1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 25 / 07 SHTATOR 2012, PRISHTINË
Ligji Nr. 04/L-115
PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË KANË TË BËJNË ME PËRFUNDIMIN E
MBIKËQYRJES NDËRKOMBËTARE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJEVE QË KANË TË BËJNË ME PËRFUNDIMIN E
MBIKËQYRJES NDËRKOMBËTARE TË PAVARËSISË SË KOSOVËS
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj ka për qëllim të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve në vijim për përfundimin e
mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës:
1.1. Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
1.2. Ligjit Nr. 03/L-075 për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së
Auditimit të Kosovës;
1.3. Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit;
1.4. Ligjit Nr. 03/L-079 për Ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut 2006/50 për Zgjidhjen e
Kërkesave lidhur me Pronën e Paluajtshme Private, duke përfshirë Pronën Bujqësore dhe atë
Komerciale;
1.5. Ligjit Nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet
në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit;
1.6. Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04 L 101 për Fondet Pensionale të Kosovës;
1.7. Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë;
1.8. Ligji Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat;
1.9. Ligji Nr. 03/L-199 për Gjykatat;
1.10. Ligji Nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës;
1.11. Ligji Nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës;
1.12. Ligji Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë;
1.13. Ligji Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme;
1.14. Ligji Nr. 03/L-047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe
Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës;
2
1.15. Ligji Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave;
1.16. Ligji Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës;
1.17. Ligji Nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës;
1.18. Ligji Nr. 03/L-237 për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave;
1.19. Ligji Nr. 03/L-046 për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
1.20. Ligji Nr. 03/L-082 për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
1.21. Ligji Nr. 03/L-033 për Statusin, imunitetet dhe privilegjet e misioneve diplomatike,
konsullore dhe personelin e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare ushtarake, si dhe personelin
e saj.
Neni 2
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së
Kosovës (Ligji)
1. Neni 15 i ligjit bazik pas paragrafit 1. shtohet paragraf i ri 2. me tekstin si në vijim:
2. Gjykatësit ndërkombëtarë, të emëruar në pajtim me Kushtetutën dhe me këtë ligj, vazhdojnë
të marrin pagën e tyre të specifikuar sipas vendimit për emërim. Qeveria e Kosoves merr pjesë
në pagesën e gjykatësve ndërkombëtarë, në periudhën e përcaktuar në vlerë të pagave të
gjyqtarëve vendorë.
2. Neni 55 i ligjit bazik, paragrafi 1. dhe paragrafi 2 fshihen nga teksti i ligjit dhe shtohet një paragraf i ri
me tekstin si në vijim:
Mandati i gjykatësve ndërkombëtarë të emëruar në pajtim me Kushtetutën do të vazhdojë sipas
kushteve dhe dispozitave të caktuara në vendimin për emërim.
Neni 3
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-075 për Themelimin e Zyrës së Auditorit të
Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës (Ligji)
1. Neni 8 i ligjit bazik, riformulohet me tekstin si në vijim:
Neni 8
Auditori i përgjithshëm, i emëruar në përputhje me Kushtetutën dhe me këtë ligj, vazhdon të qëndrojë
në post deri në përfundim të mandatit, me kompensimin e cekur në kushtet specifike të emërimit të tij.
Qeveria e Kosovës siguron fonde në vlerën e përcaktuar me marrëveshjen në mes të Qeverisë së
Kosovës dhe Zyrës se Auditorit të përgjithshëm
Neni 4
Ndryshimet dhe plotësimet Ligjit Nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit (Ligji)
3
1. Neni 3 i ligjit bazik, paragrafi 1.12, që përkufizon Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar, fshihet nga
teksti i ligjit.
2. Neni 12 i ligjit bazik, paragrafi 3. riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Kuvendi pas propozimit nga qeveria zgjedh tre (3) anëtarë ndërkombëtarë drejtorë të bordit.
Bordi, po ashtu, emëron një shtetas të Kosovës drejtor të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit, i cili
nuk do të jetë anëtar i Bordit. Bordi, përveç kryesuesit, po ashtu, emëron zëvendëskryesues
njërin prej anëtarëve të tij. Për emërimin, shkarkimin ose ndryshimin e kushteve të referimit të
Drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive të Bordit kërkohet vota afirmative e shumicës së Bordit të
Drejtorëve. Anëtarët ndërkombëtarë zgjedhën më mandat deri më 31 gusht 2014.
