LIGJI NR. 04/L-010 PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMUNAL

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 7 / 10 GUSHT 2011, PRISHTINË


LIGJI Nr. 04/L-010
PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMUNAL


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR BASHKËPUNIM NDËRKOMUNAL


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është rregullimi i bashkëpunimit ndër-komunal dhe i bashkëpunimit të komunave të
Republikës së Kosovës me komuna dhe institucione të tjera të qeverisjes lokale jashtë Republikës së
Kosovës.

Neni 2
Fushëveprimi

1. Me këtë ligj rregullohet bashkëpunimi ndër-komunal midis komunave të Republikës së Kosovës për
nevojat e ushtrimit të kompetencave të tyre vetanake dhe të zgjeruara në pajtim me Kushtetutën e
Republikës së Kosovës, ligjin në fuqi si dhe Kartën Evropiane për vetëqeverisje lokale të Këshillit të
Evropës.

2. Me këtë ligj po ashtu rregullohet bashkëpunimi i komunave të Republikës së Kosovës me komuna
ose institucione të tjera të qeverisjes lokale jashtë Republikës së Kosovës në kuadër të binjakëzimit ose
formave të tjera të bashkëpunimit brenda kompetencave vetanake dhe të zgjeruara të komunave.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Bashkëpunimi ndër-komunal - marrëdhëniet e vendosura midis dy apo më shumë
komunave të Republikës së Kosovës në bazë të marrëveshjes për ushtrimin më efikas dhe më
efektiv të kompetencave dhe detyrave vetanake dhe të zgjeruara të komunave të përcaktuara
me ligj si dhe për realizimin e interesave dhe qëllimeve të tyre të përbashkëta në fushën e
shërbimeve publike komunale dhe të zhvillimit lokal.

1.2. Bashkëpunimi komunal ndërkombëtar - të gjitha format e bashkëpunimit të komunave të
Republikës së Kosovës me komuna ose institucione të tjera të vetëqeverisjes lokale jashtë
Republikës së Kosovës për nevojat e binjakëzimit ose formave të tjera të bashkëpunimit në
kuadër të kompetencave vetanake dhe të zgjeruara të komunave.


2


KREU II
BASHKËPUNIMI NDËRKOMUNAL VENDOR

Neni 4
Parimet e bashkëpunimit komunal

1. Për realizimin e qëllimeve dhe interesave të përbashkëta lidhur me ushtrimin e kompetencave të tyre
vetanake dhe të zgjeruara sipas ligjit, dy ose më shumë komuna kanë të drejtë të hyjnë në marrëdhënie
bashkëpunimi në pajtim me format, kushtet dhe procedurat e përcaktuara me këtë ligj.

2. Në kuadër të bashkëpunimit ndër-komunal, komunat nuk kanë të drejtë të heqin dorë nga
kompetencat e tyre apo të mandatojnë një ose më shumë komuna të tjera me ushtrimin e
kompetencave të tyre të përcaktuara në paragrafin 2. të nenit 40 të Ligjit për vetëqeverisje lokale.

3. Komunat e përfshira në cilëndo formë të bashkëpunimit ndër-komunal veç e veç dhe bashkërisht
mbajnë përgjegjësinë juridike për të gjitha veprimet dhe aktet juridike që rezultojnë nga bashkëpunimi
në fjalë.

Neni 5
Bazat e bashkëpunimit ndër-komunal

1. Bashkëpunimi ndër-komunal është i bazuar në:

1.1. interesin e përbashkët lokal;

1.2. ushtrimin e një ose më shumë kompetencave vetanake ose të zgjeruara të komunave;

1.3. vullnetin e lirë të komunave për të krijuar marrëdhënie të bashkëpunimit ndër-komunal;

1.4. ndarjen e roleve dhe përgjegjësive midis komunave dhe bashkimin e resurseve komunale
për nevojat e bashkëpunimit;

1.5. përmirësimin e ekonomicitetit, efikasitetit dhe efektivitetit të shërbimeve komunale në dobi
të qytetarëve.

Neni 6
Nisma për vendosje ne bashkëpunimit ndër-komunal

1. Procedura për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal fillohet përmes nismës.

2. Nisma për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal parashtrohet me shkrim nga:

2.1. Kryetari i Komunës;

2.2. 1/3 e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.

3. Nisma për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal parashtrohet me shkrim nga:

3.1. së paku 5 % e qytetarëve të komunës me të drejtë vote;

3.2. Qeveria e Republikës së Kosovës, kur themelimi i bashkëpunimit ndër-komunal
konsiderohet të jetë me interes të veçantë publik dhe lokal.

3
4. Nisma për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal duhet të përmbajë qëllimin e bashkëpunimit,
kompetencat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin, komunat e përfshira në bashkëpunim, formën e
bashkëpunimit, përfitimet e pritura, implikimet e mundshme financiare nga bashkëpunimi, si dhe çështje
të tjera të rëndësishme mbi themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal.

5. Kryetari i Komunës ka për detyrë që brenda tri (3) javëve nga dita e parashtrimit të nismës t’ia jep
Kuvendit Komunal mendimin e tij me shkrim dhe të arsyetuar lidhur me iniciativën apo propozimin në
fjalë, përveç nëse nismën e ka parashtruar vet kryetari i komunës.

6. Nisma për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal i parashtrohet Kuvendit të Komunës për
miratim.

Neni 7
Procedimi i nismës për vendosjen e bashkëpunimit ndër-komunal

1. Kuvendi i Komunës e shqyrton nismën së bashku me mendimin e Kryetarit të komunës dhe merr
vendim me shumicën e votave të anëtarëve të Kuvendit të Komunës mbi nevojën e vendosjes së
bashkëpunimit në pajtim me ligjin në fuqi.

2. Kuvendi i Komunës ka për detyrë të mbajë një seancë të hapur për shqyrtimin dhe marrjen e
vendimit lidhur me nismën në bazë të nenit 6 të këtij ligji. Seanca në fjalë duhet të mbahet brenda
nëntëdhjetë (90) ditëve nga paraqitja e nismës dhe për këtë duhet t’i informojë palët e interesuara.

3. Nëse Kuvendi i Komunës e miraton nismën për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal, atëherë
Kuvendi me vendim e autorizon kryetarin e komunës për t’i filluar konsultimet me komunat dhe palët e
tjera të interesuara për pjesëmarrjen e tyre në bashkëpunim dhe në bazë të këtyre konsultimeve ta
përgatisin propozim-marrëveshjen për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal. Pas marrjes së
autorizimit, kryetari i komunës e njofton komunën gjegjëse për nismën me të cilin kërkohet themelimi i
bashkëpunimit ndër-komunal.

4. Kuvendi i Komunës, të cilës i dërgohet nisma për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal nga
paragrafi 3. i këtij neni, ka për detyrë të merr vendim për fillimin e bisedimeve mbi themelimin e
bashkëpunimit të propozuar brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga dita e pranimit të propozimit. Në rast se
Kuvendi Komunal e miraton nismën, atëherë ai me vendim e autorizon kryetarin e komunës që të
përfaqësojë komunën gjatë bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për bashkëpunim ndër-komunal.

Neni 8
Marrëveshja për bashkëpunimin ndër-komunal

1. Marrëveshja për themelimin e bashkëpunimit ndër-komunal përmban të paktën elementet vijuese:

1.1. palët kontraktuese;

1.2. lëndën kryesore të marrëveshjes, qëllimin dhe afatin e saj kohor;

1.3. të drejtat dhe detyrimet e secilës palë të përfshirë në marrëveshje;

1.4. formën ligjore të bashkëpunimit dhe burimet e financimit dhe buxhetit;

1.5. kushtet për tërheqje nga marrëveshja dhe shkëputjen e marrëveshjes;

1.6. procedura e zgjidhjes së konflikteve eventuale;

1.7. hollësitë tjera të marrëveshjes ashtu siç janë pajtuar palët/komunat partnere.

4
2. Marrëveshja e bashkëpunimit ndër-komunal nënshkruhet nga kryetarët e komunave dhe miratohet
nga kuvendet komunale të komunave që janë pjesëmarrëse në bashkëpunimin ndër-komunal.
Marrëveshja e bashkëpunimit ndër-komunal bëhet e plotfuqishme pas vlerësimit të ligjshmërisë së saj
nga Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale dhe publikimit të marrëveshjes në Gazetën Zyrtare të
Republikës së Kosovës.

3. Dispozitat e këtij neni vlejnë për të gjitha format e bashkëpunimit ndër-komunal të përcaktuara me
këtë ligj.

Neni 9
Format e bashkëpunimit ndër-komunal

1. Bashkëpunimi ndër-komunal mund të realizohet përmes themelimit të:

1.1. grupit të përbashkët punues;

1.2. organit të përbashkët administrativ;

1.3. institucionit të përbashkët publik;

1.4. ndërmarrjes së përbashkët publike;

1.5. partneriteteve të përbashkëta publiko-private.

Neni 10
Grupet punuese të përbashkëta

1. Dy ose më shumë komuna mund të formojnë grupe punuese të përkohshme ose të përhershme dhe
komisione për shqyrtimin e çështjeve të caktuara në kuadër të kompetencave të komunës.

2. Të drejta dhe detyrimet e grupeve të përbashkëta rregullohen me marrëveshje.

Neni 11
Organi i përbashkët administrativ

1. Dy ose më shumë komuna mund të themelojnë një ose më shumë organe të përbashkëta
administrative për ushtrimin e kompetencave të caktuara të komunave të përcaktuara me ligj.

2. Të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella të komunave të cilat e kanë formuar organin e përbashkët
administrativ rregullohen me marrëveshje.

3. Me marrëveshjen nga paragrafi 1. i këtij neni përcaktohen:

3.1. kompetencat të cilat ushtrohen nga organi i përbashkët administrativ;

3.2. kryesuesi i organit të përbashkët administrativ;

3.3. vendet e punës të organit të përbashkët administrativ;

3.4. procedura e zgjidhjes së konflikteve eventuale;

3.5. procedura e zgjidhjes së marrëveshjes;

3.6. mbikëqyrja dhe kontrolli gjithashtu mund të pasqyrohen;

3.7. buxheti dhe kontabiliteti;
5

3.8. mekanizmat për monitorim dhe vlerësim;

3.9. selia e organit të përbashkët administrativ;

3.10. mënyra e financimit të organit të përbashkët administrativ.

4. Organi i përbashkët administrativ i kryen punët administrative dhe profesionale për të cilat është
themeluar në emër dhe për llogari të komunave të cilat e kanë themeluar si dhe në kuadër të
kompetencave të këtyre komunave.

5. Organi i përbashkët administrativ nuk është subjekt juridik dhe të gjitha veprimet dhe aktet që i nxjerr
në bazë të marrëveshjes përmes së cilës është themeluar konsiderohen veprime dhe akte të komunave
që e kanë themeluar.

6. Kryesuesi i organit të përbashkët administrativ i raporton dhe i jep llogari kryetarëve të komunave të
cilat e kanë themeluar këtë organ për punën e vet.

7. Komunat të cilat e kanë themeluar organin e përbashkët administrativ caktojnë shërbyes civil
komunal për detyrë në organin e përbashkët administrativ. Shërbyesit civil të caktuar për detyrë në
organin e përbashkët administrativ i raportojnë dhe i zbatojnë udhëzimet e kryesuesit të organit të
përbashkët administrativ.

8. Organi i përbashkët administrativ i nënshtrohet mbikëqyrjes së ligjshmërisë dhe të arsyeshmërisë
nga komuna lidhur me veprimet dhe aktet të cilat i ndërmerr në emër dhe për llogari të komunës
përkatëse.

Neni 12
Ndërmarrja e përbashkët publike

Në kuadër të bashkëpunimit ndër-komunal dhe për nevojat e kryerjes së shërbimeve publike lokale,
komunat mund të themelojnë ndërmarrje të përbashkëta publike në pajtim me kushtet dhe procedurat e
përcaktuara në Ligjin për ndërmarrjet publike.

Neni 13
Institucioni i përbashkët publik

1. Komunat mund të themelojnë një ose më shumë institucione të përbashkëta publike për kryerjen e
veprimtarive të caktuara me interes publik dhe me rëndësi lokale nga fusha e arsimit, kulturës,
shëndetësisë, mbrojtjes sociale, si dhe të fushave të tjera që janë kompetencë vetanake ose e zgjeruar
e komunave.

2. Për themelimin e Institucionit të përbashkët publik, kryetarët e komunave lidhin dhe nënshkruajnë
marrëveshje me të cilën i rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e ndërsjella.

3. Institucioni i përbashkët publik themelohet me vendim që miratohet nga ana e kuvendeve përkatëse
të komunave.

4. Vendimi për institucionin e përbashkët publik miratohet me shumicë votash nga numri i përgjithshëm
i anëtarëve të kuvendit të çdo komune, themeluese të institucionit të përbashkët publik.

5. Me vendimin për themelimin e institucionit të përbashkët publik përcaktohet veçanërisht:

5.1. emri i komunave themeluese;

5.2. emri dhe selia e institucionit;
6

5.3. veprimtaria e institucionit;

5.4. resurset të cilat themeluesit i kanë siguruar për themelim dhe fillimin me punë të
institucionit dhe mënyra e sigurimit të mjeteve;

5.5. burimet e përhershme të financimit, mënyra dhe kushtet për sigurimin e mjeteve për punë
të institucionit;

5.6. të drejtat dhe obligimet e themeluesit në kuptim të kryerjes së veprimtarisë,
përkatësisht kryerjes së punëve të institucionit;

5.7. të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të institucionit dhe themeluesit;

5.8. kohëzgjatja e punës së institucionit;

5.9. të drejtat, obligimet dhe detyrimet e institucionit në raport me palët e treta;

5.10. përgjegjësia e themeluesve për borxhet e institucionit të krijuara para dhe pas formimit
të institucionit të përbashkët publik;

5.11. personi i cili do të menaxhojë me institucionin dhe do të kryejë punët për përfaqësimin
dhe prezantimin e institucionit dhe autorizimet e tij në qarkullimin juridik;

5.12. organizimi i institucionit;

5.13. emërimi i anëtarëve të organit të udhëheqjes;

5.14. afati për miratimin e statutit dhe për emërimin e drejtorit;

5.15. mënyra e dispozicionit me tepricën e të hyrave mbi të dalat dhe mënyra e mbulimit të
mangësisë së mjeteve për punën e institucionit;

5.16. personi që i kryen punët deri në konstituivin e institucionit;

5.17. numri, përbërja dhe mënyra e zgjedhjes së organit drejtues;

5.18. mënyra e zgjedhjes së drejtorit; dhe

5.19. përbërja dhe mënyra e zgjedhjes së organit për mbikëqyrje.

Neni 14
Partneritetet e përbashkëta publiko-private

Në kuadër të bashkëpunimit ndër-komunal dhe për nevojat e kryerjes së shërbimeve publike lokale dhe
të ofrimit të infrastrukturës publike, komunat mund të hyjnë bashkërisht në forma institucionale ose
kontraktore të partneriteteve publiko-private në pajtim me kushtet dhe procedurat e përcaktuara në
legjislacionin përkatës për partneritete publiko-private.

Neni 15
Mandati për ushtrimin e kompetencave komunale

1. Një komunë mund të mandatojë në bazë të marrëveshjes një komunë tjetër me ushtrimin e
kompetencave të caktuara të saj. Komuna e mandatuar i ushtron kompetencat e caktuara në
marrëveshje në emër dhe në llogari të komunës mandatuese, ndërsa kjo e fundit mbetet përgjegjëse
për të gjitha veprimet dhe aktet e komunës së mandatuar.
7

2. Marrëveshjen nga paragrafi 1. i këtij neni e lidhin kryetarët e komunave me marrjen e vendimeve
paraprake nga ana e kuvendeve të komunave.

3. Me marrëveshjen nga paragrafi 1. i këtij neni përcaktohen:

3.1. komuna e cila i kryen punët në kompetencë të komunës ose komunave për të cilat kryhen
punët;

3.2. lloji i punëve dhe lartësia e kompensimit apo taksat e shfrytëzuesit për kryerjen e punëve;

3.3. kohëzgjatja e kryerjes së punëve;

3.4. kushtet dhe procedura për pushimin e marrëveshjes, dhe

3.5. çështje të tjera.

Neni 16
Nxitja e bashkëpunimit ndër-komunal

1. Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes stimulimeve financiare dhe administrative, mund të nxisë
dhe të përkrahë në mënyrë financiare bashkëpunimin ndër-komunal në dy ose më shumë komuna në
fushat të cilat janë me rëndësi dhe interes më të gjerë për kryerjen e veprimtarisë në ato fusha.

2. Qeveria e Republikës së Kosovës me propozimin e ministrisë përgjegjëse për qeverisje lokale me
akte të veçanta i përcakton fushat/kompetencat me rëndësi dhe interes më të gjerë për të cilat do të
mund të ndajë mjete financiare për nxitjen e bashkëpunimit ndër-komunal.

3. Qeveria e Republikës së Kosovës mund të nxisë dhe të përkrah bashkëpunimin ndër komunal sipas
kritereve të përcaktuara nga Qeveria në bazë të propozimit të Ministrisë përgjegjëse për qeverisje
lokale.

4. Nxitja e bashkëpunimit ndër-komunal mund të financohet nga buxheti i Republikës së Kosovës, duke
përfshirë buxhetet komunale, donacionet vendore dhe ndërkombëtare, dhe mjetet e tjera financiare të
lejuara me ligjin përkatës për menaxhimin e financave publike.

Neni 17
Monitorimi i bashkëpunimit ndër-komunal

Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale, në bashkëpunimin me ministrinë përgjegjëse për financa,
përcjellë zhvillimin e bashkëpunimit ndër-komunal si dhe mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve financiare
të dedikuara për nxitjen e bashkëpunimit ndër-komunal sipas legjislacionit në fuqi.


KREU III
BASHKËPUNIMI KOMUNAL NDËRKOMBËTAR

Neni 18
Rregullat e përgjithshme të bashkëpunimit komunal ndërkombëtar

1. Në kuadër të kompetencave të tyre vetanake dhe të zgjeruara, për nevojat e bashkëpunimit
administrativ, komunat e Republikës së Kosovës mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi me komuna
dhe institucione të huaja të qeverisjes lokale në pajtim me kushtet, kufizimet dhe procedurat e
përcaktuara në Ligjin për vetëqeverisje lokale.

8
2. Marrëveshjet e lidhura nga komunat në kuadër të bashkëpunimi komunal ndërkombëtar janë vetëm
të natyrës administrative dhe teknike.

3. Në kuadër të bashkëpunimit komunal ndërkombëtar, komunat nuk kanë të drejtë të heqin dorë nga
kompetencat e tyre të përcaktuara me ligj, t’ia delegojnë një komune ose autoriteti publik të huaj
ushtrimin e kompetencave të veta si dhe t’ia lejojnë komunës ose autoritetit publik të huaj ushtrimin e
çfarëdo pushteti ekzekutiv, administrativ, legjislativ në territorin e Republikës së Kosovës ose që synon
të ketë efekt të tillë në territorin e Republikës së Kosovës.

4. Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale nxjerr aktet nënligjore të nevojshme për rregullimin e
bashkëpunimit komunal ndërkombëtar në pajtim me këtë ligj, Ligjin për vetëqeverisje lokale si dhe ligjet
tjera përkatëse.


KREU IV
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 19
Përgjegjësitë e Ministrisë përgjegjëse për pushtetin lokal

1. Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale mbikëqyr zbatimin e këtij ligji, ligjshmërinë e veprimeve dhe
të akteve të komunave sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale si dhe ushtron përgjegjësitë tjera të
përcaktuara me këtë ligj.

2. Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale harton raporte në bazë vjetore, të cilat, deri më 1 mars të
vitit pasues i paraqiten Qeverisë.

Neni 20
Aktet nënligjore

Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale nxjerr aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e këtij ligji,
përveç nëse është përcaktuar ndryshe në këtë ligj. Të gjitha aktet nënligjore që kërkohen me këtë ligj
do të nxirren, jo më vonë se gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 21
Dispozitat kalimtare dhe përfundimtare

Komunat të cilat deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji kanë vendosur bashkëpunim ndër-komunal,
janë të obliguara t’ia dorëzojnë aktet për bashkëpunimin e vendosur ministrisë përgjegjëse për
qeverisje lokale, në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 22
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 04/ L-010
21 korrik 2011

Shpallur me dekretin Nr.DL-012-2011, datë 03.08.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.