GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
1
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
LIGJI NR.08/L-114
PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE
DHE BANESAVE
Kuvendi i Republikës së Kosovës:
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE
DHE BANESAVE
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj rregullon mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë,
ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë (tutje: “Regjistrimi”); si dhe përcakton
kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve, që organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë Regjistrimin,
dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative.
2. Ky ligj është pjesërisht në përputhje me Rregulloren (KE) Nr. 763/2008 të Parlamentit Evropian
dhe të Këshillit, datë 9 korrik 2008 Mbi censet e popullsisë dhe të banesave, si dhe Rregulloren
(BE) Nr. 2017/543 të Komisionit, të datës 22 mars 2017 Për caktimin e rregullave për zbatimin e
Rregullores (KE) Nr. 763/2008 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, Mbi censet e popullsisë
dhe të banesave për sa u takon specifikimeve teknike të temave dhe nënndarjeve të tyre.
Neni 2
Fushëveprimi
1. Dispozitat e këtij ligji janë të aplikueshme në të gjithë territorin e Kosovës.
2. Zbatimin e këtij ligji e bëjnë individët dhe organet e përcaktuara sipas këtij ligji.
3. Me Regjistrim përfshihen të gjitha aktivitetet e nevojshme për: grumbullimin, përpunimin dhe
publikimin e të dhënave për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat në Kosovë, sipas
standardeve ndërkombëtare duke u bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës
mbi datën dhe kohëzgjatjen e Regjistrimit.
4. Të dhënat e siguruara nga Regjistrimi janë të nevojshme për institucionet shtetërore të
Kosovës, për organizatat ekonomike, për institucionet akademike, për shoqërinë civile dhe
për të interesuarit e tjerë, me qëllim të planifikimit dhe zbatimit të politikave të përgjithshme
zhvillimore, për hulumtime shkencore dhe analiza të tjera, të nevojshme për fusha të ndryshme
të shoqërisë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
2
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
5. Regjistrimi siguron të dhëna për:
5.1. Numrin dhe shtrirjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin, strukturën demografike
dhe karakteristikat e tjera socio-ekonomike të popullsisë, numrin dhe shtrirjen e
vendbanimeve, objekteve të banimit, ndërtesave që shfrytëzohen për qëllime banimi
ose destinim tjetër, vlerësimin e kushteve të jetesës së popullsisë, numrin e ekonomive
familjare dhe karakteristikat tjera për individët;
5.2. Personat e huaj që punojnë brenda vendit për biznese ose organizata ndërkombëtare,
dhe familjet e tyre, me kusht që ata i plotësojnë kriteret për vendbanim të zakonshëm në
vend;
5.3. Personeli diplomatik dhe ushtarak i Kosovës regjistrohen si popullsi rezidente.
6. Personeli ndërkombëtar diplomatik, i zyrave të tjera ndërlidhëse dhe stafi ushtarak i KFOR-it
nuk përfshihen në Regjistrim.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë Ligj kanë këto kuptime:
1.1. Popullsi rezidente - është personi që ka jetuar, për një periudhë kohore të
vazhdueshme, në vendbanimin e tij/saj më shumë se dymbëdhjetë (12) muaj para ditës
së Regjistrimit, ose ka ardhur në atë vendbanim brenda dymbëdhjetë (12) muajve të
fundit, me qëllim që të qëndrojë aty më gjatë se dymbëdhjetë (12) muaj. Personi, i cili
përkohësisht mungon për një periudhë më të shkurtër se dymbëdhjetë (12) muaj prej
vendit të tij/saj rezident për arsye të ndryshme si: punësim, studime, udhëtim, shërim apo
ndonjë arsye tjetër, me synim që të kthehet, do të përfshihen në Regjistrim, respektivisht
në popullsinë rezidente;
1.2. Popullsi jo rezidente - janë personat që jetojnë jashtë Kosovës më shumë se
dymbëdhjetë (12) muaj, për të cilët, vetë personi ose familjari, jep të dhëna me rastin e
Regjistrimit. Po ashtu, përfshin personat që kanë ardhur për të qëndruar në Kosovë për
më pak se dymbëdhjetë (12) muaj dhe nuk synojnë të qëndrojnë më gjatë se dymbëdhjetë
(12) muaj nga data referuese;
1.3. Ekonomi familjare - është secili person, secila bashkësi familjare ose bashkësi
tjetër të personave, të cilët deklarojnë se jetojnë së bashku dhe i ndajnë të ardhurat e
veta për plotësimin e nevojave themelore jetësore;
1.4. Banesë/shtëpi - janë një ose më shumë hapësira, të destinuara për banim, që
kanë një dalje të pavarur dhe që në momentin e Regjistrimit është e banuar, ose është e
destinuar për banim të një personi ose të një grup personash;
1.5. Agjencia e Statistikave të Kosovës - institucioni kompetent për statistika zyrtare, i
përcaktuar me Ligjin përkatës për Statistika Zyrtare të Republikës së Kosovës;
1.6. Regjistrimi - Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave;
1.7. KQR - Komisioni Qendror i Regjistrimit;
1.8. KKR - Komisioni Komunal i Regjistrimit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
3
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
KAPITULLI II
METODAT E REGJISTRIMIT
Neni 4
Detyrimi për t’iu përgjigjur regjistrimit
1. Çdo banor i Republikës së Kosovës detyrohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia
ofrojë të gjitha të dhënat e sakta për vete dhe për të afërmit e tij/saj.
2. Çdo banor është i lirë të tregojë më shumë se një përkatësi etnike në rastet e natyralizimit,
apo prindërve të përkatësive të ndryshme etnike.
3. Çdo banor është i lirë të mos e deklarojë përkatësinë e saj/tij etnike dhe religjioze.
4. Për personin nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeçare, zyrtarit për regjistrim i ofron të dhënat
njëri nga prindërit, person tjerë madhor, ose kujdestari.
Neni 5
Autoriteti dhe metoda e Regjistrimit
1. Regjistrimin e organizon dhe e realizon Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes organeve
përkatëse, të përcaktuara me dispozitat e këtij ligji.
2. Agjencia e Statistikave të Kosovës me vendim do të përcaktojë metodën e grumbullimit të të
dhënave të Regjistrimit.
Neni 6
Koha dhe afati i Regjistrimit
1. Data e Regjistrimit dhe kohëzgjatja i propozohet Qeverisë nga Agjencia e Statistikave të
Kosovës ndërsa Vendimi për datën e Regjistrimit merret nga Qeveria, jo më vonë se nëntë (9)
muaj para datës së Regjistrimit.
2. Anketa Pas Regjistruese (APR) realizohet jo më vonë se një (1) muaj pas përfundimit të
Regjistrimit në mënyrë që të vlerësohen mbulueshmëria dhe cilësia e të dhënave të mbledhura
në Regjistrim.
Neni 7
Objekt i Regjistrimit
1. Objekt i regjistrimit janë:
1.1. Popullsia;
1.2. Ekonomitë familjare; dhe
1.3. Banesat/shtëpitë.
Neni 8
Të dhënat e grumbulluara nga Regjistrimi
1. Të dhënat e grumbulluara nga Regjistrimi kategorizohen në:
1.1. Të dhënat për banorë: adresa-vendbanimi rezident, të dhënat demografike, të
dhënat mbi migrimin, niveli i shkollimit, punësimi, aftësitë e kufizuara, dhe çështje të tjera
sociale e ekonomike;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
4
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
1.2. Të dhënat për ekonomitë familjare: përbërja dhe raporti i anëtarëve në ekonominë
familjare, statusi i banimit dhe modalitetet e tjera, sipas udhëzimeve të tjera metodologjike;
1.3. Të dhënat për banesë /shtëpi: karakteristikat kryesore të banesës/shtëpi, përfshirë
statusin e banesës/shtëpisë, pronësinë, numrin e dhomave dhe pajisjet e tjera të
infrastrukturës për banesë/shtëpi.
Neni 9
Mbrojtja e të dhënave dhe konfidencialiteti
1. Institucionet dhe personat përgjegjës sipas këtij ligji janë të obliguar që gjatë dhe pas procesit
të regjistrimit:
1.1. Të ruajnë fshehtësinë e plotë të të dhënave individuale të ekonomisë familjare dhe
të personit të regjistruar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe Ligjit përkatës për
Statistikat Zyrtare të Republikës së Kosovës, si dhe me legjislacionin tjetër përkatës për
mbrojtjen e të dhënave personale;
1.2. Mos lejimin e qasjes së paautorizuar në bazën dhe/ose qendrën, ku është bërë
ruajtja e të dhënave grupore dhe individuale të Regjistrimit;
1.3. T’i trajtojnë si të dhëna anonime të gjitha të dhënat personale të të regjistruarve,
gjatë dhe pas Regjistrimit, kontrollit teknik dhe të vërtetimit të saktësisë së tyre.
