LIGJI NR. 04/L-050 PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË TË ZYRTARËVE TË LARTË PUBLIK DHE DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E DHURATAVE PËR TË GJITHË PERSONAT ZYRTARË

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 16 / 14 SHTATOR 2011, PRISHTINË


LIGJI Nr. 04/L-050
PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË TË ZYRTARËVE TË
LARTË PUBLIK DHE DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E DHURATAVE
PËR TË GJITHË PERSONAT ZYRTARË


Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E PASURISË TË ZYRTARËVE
TË LARTË PUBLIK DHE DEKLARIMIN, PREJARDHJEN DHE KONTROLLIN E DHURATAVE
PËR TË GJITHË PERSONAT ZYRTARË


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i ligjit

Ky ligj i përcakton detyrimet e zyrtarëve të lartë publikë për ta deklaruar pasurinë, të hyrat dhe
prejardhjen, detyrën e Agjencisë për ta kontrolluar deklarimin dhe kontrollin e pasurisë si dhe
detyrimet e të gjithë personave zyrtarë për të deklaruar dhuratat dhe prejardhjen e tyre.

Neni 2
Fusha e Veprimit

Ky ligj rregullon, procedurën e deklarimit dhe kontrollin e pasurisë, të hyrat dhe detyrimet e
zyrtarëve të lartë publik, anëtarët e familjes si dhe sanksionet e përcaktuara. Ky ligj po ashtu
rregullon procedurën e deklarimit, kontrollit për dhuratat dhe prejardhjen e tyre të pranuara nga të
gjithë personat zyrtarë.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Zyrtar i Lartë Publik - janë:

1.1.1. Presidentin e Republikës së Kosovës, anëtarët e kabinetit të Presidentit,
Sekretarin si dhe Drejtorët e Departamenteve Profesionale në Zyrën e
Presidentit të Republikës së Kosovës;

1.1.2. Deputetët e Kuvendit, të gjithë personat e zgjedhur apo të emëruar nga
Kuvendi, Kryesia, Kryetari i Kuvendit si dhe Kabineti i Kryetarit të Kuvendit të
Republikës së Kosovës;

1.1.3. Kryeministri, Zëvendës Kryeministri, Ministrat, Zëvendës Ministrat,
Këshilltarët politik, Shefat e kabineteve si dhe të gjithë te emëruarit nga ta;

1.1.4. Sekretarët e Përgjithshëm të Qeverisë, Kryeshefat e Agjencive të
themeluara me ligj apo me ndonjë akt tjetër, Drejtori dhe Zëvendës Drejtori,
Drejtorët regjional të Administratës Tatimore të Kosovës, Drejtori i përgjithshëm
si dhe Drejtorët e Departamenteve të Doganës;

1.1.5. Auditorët në Zyrën e Auditorit Gjeneral dhe të gjithë auditorët e brendshëm
te institucioneve;

1.1.6. Anëtarët e Bordeve të Ndërmarrjeve Publike, anëtarët e Bordeve të
Rregullatorëve, të Komisioneve apo Agjencive tjera të themeluara me ligj apo me
ndonjë akt tjetër;

1.1.7. Anëtarët e Bordit, Drejtori dhe Zëvendës Drejtori i Bankës Qendrore;

1.1.8. Kryetarët e Komunave dhe Zëvendës Kryetarët, Kryesuesit, Zëvendës
Kryesuesit, Keshilltarët e Asambleve Komunale si dhe të gjithë Drejtorët e
Drejtorive Komunale;

1.1.9. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial, Drejtori i
Sekretariatit të Këshillit Gjyqësor, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial,
Auditori Gjyqësor, Prokurori Disiplinor;

1.1.10. Gjyqtarët dhe Prokurorët, Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari
i Gjykatës Kushtetuese;

1.1.11. Drejtorët e të gjitha Departamenteve, Udhëheqësit e Financave dhe
Prokurimit publik në të gjitha institucionet publike;

1.1.12. Ambasadorët, Konsujt, Zëvendës Konsujt, Sekretarët e Ambasadave apo
Konsullatave të Republikës se Kosovës;

1.1.13. Rektori dhe Prorektorët e Universitetit Publik, Dekanët dhe Prodekanët, si
dhe Sekretari i Universitetit Publik dhe Njësive Akademike;

1.1.14. Drejtori i Përgjithshëm, Zëvendës Drejtoret dhe Drejtoret rajonal të
Policisë së Kosovës, Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës;

1.1.15. Komandanti, Zëvendës Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës;

1.1.16. Drejtori, Zëvendës Drejtori si dhe Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë
Kosovare të Inteligjencës;

1.1.17. Avokati i Popullit dhe Zëvendësit e tij;

1.1.18. Kryeinspektorët e Inspektorive të nivelit qëndror dhe lokal.

1.2. Anëtarët e familjes – prindërit, adoptuesi, bashkëshortët, fëmijët dhe i adoptuari
deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.

1.3. Agjencia- Agjencia kundër korrupsionit.

1.4. Regjistri - Regjistri i deklarimit dhe prejardhjes së pasurisë, të hyrave,
përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare.

1.5. Zyrtar Kontaktues - personi të cilin Institucioni ku ai punon e cakton si
koordinator i punëve me Agjencinë.

1.6. Person zyrtar - personi zyrtar të definuar në Kodin penal të Kosovës.
Neni 4
Detyrat e zyrtarit kontaktues

1. Secili institucion cakton një zyrtar kontaktues i cili duhet të jetë nga Zyra e Personelit.

2. Secili institucion ka detyrat si në vijim:

2.1. përcjell listën me emrat e zyrtarëve të lartë publik dhe njofton Agjencinë për
ndryshimet në listë brenda afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor;

2.2. njofton zyrtarët e lartë për deklarim të pasurisë;

2.3. regjistron dhuratat e pranuara nga personat zyrtar në regjistrin e institucionit dhe
dorëzon kopjen e regjistrit tek Agjencia, deri më datë 31 mars të secilit vit kalendarik.


KREU II
DEKLARIMI I PASURISË, TË ARDHURAVE, PËRFITIMEVE MATERIALE DHE DETYRIMEVE
FINANCIARE

Neni 5
Deklarimi i pasurisë

1. Deklarimi në lidhje me gjendjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë dhe anëtarët e familjes
së tyre, përmban informacione rreth pasurisë, të ardhurave të tyre, si:

1.1. paluajtshmëria;

1.2. pasuri e luajtshme në vlerë mbi pesëmijë (5 000) Euro;

1.3. zotërimi nga ana e tyre i aksioneve në shoqëri tregtare;

1.4. letra me vlerë;

1.5. para të kursyera në bankë dhe në institucione tjera financiare;

1.6. detyrime financiare ndaj personave fizik dhe juridik dhe

1.7. të hyrat vjetore.

2. Kur pasuria e pjesëtarëve të familjes është e ndarë dhe e regjistruar si e tillë në organet e
administratës shtetërore ose gjyqësore, deklarimi paraqitet veçmas për çdo anëtarë i familjes me
pasuri të regjistruar në emër të tij dhe i bashkëngjitet deklaratës së personit që ka detyrimin
për deklarimin.

3. Në deklaratën për pasurinë e të ardhurave dhe detyrimeve financiare, zyrtari i lartë publik cek
shumën, llojin dhe burimin e secilës të ardhur, shumën dhe llojin e detyrimeve financiare
duke përfshirë edhe emrin e kreditorit si person fizik apo juridik, ndërsa publikimi i emrit të
kreditorit bëhet vetëm për personat juridik.

Neni 6
Deklarimi sipas këtij ligji

1. Deklarimi i pasurisë nga zyrtarët e lartë publik mund të jetë:

1.1. deklarimi me marrjen e detyrës;

1.2. deklarimi i rregullt vjetor;

1.3. deklarimi sipas kërkesë së Agjencisë;

1.4. deklarimi pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni;

2. Deklarimi i dhuratave për personat zyrtarë publik;

3. Deklarimet e parapara në këtë nen, i paraqiten Agjencisë nga vetë zyrtari i lartë publik apo nga
personat e autorizuar nga ai.

Neni 7
Deklarimi me rastin e marrjes së detyrës së zyrtarit të lartë publik

Me fillimin e funksionit, zyrtari i lartë publik deklaron pasurinë ekzistuese, burimin dhe detyrimet
brenda afatit tridhjetë (30) ditor, sipas nenit 5 të këtij ligji.