3. Neni 14 i ligjit bazik, paragrafët 7., dhe 9., vlejnë deri në përfundimin e mandatit të anëtarëve
ndërkombëtarë të bordit.
4. Neni 31 i ligjit bazik, pas paragrafit 5. shtohet një paragraf i ri 6. me tekstin si në vijim:
6. Nëse një anëtar ndërkombëtar i bordit i emëruar në pajtim me nenin 31 (5) jep dorëheqje
nga Bordi dhe nëse kjo dorëheqje ose largim nga posti ndodh deri më 31 gusht 2014 atëherë
ai/ajo do të zëvendësohet me një ndërkombëtar tjetër.
Neni 5
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-079 për Ndryshimin e Rregullores së UNMIK-ut
2006/50 për Zgjidhjen e Kërkesave lidhur me Pronën e Paluajtshme Private, duke përfshirë
Pronën Bujqësore dhe atë Komerciale (Ligji)
1. Neni 4 i ligjit bazik që ndryshon nenin 5.2 të Rregullores, riformulohet me tekstin si në vijim:
5.2. Bordi mbikëqyrës përbëhet prej 5 (pesë) anëtarëve të cilët emërohen nga Kuvendi pas
propozimit nga Kryeministri.
2. Neni 8 i ligjit bazik që ndryshon nenin 6.1 të Rregullores, riformulohet me tekstin si në vijim:
6.1 Sekretaria Ekzekutive ka drejtorin dhe zëvendësdrejtorin të cilët emërohen nga Kuvendi
pas propozimit nga Kryeministri.
3. Neni 10 i ligjit bazik që ndryshon nenin 7.1 të Rregullores, riformulohet me tekstin si në vijim:
7.1. Komisioni përbëhet nga 3 (tre) anëtarë të cilët emërohen nga Kuvendi pas propozimit nga
Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.
4. Neni 13 i ligjit bazik, riformulohet me tekstin si në vijim:
Neni 13
Kuvendi, në konsultim me Komisionin, mund të themelojë panele shtesë të Komisionit, anëtarët
e të cilëve do të emërohen në bazë të neneve 7.1 dhe 7.2.
4
5. Neni 16 i ligjit bazik që ndryshon nenin 12.8 të Rregullores, riformulohet me tekstin si në vijim :
12.8 Gjykata Supreme e Kosovës vendos lidhur me ankesat në trupin gjykues prej tre (3)
gjyqtarëve të cilët emërohen nga Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës.
6. Pas nenit 27 të ligjit bazik, shtohet një nen i ri 27.A me tekstin si në vijim:
Neni 27.A
1. Mandati i tre (3) anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit mbikëqyrës (përfshi edhe kryesuesin), i
drejtorit të Sekretarisë Ekzekutive, i dy (2) anëtarëve ndërkombëtarë të Komisionit (përfshi
edhe kryesuesin), si dhe i dy gjykatësve ndërkombëtarë në panelet e ankimit të Gjykatës
Supreme të cilët janë emëruar në pajtim me Kushtetutën do të vazhdojë sipas kushteve dhe
dispozitave të caktuara në vendimin për emërim.
2. Anëtarët dhe gjykatësit ndërkombëtarë të emëruar në pajtim me Kushtetutën dhe me këtë
Ligj vazhdojnë të marrin pagën e tyre të specifikuar sipas kushteve të emërimit të tyre.
3. Qeveria e Kosoves do të sigurojë fonde për drejtorin e Sekretariatit Ekzekutive të barabartë
me pagën e një anëtari vendor të Bordit Mbikëqyrës.
4. Nëse një anëtar ndërkombëtar i emëruar ne pajtim me Kushtetutën jep dorëheqje ose
largohet nga pozita e tij/saj dhe nëse ky largim ose dorëheqja ndodh para datës 31 gusht 2014,
atëherë ai/ajo do të zëvendësohet me një ndërkombëtar, të dominuar nga Kryeministri për
pozitat e anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të Agjencisë së Pronës dhe drejtorit të Sekretarisë
Ekzekutive, si dhe të nominuar nga Kryetari i Gjykatës Supreme për pozitën e anëtarëve të
Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Anëtareve të Panelit të Ankesave të Gjykatës Supreme,
pas konsultimeve me PSBE.
