1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 18 / 03 KORRIK 2012, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L – 106 PËR TEATROT
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR TEATROT
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj garanton të drejtën e lirisë krijuese për të gjitha format dhe shprehjet artistike skenike dhe
njëkohësisht rregullon themelimin, organizimin, funksionimin, drejtimin, menaxhimin dhe financimin e
teatrove, pozitën e artistëve teatrorë dhe çështje të tjera të rëndësishme për teatrot.
Neni 2
Fushëveprimi
Fushëveprimi i këtij ligji përfshin veprimtarinë teatrore, përgatitjen dhe shfaqjen publike të veprave
dramatike dhe të performansave të ndryshme skenike.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Teatri - institucion kulturor publik ose privat që merret me përgatitjen, organizimin dhe
realizimin e shfaqjeve teatrore dhe shfaqjeve tjera skenike.
1.2. Objekti teatror - ndërtesa ose hapësira që posedon teatri për kryerjen e veprimtarisë
teatrore.
1.3. Veprimtaria teatrore - përgatitja dhe shfaqja publike të dramave, veprave skenike
muzikore, veprave skenike të kukullave dhe veprave tjera skenike.
1.4. Shfaqja teatrore - vepër skenike e cila shfaqet drejtpërdrejt para publikut.
1.5. Artistë teatri - aktorët, regjisorët, dramaturgët, skenografët, kompozitorët, kostumografët,
koreografët, piktorët, valltarët, këngëtarët, muzikantët, disenjatorët e ndriçimit, disenjatorët e
zërit dhe të efekteve të zërit, makiazhistët, parukierët, krijuesit, animatorët e kukullave dhe të
gjithë ata që në mënyrë kreative kontribuojnë në krijimin e veprës teatrore.
1.6. Trupë teatrorë - ansambli artistik, përkatësisht grupi i artistëve që krijon shfaqje teatrore,
të cilën e promovon dhe e shfaq para publikut si vepër artistike - skenike.
2
1.7. Kompani teatrore - person juridik vendor ose ndërkombëtar i cili merret me krijimin,
paraqitjen dhe promovimin e veprimtarisë teatrore.
1.8. Shoqatë teatrore - organizatë joqeveritare e cila merret me promovimin e veprimtarisë
teatrore.
1.9. Ministria - Ministria e Kulturës.
1.10. Ministri - Ministri i Kulturës.
1.11. Ligji - Ligji për teatrot.
1.12. Themeluesi - institucioni, personi juridik ose personi fizik që e themelon teatrin.
Neni 4
Themelimi i teatrove
1. Teatrot në Republikën e Kosovës themelohen nga personat fizikë dhe juridikë dhe kanë status publik
apo privat.
2. Teatrot kombëtare themelohen me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës me propozimin e
Qeverisë.
3. Teatrot e qyteteve themelohen me vendim të Asamblesë Komunale. Komuna nuk mund të themeloj
më shumë se një teatër të qytetit me status publik.
4. Kriteret për themelimin e teatrove kombëtare dhe teatrove të qyteteve përcaktohen me akt nënligjor
të nxjerr nga Ministria përkatëse për kulturë.
5. Teatrot private, trupat teatrore, kompanitë teatrore dhe shoqatat teatrore mund të themelohen nga
persona fizikë dhe juridikë vendorë apo të huaj në pajtim me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.
6. Themelimi i çmimeve për teatër bëhet me akt nënligjor të cilin e nxjerr Ministri përkatës për kulturë.
Neni 5
Teatrot publike
1. Teatrot me status publik janë:
1.1. Teatrot kombëtare;
1.2. Teatri i qytetit;
1.3. Teatri i Studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Neni 6
Teatri Kombëtar i Kosovës
1. Teatri Kombëtar i Kosovës është institucioni më i lartë teatror në Kosovë dhe ka selinë në Prishtinë.
2. Teatri Kombëtar ka statutin, vulën dhe logon.
3. Teatri Kombëtar i Kosovës ka kod të veçantë buxhetor dhe menaxhon me buxhetin e vet.
4. Teatri Kombëtar realizon së paku pesë (5) premiera gjatë vitit.
3
Neni 7
Organizimi dhe funksionimi i teatrove publike
1. Organizimi dhe funksionimi i teatrove publike rregullohet me statut dhe me akte të tjera nënligjore në
pajtim me këtë ligj.
