
paralajmërimi i operatorëve të biznesit me ushqim dhe ushqimit për kafshë është i domosdoshëm.
3. Kontrolli zyrtar kryhet në çdo fazë të prodhimit, përpunimit dhe distribuimit të ushqimit dhe
ushqimit për kafshë si dhe kafshëve dhe produkteve të tyre.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
23
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
4. Agjencia kryen kontroll zyrtar me kujdes të njëjtë si për ushqimin dhe ushqimin për kafshë qe
eksportohen si dhe ato te cilat vendosen në tregun e Kosovës.
5. Agjencia ndërmerr masat e nevojshme për të siguruar se produktet të cilat janë të destinuara
për një shtet anëtar të BE-së dhe vend tjetër kontrollohen sipas rregullave dhe standardeve te
kërkuara nga shteti ku eksportohet.
6. Ministria nxjerr akt nënligjor për zbatimin e kontrollit zyrtarë.
Neni 30
Mbikëqyrja inspektuese
1. Mbikëqyrjen inspektuese për zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore e kryejnë inspektorët
e AUV.
2.Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë varësisht nga fushë veprimtaria e tyre me
akt nënligjor përcakton detyrat, përgjegjësitë dhe autorizimet e inspeksioneve nga paragrafi 1.
i këtij neni.
Neni 31
Programi i inspektimeve dhe raportet
1. Për zbatimin e mbikëqyrjes inspektuese hartohen programet periodike dhe vjetore për
kontrollin zyrtar të cilat përmbajnë:
1.1. numrin dhe llojin e mbikëqyrjeve inspektuese të cilat planifikohen të kryhen;
1.2. numrin e mostrave që planifikohet të merren;
1.3. numrin dhe llojin e objekteve që përfshihen në mbikëqyrje inspektuese;
1.4. kriteret që duhet plotësuar për realizimin e programit;
1.5. mjetet financiare të nevojshme.
2. Për inspektimet e bëra hartohen raportet periodike dhe vjetore për kontrollimet të cilat
përmbajnë:
2.1. numrin dhe llojin e mbikëqyrjeve inspektuese;
2.2. numrin dhe llojin e mostrave të marra për inspektim;
2.3. numrin dhe llojin e objekteve në të cilat janë zbatuar mbikëqyrjet inspektuese;
2.4. shënimet për numrin e fletëparaqitjeve të ushtruara;
2.5. masat e ndërmarra në rastet e mos përmbushjes së kërkesave të përcaktuara me
këtë ligj.
KAPITULLI X
LABORATORËT E AUTORIZUAR DHE LABORATORËT REFERENT
Neni 32
Laboratorët e autorizuar
1. Agjencia është përgjegjëse për verifikimin e plotësimit të kritereve të laboratorëve të autorizuar
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
24
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
për analizën e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, shëndetit të kafshëve, shëndetit të bimëve,
mbetjeve në ushqim dhe ushqim për kafshë.
2. Analiza laboratorike e ushqimit dhe ushqimit për kafshë, bëhet me qëllim të zbatimit të
kontrollit zyrtar nga laboratori i autorizuar nga Agjencia.
3. Ministria me akt nënligjor i përcakton kriteret dhe procedurat për autorizimin e laboratorëve.
4. Ministria me akt nënligjor i përcakton kriteret, procedurat dhe llojin e testimit laboratorik.
Neni 33
Laboratorët referent
1. Agjencia aprovon procedurat dhe llojin e testimit laboratorik për ushqim, ushqim për kafshë,
sëmundje të kafshëve, shëndetit të bimëve dhe mbetjeve në ushqim në laboratorët referent të
akredituar sipas Trupit Akreditues të Bashkimit Evropian.
2. Ministria me akt nënligjor i përcakton kriteret dhe procedurat për autorizimin e laboratorëve
referent brenda dhe jashtë vendit.
KAPITULLI XI
AGJENCIA E USHQIMIT DHE VETERINARISË
Neni 34
Detyrat dhe Përgjegjësitë
1. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë
përgjegjëse për bujqësi, pylltari dhe zhvillim rural.
2. Agjencia është përgjegjëse për higjienën, sigurinë e ushqimit dhe ushqimit për kafshë,
shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve.
3. Agjencia është përgjegjëse për kontrollet zyrtare lidhur me higjienën, sigurinë e ushqimit dhe
ushqimit për kafshë, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve.
