1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 7 / 10 GUSHT 2011, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-012
PËR MBROJTJE NGA ZJARRI
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR MBROJTJE NGA ZJARRI
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i mekanizmave mbrojtës për parandalimin e shkaqeve dhe përhapjes
së zjarrit, duke përfshirë edhe shpërthimet me qëllim të mbrojtjes së njerëzve, pasurisë dhe mjedisit.
Neni 2
Fushëveprimi
Fushëveprimi i këtij ligji është ndërmarrja e masave për mbrojtje nga zjarri, që zbatohen nga
institucionet përkatëse shtetërore si dhe personat fizik dhe juridik.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Ministria - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB);
1.2. Agjencia - Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) është Agjenci ekzekutive në
kuadër të MPB-së.
1.3. Mbrojtja nga zjarri - tërësi e masave dhe veprimeve të cilat ndërmerren në parandalimin e
shkaktimit të zjarrit apo për zvogëlimin e pasojave nga zjarri;
1.4. Inspektor - inspektori për mbrojtje nga zjarri pranë AME-së i cili është i autorizuar për
mbikëqyrjen e zbatimit të masave mbrojtëse nga zjarri;
1.5. Prona - prona e paluajtshme dhe e luajtshme e cila është në pronësi të personit fizik apo
juridik siç është përcaktuar në nenin 10 të Ligjit nr. 03/L-154 për pronësinë dhe të drejtat tjera
sendore.
1.6. Pronar - personi fizik apo juridik, i cili ka në pronësi pronën;
1.7. Shfrytëzues - personi fizik apo juridik, i cili ka në shfrytëzim pronën në mënyrë të
ligjshme;
2
1.8. Komisioni - organi i themeluar me akt juridik i cili vendos për çështje të caktuara sipas
legjislacionit në fuqi;
1.9. Kategorizimi - klasifikim i objekteve dhe pjesëve të objekteve në bazë të shkallës së
rrezikshmërisë nga zjarri;
1.10. Plani shtetëror për mbrojtje nga zjarri – përcaktimi i detyrave, zonave të veprimit si dhe
fushat e përgjegjësisë dhe veprimtarisë për mbrojtje nga zjarri në nivel vendi;
1.11. Plani komunal për mbrojtje nga zjarri – përcaktimi i detyrave, zonave te veprimit si dhe
fushat e përgjegjësisë dhe veprimtarisë për mbrojtje nga zjarri në nivel komunal;
1.12. Vlerësimi i rrezikut – përcaktimi i shkallës së rrezikut nga zjarri në një vend apo
vendndodhje të veçantë, si dhe masat e duhura mbrojtëse;
1.13. Objektet - ndërtesat dhe pjesët e ndërtesave si pasuri e paluajtshme;
1.14. Mjedisi - rrethina natyrore, ajri, toka, uji, flora dhe fauna, në tërësinë e ndërveprimit dhe
trashëgiminë kulturore si pjesë e rrethinës që e ka krijuar njeriu.
1.15. Institucionet Shtetërore – institucionet përkatëse kompetente, të nivelit qendror dhe
komunal, për zbatimin e masave për mbrojtje nga zjarri.
KREU II
ORGANIZIMI I MBROJTJES NGA ZJARRI
Neni 4
Përgjegjësitë e Ministrisë
1. Ministria është përgjegjëse për:
1.1. analizimin e gjendjes për mbrojtje nga zjarri dhe ndërmerr masa për përmirësimin e saj;
1.2. hartimin e programit vjetor për mbrojtje nga zjarri të cilin e miraton Qeveria e Republikës
së Kosovës;
1.3. hartimin e planit shtetëror për mbrojtje nga zjarri;
1.4. mbikëqyrjen e funksioneve ekzekutive të agjencisë dhe komunave në lëmin e mbrojtjes
nga zjarri;
1.5. hartimin e programeve të trajnimit dhe ngritjes profesionale të kuadrove për mbrojtje nga
zjarri.
Neni 5
Përgjegjësitë e komunave
1. Komuna është përgjegjëse për:
1.1. nxjerrjen e planit për mbrojtje nga zjarri në nivel komunal ne bazë të vlerësimit të rrezikut
nga zjarri ne pajtim me Planin shtetëror për mbrojtje nga zjarri;
1.2. zbatimin dhe përmirësimin e masave për mbrojtje nga zjarri dhe avancimin e tyre.
3
1.3. shqyrtimin e përmbajtjes së planit për mbrojtje nga zjarri së paku njëherë në vit dhe
vlerësimin e përputhshmërisë të këtij plani me Planin komunal zhvillimor, Planin zhvillimor
urban të komunës, dhe Planet rregulluese urbane, me ndryshimet ndërtimore të cilat mund të
kenë ndodhur.
Neni 6
Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave
1. Agjencia për menaxhimin e emergjencave vepron si Agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së
Punëve të Brendshme dhe i përgjigjet Ministrit.
2. Agjencia udhëhiqet nga Kryeshefi i cili zgjidhet në pajtueshmëri me rregullat në fuqi për emërimin e
nëpunësve të lartë civilë të shërbimit civil.
3. Agjencia për menaxhimin e emergjencave është përgjegjëse për mbikëqyrjen e të gjitha aktiviteteve
të kryera sipas dispozitave të këtij ligji dhe ka kompetenca për nxjerrjen e udhëzuesve lidhur me të
gjitha veprimtaritë për mbrojtje nga zjarri.