2. Struktura drejtuese e çdo teatri publik përbëhet nga:
2.1. Këshilli drejtues;
2.2. Drejtori i përgjithshëm;
2.3. Udhëheqësi artistik.
3. Teatrot publike kanë staf administrativ dhe teknik.
4. Teatrot kombëtare duhet ta kenë ansamblin rezident prej së paku tridhjetë (30) aktorëve.
5. Teatri i qytetit mund të ketë ansamblin rezident prej së paku dhjetë (10) dhe me së shumti njëzet (20)
aktorëve.
6. Teatrot publike mund të themelojnë skena të veçanta në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
7. Teatrot publike kanë logon, vulën, xhirollogarinë dhe selinë e tyre, të cilat përcaktohen me statut.
8. Statutin e Teatrit Kombëtar e harton Këshilli drejtues, ndërkaq e miraton Ministri.
9. Statutin e teatrit të qytetit e harton Këshilli drejtues dhe me propozim të Kryetarit të Komunës e
miraton Asambleja Komunale.
Neni 8
Shpërbërja e Teatrit Publik
Shpërbërjen e teatrit publik e bën themeluesi në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Neni 9
Teatrot private dhe shoqatat teatrore
1. Themelimi, organizimi dhe funksionimi i teatrove private, kompanive teatrore, trupave teatrore dhe
shoqatave teatrore bëhet konform statutit të tyre.
2. Statuti dhe aktet tjera nënligjore miratohen në pajtim me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi.
Neni 10
Këshilli drejtues i teatrove publike
1. Këshilli drejtues i teatrove publike është organ i pavarur, i cili:
1.1. mbikëqyrë punën e teatrit;
1.2. aprovon politikat afatgjata të zhvillimit të teatrit dhe politikën artistike;
1.3. me propozim të drejtorit të përgjithshëm, miraton planin vjetor buxhetor të teatrit;
4
1.4. me propozim të udhëheqësit artistik dhe në përputhje me buxhetin vjetor miraton
programin artistik vjetor të teatrit;
1.5. shqyrton dhe miraton raportin vjetor financiar të teatrit;
1.6. harton dhe propozon statutin, rregulloret dhe aktet tjera nënligjore të teatrit, të cilat i
miraton Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit për teatrot kombëtare dhe Asambleja Komunale
për teatrin e qytetit;
1.7. interviston kandidatët dhe zgjedhë drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik;
1.8. inicion procedurën dhe shkarkon drejtorin e përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik;
1.9. Këshilli drejtues merr vendime me shumicë absolute të votave të të gjithë anëtarëve.
Neni 11
Përbërja dhe mandati i Këshillit drejtues të teatrove publike
1. Këshilli drejtues i teatrove kombëtare përbëhet nga shtatë (7) anëtarë, me mandat katër (4) vjeçar.
2. Njëri prej shtatë (7) anëtarëve të Këshillit drejtues të teatrove kombëtare duhet të jetë përfaqësues i
Ministrisë përkatëse për Kulturë.
3. Këshilli drejtues i teatrit të qytetit përbëhet nga pesë (5) anëtarë, me mandat katër (4) vjeçar.
4. Njëri prej pesë (5) anëtarëve të Këshillit drejtues të teatrit të qytetit duhet të jetë përfaqësues i
komunës përkatëse.
5. Anëtarët e Këshillit drejtues të teatrit duhet të jenë persona kredibil, me autoritet dhe me përgatitje
profesionale në fushën e teatrit.
6. Këshillin drejtues të teatrove kombëtare e emëron dhe shkarkon Ministri, ndërsa atë të teatrit të
qytetit e emëron dhe shkarkon Kryetari i Komunës.
7. Konstituimin e Këshillit drejtues të teatrove kombëtare e bën Ministri, ndërsa atë të teatrit të qytetit e
konstituon Kryetari i Komunës.
8. Mbledhjen e parë e thërret dhe e udhëheq anëtari më i moshuar i Këshillit.
9. Kryetari i Këshillit zgjidhet në mbledhjen e parë me shumicë absolute të votave të të gjithë
anëtarëve.
10. Këshilli drejtues i teatrove kombëtare i paraqet Ministrisë së paku një (1) herë në vit raportin e
punës së teatrit.
11. Këshilli drejtues i teatrit të qytetit i paraqet kryetarit të komunës së paku një (1) herë në vit raportin e
punës së teatrit.
Neni 12
Përgjegjësia dhe kompensimi i Këshillit drejtues
1. Anëtarët e Këshillit drejtues të teatrove kombëtare për punën e tyre i përgjigjen dhe i raportojnë
Ministrit.
2. Anëtarët e Këshillit drejtues të teatrit të qytetit për punën e tyre i përgjigjen dhe i raportojnë Kryetarit
të Komunës.
5
3. Anëtarët e Këshillit drejtues kompensohen për punën e tyre. Forma dhe shuma e pagesës caktohet
sipas legjislacionit në fuqi.
Neni 13
Udhëheqësit e teatrove publike
1. Teatrot publike kanë dy (2) udhëheqës:
1.1. Drejtorin e përgjithshëm;
1.2. Udhëheqësin artistik.
2. Udhëheqësit e teatrit zgjidhen me konkurs publik, të cilin e shpall Këshilli drejtues për teatrot
kombëtare dhe Komuna për teatrin e qytetit.
3. Mandati i udhëheqësve të teatrit është katër (4) vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje edhe për një mandat
tjetër.
4. Drejtori i përgjithshëm i teatrit duhet të jetë nga fusha e teatrit ose nga lëmitë tjera të përafërta të
kulturës.
5. Udhëheqësi artistik duhet të jetë nga fusha e teatrit.
6. Konkursi për zgjedhjen e udhëheqësve të teatrit shpallet një muaj para skadimit të mandatit të
udhëheqësve në detyrë.
7. Emërimin e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësin artistik e bën Këshilli drejtues i teatrit.
8. Shkarkimin e drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik e bën Këshilli drejtues i teatrit.
Neni 14
Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Publik
1. Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Publik ka këto përgjegjësi:
1.1. bën menaxhimin financiar, administrativ, teknik dhe promovues të teatrit;
1. 2. zbaton vendimet e Këshillit drejtues të teatrit;
1.3. propozon organizimin e brendshëm të teatrit tek Këshilli drejtues;
1.4. përfaqëson teatrin brenda dhe jashtë vendit;
1.5. propozon buxhetin vjetor para Këshillit drejtues;
1.6. kërkon, aplikon dhe negocion për marrjen e donacioneve;
1.7. mbikëqyrë të hyrat dhe shpenzimet buxhetore si dhe të donacioneve;
1.8. negocion dhe nënshkruan kontratat dhe marrëveshjet me artistë të pavarur dhe me palë
tjera;
1.9. menaxhon mirëmbajtjen dhe sigurimin e ndërtesës së teatrit;
1.10. menaxhon bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar;
1.11. për punën e tij i përgjigjet dhe i raporton Këshillit drejtues;
6
1.12. kryen edhe punë tjera të përcaktuara me ligj dhe statut.
Neni 15
Udhëheqësi artistik i Teatrit Publik
1. Udhëheqësi artistik i teatrit ka këto përgjegjësi:
1.1. propozon politikat artistike të teatrit dhe pas miratimit nga Këshilli drejtues i zbaton ato;
1.2. në konsultim me drejtorin e përgjithshëm bënë propozimin e repertorit artistik vjetor para
Këshillit drejtues të teatrit;
1.3. repertorin e zgjeruar në përpjesëtim dy për një e paraqet për miratim para Këshillit drejtues
të teatrit, duke krijuar hapësira për afirmimin e krijimtarisë kombëtare;
1.4. udhëheqë punën kreative të ansamblit rezident;
1.5. bën recension për çdo vepër skenike para hyrjes në repertorin vjetor të teatrit;
1.6. është përgjegjës për realizimin e repertorit vjetor të teatrit;
1.7. përcakton regjisorët dhe i ndihmon drejtorit të përgjithshëm në përzgjedhjen e ekipit artistik
të shfaqjeve;
1.8. i bën propozim drejtorit të përgjithshëm për bashkëpunim artistik me artistë dhe institucione
teatrore vendore dhe ndërkombëtare;
1.9. bashkë me drejtorin e përgjithshëm mbajnë përgjegjësi për çdo shfaqje publike të teatrit;
1.10. për punën e tij e njofton drejtorin e përgjithshëm kurse i përgjigjet dhe i raporton Këshillit
drejtues të teatrit.
Neni 16
Aktorët e teatrove publike
1. Teatrot kombëtare kanë ansamblet e tyre artistike rezidente me përbërje prej aktorëve të të gjitha
gjeneratave.
2. Aktorët e angazhuar në teatrot publike duhet të kenë shkollim adekuat akademik.
3. Ansamblin artistik rezident e përzgjedhë komisioni profesional i përbërë nga pesë (5) anëtarë.
4. Anëtarët e komisionit profesional përzgjidhen nga Këshilli drejtues i teatrit nga lista prej së paku tetë
(8) kandidatëve, të propozuar nga udhëheqësi artistik.
5. Komisionin e kryeson udhëheqësi artistik apo drejtori i përgjithshëm aty ku nuk është funksionale
pozita e udhëheqësit artistik.
6. Anëtarë të këtij Komisioni duhet të jenë artistë me reputacion dhe kredibilitet profesional në fushën e
teatrit.
7. Përzgjedhja e aktorëve për ansamblin rezident bëhet përmes procedurës së audicionit me konkurs
publik.
8. Organizimi, funksionimi, kategorizimi dhe kohëzgjatja e angazhimit në ansamblin artistik rezident
rregullohet me akt nënligjor.
7
9. Teatrot publike mund të angazhojnë edhe artistë dhe personel tjetër me kontratë mbi shërbime të
veçanta.
Neni 17
Punëtorët tjerë të Teatrit Publik
1. Teatrot publike kanë staf administrativ dhe teknik.
2. Përgjegjësitë, detyrat, të drejtat dhe numri i punëtorëve përcaktohen me akte nënligjore.
Neni 18
Teatri i Studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës
1. Teatri i Studentëve të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës themelohet dhe funksionon si
institucion në kuadër të Universitetit të Prishtinës.
2. Themelimi dhe funksionimi i tij përcaktohet me akte nënligjore nga Universiteti i Prishtinës.
Neni 19
Mjetet për financimin e punës së teatrove dhe shoqatave teatrore
1. Mjetet për punën e teatrove dhe të shoqatave teatrore nënkuptojnë mjetet për program, shpenzime
materiale, paga dhe honorare, mjetet për investime kapitale dhe investime për mirëmbajtje, të cilat
sigurohen në përputhje me ligjin në bazë të propozimit të pranuar të programit si dhe të planit financiar.
2. Mjetet financiare për punën e teatrove publike sigurohen nga Buxheti i Qeverisë së Republikës së
Kosovës.
3. Mjetet për punën e teatrove publike kombëtare i siguron Ministria, ndërsa mjetet financiare për punën
e teatrove të qyteteve i siguron komuna përkatëse.
4 Mjetet financiare për punën e teatrove dhe të shoqatave teatrore mund të sigurohen edhe nga të
hyrat vetanake, donacionet, sponsorzimet si dhe burimet tjera në përputhje me këtë ligj.
5. Ministria çdo vit shpall konkurs publik për financimin e projekteve teatrore.
6 Ministria së paku një herë në vit angazhon një auditor për auditim të pasqyrave financiare për teatrot
publike kombëtare.
7. Komuna së paku një herë në vit angazhon një auditor për auditim të pasqyrave financiare për teatrot
e qyteteve.
Neni 20
Shmangia e konfliktit të interesit në teatrot publike
1. Drejtori i përgjithshëm dhe udhëheqësi artistik, gjatë kohës së vazhdimit të mandatit të tyre, mund të
veprojnë në mënyrë artistike dhe të zhvillojnë punët e tyre artistike jashtë teatrit ku punojnë vetëm me
pëlqimin dhe miratimin me shkrim të Këshillit drejtues të teatrit, i cili në çfarëdo rasti duhet të përmbajë
kushtet për kryerjen e punëve të tilla.
2. Drejtori i përgjithshëm, udhëheqësi artistik dhe anëtarët e Këshillit drejtues të teatrit nuk kanë të
drejtë që gjatë mandatit të tyre të merren me punë krijuese të kontraktuara në teatrin ku punojnë.
3. Përjashtim nga paragrafi 2. i këtij neni bën nëse në Këshillin drejtues për anëtarë emërohet ndonjëri
nga trupa rezidente e teatrit.
8
4. Paraqitja e formave tjera të konfliktit të interesit zgjidhet në bazë të ligjeve në fuqi që e rregullojnë
këtë fushë.
Neni 21
Lënda arkivore
1. Teatrot publike duhet të ruajnë gjithë dokumentacionin në arkivat e tyre në pajtim me Ligjin për
arkivat shtetërore.
2. Nëse teatrot publike pushojnë së funksionuari dokumentacioni dhe lënda arkivore, në pajtim me
dispozitat e Ligjit për arkivat shtetërore i dorëzohen për ruajtje Agjencisë shtetërore të arkivave të
Kosovës.
Neni 22
Fundusi
1. Teatrot publike kanë fundusin e tyre në të cilin obligohen që t’i ruajnë kostumet, elementet
skenografike, rekuizitat e shfaqjeve si dhe materialet tjera.
2. Nëse teatrot publike pushojnë së funksionuari kostumet, elementet skenografike, rekuizitat e
shfaqjeve dhe materialet tjera kalojnë në pronësi të Ministrisë përkatëse për kulturë për teatrot
kombëtare dhe në Komunë për teatrot e qyteteve.
KREU II
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 23
Mbikëqyrja
Mbikëqyrjen e funksionimit dhe menaxhimit të teatrove kombëtare e bën Ministria përkatëse për kulturë
ndërsa për teatrot e qyteteve Komuna përkatëse.
Neni 24
Ndërtesa, hapësirat dhe infrastruktura e teatrove publike
1. Ndërtesa, hapësirat dhe infrastruktura e teatrove publike nuk mund të tjetërsohen dhe të ridestinohen
për aktivitete jo-artistike.
2. Hapësirat e teatrove publike mund të jepen në përdorim për aktivitete të ndryshme të përkohshme
vetëm në rastet kur ato nuk e pengojnë mbarëvajtjen e programit të teatrit.
Neni 25
Aktet nënligjore
1. Ministria përkatëse për kulturë brenda gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxjerr aktet
nënligjore.
2. Brenda gjashtë (6) muajve, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, teatrot publike obligohen që të bëjnë
harmonizimin e statutit dhe të akteve të tjera nënligjore në pajtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 26
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji për teatrin nr. 02/L-12.
9
Neni 27
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 04/L- 106
24 maj 2011
Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80
paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.