4. Agjencia është përgjegjëse për veprimet tjera që ndërlidhen me higjienën, sigurinë e ushqimit
dhe ushqimit për kafshë, shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe shëndetin e bimëve si:
4.1. identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve dhe lëvizjen e tyre;
4.2. mbetjet në ushqim dhe ushqim për kafshë;
4.3. produktet mjekësore veterinare, dhe
4.4. nënproduktet shtazore.
Neni 35
Organizimi i Agjencisë
1. Agjencia, përbëhet nga Drejtoritë dhe Sektorët.
2. Në Agjenci transferohen nga komunat inspektorët veterinarë, sanitarë dhe fito sanitarë apo
inspektorët e bujqësisë.
3. Qeveria me akt nënligjor i përcakton detyrat, përgjegjësitë dhe organizimin e agjencisë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
25
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
Neni 36
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë
1. Agjencia menaxhohet nga Drejtorit i Përgjithshëm.
2. Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi.
3. Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm përcaktohen me legjislacionin në fuqi.
Neni 37
Sistemi i alarmit të shpejtë
1. Agjencia është kompetente për pranimin e njoftimeve të alarmeve nga sistemet e alarmimit
të shpejtë nga institucionet ndërkombëtare.
2. Agjencia bashkëpunon me institucionet relevante të Republikës së Kosovës në funksionalizimin
e sistemit të alarmimit të shpejtë.
3. Agjencia ndërmerr masat e nevojshme në harmoni me natyrën e rrezikut të pranuar.
KAPITULLI XII
MENAXHIMI I KRIZAVE DHE RASTEVE EMERGJENTE
Neni 38
Masat emergjente që sigurojnë se ushqimi dhe ushqimi për kafshë është i sigurt
1. Nëse ushqimi dhe ushqimi për kafshë paraqet rrezik serioz për shëndetin e njerëzve, kafshëve
dhe mjedisit, dhe se ky rrezik nuk mund të mënjanohet në mënyrë të duhur, atëherë Agjencia në
bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë, varësisht nga shkalla e
rrezikut, me vendim urdhërojnë ndërmarrjen e masave sipas paragrafit 2 dhe 3 të këtij neni dhe
për këtë e informojnë Qeverinë.
2. Nëse ushqimi dhe ushqimi për kafshë është me origjinë vendore, masat nga paragrafi 1. i
këtij neni duhet të jenë:
2.1. ndalimi i përkohshëm i vënies në treg ose i përdorimit të ushqimit dhe ushqimi për
kafshë;
2.2. përcaktimi i kushteve të veçanta për ushqimin sipas nën-paragrafit 2.1. të këtij
neni;
2.3. përcaktimi i masave për mënjanimin dhe asgjësimin e padëmshëm të ushqimit;
2.4. masat tjera të përkohshme.
3. Nëse ushqimi dhe ushqimi për kafshë është nga importi, masat nga paragrafi 1. i këtij neni
duhet të jenë:
3.1. ndalimi i përkohshëm i importit të ushqimit nga shteti apo nga një pjesë e atij shteti
ose shtetit nëpër të cilin ushqimi kalon transit;
3.2. përcaktimi i kushteve të veçanta për ushqimin e importuar nga një shtet apo pjesë
të atij shteti ose shtetit nëpër të cilin ushqimi kalon transit;
3.3. përcaktimi i masave të mënjanimit dhe asgjësimit të padëmshëm të ushqimit të tillë dhe
3.4. masa tjera të përkohshme.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
26
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
Neni 39
Plani i përgjithshëm për menaxhim të krizës
1. Agjencia në bashkëpunim me Ministrinë Bujqësisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë përpilon
planin e përgjithshëm për menaxhim të krizës në fushën e sigurisë të ushqimit dhe ushqimit për
kafshë të cilin e aprovon Qeveria e Kosovës.
2. Me plan përcaktohen procedurat për menaxhim të krizës.
KAPITULLI XIII
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Neni 40
Sanksioni kundërvajtës
1. Me gjobë prej pesëqind euro (500€) deri në njëzet mijë euro (20.000€) dënohet për
kundërvajtje, personi juridik, nëse;
1.1. vendos në treg ushqimin apo ushqim për kafshë të importuar në Kosovë në
kundërshtim me nenin 12 të këtij ligji dhe të akteve nënligjore;
1.2. eksporton apo re-eksporton në kundërshtim me nenin 13 të këtij ligji;
1.3. vendos në treg ushqim jo të sigurt në kundërshtim me nenin 15 paragrafët 2., 3.
