GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
21
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
LIGJI NR. 08/L-018
PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE
TË RIPËRTËRISHME
Kuvendi i Republikës së Kosovës
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE
TË RIPËRTËRISHME
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj përcakton kushtet për furnizim cilësor dhe të sigurt dhe për tregti konkurruese me
produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme.
2. Ky ligj është pjesërisht në përputhje me këto akte:
2.1. Direktiva 98/70/KE e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 13 tetorit 1998 për
cilësinë e karburanteve të benzinës dhe naftës dhe për ndryshimin e Direktivës 93/12/
KEE;
2.2. Direktiva 2018/2001 (BE) e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit e 11 dhjetorit 2018
për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burime të ripërtërishme.
Neni 2
Fushëveprimi
1. Ky ligj zbatohet ndaj:
1.1. subjekteve që zhvillojnë veprimtari me produkte të naftës dhe karburante
të ripërtërishme, duke përfshirë importin, prodhimin, përpunimin, deponimin dhe
shitjen me shumicë dhe pakicë;
1.2. organeve mbikëqyrëse dhe trupave të autorizuara për funksione të caktuara në
tregun e produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme;
1.3. përdoruesve të produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme.
2. Rezervat e detyrueshme të naftës rregullohen me ligj të posaçëm.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këto kuptime:
1.1. Ministria - ministria përgjegjëse për industri dhe tregti;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
22
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
1.2. Ministri - ministri apo ministrja përgjegjës/e për industri dhe tregti;
1.3. nafta - përzierja e hidrokarbureve me origjinë natyrore;
1.4. produktet e naftës - brutoprodukti i naftës, karburantet e naftës dhe vajrat për
qëllime të tjera, të përfituara nga nafta;
1.5. karburantet - lëndët djegëse që përdoren për të përfituar nxehtësi dhe energji;
1.6. karburantet e naftës - karburantet e përfituara nga nafta, siç janë dizeli,
benzina karburanti në fushën e aviacionit, gazi i lëngëzuar i naftës, gazoili, vaji i rëndë
për nxemje, vajguri, koksi i naftës dhe produktet e tjera për djegie;
1.7. karburantet e ripërtërishme - biokarburantet dhe biolëngjet;
1.7.1. biokarburantet - karburante për transport, të lëngëta dhe të gazta, të
prodhuara nga biomasa;
1.7.2. biolëngjet - karburante të lëngëta për energji jashtë transportit, duke
përfshirë përfitimin e energjisë elektrike, nxemjen dhe ftohjen, të prodhuara
nga biomasa.
1.8. biomasa - pjesa e biodegradueshme e produkteve, mbeturinat dhe mbetjet
me prejardhje biologjike nga bujqësia përfshirë lëndët bimore dhe shtazore,
pylltaria dhe industritë e ndërlidhura, duke përfshirë peshkatarinë dhe kulturat
ujore, si dhe pjesa e biodegradueshme e mbeturinave industriale dhe
komunale;
1.9. vajrat për qëllime të tjera - vajra të përfituara nga nafta që përdoren për
lubrifikim, pajisje hidraulike, bartje të nxehtësisë, mbrojtje nga korizioni, izolim elektrik,
punim të metaleve, tretje dhe qëllime të tjera të ngjashme;
1.10. cilësia e karburanteve - vlerat e përbërësve dhe treguesit e cilësisë së
produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme, të përcaktuara me akte
nënligjore, sipas standardeve kosovare të harmonizuara me standardet evropiane
dhe sipas kërkesave të legjislacionit të Bashkimit Evropian;
1.11. Departamenti - Departamenti përkatës i Tregut të Naftës, organ në kuadër të
Ministrisë, përgjegjës për rregullimin e tregut dhe administrimin e lejeve për veprimtaritë
e produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme;
1.12. leja - dokument i përcaktuar me këtë ligj dhe i lëshuar nga Ministria përmes të
cilit një subjekti i njihet e drejta për të ushtruar veprimtari me produkte të naftës ose
karburante të ripërtërishme, për qëllime komerciale;
1.13. subjekti - person fizik ose person juridik që merret me veprimtari të
produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme;
1.14. furnizuesi - importues ose shitës me shumicë;
1.15. importuesi - subjekt i pajisur me leje të importit dhe përgjegjës për kalimin e
produkteve të naftës ose karburanteve të ripërtërishme nëpër zyrën përkatëse doganore;
1.16. shitësi me shumicë - subjekt që blen ose prodhon produkte të naftës ose
karburante të ripërtërishme për t’ua shitur përdoruesve industrialë ose shitësve të tjerë
me shumicë ose pakicë, përveç konsumatorit;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
23
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
1.17. shitësi me pakicë - subjekt që blen produkte të naftës ose karburante të
ripërtërishme për t’ua shitur konsumatorëve, duke përfshirë personat juridikë dhe
autoritetet që blejnë përmes prokurimit publik;
1.18. deponia - objekt që i përmbush kriteret e parapara me ligj dhe akte nënligjore
dhe përfshin rezervuarin ose pajisjet për ruajtjen e produkteve të naftës dhe
karburanteve të ripërtërishme;;
1.19. rezervuari - rezervuar i produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm;
1.20. prodhimi - ecuria e përfitimit të produktit përfundimtar nga lënda e parë;
1.21. brutoprodukti - produkti i naftës që për destinim mund të ketë vetëm fabrikën
për prodhimin e produktit përfundimtar të naftës;
1.22. pika e shitjes - pika e shitjes e karburanteve me shumicë ose pakicë;
1.23. praktika mashtruese tregtare - fshehja, shtrembërimi, paraqitja e rreme,
shkelja, veprimi tjetër ose mosveprimi që objektivisht mund të mashtrojë ose të
dëmtojë konsumatorin ose palën tjetër.
Neni 4
Parimet
Veprimtaria me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme zhvillohet sipas parimeve
të ligjshmërisë, konkurrencës së lirë, objektivitetit dhe transparencës, mbrojtjes së sigurisë
publike, mbrojtjes së mjedisit dhe të mbrojtjes së konsumatorit.
Neni 5
Përgjegjësitë e Departamentit
1. Departamenti ka këto përgjegjësi:
1.1. të propozojë politikat dhe legjislacionin për rregullimin e tregut të produkteve të
naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme;
1.2. të propozojë kriteret për veprimtaritë me produkte të naftës dhe karburante të
ripërtërishme;
1.3. të nxjerrë vendime për dhënien, vazhdimin, plotësimin dhe refuzimin e lejeve në
pajtim me këtë ligj;
1.4. të mbajë databazë të lejeve, informatave të nevojshme për subjektet dhe
informatave rreth veprimtarive të lejeve përkatëse;
1.5. të mbajë regjistër publik të lejeve të vlefshme, të pezulluara dhe të revokuara.
2. Organizimi dhe funksionimi i Departamentit rregullohen me akt nënligjor për organizimin e
brendshëm të Ministrisë, të miratuar nga Kryeministri.
Neni 6
Lejet
1. Të gjitha subjektet që merren më veprimtari të produkteve të naftës ose karburanteve të
ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
24
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
2. Ministria jep këto leje:
2.1. leje e importit dhe deponimit të dizelit, benzinës dhe biokarburanteve;
2.2. leje e shitjes me shumicë të dizelit, benzinës dhe biokarburanteve;
2.3. leje e shitjes me pakicë të dizelit, benzinës dhe biokarburanteve;
2.4. leje e importit, deponimit dhe shitjes së karburantit në fushën e aviacionit;
2.5. leje e importit dhe deponimit të gazit të lëngëzuar të naftës;
2.6. leje e shitjes me shumicë të gazit të lëngëzuar të naftës;
2.7. leje e shitjes me pakicë të gazit të lëngëzuar të naftës;
2.8. leje e importit, deponimit dhe shitjes së gazoilit për nxemje;
2.9. leje e importit, deponimit dhe shitjes së vajit të rëndë për nxemje;
2.10. leje e importit, deponimit dhe shitjes së vajgurit;
2.11. leje e importit dhe shitjes së koksit të naftës;
2.12. leje e importit, deponimit dhe shitjes së produkteve të caktuara të vajrave për
qëllime të tjera;
2.13. leje e importit, deponimit dhe shitjes së biolëngjeve;
2.14. leje e importit të lëndës së parë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të
naftës;
2.15. leje e importit dhe shitjes me shumicë dhe pakicë të bombolave të gazit për
amvisëri.
3. Nuk kërkohet leje e shitjes me pakicë të vajgurit dhe vajrave për qëllime të tjera, si produkte
të paketuara sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
4. Leja jepet për gjashtë (6) vite.
5. Në lejen e importit të produkteve të caktuara të vajrave për qëllime të tjera, shënohet kodi
tarifor i produkteve. Subjekti mund të aplikojë për plotësimin e lejes për të shtuar produkte.
6. Leja nuk paragjykon të drejtat dhe detyrimet e subjekteve që parashihen me legjislacionin
në fuqi.
7. Leja nuk mund të bartet nga një subjekt te tjetri.
Neni 7
Kushtet e përgjithshme
1. Ministri me akt nënligjor përcakton kriteret teknike-teknologjike për veprimtaritë me produkte
të naftës dhe karburante të ripërtërishme dhe mënyrën e verifikimit të kritereve, në përputhje
me standardet evropiane.
2. Ministri emëron një komision për verifikimin e kritereve teknike-teknologjike dhe një komision
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
25
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
për verifikimin e ecurisë së prodhimit. Komisionet mund të përfshijnë zyrtarë të ministrive të
tjera dhe ekspertë të jashtëm.
3. Subjekti mund ta përdorë produktin e naftës ose karburantin e ripërtërishëm që importon
vetëm sipas lejes dhe për qëllimin e importit.
4. Lënda e parë mund të përdoret vetëm për prodhim, dhe nuk mund të shitet në tregun e
brendshëm. Brenda hapësirës ku prodhohet ose përpunohet produkti i naftës, nuk mund të
futen produk-te të naftës që nuk përdoren si lëndë e parë ose lëndë për përpunim.
5. Për të parandaluar shmangien fiskale ose për të mbrojtur sigurinë publike, mjedisin,
konsumatorin ose konkurrencën, Qeveria mund të ndalojë ose të kufizojë:
5.1. prodhimin ose përpunimin e produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm;
5.2. dhënien e lejes së importit të lëndës së parë;
5.3. veprimtaritë me karburant në fushën e aviacionit, gazoil, vajgur, vaj të rëndë për
nxemje, koks të naftës dhe produkte të tjera për qëllime të djegies.
6. Për të importuar dizel, benzinë, karburant në fushën e aviacionit, gaz të lëngëzuar të naftës,
gazoil, vaj të rëndë për nxemje, vajgur, biokarburante ose biolëngje, subjekti duhet të ketë
deponi ose pikë të shitjes me pakicë. Sasia e importuar nuk duhet të tejkalojë kapacitetin e
deponisë ose pikës së shitjes me pakicë.
7. Për të deponuar produktin për shitje, subjekti duhet të ketë deponinë në pronësi të vet ose ta
marrë me qira nga pronari për kohëzgjatjen e lejes. Subjekti nuk mund të marrë me qira as të
shfrytëzojë deponinë që shfrytëzohet nga qiradhënësi ose personi i tretë.
8. Për t’u pajisur me leje, subjekti që ka rezervuar aktiv duhet të dëshmojë polisën e sigurimit
të detyrimit ndaj palëve të treta. Ministri me akt nënligjor përcakton vlerën e polisës, varësisht
nga shkalla e rrezikut. Vlera nuk mund të tejkalojë gjashtëdhjetë (60) eurocentë për litër të
kapaciteteve të shitjes me pakicë ose dhjetë (10) eurocentë për litër të kapaciteteve për deponim
ose shitje me shumicë.
9. Rezervuari joaktiv duhet të jetë i zbrazët dhe i plombuar nga komisioni për verifikimin e
kritereve teknike teknologjike. Në të kundërtën, rezervuari quhet aktiv.
10. Për çdo ndryshim të kapaciteteve ose ndryshime të tjera teknike-teknologjike, subjekti duhet
ta njoftojë paraprakisht me shkrim Departamentin.
11. Për të shitur ose për të blerë me shumicë produkt të naftës ose karburant të ripërtërishëm,
shitësi duhet të ketë leje të shitjes me shumicë të produktit dhe blerësi duhet të ketë leje të
shitjes me pakicë të produktit.
12. Për të mbrojtur mjedisin ose sigurinë publike, Qeveria me akt nënligjor mund të përcaktojë:
12.1. kritere teknike-teknologjike të posaçme për pika të reja të shitjes;
12.2. skema mbështetëse për subjektet që përdorin teknologji të qëndrueshme, siç
janë pajisjet e furnizimit për automjete elektrike.
Neni 8
Aplikimi për leje
1. Ministria jep lejen me kërkesën e subjektit.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
26
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
2. Ministri me akt nënligjor përcakton procedurat dhe kriteret e aplikimit, evidentimit, shqyrtimit,
dhënies, vazhdimit, plotësimit, refuzimit, revokimit dhe pezullimit të lejeve në përputhje me Ligjin
për Sistemin e Lejeve dhe Licencave. Ministri përcakton procedura të thjeshtuara të aplikimit
për vazhdimin dhe plotësimin e lejes.
3. Ministri me akt nënligjor përcakton tarifat për shqyrtimin e aplikimit, dhënien, vazhdimin
dhe plotësimin e lejes, sipas llojit. Tarifa caktohet në lartësinë e nevojshme për të mbuluar
shpenzimet e shqyrtimit të aplikimit dhe të administrimit të lejes për kohëzgjatjen e vlefshmërisë.
Neni 9
Shqyrtimi dhe vendimet për leje
1. Drejtori i Departamentit nxjerr dhe njofton palën me vendimin për lejen brenda tridhjetë (30)
ditëve pas dorëzimit të aplikimit. Departamenti mund të kërkojë dokumentacion shtesë ose
verifikim të dokumentacionit brenda këtij afati, por nuk mund t’i kërkojë subjektit dokumente që
janë në posedim të organeve publike ose fakte që janë të njohura për organet publike.
2. Subjekti ka të drejtë ankese ndaj vendimit të Departamentit. Ankesa parashtrohet brenda
tridhjetë (30) ditëve pasi subjektit i dorëzohet vendimi për refuzimin, revokimin ose pezullimin
e lejes.
3. Lejen e nënshkruan Ministri.
Neni 10
Vazhdimi i lejes
1. Subjekti aplikon për vazhdimin e lejes të paktën gjashtëdhjetë (60) ditë por jo më herët se
njëqind e njëzet (120) ditë para skadimit të lejes.
2. Kohëzgjatja e vlefshmërisë së lejes së vazhduar fillon pas ditës së skadimit të lejes së
mëparshme.
3. Nëse subjekti nuk aplikon për vazhdim të paktën gjashtëdhjetë (60) ditë para skadimit të
lejes, subjekti duhet të aplikojë për leje si për herë të parë. Kohëzgjatja e vlefshmërisë së lejes
së re fillon ditën e lëshimit të lejes ose pas ditës së skadimit të lejes së mëparshme, cilado që
është më e vonshme.
4. Dispozitat për dhënien e lejes zbatohen përshtatshmërisht për vazhdimin e lejes.
Neni 11
Pezullimi dhe revokimi i lejes
1. Leja mund të pezullohet ose të revokohet nëse:
1.1. subjekti ose personi përgjegjës i subjektit ka aplikuar praktika mashtruese
tregtare ose ka shkelur ndonjë dispozitë të ligjeve ose të akteve nënligjore përkatëse;
1.2. subjekti pushon së përmbushuri kriteret e lejes;
1.3. subjekti i pajisur me leje ka paraqitur dokumentacion të pavlefshëm ose të
rremë, në aplikimin për leje ose gjatë mbikëqyrjes;
1.4. subjekti nuk pastron, mirëmban ose kontrollon rezervuarin sipas nenit 17 të
këtij ligji.
2. Vendimi për pezullimin ose revokimin e lejes mbështetet në faktet e konstatuara me vendim
të prerë të organit kompetent ose të gjykatës.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
27
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
3. Leja pezullohet nëse shkaku i pezullimit mund të sanohet brenda njëqind e njëzet (120)
ditëve; përndryshe leja revokohet.
4. Vendimin për pezullimin ose revokimin e lejes e nxjerr Ministri.
Neni 12
E drejta e ankesës
1. Ndaj vendimit të nxjerrë sipas këtij ligji lejohet ankesa në përputhje me ligjin përkatës për
procedurën e përgjithshme administrative.
2. Ankesën e shqyrton komisioni i emëruar nga Ministri, sipas ligjit përkatës për procedurën e
përgjithshme administrative.
Neni 13
Cilësia e karburanteve
1. Qeveria me akt nënligjor të propozuar nga Ministri përcakton standardet dhe mënyrën e
verifikimit të cilësisë së karburanteve.
2. Subjektet kanë për detyrë të garantojnë cilësinë e karburanteve që importojnë ose tregtojnë
në Republikën e Kosovës.
3. Shpenzimet e verifikimit mund t’i caktohen subjektit.
4. Cilësia e karburanteve verifikohet përmes testimeve laboratorike. Mostra merret në përputhje
me paragrafin 2 të nenit 18 të këtij ligji.
5. Shpeshtësia e verifikimit të cilësisë duhet të jetë në përpjesëtim me:
5.1. pandehjen e rrezikut të keqpërdorimeve, mbështetur në keqpërdorimet e
dokumentuara nga vëzhgimi i vazhdueshëm;
5.2. detyrimet e Republikës së Kosovës për të zbatuar kërkesat nga legjislacioni
i Bashkimi Evropian.
6. Qeveria me akt nënligjor të propozuar nga Ministri përcakton:
6.1. kushtet e përdorimit të aditivëve për të rritur cilësinë e karburanteve të lëngëta të
naftës;
6.2. raportin minimal vjetor të biokarburanteve të importuara ose të vendosura në treg
ndaj karburanteve të tjera të përdorshme në transport;
6.3. skemat mbështetëse për prodhimin dhe importimin e karburanteve të ripërtërishme.
Neni 14
Masat ndaj furnizimit të çrregullt
1. Në rast të çrregullimeve në furnizimin me produkte të naftës ose karburante të ripërtërishme
në tregun e brendshëm, Qeveria me propozim të Ministrit mund:
1.1. të kufizojë orarin e punës së pikave të shitjes me pakicë;
1.2. të kufizojë sasinë e produkteve që mund t’i shitet një konsumatori për çdo blerje
ose brenda një periudhe të caktuar;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
28
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
1.3. të kufizojë lëvizjen e mjeteve motorike që përdorin karburante;
1.4. të ndërmarrë masa të tjera për kufizimin e kërkesës ose konsumit, të rekomanduara
nga organizatat ndërkombëtare;
1.5. të lejojë standarde më të ulëta në cilësi, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit
Evropian.
2. Masat nga paragrafi 1 i këtij neni mund të zbatohen për një periudhë të caktuar kohore, por
jo më gjatë se nëntëdhjetë (90) ditë pa ndërprerje.
Neni 15
Rregullimi i çmimeve
1. Çmimet e produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme i përcakton tregu i lirë.
2. Për të mbrojtur konsumatorin, për të mbrojtur konkurrencën, për të mënjanuar çrregullimet
në treg ose për shkaqe të tjera të interesit shtetëror, Qeveria me akt nënligjor të propozuar nga
Ministri përcakton rregullimin e çmimeve dhe masa të tjera mbrojtëse në këto raste:
2.1. mungesa e papritur dhe e vazhdueshme e produkteve të naftës ose karburanteve
të ripërtërishme;
2.2. fatkeqësia natyrore;
2.3. mospërshtatja e çmimeve vendore me lëvizje të mëdha të çmimeve në tregun
botëror;
2.4. dallimi i pajustifikueshëm i çmimeve vendore nga çmimet në vendet fqinje.
3. Rregullimi i çmimeve sipas paragrafit 2 të këtij neni përfshin caktimin e çmimit maksimal dhe
të margjinës së lejuar të shitjes me shumicë dhe pakicë.
4. Për të hartuar aktin nënligjor nga paragrafi 2 i këtij neni, Ministri këshillohet me ministrin
përgjegjës për financa, Autoritetin e Konkurrencës, Këshillin për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe
Shoqatën e Naftëtarëve.
Neni 16
Detyrimet themelore të subjekteve
1. Për të mundësuar treg të sigurt dhe transparent, subjektet duhet:
1.1. të mbajnë dhe të ofrojnë për shitje produktet vetëm nga rezervuarët, pompat,
pajisjet për qitje dhe pajisjet e tjera të prodhuara për këtë qëllim;
1.2. të mbajnë dhe të ofrojnë për shitje produkte që përmbushin standardet e cilësisë
të përcaktuara me ligj ose akt nënligjor;
1.3. të shfaqin qartë emërtimet, markat tregtare, simbolet, mbishkrimet dhe karakteristikat
e tjera të produkteve që ofrojnë për shitje, sipas standardeve dhe kërkesave të ligjit dhe
akteve nënligjore;
1.4. të përdorin mjete matëse të sakta, me kalibrim dhe verifikim të vlefshëm, dhe të
shfaqin sasinë e saktë të produktit që shitet;
1.5. të shfaqin qartë emrin e subjektit, orarin e punës, llojet dhe çmimet e produkteve
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
29
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
dhe shërbimet e tjera që ofrohen në pikën shitëse;
1.6. të paraqesin informata dhe dokumentacion të vlefshëm dhe të saktë, në aplikimin
për leje, gjatë mbikëqyrjes ose kurdo që kërkohet sipas legjislacionit në fuqi;
1.7. të ndërmarrin masa për të parandaluar rrjedhjen dhe për të zvogëluar ndikimin
e rrjedhjes së produkteve të naftës dhe karburanteve të ripërtërishme, tretësve dhe
lëndëve të tjera që ndotin mjedisin.
2. Veprimtaria në kundërshtim me një dispozitë të nënparagrafëve 1.1., 1.2., 1.3., 1.4., 1.5. dhe
1.6. të këtij neni, përbën praktikë mashtruese tregtare.
Neni 17
Pastrimi dhe mirëmbajtja
1. Rezervuarët duhet të mirëmbahen, të kontrollohen dhe të pastrohen çdo gjashtë (6) vite ose
më shpesh sipas nevojës.
2. Subjekti duhet të njoftojë Ministrinë para se të pastrojë rezervuarin ose të ndërrojë produktin
e deponuar në rezervuar.
3. Inspektorati i Tregut ose organi tjetër kompetent mund të kërkojë kontrollimin ose pastrimin e
rezervuarit nëse dyshohet për parregullsi ose në rrethana të jashtëzakonshme.
4. Ministri me akt nënligjor përcakton kushtet, kriteret, procedurat dhe autorizimin e trupave për
pastrimin e rezervuarëve.
Neni 18
Mbikëqyrja
1. Mbikëqyrjen inspektuese e bëjnë Inspektorati i Tregut, trupat e autorizuara dhe organet e
tjera kompetente, mbështetur në fushëveprimin dhe përgjegjësitë e tyre të përcaktuara sipas
legjislacionit në fuqi.
2. Mbikëqyrja bëhet:
2.1. nga Dogana ose organi tjetër kompetent, para hyrjes së karburantit në tregun e
brendshëm;
2.2. në tregun e brendshëm;
2.3. te konsumatori ose pala tjetër.
3. Qeveria me akt nënligjor të propozuar nga Ministri mund të përcaktojë:
3.1. fushëveprimin, përgjegjësitë dhe funksionimin e organeve kompetente dhe trupave
të autorizuara;
3.2. ngritjen e laboratorëve që mbështesin mbikëqyrjen e këtij ligji;
3.3. mënyrën e mbikëqyrjes së këtij ligji.