Neni 8
Deklarimi i rregullt vjetor

1. Deklarimi i rregullt vjetor i pasurisë nga neni 6, paragrafi 1., nën-paragrafi 1.1. i këtij ligji, bëhet
gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik nga data 1 mars deri më 31 mars të çdo viti
kalendarik.

2. Pas deklarimit të pasurisë, zyrtari i lartë publik brenda afatit të paraparë në paragrafin 1 të këtij
neni deklaron çdo ndryshim në gjendjen e pasurisë në përputhje me nenin 5 të këtij ligji.

3. Agjencia mbikëqyrë pasurinë e zyrtarit të lartë publik në bazë të informacionit të dorëzuar nga
zyrtari i lartë publik në një formular të posaçëm, i cili do të përcaktohet nga Agjencia.

Neni 9
Deklarimi sipas kërkesës së Agjencisë

Agjencia në çdo kohë mund të kërkojë nga zyrtari i lartë publik që ta dorëzojë
informacionin e kërkuar sipas nenit 5 të këtij ligji.

Neni 10
Deklarimi pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni

1. Pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni publik, zyrtari i lartë publik brenda tridhjetë (30)
ditëve paraqet deklarimin e pasurisë ashtu siç është paraparë në nenin 5 të këtij ligji.

2. Agjencia mund të kërkojë nga zyrtari i lartë publik deklarimin e pasurisë sipas nenit 5, por jo
më vonë se një (1) vit pas mbarimit apo shkarkimit nga funksioni publik.


KREU III
DHURATAT

Neni 11
Pranimi i dhuratave

1. Personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose të pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për
anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë, ose
mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe
dhuratave të rastit.

2. Dhuratat protokollare konsiderohen dhuratat e sjella nga përfaqësuesit e vendeve të huaja dhe
të organizatave ndërkombëtare gjatë vizitave dhe rasteve të tjera dhe dhuratat e sjella në kushte
të ngjashme.

3. Zyrtari nuk mund të marrë më shumë se një dhuratë në vit nga i njëjti person, apo institucion.

4. Personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata monetare.

5. Menjëherë pas pranimit, ose pas kthimit në vend, zyrtari duhet të paraqesë dhuratën.

6. Personi zyrtar duhet ta informojë me shkrim eprorin e tij, nëse i është ofruar ose dhënë një
dhuratë pa paralajmërim dhe në rrethana specifike. Në rast se personi zyrtar është drejtues
institucioni, ai duhet ta informojë Agjencinë.

7. Nëse dhurata e rastit nuk është e karakterit personal, ajo menjëherë bëhet pronë e institucionit
në të cilën personi zyrtar ushtron detyrën.

8. Dhuratat protokollare bëhen pronë e institucionit në të cilin personi zyrtar ushtron detyrën.

9. Dhuratat protokollare si: simbolet shtetërore, medaljet dhe shenjat protokollare, mund të
përdoren gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Neni 12
Regjistrimi i dhuratave

1. Të gjitha dhuratat e pranuara dhe vlera e tyre përkatëse, si dhe emrat e personave që kanë
dhënë dhuratën, duhet të regjistrohen në regjistrin e dhuratave nga personi zyrtar që
përcaktohet nga Agjencia dhe që mbahen nga institucioni, në të cilin personi zyrtar ushtron
detyrën.

2. Institucionet sipas paragrafit 1 të këtij neni, duhet t’i emërojnë zyrtarët përgjegjës për mbajtjen
e regjistrit të dhuratave dhe duhet ta informojnë Agjencinë për emrat dhe pozitat e personave
përgjegjës.

3. Me kërkesën e personit zyrtar që ka pranuar dhuratën, Agjencia me vendim mund të lejojë të
merret dhurata nëse ekzistojnë arsye bindëse se dhurata i është dhënë për qëllime personale
dhe nuk ndikon ose nuk duhet të ndikojë në kryerjen e detyrës zyrtare.

4. Regjistri i dhuratave është publik. Institucionet përkatëse janë të obliguara të sigurojnë qasjen
e publikut në regjistër, në pajtim me procedurat e përcaktuara më Ligjin për qasjen në
dokumentet zyrtare.

5. Institucionet publike që janë të obliguara të mbajnë regjistër të dhuratave duhet t’i
dërgojnë në Agjenci kopjet e regjistrave të vitit paraprak, por jo më vonë se më 31 mars të vitit në
vijim.

6. Agjencia kontrollon regjistrat e dhuratave dhe në rast të ndonjë devijimi, u kërkon
institucioneve të marrin masa për zbatimin e plotë të këtij ligji.

7. Nëse Agjencia konstaton se personi zyrtar i ka shkelur dispozitat e këtij ligji dhe nëse shkelja
nuk dyshohet se përbën vepër penale, informon institucionin në të cilin personi zyrtar ushtron
detyrën dhe kërkon që ndaj shkelësit të merren masa disiplinore. Institucioni përkatës duhet ta
informojë Agjencinë për masat disiplinore që janë marrë ndaj personit zyrtar.
8. Në raste dyshimi për vepër penale, Agjencia pas hetimeve të kryera, ia paraqet
kallëzimin penal prokurorisë kompetente.


KREU IV
REGJISTRIMI DHE MIRËMBAJTJA E DEKLARIMEVE TË PASURISË

Neni 13
Regjistri i Deklarimeve

1. Të dhënat e deklarimit të pasurisë së zyrtarit të lartë publik përfshin: emrin, mbiemrin, pozitën,
emri i institucionit, adresa e institucionit, data e emërimit në funksion, data e dorëzimit të
formularit, funksionet apo aktivitetet tjera që i ushtron zyrtari krahas funksionit publik, pasurinë e
paluajtshme dhe llojin e saj, sipërfaqen, prejardhjen, vlerën e saj të paragjykuar dhe në pronësi të
kujt është, pasurinë e luajtshme dhe llojin e saj, prejardhjen, viti i përfitimit, vlera e saj të
paragjykuara, dhe në pronësi te kujt është, aksionet në shoqëritë tregtare apo në ndonjë
institucion tjetër, posedimi i letrave me vlerë, para të gatshme, detyrimet financiare që i ka zyrtari
ndaj personave fizik dhe juridik dhe të hyrat vjetore, të gjitha këto duhet të publikohen në faqen e
internetit të Agjencisë brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e kalimit të afatit për
deklarim të pasurisë nga zyrtarët e lartë publik.

2. Qasja në të dhënat që nuk bëhen publike e që kanë të bëjnë me deklarimin e pasurisë së
zyrtarëve të lartë publik bëhet në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumentet Publike dhe Ligjin
për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

3. Çdo kush mund të paraqes informacione me shkrim tek Agjencia të cilat informacione kanë të
bëjnë me deklarimin e bërë nga zyrtarët e lartë publik, me qëllim që të vërtetohet se ai deklarim
është apo nuk është i saktë.

4. Të dhënat të cilat nuk publikohen sipas paragrafit 1 të këtij neni mund të përdoren dhe
procedohen tutje vetëm për qëllime të hetimit dhe parandalimit të korrupsionit apo kontrollit të
konflikteve të mundshme të interesit të zyrtarit të lartë publik në lidhje me ushtrimin e funksioneve
publike.

5. Përpunimi i të dhënave personale që gjenden në regjistër bëhet në përputhje me Ligjin për
Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Neni 14
Autoriteti Kompetent

1. Autoritet kompetent i cili administron dhe mirëmban regjistrin është Agjencia.

2. Administrimi dhe mirëmbajtja e regjistrit përfshin:

2.1. pranimin dhe regjistrimin e deklarimeve të bëra;

2.2. Agjencia i arkivon të dhënat e zyrtarëve të lartë publik për deklarimin e pasurisë në
periudhën prej dhjetë (10) vitesh nga koha e mbarimit apo shkarkimit nga funksioni. Pas
kalimit të këtij afati Agjencia i shkatërron këto të dhëna.







KREU V
KONTROLLI I TË DHËNAVE TË DEKLARUARA

Neni 15

1. Agjencia bënë kontrollin e deklarimit të gjendjes së pasurisë të zyrtarëve të lartë publik.

2. Kontrolli paraprak kryhet për çdo formular për të vërtetuar ekzistimin apo jo të
gabimeve materiale ose plotësimet të gabuara të formularit.

3. Kur nga përpunimi paraprak vërtetohen gabime materiale ose plotësime të gabuara,
apo jo të plota Agjencia njofton subjektin që ka paraqitur këto deklarime, i cili brenda
pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga marrja e njoftimit, është i detyruar t' i përmirësoj ato.

4. Kontrolli i plotë kryhet për të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e të dhënave të
deklaruara në formular.

Neni 16
Detyrimi për ofrimin e të dhënave

1. Agjencia kërkon deklarimin e pasurive dhe burimet e krijimit të tyre si dhe mund të bëjë
kontrollin për saktësinë e këtyre deklarimeve.

2. Gjatë kryerjes së kontrollit dhe verifikimit të të dhënave të deklarimit të pasurisë, Agjencia
mund të kërkojë apo shfrytëzojë të dhënat nga të gjithë personat fizik dhe juridik, konform Ligjit
për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Me kërkesë të Agjencisë, Bankat dhe subjektet e tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe
financiare në Kosovë, detyrohen të japin të dhëna për depozitat, llogaritë dhe
transaksionet e kryera nga personat që sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim.

4. Subjektet e cekura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, janë të detyruara të vënë në
dispozicion të dhënat e kërkuara brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga paraqitja e kërkesës me
shkrim nga Agjencia.


KREU VI
DISPOZITAT NDËSHKIMORE

Neni 17

1. Kushdo që shkelë detyrimet e përcaktuara me këtë ligj, që nuk janë vepra penale, zyrtari i lartë
publik bënë kundërvajtje dhe dënohet si:

1.1. me gjobë prej njëmijë (1000) deri dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohet për
kundërvajtje zyrtari i lartë publik për mos deklarim të rregullt vjetor të pasurisë;

1.2. me gjobë prej njëmijë (1000) deri dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohet për
kundërvajtje zyrtari i lartë publik për mos deklarim të pasurisë me rastin e marrjes së
detyrës;

1.3. me gjobë prej njëmijë e pesëqind (1500) deri dymijë e pesëqind (2500) Euro,
dënohen për kundërvajtje zyrtarët e lartë publikë për mos deklarim të pasurisë me
kërkesën e Agjencisë;

1.4. me gjobë prej njëmijë (1000) deri në dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohen për
kundërvajtje zyrtarët e lartë publikë për mos deklarim të pasurisë pas largimit nga
funksioni;

1.5. me gjobë prej njëmijë (1000) deri në dymijë e pesëqind (2500) Euro, dënohet për
kundërvajtje subjekti që sipas kërkesës së Agjencisë nuk vepron në pajtim me paragrafin
3. të nenit 15 të këtij ligji.

2. Për inicimin e procedurës për kundërvajtje, Agjencia e njofton udhëheqësin ose
institucionin në të cilin zyrtari i lartë publik punon ose ka punuar,

3. Agjencia publikon emrat e zyrtarëve të lartë publik të cilët nuk e kanë dorëzuar formularin mbi
gjendjen e pasurisë, ashtu siç është paraparë në këtë ligj.

4. Krahas dënimeve me gjobë mund të shqiptohen edhe masat për mbrojtje si:

4.1. ndalimi i ushtrimit të funksionit deri në një (1) vit.

5. Nëse shkelja e detyrimeve të përcaktuara nga ky ligj përbën vepër penale, Agjencia ushtron
kallëzim penal.

Neni 18
Procedura

Kërkesa për fillimin e procedurës kundërvajtëse mund të parashtrohet nga Agjencia nëse
ekziston dyshimi i bazuar.

Neni 19
Dispozitat Kalimtare

Deri me datë 31.12.2012, procedura për kundërvajtje dhe gjobat shqiptohen nga Gjykata për
Kundërvajtje, pas datës 31.12.2012, procedura për kundërvajtje zhvillohet pranë Gjykatës
Themelore.

Neni 20
Hyrja në fuqi

1. Me hyrjen në të këtij ligji shfuqizohet Ligji Nr. 03/L-151, për Deklarimin, Prejardhjen dhe
Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave të Zyrtarëve të Lartë Publik.

2. Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-050
31 gusht 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-028-2011, datë 31.08.2011 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.