dhe 4. të këtij ligji;
1.4. vendos në treg ushqimin e pa sigurt në kundërshtim me nenet 16 dhe 17 të këtij ligji;
1.5. nuk e përcakton ushqimin për kafshë dhe aditivëve sipas parametrave specifik të
deklarimit të kualitetit të peshës, afatit të qëndrueshmërisë, falsifikimit dhe keqpërdorimit
të etiketave, në kundërshtim me nenin 19 të këtij ligji;
1.6. ushqimi i prezantuar nuk e ka formën, pamjen apo paketimin dhe nuk posedon
informatat në dispozicion që ndikon në mashtrimin e konsumatorit sipas nenit 20 të
këtij ligji;
1.7. operatori i biznesit nuk posedon informatat për gjurmueshmërinë e ushqimit në të
gjitha fazat e prodhimit, përpunimit apo distribuimit sipas nenit 21 të këtij ligji;
1.8. operatori i biznesit në ushqimin e importuar, prodhuar, përpunuar apo distribuar
nuk është në pajtim me kërkesat për sigurinë e ushqimit sipas nenit 23 të këtij ligji;
1.9. operatori i biznesit nuk i përmbahet kritereve dhe procedurave të përcaktuara për
regjistrim sipas nenit 26 të këtij ligji dhe akteve nënligjore;
1.10. operatori i biznesit nuk i përmbush kërkesat për sistemin e vetëkontrollit të
higjienës së ushqimit sipas nenit 27 të këtij ligji;
1.11. ushqimi i destinuar për tu vendosur në tregun e Kosovës nuk i përmban informatat
e nevojshme për ushqim sipas nenit 28 të këtij ligji;
1.12. e pengon inspektorin kompetent në kryerjen e detyrave të tij sipas nenit 29 të
këtij ligji.
2. Për shkeljet nga paragrafi 1. i këtij neni, dënohet edhe personi përgjegjës i personit juridik
me gjobë prej tridhjetë euro (30€) deri në pesëqind Euro (500€).
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 12 GUSHT 2022, PRISHTINË
27
LIGJI NR. 08/L-120 PËR USHQIM
3. Për shkelje nga paragrafi 1. të këtij neni, dënohet personi fizik i cili kryen biznes individual,
me gjobë prej dyqind e pesëdhjetë euro (250€) deri në katër mijë euro (4.000€).
4. Për shkeljet nga paragrafi 1., nën paragrafët 1.1., 1.2., 1.3., 1.4., 1.5., 1.6., 1.7., 1.8., 1.9.,
1.10., dhe 1.11. të këtij neni dënohet edhe personi fizik me gjobë prej pesëdhjetë euro (50€)
deri në një mijë Euro (1.000€).
5. Kur personi dënohet për shkelje të dispozitave të këtij ligji, gjykata, përveç dënimit që duhet ti
shqiptojë, duhet të urdhërojë që lëndët e përdorura gjatë kryerjes së shkeljes, përfshirë këtu edhe
pajisjet të konfiskohen dhe të shkatërrohen me vendim të gjykatës në bazë të mendimit të ekspertit.
6. Pas shkeljes së përsëritur të dispozitave të këtij ligji, Agjencia personit të shpallur fajtor ia
konfiskon aprovimin ose regjistrimin dhe ia ndalon aprovimin apo regjistrimin e serishëm në
periudhën gjashtë (6) muaj deri në tri (3) vjet.
Neni 41
Të hyrat
Të gjitha të hyrat që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji dhe të hyrat tjera nga taksat derdhën në
Buxhetin e Republikës së Kosovës.
KAPITULLI XIV
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 42
Aktet nënligjore
1. Qeveria, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Shëndetësisë nxjerr aktet nënligjore për
zbatimin e këtij ligji, brenda dymbëdhjetë (12) muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Aktet nënligjore në fuqi dhe që nuk janë në kundërshtim me këtë ligj do të zbatohen deri në
miratimin e akteve nënligjore të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.
Neni 43
Procedurat administrative
Çështjet procedurale që nuk mbulohen me këtë ligj, do të zbatohen përshtatshmërisht dispozitat
e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Neni 44
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji Nr.03/L-016 për Ushqimin (Gazeta Zyrtare e
Republikës së Kosovës Nr. 49/2009 të datës 25 Mars 2009) dhe aktet nënligjore në fuqi të cilat
janë në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 45
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 08/L-120
21 korrik 2022
Shpallur me dekretin Nr. DL-257/2022, datë 08.08.2022 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu