RREGULLORE E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

1







Republika e Kosovës
Republika Kosovo - Republic of Kosovo
Kuvendi – Skupština - Assembly

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të nenit 76 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
miraton:

RREGULLORE E KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Fushëveprimi

1. Rregullorja përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Kuvendit të Republikës së
Kosovës, të organeve drejtuese dhe të trupave të tij të punës, në ushtrimin e funksionit ligjvënës,
mbikëqyrës dhe përfaqësues.

2. Rregullorja përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Administratës së Kuvendit të
Republikës së Kosovës.

3. Çështjet që lidhen me punën e Kuvendit, të cilat nuk janë rregulluar me këtë rregullore, mund të
rregullohen me akt tjetër të Kuvendit, në përputhje me Kushtetutën dhe me dispozitat e kësaj
rregulloreje.


Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë rregullore kanë këtë kuptim:

1.1. Akt: Kushtetutë, amendament i Kushtetutës, ligj, rezolutë, deklaratë, vendim dhe
rekomandim i miratuar nga Kuvendi.

1.2. Amendament: Propozim me shkrim për të ndryshuar, për të hequr, për të shtuar fjalë
përmbajtjesore në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ligj dhe në akte të
tjera të miratuara nga Kuvendi.

1.3. Anëtar i Qeverisë: Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe Ministri.
2


1.4. Çështje urgjente: Një çështje e ngutshme, e paraqitur pas caktimit të seancës plenare, që
nuk ka mundur të parashtrohet në mënyrë të rregullt për shqyrtim në seancë plenare, për të
cilën vendos Kuvendi.

1.5. Deklaratë: Akt me të cilën Kuvendi shpreh qëndrimin e përgjithshëm për çështje të politikës
së brendshme ose të jashtme dhe për çështje të tjera të rëndësisë shtetërore.

1.6. Ditë pune: Një ditë e javës, nga e hëna deri të premten, me përjashtim të festave zyrtare, në
të cilën Kuvendi do të mblidhej normalisht.

1.7. Dokument zyrtar i Kuvendit: Pyetje parlamentare, projektakt, përgjigjja me shkrim për
pyetje, raporti i komisionit, procesverbali si dhe çdo material i parashtruar për shqyrtim në
Kuvend ose në ndonjërin nga komisionet e tij. Këtu nuk përfshihen regjistrimet dhe
transkriptet e punës së Kuvendit.

1.8. Grup parlamentar: Grupim i së paku 6 (gjashtë) deputetëve të Kuvendit, që e kanë njoftuar
Kryetarin e Kuvendit për qëllimin e tyre të veprojnë si grup parlamentar.

1.9. Grup vullnetar: Organizim vullnetar i deputetëve.

1.10. Gjuhë joparlamentare: Përdorimi i fjalëve, shprehjeve dhe sinonimeve, të cilat lëndojnë
ose fyejnë dinjitetin e deputetëve dhe personave të tjerë, nxisin urrejtje, mostolerancë dhe
dhunë.

1.11. Komision parlamentar: Komisioni parlamentar është trup punues i Kuvendit, ku janë të
përfaqësuara të gjitha grupet parlamentare dhe reflekton përbërjen politike të Kuvendit.

1.12. Kryesia: Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët e Kuvendit.

1.13. Kryesuesi i seancës plenare: Kryetari i Kuvendit apo njëri nga nënkryetarët e Kuvendit.

1.14. Kuvendi: Kuvendi i Republikës së Kosovës.

1.15. Lexime: Fazat nëpër të cilat kalon një projektligj, në përputhje me këtë rregullore.

1.16. Ligj: Akt normativ detyrues i miratuar nga Kuvendi, i nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit, i
shpallur nga Presidenti i Republikës së Kosovës dhe publikohet në Gazetën Zyrtare të
Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gazeta Zyrtare).

1.17. Mocion: Propozim ose kërkesë për të ndërmarrë një veprim të caktuar parlamentar.
Mocioni mund të jetë procedural dhe përmbajtjesor.

1.18. Organ i formuar me ligj: Agjencitë e pavarura të krijuara nga Kuvendi, sipas nenit 142 të
Kushtetutës.

1.19. Organ Kushtetues: Presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria e Republikës së Kosovës,
Gjykata Kushtetuese dhe institucionet e tjera të pavarura të përcaktuara në Kapitullin XII të
Kushtetutës.
3


1.20. Peticion: Kërkesë e shkruar nga një grup qytetarësh, drejtuar Kuvendit për një çështje të
caktuar.

1.21. Përfundim: Akt procedural, i cili u adresohet trupave të Kuvendit dhe organeve të tjera që
të shqyrtojnë një çështje të caktuar, që është në fushëveprimin e tyre.

1.22. Projektligj: Propozim i ligjit, që nëpërmjet Zyrës për Propozime dhe Parashtresa, i
dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe për votim.

1.23. Propozues: Grupi parlamentar, komisioni, deputeti i Kuvendit, Qeveria që e ka përgatitur
një projektakt për shqyrtim në seancë plenare dhe/ose në trupat punuese të Kuvendit.

1.24. Raportues: Anëtar i komisionit, i caktuar nga komisioni, për të raportuar për projektaktin
në seancën plenare të Kuvendit ose në mbledhje të Komisionit.

1.25. Rezolutë: Akt me të cilin Kuvendi tregon gjendjen dhe problemet në një fushë të caktuar
dhe masat që duhet të ndërmerren.

1.26. Rekomandim: Akt me të cilin Kuvendi shpreh pikëpamjen dhe paraqet propozimin për
punën e organit shtetëror dhe publik.

1.27. Rregullore e brendshme: Akt normativ për funksionimin e brendshëm administrativ të
Kuvendit apo të trupave të tij.

1.28. Seancë plenare: Zhvillimi i mbledhjes së Kuvendit, sipas rendit të ditës, deri në
përfundimin e çështjeve të radhitura për shqyrtim.

1.29. Sesion parlamentar: Periudha pranverore dhe periudha vjeshtore, gjatë së cilës Kuvendi
zhvillon punimet gjatë një viti.

1.30. Vendim i Kryesisë: Akt administrativ, i miratuar nga Kryesia.

1.31. Vendim i Kuvendit: Akt juridik i miratuar nga Kuvendi, i nënshkruar nga Kryetari i
Kuvendit.

1.32. Votimi nominal: Deklarimi i votës së deputetit pas thirrjes me emër nga Kryesuesi.

1.33. Zyra për Propozime dhe Parashtresa: Zyrë në kuadër të Administratës së Kuvendit, në të
cilën regjistrohet projektakti, shkresat, pyetja parlamentare, që procedohen në Kuvend, në
Qeveri dhe për trupat punuese të Kuvendit.

2. Shprehjet e përdorura në këtë Rregullore për njërën gjini përfshijnë edhe gjininë tjetër.






4


KREU II
AKTET QË MIRATON KUVENDI DHE KRYESIA E KUVENDIT

Neni 3
Aktet që miraton Kuvendi

1. Kuvendi miraton aktet e mëposhtme:

1.1. Kushtetutën dhe amendamentimin e saj;
1.2. Ligj;
1.3. Rregulloren e Kuvendit;
1.4. Vendim;
1.5. Rezolutë;
1.6. Deklaratë;
1.7. Rekomandim.

Neni 4
Aktet që miraton Kryesia e Kuvendit

1. Kryesia e Kuvendit miraton aktet e mëposhtme:

1.1. Rregullore të brendshme;
1.2. Vendim;
1.3. Përfundim.


KREU III
STATUSI JURIDIK, SELIA DHE HAPËSIRAT E KUVENDIT

Neni 5
Statusi juridik i Kuvendit

1. Kuvendi e ka statusin e personit juridik dhe është subjekt i të drejtave dhe detyrimeve.

2. Kuvendi ka pavarësi organizative, administrative dhe buxhetore.

3. Kuvendi përfaqësohet nga Kryetari i Kuvendit, në përputhje me nenin 67, paragrafët 7 dhe 8 të
Kushtetutës. Në rast të procedurave ligjore dhe rasteve të tjera administrative, përfaqësimi i
Kuvendit mund t’i delegohet Administratës së Kuvendit, me vendim të Kryesisë së Kuvendit.

Neni 6
Selia, vula, logoja dhe hapësirat e Kuvendit

1. Selia e Kuvendit është në Prishtinë.

5

2. Kuvendi e ka vulën e vet. Forma dhe përmbajtja e vulës së Kuvendit përcaktohen në pajtim me
Ligjin për vulat e institucioneve të Republikës së Kosovës.

3. Kuvendi ka logon e tij. Forma e logos miratohet nga Kryesia e Kuvendit. Logoja e Kuvendit
vendoset në hapësirat e Kuvendit, në zyrat e deputetëve, në dokumente e akte të brendshme, në
komunikimet e deputetit me palët e treta, në botime e publikime ose në aktivitete, të cilat
organizohen nga Kuvendi.

4. Kuvendi ka pronësinë mbi objektet e tij për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë të
përshtatshme.



KREU IV
KONSTITUIMI I KUVENDIT

Neni 7
Seanca konstituive

1. Seancën konstituive të Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda afatit prej
tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve.

2. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk e thërret seancën konstituive, Kuvendi
mblidhet vetë në ditën e tridhjetë (30).

Neni 8
Përgatitja e seancës konstituive

1. Përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit të
legjislaturës së mëparshme.

2. Kryetari i legjislaturës së mëparshme, jo më vonë se pesë (5) ditë para mbajtjes së seancës
konstituive të Kuvendit, e thërret mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike, që
kanë fituar vende në Kuvend, për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e
vendeve të deputetëve në sallën e seancave plenare. Në rast se mbledhja nuk thirret brenda afatit
pesë (5) ditorë, Kuvendi mblidhet vetë, në ditën e caktuar nga Presidenti.

3. Paragrafi 2 i këtij neni, nuk zbatohet në rast se Kuvendi mblidhet sipas nenit 7 paragrafi 2 të kësaj
rregulloreje.

4. Rendi i ditës së mbledhjes konstituive të legjislaturës përmban:

4.1. Formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve;
4.2. Betimin e deputetëve;
4.3. Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe
4.4. Zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

6

5. Raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve votohet nga
Kuvendi.

6. Përcaktimi i vendeve të deputetëve në sallë bëhet sipas fuqisë të subjekteve politike. Nëse dy ose
më shumë subjekte politike kanë numër të njëjtë të deputetëve, renditja e tyre bëhet duke marrë
për bazë numrin më të madh të votave që kanë fituar në zgjedhjet për Kuvend.

Neni 9
Kryesimi i seancës konstituive

1. Punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i
vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

2. Nëse deputeti ose deputetët nga paragrafi 1 i këtij neni, mungojnë në seancën konstitutive ose
refuzojnë drejtimin e seancës, angazhohen deputetët tjerë sipas kritereve të përcaktuara në
paragrafin 1 të këtij neni.

3. Në seancën konstituive nuk zhvillohet debat.

4. Kryesuesi i seancës konstituive, pas hapjes së seancës dhe pas paraqitjes së rendit të ditës, kërkon
nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, të caktojnë nga një deputet në Komisionin e
Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve. Komisionin e kryeson deputeti i
subjektit politik më të madh parlamentar.

5. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve e shqyrton
dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, i paraqet Kuvendit raportin për vlefshmërinë e
mandateve të deputetëve të Kuvendit, verifikon praninë dhe kuorumin në seancën konstituive.

Neni 10
Betimi i deputetëve

1. Pas verifikimit të mandateve, kryesuesi i seancës konstitutive i fton deputetët të betohen
solemnisht. Teksti i deklaratës së betimit është:

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej
detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë
shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të
ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të
Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit.
Betohem!”

2. Deklaratën e betimit e lexon kryesuesi i seancës. Deputetët betohen duke shqiptuar në fund të
deklaratës, fjalën “Betohem!”. Secili deputet e nënshkruan deklaratën e betimit.

3. Deputeti që mungon në seancën konstituive të legjislaturës kur bëhet betimi dhe deputeti që fiton
mandatin gjatë legjislaturës, betimin e bëjnë në seancën e parë të rregullt të radhës.

7

4. Deputeti i cili nuk e bën betimin në seancën e parë të rregullt të radhës, siç përcaktohet me
paragrafin 3 të këtij neni, nëse ka pamundësi objektive për ta bërë atë brenda këtij afati, e dërgon
njoftimin me shkrim te Kryetari i Kuvendit, lidhur me shkaqet që justifikojnë mungesën e tij dhe
betimin e bën pas kalimit të rrethanave të tilla, por jo më vonë se në seancën e tretë të rregullt të
radhës, pas fitimit të mandatit si në paragrafin 3 të këtij neni.

Neni 11
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit

1. Kryetari i Kuvendit zgjidhet në seancën konstituive, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve
të Kuvendit.

2. Kryesuesi i seancës konstituive kërkon nga subjekti politik më i madh në Kuvend, të propozojë
kandidatin për Kryetar të Kuvendit.

3. Kryesuesi i seancës konstituive konstaton rezultatin e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të
Kuvendit, shpall zgjedhjen e Kryetarit dhe e fton të zërë vendin e tij.

Neni 12
Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit

1. Nënkryetarët e Kuvendit zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

2. Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet politike më të mëdha parlamentare të propozojnë nga
një kandidat për nënkryetar të Kuvendit. Kandidati për nënkryetar i subjektit më të madh
parlamentar duhet të jetë i gjinisë tjetër, nga ai i Kryetarit.

3. Në rast se dy ose më shumë subjekte politike kanë numër të njëjtë të deputetëve, e drejta e
propozimit të nënkryetarit i takon subjektit që ka marrë më shumë vota në zgjedhjet për Kuvend.

4. Kryetari i Kuvendit kërkon nga deputetët, që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb që
të propozojnë një (1) kandidat për nënkryetar të Kuvendit, si dhe nga deputetët, që mbajnë vende
të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë, të propozojnë një (1) kandidat për
nënkryetar të Kuvendit, të cilët zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të
Kuvendit.

5. Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.

6. Propozimet nga paragrafi 4 i këtij neni bëhen me shkrim, sipas procedurës si vijon:

6.1. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica
e deputetëve të komunitetit serb, dhe

6.2. Kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk
janë shumicë propozohet nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë
shumicë.

8

7. Në rast të mospropozimit të kandidatëve sipas paragrafit 6 të këtij neni, propozimi i kandidatëve
bëhet me short, në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse. Kjo procedurë administrohet
nga Kryetari i Kuvendit.

Neni 13
Mandati i Kuvendit

1. Mandati i Kuvendit, vazhdimi i tij dhe shpërndarja e Kuvendit, janë përcaktuar me nenet 66 dhe
82 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

2. Pas shpërndarjes së Kuvendit, sipas paragrafit 1 të këtij neni, Presidenti e dorëzon dekretin e
shpërndarjes në Kuvend.

3. Kuvendi e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin.

Neni 14
Mandati i Kryetarit dhe i nënkryetarëve të Kuvendit

Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur
shpërndahet, Kryetari dhe nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të
ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit.

Neni 15
Shkarkimi, dorëheqja e Kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit

1. Kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit shkarkohen me votën e shumicës prej 2/3 të numrit të
përgjithshëm të deputetëve.

2. Propozimi për shkarkimin e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet me kërkesë të 1/3 të të gjithë
deputetëve të Kuvendit.

3. Propozimi për shkarkimin e nënkryetarit të Kuvendit mund të bëhet me kërkesë të grupit
parlamentar që e ka propozuar.

4. Kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i Kuvendit mund të japin dorëheqje. Aktin e dorëheqjes ia
paraqesin Kuvendit për njoftim.

5. Në rastin, si në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni, propozimi i kandidatit të ri bëhet nga grupi
parlamentar që e ka propozuar atë.





9

KREU V
KRYETARI I KUVENDIT DHE KRYESIA E KUVENDIT

Neni 16
Kryetari i Kuvendit

1. Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin, vendos marrëdhënie bashkëpunimi me institucionet
ndërkombëtare, siguron respektimin e të drejtave të deputetëve, kujdeset për zhvillimin e
veprimtarisë parlamentare dhe ushtron funksione të tjera, sipas Kushtetutës dhe Rregullores së
Kuvendit.

2. Kryetari i Kuvendit propozon rendin e ditës të seancës plenare, thërret dhe drejton seancën
plenare, ia jep fjalën deputetit dhe anëtarit të Qeverisë dhe kujdeset për rend dhe rregull në
seancë.

3. Kryetari i Kuvendit nënshkruan aktet e Kuvendit.

4. Kryetari është përgjegjës për zbatimin e Rregullores së Kuvendit dhe bën interpretimin
përfundimtar të saj gjatë seancës plenare.

5. Kryetari i Kuvendit, në bashkëpunim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e
anëtarëve dhe të kryetarëve të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave
ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, përbërjen politike të Kuvendit. Kuvendi
njoftohet me listën e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe për çdo ndryshim të
mëvonshëm njoftohet në seancën plenare të radhës.

Neni 17
Nënkryetarët e Kuvendit

1. Nënkryetarët i ndihmojnë Kryetarit dhe me autorizimin e tij, i kryejnë të gjitha detyrat nga
fushëveprimi i kompetencave të Kryetarit.

2. Njëri nga nënkryetarët, me autorizimin e Kryetarit, e zëvendëson Kryetarin e Kuvendit.

3. Në rastin e mungesës së autorizimit nga paragrafi 2 i këtij neni, Kryetarin e zëvendëson
nënkryetari i cili përfaqëson grupin më të madh parlamentar. Në rast të mungesës ose refuzimit së
këtij të fundit, atëherë Kryetarin e zëvendëson nënkryetari i radhës sipas fuqisë politike.

4. Për drejtimin e seancave plenare të Kuvendit, Kryetarin e ndihmon njëri nga nënkryetarët.

5. Nënkryetari i Kuvendit, gjatë kryesimit të seancës plenare, i ka të gjitha të drejtat dhe detyrat e
Kryetarit të Kuvendit, të parapara me këtë Rregullore.

Neni 18
Kryesia e Kuvendit

Kryesia e Kuvendit përbëhet nga Kryetari dhe pesë nënkryetarë.
10


Neni 19
Detyrat e Kryesisë

1. Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, diskuton
për rendin e ditës të seancës plenare, të propozuar nga Kryetari i Kuvendit. Rendi i ditës
miratohet me konsensus, dhe nëse nuk arrihet konsensusi, Kryetari ia paraqet rendin e ditës
seancës plenare për miratim.

2. Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare:

2.1. Në fillim të legjislaturës propozon për miratim në seancë plenare numrin, strukturën dhe
fushëveprimin e komisioneve parlamentare, si dhe gjatë mandatit të legjislaturës, mund t’i
propozojë Kuvendit formimin e komisioneve të reja funksionale ose ndryshimin e përbërjes
së tyre.

2.2. Propozon për miratim në seancë plenare programin e sesionit të punës së Kuvendit.

2.3. Miraton kalendarin e punimeve njëmujore të Kuvendit, i cili publikohet në faqen zyrtare të
Kuvendit.

3. Kryesia e Kuvendit:

3.1. Miraton Projektbuxhetin e Kuvendit, i cili përgatitet nga Komisioni përkatës për Buxhet, në
bashkëpunim me Administratën e Kuvendit.

3.2. Vendos për mjetet financiare dhe për krijimin e kushteve të punës për nënkryetarët e
Kuvendit, grupet parlamentare dhe stafin të tyre, komisionet, deputetët dhe Administratën e
Kuvendit.

3.3. Zgjedh Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, në pajtim me legjislacionin përkatës për
shërbimin civil.

3.4. Bazuar në natyrën dhe kushtet specifike të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, me
propozim të Sekretarit të Përgjithshëm, me akt të veçantë rregullon organizimin dhe
funksionimin e Administratës së Kuvendit, klasifikimin e pozitës, koeficientin, gradën,
kompensimin, rekrutimin, orarin e punës dhe pushimin vjetor.

3.5. Miraton raportin vjetor të punës së Kuvendit, të përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm i
Kuvendit dhe autorizon publikimin e tij.

3.6. Miraton raportet periodike të shpenzimeve dhe raportin vjetor financiar të Kuvendit, si dhe
autorizon publikimin e tyre.

3.7. Për vizitat zyrtare jashtë vendit nxjerr akt të veçantë.



11

Neni 20
Mbledhja e Kryesisë

1. Mbledhjen e Kryesisë e thërret dhe e kryeson Kryetari i Kuvendit.

2. Mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

3. Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

4. Në rast të mungesës së Kryetarit, Kryesia thirret sipas nenit 17 paragrafi 3 të kësaj rregulloreje.

5. Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit në mbledhje të Kryesisë, pa të drejtë vote, mund të marrin pjesë
kryetarët e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

6. Në mbledhjen e Kryesisë merr pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.

7. Në mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, kur diskutohet për çështjet nga neni 19, paragrafët 1 dhe 2
të kësaj rregulloreje, mund të marrë pjesë anëtari i Qeverisë dhe përfaqësuesi i autorizuar nga
Presidenti i Republikës, i ngarkuar të mbajë lidhjet me Kuvendin.

8. Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, si rregull, zhvillohet jo më herët se 48 orë nga koha e njoftimit
për mbajtjen e mbledhjes.

9. Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit përgatitet procesverbal i përmbledhur.


KREU VI
TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË E DEPUTETIT

Neni 21
Të drejtat e deputetit

1. Deputeti ka të drejta dhe detyra të barabarta për pjesëmarrje të plotë në punimet e Kuvendit dhe të
veprojë sipas bindjes dhe ndërgjegjes së tij. Deputeti ka të drejtë të iniciojë dhe të votojë sipas
rregullave dhe procedurave ligjore dhe të adresojë pyetje dhe interpelanca ndaj anëtarit të
Qeverisë, në të gjitha debatet e Kuvendit, në përputhje me dispozitat e kësaj rregulloreje.

2. Në ushtrimin e funksionit, deputeti ka të drejtën që të ketë qasje në të dhënat, materialet zyrtare
dhe dokumentet që janë të përgatitura dhe të mbledhura nga komisionet e Kuvendit, Administrata
e Kuvendit, ministritë dhe organet e ekzekutivit apo të Administratës Publike.

3. Në ushtrimin e funksionit, deputeti ka të drejtë të jetë i informuar apo të kërkojë sqarime me gojë
ose me shkrim për çështjet që janë në kompetencë të Kryetarit të Kuvendit dhe të kryetarëve të
komisioneve parlamentare.

4. Deputeti mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve, ku ai nuk është anëtar, pa të drejtë të
votës.
12

5. Në ushtrimin e funksionit të tij, deputeti duhet të ketë zyrë, mbështetje profesionale dhe teknike
nga stafi politik i emëruar për këtë qëllim, siç përcaktohet me akt të veçantë të Kryesisë së
Kuvendit.

Neni 22
Përgjegjësitë e deputetit

1. Deputeti e ushtron mandatin në përputhje me Kushtetutën dhe u shërben interesave të Republikës
së Kosovës.

2. Deputeti ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.

3. Deputeti merr pjesë në punën parlamentare, në seancat plenare dhe trupat e Kuvendit, ku edhe
është anëtar.

4. Kryesia e Kuvendit me akt të veçantë përcakton kushtet dhe mënyrat e kompensimit për
pjesëmarrjen e deputetit në mbledhjen grupit të punës, të komisionit apo seancë plenare.

5. Deputeti ruan konfidencialitetin (fshehtësinë) e informacionit dhe të dokumenteve zyrtare, në
pajtim me ligjin.

6. Para se të marrë fjalën në seancë plenare, mbledhje të komisionit apo trup punuese, deputeti duhet
të deklarojë ekzistimin e ndonjë interesi privat.

7. Deputeti duhet të tërhiqet nga e drejta e votës për një çështje në seancën plenare dhe në mbledhje
të komisionit, kur vendimi mund të rezultojë në përfitime personale për të, apo për të afërmit e tij,
e që përbën konflikt interesi sipas ligjit në fuqi.

8. Deputeti duhet të respektojë kodin e sjelljes për deputetë.

Neni 23
Përfundimi i mandatit të deputetit

1. Deputetit i përfundon mandati në rastet e përcaktuara në nenin 70, paragrafi 3, të Kushtetutës së
Republikës të Kosovës.

2. Kur deputeti mungon, sipas nenit 70 paragrafi 3, pika (5) të Kushtetutës të Republikës së
Kosovës, Kryetari i Kuvendit, në ditën e parë vijuese pas kalimit të afatit të përcaktuar kërkon
rekomandimin e Komisionit përkatës për Mandate, Imunitete dhe Rregullore.

3. Komisioni, sipas paragrafit 2 të këtij neni, i paraqet Kryetarit të Kuvendit rekomandimin e
Komisionit brenda shtatë (7) ditësh. Pas rekomandimit të Komisionit, Kryetari ia propozon
Kuvendit përfundimin e mandatit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në seancën e radhës.

4. Kur deputeti mungon, sipas nenit 70 paragrafi 3, pika (5) të Kushtetutës së Republikës të
Kosovës, mund t’ia paraqesë Kuvendit me shkrim argumentet për t’i treguar arsyet për
mospjesëmarrje në seancë.

13

5. Në rastin kur Kuvendi vendos për përfundimin e mandatit të deputetit, Kryetari i Kuvendit
deklaron përfundimin e mandatit të deputetit dhe e njofton menjëherë Presidentin e Republikës së
Kosovës për të bërë zëvendësimin, në pajtim me Kushtetutën dhe Ligjin përkatës për Zgjedhjet e
Përgjithshme.


KREU VII
GRUPET PARLAMENTARE

Neni 24
Formimi i grupeve parlamentare

1. Deputetët mund të formojnë grup parlamentar.

2. Grupin parlamentar e formojnë së paku gjashtë (6) deputetë.

3. Deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar.

4. Grupi Parlamentar formohet duke ia dorëzuar Kryetarit të Kuvendit një njoftim, të nënshkruar
nga deputetët, të cilët e përbëjnë grupin parlamentar dhe ky njoftim duhet të përmbajë emrin e
grupit, emrin e kryetarit të grupit dhe të nënkryetarit të grupit, jo më vonë se shtatë (7) ditë nga
dita e seancës konstituive.

5. Deputeti ka të drejtë të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në një grup parlamentar, të tërhiqet
nga grupi, ose të veprojë si deputet pa grup parlamentar. Kur deputeti largohet nga grupi
parlamentar, e njofton me shkrim Kryetarin e Kuvendit. Deputeti mund t’i bashkëngjitet një grupi
tjetër.

6. Kur numri i deputetëve të një grupi parlamentar bie nën numrin e paraparë në paragrafin 2 të këtij
neni, grupi pushon së ekzistuari dhe i humb të gjitha të drejtat e përcaktuara me këtë rregullore
dhe akte të tjera të Kuvendit.

7. Grupi i ri parlamentar, i formuar më vonë, nuk mund të ketë emër të njëjtë me ndonjë grup tjetër
parlamentar.


Neni 25
Formimi i grupeve vullnetare

1. Deputetët mund të formojnë grupe vullnetare, duke ia dorëzuar Kryetarit të Kuvendit një njoftim
me nënshkrimet e deputetëve, të cilët e përbëjnë grupin, emrin e kryesuesit dhe fushëveprimin.

2. Grupin vullnetar e formojnë së paku gjashtë (6) deputetë.

3. Grupeve vullnetare u ofrohet hapësira e nevojshme në ueb-faqen zyrtare të Kuvendit, për të
promovuar misionin dhe aktivitetet e grupit.

14

Neni 26
Grupi i Grave Deputete

1. Grupi i Grave Deputete është grup vullnetar i deputetëve i cili mund të formohet pas konstituimit
të Kuvendit.

2. Anëtarë të Grupit të Grave Deputete mund të jenë deputetët e Kuvendit që kanë për qëllim
fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë e Kosovës.

3. Grupit të Grave Deputete i ofrohet mbështetje në organizimin e aktiviteteve brenda dhe jashtë
Kuvendit, hapësira dhe pajisje të punës, asistent administrativ dhe hapësirë në faqen zyrtare të
Kuvendit në internet për të pasqyruar punën e tyre.

Neni 27
Grupi i Deputetëve të Rinj

1. Grupi i Deputetëve të Rinj është grup vullnetar i deputetëve i cili mund të formohet pas
konstituimit të Kuvendit.

2. Anëtarë të Grupit të Deputetëve të Rinj mund të jenë të gjithë deputetët e Kuvendit që kanë për
qëllim fuqizimin e rolit të rinisë në shoqërinë e Kosovës.

3. Grupit të Deputetëve të Rinj i ofrohet mbështetje në organizimin e aktiviteteve brenda dhe jashtë
Kuvendit, hapësira dhe pajisjet e punës, asistent administrativ dhe hapësirë në faqen zyrtare të
Kuvendit në internet për të pasqyruar punën e tyre.

Neni 28
Grupet e miqësisë

1. Grupet e miqësisë themelohen në fillim të legjislaturës nga Kryesia e Kuvendit, me qëllim të
bashkëpunimit ndërparlamentar.

2. Organizimi, përfaqësimi dhe funksionimi i grupeve të miqësisë përcaktohet me akt të veçantë të
Kryesisë së Kuvendit.


KREU VIII
KOMISIONET E KUVENDIT

Neni 29
Kompetencat e komisionit

1. Komisioni i Kuvendit, sipas fushëveprimit të tij, shqyrton projektligjet, aktet dhe dokumentet e
tjera që parashtrohen për shqyrtim në Kuvend.

15

2. Komisioni, nga fushëveprimi i tij, e mbikëqyr punën e Qeverisë dhe të institucioneve të pavarura,
në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin.

3. Komisioni nuk mund të marrë vendime për çështjet që nuk janë në rendin e ditës, e të cilat duhet
t’i adresohen seancës plenare.

Neni 30
Funksionimi i komisionit

1. Komisioni i procedon çështjet që i dërgohen sipas planit dhe kalendarit të punimeve.

2. Komisioni, për funksionimin e tij, ka vijë të veçantë buxhetore.

Neni 31
Përbërja e komisionit parlamentar

1. Grupi parlamentar përfaqësohet në të gjitha komisionet parlamentare sipas numrit të deputetëve
që kanë.

2. Kryetari i Kuvendit nuk mund të jetë anëtar i Komisionit parlamentar funksional dhe i Komisionit
parlamentar të përhershëm. Nënkryetari i Kuvendit nuk mund të jetë kryetar i Komisionit
parlamentar funksional dhe i Komisionit parlamentar të përhershëm.

3. Përbërja e Komisionit parlamentar, reflekton fuqinë politike të grupeve parlamentare.

4. Deputeti mund të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit tjetër, në të cilin nuk është anëtar, por pa
të drejtë vote, përveç në rastet kur mbledhja është e mbyllur.

Neni 32
Emërimi i kryetarit, zëvendëskryetarëve dhe anëtarëve të Komisionit parlamentar

1. Grupi parlamentar e propozon kryetarin, zëvendëskryetarin dhe anëtarët e komisionit, në
përputhje me marrëveshjen e arritur në Kryesinë e Kuvendit, siç përcaktohet me nenin 19,
nënparagrafi 2.1 dhe nenin 31, paragrafi 1 dhe 3 të kësaj rregulloreje.

2. Çdo komision duhet të ketë nga dy zëvendëskryetarë: zëvendëskryetarin e parë dhe
zëvendëskryetarin e dytë, që iu përkasin grupeve të ndryshme parlamentare. Së paku njëri nga
zëvendëskryetarët duhet të jetë i komunitetit tjetër nga ai i kryetarit.

3. Një deputet nuk mund të jetë kryetar në më shumë se në një komision të Kuvendit.

4. Përzgjedhja e kryesimit të Komisionit nga grupi parlamentar bëhet sipas formulës për ndarjen e
vendeve në zgjedhjet për Kuvend, derisa të plotësohen të gjitha vendet. Në këtë ndarje përfshihet
edhe kryesimi i Komisionit përkatës për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe komisioni i cili
sipas ligjit i takon opozitës.

