LIGJI NR. 04/L-143 PËR ARSIMIN DHE AFTËSIMIN PËR TË RRITUR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 2 / 21 JANAR 2013, PRISHTINË

LIGJI NR. 04/L-143
PËR ARSIMIN DHE AFTËSIMIN PËR TË RRITUR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton

LIGJ PËR ARSIMIN DHE AFTËSIMIN PËR TË RRITUR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

Neni 1
Qëllimi i ligjit

Qëllimi i këtij ligji është të rregulloj tërësinë e proceseve për arsimimin dhe aftësimin e të rriturve, si
pjesë përbërëse e sistemit arsimor në Kosovë.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këto kuptime:

1.1. I rritur - çdo person që i ka mbushur pesëmbëdhjetë (15) vjet.

1.2. Arsimi dhe aftësimi për të rritur AARr.- arsimi dhe aftësimi publik dhe privat i ofruar
për të rriturit

1.3. IAARr - Institucionet e Arsimit dhe Aftësimit për të Rritur, objekt i monitorimit dhe
auditimit nga AKK.

1.4. OAARr - Ofruesit e Arsimit dhe Aftësimit për të Rritur, objekt i monitorimit dhe auditimit
nga AKK.

1.5. Mësimi gjatë gjithë jetës – të gjitha aktivitetet e mësimit që realizohen gjatë tërë jetës
për zhvillimin e njohurive, kompetencave dhe kualifikimeve.

1.6. Arsimi formal - Mësimi që zhvillohet në një ambient të caktuar dhe strukturuar (p.sh. në
një institucion arsimor apo aftësues/trajnues apo në punë) dhe është i dizajnuar në mënyrë të
qartë si mësim (në aspektin e qëllimeve, kohës apo resurseve). Nga pikëpamja e nxënësit,
mësimi formal është i qëllimshëm. Ai në mënyrë tipike shpie në validim dhe certifikim.

1.7. Arsimi joformal - i referohet të nxënit tjetër, jashtë atij që ofrohet nëpërmjet programeve
të përshkruara në përkufizimin “arsimi formal” në këtë ligj

1.8. Arsimi dhe aftësimi joformal - Mësimi i cili është i shtrirë në aktivitetet e planifikuara,
por i cili nuk emërtohet në mënyrë eksplicite si mësim (në kuptimin e objektivave mësimore,
kohës ose përkrahjes së mësimit). Nga pikëpamja e nxënësit, mësimi joformal është i
qëllimshëm.

1.9. Arsimi informal - Mësimi që rezulton nga aktivitetet ditore të lidhura me punën, familjen
ose kohën e lirë. Nuk është i autorizuar ose strukturuar në aspektin e qëllimeve, kohës ose
përkrahjes mësimore. Në shumicën e rasteve, mësimi informal është i paqëllimshëm nga
perspektiva e kandidatit. Rezultatet mësimore informale zakonisht nuk shpijnë në certifikim
por mund të validohen dhe certifikohen në kuadër të skemës së njohjes së mësimit paraprak.
Mësimi informal referohet edhe si mësim praktik (eksperimental),plotësues apo i rastësishëm.

2

1.10. Korniza Kombëtare e Kualifikimeve (KKK) - mekanizëm kombëtar për klasifikimin e
kualifikimeve të dhëna brenda sistemit kombëtar të kualifikimeve, sipas grupit të kriterit që
përcaktojnë nivelet dhe llojet e rezultateve të mësimit.
1.11. Akreditimi - procesi përmes të cilit Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK),i
themeluar me këtë ligj, përcakton institucionet që vlerësojnë kandidatët dhe lëshojnë
certifikata dhe diploma (institucionet e vlerësimit) dhe çdo organ tjetër që kryen funksione të
tjera në emër të AKK. Institucionet e akredituara duhet të jenë objekt i monitorimit dhe
auditimit nga AKK.

1.12. Njohja e mësimit paraprak - procesi i vlerësimit të njohurive, shkathtësive ose
kompetencave më të gjëra, të cilat një individ i ka arritur më herët, nëpërmjet mësimit
formal,joformal ose informal. Kjo njohuri praktike do të shfrytëzohet për ti dhënë mundësi
individit që të avancohet ose të lirohet për një pjesë të kursit ose kredisë drejt kualifikimit.

1.13. Viti shkollor - periudha kohore e caktuar nga MASHT-i.

1.14. Certifikimi - procesi i njohjes së të arriturave të kandidatëve për kualifikim nëpërmjet
dhënies së certifikatës ose diplomës.

1.15. Certifikata - dokument zyrtar, që dëshmon përfundimin e një kursi, programi të arsimit
ose aftësimit ose përmbushjen e kërkesave nga një individ për kualifikim si dhe evidenton
përfundimin e pjesshëm të një kualifikimi.

1.16. Kandidati - çdo person, që kërkon të certifikohet për të arriturat në mësim, të
përvetësuara qoftë nëpërmjet mësimit formal, joformal ose atij informal

1.17. Nivelet e kualifikimit - nivele të caktuara brenda hierarkisë së Kornizës Kombëtare të
Kualifikimeve - nivelet dallohen sipas rritjes së ndërlikueshmërisë, thellësisë dhe pavarësisë
në të mësuar.

1.18. Vlerësimi i rezultateve mësimore - u referohet proceseve, përfshirë provimet dhe
testet, që shfrytëzohen për të mbledhur, interpretuar dhe vlerësuar dëshminë në mësim të
individit - vlerësimi për kualifikime mund të kryhet vetëm nga institucionet ose organet e
aprovuara nga AKK për këtë qëllim dhe të njohura si organe të vlerësimit.

1.19. Standardet - tregues të matshëm të arriturave që caktohen sipas kritereve kualitative
ose kuantitative dhe duhet të arrihen nga kandidatët që duan të kualifikohen.

1.20. Krediti - vlerë numerike që i jepet kualifikimit ose pjesëve të kualifikimit,dhe që paraqet
vëllimin e të mësuarit të nevojshëm për të arritur kualifikimin ose një pjesë të kualifikimit.
Kreditë mund të akumulohen gjatë një kualifikimi ose mund të transferohen në mes
kualifikimeve ose sistemeve të kualifikimit.

1.21. Kompetenca - aftësia për ti kryer aktivitetet kundrejt standardeve të kërkuara duke
përdorur njohuri të duhura praktike dhe teorike, shkathtësi kreative dhe praktike.

1.22. Kualifikimi - njohje zyrtare e të arriturave, me të cilin njihet përfundimi i arsimit ose
aftësimit, ose realizimi i kënaqshëm në një test ose provim.

1.23. Diploma - dokumenti që jepet pas përfundimit të plotë të programit të arsimit.

Neni 3
Përgjegjësitë dhe Fushëveprimi

1. MASHT-i, në bashkëpunim me ministritë, komunat, institucionet dhe palët tjera me interes
planifikojnë zhvillimin e arsimit dhe aftësimit për të rritur.

2. Analiza për nivelin arsimor të popullsisë, nevojat e individit, tregut të punës bëhen nga institucionet
përkatëse kompetente.

3

3. Institucionet private planifikojnë arsim dhe aftësim për të rritur në bazë të nevojave të tyre.


Neni 4
Themelimi i Ofruesve për Programet e AARr

1. OAARr themelohen nga institucionet publike, private, publiko-private, shoqatat, ndërmarrjet,
organizatat joqeveritare dhe personat fizik.

2. Mënyra dhe kushtet e themelimit caktohen sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 5
Akreditimi dhe licencimi i IAARr

1. Ofruesit e arsimit dhe aftësimit për të rritur akreditohen dhe licencohen sipas legjislacionit në fuqi.

2. Ofruesit e arsimit dhe aftësimit, për të organizuar arsimin dhe aftësimin për të rritur duhet të jenë tё
regjistruara si persona juridik.

Neni 6
Sistemi i arsimit dhe aftësimit për të rritur

1. Sistemi arsimor për të rritur përfshin arsimin dhe aftësimin formal, joformal dhe informal.

2. Arsimi dhe aftësimi për të rritur që shpie në një kualifikim të bazuar në Kornizën Kombëtare të
Kualifikimeve duhet të përmbushë kriteret dhe standardet e parapara me legjislacionin në fuqi.

Neni 7
Kandidatët e arsimit dhe aftësimit për të rritur

1. Kandidatët e AARr janë të gjithë ata persona, mosha e të cilëve është më e madhe se mosha e
paraparë në ligjin për arsimin parauniversitar për të ndjekur një nivel arsimor.

2. MASHT me akt nënligjor i rregullon përjashtimet e regjistrimit në bazë moshe.

Neni 8
Plani i punës dhe plani zhvillimor

1. Puna arsimore përafruesit e arsimit dhe aftësimit e të rriturve, realizohet përmes planit vjetor të
punës dhe planit zhvillimor.

2. Plani vjetor i punës dhe plani zhvillimor i ofruesve të arsimit formal për të rritur rregullohet me akt
nënligjor të nxjerrë nga MASHT.

3. Plani i punës dhe plani zhvillimor për ofruesit e arsimit dhe aftësimit për të rritur joformal, hartohet
në bazë të legjislacionit në fuqi.

Neni 9
Programet, kualifikimet dhe modulet

1. Programet, kualifikimet dhe modulet e arsimit dhe aftësimit për të rritur, i hartojnë MASHT,
institucionet dhe ofruesit tjerë përkatës,varësisht prej interesave dhe veprimtarisë së tyre me orientim
në tregun e punës.

2. Ofruesit e arsimit dhe të aftësimit formal, i hartojnë programet dhe modulet e tyre, të cilat
i akrediton AKK dhe i miraton MASHT-i.

Neni 10
Vlerësimi i programeve

4

1. Programet e arsimit dhe aftësimit formal për të rritur vlerësohen sipas standardeve të hartuara nga
MASHT deri me themelimin e Agjencionit për Kurrikula, Standarde dhe Vlerësim.

2. Programet e arsimit dhe aftësimit profesional për të rritur, i nënshtrohen procesit të validimit dhe
akreditimit nga AKK në përputhshmëri me kriteret, standardet dhe procedurat sipas legjislacionit në
fuqi.

Neni 11
Publikimi i programit arsimor

Programi formal për arsimin dhe aftësimin e të rriturve, duhet të publikohet në mjetet e informimit
publik para shpalljes së konkursit për regjistrimin e kandidatëve.

Neni 12
Konkursi publik

1. Në programet për arsimin dhe aftësimin për të rritur, kandidatët regjistrohen në bazë të konkursit
publik dhe përmban këto të dhëna:

1.1. emrin e programit dhe shkallën,

1.2. numrin e vendeve të lira të parapara për regjistrim,

1.3. kriteret për regjistrim,

1.4. vendin,

1.5. shumën e pagesës sipas nivelit.

2. Konkursi duhet të publikohet më së voni në afat prej një (1) muaj para fillimit të mësimit, trajnimit.

3. Kandidatët që i plotësojnë kushtet sipas kritereve të paraqitura në konkurs regjistrohen në arsimin
dhe aftësimin për të rritur.

Neni 13
Regjistrimi sipas kontratës

1. Të rriturit regjistrohen në programet arsimore aftësuese, në bazë të kontratës në mes të
punëdhënësit dhe ofruesve të arsimit dhe aftësimit.

2. Përmbajtja e kontratës përcaktohet me akt nënligjor të nxjerrë nga MASHT-i.

Neni 14
Certifikatat, diplomat

1. Certifikatat dhe diplomat, që iu lëshohen kandidatëve në programet kompensuese dhe në arsimin e
mesëm të lartë për të rritur, janë të barasvlefshme me diplomat dhe certifikatat në arsim dhe aftësim
formal.