2. Të dhënat e grumbulluara, qoftë ato grupore apo individuale, janë anonime për palën e tretë
dhe përdoren vetëm për qëllime statistikore të regjistrimit. Kushdo që shfrytëzon të dhënat
statistikore të regjistrimit është i obliguar të ruaj fshehtësinë profesionale në bazë të legjislacionit
në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Personeli, i angazhuar në procesin e Regjistrimit është i obliguar t’i ruajë të dhënat nga
Regjistrimi si informacione të fshehta, të mbrojtura me legjislacionin në fuqi.
Neni 10
Rezultatet e Regjistrimit
1. Agjencia e Statistikave të Kosovës publikon:
1.1. Rezultatet paraprake të Regjistrimit, jo më vonë se tre (3) muaj pas përfundimit të
mbledhjes së të dhënave të Regjistrimit.
2. Rezultatet përfshijnë së paku:
2.1. Numrin e popullsisë rezidente sipas gjinisë;
2.2. Numrin e ekonomive familjare; dhe
2.3. Numrin e banesave.
3. Rezultatet e para përfundimtare të Regjistrimit publikohen më së voni pesëmbëdhjetë (15)
muaj pas përfundimit të mbledhjes së të dhënave të Regjistrimit. Raportet e tjera publikohen
brenda tri (3) viteve, pas Regjistrimit.
Neni 11
Pyetësori dhe dokumentacioni për Regjistrim
1. Dokumentet për Regjistrim, të përgatitura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, janë:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
5
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
1.1. Pyetësori individual;
1.2. Pyetësori i ekonomisë familjare;
1.3. Pyetësori për banesë;
1.4. Pyetësori për popullsinë jo rezidente;
1.5. Pyetësori për banesa kolektive; dhe
1.6. Pyetësori për ekonomi familjare Institucionale.
2. Me propozim të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Këshilli Statistikor bënë shqyrtimin
e pyetësorëve të Regjistrimit, pa ndërhyrë në çështjet thelbësore dhe e përcjellë të Kryeshefi
Ekzekutiv i ASK-së për aprovim. Pyetësorët aprovohen gjashtë (6) muaj para Regjistrimit.
KAPITULLI III
DISPOZITAT ADMINISTRATIVE
Neni 12
Agjencia e Statistikave të Kosovës
1. Detyrat dhe përgjegjësitë:
1.1. Planifikon, drejton dhe realizon detyrat dhe përgjegjësitë, përfshirë burimet njerëzore
dhe financiare, në kuadër të projektit të Regjistrimit;
1.2. Përpilon programin e punës, përcakton metodologjinë, zgjedh mjetet përkatëse
teknike dhe programet e softuerit, harton pyetësorët, nxjerr udhëzime dhe vendime të
nevojshme, si dhe udhëheq në mënyrë të pavarur përgatitjet për realizimin e Regjistrimit
mbi baza profesionale dhe shkencore;
1.3. Organizon punën për:
1.3.1. Dizajnimin e pyetësorëve dhe aplikacionin siç përcaktohet me dispozitat e
ligjit për përdorimin e gjuhëve zyrtare në Republikën e Kosovës;
1.3.2. Udhëzimet metodologjike;
1.3.3. Harta të qarqeve regjistruese;
1.3.4. Pajisje e domosdoshme; dhe
1.4. Brendimin e Regjistrimit;
1.5. Pranon të dhënat dhe/ose dokumentacionin e plotësuar gjatë dhe pas Regjistrimit;
1.6. Cakton kriteret për përzgjedhjen e koordinatorëve, monitoruesve, mbikëqyrësve dhe
regjistruesve; emëron koordinatorët, monitoruesit dhe mbikëqyrësit nëpër Komisionet
Komunale të Regjistrimit; harton listën e ngushtë për regjistrues, si dhe merr pjesë në
përzgjedhjen e tyre;
1.7. Zgjedh dhe cakton stafin e nevojshëm përfshirë ekspertët shkencorë dhe profesionalë;
1.8. Organizon dhe mbikëqyrë trajnimin profesional dhe metodologjik të anëtarëve të
komisioneve komunale dhe mbikëqyrësve të Regjistrimit;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
6
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
1.9. Siguron përkrahje profesionale dhe metodologjike për Komisionet Komunale në
përgatitjen dhe zbatimin e Regjistrimit;
1.10. Informon dhe kërkon nga autoritetet dhe organet përgjegjëse të Qeverisë për hapat
që duhet ndërmarrë;
1.11. Zhvillon fushatën sensibilizuese dhe informon publikun;
1.12. Dorëzon te Komisioni Komunal i Regjistrimit (KKR) të gjithë materialin e
regjistrueseve për atë Komunë;
1.13. Prezanton dhe publikon rezultatet preliminare dhe përfundimtare të Regjistrimit.
Neni 13
Komisioni Qendror i Regjistrimit
1. Komisioni Qendror i Regjistrimit (KQR) është institucioni më i lartë për mbikëqyrjen e
Regjistrimit.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës zgjedh Komisionin Qendror të Regjistrimit me propozim të
Qeverisë. KQR duhet të jetë funksional, jo më vonë se nëntë (9) muaj para datës së Regjistrimit.