4. Qeveria me akt nënligjor të propozuar nga Ministria përcakton strukturën e organizimit të Agjencisë.
KREU III
KATEGORIZIMI I OBJEKTEVE
Neni 7
Kategorizimi i objekteve
1. Objektet dhe pjesët e objekteve radhiten në katër kategori sipas rrezikshmërisë nga zjarri:
1.1. në Kategorinë e I (Parë) hynë objektet varësisht prej procesit teknik që zhvillohet në to;
1.2. në Kategorinë e II (Dytë) hynë objektet sipas llojit të materialit që prodhohet përpunohet
apo deponohet;
1.3. në Kategorinë e III (Tretë) hynë objektet sipas llojit të përbërjes së materialeve në
ndërtimtari; dhe
1.4. në Kategorinë e IV (Katërt) hynë objektet sipas rëndësisë së tyre.
2. Ministria, me akt nënligjor përcakton kriteret për kategorizimin dhe klasifikimin e objekteve në
kategoritë përkatëse të rrezikshmërisë nga zjarri.
Neni 8
Masat për mbrojtje nga zjarri sipas kategorive të objekteve
1. Pronarët apo shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit janë të obliguar të marrin
masat për mbrojtje nga zjarri, të përcaktuara me këtë ligj dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë të këtij
ligji si dhe në përputhje me planin e mbrojtjes nga zjarri.
2. Pronarët apo shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit janë të detyruar të
ndërmarrin masat si në vijim:
2.1. për kategorinë e I (parë) të rrezikshmërisë, janë të obliguar të hartojnë planin e mbrojtjes
nga zjarri në bazë të vlerësimeve të rrezikshmërisë, si dhe të formojnë njësitë e mbrojtjes nga
zjarri me kuadro të nevojshëm dhe mjetet e domosdoshme për punë për zbatimin e masave për
mbrojtje nga zjarri;
4
2.2. për kategorinë e II (dytë) të rrezikshmërisë nga zjarri, janë të obliguar të hartojnë planin e
mbrojtjes nga zjarri në bazë të vlerësimeve të rrezikshmërisë nga zjarri, të kenë numër të
mjaftueshëm të punëtorëve të cilët janë të trajnuar në këtë fushë dhe mund të kryejnë
kujdestarinë e përhershme për fikjen e zjarrit dhe zbatimin e masave mbrojtëse nga zjarri;
2.3. për kategorinë e III (tretë) të rrezikshmërisë nga zjarri, janë të obliguar të kenë së paku një
punëtor i cili është i trajnuar dhe drejtpërdrejt organizon dhe përkujdeset për zbatimin e masave
për mbrojte nga zjarri;
2.4. për kategorinë e IV (katërt të rrezikshmërisë nga zjarri, janë të obliguar të kenë një
punëtor të trajnuar dhe ngarkuar me punët e mbrojtjes nga zjarri.
3. Planin e mbrojtjes nga zjarri, janë të obliguar ta nxjerrin pronarët, përkatësisht shfrytëzuesit e
objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit, të radhitura në kategorinë e parë dhe të dytë të
rrezikshmërisë dhe ky plan duhet të jetë i harmonizuar me planin komunal për mbrojtje nga zjarri.
4. Personat juridik përgjegjës për punët e mbrojtjes nga zjarri, duhet të punësojnë personat të cilët kanë
të kryer trajnimet profesionale për zjarrfikës apo drejtimit teknik, dhe të cilët e kanë të dhënë provimin
profesional për kryerjen e punëve për mbrojtje nga zjarri.
5. Ministria me akt nënligjor cakton përmbajtjen e programit dhe mënyrën e dhënies së provimit
profesional nga paragrafi 4. i këtij neni, i cili ka të bëjë me mbrojtjen nga zjarri.
Neni 9
Aktet e brendshme për mbrojtje nga zjarri
Personat fizik apo juridik që janë pronarë ose shfrytëzues të objekteve, pjesëve të objekteve dhe
mjedisit, varësisht nga kushtet dhe nevojat e tyre obligohen që në harmoni me planin për mbrojtje nga
zjarri dhe me këtë ligj, me anë të një rregulloreje të brendshme të përcaktojnë masat dhe veprimet në
lidhje me zbatimin dhe avancimin e mbrojtjes nga zjarri.
KREU IV
MASAT E MBROJTJES NGA ZJARRI
Neni 10
Ministria merr pjesë në hartimin e planeve hapësinore nga fushë veprimtaria e mbrojtjes nga zjarri
Neni 11
Kushtet e posaçme të ndërtimit me qëllim të mbrojtjes nga zjarri
1. Kushtet e posaçme të ndërtimit, në kuptim të përcaktimit të kushteve të rregullimit hapësinor, me
qëllim të mbrojtjes nga zjarri, i përcakton Ministria-Agjencia.
2. Qeveria sipas propozimit të Ministrisë përcakton me akt nënligjor se për cilat lloje të objekteve
zbatohen kushtet e posaçme të ndërtimit me qëllim të mbrojtjes nga zjarri si dhe mënyrën e
bashkëpunimit të Ministrisë me Ministrinë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor në lëmin e ndërtimit dhe
dhënien e pëlqimit nga Agjencia për masat e mbrojtjes nga zjarri.
Neni 12
Masat e parapara për mbrojtje nga zjarri
1. Personat juridik të regjistruar për projektime, janë të obliguar që për objektet në të cilat kërkohen
kushte të veçanta ndërtimi, masat e mbrojtjes nga zjarri të parashikuara në projektin kryesor, të
5
tregohen në mënyrë grafike të përllogaritura dhe të shpjeguara me shkrim, me qëllim të vlerësimit të
masave për mbrojtje nga zjarri.
2. Pjesë përbërëse e projektit kryesor nga paragrafi 1. i këtij neni, për dhënie të lejes ndërtimore,
paraqet një dëshmi rreth masave të parapara të mbrojtjes nga zjarri.
3. Personat juridik të regjistruar për projektime, të cilët e kanë hartuar projektin kryesor, do të bëjnë
verifikimin e të njëjtit në mënyrën e përcaktuar me rregulloren e tyre të brendshme, dhe pas verifikimit
të kryer të bashkëngjisin deklaratën me të cilën vërteton se, masat për mbrojtje nga zjarri të aplikuara
në projektet kryesore janë në harmoni me këtë ligj dhe kriteret e rregullimit hapësinor, kriteret dhe
normativat teknike.
4. Me rastin e projektimit dhe ndërtimit të objekteve të banimit kolektiv, objekteve publike, qendrave
tregtare, hoteleve, kinemave, teatrove, bibliotekave, postave, spitaleve, hallave sportive, pallateve
koncertale si dhe objekteve tjera publike, duhet të sigurohen kushtet për evakuim të papengueshëm të
njerëzve në rast të shpërthimit të zjarrit me ndërtimin e shkallëve për evakuim si dhe me pajisje
përkatëse për alarm dhe fikje të zjarrit.
5. Personat juridik të regjistruar për projektime sipas paragrafi 1. të këtij neni, duhet të kenë personat e
punësuar me trajnime përkatëse profesionale dhe me provim të mbaruar profesional nga lëmi i
mbrojtjes nga zjarri.
Neni 13
Kushti për dhënien e lejes për ndërtim
Organi kompetent për dhënien e lejes për ndërtim, rekonstruim mund të jep lejen për ndërtim vetëm
atëherë kur të sigurojë se projekti kryesor për ndërtim në bazë të cilit jepet leja e ndërtimit, ka paraparë
përmbushjen e kushteve të posaçme të ndërtimit, me qëllim të mbrojtjes nga zjarri, siç është përcaktuar
në nenin 11 të këtij ligji.
Neni 14
Leja e përdorimit
1. Leja e përdorimit të objektit apo objekteve të ndërtuara dhe rekonstruktuara, jepet atëherë kur
vërtetohet se janë zbatuar masat e mbrojtjes nga zjarri të parapara në projektin kryesor të ndërtimit.
2. Përfaqësuesi i agjencisë merr pjesë në punën e komisionit për pranim teknik të objekteve sa i përket
fushës për mbrojtje nga zjarri.
3. Nëse gjatë kryerjes së kontrollimit teknik, vërtetohet se me rastin e ndërtimit apo rekonstruktimin e
objektit, nuk janë zbatuar masat për mbrojtje nga zjarri të parapara në projektin kryesor të ndërtimit, nuk
do të jepet leja e përdorimit derisa të jenë zbatuar masat për mbrojtje nga zjarri.
Neni 15
Materiali rezistues ndaj zjarrit
1. Punët përfundimtare të sipërfaqeve vertikale dhe horizontale të daljeve dhe rrugëve dalëse në
objekte, duhet të jenë të ndërtuara nga materiali me karakteristika rezistuese ndaj zjarrit.
2. Për materialet e përdorura për ndërtim në punët nga paragrafi 1. të këtij neni, kryesi i punimeve
është i obliguar të siguroj dëshminë për karakteristikat e materialit rezistues ndaj zjarrit, të përdoruara
nga prodhuesi gjatë ndërtimit si dhe të njëjtat t’i ofroj për verifikim komisionit, nga neni 14 i këtij ligji.
Neni 16
Mirëmbajtja e pajisjeve dhe mjeteve
6
1. Pronarët e objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit, janë të obliguar të mirëmbajnë në gjendje
të rregullt pajisjet, instalimet, ventilimet e gazrave, oxhaqet si dhe pajisjet e tjera, të cilat paraqesin
rrezik për zgjerimin e zjarrit në harmoni me normativat teknike dhe udhëzimet e prodhuesve për të cilat
duhet të ketë dokumentacion.
2. Për instalimin e pajisjeve stabile të destinuara për lajmërimin dhe fikjen e zjarrit, detektimin e gazrave
dhe avujve të ndezshëm, si dhe pajimet tjera mbrojtëse dhe instalimeve të cilat shërbejnë për evitimin e
shkaktimit dhe zgjerimin e zjarrit dhe shpërthimit, kryesi i punëve është i detyruar të siguroj dëshminë
nga prodhuesi për funksionim të rregullt të tyre, dhe procesverbalin mbi verifikimet e kryera nga personi
juridik i autorizuar, dhe t’i jepet në shikim komisionit nga paragrafi 2. i nenit 14 të këtij ligji.
3. Pronarët dhe shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit, obligimet e përcaktuara si
në paragrafin 1. dhe 2. të këtij neni i rregullojnë me marrëveshje përmes kontratës, në pajtim me ligjet
në fuqi.
4.Në qoftë se nuk mund të vërtetohet pronari nga paragrafi 1. i këtij neni, obligimet e përcaktuara i bien
në barrë shfrytëzuesit.
Neni 17
Dëshmia për gjendjen e rregullt të pajisjeve
1. Mirëmbajtja e pajisjeve sipas paragrafit 2. të nenit 16 të këtij ligji, duhet të kontrollohet të paktën një
(1) herë në vit nga personat e autorizuar, sipas paragrafit 6. të këtij neni, në varshmëri me normativat
teknike dhe udhëzimet e prodhuesve. Me rastin e kontrollimit mbahet procesverbal në të cilën shënohet
se kur është bërë kontrollimi, kush e ka kryer dhe çfarë është vërtetuar nga kontrolli.
2. Aparatet bartëse dhe lëvizëse për shuarjen e zjarreve duhet të kontrollohen çdo gjashtë (6) muaj.
3. Punë kryesit e organizatës së autorizuar nga paragrafi 2. të nenit 16 dhe paragrafit 1. të këtij neni, të
cilët kryejnë kontrollimin, duhet të kenë të dhënë provimin profesional për ushtrimin e kontrollit.
4. Ministria përcakton kushte të posaçme teknike dhe kushte të tjera, të cilat duhet t’i plotësojë personi
i autorizuar nga paragrafi 2. i nenit 16 dhe paragrafi 1. i këtij neni.
5. Ministria përcakton programin dhe mënyrën e dhënies së provimit, nga paragrafi 3. i këtij neni.
6. Ministria jep autorizimin për kryerje të punëve nga paragrafi 2. i nenit 16 dhe paragrafi 1. i këtij neni.
Neni 18
Certifikata nga prodhuesi i pajisjeve
1. Prodhimi dhe qarkullimi i pajisjeve, stabilimenteve dhe mjeteve të dedikuara për fikje të zjarrit,
lajmërim dhe pengim të zgjerimit të zjarrit si dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse e instalimeve, përcaktohet
me akt nënligjor.
2. Për prodhimtarinë, veprimet dhe shërbimet me të cilat shfrytëzohen stabilimentet, mjetet, pajisjet dhe
instalimet nga paragrafi 1. i këtij neni, për të cilat nuk janë të parapara normativat kosovare, mund të
aplikohen standardet e BE-së.
3. Pajisjet, mjetet dhe stabilimentet nga paragrafi 1. i këtij neni, të cilat importohen nga jashtë, mund të
vihen në qarkullim vetëm nëse importuesi e ka marrë certifikatën e personit juridik, të autorizuar mbi
rregullsinë e atyre pajisjeve, mjeteve dhe stabilimenteve, si dhe përshtatjen e tyre për qëllimet e
dedikuara.
4. Për çdo pajisje të importuar dhe për çdo sasi të importuar të pjesëve të pajisjeve apo mjeteve për
fikje të zjarrit, alarmim dhe pengim të përhapjes së zjarrit, importuesi është i obliguar që ta siguroj
7
certifikatën e paraparë në paragrafin 3. të këtij neni, vetëm nëse kjo është e rregulluar ndryshe me
marrëveshje ndërshtetërore.
5. Kur me dispozita të posaçme është caktuar që për vënien në qarkullim të pajisjeve dhe
stabilimenteve nga paragrafi 1. deri 4. të këtij neni nevojitet leja atëherë lejen e tillë e jep Ministria –
Agjencia.
6. Dispozitat nga paragrafi 2., 3., 4. dhe 5. të këtij neni, vlejnë edhe për pajisjet mbrojtëse dhe
personale të zjarrfikësve, të cilat i shfrytëzojnë në fikjen e zjarrit dhe intervenimet e tjera.
7. Ministria përcakton kushtet e posaçme teknike dhe kushtet tjera të cilat duhet t’i plotësoj personi
juridik nga paragrafi 3. dhe 4. të këtij neni.
8. Ministria jep autorizime për kryerjen e punëve nga paragrafi 3. dhe 4. i këtij neni.
Neni 19
Pajisjet, mjetet dhe stabilimentet për fikjen e zjarrit
1. Pronarët apo shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit, obligohen të posedojnë
pajisjet, mjetet dhe stabilimentet për fikjen e zjarrit.
2. Llojin e pajisjeve, stabilimenteve dhe mjeteve nga paragrafi 1. i këtij neni, si dhe vendet në të cilat
vendosen, përcaktohen me akt nënligjore.
3. Ministria nxjerr akt nënligjor lidhur me zgjedhjen dhe caktimin e sasisë së aparateve për fikje të
zjarrit, kushteve të cilat duhet t’i plotësojnë personat e autorizuar, të cilët e kryejnë veprimtarinë
kontrolluese, servisimin dhe mirëmbajtjen e aparateve, si dhe afatin e zbatimit të kontrollit të rregullimit
dhe servisimit.
4. Pajisjet dhe mjetet për fikje të zjarrit duhet të shfrytëzohen vetëm sipas dedikimit, dhe të jenë në
gjendje të rregullt, posaçërisht të shënuar dhe të kapshme për përdorim.
5. Kontrollimin e rregullsisë dhe servisimit të aparateve nga paragrafi 3. i këtij neni, mund ta ushtrojnë
personat e autorizuar, të cilët janë teknikisht dhe profesionalisht të aftësuara, në bazë të autorizimeve
të Ministrisë- Agjencisë.
6. Personat të cilët e kryejnë mbikëqyrjen e rregullsisë dhe servisimit të aparateve nga paragrafi 3. i
këtij neni, duhet ta kenë të dhënë provimin profesional për kryerjen e këtyre punëve.
7. Programi dhe mënyra e dhënies së provimit nga paragrafi 6. i këtij neni përcaktohet nga ministria.
8. Regjistri i personave të autorizuar, të cilët i kryejnë punët nga paragrafi 2. i nenit 16, paragrafi 1. i
nenit 17 dhe paragrafi 3. i nenit 18 të këtij ligji, do të jetë publik.
9. Me punë të caktuara lidhur me avancimin e mbrojtjes nga zjarri mund të merren personat fizik dhe
juridik, të cilët i plotësojnë kriteret në pikëpamje të përgatitjeve teknike dhe të disponojnë me kuadro
profesionale për ushtrimin kualitativ të punëve, lidhur me avancimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Neni 20
Kujdestaria e zjarrfikësve
1 Me qëllim të pengimit dhe mënjanimit të rrezikut nga zjarri, obligohet të sigurohet kujdestaria e
zjarrfikësve, gjegjësisht shërbimi vëzhgues alarmues, si dhe pajisje dhe mjete përkatëse për fikje të
zjarrit për rastet si në vijim:
1.1. në objektet gjatë mbajtjes së tubimeve publike apo aktiviteteve tjera;
8
1.2. në ambiente të hapura në kohën kur vlerësohet apo supozohet rreziku për paraqitje të
zjarrit në mjedise të tilla, kryerja e korrje shirjeve të përmasave të mëdha, kantieret e mëdha,
parqet nacionale, pyjet dhe të ngjashme.
2. Kujdestarinë e zjarrfikësve, respektivisht shërbimin vëzhgues-alarmues në rastet nga paragrafi 1.
nën-paragrafi 1.1. i këtij neni obligohet ta siguroj organizatori, kurse për rastet nga paragrafi 1. nën-
paragrafi 1.2. i këtij neni, pronari apo shfrytëzuesi nëse nuk mund të vërtetohet pronari i objekteve të
përmendura.
Neni 21
Kujdestaria zjarrfikëse në komuna
Në komunat ku nuk është e organizuar kujdestaria zjarrfikëse, respektivisht shërbimi vëzhgues-
alarmues sipas nenit 19 i këtij ligji, nëse ekziston mundësia e shfaqjes së zjarrit të përmasave të
mëdha, organet komunale, në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë nga zjarri, janë të detyruar të
organizojnë kujdestari të tillë.
Neni 22
Proceset teknologjike në objekte të veçanta
1. Proceset teknologjike në të cilat shfrytëzohen apo prodhohen fluidet, gazrat e ndezshme apo
materiet shpërthyese, mund të kryhen vetëm në objektet ose pjesët e tyre, të cilat janë të ndara nga
pjesët e tjera prodhuese dhe depozituese, objekte të pajisura me pengesa rezistuese ndaj zjarrit që
pamundësojnë përhapjen e zjarrit.
2. Proceset teknologjike nga paragrafi 1. të këtij neni, si dhe punët me flakë të hapur në afërsi të
fluideve dhe gazrave të ndezshme, materieve shpërthyese dhe të tjera, të cilat mund të shkaktojnë
zjarr, duhet të organizohen në atë mënyrë që rreziku nga zjarri të mënjanohet, respektivisht të bie në
masën më të vogël, varësisht nga natyra dhe kushtet e punës.
3. Objektet sipas paragrafi 1. të këtij neni, mund të ndërtohen vetëm në vendet ku ndërtimi i tyre nuk
cenon sigurinë nga zjarri të objekteve ekzistuese dhe mjedisit që e rrethon.
KREU V
MBIKËQYRJA E ZBATIMIT TË MASAVE PËR MBROJTJE NGA ZJARRI
Neni 23
Organet kompetente
1. Mbikëqyrjen dhe inspektimin për zbatimin e masave për mbrojtje nga zjarri në objekte, pjesë të
objekteve, pajisjeve, stabilimenteve në territorin e Republikës së Kosovës e kryejnë inspektorët e
Agjencisë për mbrojtje nga zjarri.
2. Mbikëqyrjen inspektuese për zbatimin e masave për mbrojtje nga zjarri, e kryejnë inspektorët
kompetent të agjencisë në bashkëpunim me inspektorët tjerë të institucioneve përkatëse si dhe me
personat juridik.
3. Me vendimin e organit kompetent të komunës dhe me pëlqimin paraprak të marrë nga ministria, për
punë të caktuara të kontrollit të masave të parapara për mbrojtje nga zjarri, mund të autorizohen njësitë
e zjarrfikës dhe shpëtimit dhe shoqatat vullnetare për zjarr-fikje, të përcaktuara me këtë ligj dhe akt
nënligjor të nxjerra në bazë të këtij ligji.
4. Me vendimin nga paragrafi 3. të këtij neni, përcaktohen:
9
4.1. lloji i objekteve, pjesëve të objekteve dhe mjedisit të cilat do të përfshihen në kontrollim;
4.2. mënyra dhe procedura e kryerjes së punëve kontrolluese;
4.3. mënyra e informimit të organit kompetent për emergjenca mbi mangësitë e konstatuara
gjatë kontrollimit;
4.4. kushtet të cilat duhet t’i plotësojnë personat për ushtrimin e kontrollit nga aspekti i
përgatitjes profesionale.
5. Ministria, me akt nënligjor, përcakton formën e kartelave identifikuese, me të cilat vërtetohet identiteti
i personave të autorizuar për kryerjen e punëve të inspektimit.
Neni 24
Kualifikimet për inspektorë të Agjencisë
1. Punët e inspektorit të agjencisë i kryejnë personat të cilët posedojnë përgatitje superiore ose të lartë
shkollore, të profilit teknik dhe provimin e dhënë profesional.
2. Për punën e tyre, inspektorët i përgjigjen strukturës përkatëse të agjencisë.
3. Ministria, me akt nënligjor përcakton programin dhe mënyrën e dhënies së provimit profesional në
harmoni me paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni.
Neni 25
Të drejtat dhe detyrat e inspektorit
1. Gjatë mbikëqyrjes inspektuese, inspektorët kontrollojnë të gjitha objektet, stabilimentet, impiantet dhe
ndërmarrin masa tjera të nevojshme për vërtetimin dhe zbatimin e masave të përcaktuara për mbrojtje
nga zjarri.
2. Gjatë mbikëqyrjes inspektuese, inspektorët kanë të drejtë të hyjnë në objekte banimi sipas kërkesës
së banorëve me qëllim të mënjanimi të rrezikut për jetën e njerëzve dhe pasurisë.
3. Pronarët, respektivisht shfrytëzuesit e objekteve, janë të obliguar që inspektorëve t’ju mundësojnë
mbikëqyrjen inspektuese, t’ju ofrojnë dokumentacionin dhe të dhëna të nevojshme.
Neni 26
Mbajtja e procesverbalit nga inspektorët
1. Për kontrollin e kryer, inspektori për mbrojtje nga zjarri është i obliguar të përpilojë procesverbalin.
2. Një kopje e procesverbalit i dorëzohet pronarit, respektivisht shfrytëzuesit të objektit, pjesës së
objektit ku është kryer inspektimi.
3. Gjatë kontrollit, inspektori është i obliguar të ruaj konfidencialitetin e të dhënave në pajtim me Ligjin
për mbrojtjen e të dhënave personale dhe Ligjin për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e
sigurisë.
Neni 27
Njoftimi
Nëse gjatë mbikëqyrjes inspektuese, inspektorët e mbrojtjes nga zjarri të agjencisë, konstatojnë se
gjatë ndërtimit të objekteve nuk janë zbatuar masat e mbrojtjes nga zjarri të parapara me projektin
kryesor, atëherë e informon organin kompetent për urbanizëm i cili e ka dhënë lejen për ndërtim për
ndërmarrjen e masave ligjore.
10
Neni 28
1. Nëse gjatë mbikëqyrjes inspektuese, inspektori i mbrojtjes nga zjarri i agjencisë konstaton se nuk
janë përmbushur kushtet nga neni 17 i këtij ligji, me vendim ndalohet përdorimi i tyre.
2. Ankesa kundër vendimit nga paragrafit 1. të këtij neni, nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.
Neni 29
Detyrimet e pronarëve dhe shfrytëzuesve
1. Me qëllim të evitimit të shfaqjes së zjarrit, shpëtimit të njerëzve, pasurisë së rrezikuar nga zjarri,
ministria me vendim i obligon pronarët, shfrytëzuesit e objekteve apo pjesëve të objektit, që të
ndërmarrin masa të caktuara të mbrojtjes nga zjarri, të përcaktuara me këtë ligj rregullave teknike,
planeve për mbrojtje nga zjarri të:
1.1. mbajnë në gjendje të rregullt stabilimentet, instalimet apo pajisjet;
1.2. rindërtojnë objektin apo pjesët e caktuara të objektit ;
1.3. largojnë mbeturinat nga objektet, të cilat kanë mbetur në procesin e punës apo janë të
vendosura në vendet e ndaluara me ligjet përkatëse;
1.4. largojnë lëndët nga objektet apo mjedisi, të cilat paraqesin rrezik për shkaktimin dhe
përhapjen e zjarrit;
1.5. mirëmbajnë të gjitha rrugët pyjore në gjendje që të mundësojnë afrimin e automjeteve
zjarrfikëse në çdo kohë;
1.6. vendosin instalime stabile, gjysmë stabile, të lëvizshme, pajisje të tjera përkatëse dhe
instalime për alarmim dhe fikje të zjarrit, si dhe pajisje dhe instalime të tjera mbrojtëse;
1.7. të ketë dalje të nevojshme nga objektet apo pjesët e objekteve për mundësimin e daljes
së shpejtë të personave në rast zjarri;
1.8. të pamundësojnë afrimin e automjeteve, të cilat gjatë punës mund të hedhin shkëndija në
vendet ku do të paraqesin rrezik nga zjarri;
1.9. të mbajnë në gjendje të rregullt pajisjen zjarrfikëse dhe mjetet tjera për fikje të zjarrit, apo
ato pajisje dhe mjete t’i vënë në vend të caktuar dhe të dukshëm;
1.10. të largojnë ato elemente nga stabilimentet, instalimet dhe pajisjet, të cilat gjatë punës
mund të shkaktojnë zjarr;
1.11. të largojnë materiet e ndezshme, të cilat u janë shtuar elementeve konstruktive të
objekteve apo të cilave u janë përpunuar hapësirat dalëse horizontale e vertikale të rrugëve,
nëse ato elemente paraqesin rrezik për shkaktim dhe përhapje të shpejtë të zjarrit;
1.12. të pamundësojnë hedhjen nga jashtë të sendeve, të cilat do të mund të shkaktojnë zjarr
në objekte në të cilat afrimi është i kufizuar;
1.13. të furnizojnë sasinë dhe llojin e caktuar të pajisjes teknike dhe mjeteve për alarmim dhe
fikje të zjarrit;
1.14. të sigurojnë kujdestari zjarrfikëse në objekte dhe pjesët e objekteve.
11
2. Për shkak të rrezikshmërisë së drejtpërdrejt nga zjarri Agjencia me vendim ndalon:
2.1. magazinimin e lëndëve sekondare, repromaterialit, produkteve finale dhe materieve tjera;
2.2. përdorimin e flakës së hapur në objektet e mbyllura dhe të hapura;
2.3. përdorimin e objekteve, apo pjesëve të objekteve, stabilimenteve, instalimeve dhe
pajisjeve tjera nëse me adaptimin e tyre nuk mund të hiqen mangësitë që mund të shkaktojnë
zjarr;
2.4. përdorimin e pajisjeve, instalimeve dhe mjeteve derisa nuk merren masat që rreziku të
evitohet;
2.5. kryerjen e punëve të caktuara në objekte apo pjesë të objekteve, ngjyrosje, rrjedhje të
fluideve të ndezshme dhe gazrave dhe ndezje të ngjyrave.
3. Ankesa kundër vendimit nga paragrafi 2. i këtij neni nuk e ndalon ekzekutimin e tij.
Neni 30
Mbajtja e evidencës
1. Agjencia mban evidencë nga lëmi i mbrojtjes nga zjarri për tërë territorin e Kosovës.
2. Ministria me akt nënligjor përcakton përbërjen e evidencave nga paragrafi 1. të këtij neni, si dhe
mënyrën e mbajtjes së tyre nga agjencia dhe komuna.
Neni 31
Bashkëpunimi me institucionet përkatëse shkencore
Ministria-Agjencia me qëllim të zbatimit dhe avancimit të masave për mbrojtjen nga zjarri të përcaktuara
me këtë ligj dhe akte nënligjore, bashkëpunon me institucionet përkatëse shkencore dhe hulumtuese si
dhe bën ekzaminimin dhe analizat tjera laboratorike.
KREU VI
TRAJNIMI DHE AFTËSIMI PROFESIONAL
Neni 32
1. Trajnimi dhe aftësimi profesional i zjarrfikësve do të bëhet nga njësia përkatëse e MPB-se për
trajnime si dhe institucionet tjera arsimore të cilat janë te licencuara dhe akredituara nga Ministria
përkatëse për arsim, shkencë dhe teknologji.
2. Ministria përcakton kushtet teknike te cilat duhet ti plotësoj institucioni i cili bën trajnimin dhe ngritjen
profesionale te zjarr-fikjes dhe shpëtimit.
Neni 33
Financimi
1. Mjetet për financimin e aktiviteteve dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes nga zjarri, sipas
këtij ligji sigurohen nga buxheti i Republikës së Kosovës.
2. Mjetet për zbatimin e masave të mbrojtjes nga zjarri, të përcaktuara me planin e mbrojtjes nga zjarri
të komunave sigurohen nga buxhetet komunale.
12
KREU VII
DISPOZITAT NDËSHKIMORE
Neni 34
Gjobat
1. Me gjobë prej pesëqind (500) deri tremijë (3000) Euro për kundërvajtje do të dënohen personat
juridik nëse:
1.1. nuk posedojnë leje për projektin kryesor dhe i cili nuk është në harmoni me kushtet e
rregullimit hapësinor sipas nenit 14 të këtij ligji;
1.2. kryen punët në kundërshtim me dispozitat e neneve 16, 17 dhe 18 të këtij ligji;
1.3. nuk posedon dëshmi lidhur me rregullimin e pajisjeve, instalimeve të cilat shërbejnë për
fikje dhe lajmërim të zjarrit dhe pajisje dhe instalime të tjera, të cilat bien ndesh me paragrafin
2. të nenit 16 dhe paragrafin 1. të nenit 17, si dhe certifikatën sipas paragrafit 3. të nenit 18 të
këtij ligji;
1.4. kryen punët në kontrollimin dhe servisimin e aparateve të mbrojtjes nga zjarri në
kundërshtim me paragrafin 5. të nenit 19 të këtij ligji;
1.5. nëse trajnimin dhe aftësimin profesional të zjarrfikësve e kryen në kundërshtim me
paragrafin 1. të nenit 32 të këtij ligji.
2. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni, personi përgjegjës i personit juridik do të dënohet me
gjobë në të holla, në shumën prej treqind (300) deri pesëqind (500) Euro.
Neni 35
1. Me gjobë prej pesëqind (500) deri njëmijë (1.000) Euro do të dënohet për kundërvajtje personi juridik
nëse:
1.1. nuk sjell rregulloren me të cilën përcaktohen masat dhe punët lidhur me rregullimin dhe
përparimin e mbrojtjes nga zjarri, apo nuk zbaton masat në përparimin e mbrojtjes nga zjarri të
parapara me rregulloren për mbrojtjen nga zjarri, sipas nenit 9 të këtij ligji;
1.2. kryesi i punimeve për përpunimin e sipërfaqeve të daljeve horizontale dhe vertikale dhe
rrugëve dalëse në objekte, përdor material ndërtimor i cili nuk i justifikon karakteristikat
rezistuese ndaj zjarrit sipas paragrafit 1. të nenit 15 të këtij ligji;
1.3. nuk mirëmban në gjendje të rregullt stabilimentet, pajisjet elektrike, të gazit, ventilimin dhe
instalime të tjera, oxhaqet dhe pajisje të tjera dhe nëse për mirëmbajtje nuk posedon
dokumentacion sipas paragrafit 1. të nenit 16 të këtij ligji;
1.4. nuk kontrollohen instalimet së paku një herë në vit nga personi juridik i autorizuar ose për
kontrollet e bëra nuk mbahet evidencë sipas paragrafit 1. të nenit 17 të këtij ligji;
1.5. i vë në qarkullim pajisjet, stabilimentet që përdoren për fikje, lajmërim dhe pengim të
përhapjes së zjarrit, për të cilin nuk është siguruar certifikata e personit juridik të autorizuar për
gjendjen e tyre të rregullt sipas paragrafit 3. të nenit 18 të këtij ligji;
1.6. pa leje vihen në qarkullim stabilimentet, pajisjet dhe mjetet, të cilat nevojiten për fikje të
zjarrit dhe lajmërim për të cilat nevojitet leja sipas paragrafit 5. neni 18 të këtij ligji;
13
1.7. nuk posedon stabilimentet, pajisjet dhe mjetet për fikje të zjarrit si pas nenit 19 të këtij ligji;
1.8. nuk sigurohet kujdestaria zjarrfikëse në formën e shërbimit për lajmërim me anë të
vrojtimit me mjetet dhe pajisjet përgjegjëse për shuarje të zjarrit sipas nenit 20 të këtij ligji;
1.9. nuk i mundëson inspektorit për mbrojtje nga zjarri, kryerjen e punës së tij apo nëse
refuzon të jap në shikim dokumentacionin me shkrim apo t’u ndihmoj në të dhënat e tjera të
nevojshme informuese sipas paragrafit 3. të nenit 25 të këtij ligji;
1.10. nuk zbaton masat e dhëna nga inspektorët për parandalim nga zjarri sipas nenit 27 të
këtij ligji;
1.11. nuk zbatohet vendimi i nxjerr nga ministria, sipas nenit 28 të këtij ligji;
2. Për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni do të dënohen me gjobë prej njëqind (100) deri treqind
(300) Euro edhe personat përgjegjës të personave juridik.
Neni 36
1. Me gjobë prej njëqind (100) deri treqind (300) Euro do të dënohen për kundërvajtje personat nëse:
1.1. si pronar, apo shfrytëzues i objekteve, pjesëve të objekteve apo mjedisit, nuk mban në
gjendje të rregullt pajisjet, stabilimentet elektrike, gazrat, ventilimet dhe instalimet tjera, oxhaqet
dhe pajisje të tjera, të cilat mund të shkaktojnë zjarr dhe nëse për mirëmbajtje nuk posedon
dokumentacion sipas paragrafit 1. të nenit 16 të këtij ligji;
1.2. nuk u mundëson inspektorëve për mbrojtje nga zjarri kryerjen e punëve të tyre dhe
dhënien e shënimeve të domosdoshme sipas paragrafit 3. të nenit 25 të këtij ligji;
1.3. nuk zbaton vendimet e inspektorit të agjencisë, sipas nenit 28 të këtij ligji;
1.4. nuk zbaton vendimin e ministrisë sipas paragrafit 1. të nenit 29 të këtij ligji.
Neni 37
1. Për kundërvajtjen nga neni 35 të këtij ligji, inspektimi i kryer për të dytën herë, përveç gjobës në të
holla shqiptohet edhe masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë në afat prej gjashtë (6) muajsh.
2. Për kundërvajtjen nga neni 35 të këtij ligji, inspektimi i kryer për të tretën herë, përveç gjobës në të
holla shqiptohet masa e ndalimit për pezullim të aktivitetit.
KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 38
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ministria në afat brenda një (1) viti nxjerr akte nënligjore për zbatimin e
këtij ligji.
2. Ministria në bashkëpunim me ministritë tjera përgjegjëse në kuadër të kompetencave të përcaktuara
me ligj, nxjerr akte nënligjore lidhur me kushtet e sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri.
Neni 39
14
1. Komunat janë të obliguara të harmonizojnë planin e mbrojtjes nga zjarri, të përcaktuar në nenin 5 të
këtij ligji, në afatin prej gjashtë (6) muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
2. Personat juridik dhe shërbimet profesionale, janë të obliguara të harmonizojnë rregulloret për
mbrojtje nga zjarri të përcaktuara në nenin 9 të këtij ligji në afatin kohor prej gjashtë (6) muajsh nga dita
e hyrjes në fuqi.
3. Personat e autorizuar sipas paragrafit 2. i nenit 16, paragrafët 1. dhe 2. të nenit 17 dhe paragrafit 5.
të nenit 19 të këtij ligji, janë të obliguara që në afat prej gjashtë (6) muajsh, nga dita e nxjerrjes së
akteve nënligjore, të cilat rregullojnë kushtet për kryerjen e punëve të inspektimit, të harmonizojnë
veprimtarinë e tyre me dispozitat e këtyre akteve.
4. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për objektet, pjesët e objekteve dhe mjedisin me interes të
veçantë në rast se nuk janë të rregulluara me ligj përkatës në fushën e mbrojtjes nga zjarri.
Neni 40
Shfuqizimi
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji për mbrojtjen nga zjarri Nr. 02/L-41.
Neni 41
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 04/ L-012
21 korrik 2011
Shpallur me dekretin Nr.DL-009-2011, datë 03.08.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.