2. Certifikata dhe diplomat që u lëshohen kandidatëve të arsimit joformal, bazohen në rezultatet e
pritura sipas Ligjit për Kualifikime Kombëtare, duke aplikuar standardet e njëjta të vlerësimit si te
kandidatët tjerë.

3. Forma dhe përmbajtja e certifikatave, diplomave dhe dokumentacionit të AARr rregullohen me akt
nënligjor.

Neni 15
Njohja e të mësuarit paraprak

5

Njohja e mësimit paraprak, mundësohet duke u bazuar në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe
kritereve, standardeve dhe procedurave sipas Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve.


Neni 16
Vlerësimi i kandidatëve

1. Institucionet ku organizohet arsimi dhe aftësimi për të rritur në nivelet përkatëse, bëjnë vlerësimin e
njohurive të kandidatëve sipas standardeve të hartuara nga Agjencioni për Kurrikula, Standarde dhe
Vlerësim.

2. Institucioni formon komisionet vlerësuese për fusha teorike dhe praktike.

3. Institucioni organizon provimet dhe mban evidencë për rezultatet e arritura.

4. Provimi i maturës rregullohet sipas legjislacionit në fuqi.

5. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të njohurive dokumentet e fituara, certifikatat dhe
diplomat janë në pajtim me Ligjin për Kualifikime Kombëtare.

Neni 17
Evidenca

1. Çdo institucion që ofron programe të aftësimit për të rritur, obligohet të mbajë libër amë.

2. Statistikat e kandidatëve në AARr do të përcaktohen me akt nënligjor.

Neni 18
Qeverisjet e IAARr

1. Qeverisja e IAARr rregullohet sipas legjislacionit në fuqi.

2. Arsimin dhe aftësimin për të rritur e organizon, udhëheq dhe monitoron stafi drejtues i institucionit
përkatës.

3. Në IAARr publike ku organizohet arsimi dhe aftësimi për të rritur, formojnë një këshill drejtues për:

3.1 zhvillimin, zbatimin dhe vlerësimin e programeve për arsimin dhe aftësimin e të rriturve;

3.2. dhënien e mendimeve për hartimin dhe zbatimin e planeve vjetore të punës;

3.3. zbatimin e mekanizmave per sigurimin e cilësisë në mësim sipas kërkesave të Autoritetit
Kombëtar të Kualifikimeve.

Neni 19
Financimi

1. Fondet për zhvillimin e arsimit të obliguar të të rriturve sigurohen nga buxheti i Republikës së
Kosovës dhe buxheti lokal, kandidatët, punëdhënësit dhe donatorët.

2. Shkollimi kompensues për të rritur në nivel të arsimit I dhe II të Standardeve Nderkombëtare të
Klasifikimit të Arsimit është falas.

3. Buxheti komunal siguron fonde për investimet e mirëmbajtjes së objekteve ku zhvillohet dhe
organizohet mësimi i të rriturve.

Neni 20
Dispozitat kalimtare

6

1. Dispozitat e neneve 3, 5, 6, 9, 10, 11, 12, 16, 17 dhe 20 fillojnë së zbatuari nga viti 2016 po qe se
krijohen kushtet financiare dhe pas një vlerësimit ekzakt të kostos financiare të periudhës vijuese.

2. MASHT-i në konsultim me institucionet tjera nxjerr akte nënligjore për të plotësuar dhe
implementuar këtë ligj dhe për çështje që nuk rregullohen me këtë ligj në afat prej një (1) viti nga hyrja
në fuqi.

Neni 21
Dispozitat shfuqizuese

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji nr. 02/L-24 për Arsimin dhe Aftësimin e të Rriturve si
dhe të gjitha dispozitave ligjore që janë në kundërshtim me këtë ligj.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.

Ligji Nr. 04/L-143
13 dhjetor 2012


Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80
paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës