LIGJI NR. 04/L-144 PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 35 / 17 DHJETOR 2012, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L-144
PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS
SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR DHËNIEN NË SHFRYTËZIM DHE KËMBIMIN E PRONËS
SË PALUAJTSHME TË KOMUNËS


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë mënyrën e dhënies së pronës së paluajtshme të Komunës në
shfrytëzim, këmbimin e pronës komunale me persona fizik dhe juridik, si dhe këmbimin e pronës me
institucione qendrore dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Neni 2
Fushëveprimi

Me këtë ligj përcaktohen të drejtat dhe obligimet e organeve të Komunës në menaxhimin e pronës
së paluajtshme të Komunës, në raport me personat fizik dhe juridik, institucionet qendrore dhe
AKP-në.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1 Pronë e paluajtshme e Komunës – pronë e paluajtshme e regjistruar në emër të
komunës në Regjistrin e të drejtave mbi pronën e paluajtshme.

1.2. Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim – dhënia e pronës së
paluajtshme në shfrytëzim duke përfshirë tokën dhe objektet që janë në pronësi të
Komunës sipas procedurave të përcaktuara me këtë ligj.

1.3. Afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të
Komunës - periudha nga një (1) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite e cila bëhet përmes
ankandit publik.

1.4. Afati kohor për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të
Komunës - periudha kohore prej pesëmbëdhjetë (15) deri nëntëdhjetë e nëntë (99) vite,
përmes konkurrimit të hapur.

1.5. Këmbimi - e drejta e Komunës për të bërë ndërrimin e pronës së paluajtshme të
Komunës me personat fizik dhe juridik, institucionet qendrore dhe AKP-në për qëllime të
interesit publik.

1.6 AKP – Agjencia Kosovare e Privatizimit sipas Ligjit përkatës të Agjencisë Kosovare të
Privatizimit.

2
1.7. Bordi – Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit sipas Ligjit të Agjencisë Kosovare të
Privatizimit.

1.8. Komunë - ka kuptimin e përcaktuar në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.

1.9. Pronar – personi fizik apo juridik i cili është titullar i pronës në bazë të Regjistrit të të
drejtave për pronën e paluajtshme.

1.10. Ministria – Ministria përgjegjëse për vetëqeverisjen lokale.

1.11. Ankand publik – procesi i konkurrencës publike ku fituesi zgjidhet në bazë të çmimit
më të lartë të ofruar dhe në raste specifike kritereve tjera të përcaktuara me ankand.

1.12. Shprehja e interesit – procesi i konkurrencës publike ku fituesi zgjidhet në bazë të
disa kritereve të specifikuara në thirrjen për oferta.

1.13. Organi për vlerësimin financiar të pronës e cila këmbehet - organi i cili bën
vlerësimin financiar të pronës, i cili është në kuadër të Ministrisë përgjegjëse.

Neni 4
Parimet e dhënies të pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim

1. Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim bëhet duke u bazuar në këto parime:

1.1. Parimin e ligjshmërisë

1.2. Parimin e efikasitetit;

1.3. Parimin e trajtimit të barabartë të palëve;

1.4. Parimin e transparencës;

1.5. Parimin e ruajtjes dhe garantimit të interesit publik;

1.6. Parimin e ruajtjes dhe rritjes së vlerës së pronës publike komunale;

1.7. Parimin e ruajtjes së karakteristikave dhe vlerave unikale të pronës;

1.8. Parimin e ruajtjes së mjedisit.

Neni 5
Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër

1. Procedurat për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim afatshkurtër,
realizohen përmes konkurrencës së hapur publike dhe procedurave të parapara me këtë ligj.

2. Për dhënien e pronës së paluajtshme komunale për shfrytëzim afatshkurtër, konkursi i hapur
publik është në formën e ankandit.

3. Procedurat për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës bëhet
përmes procedurave të ankandit publik të cilat rregullohen me akt nënligjor.

Neni 6
Dhënia në shfrytëzim afatgjatë e pronës së paluajtshme të Komunës

1. Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë duhet të bazohet në kriteret
si vijon:

1.1. prona e paluajtshme e Komunës të jetë e regjistruar dhe publikuar në ueb-faqen e
Komunës;
3

1.2. prona e paluajtshme e Komunës e cila jepet në shfrytëzim afatgjatë të jetë e
harmonizuar me planin zhvillimor të Komunës;
1.3. të ketë arsyeshmëri të interesit publik;

1.4. të plotësojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara mjedisore;

1.5. të plotësojë kushtet e planeve urbanistike.

2. Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë, bëhet përmes konkursit të
hapur publik me kriteret e përcaktuara me këtë ligj. Procedurat dhe kriteret tjera të veçanta do të
përcaktohen me akt nënligjor.

3. Kuvendi i Komunës nuk mund të jep pronën e Komunës në shfrytëzim afatgjatë gjashtë (6) muaj
para përfundimit të mandatit të rregullt ligjor.

4. Të ardhurat e Komunës që realizohen nga dhënia në shfrytëzim, konsiderohen para publike dhe i
nënshtrohen respektimit të dispozitave ligjore të legjislacionit për menaxhimin e financave publike.

Neni 7
Propozimi për dhënien e pronës publike të Komunës në shfrytëzim

1. Kryetari i Komunës i propozon Kuvendit të Komunës për miratim paraprak pronën e paluajtshme
të Komunës për dhënien në shfrytëzim personave fizik dhe juridik, duke paraqitur arsyet dhe
interesin publik.

2. Propozimi për dhënien në shfrytëzim të pronës se paluajtshme të Komunës duhet të identifikojë
emërtimin e pronës, madhësinë e saj, të specifikojë arsyet, qëllimet dhe kohëzgjatjen si dhe formën
në të cilën rekomandohet procesi për dhënien e pronës në shfrytëzim.

3. Kuvendi i Komunës merr vendim paraprak për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të
Komunës me shumicë të votave të anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

Neni 8
Komisioni vlerësues, detyrat dhe përgjegjësitë

1. Për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të Komunës
afatshkurtër dhe afatgjatë, formohet Komisioni vlerësues për dhënien e pronës së paluajtshme të
Komunës në shfrytëzim, cili përbëhet prej shtatë (7) anëtarëve.

2. Kryetari i Komunës i propozon tre (3) anëtarë nga ekzekutivi i Komunës, Kuvendi i Komunës tre
(3) anëtar nga subjektet e ndryshme të përfaqësuara në Kuvend, dhe një (1) anëtar ekspert nga
shoqëria civile.

3. Propozimi për anëtarët e Komisionit aprovohet në Kuvendin e Komunës me shumicën e votave
të anëtarëve të Kuvendit.

4. Vendimi i Kuvendit të Komunës për themelimin e Komisionit vlerësues duhet të përmbajë detyrat
dhe përgjegjësitë e Komisionit dhe çështjet tjera të cilat konsiderohen të rëndësishme për punën e
Komisionit vlerësues.

5. Njësit përkatëse të administratës së Komunës i ofrojnë përkrahje Komisionit vlerësues për
dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim.

6. Komuna është përgjegjëse dhe kujdeset për:

6.1. njoftimin publik për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim.

6.2. njoftimi me shkrim duhet të postohet në ueb-faqen e Komunës, në vendet publike dhe
në media lokale, elektronike dhe të shkruara.
4

6.3. njoftimi duhet të identifikojë emërtimin e pronës, lokacionin dhe përshkrimin e saj,
kohëzgjatjen e shfrytëzimit, çfarëdo kushti apo kufizimi mbi dhënien e të drejtave për
shfrytëzim, shfrytëzimin e lejuar të tokës, formën e konkurrimit, çmimin fillestar, kërkesat
për pjesëmarrje në konkurrim, përfshirë procedurat e regjistrimit të ofertuesve, kohën dhe
vendin ku mbahet ankandi dhe hapjen e ofertave.

6.4. kohëzgjatja e shpalljes për dhënien e pronave për shfrytëzim afatshkurtër është jo më
shkurt se tridhjetë (30) ditë, dhe për shfrytëzim afatgjatë jo më shkurt se dyzet e pesë (45)
ditë.

6.5. anëtarët e komisionit duhet të jenë prezent në ankand dhe në hapjen publike të
ofertave.

6.6. ofertat e mbyllura duhet të shpallen publikisht gjatë hapjes dhe të protokollohen.

6.7. Komisioni është autoritet për vlerësimin final të ofertave ekonomikisht më të favorshme,
në pajtim me kriteret e përcaktuara me njoftimin për ankand dhe shprehje të interesit.

Neni 9
Vlerësimi i ofertave

1. Komisioni Vlerësues, pas përfundimit të procedurave për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të
pronës së paluajtshme të Komunës, i dërgon Kuvendit të Komunës për aprovim ofertën e
përzgjedhur. Kuvendi i Komunës me shumicë të votave të anëtareve të Kuvendit aprovon ofertën e
përzgjedhur nga Komisioni.

2. Vendimi i Kuvendit të Komunës duhet të përmbajë, emrin e shfrytëzuesit të pronës së
paluajtshme të Komunës, përshkrimin e pronës së paluajtshme të Komunës, afatin kohor, vendin e
pronës, aktivitetin që do të ushtrojë dhe çështje tjera që lidhen me pronën, shfrytëzimin, të
vlerësuara nga Kuvendi i Komunës.

3. Pala e pa kënaqur nga procesi i vlerësimit final të ofertave nga Komisioni, ka të drejtë të paraqes
ankesë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve në Kuvendin e Komunës.

4. Komisioni për ankesa në Komunë bën shqyrtimin e ankesave brenda tridhjetë (30) ditëve.

5. Për zbatimin e vendimit të Kuvendit të Komunës obligohet Kryetari i Komunës të lidh kontratë me
të cilën përcaktohen të drejtat dhe obligimet e palëve kontraktuese.

6. Komisioni për vlerësimin e ofertës, për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së
paluajtshme të Komunës bëhet përmes ankandit. Oferta e përzgjedhur i dërgohet Kryetarit për
lidhjen e kontratës.

7. Pas përfundimit të afatit të kontratës, prona i kthehet titullarit përkatësisht Komunës.

8. Vendimet për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës publikohen në ueb-faqe të Komunës
dhe format tjera të publikimit.

9. Vendimet për dhënien e pronës se paluajtshme të Komunës në shfrytëzim i nënshtrohen
shqyrtimit të detyrueshëm të ligjshmërisë, ashtu siç është përcaktuar me Ligjin përkatës për
Vetëqeverisje lokale.

Neni 10
Dhënia e pronës së paluajtshme të Komunës për rastet e veçanta

1.Procedurat e konkurrimit nuk zbatohen për rastet si vijon:

1.1 kur kërkesa për dhënien në shfrytëzim bëhet nga institucionet qendrore të Republikës
së Kosovës;
5

1.2. përfaqësitë diplomatike dhe konsullore, organizatat, institucionet ndërkombëtare që
kanë marrëveshje me Republikën e Kosovës.
1.3. me rastin e legalizimit të vendbanimeve jo-formale duke u bazuar në legjislacionin e
zbatueshëm;

1.4. për bashkësitë fetare për zhvillim të aktiviteteve fetare;

1.5. dhënia e pronës e paluajtshme të Komunës në shfrytëzim me qëllim të realizimit të
investimeve në sektorin e energjisë.

1.6. procedurat për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme për këto raste do të
përcaktohen me akt nënligjor.

Neni 11
Këmbimi i pronës komunale me persona fizik dhe juridik

1. Komuna ka të drejtë të këmbejë pronën e paluajtshme komunale me persona fizik dhe juridik, në
rastet kur një këmbim i tillë nevojitet për sigurimin e tokës për qëllime të shfrytëzimit për interes
publik.

2. Vendimi për inicimin e këmbimit të parcelave të tokës me persona fizik dhe juridik, duhet bazuar
në parakushtet si vijon:

2.1. këmbimi iniciohet vetëm nga Komuna, jo nga pronari privat;

2.2. këmbimi merret parasysh për sigurimin e tokës vetëm për qëllime të shfrytëzimit për
interes publik, nëse nevoja për tokën e tillë arsyetohet në planet zhvillimore komunale;

2.3. nëse një analizë e tokës në pronësi komunale tregon që nuk ekzistojnë parcela tjera
komunale të përshtatshme për këtë qëllim;

2.4. nëse financimi kapital për ndërtimin e atij objekti për shfrytëzim publik është i siguruar.

3. Kryetari i Komunës i propozon Kuvendit të Komunës pronën e paluajtshme komunale për
këmbim me persona fizik dhe juridik;

4. Kuvendi i Komunës, pas shqyrtimit të propozimit të Kryetarit të Komunës, vendos mbi ofrimin e
secilës pronë të propozuar për këmbim, duke votuar për secilën pronë ndaras. Vendimi merret me
shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Kuvendit të Komunës;

5. Para shpalljes publike të kërkesës për këmbim, Komuna duhet të sigurojë një vlerësim të
kualifikuar e të pavarur të vlerës së tregut të secilës pronë komunale të planifikuar për këmbim.

6. Vlerësimi i pronës komunale dhe vlerësimi i pronës private bëhet në bazë të ligjit përkatës për
pronën e paluajtshme.

7. Rezultatet e këmbimit duhen publikuar dhe duhet të përmbajnë të dhënat e pronave të këmbyera,
vlerën e tyre të përafruar, si dhe emrin e pronarit privat me të cilin është bërë këmbimi.

Neni 12
E drejta e Komunës në kthimin e një pjesë të tokës të menaxhuar
nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

1. Komunat kanë të drejtë për interes publik, kthimin e pronës së paluajtshme që përfshinë tokat e
ish-Ndërmarrjeve Shoqërore të cilat janë në territorin e Komunës dhe tani administrohen dhe
menaxhohen nga AKP-ja.

2. Komunat duhet të hartojnë listën e parcelave të tokave, prona këto të ish-Ndërmarrjeve
Shoqërore tani të menaxhuara nga AKP-ja, që Komunat kërkojnë t`i rikthejnë për interes publik.
6

3. Lista e pronave të cilat i hartojnë komunat sipas paragrafit 2. të këtij neni i dërgohet Qeverisë së
Republikës së Kosovës, me qëllim të tërheqjes nga procesi i privatizimit dhe kthimit të tyre në
pronësi të komunës me qëllim të realizimit të interesit publik.

4. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me AKP-në ndërmarrin veprimet ligjore për kthimin e këtyre
parcelave në pronësi të komunës.

Neni 13
Këmbimi i pronës komunale me pronën e menaxhuar
nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

1. Komuna përkatëse ia paraqet kërkesën për këmbimin e pronës së paluajtshme Drejtorit
Menaxhues të AKP- së, në bazë të këtyre kritereve:

1.1. paraqitjes të nevojës së qartë për bartjen e një parcele të caktuar të tokës për nevoja
publike, veçanërisht për objekte të cilat do t’i plotësojnë nevojat për ushtrimin e
kompetencave komunale, duke dhënë sqarime të mjaftueshme për arsyetimin e kësaj
nevoje publike;

1.2. paraqitjes së qartë se janë bërë të gjitha përpjekjet për të siguruar ndonjë parcelë tokë
me mjete të tjera, përfshirë marrëveshjet e qirasë komerciale dhe për shkëmbimin e tokës,
aty kur ekzistojnë resurset për atë qëllim;

1.3. shfrytëzimit ekskluziv të parcelës së caktuar të tokës për nevoja publike nën autoritetin
dhe kontrollin ekskluziv të administratës komunale përkatëse, e cila parcelë duhet të
shfrytëzohet brenda katër (4) viteve.

1.4. Drejtori e shqyrton kërkesën e paraqitur nga Komuna dhe verifikon nëse i plotëson
kriteret e përcaktuara në këtë paragraf. Në bazë të vlerësimit të tij, Drejtori i paraqet Bordit
kërkesën së bashku me rekomandimin e tij për vendim.

2.Gjatë shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Komuna dhe para dorëzimit të një rekomandimi
pozitiv, Drejtori Menaxhues merr parasysh:

2.1. a ekziston ndonjë kontest në mes të Komunës dhe AKP-se për pronën shoqërore të
Ndërmarrjeve Shoqërore;

2.2. gatishmërinë e Komunës për pajtim në procesin e zgjidhjes së kontestit midis Komunës
dhe AKP-se për prona të paluajtshme.

3. Me miratim paraprak të Bordit, Drejtori Menaxhues i kërkon Komunës të fillojë procedurat për
bartjen e të drejtës mbi pronën e paluajtshme.

4. Ky këmbim i pronës së paluajtshme me Komunën duhet t’i plotësojë kërkesat për kompensimin,
të përcaktuara në nenin 21 të këtij ligji.


5. Në rast të marrëveshjes ndërmjet Komunës dhe Drejtorit Menaxhues për bartjen e të drejtës mbi
pronat e paluajtshme, Bordi miraton këtë bartje me vendim.

6. Drejtori menaxhues ia dërgon vendimin e Bordit, Komunës brenda periudhës prej pesëmbëdhjetë
(15) ditëve pas miratimit dhe nënshkrimit.

Neni 14
Procedura për këmbimin e pronës

1. Komuna e cila ka nevojë për të realizuar interesin publik në pronën e paluajtshme të Ndërmarrjes
Shoqërore (NSH), duhet që me rastin e paraqitjes së kërkesës për ndërrim të ofrojë
dokumentacionin e vlefshëm si në vijim:
7

1.1. vendimin e Kuvendit të Komunës për shpalljen e interesit publik në ngastrat kadastrale
që evidentohen si pronë e NSH.

1.2. çertifikatë e pronësisë nga Zyra Komunale Kadastrale (ZKK), për ngastrat kadastrale të
ofruara për ndërrim nga Kuvendi i Komunës, jo më të vjetra se gjashtë (6) muaj.

1.3. të ketë të bashkëngjitur letër deklarimin nga ana e Komunës se janë bërë të gjitha
përpjekjet e Komuna nuk ka arritur të siguroj ndonjë parcelë për të realizuar interesin publik
– e firmosur nga ZKK dhe e konfirmuar nga Kryetari i Komunës.

1.4. të bashkëngjisë dokumentin e lëshuar nga Drejtoria përkatëse për
Urbanizëm/Pronë me të cilin mund të konstatohet se Komuna nuk ka në dispozicion pronë
të përshtatshme për realizimin e interesit publik.

1.5. konfirmim me shkrim të lëshuar nga Kryetari i Komunës përkatëse, se prona e kërkuar
për këmbim do të përdoret ekskluzivisht për nevoja publike, nën autoritetin dhe kontrollin
ekskluziv të administratës komunale përkatëse, e cila parcelë duhet të shfrytëzohet brenda
katër (4) viteve.

Neni 15
Shqyrtimi i kërkesave

1. AKP, pasi të pranoj kërkesën nga Komuna, pas vlerësimeve preliminare të kërkesës së paraqitur
do të informoj Kuvendin e Komunës dhe Kryetarin e Komunës mbi qëndrimin e Agjencisë në lidhje
me kërkesën e paraqitur në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e pranimit.

2. Nëse kushtet preliminare për ndërrimin e paluajtshmërisë janë plotësuar, pas shkresës
konfirmuese nga AKP, Kryetari i Komunës në afat sa me të shkurtër jo më vonë se tridhjetë (30)
ditë të paraqesë dokumentet shtesë si më poshtë:

2.1. të ketë bashkëngjitur dokumentin se a ekziston ndonjë kontest në mes të Komunës
dhe Agjencisë për pronën shoqërore.

2.2. vërtetimin nga Gjykata Komunale se patundshmëria e ofruar për këmbim nuk është
objekt i procedurës civile apo ekzekutive, nuk është nën hipotekë.

2.3. vërtetimin nga ZKK me të cilin konstatohet gjendja e patundshmërive të kërkuara për
ndërrim, në lidhje me hipotekën dhe barrën tatimore si dhe informacionet ne lidhje me
kërkesat eventuale të palëve të treta për ndërrim të titullarit në regjistrat kadastral.

2.4. vërtetimin nga Komuna se patundshmëria e ofruar për ndërrim, prona e Komunës për
pesë (5) vitet e ardhshme nuk do të jetë pjesë e planit urbanistik.

2.5. gatishmërinë e Komunës për pajtim për procesin e zgjidhjes së kontestit midis
Komunës dhe Agjencisë për pronën e paluajtshme e kërkuar për këmbim.

2.6. parashtruesi i kërkesë – Komuna bart të gjitha shpenzimet lidhur me kompletimin e
dokumentacionit përfshirë edhe shpenzimet për vlerësimin e patundshmërisë.

Neni 16
Përgjegjësitë e Agjencionit Kosovar të Privatizimit

1. Pas kompletimit të dokumentacionit nga ana e Komunës, Agjencia lidhur me pronën të cilën
Komuna e kërkon do të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar se;

1.1. Ndërmarrja Shoqërore – prona e së cilës kërkohet për privatizim nuk është në likuidim;

1.2. prona - Ndërmarrja Shoqërore është e lirë për këmbim;

8
1.3. identifikimin dhe konstatimin e saktë të pronës së NSh-së e cila kërkohet për këmbim;
1.4. informatë lidhur me statusin e pronës që është tenderuar, apo është në planin vjetor
të agjencisë për tenderim, apo nuk është në proces të privatizimit;

1.5. vërtetimin nga Gjykata Komunale se patundshmëria e ofruar për ndërrim nuk është
objekt i procedurës civile apo ekzekutive dhe nuk është nën hipotekë.

1.6. vërtetimin nga ZKK me të cilin konstatohet gjendja e patundshmërive të kërkuara për
ndërrim, në lidhje me hipotekën dhe barrën tatimore si dhe informacionet për kërkesat
eventuale të palëve të treta për ndërrim të titullarit në regjistrat kadastral.

2. Pasi që Komuna të dorëzoj dokumentacionin e përcaktuar në Agjenci, të ndërmarrë veprimet e
përshkruara sipas nenit 21 të këtij ligji. AKP-ja e informon Kuvendin e Komunës të dorëzoj kërkesën
pranë Organit Vlerësues në Ministrinë përgjegjëse, për vlerësimin e paluajtshmërive të përfshira në
procesin e këmbimit.

3. Raporti i Vlerësimit i lëshuar nga Organi Vlerësues në Ministrinë përgjegjëse, duhet të pasqyroj
vlerën këmbyese të paluajtshmërive të shprehur në formë të njësive matëse në natyrë (metër, ari
apo hektar).

Neni 17
Procedimi i propozimit të Bordi i AKP-së

Pas pranimit të raportit të vlerësimit lëshuar nga Drejtori Menaxhues i Agjencisë në kuadër të
kompetencave ligjore, në afat sa më të shkurtër kohor e procedon propozimin për ndërrimin e
patundshmërive me rekomandimin e tij pranë Bordit të Drejtorëve të Agjencisë për miratim.

Neni 18
Vendimi i Bordit

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë duke u bazuar në tërë dokumentacionin e parashtruesit të kërkesës,
rekomandimin e Drejtorit Menaxhues dhe në legjislacionin e zbatueshëm në këtë fushë nxjerr
vendim për aprovimin apo refuzimin e kërkesës së Komunës.

Neni 19
Kontrata për ndërrim

1. Nëse Bordi i Drejtorëve i Agjencisë e aprovon kërkesën e Komunës, Agjencia bazuar në rregullat
e saj të brendshme por jo me vonë se nëntëdhjetë (90) ditë nga dita e marrjes së vendimit nga
Bordi i Agjencisë duhet ta përgatisë kontratën mbi ndërrimin e patundshmërive.

2. Kontrata mbi ndërrimin/këmbimin e patundshmërive nënshkruhet nga Drejtori menaxhues i
Agjencisë dhe Kryetari i Komunës apo personat ligjërisht të autorizuar nga të dyja palët.

Neni 20
Regjistrimi i pronës

1. Pas nënshkrimit të kontratës së këmbimit, Kryetari i Komunës është i obliguar që brenda
gjashtëdhjetë (60) ditëve ta përcjell atë pranë Zyrës Komunale Kadastrale përkatëse për regjistrimin
e ndërrimeve kadastrale në librat përkatës kadastral.

Neni 21
Kompensimi

1. Komuna e paguan kompensimin në fondin e Agjencisë në dobi të Ndërmarrjes Shoqërore, e
drejta mbi paluajtshmëri e cila i është bartur Komunës. Mjetet e paguara në këtë fond nga Komuna
mund të shfrytëzohen vetëm për qëllimet e lejuara me ligj, përfshirë këtu pagesën për punëtorë të
cilëve u takon pjesa nga mjetet e realizuara nga privatizimi ose likuidimi i Ndërmarrjeve Shoqërore
dhe pasurisë së tyre. Kompensimi bazohet në vlerën e tregut të paluajtshmërisë, e cila përcaktohet
9
nga Organi Vlerësues në Ministrinë përgjegjëse, në pajtim me Ligjin për Shpronësimin e pronës së
paluajtshme Nr. 03/L-139.
2. Komuna ka për detyrë ta paguaj kompensimin në fondin e Agjencisë para se Agjencia të fillojë:

2.1. shitjen e aksioneve të korporatave subsidiare të një Ndërmarrje Shoqërore në pajtim
me nenin 8 të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit; ose

2.2. likuidimin vullnetar të një Ndërmarrje Shoqërore dhe të pasurisë së saj në pajtim me
nenin 9 të Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit;

2.3. në rast se Komuna nuk është në gjendje që të paguaj kompensimin, Bordi mund të
pranojë në këmbim tokë ose paluajtshmëri tjetër që i takon Komunës;

2.4. bordi ka të drejtë të pajtohet me një këmbim të paluajtshmërisë me Komuna vetëm
nëse paluajtshmëria që propozohet të bartet është në gjendje që të ruaj, shtoj apo të
paktën të jetë e baras vlershme me vlerën e paluajtshmërisë së Ndërmarrjes Shoqërore që
parashihet t`i bartet Komunës;

2.5. toka ose paluajtshmëria tjetër e Komunës i bartet Ndërmarrjes Shoqërore dhe bëhet
pjesë përbërëse e pasurisë së saj;

2.6. nëse Komuna nuk i plotëson kushtet e përcaktuara në këtë paragraf, atëherë dispozitat
e paragrafi 2. të nenit 22 të këtij ligji zbatohen përshtatshmërishtë.

Neni 22
Kufizimet lidhur me bartjen e të drejtës mbi pronën
e paluajtshme për nevoja publike

1. Komuna, brenda një periudhe katër (4) vjeçare, nuk ka të drejtë t’ia jap paluajtshmërinë ose
pjesë të saj e cila i është bartur Komunës palëve të treta, ose ta shfrytëzojë vetë atë, ose të lejojë
shfrytëzimin nga palët e treta për ndonjë qëllim tjetër përveç nevojave publike, me përjashtim të
rasteve të vendimit paraprak të Bordit.

2. Shkeljet e paragrafit 1. të këtij neni dhe në rast se Komuna nuk ka pasur nevojë publike apo ka
paraqitur qëllimisht të dhëna të gabueshme me rastin e bartjes të së drejtës mbi paluajtshmërinë,
atëherë Bordi ka të drejtë që me vendim ta anulojë bartjen e tillë brenda katër (4) viteve të transferit.

3. Në rast të anulimit të bartjes, paluajtshmëria i kthehet Ndërmarrjes Shoqërore, apo, nëse
Ndërmarrja Shoqërore në ndërkohë është shuar, atëherë i bartet AKP-së ose pasardhësit të saj.


Neni 23
E drejta e ankimit

Nëse një Komunë nuk pajtohet me procesin ose rezultatin e vendimit të Bordit për përcaktimin e
përfitimit Publik, Komuna mund të ankohet për vendimin e Bordit para Gjykatës kompetente.


DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 24
Shfuqizimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji për Dhënien në shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës
së Paluajtshme të Komunës Nr. 03/L-226 i shpallur në Gazetën Zyrtare nr.89 të datës 30.11.2010.

Neni 25
Afatet për nxjerrjen e akteve nënligjore

10
Sipas propozimit të Ministrisë përgjegjëse për Vetëqeverisjen lokale Qeveria nxjerr akte nënligjore
për zbatimin e këtij ligji në afat prej gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-144
22 nëntor 2012

Shpallur me dekretin Nr.DL-053-2012, datë 04.12.2012 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.