LIGJI NR. 04/L-44 PËR KOMISIONIN E PAVARUR TË MEDIAVE

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 5 / 05 PRILL 2012, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L-44
PËR KOMISIONIN E PAVARUR TË MEDIAVE


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR KOMISIONIN E PAVARUR TË MEDIAVE


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim përcaktimin e kompetencave të Komisionit të Pavarur të Mediave (në tekstin e
mëtejmë: KPM) me qëllim të promovimit të zhvillimit të një tregu të shëndoshë të shërbimeve mediale
audiovizuele që u shërben të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Shërbimi medial audiovizuel - shërbimi i cili është nën përgjegjësinë editoriale të ofruesit të
shërbimeve programore dhe parim kryesor i së cilës është ofrimi i programeve me qëllim që të
informojnë, argëtojnë apo të edukojnë gjithë publikun përmes rrjeteve të komunikimeve
elektronike.

1.2. Ofrues i shërbimit medial - personi fizik ose juridik i cili ka përgjegjësi redaktuese për
përzgjedhjen e përmbajtjes audiovizuele të ofruesit të shërbimit medial dhe përcaktimin e
mënyrës së organizimit të tij.

1.3. Program - një pako e fotografive lëvizëse me ose pa zë që përbën një njësi të vetme brenda
orarit ose katalogjeve të programeve të vendosur nga ofruesi i shërbimit medial forma e të cilit
është e krahasueshme me formën dhe përmbajtjen e transmetimit televiziv. Shembujt e
programeve përfshijnë filmat e metrazhit të gjatë, ngjarjet sportive, komeditë, dokumentarët,
programet për fëmijë dhe dramat origjinale.

1.4. Përgjegjësia redaktuese – ushtrimi i kontrollit efektiv mbi përzgjedhjen e programeve dhe
mjeteve për ushtrimin e kontrollit efektiv mbi përzgjedhjen dhe organizimin e tyre në radhitje
kronologjike në rastin e transmetimit televiziv, ose në katalog në rastin e shërbimit medial
audiovizuel në bazë të kërkesës.

1.5. Transmetim - emetimi burimor i programit me valë difuzive nëpërmjet të transmetuesit
tokësor, rrjetit kabllor, transmetimit digjital, satelitor ose me pajisje të tjera elektronike, të koduar
apo të pakoduar, që i destinohen për shfrytëzim publikut që pranohen me radio, televizion ose
pajisje elektronike të veçanta për emetim, duke mos përfshirë komunikimet individuale;

2
1.6.Transmetues - personi juridik që ka përgjegjësi redaktuese për përbërjen e shërbimeve
programore televizive dhe të radios për pranim nga publiku i përgjithshëm dhe që i transmeton
ato apo bën që ato të transmetohen të tëra e të pandryshuara nga pala e tretë.

1.7.Transmetim televiziv - një shërbim medial audiovizuel i ofruar nga ofruesi i shërbimit medial
për shikim të njëkohshëm të programeve në bazë të një orari të programit.

1.8.Digjitalizimi - procesi i kalimit nga transmetimi analog i programeve në atë digjital/numerik.

1.9.Operator i rrjetit - personi juridik, i cili ofron çfarëdo forme të rrjetit për transmetim të
programeve ose një shërbim transmetimi për publikun, posedimin dhe korrespondimin e
licencave ose autorizimin e lëshuar nga KPM-ja.

1.10. Plani i frekuencave të transmetimit - plani i frekuencave të radio transmetimit ose të
transmetimit televiziv të caktuara nga autoriteti kompetent për telekomunikim për Komisionin e
Pavarur për Media dhe që menaxhohet nga Komisioni i Pavarur për Media.

1.11.Spektri i frekuencave të transmetimit - frekuencat që janë në dispozicion për caktimin e
radio transmetueseve dhe transmetuesve televizivë për përdorim të tyre në pajtueshmëri me
standardet e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, që nuk përfshin frekuencat që i
përdorin:

1.11.1. bartësit e rëndomtë të telekomunikimit, si, për të dhënat, për audio dhe video
materiale, siç janë telefonia mobile dhe pejxheri; si dhe,

1.11.2. transmetimet që nuk janë për opinion të gjerë, siç janë: policia, ushtria dhe
kanalet e emergjencës;

1.12.Komunikimi komercial audiovizuel - pamjet me ose pa zë të cilat janë prodhuar për qëllim
të promovimit, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, të mallrave, të shërbimeve apo pamjeve të një
subjekti fizik apo juridik i cili zhvillon aktivitet ekonomik. Pamjet e tilla bashkërenditen apo janë të
përfshira në program me pagesë në vlerë monetare ose në barasvlerë tjetër. Format e
komunikimit komercial audiovizuel përfshijnë, në mes tjerash, komunikimin komercial audiovizuel
televiziv, sponsorimin, teleshopingun dhe vendosjen e produkteve.

1.13.Reklamim - çfarëdo shpallje publike e transmetuar me pagesë apo shpërblim të ngjashëm,
për qëllime të vetë promovimit, që është i destinuar për promovimin e shitjes, blerjes apo
qiradhënies së një prodhimi apo shërbimi, për ta shtyrë përpara ndonjë ide apo çështje, ose për
të shkaktuar disa efekte tjera të dëshiruara nga reklamuesi apo nga vet transmetuesi;

1.14.Sponzorim - kontribut i ndonjë ndërmarrje publike ose private ose personi fizik që nuk është
i angazhuar në veprimtaritë transmetuese apo në produksionin e veprave audiovizuele, në
financimin direkt apo indirekt të ndonjë programi, por që synon promovimin e emrit, shenjës,
imazhit apo aktiviteteve të atij personi;

1.15.Teleshoping - transmetimi i drejtpërdrejtë i ofertave publikut me qëllim të ofrimit të mallrave
apo shërbimeve, duke përfshirë patundshmërinë, të drejtat apo detyrimet, si shpërblim për
pagesë;

1.16.Vendosja e produkteve - çdo formë të komunikimit komercial audiovizuel që përmban apo i
referohet një produkti, shërbimi apo shenje dalluese që është e paraqitur brenda programit,
zakonisht në shkëmbim me pagesë në vlerë monetare apo barasvlerë tjetër.

1.17.Mbrojtja e të miturve në transmetimet televizive – garantimi i mbrojtjes së fëmijëve dhe të
miturve nga përmbajtjet e programeve të cilat mund të ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre
3
fizik, mental, emocional dhe moral, dhe në veçanti ato që prezantojnë pornografinë dhe dhunën e
paarsyeshme.

1.18.Mbrojtja e të drejtës së autorit - respektimi i të drejtës dhe praktikës ndërkombëtare në
lidhje me mbrojtjen e të drejtës se autorit duke përfshirë, por duke mos u kufizuar në audio dhe
video materialet argëtuese.

1.19.Video sipas kërkesës - shërbimet e mediave jolineare audiovizuele - shërbimi medial
audio vizuel që sigurohet nga ofruesi i shërbimeve mediale për programet pamore në çastin e
caktuar nga përdoruesi dhe kërkesa e individit e bazuar në katalogun e programeve të zgjedhura
nga ofruesi medial i shërbimeve.

1.20.Subjekt Transmetues privat - çdo shërbim medial audiovizuel apo operator i rrjetit i
licencuar qoftë si OJQ apo biznes tregtar;

1.21.Transmetuesi Publik - Radio Televizioni i Kosovës.

1.22.Produksion i pavarur - çdo subjekt i regjistruar biznesor, që ka statusin e personit juridik i
cili në pajtim me ligjin realizon projekte dhe vepra përkatëse audiovizuele, në interes të publikut.


KREU II
KOMISIONI I PAVARUR I MEDIAVE

Neni 3
Kompetencat e KPM-së

1. KPM-ja është organ i pavarur i cili është kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e
spektrit të frekuencave të transmetimit. KPM-ja rregullon të drejtat, detyrimet si dhe përgjegjësitë e
personave fizik dhe juridik të cilët ofrojnë shërbimet mediale audio dhe audiovizuele.

1.1. KPM-ja përgatit Strategjinë për kalim ne transmetim Digjital ne Republikën e Kosovës si dhe
dokumentet tjera strategjike për shërbimet mediale audiovizuele, për miratim nga Qeveria.

2. Komisioni i Pavarur i Mediave, përveç kompetencave të përcaktuara në Kushtetutë, ushtron edhe këto
kompetenca:

2.1. licencon transmetuesit publik e privat dhe i ripërtërin licencat, duke iu dhënë subjekteve të
autorizuara të drejtën e përdorimit të frekuencave në Spektrin e Frekuencave të Transmetimit si
dhe licencon të gjitha shërbimet mediale audiovizuele;

2.2. vendosjen e sanksioneve për subjektet e licencuara të cilat bëjnë shkeljen e rregulloreve të
komisionit apo të kushteve dhe termeve të licencës;

2.3. shqyrton në mënyrë periodike Planin e frekuencave të transmetimit, do të bëjë ndryshime të
nevojshme si dhe njofton autoritetin përkatës – ART-në në lidhje me çdo ndryshim të planit
frekuencor;

2.4. aprovon kushtet për licencim dhe vendos në lidhje me aplikimet për licencat dhe për
rilicencim si dhe dhënien e të drejtës së përdorimit të frekuencave sipas planit të Spektrit të
Frekuencave të Transmetimit;

2.5. mbledh taksat për shfrytëzimin e frekuencave transmetuese nga subjektet e licencuara për
shërbime mediale audiovizuele dhe nga operatorët e rrjeteve;

4
2.6. nxjerr akte nënligjore për rregullimin e transmetimit dhe të shërbimeve mediale audiovizuele,
të cilat nevojiten për të kryer funksionet e saj në pajtim me standardet ndërkombëtare;

2.7.shqyrton propozimin për buxhetin vjetor të KPM-së dhe përmes Ministrisë përkatëse e dërgon
në Kuvend për miratimin e tij përfundimtar;

2.8. i paraqet Kuvendit të Republikës së Kosovës, deri me 31 mars te vitit vijues një raport vjetor,
duke përfshirë edhe të dhënat e plota në lidhje me përcaktimin dhe zbatimin e politikës së
transmetimit, dhënien e licencave dhe të ankesave, sanksionet që zbatohen dhe vendimet në
lidhje me to, aktivitetet financiare, aktivitetet e tjera të transmetimit si dhe objektivat për vitin e
ardhshëm. Raporti vjetor duhet të bëhet publik pas miratimit nga ana e Kuvendit të Republikës së
Kosovës.

2.9. emëron Kryeshefin e Zyrës Ekzekutive në pajtim me nenin 17 të këtij ligji;

2.10.nxjerr Kodin e Etikës për anëtarët dhe personelin e KPM-së;

2.11.nxjerr akte nënligjore që janë të nevojshme për zbatimin e këtij ligji.

Neni 4
Juridiksioni i KPM-së

1. KPM-ja ka juridiksion mbi ofruesit e shërbimeve mediale si vijon:

1.1. të cilat janë të themeluara dhe që vendimet redaktuese janë nxjerrë në Republikën e
Kosovës;dhe

1.2. kur ofruesi i shërbimit medial ka zyrën qendrore në Republikën e Kosovës por, vendimet
redaktuese janë marrë në vendet e BE-së apo në vendet e tjera.

Neni 5
Detyrat dhe përgjegjësitë e KPM-së

1.Detyrë dhe përgjegjësi e KPM-së është të nxisë dhe të mbajë një sistem të drejtë dhe të hapur për
licencimin dhe rregullimin e shërbimeve mediale audiovizuele dhe për menaxhimin e spektrit të
frekuencave të transmetimit në pajtim me standardet më të mira ndërkombëtare.

2.Objektiv shtesë i KPM-së i cili i nënshtrohet objektivit parësor të saj, është të kontribuojë në
profesionalizimin e shërbimeve mediale audiovizuele.

3.Pa paragjykuar arritjen e këtyre objektivave, KPM-ja mbështet lirinë dhe pluralizmin e shërbimeve
mediale audiovizuele.

Neni 6
Pavarësia e KPM-së

Anëtarët e KPM-së si dhe personeli i KPM-së, nuk marrin udhëzime nga ndonjë person apo subjekt tjetër,
duke përfshirë edhe subjektet qeveritare. Pavarësia e KPM-së respektohet në çdo kohë dhe asnjë person
apo subjekt nuk lejohet të ndikojë tek anëtarët e KPM-së në realizimin e detyrave të tyre.

Neni 7
Transparenca

1.KPM-ja përmes një procesi transparent i ofron publikut mundësi për qasje në licencat dhe aktet
nënligjore të nxjerra nga KPM-ja, si dhe vendimet publike që rezultojnë nga këto akte nënligjore.

5
2.KPM-ja duhet t’i ofrojë mundësinë publikut që të ketë qasje në dokumentacionin, shënimet për rastet
dhe vendimet e KPM-se dhe Bordit të Ankesave.

3.Qasja e publikut në dokumentacionin e KPM-së duhet të mbështetet në Ligjin për Qasje në dokumentet
publike si dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

4.Të gjitha mbledhjet e KPM-së janë të hapura për publikun, përveç nё rastet specifike kur është
përcaktuar ndryshe me legjislacionin në fuqi.

Neni 8
Konsultimet publike

1. Para miratimit të strategjisë, planit të licencimit dhe të akteve nënligjore për zbatimin e këtij ligji, KPM-ja
është e obliguar që vendimet, përkatësisht draftet e akteve nënligjore t’ia vë në disponim një spektri të
gjerë të subjekteve të interesuara.

2. Publiku dhe palët e interesuara duhet të kenë jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë pune në disponim
për të komentuar draftin. KPM-ja duhet t’i marrë parasysh mendimet e publikut mbi aktet e propozuara.

Neni 9
Politika e transmetimit

1. Politika e transmetimit e përcaktuar nga KPM-ja duhet të jetë në përputhje me standardet e pranuara
ndërkombëtare të transmetimit dhe të të drejtave të njeriut, legjislacionin përkatës të BE-se e në veçanti
me Direktivën e Komisionit Evropian AVMS duke respektuar plotësisht demokracinë dhe sundimin e ligjit
si dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

2. Politika e transmetimit duhet të jetë në pajtim me legjislacionin përkatës të Republikës së Kosovës,
përfshirë edhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

3. Politika e transmetimit, e përcaktuar nga KPM-ja, duhet të mbrojë dhe promovojë produksionin vendor,
të promovojë shërbime cilësore të shumëllojshme duke përfshirë shtrirjen gjeografike në mënyrën më të
mirë të mundshme për t’i shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë, të nxisë programe edukative
cilësore, të promovojë qëndrueshmëri financiare dhe cilësi teknike të transmetimit në Kosovë, të
promovojë përdorimin e teknologjisë së re, si dhe të reagojë në të drejtën e publikut për të ditur dhe për
t’u njoftuar përmes promovimit të programeve të sakta dhe informative.

4. Politika e transmetimit do të promovojë transmetimin e programeve vendore me karakter edukativ,
arsimor dhe kulturor sidomos për të rinjtë. Programet duhet të pasqyrojnë kërkesat për barazi mes
qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

5. Politika e transmetimit promovon produksione Evropiane me origjinë nga Shtetet anëtare si dhe
produksione me origjinë nga shtetet e treta Evropiane të përfshira në Konventën Evropiane për
Televizionin pakufi të Këshillit të Evropës.

6. Politika e transmetimit, do të promovojë zbatimin e dispozitave të cilat parandalojnë monopolizimin e
transmetimit në Kosovë duke promovuar konkurrencë të drejtë për ofrimin e shërbimeve mediale
audiovizuele.

Neni 10
Përbërja e KPM-së

1. KPM-ja përbëhet nga shtatë (7) anëtarë.

6
2. Anëtarët e KPM-së duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme si: kultura, arti,
drejtësia, kinematografia, gazetaria, biznesi, menaxhmenti, marrëdhënie me publikun, marrëdhënie
ndërkombëtare, media dhe teknologjia informative.

3. Anëtarët e KPM-së duhet të jenë individë me kredibilitet dhe autoritet të lartë njerëzor, profesional dhe
moral. Gjatë punës së tyre, anëtarët e KPM-së duhet të jenë plotësisht të përkushtuar, objektiv dhe të
paanshëm.

4. Anëtarët e KPM-së emërohen dhe veprojnë në kapacitetin e tyre personal dhe nuk përfaqësojnë asnjë
interes jashtë KPM-së. Atyre nuk u lejohet të kërkojnë apo pranojnë asnjë udhëzim në lidhje me
aktivitetet e KPM-së nga asnjë person apo subjekt jashtë KPM-së.

5. Përbërja e anëtarëve të KPM-së pasqyron karakterin shumetnik dhe gjinor të Kosovës. Së paku dy (2)
anëtarë të KPM-së emërohen nga radhët e komuniteteve joshqiptare dhe së paku dy (2) anëtarë duhet të
jenë të gjinisë femërore. Të paktën dy (2) anëtarë të KPM-së duhet të kenë kualifikime profesionale në
fushën e financimit, menaxhimit biznesor dhe të drejtësisë.

6. Anëtarëve të KPM-së u ndalohet keqpërdorimi i pozitës së tyre për përfitim personal apo të familjes së
tij të ngushtë, të ndonjë pale apo të entitetit tjetër.

Neni 11
Zgjedhja e anëtarëve të KPM-së

1.Anëtarët e KPM-së emërohen nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe
transparente.

2.Kandidatët për anëtarë të KPM-së zgjedhen sipas procedurave të mëposhtme:

2.1. brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh para kalimit të mandatit të anëtarit të KPM-së apo pas
shpalljes së vendit të lirë për arsye të tjera, KPM nxjerr shpalljen publike, brenda një periudhe jo
më të shkurtër se afati i përcaktuar me ligj;

2.2. kandidaturat e pranuara shqyrtohen nga një Komision ad –hoc i Kuvendit të Kosovës;

2.3. brenda periudhës kohore prej njëzetenjë (21) ditësh pas përfundimit të afatit për paraqitjen e
kandidaturës, komisioni ad-hoc, pas intervistimit rekomandon dy (2) kandidatë për çdo pozitë të
anëtarit të KPM-së, për të cilët konsideron se janë më të përshtatshmit në bazë të kompetencave,
përgatitjes profesionale integritetit dhe përkushtimit të tyre për fushëveprimin e KPM-së;

2.4. Bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, Kuvendi zgjedh njërin nga kandidatët e
rekomanduar me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që
votojnë.

Neni 12
Papajtueshmëria për të qenë anëtar i KPM-së

1. Personat që nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së janë:
1.1. nëpunësit e KPM-së dhe anëtarët e familjes së ngushtë të tyre;

1.2. ish- nëpunësit e punësuar në KPM në dy (2) vitet e fundit;

1.3. personat që mbajnë post publik të zgjedhur dhe të emëruar (funksionarët publik) apo
personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit;

7
1.4. është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në
këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit;

1.5. është anëtar i organit udhëheqës të ndonjë ndërmarrje publike;

1.6. ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose përfaqëson këtë interes, punon ose ka punuar në
ndonjë transmetues në punët e telekomunikimit ose të transmetimit dhe në KPM në dy (2) vitet e
fundit;

1.7. të mos jetë i dënuar për vepër penale të dënueshme mbi gjashtë (6) muaj;

1.8. pronarët apo bashkëpronarët e medieve transmetuese ose bizneseve reklamuese si dhe
anëtarët e familjes së ngushtë të tyre apo edhe të punësuarit në këto media;

1.9. është i angazhuar në aktivitete që mund të konsiderohen të jenë në kundërshtim dhe
paraqesin konflikt të interesit me funksionet në KPM-ë, siç është përcaktuar me ligjin në fuqi për
parandalimin e konfliktit te interesit.

2. Anëtari i KPM-së ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtroj veprimtari afariste me
institucionin e KPM-së.

Neni 13
Mandati i Anëtarëve të KPM-së

1. Mandati i anëtarëve të KPM-së do të jetë si në vijim:

1.1. dy (2) anëtarë të KPM-së do të emërohen me mandat dy (2) vjeçar,

1.2. tre (3) anëtarë me mandat tre (3) vjeçar dhe

1.3. dy (2) anëtarë me mandat katër (4) vjeçar.

2. Kohëzgjatja e mandatit të anëtarëve bëhet me short.

3. Mandati i kryetarit dhe nënkryetarit të KPM-së është dy (2) vite dhe me mundësi të rizgjedhjes vetëm
edhe për një mandat.

4. Anëtarët të KPM-së janë të angazhuar sipas detyrave dhe përgjegjësive që kanë dhe në bazë të
seancave dhe takimeve të KPM-së.

5. Anëtarët e KPM-së mund të ri-rizgjedhen vetëm edhe për një mandat tjetër.

Neni 14
Shkarkimi nga KPM dhe sjellja e anëtarëve

1. Shkarkimi i anëtarit të KPM-së, bëhet kur vërtetohet se ka ndonjë bazë për largim që parashihet me
nën-paragrafët 3.3., 3.4. dhe 3.5. të paragrafit 3. të këtij neni dhe që mund të zbatohet për anëtarin
përkatës.

2. Shkarkimi i një anëtari të KPM-së, do të bëhet sipas procedurës në vijim:

2.1. propozimi për shkarkim vie nga KPM me kërkesën e shumicës së thjeshtë të numrit të
anëtarëve të KPM-së ose /edhe të ndonjë iniciative tjetër nga jashtë.

2.2. Kuvendi i Kosovës me shumicë të thjeshtë do të vendos për shkarkimin ose jo të anëtarit të
KPM-së.
8
3. Shkarkimi i anëtarëve të KPM-së mund të bëhet sipas këtyre kushteve:

3.1. paaftësisë profesionale - nëse në mënyrë të dëshmuar dhe në vazhdimësi dështon ti
përmbushë detyrat e anëtarit të KPM-së;

3.2. paaftësisë mentale apo fizike për të kryer detyrat e anëtarit;

3.3. ka dështuar në realizimin e detyrave të tij për një periudhë të pandërprerë prej më shumë se
tre (3) muaj pa aprovim nga KPM-ja;

3.4. nëse anëtari është dënuar për vepër penale e cila është e dënueshme mbi gjashtë (6) muaj
burg;

3.5. nëse anëtari nuk i përmbush kushtet nën-paragrafëve 1.3., 1.4. dhe 1.5. të paragrafit 1. nenit
12 të këtij ligji.

3.6. mungesës në punë mbi një (1) muaj pa arsye;

3.7. ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i KPM-së.

4. Anëtarët e KPM-së mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim KPM-në të paktën tre (3) muaj
përpara.

Neni 15
Procedurat e punës së KPM-së

1. Anëtari më i vjetër i KPM-së e thërret mbledhjen e parë të KPM-së sa më parë që është e mundur, e
më së voni pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e emërimit të anëtarëve të KPM-së.

2. KPM-ja konsiderohet se është konstituar nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku dy të
tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së.

3. Kryetari i KPM-së, të paktën një herë në muaj, thërret mbledhjet e rregullta të KPM-së. Mbledhjet e
KPM-së mund të caktohen edhe me kërkesën e së paku katër (4) anëtarëve të KPM-së. Sipas nevojës
mbledhjet e KPM-së mund të caktohen edhe më shpesh.

4. Kuorumi i mbledhjeve të KPM-së është katër (4) anëtarë.

5. Mbledhjet e KPM-së i udhëheq kryetari në pajtim me Rregulloren e punës të KPM-së.

6. Në mungesë të kryetarit të KPM-së, mbledhjet i udhëheqë nënkryetari i KPM-së.

7. Procesi i punës së KPM-së dhe votimi gjatë vendimmarrjes është i hapur, përderisa nuk vendoset
ndryshe.

8. KPM-ja, sipas këtij ligji është i detyruar që për punën e vet t’i raportoj, themeluesit të tij, në mënyrë të
rregullt dhe të jashtëzakonshme.

9. Raportimi i rregullt i KPM-së për punën e tij, bëhet në mënyrë periodike – një (1) herë në çdo tre (3)
muaj dhe në fund të çdo viti. Raportimi i jashtëzakonshëm, bëhet sipas kërkesës së themeluesit.

10. Procedurat tjera për punën e KPM-së përcaktohen me Rregulloren e punës së KPM-së.

11. Në mbledhjen e parë anëtarët e KPM-së me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh kryetarin dhe
nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të KPM-së, nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku
dy të tretat (2/3) e anëtarëve të KPM-së.
9
12. Votimi për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së, bëhet me vota të fshehta.

13. Jo më shumë se dy (2) herë, anëtarët e KPM-së, mund të propozojnë dhe votojnë kandidatin e njëjtë
për kryetar dhe /ose nënkryetar të KPM-së.

14. Kushtet, kriteret dhe procedurat e mëtejme për punën e KPM-së, rregullohen me Rregulloren e punës
së KPM-së.

15. Kryeshefi Ekzekutiv merr pjesë në mbledhjet e KPM-së, si vëzhgues pa të drejtë vote.


KREU III
ZYRA EKZEKUTIVE

Neni 16
Funksionet e Zyrës Ekzekutive

1. Në kuadër të KPM-së funksionon Zyra Ekzekutive e cila ndihmon Komisionin në realizimin e detyrave
dhe përgjegjësive të KPM-së.

2.Zyra Ekzekutive udhëhiqet nga Kryeshefi Ekzekutiv i cili i përgjigjet drejtpërdrejtë KPM-së dhe Kryetarit.

3. Kryeshefi Ekzekutiv dhe nëpunësit e Zyrës Ekzekutive janë nëpunës civil.

4. Nën drejtimin e Kryeshefit, Zyra Ekzekutive duhet të zbatojë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e
përcaktuara nga KPM-ja brenda kornizës së buxhetit të caktuar në pajtim me këtë ligj.

5.Zyra Ekzekutive përgatit propozimin për buxhetin vjetor të KPM-së të cilin ia paraqet KPM-së për
miratim.

6. Zyra Ekzekutive është përgjegjëse për kryerjen e funksioneve dhe përgjegjësive tjera të caktuar me akt
të veçantë të KPM-së.

Neni 17
Kryeshefi Ekzekutiv i Zyrës Ekzekutive

1. Kryeshefi Ekzekutiv përveç detyrave tjera është përgjegjës për:

1.1. menaxhimin e nëpunësve civilë në KPM-ë;

1.2. menaxhimin me financat dhe me burimet tjera të financimit;

1.3. ofrimin e këshillave dhe politikave për KPM-në;

1.4. sigurimin e zbatimit të vendimeve, politikave dhe masave tjera të KPM-së në mënyrë efikase
dhe efektive;

1.5. që masat zbatuese të KPM-së të monitorohen rregullisht dhe që të merren masa korrigjuese
në rast të pengesave;

1.6. menaxhimin e rrjedhës së informacionit në KPM-ë;

1.7. bashkëpunimin dhe koordinimin e punëve me institucionet tjera, si dhe

1.8. detyrat dhe përgjegjësitë tjera të caktuara nga KPM-ja, ky ligj ose ligjet apo aktet tjera
nënligjore.
10
Neni 18
Emërimi i Kryeshefit Ekzekutiv

1. Emërimi i Kryeshefit Ekzekutiv bëhet nga KPM-ja në pajtim me dispozitat e legjislacionit për shërbimin
civil.

2. Të drejtat dhe përgjegjësitë e përcaktuara për nëpunësit e nivelit të lartë drejtues në shërbimin civil
vlejnë në mënyrë të përshtatshme edhe për Kryeshefin Ekzekutiv të KPM-së.

Neni 19
Papajtueshmëria për emërimin e Kryeshefit Ekzekutiv të KPM-së

1. Përveç përjashtimeve të parapara me legjislacionin për Shërbimin Civil, nuk mund të emërohet për
Kryeshef Ekzekutiv, personi që:

1.1. është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në
këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit;

1.2. ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose përfaqëson këtë interes, punon ose ka punuar në
ndonjë transmetues në punët e telekomunikimit ose të transmetimit në dy (2) vitet e fundit;

1.3. është pronar apo bashkëpronar i medieve transmetuese ose bizneseve reklamuese si dhe
anëtarët e familjes së ngushtë të tij;

1.4. është i angazhuar në aktivitete që mund të konsiderohen të jenë në kundërshtim dhe
paraqesin konflikt të interesit me funksionet në KPM-ë, siç është përcaktuar me ligjin në fuqi për
parandalimin e konfliktit te interesit.

Neni 20
Personeli i Zyrës Ekzekutive

1. Kryeshefi, në kuadër të buxhetit të KPM-së, pas shpalljes dhe nëpërmjet një procesi të hapur dhe
konkurrues, në pajtim me legjislacionin për Shërbimin Civil punëson personelin e Zyrës Ekzekutive të
KPM-së.

2. Kryeshefit Ekzekutiv dhe personelit të Zyrës Ekzekutive të KPM-së i ndalohet të kërkojnë ose pranojnë
udhëzime në ushtrimin e detyrave të tyre nga ndonjë autoritet tjetër përveç KPM-së dhe Bordit të
Ankesave për Media, përveç në rast se parashihet ndryshe me ligj.


KREU IV
LICENCIMI I SHËRBYESVE MEDIAL AUDIOVIZUEL

Neni 21
Licenca e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre

1.Për të ushtruar transmetim në Kosovë sipas kushteve të këtij ligji kërkohet licenca për transmetim, të
cilën e lëshon KPM-ja.

2.Licencat e transmetimit dhe ripërtëritja e tyre bëhet për një afat shtatë (7) vjeçar për radio transmetime,
ndërsa afati dhjetë (10) vjeçar është për shërbime mediale audiovizuele dhe për operatorët e rrjeteve për
ofrimin e shërbimeve mediale me përmbajtje audiovizuele.

3.Licencat nuk mund të shfrytëzohen dhe barten pa autorizimin dhe pa aprovimin paraprak me shkrim të
KPM-së.

11
4.Subjektet e licencuara duhet të veprojnë në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare, në
përputhje me politikat transmetuese, në pajtueshmëri të plotë më të gjitha aktet nënligjore si dhe me
kushtet dhe termet e licencës, siç janë të përcaktuara nga KPM-ja.

Neni 22
Aplikimet për licencat e transmetimit

1.Aplikimet për licencat e transmetimit do të bëhen në KPM-ë në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe me
procedurat që do të përcaktohen dhe publikohen nga KPM-ja.

2.Licenca e transmetimit mund t’i lëshohet vetëm personit juridik që përmbush kërkesat e parashikuara
në këtë ligj dhe kritereve të cilat KPM-ja mund t’i përcaktojë sipas një procedure të drejtë dhe të hapur të
konkurrimit.

3.Licenca e transmetimit nuk i lëshohet ose nuk do të vazhdoj t’i jepet:

3.1. partisë politike, bashkësisë fetare, grupit ose organizatës e cila menaxhohet nga individi i cili
mban post të zgjedhur ose është anëtar i një organi ekzekutiv të një partie politike;

3.2. personit juridik i cili menaxhohet nga një individ, i cili është i dënuar në një proces në
përputhje me standardet ndërkombëtare, për krime që kanë të bëjnë me dhunë apo mashtrime, të
cilat nuk i janë falur ligjërisht atij ose asaj.

4. KPM-ja me rastin e vlerësimit të aplikacioneve të parashtruara për licencat e transmetimit, do të marrë
parasysh kriteret e mëposhtme:

4.1. kapacitetin për zhvillimin e programit vetanak;

4.2. prejardhjen dhe shkallën e burimeve financiare të aplikantit;

4.3. realizueshmërinë financiare të propozimit të aplikantit;

4.4. kapacitetin teknik të aplikantit për të ofruar transmetim cilësor;

4.5. nevojën për të siguruar program të shumëllojshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës;

5. KPM-ja me akt nënligjor, mund të miratojë dhe aplikojë edhe kritere tjera për licencim dhe përtëritje të
licencës varësisht prej llojit dhe kategorisë së licencës që do të lëshojë.

6. Zyra Ekzekutive duhet të mbajë një regjistër të licencave të transmetimit, ku përfshihen kushtet e
aplikueshme për secilën licencë. Regjistri i licencave duhet të jetë në dispozicion për publikun.

Neni 23
Lëshimi i licencave për shërbime mediale audiovizuele

1. Kur KPM-ja vendos të lëshojë licenca të reja për shërbime mediale audiovizuele, do ta publikojë
gjerësisht një njoftim për këtë qëllim përmes Zyrës Ekzekutive. Në njoftim përfshihet i tërë informacioni
përkatës për licencat e propozuara të shërbimeve mediale audiovizuele, procesi për dorëzimin e
aplikacioneve, informacioni që kërkohet nga kandidatët, metodologjia dhe kriteret për vlerësimin e
aplikacioneve për licencat e shërbime mediale audiovizuele, dhe tarifat e përcaktuara për aplikacionin
dhe për kategorinë e licencës.

2. KPM-ja, përmes licencimit, duhet që të ndajë frekuenca të mjaftueshme, të disponueshme sipas planit
frekuencor për Kosovën, për Transmetuesin Publik për t’i mundësuar që t’i ofrojë popullsisë së Kosovës
një mbulim radio televiziv deri në masën maksimale të mundshme.

12
3. KPM-ja, brenda tridhjetë (30) ditësh pas përfundimit të datës për aplikim, vendos mbi bazat e
konkurrimit se a do t’ia lëshojë licencën një aplikanti, sipas rregullave të përcaktuara në nenet 21 dhe 22
të këtij ligji.

4. Në rrethana të jashtëzakonshme, KPM-ja mund të zgjasë afatin e kufizimit deri në maksimum
gjashtëdhjetë (60) ditësh. Kur data e përfundimit zgjatet, Zyra Ekzekutive i informon të gjithë aplikantët
dhe publikun për zgjatjen e afatit dhe arsyet për këtë.

5. Zyra Ekzekutive, aplikantëve dhe palëve të interesuara, u ofron mundësinë efektive që të bëjnë
paraqitjen e tyre para KPM-së.

6. Aktiviteti i ofrimit të shërbimeve mediale audio dhe/apo audiovizuele me porosi mund të kryhet nga
personat juridikë apo fizikë të cilët i përmbushin kushtet e përcaktuara në aktet nënligjore të nxjerra nga
KPM-ja.

Neni 24
Procesi i licencimit

1.Procesi i vlerësimit të aplikacioneve për licencë të shërbimeve mediale audiovizuele dhe ripërtrirja e
licencave duhet të jetë i drejtë dhe transparent.

2.Vendimet e KPM-së mbi refuzimin ose mosripërtrirjen e licencës për ofruesin e shërbimit media
audiovizuel duhet të jenë të arsyetuara me shkrim dhe ato u dorëzohen aplikantëve nëpërmjet Zyrës
Ekzekutive.

Neni 25
Ripërtëritja e licencave

Përveç rasteve kur KPM-ja konsideron se licenca nuk duhet të ripërtëritet për shkak të shkeljes së
dispozitave materiale nga ana e ofruesit të shërbimit medial audiovizuel privat për sa u përket kushteve
dhe kritereve të licencimit, kandidati ka të drejtë të kërkojë përtëritjen e licencës nga Zyra Ekzekutive
brenda gjashtë (6) muajve para skadimit të datës së licencës ekzistuese dhe minimum gjashtëdhjetë (60)
ditë para skadimit të licencës.

Neni 26
Tarifat vjetore të licencës

1.KPM-ja cakton një skemë për tarifat e licencës, për kategori të ndryshme të licencave të transmetimit që
do të paguhen për çdo vit nga të licencuarit. Në caktimin e nivelit të pagesës vjetore për licencë, KPM i
merr parasysh kushtet mbizotëruese të tregut.

2.Tarifa e licencës do të jetë e njëjtë në kuadër të çdo kategorie të licencave.

3.KPM-ja e rishikon dhe mund të bëjë ndryshime në skemën e tarifave të licencave çdo dy (2) vjet.

4.Tarifat vjetore të licencave mblidhen nga Zyra Ekzekutive. Paratë e mbledhura do të plotësojnë
buxhetin e KPM-së dhe do të depozitohen në tërësi në një xhirollogari të KPM-së që caktohet nga
autoriteti qeveritar kompetent për çështjet fiskale.

5.Zyra Ekzekutive do të jetë përgjegjëse për mirëmbajtjen e shënimeve për të gjitha pagesat e tarifave të
licencave. Ky proces do t’u nënshtrohet procedurave normale të revizionit, ashtu siç parashihen nga
autoriteti qeveritar kompetent për çështjet fiskale.




13
Neni 27
Komunikimet Komerciale

1.Komunikimet audiovizuele duhet të jenë lehtësisht të identifikueshme si të tilla. Spotet e izoluara
reklamuese dhe të teleshopingut, përveç atyre në transmetimin e ngjarjeve sportive, mbeten përjashtim.

2.Komunikimi i fshehtë audiovizuel komercial është i ndaluar.

3.Komunikimet audiovizuele komerciale nuk mund të përdorin teknikat e subkoshiencës.

4.Komunikimet audiovizuele komerciale nuk mund të paragjykojnë:

4.1. respektin për dinjitetin njerëzor;

4.2. diskriminimin në baza gjinore, racore, prejardhjes etnike, kombëtare, religjionit apo besimit,
aftësive të kufizuara, moshës dhe orientimit seksual;

4.3. sjellje paragjykuese ndaj shëndetit apo sigurisë apo mbrojtjes së mjedisit.

5.Ndalohen të gjitha format e komunikimeve audiovizuele komerciale lidhur me cigaret dhe produktet tjera
të duhanit.

6.Komunikimet audiovizuele komerciale lidhur me pijet alkoolike nuk duhet të jenë të drejtuara në mënyrë
specifike për të rinjtë dhe nuk inkurajojnë konsumim të tepërt të pijeve të tilla.

7.Ndalohet komunikimi audiovizuel komercial për produktet medicinale dhe trajtimet mjekësore që mund
të merren vetëm me recetë të mjekut.

8.Komunikimet audiovizuele komerciale nuk:

8.1. shkaktojnë dëm fizik apo moral ndaj të miturve;

8.2. i inkurajojnë drejtpërsëdrejti të miturit për të blerë apo marrë me qira një produkt apo shërbim
përmes shfrytëzimit të papërvojës apo lehtëbesimin e tyre;

8.3. inkurajojnë drejtpërsëdrejti të miturit për t’i bindur prindërit a tyre apo tjerët që të blejnë
mallrat apo shërbimet të cilat reklamohen;

8.4. shfrytëzojnë besimin e veçantë që të miturit e kanë te prindërit, mësimdhënësit apo personat
tjerë;

8.5. paraqesin në mënyrë të paarsyeshme të miturit në situata të rrezikshme.

9. Reklamat dhe teleshopingu në programe audiovizuele futen mes programeve. Spotet reklamuese dhe
teleshopingu mund të futen edhe gjatë programeve audiovizuele, por vetëm në mënyrë të tillë që
integriteti i programeve, duke marrë parasysh pauzat e natyrshme brenda, si dhe kohëzgjatjen dhe
natyrën e programit, si dhe të drejtat e bartësve të të drejtave, nuk paragjykohen.

10. Asnjë reklamë apo teleshoping nuk futet brenda transmetimit të shërbesave fetare.

11. Programet e fëmijëve, kur kohëzgjatja e tyre është më pak së tridhjetë (30) minuta, nuk ndërpritet me
spote reklamuese dhe/ose teleshoping. Programet e fëmijëve mund të ndërpriten me reklama apo/dhe
teleshoping një herë për secilën periudhë të përcaktuar prej së paku tridhjetë (30) minutash, me kusht që
kohëzgjatja e paraparë e programit të jetë më e madhe sesa tridhjetë (30) minuta.

12. Teleshopingu për medikamente, produkte mjekësore dhe trajtime mjekësore është i ndaluar.
14
13. Reklamimi dhe teleshopingu për alkool dhe pije alkoolike duhet të jetë në përputhje me kriteret në
vijim:

13.1.nuk mund të jenë të orientuara veçanërisht kah të miturit, apo në veçanti, që të paraqesin të
miturit duke konsumuar ato pije;

13.2.nuk mund të lidhin konsumimin e alkoolit me performancë më të mirë fizike apo me vozitjen;

13.3.nuk duhet të krijojnë përshtypjen që konsumimi i alkoolit kontribuon në suksese në shoqëri
apo suksese seksuale;

13.4.nuk duhet të pretendojë që alkooli ka cilësi terapeutike apo që është stimulues, qetësues
apo mënyrë e zgjidhjes së konflikteve personale;

13.5.nuk duhet të inkurajojë konsumim të pakujdesshëm të alkoolit, apo të paraqesë abstinencën
apo përmbajtjen nga konsumi në mënyrë negative;

13.6.nuk duhet të vërë theksin në shkallën e lartë alkoolike si cilësi pozitive e pijeve.

14.Kohëzgjatja e spoteve të reklamave dhe spoteve të teleshopingut brenda një ore kohore të caktuar,
me përjashtim të kanaleve televizive ekskluzivisht të përkushtuara ndaj reklamimit dhe teleshopingut, si
dhe kanaleve televizive ekskluzivisht të përkushtuara ndaj vetë-promovimit, nuk mund të jetë më e gjatë
sesa dymbëdhjetë (12) minuta. Kohëzgjatja e reklamimit dhe teleshopingut për Transmetuesin Publik
rregullohet me aktet nënligjore të nxjerra nga KPM-ja.

15.Dispozita e paragrafit 14. të këtij neni nuk vlen për njoftimet e bëra nga transmetuesi televiziv në lidhje
me programet e veta dhe produktet anësore që rrjedhin drejtpërdrejt nga këto programe, njoftimet e
sponsorizimit dhe vendosjet e produkteve.

16.Hapësirat e teleshopingut duhet të jenë qartësisht të identifikuara si të tilla me mjete optike dhe
akustike, si dhe duhet të kenë kohëzgjatje të pandërprerë së paku prej pesëmbëdhjetë (15) minutash.

17.Programet audiovizuele ose radiofonike të cilat mund të dëmtojnë rëndë zhvillimin fizik, mendor apo
moral të të miturve, sidomos programet që përfshijnë pornografi apo dhunën e paarsyeshme, janë të
ndaluara.

18.Transmetimi i programeve audiovizuele apo radiofonike që kanë mundësi të pengojnë zhvillimin fizik,
mendor apo moral të të miturve janë të ndaluara, përveç në rastet kur sigurohen nga transmetuesi
televiziv apo radiofonik, duke zgjedhur kohën e transmetimit, apo me ndonjë masë teknike, që të miturit
në zonën e transmetimit nuk do të dëgjojnë apo shohin transmetimet e tilla. Kur ato programe
transmetohen në formë të pakoduar, transmetuesi duhet të sigurojë që ato paraprihen nga një vërejtje
zanore apo të jenë të identifikuara me praninë e simboleve vizuale përgjatë gjithë kohëzgjatjes së tyre.

19.KPM-ja do të përcaktojë me akte nënligjore sjelljen e transmetuesit në rastin e përmendur në
paragrafin 17.dhe 18. të këtij neni.

20.Dispozitat e këtij ligji vlejnë mutatis mutandis për kanalet programore televizive ekskluzivisht të
përkushtuara ndaj reklamimit dhe teleshopingut, si dhe për kanalet programore televizive ekskluzivisht të
përkushtuara ndaj vetë-promovimit, me përjashtim të paragrafit 14. të këtij neni.

Neni 28
Kërkesat për raportim

1. Shërbimet e licencuara mediale audiovizuele duhet t’i paraqesin raport vjetor KPM-së, në të cilin
përfshihet informacioni përkitazi me programin dhe veprimin në përputhje me kushtet e licencës së
bashku me një raport financiar të detajuar dhe informacione të tjera të parapara me ligj.
15
2. Raportet vjetore duhet të dorëzohen në KPM-ë jo më larg se me datë 31 mars të vitit vijues, për vitin
paraprak.

3. KPM-ja mund të kërkojë informacion të mëtejshëm nëse konsideron se informacioni i paraqitur në
raportet vjetor nuk është i plotë.

4. KPM-ja nuk do t’ia publikojë asnjë personi informacionin e ndjeshëm komercial dhe financiar që
paraqitet në raportin vjetor të të licencuarve, përveç në rastet kur me ligj kërkohet të veprohet ndryshe.

Neni 29
Shkelja e kushteve të licencës

1. KPM-ja monitoron shërbimet mediale audiovizuele dhe mund të iniciojë dhe të pranojë ankesa përkitazi
me mosveprimin në përputhje me kushtet e licencës, kodit të sjelljes, dhe akteve tjera juridike në
pajtueshmëri me këtë ligj.

2. KPM-ja do t’i shqyrtojë ankesat që pohojnë shkeljen e kushteve të licencës, kodit të sjelljes dhe akteve
tjera juridike në pajtueshmëri me këtë ligj.

3. KPM-ja përmes Zyrës Ekzekutive e njofton subjektin transmetues me shkrim për çdo pohim lidhur me
shkeljen e kushteve të licencës, kodit të sjelljes dhe akteve tjera juridike në pajtueshmëri me këtë ligj, dhe
siguron që subjekti transmetues të ketë mundësi të arsyeshme për të bërë prezantim dhe për të paraqitur
dëshmi.

4. Pas përfundimit të hetimit, KPM-ja nxjerr vendim duke marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e
rastit përkatës.

5. Kundër vendimeve të KPM-së, ofruesi i shërbimit medial audiovizuel ka të drejtë ankese në afat prej
tridhjetë (30) ditësh në Bordin e Ankesave.

Neni 30
Sanksionet

1. Për shkelje të kushteve të licencës, kodit të sjelljes dhe akteve tjera juridike në pajtueshmëri me këtë
ligj, KPM-ja mund t’u lëshojë të licencuarve vërejtje me shkrim ose t’u shqiptojë një apo më shumë prej
këtyre sanksioneve:

1.1. t’i urdhërojë subjektit tё licencuar që t’i transmetojë publikisht detajet e natyrës dhe shkallës
së shkeljes së kushteve të licencës, kodeve të sjelljes, dhe akteve tjera juridike në pajtueshmëri
me këtë ligj;

1.2. të kërkojë nga i licencuari që të transmetojë korrigjimin ose të kërkojë falje përmes
transmetimit;

1.3. t’i vendosë një gjobë në vlerë jo më pak se njëmijë (1.000) Euro dhe jo më shumë se
njëqindmijë (100.000) Euro.

1.4. të kërkojë pezullimin e një pjese ose gjithë programin e të licencuarit për një periudhë të
caktuar kohore;

1.5. t’ia ndryshojë kushtet e licencës së transmetuesit;

1.6. t’ia ndërpresë apo refuzojë vazhdimin e licencës së transmetimit.

2. Vendimi i KPM-së për të vënë një apo më shumë sanksione të paraqitura në nenet me lartë, zbatohet
atëherë kur:
16
2.1. asnjë ankesë e pranueshme kundër vendimit të KPM-së nuk është bërë brenda periudhës
kohore të lejuar për ankesa në Bordin e Ankesave në bazë të paragrafit 5. të nenit 29 të këtij ligji;
dhe

2.2. një ankesë e pranueshme paraqitet brenda afatit të caktuar dhe vendimi i nxjerrë nga Bordi
për Ankesa e mbështet vendimin e KPM-së. Megjithatë në raste të veçanta, nëse vendoset nga
KPM-ja, sanksioni i vënë duhet të hyjë në fuqi menjëherë. Ankesa nuk e ndalon ekzekutimin e
vendimit.

3. Kur transmetuesi nuk e respekton sanksionin, KPM-ja mund të marrë masa të nevojshme të lejuara
nga ligji i zbatueshëm dhe me ndihmën e organeve kompetente të zbatoj vendimin përkatës.

4. Gjobat që paguhen sipas nën-paragrafit 1.3. të paragrafit 1. të këtij neni derdhen në Buxhetin e
Kosovës.

5. Kushdo që operon pa leje transmetuese valide i konfiskohet aparatura përkatëse për transmetim.
Subjekti i tillë transmetues nuk mund të ankohet tek Bordi për Ankesa.

6. Sanksionet e përcaktuara në nën-paragrafët 1.4., 1.5. dhe 1.6. të paragrafit 1. të këtij neni nuk vlejnë
për transmetuesin publik.

7. Të gjitha vendimet e KPM-së të nxjerra sipas këtij neni, duke përfshirë çfarëdo sanksionesh të
shqiptuara, do të publikohen.

8. KPM-ja për kryerjen e funksioneve të saj si dhe zbatimin e vendimeve bashkëpunon me organet
kompetente për zbatimin e ligjit në Kosovë.


KREU V
DISPOZITAT E APLIKUESHME PËR TË GJITHË SHËRBIMET AUDIOVIZUELE

Neni 31
Sponzorizimet

1.Shërbimet audiovizuele mediale dhe programet që sponsorizohen duhet t’i plotësojnë kriteret si në
vijim:

1.1. përmbajta e tyre dhe, në rast të transmetimit televiziv, orari i tyre në asnjë rrethanë nuk duhet
të ndikohet ashtu që të prekë përgjegjësinë dhe pavarësinë editoriale të ofruesit të shërbimit
medial;

1.2. ata nuk do të inkurajojnë drejtpërsëdrejti blerjen apo huamarrjen e mallrave apo shërbimeve,
posaçërisht duke iu bërë referencë të veçantë promovuese këtyre mallrave apo shërbimeve;

1.3. shikuesit do të njoftohen në mënyrë të qartë për ekzistimin e një marrëveshjeje sponsorizimi;

1.4. programet e sponsorizuara do të identifikohen në mënyrë të qartë nëpërmjet emrit, logos
dhe/apo çfarëdo simboli tjetër të sponsorit, si për shembull një referencë për produktin(t) ose
shërbimit(ve) të tij apo një shenje dalluese që gjendet aty në një mënyrë të duhur për programet
në fillim, gjatë dhe/apo pas përfundimi të programeve.

2.Shërbimet mediale audiovizuele apo programet nuk do të sponsorizohen nga personat fizik a juridik,
veprimtaria kryesore e së cilëve është prodhimi apo shitja e duhanit apo produkteve tjera të duhanit.

3.Sponsorizimi i shërbimeve mediale audiovizuele apo i programeve nga personat fizikë a juridikë,
veprimtaria e së cilave përfshin prodhimin apo shitjen e produkteve mjekësore dhe trajtimin mjekësor,
17
mund të promovojë emrin apo pamjen e personave fizikë apo juridikë por nuk do të promovojë produktet
e veçanta mjekësore apo trajtimet mjekësore në dispozicion vetëm me përshkrim.

4.Programet e lajmeve dhe ngjarjeve aktuale nuk do të sponsorizohen.

5.Ndalohet paraqitja e logove sponsorizuese gjatë programeve për fëmijë dhe programeve fetare.

6.Dispozitat e këtij neni do të zbatohen mutatis mutandis për shërbimet mediale të radiove.

Neni 32
Vendosja e produktit

1. Ndalohet vendosja e produktit.

2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni, vendosja e produkteve lejohet:

2.1. në veprat kinematografike, filma dhe seritë që krijohen për shërbimet e mediave
audiovizuele, programet e sportit dhe programet e lehta argëtuese, përveç programeve për
fëmijët, ose

2.2. kur nuk ka pagesë por vetëm dispozita për mallra apo shërbime të ofruara pa pagesë, si
skena produkti dhe shpërblimet, me qëllim të përfshirjes së tyre në një program audiovizuel.

3. Programet audiovizuele që përmbajnë vendosje të produktit do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e
mëposhtme:

3.1. përmbajtja e tyre dhe, në rast të transmetimit televiziv, orari i tyre në asnjë rrethanë nuk do të
ketë një ndikim të atillë sa për të ndikuar në përgjegjësinë dhe pavarësinë editoriale të ofruesit të
shërbimeve mediale;

3.2. ato nuk do të inkurajojnë drejtpërdrejtë blerjen apo huamarrjen e mallrave apo të
shërbimeve, në veçanti duke iu referuar promovimit të posaçëm të atyre mallrave apo
shërbimeve;

3.3. ato nuk do t’i japin rëndësi të tepruar produktit në fjalë;

3.4. shikuesit do të informohen në mënyrë të qartë për ekzistimin e vendosjes së produktit,

3.5. ato do të identifikohen në mënyrë të duhur në fillim dhe në mbarim të programit, si dhe kur
një program vazhdon pas pauzës së reklamave për të shmangur çfarëdo hutimi të shikuesit.

4. Përjashtimisht nën-paragrafëve 3.4 dhe 3.5 të paragrafit 3. të këtij neni nuk do të zbatohen kur
programet audiovizuele përmbajnë vendosjen e produkteve që as nuk janë prodhuar, as miratuar nga
ofruesi i shërbimeve mediale apo nga një kompani e ndërlidhur me ofruesin e shërbimeve mediale.

5. Në çdo rast, programet audiovizuele nuk do përmbajnë vendosjen e produktit të:

5.1. produkteve të duhanit apo cigareve ose vendosjen e produktit nga personat fizik a juridik,
veprimtaria kryesore e së cilave është prodhimi ose shitja e duhanit dhe produkteve tjera të
duhanit, ose

5.2. produktet e veçanta mjekësore apo trajtimet mjekësore që jepen vetëm me përshkrim.

6. Dispozitat e këtij neni do të zbatohen vetëm për programet audiovizuele të prodhuara pas datës 19
dhjetor 2009.

18
Neni 33
Mbrojtja e fëmijëve dhe e të miturve

1. KPM-ja do të ndërmarrë masat e duhura për të siguruar që transmetuesit televiziv nga transmetuesit
nën juridiksionin e tyre nuk përfshijnë asnjë program i cili mund të dëmtonte në mënyrë serioze zhvillimin
fizik, mental dhe moral të të miturve, në veçanti programet më përmbajtje pornografike ose dhunë
ekstreme.

2. Masat e ofruara nga paragrafi 1 kanë efekt po ashtu në programet tjera të cilat do të mund ta dëmtonin
zhvillimin fizik, mental dhe moral të të miturve me përjashtim të rasteve kur është siguruar, me anë të
selektimit të kohës nga transmetuesi ose nga ndonjë masë teknike, që të miturit në hapësirën e
transmetimit nuk do ta shohin ose dëgjojnë transmetimin e tillë.

3. Në ndërkohë, kur programet e tilla transmetohen në formë të pakoduar, KPM-ja do të sigurojë që ato
janë të shoqëruara nga një vërejtje akustike ose janë të identifikuara me prezencën e një simboli pamor
gjatë kohëzgjatjes së tyre.

4. Shërbimet mediale audiovizuele me pagesë që mund të dëmtojnë seriozisht zhvillimin fizik, mendor
apo moral të të miturve vihen në dispozicion vetëm në atë mënyrë që siguron se të miturit, në rrethana
normale, nuk do t’i shohin apo dëgjojnë shërbimet e tilla mediale audiovizuele me pagesë.

Neni 34
Qasja e personave me aftësi të kufizuar

KPM-ja do të inkurajojë ofruesit e shërbimeve audiovizuele që të sigurojnë që shërbimet e tyre në mënyrë
graduale bëhen të qasshme për njerëzit apo personat me paaftësi dëgjimi dhe të të pamurit.

Neni 35
E drejta e reagimit në transmetimin televiziv

E drejta e korrigjimit të informatave të transmetuara, apo replikës ndaj një informate të transmetuar,
ushtrohet në pajtim me Kodin Etik të Transmetuesve.


KREU VI
BORDI PËR ANKESA

Neni 36
Përgjegjësitë

1.Bordi për Ankesa (tash e tutje “Bordi i Ankesave”) është i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij.

2.Bordi për Ankesa shqyrton ankesat e palëve ndaj vendimeve të KPM-së që drejtpërdrejtë i nënshtrohen
vendimit përsa i përket:

2.1. dhënies, refuzimit, mosripërtёrirjes ose revokimit të lejes transmetuese;

2.2. vënies ose ndryshimit të kushteve të lejes së transmetimit, me përjashtim të kushteve që
kanë të bëjnë me caktimin e frekuencave apo kritereve të tjera teknike;

2.3. shqiptimit të sanksioneve; dhe

2.4. çështjeve tjera të ngjashme që mbështeten në aktet nënligjore.

3.Bordi i Ankesave mund të mbështes, ndryshojë ose shfuqizojë çdo vendim të KPM-së, duke vepruar
sipas ankesës për vendimin përkatës.
19
Neni 37
Përbërja e Bordit për Ankesa

1. Bordi për Ankesa përbëhet prej tre (3) anëtarёve.

2. Kandidatët për anëtarë të Bordit për Ankesa duhet të kenë:

2.1. provimin e jurisprudencës.

2.2. të kenë minimum pesë (5) vjet përvojë profesionale në fushën e avokaturës, çështje
gjyqësore, ligjit administrativ, rregullimin e mediave apo politikën rregullative;

3. Anëtarët e emëruar në Bordin për Ankesa duhet të jenë figura eminente me karakter dhe moral të lartë,
paanshmëri dhe integritet, dhe të cilët posedojnë një përkushtim të dëshmuar të administrimit të duhur të
drejtësisë.

Neni 38
Zgjedhja e anëtarëve të Bordit për Ankesa

1. Anëtarët e Bordit për Ankesa emërohen nga Kuvendi i Kosovës në bazë të procedurave të hapura dhe
transparente.

2. Kandidatët për anëtarë të Bordit për Ankesa zgjedhen sipas procedurave të mëposhtme:

2.1. brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh para kalimit të mandatit të anëtarit të Bordit apo pas
shpalljes së vendit të lirë për arsye të tjera, Kuvendi i Kosovës në pajtim me Rregulloren e punës
nxjerrë shpalljen publike, brenda një periudhe jo më të shkurtër se afati i përcaktuar me ligj;

2.2. kandidaturat e pranuara shqyrtohen nga një Komision ad –hoc i Kuvendit të Kosovës;

2.3. brenda periudhës kohore prej njëzetenjë (21) ditësh pas përfundimit të afatit për paraqitjen e
kandidaturës, komisioni, pas intervistimit rekomandon dy (2) kandidatë për çdo pozitë të anëtarit
të Bordit për Ankesa, për të cilët konsideron se janë më të përshtatshmit në bazë të
kompetencave, përgatitjes profesionale, integritetit dhe përkushtimit të tyre;

2.4. bazuar në Rregulloren e punës së Kuvendit, Kuvendi zgjedh njërin nga kandidatët e
rekomanduar me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që
votojnë.

Neni 39
Papajtueshmëria për të qenë anëtar i Bordit për Ankesa

1. Personat në vijim nuk mund të jenë anëtarë të Bordit për Ankesa:

1.1. nëpunësit e KPM-së dhe anëtarët e familjes së ngushtë të tyre;

1.2. ish- nëpunësit e punësuar në KPM në dy (2) vitet e fundit;

1.3. personat që mbajnë post publik të zgjedhur dhe të emëruar (funksionarët publik) apo
personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit;

1.4. është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në
këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit;

1.5. është anëtar i organit udhëheqës të ndonjë ndërmarrje publike;

20
1.6. ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose përfaqëson këtë interes, punon ose ka punuar në
ndonjë transmetues në punët e telekomunikimit ose të transmetimit;

1.7. të mos jetë i dënuar për vepër penale të dënueshme mbi gjashtë (6) muaj;

1.8. pronarët apo bashkëpronarët e medieve transmetuese ose bizneseve reklamuese si dhe
anëtarët e familjes së ngushtë të tyre apo edhe të punësuarit në këto media;

1.9. është i angazhuar në aktivitete që mund të konsiderohen të jenë në kundërshtim dhe
paraqesin konflikt të interesit me funksionet në Bordin për Ankesa, siç është përcaktuar me ligjin
në fuqi për parandalimin e konfliktit te interesit.

2. Anëtari i Bordit për Ankesa ose anëtari i ngushtë i familjes së tij nuk guxon të ushtroj veprimtari afariste
me institucionin e KPM-së.

Neni 40
Mandati i Anëtarëve të Bordit për Ankesa

1. Anëtarët e Bordit për Ankesa emërohen me mandat tre (3) vjeçar.

2. Nga radhët e anëtarëve të Bordit për Ankesa, Kuvendi zgjedh Kryetarin e Bordit për Ankesa.

3. Anëtarët e Bordit për Ankesa, mund të ri-rizgjedhen vetëm edhe për një mandat tjetër.

Neni 41
Shkarkimi nga Bordi për Ankesa dhe sjellja e anëtarëve

1.Shkarkimi i anëtarit të Bordit për Ankesa, bëhet kur vërtetohet se ka ndonjë bazë për largim që
parashihet me nën-paragrafët 3.3., 3.4. dhe 3.5. të paragrafit 3. të këtij neni dhe që mund të zbatohet për
anëtarin përkatës.

2. Shkarkimi i një anëtari të Bordit për Ankesa, do të bëhet sipas procedurës në vijim:

2.1. propozimi për shkarkim vie nga Bordi për Ankesa, me kërkesën e shumicës së thjeshtë të
numrit të anëtarëve të KPM-së ose /edhe të ndonjë iniciative tjetër nga jashtë.

2.2. Kuvendi i Kosovës me shumicë të thjeshtë do të vendos për shkarkimin ose jo të anëtarit të
Bordit për Ankesa.

3. Shkarkimi i anëtarëve të Bordit për Ankesa, mund të bëhet sipas këtyre kushteve:

3.1. paaftësisë profesionale - nëse në mënyrë të dëshmuar dhe në vazhdimësi dështon ti
përmbushë detyrat e anëtarit të Bordit për Ankesa;

3.2. paaftësisë mentale apo fizike për të kryer detyrat e anëtarit;

3.3. ka dështuar në realizimin e detyrave të tij për një periudhë të pandërprerë prej më shumë se
tre (3) muajve pa aprovim nga Bordi për Ankesa;

3.4. nëse anëtari është dënuar për vepër penale e cila është e dënueshme mbi gjashtë (6) muaj
burg;

3.5. nëse anëtari nuk i përmbush kushtet sipas nën-paragrafëve 1.3., 1.4. dhe 1.5. të paragrafit 1.
nenit 12 të këtij ligji;

3.6. mungesës pa arsye më tepër se dy (2) herë në mbledhje radhazi;
21
3.7. ka marrë pjesë aktive në aktivitete politike pasi që është emëruar si anëtar i Bordit për
Ankesa.

4. Anëtarët e Bordit për Ankesa, mund të japin dorëheqje duke njoftuar me shkrim Bordit për Ankesa, të
paktën tre (3) muaj përpara.

Neni 42
Procedurat e Bordit për Ankesa

1. Kryetari i Bordit për Ankesa, në bashkëpunim me Zyrën Ekzekutive, thërret takimet e Bordit për
Ankesa.

2. Bordi për Ankesa duhet që të miratojë me shumicë votash dhe të publikojë një kornizë procedurale për
seancat, e cila do të garantoj seanca të ndershme dhe të paanshme. Kjo kornizë duhet të përfshijë edhe
dispozitat mbi procedurën e parashtrimit të ankesave, hulumtimet nga ana e Bordit për Ankesa si dhe
llojin e provave që mund të jenë të pranueshme gjatë seancave. Kjo informatë duhet të bëhet publike.
Këto rregulla, ndonjë rregull e re apo ndryshim, mund të ndryshohen apo të zëvendësohen me votim
unanim të Bordit për Ankesa dhe duhet të bëhen publike.

3. Bordi për Ankesa mund t’ia delegojë funksionet e tij Zyrës Ekzekutive në lidhje me pranueshmërinë e
ankesave dhe materialit dëshmues, nën mbikёqyrjen e Bordit për Ankesa.

Neni 43
Dorëzimi i Ankesës

1. Ankesat i parashtrohen Bordit për Ankesa brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga pranimi i vendimit të
KPM-së. Ankesa bëhet me shkrim dhe duhet të përcillet me dokumente ose dëshmi që mund të kërkohen
nga Bordi i Ankesave në pajtim me paragrafin 2. të nenit 42 të këtij ligji.

2. Bordi për Ankesa do t’i merr parasysh vetëm ankesat e bazuara në informacione ligjërisht relevante të
cilat nuk ishin të disponueshme në kohën e marrjes së vendimit të KPM-së, apo të bazuara në mundësi
se ekzistonte gabim procedural dhe material i bërë nga ana e KPM-së gjatë marrjes së vendimit.

3. Bordi për Ankesa mundet që pa dëgjim të hedh poshtë ankesat të cilat nuk janë të bazuara në njërën
nga këto dy mundësi, apo të cilat, nën dispozitat e vendosura nga Bordi për Ankesa në pajtueshmëri me
paragrafin 2. të nenit 42 të këtij ligji janë të papranueshme sepse janë të pa vlera keqdashëse apo të
pabaza.

Neni 44
Vendimet e Bordit të Ankesave

1. Bordi për Ankesa, lidhur me ankesat e parashtruara nga mediat, nxjerr vendimin përfundimtar me
shkrim. Ky vendim u dorëzohet palëve dhe publikohet nëpërmjet Zyrës së Kryeshefit.

2. Vendimet e Bordit për Ankesa janë përfundimtare dhe u nënshtrohen vetëm shqyrtimit procedural të
Gjykatës Supreme të Kosovës, në pajtim me ligjin në fuqi.










22
KREU VII
FINANCIMI I KPM-së

Neni 45
Burimet e financimit

1.KPM-ja financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës. KPM-ja ka vijën e vetë buxhetore e cila i
garanton pavarësinë, dhe këto mjete i lejohen për shfrytëzim pas një plani paraprakisht të përgatitur për
zhvillimin e aktiviteteve të rregullta vjetore të tij.

2.KPM-ja mund të marr kontribute nga donatorët në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe ato nuk duhet të
ndikojnë në pavarësinë e KPM-së.

3.Për kontributet e donatorëve që pranohen, duhet te njoftohet Kuvendi.

4.Niveli i kompensimit të kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së dhe anëtarëve të Bordit për Ankesa, caktohet
në pajtim me Ligjin për pagat e zyrtarëve të lartë.


KREU VIII
DISPOZITAT E PËRKOHSHME DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 46
Vazhdimësia e punës

1.Që nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Komisioni aktual, bordi i ankesave dhe menaxhmenti i KPM-së
do të vazhdojnë t'i kryejnë detyrat e përcaktuara nga ky ligj deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj sipas
këtij ligji por më së largu brenda tre (3) muajve.

2.Të gjitha licencat të lëshuara nga KPM-ja në pajtim me legjislacionin e mëparshëm do të vazhdojnë të
jenë të vlefshme deri në ditën e skadimit të tyre të rregullt. Licencat aktuale, pas skadimit të tyre do të
përsëriten në pajtim me këtë ligj dhe aktet e tjera nënligjore te lëshuara nga KPM-ja.

3.Brenda gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, KPM-ja do të nxjerrë aktet nënligjore në pajtim
me këtë ligj.

Neni 47
Digjitalizimi

Procesi i kalimit në transmetim digjital do të rregullohet me ligj të veçantë.

Neni 48
Shfuqizimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji nr.02/L-15 për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe
Transmetimin.










23
Neni 49
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn nё fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-044
2 mars 2012

Shpallur me dekretin Nr.DL-009-2012, datë 26.03.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.