LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
61
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
LIGJI NR. 08/L-108
PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË
DHURATAVE
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË
DHURATAVE
KAPITULLI
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e sistemit të deklarimit të pasurisë, duke përfshirë mënyrat
dhe procedurat e deklarimit të pasurisë dhe të dhuratave, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë
së deklaruar dhe të dhuratave, si dhe subjektet deklaruese me qëllim të parandalimit të
korrupsionit, konfliktit të interesit dhe fuqizimin e integritetit të institucioneve publike, përfshirë
edhe sanksionimin.
Neni 2
Fushëveprimi
Ky ligj zbatohet nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe nga institucionet përkatëse
si dhe është i detyrueshëm për subjektet të cilët obligohen të deklarojnë pasurinë e tyre sipas
këtij ligji.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Agjenci - Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit;
1.2. Anëtarët e familjes - bashkëshorti, bashkëshorti jashtëmartesorë, prindërit dhe
fëmijët;
1.3. Dhurata e protokollit - dhurata e dhënë nga një përfaqësues i një vendi tjetër ose
organizate ndërkombëtare, dhënë gjatë një vizite ose rasti tjetër;
1.4. Dhuratat e rastit - dhurata e pranuar në ndonjë rast të veçantë që nuk ndërlidhen
më ushtrimin e funksionit publik;
1.5. Funksion - çdo funksion publik në bazë të një emërimi ose punësimi të përkohshëm
ose të përhershëm, të paguar ose jo, i kryer nga çdo person fizik në emër të shtetit ose
në shërbim të shtetit ose institucioneve të tij;
1.6. Funksion privat - çdo angazhim në sektorin privat, të përkohshëm ose të
përhershëm, i paguar ose jo, i kryer nga funksionari publik krahas funksionit publik;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
62
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
1.7. Pasuri - të gjitha të hyrat, pasurinë dhe detyrimet, qofshin ato materiale ose jo
materiale, pasuria e paluajtshme dhe e luajtshme e subjektit deklarues dhe anëtarit të
familjes së tij;
1.8. Pasuri e paluajtshme - të gjitha pronat që ka në pronësi subjekti deklarues dhe
anëtari i familjes së tij, përfshirë pronën e paluajtshme që është në shfrytëzim përmes
marrëveshjeve të qirasë, vendimeve për dhënie në shfrytëzim ose çdo lloj tjetër
marrëveshjeje, kontrate, vendimi që rregullon shfrytëzimin dhe/ose posedimin e pasurisë
së paluajtshme, siç është e dokumentuar nga dokumentet pronësore;
1.9. Pasuri e luajtshme - veturat, stolitë, veprat e artit, koleksionet e armëve, kafshët,
enterierin, veshmbathje apo mallra shtëpiake, dhe çdo send tjetër i luajtshëm vlera e të
cilit kalon shumën prej tremijë Euro (3,000€) siç dokumentohet nga një kontratë, faturë
ose dokument i ngjashëm që i ka në pronësi subjekti deklarues dhe anëtari i familjes së
tij;
1.10. Person zyrtar – personat zyrtarë siç janë përcaktuar me Kodin Penal;
1.11. Prejardhja e pasurisë - historiku i fitimit të pasurisë nga ana e subjektit deklarues
vërtetësia e të cilës verifikohet përmes dëshmive të ofruara nga subjekti deklarues apo
që Agjencia merr në dispozicion nga burimet tjera;
1.12. Pronar përfitues - siç përcaktohet me Ligjin për Parandalimin e Pastrimit te
Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit;
1.13. Subjekti deklarues - zyrtari i cili sipas këtij ligji ka obligim të deklarojë pasurinë e
tij;
1.14. Vlera e pasurisë - vlerën e caktuar sipas kontratës se shitblerjes, faturës apo
dëshmisë se transaksionit. Në rastet kur mungon kontrata, fatura apo dëshmia e
transaksionit, ose në rastet kur pasuria e paluajtshme është trashëguar, dhuruar, falur
apo blerë shumë kohë më parë, vlera deklarohet sipas vlerësimit nga institucionet
përkatëse. Për pasurinë e paluajtshme shërben vlerësimi për qëllim të tatimit në pronë;
1.15. Zyrtar i lartë - të gjithë zyrtarët siç përcaktohen në nenin 4 të këtij ligji;
1.16. Zyrtar publik - të gjithë zyrtarët siç përcaktohen në nenin 5 të këtij ligji;
1.17. Zyrtar Kontaktues - zyrtari i caktuar që do të shërbejë si pikë kontakti në mes të
Agjencisë dhe institucionit dhe / ose subjektit deklarues;
1.18. ZKA - Zyrtari Kryesor Administrativ sipas legjislacionit përkatës për menaxhimin e
financave publike dhe përgjegjësitë.
Neni 4
Zyrtarët e lartë
1. Për qëllimet e këtij ligji, lista e zyrtarëve të lartë është si më poshtë:
1.1. Presidenti i Republikës së Kosovës;
1.2. Kryetari i Kuvendit;
1.3. Deputetët e Kuvendit;
1.4. Kryeministri dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
63
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
1.5. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe
gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese;
1.6. Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të gjithë Kryetarët e Gjykatave;
1.7. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit dhe të gjithë
kryeprokurorët tjerë;
1.8. Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
1.9. Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës;
1.10. Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
1.11. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës;
1.12. Avokati i Popullit;
1.13. Guvernatori dhe anëtarët e bordit të Bankës Qendrore të Kosovës;
1.14. Kryesuesi, anëtarët e bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe
Drejtori Menaxhues;
1.15. Kryesuesit dhe anëtarët e bordeve dhe drejtorët e përgjithshëm të ndërmarrjeve
publike;
1.16. Auditori i Përgjithshëm;
1.17. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave;
1.18. Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore;
1.19. Kryetarët e Komunave;
1.20. Zëvendës kryeministrat dhe zëvendës ministrat e Qeverisë së Kosovës;
1.21. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe anëtarët e Këshillit Prokurorial, Gjyqtarët dhe
Prokurorët;
1.22. Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës;
1.23. Zëvendësit e Avokatit të Popullit;
1.24. Ambasadorët dhe konsujt;
1.25. Udhëheqësit e agjencive të pavarura dhe agjencive ekzekutive ose pozitat e
barasvlershme të përcaktuara me ligj ose me akt tjetër nënligjor, dhe zëvendësit e tyre;
1.26. Të gjithë zyrtarët që ushtrojnë përgjegjësitë e ZKA-së, përfshirë: Sekretari i
Përgjithshëm i Kuvendit, Sekretari i Përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit dhe Sekretarët
e Përgjithshëm të Ministrive, Sekretari i Gjykatës Kushtetuese, Drejtori i Sekretariatit të
Këshillit Gjyqësor, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial;
1.27. Këshilltarët e Presidentit të Republikës së Kosovës, Këshilltarët e Kryetarit të
Kuvendit të Republikës së Kosovës, Këshilltarët e Kryeministrit të Republikës së Kosovës
dhe Këshilltarët e ministrave të Qeverisë së Kosovës, përfshirë këshilltarët e jashtëm
politikë;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
64
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
1.28. Zëvendësdrejtorët e Policisë së Kosovës, Drejtorët e Divizioneve, Drejtorët e
Departamenteve, Drejtorët e Drejtorive, Drejtorët Rajonalë të Policisë së Kosovës dhe
Komandantët e Stacioneve Policore të Kosovës;
1.29. Zëvendës Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Inspektori i Përgjithshëm
i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, dhe pozitat publike të Agjencisë së Kosovës për
Inteligjencë, siç është paraparë me ligj të veçantë;
1.30. Udhëheqësi i Sekretariatit dhe anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
1.31. Zëvendës guvernatorët e Bankës Qendrore të Kosovës;
1.32. Kryeshefi ekzekutiv, Kryetari, nënkryetarët dhe anëtarët e Komisionit të Pavarur
për Media;
1.33. Anëtarët e organeve kolegjiale të agjencive të pavarura, të ndërmarrjeve publike
në nivelin qendror dhe lokal, kryeshefat ekzekutivë të ndërmarrjeve publike në nivelin
qendror dhe lokal, sekretarët e ndërmarrjeve publike në nivelin qendror dhe lokal,
anëtarët e autoriteteve rregullatore, anëtarët e Komisioneve ose Agjencive të tjera të
themeluara me ligj ose akt tjetër nënligjor;
1.34. Nënkryetarët e Komunave, Kryesuesit, nën-kryesuesit, Drejtorët e Drejtorive
Komunale;
1.35. Rektorët dhe prorektorët e Universiteteve Publike, anëtarët e Këshillave Drejtuese
të Universiteteve Publike, Dekanët dhe Prodekanët, dhe Sekretarët e Universiteteve
Publike dhe të Njësive Akademike;
1.36. Udhëheqësit e të gjitha departamenteve, drejtorive, njësive të auditimit dhe njësive
të barasvlershme, udhëheqësit e financave, buxhetit në të gjitha institucionet publike në
nivelin lokal dhe qendror dhe në ndërmarrjet publike në nivelin lokal dhe qendror;
1.37. Udhëheqësit dhe personat përgjegjës të prokurimit publik;
1.38. Zëvendësdrejtorët, drejtorët rajonalë dhe menaxherët e Doganave dhe të
Administratës Tatimore të Kosovës.
2. Të emëruarit nga Presidenti, Kuvendi, Kabineti Qeveritar, Kryeministri dhe ministrat,
nënkupton të gjithë të emëruarit pozitat e të cilëve janë të barasvlershme me ato të përcaktuara
në paragrafin 1. të këtij neni.
3. Të gjithë zyrtarët që janë ushtrues/zëvendësues të detyrës në pozitat e cekura në paragrafin
1. të këtij neni, të cilët e ushtrojnë detyrën për më shumë se tre (3) muaj, janë të detyruar të
deklarojnë pasurinë e tyre jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga dita kur është tejkaluar periudha
tre (3) mujore.
4. Zyrtarët e lartë të emëruar me vendim dhe që nuk posedojnë shtetësinë e Republikës së
Kosovës nuk janë të obliguar për deklarim të pasurisë.
Neni 5
Zyrtarët publik
1. Për qëllimet e këtij ligji, zyrtarët publik të cilët janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre
sipas këtij ligji janë si në vijim:
1.1. mjekët e licencuar që ushtrojnë veprimtari në institucionet publike në nivelin
dytësor dhe terciar;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
65
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
1.2. profesorët e Universiteteve Publike, duke përfshirë profesorin asistent, profesorin e
asocuar dhe profesorin e rregullt;
1.3. ekspertët mjeko-ligjor dhe të psikiatrisë forenzike;
1.4. auditorët e brendshëm si dhe auditorët në zyrën kombëtare të auditimit;
1.5. inspektorët policor;
1.6. inspektorët e nivelit qendror dhe lokal nga Zyra e Kryeministrit, ministritë, sistemi
gjyqësor dhe prokurorial, agjencitë ekzekutive, agjencitë e pavarura, komisionet,
inspektorët në komuna dhe rregullatorët e ndryshëm të themeluar me ligj;
1.7. zyrtarët e prokurimit publik në të gjitha institucionet publike të nivelit lokal dhe qendror
dhe në ndërmarrjet publike të nivelit lokal dhe qendror;
1.8. ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik;
1.9. pozitat menaxheriale në Gjykata dhe Prokurori;
1.10. zyrtarët doganor, inspektorët tatimor si dhe hetuesit policor, dhe
1.11. udhëheqësit e njësive dhe zyrtarët që kryejnë detyra hetimi, inspektimi, licencimi,
verifikimi apo certifikimi në Zyrën e Kryeministrit, ministritë, sistemi gjyqësor dhe
prokurorial, agjencitë ekzekutive, agjencitë e pavarura, komisionet, inspektorët në
komuna dhe rregullatorët e ndryshëm të themeluar me ligj.
2. Agjencia e përcakton dhe përditëson rregullisht listën e pozitave të cilave u kërkohet deklarimi
i pasurisë sipas këtij neni, përmes një akti nënligjor të miratuar nga Drejtori i Agjencisë. Agjencia
siguron që lista do të jetë publike dhe e qasshme, ndërsa bartësit e atyre pozitave njoftohen
nga zyrtarët kontaktues.
3. Zyrtarët publik të emëruar me vendim dhe që nuk posedojnë shtetësinë e Republikës së
Kosovës nuk janë të obliguar për deklarim të pasurisë.
KAPITULLI II
DEKLARIMI I PASURISË, TË ARDHURAVE, PËRFITIMEVE MATERIALE DHE
DETYRIMEVE FINANCIARE
Neni 6
Deklarimi i pasurisë
1. Deklarimi i pasurisë përfshinë:
1.1. emrin dhe mbiemrin e subjektit deklarues, datën e lindjes, numrin personal, gjendjen
civile dhe emrin e njërit prind si dhe numrin fiskal nëse e ka;
1.2. emrin dhe mbiemrin e anëtarëve të familjes të subjektit deklarues, datën e lindjes,
numrin personal, gjendjen civile dhe lidhjen me subjektin deklarues;
1.3. adresën e vendbanimit të përhershëm dhe adresat e vendbanimeve të mundshme
të përkohshme;
1.4. pozitën aktuale deklaruese dhe funksionet tjera në sektorin publik dhe privat, përfshi
periudhën kohore të ushtrimit të funksionit;
1.5. të dhënat mbi pronësinë, bashkëpronësinë apo aksionet, pozitat menaxhuese ose
të drejtat e tjera në ndonjë kompani, institucion privat ose ndonjë aktivitet tjetër privat me
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
66
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
një përshkrim të aktivitetit, deklarimi i bizneseve pavarësisht statusit të tyre në Agjencinë
përgjegjëse për regjistrim të bizneseve si dhe një përshkrim të emrit të regjistruar apo
emrit të organizatës;
1.6. të dhënat mbi pronësinë, bashkëpronësinë apo aksionet dhe të drejtat që bizneset
ose subjektet e tjera të përmendura në nën-paragrafin 1.5. kanë në një tjetër kompani,
institut apo aktivitet privat me përshkrimin e emrit të regjistruar apo emrit të organizatës;
1.7. pronësinë përfituese së bashku me pronësinë apo bashkëpronësinë si dhe kursimet
e anëtarëve të familjes;
1.8. të hyrat personale neto për vitin, nga paga ose pjesëmarrja në borde, komisione
ose çdo veprimtari tjetër që sjellë të hyra personale neto, përfshirë dhe pagesat për
udhëtime jashtë vendit të ndara sipas udhëtimeve, si dhe pagesa apo shtesa të tjera të
detajuara për pjesëmarrje në, komisione dhe grupe të tjera të ngjashme. Të hyrat për
secilin angazhim, deklarohen të ndara;
1.9. pasurinë e paluajtshme, dhe të drejtat reale mbi to duke përfshirë informacionin për
sipërfaqen në metra katrorë ose hektarë, sipas rastit, numrin e parcelës, origjinën dhe/
ose mënyrën e blerjes apo përfitimit, vitin dhe çmimin e blerjes, dhe pronarin paraprak
nga i cili është përfituar;
1.10. pasurinë e luajtshme, përfshirë çdo pjesë të veçantë të pasurisë së luajtshme duke
përfshirë informacionin mbi origjinën dhe/ose mënyrën e blerjes apo përfitimit, vitin e
blerjes dhe çmimin e blerjes, dhe pronarin paraprak nga i cili është përfituar prona;
1.11. mjetet monetare të gatshme, mjetet monetare të depozituara në llogari rrjedhëse
dhe të kursimeve si dhe kursimet dhe interesat e fituara nga depozitat brenda dhe jashtë
vendit, përfshirë edhe në valutë të huaj, llogaritë në bankat jo rezidente, dividendat,
kursimet nga pjesëmarrja në skemat pensionale në truste apo kursimet tjera për vete
dhe anëtarët e tjerë te familjes, vlera e përgjithshme e të cilave tejkalon shumën tremijë
Euro (3,000€);
1.12. të dhënat mbi pronësinë, bashkëpronësinë apo aksionet dhe të drejtat që subjektet
deklaruese dhe anëtarët e familjes së tyre kanë në një tjetër kompani, institut apo aktivitet
privat me përshkrimin e emrit të regjistruar apo emrit të organizatës si dhe investimet në
këto aksione;
1.13. llojet dhe vlerat e letrave me vlerë dhe stoqet, duke përfshirë letrat me vlerë të
emetuara nga një qeveri e huaj dhe obligacione të korporatave nëse në kohën e deklarimit
të pasurive, vlera e përgjithshme e tyre tejkalon shumën tremijë Euro (3,000€);
1.14. borxhet, detyrimet ose garancitë e marra, kreditë dhe huazimet me të cilat deklaruesi
është ngarkuar apo i është shuar e drejta në pronësi, posedim apo shfrytëzim të pasurisë
së paluajtshme apo të luajtshme vlera e të cilave tejkalon shumën tremijë Euro (3,000€);
1.15. shpenzimet, donacionet dhe të gjitha transaksionet e realizuara gjatë periudhës
raportuese vlera e të cilave tejkalon shumën tremijë Euro (3,000€);
1.16. donacionet e bëra për ndonjë subjekt politik, pavarësisht llojit dhe vlerës së atij
donacioni;
1.17. të drejtat dhe të hyrat që realizohen nga të drejtat e pronësisë intelektuale nëse
gjatë periudhës së deklarimit vlera e tyre e përgjithshme tejkalon tremijë Euro (3,000€);
1.18. llojet dhe vlerat e monedhave digjitale, nëse në çdo kohë brenda periudhës së
deklarimit vlera e tyre e përgjithshme ka tejkaluar tre mijë euro (3,000€).
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
67
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
2. Në deklarimin e pasurisë, subjekti deklarues do të përfshijë të dhëna mbi origjinën e pasurisë
dhe të hyrave të përdorura për blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat
subjekti deklarues është i obliguar t’i deklarojë sipas këtij Ligji. Të dhënat mbi pasurinë e
trashëguar do të përfshijnë të dhënat mbi llojin dhe vlerën e trashëgimisë përfshirë edhe nga
kush e kanë trashëguar.
3. Të gjitha vlerat e pasurisë duhet të deklarohen sipas shumave të vendosura në kontrata
ose fatura, duke deklaruar edhe vitin e përfitimit. Nëse nuk është e mundur të përcaktohet
vlera e pasurisë, për shkak të fitimit të saj përmes procesit të trashëgimisë, dhurimit, apo e
ngjashme ajo duhet të raportohet me një përshkrim të hollësishëm, duke përfshirë vitin e fitimit
dhe mënyrën e fitimit.
4. Për të gjitha të dhënat e paraqitura në formularin e deklarimit të pasurisë, subjektet deklaruese
obligohen të ofrojnë dëshmitë përkatëse për prejardhjen e pasurisë sipas kërkesës së Agjencisë.
5. Agjencia mund të kërkojë çdo të dhënë të përmendur në paragrafin 1. të këtij neni nga të
dhënat zyrtare për ta verifikuar saktësinë e tyre, përfshirë edhe pasqyrat bankare që subjekti
deklarues i dorëzon Agjencisë sipas kërkesës, për të gjitha llogaritë në institucionet bankare e
financiare vendore dhe ndërkombëtare për vete dhe anëtarët e familjes së tij. Pasqyrat bankare
jepen vetëm për qëllim të kontrollit të plotë sipas këtij Ligji me qëllimin e verifikimit të të dhënave
të përfshira në deklarimin e pasurisë së subjektit deklarues dhe shtrihet vetëm për kohën e
ushtrimit të funksionit nga ana e subjektit i cili bën deklarimin e pasurisë në pajtim me këtë Ligj.
KAPITULLI III
LLOJET E DEKLARIMIT TË PASURISË
Neni 7
Rastet kur bëhet deklarimi i pasurisë

1. Deklarimi i pasurisë nga subjektet deklaruese bëhet në rastet si në vijim:
1.1. deklarimi me marrje të detyrës;
1.2. deklarimi i rregullt vjetor;
1.3. deklarimi pas mbarimit ose shkarkimit nga funksioni publik.
2. Në rastet kur subjekti deklarues kalon nga një pozitë deklaruese në një pozitë tjetër deklaruese,
nuk ka obligim të bëjë deklarimin me marrjen e detyrës. I njëjti duhet të bëjë vetëm deklarimin
e rregullt vjetor siç parashihet me këtë ligj.
Neni 8
Deklarimi me rastin e marrjes së detyrës së subjekteve deklaruese
1. Pas marrjes së një funksioni publik, subjekti deklarues, deklaron gjendjen aktuale të pasurisë
dhe prejardhjen e tyre brenda afatit prej tridhjetë (30) ditëve, nga marrja e detyrës.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, subjekti deklarues nuk deklaron pasurinë me rastin
e marrjes së detyrës, nëse subjekti deklarues nuk ushtron funksionin më shumë se tridhjetë
(30) ditë.
Neni 9
Deklarimi i rregullt vjetor i subjekteve deklaruese
1. Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë, bëhet gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik nga 1
marsi deri më 31 mars të çdo viti kalendarik për vitin paraprak për periudhën nga 1 janari deri
më 31 dhjetor.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
68
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, në rastet kur në vitin paraprak është bërë deklarimi
sipas nenit 8 të këtij Ligji, deklarimi i rregullt vjetor mbulon vetëm periudhën prej ditës se emërimit
të subjektit deklarues deri me datën 31 dhjetor të periudhës raportuese.
Neni 10
Deklarimi pas përfundimit të funksionit
1. Pas përfundimit të funksionit, subjekti deklarues brenda tridhjetë (30) ditëve paraqet deklarimin
e pasurisë për periudhën e mbetur të padeklaruar nga deklarimi i fundit i rregullt vjetor.
2. Deklarimi i pasurisë bëhet në bazë të gjendjes aktuale në ditën e dorëzimit elektronik të
formularit.
3. Përjashtimi i paraparë me nenin 8 paragrafi 2. i këtij Ligji është i aplikueshëm edhe për këtë
deklarimin e paraparë me këtë nen.
Neni 11
Deklarimi elektronik
1. Subjektet deklaruese obligohen të deklarojnë pasurinë në mënyrë elektronike duke përdorur
sistemin e Agjencisë për deklarimin elektronik.
2. Deklarimi i pasurisë monitorohet dhe kontrollohet nga Agjencia. Agjencia ka qasje në të
dhënat e të gjitha deklarimeve të pasurisë të subjekteve deklaruese.
3. Çdo subjekt deklarues ka qasje të sigurt dhe individuale në sistemin elektronik për deklarimin
e pasurisë dhe ka qasje të pakufizuar dhe të plotë në deklarimin e tij.
4. Platforma mundëson qasje të lehtë në të dhënat e deklarimeve të subjekteve deklaruese me
qëllim të analizimit të të dhënave të kërkueshme përkitazi me analiza individuale, sektoriale ose
analiza të tjera me interes për publikun.
5. Të gjitha të dhënat e përfshira në deklarim të pasurisë nga ana e subjekteve deklaruese
ruhen në formë elektronike.
6. Agjencia për Shoqërinë e Informacionit ndërmerr masa të përshtatshme teknike dhe
organizative për të siguruar mbrojtjen e të dhënave si dhe bënë auditim në aspektin e
teknologjisë informative të platformës online.
7. Mënyra elektronike e deklarimit në lidhje me statusin dhe prejardhjen e pasurive përcaktohet
nga Agjencia me akt nënligjor të cilin e nxjerrë drejtori i Agjencisë.
Neni 12
Publikimi i deklarimit të pasurisë të subjekteve deklaruese
1. Deklarimi i pasurisë së subjekteve deklaruese publikohet përmes platformës online jo më
vonë se tridhjetë (30) ditë nga dita e kalimit të afatit për deklarim.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, të dhënat si në vijim nuk publikohen:
2.1. data e lindjes;
2.2. numri personal;
2.3. adresa, dhe
2.4. emri i anëtarëve të familjes.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
69
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
3. Subjektet deklaruese nga radhët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ose të Forcave të
Sigurisë ose anëtarët e familjes se tyre që mbajnë pozita konfidenciale janë të obliguar të
deklarojnë pasurinë sipas këtij ligji, mirëpo deklarimi i tyre nuk është publik.
4. Të dhënat e subjekteve deklaruese që janë të publikuara në platformën online do të mbeten
të publikuara edhe për tre (3) vite pas përfundimit të obligimit ligjor për deklarim dhe më pas
duhet të largohen nga platforma online.
Neni 13
Plotësimi dhe korrigjimi i deklarimit
1. Subjektet deklaruese, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas publikimit të pasurisë, mund të
bëjnë kërkesë në Agjenci për plotësimet apo korrigjimet e nevojshme të deklarimit të dorëzuar
brenda afatit ligjor, nëse gjatë plotësimit të të dhënave janë bërë lëshime apo gabime pa dashje.
2. Plotësimi apo korrigjimi i deklarimit nuk lejohet pas publikimit të shortit apo nëse në ndërkohë
Agjencia ka filluar kontrollin e pasurisë së subjektit deklarues.
Neni 14
Anëtarët e familjes të subjektit deklarues
1. Subjektet deklaruese obligohen të deklarojnë pasurinë e anëtarëve të familjes me të cilët
jeton në bashkësi familjare.
2. Anëtarët e familjes për të cilët subjekti deklarues deklaron pasurinë janë si në vijim:
2.1. bashkëshortët;
2.2. bashkëshortët jashtëmartesorë;
2.3. prindërit, dhe
2.4. fëmijët.
KAPITULLI IV
REGJISTRIMI, KONTROLLI DHE MIRËMBAJTJA E DEKLARIMEVE TË PASURISË
Neni 15
Regjistri i Deklarimeve
1. Të dhënat e deklarimit të pasurisë së subjektit deklarues përfshijnë të gjitha informacionet e
kërkuara sipas paragrafit 1. të nenit 6 të këtij ligji. Deklarimi i pasurisë mban datën kur dorëzohet
në Agjenci, respektivisht në institucionin përkatës.
2. Përpunimi i të dhënave personale që gjenden në regjistër bëhet në përputhje me Ligjin për
Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
3. Arkivimi i të dhënave të subjekteve deklaruese bëhet ne pajtim me legjislacionin përkatës në
fuqi për arkivat.
Neni 16
Pranueshmëria e të dhënave të deklarimit të pasurisë në procedurat tjera
1. Deklarimi i pasurisë, përshirë deklarimin elektronik përbën dokument zyrtar.
2. Të gjitha informatat që gjenden në formularin e deklarimit ose dokumentet dhe të dhënat tjera
që mbështesin deklarimin e pasurisë konsiderohen zyrtare dhe mund të përdoren në procedurë
administrative, penale ose procedura tjera.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
70
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
Neni 17
Autorizimi i kontrollit
1. Subjekti deklarues me rastin e plotësimit të formularit për deklarimin e pasurisë duhet të
nënshkruaj edhe autorizimin i cili është pjesë e formularit të deklarimit.
2. Agjencia ka të drejtë që të bëjë verifikimin e të dhënave të subjektit deklarues brenda dhe
jashtë vendit.
Neni 18
Kontrolli i plotë i të dhënave të deklaruara
1. Agjencia bën kontrollin e plotë të deklarimeve të pasurisë së subjekteve deklaruese dhe
anëtarëve të familjes së tyre.
2. Kontrolli i plotë bëhet për ta verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të përfshira në
formularin e deklarimit, krahasimin e të dhënave me formularët e mëparshëm si dhe të dhënat
e kërkuara ne deklaratë të cilat nuk i ka paraqitur. Kontrolli i plotë përfshinë çështjet në lidhje
me prejardhjen e pasurisë dhe përfshinë periudhën prej kontrollit të fundit të plotë, nëse është
bërë një kontroll i tillë. Në të kundërtën, bëhet kontrolli i plotë prej deklarimit të parë të bërë në
bazë të emërimit.
3. Agjencia kryen kontroll të plotë të pasurisë duke ndërmarrë veprime hetimore administrative,
me qëllim verifikimin e origjinës së pasurisë duke përpunuar të dhënat e vëna në dispozicion
nga burime të ndryshme, përfshirë institucionet shtetërore dhe titullarët e tjerë të autoritetit
publik, por edhe të dhënat / informacionet tjera që Agjencia merr në dispozicion në mënyra
tjera. Të dhënat dhe informacionet e kërkuara dhe të vëna në dispozicion nga institucionet apo
persona të tjerë janë të ndërlidhura vetëm me informacionet e përfshirë në deklarim të pasurisë.
4. Çdo kush mund të paraqes tek Agjencia informacione që kanë të bëjnë me deklarimin e bërë
nga subjektet deklaruese, me qëllim që të vërtetohet se ai deklarim është apo nuk është i saktë.
5. Nëse një kontroll i plotë nxjerr në pah se deklarimi nuk është i vërtetë dhe i saktë, ose se
burimi i deklaruar i pasurisë nuk mund të identifikohet dhe nuk mbulon pasurinë e deklaruar,
Agjencia kërkon nga subjekti deklarues që të ofrojë shpjegime dhe argumente përkatëse të cilat
dorëzohen me shkrim brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve.
6. Nëse subjekti deklarues nuk ofron dëshmi apo ofron dëshmi të cilat nuk janë bindëse,
Agjencia e përcjellë rastin në prokurorinë kompetente.
7. Agjencia kryen çdo vit kontroll të plotë të deklarimeve të pasurisë të të gjithë zyrtarëve të lartë
siç renditen në nën-paragrafët 1.1 deri në 1.18 të nenit 4 të këtij ligji me qëllim të verifikimit të
saktësisë së tyre dhe prejardhjes së pasurive çdo vit.
8. Të paktën një e treta (1/3) e zyrtarëve të lartë nga nën paragrafët 1.19. deri në 1.38., të
nenit 4 të këtij ligji, i nënshtrohen kontrollit të plotë çdo vit. Përzgjedhja e deklarimeve që i
nënshtrohen kontrollit të plotë bëhet përmes shortit. Lista e zyrtarëve të lartë që i nënshtrohen
kontrollit të plotë nuk është publike.
9. Jo më shumë se pesëqind (500) zyrtarë publikë i nënshtrohen kontrollit të plotë çdo vit, të
cilët përzgjidhen përmes shortit.
10. Agjencia përmes aktit nënligjor përcakton mënyrën e automatizuar të zgjedhjes me short
nga lista e subjekteve deklaruese që i nënshtrohen kontrollit të plotë siç renditen në paragrafët
8. dhe 9. të këtij neni.
11. Zyrtarët e lartë siç renditen në nën-paragrafët 1.1. deri në 1.18. të nenit 4 të këtij ligji të
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
71
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
cilët i janë nënshtruar kontrollit të plotë për vitin paraprak sipas paragrafit 7. të këtij neni, nuk i
nënshtrohen kontrollit të plotë nga Agjencia përveç në ato raste kur në deklarimet e pasurisë ka
dallime në të dhënat e pasurisë nga vitet paraprake.
12. Zyrtarët e lartë siç renditen në nën-paragrafët 1.19. deri në 1.38. të nenit 4 të këtij ligji
të cilët i janë nënshtruar kontrollit të plotë për vitin paraprak sipas paragrafit 8. të këtij neni,
përjashtohen nga kontrolli i plotë sipas shortit për dy (2) vitet vijuese.
13. Zyrtarët publik që i nënshtrohen kontrollit të plotë sipas paragrafit 9. të këtij neni nuk
përjashtohen nga procesi i përzgjedhjes për kontrollit të plotë përmes shortit për vitin vijues.
14. Në rast të dyshimit se cilido subjekt deklarues është duke e fshehur pasurinë e tij apo
prejardhjen e tyre, Agjencia mund të ushtrojë kontroll të plotë të deklarimit mbi subjektin
deklarues ose anëtarët e familjes së tij, ex- officio ose sipas informacionit të pranuar.
15. Deklarimet e pasurisë së subjekteve deklaruese dhe të dhënat të cilat nuk publikohen sipas
paragrafit 3., të nenit 12 të këtij ligji mund të përdoren dhe procedohen tutje vetëm për qëllime
të hetimit dhe parandalimit të korrupsionit apo kontrollit të konflikteve të mundshme të interesit
të personit zyrtarit të lartë publik në lidhje me ushtrimin e funksioneve publike.
Neni 19
Obligimi për ofrimin e të dhënave
1. Agjencia gjatë kontrollit të subjektit deklarues kërkon të dhëna dhe informata rreth deklarimit
të pasurive dhe burimet e krijimit të tyre si dhe kontrollon saktësinë e këtyre deklarimeve.
2. Me rastin e kontrollit të plotë të pasurisë, subjekti deklarues obligohet që brenda afatit prej
pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga paraqitja e kërkesës së Agjencisë të sjellë dëshmi përkatëse
për të dhënat e kërkuara, përfshirë edhe raportet bankare për të gjitha llogaritë bankare të
deklaruara sipas nenit 6 të këtij Ligji.
3. Mos ofrimi i sqarimeve dhe të dhënave të kërkuara në paragrafin 2. të këtij neni, konsiderohet
rrethanë për inicimin e procedurave përkatëse të parapara me këtë ligj.
4. Organet qendrore dhe lokale, institucionet e sektorit publik, mbajtësit e autorizimeve publike
dhe personat e tjerë juridik, publik ose privat, duhet t’i paraqesin pa pagesë Agjencisë, brenda tetë
(8) ditëve pas kërkesës së tillë, të gjitha të dhënat, përfshirë të dhënat personale dhe dokumentet
e kërkuara për kryerjen e detyrave të Agjencisë, në pajtim me dispozitat e ligjeve të tjera.
Neni 20
Autoriteti kompetent
Agjencia për Parandalim të Korrupsionit është institucion qendror për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.
Neni 21
Detyrat e zyrtarit kontaktues
1. Secili institucion cakton një zyrtar kontaktues i cili duhet të jetë nga radhët e zyrtarëve që
merren me çështjet e personelit ose çështje të ngjashme, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15)
ditë pas pranimit të kërkesës nga Agjencia.
2. Zyrtari Kontaktues ka detyrat si në vijim:
2.1. të informojë subjektin deklarues se është i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë
brenda tridhjetë (30) ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit për emërimin e tij, në pajtim me
dispozitat e këtij Ligji;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
72
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
2.2. përcjellë listën me emrat e subjekteve deklaruese dhe njofton Agjencinë për
ndryshimet në listë brenda afatit pesë (5) ditorë. Këto lista përfshijnë informacionin në
vijim: emrin dhe mbiemrin, numrin personal, institucionin, pozitën, adresën e vendbanimit
të përhershëm, datën e marrjes apo largimit nga posti ose pozita;
2.3. regjistron dhuratat e pranuara nga personat zyrtar në regjistrin e institucionit;
2.4. mban dhe ruan regjistrin institucional të dhuratave dhe ia mundëson Agjencisë të
ketë qasje në të, dhe
2.5. siguron një kënd në institucion ku ekspozohen dhuratat e pranuara nga personat
zyrtarë të institucionit.
3. Zyrtari kontaktues obligohet t’i ofrojë Agjencisë raport lidhur me pranimin e dhuratave.
4. Agjencia siguron trajnime dhe dhënie të vazhdueshme të këshillave zyrtarëve kontaktues
dhe subjekteve deklaruese. Vijimi i trajnimeve është obligues për zyrtarët kontaktues.
KAPITULLI V
PRANIMI, EVIDENTIMI DHE KONTROLLI I REGJISTRIT TË DHURATAVE
Neni 22
Ndalimi i pranimit dhe kërkimit të dhuratave
Personi zyrtar nuk kërkon ose pranon, as për veten as për anëtarët e familjes, dhurata apo
favore të tjera që lidhen me ushtrimin e detyrave zyrtare, dhe të cilat ndikojnë ose mund të
kenë ndikim të perceptuar në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave të protokollit ose
dhuratave të rastit.
Neni 23
Pranimi i dhuratave të rastit
1. Personi zyrtar nuk pranon dhuratë të rastit, vlera e së cilës tejkalon shumën prej pesëdhjetë
Eurove (50€), ose tërësia e dhuratave të rastit tejkalojnë shumën prej dyqind e pesëdhjetë Euro
(250€) brenda një (1) viti.
2. Personi zyrtar nuk pranon më shumë se një dhuratë të rastit në vit nga i njëjti person ose
institucion.
3. Personi zyrtar nuk pranon letra me vlerë monetare dhe metale të çmuara, pavarësisht nga
vlera e tyre.
Neni 24
Njoftimi për pranimin dhe mbajtja e dhuratës
1. Personi zyrtar, me rastin e pranimit të dhuratës, menjëherë e paraqet dhuratën për regjistrim
tek zyrtari kontaktues institucionit përkatës.
2. Personi zyrtar e informon mbikëqyrësin e tij me shkrim nëse i është ofruar ose dhënë ndonjë
dhuratë pa njoftim paraprak. Në rastet kur subjekti deklarues është drejtues i një institucioni, ai
duhet të informojë Agjencinë.
3. Nëse dhurata e rastit nuk është e karakterit personal, dhurata bëhet pronë e institucionit në
të cilin e ushtron detyrën personi zyrtar.
4. Dhurata protokollare është pronë e institucionit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
73
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
5. Dhuratat e protokollit që përfshijnë simbolet shtetërore, medalje dhe shenja të protokollit,
mund të përdoren nga personi zyrtar gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare.
6. Secili institucion ekspozon dhuratat e pranuara në një kënd të veçantë dhe të qasshëm nga
palët dhe publiku.
Neni 25
Regjistrimi i dhuratave
1. Të gjitha dhuratat e marra dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave ose
institucioneve që japin dhurata, duhet të regjistrohen nga personi zyrtar në regjistrin e dhuratave
të dizajnuar nga Agjencia dhe të mbahen nga institucioni në të cilin i ushtrojnë detyrat e tyre
personat zyrtarë. Regjistri mirëmbahet nga Zyrtari Kontaktues.
2. Me kërkesë të personit zyrtar që e ka pranuar dhuratën, Agjencia merr vendim për lejimin e
pranimit të dhuratës nëse ka arsye bindëse për të besuar se dhurata është dhënë për qëllime
personale dhe nuk ndikon as nuk duket të ketë ndikim në ushtrimin e detyrës zyrtare.
3. Institucionet përkatëse janë të detyruara të sigurojnë qasje publike në regjistrat e tillë, në
përputhje me procedurat e parapara në Ligjin për Qasjen në Dokumentet Publike.
4. Institucionet publike mbajnë regjistra të veçantë të dhuratave. Agjencia, brenda gjashtëdhjetë
(60) ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, harton formularin për mirëmbajtjen e regjistrave dhe ua
përcjell institucioneve publike.
5. Agjencia ka të drejtën të kontrollojë regjistrat e dhuratave dhe në rast të ndonjë devijimi
kërkon nga institucionet të marrin masa për zbatimin e plotë të këtij ligji.
6. Institucionet e kanë detyrim ligjor t’i mbajnë regjistrat e dhuratave për dhjetë (10) vite.
7. Të gjithë personat zyrtarë bëjnë deklarimin e dhuratave duke plotësuar katalogun e dhuratave
dhe të dorëzohen në institucionin ku zyrtari ushtron funksionin.
Neni 26
Mbikëqyrja e dhuratave
Agjencia inspekton dhe auditon regjistrin e dhuratave dhe ruajtjen e këtyre të dhënave.
KAPITULLI VI
RRETHANAT E JASHTËZAKONSHME
Neni 27
Pezullimi i afateve
Për shkak të rrethanave objektive, që kanë shpirë në mos përmbushje të detyrimeve ndaj
agjencisë, rrjedhja e afateve të përcaktuara me këtë ligj mund të pezullohet deri në pushimin e
ekzistimit të rrethanave objektive që kanë ndikuar në mos përmbushjen e detyrimeve nga ana
e subjektit deklarues.
KAPITULLI VII
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Neni 28
Masat ndëshkimore ndaj subjekteve deklaruese
1. Agjencia është kompetente të shqiptojë masë ndëshkimore ndaj subjekteve deklaruese për
rastet si në vijim:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
74
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
1.1. dështimi për të bërë deklarimin e pasurisë me marrjen e detyrës sipas nenit 8 të këtij ligji;
1.2. dështimi për të bërë deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë sipas nenit 9 të këtij ligji;
1.3. dështimi për të bërë deklarimin e pasurisë pas përfundimit të funksionit sipas nenit
10 të këtij ligji, dhe
1.4. mos-përmbushja e kërkesës së Agjencisë për dhënien e informacioneve ose
dokumenteve tjera mbështetëse, sipas nenit 19 të këtij ligji.
2. Agjencia pas përfundimit të afatit, shqipton gjobë ndaj secilit subjekt deklarues i cili dështon
në përmbushjen e detyrave sipas nën paragrafëve 1.1. deri 1.4. të këtij neni.
3. Gjoba e shqiptuar në bazë të paragrafit 2. të këtij neni do të vendoset në shkallë prej tridhjetë
për qind (30%) të pagës mujore neto nga funksioni primar i subjektit deklarues, por në asnjë
rast kjo shumë nuk do të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
4. Nëse subjekti deklarues, edhe pas shqiptimit të gjobës, por jo më vonë se pesëmbëdhjetë
(15) ditë kalendarike nga dita kur është dashur të përmbush detyrimin sipas nën paragrafëve
1.1. deri 1.4. të këtij neni, nuk përmbush detyrimin, atëherë Agjencia bën kallëzim penal tek
prokuroria përkatëse.
5. Gjykata në rast të sanksionimit të subjektit deklarues në procedurë penale merr parasysh
gjobën e shqiptuar nga Agjencia.
6. Lista e subjekteve deklaruese që nuk kanë përmbushur detyrimin sipas nën-paragrafëve 1.1.
deri 1.4. të këtij neni do të bëhet publike nga Agjencia.
Neni 29
Masat ndëshkimore kundër zyrtarëve përgjegjës të institucioneve
1. Zyrtari kontaktues ndëshkohet me gjobë në rast se nuk zbaton detyrat e parapara me këtë
ligj. Gjoba e shqiptuar në bazë të këtij paragrafi do të vendoset në shumën deri në dhjetë për
qind (10%) të pagës mujore neto të pikës së kontaktit, por në asnjë rast kjo shumë nuk do të
kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
2. Përveç paragrafit 1. të këtij neni, Agjencia po ashtu informon Zyrtarin Kryesor Administrativ
ose pozitën ekuivalente me të, në të cilin zyrtari kontaktues është caktuar, për mos përmbushjen
e detyrave nga neni 21 i këtij Ligji dhe mund të kërkojë inicimin e procedurës disiplinore ndaj
pikës së kontaktit.
3. Zyrtari Kryesor Administrativ ose pozita ekuivalente me të ndëshkohet me gjobë në rast se
nuk cakton me vendim të shkruar zyrtarin kontaktues ose nuk inicion procedurën disiplinore
sipas paragrafit 2. të këtij neni. Gjoba e shqiptuar në bazë të këtij paragrafi do të vendoset në
shumën deri në dhjetë për qind (10%) të pagës mujore neto të Zyrtarit Kryesor Administrativ ose
pozitës ekuivalente me të, por në asnjë rast kjo shumë nuk do të kalojë pragun prej pesëqind
Euro (500€).
4. Secili Zyrtari Kryesor Administrativ ose pozita ekuivalente me të ndëshkohet me gjobë në
rast se nuk përmbush kërkesat e Agjencisë për dhënie të informacioneve apo dokumenteve
në lidhje me deklarim të pasurisë së subjekteve deklaruese. Gjoba e shqiptuar në bazë të këtij
paragrafi do të vendoset në shumën deri në njëzet për qind (20%) të pagës mujore neto të
Zyrtarit Kryesor Administrativ ose pozitës ekuivalente me të, por në asnjë rast kjo shumë nuk
do të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
5. Çdo zyrtar i cili nuk ekzekuton vendimin me të cilin është shqiptuar gjoba, për të ndalur
shumën e gjobës nga paga e zyrtarit te gjobitur ndëshkohet me gjobë. Gjoba e shqiptuar në
bazë të këtij paragrafi do të vendoset në shumën deri në dhjetë për qind (10%) të pagës mujore
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
75
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
neto të zyrtarit, por në asnjë rast kjo shumë nuk do të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
6. Në rast se vërtetohet se ka pas ndërhyrje në sistemin online të deklarimit të pasurisë ose
në kopjet fizike të deklarimit të subjekteve deklaruese Agjencia dërgon çështjen në prokurorinë
kompetente.
