1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 30 / 31 DHJETOR 2011, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-054
PËR STATUSIN DHE TË DREJTAT E DËSHMORËVE, INVALIDËVE, VETERANËVE,
PJESËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, VIKTIMAVE CIVILE DHE FAMILJEVE
TË TYRE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR STATUSIN DHE TË DREJTAT E DËSHMORËVE, INVALIDËVE, VETERANËVE,
PJESËTARËVE TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS, VIKTIMAVE CIVILE DHE
FAMILJEVE TË TYRE
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i nxjerrjes i këtij ligji është përcaktimi i statusit dhe përkrahja financiare përmes pensioneve dhe
beneficioneve të veçanta për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat me sakrificën dhe kontributin
e tyre ishin faktorë vendimtarë për lirinë dhe çlirimin e vendit.
Neni 2
Fushëveprimi
1. Me këtë ligj rregullohet dhe përcaktohet:
1.1. statusi i dëshmorëve, të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të
UÇK-së dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre;
1.2. të drejtat dhe beneficionet e posaçme për anëtarët e familjeve të dëshmorëve, invalidëve,
veteranëve, familjeve të veteranëve dhe invalidëve të vdekur, pjesëtarëve të UÇK-së të marrë
peng ose të zhdukur dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre, si dhe procedurat
administrative për realizimin e këtyre të drejtave;
1.3. statusi dhe të drejtat e viktimave civile, invalidëve civil të luftës dhe familjeve të të
marrurëve peng dhe të zhdukurve civil të luftës.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. UÇK - Ushtria Çlirimtare e Kosovës;
1.2. SHP - Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së;
1.3. SHFD - Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së;
1.4. OVL - Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së;
1.5. SHIL - Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së;
2
1.6. Dëshmor i Kombit - pjesëmarrësi i UÇK-së që:
1.6.1. ka rënë në luftë për lirinë e vendit nga viti 1997 -1999;
1.6.2. është plagosur në luftë për lirinë e vendit në periudhën 1997 -1999 dhe ka
vdekur nga plagët e marra brenda tri (3) viteve.
1.7. Invalid i luftës së UÇK-së - pjesëmarrësi i UÇK, organizmi i të cilit është dëmtuar mbi
20% për shkak të plagës, lëndimit apo sëmundjes që ka pësuar në luftë, apo si i internuar (i
burgosur) në burgjet apo kampet e armikut dhe shtetasi i huaj si veteran i UÇK –së , nga 1997-
1999;
1.8. Invalid civil i luftës - personi, organizmi i të cilit është dëmtuar së paku 40 % si pasojë e
plagëve të marra nga armët, sëmundjes së fituar në burgjet apo kampet gjatë luftës së fundit
në Kosovë, prej datës 27.02.1998 deri me datën 20.06.1999, si dhe personat e tjerë, organizmi
i të cilëve është dëmtuar së paku 40 % si pasojë e mjeteve shpërthyese të mbetura pas
përfundimit të luftës;
1.9. Veteran i UÇK-së – qytetari i Kosovës dhe shtetasi i huaj i cili është radhitur në radhët e
UÇK-së dhe është regjistruar si ushtar nga komandat (shtabet e zonave operative të UÇK-së),
përkatësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, gjatë periudhës 1997-1999;
1.10. Viktimë Civile e Luftës - personi i cili është vrarë apo është plagosur, nga forcat e
armikut, e më vonë ka vdekur brenda periudhës 27.02.1998 deri me 20.06.1999, si dhe
personat që kanë pësuar si pasojë e luftës brenda tri (3) viteve që nga përfundimi i luftës nga
mjetet shpërthyese të mbetura pas përfundimit të luftës;
1.11. Peng i luftës - veterani dhe pjesëtari i UÇK-së i cili gjatë luftës çlirimtare të Kosovës
është arrestuar dhe internuar në kampe së paku tre (3) ditë përkatësisht shtatëdhjetedy (72)
orë;
1.12. Peng civil i luftës - personi civil, i cili gjatë luftës është arrestuar dhe internuar në kampet
e armikut së paku tre (3) ditë përkatësisht shtatëdhjetedy (72) orë;
1.13. Ushtar i zhdukur (i pagjetur) i UÇK-së - veterani dhe pjesëtari i UÇK-së, fati i të cilit
ende nuk është zbardhur;
1.14. Person civil i zhdukur - personin vendndodhja e të cilit është e panjohur për familjarët e
tij/saj dhe i cili në bazë të informacionit të besueshëm, është zhdukur në periudhën mes 1
janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, si pasojë e luftës në Kosovë në vitet 1998-1999;
1.15. Anëtarë të familjes së ngushtë në kuptim të këtij ligji janë: bashkëshorti, bashkëshortja,
fëmijët, fëmijët jashtëmartesor, fëmijët e adoptuar (birësuar), prindërit, njerka, njerku, thjeshtri,
thjeshtra si dhe bashkëshorti/ bashkëshortja jashtëmartesore:
1.15.1. statusi i bashkësisë jashtëmartesore sipas këtij ligji përcaktohet me procedurë
gjyqësore jashtë kontestimore.
1.16. Familje e Dëshmorit të Kombit - ajo familje e cila i ka dhënë Kosovës, një apo më
shumë dëshmorë;
1.17. ZKM - Zyra e Kryeministrit;
1.18. ZÇKL - Zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta;
3
1.19. Ministria - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale;
1.20. TMK - Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
1.21. Ish Ministria e Mbrojtjes - Ministria e Mbrojtjes së Ish Qeverisë së Kosovës në ekzil .
Neni 4
Realizimi i të drejtës në pension dhe beneficione
Varësisht nga njohja dhe rregullimi i statusit, kategorive të trajtuara në këtë ligj, përmes njohjes së të
drejtës në pension dhe beneficione të ndryshme do t’ju sigurohet mbështetje financiare dhe benefite të
caktuara për kontributin e dhënë në luftën e UÇK-së.
Neni 5
Llojet e pensioneve
1. Në përputhje me njohjen dhe përcaktimin e statusit për kategoritë e dala nga lufta, pensionet e
përcaktuara në këtë ligj janë:
1.1. Pensioni familjar të cilin e realizojnë:
1.1.1. familja e ngushtë e dëshmorit;
1.1.2. familja e ngushtë e të zhdukurit të UÇK-së;
1.1.3. familja e ngushtë e viktimës civile të luftës;
1.1.4. familja e ngushtë e të zhdukurit civil;
1.1.5. pensionin familjar, familja e ngushtë e realizon për të rënët dhe të zhdukurit në
vitet 1997-1999.
1.2. Pensioni invalidor personal të cilin e realizojnë:
1.2.1. invalidi i UÇK-së; dhe
1.2.2. invalidi civil i luftës, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë
ligj;
1.3. Pensioni invalidor familjar të cilin e realizon familja e ngushtë pas vdekjes së invalidit, në
përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj;
1.4. përfituesit e pensioneve sipas paragrafit 1.1., 1.2 dhe 1.3. të këtij neni, nuk mund të jenë
shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë, përveç
nëse ndryshe është përcaktuar me ligj.
Neni 6
Benificionet e veçanta
1. Kategoritë e trajtuara në këtë ligj, varësisht nga statusi dhe kriteret e përcaktuara, për shkak të
sakrificës sublime dhe kontributit shumë të lartë në luftën çlirimtare të UÇK-së, janë përfitues edhe të
beneficioneve të veçanta, të cilat janë:
1.1. shtesa për përkujdesje dhe ndihmë nga personi tjetër është e drejtë të cilën e realizon
invalidi i UÇK-së dhe invalidi civil i luftës me shkallë të invaliditetit mbi 80%;
4
1.2. rehabilitimi mjekësor dhe fizikal është e drejtë që e realizojnë të gjithë invalidët e UÇK-së,
me prioritet sipas shkallës së invaliditetit;
1.3. shërbimet shëndetësore primare, sekondare dhe terciare janë të drejta të cilat i realizojnë
pa kompensim në institucionet shëndetësore publike, familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve të
UÇK-së, invalidëve të UÇK-së, si dhe anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre;
1.4. shërbimet shëndetësore spitalore jashtë vendit, janë të drejta të cilat i realizojnë pa
kompensim, të gjithë invalidët e UÇK-së, në qoftë se është në pyetje sëmundja, e cila nuk
mund të shërohet në vendin tonë;
1.5. shërbimet shëndetësore jashtë vendit i gëzojnë edhe invalidët civil të luftës për gjendjen
shëndetësore të përkeqësuar, që është pasojë e luftës dhe për të cilën nuk ka shërim në
vendin tonë;
1.6. riaftësimi profesional është e drejtë të cilën e realizon invalidi i UÇK-së, invalidi civil i
luftës, të cilët janë pjesërisht të aftë për punë, duke përfshirë edhe aftësimin për kryerjen e
punëve për të cilat kërkohet përgatitje profesionale më e lartë se ajo të cilën e ka pasur, pa
marrë parasysh se a i sigurohet punësimi pas riaftësimit profesional;
1.7. kompensimi ortopedik është e drejtë e sigurimit të mjeteve ortopedike për invalidët e
UÇK-së dhe invalidët civil të luftës, të cilëve u është dëmtuar organizmi nga plagosja, apo
amputimi i ekstremiteteve;
1.8. përparësi në punësim në ndërmarrjet e sektorit publik dhe privat, në përputhje me Ligjin nr.
03/L-19 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të
kufizuara, është e drejtë të cilën e realizojnë invalidët e UÇK-së.
2. Lirimi nga tatimi dhe dogana për veturat speciale për përdorim personal (një veturë në çdo pesë (5)
vjet) si dhe i pajisjes ortopedike janë të drejta të cilat i realizojnë invalidët e UÇK nga grupet I deri në
grupin VII në përshtatshmëri me shkallën e paaftësisë të përcaktuar me nenin 10 të këtij ligji.
3. Tarifa e liruar dhe reduktimi i harxhimeve të energjisë elektrike për nevoja personale, është e drejtë
të cilën e gëzojnë familjet e ngushta të dëshmorëve dhe invalidët e UÇK në rast të gjendjes së rëndë
ekonomike, kur i plotëson kriteret sipas skemës së asistencës sociale.
4. Lirimi nga tatimi në pronë është e drejtë që e realizojnë familjet e dëshmorëve, familjet e të
zhdukurve të UÇK-së, invalidët e UÇK-së, invalidët civil të luftës, familjet e viktimave civile të luftës që
janë në gjendje të rëndë ekonomike.
5. Stazhi i dyfishtë është e drejtë të cilën e realizojnë invalidët si të papunësuar apo të punësuar për
kohën e kaluar në luftë.
6. Përkujdesja për banim është e drejtë të cilën e realizojnë familjet e dëshmorëve, të të zhdukurve të
UÇK-së, invalidëve të UÇK-së të cilët janë në gjendje të rëndë ekonomike, invalidët civil të luftës dhe
familjet e ngushta të viktimave civile të luftës, për të cilët Qeveria e Kosovës do të angazhohet për
sigurimin e strehimit familjar përmes ndërtimit të objekteve kolektive të banimit social:
6.1. përparësi për realizimin e të drejtës në strehim familjar do ta kenë familjet e ngushta të
dëshmorëve dhe të zhdukurve, invalidëve të cilët nuk e kanë të zgjidhur strehimin familjar.
7. Përparësia e regjistrimit dhe pranimit në institucionet arsimore publike është e drejtë të cilën e
realizojnë personat që janë anëtarë të familjeve të dëshmorëve, të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve të
UÇK-së dhe familjet e tyre.
5
8. Lirimi nga pagesat administrative në shkollimin Universitar Publik, është e drejtë të cilët e realizojnë,
personat që janë anëtarë të familjeve të dëshmorëve, të zhdukurve të UÇK-së, invalidëve të UÇK-së
dhe familjet e tyre.
9. Shpenzimet e varrimit, të transportit dhe nderimet ushtarake, janë ato shpenzime dhe akte
ceremoniale mortore, të cilat i kompenson Ministria pas procedurave të ekskumacionit dhe identifikimit
të ushtarit të zhdukur të UÇK-së.
Neni 7
Përparësitë në realizimin e të drejtave dhe beneficioneve
1. Përparësitë në realizimin e të drejtave, në mes anëtarëve të familjes së ngushtë sipas këtij ligji,
përfituesit i realizojnë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Trashëgiminë. Anëtarët e familjes të
radhës së njëjtë të trashëgimisë, do t’i realizojnë të drejtat sipas marrëveshjes së ndërsjellët.
2. Në qoftë se marrëveshja nuk arrihet, përparësi në realizimin e të drejtës ka anëtari i familjes së
ngushtë nga radha e njëjtë e trashëgimisë, i cili me personin nga i cili realizohet e drejta, ka jetuar në
bashkësi të njëjtë familjare.
Neni 8
E drejta në pension dhe beneficione për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së
1. Anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, sipas kushteve dhe
kritereve të përcaktuara në këtë Ligj, realizojnë këto të drejta dhe beneficione:
1.1. të drejtën në pensionin familjar;
1.2. përparësinë në punësim në kushte të barabarta;
1.3. përparësinë në regjistrim dhe pranim në institucione arsimore publike në kushte të
barabarta me të tjerët;
1.4. bursën për shkollim të mesëm dhe universitar;
1.5. vendosjen në konvikte pa kompensim;
1.6. përkujdesjen për strehim familjar;
1.7. tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike për nevoja personale në rast
të gjendjes së rëndë ekonomike, kur i plotëson kriteret sipas skemës së asistencës sociale;
1.8. lirimin nga pagesa e taksave gjyqësore, administrative dhe publike;
1.9. përkujdesjen shëndetësore primare, sekondare dhe terciare falas, në institucione publike
shëndetësore;
1.10. vendosjen pa kompensim në shtëpitë e personave të moshuar;
1.11. lirimin nga pagesat administrative në shkollimin universitar publik;
1.12. lirimin nga pagesa në trafikun publik urban dhe ndër urban.
2. Këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmorëve të kombit, të rënë në forma të
ndryshme për lirinë e vendit në periudha te ndryshme historike.
6
3. Bashkëshorti/ja që lidhë martesë të re i humb të drejtat e përcaktuara me këtë ligj, të cilat i ka
shfrytëzuar si anëtar i familjes së ngushtë të dëshmorit apo të të zhdukurit.
4. Kur fëmijët e dëshmorit apo të zhdukurit të UÇK-së, pa përkujdesje prindërore janë përfitues të
pensionit familjar, këtë të drejtë e realizojnë deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, përkatësisht
deri në moshën njëzetegjashtë (26) vjeçare nëse janë në shkollim të rregullt.
5. Baza e pensioneve familjare për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së caktohet sipas
Shtojcës 1 të këtij ligji dhe të parashikuara me Ligjin vjetor të buxhetit të vitit 2011.
Neni 9
Të drejtat dhe beneficionet e invalidëve të UÇK-së
1. Invalidët e UÇK-së, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara në këtë ligj, realizojnë këto të drejta
dhe beneficione:
1.1. të drejtën në pensionin invalidor personal;
1.2. të drejtën në pensionin invalidor familjar pas vdekjes së invalidit;
1.3. shtesa për përkujdesje dhe ndihmë personit tjetër për invalidët e UÇK-së me shkallë
invaliditeti prej 81 % deri 100%;
1.4. kompensimin ortopedik për sigurimin e mjeteve ortopedike;
1.5. përkujdesjen shëndetësore primare, sekondare dhe terciare pa kompensim në institucionet
shëndetësore publike;
1.6. rehabilitimin shëndetësor dhe fizikal;
1.7. riaftësimin profesional për invalidët, të cilët kanë aftësi të pjesërishme të punës;
1.8. përparësi në punësim në kushte të barabarta të punës;
1.9. përparësinë për regjistrim dhe pranim në institucione arsimore publike në kushte të
barabarta me të tjerët;
1.10. bursën për shkollim të mesëm dhe universitar;
1.11. vendosjen në konvikte pa kompensim;
1.12. përkujdesje në strehim familjar;
1.13. lirimin nga taksa gjyqësore, administrative dhe publike;
1.14. tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike për nevoja personale në
rast të gjendjes së rëndë ekonomike, kur i plotëson kriteret sipas skemës së asistencës sociale;
1.15. vendosjen në shtëpitë e personave të moshuar pa kompensim;
1.16. shpenzimet e varrimit së bashku me nderimet ushtarake.
2. Të drejtat dhe beneficionet e përcaktuara në paragrafin 1. nën-paragrafët 1.2., 1.5., 1.9., 1.10., 1.11.
dhe 1.12. të këtij neni i realizojnë edhe anëtarët e familjes së ngushtë të invalidëve të UÇK-së.
7
Neni 10
Të drejtat e invalidëve të UÇK-së sipas shkallës së invaliditetit
1. Me qëllim të realizimit të të drejtave dhe beneficioneve, në përputhje me shkallën e invaliditetit dhe
përqindjen e përcaktuar të dëmtimit trupor, invalidët e UÇK-së ndahen në tetë (8) grupe:
1.1. Grupi I - invalidët me 81% deri 100% të dëmtimit trupor;
1.2. Grupi II - invalidët me 71% deri 80% të dëmtimit trupor;
1.3. Grupi III - invalidët me 61% deri 70% të dëmtimit trupor;
1.4. Grupi IV - invalidët me 51% deri 60% të dëmtimit trupor;
1.5. Grupi V - invalidët me 41% deri 50% të dëmtimit trupor;
1.6. Grupi VI - invalidët me 31% deri 40% të dëmtimit trupor;
1.7. Grupi VII - invalidët me 20 % deri 30 % të dëmtimit trupor;
1.8. Grupi VIII - invalidët me 10% deri 19% të dëmtimit trupor.
2. Vlerësimin mjekësor për shkallën e invaliditetit sipas paragrafit 1. të këtij neni, e bëjnë komisionet
mjekësore të Ministrisë, fillimisht në Shkallë të parë me mundësi të ankimit edhe në Shkallën e dytë.
3. Baza e pensionit invalidor personal caktohet sipas Shtojcës 1 të këtij ligji dhe të parashikuara me
Ligjin Vjetor të Buxhetit të vitit 2011.
4. Invalidi i UÇK-së me shkallë invaliditeti 10 deri 19% nuk e gëzon pensionin invalidor personal.
5. Invalidi i UÇK-së me shkallë të invaliditetit mbi 80% ka të drejtë në shtesë për ndihmë dhe kujdes
nga personi tjetër, në lartësinë e përcaktuar me Shtojcën 1 të këtij ligji dhe të parashikuara me Ligjin
Vjetor të Buxhetit të vitit 2011.
6. Nëse brenda një familje të ngushtë një nga anëtarët është shfrytëzues i pensionit invalidor personal,
anëtarëve tjerë të familjes nuk i’u përjashtohet mundësia e shfrytëzimit të së drejtës në pensionin
familjar pas vdekjes së invalidit.
7. Përfituesi, të cilit i është njohur e drejta e pensionit invalidor, nuk e përjashton të drejtën e anëtarëve
të ngushtë të familjes për aplikim në ndihmë sociale, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara
me Ligjin nr. 2003/15 për Skemën e Ndihmës Sociale në Kosovë.
Neni 11
E drejta në pensionin invalidor familjar pas vdekjes së invalidit të UÇK-së
1. Pas vdekjes së invalidit të UÇK-së, të drejtën në pension invalidor familjar, e realizojnë anëtarët e
familjes së tij të ngushtë.
2. Baza e pensionit invalidor familjar pas vdekjes së invalidit të UÇK-së caktohet sipas Shtojcës 1 të
këtij ligji dhe të parashikuara me Ligjin Vjetor të Buxhetit të vitit 2011.
3. Bashkëshorti/ja që lidh martesë të re, pas vdekjes së invalidit të UÇK-së, i humb të drejtat në
pension dhe beneficione, të përcaktuara me këtë ligj.
8
4. Kur fëmijët e invalidit të UÇK-së pa përkujdesje prindërore janë përfitues të pensionit familjar, këtë të
drejtë e realizojnë deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, përkatësisht deri në moshën
njëzetegjashtë (26) vjeçare nëse janë në shkollim të rregullt.
5. Invalidët e UÇK-së të plagosur gjatë periudhës së luftës, të cilët kanë vdekur brenda tri (3) viteve pas
përfundimit të luftës, si pasojë e plagëve të marra në luftë, të cilët nuk kanë qenë të vlerësuar nga
komisioni mjekësor i Ministrisë për caktimin e shkallës së invaliditetit, familjet e tyre do të kenë të
drejtën në pension familjar në lartësi prej 100% nga baza e pensionit e përcaktuar sipas këtij ligji.
Neni 12
Statusi dhe të drejtat e veteranëve të UÇK-së
1. Sipas dispozitave të këtij ligji, nga organi përgjegjës i Qeverisë, njihet dhe përcaktohet statusi i
veteranëve të UÇK-së.
2. Të drejtat në benficione për veteranët e UÇK-së si dhe kriteret e kualifikimit për njohjen dhe
realizimin e tyre do të rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 13
Të drejtat e anëtarëve të familjes së viktimës civile të luftës
1. Anëtarët e familjes së ngushtë të viktimës civile të luftës, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara
në këtë ligj, i realizojnë këto të drejta dhe beneficione:
1.1. pensionin familjar;
1.2. përkujdesjen shëndetësore primare dhe sekondare pa kompensim në institucionet
shëndetësore publike;
1.3. lirimin nga tatimi në pronë, nëse familja e ngushtë është në gjendje të rëndë materiale;
1.4. tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike për nevoja personale nëse
familja e ngushtë përballet me gjendje të rëndë ekonomike dhe i plotëson kriteret sipas skemës
së asistencës sociale.
2. Shfrytëzues të pensionit sipas radhës janë: bashkëshorti/ja, fëmijët, fëmijët jashtëmartesor, fëmijët e
adoptuar (birësuar), prindërit, thjeshtri, thjeshtra.
3. Bashkëshorti/ja që lidhë martesë të re i humb të drejtat e parapara me këtë ligj, të cilat i ka
shfrytëzuar si anëtar i familjes së ngushtë i viktimës civile të luftës.
4. Kur fëmijët e viktimës civile të luftës pa përkujdesje prindërore janë përfitues të pensionit familjar
këtë të drejtë e realizojnë deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare përkatësisht deri në moshën
njëzetegjashtë (26) vjeçare, nëse janë në shkollim të rregullt.
5. Baza e pensioneve familjare për viktimat civile të luftës caktohet sipas Shtojcës 1 të këtij Ligji dhe të
parashikuara me Ligjin Vjetor të Buxhetit të vitit 2011.
6. Baza e pensionit civil familjar për familjen e ngushtë e cila ka dy (2) viktima civile, rritet për 20%.
7. Baza e pensionit civil familjar për familjen e ngushtë e cila ka tri (3) viktima civile, rritet për 30%.
8. Baza e pensionit civil familjar për familjen e ngushtë e cila ka katër (4) viktima civile, rritet për 40%.
9
9. Baza e pensionit civil familjar për familjen e ngushtë e cila ka më shumë se katër (4) viktima civile,
rritet për 50 %.
10. Anëtarët e familjes së ngushtë të marrë peng apo të zhdukur në periudhën e luftës, i realizojnë të
gjitha të drejta dhe benficionet, sikurse anëtarët e familjes së ngushtë të viktimës civile të luftës të
përcaktuara sipas këtij ligji.
Neni 14
Të drejtat dhe beneficionet e invalidëve civil të luftës
1. Të drejtën në pensionin invalidor civil të luftës e realizojnë invalidët civil të luftës me shkallë të
invaliditetit prej 40%-100%.
2. Me qëllim të realizimit të të drejtave të përcaktuara me këtë ligj, sipas shkallës së invaliditetit,
invalidët civil të luftës radhiten në pesë (5) grupe:
2.1. Grupi I - invalidët civil të luftës me 81-100% të shkallës së invaliditetit, të cilëve për jetë të
rregullt iu nevojitet përkujdesja dhe ndihma e personit tjetër;
2.2. Grupi II - invalidët civil të luftës me 71%-80% të shkallës së invaliditetit;
2.3. Grupi III - invalidët civil të luftës me 61%-70% të shkallës së invaliditetit;
2.4. Grupi IV - invalidët civil të luftës me 51%-60% të shkallës së invaliditetit;
2.5. Grupi V - invalidët civil të luftës me 40%-50% të shkallës së invaliditetit.
3. Vlerësimin për shkallën e invaliditetit të invalidëve civil të luftës sipas paragrafit 2. të këtij neni e bën
Komisioni Mjekësor i Shkallës së parë dhe të dytë i cili vepron dhe punon në kuadër të Ministrisë.
4. Baza e pensionit invalidor civil caktohet sipas Shtojcës 1 të këtij ligji dhe të parashikuara me Ligjin
Vjetor të Buxhetit të vitit 2011.
5. Invalidi civil i luftës me dëmtim trupor mbi 80%, lirohet nga tatimi dhe doganat për importimin e
mjeteve ortopedike për nevojat e tij personale.
6. Invalidi civil i luftës me shkallë invaliditeti mbi 80% ka të drejtë në shtesë për ndihmë dhe kujdes nga
personi tjetër, ku caktohet sipas Shtojcës 1 të këtij ligji dhe të parashikuara me Ligjin Vjetor të Buxhetit
të vitit 2011.
Neni 15
Njohja dhe rregullimi i statusit
1. Statusi i dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së dhe të internuarit të
UÇK-së, konstatohet nga Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të
kombit, invalidit të UÇK-së, veteranit, pjesëtarit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së.
2. Statusi i viktimës civile dhe invalidit civil të luftës, konstatohet nga organi përgjegjës i Komunës
përkatëse, sipas kushteve dhe kritereve të përcaktuara me aktin nënligjor të nxjerrë nga Qeveria.
3. Për sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në luftën e UÇK-së, për lirinë dhe çlirimin e vendit,
Adem Jasharit i njihet statusi: Komandant Legjendar i UÇK-së.
4. Krahas Komandantit Legjendar Adem Jashari, për sakrificën dhe kontributin për lirinë dhe çlirimin e
Kosovës, Familjes Jashari nga Prekazi (Komuna e Skënderajit) i njihet statusi i veçantë, ku përveç të
drejtave dhe benificioneve të përcaktuara me këtë ligj i njihen edhe të drejta dhe benificione tjera të cilat
përcaktohen me akt nënligjor të veçantë të nxjerrë nga Qeveria.
10
5. Epopeja e UÇK-së përkujtohet me datën 5, 6 dhe 7 mars.
6. Akti nënligjor nga paragrafi 3. dhe 5. i këtij neni nxirret nga Qeveria, në afatin kohor më së largu prej
gjashtë (6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
7. Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së,
apo të internuarit të UÇK-së, themelohet me Vendim të Qeverisë dhe në përbërje të tij do të ketë së
paku përfaqësues të:
7.1. Zyrës së Kryeministrit;
7.2. Ministrisë përkatëse për Punë dhe Mirëqenie Sociale;
7.3. Ministrisë përkatëse për Forca të Sigurisë;
7.4. Ish Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së;
7.5. Ish Zonave operative të UÇK-së;
7.6. Organizatës së Veteranëve të UÇK-së;
7.7. Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së;
7.8. Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së;
7.9. Ish TMK-së;
7.10. Ish Ministrisë së Mbrojtjes;
7.11. Përfaqësues tjerë për të cilët vendos Qeveria.
8. Organizimi i punës, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë, pagesa për angazhimet e anëtarëve si
dhe çështjet tjera të rëndësishme të Komisionit Qeveritar do të përcaktohen me akt nënligjor të nxjerrë
nga Qeveria e Kosovës.
9. Komisioni Qeveritar i përcaktuar në paragrafin 7. të këtij neni, duke u bazuar në dokumentacionin e
Ministrisë përkatëse për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Ish Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Shoqatës
së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Ish TMK-së, dhe
sipas nevojave dhe kërkesave dokumentacionit tjetër përkatës që e lëshon organi kompetent i
komunës, përcakton Listën e personave të kategorive të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 16
Parashtrimi i kërkesës për realizimin e të drejtave
1. Të drejtat e përcaktuara me këtë ligj përmes kërkesës në formë të shkruar, i realizojnë qytetarët e
Kosovës dhe shtetasit e huaj të cilët e kanë fituar statusin e kategorive përkatëse të përcaktuara me
këtë ligj.
2. Për realizimin e së drejtës në pension, sipas dispozitave të këtij ligji, aplikuesi e paraqet kërkesën në
Zyrën Rajonale të Departamentit të Ministrisë për Familjet e Dëshmorëve, Invalidët e Luftës dhe
viktimat civile të luftës.
3. Për realizimin e së drejtave në beneficione tjera, sipas dispozitave të këtij ligji, aplikuesi e paraqet
kërkesën në Ministritë dhe institucionet tjera përkatëse.
11
4. Afati përfundimtar për të parashtruar kërkesën, për realizimin e të drejtave në pensione dhe
benificione të përcaktuara, sipas këtij ligji është një (1) vit, nga fillimi dhe zyrtarizimi i punës së
Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të kategorive të luftës së UÇK-së.
5. Të gjithë ata të cilët aplikojnë pas afatit kohor të paraparë në paragrafin 4. të këtij neni, nuk do të
mund të jenë përfitues të pensioneve dhe benificioneve të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 17
Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta
1. Zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta e cila vepron në kuadër të ZKM-së, apo në subjektin
pasardhës që vendos Qeveria, është organ qeveritar e cila bashkërendon dhe koordinon aktivitetet për
kategoritë e dalura nga lufta e UÇK-së të përcaktuara në këtë ligj.
2. Zyra për Çështjet e Kategorive të dala nga lufta:
2.1. mban Regjistrin Qendror për dëshmorët e kombit, invalidët e UÇK-së, veteranët, pjesëtarit
të UÇK-së dhe për të internuarit e UÇK-së, viktimat civile dhe invalidët civil të luftës, sipas
Listës së personave të kategorive të përcaktuara me këtë ligj nga Komisioni Qeveritar i
përcaktuar në nenin 15 të këtij ligji;
2.2. të dhënat e Regjistrit Qendror, të përcaktuar në paragrafin e mësipërm, trajtohen në pajtim
me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale;
2.3. lëshon Vërtetime duke u bazuar në Regjistrin Qendror për të gjitha kategoritë;
2.4. i siguron Komisionit Qeveritar të themeluar sipas nenit 15 të këtij ligji mbështetjen
administrative dhe financiare;
2.5. kompetencat tjera dhe organizimi i Zyrës për Çështjet e Kategorive të dala nga Lufta
përcaktohen me Rregullore të aprovuar nga Qeveria.
Neni 18
Afatet kohore për realizimin e të drejtave në pensione
Të drejtat në pensione të përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji si dhe shtesat për përkujdesje dhe ndihmë
personit tjetër, realizohen nga dita e paraqitjes së kërkesës, nëse janë plotësuar kushtet dhe kriteret
për realizimin e këtyre të drejtave.
Neni 19
Zbatimi i ligjit për procedurën e përgjithshme administrative
Nëse me këtë ligj nuk përcaktohet ndryshe, drejtpërsëdrejti do të zbatohen dispozitat e Ligjit për
Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Neni 20
Aktet nënligjore për zbatimin e Ligjit
1. Për zbatimin e këtij ligji në afat prej gjashtë (6) muajsh, nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Qeveria
e Kosovës dhe ministritë përkatëse nxjerrin këto akte nënligjore:
1.1. Qeveria:
1.1.1. rregulloren për përcaktimin e kushteve, kritereve dhe procedurave për njohjen e
statusit të dëshmorit të kombit;
12
1.1.2. kompetencat e tjera dhe organizimi i Zyrës për Çështje të Veteranëve të Luftës
së UÇK-së, përcaktohen me Rregullore të aprovuar nga Qeveria;
1.1.3. rregulloren për fushëveprimin dhe funksionimin e Komisionit Qeveritar për
njohjen dhe përcaktimin e statusit të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së;
1.1.4. rregulloren për përcaktimin e kushteve, kritereve dhe përmbajtjen e kartelës
identifikuese, të sigurisë së lartë, që mundëson identifikimin e qartë të përfituesve të
benificioneve për kategoritë e trajtuara në këtë ligj.
1.2 Ministria përgjegjëse për Punë dhe Mirëqenie Sociale:
1.2.1. Udhëzimin Administrativ për procedurat e aplikimit për realizimin e të drejtave të
përcaktuara me këtë ligj;
1.2.2. udhëzimin Administrativ për vlerësimet dhe ekzaminimet e shkallës së invalidit
të luftës së UÇK dhe invalidit civil;
1.2.3. udhëzimin Administrativ për kompensimin e shpenzimeve të varrimit dhe bërjen
e nderimeve ushtarake me rastin e vdekjes së veteranit, pjesëtarit dhe invalidit të
UÇK-së.
1.3. Ministria përgjegjëse për çështje të Shëndetësisë:
1.3.1. udhëzimin Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për
shfrytëzimin e të drejtës për rehabilitim shëndetësor dhe fizikal për kategoritë e
trajtuara në ligj;
1.3.2 udhëzimin Administrativ për realizimin e së drejtës në shërbimet shëndetësore në
institucionet shëndetësore publike;
1.3.3. udhëzimin Administrativ për realizimin e të drejtës në mjetet ndihmëse
ortopedike për nevojat e invalidëve të luftës dhe invalidëve civil.
1.4. Ministria përgjegjëse për Arsim, Shkencë dhe Teknologji:
1.4.1. Udhëzimin Administrativ për njohjen e të drejtës dhe përcaktimin e procedurave
për ndarjen e teksteve shkollore falas;
1.4.2. Udhëzimin Administrativ për përcaktimin e kushteve dhe kritereve për realizimin
e së drejtës në bursë;
1.4.3. Udhëzimin Administrativ për caktimin e kushteve dhe kritereve për vendosjen në
konvikte, të anëtarëve të ngushtë të familjeve të kategorive të trajtuar në këtë ligj.
1.5. Ministria përgjegjëse për çështjet e energjisë:
1.5.1. udhëzimin Administrativ për procedurat dhe format e shfrytëzimit të energjisë
elektrike të lirë dhe të reduktuar.
1.6. Ministria përgjegjëse e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor:
1.6.1. udhëzimin Administrativ për përshtatjen e ambientit për lëvizje të mjeteve
ortopedike pa pengesa në hyrje të objekteve banesore dhe institucioneve publike;
13
1.6.2. udhëzimin Administrativ për caktimin e kushteve dhe kritereve për sigurimin e
banimit familjar për invalidët dhe veteranët e UÇK-së dhe familjeve te dëshmorëve;
1.7. Ministria përgjegjëse për çështjet e Financave:
1.7.1. udhëzimin Administrativ për procedurat e realizimit të të drejtave në
lehtësimet doganore dhe tatimore.
2. Qeveria e Kosovës, sipas nevojës në bashkëpunim me ministritë e tjera përkatëse, përveç akteve
nënligjore të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, mund të nxjerrin edhe akte të tjera nënligjore
për zbatimin e këtij ligji.
Neni 21
Gjobat
1. Me gjobë në para prej tremijë (3.000) deri pesëmijë (5.000) Euro për mos zbatimin e dispozitave të
këtij ligji, do të gjobiten për kundërvajtje:
1.1. institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji; dhe
1.2. personat e tjerë juridik përgjegjës, të cilët nuk i përmbahen dispozitave të këtij ligji.
2. Me gjobë në para prej pesëqind (500) deri njëmijepesëqind (1.500) Euro për kundërvajtje nga
paragrafi 1. i këtij neni, do të gjobitet personi përgjegjës i institucionit kompetent dhe eprori i këtij organi.
3. Çdo person, i cili me vetëdije, paraqet deklaratë të rreme apo prezanton dokumente të falsifikuara,
me qëllim të përfitimit të të drejtave dhe beneficioneve, të përcaktuara sipas këtij ligji, ndëshkohet sipas
ligjeve në fuqi lidhur me paraqitjen e deklaratës së rreme dhe falsifikim të dokumenteve.
Neni 22
Trajtimi i kërkesave në shqyrtim
1. Të gjitha kërkesat e paraqitura në organin përgjegjës të Ministrisë sipas Ligjit Nr. 02/L-02 për statusin
dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së dhe
familjeve të viktimave civile të luftës, të cilat janë në shqyrtim e sipër, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji do
të rregullohen dhe përcaktohen sipas dispozitave të këtij ligji.
2. Të drejtat e përcaktuara me këtë ligj janë të pranueshme vetëm pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe
asnjë person nuk mund të kërkojë realizimin e këtyre të drejtave në mënyrë retroaktive.
Neni 23
Zbatimi i ligjit
1. Aktet dhe dispozitat e nxjerra nga organet kompetente të UÇK-së dhe TMK-së janë të vlefshme për
zbatimin e këtij ligji, pas verifikimit nga komisioni qeveritar i paraparë në nenin 15 të këtij ligji.
2. Shfrytëzuesit e pensionit bazë, mund të realizojnë të gjitha të drejtat dhe benificionet e përcaktuara
me këtë ligj, nëse i përmbushin kushtet dhe kriteret sipas dispozitave të këtij ligji,
3. Shfrytëzuesit e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, nuk mund të jenë shfrytëzues të të
drejtave nga ky ligj.
14
Neni 24
Lartësia e shumës së pensioneve
Varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual, në fund të çdo viti për
vitin e ardhshëm, Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Financave me vendim të veçantë,
do të vendosë për lartësinë e shumës së pensioneve dhe benficioneve të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 25
Beneficionet Subjekt i Vështirësive Fiskale
1. Pavarësisht nga dispozitat e tjera të këtij ligji, pagesa e cilitdo dhe të gjitha beneficioneve financiare
të siguruara nga ky ligj duhet të kërkohet vetëm deri në atë masë që:
1.1. fondet janë përvetësuar veçmas për një qëllim të tillë, sipas ligjit të aplikueshëm për
buxhetin vjetor;
1.2. ka fonde të mjaftueshme faktikisht në dispozicion për pagesa të tilla; dhe
1.3. Qeveria nuk ka lëshuar vendim nën paragrafin 2. të këtij neni që redukton apo eliminon
pagesa të tilla.
2. Në masën që Qeveria e sheh të domosdoshme për të adresuar rrethanat që krijojnë tendosje të
paparapara fiskale në buxhetin publik apo që përndryshe të sigurojë ruajtjen e disiplinës fiskale publike,
Qeveria do të ketë autoritetin që të lëshojë një vendim që redukton apo eliminon çfarëdo beneficioni të
siguruar me këtë ligj, përfshirë beneficionet që kanë të bëjnë me pagesa financiare madje edhe nëse
janë përvetësuar fondet sipas ligjit të buxhetit të aplikueshëm në atë kohë.
Neni 26
Dispozitat Kalimtare
Ata përfitues që kanë gëzuar beneficione para datës 15 maj 2011, do të vazhdojnë t’i gëzojnë ato
beneficione. Nëse gjatë procesit të auditimit bëhet e ditur se disa nga këto beneficione janë përfituar në
mënyrë të padrejtë, atëherë këto beneficione do të ndërpriten.
Neni 27
Shfuqizimi i dispozitave ligjore
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen:
1.1. Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2000/66 e datës 21.12.2000 për beneficionet për invalidët e
luftës dhe të afërmve të atyre që kanë vdekur, si pasojë e konfliktit të armatosur në Kosovë;
1.2. Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2006/29 e datës 2 maj 2006 për shpalljen e Ligjit për statusin
dhe të drejtat e familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së
dhe familjeve të viktimave civile të konfliktit të armatosur në Kosovë;
1.3. Ligji nr. 02/L-02 për statusin dhe të drejtat e familjeve të Dëshmorëve, invalidëve,
veteranëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të viktimave civile të luftës, si dhe,
1.4. çdo dispozitë tjetër e aktit ligjor apo nënligjor e cila është në kundërshtim me dispozitat e
këtij ligji.
15
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë nga publikimi në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës, ndërsa do të zbatohet nga 01.01.2012.
Ligji Nr. 04/ L-054
8 dhjetor 2011
Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80 paragrafi
5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.