LIGJI NR. 04/L-075 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 2003/24 PËR SPORT

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 02 / 20 JANAR 2012, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L-075
PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 2003/24 PËR SPORT


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 2003/24 PËR SPORT

Neni 1

Neni 1 i ligjit bazik riformulohet si vijon:

Me ketë ligj rregullohet organizimi, kushtet dhe mënyrat e zhvillimit të veprimtarive sportive, të drejtat,
detyrat dhe përgjegjësitë e bartësve të tyre, garat sportive, financimi, mbikëqyrja si dhe çështjet e tjera
me rëndësi për këto veprimtari, veçanërisht themelimi, regjistrimi dhe menaxhimi i organizatave
sportive.

Neni 2

1. Neni 5 i ligjit bazik, paragrafi 5.1. riformulohet si vijon:

Sipas këtij ligji, veprimtari sportive konsiderohet edukimi sportiv dhe aktivitetet sportive të orientuara në
arritjen e rezultateve në garat sportive si dhe:

2. Neni 5 i ligjit bazik, paragrafi 1. pikat e paragrafit mbeten të pa ndryshuara.

Neni 3

Në nenet 10 dhe 11 të ligjit bazik togfjalëshi “Interesi publik e kosovar” zëvendësohet me togfjalëshin
“Interesi publik shtetëror”.

Neni 4

1. Neni 19 i ligjit bazik paragrafi 19.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

19.1. Ministria përkatëse për sport në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës, me
Federatat Sportive dhe institucionet tjera kompetente harton Strategjinë për zhvillimin e
sportit dhe planin e veprimit dhe i propozon Qeverisë miratimin e saj.

2. Neni 19 i ligjit bazik pas paragrafit 19.3. shtohen edhe dy paragraf të ri 19.4. dhe 19.5. me tekstin si
vijon:

19.4. Me Strategjinë për zhvillimin e sportit dhe planin e veprimit përcaktohen detyrat dhe
përgjegjësitë e organeve qendrore dhe lokale të Komitetit Olimpik të Kosovës, të Komitetit
Paraolimpik, të Federatës sportive të të shurdhërve, të Federatave sportive të Kosovës dhe
shoqatave sportive.


2
19.5. Organet e përcaktuara sipas paragrafit 19.4. të këtij neni i raportojnë me shkrim
Ministrisë përkatëse për Sport mbi realizimin e detyrave të dhëna brenda afateve të
përcaktuara ne Strategjinë për zhvillimin e sportit dhe planin e veprimit.
Neni 5

Neni 20 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

Qëllimet dhe synimet e organizimit të veprimtarive sportive janë:

- masivizimi dhe zhvillimi i sportit për të gjithë;

- ngritja e vazhdueshme e cilësisë së sportit profesionist;

- strukturimi i organizatave sportive, me qëllim të saktësimit të funksionit publik shtetëror të
sportit;

- shfrytëzimi i përvojave më të mira bashkëkohore, që synojnë ndërkombëtarizimin e sportit të
Kosovës dhe integrimin e tij në sportin evropian e botëror.

Neni 6

Titulli i Kreut V. “Asociacioni Olimpik i Kosovës” zëvendësohet me tekstin “ Komiteti Olimpik i
Kosovës”

Neni 7

Neni 21 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

21.1. Komiteti Olimpik i Kosovës është institucioni me i lartë sportiv joqeveritar, ku bashkohen federatat
sportive, shoqatat sportive dhe shoqatat tjera, veprimtaria e të cilave është me rëndësi për zhvillimin e
sportit dhe në harmoni me statutin dhe rregulloret e tij.

21.2. Komiteti Olimpik i Kosovës krijon kushte për zhvillim të papenguar të sportit dhe të lëvizjes
olimpike në Republikën e Kosovës dhe është i pavarur në veprimtarinë e tij.

Neni 8

Neni 22 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

Komiteti Olimpik i Kosovës funksionon në bazë të parimeve të lëvizjes olimpike, të Kartës Olimpike dhe
nevojave të lëvizjes olimpike. Komiteti Olimpik i Kosovës me aktet e veta përcakton organizimin e
brendshëm, funksionimin dhe mënyrën e punës, anëtarësimin dhe mënyrën e realizimit të të drejtave
dhe obligimeve, mënyrën e përdorimit dhe mbrojtjes së simboleve dhe shenjave të Komitetit Olimpik
Ndërkombëtar dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Neni 9

Neni 23 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

23.1 Komiteti Olimpik i Kosovës nxitë dhe përcjellë zhvillimin e sportit në Republikën e Kosovës, si dhe:

- merr pjesë në propozimin dhe realizimin e masave për përparimin dhe zhvillimin e sportit;

- kontribuon dhe merr pjesë në organizimin e lojërave olimpike dhe garave tjera
ndërkombëtare sportive, përcakton nomenklaturën e sporteve, bashkërendon aktivitetet e
3
federatave sportive, shoqatave sportive për realizimin e Strategjisë për zhvillimin e sportit dhe
planit te veprimit;

- vepron në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Sportive dhe Institucionet tjera
përkatëse në përparimin e punës shkencore në sport dhe ndihmon në aftësimin dhe përparimin
e kuadrit profesional;

- kontribuon për arritjen e rezultateve kulmore të sportistëve të Kosovës dhe pjesëmarrjen e
tyre në ekipet sportive kombëtare në lojërat olimpike, në kampionatet evropiane dhe botërore
dhe garat tjera ndërkombëtare;

- ndihmon lidhjen e Republikës së Kosovës nëpërmjet sportit me shtetet tjera për afrim më të
madh me popujt tjerë,për afrimin e sportistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në manifestimet
sportive;

- angazhohet për promovimin e parimeve olimpike dhe normave etike e morale në sport si dhe
mbrojtjen e simboleve dhe shenjave të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Komitetit Olimpik të
Kosovës;

- përfaqëson sportin e Kosovës para Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, organizatave dhe
shoqatave sportive përkatëse ndërkombëtare në kuadër të lëvizjes olimpike.

23.2. Statutet e anëtarëve të Komitetit Olimpik të Kosovës, duhet të jenë në harmoni me statutin e tij.

Neni 10

Neni 24 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

24.1. Mjetet financiare për veprimtarinë e Komitetit Olimpik të Kosovës, deri në njohjen nga Komiteti
Olimpik Ndërkombëtar, sigurohen nga Buxheti i Kosovës nëpërmjet Ministrisë përkatëse për Sport.

24.2. Aktivitetet e Komitetit Olimpik të Kosovës, përkrahen financiarisht nga Ministria përkatëse për
Sport dhe nga burimet tjera të parapara me këtë ligj.

24.3. Republika e Kosoves njeh vetëm një Komitet Olimpik të Kosovës dhe asnjë organizatë tjetër nuk
mund të marrë atributet e Komitetit Olimpik të Kosovës.

Neni 11

Neni 25 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

25.1. Në kuadër të Komitetit Olimpik të Kosovës, si trup i pavarur për arbitrim në sport, funksionon
Këshilli i Arbitrazhës Sportive dhe Gjykata e Arbitrazhës Sportive për zgjidhjen e kontesteve lidhur me
sportin.

25.2. Këshilli i Arbitrazhës Sportive vendos për kërkesën dhe shqyrtimin e jashtëzakonshëm të
vendimeve të federatave sportive, të shoqatave sportive, të klubeve kundër të cilave janë shtjerrur ose
nuk ekzistojnë mjete tjera të mbrojtjes juridike.

25.3. Këshilli i Arbitrazhës Sportive kryen mbikëqyrjen e përgjithshme të punës së gjykatës së
arbitrazhes sportive dhe jep mendime juridike në kërkesat e Komitetit Olimpik të Kosovës ose me
propozim të federatave sportive të Kosovës, klubeve dhe shoqatave sportive.

25.4. Gjykata e Arbitrazhës Sportive vendos lidhur me kërkesën e palëve të cilat janë pajtuar me
kompetencën e kësaj gjykate në kontestet e krijuara gjatë veprimtarisë sportive, për të drejtat me të
cilat disponojnë lirisht, nëse me ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
4

25.5. Me aktet e brendshme Komiteti Olimpik i Kosovës rregullon kompetencën, përbërjen,
funksionimin, organizimin dhe procedurën për Këshillin e Arbitrazhes Sportive dhe për Gjykatën e
Arbitrazhës Sportive.

Neni 12

Neni 26 i ligjit bazik titullohet dhe teksti i dispozitës ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

Neni 26
Komitetit paraolimpik i Kosovës, Federata sportive e të shurdhërve dhe olimpiada speciale e
Kosovës

26.1. Federatat Sportive të personave me aftësi të kufizuara bashkohen në Komitetin paraolimpik të
Kosovës, respektivisht në Federatën sportive të të shurdhërve, ndërsa institucionet dhe personat tjerë
juridik me qëllim të praktikimit të aktiviteteve specifike sportive e rekreative të personave me aftësi të
kufizuara bashkohen në Olimpiadën speciale të Kosovës me status të Federatës sportive kombëtare.

26.2. Sportistët e kategorizuar me aftësi të kufizuara dhe të shurdhrit, i gëzojnë të drejtat nga neni 40
paragrafit 1. të ligjit bazik.

Neni 13

1. Neni 33 i ligjit bazik paragrafi 33.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

33.1. Federatat e Sportit veprojnë mbi bazën e këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi.


2. Neni 33 i ligjit bazik pas paragrafit 33.4. shtohet një paragraf i ri 33.5. me tekstin si vijon:

33.5. Federatat e Sportit janë të obliguara që të kryejnë auditimin e pavarur në çdo fund vit.

Neni 14

Neni 40 i ligjit bazik paragrafi 40.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

40.1. Ministria përkatëse për Sport në bashkëpunim me Komitetin Olimpik të Kosovës bëjnë
kategorizimin e sporteve dhe sportistëve me rregullore të veçantë sipas standardeve ndërkombëtare.

40.2. Kategorizimi i sporteve dhe sportisteve bëhet në bazë të rezultateve të arritura në:

- Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike;

- Kampionate Botërore;

- Kampionate Evropiane;

- Kampionate Ballkanike;

- Lojërat Mesdhetare;

- Kampionate Vendore.

40.3. Sportisti i kategorizuar evidentohet në regjistrin e sportistëve të kategorizuar dhe të njëjtit i
lëshohet vendimi me shkrim, kundër të cilit mund të parashtrohet ankesë në Ministrinë përkatëse për
Sport në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve.
5

40.4. Ministria përkatëse për Sport financon përgatitjen e sportistëve të ekipit kombëtar për
pjesëmarrje në gara sportive ndërkombëtare.

40.5. Mënyrën e shpërblimit të fituesve të kampionateve kombëtare të Kosovës në kategorinë e
seniorëve e përcakton Ministria përkatëse për Sport me akt nënligjor.

40.6. Me propozim të Federatës, Ministria përkatëse për Sport ndanë bursa për shpresat olimpike të
cilat rregullohen me akt nënligjor.

40.7. Me propozim të Ministrisë përkatëse për Sport Qeveria e Kosovës nxjerrë akt nënligjor për
përcaktimin e vlerës së shpërblimeve të sportistëve të kategorizuar.

40.8. Me propozimin e Ministrisë përkatëse për Sport, Qeveria e Kosovës ofron mbështetje të
përhershme financiare për sportistet të cilët kanë fituar medalje në lojërat olimpike, në kampionatet
botërore, kampionatet evropiane.

Neni 15

1. Neni 50 i ligjit bazik paragrafi 50.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

50.1. Ministria përkatëse për Sport, në mënyrë të veçantë mbikëqyrë:

- përmbushjen e kushteve për realizimin e interesit publik me rëndësi për sportin kosovar.


2. Neni 50 i ligjit bazik pikat tjera të paragrafit 50.1. mbeten të pa ndryshuara në ligjin bazik.


3. Neni 50 i ligjit bazik paragrafi 50.3. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

50.3. Organi mbikëqyrës i Ministrisë përkatëse për Sport në përputhje me ketë ligj shqipton masa
disiplinore ndaj personave dhe organizatave sportive.

4. Neni 50 i ligjit bazik paragrafi 50.4. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

50.4. Themelimi, përbërja dhe kompetencat e Organit Mbikëqyrës përcaktohen me akt nënligjor.

Neni 16

Neni 51 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

51.1. Me qëllim të realizimit të aktiviteteve sportive të nxënësve, këshilli shkollor në shkolla fillore dhe të
mesme themelon ekipet sportive shkollore, pa status juridik, të cilat shfrytëzojnë me prioritet hapësirat
Shkollore. Këshilli Shkollor në shkolla fillore dhe të mesme, organizon garat sportive në bashkëpunim
me Federatën e Sportit Shkollor.

51.2. Ministritë përkatëse për Sport dhe Arsim, me memorandum të përbashkët përcaktojnë mënyrën e
themelimit, detyrat, fushëveprimin dhe financimin e organizimit të sportit shkollor si dhe obligohen për
zbatimin e tyre.

Neni 17

Neni 52 i ligjit bazik paragrafi 52.2. fshihet nga teksti i ligjit.


6

Neni 18

Pas nenit 52 të ligjit bazik shtohen edhe dy nene të reja 52A dhe 52B me tekstin si vijon :


Neni 52A
Sporti universitar

52.1. Në kuadër të universiteteve të Kosovës mund të formohen shoqatat sportive të studentëve.

52.2. Me qëllim të realizimit të aktiviteteve sportive të Studenteve, këshilli studentor nëpër fakultete
themelon ekipet sportive studentore, pa status juridik, të cilat shfrytëzojnë me prioritet hapësirat
universitare.

52.3. Ekipet sportive studentore, mund të themelojnë shoqatën e sporteve universitare.


Neni 52B
Sporti rekreativ

52.1. Personat fizik dhe juridik mund të themelojnë klubet sportive rekreative me qëllim të ruajtjes dhe
përmirësimit të shëndetit.

52.2. Shoqatat e sportit rekreativ mund të formohen nga më së paku pesë klube sportive rekreative.

Neni 19

Neni 53 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

53.1. Fakulteti i shkencave sportive përgatitë kuadro mbi shkollimin e kuadrit sportiv.

53.2. Kuadër profesional konsiderohen personat fizik të cilët në bazë të kualifikimeve përkatëse bëjnë
programin, trajnimin e përgatitjeve sportive, rekreacionit sportiv dhe edukimit sportiv siç janë: trajnerët,
personat e aftësuar për punë në sport, personat që marrin pjesë në udhëheqjen dhe organizimin e
garave sportive, gjyqtarët sportiv, delegatët sportiv, kontrollorët sportiv dhe menaxherët sportiv.

Neni 20

Neni 56 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

Pronësia e objekteve dhe e mjediseve sportive, përcaktohet me ligjet në fuqi.

Neni 21

Neni 61 i ligjit bazik, paragrafi 61.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

61.1. Kontrollin shëndetësor të pjesëmarrësve në veprimtari sportive e kryen mjeku specialist i
mjekësisë sportive në Qendrat e Mjekësisë Sportive të licencuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Neni 22

Neni 63 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë përkatëse për Sport, themelon Agjencinë e Kosovës anti
doping.
7

Neni 23

Neni 64 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

Organizimi, funksionimi, përgjegjësitë dhe struktura organizative e Agjencisë së Kosovës anti doping
përcaktohen me akt nënligjor të Ministrisë përkatëse për sport.

Neni 24

1. Neni 65 i ligjit bazik paragrafët 65.1., 65.2. dhe 65.3. ndryshohen dhe riformulohen si vijon:

65.1. Bazën e financimit të sportit dhe të nevojave publike e shtetërore, e përbëjnë mjetet
financiare që sigurohen nga buxheti i Kosovës.

65.2. Komunat nga buxheti i tyre ndajnë mjete për financimin e sportit.

65.3. Planin e Veprimit për financimin e veprimtarive sportive me interes publik shtetëror, në bazë të
propozimit të Ministrisë përkatëse për Sport, e miraton Qeveria e Kosovës.

2. Neni 65 i ligjit bazik pas paragrafit 65.5. shtohen edhe dy paragraf të ri 65.6. dhe 65.7 me tekstin si
vijon:

65.6. Komiteti Olimpik dhe Federatat e Sporteve obligohen qe të dorëzojnë planin e aktiviteteve dhe
planin vjetor financiar në bazë të kërkesës dhe afatit të caktuar nga Ministria.

65.7. Ministria përkatëse për Sport në bazë të shkallës së plotësimit të interesit publik ndanë mjetet
financiare për Komitetin Olimpik dhe Federatat e Sportit.

Neni 25

Neni 67 i ligjit bazik, paragrafi 67.2. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

67.2. Lehtësirat tatimore që mund t'i gëzojnë personat fizik dhe juridik, që sponsorojnë veprimtaritë e
organizatave sportive, përcaktohen me ligjin për sponzorizim dhe donacione në fushën e kulturës,
rinisë dhe sportit dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Neni 26

Neni 70 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

70.1. Sjellja e dhunshme huligane në terrenet sportive të hapura dhe të mbyllura që ka për qëllim
pengimin e zhvillimit të aktiviteteve, ndëshkohet në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi.

70.2. Kurdisjet e qëllimshme të rezultateve nga ana e klubeve, federatave dhe akterëve tjerë sportiv me
qëllim të përfitimit nga rezultati i kurdisur, ndëshkohen në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi.

70.3. Dëmtimi apo prishja e qëllimshme e objekteve sportive të hapura apo të mbyllura nga personat
fizik apo juridik, ndëshkohet në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi.

70.4. Garat Sportive të karakterit Zyrtar sigurohen nga Policia e Kosovës. Ky aktivitet i Policisë
kompensohet sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 27

Neni 71 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:
8

Mbajtja dhe përdorimi i fishekzjarrëve dhe armëve të të gjitha llojeve në objektet dhe mjediset sportive
të hapura dhe të mbyllura, ndëshkohet në bazë të dispozitave të legjislacionit në fuqi.

Neni 28

Neni 76 i ligjit bazik, paragrafi 76.1. shuma e dënimeve të parapara prej “njëmijë (1.000) deri
pesëmijë (5.000) Euro” zëvendësohet me shumën e dënimeve prej “tremijë (3.000) deri shtatëmijë
(7.000) Euro”.

Neni 29

Neni 77 i ligjit bazik, paragrafi 77.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

77.1: Me dënim me gjobë, prej dymijepesëqind (2.500) deri pesëmijë (5.000) Euro, dënohet personi
profesional i cili detyron sportistin të stërvitet ose të merr pjesë në gara sportive kur nuk është i aftë për
shkak të ndonjë lëndimi ose sëmundjeje.

Neni 30

Neni 78 i ligjit bazik, paragrafi 78.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

78.1. Me dënim me gjobë, prej pesëmijë (5.000) deri dhjetëmijë (10.000) Euro, dënohet personi i cili jep
ose merr preparate stimuluese të cilat janë të ndaluara dhe të dëmshme për shëndet. Personat e tillë
dënohen edhe me ndalimin e ushtrimit të profesionit për kohë të caktuar prej një (1) deri në tri (3) vjet.

Neni 31

Neni 79 i ligjit bazik, paragrafi 79.1. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

79.1. Me dënim me gjobë prej dymijepesëqind (2.500) deri pesëmijë (5.000) Euro dënohet organizatori i
garave dhe shfaqjeve sportive, i cili nuk siguron personelin mjekësor për ndihmën e parë gjatë kohës
së mbajtjes së garave ose shfaqjeve sportive.


Neni 32

Neni 81 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

81.1. Me miratimin e ligjit për ndryshim plotësimin e ligjit për sport, shfuqizohen dispozitat e mëparshme
të ligjit për sportin 2003/24 në Kosovë, në pikat ku është bërë ndryshim plotësimi si dhe aktet nënligjore
që preken me këto ndryshime.

81.2. Me miratimin e ligjit për ndryshim plotësimin e ligjit për sport dhe pas miratimit të akteve nënligjore
relevante, shfuqizohen aktet nënligjore të nxjerrura në bazë të Ligjit të mëparshëm: Udhëzimi
Administrativ nr. 01/2005 për Themelimin dhe Regjistrimin e Klubeve Publike dhe Private të Sportit,
Udhëzimi Administrativ nr. 02/2005 për Regjistrimin dhe Licencimin e Federatave dhe Shoqërive
Sportive, Udhëzimi Administrativ nr. 03/2005 për Institucionet e mjekësisë sportive, Udhëzimi
Administrativ nr. 04/2005 për Organizimin dhe Funksionimin e Asociacionit Olimpik të Kosovës si dhe
Udhëzimi Administrativ nr. 05/2005 për Mbikëqyrjen e punës administrative dhe profesionale në klubet
dhe federatat e sportit.

Neni 33

Neni 82 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

9
Organizatat sportive dhe subjektet e tjerë, duhet që, në afatin prej gjashtë (6) muajsh të bëjnë
harmonizimin e akteve të tyre normative me ndryshim plotësimin e këtij ligji.

Neni 34

Neni 83 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

83.1. Ministria përkatëse për Sport bën mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së Ligjit për Sport nr: 2003/24
dhe të këtij ligji.

83.2. Ministria përkatëse për Sport, duhet që në afatin prej gjashtë (6) muajsh të nxjerrë aktet nënligjore
në bazë të dispozitave për ndryshim plotësim të këtij ligji.

83.3. Institucionet e ndikuara në këtë ligj, sipas mundësive buxhetore të lejuara me Ligjin Vjetor të
Buxhetit i përmbushin obligimet e tyre.

Neni 35

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-075
21 dhjetor 2011

Shpallur me dekretin Nr. DL-003-2012, datë 06.01.2012 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.