GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
9
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
LIGJI NR. 08/L-074
PËR TURIZMIN
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Mbështetur në nenin 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR TURIZMIN
KAPITULLI I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj përcakton parimet, standardet dhe rregullat bazë për zhvillimin dhe promovimin e
turizmit të qëndrueshëm në Republikën e Kosovës.
2. Ky ligj është plotësisht në përputhje me Direktivën 2015/2302 e Parlamentit dhe Këshillit, të
25 nëntorit 2015 për paketën e udhëtimit dhe aranzhimet e lidhura të udhëtimit duke ndryshuar
rregulloren (KE) Nr. 2006/2004 dhe Direktiva 2011/83/BE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit
si dhe shfuqizimin e Direktivës së Këshillit 90/314/KEE.
Neni 2
Fushëveprimi
Ky ligj është i detyrueshëm për të gjitha institucionet publike dhe operatorët ekonomikë që
ushtrojnë veprimtari turistike në përputhje me standardet e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë kup ti met e përcaktuara si në vijim:
1.1. Ministria-ministrinë përgjegjëse për turizëm;
1.2. Ministri — Ministri për gjegjës për turizëm;
1.3. Veprimtari turistike - çdo veprimtari apo shërbim që ofrohet nga subjekte në fushën
e turizmit dhe hotelerisë;
1.4. Turizëm - veprimtari e personave që udhëtojnë dhe qëndrojnë në vende jashtë
mjedisit të tyre të zakonshëm por jo më shumë se një (1) vit radhazi për argëtim, punë
dhe qëllime të tjera që nuk lidhen me ushtrimin e ndonjë veprimtarie fitimprurëse me
vendin që vizitohet;
1.5. Turist - vizitor (i brendshëm ose të jashtëm) nëse udhëtimi i tij përfshin një natë
qëndrimi;
1.6. Vizitor - udhëtari që bën një udhëtim për në një destinacion jashtë mjedisit të tij
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
10
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
të zakonshëm për më pak së një (1) vit për ndonjë nga qëllimet kryesore (kohë të lirë,
biznes ose qëllime të tjera personale) por jo të punësohet në vendin e vizituar;
1.7. Zonë me përparësi për zhvillim të turizmit - zonë me rëndësi shtetërore në fushën
e turizmit;
1.8. Ekskursion - kombinim i organizuar paraprakisht të shërbimeve të transportit dhe
shërbimeve të tjera që shiten ose ofrohen për shitje brenda të njëjtit çmim, shërbime që
ofrohen për një periudhë më të shkurtër se njëzet e katër (24) orë dhe që nuk përfshijnë
akomodimin;
1.9. Standard - një sërë kushtesh dhe standardesh për ngritjen dhe pajisjen e një objekti,
cilësinë e ofrimit të shërbimeve dhe kushtet në lidhje me mirëmbajtjen e objektit;
1.10. Atraksion turistik - një pikë referimi veçanërisht atraktive të një destinacioni turistik
me karakter natyror ose social brenda një zone turistike;
1.11. Destinacion turistik - zonë e populluar që përmban monumentet natyrore,
kulturore, historike ose monumente të tjera të rëndësishme për turizmin, infrastrukturën
e shërbimeve, transportit ose turizmit si dhe lehtësitë dhe elementet tjera përcjellëse për
akomodimin dhe qëndrimin e turistëve;
1.12. Strukturë e akomodimit - hapësirë e lidhur funksionalisht, të zhvilluar posaçërisht
dhe të pajisur, e cila është në përputhje me kushtet minimale teknike të përcaktuara për
ofrimin e shërbimeve të akomodimit ose për kryerjen e aktiviteteve të akomodimit;
1.13. Njësi akomodimi - dhomë, apartament, shtëpi e pushimit, tendat e kampingut ose
ndonjë objekt tjetër që përdoret për të siguruar strehim për mysafirët dhe që përputhet
me kushtet minimale teknike të rregulluara me ligj;
1.14. Hotel - një objekt biznesi që kryen veprimtari mikpritëse me qëllim të ofrimit të
shërbimeve të akomodimit, përgatitjes dhe shërbimit të ushqimit dhe pijeve, me një pritje,
lobi, restorant me një kuzhinë dhe njësi akomodimi;
1.15. Motel - ndërtesë që ofron shërbim akomodimi dhe parkimi, zakonisht me synimin
për qëndrim të shkurtër të udhëtarëve, me vendndodhje në periferi të qendrave të
banuara, pranë kryqëzimeve dhe rrugëve automobilistike;
1.16. Hostel - ndërtesë që ofron akomodim dhe ushqim me çmime ekonomike, zakonisht
për udhëtarë, studentë dhe punëtorë, ku dhoma ndahet mes disa klientëve të ndryshëm;
1.17. Resort - kompleks i ndërtesave për pushim dhe argëtim, të grupuara e të
administruara së bashku, si: hotele, apartamente, villa, studio, që u ofron klientëve
akomodim, ushqim, pije, veprimtari sportive e argëtuese dhe shërbime ndihmëse;
1.18. Fshat turistik - strukturë e organizuar në formë fshati, me përqendrim të burimeve
turistike, të klasifikuar në përputhje me standardet e miratuara për zhvillimin e turizmit;
1.19. Bujtinë (shtëpi pritëse) - ndërtesë një pjesë e së cilës përdoret si rezidencë e
pronarit dhe ku ofrohet akomodim dhe ushqim për turistët;
1.20. Kamping - zonë publike ose private të pajisur me infrastrukturë të domosdoshme
(ujë, tualete, energji elektrike etj.), ku udhëtarët mund të akomodohen në tendat e
kampingut, apo të ngrenë tendat e tyre ose të parkojnë mjetin motorik akomodues
(kampshtëpizë);
1.21. Qendër kurative - strukturë akomoduese me vendndodhje në zona me potenciale
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
11
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
shëruese natyrore, të cilat stimulohen nga toka, uji, rëra e klima dhe që shërbejnë për
kryerjen e terapive shëruese;
1.22. Fjetje dhe mëngjes (B&B) - strukturë akomoduese që ofron shërbimin e fjetjes
dhe mëngjesit brenda çmimit të dhomës. Kjo strukturë akomoduese nuk ofron shërbim
restoranti dhe ambiente të përbashkëta;
1.23. Paketë udhëtimi - kombinimi i jo më pak se dy llojeve të shërbimeve të udhëtimit
për qëllim të të njëjtit udhëtim apo pushim:
1.23.1. nëse këto shërbime janë kombinuar nga një agjenci e udhëtimit me
kërkesën apo me zgjedhjen e shërbimeve prej turistit përpara se të lidhet një
kontratë për të gjitha shërbimet;
1.23.2. pavarësisht nëse janë lidhur kontrata të veçanta me ofrues të shërbimeve
individuale të udhëtimit, këto shërbime janë:
1.23.2.1. blerë nga një pikë e vetme shitjeje dhe ato shërbime janë
përzgjedhur para se udhëtari të bie dakord të paguajë;
1.23.2.2. ofruar ose shiten me një çmim të vetëm;
1.23.2.3. publikuar ose shiten me emërtimin “paketë” ose me një emërtim
të ngjashëm me të;
1.23.2.4. kombinuar pas lidhjes së kontratës, me anë të së cilës agjencia e
udhëtimit i jep të drejtën udhëtarit të zgjedhë midis opsioneve të ndryshme
të shërbimeve të udhëtimit; ose
1.23.2.5. blerë prej ofruesve të këtyre shërbimeve, nëpërmjet proceseve të
lidhura të rezervimeve elektronike, ku emri dhe të dhënat e tjera të udhëtarit,
të domosdoshme për mbylljen e rezervimit, u kalojnë ofruesve të tjerë të
shërbimeve në fjalë, jo më vonë sesa koha kur konfirmohet shërbimi i parë.
1.24. Mungesë e konformitetit - dështimi për të realizuar apo realizim jo të duhur të
shërbimeve të udhëtimit të përfshira në një paketë;
1.25. Udhërrëfyes - personi që udhëzon vizitorët në gjuhën që ata zgjedhin dhe
interpreton trashëgiminë kulturore dhe natyrore të një zone, person i cili posedon një
kualifikim specifik për zonën, zakonisht të lëshuar ose të njohur nga autoriteti përkatës.
KAPITULLI II
POLITIKAT SHTETËRORE
Neni 4
Strategjia shtetërore e zhvillimit të turizmit
1. Zhvillimi i turizmit planifikohet përmes strategjisë shtetërore të zhvillimit të turizmit.
2. Strategjia shtetërore e zhvillimit të turizmit miratohet nga Qeveria pas propozimit të Ministrisë.
Neni 5
Brendi dhe simboli shtetëror
1. Brendi i turizmit të Republikës së Kosovës ka për qëllim identifikimin sa më të mirë të Kosovës
si destinacion turistik.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
12
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2. Ministria, pas një analize, përcakton brendin e turizmit të Republikës së Kosovës. Sipas
brendit të turizmit, Ministria e përcakton edhe simbolin shtetëror për turizmin.
3. Qeveria, me akt nënligjor, rregullon formën dhe përmbajtjen e simbolit shtetëror për turizmin
pas propozimit të Ministrisë.
Neni 6
Këshilli i Turizmit
1. Qeveria, me propozim të Ministrisë, themelon Këshillin e Turizmit.
2. Roli i Këshillit është ngritja e dialogut në mes institucioneve publike dhe operatorëve
ekonomikë që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit përmes këshillëdhënies dhe shkëmbimit
të informatave.
3. Ministri, me akt nënligjor, përcakton përbërjen, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit të Turizmit.
Neni 7
Regjistri i Turizmit
1. Regjistri i Turizmit është publik dhe i qasshëm për aplikuesit në fushën e turizmit.
2. Bizneset që ushtrojnë veprimtarinë e turizmit bëjnë kërkesë për regjistrim në Regjistër pasi
të jenë regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.
3. Departamenti i Turizmit në kuadër të Ministrisë është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave
dhe përditësimin e të dhënave në Regjistër.
4. Ministri, me akt nënligjor, përcakton përmbajtjen, mënyrën e menaxhimit dhe mirëmbajtjen e
Regjistrit të Turizmit, duke përfshirë edhe regjistrimin e të dhënave.
KAPITULLI III
FUNKSIONIMI I AGJENCIVE TË UDHËTIMIT
Neni 8
Agjencia e udhëtimit
1. Agjencia e udhëtimit e regjistruar si shoqëri tregtare duhet t’i plotësojë kriteret për ofrimin e
shërbimeve turistike për organizimin e udhëtimeve ose vepron si ndërmjetësues për shitjen dhe
zbatimin e shërbimeve për udhëtimin dhe qëndrimin e turistëve.
2. Sipas llojit të shërbimeve të ofruara, agjencia e udhëtimit mund të jetë:
2.1. Agjenci organizatore, e cila organizon paketa turistike dhe i shet drejtpërsëdrejti, i zbaton
ose i ofron për shitje nëpërmjet një agjencie ndërmjetësuese, organizon ekskursione ose
ofron shërbime të tjera turistike. Agjencia organizatore mund t’i ofrojë të gjitha shërbimet e
cekura në nën-paragrafët 1.1 deri 1.17, të paragrafit 1 në nenin 9 të këtij ligji;
2.2. Agjencia ndërmjetësuese (ndërmjetësuesi) shet paketa turistike të organizuara
nga agjencia organizatore ose që ofron shërbime të tjera të agjencisë sipas këtij ligji.
Ndërmjetësuesi mund t’i ofrojë shërbimet e përcaktuara në nën-paragrafët 1.3 deri
1.17, të paragrafit 1 të nenit 9 të këtij ligji.
3. Agjencia e udhëtimit mund të ofrojë për shitje ose të shesë shërbime për udhëtarët nëpërmjet
internetit në përputhje me legjislacionin përkatës për tregtinë elektronike dhe operacionet
elektronike dhe nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në këtë ligj.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
13
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
4. Agjencia e udhëtimit e cila ofron dhe shet një paketë udhëtimi të krijuar nga agjencia
organizatore e cila nuk ka zyrë të regjistruar në Kosovë konsiderohet organizator dhe duhet t’i
përmbushë kushtet e përcaktuara në këtë ligj.
5. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kushtet, kriteret dhe detyrimet për ushtrimin e veprimtarisë
së agjencive të udhëtimit.
Neni 9
Shërbimet e agjencisë së udhëtimit
1. Agjencia e udhëtimit mund t’i ofrojë shërbimet e mëposhtme:
1.1. organizimin, shitjen dhe zbatimin e paketave të udhëtimit në vend dhe jashtë vendit;
1.2. organizimin e vizitave turistike, ekskursioneve, programeve argëtuese, takimeve,
kongreseve, panaireve, ngjarjeve sportive dhe ngjarjeve tjera, si dhe organizimin e
transferimit të udhëtarëve për paketat e organizuara;
1.3. operimin si ndërmjetësues në shitjen dhe zbatimin e ekskursioneve;
1.4. operimin si ndërmjetësues në shitjen dhe zbatimin e paketave të udhëtimeve;
1.5. sigurimin dhe operimin si ndërmjetësues në ofrimin e shërbimeve të udhërrëfyesit
turistik, shoqëruesve turistikë dhe organizatorëve të ngjarjeve;
1.6. shitjen dhe operimin si ndërmjetësues në marrjen dhe transferimin e udhëtarëve në
automjete ose nëpërmjet transportuesve që janë në përputhje me kushtet e përcaktuara
në legjislacionin përkatës që rregullon transportin;
1.7. shitjen dhe operimin si ndërmjetësues në shitjen e biletave ose rezervimin e ulëseve
për të gjitha mjetet e transportit dhe duke vepruar si ndërmjetësues në aplikimin e vizave;
1.8. rezervimin dhe shitjen e shërbimeve turistike dhe të akomodimit dhe shërbimeve të
tjera që kanë të bëjnë me udhëtimin dhe qëndrimin e udhëtarëve;
1.9. përfaqësimin e agjencive turistike vendore dhe atyre të huaja në destinacionet e
udhëtimit;
1.10. operimin si ndërmjetësues në marrjen me qira të njësive akomoduese;
1.11. operimin si ndërmjetësues në marrjen e dokumenteve të kërkuara për organizimin
dhe ofrimin e shërbimeve në forma të ndryshme të turizmit;
1.12. sigurimin e shërbimeve të makinave me qira;
1.13. rezervimin, blerjen dhe shitjen e biletave për të gjitha llojet e ngjarjeve, shfaqjeve
sportive dhe argëtuese, manifestimeve, si dhe për muzetë, panairet etj.;
1.14. marrjen me qira dhe operimin si ndërmjetësues në dhënien me qira të mjeteve të
transportit/automjeteve;
1.15. sigurimin e informacionit turistik dhe materialit promovues;
1.16. operimin si ndërmjetësues në lidhjen e kontratave të sigurimit të udhëtimit dhe
valixheve;
1.17. shërbime të tjera në pajtim me këtë ligj.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
14
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
Neni 10
Lejimi për ushtrimin e veprimtarisë së agjencisë organizatore të udhëtimit
1. Për ushtrimin e veprimtarisë, agjencia organizatore e udhëtimit pajiset me leje nga Ministria.
2. Ministri, me akt nënligjor, përcakton formën, kriteret, procedurat e aplikimit, taksën
administrative, themelimin e komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe të komisionit për ankesa.
3. Leja lëshohet për një periudhë të pacaktuar të vlefshmërisë.
4. Tarifat për leje duhet të jenë në përputhje me parimin e mbulimit të shpenzimeve administrative
dhe që përbën shumën e nevojshme për t’i mbuluar shpenzimet që dalin për të administruar
lejen për periudhën e vlefshmërisë së lejes.
Neni 11
Sigurimi ndaj palëve të treta
1. Agjencia e udhëtimit e cila organizon paketa të udhëtimit, turne ose ekskursione duhet të
sigurojë përmbushjen e detyrimeve të saja kontraktuale ndaj palëve të treta përmes garancisë
bankare ose policës së vlefshme të sigurimit:
1.1. Sigurimi duhet të mbulojë kompensimin e dëmit të shkaktuar ndaj udhëtarit nga
mos përmbushja, përmbushja e pjesshme ose përmbushja e parregullt e detyrimeve
sipas marrëveshjes së udhëtimit, itinerarit të udhëtimit ose itinerarit të ekskursionit si
dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara për shkak të pamundësisë së agjencisë së
udhëtimit për t’i shlyer kostot e nevojshme të strehimit ose akomodimit, ushqimit dhe
kthimit të udhëtarëve nga një udhëtim në vendin e nisjes brenda dhe jashtë vendit;
1.2. Garancia bankare ose polica e sigurimit duhet t’i mbulojë po ashtu rastet e
pamundësisë të përmendura më sipër të shkaktuara nga falimentimi i agjencisë së
udhëtimit.
2. Agjencia e udhëtimit duhet të sigurojë garancinë bankare ose policën e sigurimit nga paragrafi
1 i këtij neni në vazhdimësi përgjatë gjithë kohëzgjatjes së veprimtarisë së saj.
3. Ministri, me akt nënligjor, përcakton mbulueshmërinë e sigurimit, shumën dhe procedurat e
realizimit dhe dëmshpërblimit ndaj palëve të treta.
4. Agjencia e udhëtimit që organizon turne ose ofron shërbime të transportit për udhëtarët duhet
t’i përdorë mjetet e veta të transportit ose mjetet e transportit të transportuesve të tjerë që kanë
policën e tyre të sigurimit për mbulimin e pasojave të një aksidenti.
5. Agjencia organizatore e paketës duhet që, përmes garancisë bankare, të mbulojë:
5.1. rimbursimin e të gjitha pagesave të bëra nga ose në emër të udhëtarit në lidhje me
kontratën e udhëtimit për paketat dhe shërbimet që nuk kryhen ose që kryhen vetëm
pjesërisht si pasojë e falimentimit;
5.2. kompensimin e udhëtarit për shpenzimet e strehimit të nevojshëm, ushqimin dhe
kthimin në vendin e nisjes në Kosovë apo jashtë vendit si dhe të gjitha pretendimet e
tjera në këtë drejtim në rast të falimentimit të agjencisë organizatore nëse transporti
ishte i përfshirë në kontratën e paketës së udhëtimit.
6. Për t’i përmbushur detyrimet e saj të përcaktuara në paragrafin 5 të këtij neni, agjencia
organizatore i jep të drejtën udhëtarit për t’i zgjidhur drejtpërdrejt pretendimet e tij nga sigurimi
dhe si dëshmi e një të drejtë të tillë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
15
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
7. Agjencia organizatore duhet të vë në dispozicion të udhëtarit informacione lidhur me
përmbajtjen e këtyre termave dhe kushteve të përgjithshme të garancisë bankare apo policës
së sigurimit. Agjencia organizatore duhet gjithashtu të vë në dispozicion edhe informacionin
lidhur me rastet e sigurimit vullnetar kur kjo është e aplikueshme.
KAPITULLI IV
PAKETAT E UDHËTIMIT
Neni 12
Fusha e zbatimit
1. Dispozitat e këtij kapitulli zbatohen për paketat e ofruara dhe të shitura nga agjencitë e
udhëtimit të ndërlidhura me marrëveshjet e udhëtimit me qëllim të lehtësimit të marrëdhënieve
të tyre kontraktuale.
2. Vetëm agjencitë e udhëtimit që i plotësojnë kriteret e parapara me këtë ligj mund të kryejnë
veprimtarinë e organizimit dhe shitjes së paketës së udhëtimit.
Neni 13
Paketa e udhëtimit
1. Paketa e udhëtimit është kombinim paraprak i dy ose më shumë shërbimeve vijuese të cilat
ofrohen për shitje dhe paguhen për një çmim të përgjithshëm nëse shërbimi zgjat vazhdimisht
për më shumë se njëzet e katër (24) orë ose përfshin:
1.1. transport;
1.2. akomodim;
1.3. shërbime të tjera turistike që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të paketës
së udhëtimit, si: ushqim, vizita në ngjarje të ndryshme, vizita në pamjet natyrore dhe
kulturore apo të tjera të ngjashme.
2. Udhëtimi që zgjat më pak se njëzet e katër (24) orë e që nuk përfshin akomodimin është
ekskursion.
3. Përjashtimisht nga dispozita e paragrafit 2 të këtij neni, ekskursion konsiderohet udhëtimi në
paketë në qoftë së përfshin kombinim paraprak të dy ose më shumë shërbimeve të përcaktuara
në nën-paragrafët 1.1. dhe 1.3. të paragrafit 1 të këtij neni, të cilat ofrohen për shitje dhe shiten
për një çmim total dhe i nënshtrohen të gjitha dispozitave të këtij ligji lidhur me udhëtimin në
paketë.
4. Një ofertë për shitjen e shërbimeve të tjera turistike që nuk janë pjesë e programit të udhëtimit
të paracaktuar mund të përfshihet më pas në programin e paketës së udhëtimit.
5. Faturimi i veçantë për shërbime të ndryshme të programit të njëjtë të paketës së udhëtimit
nuk liron agjencinë organizatore ose ndërmjetësuesin e udhëtimit nga detyrimet sipas këtij ligji.
Neni 14
Obligimi për të ofruar udhëzime për turne
1. Për çdo grup të organizuar veçmas, agjencitë e udhëtimit duhet të sigurojnë një udhërrëfyes
turistik që plotëson kushtet e përcaktuara në nenet 28 dhe 29 të këtij ligji për çdo program të
paketës së udhëtimit në Kosovë ose jashtë saj.
2. Pavarësisht paragrafit 1 të këtij neni, agjencia e udhëtimit nuk duhet të ofrojë udhërrëfyes
turistik gjatë transportit nëse transporti është i organizuar me transport publik. Agjencia nuk ka
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
16
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
nevojë të ofrojë udhërrëfyes turistik gjatë transportit deri në pikën e fillimit të pushimit në kuadër
të udhëtimit ose gjatë kthimit nga pushimi apo udhëtimi.
3. Pavarësisht dispozitave të këtij neni, agjencia e udhëtimit mund të angazhojë shoqërues
turistik edhe gjatë transportit deri në pikën e fillimit të pushimit në kuadër të udhëtimit ose gjatë
kthimit nga pushimi apo udhëtimi.
NËNKAPITULLI I
DETYRIMET E PAKETËS SË UDHËTIMIT
Neni 15
Informatat parakontraktuale mbi paketat e udhëtimit
1. Organizatorët dhe ndërmjetësuesit, nëse paketat janë shitur nëpërmjet ndërmjetësuesit,
obligohen t’i ofrojnë udhëtarit informata të përshtatshme standarde si dhe informatat sipas
paragrafit 2 të këtij neni nëse janë relevante për paketën para së udhëtari të marrë përsipër
ndonjë detyrim sipas kontratës së udhëtimit, paketës ose ndonjë oferte tjetër korresponduese.
2. Udhëtari duhet të informohet për karakteristikat kryesore të shërbimeve të udhëtimit të cilat
përfshijnë:
2.1. destinacionin, itinerarin dhe kohëzgjatjen e qëndrimit, me datat dhe, nëse është
përfshirë akomodimi, numrin e netëve të përfshira;
2.2. mjetet, karakteristikat dhe kategoria e transportit, pika e nisjes dhe ajo e kthimit, datat
dhe kohët, gjegjësisht vendndodhjet dhe kohëzgjatjen e ndërprerjeve të ndërmjetme dhe
lidhjet e transportit. Kur koha e saktë nuk është përcaktuar ende, subjekti i biznesit duhet
të informojë udhëtarin për kohën e përafërt të nisjes dhe atë të kthimit;
2.3. vendndodhjen, karakteristikat kryesore dhe sipas rastit kategorinë turistike të
akomodimit duke përfshirë rregullat e vendit të destinacionit;
2.4. planifikimin e kohës së ushqimit;
2.5. vizitat, ekskursionet ose shërbimet e tjera të përfshira në çmimin e përgjithshëm
sipas pajtueshmërisë së palëve për paketën;
2.6. kur nuk është e qartë nga konteksti se a do t’i ofrohet udhëtarit ndonjë nga shërbimet
e udhëtimit si pjesë e një grupi dhe nëse po kur është e mundur të tregohet numri i
përafërt i grupit;
2.7. në rast se udhëtari përfiton nga shërbimet e tjera turistike dhe përfitimi i këtyre
shërbimeve është i varur nga komunikimi efektiv verbal, ai duhet të njoftohet për gjuhën
në të cilën kryhen këto shërbime;
2.8. nëse udhëtimi ose pushimi është në përgjithësi i përshtatshëm për personat me
lëvizshmëri të reduktuar dhe sipas kërkesës së udhëtarit, i ofrohet informacion i saktë mbi
përshtatshmërinë e udhëtimit ose pushimeve, duke marrë parasysh nevojat e udhëtarit;
2.9. emrin e kompanisë dhe adresën e agjencisë organizatore dhe, kur është e mundur,
të nënkontraktorit apo shitësit të një shërbimi brenda paketës, numrin e tyre të telefonit
dhe adresën e postës elektronike;
2.10. çmimin total të paketës përfshirë edhe taksat dhe, kur është e zbatueshme, të
gjitha tarifat shtesë. Në rast se mund të paraqiten kosto shtesë të cilat nuk kanë mundur
të llogariten në mënyrë të arsyeshme para lidhjes së kontratës, ofrohet një informacion i
llojit të këtyre shpenzimeve që udhëtari mund t’i ketë;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
17
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2.11. rregullimet për pagesë, duke përfshirë çdo shumë ose përqindje të çmimit që duhet
paguar si një pagesë paraprake dhe afatin kohor për pagesën e pjesës së mbetur, ose
garancitë financiare që duhet të paguhen ose të ofrohen nga udhëtari;
2.12. nëse është e aplikueshme, numrin minimal të personave që kërkohet për paketat e
tilla turistike si dhe afatin kur pala mund të heqë dorë nga kontrata nëse numri nuk është
plotësuar;
2.13. informacionin e përgjithshëm mbi pasaportën dhe kërkesat për vizë, duke përfshirë
periudhat e përafërta për marrjen e vizave, dhe informatat mbi formalitetet shëndetësore
të vendit të destinacionit;
2.14. informacionin që udhëtari mund të përfundojë kontratën në çdo kohë para fillimit të
realizimit të paketës në këmbim të pagesës së një tarife të përshtatshme për ndërprerjeje;
2.15. informacionin mbi sigurimin fakultativ ose të detyrueshëm për të mbuluar koston
e ndërprerjes së kontratës nga udhëtari ose koston e asistencës, duke përfshirë
riatdhesimin në rast aksidenti, sëmundje ose vdekje.
3. Agjencia e udhëtimit që ndërmjetëson në përfundimin e kontratave të paketës së udhëtimit
për paketat e organizuara nga agjencia organizatore e cila nuk ka selinë e regjistruar në
Republikën e Kosovës duhet të tregojë në materialet promovuese dhe duhet t’i bëjë publike në
informatat parakontraktuale kushtet e përgjithshme dhe kushtet e organizatorit të udhëtimit si
dhe të drejtat dhe detyrimet e agjencisë së udhëtimit dhe të përdoruesit të shërbimit të paktën
në njërën nga gjuhët zyrtare sipas legjislacionit në fuqi (tutje: “gjuhë zyrtare”).
4. Informacioni i përcaktuar në këtë nen duhet të sigurohet në mënyrë të qartë, të kuptueshme
dhe në mënyrë të dukshme, dhe kur informacioni i tillë jepet me shkrim, ai duhet të jetë i
lexueshëm dhe i shkruar në gjuhë zyrtare, apo në një gjuhë tjetër që e njeh dhe e kupton klienti.
5. Të gjitha informatat parakontraktuale të përfshira në këtë nen janë pjesë përbërëse e
kontratës mbi paketën e udhëtimit të rregulluar me këtë ligj.
Neni 16
Përmbajtja e kontratës së paketës së udhëtimit
1. Kontrata e paketës së udhëtimit duhet të jetë në gjuhë të qartë, të lexueshme dhe lehtë
të kuptueshme. Agjencia organizatore ose shitësi duhet t’i sigurojë udhëtarit një kopje ose
konfirmim të kontratës, pa vonesë të panevojshme. Udhëtari ka të drejtë të kërkojë një kopje të
shtypur të kontratës së paketës së udhëtimit nëse është lidhur në praninë e njëkohshme fizike
të palëve. Për kontratat e lidhura jashtë ambienteve afariste të shitësit, një kopje e konfirmimit
të kontratës së paketës duhet të sigurohet e shtypur në letër ose në ndonjë pajisje funksionale
elektronike.
2. Kontrata e paketës së udhëtimit ose konfirmimi i kontratës përcakton përmbajtjen e plotë të
marrëveshjes e cila përfshin të gjitha informatat e përfshira në paragrafin 2 të nenit 15 të këtij
ligji si dhe informatat në vijim:
2.1. kërkesat e posaçme të udhëtarit që agjencia organizatore i ka pranuar;
2.2. informatat që agjencia organizatore është:
2.2.1. përgjegjëse për kryerjen e duhur të të gjitha shërbimeve të udhëtimit të
përfshira në kontratë; dhe
2.2.2. e detyruar të ofrojë ndihmë nëse udhëtari është në vështirësi, siç është
përcaktuar me dispozitat e këtij kapitulli.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
18
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2.3. emrin, adresën, numrin e telefonit, dhe postën elektronike të përfaqësuesit lokal të
agjencisë organizatore apo të një pike kontakti ose të një shërbimi tjetër që ia mundëson
udhëtarit të kontaktojë shpejt agjencinë organizatore dhe të komunikojnë me të në
mënyrë efikase, të kërkojnë ndihmë kur udhëtari është në vështirësi apo të ankohet për
çdo mungesë që ka vërejtur gjatë realizimit të paketës së udhëtimit;
2.4. informacionin që udhëtarit i kërkohet të komunikojë për çdo mungesë konformiteti që
ai e ka vërejtur gjatë realizimit të paketës, siç përcaktohet me këtë ligj;
2.5. kur të miturit të pashoqëruar nga një prind ose një person tjetër i autorizuar udhëtojnë
në bazë të kontratës së paketës së udhëtimit që përfshin strehimin, duhet të përmbajë
informacionin që mundëson kontakt të drejtpërdrejtë me të miturin ose personin përgjegjës
për të miturin në vendqëndrimin e të miturit;
2.6. informacionin mbi procedurat e brendshme të trajtimit të ankesave dhe mbi zgjidhjen
alternative të mosmarrëveshjeve;
2.7. informacionin mbi të drejtën e udhëtarit për të transferuar kontratën tek një udhëtar
tjetër në përputhje me nenin 17 të këtij ligji.
3. Duke iu referuar paketave siç përcaktohet në nenin 13 të këtij ligji, agjencia e udhëtimit të cilës
i janë bartur të dhënat informon agjencinë organizatore për lidhjen e kontratës që mundëson
krijimin e një pakete. Agjencia e udhëtimit i siguron agjencisë organizatore informacionin e
nevojshëm për t’i përmbushur detyrimet e saj si organizator. Sapo agjencia organizatore të
informohet së është krijuar një paketë, agjencia organizatore duhet t’i ofrojë udhëtarit informatat
e cekura në paragrafin 2 të këtij neni në një formë të përshtatshme, duke përfshirë edhe
komunikimin elektronik.
