LIGJI NR. 04/L-052 PËR MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 28 / 16 DHJETOR 2011, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L-052
PËR MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR MARRËVESHJET NDËRKOMBËTARE

Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton procedurën e lidhjes, nënshkrimit, ratifikimit, rezervave dhe deklaratave, ndryshimit
dhe plotësimit, tërheqjes nga marrëveshja, si dhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të
Republikës së Kosovës.

Neni 2
Pajtueshmëria me rregullat dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare

Ky ligj është në pajtim me rregullat dhe parimet e pranuara universale të së drejtës ndërkombëtare, që
rregullojnë lidhjen dhe ekzekutimin e traktateve ndërkombëtare, të kodifikuara në Konventën e Vjenës
të 23 majit 1969 për të Drejtën e Traktateve, dhe Konventën e Vjenës të 21 marsit 1986 për të Drejtën
e Traktateve ndërmjet Shteteve dhe Organizatave Ndërkombëtare ose ndërmjet Organizatave
Ndërkombëtare.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Aderim - akt me të cilin Kuvendi ose Presidenti i Republikës së Kosovës jep miratimin që
Republika e Kosovës të jetë palë në një traktat ose marrëveshje ndërkombëtare, e cila nuk
është nënshkruar prej saj;

1.2. Agjencitë shtetërore ose agjencitë shtetërore përkatëse - institucion fusha e
kompetencave e të cilit mbulon fushëveprimin e marrëveshjes;
1.3. Autorizim - dokument që lëshohet nga autoriteti kompetent përmes të cilit emëron një ose
disa persona që përfaqësojnë atë në zhvillimin e bisedimeve ose nënshkrimin e marrëveshjes
ndërkombëtare;

1.4. Deklaratë - deklaratë e njëanshme, të bërë nga organi kompetent shtetëror, në kohën e
nënshkrimit, ratifikimit, aderimit ose miratimit të një marrëveshjeje me anën e së cilës shprehet
një kuptim ose interpretim i marrëveshjes, që nuk synon të përjashtojë ose modifikojë efektet
ligjore të dispozitave të caktuara;

1.5. Marrëveshje ndërkombëtare - një marrëveshje ndërkombëtare përkatësisht traktat i lidhur
ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shteteve të huaja ose organizatave ndërkombëtare në
formë të shkruar, e rregulluar me të drejtën ndërkombëtare pavarësisht nga emërtimi dhe nga
përfshirja në një, dy apo më shumë instrumente të ndërlidhura.

2
1.6. Marrëveshje për bashkëpunim ndër-institucional - një marrëveshje ose memorandum e
lidhur në emër të, dhe në bazë të kompetencave të ministrive apo agjencive shtetërore dhe
institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës me institucionet dhe organizatat përkatëse të
shteteve të huaja, që nuk lidhet në emër të shtetit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe
nuk është subjekt i ratifikimit. Ky lloj i marrëveshjes ka kryesisht karakter teknik;

1.7. Parafim - akt me të cilin personat e autorizuar vënë inicialet për të treguar se kanë rënë
dakord për tekstin përfundimtar të marrëveshjes;

1.8. Ratifikim - akt me të cilin Republika e Kosovës në nivelin ndërkombëtar jep pëlqimin e vet
të lidhë marrëveshje ndërkombëtare, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës;

1.9. Rezervë - deklaratë e njëanshme, të bërë nga organi kompetent shtetëror, në kohën e
nënshkrimit, ratifikimit, aderimit ose miratimit të një marrëveshjeje me anën e së cilës synon të
përjashtojë ose modifikojë efektet ligjore të dispozitave të caktuara;

1.10. Tërheqja nga marrëveshja - akt me të cilin Kuvendi, Presidenti ose Qeveria e
Republikës së Kosovës shpreh heqjen dorë nga një traktat ose marrëveshje ndërkombëtare.

Neni 4
E drejta e nismës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Të drejtën e nismës për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare e kanë organet shtetërore të
Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosoves dhe ligjin në fuqi.

2. Nismat për marrëveshjet ndërkombëtare që vijnë nga ministritë miratohen në parim nga Qeveria, pas
rekomandimit nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Neni 5
Procedura e shqyrtimit të projektmarrëveshjeve ndërkombëtare

1. Teksti i projektmarrëveshjes ndërkombëtare i hartuar nga një ministri ose agjenci shtetërore në
gjuhët shqipe dhe serbe, si dhe në gjuhët e huaja përkatëse, i dërgohet ministrive ose agjencive
shtetërore përkatëse për shqyrtim.

2. Projekti i tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare i dërgohet Ministrisë së Punëve të Jashtme për
shqyrtim vetëm pasi të jetë shqyrtuar dhe të jetë arritur pajtimi nga ministritë dhe agjencitë shtetërore
përkatëse. Projekti i tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare i dërgohet Ministrisë së Punëve të Jashtme
bashkë me kopjet e opinioneve të pranuara nga ministritë ose agjencitë shtetërore përkatëse gjatë
procedurës së shqyrtimit.

3. Ministria ose agjencia shtetërore përkatëse siguron përkthimin e projektit të tekstit të marrëveshjes
ndërkombëtare në gjuhën shqipe dhe serbe ose në gjuhën e huaj përkatëse.

Neni 6
Kompetenca për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare

1. Presidenti, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme kanë të drejtën e kryerjes së të gjitha
veprimeve të ndërlidhura me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, në
pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën e Vjenës për të Drejtën e Traktateve.

2. Shefi i misionit diplomatik të Republikës së Kosovës ose përfaqësuesi i autorizuar i Republikës së
Kosovës në një konferencë ndërkombëtare, organizatë ndërkombëtare ose një prej organeve të tyre ka
të drejtën e negociimit të lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose të
miratojë tekstin me shtetin në të cilin është akredituar ose në konferencën ndërkombëtare, organizatën
ndërkombëtare ose një prej organeve të tyre.
3

3. Personat tjerë, mund të kryejnë veprime drejt lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës
së Kosovës vetëm me kusht që kanë fuqi të deleguara në bazë të ligjit në fuqi dhe procedurës së
përcaktuar në nenin 6 të këtij ligji.

Neni 7
Procedura për dhënien e autorizimit për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Kompetenca për kryerjen e veprimeve të ndërlidhura me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të
Republikës së Kosovës që kanë të bëjnë me fushat e përcaktuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij
ligji autorizohet nga Presidenti pas rekomandimit nga Qeveria.

2. Kompetenca për të kryer veprimet e ndërlidhura me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të
Republikës së Kosovës, përveç atyre sipas paragrafit 1. të nenit 10 të këtij ligji, autorizohen nga Ministri
i Punëve të Jashtme.

3. Kompetenca për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, të cilat hyjnë në
fuqi në datën e nënshkrimit, autorizohen nga Presidenti pas rekomandimit të ministrisë ose agjencisë
shtetërore, kompetencë e së cilës është hartimi i marrëveshjes ndërkombëtare, me kusht që Ministria e
Punëve të Jashtme të ketë dhënë pëlqimin paraprak për marrëveshjen përkatëse.

4. Kërkesës drejtuar Qeverisë për dhënien e autorizimit nga Presidenti për të kryer veprime që kanë të
bëjnë me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të referuara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji,
ministria ose agjencia shtetërore përkatëse i bashkëngjet dokumentet në vijim:

4.1. projektin e tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe dhe, sipas
nevojës, në gjuhën e huaj përkatëse;

4.2. opinionet e dorëzuara nga ministritë ose agjencitë shtetërore gjatë periudhës së shqyrtimit.

5. Vendimi nxirret nga Qeveria për të kërkuar dhënien e autorizimit nga Presidenti. Vendimi i Qeverisë
specifikon nenet ose paragrafët përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të këtij ligji.

6. Kërkesës drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme për dhënien e autorizimit për të kryer veprime të
ndërlidhura me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, përveç atyre të referuara në paragrafin 1. të
nenit 10 të këtij ligji, ministria ose agjencia shtetërore përkatëse i bashkëngjet dokumentet në vijim:

6.1. projektin e tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe dhe, sipas
nevojës, në gjuhën e huaj përkatëse;

6.2. opinionet e dorëzuara nga ministritë ose agjencitë shtetërore gjatë periudhës së shqyrtimit.

7. Kërkesës së drejtuar Presidentit të Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për kryerjen e
veprimeve të ndërlidhura me lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare, e cila hyn në fuqi në momentin e
nënshkrimit, ministria ose agjencia shtetërore i bashkëngjiten dokumentet në vijim:

7.1. teksti i projekt marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe dhe, sipas
nevojës, në gjuhën e huaj përkatëse;

7.2. opinionet e dorëzuara nga ministritë ose agjencitë shtetërore gjatë periudhës së shqyrtimit;

7.3. vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme për afatin kohor të lidhjes së marrëveshjes
ndërkombëtare.

4
8. Presidenti dhe Ministria e Punëve të Jashtme japin autorizim, brenda afatit kohor prej pesëmbëdhjetë
(15) ditëve pune nga data e pranimit të kërkesës nga Qeveria, respektivisht ministria ose agjencia
shtetërore përkatëse. Autorizimet nënshkruhen nga Presidenti dhe Ministri i Punëve të Jashtme.
9. Informatat për autorizimet nga Presidenti dhe Ministri i Punëve të Jashtme ruhen dhe administrohen
në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Neni 8
Negociatat për marrëveshje ndërkombëtare

1. Para fillimit të negociatave, ministria ose agjencia shtetërore përkatëse propozon përbërjen e
delegacionit, kohën dhe vendin ku do të zhvillohen negociatat, pasi të jetë marrë më parë pëlqimi i
Ministrisë së Punëve të Jashtme.

2. Ministria e Punëve të Jashtme me rastin e dhënies së pëlqimit për fillimin e negociatave, jep pëlqimin
edhe për përbërjen e delegacionit, kohën dhe vendin ku do të zhvillohen ato.

3. Pas çdo faze të negociatave të marrëveshjeve ndërkombëtare, ministria ose agjencia shtetërore
përkatëse raporton rreth përparimit dhe rezultateve të negociatave tek Ministria e Punëve të Jashtme.
Çdo korrespondencë me organizatat e huaja shtetërore dhe ndërkombëtare rreth marrëveshjeve
ndërkombëtare shkëmbehet vetëm përmes kanaleve diplomatike.

4. Çdo propozim i bërë gjatë negociatave për bërjen e ndryshimeve dhe plotësimeve të mëdha në
projektin e tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare i nënshtrohet procedurës së shqyrtimit nga ministritë
ose agjencitë shtetërore. Negociatat mund të vazhdojnë nëse ministritë ose agjencitë shtetërore
përkatëse pajtohen për ndryshimet dhe propozimet e bëra gjatë procedurës së shqyrtimit.

5. Nëse ministritë ose agjencitë shtetërore përkatëse nuk pajtohen për ndryshimet ose plotësimet e
propozuara në projektin e tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare, atëherë me propozimin e Ministrisë
së Punëve të Jashtme plotësimet dhe ndryshimet shqyrtohen dhe vendosen nga Qeveria.

Neni 9
Forma dhe Gjuha

1. Teksti i marrëveshjes dypalëshe ndërkombëtare shtypet në gjuhët e palëve që lidhin marrëveshje
ose edhe në gjuhën tjetër sipas marrëveshjes së tyre:

1.1. në alternatin dhe në letrën e vet;

1.2. në alternatin dhe në letrën e palës tjetër.

2. Palët mund të merren vesh që për çdo kopje origjinale të përdoret edhe një gjuhë e huaj e pranuar
bashkërisht.

3. Pas kësaj, shkëmbehen alternatet sipas nën-paragrafëve 1.1. dhe 1.2. të paragrafit 1. të këtij neni.
Në këtë mënyrë secila palë ka dy kopje të ekzemplarit të vet në gjuhën e të dyja palëve.

4. Në raste të veçanta, marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe mund të hartohen edhe vetëm në një
gjuhë të huaj të tretë, të pranuar bashkërisht nga të dyja palët. Në këtë rast, ministria ose agjencia
shtetërore depoziton në Ministrinë e Punëve të Jashtme, krahas origjinalit të marrëveshjes, edhe
përkthimin në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.

Neni 10
Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve ratifikon
marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje:
5

1.1. territori, paqja, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake;

1.2. të drejtat dhe liritë fundamentale;

1.3. anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare;

1.4. marrja e obligimeve financiare nga Republika e Kosovës.

2. Marrëveshjet ndërkombëtare të referuara në paragrafin 1. të këtij neni ratifikohen me ligj të votuar
nga dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

3. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës të referuara në paragrafin 1. të këtij neni i
dorëzohen Kuvendit me iniciativë të vet ose pas propozimit nga Qeveria.

4. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përveç atyre në paragrafin 1. të këtij neni,
ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti.

5. Paragrafi 4. i këtij neni nuk vlen për marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës të
nënshkruara nga Presidenti.

6. Instrumentet e ratifikimit hartohen në bazë të ligjit, përkatësisht dekretit të paraparë në paragrafët 2.
dhe 4. të këtij neni ose në bazë të paragrafit 5. të këtij neni.

7. Në rastet e nismës së procedurës së ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të referuara në
paragrafin 1. të këtij neni, ministria ose agjencia përkatëse harton, nis procedurën e shqyrtimit në bazë
të nenit 5 të këtij ligji dhe dorëzon në Qeveri, bashkë me tekstin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe
letrën shpjeguese për marrëveshjen ndërkombëtare, këto dokumente:

7.1. projektin e vendimit të Qeverisë përmes të cilit kërkohet nga Presidenti që t’i propozojë
Kuvendit të Republikës së Kosovës ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare;

7.2. projektin e dekretit të Presidentit për marrëveshjen ndërkombëtare që i propozohet për
ratifikim Kuvendit të Kosovës;

7.3. projektligjin e Republikës së Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare.

8. Kërkesa për ratifikimin e marrëveshjeve, të cilat nuk janë të parapara në paragrafin 1. të këtij neni,
dërgohet nga Ministria e Punëve të Jashtme te Presidenti.

9. Kërkesës për ratifikim i bashkëngjitet teksti i marrëveshjes ndërkombëtare dhe letra shpjeguese e
marrëveshjes ndërkombëtare.

10. Dekreti i ratifikimit të marrëveshjes nga Presidenti i Republikës së Kosovës thirret në dispozitat
përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në bazë të të cilave marrëveshja ndërkombëtare
duhet të ratifikohet.

Neni 11
Rezervat dhe deklaratat

1. Në qoftë se ekzistojnë rezerva dhe/ose ka deklarata rreth marrëveshjes ndërkombëtare, ministria
ose agjencia shtetërore përkatëse i raporton këto te ministritë dhe agjencitë qeveritare relevante gjatë
procedurës së shqyrtimit në bazë të nenit 5 të këtij ligji.

2. Ministria ose agjencia shtetërore përkatëse përfshinë tekstin e rezervave dhe/ose deklaratave në
projektligjin e Republikës së Kosovës rreth ratifikimit të marrëveshjes ndërkombëtare ose projektin e
6
dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe bën
përkthimin e këtyre rezervave dhe/ose deklaratave në gjuhën e huaj përkatëse.

3. Tërheqja nga marrëveshja ose amendamentimi i rezervave dhe/ose deklaratave në lidhje me
marrëveshjen ndërkombëtare duhet t’i nënshtrohet kërkesave të nenit 10 të këtij ligji.

Neni 12
Lidhja e marrëveshjeve për bashkëpunim ndërinstitucional

1. Ministritë dhe agjencitë shtetërore mund të lidhin, brenda fushës së tyre të kompetencave,
marrëveshje apo memorandume me shtetet e huaja ose organizatat ndërkombëtare vetëm nëse
marrëveshjet e tilla nuk përmbajnë obligime të detyrueshme për Qeverinë. Këto marrëveshje mund të
lidhen me shkëmbim notash, pa zhvilluar bisedime me delegacione.

2. Këto marrëveshje mund të lidhen vetëm nëse nuk janë në kundërshtim me ligjet dhe aktet tjera
ligjore të Republikës së Kosovës dhe zotimet e saja ndërkombëtare, dhe nëse zbatimi i marrëveshjeve
të tilla nuk kërkon financim shtesë nga buxheti shtetëror i Republikës së Kosovës.

3. Projekti i teksteve të marrëveshjeve të tilla i dërgohet Ministrisë së Punëve të Jashtme për shqyrtim.

4. Pasi Ministria e Punëve të Jashtme të japë pëlqimin me shkrim për lidhjen e marrëveshjes,
marrëveshja nënshkruhet nga Ministri i ministrisë përkatëse, udhëheqësi i agjencisë shtetërore ose
ndonjë institucioni tjetër shtetëror ose nga ndonjë person i autorizuar nga udhëheqësi i ministrisë,
agjencisë shtetërore ose institucionit tjetër përkatës.

5. Një kopje e shtypur dhe një elektronike e tekstit të marrëveshjes i dorëzohen Ministrisë së Punëve të
Jashtme, e cila ruan dhe administron marrëveshjet e tilla.

Neni 13
Projekti standard i tekstit të marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Ministria ose agjencia shtetërore përkatëse mund të hartojë tekstin standard për marrëveshje
ndërkombëtare. Projektet e teksteve të tilla për marrëveshje ndërkombëtare i dërgohen ministrive dhe
Qeverisë ose agjencive shtetërore për shqyrtim në përputhje me nenin 5 të këtij ligji.

2. Ministria ose agjencia shtetërore përkatëse dorëzon në Ministrinë e Punëve të Jashtme projektin
standard të tekstit të marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe si dhe projektin e
vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për miratimin e projektit të tekstit standard për
marrëveshje ndërkombëtare.

2.1. projekti standard i tekstit për marrëveshje ndërkombëtare miratohet nga Qeveria e
Republikës së Kosovës.

2.2. projekti standard i tekstit për marrëveshje ndërkombëtare mund t’i dërgohet shteteve të
huaja ose organizatave ndërkombëtare pa kaluar nëpër procedurën shtesë të shqyrtimit në
bazë të nenit 5 të këtij ligji.

Neni 14
Kompetenca e Ministrisë së Punëve të Jashtme në procesin e hyrjes në fuqi të marrëveshjeve
ndërkombëtare të Republikës së Kosovës

1. Aktet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me hyrjen në fuqi, vlefshmërinë dhe zbatimin e marrëveshjeve
ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, përfshirë përgatitjen dhe depozitimin e dokumenteve të
nevojshme për hyrje në fuqi të marrëveshjes ndërkombëtare me depozitues, njoftimin për suspendim të
zbatimit ose njoftimin për shfuqizimin, dhe raportimin për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare
bëhen nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.
7

2. Ministria e Punëve të Jashtme harton instrumentet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare,
njoftimet për përfundimin e procedurave të brendshme ligjore dhe instrumentet tjera të domosdoshme
për hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje ndërkombëtare, depoziton këto dokumente dhe siguron
dërgimin e këtyre dokumenteve në institucionet relevante ndërkombëtare e të huaja, si dhe shkëmbimin
e këtyre instrumenteve.

3. Ministria e Punëve të Jashtme depoziton marrëveshjet ndërkombëtare tek një depozitues ose duhet
të veprojë vet si depozitues, nëse ashtu është paraparë në marrëveshjen ndërkombëtare.

Neni 15
Karakteri detyrues i marrëveshjeve ndërkombëtare

1. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës që kanë hyrë në fuqi janë të detyrueshme në
Republikën e Kosovës.

2. Nëse një marrëveshje ndërkombëtare në fuqi e Republikës së Kosovës vendos norma të tjera,
përveç atyre të vendosura me ligje ose akte të tjera ligjore të Republikës së Kosovës që janë në fuqi në
momentin e lidhjes së marrëveshjes ndërkombëtare ose të cilat kanë hyrë në fuqi pas hyrjes në fuqi të
marrëveshjes ndërkombëtare, atëherë dispozitat e marrëveshjes ndërkombëtare të Republikës së
Kosovës mbizotërojnë.

3. Nëse një ligj ose ndonjë akt tjetër ligjor miratohet me qëllim të zbatimit të një marrëveshjeje
ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, Qeveria dorëzon në Kuvend, në bazë të procedurës së
paraparë, një projekt të ligjit adekuat ose duhet të miratojë një vendim të Qeverisë ose siguron
miratimin e ndonjë akti tjetër ligjor në bazë të kompetencave përkatëse.

Neni 16
Zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës

1. Qeveria siguron zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

2. Një marrëveshje ndërkombëtare e Republikës së Kosovës mund të përcaktojë gjithashtu rregulla të
veçanta për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Neni 17
Ndryshimi dhe plotësimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës

Një marrëveshje ndërkombëtare e Republikës së Kosovës mund të ndryshohet ose plotësohet në bazë
të normave të së drejtës ndërkombëtare dhe në bazë të procedurës së përcaktuar në këtë ligj për
lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, përveç nëse parashihet ndryshe me marrëveshje
ndërkombëtare.

Neni 18
Tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose suspendimi i zbatimit
të tyre

1. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës mund të tërhiqen dhe zbatimi i tyre të
suspendohet vetëm në bazë të dispozitave të marrëveshjeve ndërkombëtare, normave të së drejtës
ndërkombëtare dhe në bazë të procedurës së vendosur përmes këtij ligji.

2. Vendimi në lidhje me tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose
suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, të referuara
në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës me dy të tretat
(2/3) e votave pas rekomandimit të Presidentit, me iniciativë të tij ose pas propozimit nga Qeveria.
8
3. Vendimi për tërheqjen nga një marrëveshje ndërkombëtare të Republikës së Kosovës ose për
suspendimin e zbatimit të saj në bazë të normave universale të së drejtës ndërkombëtare, përveç atyre
të parapara në paragrafin 1. të nenit 10 të këtij ligji, merret nga Presidenti, me iniciativë të tij ose me
rekomandim të Qeverisë.

Neni 19
Informimi rreth marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës

1. Informacioni për të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë lidhur nga Republika e Kosovës
ruhen dhe administrohen në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pavarësisht nga publikimi në Gazetën
Zyrtare.

2. Kopja origjinale e marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar përcillet brenda dhjetë (10) ditëve të
punës, nga ministria përkatëse ose Qeveria ose agjencia shtetërore, te Ministria e Punëve të Jashtme
për arkivim. Bashkë me marrëveshjen ndërkombëtare, ministria përkatëse ose Qeveria apo agjencia
shtetërore dorëzon një dokument ku përshkruhet se kush, ku dhe kur e ka nënshkruar marrëveshjen
ndërkombëtare si dhe versionin elektronik të marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe,
si dhe në gjuhën e huaj relevante nëse është në dispozicion.

3. Ministria e Punëve të Jashtme certifikon vërtetësinë e origjinalit të marrëveshjeve ndërkombëtare
dhe i përcjell kopjet e origjinalit të marrëveshjeve te institucionet relevante shtetërore.

Neni 20
Publikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës

1. Marrëveshjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës publikohen në Gazetën Zyrtare, pas dërgimit
të tyre nga Zyra e Presidentit, respektivisht Kuvendi i Republikës së Kosovës.

2. Për të publikuar një marrëveshje ndërkombëtare, Ministria e Punëve të Jashtme dërgon një kopje të
printuar dhe një elektronike të marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe në Gazetën
Zyrtare të Republikë së Kosovës. Nëse marrëveshja ndërkombëtare është bërë vetëm në një gjuhë të
huaj, atëherë Ministria e Punëve të Jashtme i dërgon Gazetës Zyrtare përkthimin në kopje të printuar
dhe në version elektronik të marrëveshjes ndërkombëtare në gjuhët shqipe dhe serbe të bërë dhe
verifikuar sipas kërkesave të paragrafit 3. të nenit 5 të këtij ligji.

3. Ministria e Punëve të Jashtme publikon, në Gazetën Zyrtare dhe faqen e saj elektronike, kumtesa
informative për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Neni 21
Regjistrimi i marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës në Sekretariatin e
Kombeve të Bashkuara

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ato i dërgohen
Sekretariatit të Kombeve të Bashkuara për regjistrim nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Neni 22

Qeveria e Kosovës sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme nxjerr aktet e nevojshme
nënligjore për zbatimin e këtij ligji.







9


Neni 23
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-052
14 nëntor 2011

Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80 paragrafi
5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.