LIGJI NR. 04/L-57 PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATAT JOQEVERITARE

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 14 / 9 SHTATOR 2011, PRISHTINË


LIGJI Nr. 04/L-57
PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATAT JOQEVERITARE


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR LIRINË E ASOCIIMIT NË ORGANIZATAT JOQEVERITARE


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimet dhe fushëveprimi i këtij ligji

1. Ky ligj rregullon themelimin, regjistrimin, udhëheqjen e brendshme, veprimtarinë, shuarjen dhe
çregjistrimin e personave juridik të organizuar si organizata joqeveritare në Kosovë.

2. Ky ligj nuk vlen për parti politike, sindikata dhe organizata sindikale, e as për qendra të besimit fetar,
apo faltore dhe fusha tjera që rregullohen me ligje të veçanta.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Organizatë Joqeveritare (OJQ) - çdo shoqatë dhe fondacion të vendit, siç përkufizohet
me nenin 5 të këtij ligji, si dhe çdo organizatë të huaj dhe ndërkombëtare, siç përkufizohet me
nenin 7 të këtij ligji.

1.2. Ministria - Ministria e Administratës Publike.

1.3. Ministër - Ministri i Ministrisë së Administratës Publike.

1.4. Organ kompetent - organi kompetent për regjistrim dhe çregjistrim.

1.5. Person - çdo person juridik apo fizik të vendit, ose të huaj.

1.6. Përfaqësues i Autorizuar - individi që banon në Kosovë, që ka moshë madhore dhe
zotësi të veprimit, që është i autorizuar për ta përfaqësuar një OJQ dhe për të pranuar njoftime
dhe hetime zyrtare.

1.7. Anëtar i familjes – Bashkëshorti/ja, fëmijët, prindërit, gjyshërit, nipat, mbesat, vëllezërit
dhe motrat, fëmijët e tyre dhe bashkëshortët si dhe anëtarët e familjes së ngushtë të
bashkëshortit/es (vjehërrinë, kunetët dhe fëmijët e tyre);

2
1.8. Situatat e jashtëzakonshme duke përfshirë fatkeqësitë natyrore, që janë përtej kontrollit
të OJQ-së dhe në të vërtetë pamundësojnë OJQ-në nga kompletimi dhe dorëzimi i raportit siç,
parashihet me nenin 18 të këtij ligji.

Neni 3
Liria e Asociimit

1. Çdo person në Kosovë gëzon të drejtën e plotë për t'u asociiuar dhe themeluar OJQ-në.

2. Asnjë person nuk obligohet që të asociiohet kundër vullnetit të tij dhe asnjë person nuk diskriminohet
në asnjë mënyrë për shkak të vendimit për t'u asociiuar apo për të mos u asociiuar.

Neni 4
Mos shpërndarja e të ardhurave

1. OJQ-ja nuk shpërndan të ardhura neto ose fitime për asnjë person.

2. Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e një OJQ-je përdoren për të mbështetur qëllimet jofitimprurëse të
përcaktuara për organizatën.

3. Pasuritë, të ardhurat dhe fitimet e një OJQ-je nuk mund të përdoren për të sjellë drejtpërdrejtë ose
tërthorazi përfitime, për ndonjë themelues, drejtor, zyrtar, anëtar, punonjës ose donatorë të OJQ-së,
përveç pagesës apo kompensimit të arsyeshëm për personat që kryejnë punë për organizatën.


KREU II
THEMELIMI I OJQ-SË

Neni 5
Nocioni i OJQ-së në Kosovë

1. OJQ-ja vendore është shoqatë ose fondacion e themeluar në Kosovë për realizimin e qëllimit bazuar
në ligj, për përfitim publik ose për interes të ndërsjellë.

2. Shoqata është një organizatë e anëtarësisë. Shoqatën mund ta themelojnë të paktën tre (3) ose më
shumë persona, ku të paktën njëri prej tyre ka vendbanimin ose zyrën në Kosovë.

3. Fondacioni është organizatë pa anëtarësi, i krijuar për menaxhimin e pronave dhe pasurive. Një
fondacion mund të krijohet nga një ose më shumë persona, në rast se të paktën njëri prej tyre ka
vendbanimin ose zyrën në Kosovë.

Neni 6
Themelimi i Shoqatave dhe Fondacioneve në Kosovë

1. Shoqata ose fondacioni themelohet nëpërmjet aktit themelues që përmban të dhënat e mëposhtme:

1.1. emrin zyrtar, shkurtesën zyrtare si dhe simbolin zyrtar të organizatës;

1.2. formën organizative (shoqatë, fondacion);

1.3. adresën e organizatës;

1.4. qëllimet e organizatës dhe aktivitetet;

1.5. emrat dhe adresat e themeluesve;

3
1.6. emrin, adresën dhe informata tjera kontaktimi të përfaqësuesit të autorizuar, dhe

1.7. afatin kohor për të cilin organizata themelohet, nëse ka një të tillë.

