LIGJI NR. 04/L-058 PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-174 PËR FINANCIMIN E SUBJEKTEVE POLITIKE

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 01 / 12 JANAR 2012, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L-058
PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-174 PËR FINANCIMIN
E SUBJEKTEVE POLITIKE


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:


LIGJ PËR NDRYSHIMIN DHE PLOTËSIMIN E LIGJIT NR. 03/L-174 PËR FINANCIMIN E
SUBJEKTEVE POLITIKE

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit Nr. 03/L-174 për Financimin e Subjekteve
Politike (Gazeta Zyrtare, nr. 82, 21 tetor 2010).

Neni 2

1.Neni 7 i ligjit bazik, paragrafi 3. ndryshohet dhe riformulohet si vijon:

3.Shuma e mjeteve buxhetore dedikuar Fondit për mbështetjen e subjekteve politike nuk mund
të kalojë 0.34% të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

2.Neni 7 i ligjit bazik, paragrafi 4.fshihet nga teksti i ligjit

Neni 3

Neni 8 i ligjit bazik, paragrafi 1. ndryshohet dhe riformulohet si në vijim:

1.Mjetet nga fondi mund të përdoren për këto qëllime:

1.1.financimin e aktiviteteve të rregullta të subjekteve politike;

1.2.financimin e degëve të subjekteve politike;

1.3.financimin e njësive përkatëse të organizimit të grave dhe të rinjve të subjekteve
politike;

1.4.financimin e aktiviteteve parazgjedhore e zgjedhore të subjekteve politike;

1.5.financimin e aktiviteteve të grupeve parlamentare.

Neni 4

1.Neni 10 i ligjit bazik, paragrafi 2. nën-paragrafi 2.2. ndryshohet dhe riformulohet si në vijim:

2.2. 10% e mjeteve financiare ndahen proporcionalisht për subjektet e tjera politike të
regjistruara dhe të certifikuara nga Komisioni qendror i zgjedhjeve, për zgjedhjet përkatëse.

2
2.Neni 10 i ligjit bazik, pas paragrafit 2. shtohet një paragraf i ri 3. me tekstin si në vijim:

3.Subjekti politik i cili përfiton mjete financiare në pajtim me paragrafin 2. të nenit 10 të këtij ligji,
nëse nuk merr pjesë në zgjedhjet përkatëse, është i obliguar ti kthejë mjetet në buxhetin e
Kosovës.

Neni 5

Neni 11 i ligjit bazik, pas paragrafit 2. shtohet një paragraf i ri 3. me tekstin si vijon:

3.Ndalohet dhënia e donacioneve nga të cilat dhuruesi në mënyrë të qartë mund të përfitoj
ndonjë avantazh ekonomik. Donacionet e personave fizik dhe juridik për subjekte politike duhet
të bëhen në mënyrë transparente në llogari bankare dhe duhet të përfshihen në raportet
financiare të subjekteve politike përfituese. Raporti financiar i subjekteve politike duhet të
përmbajë emrin dhe numrin e regjistrimit për personat juridike apo emrin, mbiemrin dhe
adresën për personat fizikë.

Neni 6

Neni 15 i ligjit bazik, pas paragrafit 4. shtohet një paragraf i ri 5. me tekstin si në vijim:

5.KQZ-ja përgatit raport vjetor për Kuvendin e Republikës së Kosovës për shpërndarjen dhe
shpenzimin mjeteve nga Fondi, më sa largu deri me datën 30 qershor të vitit pasardhës.

Neni 7

Neni 21 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si në vijim:

1.Subjekti politik gjobitet në shumën prej pesëmijë (5.000) deri në pesëdhjetëmijë (50.000)
Euro, ndërsa kandidati për kryetar komune, kandidati për deputet, këshilltar komunal dhe
kandidati i pavarur, gjobitet prej njëmijë (1.000) deri në pesëmijë (5.000) Euro, për shkelje të
dispozitave të këtij ligji në qoftë se:

1.1.pranon mjete financiare në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionit
tjetër në fuqi;

1.2.mban shënimet në regjistrat e veta në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe
legjislacionit tjetër në fuqi;

1.3.nuk i përmbahen dispozitave të këtij ligji dhe dispozitave tjera të ligjeve tjera në fuqi,
për zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale.

2.Një subjekt politik, i cili nuk e paraqet raportin vjetor financiar KQZ-së brenda afatit të
përcaktuar me këtë ligj, humb të drejtën për të përfituar nga fondi në vitin e ardhshëm.

3.Personat përgjegjës brenda subjektit politik dënohet me gjobë prej njëmijë (1.000) deri në
pesë mijë (5.000) Euro.

4.Subjektet politike të cilat nuk mund të dëshmojnë origjinën e të hyrave mbi njëzetmijë
(20.000) Euro do të gjobiten me trefishin e asaj shume.

5.Nëse në keqpërdorim të fondeve është i përfshirë kandidati apo subjekti politik dhe mund të
vërtetohet se fitimi i mandatit/mandateve është si rezultat i keqpërdorimit të fondeve në
kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi, kandidatit apo subjektit politik
mund edhe t’i merret mandati.

3
6.Subjektet Politike kanë të drejtë ankese ndaj dispozitave ndëshkimore. Ankesat i drejtohen
Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në bazë të legjislacionit në fuqi.

7.Të hyrat nga gjobat sipas këtij ligji derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Neni 8

Neni 23 i ligjit bazik ndryshohet dhe riformulohet si në vijim:

KQZ sipas nevojës nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

Neni 9

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-058
21 dhjetor 2011

Shpallur me dekretin Nr. DL-055-2011, datë 30.12.2011 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.