16

5. Grupi parlamentar nuk mund të propozojë asnjë nga anëtarët e tij për zëvendëskryetar, nëse mban
pozitën e kryetarit në komisionin e njëjtë, dhe e kundërta.

6. Nëse grupi parlamentar nuk dëshiron të propozojë për cilindo rast, që përndryshe e gëzon të
drejtën ta bëjë, kjo e drejtë i bartet grupit tjetër parlamentar që e ka më të lartë “shumicën
kualifikuese” që pason në atë rreth.

7. Nëse dy grupe parlamentare kanë “shumicë kualifikuese” të barabartë në cilindo rreth, grupi i cili
ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhjet për Kuvend, gëzon të drejtën për propozimin
në fjalë.

8. Anëtarët e komisioneve, së bashku me kryetarët dhe me zëvendëskryetarët e tyre, emërohen me
votim të hapur nga Kuvendi, me propozimin e Kryesisë së Kuvendit.

9. Kuvendi, me propozim të Kryesisë së Kuvendit, mund të ndryshojë përbërjen e komisionit, duke
ruajtur përpjesëtimin që kanë grupet parlamentare në Kuvend.

Neni 33
Detyrat e kryetarit të komisionit

1. Kryetari i komisionit, në bashkëpunim me zëvendëskryetarët, i propozon komisionit miratimin e
planit të punës, në pajtim me kalendarin e punimeve të Kuvendit.

2. Kryetari i komisionit përgatit rendin e ditës, organizon punën për zhvillimin e mbledhjes së
komisionit, drejton mbledhjen, përfaqëson komisionin në marrëdhënie me organet e tjera të
Kuvendit dhe jashtë tij, nënshkruan dhe paraqet në seancë plenare raportin e shqyrtimit të çështjes
në komision, konstaton pjesëmarrjen në komision, hedh në votim dhe shpall rezultatin e votimit,
si dhe ndjek korrespondencën e komisionit.

3. Kryetari me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të komisionit, thërret për raportim ose informim para
komisionit, drejtuesit e institucioneve qeveritare dhe publike.

4. Kryetari i komisionit informon komisionin për çdo veprimtari që kryen në emër të tij.

Neni 34
Thirrja e mbledhjes së komisionit

1. Mbledhja e komisionit thirret nga kryetari i komisionit sipas planit dhe programit të punës të
komisionit.

2. Në mungesë të kryetarit të komisionit apo refuzimit për të thirrur mbledhjen, atë e thërret
zëvendëskryetari i parë, respektivisht zëvendëskryetari i dytë.

3. Me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të komisionit, kryetari ose njëri nga zëvendëskryetarët e thërret
mbledhjen e komisionit sipas kërkesës së parashtruar.

4. Përpos rasteve të veçanta, mbledhja e komisionit thirret jo më vonë se tri (3) ditë pune para
mbajtjes së saj.
17

5. Rendin e ditës e cakton kryetari ose njëri nga zëvendëskryetarët, përveç nëse komisioni më parë
ka vendosur ndryshe. Rendi i ditës mund të ndryshojë vetëm me pajtim të komisionit.

Neni 35
Mbledhja e komisionit

1. Mbledhja e komisionit të Kuvendit është e hapur, përveç në rastet kur diskutohet për çështje
konfidenciale të sigurisë dhe për detaje të kontratave që përbëjnë sekret afarist, sipas ligjeve në
fuqi.

2. Gjatë shqyrtimit të projektligjit, komisioni mund të ftojë ministrin përkatës për të marrë pjesë në
mbledhjen e komisionit. Ministri duhet të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit. Ai e ka të
drejtën e propozimeve gjatë shqyrtimit dhe amendamentimit të projektligjit. Komisioni mund ta
heqë nga rendi i ditës shqyrtimin e projektligjit, në rast se ministri mungon.

3. Komisioni mund ta ftojë një ministër, për të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit, kur
shqyrtohen çështjet nga fusha e përgjegjësive të tij. Komisioni mund të ftojë në mbledhje edhe
përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të tjera, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Komisioni mund ta heqë nga rendi i ditës shqyrtimin e çështjes, në rast se mungon ministri.

4. Komisioni mund të ftojë në mbledhje edhe përfaqësues të institucioneve dhe agjencive të tjera, si
dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

5. Ministri nuk mund të refuzojë ftesën për pjesëmarrje në mbledhje të komisionit.

6. Komisioni nuk mund ta ftojë në mbledhje Kryeministrin, përjashtimisht nëse një kërkesë e tillë i
drejtohet Komisionit nga vetë Kryeministri.

Neni 36
Mbledhja e përbashkët e komisioneve

1. Komisionet, mund të mbajnë mbledhje të përbashkët. Mbledhjen e përbashkët e kryeson kryetari i
komisionit raportues.

2. Në mbledhjen e përbashkët të komisioneve zbatohen rregullat e njëjta, si për mbledhjen e
komisionit. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim.

3. Mbledhja e përbashkët e komisioneve përfundon me një raport të vetëm. Kur qëndrimet e
komisioneve janë të ndryshme, ato paraqiten të veçanta, në raportin përfundimtar të mbledhjes.

Neni 37
Kuorumi dhe vendimmarrja në komision

1. Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e mbledhjes së komisionit është shumica e anëtarëve të
komisionit, kurse për mbajtjen e seancës dëgjimore është 1/3 e anëtarëve të komisionit.

2. Komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim.
18

3. Komisioni merr vendim me votim të hapur.

4. Mendimi i anëtarëve, që kanë mbetur në pakicë, në secilin rast shënohet në procesverbal dhe në
raportin e komisionit.

Neni 38
Seanca dëgjimore

1. Komisioni mund të organizojë seancë dëgjimore për projektligjet që janë në procedurë të
shqyrtimit dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe politikave me anëtarë të Qeverisë,
përveç Kryeministrit, me përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të shoqërisë civile,
ekspertë, përfaqësues të grupeve të interesit dhe qytetarë të interesuar.

2. Seanca dëgjimore mund të jetë:

2.1. Dëgjim publik legjislativ dhe

2.2. Dëgjim mbikëqyrës.

3. Çdo anëtar i komisionit mund të propozojë mbajtjen e seancës dëgjimore, të cilën duhet ta
arsyetojë para Komisionit.

4. Komisioni, për mbajtjen e seancës dëgjimore, vendos me shumicën e votave të anëtarëve të
pranishëm.

5. Komisioni organizon seancë dëgjimore, në rast se 1/3 e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon
me shkrim.

6. Çdo anëtarë i komisionit, me mbështetjen e së paku 1/3 së anëtarëve mund të propozojë
përfshirjen e subjekteve të caktuara në listën e të ftuarve për dëgjimin legjislativ apo dëgjimin
mbikëqyrës.

7. Ftesa për seancë dëgjimore shpallet në ueb faqen elektronike të Kuvendit të paktën pesë (5) ditë
para takimit, bashkë me agjendën e takimit, projektligjin që do të diskutohet dhe, nëse ka,
materialet tjera përcjellëse.

8. Seanca dëgjimore kryesohet nga kryetari i komisionit apo raportuesi, i cili u mundëson
pjesëmarrësve ta paraqesin kontributin e tyre.

9. Komisioni mund të mbajë takime publike me qytetarë dhe palë të interesuara për një çështje të
caktuar jashtë selisë së Kuvendit.

Neni 39
Dëgjimi publik legjislativ

1. Dëgjimi publik legjislativ organizohet për mbledhjen e informacioneve, vërejtjeve dhe
rekomandimeve për projektligjet dhe çështjet tjera që janë në procedurë të shqyrtimit nga
komisioni.
19

2. Dëgjimi publik organizohet në mes të leximit të parë dhe leximit të dytë, për t’i mundësuar
publikut të gjerë, përfshirë pjesëtarët e shoqërisë civile, komunitetin e biznesit, botën akademike
dhe grupet e tjera të interesit që të paraqesin para Komisionit çështjet me interes për ta dhe grupet
që i përfaqësojnë brenda fushëveprimit të projektligjit përkatës.

3. Dëgjimi publik është i hapur për pjesëmarrje për të gjithë të interesuarit. Konfirmimi paraprak
mund të kërkohet vetëm për arsye logjistike, në rast të vendeve të kufizuara. Megjithatë,
disponueshmëria e hapësirës fizike nuk mund të jetë arsye për të përjashtuar nga mundësia për të
shprehur qëndrimet e tyre asnjë palë të interesuar, kontributet e të cilëve duhet të pranohen nga
Komisioni në forma alternative ose nëpërmjet dëgjimeve shtesë publike.

4. Dëgjimi publik udhëhiqet nga Kryetari i Komisionit, në mungesë të tij, nga raportuesi, i cili
sigurohet që gjatë dëgjimit publik t’i mundësohet paraqitja e kontributeve secilit pjesëmarrës të
interesuar.

5. Dëgjimi publik mbahet në ambientet e selisë së Kuvendit, apo edhe në ambiente tjera jashtë selisë
së Kuvendit, nëse vlerësohet që mundëson pjesëmarrje më të gjerë të publikut.

6. Me propozimin e çdo anëtari të Komisionit dhe me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm,
Komisioni mund të organizojë edhe dëgjime publike shtesë.

Neni 40
Dëgjimi mbikëqyrës

1. Dëgjimi mbikëqyrës organizohet për mbledhjen e informacioneve, të dhënave dhe dëshmive që
ndërlidhen me veprimtarinë e ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore e publike.

2. Dëgjimi mbikëqyrës është i hapur për të gjitha palët e interesuara, me përjashtim të rasteve kur
komisioni vendos ta mbyllë atë. Komisioni vendos me 2/3 e anëtarëve për mbylljen e seancës
dëgjimore mbikëqyrëse.

3. Dëgjimi mbikëqyrës mbahet në ambientet e selisë së Kuvendit. Nëse Komisioni e vlerëson,
seanca dëgjimore mund të mbahet edhe jashtë selisë së Kuvendit.

4. Palët e interesuara që nuk janë pjesë e listës së të ftuarve për të marrë pjesë në dëgjimin
mbikëqyrës, fillimisht duhet të shprehin interesin e tyre për pjesëmarrje në seancën dëgjimore dhe
të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre.

Neni 41
Komisioni përgjegjës-raportues

1. Kryetari i Kuvendit, sipas fushëveprimit, cakton njërin nga komisionet, si komision përgjegjës,
për të raportuar për projektligjin dhe për dokumentet e tjera të parashtruara në Kuvend.

2. Komisioni përgjegjës-raportues shqyrton projektligjin ose mocionin e dërguar, harton dhe
rekomandon amendamente si dhe konstaton amendamentet që bien ndesh me njëri-tjetrin.

3. Në Kuvend, për projektligjin, raporton vetëm Komisioni përgjegjës-raportues.
20

4. Raporti përmban propozimet e Komisionit përgjegjës-raportues, arsyet dhe opinionet e kundërta,
si dhe komentet e komisioneve të tjera, për të cilat Kuvendi vendos në seancë plenare.

5. Kryetari apo raportuesi i Komisionit përgjegjës-raportues, paraqet në Kuvend raportin për
shqyrtimin e projektligjit dhe vlerësimin e komisionit.

Neni 42
Komisionet e përhershme dhe komisionet funksionale

1. Kuvendi formon komisione të përhershme dhe komisione funksionale.

2. Kuvendi, miraton formimin e komisioneve, si në paragrafin 1 të këtij neni, dhe ua përcakton
fushëveprimin e tyre.

3. Komisionet e përhershme janë komisionet që mbulojnë fushat përkatëse si: buxhet dhe financa,
legjislacion, integrim evropian dhe të drejtat dhe interesat e komuniteteve.

4. Komisioni i përhershëm i shqyrton të gjitha projektligjet dhe aktet e tjera, nga fushëveprimi i tij, e
që parashtrohen në Kuvend dhe ngarkohet me vendim të Kuvendit.

5. Komisioni funksional i shqyrton projektligjet dhe aktet e tjera vetëm nga fushëveprimi tij.

Neni 43
Grupi i punës

1. Komisioni, për çështje të caktuara, mund të formojë grup të punës apo të caktojë një referues nga
radhët e anëtarëve të komisionit.

2. Grupi i punës, sipas paragrafit 1 i këtij neni, përbëhet nga anëtarët e komisionit. Në raste të
veçanta komisioni mund të përfshijë në grup të punës edhe një deputet që nuk është anëtar i
komisionit.

3. Për çështje të interesit të përbashkët, dy (2) ose më shumë komisione mund të formojnë një grup
të përbashkët të punës.

4. Grupi i punës kryen aktivitete, që janë në kompetencë të komisionit, në bazë të autorizimeve dhe
afatit kohor që i jep komisioni.

5. Grupi i punës, për punën e vet, i raporton komisionit.

Neni 44
Komisionet tjera të Kuvendit

1. Kuvendi, për një çështje specifike, me vendim mund të formojë komisione të tjera:

1.1. Komision ad-hoc,

21

1.2. Komision hetimor dhe

1.3. Komision zgjedhor.


Neni 45
Formimi i komisionit ad-hoc

1. Kuvendi mund të formojë komision ad-hoc për shqyrtimin dhe për përgatitjen e nismave
legjislative, si dhe për çështje tjera të një rëndësie të veçantë.

2. Propozimin për formimin e komisionit ad-hoc mund ta bëjë Kryetari i Kuvendit, një komision
parlamentar ose të paktën gjashtë (6) deputetë. Kryetari i Kuvendit, brenda dhjetë (10) ditëve nga
paraqitja e propozimit, thërret Kryesinë e Kuvendit për të diskutuar rreth kërkesës për ngritjen e
komisionit ad-hoc.

3. Organizimin dhe funksionimin e komisionit ad-hoc e përcakton Kuvendi me vendim të veçantë.
Për çështjet që janë të lidhura me punën e komisionit ad-hoc, e të cilat nuk janë përcaktuar me
vendim, vlejnë dispozitat e kësaj rregulloreje për Komisionin funksional.

4. Kuvendi, brenda dy (2) javëve nga diskutimi në Kryesinë e Kuvendit, vendos sipas propozimit të
Kryesisë për: detyrat, numrin, përbërjen dhe afatin kohor të veprimtarisë së komisionit ad-hoc.

5. Kuvendi, me propozim të Kryesisë e Kuvendit, mund të themelojë edhe komision ad-hoc që
parashihet me ligj të veçantë.

Neni 46
Komisioni hetimor

Kuvendi mund të themelojë komisione hetimore. Procedurat e hetimeve parlamentare janë të
përcaktuara me Ligjin përkatës për Hetim Parlamentar.

Neni 47
Komisioni zgjedhor

Kur votimi i fshehtë zhvillohet me fletëvotim, Kuvendi formon Komisionin zgjedhor me përbërje nga
një anëtar për grup parlamentar.

Neni 48
Angazhimi i ekspertëve të jashtëm

Komisioni, në përputhje me udhëzimet procedurale dhe financiare të Kryesisë së Kuvendit, për
realizimin e detyrave të tyre, mund të angazhojnë ekspertë të jashtëm.




22

KREU IX
PUNA NË KUVEND

Neni 49
Zhvillimi i punimeve në Kuvend

1. Kuvendi i zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione.

2. Kuvendi i zhvillon punimet sipas kalendarit dhe sipas rendit të ditës, të propozuar nga Kryesia e
Kuvendit.

Neni 50
Mbledhjet jashtë selisë së Kuvendit

1. Kuvendi dhe organet e punës së tij mund të mbajnë mbledhje edhe jashtë selisë së Kuvendit.

2. Kryesia e Kuvendit vendos për vendin kur seanca plenare mbahet jashtë selisë, ndërsa për
mbledhjen e Komisionit parlamentar vendos komisioni.