2. Fondacioni mund të themelohet edhe me testament, apo me lënie të trashëgimisë, në qoftë se ai
përmban informatat e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni.

3. Shoqata ose fondacioni ka statutin, i cili duhet t'i përmbajë të dhënat në vijim:

3.1. emrin e organizatës, selinë dhe simbolin e saj;

3.2. qëllimet e organizatës;

3.3. emrin e organit më të lartë udhëheqës;

3.4. nëse OJQ-ja është shoqatë, procedurat për zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve, kushtet
për anëtarësim si dhe nëse organizata vendos të ketë një bord, procedurat për zgjedhjen dhe
largimin e anëtarëve të bordit dhe ndarjen e kompetencave dhe përgjegjësive ndërmjet
Kuvendit të Përgjithshëm të anëtarëve dhe Bordit;

3.5. nëse OJQ-ja është fondacion, procedurat për zgjedhjen dhe largimin e anëtarëve të
Bordit;

3.6. kompetencat dhe përgjegjësitë e zyrtarëve, nëse ka;

3.7. mënyrën e marrjes së vendimeve;

3.8. rregullat dhe procedurat për:

3.8.1. ndryshimin e aktit themelues dhe statutit;

3.8.2. bashkimin, ndarjen ose shuarjen e organizatës dhe

3.8.3. shpërndarjen e mjeteve që mbesin pas shuarjes.

4. Statuti mund të përmbajë çdo rregull, dispozitë apo procedure tjetër, që nuk është në kundërshtim
me kushtet e parapara me këtë ligj.

5. Rregullat dhe procedurat për udhëheqje të brendshme që i përmban statuti i OJQ-së, duhet të jenë
në pajtim me parimet demokratike.

6. Shoqata apo fondacioni ka vetëm ato kompetenca dhe ka të drejtë angazhimi vetëm në ato aktivitete
dhe qëllime, që janë në përputhje me aktin themelues dhe statutin dhe që lejohen me ligj.

Neni 7
OJQ-të e vendit të huaj dhe ato ndërkombëtare

OJQ-ja e vendit te huaj dhe ajo ndërkombëtare janë persona juridik të themeluar jashtë Kosovës, sipas
legjislacionit që përmbush në thelb kushtet e parapara me nenin 4 të këtij ligji.

Neni 8
Asociimi i Personave Juridik

Personat Juridik, duke përfshirë edhe OJQ-të, mund të themelojnë shoqata, fondacione për të
përparuar qëllimin e tyre të ligjshëm, qoftë për përfitim publik apo të ndërsjellë, në përputhje me nenin 5
dhe 6 të këtij ligji.
4




Neni 9
Regjistrimi

1. Çdo person, pavarësisht nga përkatësia, në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve
politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes
ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal, ka
të drejtë të regjistrojë OJQ, në pajtim me kushtet dhe rrethanat e përcaktuara me këtë ligj. Asnjë person
nuk ka nevojë të regjistrojë OJQ-në për të ushtruar të drejtën e lirisë në asociim.

2. OJQ-ja regjistrohet pranë departamentit përkatës në Ministrinë e Administratës Publike.

3. OJQ-ja, kërkesës për regjistrim duhet t'ia bashkëngjes një kërkesë-formular, aktin e themelimit dhe
statutin e saj.

4. OJQ-ja cakton me shkrim Përfaqësuesin e Autorizuar. Të gjitha fletëkërkesat për regjistrim duhet t'i
nënshkruajë Përfaqësuesi i Autorizuar i OJQ-së. Aktin e themelimit e nënshkruajnë të tre themeluesit.

5. OJQ-ja e vendit të huaj dhe ajo ndërkombëtare regjistrohen duke i dorëzuar dokumentet e
mëposhtme:

5.1 një kërkesë-formular;

5.2. dëshminë që është person juridik në një vend tjetër;

5.3. adresën e organizatës në Kosovë; dhe

5.4. një deklaratë me shkrim nga një përfaqësues i autorizuar i OJQ-së, me autorizim për të
dhënë një deklaratë të këtillë, dhe që tregon:

5.4.1. qëllimet e OJQ-së;

5.4.2. një përshkrim të përgjithshëm të aktiviteteve që OJQ-ja planifikon t'i kryejë në
Kosovë, dhe

5.4.3. emrin, adresën dhe kontakt-informata tjera të përfaqësuesit të autorizuar.

6. Fletëkërkesat për regjistrimin e OJQ-ve i dorëzohen dhe pranohen nga organi kompetent. Vendimet
në lidhje me regjistrim si dhe numrat e regjistrimit i cakton organi kompetent.

