LIGJI NR. 04/L-023 PËR PERSONA TË ZHDUKUR

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 16 / 14 SHTATOR 2011, PRISHTINË


LIGJI Nr. 04/L-023
PËR PERSONA TË ZHDUKUR


Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR PERSONA TË ZHDUKUR


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi dhe fushëveprimi

1. Ky ligj ka për qëllim të mbrojë të drejtat dhe interesat e personave të zhdukur dhe familjarëve
të tyre, në veçanti të drejtën e familjarëve për të ditur fatin e personave të zhdukur, të cilët u
zhdukën gjatë periudhës 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, si pasojë e luftës në Kosovë në vitet
1998-1999.

2. Me këtë ligj, po ashtu, përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e Komisionit Qeveritar për
Persona të Zhdukur.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Person i zhdukur është personi vendndodhja e të cilit është e panjohur për
familjarët dhe kërkuesit e tij/saj dhe i cili në bazë të informacionit të besueshëm, është
zhdukur në periudhën mes 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, si pasojë e luftës në
Kosovë në vitet 1998-1999.

1.2. Familjar i personit të zhdukur nënkupton pjesëtarin e familjes së një personi të
zhdukur të përcaktuar me dispozitat e Ligjit për Familjen i Kosovës nëse nuk specifikohet
ndryshe, për qëllime të këtij ligji.

1.3. Regjistri Qendror i Personave të Zhdukur nënkupton bazën kryesore të të
dhënave të mbledhura në lidhje me procesin e kërkimit, gjetjes, identifikimit të personave
të zhdukur dhe të drejtave tjera për personin apo familjarët e tij/saj.

1.4. Informacion i besueshëm konsiderohet informacioni nga i cili është e mundur të
arrihet në mënyrë të besueshme në përfundimin se vendndodhja e një personi të caktuar
është e panjohur për familjarët e tij/saj ose në rastin e atyre që nuk kanë familjarë,
personi nuk gjendet në vendin e tij/saj të përhershëm apo të përkohshëm të banimit.

1.5. Të dhënat minimale për personin e zhdukur – përbëhen nga emri, emri i prindit
dhe mbiemri i personit, gjinia, vendi dhe data ose vetëm viti i lindjes, vendi dhe data ose
vetëm viti i supozuar i zhdukjes dhe rrethanat e zhdukjes.


2


Neni 3
Ndalimi i Diskriminimit

Personat e zhdukur dhe familjarët e tyre gëzojnë të drejta të barabarta dhe përjashtohen nga çdo
formë e diskriminimit në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të
tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes
ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër
personal.


KREU II
TË DREJTAT E PERSONIT TË ZHDUKUR DHE FAMILJARËVE TË TIJ

Neni 4
Të drejtat e personit të zhdukur

Të drejtat dhe interesat e personit të zhdukur nuk paragjykohen për shkak të statusit të tij si
person i zhdukur.

Neni 5
E drejta e familjarëve për t’u informuar për fatin e personave të zhdukur

1. Çdokush ka të drejtë të dijë rreth fatit të familjarit(ëve) të tij/saj të zhdukur, duke përfshirë
vendndodhjen ose në rast se ata kanë vdekur, rrethanat e vdekjes së tyre dhe vendin e varrosjes,
nëse vendi dihet, dhe po ashtu kanë të drejtën e marrjes së mbetjeve mortore.

2. Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (në tekstin e mëtejmë: Komisioni) informon me
shkrim familjarët në lidhje me rezultatet e kërkesave për gjurmim.

3. Komisioni shqyrton të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me zhdukjen e personave, duke
përfshirë kërkesat e përmendura në paragrafin e mësipërm.

4. Askush nuk mban përgjegjësi penale dhe nuk i nënshtrohet kërcënimeve, dhunës apo ndonjë
forme tjetër të kanosjes kur kërkon të dijë rreth fatit apo vendndodhjes së familjarëve të zhdukur.

Neni 6
Të drejtat e familjarëve në lidhje me statusin juridik të personave të zhdukur

1. Statusi civil i bashkëshortit/es të një personi të zhdukur nuk ndryshohet deri sa të bëhet
identifikimi i mbetjeve mortore të personit të zhdukur dhe të lëshohet certifikata e vdekjes, ose të
bëhet shpallja e personit të zhdukur për të vdekur nga gjykata sipas Ligjit për Procedurën
Jokontestimore.

2. Në rastin kur të dy prindërit raportohen në Komision si të zhdukur, caktohet organi i
kujdestarisë në pajtim me Ligjin për Familjen i Kosovës. Kujdestaria mbron interesin më të mirë të
fëmijës.

3. Familjari i personit të zhdukur mund të kërkojë në gjykatën kompetente të vendbanimit të fundit
të personit të zhdukur, që të marrë autorizim për të menaxhuar përkohësisht pronën dhe pasurinë
e personit të zhdukur. Gjykata mund ta japë këtë autorizim nëse kërkesa është në interesin më të
mirë të personit të zhdukur. Në rastin kur personi i zhdukur shpallet i vdekur, sipas dispozitave të
Ligjit për Procedurën Jokontestimore, familjari i personit të zhdukur mund të caktohet si kujdestar
sipas të njëjtit ligj.

4. Familjari i personit të zhdukur, i cili mund ta provojë varësinë materiale të tij/saj nga të ardhurat
e personit të zhdukur, mund të aplikojë në gjykatën kompetente të vendbanimit të fundit të
3
personit të zhdukur që t’i jepet një pagesë e marrë nga pasuritë e personit të zhdukur në mënyrë
që familjarët të përmbushin nevojat e tyre.

5. Shpenzimet e rivarrimit pas identifikimit të mbetjeve mortore të personit të zhdukur i bart
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Neni 7
Fillimi dhe ndërprerja e kërkimit

1. Kërkesa për fillimin e procedurës për personin e zhdukur i drejtohet Komisionit Qeveritar për
Personat e Zhdukur. Kërkesën për personin e zhdukur mund ta paraqesë familjari i personit të
zhdukur, personat e tjerë, organet kompetente.

2. Kërkesa duhet të përmbajë të dhënat minimale për vërtetimin e identitetit të personit të zhdukur
siç parashihet me nenin 2, paragrafi 1. nën-paragrafi 1.5. të këtij ligji. Në mungesë te të dhënave
minimale për vërtetimin e identitetit tё personit tё zhdukur, Komisioni me qëllim të sigurimit të
informatave shtesë, nё afat sa më të shkurtër kohor, duhet tё kontaktojë paraqitësin e kërkesës
për fillimin e procedurës.

3. Kërkimi i personit të zhdukur konsiderohet i përfunduar kur të jetë gjetur personi i zhdukur ose
kur të jenë identifikuar mbetjet mortore të tij.

4. Kërkimi i personit të zhdukur nuk ndërpritet edhe në qoftë se personi i zhdukur shpallet i
vdekur sipas Ligjit për Procedurën Jokontestimore.

5. Kërkimi i personit të zhdukur vazhdon derisa fati dhe/apo nëse është e mundur, vendndodhja e
personit të zhdukur të raportuar të jetë përcaktuar dhe familja e autoritetet përkatëse të jenë
informuar në mënyrë adekuate.

6. Procedurat për ndërprerjen e kërkimit rregullohen me akte nënligjore, te propozuara nga
Ministria përkatëse për Drejtësi dhe të aprovuara nga Qeveria.


KREU III
KOMISONI QEVERITAR PËR PERSONAT E ZHDUKUR

Neni 8
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur

1. Komisioni, është organ qeveritar i cili, udhëheq, mbikëqyrë, bashkërendon dhe koordinon
aktivitetet me institucionet vendore, bashkëpunon me Institucionet dhe Organizatat
ndërkombëtare dhe akterët tjerë, në lidhje me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur si rezultat
i luftës të viteve 1998-1999, pavarësisht përkatësisë etnike, religjionit apo statusit ushtarak apo
civil.

2. Komisioni funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, apo në subjektin pasardhës që
vendos Qeveria.

3. Komisioni mund të marrë donacione me kusht që të mos ndikojnë në punën dhe pavarësinë e
saj.

4. Qeveria mund të vendosë cili do të jetë subjekti pasardhës i Komisionit të cilit i jepet i njëjti
mandat ashtu si përkufizohet në dispozitat e këtij ligji.

Neni 9
Anëtarët e Komisionit

1. Anëtarët e Komisionit përfshijnë, por nuk kufizohen në përfaqësues nga:

4
1.1. Zyra e Kryeministrit-Kryesues dhe Zëvendëskryesues ;

1.2. Ministria e Drejtësisë -anëtar;
1.3. Departamenti për Mjekësi Ligjore-anëtar;

1.4. Ministria për Punë të Brendshme-anëtar;

1.5. Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal-anëtar;

1.6. Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale-anëtar;

1.7. Ministria për Punë të Jashtme-anëtar;

1.8. Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës –anëtar, dhe

1.9. Anëtarët tjerë, përfshirë edhe tre përfaqësues të shoqatave të familjarëve të të
zhdukurve të Kosovës, ku njeri nga anëtaret duhet të jetë nga komuniteti jo shumicë.

2. Anëtarët Qeveritar të Komisionit bashkëpunojnë duke ofruar informacione në dispozicion dhe
ndihmë për Komisionin.

3. Kryesuesi dhe zëvendëskryesuesi, do të emërohen nga kryeministri, zëvendëskryesuesi
duhet të jetë nga radhët e komuniteteve joshumicë.

4. Anëtarët e Komisionit do të jenë të përfaqësuar nga radhët e nivelit të nëpunësve të lartë civil,
përkatësisht sekretarët e përgjithshëm apo drejtoret e departamenteve gjegjëse të ministrive
përkatëse dhe të institucioneve tjera.

5. Zyra e Kryeministrit apo subjekti pasardhës i siguron Komisionit mbështetjen administrative
dhe financiare.

6. Në kuadër të Komisionit funksion njësia përkatëse administrative, e cila i ndihmon Komisionin
në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij.

7. Udhëheqësi dhe nëpunësit e njësisë janë nëpunës civil.

Neni 10
Kompetenca e Komisionit

1. Komisioni mbron të drejtat dhe interesat e personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre.

2. Komisioni bashkërendon aktivitetet në mbledhjen e të dhënave në lidhje me personat e
zhdukur.

3. Komisioni krijon Regjistrin Qendror të Personave të Zhdukur.

4. Komisioni i informon familjarët e personave të zhdukur dhe bashkëpunon me shoqatat e tyre
duke i njoftuar familjarët për fatin e personave të zhdukur, ngritjen e ndërgjegjes (vetëdijesimit)
dhe përkrahë iniciativat që kanë të bëjnë me personat e zhdukur duke raportuar publikisht për
rezultatet e gjetjeve të tij.

5. Komisioni ushtron aktivitete tjera të rëndësishme në lidhje me personat e zhdukur.

Neni 11
Bashkëpunimi i Komisionit me institucionet vendore dhe ndërkombëtare

1. Komisioni ushtron aktivitetin e vet në bashkëpunim të plotë me Institucionet vendore,
Institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, Prokurorinë Publike, Gjykatat dhe strukturat tjera
përgjegjëse që kanë autorizime sipas ligjit për të mbledhur të dhëna për personat e zhdukur.
5

2. Komisioni bashkëpunon me organizatat dhe shoqatat vendore dhe ndërkombëtare që merren
me mbrojtjen e të drejtave të personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre.
3. Komisioni bashkëpunon me autoritetet relevante të vendeve në rajon në lidhje me personat e
zhdukur, në pajtim me ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare në fuqi në Kosovë.

4. Komisioni ose subjektit pasardhës të cilit i jepet i njëjti mandat, bashkërendon aktivitetet me
institucionet vendore, ndërkombëtare dhe akterët tjerë, në lidhje me ndërtimin e monumentit apo
nismat tjera që kanë të bëjnë me nderimin e personave të zhdukur.

5. Autoritetet publike përkatëse të punëve të jashtme, drejtësisë, punëve të brendshme dhe
pushtetit lokal, brenda përgjegjësive të tyre bashkëpunojnë me Komisionin duke ofruar informatat
që kanë në dispozicion dhe duke ofruar ndihmë për realizimin e detyrave të tij.

Neni 12
Rregullorja e Komisionit

Kompetencat tjera dhe procedurat e Komisionit, duke përfshirë edhe procedurën e parashtrimit të
ankesave, Organizimin e Brendshëm si dhe Sistematizimi i vendeve të Punës të njësisë
përkatëse administrative të Komisionit përcaktohen me Rregullore të punës së Komisionit.
Rregullorja e punës, propozohet nga Komisioni dhe miratohet nga Qeveria, në afat prej gjashtë
(6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Komisioni qeveritar harton raportin periodik dhe vjetor të
punës dhe i raporton Qeverisë së Republikë së Kosovës.


KREU IV
REGJISTRI QENDROR I PERSONAVE TË ZHDUKUR

Neni 13
Regjistri Qendror i Personave të Zhdukur

1. Për të siguruar zbatimin e mandatit të tij dhe zbardhjes së fatit të personave të Zhdukur,
Komisioni krijon dhe mban Regjistrin Qendror për personat e Zhdukur.

2. Në Regjistrin Qendror të tij, Komisioni mbledh dhe centralizon të dhënat e personave të
zhdukur, të cilat janë marrë nga të gjitha burimet në dispozicion për të ndihmuar gjatë gjetjes së
identitetit të tyre, si dhe vendit dhe rrethanave të zhdukjes së tyre.

3. Të dhënat e mbledhura në këtë mënyrë shkëmbehen me organizatat përkatëse shtetërore kur
është e nevojshme për qëllim të gjurmimit, identifikimit të personave të Zhdukur ose gjetjen e
mbetjeve mortore.

Neni 14
Qasja në Regjistrin Qendror

1. Me qëllim të zbatimit të drejtave të përcaktuara në nenin 6 të këtij ligji, qasja në informacionet
të cilat gjenden në Regjistrin Qendror duhet tu mundësohet familjarëve ose përfaqësuesve ligjor
të personave të Zhdukur dhe organizatave tjera, që e kanë mandatin për të kryer kërkimin, gjetjen
dhe identifikimin e personave të Zhdukur. Këto të dhëna do të jenë në dispozicion në pajtim me
legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Kërkesa për ofrimin e të dhënave nga regjistri për personat e Zhdukur mund t’i dërgohet
Komisionit nga ana e familjarëve të personit të Zhdukur ose nga organet Shtetërore që nuk janë
të përfaqësuara në Komision. Komisioni shqyrton kërkesën dhe merr vendim brenda 15 ditëve
nga data e dorëzimit të saj.

Neni 15
Përpunimi dhe trajtimi i të dhënave personale në Regjistrin Qendror

6
1. Të dhënat e mbajtura në Regjistrin Qendror përpunohen dhe trajtohen në pajtim me Ligjin për
mbrojtjen e të dhënave personale dhe Ligjin për klasifikimin e informacionit dhe verifikimin e
sigurisë si dhe me obligimet tjera ligjore që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Komisioni miraton rregulloren e cila përcakton procedurën për shfrytëzimin, regjistrimin,
përjashtimin dhe shkëmbimin e të dhënave, verifikimin dhe menaxhimin e tyre, në pajtim me
Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Ligjin për klasifikimin e informacionit dhe
verifikimin e sigurisë dhe rregullat e sigurisë si dhe me obligimet tjera ligjore që kanë të bëjnë me
mbrojtjen e të dhënave personale.


KREU V
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 16
Kërkesat para hyrjes në fuqi të ligjit

Të gjitha kërkesat që kanë të bëjnë me zhdukjen e personave të cilat janë dorëzuar para hyrjes
në fuqi të këtij ligji konsiderohen si të vlefshme dhe të paraqitura në pajtim me dispozitat e këtij
ligji, nëse ato i përmbajnë të dhënat minimale të kërkuara.

Neni 17
Mbikëqyrja

Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji e bënë Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Neni 18

Pas hyrjes ne fuqi të këtij ligji, shfuqizohen të gjitha dispozitat ligjore që janë në kundërshtim me
këtë ligj.

Neni 19
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-023
31 gusht 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-023-2011, datë 31.08.2011 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.