Neni 19
Ndëshkimet
1. Për të caktuar lartësinë e gjobës brenda margjinës së paraparë me këtë nen, merren parasysh
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
30
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
shkalla e devijimit nga kërkesat e këtij ligji ose akteve nënligjore që dalin nga ky ligj, vlera e
përfitimeve ose e dëmeve të mundshme, si dhe rrethanat e tjera relevante.
2. Kushdo që, në kundërshtim me nenin 6 të këtij ligji, pa leje shet me pakicë produkt të naftës
ose karburant të ripërtërishëm, për secilën shitje, dënohet me gjobë:
2.1. prej pesë mijë (5.000) deri në pesëmbëdhjetë mijë (15.000) euro, si person juridik;
2.2. prej pesëqind (500) deri në një mijë e pesëqind (1.500) euro, si person përgjegjës
i personit juridik;
2.3. prej dy mijë (2.000) deri në pesë mijë (5.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
3. Kushdo që, në kundërshtim me paragrafin 11 të nenit 7 të këtij ligji, i shet me shumicë produkt
personit që nuk ka leje të shitjes me pakicë të produktit ose blen me shumicë produkt pa pasur
leje për shitje me pakicë të produktit, për secilën shitje ose blerje, dënohet me gjobë:
3.1. prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në dyzet mijë (40.000) euro, si person juridik;
3.2. prej një mijë e pesëqind (1.500) deri në katër mijë (4.000) euro, si person përgjegjës
i personit juridik;
3.3. prej tre mijë (3.000) deri në dhjetëmijë (10.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
4. Kushdo që, në kundërshtim me nenin 6 të këtij ligji, pa leje shet me shumicë ose deponon
produkt të naftës ose karburant të ripërtërishëm, për secilën shitje ose secilin deponim, dënohet
me gjobë:
4.1. prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në dyzet mijë (40.000) euro, si person juridik;
4.2. prej një mijë e pesëqind (1.500) deri në katër mijë (4.000) euro, si person përgjegjës
i personit juridik;
4.3. prej tre mijë (3.000) deri në dhjetë mijë (10.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
5. Kushdo që, në kundërshtim me nënparagrafin 1.6 të nenit 16 të këtij ligji, mashtron me
origjinën ose dokumentacionin përcjellës të produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm,
për secilin mashtrim ose produkt, dënohet me gjobë:
5.1. prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në dyzet mijë (40.000) euro, si person juridik;
5.2. prej një mijë e pesëqind (1.500) deri në katër mijë (4.000) euro, si person përgjegjës
i personit juridik;
5.3. prej tre mijë (3.000) deri në dhjetë mijë (10.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
6. Kushdo që, në kundërshtim me paragrafët 3 ose 4 të nenit 7 të këtij ligji, përdor produktin
e naftës ose karburantin e ripërtërishëm për qëllim tjetër nga qëllimi i importit ose vendos
produktin e naftës në hapësirë të palejuar, për secilën shkelje, dënohet me gjobë:
6.1. prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në dyzet mijë (40.000) euro, si person juridik;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
31
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
6.2. prej një mijë e pesëqind (1.500) deri në katër mijë (4.000) euro, si person përgjegjës
i personit juridik;
6.3. prej tre mijë (3.000) deri në dhjetë mijë (10.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
7. Kushdo që, në kundërshtim me nënparagrafin 1.3 të nenit 16 të këtij ligji, mashtron me
emërtimin ose elementin tjetër të produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm, për secilin
mashtrim, dënohet me gjobë:
7.1. prej pesë mijë (5.000) deri në pesëmbëdhjetë mijë (15.000) euro, si person juridik;
7.2. prej pesëqind (500) deri në një mijë e pesëqind (1.500) euro, si person përgjegjës
I personit juridik;
7.3. prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
8. Kushdo që, në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 13, nënparagrafin 6.1 të nenit 13,
nënparagrafin 1.2 të nenit 16 ose nënparagrafin 1.4 të nenit 16 të këtij ligji, mashtron me sasinë
ose cilësinë e produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm në import, në shitje me shumicë
ose në shitje me pakicë, për secilin mashtrim, dënohet me gjobë:
8.1. prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në dyzet mijë (40.000) euro, si person juridik;
8.2. prej një mijë e pesëqind (1.500) deri në katër mijë (4.000) euro, si person përgjegjës
i personit juridik;
8.3. prej tre mijë (3.000) deri në dhjetë mijë (10.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
9. Kushdo që nuk përmbush detyrimet nga nënparagrafët 1.1, 1.5 ose 1.7 të nenit 16 të këtij
ligji dënohet me gjobë:
9.1. prej pesë mijë (5.000) deri në pesëmbëdhjetë mijë (15.000) euro, si person
juridik;
9.2. prej pesëqind (500) deri në një mijë e pesëqind (1.500) euro, si person përgjegjës
I personit juridik;
9.3. prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
10. Kushdo që, në kundërshtim me paragrafin 7 të nenit 7 të këtij ligji, merr me qira deponinë që
shfrytëzohet nga qiradhënësi a personi i tretë ose jepet me qira nga personi i tretë, për secilën
shkelje, dënohet me gjobë:
10.1. prej pesë mijë (5.000) deri në pesëmbëdhjetë dhjetë mijë (15.000) euro, si person
juridik;
10.2. prej pesëqind (500) deri në një mijë e pesëqind (1.500) euro, si person përgjegjës
I personit juridik;
10.3. prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
32
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
11. Kushdo që, në kundërshtim me nënparagrafët 1.1, 1.2, ose 1.4, të nenit 14 të këtij ligji, nuk
respekton vendimin e Qeverisë për kufizimin e orarit të punës, kufizimin e sasisë së shitur ose
masa të tjera ndaj furnizimit të çrregullt, për secilën shkelje, dënohet me gjobë:
11.1. prej tre mijë (3.000) deri në nëntë mijë (9.000) euro, si person juridik;
11.2. prej treqind (300) deri në nëntëqind (900) euro, si person përgjegjës i personit
juridik;
11.3. prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
12. Kushdo që, në kundërshtim me nënparagrafin 1.3, të nenit 14 të këtij ligji, nuk respekton
vendimin e Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së mjeteve motorike dënohet me gjobë prej
pesëdhjetë (50) deri në pesëqind (500) euro.
13. Kushdo që, në kundërshtim me nenin 15 të këtij ligji, nuk respekton kufizimin e çmimit të
produktit të naftës ose karburantit të ripërtërishëm dënohet me gjobë:
13.1. prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik;
13.2. prej dyqind (200) deri në pesëqind (500) euro, si person përgjegjës i personit
juridik;
13.3. prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
14. Kushdo që, në kundërshtim me nënparagrafin 6.2 të nenit 13 të këtij ligji, nuk vendos në treg
biokarburante në sasi të mjaftueshme për të arritur raportin e detyrueshëm ndaj karburanteve
të tjera të përdorshme në transport dënohet me gjobë:
14.1.prej katërdhjetë (40) eurocentë për litër të pavendosur në treg, por jo më të vogël
se katër mijë (4.000) euro gjithsej, si person juridik ose person fizik që ushtron biznes
individual;
14.2. prej pesëqind (500) deri në dy mijë (2.000) euro, si person përgjegjës i personit
juridik.
15. Kushdo që, në kundërshtim me paragrafët 1, 8 ose 9 të nenit 7 të këtij ligji, nuk përmbush
ose ndalon së përmbushuri kriteret teknike-teknologjike, detyrimin për sigurimin ndaj palëve të
treta ose detyrimin për plompim të rezervuarit joaktiv, për secilën shkelje, dënohet me gjobë:
15.1. prej dy mijë (2.000) deri në dyzet mijë (40.000) euro, si person juridik;
15.2. prej dyqind (200) deri në katër mijë (4.000) euro, si person përgjegjës i personit
juridik;
15.3. prej pesëqind (500) deri në dhjetë mijë (10.000) euro, si person fizik që ushtron
biznes individual.
16. Kushdo që, në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 7 ose paragrafin 2 të nenit 17 të
këtij ligji, nuk përmbush detyrimin për të njoftuar ndryshimet teknike-teknologjike, pastrimin e
rezervuarit ose ndërrimin e produktit në rezervuar, për secilën shkelje, dënohet me gjobë:
16.1. prej tre mijë (3.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik;
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
33
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
16.2. prej treqind (300) deri në gjashtëqind (600) euro, si person përgjegjës i personit
juridik;
16.3. prej një mijë (1.000) deri në dy mijë (2.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
17. Kushdo që, në kundërshtim me nënparagrafin 1.4 të nenit 16 të këtij ligji, përdor pa kalibrim
ose verifikim të vlefshëm pajisje të pikës së shitjes, për secilën shkelje, dënohet me gjobë:
17.1. pesë mijë (5.000) euro, si person juridik ose person fizik që ushtron biznes
individual;
17.2. një mijë (1.000) euro, si person përgjegjës i personit juridik.
18. Kushdo që, në kundërshtim me nenin 17 të këtij ligji, nuk pastron, mirëmban ose kontrollon
rezervuarin, për secilin rezervuar, dënohet me gjobë:
18.1. prej dy mijë (2.000) deri në gjashtë mijë (6.000) euro, si person juridik;
18.2. prej dyqind (200) deri në pesëqind (500) euro, si person përgjegjës i personit
juridik;
18.3. prej një mijë (1.000) deri në tre mijë (3.000) euro, si person fizik që ushtron biznes
individual.
