LIGJI NR. 04/L-025 PËR NISMA LEGJISLATIVE

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 23 / 26 TETOR 2011, PRISHTINË


LIGJI NR. 04/-L-025
PËR NISMA LEGJISLATIVE


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Miraton


LIGJ PËR NISMA LEGJISLATIVE


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim të përcaktoj rregullat dhe procedurat për nismat legjislative.

Neni 2
Fushëveprimi

Fushëveprimi i këtij ligji përfshin nismën për të propozuar ligje, nga Presidenti i Republikës së
Kosovës, Qeveria, deputetët e Kuvendit, dhe nga më së paku dhjetëmijë (10.000) qytetarë.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Qytetarë – çdo qytetarë i Republikës së Kosovës me të drejtë vote.

1.2. Nismë legjislative – një propozim që ka për qëllim rregullimin e një fushe me ligj
apo me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit në fuqi.

1.3. Përfaqësuesi i nismës -qytetari/ët apo organizimet e qytetarëve që marrin pjesë në
nismë legjislative, me qëllim të përfaqësimit të tyre para Kuvendit dhe institucioneve
përkatëse si dhe para qytetarëve.

Neni 4
Nisma legjislative

1. Të gjitha aktivitetet për paraqitjen e nismës legjislative duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën
e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

2. Të gjitha projektligjet të cilat i paraqiten Kuvendit duhet t’i përmbajnë kushtet e parashtrimit të
një projektligji të përcaktuara në Rregulloren e Punës së Kuvendit nëse nuk parashihet ndryshe
me këtë ligj.

2
3. Të gjitha nismat legjislative duhet t’i përmbahen standardeve për hartimin e legjislacionit të
përcaktuara nga Qeveria nëse nuk parashihet ndryshe me këtë ligj.
Neni 5
E drejta e nismës legjislative

1. Nismë legjislative, mund të marrë:

1.1. Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushë veprimtaria e vet;

1.2. deputetët e Kuvendit;

1.3. Qeveria; ose

1.4. më së paku dhjetëmijë (10.000) qytetarë me të drejtë vote.


Neni 6
Refuzimi i nismës legjislative

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, refuzon nismën legjislative në rastet kur nisma:

1.1. është kundër parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe

1.2. nuk i përmban kushtet dhe kriteret e përcaktuar me këtë ligj.


KREU II
NISMA LEGJISLATIVE NGA INSTITUCIONET E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Neni 7
Nisma legjislative nga Presidenti

1. Presidenti i Republikës së Kosovës, ka të drejtë për të propozuar nismë legjislative nga fushë
veprimtaria e tij/saj.

2. Presidenti nismën legjislative ia adreson Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Neni 8
Nisma legjislative nga deputetët e Kuvendit

Së paku gjashtë (6) deputetë të Kuvendit kanë të drejtë të nismës për të propozuar ligje sipas
mënyrës së përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Neni 9
Nisma legjislative nga Qeveria

Qeveria e Republikës së Kosovës ka të drejtë të nismës për të propozuar ligje, nga fushë
veprimtaria e saj, sipas mënyrës së përcaktuar me Rregulloren e Punës së Qeverisë dhe me
Rregullat e Punës së Kuvendit.


KREU III
NISMA LEGJISLATIVE NGA QYTETARËT

Neni 10
E drejta e nismës legjislative nga qytetarët
3

1. Çdo qytetarë mund të iniciojë nismën legjislative.
2. Çdo qytetarë gëzon të drejta të barabarta për sa i përket nismës legjislative.

3. Ndalohet çdo formë e diskriminimit apo kufizimit për të propozuar ligje në bazë të racës,
ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a
shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual,
lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.


KREU IV
PROCEDURAT DHE KRITERET PËR NISMËN LEGJISLATIVE NGA QYTETARËT

Neni 11
Përfaqësuesi i nismës legjislative

1. Çdo nismë legjislative duhet të ketë përfaqësuesin.

2. Përfaqësuesi i nismës është pika e kontaktit dhe komunikimit me institucionet përkatëse.

Neni 12
Forma e nismës legjislative

1. Qytetari/ët kanë të drejtë të nismës për të propozuar ligje duke:

1.1. hartuar projektligjin; apo

1.2. propozuar Kuvendit hartimin e projektligjit.

Neni 13
Njoftimi i Kuvendit për fillimin e nismës

1. Përfaqësuesi i nismës legjislative, njoftimin për fillimin e nismës e dërgon në njësinë përkatëse
për Parashtresa dhe Ankesa në Kuvendin e Kosovës dhe ia ofron Kuvendit informacionin se a do
të fillon nisma legjislative për hartimin e një projektligji apo për propozimin e hartimit të një
projektligji të caktuar duke dhënë shpjegimet e detajuara në shkresën shpjeguese për objektivat
që synojnë t’i realizojnë.

2. Njësia përkatëse për Parashtresa dhe Ankesa ne Kuvend vërteton pranimin e njoftimit për
nismën legjislative.

Neni 14
Afati kohor për mbledhjen e nënshkrimeve

Brenda gjashtë (6) muajve nga data kur përfaqësuesi për nismën legjislative njofton Kuvendin e
Kosovës për fillimin e nismës duhet të përfundojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve dhe të
dërgohet nisma legjislative në Kuvendin e Kosovës.

Neni 15
Financimi i nismës legjislative

1. Shpenzimet që dalin nga përgatitjet për mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative
mbulohen nga përfaqësuesi nismës.

2. Përfaqësuesi për nismën legjislative njofton Kuvendin e Kosovës për mënyrën e financimit të
nismës dhe i bën transparente burimet dhe shumën e financimit.
4


Neni 16
Lista me nënshkrime nga qytetarët

1. Lista që përfshinë të paktën dhjetëmijë (10.000) nënshkrime, duhet përfshijë:

1.1. formën e nismës legjislative dhe emërtimin e saj;

1.2. emrin dhe mbiemrin;

1.3. numrin personal;

1.4. komunën e lindjes;

1.5. nënshkrimin dhe datën e nënshkrimit.

2. Përfaqësuesi përkujdeset që në listë qytetarët të nënshkruhen vetëm nga një herë dhe t’i
përmbajnë të gjitha të dhënat e kërkuara në paragrafin 1. të këtij neni.

3. Çdo faqe e listës duhet ti përmbajë të dhënat e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.

Neni 17
Verifikimi i listës

1. Lista që përfshinë të paktën dhjetëmijë (10.000) nënshkrime verifikohet nga Komisioni Qendror
i Zgjedhjeve në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve.

2. Në rast të ndonjë mangësie të gjetur në kuptim të nenit 16 të këtij ligji gjatë procesit të
verifikimit të listës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e njofton përfaqësuesin e nismës që në afat
kohor jo më shumë se tridhjetë (30) ditë të përmirësojë listën e nënshkrimeve.

3. Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstaton se nisma është në pajtim me kushtet e
përcaktuara me këtë ligj, brenda tri (3) ditëve e njofton përfaqësuesin e nismës legjislative.

Neni 18
Dërgimi i nismës në Kuvend

1. Projektligji apo propozimi i hartimit të një projektligji të caktuar së bashku me shkresën
shpjeguese për objektivat që synojnë t’i realizojnë të nënshkruar nga të paktën dhjetëmijë
(10.000) qytetarë i paraqitet Kuvendit nga përfaqësuesi i nismës.

2. Përfaqësuesi i nismës Projektligjin e dorëzon te Kryetari apo Kryesia e Kuvendit, në mënyrë
solemne.

Neni 19
E drejta e ankesës

Në rast se nisma legjislative e ndërmarr nga qytetarët do të refuzohet nga njësia përkatëse e
Kuvendit me arsyetimin që nisma legjislative nuk i përmban kushtet e përcaktuara me këtë ligj,
qytetarët kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës kompetente për konteste administrative.





5


KREU V
SHQYRTIMI I PROJEKTLIGJIT DHE PROPOZIMIT PËR HARTIMIN E PROJEKTLIGJIT TË
INICUAR NGA QYTETARËT

Neni 20
Shqyrtimi i Projektligjit

1. Në rastin kur nisma legjislative nga qytetaret është në formë të Projektligjit, Kuvendi është
përgjegjës për shqyrtimin e tij konform Rregullores së Punës të Kuvendit për Shqyrtimin e
Projektligjeve.

2. Kuvendi, Projektligjin ia dërgon Qeverisë për marrjen e opinioneve dhe deklaratave përkatëse.

3. Pas marrjes së opinioneve dhe deklaratave përkatëse nga Qeveria, fillon shqyrtimi i Projektligjit
sipas procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Punës së Kuvendit.

4. Përfaqësuesi i nismës legjislative ftohet që gjatë gjithë kohës të merr pjesë në punën e
komisioneve përkatëse të Kuvendit.

5. Kryesia e Kuvendit mund të lejoj përfaqësuesin të prezantoj nismën në seancë plenare ose
cakton një deputet me propozimin e përfaqësuesit që të bëjë prezantimin e nismës në seancë
plenare.

Neni 21
Shqyrtimi i propozimit për hartimin e Projektligjit

1. Në rastin kur nisma legjislative nga qytetaret është në formën e propozimit për hartimin e
Projektligjit, Kuvendi është përgjegjës për hartimin e tij konform Rregullores se Punës te Kuvendit
për Shqyrtimin e Projektligjeve.

2. Kuvendi, bazuar në propozimin për hartimin e Projektligjit mund te kërkojë nga Qeveria
hartimin e Projektligjit përkatës.

3. Qeveria, cakton njërën nga Ministritë si bartëse për hartimin e Projektligjit.

4. Përfaqësuesi i nismës legjislative ftohet që gjatë gjithë kohës të merr pjesë në Grupet Punuese
përkatëse.


KREU VI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 22
Nxjerrja e akteve nënligjore

1. Qeveria ka autoritetin të miratojë udhëzues dhe akte tjera përkatëse me qëllim të zbatimit të
këtij ligji.

2. Njësia përkatëse që merret me çështje ligjore e Zyrës së Kryeministrit, sipas nevojës edhe në
bashkëpunim me institucionet dhe me shoqërinë civile, ndërmarrin masat e nevojshme për të
promovuar dhe përkrahur të drejtat e përcaktuara në këtë ligj.

Neni 23

6
Dispozitat e këtij ligji do të vlejnë në mënyrë analoge edhe për nismat për amendamentimin e
ligjeve.
Neni 24
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-025
6 tetor 2011

Shpallur me dekretin Nr. DL-040-2011, datë 13.10.2011 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.