7. Dokumentet që i dorëzon OJQ-ja në mbështetje të kërkesës për regjistrim duhet të jenë në gjuhët
përkatëse në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

8. Pavarësisht nga paragrafi 7. i këtij neni, dokumentet që i dorëzon OJQ-ja e huaj dhe ajo
ndërkombëtare për të dëshmuar se është person juridik në një shtet tjetër, duhet të jenë në gjuhën
origjinale të atij vendi, së bashku me përkthimin e dokumentacionit në gjuhën zyrtare të Republikës së
Kosovës. Përkthimi duhet të jetë nga përkthyesi i autorizuar – licencuar. Çdo dallim përmbajtësor apo
mashtrues ndërmjet gjuhës së origjinalit dhe dokumentit të përkthyer është arsye për tërheqjen e
regjistrimit të organizatës.

9. Organi kompetent i lëshon OJQ-së certifikatën për regjistrim, ose një vendim me shkrim me të cilin
refuzohet regjistrimi brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, nga dita e pranimit të kërkesës për regjistrim,
përpos, nëse organi kompetent bën kërkesë me shkrim gjatë rrjedhës së afatit, për informata të
5
mëtutjeshme, ose për qartësim. Nëse regjistrimi refuzohet, organi kompetent përfshinë në vendimin për
refuzim një arsyetim të bazave ligjore në bazë të të cilave regjistrimi refuzohet dhe të drejtën e
ankesës.

10. Nëse organi kompetent bën kërkesë me shkrim për informacione plotësuese, ose për qartësim
lidhur me kërkesën për regjistrim, afati gjashtëdhjetë (60) ditor brenda të cilit organi kompetent duhet të
lëshojë Certifikatën për regjistrim, ose vendimin me shkrim me të cilin refuzohet regjistrimi ndalet së
rrjedhuri nga data e kërkesës me shkrim. Me pranimin e informacioneve plotësuese, ose të
qartësimeve të kërkuara, organi kompetent lëshon Certifikatën për Regjistrim, ose vendimin për refuzim
të regjistrimit brenda afatit prej:

10.1. numrit të ditëve të mbetura nga afati gjashtëdhjetë (60) ditësh për lëshimin e vendimit;

10.2. katërmbëdhjetë (14) ditësh nga pranimi i informatave plotësuese, ose qartësimit, cilido
nga këto afate të jetë më i gjatë.

11. OJQ-ja informon organin kompetent brenda tridhjetë (30) ditësh lidhur me çdo ndryshim që pësojnë
informatat që kërkohen sipas paragrafëve 1. dhe 3. të nenit 6 dhe paragrafit 5. të këtij neni. Ndryshimet
në regjistrim u nënshtrohen procedurave, standardeve dhe afateve të njëjta kohore, sikur ato që janë
zbatuar me rastin e regjistrimit fillestar. Ndryshimet që i pranon organi kompetent mbahen, regjistrohen
dhe vihen në dispozicion të publikut sipas nenit 12 të këtij ligji.

Neni 10
Refuzimi i regjistrimit

1. Organi kompetent refuzon një kërkesë në qoftë së:

1.1. dokumentet e regjistrimit janë në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji;

1.2. në qoftë se statuti i OJQ-së shkel dispozitat e ligjit në fuqi;

1.3. organizata që kërkon regjistrimin ka të njëjtin emër apo shkurtesë ose një emër shumë të
ngjashëm me OJQ-në e regjistruar ose të themeluar më parë, saqë mund të shkaktonte
konfuzion;

1.4. nëse me statut dhe me program të OJQ-së promovohen pabarazia në bazë të racës,
ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a
shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit
seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

Neni 11
Statusi ligjor

1. OJQ-ja vendore ka statusin e personit juridik me regjistrim në përputhje me këtë ligj.

2. Me regjistrim, OJQ-të e vendit të huaj dhe ato ndërkombëtare janë të autorizuara të veprojnë si
persona juridik në Kosovë.

3. OJQ-të vendore, të vendit të huaj, dhe ato ndërkombëtare u nënshtrohen të gjitha ligjeve në fuqi në
Republikën e Kosovës.

4. Çdo njoftim, letër, ftesë, apo akt tjetër ligjor konsiderohet se i është dorëzuar në mënyrë valide OJQ-
së, nëse i dorëzohet personalisht, ose me postë përfaqësuesit të autorizuar, ose në adresën e theksuar
sipas nën-paragrafit 1.3. paragrafi 1. i nenit 6 dhe nën-paragrafit 5.3. paragrafi 5. i nenit 9 të këtij ligji.

6
5. Zyrtarët, drejtorët dhe punëtorët e OJQ-së së regjistruar nuk janë personalisht përgjegjës për borxhet
apo obligimet e OJQ-së, por janë personalisht përgjegjës për shkeljet që shkaktohen me dashje, me
pakujdesi ose me moskryerje të detyrës.


Neni 12
Regjistri i OJQ-ve

1. Organi kompetent mbanë një regjistër të OJQ-ve.

2. Regjistri përmban: emrin, adresën, formën e organizimit dhe qëllimet, themeluesit e çdo OJQ-je,
emrin dhe informacionin tjetër të kontaktit të përfaqësuesit të autorizuar si dhe të dhënën nëse OJQ-ja
ka status të përfituesit publik.

