LIGJI NR. 04/L-036 PЁR STATISTIKAT ZYRTARE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 26 / 25 NËNTOR 2011, PRISHTINË

LIGJI Nr. 04/L-036
PЁR STATISTIKAT ZYRTARE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Me qëllim të rregullimit të statistikave zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me standardet
ndërkombëtare për statistikat,

Miraton


LIGJ PЁR STATISTIKAT ZYRTARE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i Ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është të përcaktojë parimet themelore dhe të krijojë bazën ligjore për organizimin,
prodhimin dhe publikimin e statistikave zyrtare të Kosovës.

2. Qëllimi i statistikave zyrtare është mbledhja, përpunimi dhe shpërndarja e të dhënave për qëllime
statistikore për aktivitetet ekonomike, sociale dhe kushtet e përgjithshme në Kosovë, si dhe i sigurojnë
Kosovës përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare në prodhimin dhe publikimin e statistikave zyrtare.

Neni 2
Përkufizime

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Statistikat - informata përfundimtare të dala nga përpunimi dhe analizimi i të dhënave, të
cilat karakterizojnë fenomene kolektive për një popullim të dhënë;

1.2. Statistika zyrtare - informata të dala nga procedimi i të dhënave me qëllim të
karakterizimit të fenomeneve kolektive në popullatë brenda kornizës së zbatimit të programit të
statistikave zyrtare, që është nën autoritetin e Agjencisë të Statistikave të Kosovës (në tekstin
në vijim si ASK-ja), Banka Qendrore e Kosovës dhe Ministria kompetente Financave;

1.3. Prodhim statistikor - të gjitha veprimtaritë e nevojshme për përgatitjen, grumbullimin,
përpunimin, analizimin, interpretimin, shpërndarjen dhe ruajtjen e të dhënave statistikore;

1.4. Hulumtim statistikor - metodë përmbajtjesore e vjeljes dhe e grumbullimit të dhënave me
të cilën bartësit e statistikave zyrtare i grumbullojnë të dhënat drejtpërdrejt nga njësia raportuese
statistikore ekskluzivisht për qëllime statistikore;

1.5. Formulari statistikor - çdo shënim-dokument i shkruar në letër ose në formë elektronike
me të cilin grumbullohen të dhënat nga njësitë raportuese statistikore;

2
1.6. Grumbullimi i të dhënave - aktivitete për zbatimin e hulumtimeve statistikore, shfrytëzimin
nga bartësit e statistikave zyrtare të të dhënave administrative dhe të dhënave të grumbulluara
përmes metodave të përcjelljes dhe vëzhgimit, për qëllime të statistikave zyrtare;

1.7. Njësia raportuese - te gjitha njësitë që mund të nxjerrin të dhëna statistikore siç janë:
institucionet e ndryshme qeveritare, joqeveritare, personat fizike, ekonomitë familjare,
ndërmarrjet apo operatorët ekonomik ku, në rast se kërkohen të dhëna nga ASK-ja ato njësi do
të bashkëpunojnë dhe do ti raportojnë ASK-së.

1.8. Njësia statistikore - njësia themelore e mbikëqyrjes, respektivisht një person fizik, ekonomi
shtëpiake, operator ekonomik dhe ndërmarrje të tjera, të referuara nga të dhënat;

1.9. Veprimtari tjetër statistikore - veprimtaria statistikore, që nuk është përfshirë në Program;

1.10. Identifikuesit - emrat, adresat ose ndonjë kod tjetër i përcaktuar qartë, që është në
gjendje të zbulojë identitetin e një njësie raportuese statistikore;

1.11. Shpërndarje - të gjitha aktivitetet për qasje në të dhëna statistikore për të gjithë
shfrytëzuesit, përveç rasteve të ndaluara me dispozita ligjore;

1.12. Shfrytëzuesi i të dhënave - çdo person fizik dhe juridik, institucionet shtetërore, ato
shkencore dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, të cilat i shfrytëzojnë të dhënat
statistikore;

1.13. Regjistrat statistikorë - listat nominale të njësive raportuese, të cilat në vazhdimësi
përditësohen dhe shfrytëzohen ekskluzivisht për qëllime statistikore;

1.14. Lënda statistikore - grumbulli i dokumenteve, të cilat përmbajnë: bazat metodologjike,
formularët statistikorë, udhëzuesit, raportet, studimet dhe analizat statistikore, pasqyrat
përmbledhëse, rezultatet, publikimet dhe aktet e tjera, të cilat rezultojnë nga kryerja e punëve të
statistikave zyrtare;

1.15. Plani testues - plani për një test gjatë një hulumtimi statistikor;

1.16. Frekuenca - afatet kohore për një veprim.


KREU II
PARIMET THEMELORE TË STATISTIKAVE ZYRTARE

Neni 3
Parimet e statistikave zyrtare

1. Për të siguruar cilësinë e statistikave zyrtare dhe për të ruajtur besimin e opinionit të gjerë, si dhe për
organizimin dhe zbatimin e Programit, statistikat zyrtare, sipas këtij ligji, udhëhiqen nga parimet e
mëposhtme:

1.1. Parimi i relevancës: Të dhënat statistikore duhet patjetër t`i plotësojnë kërkesat e
caktuara sa i përket informimit të qartë e që kanë të bëjnë me qëllimin e statistikave zyrtare.
Kërkesat përcaktojnë fushat, afatet dhe përfshirjen e statistikave, të cilat duhet të përfshijnë
ndryshimet e reja demografike, ekonomike, bujqësore, arsimore, sociale dhe ambientale në
çdo kohë. Mbledhja e të dhënave duhet të kufizohet në nevojën për arritje të rezultateve të
pritura. Të dhënat statistikore duhet të verifikohen në mënyrë periodike, ndërsa nevojat e
rëndësishme për të dhënat statistikore duhet të identifikohen me kohë;

3
1.2. Parimi i paanshmërisë, nënkupton se statistikat duhet të zhvillohen, prodhohen dhe
shpërndahen në mënyrë të paanshme dhe se të gjithë shfrytëzuesit duhet të trajtohen njësoj;

1.3. Parimi i objektivitetit, nënkupton se statistikat duhet të zhvillohen, prodhohen dhe
shpërndahen në mënyrë sistematike, të besueshme dhe të paanshme; përfshin shfrytëzimin
profesional dhe standardet etike, d.m.th se politikat dhe praktikat janë transparente për
shfrytëzuesit dhe respondentët e anketave;

1.4. Parimi i besueshmërisë, përfshin metodat dhe procedurat, të cilat kanë të bëjnë me
grumbullimin, përpunimin dhe publikimin e të dhënave statistikore. Ato caktohen në bazë të
standardeve profesionale, metodave shkencore dhe parimeve të etikës profesionale;

1.5. Parimi i ekonomizimit të mjeteve financiare publike/Kosto-efektiviteti: Shfrytëzimi
optimal i të gjitha resurseve të disponueshme dhe minimizimi i barrës së njësive raportuese.

1.6. Parimi i pavarësisë profesionale: Statistikat zyrtare zhvillohen, prodhohen dhe
shpërndahen në mënyrë të pavarur, sidomos sa i përket zgjedhjes së teknikave, përkufizimeve,
metodologjive, burimeve që do të shfrytëzohen, kohës dhe përmbajtjes së të gjitha formave të
shpërndarjes, të lira nga çfarëdo presioni nga grupet e interesit apo grupet politike, nga
autoritetet kombëtare, pa cenuar vendosjen institucionale ose buxhetore apo përkufizimet e
nevojave statistikore;

1.7. Parimi i transparencës: E drejta e njësive raportuese statistikore që të jenë të njoftuara
me detyrim ligjor, që të japin të dhëna, si dhe marrjen e masave për mbrojtjen e të dhënave
statistikore. Po ashtu, transparenca nënkupton se rezultatet e statistikave zyrtare duhet të jenë
në dispozicion të të gjithë shfrytëzuesve;

1.8. Parimi i fshehtësisë statistikore, nënkupton mbrojtjen e të dhënave statistikore, që janë
mbledhur direkt ose indirekt. Fshehtësia statistikore përfshin edhe ndalim - shfrytëzimin e të
dhënave statistikore të mbledhura për qëllime jostatistikore dhe publikimin kundërligjor të të
dhënave statistikore;

1.9. Parimi i koordinimit dhe harmonizimit: ASK-ja koordinon sistemin shtetëror të
statistikave dhe është përgjegjëse për harmonizimin e të dhënave zyrtare statistikore;

1.10. Parimi i shfrytëzimit i të dhënave individuale ekskluzivisht për qëllime statistikore,
nënkupton se të dhënat individuale statistikore të grumbulluara me zbatimin e aktiviteteve
statistikore mund të shfrytëzohen vetëm në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe të legjislacionit
tjetër në fuqi lidhur me këtë çështje.

Neni 4
Cilësia e statistikave zyrtare

1. Në mënyrë që të garantohet cilësia e rezultateve, statistikat zyrtare duhet të zhvillohen, prodhohen
dhe shpërndahen në bazë të standardeve të njëjta dhe metodave të harmonizuara. Në këtë aspekt, do
të aplikohen kriteret e cilësisë si në vijim:

1.1. “relevanca”, e cila i referohet shkallës deri në të cilën statistikat i plotësojnë nevojat e
mundshme dhe aktuale të shfrytëzuesve;

1.2. “saktësia”, e cila i referohet afërsisë së vlerësimeve për vlerën e drejtë të panjohur;

1.3. “afatet”, i referohen periudhës ndërmjet disponueshmërisë së informatave dhe ngjarjes apo
fenomenit që përshkruhet;

4
1.4. “përpikëria”, e cila i referohet vonesës ndërmjet datës së lëshimit të të dhënave dhe datës
së planifikuar (data kur duhet të dorëzohen të dhënat);

1.5. “qasja” dhe “qartësia”, e cila iu referohet kushteve dhe modaliteteve, sipas të cilave
shfrytëzuesit mund të marrin, të shfrytëzojnë apo të interpretojnë të dhënat;

1.6. “krahasueshmëria”, e cila i referohet masës së ndikimit të diferencës në konceptet e
aplikuara statistikore, mjeteve matëse dhe procedurave ku statistikat krahasohen ndërmjet
zonave gjeografike, domeneve sektoriale dhe kalimit të kohës,

1.7. “koherenca”, e cila i referohet përshtatshmërisë së të dhënave që do të kombinohen në
mënyra të ndryshme dhe për përdorime të ndryshme.

2. ASK-ja dhe autoritetet të tjera, në rast se kërkohet, u japin raport mbi cilësinë e të dhënave të
transmetuara organeve kompetente të BE-së.


KREU III
ORGANIZIMI, POZITA, PUNËT DHE KOORDINIMI I SISTEMIT TË STATISTIKAVE ZYRTARE

Neni 5
Bartësit e statistikave zyrtare

1. Punët e statistikave zyrtare i kryejnë bartësit e caktuar të statistikave zyrtare:

1.1. Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK-ja);

1.2. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës;

1.3. Ministria kompetente e financave;

1.4. Organet e tjera të autorizuara të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të caktuara me
Program.

Neni 6
Statusi dhe financimi i ASK-së

1. ASK-ja është institucion profesional, i pavarur, bartës dhe shpërndarës i statistikave zyrtare dhe
koordinator i statistikave zyrtare të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeministrit (ZKM-ë).

2. Organizimi i ASK-së miratohet nga Kryeministri, pas propozimit të ASK-së.

3. Të punësuarit e ASK-së kanë statusin e paraparë me dispozitat ligjore për Shërbimin Civil.

4. Rekrutimi i punëtorëve të ASK-së bëhet sipas rregullave në fuqi për shërbimin civil të Kosovës.

5. ASK-ja, për raste të veçanta, ka të drejtë të angazhojë punëtorë me marrëveshje për shërbime të
veçanta në pajtim me legjislacionin në fuqi.

6. ASK-ja financohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga donatorët, sipas ligjit të
aplikueshëm.

7. ASK-ja është organizatë buxhetore autonome me kod të vet buxhetor.

8. ASK-ja krijon të hyra vetanake nga shërbimet e parapara me ligj, të cilat menaxhohen sipas
legjislacionit në fuqi.
5
Neni 7
Përgjegjësitë dhe të drejtat e ASK-së

1. ASK-ja ka përgjegjësi të përgjithshme në prodhimin e statistikave zyrtare dhe për çështje që
parashihen në Programin e statistikave zyrtare.

2. Detyrat e ASK-së janë:

2.1. të përgatisë Projekt programin dhe Planin vjetor të statistikave zyrtare, në konsultim me
Këshillin e Agjencionit të Statistikave të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Këshilli);

2.2. të përgatisë dhe të organizojë përmbushjen e aktivitetit zyrtar të caktuar me Program;

2.3. të përcaktojë dhe të zhvillojë metodologjinë statistikore, klasifikimin dhe standardet për
prodhimin e statistikave zyrtare;

2.4. të mbledhë të dhëna të nevojshme statistikore, të zbërthejë, të analizojë, të publikojë dhe
të shpërndajë rezultatet statistikore;

2.5. të ofrojë ndihmë profesionale dhe shpjegime teknike të rezultateve për të evituar
interpretimin e gabueshëm të të dhënave të ofruara nga statistikat zyrtare;

2.6. të ndërmarrë studime dhe hulumtime për zhvillimin e mëtejshëm të metodologjisë dhe
teknologjisë statistikore;

2.7. të monitorojë zbatimin e detyrave statistikore të ngarkuara nga autoritete të tjera me
Programin statistikor;

2.8. ti paraqesë, përmes Kryeministrit, për miratim Qeverisë dhe Kuvendit raportin mbi zbatimin
e planit, programit dhe shfrytëzimin e mjeteve buxhetore. Raporti vjetor i miratuar publikohet;

2.9. të rrisë aftësinë dhe njohuritë statistikore dhe njohuritë e nëpunësve për fushën e
statistikave zyrtare;

2.10. të bashkëpunojë me Universitete për promovimin e njohurive për statistikat;

2.11. të bashkëpunojë me organizatat vendore dhe ndërkombëtare kompetente për statistikat
zyrtare, për të mundësuar krahasimin e statistikave zyrtare me statistikat e prodhuara në
sisteme të tjera statistikore.

3. Gjatë kryerjes së detyrave ASK-ja ka të drejtë:

3.1. të kërkojë nga njësitë raportuese statistikore të japin të dhëna për përmbushjen e detyrave
të përcaktuara në Program;

3.2. të kërkojë të dhëna administrative dhe statistikore nga ministritë apo nga institucionet e
tjera;

3.3. të ndërmarrë çfarëdo aktiviteti tjetër për të përmbushur përgjegjësitë dhe detyrat, siç
parashihen me këtë ligj.

3.4. të dhënat statistikore, të parapara sipas këtij neni, janë të obliguara t‟i ofrojnë të gjitha
njësitë e institucioneve, përveç nëse parashihet ndryshe me ndonjë akt tjetër ligjor.



6
Neni 8
Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së

1. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së emërohet sipas legjislacionit në fuqi për emërimin e zyrtarëve të lartë
civilë.

2. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së për punën e vet i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit.

3. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së është përgjegjës për:

3.1. administrimin dhe kryerjen e detyrave të ASK-së;

3.2. propozimin e strukturës organizative të ASK-së;

3.3. përfaqësimin e ASK-së me palët e treta si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar;

3.4. përgatitjen për çdo vit të propozimeve për ndryshime dhe plotësime të Programit, duke u
bazuar në këshillat që i jep Këshilli;

3.5. udhëheqjen në mënyrë efikase dhe efektive me mjetet që i ofrohen ASK-së nga Buxheti i
Kosovës ose nga çfarëdo burimesh të tjera;

3.6. pjesëmarrje dhe diskutim në të gjitha mbledhjet e Këshillit dhe

3.7. zbatimin e detyrave të tjera, që përcaktohen me Program, me Plan dhe me vendime Zyrës
së Kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Neni 9
Përbërja e Këshillit Statistikor

1. Këshilli përbëhet nga kryetari dhe dymbëdhjetë (12) anëtarë. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së është
anëtar i Këshillit. Anëtarë të Këshillit janë nga një përfaqësues i:

1.1. Ministrisë kompetente të Financave;

1.2. Ministrisë kompetente të Tregtisë dhe të Industrisë;

1.3. Ministrisë kompetente të Arsimit;

1.4. Ministrisë kompetente të Shëndetësisë;

1.5. Zyrës për Planifikim Strategjik;

1.6. Bankës Qendrore të Kosovës;

1.7. Administratës Tatimore;

1.8. Ministrisë kompetente të Punës dhe Mirëqenies Sociale;

1.9. Ministrisë kompetente të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural;

1.10. Universiteti, ekspert i njohur për hulumtime në fushën e statistikave; dhe

1.11. shoqërisë civile, që përfaqëson organizatat e qendrave kërkimore, dhe

1.12. Komunitetit të Biznesit.
7
2. Anëtarët e Këshillit caktohen nga institucionet e cekura në paragrafin 1. të këtij neni. Eksperti i njohur
për hulumtime në fushën e statistikave emërohet nga Universiteti, nga radhët e personelit akademik të
institucionit përkatës, në bazë të kritereve të përcaktuara nga ASK-ja, ndërsa anëtarët që përfaqësojnë
organizatat e qendrave kërkimore dhe komunitetin e biznesit emërohen nga vetë Këshilli.

3. Anëtarët e Këshillit nga institucionet emërohen nga radhët e shërbyesve civilë të institucionit
përkatës, në bazë të kritereve të përcaktuara nga ASK-ja.

4. Anëtarët e Këshillit caktohen në bazë të kualifikimit profesional.

5. Të gjithë anëtarët e Këshillit emërohen për një periudhë pesë (5) vjeçare.

Neni 10
Funksionet dhe detyrat e Këshillit

1. Këshilli themelohet për të dhënë këshilla për përgatitjen dhe zbatimin e Programit të statistikave
zyrtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm dhe funksionimin e ASK-së.

2. Në përmbushje të mandatit, Këshilli kryen këto detyra:

2.1. jep rekomandime për përgatitjen e Projekt programit të statistikave zyrtare, jep mendime
dhe këshilla për ndryshimet, plotësimet e Programit dhe të Planit Vjetor;

2.2. ofron mendime dhe këshilla për amendamentet, shtesat e Programit dhe të Planit Vjetor;

2.3. krijon grupe punuese për zhvillimin e direktivave statistikore, për bashkimin e fushave
statistikore në sistemin statistikor të Kosovës;

2.4. thërret seanca në lidhje me progresin e arritur nga grupet punuese;

2.5. monitoron, vlerëson dhe jep këshilla për zbatimin e Programit;

2.6. jep mendime për ligjet dhe akte të tjera ligjore, që kanë të bëjnë me aktivitetet apo
prodhuesit e statistikave zyrtare;

2.7. jep mendime për zhvillimin e sistemit të statistikave zyrtare dhe bashkëpunimin
ndërkombëtar;

2.8. jep mendime për çështje të tjera me rëndësi për punën e statistikave zyrtare;

2.9. komenton situatën buxhetore të zbatimit të Programit;

2.10. Këshilli paraqet raportin vjetor për punën e tij në Zyrën e Kryeministrit dhe në Qeverinë e
Republikës së Kosovës.

Neni 11
Organizimi i Këshillit Statistikor

1. Në takimin e parë, Këshilli vendos për përfaqësuesin e shoqërisë civile dhe të komunitetit të
biznesit.

2. Këshilli vepron në bazë të Rregullave Procedurale, të cilat miratohen brenda tre (3) muajve pas
themelimit të Këshillit.

3. Këshilli emëron kryesuesin dhe një zëvendëskryesues nga radhët e anëtareve të tij.

8
4. ASK-ja mbështet teknikisht dhe përmes administratës veprimtarinë e Këshillit.

5. ASK-ja financon aktivitetet e Këshillit nga buxheti i vet.

Neni 12
Zbatimi i statistikave zyrtare nga autoritetet e tjera

1. Për të zbatuar statistika zyrtare, përveç ASK-së, Bankës Qendrore të Kosovës dhe Ministrisë
kompetente të Financave me Programin e Statistikave Zyrtare, mund të ngarkohen edhe organe të
tjera.

2. Metodat, klasifikimet dhe standardet e përdorura nga këto organe përcaktohen nga ASK-ja, në
pajtim me Programin e Statistikave Zyrtare dhe me Planin Vjetor.

3. ASK-ja, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe Ministria kompetente e Financave i shpallin
rezultatet në publikimet e veta.


KREU IV
MASAT PLANIFIKUESE, PROGRAMUESE DHE ZBATUESE

Neni 13
Programi i Statistikave Zyrtare

1. Programi i Statistikave Zyrtare siguron kornizën për zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e
statistikave zyrtare në Kosovë.

2. Projekt programin e statistikave zyrtare e harton ASK-ja, me rekomandimin e Këshillit dhe në
konsultim me shfrytëzuesit dhe me prodhuesit e statistikave zyrtare për një periudhë, e cila nuk mund
të jetë më e shkurtër se pesë (5) vjet dhe në harmoni me Programin Statistikor të Bashkësisë
Evropiane.

3. Programin e statistikave zyrtare e aprovon Qeveria dhe ai shpallet në “Gazetën Zyrtare”.

4. Programi përfshin hulumtimet statistikore, të nevojshme për sigurimin e të dhënave mbi gjendjen
demografike, sociale, ekonomike, bujqësore dhe mjedisore në Kosovë, duke u përqendruar në
fenomene thelbësore për vendimmarrësit, si dhe duke respektuar të drejtën e qytetarëve për mbrojtjen
e të dhënave personale.

5. ASK-ja harton Projekt propozimin e Programit për periudhat që janë të krahasueshme me periudhat
e përcaktuara në Programin Statistikor të Bashkësisë Evropiane.

Neni 14
Përmbajtja e Programit

1. Programi, për secilin element të tij specifikon përfshirjen, llojin, frekuencën dhe temat e
karakteristikave, që duhet të nxirren nga burime të rëndësishme.

2. Nëse nuk parashikohet ndryshe në Program, kërkimet dhe anketimet do të zbatohen drejtpërdrejt
nga Programi dhe njësitë e ngarkuara obligohen të ofrojnë informatat e nevojshme për prodhimin e
statistikave përkatëse.
9

Neni 15
Plani vjetor

1. Për të përmbushur Programin, ASK-ja harton për çdo vit propozimin e Planit Vjetor deri më 31 maj
për vitin e ardhshëm.

2. Propozimin e Planit e harton ASK-ja, në konsultim me shfrytëzuesit dhe me prodhuesit e statistikave
zyrtare.

3. Me Planin Vjetor caktohet skema e resurseve të përgjithshme, të nevojshme e të parapara me
Buxhetin e Republikës së Kosovës.

4. Planin vjetor e aprovon Qeveria e Kosovës dhe ai shpallet në “Gazetën Zyrtare”.


Neni 16
Hulumtimet statistikore

1. Hulumtimet statistikore përfshijnë:

1.1. bartësin e statistikave zyrtare,

1.2. emërtimin e kërkimit statistikor,

1.3. periudhën e kërkimit,

1.4. njësitë raportuese statistikore,

1.5. mënyrën e grumbullimit të të dhënave,

1.6. afatet e grumbullimit të të dhënave,

1.7. detyrimin e ofrimit të të dhënave,

1.8. lidhjen me rezultatet ose aktivitetet përbrenda Programit,

1.9. afatet dhe niveli i shpalljes së rezultateve, dhe

1.10. standardet relevante ndërkombëtare.

Neni 17
Raportimi

Raportin mbi zbatimin e Planit Vjetor e harton ASK-ja në pajtim me kërkesat e Ministrisë dhe Qeverisë
për përgatitjen e raporteve vjetore.

Neni 18
Aktivitetet e jashtëzakonshme statistikore

1. Në rastet e jashtëzakonshme, pas miratimit nga Qeveria, ASK-ja do të kryejë aktivitetet statistikore,
të cilat nuk janë përcaktuar me Programin dhe Planin Vjetor.

2. Të dhënat e fituara nga zbatimi i aktiviteteve statistikore nga paragrafi 1. i këtij neni janë të dhëna
statistikore zyrtare.

10
KREU V
GRUMBULLIMI I TË DHËNAVE

Neni 19
Burimet e të dhënave

1. ASK-ja ka të drejtë të nxjerrë të dhënat e nevojshme për statistikat zyrtare nga të gjitha burimet e
kërkuara nga njësitë statistikore, prej dokumentacionit administrativ apo prej parashikimeve, bazuar në
informacionin që disponon ASK-ja.

2. Burimet e të dhënave që kërkohen nga njësitë statistikore përcaktohen nga ASK-ja, duke u bazuar
në cilësi, afate, kosto dhe në barrën e përgjegjësve.


Neni 20
E drejta në informim

Njësitë statistikore, të cilave u kërkohet informacion për statistikat zyrtare, kanë të drejtë të informohen
për qëllimin dhe shtrirjen e kërkimit apo anketimit, bazën juridike, masat e marra për sigurimin e
fshehtësisë statistikore të kërkimit si dhe për të drejtat dhe detyrimet e tyre.


Neni 21
Obligimi i dhënies së informatave

1. Njësitë statistikore, personat fizikë dhe juridikë, pa marrë parasysh nëse janë apo jo persona
juridikë, janë të obliguar t‟u japin ASK-së dhe prodhuesve të statistikave zyrtare informata të sakta, të
plota dhe të përditësuara, pa kompensim, me përmbajte dhe formë, të cilat i cakton bartësi i statistikave
zyrtare.

2. Për kërkimet testuese, dhënia e informatave i obligon vetëm ato njësi që përfshihen në planin
testues me qëllim të kontrollimit të cilësisë së testeve.

3. Plani testues përpunohet nga ASK-ja, duke marrë parasysh përfaqësimin dhe kufizimin e barrës së
përgjegjësve.

4. Askush nuk është i detyruar të ofrojë të dhëna nëse kërkimet statistikore nuk janë përcaktuar me
Planin Vjetor, me Program ose me vendimin e Qeverisë së Kosovës sipas këtij ligji, përkatësisht nëse
obligimi i dhënies së të dhënave nuk është paraparë me këtë ligj ose me ligj tjetër.

Neni 22
Përmirësimi i informatave të dhëna

Nëse të dhënat pasqyruese të njësive statistikore nuk janë të sakta, të plota dhe të përditësuara, njësitë
statistikore janë të detyruara t‟i përmirësojnë ato, përkatësisht t‟i plotësojnë, siç kërkohet me udhëzime
dhe brenda afateve të parapara.

Neni 23
Qasja në të dhënat administrative

1. Të gjitha organet e administratës publike janë të detyruara t‟i lejojnë ASK-ës qasje në burimet e të
dhënave administrative nga sistemi i administratës publike si: informatat e mbledhura, të përpunuara
dhe të ruajtura në regjistra dhe dosje të tjera të të dhënave nën fushëveprimin dhe kompetencën e tyre
për nevoja të prodhimit të statistikave zyrtare, njëkohësisht duke evituar imponimin e barrës mbi njësitë
në fjalë.

11
2. Të dhënat për qëllime statistikore mund të nxirren edhe nga regjistrat publikë dhe nga burimet
administrative të të dhënave, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Neni 24
Kërkimet testuese

1. Në rastet kur duhet të bëhet vlerësimi i metodologjisë dhe i cilësisë së burimeve të të dhënave, të
cilat synohen të mblidhen me kërkime statistikore, ASK-ja dhe bartësit e tjerë të statistikave zyrtare, me
autorizimin e Kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, mund të bëjnë kërkime, testuese edhe në ato raste kur
kërkimet nuk janë paraparë me Planin Vjetor ose me ndonjë ligj tjetër të veçantë.

2. Të dhënat e grumbulluara nga kërkimet statistikore, që parashihen në paragrafin 1. të këtij neni, nuk
janë të dhëna statistikore zyrtare dhe ato nuk kanë të bëjnë me dispozitat e këtij ligji mbi opinionin dhe
shpërndarjen e të dhënave, por aplikohen dispozitat e besueshmërisë.


KREU VI
PËRPUNIMI DHE RUAJTJA E TË DHËNAVE STATISTIKORE

Neni 25
Përpunimi i të dhënave statistikore

Bartësit e statistikave zyrtare janë të detyruar që pas përfshirjes, rregullimit dhe kodimit të të dhënave
të grumbulluara, ose të dhënave të marra nga burimet administrative dhe shfrytëzimit të atyre për
përditësimin e regjistrave statistikorë, t‟i veçojnë identifikuesit prej variabëlve të përmbajtjes.

Neni 26
Ruajtja e të dhënave statistikore

1. Bartësit e statistikave zyrtare janë të obliguar që formularët statistikorë prej letre, të cilët përmbajnë
të dhëna të grumbulluara në kërkimet statistikore, ruhen dhe mbrohen në përputhje me Ligjin për qasje
në dokumente zyrtare, pasi të ketë përfunduar faza e përfshirjes, rregullimit, koordinimit dhe e
përpunimit të të dhënave.

2. Lëndën statistikore e dokumentojnë dhe e arkivojnë bartësit e statistikave zyrtare të Kosovës.

3. Materiali statistikor ruhet në mënyrë që të pengohet shkatërrimi, keqpërdorimi, tjetërsimi,
keqinterpretimi dhe zbulimi i tij, bazuar në ligjin në fuqi mbi materialin arkivor dhe arkivat.

4. Zyra e Kryeministrit nxjerr akte nënligjore me të cilat rregullon mënyrën e ruajtjes, kohën, teknikën
dhe organizimin e ruajtjes së lëndës statistikore bazuar në ligjin në fuqi mbi materialin arkivor dhe
arkivat.


KREU VII
REGJISTRAT STATISTIKORË

Neni 27
Regjistrat statistikorë

1. ASK-ja është përgjegjëse për krijimin, ruajtjen dhe mbajtjen e këtyre regjistrave statistikorë:

1.1. regjistrin e popullsisë,

1.2. regjistrin e ekonomive familjare,

12
1.3. regjistrin e shtëpive dhe të banesave,

1.4. regjistrin e bizneseve,

1.5. regjistrin e njësive hapësinore,

1.6. regjistrin e ekonomive bujqësore dhe të regjistrave të tjerë në pajtim me planet dhe
vendimet.

2. Krijimi, ruajtja, mbajtja dhe shfrytëzimi i të dhënave të regjistrave statistikorë sipas paragrafit 1. të
këtij neni rregullohet me akte nënligjore, të cilat i nxjerr Institucioni kompetent për statistikat zyrtare të
Republikës së Kosovës.

Neni 28
Shfrytëzimi i të dhënave nga regjistrat statistikorë

1. Të dhënat nga regjistrat statistikorë shfrytëzohen ekskluzivisht për qëllime statistikore, përkatësisht
me qëllim të përgatitjes së të dhënave përmbledhëse.

2. Të dhënat nga regjistrat statistikorë nuk duhet t`u jepen shfrytëzuesve në formën dhe mënyrën e cila
iu mundëson zbulimin e njësisë me të cilën kanë të bëjnë të dhënat.

Neni 29
Standardet e klasifikimit

1. ASK-ja i shfrytëzon të dhënat nga burimet administrative të të dhënave, nga regjistrimet, nga
kërkimet statistikore dhe nga të dhënat të mbledhura me metodën e anketimit, vrojtimit dhe të
përcjelljes për qëllime statistikore, siç është modeli dhe korniza e zgjeruar për hulumtime statistikore.

2. ASK-ja ka të drejtë të bëjë përshtatjen e të dhënave të fituara nga burimet administrative të të
dhënave në mënyrë që ato t`i harmonizojë me përkufizimet dhe klasifikimet që përdoren për regjistrat
statistikorë të cilët i mban.

3. Të dhënat e caktuara nga regjistrat statistikorë mund t‟u jepen bartësve të tjerë të statistikave
zyrtare, nëse ato përdoren vetëm për identifikimin e njësive përgjegjëse për përfshirje në hulumtime
statistikore në përgjegjësinë e tyre. Format përkatëse të hulumtimeve duhet të aprovohen nga ASK-ja.

4. ASK-ja bën ndarjen e shifrës numerike si identifikues unik për çdo njësi në regjistrin statistikor,
pavarësisht nga shifra e cila shfrytëzohet nga subjektet e tjera për të dhënat e tyre administrative.

5. Zyra e Kryeministrit nxjerr akte nënligjore me të cilat përcakton rregullat mbi standardet e klasifikimit
për aktivitete ekonomike dhe prodhime, për njësitë statistikore për vrojtim dhe analiza të sistemit të
prodhimit dhe për krijimin e regjistrave biznesor për qëllime statistikore.

6. Obligohen njësitë statistikore dhe të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës të implementojnë
produktin e ri të klasifikuar ndërkombëtar në sistemin e brendshëm të të dhënave të kërkuar nga ASK-
ja.









13
KREU VIII
SHPËRNDARJA DHE PËRDORIMI I STATISTIKAVE ZYRTARE

Neni 30
Masat e shpërndarjes

1. Shpërndarja e statistikave zyrtare bëhet në pajtim të plotë me parimet statistikore, sipas nenit 3 të
këtij ligji, e në veçanti në lidhje me ruajtjen e fshehtësisë statistikore dhe sigurimin e qasjes së
barabartë sipas parimit të paanësisë.

2. Autoritetet e statistikave zyrtare bëjnë shpërndarjen e statistikave brenda fushës përkatëse të
kompetencave të tyre.

Neni 31
Qasja në të dhëna statistikore

1. ASK-ja dhe autoritet e tjera duhet të sigurojnë që statistikat zyrtare të shpërndahen në mënyrë të
tillë që të gjithë shfrytëzuesit të kenë mbështetjen e nevojshme për sigurimin e cilësisë në qasjen e
barabartë, në përputhje me rezultatet e specifikuara në Program, sipas llojit, formës dhe datës së
publikimit.

2. Statistikat, për të cilat shpërndarja nuk specifikohet në Program, duhet t`u vihen në dispozicion të
gjithë shfrytëzuesve menjëherë pas prodhimit.

3. Ndalohet shpërndarja e të dhënave zyrtare statistikore para shpërndarjes zyrtare të tyre.

4. Të dhënat statistikore duhet të përmbajnë shpjegime në mënyrë që të interpretohen më lehtë dhe të
mund t`u ofrohet ndihma profesionale shfrytëzuesve në interpretimin dhe vlerësimin e tyre.

5. Shfrytëzuesit e të dhënave statistikore, gjatë shfrytëzimit të tyre, duhet të cekin burimin e të
dhënave.

6. Format mediatike mund të shfrytëzohen në mënyrë që shfrytëzuesit të mund t`i sigurojnë ato të
dhëna. Këto forma mund të jenë: publikimet e ASK-së apo të prodhuesve të tjerë të statistikave zyrtare,
masmediat apo cilado formë tjetër e adresimit të grupeve individuale të shfrytëzuesve.

Neni 32
Kalendari i publikimit të të dhënave statistikore

1. Bartësit e statistikave zyrtare janë të detyruar ta hartojnë dhe ta bëjnë publike kalendarin e shpalljes
së të dhënave statistikore, i cili përmban datën e shpalljes së të dhënave statistikore. Këtë duhet ta
bëjnë më së paku tre muaj, para periudhës me të cilën ka të bëjë Plani Vjetor përkatës.

2. Çdo lëvizshmëri e afateve të dhëna në kalendar nga paragrafi 1. i këtij neni duhet të bëhet publike.

Neni 33
Përpunimi i veçantë i statistikave zyrtare

1. Me kërkesën e një shfrytëzuesi, bartësit e statistikave zyrtare mund të japin të dhëna të fituara me
përpunime të veçanta, duke pasur parasysh kufizimet e fshehtësisë që parasheh ligji.

2. Shpenzimet e përpunimeve të veçanta nga paragrafi 1. i këtij neni i bartin shfrytëzuesit, të cilët kanë
kërkuar përpunime të tilla.

3. Kushtet dhe mënyra e dhënies së të dhënave nga paragrafi 1. i këtij neni, si dhe lartësia e
shpenzimeve të përpunimeve të veçanta, caktohen me udhëzim administrativ.
14
KREU IX
FSHEHTËSIA DHE RUAJTJA E TË DHËNAVE STATISTIKORE

Neni 34
Fshehtësia e të dhënave

1. Të dhënat e fshehta përdoren vetëm për qëllime statistikore dhe është e ndaluar zbulimi i tyre i
kundërligjshëm.

2. Të dhënat e fshehta të marra vetëm për prodhimin e statistikave zyrtare përdoren nga autoritetet e
statistikave zyrtare vetëm për qëllime statistikore, përveç nëse njësia statistikore jep pëlqimin e qartë të
saj për përdorimin e tyre për qëllime të tjera.

3. Rezultatet statistikore, të cilat e bëjnë të mundur identifikimin e njësisë statistikore mund të
shpërndahen në rastet e veçanta si në vijim:

3.1. kur kushtet dhe modalitetet përcaktohen me një akt të veçantë dhe kur rezultatet
statistikore janë ndryshuar në atë mënyrë që shpërndarja e tyre nuk dëmton fshehtësinë
statistikore, kurdo që njësia statistikore e kërkon një gjë të tillë, ose

3.2. kur njësia statistikore është pajtuar qartë për zbulimin e të dhënave.

4. ASK-ja dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare, brenda fushëveprimit të tyre të kompetencave
të tyre, ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore, administrative, teknike dhe organizative për të
siguruar mbrojtjen fizike dhe elektronike të të dhënave të fshehta.

Neni 35
Të dhëna nga burimet publike

Të dhënat e nxjerra nga burimet publike nuk konsiderohen si të dhëna të fshehta.

Neni 36
Shfrytëzimi i të dhënave të fshehta

Të dhënat e fshehta shfrytëzohen ekskluzivisht për prodhimin e statistikave apo për qëllime shkencore
në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Neni 37
Qasja në të dhëna të fshehta

1. Qasja në të dhëna të fshehta iu lejohet vetëm personave që kanë për detyrë prodhimin e statistikave
zyrtare deri në atë masë që këto të dhëna të jenë të nevojshme për prodhimin e statistikave.

2. Qasja në të dhënat e fshehta, të cilat lejojnë vetëm identifikimin e tërthortë të njësive statistikore,
mund t‟u jepen studiuesve të cilët kryejnë analiza statistikore, në sferat e tyre përkatëse të
kompetencës në bazë të marrëveshjes së posaçme për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave.

Neni 38
Kërkimet shkencore

1. Pas kërkesës me shkrim, që përcakton qëllimin e shfrytëzimit të të dhënave, Kryeshefi Ekzekutiv i
ASK-së mund t‟ua japë lejen për shfrytëzimin e të dhënave, të cilat nuk lejojnë identifikim direkt të
institucioneve vendore dhe ndërkombëtare ose të personave që paraqesin projekte për qëllime
shkencore, rezultatet e të cilave nuk iu referohen njësive të identifikueshme individuale.

15
2. Leja për shfrytëzimin e të dhënave, të cilat nuk lejojnë identifikim direkt, jepet vetëm nëse plotësimi i
standardeve të mbrojtjes së të dhënave të fshehta brenda projektit kërkimor sigurohet në përputhje me
legjislacionin në fuqi.

3. Në rast të refuzimit të lejes për shfrytëzimin e të dhënave, të paraparë në paragrafin 1. të këtij neni,
palët e interesuara kanë të drejtë ankese.

4. Ankesën e shqyrton një komision i pavarur, i cili themelohet me vendim të Kryeministrit.

Neni 39
Regjistrimi për shfrytëzimin shkencor të të dhënave

Prodhuesit e statistikave zyrtare duhet t‟i regjistrojnë shfrytëzuesit si dhe të regjistrojnë qëllimin e
shfrytëzimit të të dhënave statistikore.

Neni 40
Shpërndarja e të dhënave të fshehta

1. Statistikat zyrtare nuk duhet të shpërndahen, nëse ato përmbajnë apo zbulojnë të dhëna të fshehta.
Për këtë qëllim, të dhënat e grumbulluara (agreguara) duhet të përmbledhin së paku tri (3) njësi dhe
ndarja e një njësie në një agregat nuk mund të tejkalojë 85 % të tërë masës, të shumës së njësisë.

2. Përjashtimisht nga paragrafi 1. i këtij neni informatat rreth situatës ekonomike të mbledhura nga
personat juridikë dhe fizikë apo mbi gjendjen e ambientit, mund të shpërndahen edhe nëse rezultatet
nuk i përmbushin kërkesat e grumbulluara të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, në rastet kur
është e nevojshme të sigurohen informata të rëndësishme bazike dhe kur me programin statistikor
parashihet shpërndarja e informatave të tilla.

Neni 41
Masat mbrojtëse

1. Të gjitha masat rregulluese, administrative, teknike dhe të natyrës organizative, të nevojshme për të
mbrojtur të dhënat e fshehta nga qasjet joligjore, duhet të merren nga autoritetet kompetente për
prodhimin e statistikave zyrtare.

2. Mbrojtja e të dhënave statistikore të grumbulluara në përputhje me Programin dhe Planin Vjetor
përfshin veprimet e natyrës teknike dhe organizative, si dhe veprime të tjera logjistike-teknike përkatëse
me të cilat sigurohen hapësira dhe pajisja informatike, shpërndarja e të dhënave statistikore dhe
përcaktimi i mënyrës, kohës dhe i qëllimit të përpunimit.

3. Mënyrën e mbrojtjes së të dhënave statistikore në paragrafin 1. të këtij neni e propozon Kryeshefi
Ekzekutiv i ASK-së dhe ajo aprovohet me vendim nga Zyra e Kryeministrit.

Neni 42
Shfrytëzimi i të dhënave të fshehta gjatë kryerjes së detyrave të statistikave zyrtare

1. Personat të cilët gjatë kryerjes së detyrave të statistikave zyrtare kanë qasje në të dhëna të fshehta,
nuk mund t„i shfrytëzojnë të dhënat e tilla për nevoja personale ose për kryerjen e punëve për persona
të tjerë.

2. Detyrimi i personave të cilët gjatë kryerjes së detyrave të statistikave zyrtare kanë qasje në të dhëna
të fshehta, sipas paragrafit 1. të këtij neni, vazhdon edhe pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës.

3. Personi, i cili vepron në kundërshtim me këtë nen, do të ndëshkohet sipas nenit 46 të këtij ligji.
16
KREU X
BASHKËPUNIMI STATISTIKOR NDËRKOMBËTAR

Neni 43
Aplikimi i standardeve ndërkombëtare

Në kryerjen e obligimeve ndërkombëtare bartësit e statistikave zyrtare duhet të sigurojnë krahasimin e
statistikave me vendet e tjera evropiane, t`i respektojnë dhe aplikojnë standardet ndërkombëtare dhe
në mënyrë aktive të marrin pjesë në zhvillimin e statistikave zyrtare të Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Neni 44
Bashkëpunimi ndërkombëtar

1. ASK-ja organizon shkëmbimin e rezultateve dhe të bazave metodologjike të statistikave zyrtare me
vendet e tjera dhe me organizatat ndërkombëtare.

2. Bartësit të tjerë të statistikave zyrtare, bëjnë shkëmbimin e rezultateve dhe të bazave metodologjike
të statistikave zyrtare me vendet e tjera dhe me organizatat ndërkombëtare, pas miratimit nga ASK-ja.

3. ASK-ja dhe bartësit e tjerë të statistikave zyrtare, sipas paragrafëve 1. dhe 2. të këtij neni, mund t‟ua
bartin të dhënat statistikore individuale pa identifikues, në pajtim me dispozitat e këtij ligji, për
fshehtësinë dhe mbrojtjen e të dhënave statistikore.

4. Të dhënat statistikore individuale pa identifikues mund t`iu jepen shërbimeve statistikore të
organizatave të ndryshme ndërkombëtare, nëse shfrytëzuesit e tillë garantojnë fshehtësinë statistikore,
pas aprovimit të Kryeshefit të Agjencisë.

5. Çdo bartje e të dhënave statistikore të dhëna në paragrafin 1. të këtij neni duhet të evidencohet,
duke shënuar vendin, përkatësisht organizatën ndërkombëtare së cilës i janë dërguar të dhënat.

6. ASK-ja dhe shërbimi statistikor i organizatës ndërkombëtare, i cili kërkon të dhëna statistikore të
cekura në paragrafin 2. të këtij neni, duhet të japin deklaratë me shkrim me të cilën vërtetojnë se këto të
dhëna statistikore do të shfrytëzohen ekskluzivisht për qëllime statistikore dhe do ta kenë
besueshmërinë statistikore.


KREU XI
DISPOZITAT NDËSHKUESE

Neni 45
Shkelja e fshehtësisë

1. Shkelja e fshehtësisë të të dhënave statistikore, e paraparë me këtë ligj, është e ndaluar.

2. Ndalohet bashkimi apo kombinimi i të dhënave statistikore individuale me informata të tjera me
qëllim të referimit të personave, ndërmarrjeve apo institucioneve të ndryshme për qëllime të tjera,
përveç atyre të parashikuara me këtë ligj.

3. Personat përgjegjës për shkelje të dispozitave sipas paragrafëve 1. dhe 2. të këtij neni do të
dënohen sipas dispozitave ligjore në fuqi.






17
Neni 46
Shfrytëzimi i paligjshëm i të dhënave

Çdo person që shfrytëzon të dhëna statistikore për qëllime personale apo për përfitime materiale gjatë
ushtrimit të deleguar të detyrës nga prodhuesi i statistikave zyrtare do të dënohet më gjobë apo me
burgim sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Neni 47
Sanksionet kundërvajtëse

1. Çdo person i obliguar me ligj, që refuzon të ofrojë të dhëna statistikore, që ofron të dhëna jo të
sakta, apo nuk respekton afatin e dorëzimit të të dhënave, do të dënohet me gjobë në shumën prej
pesëqind (500) deri pesëmijë (5.000) Euro, për rastet në vijim:


1.1. nëse nuk i dërgon të dhënat e sakta, të plota dhe të përditësuara për nga përmbajtja dhe
brenda afateve sipas nenit 21 të këtij ligji;

1.2. nëse nuk lejon qasjen në të gjitha burimet administrative të të dhënave të parapara me
ligj, përveç nëse me ligjin e veçantë nuk është paraparë ndryshe sipas nenit 23 të këtij ligji;

1.3. nëse të dhënat statistikore të grumbulluara i shfrytëzon në kundërshtim me këtë ligj.

2. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni do të dënohet me të holla në shumë prej treqind (300)
deri tremijë (3.000) Euro edhe personi përgjegjës i personit juridik.

3. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni do të dënohet personi fizik me të holla në shumë prej
treqind (300) deri njëmijë (1.000) Euro.

4. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni do të dënohen subjektet e tjera të autorizuara nga
subjektet përkatëse juridike prej pesëqind (500) deri njëmijepesëqind (1.500) Euro.

5. Me dënimin me të holla në shumë prej pesëqind (500) deri pesëmijë (5.000) Euro do të dënohet për
kundërvajtje personi zyrtar dhe çdo person tjetër fizik i bartësit të statistikave zyrtare nga neni 5 i këtij
ligji nëse vepron në kundërshtim me nenin 31. paragrafi 3. dhe në kundërshtim me nenet 34-41 të këtij
ligji, si dhe do t‟i nënshtrohet ndjekjes penale sipas ligjit në fuqi.

6. Të hyrat nga gjobat e shqiptuara do të derdhen në Buxhetin e Kosovës.


KREU XII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 48
Emërimet

1. Anëtarët e Këshillit duhet të emërohen në afatin prej tre (3) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Institucionet të cilat duhet t`i kenë anëtarët në Këshill, sipas nenit 9 të këtij ligji, duhet të njoftohen në
afatin prej një (1) muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

3. Kryeministri nxjerr vendim për themelimin e Këshillit, pas caktimit të anëtarëve të Këshillit nga
institucionet në pajtim me nenin 9 paragrafi 1., nën-paragrafët 1.1 deri 1.10 të këtij ligji.



18
Neni 49
Zbatimi i ligjit

Zyra e Kryeministrit në afatin prej gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton aktet
nënligjore për ASK-në për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e këtij ligji, për të siguruar organizimin
e brendshëm dhe detyrat e detajuara në këtë ligj.

Neni 50
Ligji në fuqi

Ky ligj shfuqizon Rregulloren nr.2001/14 për Themelimin e Entit Statistikor të Kosovës
(UNMIK/REG/2001/14, 2 korrik 2001).

Neni 51
Hyrja në fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-036
21 tetor 2011

Shpallur me dekretin Nr. DL-047-2011, datë 15.11.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.