3. Komisioni Qendror i Regjistrimit mbikëqyrë përgatitjen, organizimin dhe kryerjen e Regjistrimit.
4. Komisioni Qendror i Regjistrimit përbëhet nga Kryesuesi, zëvendës kryesuesi dhe anëtarët
e tjerë si vijon:
4.1. Kryesuesi caktohet nga Zyra e Kryeministrit, profesionist nga fusha që ndërlidhet me
statistika;
4.2. Një (1) përfaqësues nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, zëvendës kryesues;
4.3. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Financave, Punës dhe Transfereve,
anëtar;
4.4. Menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, anëtar;
4.5. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe
Inovacionit, anëtar;
4.6. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
anëtar;
4.7. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit
Rural, anëtar;
4.8. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;
4.9. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Punëve të Brendshme, anëtar;
4.10. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe
Infrastrukturës, anëtar;
4.11. Një (1) përfaqësues nga Ministria përkatëse për Komunitete dhe kthim, anëtar;
4.12. Një (1) përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtar;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
7
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
4.13. Një (1) përfaqësues i organizatave ndërkombëtare në Kosovë, anëtar;
4.14. Një (1) Përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës, anëtar;
4.15. Një (1) përfaqësues nga Agjencia për Barazi Gjinore, anëtar;
4.16. Një (1) përfaqësues nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, anëtar;
4.17. Një (1) përfaqësues nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, anëtar.
5. Nëse një (1) anëtar i KQR-së largohet për shkaqe të ndryshme, zëvendësimi i tij bëhet me
propozim nga institucioni përkatës dhe aprovohet nga Komisioni Qendror i Regjistrimit.
6. Mandati i Komisionit Qendror të Regjistrimit përfundon me publikimin e të dhënave paraprake.
Neni 14
Kompetencat e Komisionit Qendror të Regjistrimit
1. Komisioni Qendror i Regjistrimit:
1.1. Miraton rregulloren e punës për Komisionin Qendror të Regjistrimit, pa ndikuar në
kompetenca profesionale dhe organizative në Regjistrim;
1.2. Mbikëqyr fazat e përgatitjes dhe mbarëvajtjes së Regjistrimit;
1.3. Formon dhe miraton anëtarët e KKR-it, dhe informon komunat për detyrat dhe
përgjegjësitë e tyre.
Neni 15
Komisioni Komunal i Regjistrimit
1. Komisioni Komunal i Regjistrimit (KKR), formohet në secilën komunë. KKR-ja përfaqëson
strukturën etnike të popullsisë, duke marrë në konsideratë dispozitat ligjore për përfaqësimin e
komuniteteve jo shumicë.
2. KKR formohet së paku gjashtë (6) muaj para datës së Regjistrimit.
3. KKR obligohet t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin në kohë, në cilësi, në
saktësi dhe në besueshmëri, të të gjitha aktiviteteve, përfshirë ruajtjen e fshehtësisë.
4. Numri i anëtarëve të KKR-së përcaktohet varësisht nga numrit i banorëve në atë komunë.
Bazë për numrin e banorëve merret Vlerësimi i fundit mbi numrin e popullsisë në atë komunë,
të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës;
4.1. Komuna me mbi tetëdhjetëmijë (80 000) banorë, ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë;
4.2. Komuna deri në tetëdhjetëmijë (80 000) banorë ka nëntë (9) anëtarë;
4.3. Komuna deri në tridhjetëmijë (30 000) banorë ka shtatë (7) anëtarë; dhe
4.4. Komuna me numër deri në dhjetëmijë (10 000) banorë ka pesë (5) anëtarë.
5. KKR në përbërje ka:
5.1. Kryetarin e Komunës;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
8
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
5.2. Një (1) përfaqësues nga Agjencia e Statistikave të Kosovës;
5.3. Një (1) përfaqësues nga Shoqëria Civile;
5.4. Anëtarët e tjerë, në përputhje me paragrafin 4 të këtij neni, përcaktohen nga Kryetari
i Komunës, duke marrë për bazë edhe përfaqësimin e komuniteteve që jetojnë në atë
Komunë.