3. Organi kompetent është përgjegjës për përditësimin e të dhënave të regjistrit publik.

4. OJQ-të vendore, të vendit të huaj dhe ato ndërkombëtare janë të obliguara që një herë në vit të
dorëzojnë në organin kompetent një deklaratë, e cila konfirmon se informatat që kërkohen sipas
paragrafit 2. të këtij neni janë ende të vlefshme, ose kanë ndryshuar.

5. Dështimi për të dorëzuar këtë deklaratë për dy (2) vite me radhë obligon organin kompetent që të
ndërmarrë procedurat e çregjistrimit të OJQ-së. Organi kompetent obligohet që gjashtëdhjetë (60) ditë
para skadimit të afatit tre (3) vjeçar për të dorëzuar këtë deklaratë, të njoftojë me shkrim OJQ-në për
pasojat e dështimit për të plotësuar këtë obligim.

6. Regjistri i vihet në dispozicion publikut në pajtim me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.


KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I BRENDSHËM I OJQ-SË

Neni 13
Udhëheqja e brendshme e Shoqatave dhe Fondacioneve

1. Organi më i lartë drejtues i shoqatës është Kuvendi, i cili përbëhet nga të gjithë anëtarët e shoqatës.
Të gjithë anëtarët e shoqatës kanë të drejtë pjesëmarrjeje në takimet e Kuvendit.

2. Organi më i lartë drejtues i një fondacioni është Bordi i Drejtorëve. Bordi i Drejtorëve përbëhet nga të
paktën tre anëtarë.

3. Organi më i lartë drejtues ka përgjegjësi të plota për çështje të politikës dhe financave të organizatës
dhe takohet të paktën një herë në vit, në mbledhjen ku shqyrtohet dhe miratohet raporti për mjetet,
detyrimet, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e organizatës për vitin e kaluar, si dhe plani për
mjetet e detyrimet e parapara, të ardhurat, shpenzimet dhe programet e organizatës për vitin e
ardhshëm.

4. Organi më i lartë drejtues i OJQ-së, nuk delegon:

4.1. detyrat sipas paragrafit 3. të këtij neni;

4.2. zgjedhjet e zyrtarëve në pozita udhëheqëse të OJQ-së;

4.3. ndryshimet në aktin themelues apo Statut dhe

4.4. vendimet për bashkimin, ndarjen apo shuarjen e OJQ-së.

7





Neni 14
Konflikti i interesave dhe detyrimi në lojalitet

1. Asnjë anëtari të organit drejtues nuk i lejohet të marrë pjesë në diskutim apo në marrjen e vendimit
për çështje ku ai ka interes direkt apo indirekt ekonomik. Anëtari i organit drejtues konsiderohet se ka
interes ekonomik nëse ai/ajo, ose cilido anëtar i familjes së tij ka interes direkt apo indirekt ekonomik.

2. Çdo transaksion ndërmjet OJQ-së dhe një organizate tjetër të ndërlidhur, apo ndërmjet OJQ-së dhe
anëtarëve, zyrtarëve, anëtarëve të bordit ose punonjësve të saj ndalohet, përveç, nëse organi drejtues
vendos, pas hetimeve të arsyeshme, se transaksioni është në interes, i drejtë dhe i arsyeshëm për
OJQ-në, dhe se OJQ-ja nuk kishte mundur të sigurojë marrëveshje më të favorshme me përpjekje të
arsyeshme dhe brenda rrethanave ekzistuese.

3. Zyrtarët dhe anëtarët e bordit të një OJQ-je e kanë detyrë që të tregojnë lojalitet ndaj OJQ-së, të
mbrojnë fshehtësinë e informatave jopublike të OJQ-së dhe interesat e OJQ-së, si dhe të ushtrojnë
përgjegjësitë e OJQ-së me mirëbesim dhe kujdes.

Neni 15
Ndalimi i mbledhjes së fondeve, fushatave dhe mbështetjes së kandidatëve dhe partive politike

OJQ-të nuk mund të angazhohen në mbledhje fondesh ose në fushata për të mbështetur partitë politike
ose kandidatët për funksione politike, dhe as nuk mund të propozojnë, regjistrojnë ose në ndonjë
mënyrë të mbështesin kandidatët për poste publike.

Neni 16
Pasuria dhe mjetet

1. Të ardhurat e OJQ-së përfshijnë: donacionet në të holla, letrat me vlerë, kontributet në mall,
trashëgimitë, anëtarësinë, dhuratat, grantet, pasurinë e tundshme dhe e patundshme si dhe të ardhurat
e fituara përmes çfarëdo aktivitetesh të ligjshme të OJQ-së me pasurinë dhe mjetet e saja.

2. OJQ-ja mund të angazhohet në aktivitete ekonomike me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve të saja
jofitimprurëse, në pajtim me nenin 4, dhe me kusht që të ardhurat e realizuara nëpërmjet të aktiviteteve
ekonomike të shfrytëzohen ekskluzivisht për të arritur qëllimet e theksuara në statutin e OJQ-së.

3. OJQ-ja mund të ketë dhe të menaxhojë pronë dhe pasuri për të realizuar qëllimet e veta
jofitimprurëse.

4. Me ligj ndalohet financimi i organizatave, veprimtaria e të cilave nuk përkon me rendin juridik në
Republikën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare.


KREU IV
STATUSI PËR PËRFITIM PUBLIK I OJQ-së, RAPORTIMI FINANCIAR DHE PEZULLIMI I TIJ

Neni 17
Statusi për Përfitim Publik

1. OJQ-ja e regjistruar sipas këtij ligji mund të paraqesë kërkesë për status për përfitim publik, nëse
OJQ-ja është e organizuar dhe vepron për të ndërmarrë një apo më shumë aktivitete si aktivitete
parësore si: ndihmë dhe përkrahje humanitare, përkrahje personave me aftësi të kufizuara, aktivitete
8
bamirëse, arsim, shëndetësi, kulturë, rini, sport, ruajtje dhe përparim të mjedisit, rindërtim dhe zhvillim
ekonomik, mbrojtje dhe përparim të të drejtave të njeriut, mbështetje të praktikave demokratike dhe
shoqërisë civile, apo çfarëdo veprimtarie tjetër që është në funksion të së mirës së publikut.

2. Veprimtaria e OJQ-së arsimore dhe shëndetësore përfshinë veprimtari për të mirën e publikut, vetëm
në rast se përfitime të konsiderueshme sigurohen falas ose më lirë se vlera reale e tregut për grupe ose
individë në kushte të pavolitshme. Veprimtaria e OJQ-së për zhvillim ekonomik përfshinë veprimtari për
të mirën e publikut, vetëm nëse ndërmerret, në radhë të parë për të mirën e individëve dhe grupeve në
kushte të pavolitshme

3. OJQ-ja mund të paraqesë kërkesë për status për përfitim publik me rastin e regjistrimit fillestar të
OJQ-së ose më vonë. Organi kompetent i lejon OJQ-së statusin për përfitim publik, nëse dokumentet e
regjistrimit dëshmojnë se qëllimet dhe veprimtaria e OJQ-së i plotëson kërkesat e paragrafit 1. dhe
paragrafit 2. të këtij neni.

4. OJQ-të me status të përfituesit publik gëzojnë të drejtën për lirim nga tatimi dhe lehtësi tatimore dhe
fiskale sipas legjislacionit ne fuqi me përjashtim të atyre që në esencë janë detyrime për shërbimet
publike komunale.

5. Për zbatimin e këtij neni, Ministria propozon aktin nënligjor, i cili aprovohet nga Qeveria.

Neni 18
Obligimet për raportim financiar dhe të aktivitetit për OJQ-të me status për përfitim publik

1. OJQ-ja, të cilës i është lejuar statusi për përfitim publik, duhet t'i paraqesë organit kompetent çdo vit
një raport vjetor për veprimet dhe aktivitetet e saj në Kosovë. Raportet duhet të dorëzohen deri në fund
të muajit mars të secilit vit për vitin raportues që përfundon me 31 dhjetor të vitit paraprak.

2. Raporti vjetor duhet nënshkruar nga përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së. Përfaqësuesi i autorizuar
është përgjegjës për saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave që i përmban raporti.

3. Raporti vjetor domosdo përbëhet nga tri pjesët në vijim:

3.1. pjesa për menaxhment dhe administratë;

3.2. raporti për aktivitete dhe të arritura;

3.3. raporti financiar.

4. Pjesa për menaxhment dhe Administratë duhet të përmbajë:

4.1. emrin, shkurtesën (emërtimin me iniciale), adresën, numrin e telefonit, numrin e faksit dhe
adresën elektronike (e-mail) të OJQ-së;

4.2. emrin e zyrtarit kryesor ekzekutiv (p.sh. përgjegjës apo drejtor ekzekutiv);

4.3. emrat e anëtarëve të organit udhëheqës, si dhe emrat e titujt e të gjithë zyrtarëve në pozita
udhëheqëse.

5. Raporti i aktiviteteve dhe të arriturave duhet të përmbaj:

5.1. një deklaratë për misionin dhe qëllimin mirëbërës shoqëror të OJQ-së;

5.2. identifikimin e programeve kryesore dhe aktiviteteve që kanë për qëllim realizimin e atyre
programeve. Deklarata duhet të jetë e mjaftueshme për të dëshmuar mënyrën si organizata i
realizon qëllimet e veta mirëbërëse shoqërore përmes aktiviteteve të veta;
9

5.3. një deklaratë për arritjet kryesore të programeve;

5.4. nëse OJQ-ja merr përsipër aktivitete të tjera, përveç atyre që shkojnë në dobi të
shoqërisë, siç është përcaktuar me paragrafin 1. të nenit 17 të këtij ligji, një deklaratë, e cila i
përshkruan ato aktivitete;

5.5. një deklaratë se OJQ-ja nuk ka mbledhur fonde dhe nuk ka bërë fushatë për përkrahjen e
partive politike apo për emërimin dhe zgjedhjen e kandidatëve në detyra të ndryshme publike,
apo për regjistrimin dhe përkrahjen e kandidatëve të emëruar apo të zgjedhur në funksione
publike gjatë periudhës për të cilën raportohet;

5.6. OJQ-ja që është e angazhuar në aktivitete mirëbërëse shoqërore, në lëmin e arsimit apo
të shëndetësisë, dorëzon edhe një deklaratë për:

5.6.1. llojin e grupeve ose individëve në kushte të pavolitshme, të cilët i shërben;

5.6.2. llojin e dobive që organizata u ofron grupeve ose individëve në kushte të
pavolitshme;

5.6.3. një deklaratë se ato dobi ofrohen falas, apo, së paku më lirë se vlera e tyre në
treg;

5.7. OJQ-ja, e cila angazhohet në aktivitete mirëbërëse shoqërore në sferën e zhvillimit
ekonomik, dorëzon edhe një deklaratë për llojin e individëve dhe grupeve në kushte të
pavolitshme që u shërben.

6. Raportet financiare përgatiten në formularë, të cilët i siguron organi kompetent, dhe të cilët
përmbajnë, së paku:

6.1. një fletë-bilanc, ku shihen pasuria dhe përgjegjësitë financiare të organizatës;

6.2. raportin financiar mbi burimin e të hyrave, ku të hyrat dhe të dalat e OJQ-së paraqiten
ndarazi për pjesën për menaxhment dhe administratë, dhe atë programore.

7. Organi kompetent me kërkesën e OJQ-së mund ta caktojë një afat shtesë për dorëzimin e raportit
vjetor, nëse këtë e kanë imponuar situatat e jashtëzakonshme, por jo më vonë se tridhjetë (30) ditë nga
dita e kalimit të këtyre rrethanave.

8. Deklaratat financiare përgatitën deri më ditën e fundit të muajit mars për periudhën prej një viti, që
përfundon me datën 31 dhjetor të vitit paraprak.

9. Raportet financiare të përgatitura dhe të dorëzuara nga OJQ-të vendore, me të hyra vjetore ose me
shpenzime mbi njëqindmijë (100.000) euro, nga OJQ-të e huaja dhe ndërkombëtare me të hyra ose
shpenzime vjetore për veprimtarinë dhe aktivitetin e tyre brenda Republikës së Kosovës mbi
njëqindmijë (100.000) euro, duhet të prezantojnë pasqyrën financiare të vitit fiskal si në Republikën e
Kosovës, duke përfshirë edhe raportin e auditimit për vitin paraprak, të nënshkruar nga auditori i
licencuar në Republikën e Kosovës, në mënyrë që aspektet materiale dhe pozita financiare e
organizatës për atë periudhë raportimi të jetë e drejtë.

10. Raporti vjetor duhet të përfshijë:

10.1. një deklaratë, e cila i përfshinë të gjithë veprimtarinë si dhe pagesën e pagave të
punonjësve të OJQ-së, duke përfshirë përshkrimin e punës së të angazhuarve dhe
marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet OJQ-së dhe palës tjetër në kryerjen e asaj pune; ose

10
10.2. një vërtetim se OJQ-ja nuk ka zhvilluar veprimet e parapara sipas nën-paragrafit 10.1. të
këtij paragrafi, gjatë periudhës për të cilën raportohet.

11. Raportet e dorëzuara në pajtim me këtë nen, vihen në dispozicion publikut. OJQ-ja ka mundësi t'i
veçojë informatat apo pasurinë, të cilën ajo e konsideron konfidenciale në raportin e saj dhe të kërkojë
që organi kompetent t'ia fshijë ato të dhëna para se raporti të bëhet publik. Informatat apo pasuria, e
cila mund të konsiderohet konfidenciale për qëllime të këtij neni përfshinë informatat personale ose
financiare të punonjësve të organizatës. OJQ-ja duhet të paraqesë një kërkesë për mos publikim të
informatave të këtilla atëherë kur ia dorëzon raportin organit kompetent, si dhe duhet të paraqesë
arsyet për trajtim konfidencial të informacioneve. Përveç kësaj, OJQ-ja duhet të paraqesë informatën
konfidenciale në mënyrë të ndarë nga pjesa tjetër e raportit, dhe domosdo duhet që në mënyrë të qartë
të theksojë se raporti përfshinë kërkesën për mospublikim të informacionit. Organi kompetent i
përgjigjet me shkrim kërkesës për mospublikim brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas
dorëzimit të kërkesës.

12. Publikimi i paautorizuar dhe kundër ligjor, nga organi kompetent, i cili disponon të dhënat përkatëse
ndëshkohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.

13. Organi kompetent, pas plotësimit me sukses të obligimit për raportim të OJQ-së me status për
përfitim publik, siç parashihet me këtë nen, OJQ-së i lëshon certifikatën e re të statusit për përfitim
publik në afat një (1) vjeçar.

Neni 19
Pezullimi, revokimi dhe tërheqja vullnetare e Statusit për Përfitim Publik

1. Organi kompetent pezullon statusin e përfituesit publik të një OJQ-je, e cila nuk paraqet raport të
plotë vjetor, ashtu siç kërkohet me nenin 18. OJQ-ja që dështon të paraqesë raportin e kërkuar me këtë
ligj brenda afatit të paraparë me paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji, ose paraqet raport jo të plotë,
njoftohet me shkrim për dështimin nga ana e organit kompetent. Njoftimi me shkrim udhëzon OJQ-në
që të paraqesë raportin që mungon, ose atë jo të plotë brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga data e
njoftimit, si dhe e informon OJQ-në, që dështimi në përmbushjen e kësaj kërkese ka për pasojë
pezullimin e statusit të përfituesit publik dhe të gjitha përfitimeve që rrjedhin nga ai.

2. OJQ-ja që dështon të paraqesë raport të plotë, siç kërkohet brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh
nga data e njoftimit me shkrim, në bazë të paragrafit 1. të këtij neni, njoftohet me shkrim nga organi
kompetent se statusi i saj i përfituesit publik, së bashku me të gjitha përfitimet që rrjedhin nga ai status
janë pezulluar, dhe se, nëse OJQ-ja dështon të sigurojë raportin brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas
njoftimit, organi kompetent nxjerr vendim për revokimin e statusit për përfitim publik. OJQ-ja është e
detyruar që në mënyrë retroaktive t’i kryejë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara që
kanë rrjedhur nga lehtësitë tatimore dhe doganore të Statusit për Përfitim Publik, për periudhën për të
cilën ka dështuar të raportojë në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita e pranimit të vendimit.

3. Organi kompetent pezullon statusin për përfitim publik të një OJQ-je, nëse pas shqyrtimit të raportit
vjetor të dorëzuar nga OJQ-ja, verifikon se OJQ-ja nuk plotëson më tutje kërkesat për status për
përfitim publik të parapara me nenin 17 të Ligjit. Pas një verifikimi të këtillë, organi kompetent e njofton
me shkrim OJQ-në për arsyet e pezullimit të statusit për përfitim publik dhe përfitimeve që rrjedhin nga
ai status. OJQ-ja ka mundësi që brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh, që nga dita e pranimit të
njoftimit, t’i sigurojë organit kompetent informata me shkrim, që e mbështesin të drejtën e saj për status
për përfitim publik. Nëse OJQ-ja nuk siguron informata të bazuara brenda afatit të paraparë, organi
kompetent nxjerr vendim për revokimin e statusit për përfitim publik. OJQ-ja është e detyruar që në
mënyrë retroaktive t’i kryejë të gjitha detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara që kanë rrjedhur
nga lehtësitë tatimore dhe doganore të Statusit për Përfitim Publik, për periudhën për të cilën janë
konstatuar shkeljet në afat prej gjashtë (6) muajsh nga dita e pranimit të vendimit. Organi kompetent i
njofton me shkrim organet tatimore dhe doganore për vendimin e marrë.

11
4. OJQ-ja së cilës i është revokuar statusi për përfitim publik, ka të drejtë të kërkojë përsëri të njëjtin
pas kalimit të afatit trevjeçar nga data e revokimit.

5. OJQ-ja me status për përfitim publik mund të bëjë kërkesë për tërheqjen nga ky status pas
përfundimit të vitit financiar për të cilin i ka gëzuar lehtësirat që i ka garantuar statusi për përfitim publik.
Kërkesa për tërheqje nga ky status për vitin e ardhshëm duhet të bëhet të paktën dyzet e pesë (45) ditë
para përfundimit të vitit kalendarik gjatë të cilit OJQ-ja është duke e gëzuar statusin për përfitim publik.
Organi kompetent është i obliguar që për tërheqjen nga statusi për përfitim publik të vendosë jo më
vonë se tridhjetë (30) ditë pas pranimit të kërkesës, duke i njoftuar për vendimin të gjitha organet
tatimore dhe doganore. OJQ-ja që tërheq vullnetarisht statusin për përfitim publik, ka të drejtë që të
kërkojë përsëri këtë status, sipas procedurave të parapara me ligj.


KREU V
SHUARJA DHE ÇREGJISTRIMI I OJQ-së

Neni 20
Shuarja e OJQ-së

1. OJQ - ja shuhet:

1.1. me vendim vullnetar për shuarjen e OJQ-së të marrë nga organi më i lartë udhëheqës në
pajtim me statutin e saj;

1.2. kur OJQ-ja bëhet josolvente sipas ligjit në fuqi;

1.3. me kalimin e afatit për të cilin është themeluar, nëse një afat i tillë është i përcaktuar në
aktin themelues;

1.4. në bazë të vendimit të plotfuqishëm gjyqësor.

