1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 29 / 27 DHJETOR 2011, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-071
PËR SISTEMIN E ADRESAVE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR SISTEMIN E ADRESAVE
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë dhe rregulloj mënyrën e krijimit dhe të administrimit të Sistemit të
Adresave, përcaktimin e kritereve dhe identifikimin e çdo ndërtese, objekti dhe çdo parcele kadastrale
të lirë në territorin e Republikës së Kosovës.
Neni 2
Fusha e Zbatimit
Ky ligj përcakton kompetencat, përgjegjësitë e Komunave dhe detyrat e Qeverisë në krijimin dhe
administrimin e Sistemit të Adresave në territorin e Kosovës.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Adresa - përpilimi i fjalëve, numrave, dhe shenjat drejtshkrimore të gjuhës, të renditura
sipas një qëllimi të caktuar, duke treguar vendndodhjen e saktë të një ndërtesë dhe një parcele
kadastrale të lirë. Ajo është e përbërë nga shkronjat në gjuhët zyrtare dhe numrat Arab.
1.2. Ministria - Ministria përgjegjëse për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor.
1.3. Komuna - përcaktimi i komunës, siç parashikohet në Ligjin e Vetëqeverisjes Lokale Nr.
03/L-040.
1.4. Regjistri Komunal i Adresave - regjistri zyrtar që përmban të gjitha elementet e adresave
për Komunën e caktuar dhe i cili regjistër mirëmbahet dhe përditësohet vazhdimisht nga
Komuna.
1.5. Regjistri Shtetëror i Adresave - regjistri zyrtar i cili përmban të dhëna nga të gjitha
Regjistrat Komunal të Adresave i cili regjistër mirëmbahet dhe përditësohet vazhdimisht nga
Ministria përgjegjëse për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, përkatësisht Agjencia Kadastrale e
Kosovës.
2
1.6. Gjuhët Zyrtare - gjuhët zyrtare të përcaktuara me Ligjin për përdorimin e gjuhëve (Ligji nr
02/L-37).
1.7. Hapësirë e Lirë - parcela kadastrale e lirë.
1.8. Zona e Qarkullimit Publik - emërtohet pjesa e territorit publik, të tilla si bulevardet, rrugët,
rrugicat, sheshet, parqet dhe unazat rrugore të cilat do të shërbejë si një referencë për të
përshkruar vendndodhjen e saktë të një objekti, ndërtese dhe një parcele kadastrale të lirë
brenda Komunës apo fshatit të komunës së njëjtë në territorin e Republikës së Kosovës.
1.9. Rrugët - përcaktohen në pajtim me Ligjin mbi rrugët (ligji nr 2003/11)
1.10. Tabela e Adresave – emërtimet, numërtimet dhe shenjat e adresave të cilat vendosen
në tabelë.
1.11. Agjencia Kadastrale e Kosovës - Agjencia qendrore përgjegjëse për Kadastrin në
Kosovë, ashtu siç është e paraparë më Ligji nr. 2003/25 për Kadastrin.
Neni 4
Elementet e Adresave
1. Elementet e një adrese janë si më poshtë:
1.1. emri i Komunës;
1.2. emri i Fshatit;
1.3. emri i Zonës së Qarkullimit Publik në të cilin objekti ka një dalje;
1.4. numri i Ndërtesës;
1.5. numri i Hyrjes;
1.6. numri i Katit;
1.7. numri i Banesës; dhe
1.8. kodi postar.
Neni 5
Sistemi i Adresave
Sistemi i Adresave aplikohet për çdo lloj objekti, ndërtese apo parcele kadastrale të lirë, pavarësisht
nga qëllimi i shfrytëzimit të saj në Republikën e Kosovës.
Neni 6
Gjuhët e përdorura për zbatimin e Sistemit të Adresës
Sistemi i Adresave duhet të zbatohet duke përdorur gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës. Kjo
dispozitë zbatohet për përcaktimin e emrave të zonave të qarkullimit publik për prodhimin dhe
instalimin e shenjave emërtuese të adresave.
3
KREU II
KRITERET PËR EMËRTIM
Neni 7
Emërtimi i Zonave të Qarkullimit Publik
1. Vendimi për emrat e zonave të qarkullimit publik, merret nga Kuvendi i Komunës nën juridiksionin e
të cilave ndodhen ato.
2. Emrat për zonat e qarkullimit publik propozohen nga drejtoria komunale përgjegjëse. Emrat
vendosen me vendim të Kuvendit të Komunës. Emrat e zonave të qarkullimit publik synojnë të ruajnë
vazhdimësinë dhe homogjenitetin në aspektin kulturor dhe historik që synojnë të jenë të propozuara
duke marrë në konsideratë procesin konsultativ me komunitetet që jetojnë në zona të veçanta. Emrat e
zonave të qarkullimit publik regjistrohen në Regjistrin Komunal të Adresave.
3. Drejtoria komunale përgjegjëse gjithashtu cakton një kod unik për çdo zonë të qarkullimit publik në
kuadër të komunës. Kodi regjistrohet në Regjistrin Komunal të Adresave.
4. Drejtoria komunale përgjegjëse obligohet të krijoj, mbajë dhe të rifreskojë vazhdimisht një listë
alfabetike të të gjithë emrave të zonave të qarkullimit publik. Lista konsultohet gjatë procesit të
emërtimit për të shmangur dyfishimin e emrave në të njëjtin fshat apo Komunë dhe e njëjta bëhet
publike.
Neni 8
Kriteret e Emërtimit
1. Çdo zonë e qarkullimit publik ka një emër të veçantë në kuadër të të njëjtit fshat apo Komunës së
njëjtë.
2. Në rrugën me një dalje vendoset emër i veçantë nga emri i rrugës kryesore nëse kur në të ka mbi
dhjetë (10) banesa-shtëpi ose kur në planin rregullues parashikohet dalje në një rrugë tjetër. E njëjta
gjë zbatohet edhe në fshatra.
3. Për rrugicat me një dalje ose me më pak se dhjetë (10) banesa-shtëpi përdoret emri i njëjtë i rrugës
ku ato kanë dalje.
4. Nëse ka arsye për të përcaktuar emra të ndryshëm për të njëjtën zonë të qarkullimit publik përgjatë
përfshirjes së saj, emri mund të ndryshojë vetëm në një udhëkryq, urë, kryqëzimin hekurudhor ose në
ndonjë vend të njohur historik. Kjo dispozitë nuk do të thotë se i njëjti segment i zonës së qarkullimit
publik mund të ketë emra të ndryshëm.
Neni 9
Ndalimet e Emërtimeve
1. Emrat e mëposhtme nuk do të përdoren në lidhje me Zonat e Qarkullimit Publik:
1.1. inicialet, shkurtesat dhe emrat e shkurtuara;
1.2. emrat në gjuhët e huaja;
1.3. emra që përmbajnë gabime gjuhësore;
1.4. emrat e familjeve;
4
1.5. emrat përshkrues;
1.6. emrat që përdorin numra nuk duhet të përdorin numrat me fraksione.
Neni 10
Riemërtimi i Zonave të Qarkullimit Publik
1. Në rast të nevojës për të ndryshuar emrin ekzistues të një zone zbatohen dispozitat e caktuara në
këtë ligj për përcaktimin e emrave të zonave të qarkullimit publik.
2. Kur për shkak të një ndryshimi të kufijve komunal të Republikës së Kosovës, një zonë e qarkullimit
publik është caktuar në një tjetër Komunë dhe ka një konflikt me një emër ekzistues, procesi i
riemërtimit do të bëhet në pajtim me këtë ligj.
Neni 11
Lista e Emrave Rezervë
Drejtoria komunale përgjegjëse harton dhe mbanë një listë të emrave rezervë për zonat e qarkullimit
publik. Emrat rezervë në listë duhet të përputhen me kriteret e emërtimit të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 12
Zonat ndër-komunale të Qarkullimit Publik
1. Zonat e qarkullimit publik që kalojnë nëpër dy ose më shumë Komuna, ruajnë të njëjtin emër në të
gjithë përfshirjen e tyre.
2. Kur një zonë e qarkullimit publik kalon nëpër dy ose më shumë Komuna, Komunat bashkëpunojnë
me njëra-tjetrën në mënyrë që të sigurohet një pajtueshmëri në emërtimin dhe numërtimin e të njëjtës
zonë të qarkullimin publik në të gjithë përfshirjen e saj.
Neni 13
Njoftimi për vendosjen e Emrit të Ri dhe ndryshimin e Emrit ekzistues
1. Në rast të vendosjes së një emri të ri ose ndryshimit të një emri ekzistues të një zone të qarkullimit
publik Komuna e informon Ministrinë për emërtim të ri të propozuar brenda pesë (5) ditëve.
2. Ministria shqyrton emrin e propozuar në lidhje me pajtueshmërinë e saj me këtë ligj dhe Udhëzimet
Administrative përkatëse. Ministria njofton Komunën brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve për vlerësimet
e saj.
3. Në rast se Ministria konstaton papajtueshmërinë e emërtimit me këtë ligj dhe Udhëzimet
Administrative të këtij ligji, atëherë Ministria brenda afatit të lart cekur i kërkon Komunës që të rishqyrtoj
emërtimin.
4. Nëse Komuna nuk i përgjigjet kërkesës për rishqyrtim brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh apo
refuzon kërkesën dhe e mbështetë vendimin e kontestuar për emërtim, atëherë Ministria mund ta
dërgoj çështjen kontestuese në Gjykatën e Qarkut që është kompetente për territorin e Komunës,
brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh pas dështimit për t’iu përgjigjur njoftimit për refuzim apo
mbështetjen e vendimit të kontestuar.
5
KREU III
KRITERET PËR NUMËRTIME
Neni 14
Caktimi i Numrave të Adresave në Zonat Urbane
1. Drejtoria komunale përgjegjëse është kompetente të bëjë caktimin e numërtimit të adresave në
ndërtesa, objekte dhe parcela kadastrale të lira, për nevoja të Sistemit të Adresave në tërë territorin e
Komunës, duke vepruar çdo herë në pajtim më këtë ligj.
2. Drejtoria komunale përgjegjëse, po ashtu cakton një kod të veçantë për secilën ndërtesë, objekt ose
parcelë kadastrale të lirë.
3. Drejtoria komunale përgjegjëse vendosë numrat e adresave dhe kodin identifikues të ndërtesës në
regjistrin komunal të adresave.
4. Për ndërtesat e reja që planifikohen të ndërtohen në territorin e Komunës, adresa caktohet gjatë
procesit të lëshimit të lejes së ndërtimit. Përgjegjësinë për të caktuar numrin e adresës për ndërtesat e
planifikuara e ka drejtoria komunale përgjegjëse. Kur ndërtesa të përfundohet dhe miratohet për
përdorim, adresa konfirmohet në regjistrin e adresave. Ky rregull aplikohet ndaj të gjithëve për caktimin
e numrave për ndërtesat në zonat rurale.
Neni 15
Caktimi i Numrave të Adresave brenda Ndërtesave
Çdo banesë brenda ndërtesës, duke përfshirë edhe zyre dhe lokale duhet të kenë një numër të caktuar.
Drejtoria komunale përgjegjëse është kompetente për të caktuar dhe vendosur numrat e adresave për
secilën banesë, zyre dhe lokal për nevoja të Sistemit të Adresave në tërë territorin e Komunës.
Neni 16
Caktimi i Numrave të Adresave në Zonat Rurale
Drejtoria komunale përgjegjëse është kompetente për caktimin dhe vendosjen e numrave për shtëpi,
objekte dhe parcela kadastrale të lira për nevoja të Sistemit të Adresave brenda territorit të Komunës,
duke vepruar çdo herë në pajtim më këtë ligj.
Neni 17
Emërtimi dhe Numërtimi i Urave dhe Tuneleve
Urat dhe tunelet emërtohen dhe numërtohen për qëllim të identifikimit. Në të shumtën e rasteve, masat
janë bërë në mes të urës dhe numri vendoset në fund të urës nga të dyja anët. Kompetencat për
vendosjen e tabelës i përkasin Komunës ku ndodhet zona.
KREU IV
REGJISTRI I ADRESAVE
Neni 18
Regjistri Komunal i Adresave
Komuna krijon, mirëmban dhe siguron vazhdimisht saktësinë e të dhënave në Regjistrin Komunal të
Adresave.
6
Neni 19
Regjistri Shtetëror i Adresave
1. Ministria krijon dhe administron Regjistrin Shtetëror të Adresave.
2. Regjistri Shtetëror i Adresave zbatohet dhe mirëmbahet nga Agjencia Kadastrale e Kosovës.
Neni 20
Shpërndarja e të dhënave nga Regjistri Shtetëror i Adresave
1. Të dhënat nga Regjistri Shtetëror i Adresave u shpërndahen falas Ministrive, institucioneve dhe
agjencive qeveritare, komunave, kompanive private, entiteteve joqeveritare dhe personave fizik në
pajtim me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
2. Regjistri Shtetëror i Adresave është pjesë e Infrastrukturës së të Dhënave Nacionale Hapësinore
(IDhNH).
KREU V
KRITERET PËR TABELAT E ADRESAVE
Neni 21
Specifikimet teknike për Tabelat, Emrat dhe Numrat
1. Tabelat për emrat e zonave të qarkullimit publik si dhe numrat për ndërtesat dhe hyrjet, prodhohen
dhe vendosen duke përdorur praktikat Evropiane më të mira dhe të përshtatshme.
2. Numrat duhet të jenë numra Arab.
3. Shkronjat në tabela duhet të jenë në pajtim me legjislacionin përkatës për përdorimin e gjuhëve në
Republikën e Kosovës.
4. Në Komunat ku gjuhët tjera kanë statusin e gjuhës zyrtare, tabelat janë në gjuhët zyrtare të
Komunës.
Neni 22
Vendosja e Tabelave të Adresave
Drejtoria komunale përgjegjëse vendosë tabelat e adresave në objekte, ndërtesa dhe në parcela
kadastrale të lira brenda territorit të Komunës.
Neni 23
Shpenzimet për vendosjen e Tabelave të Adresave
1. Shpenzimet e vendosjes së tabelave të adresave në zonat e qarkullimit publik mbulohen nga buxheti
komunal i Komunës në të cilën ndodhet zona.
2. Shpenzimet për vendosjen e tabelave të adresave në ndërtesa dhe brenda tyre për herë të parë,
mbulohet nga buxheti Komunal i Komunës.
7
KREU VI
PËRGJEGJËSITË E KOMUNËS
Neni 24
Përgjegjësitë e Komunës
1. Komuna cakton emrat dhe numrat e veçantë për të gjitha objektet ndërtesat, banesat, dhe parcelat
kadastrale të lira, në pajtim me dispozitat e këtij ligji.
2. Të gjitha elementet e adresës në Komunë regjistrohen dhe mirëmbahen nga stafi ekzistues i
drejtorisë përgjegjëse në regjistrat komunale të adresave në pajtim më dispozitat e këtij ligji.
3. Komuna nuk lëshon leje ndërtimi përveç nëse është caktuar adresa dhe është përfshirë në lejen e
ndërtimit.
4. Komuna koordinon proceset e emërtimeve dhe numërtimeve me komunën fqinje në rast të zonave
ndër-komunale të qarkullimit publik.
5. Komuna njofton pronarët e pronave dhe banorët për emrin dhe numrin e zonës së qarkullimit publik
në të cilën ata banojnë.
6. Komuna është përgjegjëse për sigurimin dhe vendosjen e tabelave me emra dhe numra për të gjitha
zonat ekzistuese të qarkullimit publik.
7. Komuna është përgjegjëse për sigurimin dhe mirëmbajtjen e të gjitha tabelave me emra, brenda
territorit të saj.
8. Komuna mirëmban të dhënat në Regjistrin Komunal të Adresave duke siguruar që të gjitha të dhënat
janë të plota, korrekte dhe të përditësuara
KREU VII
PËRGJEGJËSITË E MINISTRIVE KOMPETENTE
Neni 25
Përgjegjësitë e Ministrive
1. Ministria në bashkëpunim me Ministrinë përgjegjëse për Qeverisje Lokale, Ministrinë përgjegjëse për
Punë të Brendshme dhe Komunat janë përgjegjëse për zbatimin e tërë Sistemit të Adresave në
Republikën e Kosovës.
2. Ministria siguron koordinim ndërmjet institucioneve qeveritare dhe komunale dhe siguron mundësi
teknike dhe financiare për zbatimin uniform të sistemit të adresave.
3. Ministria është përgjegjëse për shqyrtimin e emërtimeve të vendosura nga Komunat për zonat e
qarkullimit publik dhe t’i njoftojë komunat në rast të shkeljes së këtij ligji.
4. Ministria krijon dhe administron Regjistrin Shtetëror të Adresave.
5. Ministria shpërndanë të dhënat nga Regjistri Shtetëror i Adresave në pajtim me dispozitat e këtij
ligji.
8
KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 26
Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare
1. Ministria dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës sigurojnë harta, Udhëzime Administrative manuale dhe
udhërrëfyes të përshtatshëm për Komunat në mënyrë që të fillojnë zbatimin e Sistemit të Adresave.
2. Brenda gjashtë (6) muajve nga miratimi i akteve nënligjore të parapara më këtë ligj, Komunat i
identifikojnë të gjitha zonat e qarkullimit publik dhe vendosin emra për ato në pajtim me dispozitat e këtij
ligji.
3. Brenda dymbëdhjetë (12) muajve nga miratimi i akteve nënligjore të parapara më këtë ligj , Komunat
i caktojnë numrat për të gjitha ndërtesat, objektet dhe parcelat kadastrale të lira ekzistuese, për
caktimin e numrave të saktë.
4. Brenda tetëmbëdhjetë (18) muajve nga miratimi i akteve nënligjore të parapara më këtë ligj, Komunat
caktojnë numra për hyrjet e ndërtesave dhe banesave brenda ndërtesave ekzistuese, në pajtim me
dispozitat e këtij ligji.
5. Brenda njëzet e katër (24) muajve nga miratimi i akteve nënligjore të parapara më këtë ligj, Komuna
regjistron, bënë emërtimet dhe numërtimet e zonave të qarkullimit publik, objekteve dhe ndërtesave
dhe të njëjtat i regjistron në regjistrin komunal të adresave, në pajtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 27
Nxjerrja e Udhëzimeve Administrative
1. Ministria dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës janë përgjegjëse për nxjerrjen e këtyre Udhëzimeve
Administrative:
1.1. udhëzim Administrativ për renditjen e elementeve të adresave dhe caktimin e formatit të
shkronjave, numrave dhe të tabelave të adresave;
1.2. udhëzim Administrativ për caktimin e emërtimit dhe numërtimit të adresave për zona të
qarkullimit publik, ndërtesa, shtëpi, objekte dhe parcela kadastrale të lira;
1.3. udhëzim Administrativ për vendosjen fizike të tabelave të adresave në zona të qarkullimit
publik, ndërtesa, shtëpi, objekte dhe parcela kadastrale të lira;
1.4. udhëzim Administrativ për krijimin dhe administrimin e listës alfabetike për emërtime, listës
rezerve dhe vendosjen e tyre nga Regjistrin Komunal të Adresave;
1.5. udhëzim Administrativ për procedurat e krijimit dhe administrimit të Regjistrit Komunal të
Adresave dhe Regjistrit Shtetëror të Adresave;
1.6. Ministria nxjerrë edhe Udhëzime tjera administrative për zbatimin e këtij ligji.
2. Ministria dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës janë përgjegjëse për nxjerrjen e këtyre Udhëzimeve
Administrative, në afat prej gjashtë (6) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
9
Neni 28
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 04/ L-071
8 dhjetor 2011
Shpallur me dekretin Nr. DL-052-2011, datë 21.12.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.