1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 14 / 1 QERSHOR 2012, PRISHTINË
LIGJI NR. 04/L-099
PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT NR. 03/L-109 DOGANOR
DHE TË AKCIZAVE NË KOSOVË
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E KODIT NR. 03/L-109 DOGANOR
DHE TË AKCIZAVE NË KOSOVË
Neni 1
Pas nenit 1 të ligjit bazik shtohet neni i ri 1.A me tekstin si në vijim:
1.A
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është plotësimi dhe ndryshimi i Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe të Akcizave në
Kosovë, me procedurat e operatorëve të autorizuar ekonomikë, procedurës së parashtrimit të
deklaratës përmbledhëse, vlerësimit të riskut, procedurës së ankesës dhe kundërvajtjes administrative.
Neni 2
Neni 6 i ligjit bazik, paragrafi 2 fshihet fjalia “përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave të njeriut
dhe një Gjyqtar” pjesa tjetër e tekstit mbetet e pa ndryshuar.
Neni 3
Pas nenit 10 të ligjit bazik shtohet neni i ri 10.A me tekstin si në vijim:
Neni 10.A
Operatorët e Autorizuar Ekonomik
1. Dogana, kur është e nevojshme pas konsultimeve me autoritetet tjera kompetente, do të lejojnë,
sipas kritereve të paraqitura në paragrafin 2. të këtij neni, statusin e operatorëve të autorizuar ekonomik
secilit operator ekonomik i themeluar në territorin doganor të Kosovës. Operatori i autorizuar ekonomik
do të përfitoj lehtësira në lidhje me kontrollet doganore të ndërlidhura me sigurinë dhe/apo nga
thjeshtëzimet e ofruara në bazë të dispozitave doganore. Statusi i operatorëve të autorizuar ekonomik i
nënshtrohet rregullave dhe kushteve të përcaktuara të paraqitura në paragrafin 2. të këtij neni, dhe
njihet nga Dogana pa paragjykuar kontrollet doganore. Dogana, duke u mbështetur në njohjen e
statusit të operatorit të autorizuar ekonomik dhe me kusht që kërkesat në lidhje me një lloj të veçantë
thjeshtëzimi janë plotësuar në përputhje me legjislacionin doganor, autorizojnë operatorin të përfitojë
nga ai thjeshtëzim.
2. Kushtet për lejimin e statusit të operatorit të autorizuar ekonomik përfshijnë:
a). pajtueshmërinë e të dhënave me kërkesat doganore;
2
b). një sistem të kënaqshëm të menaxhimit tregtar dhe kur është e përshtatshme të dhënat e
transportit që lejojnë kontroll doganor të përshtatshëm;
c). kur është e përshtatshme, dëshmia mbi aftësinë e pagesave; dhe
d). kur është e aplikueshme, standarde të përshtatshme të sigurisë.
3. Procedurat do të zbatohen për përcaktimin e këtyre rregullave:
a). për lejimin e statusit të operatorit të autorizuar ekonomik;
b). për lejimin e autorizimit për shfrytëzimin e thjeshtëzimeve;
c). për mundësinë e themelimit të zyrës kompetente doganore për lejimin e statusit të tillë dhe
autorizimit;
d). për llojin dhe shtrirjen e thjeshtëzimeve të cilat mund të lejohen në kuptim të kontrolleve
doganore në lidhje me sigurinë, duke i marrë për bazë rregullat e përgjithshme për menaxhimin
e rrezikut;
e). për konsultime me, dhe dhënien e informatave për autoritetet tjera doganore;
4. Kushtet në bazë të së cilave:
a). statusi i operatorit të autorizuar ekonomik mund të pezullohet ose revokohet, dhe
b). kushtet nën të cilat kërkesa e të qenit i themeluar në territorin doganor të Kosovës mund të
mos merret parasysh për kategoritë e veçanta të operatorëve të autorizuar ekonomik duke
marrë në konsideratë veçanërisht marrëveshjet ndërkombëtare.
5. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave nxjerr akt nënligjor për zbatimin e këtij neni.
Neni 4
Neni 11 i ligjit bazik, pas paragrafit 5. shtohet paragrafi 6. me tekstin si në vijim:
6. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës në konsultim me Ministrin e Financave nxjerr Udhëzimin
Administrativ për Implementimin e nenit 11 të Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë.
Neni 5
Pas nenit 10 të ligjit bazik shtohen tri nene të reja 41.A, 41.B dhe 41.C me tekstin si në vijim:
Neni 41.A
1. Mallrat e sjellura në territorin doganor të Kosovës mbulohen me deklaratë përmbledhëse, me
përjashtim të mallrave të bartura me mjete të transportit që kalojnë nëpër hapësirën ajrore të territorit
doganor pa u ndalur në brendi të territorit.
2. Deklarata përmbledhëse duhet të parashtrohet në zyrën doganore të hyrjes. Dogana mund të lejoj
parashtrimin e deklaratës në një zyrë tjetër doganore, me kusht që kjo zyrë menjëherë t’ia komunikojë
apo t’i bëjë të disponueshme në formë elektronike të dhënat e nevojshme zyrës doganore në hyrje.
Dogana mund të pranojë, në vend të parashtrimit të deklaratës përmbledhëse, parashtrimin e një
njoftimi dhe qasjen në të dhënat e deklaratës përmbledhëse në sistemin kompjuterik të operatorit
ekonomik.
3
3. Deklarata përmbledhëse duhet të parashtrohet para se mallrat të sjellën në territorin doganor të
Kosovës.
4. Ministria e Financave përmes aktit nënligjor për Implementimin e Kodit të Doganave dhe Akcizës me
ndryshime do të përcaktojë vendosjen e:
a). afatit kohor në bazë të së cilit deklarata përmbledhëse duhet të parashtrohet para se malli të
sjellët në territorin doganor të Kosovës;
b). përjashtimi nga rregullat dhe ndryshimet e afatit kohor të përmendur në pikën e parë; dhe
c). kushteve në bazë të së cilave kërkesat për deklaratën përmbledhëse mund të tërhiqen apo
të përshtaten, në përputhje me rrethanat specifike dhe për lloje të veçanta të mallrave të
trafikut, mënyrat e transportit dhe operatorëve ekonomik dhe kur marrëveshjet ndërkombëtare
parashikojnë masa të veçanta të sigurisë.
Neni 41.B
1. Procedura e paraparë me nenin 41.A të këtij ligji përdoret për të krijuar të dhëna të përcaktuara të
përbashkëta dhe formën për deklaratën përmbledhëse, që përmbajnë të dhënat e nevojshme për
analizën e rrezikut dhe zbatimin e duhur të kontrolleve doganore, kryesisht për qëllime të sigurisë, duke
përdorur, sipas rastit, standardet ndërkombëtare dhe praktikat tregtare.
2. Deklarata përmbledhëse duhet të bëhet duke përdorur një teknikë të përpunimit të dhënave. Të
dhënat nga dokumentet tregtare dhe të transportit mund të përdoren, me kusht që ato përmbajnë të
dhënat e nevojshme. Dogana mund të pranon deklaratat përmbledhëse në letër në rrethana të
jashtëzakonshme, me kusht që ata të aplikojnë të njëjtin nivel të menaxhimit të rrezikut si aplikohet për
deklaratat përmbledhëse të parashtruara duke përdorur një teknikë të përpunimit të dhënave.
3. Deklarata përmbledhëse duhet të parashtrohet nga personi që i sjell mallrat, ose që merr
përgjegjësinë për bartjen e mallrave në territorin doganor të Kosovës.
4. Pavarësisht detyrimit të personit të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni deklarata përmbledhëse
në vend të tij mund të parashtrohet nga:
a). personi në emrin e të cilit vepron personi i përmendur në paragrafin 3. të këtij neni;
b). çdo person që është në gjendje të paraqes mallrat në fjalë ose t’i ketë ato për paraqitje tek
autoritetet doganore; ose
c). një përfaqësues i një prej personave të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni apo në pikat
a). dhe b.) të këtij paragrafi.
5. Personi i cekur në paragrafët 3. dhe 4. të këtij neni, me kërkesën e tij, autorizohet të ndryshoj një ose
më shumë të dhëna në deklaratën përmbledhëse pasi që ajo të jetë parashtruar. Megjithatë asnjë
ndryshim nuk do të jetë i mundur pasi që Dogana:
a). ka njoftuar personin i cili e ka parashtruar deklaratën përmbledhëse se kanë për qëllim
kontrollimin e mallrave; ose
b). ka arritur në përfundim së të dhënat në fjalë janë të pasakta; ose
c). ka lejuar largimin e mallrave.
Neni 41.C
4
1. Zyra Doganore e hyrjes mund të heqë dorë nga parashtrimi i deklaratës përmbledhëse për mallrat të
cilat para kalimit të afatit të përmendur në paragrafët 3. dhe 4. të nenin 41.A. të këtij ligji, kanë
parashtruar deklarata doganore. Në këtë rast, deklarata doganore duhet të përmbajë së paku të dhënat
e nevojshme për një deklaratë përmbledhëse dhe deri sa është pranuar në përputhje me nenin 71 të
Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë, do të ketë statusin e deklaratës përmbledhëse. Dogana
mund të lejoj parashtrimin e deklaratës doganore në një zyrë doganore të importit të ndryshme nga
zyra doganore e hyrjes, me kusht që kjo zyrë komunikon menjëherë apo i vë në dispozicion në formë
elektronike të dhënat e nevojshme zyrës doganore të hyrjes.
2. Kur deklarata doganore është parashtruar ndryshe nga përdorimi i përpunimit teknik i të dhënave,
Dogana do të zbatojë nivelin e njëjtë të menaxhimit të rrezikut për të dhënat siç aplikohet për deklaratat
e bëra duke përdorur përpunimin teknik të të dhënave.
Neni 6
Pas nenit 181 të ligjit bazik shtohen katër nene të reja 181.A, 181.B, 181.C dhe 181.D me tekstin si në
vijim:
Neni 181.A
1. Mallrat që dalin nga territori doganor i Kosovës, me përjashtim të mallrave të bartura me mjetet e
transportit vetëm duke kaluar nëpër hapësirën ajrore të territorit doganor pa u ndalur brenda këtij
territori, mbulohen nga një deklaratë doganore ose kur deklarata doganore nuk është e nevojshme, nga
një deklaratë përmbledhëse.
2. Ministria e Financave përmes aktit nënligjor për Implementimin e Kodit të Doganave dhe Akcizës me
ndryshime përcakton vendosjen e:
a). afatit kohor në bazë të së cilit deklarata doganore ose një deklaratë përmbledhëse duhet të
parashtrohet në zyrën doganore të eksportit para se malli të dërgohet jashtë territorit doganor
të Kosovës,
b). përjashtimin nga rregullat dhe ndryshimet e afatit kohor të përmendura në pikën e parë, dhe
c). kushteve në bazë të së cilave kërkesa për deklaratën përmbledhëse mund të tërhiqet apo të
përshtatet, dhe
d). rastet dhe kushtet nën të cilat mallrat që dalin nga territori doganor i Kosovës nuk i
nënshtrohen deklaratës doganore ose deklaratës përmbledhëse, në përputhje me rrethanat
specifike dhe për lloje të veçanta të qarkullimit të mallrave, mënyrave të transportit dhe
operatorëve ekonomik si dhe kur marrëveshjet ndërkombëtare parashikojnë masa të veçanta të
sigurisë.
Neni 181.B
1. Kur mallrave që largohen nga territori doganor i Kosovës, iu është caktuar një trajtim i lejuar doganor
apo përdorim për të cilin qëllim kërkohet deklarata doganore në bazë të dispozitave doganore, kjo
deklaratë doganore duhet të parashtrohet në zyrën doganore të eksportit para se mallrat të dalin jashtë
territorit doganor të Kosovës.
2. Kur zyra doganore e eksportit është e ndryshme nga zyra doganore e daljes, zyra doganore e
eksportit duhet menjëherë të komunikoj ose t’i bëjë të disponueshme në formë elektronike të dhënat e
nevojshme zyrës doganore të daljes.
3. Deklarata doganore duhet të përmbajë së paku të dhënat e nevojshme për deklaratën përmbledhëse
të përmendur në paragrafin 1. të nenit 181.D të këtij ligji.
5
4. Kur deklarata doganore është parashtruar ndryshe nga përdorimi i përpunimit teknik i të dhënave,
Dogana do të zbatojë nivelin e njëjtë të menaxhimit të rrezikut për të dhënat, siç aplikohet për
deklaratat e bëra duke përdorur përpunimin teknik të të dhënave.
Neni 181.C
1. Kur mallrave që largohen nga territori doganor i Kosovës nuk iu është caktuar një trajtim i lejuar
doganor apo përdorim për të cilat është e nevojshme një deklaratë doganore, një deklaratë
përmbledhëse duhet të parashtrohet në zyrën doganore të eksportit para se mallrat të dalin jashtë
territorit doganor të Kosovës.
2. Dogana mund të lejojë që deklarata përmbledhëse të parashtrohet në një zyrë tjetër doganore, me
kusht që kjo zyrë menjëherë i komunikon apo i bënë të disponueshme në formë elektronike të dhënat e
nevojshme zyrës doganore të daljes.
3. Dogana mund të pranon, në vend të parashtrimit të deklaratës përmbledhëse, parashtrimin e një
njoftimi dhe qasjen në të dhënat e deklaratës përmbledhëse në sistemin kompjuterik të operatorit
ekonomik.
Neni 181.D
1. Procedura e paraparë me nenin 181.A, 181.B dhe 181.C do të përdoret për të krijuar të dhëna të
përcaktuara të përbashkëta dhe formën për deklaratën përmbledhëse, që përmbajnë të dhënat e
nevojshme për analizën e rrezikut dhe zbatimin e duhur të kontrolleve doganore, kryesisht për qëllime
të sigurisë, duke përdorur, sipas rastit, standardet ndërkombëtare dhe praktikat tregtare.
2. Deklarata përmbledhëse duhet të bëhet duke përdorur një teknikë të përpunimit të të dhënave. Të
dhënat tregtare dhe të transportit mund të përdoren, me kusht që ato të përmbajnë të dhënat e
nevojshme. Dogana mund të pranoj deklaratat përmbledhëse në letër në rrethana të jashtëzakonshme,
me kusht që ata të aplikojnë të njëjtin nivel të administrimit të rrezikut si aplikohet për deklaratat
përmbledhëse të parashtruara duke përdorur një teknikë të përpunimit të të dhënave.
3. Deklarata përmbledhëse duhet të parashtrohet nga:
a). personi që i sjell mallrat, ose që merr përgjegjësinë për bartjen e mallrave në territorin
doganor të Kosovës, ose
b). çdo person që është në gjendje të paraqes mallrat në fjalë ose t’i ketë ato për paraqitje tek
autoritetet doganore; ose
c). një përfaqësues i një prej personave të përmendur në pikat a). dhe b). të këtij paragrafi.
4. Personi i cekur në paragrafin 3. të këtij neni, me kërkesën e tij, autorizohet të ndryshoj një ose më
shumë të dhëna në deklaratën përmbledhëse pasi që ajo të jetë parashtruar. Megjithatë asnjë ndryshim
nuk do të jetë i mundur pasi që Dogana:
a). ka njoftuar personin i cili e ka parashtruar deklaratën përmbledhëse se kanë për qëllim
kontrollimin e mallrave; ose
b). ka arritur në përfundim së të dhënat në fjalë janë të pasakta; ose
c). ka lejuar largimin e mallrave.
6
Neni 7
Pas nenit 252 të ligjit bazik shtohet neni i ri 252.A me tekstin si në vijim:
Neni 252.A
1. Çdo person i cili ka kryer vepër apo për të cilin ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer ndonjë vepër të
paraparë me dispozitat e Kodit Doganor dhe Akcizave dhe ligjeve tjera të cilat i zbaton Dogana e
Kosovës, për të cilën vepër duhet të arrestohet, mund të arrestohet nga oficerët doganor të autorizuar
nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës sipas nenit 6.9.(a).
2. Kur nuk është e mundur të arrestohet personi në kohën e kryerjes së veprës apo ju ka shmangur
arrestit, ai mund të arrestohet nga çdo oficer doganor në momentin e parë të përshtatshëm sikur vepra
të ishte kryer në momentin final të arrestimit.
3. Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës do të sjellë Udhëzim Administrativ për zbatimin e kësaj
dispozite.
Neni 8
Neni 272 i ligjit bazik fshihet dhe riformulohet si në vijim:
“Në rastet e parashikuara me nenin 273 të Kodit Penal të Kosovës, kur shuma e detyrimeve
doganore të mallrave të importuara apo të eksportuara ilegalisht nuk e kalon shumën prej
pesëmijë (5.000) Euro në vend të dënimit penal do të aplikohet gjoba administrative. Gjoba
administrative do të konsiston në gjobë në të holla prej dyfishin e shumës së detyrimeve deri
dhjetëfishin e detyrimeve, gjobë e cila do t’i jepet personit përgjegjës ( kryesit ) nga zyra
përkatëse doganore”.
Neni 9
1. Neni 276 i ligjit bazik, pika z). shuma prej “pesëmijë (5.000) Euro” fshihet dhe zëvendësohet me
shumën prej “pesëqind (500) Euro”.
2. Neni 276 i ligjit bazik, pas pikës z). shtohet pika e re: zh). me tekstin si në vijim:
zh). për të gjitha shkeljet e parapara në nenin 276, do të gjobitet me gjobë në të holla në shumë
prej pesëqind (500) deri në dhjetëmijë (10.000) Euro.
Neni 10
Në tërë tekstin e nenit 298 dhe të nenit 299 të ligjit bazik, togfjalëshi “Shmangie Mashtruese”,
zëvendësohet me togfjalëshin “Evazion Fiskal”.
Neni 11
Pas nenit 291 të ligjit bazik shtohen dy nene të reja 291.A dhe 291.B me tekstin si në vijim:
Neni 291.A
Interpretimi
“Bordi i Pavarur i Rishqyrtimeve” do të thotë fillimisht Bordi i themeluar nën Direktivën Administrative të
UNMIK-ut Nr. 2000/7 të 12 prillit 2000 duke Implementuar Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/20 të 12
prillit 2000 në Procedurat dhe Administratat Tatimore, dhe i qeverisur aktualisht nga Ligji për procedurat
7
dhe administrimin e taksave Nr. 03/L-222. Gjykata kompetente do të thotë gjykata e përcaktuar me
Ligjin për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr.03/L-222.
Neni 291.B
Marrëveshja mbi taksat
Para seancës, palët mund të bëjnë zgjidhjen e kontestit, plotësisht ose pjesërisht, përmes një
marrëveshjeje në çështjet dhe shumën e tatimeve, detyrimeve, gjobave ose sipas interesit. Zgjidhja
duhet të bëhet me shkrim dhe të bëhet definitive pasi që të jetë ratifikuar nga Gjykata për shkak të
pajtueshmërisë së tij me parimin e drejtësisë dhe transparencës. Pasi që vendimi të bëhet definitiv,
gjykimi pranë Gjykatës përfundon dhe nuk lejohet asnjë kërkesë e mëtutjeshme nga administrata
doganore ose fiskale për të njëjtat fakte. Nëse vendimi është i pjesshëm, gjykata duhet të bëjë
përcaktimin e bilancit të diskutuar.
Neni 12
Neni 291 i ligjit bazik riemërtohet dhe riformulohet si në vijim:
Neni 291
Ankesat/Kërkesa për rishqyrtimin e vendimit
1. Çdo person i cili ka pranuar një vendim nga dogana ka të drejtë të kërkoj rishqyrtimin e tij, i cili ka të
bëjë me aplikimin e legjislacionit doganor, vendim i cili ka të bëjë me të në mënyrë direkte ose
indirekte.
2. Kërkesa për rishqyrtimin e vendimit i paraqitet Sektorit të Ankesave doganore brenda tridhjetë (30)
ditëve që nga data e pranimit të vendimit të kundërshtuar.
3. Sektori i Ankesave në rishqyrtim të vendimit doganor mund të:
a). refuzon kërkesën për rishqyrtim dhe konfirmon vendimin e kundërshtuar;
b). aprovon kërkesën dhe anulon vendimin e kundërshtuar;
c). aprovon kërkesën dhe revokon vendimin e kundërshtuar;
d). aprovon kërkesën pjesërisht dhe ndryshon vendimin e kundërshtuar.
4. Sektori i Ankesave doganore vendos në kërkesë për rishqyrtimin, përmes aktit me shkrim brenda
gjashtëdhjetë (60) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.
5. Vendimi i Sektorit të Ankesave mund të ankohet tek Bordi i Pavarur i Rishqyrtimeve, në pajtim me
Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222,
brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e pranimit të vendimit nga Sektori i Ankesave, për të gjitha
vendimet e pranuara deri më 30 nëntor 2012.
6. Nga 1 dhjetori 2012 organi kompetent i caktuar për të pranuar ankesën kundër vendimeve të
Sektorit të Ankesave do të jetë Divizioni Fiskal i Departamentit Administrativ të Gjykatës Themelore të
Prishtinës, në pajtim me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe
Procedurat Nr. 03/L-222.
7. Kur Bordi i Pavarur i Rishqyrtimit mbanë seancë të mbyllur, Dogana përgjigjet me shkrim brenda
tridhjetë (30) ditëve që nga dita e njoftimit të lidhur me ankesën.
8. Kur bordi mbanë seancë të hapur, Dogana përfaqësohet nga një përfaqësues i autorizuar.
8
9. Procedurat para gjykatës kompetente duhet të rregullohen nga rregullat procedurale të përcaktuara
me Ligjin për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222,
Ligji për gjykatat Nr. 03/L-199, Ligji për Konfliktet Administrative Nr. 03/L-202 dhe nga ndonjë ligj tjetër
relevant në Kosovë. Kundër vendimit të gjykatës kompetente, pala e interesuar mund te paraqet
ankesë në Gjykatën e Apelit në pajtim me Ligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për
Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222.
10. Nëse nuk është në kundërshtim me dispozitat përmbajtëse në këtë kod, dispozitat e Ligjit për
plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat Nr. 03/L-222 duhet të
gjejë aplikimin për gjithë procedurën e ankesave. Në rast se edhe me këtë ligj nuk është paraparë
rregullimi i ndonjë dispozite të procedurës së ankesës, do të gjejë zbatim Ligji i procedurës së
përgjithshme administrative si ligj subsidiar.
Neni 13
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 04/ L-099
3 maj 2012
Shpallur me dekretin Nr.DL-023-2012, datë 17.05.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.