Neni 51
Sesionet e punimeve të Kuvendit

1. Kuvendi zhvillon punën në dy sesione:

1.1. Sesioni Pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar dhe përfundon në fund të muajit
korrik.

1.2. Sesioni Vjeshtor fillon të hënën e dytë të muajit shtator dhe përfundon në fund të muajit
dhjetor.

2. Kuvendi, ndërmjet dy sesioneve, mund të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme.

Neni 52
Rendi i ditës për seancë plenare

1. Kryetari i Kuvendit e përcakton rendin e ditës për seancën e radhës së Kuvendit, sipas nenit 16 të
kësaj rregulloreje. Rendi i ditës së bashku me materiale u shpërndahen deputetëve së paku dy (2)
ditë pune, para mbajtjes së seancës plenare.

2. Rendi i ditës konsiderohet i miratuar, përveç kur:

2.1. nuk ka pasur konsensus në Kryesinë e Kuvendit;

2.2. kur në fillim të seancës paraqitet propozim për ndryshimin e rendit të ditës sipas neneve 53
dhe 94 të kësaj rregulloreje.


23

Neni 53
Ndryshimi i rendit të ditës

1. Rendi i ditës mund të ndryshohet në fillim të seancës plenare, në rastet kur:

1.1. Kryetari i grupit parlamentar, komisioni parlamentar ose së paku gjashtë (6) deputetë,
propozojnë heqjen e një çështjeje nga rendi i ditës. Kuvendi vendos me votim për miratimin
e atij propozimi.

1.2. Së paku gjashtë (6) deputetë, propozojnë më shkrim plotësimin e rendit të ditës. Për
miratimin e këtij propozimi Kuvendi vendos me 2/3 e deputetëve të pranishëm.

1.3. Deputeti, duke e njoftuar paraprakisht Kryetarin e Kuvendit, propozon shqyrtimin e një
çështjeje urgjente, sipas nenit 94 të kësaj rregulloreje.

2. Kryesuesi i seancës e hap diskutimin lidhur me propozimin, sipas nënparagrafëve 1.1. dhe 1.2, të
këtij neni. Të drejtë diskutimi kanë, propozuesi dhe kryetarët e grupeve parlamentare. Diskutimi
mund të zgjasë deri në tre (3) minuta për secilin diskutues.

Neni 54
Fillimi i seancës plenare

Kryesuesi i seancës e hap seancën plenare të Kuvendit kur janë të pranishëm shumica e deputetëve të
Kuvendit. Seanca plenare fillon me miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme. Kur nuk ka
vërejtje për tekstin, ai konsiderohet i miratuar dhe, nëse kërkohet të votohet, votimi bëhet me ngritjen
e dorës. Për këtë pikë, fjala i jepet vetëm deputetit që ka vërejtje në procesverbal, por jo më shumë se
dy (2) minuta. Procesverbali, pas miratimit, nënshkruhet nga kryesuesi i seancës, bëhet publik dhe
ruhet në arkivin e Kuvendit.

Neni 55
Koha për deklarimet e deputetëve

1. Koha për deklarimet e deputetëve zhvillohet pas miratimit të procesverbalit. Deputeti mund të
bëjë deklarim për çështje të ndryshme. Deputeti mund të deklarohet deri në tre (3) minuta, ndërsa
kur deklarohet në emër të grupit parlamentar deri në pesë (5) minuta.

2. Kryesuesi i seancës kujdeset t’i harmonizojë deklarimet e secilit deputet, sipas përkatësisë së
grupit parlamentar.

3. Koha e caktuar për deklarime të deputetëve jashtë rendit të ditës kufizohet deri në dyzet (40)
minuta.

4. Për deklarimet e deputetëve nuk ka replikë.




24

Neni 56
Deklarimet e Qeverisë

1. Pas përfundimit të deklarimeve të deputetëve jashtë rendit të ditës, anëtarët e Qeverisë, mund të
deklarohen për ndonjë çështje ose sqarim që është ngritur nga deputeti jashtë rendit të ditës, si
dhe çështje që kanë të bëjnë me fushëveprimin dhe përgjegjësitë e tyre.

2. Pas deklarimit të anëtarit të Qeverisë, mund të deklarohet edhe deputeti që ka parashtruar
çështjen.

3. Deklarimi i anëtarit të Qeverisë mund të zgjasë deri në tre (3) minuta. Ndërsa, deklarimi i
deputetit mund të zgjasë deri në dy (2) minuta.

4. Koha e caktuar për deklarime për këtë pikë të rendit të ditës kufizohet deri në dyzet (40) minuta.

Neni 57
Mocionet procedurale

1. Në seancë plenare, kryetari i grupit parlamentar ose deputeti ka të drejtë të propozojë këto
mocione procedurale, për të:

1.1. Shtyrë seancën plenare;

1.2. Bartur një çështje në komision;

1.3. Shtyrë shqyrtimin e një projektligj para miratimit në parim;

1.4. Konstatuar nëse është shkelur rregullorja;

1.5. Konstatuar nëse janë shkelur të drejtat e deputetit.

2. Në kërkesën për ta shtyrë seancën plenare deklarohen vetëm grupet parlamentare.

3. Votimi për kërkesën e parashtruar siç përcaktohet në paragrafin 1, nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të
këtij neni bëhet menjëherë, pa debat.

4. Kërkesën për të konstatuar shkeljen e Rregullores, Kryetari i Kuvendit e shqyrton menjëherë. Kur
konstatohet shkelja, Kryetari e udhëzon shkelësin ta respektojë rregulloren.

5. Kur deputeti parashtron mocion procedural për shkeljen e të drejtave të tij, Kryetari i Kuvendit
kërkon procedim sipas nenit 122 të kësaj rregulloreje.

6. Kryetari i Kuvendit ose deputeti, çështjen e kontestuar ia adreson Komisionit përkatës për
Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit, i cili në seancën e radhës duhet ta paraqesë
rekomandimin për mocionin.



25

Neni 58
Mocionet përmbajtjesore

1. Të paktën gjashtë (6) deputetë mund të paraqesin një mocion përmbajtjesor për një çështje të
veçantë. Mocionit duhet t’i bashkëngjitet teksti i dokumentit të propozuar për miratim, qoftë ajo
rezolutë, deklaratë apo akt tjetër që parashtrohet vetëm nga propozuesi i mocionit.

2. Kërkesa për zhvillimin e mocionit i adresohet Kryetarit të Kuvendit. Kryetari, brenda pesë (5)
ditëve e mbledh Kryesinë e Kuvendit dhe vendos për datën e mbajtjes së debatit. Kryetari synon
të arrijë konsensus në Kryesinë e Kuvendit, e në rast se nuk arrin konsensus, Kryetari i Kuvendit
e fut në rend të ditës, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga data e parashtrimit të mocionit.

3. Kryetari i Kuvendit vlerëson nevojën për informata shtesë nga Qeveria në lidhje me mocionin e
parashtruar. Qeveria duhet t’i sjellë informatat e kërkuara brenda shtatë (7) ditësh, pas kërkesës
nga Kryetari i Kuvendit.

4. Zhvillimi i mocionit përmbajtjesor në seancë plenare përfshin debatin e përgjithshëm për
projektdeklaratën, për projektrezolutën ose aktin tjetër. Pas përfundimit të debatit, kryesuesi i
seancës e vendos në votim mocionin e propozuar.

Neni 59
E drejta për replikë

1. Deputeti ose anëtari i Qeverisë ka të drejtë t’i përgjigjet diskutimit të një deputeti ose të një
anëtari të Qeverisë, në rastin kur i është përmendur emri, ose i është referuar diskutimit të tij.

2. E drejta për të replikuar, sipas paragrafit 1 të këtij neni, bëhet menjëherë pas përfundimit të
diskutimit përkatës dhe kufizohet në dy (2) minuta. Kundërreplika lejohet menjëherë në
kohëzgjatje deri në një (1) minutë.

Neni 60
Koha e diskutimeve

1. Diskutimi i deputetit në seancë plenare mund të zgjasë deri në dhjetë (10) minuta, nëse Kuvendi
nuk vendos ndryshe.

2. Përjashtim bën diskutimi grupor, kur koha e diskutimit ndahet sipas fuqisë së grupit parlamentar.

3. Për një çështje në një pikë të rendit të ditës, deputeti mund të diskutojë vetëm një herë, me
përjashtim të replikës, si dhe kur flet në emër të komisionit apo grupit parlamentar.

4. Deputeti, që dëshiron të diskutojë, duhet të paraqitet për fjalë. Kryesuesi i seancës i fton
diskutuesit sipas radhës së paraqitjes dhe përkatësisë së grupeve parlamentare.




26

Neni 61
Kuorumi dhe votimi në seancë plenare të Kuvendit

1. Kuvendi ka kuorum kur janë të pranishëm më shumë se gjysma e deputetëve të Kuvendit.

2. Prania e deputetëve në seancë verifikohet me sistem elektronik, me numërim fizik ose me thirrje
të emrave. Për mënyrën e verifikimit të pranisë së deputetëve, vendos kryesuesi i seancës.

3. Vendimet e seancës plenare janë të vlefshme, nëse në votim marrin pjesë më shumë se gjysma e
deputetëve të Kuvendit. Akti i Kuvendit konsiderohet i miratuar nëse për të votojnë shumica e
deputetëve që marrin pjesë në votim. Përjashtim bëjnë rastet kur me Kushtetutën e Republikës së
Kosovës parashihet ndryshe.

4. Votimi bëhet në mënyrë të hapur ose të fshehtë:

4.1. Votimi i hapur bëhet në mënyrë elektronike ose me ngritje të dorës;

4.2. Votimi i fshehtë bëhet me fletëvotime, duke e thirrur secilin deputet veç e veç;

4.3. Votimi nominal.

5. Fletëvotimi i fshehtë, me një kandidat, duhet të përmbajë të paktën objektin e votimit dhe
alternativat e votimit “për”, “kundër” dhe “abstenim”. Në fletën e votimit deputeti shënon me një
shenjë të dallueshme dhe të qartë zgjedhjen e bërë në alternativën për të cilën voton. Në rast se
fleta e votimit përmban më shumë se një kandidat, deputeti vendos shenjën për zgjedhjen e bërë
përbri emrave të vendosur në kuadrat.

6. Çdo votim është i regjistruar, përpos votimit të fshehtë. Vota e secilit deputet “për”, “kundër” ose
“abstenim” regjistrohet me emër e me mbiemër. Kur votimi bëhet në mënyrë elektronike, në
ekran paraqitet numri i pjesëmarrësve, numri i votuesve dhe rezultati i plotë i votimit. Me
kërkesën e së paku një grupi parlamentar, kur kjo është e mundur teknikisht, në monitor paraqitet
votimi i secilit deputet veç e veç. Deputeti ka të drejtë ta shpjegojë votën e vet “për”, “kundër”
ose “abstenim” dhe ta kërkojë kopjen elektronike të rezultatit të votimit.

7. Votimi është individual dhe e drejta e votës nuk delegohet.

8. Koha e votimit elektronik zgjat deri në njëzetë (20) sekonda.

9. Publikimi i votimit elektronik të deputetëve bëhet menjëherë pas përfundimit të seancës plenare.
Ndërsa, publikimi i votimit me dorë bëhet publike brenda dy (2) ditë pune pas përfundimit të
votimit në seancë plenare.

10. Në rast se kërkohet nga një grup parlamentar ose gjashtë (6) deputetë, atëherë votimi do të bëhet
përmes fletëvotimit të personalizuar.

11. Në rast të mungesës të kuorumit për vendimmarrje, gjatë votimit, votimi mund të përsëritet dy
herë. Votimi i dytë bëhet menjëherë pas votimit të parë. Nëse edhe më tej nuk ka kuorum, atëherë
27

seanca mund të ndërpritet për së paku dhjetë (10) minuta para se të vazhdohet me votimin e tretë
ose me vazhdimin e seancës.

12. Nëse përsëri nuk ka kuorum në votimin e tretë, kryesuesi i seancës kalon në pikën e radhës,
ndërsa çështja e mbetur bartet në seancën e re.

13. Përjashtim, nga paragrafi 11 i këtij neni, bëjnë rastet kur kërkohet votim me 2/3 e të gjithë
deputetëve apo me 2/3 e deputetëve të pranishëm. Në këto raste kalohet në pikën e radhës.

Neni 62
Votimi nominal

1. Votimi nominal mund të kërkohet nga të paktën gjashtë (6) deputetë dhe vendoset me votim nga
Kuvendi. Kryesuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron votimin nominal dhe fton deputetët një
nga një që të deklarohen.

2. Në votimin nominal kryesuesi i seancës thërret deputetët sipas rendit alfabetik të mbiemrit të tyre
dhe ata përgjigjen me zë të lartë “për”, “kundër” ose “abstenim”.

3. Në rastin e votimit nominal, lista e deputetëve votues me shënimin e votës “për”, “kundër” ose
“abstenim” të secilit deputet, publikohet së bashku me materialet e seancës plenare.

Neni 63
Rregulli dhe mbarëvajtja gjatë punimeve në Kuvend

1. Kryesuesi i seancës kujdeset për rregull dhe mbarëvajtje në seancën e Kuvendit.

2. Kryesuesi i seancës ia tërheq vërejtjen secilit deputet ose anëtarit të Qeverisë, kur:

2.1. Diskuton për çështje që nuk është në rend të ditës;

2.2. Merr fjalën pa lejen e kryesuesit të seancës;

2.3. Me ndërhyrjen e tij pengon diskutuesin tjetër;

2.4. Përdor gjuhë joparlamentare;

2.5. Kryen ndonjë veprim, që e prishë rregullin e punës në seancë;

2.6. Nxit ose ushtron dhunë.

3. Deputeti ose anëtari i Qeverisë është i detyruar të respektojë vendimin e kryesuesit të seancës,
pasi t’i tërhiqet vërejtja për sjelljen, duke përfshirë edhe aplikimin e masës së largimit nga seanca
plenare.

4. Kryesia e Kuvendit nxjerr rregulla për sjelljen e publikut, të përfaqësuesve të mediave dhe të
personave të tjerë, që ndjekin seancat plenare në Kuvend.

28

5. Kryesuesi i seancës urdhëron largimin nga seanca plenare për personat që nuk i respektojnë
rregullat e Kuvendit.

Neni 64
Llojet e masave

1. Masat që mund të ndërmerren ndaj deputetëve dhe anëtareve të Qeverisë janë:
1.1. Tërheqja e fjalës;
1.2. Ndërprerja e fjalës;
1.3. Vërejtje;
1.4. Vërejtje me paralajmërim për largim nga seanca plenare;
1.5. Largim nga seanca plenare.

Neni 65
Masa e vërejtjes dhe vërejtjes me paralajmërim për largim nga seanca

1. Kur deputeti ose anëtari i Qeverisë përdor gjuhë joparlamentare, me sjelljen e tij pengon
zhvillimin e seancës plenare ose cenon rregullin e saj, kryesuesi i seancës plenare i jep “vërejtje”,
duke deklaruar se është duke përdorur gjuhë joparlamentare.

2. Në rast se deputeti ose anëtari i Qeverisë, ndaj të cilit është zbatuar masa, nga paragrafi 1 i këtij
neni, kërkon të japë shpjegime për veprimet e tij ose gjuhën e përdorur, fjala i jepet në përfundim
të seancës plenare të asaj dite, për jo më shumë se dy (2) minuta.

3. Kur deputeti ose anëtari i Qeverisë e përsërit shkeljen në të njëjtën seancë plenare, pasi i është
dhënë vërejtja një herë ose cenon seriozisht rendin në seancë plenare, kryesuesi i seancës i jep
“vërejtje me paralajmërim për largim nga seanca plenare”.

4. Në rast se deputeti ose anëtari i Qeverisë në po të njëjtën seancë kërkon publikisht ndjesë për
sjelljen, për të cilën i është dhënë masa nga paragrafi 3 i këtij neni, masa anulohet nga kryesuesi i
seancës.

Neni 66
Masa e largimit nga seanca

1. Kur deputeti ose anëtari i Qeverisë përdor fjalë fyese, cenon personalitetin e kryesuesit të seancës
ose deputetit, ose vazhdon të bëjë shkelje, pasi më parë në të njëjtën seancë janë zbatuar masat,
sipas nenit 65 të kësaj rregulloreje, kryesuesi i seancës merr masën “largim nga seanca plenare”
për atë ditë.