4. Informacioni i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni duhet të sigurohet në mënyrë të
qartë, të kuptueshme dhe të dukshme.
5. Në kohën e duhur para fillimit të paketës, agjencia organizatore duhet t’i sigurojë udhëtarit
faturat e nevojshme, kuponët dhe biletat, informatat mbi kohën e caktuar të nisjes dhe, aty ku
është e mundur, afatin e hyrjes si dhe afatet e planifikuara për ndalesat e ndërmjetme, lidhjet e
transportit dhe mbërritjen.
NËNKAPITULLI II
NDRYSHIMET NË PAKETËN E UDHËTIMIT
Neni 17
Transferimi i kontratës së paketës së udhëtimit
1. Para fillimit të zbatimit të paketës së udhëtimit, udhëtari mund ta transferojë kontratën
e udhëtimit të paketës tek një person që i plotëson të gjitha kushtet e zbatueshme për atë
kontratë, pas njoftimit të organizatorit me një njoftim të arsyeshëm. Njoftimi i dhënë agjencisë
organizatore jo më vonë se shtatë (7) ditë para fillimit të udhëtimit të paketës konsiderohet si i
arsyeshëm.
2. Transferuesi i kontratës së paketës së udhëtimit dhe ai të cilit i transferohet ajo duhet të jenë
bashkërisht përgjegjës për pagesën e çmimit dhe çdo tarife, ngarkese apo shpenzimi tjetër
shtesë që rrjedhë nga transferimi i kontratës.
3. Agjencia organizatore duhet të informojë transferuesin lidhur me kostot aktuale të transferimit
i cili nuk duhet të jetë i paarsyeshëm dhe nuk duhet të tejkalojë koston aktuale të agjencisë
organizatore për shkak të transferimit të kontratës së paketës së udhëtimit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
19
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
4. Agjencia organizatore duhet t’i sigurojë transferuesit dëshmi të tarifave ose kostove të tjera
shtesë që rrjedhin nga transferimi i kontratës së paketës së udhëtimit.
Neni 18
Modifikimi i çmimit të paketës së kontraktuar
1. Pas përfundimit të kontratës së paketës së udhëtimit, agjencia organizatore mund të rrisë
çmimin e kontraktuar vetëm nëse kontrata përcakton shprehimisht këtë mundësi dhe thekson
se udhëtari ka të drejtën e zbritjes së çmimit sipas paragrafit 5 të këtij neni.
2. Kontrata sipas paragrafit 1 të këtij neni përcakton mënyrën e llogaritjes së rishikimit të
çmimeve dhe ku rritja e çmimeve është ekskluzivisht pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimit të:
2.1. çmimit të transportit të udhëtarëve që rezulton nga kostoja e karburantit ose e
burimeve të tjera të energjisë;
2.2. nivelit të taksave ose tarifave për shërbimet e udhëtimit të përfshira në kontratë
dhe të vendosura nga palët e treta që nuk janë drejtpërdrejt të përfshira në realizimin e
paketës, duke përfshirë taksat turistike, taksat e uljes ose tarifat e nisjes ose të zbarkimit
në porte dhe aeroporte;
2.3. kurseve të këmbimit të rëndësishme për paketën.
3. Nëse rritja e çmimit nga paragrafi 1 i këtij neni tejkalon tetë për qind (8%) të çmimit total të
paketës, agjencia organizatore nuk mund ta modifikojë njëanshmërisht çmimin.
4. Pa marrë parasysh shtrirjen e saj, rritja e çmimit është e mundur vetëm nëse agjencia
organizatore njofton udhëtarin në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme, me një justifikim për atë
rritje dhe llogaritjen, përmes një mjeti të qëndrueshëm jo më vonë se njëzet (20) ditë para fillimit
të paketës së udhëtimit.
5. Nëse kontrata e paketës së udhëtimit përcakton mundësinë e rritjes së çmimit, udhëtari ka
të drejtën e zbritjes së çmimit që korrespondon me çdo rënie të shpenzimeve nga paragrafi 1
i këtij neni që ndodh pas përfundimit të kontratës dhe parapagimit deri në fillimin e realizimit të
paketës.
6. Në rast rënieje të çmimit, agjencia organizatore ka të drejtë t’i zbresë shpenzimet
administrative nga rimbursimi që i detyrohet udhëtarit dhe të sigurojë dëshmi për shpenzimet e
tilla administrative me kërkesë të udhëtarit.
Neni 19
Modifikimi i termave dhe kushteve të kontratës
1. Para fillimit të paketës së udhëtimit, agjencia organizatore nuk mund t’i ndryshojë në mënyrë
të njëanshme termat dhe kushtet e kontratës së paketës së udhëtimit, përpos çmimit, në
përputhje me nenin 18 të këtij ligji. Modifikimi lejohet nëse kjo e drejtë është e përcaktuar në
kontratë ose ndryshimi është i parëndësishëm dhe udhëtari informohet në mënyrë të qartë dhe
të kuptueshme për këto ndryshime dhe pajtohet me to.
2. Nëse, para fillimit të paketës së udhëtimit, agjencia organizatore detyrohet të modifikojë
cilëndo nga karakteristikat kryesore të shërbimeve të udhëtimit të cekura në paragrafin 2 të
nenit 15 të këtij ligji, ose nuk mund t’i përmbushë kushtet e veçanta të cekura në paragrafin 2.1
të nenit 15 të këtij ligji, ose propozon rritjen e çmimit të paketës për më shumë se tetë për qind
(8%) siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 18 të këtij ligji, udhëtari, brenda një periudhe
të arsyeshme kohore të përcaktuar nga agjencia organizatore, mund:
2.1. të pranojë ndryshimin e propozuar, ose
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
20
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2.2. të ndërpresë kontratën pa paguar një tarifë/ngarkesë ndërprerjeje.
3. Në rast së udhëtari ka ndërprerë kontratën sipas nën-paragrafit 2.2. të paragrafit 2 të këtij neni,
udhëtari mund të pranojë paketë zëvendësuese nëse i është ofruar nga agjencia organizatore.
Paketa zëvendësuese, nëse është e mundur, duhet të ofrohet me një cilësi të njëjtë ose më të
lartë së paketa fillestare.
4. Agjencia organizatore duhet që pa vonesë të informojë udhëtarin në mënyrë të qartë, të
kuptueshme dhe të dukshme përmes një mjeti funksional dhe efektiv lidhur me:
4.1. ndryshimet e propozuara nga paragrafi 2 i këtij neni dhe, sipas rastit, në përputhje
me paragrafin 5 të këtij neni lidhur me ndikimin e tyre në çmimin e paketës;
4.2. një afat prej më së shumti dy (2) ditë brenda të cilit udhëtari duhet të informojë
agjencinë organizatore për vendimin e tij në pajtim me paragrafin 2 të këtij neni;
4.3. pasojat e dështimit të udhëtarit për t’u përgjigjur brenda periudhës së përcaktuar në
nën-paragrafin 4.2 të këtij paragrafi, dhe
4.4. aty ku është e aplikueshme, paketën zëvendësuese të ofruar dhe çmimin e saj.
5. Oferta për të rritur çmimin e paketës nuk mund të bëhet më vonë se njëzet (20) ditë para
fillimit të udhëtimit dhe oferta për modifikimin e kushteve të tjera kontraktuale nuk mund të bëhet
pas fillimit të udhëtimit.
6. Nëse udhëtari nuk e informon agjencinë organizatore për vendimin e tij brenda afatit të
përcaktuar në nën-paragrafin 4.2. të këtij neni, kontrata konsiderohet e përfunduar pas skadimit
të kësaj periudhe.
7. Nëse ndryshimet në kontratën e paketës së udhëtimit nga paragrafi 2 i këtij neni ose në
paketën zëvendësuese të përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni rezultojnë në cilësi më të ulët
të paketës ose çmimit të rritur, udhëtarët kanë të drejtë zbritje përkatëse të çmimeve.
8. Në rastet e referuara në nën-paragrafin 2.2. të paragrafit 2 të këtij neni, udhëtari përfundon
kontratën e udhëtimit të paketës dhe refuzon të pranojë paketë zëvendësuese, agjencia
organizatore duhet që pa vonesë, por jo më vonë se katërmbëdhjetë (14) ditë nga përfundimi
i kontratës, të bëjë rimbursimin e të gjitha pagesave të bëra nga udhëtari dhe kompensimin e
udhëtarit për dëmtim me zbatimin e duhur të dispozitave të këtij ligji dhe ligjeve tjera në fuqi.
Neni 20
E drejta e udhëtarit për ta ndërprerë kontratën
1. Udhëtari mund ta ndërpresë kontratën e paketës së udhëtimit në çdo kohë para fillimit të
zbatimit të paketës së udhëtimit.
2. Në rastin e cekur në paragrafin 1 të këtij neni, agjencia organizatore humbet të drejtën e saj
për çmimin e kontraktuar të paketës dhe udhëtarit mund t’i kërkohet të paguajë një tarifë të
arsyeshme dhe të justifikueshme për agjencinë organizatore.
3. Kontrata e paketës së udhëtimit mund t’i përcaktojë tarifat e arsyeshme dhe të standardizuara
të ndërprerjes së saj.
4. Nëse tarifat e standardizuara të ndërprerjes së kontratës nuk janë përcaktuar me kontratë
nga palët, shuma e tarifës së ndërprerjes duhet të korrespondojë me çmimin e paketës, minus
kursimet e kostos së agjencisë organizatore dhe të ardhurat nga ofrimi i shërbimeve të udhëtimit
tek një përdorues tjetër.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
21
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
5. Me kërkesën e udhëtarit, agjencia organizatore duhet të japë një arsyetim për shumën e
tarifës së ndërprerjes.
6. Pa rënë ndesh me paragrafët 1-5 të këtij neni, udhëtari duhet të ketë të drejtë për ta ndërprerë
kontratën e paketës së udhëtimit para fillimit të zbatimit të paketës së udhëtimit pa paguar asnjë
tarifë ndërprerjeje në rast të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të pashmangshme që ndodhin
në destinacionin ose në afërsi të tij të afërt dhe ndikojnë në realizimin e paketës ose ndikojnë
në transportin e udhëtarëve në destinacion.
7. Në rast të ndërprerjes së kontratës së paketës së udhëtimit sipas paragrafit 6 të këtij neni,
udhëtari ka të drejtën e rimbursimit të plotë të çdo pagesë të bërë për paketën por nuk ka të
drejtë për kompensim shtesë.
8. Agjencia organizatore duhet të rimbursojë të gjitha pagesat e bëra nga ose në emër të
udhëtarit për paketën, minus tarifën përkatëse të ndërprerjes, pa vonesa të panevojshme por
jo më vonë se katërmbëdhjetë (14) ditë pas përfundimit të kontratës së paketës së udhëtimit.
Neni 21
E drejta e agjencisë organizatore për ta ndërprerë kontratën e paketës
1. Agjencia organizatore mund ta ndërpresë kontratën e paketës së udhëtimit dhe t’i sigurojë
udhëtarit rimbursimin e plotë të çdo pagese të bërë për paketën pa pasur nevojë ta paguajë
udhëtarin për ndonjë kompensim shtesë nëse numri i personave të regjistruar për paketën
është më i vogël se minimumi i numrit të deklaruar në kontratë dhe agjencia organizatore
njofton udhëtarin për ndërprerjen e kontratës brenda afatit të përcaktuar në kontratë, por jo më
vonë se:
1.1. Njëzet (20) ditë para fillimit të paketës në rastin e udhëtimeve që zgjasin më shumë
se gjashtë (6) ditë;
1.2. Shtatë (7) ditë para fillimit të paketës në rastin e udhëtimeve që zgjasin nga dy (2)
deri në gjashtë (6) ditë;
1.3. Dyzet e tetë (48) orë para fillimit të paketës në rastin e udhëtimeve që zgjasin më
pak se dy (2) ditë.
2. Agjencia organizatore mund ta ndërpresë kontratën e paketës së udhëtimit dhe t’i sigurojë
udhëtarit një rimbursimin të plotë të çdo pagese të bërë për paketën pa pasur nevojë ta paguajë
udhëtarin për ndonjë kompensim shtesë në qoftë së agjencia organizatore është penguar nga
kryerja e kontratës nga rrethana të jashtëzakonshme dhe njofton udhëtarin për ndërprerjen e
kontratës pa vonesa të panevojshme para fillimit të paketës së udhëtimit.
3. Në rast të përfundimit të kontratës sipas paragrafëve 1 dhe 2 të këtij neni, agjencia organizatore
humbet të drejtën e saj për çmimin e kontraktuar të paketës dhe rimburson të gjitha pagesat e
bëra në emër të udhëtarit pa vonesa të panevojshme, por jo më vonë se katërmbëdhjetë (14)
ditë pas përfundimit të kontratës se paketës së udhëtimit.
NËNKAPITULLI III
PERFORMANCA E PAKETËS
Neni 22
Përgjegjësia për përmbushjen e paketës
Agjencia organizatore është përgjegjëse për kryerjen e shërbimeve të udhëtimit të përfshira në
kontratën e paketës së udhëtimit pavarësisht nëse këto shërbime duhet të kryhen nga agjencia
organizatore ose nga ofruesit tjerë të shërbimeve të udhëtimit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
22
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
Neni 23
Evitimi i mungesave të konformitetit
1. Udhëtari duhet të informojë agjencinë organizatore pa vonesë, duke marrë parasysh
rrethanat e rastit, për çdo mungesë konformiteti të perceptuar gjatë kryerjes së ndonjë shërbimi
të udhëtimit të përfshirë në kontratën e paketës së udhëtimit.
2. Nëse ndonjë nga shërbimet e udhëtimit nuk kryhet në përputhje me kontratën e paketës së
udhëtimit, agjencia organizatore duhet të korrigjojë mungesën e konformitetit me kërkesë të
udhëtarit, duke marrë parasysh shkallën e mungesës së konformitetit dhe vlerën e shërbimeve
të udhëtimit të prekura.
3. Nëse agjencia organizatore nuk korrigjon mungesat në konformitet, udhëtari ka të drejtë në
zbritje të çmimit dhe kompensim të dëmit në pajtim me nenet 26 dhe 27 të këtij ligji.
4. Nëse agjencia organizatore nuk i bën korrigjimet e tilla brenda një afati të arsyeshëm të caktuar
nga udhëtari, udhëtari mund ta bëjë vlerësimin dhe të kërkojë rimbursimin e shpenzimeve të
nevojshme. Udhëtarit nuk i kërkohet të përcaktojë një afat kohor të arsyeshëm për agjencinë
organizatore për të korrigjuar mungesën e konformitetit nëse agjencia organizatore refuzon të
korrigjojë mungesën e konformitetit ose nëse kërkohet një zgjidhje e menjëhershme.
Neni 24
Të drejtat e udhëtarit dhe detyrimet e agjencisë organizatore
1. Kur një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve të udhëtimit nuk mund të sigurohet siç është
rënë dakord me kontratën e paketës së udhëtimit, agjencia organizatore duhet të ofrojë, pa
kosto shtesë për udhëtarin, një alternativë të përshtatshme aranzhimi ku është e mundur cilësi
ekuivalente ose më e lartë se ajo e specifikuar në kontratë për vazhdimin e paketës, përfshirë
këtu kthimin e udhëtarit në vendin e nisjes.
2. Kur aranzhimet alternative të propozuara nga agjencia organizatore rezultojnë në një
paketë me cilësi më të ulët se ajo e specifikuar në kontratën e paketës së udhëtimit, agjencia
organizatore duhet të ofrojë uljen e duhur të çmimeve.
3 Udhëtari mund t’i refuzojë marrëveshjet alternative të propozuara vetëm nëse ato nuk janë të
krahasueshme me atë që është rënë dakord në kontratën e paketës së udhëtimit ose nëse ulja
e çmimit është e pamjaftueshme.
4. Kur mungesa e konformitetit ndikon në mënyrë të ndjeshme në përmbushjen e paketës dhe
nëse agjencia organizatore nuk e ka korrigjuar atë brenda një afati të arsyeshëm të përcaktuar
nga udhëtari, udhëtari mund ta ndërpresë kontratën e paketës së udhëtimit pa paguar një tarifë
ndërprerjeje dhe, kur është e përshtatshme, të kërkojë uljen e çmimit ose kompensimin për
dëmin në përputhje me nenet 26 dhe 27 të këtij ligji.
5. Nëse është e pamundur të bëhen aranzhime alternative ose udhëtari e hedh poshtë
propozimin për aranzhimet alternative në përputhje me paragrafin 3 të këtij neni, udhëtari ka të
drejtë për ulje të çmimit ose kompensim për dëmin në përputhje me nenet 26 dhe 27 të këtij
ligji, pa përfunduar kontratën e paketës së udhëtimit.
6. Nëse paketa përfshin transportin e udhëtarit, organizatorët, në rastet e përmendura në
paragrafët 4 dhe 5 të këtij neni, gjithashtu sigurojnë riatdhesimin e udhëtarit me transport
ekuivalent pa vonesa të panevojshme dhe pa kosto shtesë për udhëtarin. Shpenzimet shtesë
mbulohen nga agjencia organizatore.
Neni 25
Shpenzimet e akomodimit të nevojshëm
1. Për aq kohë sa është e pamundur të sigurohet kthimi i udhëtarit siç është rënë dakord në kontratën
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
23
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
e paketës së udhëtimit për shkak të rrethanave të pashmangshme dhe të jashtëzakonshme,
agjencia organizatore duhet të plotësojë koston e nevojshme të akomodimit, nëse është e mundur,
të kategorisë ekuivalente, për një periudhë jo më të gjatë se tri (3) net për udhëtarin.
2. Kufizimi i shpenzimeve nga paragrafi 1 i këtij neni nuk zbatohet për personat me lëvizshmëri të
kufizuar dhe çdo person që shoqëron gratë shtatzëna dhe të miturit e pashoqëruar, si dhe personat
që kanë nevojë për një mjekim të veçantë, me kusht që agjencia organizatore të jetë njoftuar për
nevojat e tyre të veçanta të paktën dyzet e tetë (48) orë para fillimit të paketës së udhëtimit.
3. Agjencia organizatore nuk mund të kërkojë rrethana të pashmangshme dhe të jashtëzakonshme
për të kufizuar përgjegjësinë sipas paragrafit 1 të këtij neni nëse ofruesi përkatës i transportit
nuk mund të mbështetet në të tilla rrethana.
NËNKAPITULLI IV
ULJA E ÇMIMEVE DHE KOMPENSIMI PËR DËMET
Neni 26
Ulja e çmimit
Udhëtari ka të drejtën e uljes së përshtatshme të çmimit për çdo periudhë gjatë së cilës mungon
konformiteti, përveç nëse agjencia organizatore vërteton së mungesa e konformitetit i atribuohet
udhëtarit.
Neni 27
Kompensimi i dëmit
1. Udhëtari ka të drejtë pavarësisht nga ulja e çmimit ose përfundimi i kontratës të marrë
kompensim të duhur nga agjencia organizatore për çdo dëm të pësuar për shkak të mungesës
së konformitetit dhe kompensimi do t’i paguhet udhëtarit pa vonesa të panevojshme.
2. Agjencia organizatore nuk mban përgjegjësi për dëmin nëse vërteton se:
2.1. mungesa e konformitetit i atribuohet udhëtarit;
2.2. mungesa e konformitetit i atribuohet një pale të tretë që nuk lidhet me sigurimin
e udhëtimit, shërbimet e përfshira në kontratën e paketës së udhëtimit dhe është e
paparashikueshme ose e pashmangshme, ose
2.3. mungesa e konformitetit është për shkak të rrethanave të pashmangshme dhe të
jashtëzakonshme.
3. Çështjet që nuk rregullohen me këtë ligj, vlejnë përshtatshmërisht dispozitat e ligjit përkatës
për marrëdhëniet e detyrimeve.
KAPITULLI V
SHËRBIMET E UDHËRRËFYESIT, SHOQËRUESIT TURISTIK DHE PËRFAQËSUESIT TË
AGJENCISË SË UDHËTIMIT
Neni 28
Shërbimet e udhërrëfyesit turistik
1. Udhërrëfyesi turistik udhëzon dhe jep informacion profesional verbal për vizitorët në lidhje
me bukuritë natyrore dhe vlerat, monumentet kulturore dhe historike, veprat e artit, veprat
etnografike dhe pamjet e tjera, ngjarjet historike, legjendat rreth ngjarjeve të ndryshme dhe
personazheve, ngjarjet ekonomike dhe politike, duke shërbyer si udhërrëfyes në rrugë malore,
udhërrëfyes në alpinizëm, udhërrëfyes në turizmin e zhytjes.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
24
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2. Shërbimet e udhërrëfyesit turistik mund të ofrohen nga qytetarët e Republikës së Kosovës,
dhe qytetarë të huaj të përcaktuar sipas këtij ligji.
3. Udhërrëfyesi turistik ofron shërbime udhëzuese turistike vetëm në fushën për të cilën është i
regjistruar për ushtrimin e veprimtarisë në përputhje me këtë ligj.
4. Vizitorët kanë të drejtë ankese për mos ushtrimin e duhur të profesionit dhe moszbatimin e
kodit të etikës nga udhërrëfyesit në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Udhërrëfyesi e njofton vizitorin për të drejtat e tij të ankimimit në departamentin përgjegjës
për mbrojtjen e konsumatorit.
6. Personat që kryejnë aktivitetet e udhëzimit profesional në vendet e tyre të punës, si: në
muze, galeri, zonë të mbrojtur të natyrës, vend arkeologjik dhe të ngjashme, dhe në udhëzimet
për gjueti dhe peshkim, si dhe stafi mësimdhënës i institucioneve arsimore gjatë udhëtimeve
jashtëshkollore ose në terren, nuk konsiderohen si udhërrëfyes turistikë sipas këtij ligji.
7. Agjencitë e udhëtimit dhe përdoruesit e tjerë të shërbimeve të udhërrëfyesve turistikë
përdorin shërbimet e udhërrëfyesit të regjistruar për ofrimin e shërbimeve udhëzuese turistike
të rregulluara me këtë ligj.
Neni 29
Kushtet për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik
1. Për ushtrimin e veprimtarisë, udhërrëfyesi turistik duhet t’i plotësoj këto kushte:
1.1. të ketë kualifikim universitar ose profesional për udhërrëfyes turistik apo në fushën e turizmit;
1.2. të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale të kryera me dashje;
1.3. të ketë njohuri dhe të ushtrojë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik në pajtim me
kodin e etikës;
1.4. të ketë njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare dhe të paktën një gjuhë të huaj që do të
përdoret në kryerjen e shërbimeve të udhërrëfyesit turistik.
2. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kushtet dhe kriteret tjera dhe kodin e etikës për ushtrimin
e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik.
Neni 30
Regjistrimi i udhërrëfyesit turistik
1. Për ushtrimin e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik, kandidati duhet të bëhet pjesë e
Regjistrit të Turizmit.
2. Pas aplikimit në Regjistrin e Turizmit, aplikuesi pajiset me vendim të cilin e nënshkruan
drejtori i Departamentit të Turizmit, pas rekomandimit nga komisioni.
3. Ministri, me akt nënligjor, përcakton procedurën e aplikimit për t’u bërë pjesë e Regjistrit
të Udhërrëfyesve Turistikë, procedurën e marrjes së kartelës së identifikimit dhe të revokimit,
themelimin e komisionit për shqyrtimin e kërkesave për regjistrim në Regjistër të udhërrëfyesit
si dhe themelimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave.
Neni 31
Udhërrëfyesi turistik i huaj
1. Udhërrëfyesi turistik i huaj i cili nuk është i regjistruar në Republikën e Kosovës për ushtrimin
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
25
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
e veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik mund të shoqërojë grupe vizitorësh apo turistësh të
huaj për qëllime turistike në territorin e Republikës së Kosovës në cilësinë e shoqëruesit të
udhëtimit. Ai duhet të ketë si shoqërues udhërrëfyes turistik të regjistruar, siç parashihet me
këtë ligj, në bazë të kontratës së shërbimit, i cili duhet të jetë i pranishëm gjatë vizitës të grupit
të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.
2. Në rastin kur një shtetas i huaj ushtron profesionin e udhërrëfyesit turistik në territorin e
Republikës së Kosovës, përveç përmbushjes së kushteve dhe kritereve sipas neneve 29 dhe
30 të këtij ligji, ai duhet të ketë edhe njohuri të njërës nga gjuhët zyrtare, gjë të cilën duhet ta
dëshmojë me rastin e aplikimit për kartelën e identifikimit dhe me përfshirjen në Regjistrin e
Udhërrëfyesve Turistikë.
3. Pavarësisht dispozitave të këtij neni, Ministria mund të vendosë lejimin apo moslejimin e
ushtrimit të shërbimeve të udhërrëfyesit turistik për shtetasit e huaj mbi bazën e marrëveshjeve
dhe reciprocitetit me shtetin përkatës.
Neni 32
Udhërrëfyesi turistik i nderit
1. Ekspertët nga fusha e turizmit dhe fushat që ndërlidhen me turizmin si dhe profesionistët
e pensionuar në fushën e udhërrëfyesve munden që, me kërkesën e tyre, t’u njihet cilësia e
udhërrëfyesit turistik të nderit.
2. Udhërrëfyesi turistik i nderit mund të ushtrojë veprimtarinë e udhërrëfyesit turistik vetëm
përkohësisht dhe për qëllime jofitimprurëse.
3. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kriteret dhe procedurën e përfshirjes së udhërrëfyesit
turistik të nderit në Regjistrin e Turizmit.
Neni 33
Shoqëruesi turistik
1. Shoqëruesi turistik shoqëron një grup turistik dhe kryen detyra operative dhe teknike nga
fillimi i udhëtimit drejt destinacionit e deri te kthimi.
2. Shoqërues turistik mund të jetë vetëm personi që mban kartelën e identifikimit të shoqëruesit
turistik, të lëshuar nga agjencia e udhëtimit.
3. Shoqërues turistik mund të jetë edhe shtetasi i huaj që shoqëron një grup të një organizatori
të huaj, për udhëtime që fillojnë në një vend të huaj dhe përfundojnë në vendin e huaj.
4. Gjatë ofrimit të shërbimeve, shoqëruesi turistik duhet të bartë në një vend të dukshëm kartelën
e identifikimit të shoqëruesit turistik që konfirmon identitetin e tij.
5. Ministri, me vendim, përcakton formatin e kartelës së identifikimit.
Neni 34
Përfaqësuesit e agjencive të udhëtimit
1. Përfaqësuesi i agjencisë është personi që përfaqëson agjencinë e udhëtimit që ka organizuar
udhëtimin ose paketën e udhëtimit përpara ofruesve të shërbimeve dhe klientëve në destinacion.
2. Detyrat dhe përgjegjësitë e përfaqësuesve të agjencive janë:
2.1. t’i mbrojnë interesat dhe të drejtat e udhëtarëve dhe organizatorëve të udhëtimit
përpara ofruesve të shërbimeve;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
26
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2.2. të sigurojnë informacion dhe udhëzime për udhëtarët në lidhje me zbatimin e itinerarit
dhe shërbimeve shtesë;
2.3. të marrin shërbime shtesë për përdoruesit e paketave, si: ekskursione, ngjarje
kulturore dhe sportive dhe të ngjashme, të parashikuara në itinerarin e caktuar, në emër
dhe për llogari të organizatorit të udhëtimit sipas kompetencave që u jepen atyre.
3. Të kryejnë aktivitete të tjera të nevojshme për mbrojtjen e interesave të udhëtarëve dhe
organizatorëve të udhëtimeve.
KAPITULLI VI
SHËRBIMET E TURIZMIT NË FORMAT E VEÇANTA
Neni 35
Shërbimet e turizmit në forma të veçanta të ofertës turistike
1. Shërbimet e turizmit në forma të veçanta të ofertës turistike në kuptim të këtij ligji janë:
1.1. shërbimet turistike në turizëm shëndetësor;
1.2. shërbimet turistike në turizëm kongres;
1.3. shërbimet turistike të turizmit aktiv dhe aventuror;
1.4. shërbimet turistike të turizmit të peshkimit;
1.5. shërbimet e turizmit në fermat bujqësore;
1.6. në vendet e mbarështimit të organizmave ujorë;
1.7. në tokat e gjuetisë dhe pyjet në pronësi private;
1.8. shërbimet e marrjes me qira të automjeteve; dhe
1.9. shërbimet e zhytjeve turistike.
Neni 36
Shërbimet turistike në turizmin shëndetësor
1. Shërbimet turistike në turizmin shëndetësor konsiderohen si shërbime të organizimit të
transportit, transferimit turistik dhe akomodimit, si shërbime individuale ose si udhëtim i
organizuar që u jepet përdoruesve të shërbimeve shëndetësore.
2. Shërbimet e turizmit nga paragrafi 1 i këtij neni mund të sigurohen nga institucionet mjekësore,
subjektet dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor në përputhje me aktet e veçanta që
rregullojnë kujdesin shëndetësor, përdoruesit e shërbimeve të tyre mjekësore, pa qenë nevoja
të regjistrojnë një agjenci të udhëtimit, por në kushtet e parashikuara për ofrimin e shërbimeve
të agjencisë së udhëtimit, të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 37
Shërbimet e turizmit aktiv dhe aventuror
1. Shërbimet turistike në turizmin aktiv dhe aventuror konsiderohen aktivitetet në tokë, ujë dhe
ajër, jashtë ose në mjedis natyror të pazhvilluar ose në zona të posaçme të zhvilluara dhe të
pajisura, të cilat për shkak të karakteristikave të tyre përfshijnë rrezikun e dëmtimit dhe pasojat
për përdoruesit e tyre.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
27
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2. Shërbimet turistike të turizmit aktiv dhe aventuror nga paragrafi 1 i këtij neni mund të ofrohen
nga shoqatat profesionale të turizmit aktiv dhe aventuror dhe nga shoqëritë tregtare.
3. Veprimtari të turizmit aktiv dhe aventuror konsiderohen:
3.1. ngjitja;
3.2. ecja në zona malore;
3.3. çiklizmi malor;
3.4. parashutizmi;
3.5. alpinizmi;
3.6. lundrimi në ujëra të rrëmbyeshme;
3.7. lundrimi me kajak;
3.8. aktivitetet speleologjike;
3.9. aktivitetet e kalërimit;
3.10. rrëshqitja në litar;
3.11. aktivitetet e ngjitjes në shkëmbinj;
3.12. aktivitetet tjera të ngjashme të përcaktuara nga Ministria.
4. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kushtet për ofrimin e shërbimeve turistike të turizmit
aktiv dhe aventuror.
Neni 38
Ofrimi i shërbimeve të tjera të turizmit
1. Shërbimet e tjera të turizmit për qëllime pushimi dhe rekreacioni turistik mund të ofrohen
në fermat bujqësore, vendet e mbarështimit të organizmave ujorë, ujërat, tokat e gjuetisë dhe
pyjet në pronësi private të regjistruara në pajtim me aktet përkatëse nga fusha e bujqësisë,
akuakulturës, peshkimit dhe pylltarisë.
2. Shërbimet e turizmit nga paragrafi 1 i këtij neni janë bujqësia, pylltaria, peshkimi, dhe të
ngjashme të cilat kanë për qëllim:
2.1. lehtësimin e pjesëmarrësve në aktivitetet bujqësore siç janë vjelja e frutave dhe
perimeve, korrja dhe të ngjashme;
2.2. lehtësimin e pjesëmarrjes në aktivitetet akuakulturore, siç janë: ushqyerja e organizmit
ujor, pastrimi i instalimeve të mbarështimit, prezantimi i procesit të mbarështimit të
organizmave ujorë dhe të ngjashme;
2.3. gjuetia, peshkimi dhe prezantimet e peshkimit;
2.4. karroca me kuaj, biçikleta, shëtitje dhe aktivitete të ngjashme;
2.5. aktivitetet e turizmit aktiv ose aventuror;
2.6. dhënia me qira e objekteve, mjeteve, veglave dhe pajisjeve për aktivitete individuale;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
28
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
2.7. dhënia me qira e pikave të piknikut;
2.8. ekzekutimi i programeve të seminareve krijuese dhe edukative në lidhje me bujqësinë,
akuakulturën, artet tradicionale dhe tregtimet e ngjashme;
2.9. paraqitja e fermave bujqësore, vendgjuetive dhe pyjeve, duke përfshirë edhe pamjet
kulturore pas kësaj;
2.10. vizita në koleksione etnografike dhe të ngjashme.
3. Shërbimet e turizmit të përcaktuara në paragrafin 2 të këtij neni mund të ofrohen sipas
kushteve të përcaktuara me akt nënligjor nga Ministri.
Neni 39
Ofrimi i shërbimeve të marrjes me qira të automjeteve
1. Shërbimet e marrjes me qira të automjeteve mund të ofrohen nga personat juridikë dhe
fizikë sipas kushteve të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjeve të veçanta që rregullojnë sigurinë
e trafikut rrugor.
2. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kushtet dhe kriteret për ofruesit e shërbimeve nga
paragrafi 1 i këtij neni.
KAPITULLI VII
STRUKTURAT AKOMODUESE
Neni 40
Kategorizimi dhe klasifikimi i strukturave akomoduese
1. Secila kategori e strukturave akomoduese klasifikohet me sistem të veçantë, e shoqëruar me
shenjat dalluese përkatëse sipas përcaktimit të mëposhtëm:
1.1. “Bujtinë” standard;
1.2. “Hostel” standard, komfort;
1.3. “Kamping” standard;
1.4. “Hotel” dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
1.5. “Motel” standard, komfort, superior;
1.6. “Resort” tre yje, katër yje, pesë yje;
1.7. “Qendër kurative” dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje;
1.8. “Fjetje dhe mëngjes” standard, komfort, superior;
1.9. Përveç strukturave të cekura nga 1.1 deri në 1.8. të këtij paragrafi, mund të shtohen
struktura tjera akomoduese të cilat përcaktohen me aktin nënligjor me të cilin bëhet
kategorizimi dhe klasifikimi i strukturave akomoduese.
2. Me anë të klasifikimit bëhet vlerësimi i standardeve të infrastrukturës dhe i shërbimit të
strukturave akomoduese përmes një rangimi me yje për kategoritë hotel, resort dhe qendër
kurative. Ndërsa për kategoritë tjera vlejnë klasifikimet standard, komfort dhe superior.
3. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kriteret, kushtet, afatet dhe taksën administrative të
klasifikimit të strukturave akomoduese.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
29
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
4. Secila kategori e strukturave akomoduese mund t‘i nënshtrohet një klasifikimi vullnetar.
5. Klasifikimi është i vlefshëm për një periudhë të pakufizuar. Në rast të uljes ose ngritjes së
kritereve të vlerësimit, subjekti paraqet kërkesë për riklasifikimin e strukturës akomoduese me
qëllim ngritjen e nivelit të klasifikimit.
6. Klasifikimi vendoset në Regjistrin e Turizmit, që administrohet nga njësia përgjegjëse në Ministri.
7. Për çdo ndryshim të të dhënave të deklaruara, biznesi turistik që ushtron veprimtarinë e tij
në fushën e strukturave akomoduese duhet të njoftojë njësinë përgjegjëse pranë Ministrisë,
brenda tridhjetë (30) ditëve pas ndryshimit të dhënave.
8. Strukturat akomoduese që përbëjnë një strukturë të veçantë të trashëgimisë kulturore, siç
përcaktohet me këtë ligj, nuk i nënshtrohen procesit të klasifikimit të strukturave akomoduese.
Neni 41
Emërtimi i strukturave akomoduese
1. Struktura akomoduese duhet të ketë titullin, firmën dhe llojin, në varësi nga lloji i shërbimeve
që kryesisht ofrohen në strukturë.
2. Përjashtimisht nga paragrafi 1 i këtij neni, struktura akomoduese mund të ketë titullin e dy
llojeve të shërbimeve të strukturave akomoduese në qoftë se për secilin lloj i plotëson kushtet
e përcaktuara me këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore.
3. Emërtimi i strukturës akomoduese mund të ndryshohet në qoftë së plotësohen kushtet e
parashikuara për ofrimin edhe të llojeve të tjera të shërbimeve në strukturën akomoduese.
4. Struktura akomoduese nuk ka të drejtë të ekspozojë yje brenda dhe jashtë hapësirave të saj,
nëse për këtë klasifikim nuk i është nënshtruar procesit të klasifikimit sipas këtij ligji dhe akteve
tjera nënligjore që dalin nga ky ligj. Yjet nuk mund të jenë pjesë përbërëse e emrit – firmës
zyrtare të biznesit të saj.
KAPITULLI VIII
TAKSA E AKOMODIMIT
Neni 42
Taksa e akomodimit
1. Qytetarët e Republikës së Kosovës dhe të huajt që qëndrojnë gjatë natës në një strukturë
akomoduese jashtë vendbanimit të tyre paguajnë taksën e akomodimit.
2. Taksa e akomodimit paguhet njëkohësisht me pagesën e akomodimit për një natë.
3. Taksa e akomodimit trajtohet si e hyrë vetanake e komunave dhe i destinohet promovimit dhe
zhvillimit të turizmit në komunën përkatëse.
4. Shuma e taksës së akomodimit përcaktohet me akt ligjor nga komuna dhe nuk mund të
kalojë shumën prej dy për qind (2%) të çmimit të përgjithshëm të akomodimit.
5. Subjektet që ushtrojnë veprimtari akomodimi janë të obliguara të mbledhin dhe paguajnë
taksën e akomodimit sipas procedurave të përcaktuara nga komunat.
Neni 43
Përjashtimi nga taksa e akomodimit
1. Nga pagesa e taksës së akomodimit përjashtohen kategoritë si në vijim:
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
30
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
1.1. fëmijët nën moshën shtatë (7) vjeç;
1.2. personat me referim mjekësor që qëndrojnë në natyrë me qëllim të shërimit;
1.3. personat e siguruar për të cilët, sipas paraqitjes së fotokopjes së një vendimi të
autoritetit kompetent, është e qartë se kanë aftësi të kufizuar ose dëmtim fizik, ose në
bazë të një kartele anëtarësimi të një organizate të aftësisë së kufizuar;
1.4. nxënësit, studentët, udhëheqësit ose mentorët e tyre, pjesëmarrësit në programet
edukative të organizuara nga shoqëritë dhe institucionet e tjera arsimore në baza
jofitimprurëse ose nga komunitetet fetare dhe të tjera si pjesë e aktiviteteve të tyre të
rregullta;
1.5. nxënësit në konviktet e shkollave dhe konviktet e studentëve;
1.6. personat të cilët punojnë përkohësisht dhe jetojnë në një objekt të industrisë
ushqimore për më shumë se tridhjetë (30) ditë;
1.7. shtetasit e huaj të cilët janë të liruar nga taksa e akomodimit në përputhje me
rregulloret dhe marrëveshjet ndërkombëtare;
1.8. anëtarët e shoqatave të cilët merren me aktivitete sportive, në bazë të një kartele të
vlefshme të anëtarësimit.
2. Komunat mund të miratojnë akt nënligjor që specifikon personat të cilët janë plotësisht ose
pjesërisht të përjashtuar nga taksa turistike.
KAPITULLI IX
BURIMET DHE ZONAT ME PËRPARËSI PËR ZHVILLIMIN E TURIZMIT
Neni 44
Burimet dhe destinacionet turistike
1. Burime turistike në Republikën e Kosovës janë burime natyrore turistike ku përfshihen
peizazhet natyrore, zonat e mbrojtura, veçoritë gjeografike e biologjike, kushtet klimatike, kushtet
hidrografike dhe objektet e tjera fizike, natyrore apo gjeo-monumentale që janë tërheqëse
për turistët, dhe burimet e trashëgimisë kulturore, përfshirë burimet materiale turistike, siç
përcaktohen sipas ligjit për trashëgiminë kulturore, ndërtesat historike dhe ndërtimet e tjera,
reliktet si dhe punët artizanale dhe burimet jo-materiale njerëzore turistike ku përfshihen
veprimtaritë e ndryshme kulturore.
2. Burimet turistike shndërrohen në produkte dhe destinacione turistike sipas procesit të studimit
dhe planifikimit, sipas prioriteteve të përcaktuara në Strategjinë shtetërore të turizmit.
3. Për qëllime të promovimit të tyre si produkte dhe destinacione turistike, burimet turistike
regjistrohen në Regjistrin e Turizmit që mirëmbahet nga Ministria.
Neni 45
Përcaktimi i zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit
1. Zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit është zona me rëndësi shtetërore në fushën e
turizmit, e cila ka potencial për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e ofertës turistike.
2. Zonat me përparësi për zhvillim të turizmit përcaktohen nga Qeveria, me propozim të Ministrit,
përmes Planit të zonave me përparësi për zhvillim të turizmit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
31
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
3. Ky ligj nuk cenon mbrojtjen, ruajtjen dhe zhvillimin e burimeve natyrore, historike apo të
trashëgimisë kulturore të cilat janë të rregulluara dhe mbrojtura me ligje të veçanta.
4. Në përputhje me rrethanat në terren, Qeveria mund të ofrojë lehtësira dhe përkrahje për
zhvillimin e zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit.
Neni 46
Plani i zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit
1. Pas një studimi gjithëpërfshirës, Ministria përgatit Planin e zonave me përparësi për zhvillimin
e turizmit, i cili miratohet nga Qeveria. Komunat, në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet
tjera përgjegjëse për turizëm, përgatisin planin. Plani mund të përditësohet në vazhdimësi dhe
mund të përfshijë zona të reja me përparësi për zhvillimin e turizmit.
2. Plani përmban të dhëna të detajuara për gjendjen ekzistuese dhe propozimet për zhvillimin
e çdo zone me përparësi për zhvillimin e turizmit në Republikën e Kosovës.
3. Ministri, me akt nënligjor, përcakton kriteret për të përcaktuar një zonë me përparësi për
zhvillimin e turizmit.
KAPITULLI X
MBIKËQYRJA E ZBATIMIT TË LIGJIT
Neni 47
Mbikëqyrja
Mbikëqyrja e zbatimit të këtij ligji si dhe akteve nënligjore tjera të cilat ndërlidhen me turizmin dhe
akomodimin duhet të ndërmerret nga Ministria, në bashkëpunim me autoritet kompetente lokale.
Neni 48
Inspektorët e tregut
Mbikëqyrja inspektuese kryhet nga inspektorët e tregut përmes inspektimit të drejtpërdrejtë
të shërbimeve turistike dhe të akomodimit, përveç në rastet kur ligji parasheh se disa nga
funksionet inspektuese kryhen nga organet e tjera inspektuese të administratës shtetërore në
përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin përkatës në fuqi.
Neni 49
Dispozitat ndëshkuese
1. Për kundërvajtje, operatori turistik dhe personi juridik i cili ofron shërbime turistike dhe të
akomodimit, dënohet me gjobë prej tremijë (3.000) deri në nëntëmijë (9.000) euro, nëse:
1.1. ushtron veprimtarinë e agjencisë së udhëtimit pa i plotësuar kriteret e përcaktuara
me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministri, siç parashihet në nenin 8 të këtij ligji;
1.2. nuk përmbush detyrimet e agjencisë së udhëtimit siç është përcaktuar me akt
nënligjor të nxjerrë nga Ministri siç parashihet në nenin 8 të këtij ligji;
1.3. ka organizuar grupin e turistëve ndërsa nuk ka siguruar udhërrëfyes sipas paragrafit
1 të nenit 14 të këtij ligji;
1.4. nuk i ka siguruar udhëtarit kontratën për paketën e udhëtimit sipas neneve 15 dhe
16 të këtij ligji;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
32
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
1.5. ka rritur çmimin e paketës më vonë së njëzet (20) ditë para fillimit të udhëtimit në
pajtim me nenin 15 të këtij ligji;
1.6. nuk ka bërë rimbursim të plotë të pagesave të kryera nga udhëtari i cili ka bërë
ndërprerje të paketës së udhëtimit sipas paragrafëve 7 dhe 8 të nenit 20 të këtij ligji;
1.7. agjencia organizatore nuk ka bërë rimbursim të plotë të udhëtarit në rastin e
ndërprerjes së kontratës së paketës së udhëtimit para fillimit të zbatimit të udhëtimit si
dhe ka bërë ndërprerje të kontratës në kundërshtim me nenin 21 të këtij ligji;
1.8. agjencia organizatore nuk ka korrigjuar mungesat e konformitetit për kryerjen e
shërbimeve të udhëtimit të përfshira në paketën e udhëtimeve apo nuk ka kompensuar
dëmin si dhe nuk ka ofruar alternativa të përshtatshme për udhëtarin sipas neneve 23,
24, 26 dhe 27 të këtij ligji;
1.9. agjencia organizatore nuk ka përmbushur koston e nevojshme të akomodimit sipas
nenit 25 të këtij ligji;
1.10. ofron shërbimet e udhërrëfyesit turistik në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 28
të këtij ligji;
1.11. ofron shërbimet e udhërrëfyesit turistik pa qenë i regjistruar në Regjistrin e Turizmit
sipas paragrafit 3 të nenit 30 të këtij ligji;
1.12. udhërrëfyesi turistik i huaj ofron shërbimet e udhërrëfyesit turistik pa shoqërimin e
një udhërrëfyesi turistik të regjistruar sipas paragrafit 1 të nenit 31 të këtij ligji;
1.13. nuk ka informuar përdoruesin e shërbimeve të turizmit aktiv apo aventuror për
përdorim të pajisjeve si dhe llojet e rreziqeve të mundshme sipas paragrafit 4 të nenit 37
këtij ligji;
1.14. ofron vetura me qira në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 39 të këtij ligji;
1.15. nuk i plotëson kriteret minimale për ushtrimin e aktiviteteve hoteliere afariste të
përcaktuara me akt nënligjor.
2. Personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik dënohen në shumë prej pesëqind (500)
deri në njëmijë e pesëqind (1.500) euro për shkeljet e përmendura në paragrafin 1 të këtij neni.
3. Personi fizik që ushtron biznes individual i cili ofron shërbimet e operatorit turistik, ofruesit të
shërbimeve turistike dhe të akomodimit dënohet në shumën prej njëmijë (1.000) deri në tremijë
(3.000) euro.
4. Për mos përmbushje të kushteve minimale teknike dhe higjieno-sanitare të përcaktuara me
akt nënligjor, nga inspektorët e tregut, përveç gjobës, i shqiptohet edhe masa mbrojtëse e
ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë.
5. Për kundërvajtje, personi juridik i cili ofron shërbimet turistike dhe të akomodimit gjobitet prej
pesëmijë (5.000) deri në pesëmbëdhjetëmijë (15.000) euro, nëse:
5.1. nuk ka siguruar garancinë bankare ose policën e sigurimit për palë të treta në
pajtim me nenin 11 të këtij ligji;
5.2. vendos yje në strukturën akomoduese, pa iu nënshtruar klasifikimit të strukturës
akomoduese sipas aktit nënligjor të nxjerrë nga Ministri siç parashihet në nenin 40 të
këtij ligji;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
33
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
5.3. vendos yje në strukturën akomoduese pa plotësuar kriteret e përcaktuara me aktin
nënligjor të nxjerrë nga Ministri siç parashihet në nenin 40 të këtij ligji;
5.4. nuk i ka ofruar udhëtarit informata parakontraktuale për paketën e udhëtimeve,
sipas nenit 15 të këtij ligji.
6. Personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik ndëshkohen në shumë prej pesëqind
(500) deri në njëmijë e pesëqind (1.500) euro për shkeljet e përmendura në paragrafin 1 të këtij
neni.
7. Operatori turistik dhe personi juridik i cili ofron shërbime turistike gjobiten për kundërvajtje
prej tremijë (3.000) deri në nëntëmijë (9.000) euro nëse kanë ushtruar veprimtarinë e turizmit
pa leje, sipas nenit 10 të këtij ligji.
8. Personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik ndëshkohen në shumë prej pesëqind
(500) deri në njëmijë e pesëqind (1.500) euro për shkeljet e përmendura në paragrafin 3 të këtij
neni.
9. Agjencia e udhëtimit e cila organizon paketa të udhëtimit, turne ose ekskursione e që nuk e
ofron garancinë bankare ose policën e sigurimit sipas nenit 11 të këtij ligji dënohet me gjobë në
shumë prej pesëmijë (5.000) deri në pesëmbëdhjetëmijë (15.000) euro.
10. Kushdo që përsërit shkeljen e këtij ligji ose të aktit nënligjor që del nga ky ligj mund të
dënohet me nda lim të ushtrimit të veprimtarisë ose profesio nit deri në pesë (5) vjet.
Neni 50
E drejta e ankesës
1. Pala e pakënaqur me vendimin e Ministrisë mund t’i parashtrojë ankesë komisionit për
shqyrtimin e ankesave.
2. Komisioni zhvillon procedurën e ankesës sipas Ligjit përkatës për Procedurën e Përgjithshme
Administrative.
3. Kundër vendimit të komisionit mund të parashtrohet padi në Gjykatën kompetente në afat
prej tridhjetë (30) ditësh.
KAPITULLI XI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 51
Dispozitat kalimtare
1. Me kusht që të mos jenë në kundërshtim me këtë ligj dhe deri në nxjerrjen e akteve të
reja nënligjore për zbatimin e drejtë dhe të plotë të këtij ligji, aktet nënligjore të aplikueshme
aktualisht vazhdojnë të mbeten në fuqi, si në vijim:
1.1. Udhëzimi Administrativ (MTI) - nr. 19/ 2013 për rregullimin dhe zhvillimin e sistemit
të vlerësimit të akomodimit;
1.2. Udhëzimi Administrativ (MTI) - nr. 07/2014 për regjistrin e kategorizimeve, regjistrimin
vullnetar dhe revokimin e regjistrimit;
1.3. Udhëzimi Administrativ (MTI) - nr. 08/2014 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit
Administrativ (MTI) - nr. 19/ 2013 për rregullimin dhe zhvillimin e sistemit të vlerësimit të
akomodimit, dhe
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 15 / 13 QERSHOR 2022, PRISHTINË
34
LIGJI NR. 08/L-074 PËR TURIZMIN
1.4. Udhëzimi Administrativ (MTI) - nr. 10/2014 për përmbajtjen e katalogut të
akomodimeve.
2. Strukturat akomoduese të cilat posedojnë një certifikatë të vlefshme klasifikimi, para hyrjes në
fuqi të këtij ligji, nuk janë të obliguara t’i nënshtrohen klasifikimit të ri deri në fund të kohëzgjatjes
së periudhës së vlefshmërisë së klasifikimit sipas certifikatës së tyre.
Neni 52
Nxjerrja e akteve nënligjore
Me qëllim të zbatimit të këtij ligji, Ministria nxjerr aktet nënligjore në afat prej dymbëdhjetë (12)
muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Neni 53
Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen Ligji nr. 04/L-176 për Turizmin dhe Ligji nr. 03/L-027
për Taksën e Akomodimit në Objekte Hoteliere e Turistike.
Neni 54
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pasi të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Ligji Nr. 08/L-074
19 maj 2022
Shpallur me dekretin Nr. DL-162/2022, datë 03.06.2022 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu