LIGJI NR. 04/L-015 PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 13 / 1 SHTATOR 2011, PRISHTINË



LIGJI Nr. 04/-L-015
PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

Miraton:


LIGJ PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i ligjit

Me këtë ligj rregullohen masat e posaçme dhe urgjente, mënyrat dhe procedurat për mbrojtjen e
dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Neni 2
Fushëveprimi i ligjit

Me këtë ligj ofrohet mbrojtje për dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë vetëm për llojet e
veprave penale të parapara me paragrafin 1. të nenit 4 të këtij ligji.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Person i afërm – anëtari i familjes ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

1.2. Rrezik serioz – frika e arsyeshme për rrezikimin e jetës, shëndeti fizik apo psikik.

1.3. Person i mbrojtur – personi, ndaj të cilit zbatohen masat e mbrojtjes dhe i cili, në
cilësinë e dëshmitarit ose të personit të dëmtuar, bën njoftime ose dëshmon për fakte e
rrethana, që përbëjnë objekt prove relevante në një procedurë penale, për vepra penale të
parapara me paragrafin 1. të nenit 4 të këtij ligji dhe që për shkak të këtyre njoftimeve ose
dëshmive, ndodhet në gjendje të rrezikut serioz, dhe personi, që vuan dënimin penal ose
është i pandehur në një procedurë penale, ndaj të cilit zbatohen masa e posaçme të
mbrojtjes, për shkak të bashkëpunimit, njoftimeve dhe deklarimeve të bëra në procedurën
penale, për vepra penale të parapara me paragrafin 1. të nenit 4 të këtij ligji dhe që për këto
arsye, ndodhet në gjendje të rrezikut serioz.

1.4. Programi - Programi për mbrojtjen e dëshmitarëve siç parashihet me këtë ligj.

1.5. Komisioni - Komisioni për mbrojtjen e dëshmitarëve, siç parashihet me këtë ligj.

2
1.6. Drejtoria - Drejtoria për mbrojtjen e dëshmitarëve brenda Policisë së Kosovës e
themeluar me këtë ligj.

1.7. Sekret Zyrtar – ka kuptimin e njëjtë si në Kodin Penal të Kosovës.

Neni 4
Bazat për aplikimin e masave mbrojtëse

1. Masat e mbrojtjes mund të zbatohen para, gjatë dhe pas procedurës penale për personin e
rrezikuar në lidhje me hetimet për veprat penale në vijim:

1.1. vepër penale kundër Kosovës, shtetasve dhe banorëve të saj;

1.2. vepër penale kundër të drejtës ndërkombëtare;

1.3. vepër penale kundër ekonomisë;

1.4. vepër penale kundër detyrës zyrtare;

1.5. vepër penale për të cilën me ligj parashihet dënimi me pesë (5) ose më shumë vite
burgim.

2. Masat mbrojtëse mund të zbatohen ndaj personit në lidhje me veprat penale të parapara në
paragrafin 1. të këtij neni nëse:

2.1. ekziston rrezik serioz ndaj atij personi dhe personave të afërm të tij;

2.2. personi pranon që të bashkëpunoj ngushtë me organet e hetuesisë dhe gjyqësisë.


KREU II
MASAT MBROJTËSE

Neni 5
Llojet e masave mbrojtëse

1. Masa mbrojtëse zbatohet për të siguruar mbrojtje të personit të mbrojtur nga rreziku serioz
ndaj jetës së tij, shëndetit fizik apo psikik apo ndaj personave të afërm të përcaktuar në këtë ligj.

2. Masat mbrojtëse janë si në vijim:

2.1. mbrojtja fizike e personit të mbrojtur;

2.2. zhvendosja e përkohshme e personit të mbrojtur në vend të sigurt;

2.3. procedurat e veçanta për qasje në të dhëna dhe dokumente në lidhje me personat e
mbrojtur, nga zyrat e lëshimit të dokumenteve dhe bazës së të dhënave tjera formale;

2.4. ndërrimi i vendbanimit, punës apo shkollimit të personit të mbrojtur;

2.5. ndërrimi i identitetit të personit të mbrojtur;

2.6. ndryshimi i pamjes fizike të personit të mbrojtur duke përfshirë edhe operacionin
plastik;

2.7. mbështetje financiare për personin e mbrojtur;
3

2.8. mbështetja sociale, ligjore dhe çfarëdo mbështetje tjetër e nevojshme për personin e
mbrojtur dhe
2.9. regjim i veçantë për personin e mbrojtur në mbajtje, në institucione korrektuese.

3. Drejtoria bën propozimin për shqiptimin e një apo më shumë masave mbrojtëse, duke marr në
konsideratë rrethanat specifike dhe mendimin e personit të rrezikuar. Masat mbrojtëse mund të
zbatohen vetëm me pëlqimin e personit të rrezikuar. Vendosja e masave mbrojtëse të cilat nuk
janë të pranuara nga personi i rrezikuar janë të ndaluara përveç rastit të paraparë me paragrafin
4. të këtij neni.

4. Nëse ekziston baza mbi të cilën mund të vendoset për masat mbrojtëse, por personi i rrezikuar
nuk është në gjendje të japë pëlqimin e tij për shkak të gjendjes fizike ose mendore të tij, masat
mbrojtëse urdhërohen dhe zbatohen deri në ndryshimin e rrethanave kur personi i mbrojtur do të
jetë në gjendje të japë pëlqimin e tij për t’u mbrojtur, me përjashtim të masës së paraparë me
nën-paragrafin 2.6. paragrafin 2. të këtij neni. Nëse personi i mbrojtur refuzon të japë pëlqimin,
mbrojtja e caktuar ndërpritet.

5. Masat e parapara me këtë ligj nuk mund të zbatohen ndaj të miturve të rrezikuar, pa pëlqimin
paraprak të prindërve ose kujdestarit të tyre. Për personat e privuar pjesërisht, apo plotësisht nga
zotësia e veprimit, pëlqimin e jep personi i autorizuar me ligj për përfaqësimin e tyre apo
kujdestari.

Neni 6
Mbrojtja fizike e personit të mbrojtur

1. Mbrojtja fizike e personit të mbrojtur bëhet në formë të hapur apo të fshehtë, e zbatuar gjatë
njëzetekatër (24) orësh apo gjatë periudhave të caktuara kohore dhe vetëm brenda territorit të
Republikës së Kosovës.

2. Gjatë zbatimit të mbrojtjes fizike të personit të mbrojtur përdoren masa të veçanta të sigurisë
fizike.

Neni 7
Zhvendosja e përkohshme e personit të mbrojtur në vend të sigurt

1. Personi i mbrojtur mund të zhvendoset përkohësisht në vend të sigurt.

2. Gjatë zhvendosjes së përkohshme të personit të mbrojtur për në vend të sigurt, mund të
përdoren masa të veçanta fizike dhe teknike të sigurisë.

Neni 8
Procedurat e veçanta për marrjen e të dhënave

1. Komisioni mund t’ia ndaloj apo kufizoj zyrave për lëshim të dokumenteve dhe menaxhueseve
të tjerë të bazës së të dhënave, lëshimin e të dhënave në lidhje me personin e mbrojtur. Këto të
dhëna mund të largohen nga zyrat e lëshimit të dokumenteve apo menaxhuesëve të bazës së të
dhënave dhe të përcillen tek Drejtoria.

2. Të dhënat mbi personin e mbrojtur lëshohen vetëm në bazë të vendimit të Komisioni për
vlerësim të programit.

Neni 9
Ndërrimi i vendbanimit, punës apo shkollimit të personit të mbrojtur

4
1. Personi i mbrojtur mund të zhvendoset përkohësisht apo përherë nga vendbanimi, vendi i
punës apo vendi i shkollimit të tij. Zhvendosja organizohet nga Drejtoria .

2. Zhvendosja e personit të mbrojtur realizohet brenda territorit të Republikës së Kosovës apo
jashtë Kosovës në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo në mënyrë të ndërsjellë.

Neni 10
Ndryshimi i identitetit të personit të mbrojtur

1. Ndryshimi i identitetit të personit të mbrojtur është ndryshim i pjesërishëm apo i tërësishëm i të
dhënave personale të personit të mbrojtur dhe mund të zgjasë për një periudhë të përkohshme
apo të përhershme kohore.

2. Të dhënat personale në dokumentet e reja apo në bazat e të dhënave nuk mund të jenë të
dhëna të njëjta me ato të ndonjë personi tjetër të gjallë apo të vdekur.

3. Vendimi për ndryshim të identitetit të personit të mbrojtur duhet të bëhet nga Komisioni.

4. Ndryshimi i identitetit të personit të mbrojtur nuk ndikon në statusin, të drejtat dhe detyrimet
tjera të personit të mbrojtur.

5. Ndryshimi i identitetit të personit të mbrojtur zbatohet vetëm atëherë kur personi i mbrojtur i
përmbush detyrimet ndaj palës së tretë.

6. Dokumentet dhe të dhënat origjinale të identitetit origjinal të personit të mbrojtur mbahen në
Drejtori.

7. Nëse, pas ndryshimit të identitetit të personit të mbrojtur, Drejtoria pranon kërkesë që personi i
mbrojtur të përmbush një detyrim para se personi i mbrojtur të ketë pas identitet autentik,
Drejtoria për mbrojtje të dëshmitarit do të kërkoj nga personi i mbrojtur të përbush detyrimin me
ndihmën e Drejtorisë për mbrojtje të dëshmitarëve.

Neni 11
Ndryshimi i pamjes fizike të personit të mbrojtur duke përfshirë edhe operacionin
plastik

1. Ndryshimet e vogla apo të dukshme të pamjes fizike të personit të mbrojtur përmes operacionit
plastik mund të zbatohen në raste të veçanta kur masat tjera mbrojtëse nuk janë të mjaftueshme
për të mbrojtur personin e mbrojtur.

2. Ndryshimet e parapara në paragrafin 1. të këtij neni duhet të kufizohen në masë sa më të
madhe të mundshme për të ofruar mbrojtje të mjaftueshme të personit të mbrojtur.

Neni 12
Mbështetja financiare për personin e mbrojtur

Mbështetja financiare për personin e mbrojtur mund të sigurohet atëherë kur personi i mbrojtur
nuk ka burime të mjaftueshme financiare për të siguruar një standard minimal të jetesës
përderisa është nën mbrojtje, siç përcaktohet nga Komisioni për secilin rast veç e veç. Mbështetja
financiare për personin e mbrojtur sigurohet për një periudhë sa më të shkurtër të mundshme
kohore deri në dymbëdhjetë (12) muaj. Në rastet kur Komisioni vlerëson se vazhdimi i kësaj
mase mbrojtëse është i domosdoshëm, nxirret vendim i ri.

Neni 13
Mbështetja për personin e mbrojtur

5
Mbështetja sociale, ligjore dhe ndihmat tjera të nevojshme për personin e mbrojtur mund të
ofrohen për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e tij dhe një standard minimal të jetesës siç
përcaktohet nga Komisioni për secilin rast veç e veç.
Neni 14
Regjimi i veçantë për personat e mbrojtur në Institucione Korrektuese

1. Me qëllim të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të dëshmitarit bashkëpunues përderisa ai është i
privuar nga liria u ofrohet trajtim i veçantë dhe masa mbrojtëse për mbrojtjen e dëshmitarit, që
mund të rezultojë në një trajtim më ndryshe por jo dukshëm më të mirë se të burgosurve tjerë.

2. Ky regjim i veçantë përfshin trajtimin e veçantë që mund të rezultojë në një trajtim më ndryshe
por jo dukshëm më të mirë se të burgosurve tjerë, për dëshmitarin bashkëpunues dhe
shfrytëzimin e hapësirave të ndara gjatë periudhës sa gjendet i privuar nga liria.


KREU III
KOMISIONI PËR MBROJTJEN E DESHMITARËVE

Neni 15
Komisioni për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe anëtarët e tij

1. Me ketë ligj themelohet Komision për mbrojtjen e dëshmitarëve.

2. Komisioni përbehet nga tre (3) anëtarë: Kryeprokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës,
kryesuesi i zyrës së hetuesisë së Policisë së Kosovës, dhe Drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e
dëshmitarëve.

3. Secili anëtarë i Komisionit ka zëvendësin e tij, i cili e zëvendëson në rastet e domosdoshme.

4. Kryetari i Komisionit është Kryeprokurori i shtetit. Në rast të mungesës së tij, zëvendësi i tij
udhëheqë me punën e Komisioni vlerësues të programit.

5. Komisioni merr vendime në përbërje të plotë. Vendimet merren me shumicën e votave të
anëtarëve të Komisionit.

Neni 16
Funksionet e Komisionit

1. Komisioni është përgjegjës për vendosjen:

1.1. e përfshirjes së personit të rrezikuar në program;

1.2. për zgjatjen e qëndrimit në program;

1.3. rreth përfundimit të programit.

2. Puna dhe të gjitha dokumentet e Komisioni vlerësues të programit janë sekret zyrtar.

3. Komisioni harton rregullat e veta të procedurës për funksionimin e tij.







6



KREU IV
DREJTORIA PËR MBROJTJEN E DËSHMITARËVE

Neni 17
Kompetencat e Drejtorisë për mbrojtjen e dëshmitarëve

1. Drejtoria për mbrojtjen e dëshmitareve është njësi organizative e specializuar nën vartësi të
drejtpërdrejtë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, misioni i së cilës është zbatimi i
masave të mbrojtjes së dëshmitarëve.

2. Drejtoria ka përgjegjësitë vijuese:

2.1. sigurimin e mendimit ligjor dhe vlerësimet që kërkohen nga Komisioni.

2.2. zbatimin e Programit;

2.3. zbatimin e masave urgjente;

2.4. arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve mbrojtëse me personat e përfshirë në
Program;

2.5. mbajtjen e dokumenteve origjinale dhe të dhënave për personat e mbrojtur;

2.6. ofrimin e mbështetjes administrative të kërkuar nga Komisioni;

2.7. bashkëpunimin me autoritetet kompetente të mbrojtjes së dëshmitareve në shtetet e
huaja;

2.8. menaxhimin e mjeteve financiare të ndara për zbatimin e Programit;

2.9. zhvillimin, arsimimin dhe trajnimin e vazhdueshëm për zyrtarët, brenda Drejtorisë;

2.10. hartimi i procedurave standarde operative për administrimin e funksioneve të
Drejtorisë.

3. Drejtoria ka fondin e veçantë financiar, të cilin e menaxhon Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje të
Dëshmitareve, sipas udhëzimit të veçantë të miratuar nga Ministri i Punëve të Brendshme dhe
Ministri i Financave.

4. Drejtoria gjatë kryerjes së funksioneve të saj mund të mban të fshehtë identitetin e zyrtarëve të
saj, si dhe pronësinë e mjeteve të përdorura për kryerjen e detyrave.

Neni 18
Dokumentacioni dhe të dhënat të cilat mbahen në Drejtori

1. Drejtoria duhet të mbajë të dhënat si vijon:

1.1. kërkesat për lejimin e hyrjes në Program;

1.2. të gjithë pyetësorët e kompletuar;

1.3. informacionin lidhur me implementimin e masave urgjente;

7
1.4. vendimet e Komisionit lidhur me lejimin e hyrjes në Program, llojin dhe kohëzgjatjen
e masave mbrojtëse;

1.5. vendimet për zgjatjen dhe përfundimin e lejes së hyrjes në Program;

1.6. të dhënat personale të personit të mbrojtur, vendbanimin e përkohshëm apo të
përhershëm të tij dhe të gjitha të dhënat e tjera të cilat janë shfaqur gjatë zbatimit të
masave mbrojtëse në pajtueshmëri me këtë ligj;

1.7. arritjen e marrëveshjeve për mbrojtje;

1.8. informata lidhur me personin e mbrojtur tek i cili është duke u zbatuar programi në
bazë të bashkëpunimit ndërkombëtar;

1.9. informata në lidhje me personat të cilëve u është dhënë leja e qasjes në të dhënat
dhe informatat.

Neni 19
Bashkëpunimi dhe mbështetja e qeverisë dhe organizatave tjera për Drejtorinë e mbrojtjes
së dëshmitarëve

Autoritetet qeveritare, organizatat dhe institucionet tjera detyrohen të ofrojnë mbështetje të sigurt
dhe të fshehtë në mënyrën e kërkuar nga Drejtoria.


KREU V
ZBATIMI I PROGRAMIT

Neni 20
Propozimi dhe kërkesa për përfshirje në program

1. Kërkesa me shkrim për përfshirje në program, duhet ti dorëzohet Kryeprokurorit të Shtetit.
Kërkesa mund të paraqitet nga personat si vijon:

1.1. prokurori kompetent i shtetit;

1.2. gjykatësi që merret me atë rast, apo

1.3. personi në rrezik serioz.

2. Kërkesa e shkruar për përfshirje në program përmban informatat si në vijim:

2.1. të dhënat për personin e propozuar për përfshirje në program duhet të përmbajnë:
emrin, emrin e babait, mbiemrin, mbiemrin e vajzërisë nëse ka mbiemër tjetër, numrin
personal, vendbanimin, datën dhe vendin e lindjes, statusin martesor, profesionin,
statusin pronësor, si dhe të gjitha informatat në lidhje me historinë penale;

2.2. përshkrimin e veprës penale dhe vlerësimin e provave ekzistuese;

2.3. rëndësia dhe vlerësimi i çfarëdo burimi për dëshminë apo informatën e siguruar nga
personi i cili është propozuar për përfshirje në program dhe lidhja e dëshmisë së tillë me
një rast konkret i cili është në procedurë penale;

2.4. përshkrimi dhe vlerësimi i rrezikut të personit i cili është propozuar për përfshirje në
program apo të personit të tij të afërm;

8
2.5. kërkesa për masat urgjente, nëse është e nevojshme, si dhe

2.6. informata tjera të nevojshme.
3. Kur kërkesa me shkrim për përfshirje në program paraqitet nga personi i rrezikuar, ai nuk është
i obliguar që të sigurojë informacionet e parapara në paragrafin 2. të këtij neni, por Kryeprokurori i
Shtetit do të kërkojë nga prokurori, apo gjykatësi kompetent varësisht se në cilën fazë gjendet
procedura për sigurimin e informatave të parapara në paragrafin 2. të këtij neni.

4. Kryeprokurori i shtetit brenda njëzetekatër (24) orëve pas pranimit të kërkesës do t’ia përcjellë
të gjitha informatat e pranuara Drejtorisë që t’i mundësojë përgatitjen e mendimit dhe vlerësimit të
shkallës së rrezikut të personit të propozuar për përfshirje në program ose të personit të afërm të
tij dhe përshtatshmërinë e tyre për përfshirje në program dhe të ndërmarrin masa urgjente nëse
është e nevojshme.

5. Kur një kërkesë pranohet nga personi i rrezikuar në përputhje me paragrafin 3. të këtij neni,
Kryeprokurori i Shtetit do të ndërmarrë veprimet e menjëhershme brenda njëzetekatër (24) orëve
lidhur me kërkesën. Kur sigurohet që të gjitha informacionet relevante janë në dispozicion,
Kryeprokurori i Shtetit do t’ia përcjellë Drejtorisë të gjitha informatat e pranuara brenda
njëzetekatër (24) orëve.

6. Drejtoria përgatitë dhe dorëzon mendimin e saj fillestar te Kryeprokurori i Shtetit brenda
tridhjetë (30) ditëve duke filluar nga dita e pranimit të informatës.

Neni 21
Propozimi për përfshirje

1. Kryeprokurori i Shtetit, duhet brenda tri (3) ditëve nga pranimi i mendimit fillestar dhe vlerësimit
nga Drejtoria sipas nenit 20, paragrafi 4. i këtij ligji të:

1.1. dorëzojë propozimin me shkrim Komisionit për përfshirje në program; dhe

1.2 . organizojë mbledhjen e Komisionit.

2. Propozimi me shkrim për përfshirje në program përmban:

2.1. informatat e specifikuara në nenin 20, paragrafi 2. të këtij ligji; dhe

2.2. mendimin fillestar nga Drejtoria, i cili përmban përshkrimin dhe vlerësimin e rrezikut
ndaj personit i cili është propozuar për përfshirje në program, propozimin lidhur me masat
mbrojtëse, kohëzgjatjen e tyre si dhe rezultatet e vlerësimeve mjekësore dhe
psikologjike, një vlerësim të shpenzimeve të zbatimit të masave mbrojtëse, si dhe një
kopje të pyetësorit të plotësuar.

Neni 22
Kushtet për përfshirje në program

1. Kur vendoset mbi propozimin për përfshirje në program, Komisioni duhet të marrë për bazë
kriteret në vijim:

1.1. rëndësia e informatës e cila është e pranueshme si dëshmi në shqyrtim gjyqësor që
nuk mund të sigurohet nga asnjë burim alternativ. Kërkesa për përfshirje në program
duhet të përmbaj informata se personit i cili është propozuar për përfshirje në program
lidhur me veprën penale, autorët e kryerjes së veprës penale, si dhe të dhënat dhe
informatat tjera të rëndësishme të cilat janë të nevojshme dhe qenësore për ndjekjen
kryesve të veprës penale;
1.2. seriozitetin e rrezikut;
9

1.3. gatishmërinë e personit i cili është propozuar për përfshirje në program për të
bashkëpunuar me organet e hetuesisë dhe gjyqësisë gjatë zbatimit të programit.
1.4. përshtatshmërinë e personit të propozuar për përfshirje në program që të veprojë në
pajtim me programin dhe krijimi i bindjes se zhvendosja e dëshmitarit nuk do të shkaktoj
ndonjë rrezik për jetën apo shëndetin e personave të tjerë.

Neni 23
Vendimi mbi propozimin për zbatimin e programit

1. Komisioni duhet të vendos në lidhje me përfshirjen apo jo në program brenda afatit prej
pesëmbëdhjetë (15) ditëve pas pranimit të propozimit me shkrim.

2. Komisioni mund të kërkoj nga prokurori apo gjyqtari, varësisht se ku gjendet procedura, të
dhëna dhe informata shtesë në lidhje me propozimin për përfshirje në program.

3. Para se Komisioni vlerësues i programit të nxjerr vendim në lidhje me përfshirjen e personit në
program duhet të kërkoj miratim me shkrim nga ai person, përveç rastit të paraparë me paragrafin
4. të nenit 5 të këtij ligji.

4. Nëse Komisioni vendos pozitivisht në lidhje me përfshirjen e personit në program, Drejtoria lidh
marrëveshje me shkrim për mbrojtje me personin e rrezikuar.

Neni 24
Masat Urgjente

1. Në raste specifike dhe urgjente, pas kërkesës së prokurorit kompetent ose gjykatësit të rastit
penal, brenda njëzetekatër (24) orëve Drejtori i Drejtorisë mund të marrë vendim për zbatimin e
programit të masave urgjente të mbrojtjes. Për zbatimit e masave urgjente, duhet të lidhet
marrëveshje e përkohshme e mbrojtjes në mes të drejtorit dhe personit të mbrojtur, përveç rastit
të paraparë me paragrafin 4. të nenit 5 të këtij ligji.

2. Komisioni duhet të vendosë brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e fillimit të zbatimit të
programit të masave urgjente të mbrojtjes për përfshirje të personit të mbrojtur në Programin e
mbrojtjes së dëshmitarëve.

3. Masat urgjente vazhdojnë deri në vendimin e Komisionit për mbrojtjen e dëshmitareve.

4. Masat urgjente mund të zbatohen vetëm pasi që personi në rrezik të ketë dhënë pëlqimin me
shkrim përveç rastit të paraparë me paragrafin 4., të nenit 5 të këtij ligji.

5. Vetëm masat mbrojtëse të parapara në nenin 5. paragrafin 2. nën-paragrafët 2.1, 2.2, 2.3 dhe
2.9 të këtij ligji, mund të zbatohen si masa urgjente.

6. Pasi vendimi për zbatimin e masave urgjente është marrë, Drejtori i Drejtorisë kërkon pëlqimin
e personit ndaj të cilit janë zbatuar masat urgjente që t’i nënshtrohet vlerësimit mjekësor dhe
psikologjik dhe ta plotësoj pyetësorin me të dhëna personale, të pronës, të kaluarën e tij penale,
detyrimet dhe informacione tjera. Formati dhe përmbajtja e pyetësorit përcaktohet nga Drejtori i
Drejtorisë.

Neni 25
Vazhdimi i programit

1. Drejtoria mund të paraqet propozimin për vazhdimin e programit. Propozimi duhet t’i dorëzohet
me shkrim Komisionit, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të programit, duke i
10
shpjeguar arsyet e propozimit. Përjashtimisht në raste specifike, propozimi mund të bëhet edhe
pas përfundimit të programit.

2. Vazhdimi i programit mund të aprovohet vetëm pasi që personi i mbrojtur e ka dhënë pëlqimin
me shkrim.

Neni 26
Marrëveshja për mbrojtje

1. Pas nxjerrjes së vendimit për përfshirjen e personit të rrezikuar në program, pëlqimi me shkrim
i personit të përfshirë në program do të mbrohet dhe arkivohet nga ana e Drejtorisë për mbrojtje
të dëshmitarëve së bashku me pyetësorin e kompletuar. Pas lidhjes së marrëveshjes së veçantë
në mes të Drejtorisë për mbrojtje të dëshmitarëve dhe secilit person në rrezik serioz, personi i tillë
konsiderohet person i mbrojtur.

2. Marrëveshja për mbrojtje përmban:

2.1. informacione të përgjithshme;

2.2. obligimet e personit të mbrojtur të përfshirë në program, të cilat janë si në vijim:

2.2.1. dhënia e dëshmisë së vërtetë në pajtim me dispozitat e Kodit të
Procedurës Penale, të përgjigjet pyetjeve në mënyrë të qartë, të sinqertë, të
saktë dhe të plotë, duke ofruar deklarata faktike të hollësishme që janë në
funksion të zhvillimit të procedurës penale, vetëm për organet e hetuesisë dhe
gjyqësisë;

2.2.2. përcjelljen e të gjitha udhëzimeve dhe të dhënave nga Drejtoria për
mbrojtje të dëshmitarëve dhe të marrë pjesë aktive në zbatimin e programit;

2.2.3. moskryerja e ndonjë vepre penale;

2.2.4. arritja e marrëveshjes për vëzhgimin dhe incizimin e mjeteve të
komunikimit, incizimin e vendbanimit dhe kryerjen e vëzhgimit sekret të tij pa
urdhëresën e veçantë të gjykatës, duke siguruar edhe pëlqimin e personit të
mbrojtur që të pajtohet me kufizimet e disa të drejtave personale dhe lirive të tij,
me qëllim të mbrojtjes, pas miratimit nga Drejtoria;

2.2.5. telefonatat dhe komunikimet tjera elektronike të bëhen vetëm me
aprovimin e Drejtorisë për mbrojtje të dëshmitarëve;

2.2.6. ndërmarrja e të gjitha veprimeve të nevojshme për të arritur pavarësinë e
tij ekonomike deri në përfundimin e marrëveshjes për mbrojtje;

2.2.7. pajtimi me kryerjen e të gjitha veprimeve jo të dëmshme për shëndetin e tij;

2.2.8. raportimi i të gjitha llogarive apo transaksioneve legale, financiare dhe
detyrimet tjera të tij;

2.2.9. njoftimi pa vonesë Drejtorinë në lidhje me të gjitha rrethanat të cilat mund
të ndikojnë në zbatimin e programit;

2.2.10. mos me dhënë intervista për mediat apo me lejuar fotografimin;

11
2.2.11. mos me përpiluar libra ose raporte mbi mbrojtjen e dëshmitarit apo mbi
rastin e tij ose të mos sigurojë asnjë informatë të cilën Drejtoria e konsideron si të
rëndësishme për sigurimin e mbrojtjes së personit të mbrojtur;

2.3. obligimet kundrejt personit të përfshirë në program janë:

2.3.1. të zbatohen vetëm masat e nevojshme kufizuese të të drejtave të lëvizjes
së tij gjatë zbatimit të programit;

2.3.2. t’i siguroj personit të mbrojtur ndihmën e nevojshme psikologjike, sociale
dhe ligjore gjatë zbatimit të programit;

2.3.3. t’i ofrohet ndihma e nevojshme ekonomike, duke përfshirë edhe ndihmën
mjekësore për kohë të caktuar;
2.4. kohëzgjatjen e programit si dhe kushtet për përfundimin e programit;

2.5. klauzulën që marrëveshja mbrojtëse është bërë në një kopje të vetme dhe mbahet
në Drejtorinë për mbrojtje të dëshmitarëve;

2.6. detyrimet e dala nga marrëveshja e mbrojtjes nuk mund të jenë objekt kontesti civil,
penal apo çfarëdo konflikti tjetër gjyqësor. Të gjitha veprimet e ndërmarrura nga zyrtarët
e Drejtorisë dhe Komisionit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare nuk mund të jenë bazë për
padi dhe nuk i nënshtrohen përgjegjësisë ligjore;

2.7. deklaratën me të cilën personi i mbrojtur deklaron se e kupton dhe pajtohet me
përmbajtjen e marrëveshjes për mbrojtje;

2.8. deklaratën që pyetësori i plotësuar nga ana e personit të mbrojtur përbën një pjesë
integrale të marrëveshjes për mbrojtje;

2.9. çdo informatë tjetër të nevojshme për zbatimin e marrëveshjes për mbrojtje;

2.10. datën dhe nënshkrimet e palëve.

3. Secili person i cili është i përfshirë në programin për mbrojtje duhet të nënshkruaj marrëveshje
të veçantë për mbrojtje.

4. Marrëveshja për mbrojtje të të miturve apo personave me aftësi të kufizuara duhet të
nënshkruhet nga prindi i tij, përfaqësuesi ligjor apo kujdestari kur ata nuk janë në gjendje ta bëjnë
një gjë të tillë.

5. Në rast se personi i mbrojtur i cili është i përfshirë në program gjatë kësaj periudhe kohore
shkakton ndonjë dëm personit tjetër, atëherë pala e dëmtuar ka të drejt që të kërkoj kompensimin
e dëmit.

6. Personat që janë të përfshirë në program kanë të drejtë për mbajtjen e kontakteve dhe vizitave
me fëmijët e tyre dhe personave të tjerë të afërm të cilët nuk janë të përfshirë në program, me
kusht që mos të vije deri te rrezikimi i programit. Lidhur me lejimin apo mos lejimin në raste
specifike vendos Komisioni.


KREU VI
PËRFUNDIMI I PROGRAMIT

Neni 27
Përfundimi i programit
12

1. Programi mund të përfundoj nën kushtet në vijim:

1.1. kur marrëveshja për mbrojtje skadon;

1.2. personi i mbrojtur apo përfaqësuesi ligjor i tij refuzon të jetë i mbrojtur;

1.3. kur personi i mbrojtur shkel në mënyrë serioze marrëveshjen e mbrojtjes, e cila
mund ta dërgojë në rrezik serioz, marrëveshja për mbrojtje pushon me një njoftim me
shkrim nga drejtoria pas marrjes së pëlqimit nga komisioni;

1.4. në rast të vdekjes së personit të mbrojtur;

1.5. nëse personi i mbrojtur pa ndonjë arsye të fortë refuzon të pranojë ofertë pune nga
drejtoria apo kur ai nuk kryen aktivitete tjera të ligjshme për fitimin e të ardhurave;

1.6. kur vendi i jashtëm në territorin e të cilit personi i mbrojtur është zhvendosur
kërkon përfundimin e marrëveshjes për mbrojtje.

2. Programi mund të përfundoj me Vendim të Komisionit apo me propozim të Drejtorit të
Drejtorisë.

3. Kushtet dhe procedurat për ndërprerjen e Programit rregullohen me Procedurat Standarde të
Operimit të Drejtorisë.


KREU VII
BASHKËPUNIMI NDËRKOMBËTAR DHE FINANCIMI

Neni 28
Baza për bashkëpunim ndërkombëtar

1. Bashkëpunimi ndërkombëtar për zbatimin e programit duhet të aprovohet në bazë të
marrëveshjeve ndërkombëtare, marrëveshjeve bilaterale dhe multilaterale, në bazë të
reciprocitetit, pas aprovimit nga Komisionit edhe në raste tjera individuale.

2. Kur kërkohet zhvendosja e personit të mbrojtur, Drejtoria për mbrojtjen e dëshmitarëve paraqet
kërkesë tek autoritetet kompetente të shtetit tjetër përgjegjës për zbatimin e masave mbrojtëse
në pajtim me këtë ligj, Organet kompetente duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur
identitetin e dëshmitarit të mbrojtur.

3. Me pranimin e kërkesës për pranimin e personit të mbrojtur nga një shtet tjetër, Drejtoria për
mbrojtje të dëshmitarëve, vlerëson kërkesën dhe në rast të nxjerrjes së vlerësimit pozitiv i
propozon Komisionit që të aprovojë zbatimin e masave në territorin e Kosovës, në pajtim me këtë
ligj.

Neni 29
Financimi

1. Financimi për zbatimin e këtij ligji sigurohet nga Buxheti i Republikës së Kosovës.

2. Financimi i paraparë në paragrafin 1. të këtij neni mund të bëhet edhe nga burimet dhe
programet ndërkombëtare.



13





KREU VIII
MBROJTJA E TË DHËNAVE DHE SHENIMEVE

Neni 30
Dispozitat kryesore për mbrojtjen e të dhënave dhe shënimeve

1. Komisioni, Drejtoria, autoritetet qeveritare, organizatat, mekanizmat dhe personat trajtojnë të
gjitha dokumentet dhe të dhënat lidhur me zbatimin e programit për mbrojtjen e dëshmitarëve si
sekret zyrtar.

2. Komisioni mund t’a zbuloj një dokument zyrtar sekret në lidhje me programin për mbrojtjen e
dëshmitarëve me kërkesën e organit të prokurorisë apo gjyqësisë apo për arsye të sigurisë
kombëtare.

3. Të dhënat lidhur me ndryshimin e identitetit të personit të mbrojtur si dhe dokumentacioni i
personit të mbrojtur i cili përmban identitetin origjinal duhet të mbahen në Drejtori dhe duhet të
shënohen si sekret zyrtar. Qasja në të dhënat dhe dokumentet e tilla duhet të aprovohet dhe të
mbikëqyren nga Drejtori i Drejtorisë.

4. Zbulimi i sekretit zyrtar në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji paraqet vepër penale në pajtim
me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

Neni 31
Dispozita ndëshkuese

Kushdo që e mashtron dhe e vë në lajthim Komisionin dhe Drejtorinë përmes paraqitjes së
provave dhe fakteve të pavërteta për të përfituar një masë mbrojtjes sipas dispozitave të këtij ligji
dënohet në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.


KREU IX
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE DHE KALIMTARE

Neni 32
Dispozitat Kalimtare

1. Prej hyrjes në fuqi të këtij ligji e deri në skadimin e mandatit të Misionit të EULEX-it në Kosovë,
Komisioni dhe Drejtoria vendore për mbrojtjen e dëshmitarëve kanë përgjegjësi për mbrojtjen e
dëshmitarëve në pajtim me këtë ligj, përveç nëse kërkesa për përfshirje në një program të
EULEX-it për mbrojtjen e dëshmitarëve është bërë dhe pranuar sipas paragrafëve 5. dhe 6. të
këtij neni.

2. Njësia e EULEX-it për Siguri të dëshmitarëve do të ofrojë asistencë teknike për Drejtorinë, në
mënyrë që të zhvillohet kapaciteti i saj në pajtim me standardet e njohura ndërkombëtarisht dhe
praktikat më të mira Evropiane, e cila duhet të përfshijë, por nuk do të kufizohet në:

2.1. trajnimin e personelit në Drejtori;

2.2. asistencë në zhvillimin e strukturës organizative të Drejtorisë;

14
2.3. ndihmën për zhvillimin e procedurave standarde të operimit, hartimin e rregullave
dhe rregulloreve të brendshme dhe të gjithë dokumentacionit të nevojshëm për
funksionimin efektiv të Drejtorisë;

2.4. asistencë në hartimin dhe zbatimin e programeve të mbrojtjes së dëshmitarëve;

2.5. asistencë në raste të veçanta;

2.6. asistencë në vendosjen e kontakteve dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të
bashkëpunimit me njësitë e mbrojtjes së dëshmitarëve në vendet e tjera.

3. Detajet e asistencës teknike nga paragrafi 2. i këtij neni duhet të rregullohen me një
marrëveshje teknike.

4. Gjatë periudhës kalimtare, Njësia e EULEX-it për Siguri të Dëshmitarëve dhe Grupi i EULEX-it
për Shqyrtimin e Sigurisë së Dëshmitarëve do të funksionojë e pavarur dhe e ndarë prej
Drejtorisë brenda Policisë së Kosovës dhe do të funksionojë sipas procedurave dhe strukturave
menaxhuese të tyre.

5. Gjatë periudhës kalimtare, Njësisë së EULEX-it për Mbrojtjen e Dëshmitarëve i paraqitet
kërkesa për përfshirje në programin e EULEX-it për siguri të dëshmitarëve. Kërkesa me shkrim
mund të paraqitet nga:

5.1. kryeprokurori i Shtetit;

5.2. policia e EULEX -it;

5.3. prokuror i EULEX-it i caktuar në procedurë penale.

6. Kërkesa për përfshirje në programin e EULEX-it për siguri të dëshmitarëve do të shqyrtohet
dhe vendoset nga Grupi EULEX-it për Shqyrtimin e Sigurisë së Dëshmitarëve.

7. Njësia e EULEX-it për Siguri të dëshmitarëve do të vendosë për masat specifike për mbrojtjen
e dëshmitarëve dhe do të zbatojë programin për mbrojtje pas vendimit të Grupit të EULEX-it për
Shqyrtimin e Sigurisë së Dëshmitarëve për përfshirjen në Programin e EULEX-it për Siguri të
Dëshmitarëve.

8. Drejtoria e Kosovës për Mbrojtje të Dëshmitarëve dhe autoritetet e Qeverisë, organizatat dhe
institucionet e tjera publike do të ofrojnë mbështetje për Njësinë e EULEX-it për Siguri të
Dëshmitarëve kërkuar nga Njësia e EULEX-it për Siguri të Dëshmitarëve.

Neni 33
Zbatimi i ligjit

1. Ministria e Punëve të Brendshme brenda gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji,
nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e tij.

2. Drejtoria për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Komisioni për Mbrojtjen e Dëshmitarëve të
parapara me këtë ligj themelohen brenda një viti (1) pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 34
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi një (1) vit pas shpalljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


15
Ligji Nr. 04/ L-015
29 korrik 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-020-2011, datë 12.08.2011 nga Presidentja e Republikës së
Kosovës Atifete Jahjaga.