Neni 6
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të
Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit (Ligji)
1. Neni 2 i ligjit bazik, paragrafi 1.3. fshihet nga teksti i ligjit.
2. Neni 2 i ligjit bazik, paragrafi 1.7, riformulohet me tekstin si në vijim:
1.7. Gjykatës Ndërkombëtar - çdo gjykatës i Misionit Evropian për Politika të Sigurisë dhe të
Mbrojtjes, i cili është emëruar në pajtim me këtë ligj.
3. Neni 11 i ligjit bazik, paragrafi 2. riformulohet me tekstin si në vijim:
2. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Dhoma e Posaçme do të vazhdojë të respektojë dhe zbatojë
parimin e kompensimit në vend të kthimit fizik. Kur vendoset për mjetin juridik që do të jepet në
një rast të caktuar, Dhoma e Posaçme do të marrë parasysh edhe dispozitat në fuqi të Ligjit Nr.
04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke përfshirë qëllimet publike që
përcaktohen në preambulën e atij ligji.
Neni 7
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. 04 L-101 për fondet pensionale të Kosoves
5
1. Neni 4 i ligjit bazik, paragrafi 4.6, riformulohet me tekstin si në vijim:
4.6. Komisioni për përzgjedhje, i propozon kandidatët Kuvendit për vendet e lira në anëtarësim
ose për riemërim të anëtarëve të Bordit Drejtues. Komisioni për Përzgjedhje do të përbëhet nga
guvernatori i BQK-së - kryesues, Auditori i Përgjithshëm dhe Ministri i Financave. Mandati i
secilit anëtar të emëruar në Bordin Drejtues zgjat tre vjet, me mundësi të rizgjedhjes, nëse
mandati i anëtarëve të Bordit skadon dhe asnjë anëtar i ri nuk është emëruar, atëherë anëtarët
e Bordit ekzistues do të vazhdojnë mandatin për nëntëdhjetë (90) ditë.
Neni 8
Ndryshimet dhe plotësimet e Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe i Akcizave në Kosovë (Kodi)
1. Neni 309 i ligjit bazik që rregullon emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave me pëlqimin e
PCN-së, fshihet nga teksti i ligjit.
2. Neni 1 i Aneksit D, i Kodit, fshihet dhe riformulohet me tekstin si në vijim:
Neni 1
Ky Aneks ofron përjashtimet e posaçme të përkufizuara në këtë Aneks që do t’i jepen bashkësive fetare
sipas përkufizimit në legjislacionin e aplikueshëm, duke përfshirë edhe legjislacionin për liritë fetare në
përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Neni 9
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-222 për Administratën Tatimore dhe Procedurat
(Ligji)
1. Neni 1 i ligjit bazik, paragrafi 1.32, që përkufizon PCN-në fshihet nga teksti i ligjit.
2. Neni 8 i ligjit bazik paragrafi 2. në rreshtin e tretë fshihet fjala “dhe PCN”.
3. Neni 88 i ligjit bazik, fshihet nga teksti i ligjit.
Neni 10
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-199 për gjykatat (ligji)
1. Neni 10 i ligjit bazik, paragrafi 11, riformulohet me tekstin si në vijim:
11. Nëse në njërën nga komunat e reja dhe të themeluara mbi bazën e Ligjit për Kufijtë
Administrativë Komunal nuk ka gjykatë themelore, komuna me vendim të Kuvendit Komunal
mund ta parqet kërkesën para Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK) për të vendosur mbi
themelimin e gjykatës themelore në territorin e saj, ose që një nga gjykatat ekzistuese
themelore në territorin e komunës tjetër të ketë juridiksion mbi territorin e komunës së re. Të
njëjtën të drejtë e ka edhe komuna ekzistuese, ku shumica e popullatës i takon komunitetit jo
shumicë në Kosovës, dhe në të cilën nuk ka gjykatë themelore.
11.1. KGjK do të aprovojë kërkesat e tilla, përveç nëse vlerësohet se ngarkesat e
lëndëve për atë juridiksion është e pamjaftueshme për ta arsyetuar ekzistimin e
gjykatës së ndarë.
6
11.2. Kur KGjK e aprovon kërkesën për themelimin e gjykatës së re themelore,
autoritetet kompetente do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të
siguruar se cilado gjykatë e re, është themeluar dhe funksionale brenda periudhës
gjashtë mujore prej datës së vendimit.