Neni 30
Masat ndëshkuese në lidhje me dhuratat
1. Secili person zyrtar i cili nuk njofton institucionin e tij për pranimin e dhuratës ndëshkohet me
gjobë deri në dhjetë për qind (10%) të pagës mujore neto të tij, por në asnjë rast kjo shumë nuk
duhet të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
2. Secili person zyrtar që nuk dorëzon dhuratën për ta ekspozuar në këndin e dhuratave
ndëshkohet me gjobë deri në dhjetë për qind (10%) të pagës mujore neto të tij, por në asnjë
rast kjo shumë nuk duhet të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
3. Zyrtari kontaktues i cili nuk përditëson regjistrin e dhuratave apo dështon në njoftimin e Agjencisë
për regjistrin e dhuratave ndëshkohet me gjobë deri në dhjetë për qind (10%)të pagës mujore
neto të tij, por në asnjë rast kjo shumë nuk duhet të kalojë pragun prej pesëqind Euro (500€).
Neni 31
Publikimi i masave ndëshkuese
1. Agjencia publikon të gjitha gjobat e shqiptuara ndaj subjektit deklarues dhe/ ose zyrtarit
përgjegjës të institucionit.
2. Publikimi i gjobave përfundimtare bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga dita e shqiptimit.
3. Gjoba e shqiptuar nga paragrafi 1. i këtij neni, do të mbetet e publikuar tre (3) vjet nga data
e publikimit.
Neni 32
Procedura dhe ekzekutimi i gjobave
1. Agjencia është kompetente për të zhvilluar procedurën e kundërvajtjeve dhe të shqiptojë
gjoba në përputhje me legjislacionin në fuqi. Agjencia mund të shqiptojë gjoba deri në pesëqind
Euro (500€), bazuar në përqindjet e parashikuara me këtë Ligj.
2. Agjencia themelon një Njësi që do të jetë përgjegjëse për trajtimin e gjobave dhe
kundërshtimeve të paraqitura bazuar në legjislacionin në fuqi. Procesi i kundërshtimit zhvillohet
për ndonjë nga masat e vendosura nga Agjencia, të parashikuara në nenet 28 deri në 30 të
këtij Ligji.
3. Në rastet kur zyrtari i gjobitur nuk paguan gjobën vullnetarisht, gjobat e shqiptuara ekzekutohen
përmes institucionit përkatës që administron listën e pagave ose ndërmarrjen përkatëse duke
ndaluar shumën e gjobës nga paga e zyrtarit të cilit i është shqiptuar gjoba. Nëse zyrtari nuk
është më në listën e pagave ose nuk është i punësuar në ndërmarrjen përkatëse publike,
ekzekutimi i gjobës kryhet përmes përmbaruesve privat.
KAPITULLI VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 33
Dispozitat kalimtare
1. Të gjitha procedurat të cilat janë iniciuar sipas Ligjit Nr. 03/L-159 për Agjencinë Kundër
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
76
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
Korrupsionit deri më datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji zgjidhen sipas dispozitave të ligjit që ka
qenë në fuqi në momentin e inicimit të procedurave përkatëse.
2. Subjektet deklaruese të cilat para hyrjes në fuqi të këtij Ligji nuk kanë pas obligim deklarimin
e pasurisë, obligohen të deklarojnë pasurinë, brenda afatit prej tre (3) muajve nga hyrja në fuqi
e këtij Ligji.
3. Obligohet Agjencia që subjektet deklaruese nga paragrafi 2. i këtij neni t’i njoftojë për obligimin
për deklarim, në afat prej dyzet e pesë (45) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Ligji.
4. Të gjitha referimet që i bëhen Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë
dhe të Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik në çdo ligj apo akt nënligjor në fuqi, nënkupton
referimin në dispozita të këtij Ligji.
5. Obligimet për kategorinë e zyrtarëve të lartë publik për qëllime të deklarimit te pasurisë, në
çdo ligj apo akt nënligjor në fuqi nënkupton kategorinë e zyrtarëve të përcaktuar në nenet 4 dhe
5 të këtij ligji.
6. Jo më vonë se gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji, Agjencia themelon njësinë
përgjegjëse për trajtimin e gjobave dhe kundërshtimeve të paraqitura bazuar në legjislacionin
në fuqi sipas nenit 32, paragrafit 2. të këtij Ligji.
7. Agjencia, jo më vonë se gjashtë (6) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, do t’i mundësojë
trajnime rreth përdorimit të platformës online të gjithë zyrtarëve kontaktues.
Neni 34
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Aktet nënligjore të përcaktuara në këtë Ligj do të nxirren në afat prej gjashtë (6) muajsh pas
hyrjes në fuqi të këtij Ligji.
2. Gjatë procesit të hartimit, të akteve nënligjore të përcaktuara në këtë ligj, Agjencia konsulton
institucionet relevante.
3. Agjencia do të zhvillojë formularin në formë elektronike për deklarim të pasurisë, sipas nenit
11 të këtij Ligji, jo më vonë se tre (3) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
4. Deri në nxjerrjen e akteve nënligjore të përcaktuara me këtë Ligj, të gjitha aktet nënligjore
të nxjerra nga Agjencia vazhdojnë të zbatohen me kusht që të mos jenë në kundërshtim me
dispozitat e këtij Ligji.
Neni 35
Dispozitat shfuqizuese
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet:
1.1. Ligji Nr. 04/L-050 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve
të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë
Personat Zyrtarë;
1.2. Ligji Nr. 04/L-228 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-050 Për Deklarimin,
Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin,
Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të gjithë Personat Zyrtarë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
77
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE
Neni 36
Hyrja në Fuqi
1. Ky ligj hyn në fuqi gjashtë (6) muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
2. Zbatimi i detyrimeve për zyrtarët publikë të renditur në nën paragrafët 1.1. dhe 1.2. të nenit 5
të këtij ligji, dhe institucionet gjegjëse fillon një (1) vit nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Ligji Nr. 08/L-108
14 korrik 2022
Shpallur me dekretin Nr. DL-250/2022, datë 01.08.2022 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 21 / 10 GUSHT 2022, PRISHTINË
78
LIGJI NR. 08/L-108 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË DHE TË DHURATAVE