6. Në rast se Kryetari i Komunës nuk përcakton anëtarët e tjerë brenda afatit të caktuar në këtë
Ligj për formimin e KKR-së, ata përcaktohen nga Komisioni Qendror i Regjistrimit.
7. Detyrat e KKR-së:
7.1. Siguron hapësirat për trajnime dhe aktivitetet e tjera (tre (3)) muaj para datës së
fillimit të Regjistrimit); siguron së paku një zyrë për një periudhë dy (2) mujore para dhe
gjatë Regjistrimit; si dhe një periudhë dy (2) javore pas Regjistrimit;
7.2. Ofron ndihmë teknike gjatë trajnimeve, merr pjesë në trajnime, organizon dhe realizon
projektin e Regjistrimit në komunën përkatëse, duke marrë në konsideratë kërkesat e
përcaktuara sipas ligjit për përdorimin e gjuhëve;
7.3. Zbaton rekomandimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës;
7.4. Merr pjesë në përzgjedhjen e regjistruesve në komunë, sipas njoftimeve në
bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës;
7.5. Ndërhyn në çdo situatë që shfaqet si pengesë gjatë procesit të Regjistrimit;
7.6. Mbikëqyr regjistruesit, siguron funksionimin normal gjatë fazës së Regjistrimit;
7.7. Koordinon aktivitet me mbikëqyrësit dhe stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës;
7.8. Pranon, shpërndan dhe grumbullon materialet/dokumentet sipas njoftimeve të
Agjencisë së Statistikave të Kosovës;
7.9. Raporton çdo javë, lidhur me zhvillimin e procesit të Regjistrimit, brenda territorit të
komunës.
Neni 16
Kompensimi
Kompensimi i personelit të angazhuar në projektin e Regjistrimit të Popullsisë, brenda dhe jashtë
Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bëhet sipas Projekt-Planit të Regjistrimit që përgatitet nga
Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Neni 17
Informimi
1. Agjencia e Statistikave të Kosovës është përgjegjëse për krijimin zhvillimin dhe ruajtjen e
imazhit të Regjistrimit para opinionit publik në vend. Bën publike, përmes mediave dhe fushatës
së gjerë të sensibilizimit, qëllimet, procedurat dhe obligimet institucionale dhe qytetare sipas
këtij ligji.
2. Fushata e Informimit realizohet në përputhje me Strategjitë e Komunikimit dhe Sensibilizimit
të përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
9
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
Neni 18
Hartat
Agjencia e Statistikave të Kosovës përgatit, së paku gjashtë (6) muaj para datës së Regjistrimit, të
gjitha hartat e nevojshme, të përditësuara, për secilin Qark Regjistrues dhe listat e tjera përcjellëse.
Neni 19
Përpunimi i të dhënave
1. Agjencia e Statistikave të Kosovës përgatit si vijon:
1.1. Qendrën e të Dhënave (Bazën e të dhënave) për dërgimin, ose transmetimin, e të
dhënave nga terreni, si dhe siguron që baza e të dhënave i plotëson kriteret e ruajtjes së
fshehtësisë, ruajtjen dhe sigurinë kibernetike, si dhe qasjen e paautorizuar;
1.2. Hapësirat punuese për Regjistrim si: zyrat për punë shtesë, për diskutim, trajnim,
deponim, salla mbështetëse për punë në terren, si dhe hapësira të tjera të nevojshme,
sigurohen së paku nëntë (9) muaj para Regjistrimit.
