LIGJI NR. 04/L – 092 PËR PERSONAT E VERBËR

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 20 / 18 KORRIK 2012, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L – 092 PËR PERSONAT E VERBËR


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR PERSONAT E VERBËR


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Me këtë ligj rregullohet statusi ligjor i personave të verbër në Republikën e Kosovës.

Neni 2
Fushëveprimi

Ky ligj rregullon të drejtat dhe përfitimet si dhe përcakton kriteret për kategorizimin e personave të
verbërve.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. I/E verbër - personi me humbje të plotë të pamurit të lindur ose të fituar të përcaktuar sipas
kritereve mjekësore të vlerësuara nga Komisioni Mediko-social;

1.2. Komisioni Mediko-social - komision i përbërë prej ekspertëve mjekësor dhe social, i
formuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale i cili bën përcaktimin e shkallës së
verbërisë, duke përfshirë kohëzgjatjen e saj, për secilin person që paraqet kërkesë për të gëzuar
kompensim për shkak të verbërisë, përfitimet dhe të drejtat sipas këtij ligji;

1.3. Ministria përkatëse - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale;

1.4. ZQM - Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Neni 4
Mbrojtja

1. Personat e verbër mbrohen nga të gjitha llojet e shfrytëzimit, diskriminimit, abuzimit, fyerjes
talljes dhe gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët bazuar në
standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

2. Kur veprimet e cekura në paragrafin 1. të këtij neni përbejnë vepër penale, nismën për fillimin e
çështjes penale, përveç kujdestarit e kanë dhe organet e rendit organi i prokurorisë apo shoqata, në
të cilën ata bëjnë pjesë ose kujdesen për ta.
2


Neni 5
Punësimi

1. Me këtë ligj përfitojnë të gjithë personat e verbër, të cilët me vendim të Komisionit Mediko-social
plotësojnë kriteret e caktuara - kjo nënkupton sigurimin e pjesëmarrjes së tyre aktive, duke ju
plotësuar kushtet e mëposhtme:

1.1. punësimi në kushte të favorshme dhe me përparësi, sipas ligjeve në fuqi dhe kritereve të
veçanta të përcaktuara në ligje të posaçme.

1.2. personat juridik dhe fizikë që punësojnë persona të verbër përfitojnë të gjitha benificionet të
përcaktuara sipas ligjeve në fuqi.

Neni 6
Lirimi nga taksat dhe tatimi

Personat e verbër lirohen nga çdo lloj takse dhe tatimi të drejtpërdrejtë. Në rast vetëpunësimi ata lirohen
nga çdo detyrim fiskal, ndërsa në rast se zhvillojnë veprimtari si persona juridikë, ata gëzojnë lehtësira
tatimore të cilat i realizojnë sipas ligjeve në fuqi.

Neni 7
Të ardhurat dhe beneficionet

1. Personat e verbër gëzojnë të gjitha të drejtat dhe beneficionet sipas ligjeve në fuqi.

2. Personat e verbër të përcaktuar me këtë ligj, marrin nga buxheti shtetëror kompensimin në një
shkallë të caktuar bazuar në pagën minimale në Kosovë, por jo më pak se njëqind (100) Euro në
muaj dhe përcaktohet me akt nënligjor të nxjerr nga Qeveria.

3. Përfituesit material për shkak të verbërisë, sipas paragrafit 1. të këtij neni nuk mund të jenë shfrytëzues
të asnjë kompensim nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë, përveç nëse ndryshe
është përcaktuar me ligj.

4. Përfitimin material për shkak të verbërisë e marrin personat, pavarësisht nga mosha dhe në të njëjtën
masë përfitojnë edhe shoqëruesit e të verbërve të grupit të parë, nevoja për të cilët përcaktohet nga
Komisioni Mediko-social.

5. E drejta në përfitim material të verbërisë për personat e verbër, si dhe shoqëruesit e tyre, sipas këtij
ligji, realizohet nga dita e paraqitjes së kërkesës, nëse janë plotësuar kushtet dhe kriteret për realizimin e
tyre.

6. Personat e verbër nënshkruajnë kontratë me shoqëruesit e tyre, para organit kompetent të qendrës për
punë sociale dhe ia paraqesin nëpunësit të organit kompetent.

7. Këto pagesa bëhen çdo muaj nga Departamenti i Administratës Pensionale në kuadër të Ministrisë
përkatëse.

8. Fondet për pagesa, nga paragrafi 1. i këtij neni, sigurohen nga buxheti i përgjithshëm i Ministrisë
përkatëse.






3


KREU II
KUJDESI, SIGURIMI I VENDSTREHIMIT, SIGURIMI SHËNDETËSOR, ARSIMIMI,
PUSHIMI DHE MIRËSITË E TJERA

Neni 8
Strehimi

Të verbrit që plotësojnë kushtet ligjore për t’u konsideruar si qytetarë me nevojë për strehim, në
përfundim të vlerësimit të nevojës së tyre, përfitojnë një shtesë prej njëzet (20) pikash, mbi masën e
vlerësuar.

Neni 9
Kujdesi shëndetësor

1. Shërbimet shëndetësore themelore ofrohen në cilësi dhe sasi të njëjtë si për të gjithë qytetarët.

2. Përjashtimi nga pagesat dhe bashkë-pagesat rregullohet sipas Ligjit për shëndetësi dhe me akte
tjera nënligjore.

3. Shërbimet mjekësore të cilat ju ofrohen personave të verbër, të cilët nuk paguajnë premiumet do të
rimbursohen nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për Sigurime Shëndetësore.

Neni 10
Edukimi dhe Arsimimi

1. Edukimi dhe arsimimi i personave të verbërve, në institucionet publike bëhet sipas ligjeve në fuqi.

2. Personave të verbër ju sigurohet përdorimi i shkrimit braill, shkrimit relievor, shkrimit me shkronja
të zmadhuara dhe tekstet në teknikën akustike dhe digjitale nga Ministria e Arsimit , Shkencës dhe
Teknologjisë.

3. Pajisjet tiflo-teknike dhe tiflo-didaktike të cilat lehtësojnë integrimin e personave të verbër në
shoqëri janë mjete ndihmëse për të cilat obligohet MPMS, MASHT dhe Ministria e Shëndetësisë në
bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës për sigurimin dhe shpërndarjen e tyre.

Neni 11
Qasja në informacion

1. Personave të verbër u mundësohet informimi në braill, në reliev, shkrim të zmadhuar, si dhe në audio
për të gjithë sinjalistikën në ambientet publike informacionet publike zyrtare, literaturën tekstet, dhe librat
në të gjitha nivelet shkollore në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.

2. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministria e Kulturës dhe Ministria e infrastrukturës janë
përgjegjëse për zbatimin e paragrafit 1. të këtij neni.

Neni 12
Rehabilitimi

1. Qeveria përcakton fonde për ndërtimin e qendrave të rehabilitimit, me kapacitet të mjaftueshëm
për personat e verbër.

2. Administrimi i qendrave të rehabilitimit, bëhet me autorizimin e Ministrisë përkatëse ne
bashkëpunim me Shoqatën për Personat e Verbër të Kosovës.

4

3. Qeveria, në funksion të rehabilitimit dhe argëtimit të të verbërve, përkrah veprimtarinë kulturore të
tyre dhe u siguron falas, pjesëmarrjen në këto manifestime kulturore dhe sportive.
Neni 13
Udhëtimi

1. Personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre gjatë shoqërimit të personit të verbër, gëzojnë beneficione në
pagesa, në trafikun urban falas, ndërsa në ndërurban bëhet me pagesën pesëdhjetë përqind (50%) të
vlerës së biletës.

2. Operatorët privat dhe publik duhet të përcaktojnë vendet për të verbrit dhe të vendosin sinjale
përkatëse. Këto vende janë të liruara nga detyrimi fiskal të përcaktuar me udhëzim nga MT dhe Ministria
e Infrastrukturës.

Neni 14
Shpenzimet e energjisë elektrike dhe telefonit

1. Të gjithë personat e verbër, gëzojnë lehtësira në konsumin e energjisë elektrike sipas Ligjit të
Skemës Sociale.

2. Qeveria siguron që të gjithë të verbrit të grupit të parë, të pajisen me softuer folës asistues për të
verbëritë.

Neni 15
Përfitimet dhe të drejtat tjera

1. Institucionet përgjegjëse për miratimin e projekteve të infrastrukturës dhe rregullimin e territorit,
nuk miratojnë asnjë projekt për rrugët dhe mjediset publike, në qoftë se në to nuk janë marr ë
parasysh përshtatjet e nevojshme dhe të mundshme për persona të verbër.

2. Personat e verbër në shërbime publike kanë përparësi në zgjidhjen e kërkesave. Sipas nevojës
ata duhet të tregojnë librezën që dëshmon statusin e tyre.

Neni 16
Besueshmëria e informatave personale

Institucionet dhe personat përgjegjës nuk kanë të drejtë të japin të dhëna për gjendjen verbërisë të
një personi, pa pëlqimin e tij, përveç kur kjo lejohet me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.


KREU III
GRUPIMET, PËRFITIMET NGA STATUSI I TË VERBRIT, EVIDENCA
DHE KOMISIONI MEDIKO-SOCIAL

Neni 17
Komisioni Mediko-social, kompetencat e tij dhe kategorizimi

1. Komisioni Mediko-social përbëhet nga tre (3) ekspertë okulistë, një ekspert tiflolog, një (1) ekspert në
fushën e punës sociale, një (1) përfaqësues i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, si dhe një (1)
përfaqësues i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili është kryetar i komisionit.

2. Mandati i ekspertëve është një (1) vit pa të drejtë rizgjedhjeje. Funksionimi i komisionit Mediko-social
bëhet sipas rregullores së miratuar nga ministria përkatëse.

3. Personat e verbër, përfitues nga ky ligj i nënshtrohen vlerësimit të komisionit Mediko-social në
ministrinë dhe rajonet përkatëse.

5

4. Komisioni Mediko-social për personin e verbër lëshon vendim, duke përcaktuar grupin e verbërisë, si
dhe nevojat sociale.
5. Komisioni shqyrton kërkesën e personit të verbër, për të përcaktuar shkallën e verbërisë dhe nevojave
sociale.

6. Përfituesit nga ky ligj kategorizohen në dy grupe:

6.1. grupi i parë janë personat që nuk e dallojnë dritën nga errësira, deri në qartësinë e të parit
0.02.

6.2. grupi i dytë janë personat që kanë humbje pjesërisht të shikimit, mbi 0.02 deri 0.05.

7. Personi i verbër, i grupit të parë, duhet të deklarojë emrin e shoqëruesit të tij/saj, para organit
kompetent që e regjistron atë në një regjistër të posaçëm. Po ashtu, ai duhet të deklarojë edhe ndërrimin
eventual të shoqëruesit, nëse e vlerëson të arsyeshme se një ndërrim i tillë duhet të bëhet. Me këtë
ndërrim, menjëherë njoftohet edhe administrata e ministrisë përkatëse.

8. Shoqatat bazuar në vendimin e Komisionit Mediko-social lëshon librezën e posaçme të verbërisë, si
dokument, provë për përfitim nga ky ligj.

Neni 18
Evidentimi

1. Institucionet përgjegjëse në nivel qendror dhe komunal, duhet të mbajnë evidencën e saktë dhe të
formatizuar të numrit të përfituesve të të dy kategorive.

2. Në fund të vitit kalendarik, por edhe sipas kërkesës së ministrisë përkatëse, Shoqata e të Verbërve të
Kosovës obligohet të dorëzojë regjistrin e evidencave të librezave të lëshuara për përfituesit nga ky ligj.

Neni 19
E drejta për ankim

Paditë e ngritura në gjykatën kompetente për moszbatimin e këtij ligji shqyrtohen me procedurë të
përshpejtuar.

Neni 20
Varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për
vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave me vendim të
veçantë, do të vendosë për lartësinë e shumës dhe beneficionet e përcaktuara me këtë ligj.


KREU IV
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 21
Bashkëpunimi

1. Për zbatimin e këtij ligji, dhe pa mohuar të drejtat e individëve ose grupeve të tjera, Shoqatës së të
Verbërve të Kosovës i njihet e drejta e përfaqësimit të të verbërve dhe fitimit të shërbimeve të posaçme,
në varësi të plotësimit të kushteve të mëposhtme:

1.1. ushtrimit të veprimtarisë në të gjithë territorin e Kosovës mbi bazën e një statusi demokratik,
të njohur nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale;

6

1.2. nënshkrimit të kontratave me ministritë dhe institucionet që financojnë ofrimin e këtyre
shërbimeve;

1.3. nënshtrimin ndaj kontrolleve të institucioneve publike për cilësinë e shërbimeve, përdorimin e
fondeve, dhe respektimin e statutit të organizatës.

Neni 22
Aktet nënligjore

Nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në afat prej gjashtë (6) muajsh Qeveria e Kosovës dhe ministritë
përkatëse nxjerrin aktet nënligjore.

Neni 23
Dispozitat ndëshkimore

1. Çdo institucion i cili nuk i respekton dispozitat e këtij ligji ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi.

2. Çdo person i cili me vetëdije paraqet deklaratë të rreme ose prezanton dokumentet e falsifikuara me
qëllim të përfitimit të drejtave dhe beneficioneve të përcaktuara sipas këtij ligji, ndëshkohet sipas
dispozitave ligjore në fuqi.

Neni 24
Dispozitat shfuqizuese

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet çdo dispozitë tjetër e aktit ligjor ose nënligjor, e cila është në
kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.

Neni 25
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës,
ndërsa do të zbatohet nga 01 janari 2013.


Ligji Nr. 04/L - 092
14 qershor 2012

Shpallur me dekretin Nr.DL-032-2012, datë 02.07.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.