1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 7 / 10 GUSHT 2011, PRISHTINË
LIGJI Nr. 04/L-008
PËR KËSHILLIN EKONOMIKO-SOCIAL
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR KËSHILLIN EKONOMIKO-SOCIAL
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj rregullon dhe përcakton organizimin, fushëveprimin, format e punës dhe funksionimin e
përgjithshëm të Këshillit ekonomiko-social, si dhe përcaktimin e kushteve dhe kritereve për
përfaqësimin e partnerëve social në këtë organ trepalësh.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjithë partnerët social në nivel nacional, të cilët në KES-ë
përfaqësohen nga:
1.1. Organizatat e të punësuarve (sindikatat);
1.2. Organizatat e punëdhënësve; dhe
1.3. Qeveria e Kosovës.
Neni 3
Qëllimi i themelimit të Këshillit Ekonomiko-Social
Këshilli Ekonomiko-Social (KES), themelohet me qëllim të vendosjes dhe zhvillimit të dialogut social në
Republikën e Kosovës për të punësuarit dhe punëdhënësit, për çështje të rëndësisë së veçantë, të cilat
kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të tyre ekonomike, sociale dhe profesionale, që realizohen,
përmes zgjidhjeve të kontesteve me marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe.
Neni 4
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Partnerë social - përfaqësuesit e organizatave të punësuarve (sindikatat), përfaqësuesit e
organizatave të punëdhënësve dhe autoritetet qeveritare të Republikës së Kosovës;
1.2. Dialogu socio-ekonomik - procesi demokratik i konsultimeve dhe i këmbimit të
informatave në mes të përfaqësuesve të punëdhënësve, të punësuarve dhe të Qeverisë;
2
1.3. Organizatat e të punësuarve - (sindikatat) - organizata të pavarura, vullnetare të të
punësuarve, të themeluara për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve;
1.4. Organizatat e punëdhënësve - organizata në të cilat punëdhënësit bashkohen
vullnetarisht, për mbrojtjen e interesave të tyre;
1.5. Organet profesionale të KES-it - organe të Këshillit Ekonomiko-Social, të cilat zgjedhën
me qëllim të shqyrtimit dhe përmbarimit të çështjeve të caktuara nga fusha e dialogut social;
1.6. Sekretariati - organi i Këshillit ekonomiko-social, i cili e ndihmon KES-in në realizimin e
detyrave dhe përgjegjësive të tij, përmes kryerjes së punëve organizative, administrative,
operative dhe teknike;
1.7. Ministria - Ministria përkatëse për punë dhe mirëqenie sociale;
1.8. KES-i - Këshilli Ekonomiko-Social;
1.9. OJQ - Organizatë Jo-Qeveritare.
Neni 5
Këshilli Ekonomiko-Social
1. Këshilli Ekonomiko-Social (në tekstin e mëtutjeshëm “KES”), është organ i nivelit nacional, i cili
udhëheq konsultimet dhe bënë propozime organeve kompetente për çështjet nga marrëdhënia e
punës, mirëqenia sociale dhe çështjet e tjera që kanë të bëjnë me politikat ekonomike në Republikën e
Kosovës.
2. KES-i si organ më i lartë trepalësh është apolitik dhe funksionon si i pavarur, pa ndikim të ndonjë
grupacioni apo interesi politik që vjen nga jashtë.
Neni 6
Përbërja e Këshillit Ekonomiko-Social
1. KES-i përbëhet prej pesëmbëdhjetë (15) anëtarëve, të cilët në këtë organ përfaqësojnë interesat e
Organizatave të punësuarve, Organizatave të punëdhënësve dhe Qeverisë.
2. KES-i përbëhet nga:
2.1. pesë (5) përfaqësues të cilët caktohen nga Organizatat e të punësuarve;
2.2. pesë (5) përfaqësues të cilët caktohen nga Organizatat e punëdhënësve; dhe
2.3. pesë (5) përfaqësues të cilët caktohen nga Qeveria e Kosovës.
3. Përfaqësimi në KES i Organizatave të të punësuarve dhe Organizatave të punëdhënësve,
përcaktohet në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara në nenin 7 të këtij ligji.
Neni 7
Kushtet dhe kriteret për përfaqësim në KES
1. Kushtet dhe kriteret për përfaqësimin në KES, për Organizatat e të punësuarve, janë:
1.1. numri i përgjithshëm i anëtarëve, i vërtetuar përmes dëshmisë (deklaratave personale,
librezës së anëtarësisë, etj.) dhe pagesës së anëtarësisë sindikale, i cili nuk mund të jetë më i
vogël se 10%, nga numri i tërësishëm i të punësuarve në Republikën e Kosovës;
3
1.2. numri i marrëveshjeve kolektive të lidhura me ndërmarrjet apo institucionet e ndryshme;
1.3. numri i degëve sindikale, të anëtarësuara në format e organizimit sindikal në nivel
nacional, të cilat aplikojnë për përfaqësim në KES-ë;
1.4. numri i zgjidhjes së kontesteve të punës dhe kontesteve të tjera përmes marrëveshjeve
kolektive dhe ndërmjetësimit;
1.5. anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare të punëtorëve.
2 . Kushtet dhe kriteret për përfaqësim në KES-ë për Organizatat e punëdhënësve janë:
2.1. numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të anëtarësuara, i cili nuk mund të jetë më i vogël se
10% nga numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve të regjistruara në Administratën Tatimore të
Republikës së Kosovës;
2.2. numri i punëtorëve të punësuar në ndërmarrjet e anëtarësuara në Organizatat e
punëdhënësve të cilat aplikojnë për përfaqësim në KES-ë;
2.3. numri i zgjidhjes së kontesteve të punës dhe kontesteve tjera, përmes marrëveshjeve
kolektive dhe ndërmjetësimit;
2.4. numri i ndërmarrjeve dhe subjekteve tjera ekonomike të cilat drejtpërsëdrejti ndikojnë në
nxitjen e punësimit dhe zbutjen e papunësisë;
2.5. anëtarësimi në Organizatat ndërkombëtare të punëdhënësve.
3. Institucionet e Republikës së Kosovës, në Këshillin Ekonomiko-Social, përfaqësohen nga ministrat e
këtyre ministrive:
3.1. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale;
3.2. Ministri i Financave;
3.3. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë;
3.4. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe
3.5. Ministri i Shëndetësisë.
4. Ministria do të shpall ftesë publike për përfaqësimin në KES-ë, për organizatat e të punësuarve dhe
organizatat e punëdhënësve të nivelit nacional, që veprojnë dhe punojnë në Republikën e Kosovës.
5. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në afat prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij
ligji, nxjerr akt nënligjor për përbërjen e komisionit përzgjedhës për anëtarët e KES-it, nga organizatat e
të punësuarve dhe të punëdhënësve.
Neni 8
Funksionet e KES-it
1. Funksionet e Këshillit Ekonomiko-Social janë:
1.1. këshillimi dhe udhëzimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, në krijimin dhe
realizimin e politikave të punës, mirëqenies sociale dhe politikave ekonomike;
4
1.2. nxitja e konsultimeve në mes palëve, si dhe nënshkrimi i kontratave dhe marrëveshjeve
kolektive, në nivel nacional;
1.3. aktivitete të tjera të dialogimit ekonomiko-social, për zhvillimin dhe avancimin e politikave
të punës dhe mirëqenies sociale në Republikën e Kosovës.
Neni 9
Detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e KES-it
1. KES-i me qëllim të realizimit të suksesshëm të funksioneve të tij, është përgjegjës dhe kompetent,
për:
1.1. krijimin, zhvillimin dhe përparimin e dialogut social në Republikën e Kosovës;
1.2. nismat ligjore për nxjerrjen apo ndryshimin dhe plotësimin e akteve ligjore dhe nënligjore
nga fusha e punës dhe punësimit, mbrojtjes sociale dhe politikave ekonomike në përgjithësi;
1.3. shqyrtimin dhe vlerësimin e politikave sociale si dhe ndërmarrjen e masave për krijimin e
qëndrueshmërisë sociale në Republikën e Kosovës;
1.4. nxitjen e ideve për zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve sociale në Kosovë;
1.5. politikat e nxitjes së punësimit, zbutjen e papunësisë, konkurrencën, produktivitetin e
punës, çmimet, pagat dhe pagën minimale të të punësuarave në Republikën e Kosovës;
1.6. shqyrtimin e projektligjeve dhe akteve nënligjore nga fusha e punësimit dhe mbrojtjes
sociale, me qëllim të ofrimit të rekomandimeve për Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së
Kosovës;
1.7. sigurimin e vlerësimeve dhe opinioneve për organet përgjegjëse lidhur me zbatimin e
legjislacionit primar dhe sekondar nga fusha e punësimit dhe mbrojtjes sociale;
1.8. vlerësimin e funksionimit të këshillave të punës në ndërmarrjet e sektorit privat, publik dhe
format e tjera të organizimit statusor të ndërmarrjeve;
1.9. ofrimin dhe sigurimin e rekomandimeve për parandalimin dhe eliminimin e tregut informal
të punës në Republikën e Kosovës;
1.10. si dhe për çështje të tjera të cilat mund të zgjidhen përmes dialogut socio- ekonomik.
Neni 10
Vlerësimet dhe rekomandimet e KES-it
1. KES-i shqyrton projektligje, akte nënligjore dhe dokumente të tjera politike dhe strategjike, të cilat
janë të rëndësishme për pozitën socio-materiale të të punësuarve dhe punëdhënësve.
2. Vlerësimet dhe rekomandimet lidhur me dokumentin e shqyrtuar, nga paragrafi 1. i këtij neni, i
paraqiten Ministrisë përkatëse e cila është përgjegjëse për çështjen e shqyrtuar në KES-ë.
3. Ministria përkatëse është e detyruar që në afatin prej tridhjetë (30) ditësh, nga dita e marrjes së
vlerësimit-rekomandimit, ta informojë KES-in për qëndrimin e saj, lidhur me çështjen në fjalë.
4. Në rastet kur vlerësimet-rekomandimet janë të papranueshme për Ministrinë përkatëse, KES-i mund
t’ia paraqesë Qeverisë së Kosovës, vlerësimin-rekomandimin lidhur me çështjen në fjalë.
5
Neni 11
Organet e KES-it
1. Për zhvillimin dhe avancimin e dialogut socio-ekonomik në Republikën e Kosovës, KES-i themelon
organet e veta.
2. Organet e KES-it janë:
2.1. komisionet profesionale të KES-it;
2.2. grupet negociuese ad-hoc;
2.3. sekretariati i KES-it.
Neni 12
Komisionet profesionale trepalëshe
1. Në kuadër të KES-it, themelohen dhe funksionojnë këto komisione të përhershme profesionale
trepalëshe:
1.1. Komisioni për legjislacion;
1.2. Komisioni për punësim dhe aftësim profesional;
1.3. Komisioni për paga, çmime dhe pensione;
1.4. Komisioni për mbrojtjen shëndetësore, të ambientit dhe sigurisë në punë për të punësuarit;
1.5. Komisioni për financa, ekonomi dhe privatizim;
1.6. Komisione apo grupe punuese ad-hoc, dhe
1.7. Komisione të tjera profesionale për shqyrtimin e çështjeve të cilat janë kompetencë e KES-
it.
2. Komisionet profesionale trepalëshe, themelohen për të shqyrtuar dhe ofruar rekomandime për
çështje të cilat janë kompetencë e tyre në takimet e KES-it dhe organeve tjera qeveritare, me qëllim të
orientimit dhe zbatimit të politikave shtetërore në fushat të cilat i mbulojnë.
3. Për arritjen e objektivave, çdo komision mund të angazhojë profesionistë të kualifikuar të fushës për
të cilën është kompetent.
4. Përbërja e komisioneve përcaktohet nga KES-i, dhe kjo përbërje nuk mund të ketë më shumë se
nëntë (9) anëtarë.
5. Takimet e komisioneve, kryesohen nga kryesuesi i komisionit.
6. Kryesuesi i Komisionit caktohet nga KES-i, ndërsa anëtarët caktohen nga udhëheqësit e tyre.
7. Rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Rregulloren për punën e KES-it, aplikohen edhe në punën
e komisioneve dhe grupeve negociatore ad-hoc.
6
Neni 13
Grupet negociatore ad-hoc
1. Për zgjidhjen e konflikteve të ndryshme nga puna, mirëqenia sociale dhe çështjet ekonomike,
përfaqësuesit e Këshillit Ekonomiko-Social formojnë grupe negociatore ad-hoc.
2. Grupet negociatore ad–hoc të themeluara në KES-ë, përbëhen nga secila palë e përfaqësuar në
KES-ë.
3. Grupet negociatore ad–hoc janë përgjegjëse për përpilimin e rekomandimeve përfundimtare për
KES-in, lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me negociatat nën mandatin e tyre.
4. Grupet negociatore ad-hoc i kryeson përfaqësuesi i autorizuar nga KES-i.
Neni 14
Sekretariati i KES-it
1. Për funksionimin efikas dhe të ligjshëm të KES-it themelohet dhe funksionon sekretariati i KES-it, si
organ administrativ profesional.
2. Sekretariati i KES-it, duhet të ketë zyrën e vet me inventarin e nevojshëm për funksionimin normal të
këtij organi.
3. Sekretariati përbehet nga tre (3) zyrtarë, të cilët janë të zgjedhur nga Qeveria e Republikës së
Kosovës, Organizatat e të punësuarve (sindikatat) dhe Organizatat e punëdhënësve.
4. Përfaqësimi në sekretariatin e KES-it, do të jetë konform forcës prezantuese në KES-ë.
5. Sekretariati i KES-it është përgjegjës për kryerjen e punëve profesionale, administrative, teknike dhe
operative për Këshillin Ekonomiko-Social si dhe organet të cilat i zgjedh KES-i.
6. Punën e Sekretariatit e drejton udhëheqësi i sekretariatit, i cili për punën e vet dhe të sekretariatit i
përgjigjet dhe i raporton kryesuesit të KES-it
7. Për përmbarimin e suksesshëm të funksioneve, detyrave dhe përgjegjësive të KES-it, të përcaktuara
në nenin 8 dhe 9 të këtij ligji, sekretariati duhet të bashkëpunojë me të gjitha strukturat organizative të
KES-it, si dhe me organizma tjerë me interes.
Neni 15
Burimet financiare për punën e KES-it
1. Buxheti për fushëveprimin e KES-it, përbëhet nga:
1.1. mjetet financiare të buxhetit të Republikës së Kosovës;
1.2. kontributet vullnetare të Organizatave të punëdhënësve dhe të punësuarve; dhe
1.3. donacionet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
2. Mjetet nga buxheti i Republikës së Kosovës, do të përdorën për mbulimin e shpenzimeve për të
gjitha aktivitetet e KES-it.
7
3. Mjetet financiare të grumbulluara nga kontributet e Organizatave të punëdhënësve dhe të
punësuarve do të përdoren për financimin e seminareve, vizitave studimore, organizimin e
konferencave dhe për çështjet e tjera të cilat janë me interes për organizatat e lartpërmendura.
4. Në afatin ligjor KES-i bën propozimin dhe miratimin paraprak të projektbuxhetit vjetor, dhe nëpërmjet
Ministrisë ia propozon atë për miratim Qeverisë së Kosovës.
5. Për angazhimin, kontributin dhe punën efikase të KES-it, anëtarët e KES-it kanë të drejt në
kompensim mujor.
5.1. ky kompensim është 10% nga paga mujore (bruto), e ministrave në Qeverinë e
Republikës së Kosovës;
5.2. kompensimi mujor nuk i takon anëtarit të KES-it, atëherë kur ai nuk merr pjesë në një
takim të KES-it.
6. Për angazhimin, kontributin dhe punën efikase të komisioneve të përhershme profesionale, anëtarët
e komisioneve, kanë të drejtë në kompensim mujor.
6.1. ky kompensim është 10% nga paga mujore bruto të sekretarit të përhershëm të ministrive
në Qeverinë e Republikës së Kosovës;
6.2. kompensimi mujor nuk i takon anëtarit të komisioneve të përhershme profesionale, atëherë
kur ai nuk është i pranishëm, së paku, në dy (2) takime të caktuara nga komisionet e
përhershme profesionale.
7. Anëtarët e grupeve punuese dhe grupeve negociatore ad–hoc për angazhimet e tyre në këto grupe
mund të kompensohen me vendim të veçantë të KES-it.
8. Shuma mujore e kontributeve për organizatat e punëdhënësve dhe të punësuarve, që duhet të
paguajnë për KES-in, do të përcaktohet me akt të veçantë të nxjerrë nga KES-i.
Neni 16
Mënyra e punës në KES-ë
1. Takimet e KES-it janë të hapura dhe udhëhiqen nga kryesuesi i KES-it. Në mungesë të tij atë e
zëvendëson zëvendësi i tij.
2. Kryesuesi i KES-it e përfaqëson këtë organ, lidhë punë juridike, nënshkruan akte, marrëveshje dhe
kontrata, menaxhon me mjete financiare të KES-it, si dhe është përgjegjës për ligjshmërinë e punës së
KES-it.
3. Funksionin e Kryesuesit të KES-it, me rrotacion do ta ushtrojnë, përfaqësuesit e Republikës së
Kosovës, përfaqësuesit e organizatave të punësuarve (sindikatave), dhe përfaqësuesit e organizatave
të punëdhënësve.
4. KES-i për punën e vet dhe qëndrimet e marra lidhur me çështjet e caktuara, për të cilat paraqet
vlerësime apo rekomandime mund ti informojë publikun, përmes mjeteve të informimit.
5. Format e punës për këtë organ, në mënyrë të detajizuar do të rregullohen dhe përcaktohen me
rregulloren për punën të KES-it.
Neni 17
Marrja e vendimeve në KES
1. Vendimet e KES –it miratohen me 2/3 e votave të anëtarëve të përhershëm të KES- it.
8
2. Në takimet e veta KES-i mund të ftojë OJQ-ë të ndryshme dhe persona të respektuar (shkencëtarë,
ekspertë, profesionistë dhe analistë), për zgjidhjen dhe vendosjen e ndonjë çështjeje të rëndësishëm,
të cilët nuk kanë të drejtë vote.
3. Të gjithë anëtarët e përfaqësuar në KES-ë kanë të drejtën e një vote.
4. Gjatë votimeve, anëtarët e përhershëm votojnë me votim të fshehtë, ndërsa kryesuesi i njofton me
rezultatet e votimit në takimi.
5. Kryesuesi i KES-it, mund të vendosë që të gjithë partnerët social të votojnë me votim të hapur, kur
kanë të bëjnë me çështjet procedurale dhe teknike.
Neni 18
Organizimi i takimeve
1. Këshilli Ekonomiko-Social i mban takimet e veta të rregullta, së paku një herë në muaj.
2. Për shqyrtimin e çështjeve emergjente të dialogut social, të cilat janë të rëndësisë së veçantë, për
partnerët social, KES-i mund të mbajë edhe mbledhje të jashtëzakonshme.
3. Takimet e rregullta dhe të jashtëzakonshme thirren nga kryesuesi i KES-it.
Neni 19
Udhëheqja
1. Mbledhjet e KES-it udhëhiqen nga kryesuesi, i cili do të zgjidhet në përputhje me dispozitat e
paragrafit 3. të nenit 17 të këtij ligji.
2. Kryesues i KES-it në vitin e parë pas miratimit të këtij ligji dhe themelimit të këtij organi do të jetë
përfaqësuesi i Qeverisë, përkatësisht Ministri i Ministrisë përkatëse për punë dhe mirëqenie sociale, i
cili pasohet në mënyrë rotative nga përfaqësuesi i punëdhënësve dhe nga përfaqësuesi i të
punësuarve.
3. Mandati i Kryesuesit të KES-it zgjat një (1) vit.
Neni 20
Detyrat dhe përgjegjësitë e Kryesuesit
1. Detyrat dhe përgjegjësitë e Kryesuesit të KES-it janë:
1.1. të drejtojë takimet e KES-it, sipas dispozitave të këtij ligji, Rregullores për punën e KES-it
dhe akteve tjera nënligjore;
1.2. të propozojë rendin e ditës dhe konkluzionet nga takimet e KES-it;
1.3. të informojë Qeverinë, përmes Ministrit të Ministrisë përkatëse për punë dhe mirëqenie
sociale për rekomandimet e KES-it, si dhe për mendimet dhe qëndrimet e organizatave të të
punësuarve dhe punëdhënësve;
1.4. të përgatisë raport vjetor për punën e KES-it, si dhe
1.5. detyra të tjera të përcaktuara me Rregulloren për zhvillimin e punimeve të KES-it dhe me
akte tjera nënligjore.
Neni 21
Emërimet dhe shkarkimet në KES-ë
9
1. Secili partner social emëron përfaqësuesit e vet në KES-ë, sipas rregullave për zgjedhje dhe
emërime.
2. Mandati i anëtarëve të KES-it zgjat katër (4) vjet, të cilët po ashtu mund të riemërohen.
3. Mandati i anëtarëve të KES-it ndërpritet me
3.1. dorëheqje;
3.2. skadimin e afatit për emërimin e tij;
3.3. nëse është dënuar së paku me gjashtë (6) muaj burgim;
3.4. me shkarkim;
3.5. për shkaqe shëndetësore; dhe
3.6. në rast vdekje.
Neni 22
Zbatimi i Ligjit
Me propozimin e kryesuesit të KES-it, për zbatimin e drejtë dhe të plotë të këtij ligji, në afatin prej
gjashtë (6) muajsh, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, sekretariati i KES-it është i detyruar t’i përgatitë aktet
e nevojshme nënligjore, të cilat në takimet e veta do t’i shqyrtojë dhe miratojë ky organ.
Neni 23
Shfuqizimi i legjislacionit të aplikueshëm
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen dispozitat e Udhëzimit Administrativ për themelimin e këshillit
konsultativ trepalësh dhe dispozitat e Vendimit nr. 09/57 të datës 13.03.2009, të nxjerrë nga Qeveria e
Kosovës, si dhe çdo dispozitë tjetër ligjore e cila është në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 24
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 04/ L-008
21 korrik 2011
Shpallur me dekretin Nr.DL-010-2011, datë 03.08.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.