Neni 21
Çregjistrimi i OJQ-së

1. Organi kompetent çregjistron OJQ-në:

1.1. në njërën nga rastet e përcaktuara në paragrafin 1. të nenit 20 të këtij ligji;

1.2. nëse OJQ-ja për tri (3) vite me radhë dështon të paraqesë deklaratën vjetore të paraparë
në paragrafin 5. të nenit 12 të këtij ligji.

2. Organi kompetent i jep OJQ-së njoftim me shkrim për arsyet e çregjistrimit si dhe mundësinë që të
përgjigjet para se të merret vendimi për çregjistrimin e OJQ-së.

3. Në rast të shuarjes ose çregjistrimit të OJQ-së, e cila ka shfrytëzuar lehtësi tatimore ose fiskale,
donacione publike, ose grante nga qeveria, e gjithë pasuria e mbetur pas shlyerjes së borxheve të
OJQ-së i jepet OJQ-së tjetër me qëllime të njëjta apo të ngjashme. Kjo OJQ identifikohet në bazë të
statutit të OJQ-së, ose me propozim të organit më të lartë udhëheqës të OJQ-së. Ministria themelon
Komisionin për Shpërndarjen e Pasurisë së mbetur të OJQ-së së shuar dhe të çregjistruar, me
përfaqësues edhe të OJQ-ve, duke u bazuar në aktin nënligjor të nxjerrë nga Qeveria.

4. Në të gjitha rastet tjera, çdo pasuri e mbetur pas pagesës së borxheve shpërndahet në bazë të
statutit apo të vendimit të organit më të lartë udhëheqës, dhe në të gjitha rastet në përputhshmëri me
nenin 4 të këtij ligji.

12
5. OJQ-ja me status të përfituesit publik që është shpërbërë, është çregjistruar, ose pushon së vepruari
në Kosovë brenda afatit të raportimit paraqet raport për atë periudhë, në përputhshmëri me nenin 4 dhe
18 të këtij ligji. Në raportin e saj, OJQ-ja thekson datën e shpërndarjes, shuarjes, çregjistrimit, dispozitat
për përfundimin e punës së saj, si dhe shumën e mjeteve të mbetura pas përmbushjes së obligimeve,
mënyrën e planifikuar të disponimit me mjete, si dhe mënyrën në të cilën është marrë vendimi për
disponim me mjete (konkretisht, me dispozitë të përcaktuar në Statutin e organizatës, me vendim të
organit më të lartë udhëheqës, apo me vendim të organit kompetent).

6. Përfaqësuesi i autorizuar i OJQ-së ka përgjegjësi juridike para organit kompetent për regjistrim dhe
organeve tjera.

7. Pas shterjes së të gjitha të drejtave për ankesë, dhe në bazë të vendimit për çregjistrim, organi
kompetent e heq OJQ-në nga regjistri i OJQ-ve.


KREU VI
BASHKËPUNIMI DHE PËRKRAHJA E OJQ-ve

Neni 22
Institucionet e Republikës së Kosovës dhe OJQ-të

Institucionet e Republikës së Kosovës përkrahin, por nuk ndërhyjnë në veprimtaritë e OJQ-ve, dhe
bëjnë publike të gjitha format e bashkëpunimit dhe përkrahjes. Dhënia e çfarëdo fondi publik për OJQ
nga institucionet e Republikës së Kosovës bëhet në bazë të kritereve të paracaktuara dhe publike.

Neni 23
Ankesat

1. Nëse OJQ-ja është e pakënaqur me vendimin e organit të shkallës së parë ka të drejtë t’i drejtohet
me ankesë organit të shkallës së dytë.

2. Ankesa i drejtohet organit të shkallës së dytë përmes organit të shkallës së parë.

3. Ministria përkatëse themelon organin e shkallës së dytë, i cili duhet të jetë i pavarur.

4. Mënyra e krijimit dhe funksionimit të këtij organi rregullohet me rregullore të veçantë që e nxjerr
Ministria përkatëse.


KREU VII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 24
Aktet nënligjore

1. Ministria propozon aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, në afat prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes
në fuqi të ligjit.

2. Qeveria nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji më së largu nëntë (9) muaj pas hyrjes në fuqi
të ligjit.

Neni 25
Shfuqizimi

13
Ky ligj shfuqizon Ligjin Nr. 03/ L-134 për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare dhe çdo dispozitë
të legjislacionit që bie në kundërshtim me këtë ligj që ka të bëjë me lirinë e asociimit në organizatat
joqeveritare.



Neni 26
OJQ-të e regjistruara sipas Ligjit 03/L134 për Lirinë e Asociimit në OJQ në Kosovë

Çdo OJQ e regjistruar sipas Ligjit 03/L134 për Lirinë e Asociimit në OJQ në Kosovë konsiderohet e
regjistruar në Kosovë sipas këtij ligji.

Neni 27
Hyrja në Fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-057
29 gusht 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-034-2011, datë 31.08.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.