1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 2 / 21 JANAR 2013, PRISHTINË
LIGJI NR. 04/L - 086
PËR PARKUN KOMBËTAR “BJESHKËT E NEMUNA”
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR PARKUN KOMBËTAR “BJESHKËT E NEMUNA”
Neni 1
Qëllimi
Pjesa e territorit të Bjeshkëve të Nemuna si tërësi hapësinore e cila veçohet me vlera dhe raritete
natyrore, me numër të madh të ekosistemeve të rëndësishme pyjore dhe ekosisteme të tjera të
ruajtura, me numër të konsiderueshëm të llojeve endemike dhe relikte, me karakteristika të pasura
gjeomorfologjike, hidrologjike dhe peizazhore që kanë rëndësi shkencore, edukativo – arsimore,
kulturore – historike, rekreative - turistike dhe veprimtaritë që kontribojnë në zhvillimin ekonomik sipas
kritereve mjedisore, shpallet Park kombëtar me emrin: Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.
Neni 2
Kufijtë
1. Parku Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” - përfshinë sipërfaqen prej 62.488 ha. dhe shtrihet në
territorin e komunave: Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë dhe Istog në kufijtë e përcaktuar me këtë ligj.
2. Kufiri i Parkut Kombëtar nga paragrafi 1. i këtij neni fillon në pjesën jugore, në afërsi të pikës së
Qafës së Morinës (1.385 m.), duke vazhduar në drejtim të verilindjes kalon ndërmjet izohipsave 600 e
700 deri në pjesën ndërmjet fshatit Mulliq dhe Batushë. Më tutje ai kthehet në veriperëndim, duke
përcjell izohipsat në mes të 600 dhe 700 deri në mes të fshatit Koshare dhe Batushë dhe vazhdon në
verilindje deri te pika e quajtur “Lagja e Gjocajve”. Nga kjo pikë, kufiri shkon në drejtim të verilindjes,
në mes të izohipsave 600 dhe 700 në pjesën perëndimore të Junikut dhe Vokshit deri te pika në
vendin e quajtur “Shkoza”. Prej këtu, kufiri vazhdon në drejtim të verilindjes deri te pika në pjesën
veriore të fshatit Voksh, për të vazhduar në drejtim të fshatit Pobërgjë, në afërsi të vendit të quajtur
“Variq”. Më tutje kufiri shkon në drejtim të veriut, në kufirin administrativ të fshatrave Pobërgjë dhe
Hulaj. Nga kjo pikë vazhdon në drejtim të veriut deri te pika në veriperëndim të Manastirit të Deçanit,
në afërsi të lumit Bistrica e Deçanit. Nga kjo pikë, kufiri fillon të kthehet në drejtim të verilindjes dhe
vazhdon deri te pjesa e Përroit të Bebovcit në afërsi të vendit të quajtur “Kodër Qavza” dhe vazhdon
kah verilindja, duke ndjekur izohipsën 700 deri te Gryka e Strellcit. Nga Gryka e Strellcit, duke
vazhduar në mes të izohipsave 600 dhe 700 kufiri shkon në drejtim të veriut në pjesën perëndimore të
fshatit Lubeniq, përreth kodrës së quajtur Rudenica deri te Kroi i Lubeniqit. Duke filluar nga kjo pikë
kufiri shkon në drejtim të veriut deri te pjesa e quajtur Otrzi, ku shtrihet kufiri i fshatrave Lubeniq dhe
Zagërm. Prej këtu, kufiri vazhdon në drejtim të veriperëndimit, duke përcjell izohipsat ndërmjet 600
dhe 700 deri te pika, e cila gjendet afër pendës së fshatit Bellopojë. Më pas nga kjo pikë kufiri kthehet
në drejtim veriperëndim dhe kalon në mes të izohipsave 650 dhe 750 te fshati Zatra, në pjesën e
poshtme të kodrinës së quajtur “Gubavci” dhe vazhdon kah veriperëndimi deri te lumi Bistrica e Pejës,
në vendin ku është vendosur ujësjellësi i Pejës në rrugën për Grykë të Rugovës. Në vazhdim kufiri
shkon në drejtim të verilindjes në pjesën perëndimore të fshatit Lëvosha, duke përcjell izohipsat në
mes të 700 dhe 800 duke kaluar në pjesën e poshtme në kodrën e quajtur “Maja e Zezë” deri te lumi
Sushicë në pjesën perëndimore të fshatit Brestovik, përkatësisht te penda ku fillon ngritja e theksuar e
masivit malor të Bjeshkëve të Nemuna. Më tutje kufiri vazhdon në drejtim të verilindjes të fshatit
Brestovik dhe vazhdon të përcjellë izohipsën në mes 600 dhe 700 duke kaluar në pjesën perëndimore
të fshatit Sigë, duke vazhduar deri te vendi “Qarrishtë”. Në vazhdim kufiri shkon në drejtim të
verilindjes në pjesën perëndimore të fshatit Novosellë në vendin e quajtur “Qarrishtë” dhe fillon të
kthehet në drejtim të veriperëndimit në afërsi të lagjes Burnut dhe vazhdon në anën perëndimore të
fshatit Radavc, në afërsi të burimit të Drinit të Bardhë, duke përcjell izohipsat në mes të 540 deri në
2
650. Nga këtu kufiri shkon në drejtim të veriut, duke e përshkuar rrugën e cila lidh Malin e Zi me
Kosovën dhe vazhdon në pjesën veriperëndimore të fshatit Jabllanicë e Madhe në vendin e quajtur
Fjerrishta. Kufiri, tutje, fillon të kthehet nga verilindja, duke përcjell izohipsën në mes të 800 dhe 900
në pjesën e quajtur “Gllavica”, në drejtim të fshatit Jabllanica e Vogël dhe vazhdon deri te vendi i
quajtur “Kroi i Doiçit“ në të majtë të Lugut të Shpellës. Nga Kroi i Doiçit kufiri fillon të kthehet në
drejtim të lindjes deri në pjesën veriore në afërsi të Lagjes së Cakutajve të fshatit Kaliqan, te vendi i
quajtur „Shkëmbi i Sokolit“. Prej këtu, kufiri vazhdon në pjesën veriore të Sudenicës në vendin e
quajtur „Kodra e Madhe“ e Sudenicës i ndjekur me izohipsat në mes të 800 dhe 900 dhe shkon në
drejtim të Leskovikut deri te vendi i quajtur „Shkëmbi i Zi“. Kufiri vazhdon në drejtim të lindjes në
pjesën e poshtme të kodrës së quajtur „Mlakishtë“, duke e përcjell izohipsën në mes të 650 dhe 750
dhe shkon deri në veri të vendbanimit Lubozhdë, duke vazhduar kah lindja deri në afërsi të Përroit të
Dragiqit, që gjendet në mes të vendeve të quajtura Cerovina dhe Caculan. Nga kjo pikë kufiri fillon të
kthehet kah veriu përgjatë shtratit të Përroit Dragiq deri te kufiri me Serbinë, për të vazhduar në vijën
kufitare me Malin e Zi dhe Shqipërinë, ku edhe mbyllet kufiri.
3. Kufiri i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është vijëzuar në paraqitjen hartografike në përmasa
1:25.000 dhe është pjesë përbërëse e këtij ligji.
4. Paraqitja hartografike me kufijtë e vijëzuar të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ruhet në
Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.
Neni 3
Regjimet e mbrojtjes
1. Në territorin e Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” vendosen regjimet mbrojtëse sipas zonave:
1.1. Zona e parë - përfshinë pjesët e territorit të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” me
veçori natyrore të jashtëzakonshme, me lloje të rralla, të rrezikuara të bimëve dhe shtazëve
dhe tipave të vendbanimeve në kushte të natyrës së egër. Kjo zonë gëzon karakterin e
mbrojtjes strikte.
1.2. Zona e dytë - menaxhimi aktiv - përfshinë pjesët e territorit të Parkut kombëtar “Bjeshkët
e Nemuna” që karakterizohen me ekosisteme, vlera peizazhore dhe vlera tjera të natyrës ku
mund të ushtrohen ekoturizmi, bujqësia tradicionale dhe veprimtaritë të cilat nuk janë në
kundërshtim me qëllimet e mbrojtjes.
1.3. Zona e tretë - e shfrytëzimit të qëndrueshëm përfshinë pjesët e territorit të Parkut
kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” ku mund të bëhet: ndërtim, rindërtim, mbrojtje të objekteve
tradicionale dhe rekreacion, turizëm dhe nevoja të banorëve në territorin e Parkut Kombëtar si
dhe shfrytëzim të kullosave dhe shfrytëzim ekonomik i të mirave të natyrës sipas Ligjit për
Mbrojtjen e Natyrës si dhe në harmoni me ligjet përkatëse dhe Planin Hapësinor të Parkut
Kombëtar.
1.4. Zona e ndikimit - përfshinë hapësirën prej pesëdhjetë(50) metra nga kufiri i Parkut
Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” që shërben për parandalimin e ndikimeve të dëmshme në
Parkun kombëtar.
2. Përcaktimi i regjimeve të mbrojtjes bëhet me Planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e
Nemuna” ndërsa veprimtaritë dhe aktivitetet zhvillohen sipas Planit të menaxhimit të Parkut Kombëtar
dhe legjislacionit në fuqi.
Neni 4
Administrimi
Punët për administrimin e Parkut Kombëtar ”Bjeshkët e Nemuna” i kryen Drejtoria për Administrimin e
Parkut kombëtar ”Bjeshkët e Nemuna” me seli në Pejë të cilën Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit
Hapësinor e themelon në afat prej gjashtë (6) muaj nga dita e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
3
Neni 5
Të drejtat pronësore dhe denacionalizimi rregullohen me ligje të veçanta dhe nuk janë objekt i këtij
ligji.
Neni 6
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 04/L-086
13 dhjetor 2012
Shpallur me dekretin Nr. DL-060-2012, datë 26.12.2012 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga
4
LIGJI NR. 04/L - 086
PËR PARKUN KOMBËTAR “BJESHKËT E NEMUNA”
ANEKSI I.
PARAQITJA HARTOGRAFIKE E PARKUT KOMBËTAR “BJESHKËT E NEMUNA”