11.3. Nëse KGjK nuk aprovon kërkesën për themelimin e gjykatës së re themelore, ose
kur komuna i kërkon gjykatës ekzistuese që të ketë juridiksion për territorin e vet,
autoritetet kompetente do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin
e qasjes në drejtësi për komunitetet lokale, e cila është vështirësuar për shkak të
izolimit gjeografik, mungesës së sigurisë, ose për shkak të faktorëve të tjerë relevant.
Këto masa mund të përfshijnë krijimin në kuadër të territorit të komunës së re, të një
departamenti të gjykatës themelore ekzistuese prej së cilës komuna e re ka kërkuar të
ketë kompetencë për territorin e vet, ose që gjykata themelore të mundësojë mbajtjen e
seancave në territorin e komunës së re.
2. Neni 17 i ligjit bazik, paragrafi 3, riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Përbërja e Gjykatës së Apelit pasqyron shumëllojshmërinë etnike të Republikës së Kosovës
dhe parimet e barazisë gjinore. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe
legjislacionin përkatës në fuqi, si dhe për të siguruar pjesëmarrjen e komunitetit në gjyqësor,
pesëmbëdhjetë (15) për qind e numrit të tërësishëm të ulëseve në Gjykatën e Apelit, por jo më
pak se dhjetë ulëse, garantohen për gjyqtarët nga radha e komuniteteve që nuk janë shumicë
në Kosovë.
Neni 11
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-223 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës (Ligji)
1. Neni 2 i ligjit bazik, paragrafi 1.2. fshihet nga teksti i ligjit.
2. Neni 4 i ligjit bazik, paragrafi 1.3, riformulohet me tekstin si në vijim:
1.3. Për të siguruar se gjykatat pasqyrojnë përbërjen etnike të zonës së tyre të juridiksionit në
përputhje me nenin 104(3) të Kushtetutës dhe me legjislacionin përkatës në fuqi, Këshilli do të
marrë parasysh që të plotësojë vendet e lira të punës ose të ulëseve të rezervuara me anëtarë
të komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.
3. Neni 7 i ligjit bazik, riformulohet me tekstin si në vijim:
Neni 7
Mandati i anëtarëve të Këshillit
Anëtarët e Këshillit zgjidhen me mandat 5 (pesë) vjeçar, siç ceket në nenin 108 (6) të
Kushtetutës dhe në këtë ligj. Një anëtar i këtij Këshilli mund të zgjidhet për një mandat shtesë
jo-vijues pesë (5) vjeçar.
4. Neni 16 i ligjit bazik, paragrafi 3., riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Në përputhje me nenin 104(3) të Kushtetutës, Këshilli zbaton masa dhe veprimet tjera me
qëllim rekrutimi, të cilat i konsideron të nevojshme dhe të përshtatshme për të siguruar se një
gjykatë ose degë e gjykatës pasqyron përbërjen etnike në zonën e tyre të juridiksionit.
7
5. Neni 17 i ligjit bazik, paragrafi 1., riformulohet si në vijim:
1. Këshilli Gjyqësor i Kosovës ndërmerr masa të nevojshme për të rritur numrin e gjyqtarëve
nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë, prej radhëve të atyre gjyqtarëve që shërbejnë në
Kosovë. Për të përmbushur përgjegjësitë e veta, Këshilli, ndër të tjera, nga aplikantët njëlloj të
kualifikuar për të shërbyer si gjyqtarë u jep përparësi anëtarëve nga komunitetet që nuk janë
shumicë në Kosovës, ashtu siç është paraparë me nenin 108 të Kushtetutës.
6. Neni 17 i ligjit bazik, pas paragrafit 5., shtohen tre paragraf të rinjë 6, 7 dhe 8, me tekstin si në vijim:
6. Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të hartojë një rregullore të veçantë për të përshkruar procesin
e emërimit dhe të riemërimit të gjykatësve nga komunitetet e nën-përfaqësuara në mesin e
gjykatësve që shërbejnë në Kosovë.
7. Dhënia e përparësisë për kandidatët me kualifikime të barabarta nga komunitetet e nën-
përfaqësuara, do të zbatohet përderisa përqindja e gjyqtarëve pjesëtarë të komuniteteve jo
shumicë në Kosovë të jetë nën pesëmbëdhjetë përqind (15%) dhe / përderisa përqindja e
gjyqtarëve të cilët janë pjesëtarë të komunitetit serb të Kosovës, të jetë nën tetë (8%).
8. Mandati i dy anëtarëve ndërkombëtarë të Këshillit të emëruar në pajtim me Kushtetutën do
të vazhdojë sipas kushteve dhe dispozitave të caktuara në vendimin për emërim. Anëtarët
ndërkombëtarë të emëruar në pajtim me Kushtetutën dhe me këtë ligj vazhdojnë të marrin
pagën e tyre.
9. Neni 52 i ligjit bazik, fshihet nga teksti i ligjit.
Neni 12
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës (Ligji)
1. Neni 2 i ligjit bazik, paragrafi 1.7, fshihet nga teksti i ligjit.
2. Neni 4 i ligjit bazik, paragrafi 1.3 riformulohet me tekstin si në vijim:
1.3. Siguron se prokuroritë pasqyrojnë përbërjen etnike të zonës së tyre të juridiksionit në
përputhje me nenin 109 (4) dhe 110(3) të Kushtetutës.
3. Neni 17 i ligjit bazik, paragrafi 3. riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Këshilli zbaton masa dhe veprime rekrutimi, si dhe masa të tjera të cilat i konsideron të
nevojshme për të siguruar që një zyrë prokuroriale pasqyron përbërjen etnike të zonës së
juridiksionit përkatës.
4. Neni 17 i ligjit bazik, pas paragrafit 3. shtohet një paragraf i ri 4. me tekstin si në vijim:
4. Këshilli harton rregullore të veçantë për të përshkruar procesin e emërimit dhe të riemërimit
të prokurorëve nga komunitetet e nën-përfaqësuara në mesin e prokurorëve që shërbejnë në
Kosovë.
5. Neni 18 i ligjit bazik, paragrafi 1., riformulohet me tekstin si në vijim:
1. Këshilli ndërmerr masa të nevojshme për të rritur numrin e prokurorëve nga komunitetet jo-
shumicë në Kosovë. Kur ka aplikantë njëlloj të kualifikuar për të shërbyer si prokurorë, Këshilli u
8
jep përparësi anëtarëve nga komunitetet që janë të nënpërfaqësuara në Kosovë siç është
paraparë edhe me nenin 109 (4) dhe 110 (3) të Kushtetutës.
6. neni 18 i ligjit bazik, pas paragrafit 5, shtohet paragrafi i ri 6, me tekstin si në vijim:
6. Dhënia e përparësisë për kandidatët me kualifikime të barabarta nga komunitetet e nën-
përfaqësuara, do të zbatohet përderisa përqindja e prokuroreve pjesëtarë të komuniteteve jo
shumicë në Kosovë të jetë nën pesëmbdhjetë përqind (15%) dhe / ose përderisa përqindja e
prokurorëve të cilët janë pjesëtarë të komunitetit serb të Kosovës, të jetë nën tetë përqind ( 8%)
Neni 13
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë (Ligji)
1. Pjesa e parë e preambulës se ligjit, riformulohet me tekstin si në vijim:
Në bazë të nenit 65 (1) dhe ne pajtim me dispozitat kalimtare dhe përfundimtare nga kreu XIII
dhe XIV të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
2. Pas nenit 7 të ligjit bazik shtohet një nen i ri 7.A me tekstin si në vijim:
Neni 7.A
Statusi i Kishës Ortodokse Serbe
1. Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë konsiderohet pjesë përbërëse e Kishës Ortodokse Serbe (KOS).
2. Emri dhe organizimi i brendshëm i Kishës Ortodokse Serbe, duke përfshirë edhe hierarkinë dhe
veprimtaritë e saj, do të respektohen.
3. Nuk do të ketë ndalim arbitrar për hyrje në Kosovë ose qëndrim brenda Kosovës për priftërinjtë,
kandidatët për prift, murgjve, murgeshave dhe vizitorëve.
4. Neni 7 i ligjit bazik, paragrafi 7.3, fjalët “themelojnë dhe”, fshihen nga teksti i ligjit.
5. Neni 8 i ligjit bazik, paragrafi 1, riformulohet me tekstin si në vijim:
1. Ndërtesat dhe objektet që u takojnë bashkësive fetare, që janë të dedikuara për kryerjen e
ceremonive fetare konsiderohen të pacenueshme për sa i përket ndërhyrjes së autoriteteve
qeveritare dhe në to mund të hyhet vetëm me pëlqimin e institucionit përkatës fetar, përveç
nëse është lëshuar ndonjë urdhër gjyqësor për shkak të aktiviteteve ilegale dhe në rast të
rrezikut për jetën ose shëndetin.