19. Subjekti ose institucioni që, në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 13 të këtij ligji, shfrytëzon
produkt të cilësisë së palejuar bart shpenzimet e verifikimit. Produkti konfiskohet.
20. Konfiskohet produkti që:
20.1. importohet pa leje, në kundërshtim me nenin 6 të këtij ligji;
20.2. importohet në sasi që tejkalon kapacitetin e deponisë ose të pikës së shitjes me
pakicë, në kundërshtim me paragrafin 6 të nenit 7 të këtij ligji;
20.3. i shitet me shumicë personit që nuk ka leje të shitjes me pakicë të produktit ose
blihet me shumicë nga personi i tillë, në kundërshtim me paragrafin 11 të nenit 7 të këtij
ligji.
21. Kushdo që përsërit shkeljen e këtij ligji ose të aktit nënligjor që del nga ky ligj mund dënohet
me ndalim të ushtrimit të veprimtarisë ose profesionit deri në pesë (5) vite.
Neni 20
Dispozita të tjera ndëshkuese
1. Shkelja e këtij ligji ose e aktit nënligjor që del nga ky ligj ndiqet sipas Ligjit për Kundërvajtje.
Shkelja ndiqet brenda pesë (5) viteve pasi kryhet shkelja dhe ndëshkimi përmbarohet brenda
dhjetë (10) viteve pasi vendimi për ndëshkim bëhet i prerë.
2. Ndëshkimet nga neni 19 i këtij ligji nuk përjashtojnë detyrimet dhe sanksionet e përcaktuara
me ligje të tjera.
3. Ndaj një personi mund të zbatohen njëkohësisht disa ndëshkime nga neni 19 i këtij ligji.
4. Kur konstaton shkeljen e këtij ligji ose të aktit nënligjor që del nga ky ligj, Inspektorati i
Tregut ose organi tjetër kompetent mund të mbyllë përkohësisht pikën e shitjes, për të mbrojtur
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
34
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
sigurinë publike, mjedisin, konsumatorin ose konkurrencën. Pika e shitjes mund të rihapet kur
të sanohet shkelja.
5. Të hollat e grumbulluara nga shqiptimi i gjobave derdhen në buxhetin e Republikës së
Kosovës.
6. Brenda shtatë (7) ditëve pasi me vendim të prerë konstatohet shkelja e këtij ligji ose e aktit
nënligjor që del nga ky ligj, Inspektorati i Tregut boton njoftim për vendimin. Njoftimi cek emrin e
subjektit, emrin e personit përgjegjës, datën e kontrollit, vendndodhjen, përshkrimin e shkeljes,
konstatimin dhe masat e marra, bazën ligjore, si dhe kopjen e vendimit.
Neni 21
Aktet nënligjore
1. Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, brenda afatit prej dymbëdhjetë (12) muajsh, Qeveria dhe
Ministri nxjerr aktet nënligjore.
2. Për aq sa nuk janë në kundërshtim me këtë ligj, zbatohen deri kur të zëvendësohen këto akte
nënligjore:
2.1. Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2017 për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës;
2.2. Udhëzimi Administrativ Nr. 07/2018 për përcaktimin e procedurës së licencimit për
subjektet që ushtrojnë veprimtari në sektorin e naftës;
2.3. Udhëzimi Administrativ Nr. 09/2010 për përmbushjen e kushteve teknike nga
subjektet që merren me importin, deponimin, shitjen me shumicë dhe pakicë të
karburanteve;
2.4. Udhëzimi Administrativ Nr. 16/2010 për caktimin e lartësisë së taksave për
licencimin e subjekteve nga sektori i naftës dhe derivateve të naftës;
2.5 .Udhëzimi Administrativ Nr. 2007/18 për kërkesat teknike për ndërtimin dhe
funksionimin e pikave për furnizimin e automjeteve me karburante.
Neni 22
Dispozita kalimtare
1. Lejet e dhëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji, mbesin të vlefshme deri në datën e vlefshmërisë
së tyre.
2. Aplikimet për leje që janë në procedurë, para miratimit të këtij ligji, shqyrtohen sipas këtij ligji,
nëse ky ligj është me i favorshëm për palën.
Neni 23
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen Ligji Nr. 2004/5 për tregtinë me naftë dhe derivate
të naftës në Kosovë, Ligji Nr. 02/L-89 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 2004/5 për
tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, si dhe Ligji Nr. 03/L-138 për ndryshimin dhe
plotësimin e Ligjit Nr. 2004/5 për tregtinë me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
35
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME
Neni 24
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr.08/L-018
8 shkurt 2022
Shpallur me dekretin Nr. DL-71/2022, datë 24.02.2022 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 8 / 25 SHKURT 2022, PRISHTINË
36
LIGJI NR. 08/L-018 PËR TREGTINË ME PRODUKTE TË NAFTËS DHE KARBURANTE TË RIPËRTËRISHME