2. Në rast se deputeti ose anëtari i Qeverisë nuk pranon të dalë nga salla, kryesuesi i seancës e
ndërpret seancën dhe urdhëron shërbimin e sigurisë në Kuvend zbatimin e masës.

3. Masa “largim nga seanca plenare” shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me
kompensimin për një seancë plenare.


29

Neni 67
Pezullimi dhe mbyllja e seancës plenare

Në rast se në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e
rregullit, kryesuesi e ndërpret seancën plenare. Në rast se përsëri rrëmuja vazhdon, kryesuesi i
seancës e pezullon seancën, dhe Kuvendi e vazhdon punën në një ditë tjetër.

Neni 68
Seanca e jashtëzakonshme

1. Kryetari i Kuvendit, me kërkesën e Presidentit, Kryeministrit apo nga 1/3 e deputetëve thërret
seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

2. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, nga Presidenti apo nga Kryeministri duhet të përmbajë
çështjen që do të shqyrtohet.

3. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme, nga 1/3 e deputetëve, duhet të përmbajë çështjen që do të
shqyrtohet, nënshkrimet e deputetëve, të ndërlidhur me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme.
Deputeti mund ta tërheqë nënshkrimin deri në dorëzimin e kërkesës në Zyrën për propozime dhe
parashtresa.

4. Seanca e jashtëzakonshme mbahet jo më vonë se 72 orë nga momenti i dorëzimit të kërkesës në
Zyrën për propozime dhe parashtresa. Kohën e mbajtjes e përcakton thirrësi i seancës.

5. Në seancën e jashtëzakonshme diskutohet vetëm për çështjen e ngritur.

6. Deputeti mund të jetë pjesë e listës për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme, sipas paragrafit 3 të
këtij neni, duke dërguar e-mail përmes postës elektronike zyrtare, me të cilin e konfirmon
vullnetin e tij për thirrje të seancës. E-mail-i duhet ta përmbajë titullin e qartë, deklaratën e
deputetit, çështjen, datën dhe kohën. E-mail-i i bashkëngjitet kërkesës për thirrjen e seancës së
jashtëzakonshme.

Neni 69
Mbledhjet dhe votimi në situata të jashtëzakonshme

1. Në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas nenit 131 të Kushtetutës apo në rast të shpalljes së
gjendjes emergjente, seanca plenare dhe mbledhjet e organeve të Kuvendit mund të zhvillohen
edhe në distancë, nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik apo mbledhjeve të kombinuara.

2. Vendimi për zhvillimin e punimeve të Kuvendit, sipas paragrafit 1 të këtij neni, merret nga
Kryesia e Kuvendit, e cila vendos për mënyrën e organizimit dhe mbajtjes së punimeve të
organeve të Kuvendit.

3. Kur mbledhja mbahet sipas këtij neni, votimi mund të kryhet me mjete të komunikimit elektronik
apo të kombinuar, duke siguruar identifikimin e deputetit.


30

KREU X
PROCEDURA LIGJVËNËSE

Neni 70
Propozimi i projektligjit

1. Të drejtë për të propozuar projektligj në Kuvend ka:

1.1. Presidenti i Republikës së Kosovës, nga fushëveprimtaria e tij;

1.2. Qeveria;

1.3. Një deputet i përkrahur edhe nga së paku 5 deputetë;

1.4. Së paku dhjetëmijë qytetarë, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

2. Projektligji i propozuar, sipas nënparagrafëve 1, 3 dhe 4 të këtij neni, së bashku më shkresat e
kërkuara në nenin 71 të kësaj rregulloreje, i dërgohet Qeverisë për mendim, përmes Kryetarit të
Kuvendit. Qeveria paraqet mendimin e vet me shkrim, të nënshkruar nga Kryeministri, brenda
afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e pranimit të projektligjit. Pas kalimit të këtij afati,
projektligji procedohet në Kuvend.

Neni 71
Kushtet për parashtrimin e një projektligji

1. Projektligji, që procedohet në Kuvend përmban:

1.1. Shkresën shpjeguese për objektivat që synon t’i realizojë ligji, harmonizimin me
legjislacionin në fuqi dhe arsyetimin e dispozitave të ligjit;

1.2. Deklaratën për ndikimin buxhetor në vitin e parë dhe dy vitet tjera në vijim;

1.3. Deklaratën e përafrimit dhe harmonizimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, me
tabelën krahasuese të akteve të cilave u referohet;

1.4. Deklaratën për lekturim dhe për harmonizim gjuhësor.

2. Çdo projektligj që procedohet në Kuvend duhet të jetë në letër dhe në formë elektronike, i hartuar
në gjuhët: shqipe, serbe dhe angleze.

3. Zyra për propozime dhe parashtresa, pas verifikimit të aspektit formal-juridik, e regjistron
projektligjin sipas rendit të paraqitur dhe menjëherë ua shpërndan nga një kopje në letër çdo grupi
parlamentar, dhe në mënyrë elektronike të gjithë deputetëve, së bashku me shkresën përcjellëse të
nënshkruar nga Kryetari i Kuvendit. Projektligji publikohet në faqen elektronike të Kuvendit.

4. Në rast se projektligji nuk i përmbush kushtet sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, Kryetari ia
kthen propozuesit projektligjin për plotësimet e nevojshme.
31

Neni 72
Shqyrtimi i projektligjit dhe i mocionit në seancë plenare

1. Shqyrtimi i një projektligji dhe i një mocioni në seancë plenare bëhet sipas këtij rendi:
1.1. Propozuesi i projektligjit ose i mocionit;

1.2. Kryetari ose raportuesi i Komisionit përgjegjës-raportues;

1.3. Kryetarët ose përfaqësuesit e grupeve parlamentare;

1.4. Në rastet kur propozues i projektligjit ose i mocionit nuk është Qeveria, kërkohet deklarimi i
Qeverisë;

1.5. Deputetët e tjerë diskutojnë për projektligjin ose për mocionin, sipas radhës së paraqitjes dhe
përkatësisë së grupeve parlamentare;

1.6. Pas diskutimeve, propozuesi i projektligjit ose i mocionit ka të drejtë ta marrë fjalën, deri në
pesë (5) minuta.

2. Në përfundim të shqyrtimit, sipas rendit të paraqitur në paragrafin 1 të këtij neni, kryesuesi i
seancës i mbyll diskutimet dhe kërkon deklarimin e deputetëve me votim për projektligjin ose për
mocionin.

Neni 73
Radha e votimit të amendamenteve

1. Amendamenti votohet sipas renditjes krahas tekstit të projektligjit.

2. Përpara votimit të çdo amendamenti, kryesuesi i seancës i njofton deputetët me propozimin e
komisionit përgjegjës-raportues.

3. Votimi i amendamentit bëhet sipas radhës së paraqitur nga komisioni përgjegjës-raportues. Nëse
për një nen ka më shumë se një amendament, së pari votohet amendamenti i propozuar nga
komisioni përgjegjës-raportues. Nëse amendamenti i komisionit kalon, amendamenti tjetër nuk
votohet. Nëse nuk kalon amendamenti i komisionit, votohet amendamenti tjetër sipas radhës.

4. Kur komisioni përgjegjës-raportues ka paraqitur më shumë se një amendament për të njëjtin nen
të projektligjit, kryesuesi i seancës mund t’i hedh ato në votim në grup, me përjashtim të rastit kur
kërkohet votim i veçantë.

5. Amendamentet që kanë lidhje përmbajtjesore me amendamentet në nene të tjera në vijim,
kryesuesi i seancës, me kërkesë të komisionit përgjegjës raportues mund t’i hedhë ato në votim në
grup, me përjashtim të rastit kur të paktën gjashtë (6) deputetë ose kryetari i një grupi parlamentar
kërkojnë votimin e tyre të veçantë, për të cilën Kuvendi vendos me votim.



32

KREU XI
FAZAT E SHQYRTIMIT TË PROJEKTLIGJIT

Neni 74
Shqyrtimi i parë i projektligjit

1. Shqyrtimi i parë i projektligjit në seancë plenare nuk mund të bëhet pa kaluar dy (2) javë nga dita
e shpërndarjes së tij.

2. Para shqyrtimit të parë të projektligjit në seancë plenare, Komisioni përgjegjës-raportues, i
ngarkuar nga Kryetari i Kuvendit, e shqyrton projektligjin në parim. Komisioni i paraqet
Kuvendit raport me rekomandime për miratim ose për mosmiratim të projektligjit.

3. Shqyrtimi i parë i projektligjit përmban diskutimin dhe votimin e tij.

4. Diskutimi në parim për projektligjin zhvillohet pavarësisht rekomandimit të Komisionit
përgjegjës-raportues.

5. Projektligji që nuk miratohet në shqyrtimin e parë në seancë plenare, nuk mund të paraqitet
përsëri pa kaluar tre (3) muaj nga dita e mosmiratimit. Përjashtim nga kjo rregull bëjnë
projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Neni 75
Tërheqja e projektligjit ose e mocionit

Propozuesi mund ta tërheqë projektligjin gjatë shqyrtimit në Kuvend deri para fillimit të votimit të
projektligjit me amendamente në shqyrtimin e dytë, si dhe mocionin deri para fillimit të votimit. Për
tërheqjen e aktit, para shqyrtimit në seancë plenare, propozuesi e njofton me shkrim Kryetarin e
Kuvendit, i cili i njofton deputetët në seancën plenare të radhës.

Neni 76
Shqyrtimi i projektligjit në komisione

1. Pas miratimit në shqyrtim të parë, projektligji shqyrtohet nga komisioni përgjegjës-raportues.

2. Në rastin kur projektligji rregullon çështje nga fushëveprimi i dy (2) komisioneve funksionale,
Kuvendi e ngarkon njërin prej tyre, si komision përgjegjës-raportues.

3. Amendament në projektligj mund të propozojë deputeti, komisioni parlamentar dhe Qeveria.
Amendamentet i adresohen Komisionit përgjegjës-raportues, nëpërmjet Zyrës për propozime dhe
parashtresa brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita miratimit në parim.

4. Propozimi për amendamentin duhet të përmbajë: referimin ndaj dispozitës së projektligjit,
formulimin e saktë të amendamentit dhe arsyetimin e amendamentit të propozuar.

5. Amendamenti i propozuar, i dërgohet Zyrës për propozime dhe parashtresa.

33

6. Në rast se amendamenti nuk i përmbushë kushtet sipas paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni, Zyra për
propozime dhe parashtresa ia kthen propozuesit amendamentin, për plotësimet e nevojshme.

7. Komisioni përgjegjës-raportues shqyrton projektligjin nen për nen dhe amendamentet e
propozuara. Raporti me rekomandime u dërgohet komisioneve të përhershme.

8. Komisioni i përhershëm, shqyrton projektligjin me amendamentet e propozuara nga komisioni
përgjegjës-raportues, si dhe amendamentet e propozuara nga të autorizuarit sipas paragrafit 3 të
këtij neni. Komisioni i përhershëm, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh, nga data e marrjes së
raportit, duhet të paraqesë raportin për projektligjin dhe për amendamentet e Komisionit
përgjegjës-raportues, pas këtij afati raporti i Komisionit përgjegjës-raportues procedohet për
miratim në seancë plenare.

9. Komisioni përgjegjës-raportues, pasi e përfundon shqyrtimin, i paraqet Kuvendit raportin me
rekomandime. Në raport përfshihen edhe mendimi i komisioneve të përhershme, si dhe deklarimi
për amendamentet e propozuara nga deputeti, nga komisioni dhe nga Qeveria. Në raport shënohet
edhe mendimi i anëtarëve që janë shprehur kundër.

Neni 77
Shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit

Në rastin kur me projektligj propozohet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit, amendamentohen vetëm
dispozitat e propozuara me projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit.

Neni 78
Shqyrtimi i dytë i projektligjit

1. Shqyrtimi i dytë i projektligjit fillon me paraqitjen e raportit të komisionit përgjegjës-raportues.
Pas paraqitjes së raportit, të drejtën e diskutimit, sipas radhës e kanë përfaqësuesit e komisioneve
të përhershme, përfaqësuesi i grupit parlamentar, përfaqësuesi i Qeverisë, propozuesi i
amendamenteve dhe deputeti.

2. Gjatë shqyrtimit të dytë në seancë plenare nuk mund të propozohen amendamente të reja, me
përjashtim të rastit kur paraqitet nevoja për të evituar kolizionin e dispozitave të projektligjit. Me
propozim të kryetarit të Komisionit përgjegjës- raportues, Kuvendi vendos për ndërprerjen e
shqyrtimit të amendamenteve dhe e bart çështjen për shqyrtim vetëm në Komisionin përgjegjës-
raportues, i cili e paraqet raportin plotësues gjatë zhvillimit të seancës apo për seancën e radhës.

3. Shqyrtimi i dytë i projektligjit vazhdon me shqyrtimin dhe me votimin e amendamenteve të
propozuara nga Komisioni përgjegjës-raportues dhe të amendamenteve të propozuara nga
komisionet e tjera nga Qeveria dhe nga deputetët. Para votimit të amendamentit mund të
zhvillohet debat.

4. Radhitja e amendamenteve, të pasqyruara në tabelën krahasuese me dy kolona (teksti i
projektligjit dhe i amendamenteve), për shqyrtim dhe për votim në seancë plenare bëhet sipas
nenit 73 të kësaj rregulloreje.

5. Pas votimit të amendamenteve, votohet teksti i projektligjit me amendamentet e miratuara.
34


6. Me kërkesë të Komisionit përgjegjës-raportues votimi i projektligjit me amendamentet e
miratuara mund të shtyhet në seancën e radhës.

7. Teksti i projektligjit me amendamentet e miratuara përgatitet nga njësia përkatëse organizative e
Administratës së Kuvendit dhe i dërgohet Komisionit përgjegjës- raportues. Njësia gjatë
përgatitjes së tekstit të projektligjit me amendamentet e miratuara kufizohet vetëm në eliminimin
eventual të mospërputhjeve terminologjike dhe ligjore në tekst ose të kolizioneve ndërmjet
normave të projektligjit dhe normave të tjera të sistemit ligjor.

8. Komisioni përgjegjës-raportues, gjatë shqyrtimit të projektligjit me amendamentet e miratuara,
nuk e shqyrton përmbajtjen e miratuar të projektligjit, por kufizohet vetëm sipas paragrafit 7 të
këtij neni.

9. Komisioni përgjegjës-raportues tekstin e projektligjit, sipas paragrafit 8 të këtij neni, e procedon
për miratim në Kuvend brenda pesë (5) ditë pune, nga dita e vendosjes sipas paragrafit 6 të këtij
neni.

10. Në seancën e parë plenare pas dorëzimit të projektligjit me amendamentet eventuale, të
propozuara në pajtim me paragrafin 7 të këtij neni, procedohet me votimin përfundimtar të
projektligjit.

Neni 79
Shqyrtimi i tretë i projektligjit

1. Kur projektligji në shqyrtimin e dytë nuk merr numrin e duhur të votave për miratim, me kërkesë
të propozuesit të projektligjit ose të komisionit përgjegjës-raportues, Kuvendi vendos që
projektligjin ta paraqesë edhe në shqyrtimin e tretë, së bashku me amendamentet e miratuara.

2. Amendamentet që janë shqyrtuar dhe që janë refuzuar në shqyrtimin e dytë, nuk mund të
propozohen për shqyrtimin e tretë.

3. Procedura e shqyrtimit të amendamenteve plotësuese dhe procedura e shqyrtimit të projektligjit të
ndryshuar në leximin e tretë, duhet të jenë në pajtim me nenin 78 të kësaj rregulloreje.

Neni 80
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin Vjetor

1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Buxhetin Vjetor në seancë plenare bëhet jo më herët se një (1)
javë nga dita e shpërndarjes së tij.

2. Kuvendi, në seancë plenare, pas paraqitjes së raportit për vlerësimin në parim të Komisionit
përgjegjës-raportues, diskuton dhe vendos për miratimin në parim të Projektligjit për Buxhetin
Vjetor.

3. Pas miratimit në shqyrtim të parë, Projektligji për Buxhetin Vjetor shqyrtohet nga komisioni
përgjegjës-raportues dhe komisionet e tjera parlamentare.
35

4. Amendament në Projektligjin për Buxhetin Vjetor mund të propozojë deputeti, komisioni
parlamentar dhe Qeveria. Amendamentet i adresohen Komisionit përgjegjës-raportues, nëpërmjet
Zyrës për propozime dhe parashtresa brenda dhjetë (10) ditëve nga dita e miratimit në parim.

Neni 81
Shqyrtimi i Projektligjit për Buxhetin Vjetor në komisione

1. Komisionet parlamentare, sipas fushave që mbulojnë, shqyrtojnë Projektligjin për Buxhetin
Vjetor. Në mbledhjen e komisionit merr pjesë ministri përkatës dhe përfaqësuesit tjerë të
organizatave buxhetore, të cilët bëjnë paraqitjen dhe japin shpjegimet përkatëse.

2. Komisioni parlamentar mund të organizojë seancë dëgjimore me qëllim marrjen e vërejtjeve dhe
mendimeve nga institucione, persona ose grupe të interesuara për Projektligjin e Buxhetit Vjetor.

3. Komisioni ia paraqet raportin me rekomandime për Projektligjin e Buxhetit Vjetor Komisionit
përgjegjës-raportues, brenda dy (2) jave nga dita e miratimit në parim.

4. Propozimi për amendamentin në pjesën e tabelave të projektbuxhetit rekomandohet të përmbajë:
referimin nga cili kod buxhetor hiqet shuma e mjeteve buxhetore dhe në cilin kod buxhetor bartet
shuma e mjeteve buxhetore dhe arsyetimin e amendamentit të propozuar.

5. Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin Vjetor në Komisionin përgjegjës-raportues, në
mbledhje mund të marrë pjesë propozuesi i amendamentit.

6. Pas përfundimit të shqyrtimit, Komisioni përgjegjës-raportues i paraqet seancës plenare Raportin
për vlerësimin e Projektligjit për Buxhetin Vjetor.

Neni 82
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin Vjetor

1. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Buxhetin Vjetor fillon me paraqitjen e Raportit të Komisionit
përgjegjës-raportues. Pas paraqitjes së raportit, të drejtën e diskutimit, sipas radhës e kanë
përfaqësuesit e komisioneve që kanë propozuar amendamente, përfaqësuesi i grupit parlamentar,
përfaqësuesi i Qeverisë, propozuesi i amendamenteve dhe deputeti.

2. Gjatë shqyrtimit të dytë në seancë plenare nuk mund të propozohen amendamente të reja, me
përjashtim të rastit kur paraqitet nevoja për të evituar kolizionin e dispozitave të projektligjit apo
tabelave buxhetore. Me propozim të kryetarit të Komisionit përgjegjës-raportues, Kuvendi
vendos për ndërprerjen e shqyrtimit të amendamenteve dhe e bart çështjen për shqyrtim vetëm në
Komisionin përgjegjës-raportues, i cili e paraqet raportin plotësues gjatë zhvillimit të seancës
plenare.

3. Shqyrtimi i dytë i projektligjit vazhdon me shqyrtimin dhe me votimin e amendamenteve të
propozuara, sipas radhës së paraqitur në Raportin e Komisionit përgjegjës-raportues.

4. Pas votimit të amendamenteve, votohet teksti i projektligjit me amendamentet e miratuara.


36

Neni 83
Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare me ligj në bazë të nenit
18 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.

2. Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare e përgatit Qeveria, e që përmban
tekstin e marrëveshjes ndërkombëtare, arsyet e ratifikimit dhe deklaratën financiare, në rastet kur
ka implikime buxhetore.

3. Procedimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare është i veçantë dhe i
nënshtrohet vetëm një shqyrtimi.

4. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare bëhet jo më herët se një
(1) javë nga dita e shpërndarjes së tij.

5. Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare e shqyrton Komisioni përgjegjës-
raportues.

6. Teksti i marrëveshjes nuk amendamentohet.

Neni 84
Nënshkrimi i ligjit dhe Vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës për kthimin e ligjit

1. Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet Presidentit të
Republikës për shpallje jo më herët se tetë (8) ditë nga dita e miratimit.

2. Nëse Presidenti i Republikës e kthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, në përputhje me nenin 80,
paragrafi 3 dhe nenin 84 (6) të Kushtetutës, Kryetari i Kuvendit ia dërgon menjëherë Komisionit
përgjegjës-raportues për shqyrtim dhe deputetëve të Kuvendit.

3. Komisioni përgjegjës-raportues përgatit raportin për seancë plenare brenda katër (4) javëve nga
dita e pranimit të tij.

4. Për ta përmbysur veton e Presidentit nevojiten që së paku 61 deputetë të votojnë për ligjin e
miratuar, i cili është kthyer nga Presidenti i Republikës dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në rast
se Kuvendi nuk e përmbys veton e Presidentit, konsiderohet se nuk ka ligj.

Neni 85
Procedura e përshpejtuar e shqyrtimit të projektligjeve

1. Shqyrtimi i parë i projektligjit me procedurë të përshpejtuar, nuk mund të bëhet më herët se 48
orë nga shpërndarja e materialit, ndërsa shqyrtimi i dytë nuk mund të bëhet më herët se 72 orë
nga dita e miratimit në parim, me përjashtim të gjendjes së jashtëzakonshme ose shpalljes së
gjendjes emergjente.

37

2. Me kërkesë të Qeverisë ose të 1/4 të numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi shqyrton me
procedurë të përshpejtuar projektligjet që ndërlidhen me:

2.1. Sigurinë kombëtare;

2.2. Shëndetin publik; dhe

2.3. Çështje buxhetore dhe financiare.

3. Kërkesa nga paragrafi 2 i këtij neni i adresohet Kryetarit të Kuvendit, i cili e thërret seancën
plenare.

Neni 86
Procedura e urgjente për shqyrtimin e projektligjit

1. Kuvendi, me kërkesë të Qeverisë ose 1/4 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, mund të shqyrtojë
projektligjin me procedurë urgjente, i cili ndërlidhet me marrjen e masave për gjendjen e
jashtëzakonshme, sipas nenit 131 të Kushtetutës apo për gjendjen emergjente.

2. Shqyrtimi i projektligjit, sipas paragrafit 1 të këtij neni, është i veçantë dhe shqyrtohet vetëm nga
Komisioni funksional, me përjashtim të rastit kur kërkohet sipas nenit 78, paragrafi 2 të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

3. Shqyrtimi i parë i projektligjit me procedurë urgjente bëhet brenda 48 orëve nga shpërndarja e
materialit, ndërsa shqyrtimi i dytë bëhet brenda 72 orëve nga dita e miratimit në parim, me
përjashtim të rasteve kur Kuvendi vendos ndryshe.


KREU XII
AMENDAMENTIMI I KUSHTETUTËS

Neni 87
Procedura për amendamentimin e Kushtetutës

1. Kushtetuta e Republikës së Kosovës amendamentohet sipas nenit 144 të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës.

2. Amendamentet e propozuara nga subjektet e autorizuara sipas nenit 144, paragrafi 1 të
Kushtetutës, i dorëzohen Kryetarit të Kuvendit.

3. Kryetari i Kuvendit, në seancën plenare të radhës, e njofton Kuvendin me propozimin për
amendamentimin e Kushtetutës dhe konstaton plotësimin e kushteve sipas nenit 144 të
Kushtetutës, për fillimin e procedurës për amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së
Kosovës.

4. Kryetari i Kuvendit, jo më vonë se shtatë (7) ditë, nga dita e mbajtjes së seancës plenare, ia
dërgon Gjykatës Kushtetuese amendamentet e propozuara, për të vlerësuar paraprakisht nëse
38

ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II
të Kushtetutës.

5. Pas marrjes së vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni përkatës për Legjislacion brenda
shtatë (7) ditëve, ia paraqet rekomandimin Kuvendit për amendamentet e propozuara.

Neni 88
Shqyrtimi dhe miratimi i amendamentit të Kushtetutës

1. Shqyrtimi dhe miratimi i amendamenteve bëhet në seancë plenare të veçantë.

2. Seanca plenare për miratimin e amendamenteve kushtetuese thirret brenda dy (2) javësh nga
marrja e vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.

3. Kuvendi shqyrton dhe voton çdo amendament veç e veç.

4. Votimi i amendamenteve bëhet në mënyrë të hapur.

5. Amendamentet miratohen në pajtim me nenin 144, paragrafi 2, të Kushtetutës së Republikës së
Kosovës.


KREU XIII
RAPORTET E KUVENDIT ME GJYKATËN KUSHTETUESE

Neni 89
Ngritja e një çështjeje në Gjykatën Kushtetuese

Autorizimet e Kuvendit dhe të deputetëve për ngritjen e një çështjeje para Gjykatës Kushtetuese janë
përcaktuar me nenin 113 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Neni 90
Procedura e kontestimit të aktit të Kuvendit

1. Kur Kuvendi e merr nga Gjykata Kushtetuese kërkesën e palës së autorizuar për fillimin e
procedurës së vlerësimit të kushtetutshmërisë të një akti që e ka nxjerrë Kuvendi, kërkesa u
dërgohet deputetëve dhe Komisionit përkatës për Legjislacion.

2. Përgjigjen në kërkesën e palës së autorizuar Kuvendi e mbështet në nenin 22 të Ligjit për
Gjykatën Kushtetuese.

Neni 91
Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

1. Kryetari i Kuvendit i njofton deputetët dhe Qeverinë me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

39

2. Nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndonjë nen të aktit para hyrjes në fuqi të të njëjtit, Kryetari i
Kuvendit kërkon nga komisioni funksional që në përputhje me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese
të përgatisë tekstin e aktit për shpallje nga Presidenti.

3. Nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon ndonjë nen të aktit pas hyrjes në fuqi të të njëjtit, Kryetari i
Kuvendit kërkon nga Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës, që krahas aktit të publikuar, të
publikohet edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.


KREU XIV
KONTROLLI PARLAMENTAR

Neni 92
Pyetjet parlamentare për përgjigje me gojë

1. Pas pikës së përcaktuar për deklarime jashtë rendit të ditës të çdo seance plenare të Kuvendit,
ndahen 60 minuta kohë për pyetje parlamentare për përgjigje me gojë. Deputeti për një seancë
plenare mund të parashtrojë më së shumti dy (2) pyetje.

2. Secili deputet mund t’i parashtrojë pyetje për përgjigje me gojë një anëtari të Qeverisë, me kusht
që pyetja parlamentare të jetë parashtruar paraprakisht me shkrim në Zyrën për propozime dhe
parashtresa të Kuvendit, së paku 48 orë para fillimit të seancës.

3. Formulimi i pyetjes duhet t’i respektojë kushtet sipas nenit 63, nënparagrafi 2.4, të kësaj
rregulloreje.

4. Deputeti, pyetjen e parashtruar me shkrim e paraqet edhe me gojë në seancë plenare.

5. Pyetja me gojë nuk zgjat më shumë se dy (2) minuta dhe përgjigjja e anëtarit të Qeverisë nuk
zgjat më shumë se tre (3) minuta.

6. Deputeti, pas përgjigjes së anëtarit të Qeverisë, ka të drejtë ta bëjë edhe një pyetje plotësuese me
gojë, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se një (1) minutë. Përgjigjja e anëtarit të Qeverisë në
pyetjen plotësuese nuk mund të zgjasë më shumë se dy (2) minuta. Deputetit i takon një (1)
minutë për të përmbyllur diskutimin.

7. Deputeti që e ka parashtruar pyetjen, sipas Rregullores, ka të drejtë ta paraqesë pyetjen edhe kur
anëtari i Qeverisë mungon ose nuk e ka përgatitur përgjigjen. Pyetja e deputetit mbetet në
procedurë derisa të marrë përgjigje nga anëtari i Qeverisë.

8. Në rast se anëtari i Qeverisë nuk mund të jetë i pranishëm në seancë në kohën e pyetjeve
parlamentare, e njofton paraprakisht Kryetarin për mungesën e tij. Në rast të mungesës së tij pa
arsye, i tërhiqet vërejtja publikisht nga kryesuesi i seancës për qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit
dhe deputetit.

9. Kryesia e Kuvendit mund të organizojë seancë të veçantë për pyetje parlamentare. Për mbajtjen e
kësaj seance nuk është i nevojshëm kuorumi dhe nuk mund të zgjasë më shumë se 3 orë. Deputeti
nuk mund të bëjë më shumë se tri (3) pyetje parlamentare. Me përjashtim të paragrafit 1 të këtij
neni, për organizimin e seancës për pyetje parlamentare vlejnë rregullat e njëjta të këtij neni.
40

Neni 93
Pyetjet parlamentare për përgjigje me shkrim

Deputeti mund t’i parashtrojë pyetje për përgjigje me shkrim Kryeministrit, zëvendëskryeministrit
ose ministrit në fushën e tij të përgjegjësisë. Pyetja parashtrohet përmes Zyrës për propozime dhe
parashtresa. Përgjigjja jepet brenda dy (2) javësh nga data e parashtrimit të pyetjes dhe evidentohet
në procesverbalin e seancës plenare të radhës. Lista e pyetjeve, për të cilat nuk është dhënë përgjigje
brenda kohës së caktuar, publikohet në ueb faqen zyrtare të Kuvendit.

Neni 94
Shqyrtimi i çështjeve urgjente

1. Në fillim të seancës plenare, deputeti, duke e njoftuar paraprakisht kryesuesin e seancës, mund të
propozojë që Kuvendi të shqyrtojë menjëherë një çështje urgjente, e cila është paraqitur ndërkohë
dhe që nuk ka mundur të parashtrohet në Kuvend në mënyrë të rregullt.

2. Të drejtë diskutimi kanë propozuesi dhe kryetarët e grupeve parlamentare deri tre (3) minuta për
secilin diskutues.

3. Propozimi i deputetit nxirret në votim. Nëse Kuvendi e miraton propozimin, çështja radhitet në
rendin e ditës së seancës si pikë e parë pas miratimit të procesverbalit.

Neni 95
Interpelanca

1. Së paku gjashtë (6) deputetë mund të parashtrojnë kërkesë për interpelancë për ta shqyrtuar një
çështje, që lidhet me punën e Qeverisë ose të një ministrie.

2. Punimet e Kuvendit për shqyrtimin e një interpelance mund të zgjasin deri në tre (3) orë.

3. Në një seancë plenare mund të radhitet jo më shumë se një interpelancë. Në rast se ka kërkesë për
më shumë se një interpelancë, Kryesia e Kuvendit ia mundëson secilit parashtrues ta shfrytëzojë
të drejtën e interpelancës për seancat e radhës, sipas radhës së parashtrimit të kërkesës.

4. Mocioni për interpelancë paraqitet në formë të shkruar dhe përmban:

4.1. Formulimin e saktë të çështjes për interpelancë;

4.2. Arsyetimin për mocionin;

4.3. Emrin, mbiemrin dhe nënshkrimin e të autorizuarit të grupit;

4.4. Tekstin e mocionit që propozohet për votim.

5. Mocioni për interpelancë i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit. Kryetari, brenda dy (2) ditëve, pas
marrjes së kërkesës për interpelancë, të njëjtën ia përcjell Kryeministrit. Kryeministri është i
detyruar ta shqyrtojë mocionin dhe t’i përgjigjet Kuvendit brenda shtatë (7) ditësh.
41

6. Interpelanca vihet në rendin e ditës të seancës plenare në afat prej shtatë (7) ditësh, pasi të merret
përgjigjja nga Qeveria. Nëse Qeveria, brenda afatit të paraparë në paragrafin 5 të këtij neni, nuk e
dërgon përgjigjen për interpelancën, ajo vihet si pikë e fundit e rendit të ditës së seancës plenare
që është në zhvillim. Nëse Kuvendi nuk është duke mbajtur seancë, ajo vihet si pikë e parë e
rendit të ditës të seancës së radhës. Kuvendi nuk mund ta refuzojë vënien e interpelancës në
rendin e ditës, përveç në rast se ajo nuk i plotëson kushtet formale sipas paragrafit 4 të këtij neni.

7. Deputetit, në emër të propozuesit të interpelancës, i jepet fjala në fillim të debatit deri në dhjetë
(10) minuta dhe në fund të debatit deri në pesë (5) minuta.

8. Kryeministri, zëvendëskryeministri ose ministri, të cilit i parashtrohet interpelanca, e paraqet dhe
e arsyeton qëndrimin e Qeverisë për çështjen e shtruar në interpelancë. Koha e diskutimit për
Qeverinë është pesëmbëdhjetë (15) minuta. Pas shfrytëzimit të kësaj kohe, Qeveria ka të drejtë të
shfrytëzojë kohën nga grupet parlamentare që përbëjnë koalicionin qeverisës me aprovimin e
tyre.

9. Koha e ndarë për interpelancë e reflekton përfaqësimin e grupeve parlamentare në Kuvend. Koha
e paraqitjes së interpelancës në fillim dhe në fund për përfaqësuesin e propozuesit të
interpelancës, si dhe koha e arsyetimit të qëndrimit të Qeverisë merret nga koha e përgjithshme
për interpelancë. Koha shtesë e diskutimit për anëtarin e Qeverisë merret nga koha e ndarë për
koalicionin qeverisës. Nuk lejohet bartja e kohës prej një grupi në grupin tjetër parlamentar.

10. Deputetët pa grup parlamentar mund ta shfrytëzojnë të drejtën e fjalës, deri në tre (3) minuta.

11. Debati i interpelancës nuk mund të vazhdojë në seancën tjetër të Kuvendit.

12. Interpelanca për çështje të njëjtë nuk mund të parashtrohet pa kaluar gjashtë (6) muaj.


KREU XV
MOCIONI I MOSBESIMIT DHE I VOTËBESIMIT

Neni 96
Mocioni i mosbesimit

1. Me propozimin e 1/3, përkatësisht të 40 deputetëve të Kuvendit, mund të merret mocioni i
mosbesimit për Kryeministrin.

2. Mocioni i mosbesimit, i nënshkruar nga së paku 1/3, përkatësisht nga 40 deputetë, pranohet kur
për të voton shumica e të gjithë deputeteve të Kuvendit.

3. Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës jo me vonë se pesë (5) ditë dhe jo më herët se dy (2)
ditë nga dita e parashtrimit të tij.

4. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

5. Nëse mocioni i mosbesimit dështon, një mocion tjetër i mosbesimit mund të parashtrohet vetëm
pas nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
42

Neni 97
Mocioni i Kryeministrit për votëbesim

1. Kryeministri mund të kërkojë votëbesim për Qeverinë.

2. Kryetari i Kuvendit menjëherë pas parashtrimit të mocionit, thërret Kryesinë e Kuvendit dhe
përcakton datën e seancës për zhvillimin e mocionit. Mocioni vihet në rendin e ditës jo më vonë
se pesë (5) ditë dhe jo më herët se dy (2) ditë nga dita e parashtrimit të tij.

3. Debati për mocionin e votëbesimit fillon me paraqitjen e Kryeministrit.

4. Nëse mocioni i votëbesimit i parashtruar nga Kryeministri nuk e merr shumicën e votave të
deputetëve të Kuvendit, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

Neni 98
Procedurat e veçanta të raportimit të organeve të pavarura

1. Kuvendi në pajtim me ligje të veçanta dhe me ligjin përkatës për organizimin dhe funksionimin e
administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura, mbikëqyr punën e organeve të pavarura.

2. Raportin vjetor të punës së organit të pavarur e shqyrton Komisioni përgjegjës-raportues.

3. Komisioni përgjegjës-raportues shqyrton raportin vjetor të organit të pavarur dhe i paraqet raport
me rekomandime Kuvendit, pasi që raporti financiar dhe i auditimit të atij organi të jetë shqyrtuar
nga komisionet përkatëse dhe t’i jenë proceduar Komisionit funksional.

4. Raporti me rekomandime përmban:

4.1. Vlerësimin e punës së organit të pavarur;

4.2. Vlerësimin për raportin vjetor dhe

4.3. Rekomandimet.

5. Shqyrtimi i raportit vjetor në seancën plenare të Kuvendit fillon me paraqitjen e raportit nga
Komisioni përgjegjës-raportues. Pas paraqitjes së raportit, të drejtë për të diskutuar, sipas radhës,
e kanë përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe deputetët.

6. Kur raporti nuk miratohet nga Kuvendi, Komisioni përgjegjës-raportues mund të rekomandojë
masat e përgjegjësisë për drejtuesit e organit të pavarur në përputhje me ligjin përkatës.

7. Përjashtimisht nga paragrafi 5 i këtij neni, me kërkesën e Kryesisë së Kuvendit, në seancë plenare
mund t’i jepet fjala edhe drejtuesit të organit të pavarur.

8. Raporti vjetor i punës dhe ai financiar i institucionit të pavarur kushtetues diskutohen në seancë
plenare, dhe i nënshtrohen votimit, me përjashtim të rekomandimeve të dhëna nga këto
institucione për institucionet e tjera publike.

43

Neni 99
Mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe vendimeve

1. Komisioni Parlamentar, brenda fushës së përgjegjësive, është i autorizuar të mbikëqyrë zbatimin
e ligjeve dhe vendimeve të Kuvendit.

2. Komisioni mbikëqyr:

2.1. Veprimtarinë e përgjithshme të ministrisë përkatëse;

2.2. Zbatimin e ligjeve, vlerëson efektivitetin e tyre dhe propozon masa konkrete.

3. Komisioni, në përputhje me planin vjetor të punës, mbikëqyr zbatimin e një ligji të caktuar.

4. Komisioni mund të ftojë ministrin të raportojë në komision apo të kërkojë raport me shkrim nga
ministria përkatëse për zbatimin e ligjit të caktuar.

5. Komisioni raporton me shkrim për secilin ligj që e mbikëqyr dhe i rekomandon Kuvendit për
shqyrtim në seancë plenare.

6. Raporti me rekomandime i miratuar në seancë plenare e obligon ministrinë të zbatojë
rekomandimet në afatin e përcaktuar kohor.

7. Komisioni mund ta ftojë ministrin të raportojë për zbatimin e rekomandimeve të miratuara nga
Kuvendi lidhur me zbatimin e ligjit të caktuar.

8. Ministritë dhe institucionet e tjera ekzekutive e njoftojnë komisionin përkatës për nxjerrjen e çdo
akti nënligjor, dhe i dërgojnë zyrtarisht një kopje të aktit.

9. Komisioni, në fund të çdo viti, mund të kërkojë nga ministria dhe institucionet e pavarura raport
me shkrim për zbatimin e ligjeve nga fushëveprimi i tij.

Neni 100
Peticionet

1. Peticionet, që i drejtohen Kuvendit, shqyrtohen nga Komisioni përkatës për peticione.

2. Peticionet, të cilat kanë të bëjnë me lëndë gjyqësore, nuk trajtohen nga komisioni përkatës.

3. Jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë nga data e pranimit, komisioni e shqyrton peticionin dhe
njofton palët me përfundimin e komisionit.

4. Procedura e pranimit dhe shqyrtimit të peticionit përcaktohet me akt të veçantë.




44

KREU XVI
BASHKËPUNIMI NDËRMJET KUVENDIT DHE QEVERISË PËR
ÇËSHTJET E INTEGRIMIT EVROPIAN

Neni 101
Rregullat e përgjithshme të bashkëpunimit

1. Kuvendi dhe Qeveria bashkëpunojnë në Procesin e Stabilizim Asociimit të Bashkimit Evropian
për realizimin e interesave të Republikës së Kosovës.

2. Përveç të drejtave të parapara në Kushtetutë dhe Rregullore, Kuvendi ushtron kontroll mbi
aktivitetin e kryer nga Qeveria, lidhur me integrimin në BE, Kuvendi konsultohet si dhe merr
informacione për aktivitetin e Qeverisë sipas dispozitave të këtij Kreu.

Neni 102
Shqyrtimi i Procesit të Stabilizim Asociimit

1. Kuvendi shqyrton rregullisht përparimin e arritur në Procesin e Stabilizim Asociimit dhe masat e
marra nga Qeveria në interes të reformave ligjore, administrative, institucionale dhe ekonomike.

2. Shqyrtimi i Procesit të Stabilizim-Asociimit nga Kuvendi përfshin:

2.1. Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ndërmjet Republikës së Kosovës, në
njërën anë, dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, në anën
tjetër (në tekstin e mëtejmë MSA);

2.2. Dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal të paraparë në MSA;

2.3. Negociatat e marrëveshjeve të tjera përkatëse me Bashkimin Evropian;

2.4. Programin e Instrumentit të Ndihmës së Paraanëtarësimit;

2.5. Përafrimin e ligjeve.

3. Për ta realizuar në mënyrë efektive shqyrtimin e procesit të Stabilizim Asociimit, Kuvendi dhe
komisionet e tij informohen nga ana e Qeverisë për çështjet që ndërlidhen me procesin e
integrimit evropian.

4. Gjatë shqyrtimit të Procesit të Stabilizim-Asociimit dhe në çdo fazë të shqyrtimit, Kuvendi mund
të miratojë rezolutë, deklaratë ose rekomandim, duke theksuar qëndrimin e vet për një çështje të
veçantë të politikave që kanë të bëjnë me BE-në.

Neni 103
Informacioni që Qeveria duhet t’i ofrojë Kuvendit

1. Qeveria dorëzon në Kuvend për diskutim:

45

1.1. Paraprakisht, kontributin e saj në raportin për Vendin të Komisionit Evropian për Kosovën;

1.2. Vlerësimin e saj përcjellës mbi Raportin për vendin të Komisionit Evropian për Kosovën;

1.3. Deri në fund të muajit mars të çdo viti, raportin e saj vjetor mbi zbatimin e MSA-së, si dhe
mbi fazën aktuale të procesit të integrimit evropian të Republikës së Kosovës, i cili përmban
këto pjesë:
1.3.1. Zhvillimi i marrëdhënieve politike dhe ekonomike në mes të BE-së dhe
Republikës së Kosovës;

1.3.2. Zbatimi i MSA-së;

1.3.3. Zbatimi i rekomandimeve të përfshira në Raportin për Vendin të Komisionit
Evropian për Kosovën;

1.3.4. Masat e marra nga Qeveria në fushën e përafrimit të ligjeve dhe ndërtimit të
institucioneve.

2. Qeveria dorëzon në Kuvend për miratim, duke marrë parasysh rregullat e MSA-së, Programin
Kombëtar për zbatimin e MSA-së.

3. Seanca plenare diskuton raportet e cekura në nënparagrafët 1.2 dhe 1.3 të këtij neni. Mbledhja
plenare shqyrton dhe miraton programin e cekur në paragrafin 2 të këtij neni.

4. Kur projektligjet transpozojnë legjislacion të BE-së, Qeveria dorëzon në Kuvend, së bashku me
projektligjet, edhe dokumentet, si vijon:

4.1. Tabelën e Përputhshmërisë dhe Deklaratën e Pajtueshmërisë;

4.2. Shënimin shpjegues mbi shkallën e përafrimit të projektligjit me legjislacionin e aplikueshëm
të BE-së dhe

4.3. Shënimin shpjegues mbi pajtueshmërinë e projektligjit me MSA-në.

Neni 104
Informacioni që Qeveria duhet t’i ofrojë komisioneve të Kuvendit

1. Qeveria informon komisionin e Kuvendit, përgjegjës për çështjet e integrimit në BE (në tekstin e
mëtejmë Komisioni):

1.1. Para mbledhjes së Këshillit ose Komisionit të Stabilizim- Asociimit, sa i përket agjendës së
saj dhe pikëpamjen që do të përfaqësohet aty, dhe

1.2. Në lidhje me vendimet e miratuara në mbledhjen e Këshillit ose Komisionit të Stabilizim-
Asociimit.

46

2. Kur, sipas Komisionit, pikëpamja e cekur në nënparagrafin 1.1, të paragrafit 1 të këtij neni,
paraqet ndikim në kompetencat e Kuvendit, mbahet një konsultim paraprak në mes të Qeverisë
dhe Komisionit.

3. Përveç informacionit të referuar në paragrafin 1 të këtij neni, Qeveria rregullisht i jep Komisionit
informacione për:

3.1. Aktivitetet e institucioneve të BE-së që ndërlidhet me procesin e integrimit evropian për
Kosovën;

3.2. Përgatitjen e projektmarrëveshjeve që do të lidhen nga Kosova me BE-në apo me BE-në dhe
vendet anëtare të saj;

3.3. Përfaqësimin e institucioneve të Kosovës në nismat dhe organizatat rajonale që ndërlidhen
me integrimin evropian.

4. Dokumentet që Qeveria i ofron Komisionit në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit janë në
dispozicion për anëtarët e komisioneve të tjera përkatëse të Kuvendit, që janë përgjegjëse për
çështjet e politikave të përfshira në dokumentet përkatëse.

Neni 105
Themelimi dhe përbërja e Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit

1. Kryesia e Kuvendit themelon Komisionin Parlamentar të Stabilizim- Asociimit.

2. Përbërja, struktura dhe organizimi përcaktohen me akt të veçantë të Kryesisë së Kuvendit.

3. Anëtarë të Komisionit Parlamentar të Stabilizim -Asociimit janë: Kryetari i Komisionit përkatës
për Integrim Evropian, Kryetari i Komisioni përkatës për Legjislacion dhe Kryetari i Komisionit
përkatës për Punë të Jashtme.


KREU XVII
ZGJEDHJA, EMËRIMI DHE SHKARKIMI I ORGANEVE KUSHTETUESE

Neni 106
Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës

1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjidhet në pajtim me dispozitat e Kushtetutës dhe me
dispozitat e Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

2. Komisioni përkatës për Legjislacion shqyrton nëse kandidatët e nominuar për president i
plotësojnë kushtet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me Ligjin për Presidentin e Republikës së
Kosovës dhe ia paraqet raportin seancës plenare.

3. Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, gjatë tri votimeve, duhet të ketë më së paku
dy (2) kandidatë.
47

4. Në seancë plenare formohet Komisioni zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së
Kosovës, i përbërë nga një deputet prej secilit grup parlamentar.

5. Për të qenë i vlefshëm votimi i parë dhe votimi i dytë, duhet të marrin pjesë në votim të paktën 80
deputetë, ndërsa në votimin e tretë duhet të marrin pjesë të paktën 61 deputetë.

Neni 107
Zgjedhja e Qeverisë

1. Qeveria e Republikës së Kosovës zgjidhet nga Kuvendi sipas dispozitave të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës.

2. Në rastet e zëvendësimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit, Kryeministri e njofton Kuvendin.

Neni 108
Propozimi i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese

1. Propozimin për gjykatës të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 114 të Kushtetutës dhe
Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e bën Kuvendi.

2. Procedura e votimit kryhet sipas nenit 61 nënparagrafi 4.2, të kësaj rregulloreje.

Neni 109
Zgjedhja dhe shkarkimi i Avokatit të Popullit

1. Kuvendi zgjedh dhe mund të shkarkojë Avokatin e Popullit, sipas dispozitave të Kushtetutës së
Republikës së Kosovës.

2. Procedurat e votimit kryhen sipas nenit 61, nënparagrafi 4.2 të kësaj rregulloreje.


KREU XVIII
ZGJEDHJA, EMËRIMI DHE SHKARKIMI I ORGANEVE TË FORMUARA
ME LIGJ

Neni 110
Zgjedhja dhe emërimi në organet e formuara me ligj

1. Zgjedhja dhe emërimi i organeve të formuara me ligj, bëhet nga Kuvendi, përveç në rastet kur me
ligj është përcaktuar ndryshe.

2. Me marrjen e propozimit, sipas ligjit, Kryetari i Kuvendit e ngarkon Komisionin përgjegjës-
raportues për shqyrtimin e kandidaturave të anëtarëve të propozuar. Kuvendi e shqyrton
propozimin në seancë plenare brenda dy (2) jave.

48

3. Në rastet kur kërkohet propozimi i kandidaturave nga Kuvendi, Kryetari i Kuvendit ia kalon
kërkesën Komisionit përgjegjës-raportues, i cili e shqyrton dhe e harton raportin përkatës brenda
katër (4) javëve. Kuvendi e shqyrton propozimin e kandidaturave në seancë plenare brenda dy (2)
jave nga data e paraqitjes së raportit të Komisionit përgjegjës-raportues.

4. Në rastin kur kandidatura nuk i plotëson kushtet sipas ligjit, komisioni kërkon nga Kryetari i
Kuvendit ta njoftojë institucionin propozues për mospërmbushjen e kushteve.

5. Kur asnjë nga kandidatët nuk merr shumicën e kërkuar të votave, procedura fillon nga e para me
kandidatura të reja.

Neni 111
Shkarkimi i anëtarit të organit kushtetues dhe ligjor

1. Shkarkimi i anëtarit të organit kushtetues dhe ligjor bëhet sipas Kushtetutës, ligjit dhe Rregullores
së Kuvendit.

2. Pas marrjes së kërkesës, Kryetari i Kuvendit ia përcjell kërkesën dhe dokumentet përcjellëse
Komisionit përgjegjës-raportues, i cili ia paraqet raportin me rekomandime Kuvendit brenda
pesëmbëdhjetë (15) ditëve.

3. Kryesia e Kuvendit, brenda shtatë (7) ditësh, nga data e paraqitjes së raportit me rekomandime të
Komisionit përgjegjës-raportues, vendos për radhitjen e raportit në seancën plenare të radhës.

4. Përveç në rastet kur Kushtetuta ose ligji parasheh ndryshe, komisioni e shqyrton kërkesën për
shkarkim, në një procedurë, e cila i garanton personit ndaj të cilit është parashtruar kërkesa për
shkarkim, të drejtën për t’u informuar me kohë, pyetur, dëgjuar, për t’u bërë pyetje kërkuesve të
shkarkimit dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.


KREU XIX
ADMINISTRATA DHE STAFI POLITIK I KUVENDIT TË
REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Neni 112
Struktura organizative e Administratës së Kuvendit

1. Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë "Administrata") ofron
mbështetje profesionale ligjore, procedurale, administrative dhe teknike për nevojat e seancës
plenare, Kryetarit të Kuvendit, Kryesisë së Kuvendit, komisioneve parlamentare dhe deputetëve
të Kuvendit.

2. Administrata është e pavarur në punën e saj, krijon mundësi dhe kushte të barabarta që deputetët,
Kuvendi dhe organet e tij t’i kryejnë detyrat kushtetuese dhe ligjore.

3. Administrata udhëhiqet nga Sekretari i Përgjithshëm, në pajtim me legjislacionin përkatës.

49

4. Administrata përbëhet nga:

4.1. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit;

4.2. Drejtoria e Përgjithshme, e udhëhequr nga Drejtori i Përgjithshëm;

4.3. Drejtoria, e udhëhequr nga Drejtori;

4.4. Njësia, e udhëhequr nga Koordinatori i njësisë.

5. Drejtoria, njësia dhe zyrtari mund të jetë në vartësi të drejtpërdrejtë të Sekretarit të Përgjithshëm.

6. Struktura organizative, numri i nëpunësve civilë, organizimi i punës së shërbimeve të
administratës, të drejtat dhe detyrat përcaktohen me rregullore të veçantë, të cilën e miraton
Kryesia e Kuvendit me propozim të Sekretarit të Përgjithshëm. Përshkrimin e punëve për stafin
civil të Administratës e përcakton Sekretari i Përgjithshëm me akt të veçantë.

Neni 113
Përgjegjësitë e Sekretarit të Përgjithshëm

1. Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin e punës së Administratës, për ofrimin e
shërbimeve të nevojshme për punën e Kuvendit dhe të organeve të tij, si dhe për planifikimin,
monitorimin dhe ekzekutimin e shpenzimeve të Kuvendit.

2. Sekretari i Përgjithshëm informon rregullisht Kryesinë, dhe së paku çdo gjashtë (6) muaj i paraqet
Kryesisë së Kuvendit një raport për aktivitetin dhe gjendjen aktuale të administratës.

Neni 114
Zgjedhja e Sekretarit të Përgjithshëm

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit zgjidhet në pajtim me legjislacionin përkatës për shërbimin civil.

Neni 115
Stafi politik i Kuvendit

1. Stafi politik i Kuvendit, i punësuar për të mbështetur punën e Kryetarit të Kuvendit, nënkryetarit
të Kuvendit, grupit parlamentar, kryetarit të komisionit dhe deputetit, nuk janë nëpunës civilë dhe
nuk u nënshtrohen parimeve dhe rregullave të përcaktuara për nëpunësin civil.

2. Niveli i pagës, numri i stafit dhe marrëdhënia e punës e stafit politik sipas paragrafit 1 të këtij
neni rregullohet me rregullore të brendshme, të miratuar nga Kryesia e Kuvendit me propozim të
Komisionit përkatës për buxhet.





50

KREU XX
TRANSPARENCA E KUVENDIT
Neni 116
Puna e hapur e Kuvendit

1. Puna e Kuvendit është e hapur, përveç në rastet kur Kushtetuta e Republikës së Kosovës e
parashikon ndryshe.

2. Puna e hapur e Kuvendit realizohet nëpërmjet:

2.1. Qasjes së mediave dhe publikut në punën e Kuvendit;

2.2. Pasqyrimit të aktiviteteve të përgjithshme të Kuvendit;

2.3. Publikimit të dokumentacionit parlamentar;

2.4. Publikimit të raporteve të rregullta financiare, çdo tre muaj;

2.5. Faqes zyrtare në internet të Kuvendit dhe

2.6. Publikimit të seancave në rrjetet sociale.

3. Përfaqësuesit e mediave, që mbulojnë aktivitetin e Kuvendit, akreditohen pranë Kuvendit sipas
një procedure të veçantë.

Neni 117
Publikimi dhe regjistrimi i mbledhjeve

1. Seancat plenare të Kuvendit dhe mbledhjet e komisioneve janë publike, përveç kur Kuvendi ose
komisioni vendos ndryshe.

2. Seancat plenare regjistrohen në mënyrë elektronike. Çdo diskutim regjistrohet në gjuhën në të
cilën është bërë dhe transkriptohet. Në transkript përfshihet vetëm diskutimi i deputetit në seancë
plenare.

3. Takimet e Kryesisë regjistrohen. Procesverbali dhe vendimet publikohen.

4. Mbledhjet e komisioneve transkriptohen.

5. Në procesverbal evidentohen pikat e rendit të ditës, diskutimet e përmbledhura dhe vendimet.

6. Regjistrimet, transkriptet dhe procesverbalet e mbledhjeve, sipas paragrafëve 2, 3 dhe 4 të këtij
neni:

6.1. Ruhen në Arkivin e Kuvendit;

6.2. Publikohen në faqen zyrtare në internet të Kuvendit;
51

6.3. U shpërndahen deputetëve në formë elektronike;

6.4. Janë në dispozicion të publikut, sipas ligjit.

7. Seancat plenare transmetohen të plota nga televizioni publik.

Neni 118
Dokumentacioni dhe botimet parlamentare

1. Dokumentacioni parlamentar përfshin:

1.1. Aktet e miratuara në Kuvend;

1.2. Dokumentet që lidhen me ushtrimin e funksioneve të Kryetarit të Kuvendit;

1.3. Dokumentet që lidhen me përgatitjen dhe me zhvillimin e seancave plenare të Kuvendit;

1.4. Dokumentet që lidhen me përgatitjen dhe me zhvillimin e mbledhjeve të komisioneve të
Kuvendit;

1.5. Dokumentet që lidhen me veprimtarinë e organeve të Kuvendit;

1.6. Botimet parlamentare të Kuvendit;

1.7. Prodhimet audio-vizuale që lidhen me veprimtarinë e Kuvendit.

2. Botimet parlamentare përfshijnë:

2.1. Procesverbalet e seancave plenare të Kuvendit;

2.2. Procesverbalet e mbledhjeve të Kryesisë;

2.3. Procesverbalet e përmbledhura të mbledhjeve të komisioneve të Kuvendit;

2.4. Aktet e miratuara nga Kuvendi;

2.5. Paraqitjen e aktiviteteve të Kuvendit dhe të organeve të tij;

2.6. Raportin vjetor të punës së Kuvendit;

2.7. Publikimet e paraqitura në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit.

3. Dokumentacioni dhe botimet parlamentare janë publike, në pajtim me ligjin.

4. Dokumentacioni parlamentar, botimet parlamentare, si dhe fondi historik i Kuvendit ruhen në
Arkivin e Kuvendit. Sistemimi, klasifikimi dhe procedurat e përdorimit të dokumentacionit
parlamentar dhe të fondit historik përcaktohen me rregullore të veçantë, të miratuar nga Kryesia e
Kuvendit, në pajtim me ligjin.

5. Deklarata origjinale e shpalljes së Pavarësisë më 17 shkurt 2008 ruhet në Muzeun e Kosovës.
52

Neni 119
Përdorimi i gjuhëve në Kuvend

Mbledhja e Kuvendit dhe e Komisionit parlamentar mbahet në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe
dhe sipas nevojës sigurohet përkthimi. Deputeti i Kuvendit, gjuha amtare e të cilit nuk është gjuha
shqipe ose gjuha serbe, i drejtohet Kuvendit dhe komisionit në gjuhën e tij. Në rastet e tilla, për
deputetët e tjerë të Kuvendit ose të komisioneve, sigurohet përkthimi në gjuhën shqipe dhe në gjuhën
serbe, sipas nevojës.

Neni 120
Gjuha e dokumenteve

1. Dokumentet zyrtare të Kuvendit shkruhen në gjuhët zyrtare, siç përcaktohet në Kushtetutë.

2. Kuvendi do të përpiqet që dokumentet zyrtare t’i përgatisë në gjuhën e atij komuniteti, përveç atij
shqiptar dhe serb, të cilit i referohet dokumenti. Deputetët e Kuvendit, të këtyre komuniteteve,
mund t’u dërgojnë Kuvendit ose komisioneve të tij dokumente në gjuhën e tyre për shqyrtim. Në
raste të tilla përkthimi në gjuhën shqipe dhe në atë serbe për deputetët e tjerë të Kuvendit ose të
komisioneve, do të sigurohet nga Kuvendi.

3. Transkripti i punimeve të Kuvendit regjistron çdo diskutim vetëm në gjuhën e folësit.

Neni 121
Shërbimi i Sigurisë në Kuvend

1. Në mjediset e Kuvendit, funksionon Shërbimi i Sigurisë. Shërbimi i Sigurisë në mjediset e
Kuvendit është i armatosur, ndërsa në sallën e zhvillimit të seancave plenare është i paarmatosur.
Shërbimi është i pajisur me uniformë të veçantë dhe me mjete teknike për kryerjen detyrave të tij.

2. Punonjësit e Shërbimit të Sigurisë në Kuvend veprojnë në sallën e seancave plenare të Kuvendit
vetëm me urdhër të kryesuesit të seancës, ndërsa jashtë sallës së seancës plenare, sipas rregullave
të përcaktuara nga Kryesia e Kuvendit.

3. Shërbimi i Sigurisë në Kuvend kryhet nga Policia e Republikës së Kosovës.

Neni 122
Interpretimi i Rregullores së Kuvendit

1. Interpretimin e Rregullores gjatë seancës plenare e bën kryesuesi i seancës plenare, kurse gjatë
mbledhjes së komisionit, kryesuesi i mbledhjes së komisionit. Interpretimi i tillë nuk është objekt
kontestimi dhe diskutimi, gjatë seancës plenare ose mbledhjes së komisionit.

2. Deputeti mund t’i drejtohet Komisionit përkatës për Mandate, Imunitete dhe Rregullore për
interpretim të Rregullores, nëse konsiderohet që janë shkelur të drejtat nga paragrafi 1 i këtij neni.
Komisioni brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh bën interpretimin përfundimtar për çështjen e
ngritur në Kuvend ose në komision.

53

3. Komisioni e njofton Kuvendin në seancën plenare të radhës për interpretimin.

4. Kryetari i Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar, kryetari i komisionit ose gjashtë (6) deputetë
mund të kërkojnë që çështja e interpretimit të komisionit për një rast të veçantë t’i paraqitet
Kuvendit në seancë plenare, për të marrë vendim.

Neni 123
Shmangia nga afatet procedurale

1. Me propozim të së paku gjashtë (6) deputetëve, Kuvendi vendos me 2/3 e deputetëve të
pranishëm për shmangie nga afatet procedurale të Rregullores.

2. Shmangia mund të bëhet kur nuk bie në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës së Republikës
së Kosovës.

Neni 124
Llogaritja e afateve

1. Afatet llogariten në pajtim me Ligjin përkatës për procedurën e përgjithshme administrative.

2. Nuk llogaritet periudha gjatë pushimit në mes të sesioneve, me përjashtim të rastit kur çështja
përfshihet në rendin e ditës në seancë të jashtëzakonshme.

Neni 125
Çështjet e mbetura në procedurën e shqyrtimit

1. Çështjet që janë proceduar në Kuvend, por që nuk kanë përfunduar deri në mbyllje të sesionit të
fundit të legjislaturës, konsiderohen si të paparashtruara për legjislaturën vijuese. Kjo nuk gjen
zbatim në rastin e ligjit të miratuar nga Kuvendi e të proceduar për shpallje, në rastin e
projektligjit të propozuar nga 10 mijë qytetarë si dhe të peticioneve apo referendumeve dhe të
atyre punëve, që nuk kërkojnë të merret një vendim nga Kuvendi.

2. Projektligji i propozuar nga 10 mijë qytetarë që mbetet në procedurën e shqyrtimit në Kuvend,
Legjislatura vijuese e ridërgon për mendim në Qeveri dhe më pas procedohet për shqyrtim në
Kuvend.

Neni 126
Miratimi dhe ndryshimi i Rregullores

1. Komisioni përkatës për Rregullore të Kuvendit apo së paku gjashtë (6) deputetë kanë të drejtë të
paraqesin propozim për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Kuvendit. Propozimi për
ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Kuvendit është i veçantë dhe i nënshtrohet vetëm një
shqyrtimi dhe miratohet me 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

2. Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores së Kuvendit shqyrtohet nga Komisioni
përkatës për Rregulloren e Kuvendit, i cili e paraqet raportin me rekomandime për shqyrtim në
seancë plenare brenda tridhjetë (30) ditësh nga data e pranimit.
54

3. Komisioni përkatës për Rregullore të Kuvendit përgatit tekstin e konsoliduar pas çdo plotësimi
dhe ndryshimi të Rregullores.


KREU XXI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 127
Projektaktet në procedurë

1. Projektaktet e proceduara në Kuvend, para hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, shqyrtohen në
pajtim me dispozitat e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 03-V-304, datë 29
prill 2010.

2. Trupat punuese të themeluara sipas dispozitave të Rregullores së Kuvendit të Republikës së
Kosovës, nr. 03-V-304, datë 29 prill 2010, vazhdojnë punën e tyre.

3. Kryesia e Kuvendit, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje, nxjerr aktet
e brendshme të përcaktuara me këtë rregullore.

Neni 128
Shfuqizimi

Në ditën e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, shfuqizohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së
Kosovës, nr. 03-V-304, datë 29 prill 2010.

Neni 129
Kodi i sjelljes

Kodi i sjelljes për deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës është akt i veçantë dhe miratohet
nga Kuvendi me propozim të Komisionit përkatës për Rregullore të Kuvendit.

Neni 130
Hyrja në fuqi

Kjo Rregullore hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.



Nr.08 -V- 349

Prishtinë, më 28 korrik 2022

Glauk KONJUFCA
Kryetar i Kuvendit