6. Neni 12 i ligjit bazik, pas paragrafit 12.4 shtohet një paragraf i ri 12.5 me tekstin si në vijim:
12.5. Përveç përjashtimeve të përmendura më lart, bashkësitë fetare gëzojnë privilegje
doganore dhe tatimore për veprimtari ekonomike, që janë specifike për vetë-qëndrueshmërinë
e tyre financiare, siç do të definohet me një akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria e financave .
Këto privilegje përfshijnë importimin dhe blerjen e produkteve qenësore për prodhim, të
materialeve, pajisjeve dhe bagëtisë; dhe eksportimin e produkteve që dalin nga aktivitetet e
lartpërmendura.
Neni 14
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme
(Ligji)
9
1. Neni 2 i ligjit bazik, paragrafi 1. përkufizimi “Propozimin Gjithëpërfshirës”, fshihet nga teksti i ligjit.
2. Neni 3 i ligjit bazik, paragrafi 3, riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Objekt i shpronësimit sipas këtij ligji mund të jenë të drejtat private pronësore dhe të drejtat
tjera private për ose ndaj një prone të paluajtshme, me përjashtim të asaj prone të paluajtshme
që bën pjesë në atë kategori të pronës, për të cilën Kushtetuta në mënyrë specifike thotë se
nuk do të jetë objekt i shpronësimit.
3. Neni 3 i ligjit bazik, paragrafi 3, shtohet nën-paragraf i ri 3.1. me tekstin si në vijim:
3.1 Prona e luajtshme dhe e paluajtshme, si dhe asetet tjera të Kishës Ortodokse Serbe do të
jenë të pacenueshme dhe nuk do të jenë objekt i shpronësimit.
Neni 15
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të
Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës (ligji)
1. Pas nenit 3 shtohet nen i ri 3.A me tekstin si në vijim:
Neni 3.A
Të drejtat e refugjatëve dhe personave të zhvendosur
1 Të gjithë refugjatët nga Kosova dhe personat e zhvendosur brenda vendit do të kenë të drejtën e
kthimit dhe kërkimit të pronës së tyre dhe posedimeve personale, në pajtim me ligjet vendore dhe
ndërkombëtare. Çdo person do të ketë të drejtë të marrë vendim të lirë dhe të jetë i informuar për
vendin ku ai kthehet.
2 Institucionet e Republikës së Kosovës ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të krijuar kushte
te favorshme për kthim të sigurt dhe të denjë të refugjatëve dhe personave të zhvendosur, bazuar në
vendimet e tyre të lira dhe të bazuara në informata të sakta, përfshirë përpjekjet për të promovuar dhe
mbrojtur lirinë e tyre të lëvizjes dhe mbrojtjen nga kërcënimi
3 Kushtet e kthimit të personave të zhvendosur dhe mekanizmat e bashkëpunimit me institucionet
relevante ndërkombëtare do të përcaktohen nga institucionet e Republikës së Kosovës në pajtim me
Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme.”
Neni 16
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativë të Komunave (ligji)
1. Neni 7 i ligjit bazik, paragrafi 3, riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Bordi do të përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë, me nga pesë (5) përfaqësues të
zgjedhur nga secila komunë dhe një (1) përfaqësues i zgjedhur nga Kryeministri.
2. Neni 7 i ligjit bazik, paragrafi 4. riformulohet me tekstin si në vijim:
4. Kryesuesi i Bordit përzgjidhet nga Kryeministri.
3. Neni 14 i ligjit bazik, fshihet termi “dhe PCN do të ndërmarrin” dhe zëvendësohet me termin:
“ndërrmer”.
4. Në Shtojcën 1 (Zonat Kadastrale) të ligjit bazik, emërtimi i komunës “Hani i Elezit” në gjuhën serbe
dhe angleze ndryshohet në “Elez Han”
Neni 17
10
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së
Kosovës (ligji)
1. Neni 13 i ligjit bazik, paragrafi 1, nënparagrafi (c) riformulohet me tekstin si në vijim:
(c). Një (1) anëtar, i përzgjedhur nga Kryeministri.
2. Neni 14 i ligjit bazik, paragrafi (b), nënparagrafi (iv) riformulohet me tekstin si në vijim:
iv. Një (1) anëtar, i përzgjedhur nga Kryeministri.
Neni 18
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës (ligji)
1. Titulli i nenit 29 të ligjit bazik riformulohet me tekstin si në vijim:
Neni 29
Regjistrimi dhe përcaktimi i shtetësisë
Neni 19
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-237 për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive
Familjare dhe të Banesave (Ligji)
1. Neni 12 i ligjit bazik, paragrafi 4.12., riformulohet me tekstin si në vijim:
4.12. Një (1) përfaqësues nga një prej Universiteteve publike, anëtar;
Neni 20
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-046 për Forcën e Sigurisë së Kosovës (ligji)
1. Neni 9 i ligjit bazik, paragrafi 3., riformulohet me tekstin si në vijim:
3. Forca e Sigurisë së Kosovës është e strukturuar dhe e përgatitur për të përmbushur
funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë ose organizatave tjera për zbatim të ligjit.
2. Neni 10 i ligjit bazik, paragrafi 2., riformulohet me tekstin si në vijim:
2. Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë dhe nuk ka armë të rënda, siç janë
tanket, artileria e rëndë ose kapacitete sulmuese ajrore. Një rishikim i plotë i këtyre kufizimeve,
do të bëhet jo më herët se pesë vjet nga koha e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr. 03/L-046 për Forcën
e Sigurisë së Kosovës. Detyrat fillestare të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë:
3. Neni 4 i ligjit bazik , paragrafi 2, pika (e) fshihet nga teksti i ligjit.
Neni 21
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-082 për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës
(ligji)
1. Neni 5 i ligjit bazik, fshihet nga teksti i ligjit.
Neni 22
Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit Nr. 03/L-033 për Statusin, imunitetet dhe privilegjet e
misioneve diplomatike, konsullore dhe personelin e Kosovës dhe praninë ndërkombëtare
ushtarake, si dhe personelin e saj
11
1. Neni 3 i ligjit bazik paragrafi 2. pika (a) riformulohet me tekstin si në vijim:
(a). Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian.
2. Neni 3 i ligjit bazik, paragrafi 3, riformulohet me tekstin si në vijim:
3.3. Individët e emëruar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtarë, në pajtim me Propozimin
Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të datës 26 mars 2007, mandati i të cilëve
nuk ka përfunduar para deklarimit të përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur gëzojnë statusin,
privilegjet dhe imunitetet e përcaktuara në ligjin bazik.
3. Neni 4 i ligjit bazik, paragrafi 6., riformulohet me tekstin si në vijim:
4.6. Ministri i Punëve të Jashtme nuk mund t’i shpallë PSBE-në ose një anëtar të personelit të
tij, anëtarët e personelit të ICO-së, përfshirë individët e përcaktuar në nenin 3.3. të ligjit bazik
ose anëtarët e misionit EULEX, si persona non grata.
4. Neni 4 i ligjit bazik, paragrafi 7. fshihet nga teksti i ligjit.
Neni 23
1. Të gjithë anëtarët ndërkombëtarë të emëruar nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, në pajtim me
Kushtetutën e Republikës se Kosovës, me përjashtim të atyre të Agjencisë Kosovare të Privatizimit,
Agjencisë Kosovare të Pronës gjyqtarët ndërkombëtarë të Panelit të Ankesave të Gjykatës Supreme,
dhe dy gjyqtarë në Komisionin për Kërkesa Pronësore, nëse për çfarëdo arsye largohen nga pozita
para datës 31 gusht 2014 ai/ajo do të zëvendësohet me një anëtar vendor.
2. Nëse në cilindo ligj të aplikueshëm në Republikën e Kosovës përdoren termet ICO ose PCN, të
njëjtat shfuqizohen dhe zëvendësohen me institucionet vendore përkatëse.
II. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 24
Hyrja në Fuqi
Ky ligj hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të amendamenteve kushtetuese për përfundimin e mbikëqyrjes
ndërkombëtare të pavarësisë .
Ligji Nr. 04/ L-115
31 gusht 2012
Shpallur me dekretin Nr.DL-036-2012, datë 04..09.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.