Neni 20
Personeli i Regjistrimit
1. Detyrat dhe përgjegjësitë e personelit të Regjistrimit janë si vijon:
1.1. Personeli i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, së bashku me ekspertët, përgatit
infrastrukturën dhe instrumentet e Regjistrimit, planifikimet, trajnimet, mbikëqyrjen,
përpunimin, analizimin, tabelimin e të dhënave të grupuara, prodhimin dhe publikimin e
rezultateve të Regjistrimit;
1.2. Personeli i Agjencisë së Statistikave të Kosovës organizon dhe përgatit
dokumentacionin, shpërndan informacionet e nevojshme, bën sensibilizimin, mbështet
me logjistikë dhe benë administrimin e Regjistrimit në terren;
1.3. Koordinatori dhe monitoruesi - bëjnë koordinimin ndërmjet KKR-së dhe Agjencisë
së Statistikave të Kosovës, si dhe mbikëqyr procesin e Regjistrimit në komunën e tij/saj;
14. Mbikëqyrësi - merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim,
ndihmon dhe e kontrollon punën e regjistruesve;
1.5. Mbikëqyrësi rezervë - merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim
dhe aktivizohet në punë, me propozim ASK, në rastet kur kërkohet;
1.6. Regjistruesi – merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim,
shkon derë më derë për ta zhvilluar intervistën, duke i plotësuar saktë pyetjet në module/
pyetësorë të Regjistrimit;
1.7. Regjistruesi rezervë - merr pjesë në trajnim, pajiset me autorizim zyrtar për Regjistrim
dhe aktivizohet në punë me propozim të mbikëqyrësit në rastet kur kërkohet.
Neni 21
Financimi i Regjistrimit
1. Financimi i Regjistrimit bëhet nga dy (2) burime:
1.1. Buxheti i Kosovës; dhe
1.2. Donatorët.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
10
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
2. Projektbuxheti përgatitet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
3. Marrëveshjet financiare për fondet, që grumbullohen nga donatorët, specifikohen përmes
memorandumit të mirëkuptimit (MeM), ose marrëveshjeve.
KAPITULLI IV
DISPOZITAT NDËSHKIMORE
Neni 22
Ndalimi i grumbullimit të të dhënave të ngjashme
1. Përveç organeve dhe/ose institucioneve që janë autorizuar shprehimisht me këtë ligj, u
ndalohet të gjithë individëve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare, grumbullimi i të
dhënave të ngjashme brenda territorit të Republikës së Kosovës gjatë një periudhe kohore prej
tre (3) muajsh para realizimit të Regjistrimit, gjatë kohës së grumbullimit të të dhënave, si dhe
tre (3) muaj pas regjistrimit.
2. Gjatë periudhave të specifikuara në paragrafin 1 të këtij neni nuk zhvillohet asnjë aktivitet
tjetër statistikor në nivel qendror apo lokal që mund të ndikojë në Regjistrim.
3. Regjistrimi i Popullsisë nuk realizohet në situata të veçanta, si: zgjedhjet qendrore, lokale,
trazirat sociale dhe faktorë të jashtëm në një periudhë jo më pak se gjashtë (6) muaj para
Regjistrimit. Në raste të jashtëzakonshme, data e Regjistrimit rishikohet.
Neni 23
Sanksionet kundërvajtëse me gjobë
1. Personeli i angazhuar në Regjistrim, për çdo shkelje të rregullave të parapara në nenin 9 të
këtij ligji, ndëshkohet me gjobë në shumën prej tridhjetë (30) euro deri në dymijë (2,000) euro.
2. Me përjashtim të të dhënave sipas nenit 4, paragrafit 3 të këtij ligji, personi i cili refuzon t’i jap
të dhënat që i kërkon regjistruesi ose personi tjetër i autorizuar për Regjistrim, të përcaktuara
në nenin 4 të këtij ligji, ose me vetëdije jep informata të pakompletuara dhe të pasakta, dënohet
me gjobë si vijon:
2.1. Personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë në shumën
prej tridhjetë (30) euro deri në dymijë (2,000) euro;
2.2. Personi fizik që ushtron biznes individual, dënohet me gjobë në shumën prej dyqind
(200) euro deri në pesëmijë (5,000) euro;
2.3. Personi juridik dënohet me gjobë në shumën prej pesëqind (500) euro deri në
njëzetmijë (20,000) euro.
KAPITULLI V
DISPOZITAT ANKIMORE
Neni 24
Ankesa
1. Kundër veprimeve që ndërlidhen me vendimet e marra në proces të Regjistrimit palët e
pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat tridhjetë ditor (30) në Agjencinë e Statistikave të
Kosovës.
2. Procedura e ankimimit zhvillohet në përputhje me dispozitat e Ligjit përkatës për Procedurën
e Përgjithshme Administrative.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 22 / 11 GUSHT 2022, PRISHTINË
11
LIGJI NR.08/L-114 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, EKONOMIVE FAMILJARE DHE BANESAVE
KAPITULLI VI
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 25
Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji Nr. 03/L-237 për Regjistrimin e Popullsisë,
Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Kosovë.
Neni 26
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 08/L-114
21 korrik 2022
Shpallur me dekretin Nr. DL-255/2022, datë 08.08.2022 nga Presidentja e Republikës
së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu