1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 4 / 14 KORRIK 2011, PRISHTINË
LIGJI NR. 04/L-018
PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM NGA AUTOPËRGJEGJËSIA
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 paragrafi (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR SIGURIMIN E DETYRUESHËM NGA AUTOPËRGJEGJËSIA
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Fushëveprimi
1. Ky ligj rregullon sigurimin nga autopërgjegjësia për dëmet e shkaktuara palëve të treta, që me këtë
ligj përcaktohet si sigurim i detyrueshëm.
2. Llojet tjera të sigurimeve të detyrueshme rregullohen me ligj të posaçëm.
3. Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për kategori të veçanta të mjeteve motorike të Forcave të Sigurisë
së Kosovës (FSK), të cilat do të përcaktohen me udhëzim të ministrive përkatëse.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. BQK - Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.
1.2. Sigurimi - sigurimi nga autopërgjegjësia.
1.3. Mjeti motorik - mjeti që lëviz në tokë me anë të fuqisë mekanike, por jo mbi shina,
rimorkioja dhe gjysmë rimorkioja, të bashkuara ose jo me mjetin motorik tërheqës, për të cilat
parashihet të regjistrohen dhe pajisen me dokument regjistrimi.
1.4. Pronar i mjetit motorik - personi që është i regjistruar në regjistrin e mjeteve motorike të
Kosovës, si pronar i mjetit motorik dhe bartës i tabelave të regjistrimit të mjetit motorik.
1.5. Drejtuesi i mjetit motorik - personi që drejton mjetin motorik.
1.6. Drejtues i paautorizuar - personi i cili në rastin e aksidentit drejton mjetin motorik pa
autorizimin e pronarit të mjetit motorik.
1.7. Posedues i mjetit motorik - personi fizik apo juridik i cili, me autorizimin e pronarit, e ka
në posedim apo përdorim mjetin motorik.
1.8. Pala e tretë - personi me të drejtë kompensimi sipas dispozitave të këtij ligji, të cilit i është
shkaktuar dëmi apo lëndimi nga mjeti motorik.
2
1.9. Siguruesi – kompania e sigurimit e licencuar nga BQK-ja për të zhvilluar aktivitete të
sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë.
1.10. Rast i siguruar - ngjarja e cila kur të ndodhë, rezulton me të drejtën për kompensim për
dëmin e shkaktuar nga mjeti motorik.
1.11. I siguruari - personi, interesi pasuror i të cilit është siguruar në rast përgjegjësie nga
posedimi dhe përdorimi i mjetit motorik.
1.12. Shuma minimale e sigurimit - shuma e sigurimit e përcaktuar si e detyrueshme sipas
këtij ligji për kontraktim të sigurimit të autopërgjegjësisë, që paraqet detyrimin maksimal te
siguruesit për dëmshpërblim nga një rast i siguruar, nëse nuk është kontraktuar ndryshe.
1.13. Primi i sigurimit - çmimi për mbulesën siguruese i përcaktuar në policë sigurimi.
1.14. Pasagjer - është personi që udhëton apo ndodhet në mjet motorik, por që nuk e drejton
mjetin motorik.
1.15. Këshilli i Byrosë - organizata përgjegjëse për administrimin dhe funksionimin e sistemit
të kartës ndërkombëtare te sigurimit, në të cilën janë të detyruara të anëtarësohen të gjitha
byrotë nacionale të sigurimit.
1.16. Karta e gjelbër e sigurimit - certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të auto-përgjegjësisë
të cilën e lëshon byroja nacionale e sigurimit, si provë për ekzistimin e sigurimit valid të auto-
përgjegjësisë në territorin e shteteve anëtare të sistemit të kartës ndërkombëtare të sigurimit, e
lëshuar në pajtim me modelet e aprovuara nga këshilli i byrove
1.17. Raporti evropian i aksidentit - formulari përkatës në të cilin palët evidentojnë faktet
lidhur me aksidentin.
1.18. Mjet motorik i pasiguruar - mjeti motorik i cili në momentin e aksidentit nuk ka sigurim
valid të detyrueshëm;
1.19. Mjet motorik i paidentifikuar - mjeti motorik me të cilin është shkaktuar aksidenti dhe
për të cilin nuk ka qenë e mundur të bëhet identifikimi;
1.20. Marrëveshja e Kretës - marrëveshje që rregullon marrëdhëniet e ndërsjella ndërmjet
byrove nacionale të sigurimit të vendeve anëtare të sistemit të kartës ndërkombëtare të
sigurimit.
1.21. Byroja - Byroja nacionale e sigurimit të Kosovës.
1.22. Sigurimi i autopërgjegjësisë - sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë së pronarit dhe
poseduesit të mjetit motorik për dëmet e shkaktuara palëve te treta.
1.23. Polica e sigurimit – kontrata e sigurimit të autopërgjegjësisë, respektivisht
certifikata e standardizuar e sigurimit të firmosur nga siguruesi dhe i siguruari me të cilën
provohet kontraktimi i sigurimit të autopërgjegjësisë.
1.24. Sistemi Bonus-Malus – është sistemi i cili zbatohet si korrektues i lartësisë së primit
të sigurimit të autopërgjegjësisë, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.
KREU II
3
SIGURIMI I DETYRUESHËM I AUTOPËRGJEGJËSISË NDAJ PALËS SË TRETË
Neni 3
Subjekti i Sigurimit
1. Pronari i mjetit motorik para përdorimit te tij duhet të kontraktoj sigurim për mbulimin e përgjegjësisë
për dëmet e shkaktuara palëve të treta në rast vdekje, lëndimeve trupore, dëmtimit të shëndetit apo
dëmtimit në pasuri.
2. Kontrata e sigurimit të autopërgjegjësisë mbulon dëmet sipas paragrafit 1. të këtij neni, edhe ndaj
pasagjerëve, duke përfshirë këtu edhe dëmet në gjësende që gjenden në mjetin motorik dhe shërbejnë
për përdorim personal.
3. Në rastet e dëmeve të shkaktuara nga përdorimi i mjetit tërheqës apo i mjetit të tërhequr, kur këto
mjete janë të lidhura dhe përbëjnë një tërësi ose kur aksidenti ndodh nga shkëputja e mjetit të
tërhequr nga mjeti tërheqës, pronarët e të dy mjeteve janë përgjegjës solidar për dëmet ndaj palëve të
treta. Në këto raste, pala e dëmtuar mund të paraqesë kërkesën për dëmshpërblim te siguruesi i mjetit
tërheqës ose te siguruesi i mjetit të tërhequr.
4. Siguruesi, që paguan dëmet e palëve të treta, sipas paragrafit 3. të këtij neni, ka të drejtën e
rimbursimit për shumën e paguar, shpenzimet dhe kamatën nga siguruesi i mjetit tërheqës apo
siguruesi i mjetit të tërhequr, për aq sa rezulton përgjegjësia për dëmin.
5. Mjetet motorike të KFOR dhe me prefiks UN, EU, OSCE dhe CD, duhet të kenë dëshmi sigurimi të
autopërgjegjësisë të pranueshme nga BQK-ja, respektivisht Byroja dhe që të paktën ofron mbulesë
siguruese të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 4
Polica e sigurimit të autopërgjegjësisë
1. Polica e sigurimit kontraktohet vetëm nga sigurues të licencuar nga BQK-ja.
2. Polica e sigurimit duhet të jetë unike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
3. Përmbajtja, forma, mënyra e printimit, ngarkimit dhe e shpërndarjes së policës sipas paragrafit 1. të
këtij neni përcaktohet nga BQK-ja.
Neni 5
Vlefshmëria e policës
1. Polica e sigurimit është në fuqi duke filluar saktësisht nga data dhe ora e lëshimit të policës dhe
nënshkrimit të kontratës në mes të siguruesit dhe poseduesit të policës, nëse nuk është caktuar një
datë tjetër në mes të palëve.
2. Polica e sigurimit përfundon në ora 24:00 të datës së skadimit e përcaktuar në policë përveç nëse
është kontraktuar ndryshe.
Neni 6
Bartja e pronësisë
1. Në rast se ndryshon pronësia e mjetit motorik gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe
përgjegjësitë, që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në përfundimin
e kontratës së sigurimit, nëse nuk është kontraktuar ndryshe.
2. Pronari i ri brenda dhjetë (10) ditëve, detyrohet të njoftoj siguruesin për ndryshimin e pronësisë së
mjetit motorik dhe pasqyrimin e këtij ndryshimi në kontratën e sigurimit.
4
3. Organet përgjegjëse për regjistrimin e mjeteve motorike detyrohen të njoftojnë Byronë dhe Qendrën
e Informative për ndryshimin e pronësisë së mjetit motorik, brenda një periudhe prej dhjetë (10) dite
kalendarike.
4. Nëse i siguruari dhe pronari i ri i mjetit motorik, pajtohen që kontrata e sigurimit të mos bartet në
pronarin e ri, pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se
nga kjo kontratë nuk është paguar dëmi.
Neni 7
Detyrimi për kontraktimin e sigurimit
1. Pronari i mjetit motorik detyrohet të lidhë kontratë të sigurimit sipas paragrafit 1. të nenit 3 të këtij ligji.
2. Siguruesi detyrohet të lidhë kontratën e sigurimit të detyrueshëm në përputhje me dispozitat e këtij
ligji, si dhe kushtet dhe primet e sigurimit në fuqi.
3. Siguruesi nuk mund të refuzojë kërkesën për të lidhur kontratën e sigurimit kur aplikuesi pranon
kushtet sipas të cilave siguruesi e zbaton këtë sigurim.
4. Kushtet e sigurimit janë pjesë përbërëse e kontratës së sigurimit dhe duhet t’i dorëzohen të siguruarit
me rastin e lidhjes së kontratës.
5. Kur mjeti motorik pajiset me dokument regjistrimi, autoriteti përgjegjës e lëshon këtë dokument,
vetëm pas prezantimit të policës së sigurimit të autopërgjegjësisë.
6. Mjeti motorik, para se të inkuadrohet në trafik dhe deri sa të pajiset me dokument të regjistrimit,
duhet të pajiset me sigurim të autopërgjegjësisë.
7. Drejtuesi është i detyruar të mbajë me vete policën e sigurimit ose provë tjetër me të cilën provohet
kontraktimi i sigurimit të autopërgjegjësisë, si dhe ta paraqesë atë sa herë që i kërkohet nga personi
zyrtar.
8. Në rast aksidenti, drejtuesi është i detyruar të japë të dhënat personale dhe të dhënat që lidhen me
sigurimin të autopërgjegjësisë të gjithë personave të përfshirë në aksident, të cilëve mund t’u lindë e
drejta për dëmshpërblim nga baza e këtij sigurimi.
9. Në rast se drejtuesi nuk prezanton dëshminë se mjeti motorik është i siguruar, atëherë policia e
trafikut apo zyrtari i deleguar nga policia do të kontaktojë qendrën informative për të verifikuar se mjeti
motorik është i siguruar dhe nëse vërtetohet se mjeti motorik nuk është siguruar në mënyrë të rregullt,
do të parandalojë shfrytëzimin e mëtejmë të mjetit motorik.
Neni 8
Kushtet dhe primi i sigurimit të detyrueshëm
1. BQK-ja ka kompetencë të nxjerrë rregulla që përcaktojnë strukturën e primit që siguruesi duhet të
zbatojë në caktimin e primit për sigurimin. Rregullat mund të përcaktojnë strukturën e saktë të primit,
shumën minimale apo maksimale apo një kufi brenda të cilit primi duhet të jetë.
2. Siguruesi duhet të njoftojë BQK-në, në afat jo më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditësh para aplikimit,
me kushtet e sigurimit si dhe bazën teknike të përdorur për llogaritjen e primit.
3. Në përllogaritjen e primit të sigurimit të autopërgjegjësisë duhet inkorporuar sistemin bonus-malus.
4. Kur BQK-ja konstaton se kushtet e sigurimit dhe bazat teknike janë në përputhje me ligjin, aktet
nënligjore dhe parimet e aktuaristikës, në afatin prej tridhjetë (30) ditësh e njofton siguruesin për
zbatimin e tyre. Nëse BQK-ja nuk përgjigjet lidhur me njoftimin brenda tridhjetë (30) ditësh,
konsiderohet se kushtet dhe tarifat e sigurimit janë miratuar.
5
5. Kur BQK-ja konstaton se kushtet e primit dhe bazat teknike nuk janë në përputhje me ligjin, kërkon
që siguruesi t’i ndryshojë ato.
Neni 9
Mbulesa siguruese
1. Sigurimi nga autopërgjegjësia mbulon:
1.1. dëmet në persona dhe pasuri të shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i mjetit motorik.
1.2. dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik, përfshinë gjithashtu dëmin e shkaktuar
palëve të treta përmes gjësendeve të cilat bien nga mjetet motorike apo çdo gjë tjetër që është
i lidhur me mjetin motorik.
1.3. dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik palëve të treta nga drejtuesi i
paautorizuar i mjetit motorik.
2. Ky sigurim nuk mbulon dëmet në sende të cilat transportohen, përveç nëse ato shërbejnë për
përdorim personal të pasagjerëve.
Neni 10
E drejta për kompensim
Kompenzimi i dëmit material dhe jomaterial bëhet në pajtim me dispozitat e Ligjit për marrëdhëniet e
detyrimeve.
Neni 11
Përjashtimet nga mbulesa siguruese
1. Me sigurimin e auto-përgjegjësisë nuk ofrohet mbulesë siguruese dhe nuk kanë të drejtën e
dëmshpërblimit:
1.1. drejtuesi i mjetit motorik i cili është përgjegjës për aksidentin;
1.2. pronari, bashkëpronari dhe çdo shfrytëzues tjetër i mjetit motorik, me të cilin është
shkaktuar aksidenti, për dëmet në sende;
1.3. bashkudhëtari që me vullnetin e vet ndodhet në mjetin motorik me përdorimin e te cilit
është shkaktuar dëmi, kur provohet nga siguruesi se bashkudhëtari ishte në dijeni se automjeti
ishte i vjedhur apo i grabitur;
1.4. bashkudhëtari që ndodhet me vullnetin e vet në një mjet të pasiguruar me të cilin është
shkaktuar aksidenti, kur provohet se bashkudhëtari ishte në dijeni të kësaj rrethane;
1.5. personi i dëmtuar për shkak të:
1.5.1 përdorimit të mjetit motorik në manifestime sportive në rrugë apo pjesë rrugësh
të palejuara për shfrytëzim drejtuesve tjerë, për qellim të arritjes së shpejtësive
maksimale apo për t’u stërvitur për gara;
1.5.2. veprimit të energjisë bërthamore gjatë transportit të materialeve radioaktive;
1.5.3. operacioneve apo manovrave ushtarake, revoltave apo akteve terroriste, nëse
provohet se dëmi është në lidhje kauzale me ngjarje të tilla;
1.5.4. veprimit të fuqisë madhore si dhe rastet tjera të përjashtimit me ligj të
përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar me mjetin motorik.
6
Neni 12
Kërkesat e regresit të fondeve të sigurimit shëndetësor, pensional dhe invalidor
1. Fondet e sigurimeve shëndetësore, pensionale dhe invalidore kanë të drejtë, lidhur me detyrimet e
përmbushura ndaj siguruesve të tyre, të parashtrojnë kërkesa regresi nga baza e sigurimit të
autopërgjegjësisë për rimbursimin e dëmit real, brenda kufijve të përgjegjësisë të siguruarit me
kontratë, pasi që ato janë paguar.
2. Me dëm real nga paragrafi 1. e këtij neni, konsiderohen shpenzimet e trajtimit mjekësor si dhe pjesa
përpjesëtimore e pensionit të të lënduarit, respektivisht familjes së tij.
Neni 13
Kufizimi i mbulesës siguruese – limitet e sigurimit
1. Detyrimi i siguruesit nga kontrata e sigurimit të autopërgjegjësisë është i kufizuar me shumën e
detyrueshme të sigurimit e vlefshme sipas ligjit, në ditën e aksidentit, përveç kur është kontraktuar një
shumë më e lartë e sigurimit.
2. Shuma e detyrueshme minimale e sigurimit për kontraktimin e sigurimit të autopërgjegjësisë, sipas
paragrafit 1. të këtij neni, është si më poshtë:
2.1. për dëme në persona, për rast të siguruar, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar
një milion (1.000.000) Euro
2.2. për dëme në pasuri, për rast të siguruar, pavarësisht nga numri i personave të dëmtuar
dyqind mijë (200.000) Euro.
2.3. për dëme të shkaktuara nga përdorimi i autobusit dhe mjeteve motorike të destinuara për
transportin e lendeve të rrezikshme, zbatohet dyfishi i shumave minimale të sigurimit të
përcaktuara në nën-paragrafët 2.1. dhe 2.2. të këtij paragrafi.
3. Në rast se ka disa palë të dëmtuara nga një ngjarje dhe vlera totale e dëmit e tejkalon shumën e
sigurimit të përcaktuar në paragrafin 2. të këtij neni, të drejtat e palëve të dëmtuara ndaj siguruesit
zvogëlohen në mënyrë përpjesëtimore.
4. Vendimin mbi ndryshimin e lartësisë së shumave minimale të sigurimit e miraton Qeveria e
Republikës së Kosovës, me propozimin e BQK-së. Ky ndryshim i shumave publikohet ne gazetën
zyrtare te Kosovës.
5. BQK-ja përcakton për siguruesit kornizat e kontraktimit të mbulesës siguruese mbi shumën minimale
te sigurimit.
Neni 14
Humbja e mbulesës siguruese
1. I siguruari e humbë mbulesën siguruese, kur:
1.1. mjeti motorik nuk përdoret në pajtim me destinimin;
1.2. drejtuesi nuk ka leje të vlefshme dhe adekuate për drejtim të mjetit motorik, përveç rasteve
të përdorimit të mjetit motorik gjatë mësimeve të drejtimit të mjetit nga kandidati, sipas të gjitha
rregullave të përcaktuara për procesin e mësimit;
1.3. mjeti motorik drejtohet nën ndikimin e alkoolit mbi kufijtë e lejuar, nën ndikimin e lëndëve
narkotike apo psiko-aktive;
1.4. drejtuesi e shkakton dëmin me dashje;
7
1.5. aksidenti ndodh për shkak të defekteve teknike të mjetit për të cilat drejtuesi, poseduesi
apo pronari kanë qenë në dijeni për to.
2. Humbja e të drejtave nga sigurimi, siç përcaktohen me dispozitat e paragrafit 1. nën-paragrafët 1.1
deri 1.5, të këtij neni, nuk është me ndikim në të drejtën e palës së tretë në dëmshpërblim.
3. Siguruesi pas përmbushjes së detyrimit nga ky nen dhe paragrafi 3. i nenit 9 të këtij ligji, ka të drejtë
të kërkojë rimbursim në procedurë regresi ndaj personit përgjegjës për dëmshpërblimin e paguar, edhe
pse personi nuk kishte mbulesë siguruese.
Neni 15
Shtrirja territoriale e sigurimit
1. Kontrata për sigurimet e detyrueshme të autopërgjegjësisë, mbulon dëmet e shkaktuara në
Republikën e Kosovës.
2. Sigurimi nga autopërgjegjësia, përpos dëmeve të shkaktuara në Republikën e Kosovës, mbulon
edhe dëmet në territoret e shteteve anëtare të sistemit të kartonit të gjelbër, nëse nuk është
kontraktuar ndryshe.
Neni 16
Mjetet motorike të regjistruara jashtë Kosovës
1. Personi i cili hyn në territorin e Republikës së Kosovës me mjetin motorik të regjistruar jashtë
Kosovës, duhet të jetë i pajisur me:
1.1. kartën e gjelbër të vlefshme për territorin e Republikës të Kosovës; apo
1.2. dokument tjetër të vlefshëm sigurimi që garanton mbulesë sigurimi të auto-përgjegjësisë,
më së paku në shumat e përcaktuara me nenin 13 të këtij ligji.
2. Dokumenti i sigurimit, i përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni, do të kërkohet gjithashtu për mjetet
motorike të cilat bartën në Kosovë dhe që nuk janë duke kaluar transit për në shtet tjetër.
3. Autoritetet përgjegjëse për kontrollin kufitar janë të detyruara të kontrollojnë përmbushjen e
detyrimeve të parashikuara me këtë nen.
4. Byroja është e autorizuar për njohjen e vlefshmërisë së dokumenteve ndërkombëtare të sigurimit,
sipas paragrafit 1. të këtij neni, e cila lidhur me këtë e njofton paraprakisht autoritetet përgjegjëse për
kontrollin kufitar.
Neni 17
Sigurimi kufitar i autopërgjegjësisë
1. Drejtuesi i mjetit motorik me regjistrim të huaj i cili nuk ka një dokument ndërkombëtar të vlefshëm të
sigurimit të autopërgjegjësisë sipas paragrafit 1. të nenit 16 të këtij ligji, është i detyruar të lidhë kontratë
të sigurimit kufitar të autopërgjegjësisë të vlefshme në territorin e Republikës së Kosovës, me periudhë
vlefshmërie jo më pak se pesëmbëdhjetë (15) ditë.
2. Byroja është kompetente për organizimin dhe zbatimin e sistemit të sigurimit kufitar të
autopërgjegjësisë.
3. Kur drejtuesi i mjetit motorik nuk kontrakton sigurimin kufitar, sipas paragrafit 1. të këtij neni, nuk i
lejohet hyrja me këtë mjet motorik në territorin e Republikës së Kosovës pa e përmbushur këtë
detyrim.
8
4. Për përmbushjen e detyrimeve nga drejtuesit e mjeteve motorike me regjistrim të huaj sipas
paragrafit 1. të këtij neni, përkujdesen personat e autorizuar për kontrollin e kufirit të Republikës së
Kosovës.
Neni 18
Dëmshpërblimi nga përdorimi i mjetit motorik të pasiguruar
1. Personi i dëmtuar të cilit i është shkaktuar dëmi brenda territorit të Republikës së Kosovës nga një
mjet motorik, pronari i të cilit nuk është i mbuluar nga sigurimi i autopërgjegjësisë, ka të drejtë të kërkojë
dëmshpërblimin e dëmit nga Byroja.
2. Në rast dëmi të shkaktuar nga mjeti motorik sipas paragrafit 1. të këtij neni, Byroja garanton për
detyrime në kuadër të limiteve të përcaktuara sipas nenit 13 të këtij ligji.
3. Byroja mund t’ia delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve njërit prej anëtarëve të vet ose një
strukture të specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, e cila është e detyruar të
trajtojë dhe të paguajë dëmin me shpenzimet e fondit të kompensimit.
4. Byroja ka të drejtë regresi për këto dëme nga personi përgjegjës dhe atë për shumën e paguar,
shpenzimet dhe kamatat.
Neni 19
Dëmshpërblimi nga mjeti motorik i pasiguruar me regjistrim të huaj
1. Pala e dëmtuar të cilës i është shkaktuar dëm në territorin e Republikës së Kosovës nga një mjet
motorik me regjistrim të huaj i pajisur me dokument ndërkombëtar të sigurimit, sipas nenit 16, të këtij
ligji, ka të drejtë t’i parashtrojë kërkesë dëmshpërblimi Byrosë.
2. Në rastin kur dëmi shkaktohet nga përdorimi i mjetit motorik sipas paragrafit 1. të këtij neni, Byroja
garanton për detyrime deri në shumat e sigurimit të përcaktuara me nenin 13, të këtij ligji.
3. Nëse për mjetin motorik me targa të huaja ishte kontraktuar mbulesë më e lartë siguruese nga
autopërgjegjësia, Byroja garanton për detyrime deri në shumën e kontraktuar siguruese, me pëlqimin
paraprak të siguruesit.
4. Byroja mund të delegojë trajtimin dhe pagesën e këtyre dëmeve anëtarëve të saj ose një strukturë të
specializuar për trajtimin e dëmeve të licencuar nga BQK-ja, të cilët janë të detyruara të trajtojnë
kërkesat për dëmshpërblim në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për sigurimin e
autopërgjegjësisë.
Neni 20
Dëmshpërblimi nga përdorimi i mjeteve të paidentifikuara
1. Personi fizik i dëmtuar të cilit i është shkaktuar dëmi nga përdorimi i mjetit motorik të paidentifikuar,
ka të drejtë të parashtrojë kërkesën për dëmshpërblim Byrosë.
2. Personi fizik i dëmtuar ka të drejtë dëmshpërblimi për dëmet që vijnë si rezultat i vdekjes, dëmtimeve
trupore apo përkeqësimit të shëndetit deri në shumën e përcaktuar në nenin 13 të këtij ligji.
3. I dëmtuari ka të drejtë të kërkojë dëmshpërblim për dëmet në sende, duke përjashtuar dëmet në
mjete motorike, të shkaktuara nga përdorimi i mjetit motorik të paidentifikuar, deri në shumën e
përcaktuar në nenin 13 të këtij ligji.
4. I dëmtuari ka për detyrim që dëmin e shkaktuar nga mjeti motorik i paidentifikuar, t’ia raportojë
policisë së trafikut rrugor, në afat prej shtatë (7) ditësh në rast të dëmit në pasuri dhe në afat prej
tridhjetë (30) ditësh në rast të dëmit në persona nga dita e aksidentit. I dëmtuari gjithashtu ka për
detyrim të paraqes rastin në Byro në afat prej nëntëdhjetë (90) ditësh.
9
5. Në rast të identifikimit të mëvonshëm të mjetit shkaktar të aksidentit, apo të siguruesit përgjegjës,
Byroja ka të drejtë regresi nga personi përgjegjës ose siguruesi përgjegjës për shumën e paguar të
dëmit, shpenzimet dhe kamatat.
Neni 21
Dëmshpërblimi në rast të likuidimit apo falimentimit të siguruesit
1. Me fillimin e procedurës së likuidimit, pala e dëmtuar ka të drejtë të paraqes kërkesën për
dëmshpërblim Likuidatorit të emëruar nga BQK-ja. Pas përfundimit të procedurës së likuidimit dhe
falimentimit, bazuar në vendimin e plotfuqishëm të organit kompetent, kërkesat e pashqyrtuara dhe të
pa trajtuara nga komisioni likuidues, automatikisht bartën tek Byroja. Për këto kërkesa nuk rrjedhin
afatet e parashkrimit gjatë procedurës së likuidimit dhe falimentimit.
2. I dëmtuari ka të drejtë në dëmshpërblim deri në shumat nga neni 13 i këtij ligji.
Neni 22
Dëmshpërblimi bazuar në sigurimin kufitar
1. I dëmtuari, të cilit i është shkaktuar dëm nga përdorimi i një mjeti motorik me regjistrim të huaj i
pajisur me sigurim kufitar siç përcaktohet në paragrafin 1. të nenit 19 të këtij ligji, ka të drejtën të
parashtrojë kërkesë dëmshpërblimi tek Byroja.
2. E drejta në dëmshpërblim nga baza e sigurimit kufitar është e përcaktuar në kuptim të shumave të
sigurimit nga neni 13 i këtij ligji.
Neni 23
Formularët dhe raportet për aksidentin
1. Pjesëmarrësit e përfshirë në një aksident rrugor, përveç raportit të aksidentit të hartuar nga policia
rrugore, duhet të plotësojnë, nënshkruajnë dhe shkëmbejnë formularin e “Raportit evropian të
aksidentit”. Ky formular i plotësuar dhe i firmosur shërben si dëshmi për aksidentin me rastin e
parashtrimit të kërkesës për dëmshpërblim si dhe për raportimin e rastit nga i siguruari.
2. Siguruesi është i detyruar që me rastin e kontraktimit të sigurimit të autopërgjegjësisë, së bashku
me policën e sigurimit, t’i dorëzojë të siguruarit edhe formularin e “Raportit evropian të aksidentit ”.
Drejtuesi i mjetit motorik është i detyruar të mbajë me vete formularin nga paragrafi 1. i këtij neni dhe ta
këmbejë me pjesëmarrësin tjetër në aksident.
Neni 24
Detyrimi për ofrimin e të dhënave dhe të dokumentacionit
Organet e autorizuara për mbikëqyrjen e trafikut, organet gjyqësore dhe organet apo institucionet tjera,
që zbatojnë procedura pas një aksidenti të trafikut ose kanë në dispozicion të tyre të dhëna për
aksidentin dhe të aksidentuarit, janë të detyruara të veprojnë sipas kërkesave të shoqërive të sigurimit
dhe Byrosë, përkitazi me dërgimin e të dhënave dhe dokumentacionin përkatës për aksidentin e trafikut
dhe të aksidentuarit, të nevojshme për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.
Neni 25
E drejta në parashtrimin e kërkesës për dëmshpërblim
1. I dëmtuari ka të drejtë që kërkesën për dëmshpërblim nga baza e sigurimit të autopërgjegjësisë t’ia
parashtrojë drejtpërdrejt siguruesit përgjegjës. Siguruesi është i detyruar që ditën e pranimit ta
regjistrojë kërkesën për dëmshpërblim në librin/evidencën e posaçme të dëmeve sipas radhitjes
numerike dhe në afat prej tre (3) ditësh, ta vërtetojë pranimin duke njoftuar palën me referencën e
kërkesës së evidentuar.
10
2. Përkitazi me kërkesën e parashtruar për dëmshpërblim, siguruesi përgjegjës nuk mund të paraqes
kundërshtime të cilat, në bazë të ligjit apo kontratës së sigurimit, mundet t’i paraqes ndaj të siguruarit
për shkak të shkeljes së ligjit apo kontratës të sigurimit.
3. Siguruesit mund të lidhin marrëveshje sipas të cilës kërkesa për dëmshpërblim nga baza e sigurimit
të autopërgjegjësisë mund t’i parashtrohet dhe të trajtohet edhe nga siguruesi i drejtpërdrejtë.
Neni 26
Procedura e kërkesave për dëmshpërblim
1. Siguruesi është i detyruar që, për dëmet në persona, më së largu në afat prej gjashtëdhjetë (60)
ditësh, ndërsa për dëme në pasuri, më së largu në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e
parashtrimit të kërkesës për dëmshpërblim, të trajtojë kërkesën dhe të njoftojë me shkrim palën e
dëmtuar me:
1.1. ofertën për dëmshpërblim me shpjegime përkatëse;
1.2. vendimin dhe arsyet ligjore të refuzimit të kërkesës për dëmshpërblim, kur janë
kontestuese përgjegjësia dhe lartësia e dëmit.
2. Nëse kërkesa e parashtruar nuk është e kompletuar me prova dhe dokumentacion të nevojshëm për
të vendosur për dëmshpërblimin, siguruesi është i detyruar që, më së largu në afat prej tri (3) ditësh
nga dita e pranimit të kërkesës për dëmshpërblim, të njoftojë me shkrim të dëmtuarin duke precizuar
me cilat nga provat dhe dokumentacioni duhet plotësuar kërkesën. Prej ditës së pranimit, respektivisht
kompletimit të dokumentacionit të kërkesës, fillojnë të zbatohen afatet nga paragrafi 1. i këtij neni për
detyrimin e siguruesit përkitazi me trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.
3. BQK-ja nxjerr akt nënligjor për përcaktimin e procedurave për dëmshpërblim, duke përfshirë edhe
përcaktimin se kur konsiderohet e kompletuar kërkesa me prova dhe dokumentacionin e nevojshëm për
të vendosur lidhur me dëmshpërblimin.
4. Në pamundësi të përcaktimit të dëmit, respektivisht trajtimit të dëmshpërblimit në tërësi, siguruesi
përgjegjës është i detyruar t’i paguajë palës së dëmtuar pjesën jokontestuese të dëmit në formë
paradhënie, brenda afatit nga paragrafi 1. i këtij neni.
5. Në rast se siguruesi përgjegjës nuk i përgjigjet palës së dëmtuar brenda afateve të përcaktuara në
paragrafin 1. të këtij neni, i dëmtuari ka të drejtë të ushtrojë padi në Gjykatën Kompetente.
6. Në rast të mosrespektimit të afateve të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, dhe
mospërmbushjes së detyrimit në pagesën e paradhënies nga paragrafi 4. i këtij neni, siguruesi
përgjegjës konsiderohet të jetë në vonesë në përmbushjen e detyrimit për dëmshpërblim, duke u
ngarkuar me pagesë të interesit për vonesë. Ky interes paguhet në lartësi prej 12 % të interesit vjetor
dhe llogaritet për çdo ditë vonesë deri në shlyerjen e dëmshpërblimit nga siguruesi përgjegjës, duke
filluar nga data e paraqitjes së kërkesës për dëmshpërblim.
7. Dispozitat nga paragrafi 1., 2., 4. dhe 5. të këtij neni, zbatohen në mënyrë përkatëse edhe në rastet e
trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim të cilat janë detyrim i byrosë për dëmet nga baza e sigurimit
kufitar dhe detyrimet e Fondit të kompensimit.
8. Në kërkesat për dëmshpërblim nga sistemi i kartonit ndërkombëtar të sigurimit zbatohen procedura
dhe afate të posaçme sipas Marrëveshjes së Kretës.
Neni 27
Trajtimi i kërkesave për dëmshpërblim
1. BQK-ja nxjerr rregullore për procedurat e trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga sigurimi i
autopërgjegjësisë, dispozitat e së cilës janë të detyrueshme për siguruesin .
11
2. BQK-ja mbikëqyr funksionimin e procedurave të trajtimit të dëmeve nga siguruesi për të garantuar
mbrojtjen e palës së dëmtuar dhe të siguruarve.
3. BQK-ja ndërmerr masa administrative ndaj siguruesit për shkeljen e dispozitave të këtij neni, si më
poshtë, të:
3.1. shpallë në mjetet e informimit, me shpenzime të siguruesit, të dhëna lidhur me sjelljet jo
korrekte të siguruesit përgjegjës në trajtimin e dëmeve;
3.2. tërheq miratimin për anëtarët e organeve drejtuese të siguruesit sigurimit, tërheq
përkohësisht ose përfundimisht licencën për kryerjen e veprimtarisë në lëmin e sigurimeve të
detyrueshme.
Neni 28
Zbatimi i këtij ligji në raport me ligjet tjera
1. Dispozitat e nenit 26 dhe 27 të këtij ligji zbatohen edhe në rastet e dëmshpërblimit për të cilat është
përcaktuar detyrimi i Byrosë të cilat paguhen nga fondi i kompensimit.
2. Në përmbushjen e detyrimeve të dëmshpërblimit dhe në kontratën e sigurimit, zbatohet legjislacioni
me të cilin rregullohen marrëdhëniet e detyrimeve nga shkaktimi i dëmit dhe kontrata e sigurimit, nëse
me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
KREU III
BYROJA KOSOVARE E SIGURIMIT
Neni 29
Byroja Kosovare e Sigurimit
1. Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë profesionale me cilësinë e personit juridik e themeluar
për qëllime jofitimprurëse. Qeveria e Republikës së Kosovës i njeh këtij institucioni statusin e Byrosë
nacionale të sigurimit me të drejta të pakufizuara në cilësi të Byrosë pagesë dhe Byrosë trajtuese, që
garanton përmbushjen e të gjitha detyrimeve nga sistemi i kartonit ndërkombëtarë të sigurimit.
2. Anëtarë i Byrosë mund të jetë vetëm siguruesi i licencuar për sigurime të detyrueshme nga neni 1 i
këtij ligji. Siguruesi nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e sigurimit të detyrueshëm të autopërgjegjësisë
pa qenë anëtar i Byrosë.
3. Kontributi fillestar i siguruesit për anëtarësim, përcaktohet në statutin e Byrosë dhe është i
detyrueshëm për t’u paguar në favor të saj.
4. Byroja autorizon anëtarin e saj për të lëshuar kartonin e gjelbër, vetëm pas përmbushjes së
detyrimeve sipas dispozitave ligjore, nënligjore dhe të gjitha kritereve të miratuara nga Asambleja e
Përgjithshme dhe në përputhje me rregullat e sistemit të kartonit të gjelbër.
5. Byroja është përfaqësuese kombëtare në Këshillin e Byrove dhe është përgjegjëse për të gjitha
detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër.
6. Byroja kryen funksionin e Fondit të Kompensimit për pagesën e dëmeve të parashikuara me këtë
ligj, me mjetet nga Fondi i Kompensimit.
7. Organizimi dhe funksionimi i Byrosë përcaktohet në statutin e saj. Buxheti i Byrosë miratohet në
muajin dhjetor nga Asambleja e Përgjithshme me pëlqimin paraprak të BQK-së.
8. Byroja mbikëqyret nga BQK-ja, e cila përcakton me rregullore të veçantë rregullat dhe standardet e
raportimit dhe të mbikëqyrjes.
12
9. Raporti vjetor financiar i Byrosë i nënshtrohet kontrollit dhe vërtetimit ligjor nga një kompani
audituese e licencuar. Për auditimin e Byrosë zbatohen kushtet dhe kriteret e auditimit të siguruesit.
10. Byroja i paraqet BQK-së raport vjetor përkitazi me ushtrimin e autorizimeve publike më së largu deri
më 30 prill të vitit vijues.
11. Byroja është e detyruar të njoftojë BQK-në menjëherë, kur ka dijeni për shkelje të siguruesve, sipas
përcaktimeve të nenit 37 të këtij ligji si dhe është e detyruar të dërgojë, pranë BQK-së, të gjitha të
dhënat që disponon për shkeljet e siguruesve.
Neni 30
Organet drejtuese të Byrosë
1. Organet drejtuese të Byrosë janë:
1.1. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve,
1.2. Këshilli Administrativ;
1.3. Drejtori Ekzekutiv.
2. Asambleja e Përgjithshme e Anëtarëve përbëhet nga përfaqësues të siguruesve anëtarë të Byrosë.
Çdo sigurues, anëtar i Byrosë, përfaqësohet me një votë në mbledhjet e Asamblesë.
3. Këshilli Administrativ i Byrosë përbëhet nga gjashtë (6) anëtarë: katër (4) anëtarë të zgjedhur nga
Asambleja e Përgjithshme, Drejtori Ekzekutiv i Byrosë sipas detyrës zyrtare si dhe një (1) anëtar, pa të
drejtë vote, i zgjedhur nga BQK-ja. Zgjedhja e kryetarit të Këshillit Administrativ bëhet sipas
procedurave të përcaktuara në statutin e Byrosë.
4. Drejtori Ekzekutiv i Byrosë emërohet nga Asambleja e Përgjithshme, me miratimin paraprak të BQK-
së. Drejtori Ekzekutiv i Byrosë zgjidhet për një periudhë katër (4) vjeçare, me të drejtë riemërimi edhe
vetëm për një mandat.
5. Kompetencat, detyrat e organeve drejtuese të Byrosë dhe forma e organizimit të saj përcaktohen me
statutin e Byrosë i cili aprovohet nga Asambleja e Përgjithshme, me pëlqim paraprak nga BQK-ja.
Neni 31
Fondi Garantues i Kartonit të Gjelbër
1. Fondi garantues i kartonit të gjelbër administrohet nga Byroja dhe ka për qëllim garantimin e
detyrimeve financiare që rrjedhin nga anëtarësimi në sistemin e kartonit të gjelbër dhe marrëveshjet e
tjera ndërkombëtare nga kjo lëmi.
2. Çdo anëtar i Byrosë, i autorizuar për të lëshuar kartonin e gjelbër apo certifikatë tjetër sigurimi të
autopërgjegjësisë me shtrirje mbulese siguruese jashtë territorit të Kosovës, duhet të depozitojë një
garanci bankare pranë një banke të licencuar nga BQK-ja, në favor të Byrosë, në shumën që
përcaktohet nga Këshilli Administrativ me pëlqimin paraprak të BQK-së.
3. Kontributi i çdo anëtari në Fondin garantues të kartonit të gjelbër, afatet për derdhjen e mjeteve,
procedura e rinovimit, si dhe afatet e rivendosjes miratohen çdo vit nga BQK-ja, pasi paraprakisht është
aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e anëtarëve.
13
4. Fondi garantues i kartonit të gjelbër përdoret:
4.1. në rastet e mos përmbushjes së detyrimeve financiare të një anëtari të byrosë, përgjegjës
për pagesën e detyrimeve, sipas rregullave të sistemit të kartonit të gjelbër;
4.2. për pagesën e dëmeve të ndodhura jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në rastin kur
dëmi është shkaktuar nga mjeti motorik i regjistruar në Kosovë, i pajisur me kartonin e gjelbër
apo me certifikatë tjetër sigurimi false, për të cilin Byroja është përgjegjëse sipas rregullave të
sistemit të kartonit të gjelbër apo marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare nga kjo lëmi; dhe
4.3. në rastet tjera me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të anëtarëve.
5. Fondi Garantues i kartonit të gjelbër nuk përfshihet në llogaritjen e Fondit Garantues të siguruesit
sipas përcaktimeve të ligjit që rregullon veprimtarinë e sigurimit në Kosovë.
KREU IV
FONDI I KOMPENSIMIT
Neni 32
Fondi i Kompensimit
1. Fondi i Kompensimit administrohet nga Byroja dhe ka për qëllim pagesën e dëmeve në territorin e
Republikës së Kosovës, sipas dispozitave të neneve 18, 19, 20, 21, dhe 22 të këtij ligji.
2. Siguruesit të cilët ushtrojnë veprimtari në sigurimin e detyrueshëm në territorin e Republikës së
Kosovës, janë të detyruar të kontribuojnë çdo tre (3) muaj financiarisht në fondin e kompensimit, në
përpjesëtim të drejtë me primet e realizuara në këto lloj sigurimesh në tre mujorin paraardhës.
3. Burimet tjera të fondit të kompensimit rrjedhin nga:
3.1. arkëtime prej rimbursimit në procedurat e regresit;
3.2. kontributet shtesë të siguruesve, kur fondi i parashikuar rezulton të jetë i pamjaftueshëm
për të kryer pagesat sipas paragrafit 1., të këtij neni;
3.3. rimbursimet nga pronarët e mjeteve motorike të pasiguruara për të cilët fondi i
kompensimit ka paguar dëmshpërblim;
3.4. të ardhurat nga investimi i mjeteve të fondit të kompensimit;
3.5. burimet e tjera, të cilat nuk ndalohen me ligj.
4. BQK-ja, me propozimin e Byrosë, vendos çdo vit shumën e kontributeve sipas paragrafit 2. dhe nën-
paragrafit 3.2. të këtij neni, si dhe afatin brenda të cilit duhet të bëhet derdhja e mjeteve.
5. Kërkesat e regresit nga sigurimet shëndetësore, invalidore dhe pensionale nuk mund t’i parashtrohen
fondit të kompensimit.
6. Shtetasve të huaj u njihet e drejta në dëmshpërblim për dëmet që paguhen nga fondi i kompensimit,
përveç në rastet kur kjo e drejtë nuk u njihet shtetasve kosovar me ligjin e shtetit të cilit i përket i
dëmtuari.
7. Fondi i kompensimit mbahet i veçantë në llogaritë e përcaktuara nga BQK-ja, brenda territorit të
Republikës së Kosovës. Fondi i kompensimit mund të investohet në letra me vlerë të Qeverisë dhe
depozita bankare.
14
8. Byroja i paraqet për miratim BQK-së rregulloren për administrimin e fondit garantues dhe Fondit të
kompensimit. BQK-ja nxjerr rregulla shtesë për mënyrën e mbajtjes dhe të përdorimit të aktives në
mbulim të këtyre fondeve.
9. Byroja i paraqet BQK-së çdo muaj raportin për gjendjen e aktives në mbulim të fondit garantues dhe
fondit të kompensimit.
10. Byroja është e detyruar të njoftojë menjëherë BQK-në, kur siguruesi vepron në kundërshtim me
dispozitat e këtij ligji përkitazi me detyrimet e financimit të fondit garantues dhe fondit të kompensimit.
11. Kur siguruesi nuk ka zbatuar detyrimet e parashikuara në këtë ligj për financimin e fondeve, BQK-ja
i revokon siguruesit licencën për veprimtarinë e sigurimit të detyrueshëm.
Neni 33
Të dhënat statistikore dhe të dhëna të tjera
1. Siguruesit dhe Byroja, kanë për detyrim që të mbledhin, përpunojnë dhe mbajnë të dhëna
statistikore dhe të dhëna të tjera për sigurimet e detyruara.
2. Të dhënat statistikore në paragrafin 1. të këtij neni, janë të dhëna që kryesisht kanë të bëjnë me të
siguruarit, mjetet motorike, kontratat e sigurimit, rastet e siguruara, të dëmtuarit, dëmet në trajtim dhe
të paguara.
3. Siguruesit dhe Byroja janë të detyruara të përpunojnë të dhënat nga paragrafi 1. të këtij neni sipas
standardeve statistikore dhe në përputhje me Ligji nr. 03/L-172, Për Mbrojtjen e të dhënave personale.
4. Byroja, me pëlqimin e BQK-së përcakton përmbajtjen dhe formën e të dhënave nga paragrafi 1. të
këtij neni, si dhe mënyrën dhe afatet për dërgimin, trajtimin dhe përpunimin e tyre.
KREU V
QENDRA INFORMATIVE E SIGURIMEVE
Neni 34
Qendra informative e sigurimeve
1. Për dhënien e statistikave të besueshme, standardizimin e praktikave, shmangien e rasteve të
mashtrimit dhe realizimin e procedurave të dëmshpërblimit të palës së dëmtuar në kohën dhe në
masën e duhur, në kuadër të Byrosë, organizohet qendra informative për sigurime të detyrueshme, e
cila:
1.1. krijon një bazë elektronike për ruajtjen e të dhënave të dërguara nga siguruesit për
sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë;
1.2. mbledh dhe ruan të dhënat e mjeteve motorike të regjistruara në Republikën e Kosovës,
të cilat i vihen në dispozicion nga autoritetet përkatëse, duke kompletuar këto të dhëna me të
dhënat e siguruara, sipas nën-paragrafit 1.1 të këtij paragrafi;
1.3. mbledh dhe ruan të dhëna nga kontratat për të gjitha llojet e sigurimit të detyrueshëm,
përfshirë kartonin e gjelbër dhe kontratat e sigurimit kufitar. Të dhënat sipas këtij paragrafi,
përmbajnë numrin e kontratës, emrin e siguruesit, emrin e të siguruarit, datën e fillimit dhe të
mbarimit të kontratës, markën, tipin dhe numrin e shasisë së mjetit, targa e mjetit, si dhe të
dhëna të tjera në kuptim të udhëzimit të nxjerr nga BQK-ja;
1.4. mbledh dhe ruan të dhëna për siguruesit që ofrojnë sigurim të detyrueshëm;
1.5. mbledh dhe ruan të dhëna për dëmet për të gjitha llojet e sigurimit të detyrueshëm të
azhurnuara në baza ditore;
15
1.6. mbledh dhe ruan të dhënat për mjetet motorike të përjashtuara nga detyrimi për sigurim të
përgjegjësisë ndaj palëve të treta, si dhe të dhëna për autoritetet përgjegjëse për pagesën e
dëmeve që shkaktohen nga këto mjete motorike.
2. Siguruesit detyrohen të furnizojnë qendrën informative me të dhënat e përcaktuara në paragrafin 1.
të këtij neni, për çdo kontratë të sigurimit të detyrueshëm, me përjashtim të rasteve kur BQK-ja vendos
ndryshe.
3. Qendra Informative mbledh, përpunon dhe i ruan këto të dhëna dhe ua vë në dispozicion personave
të autorizuar, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në këtë ligj dhe aktet e tjera përcjellëse.
Periudha kohore që duhet të ruhen të dhënat e përmendura në paragrafin 1. të këtij neni është dhjetë
(10) vjet, nga data e përfundimit të regjistrimit të të dhënave.
4. Në rastin e përpunimit të të dhënave personale zbatohet Ligji nr. 03/L-172 për mbrojtjen e të
dhënave personale
5. Siguruesit kontribuojnë financiarisht për ngritjen dhe funksionimin e qendrës informative.
Neni 35
Qasja në informacione nga pala e dëmtuar
1. Qendra informative e sigurimeve duhet t’ua mundësojë dhënien dhe përdorimin e të dhënave të
grumbulluara sipas këtij ligji, të gjitha palëve të dëmtuara, përfaqësuesve të tyre si dhe personave të
tjerë që kanë interes për të dhëna në procedurën e dëmshpërblimit. Qendra ofron këto të dhëna:
1.1. emrin, selinë dhe adresën e siguruesit përgjegjës;
1.2. numrin e policës së sigurimit dhe kohëzgjatjen e sigurimit;
1.3. emrin, selinë dhe adresën e përfaqësuesit të dëmeve të siguruesit përgjegjës.
2. Qendra informative duhet të japë të dhëna për identitetin dhe adresën e pronarit ose të drejtuesit të
mjetit motorik, në rastin kur pala e dëmtuar ka një interes të ligjshëm për këtë.
3. Për të dhënat nga paragrafi 1. i këtij neni, që i referohen policave të sigurimit të kontraktuara jashtë
Republikës së Kosovës ose për mjetet motorike të regjistruara jashtë Republikës së Kosovës, qendra
informative duhet të sigurojë të dhënat e nevojshme nga qendrat informative të vendit përkatës. Me
kërkesën e qendrave informative të vendeve të huaja, qendra informative është e detyruar t’i japë të
dhënat që disponon, përveç rasteve të parapara ndryshe me ligj të veçantë.
4. Kur qendra informative nuk ka të dhëna për identitetin ose adresën e personave ose për emrin dhe
selinë e siguruesit, sipas dispozitave të këtij neni, këto të dhëna i siguron me anë të një kërkese
drejtuar siguruesit përgjegjës ose autoriteteve kompetente për mbajtjen e këtyre të dhënave.
5. Për marrjen e informatave sipas këtij neni, pala e dëmtuar duhet të parashtrojë kërkesë në formën e
përcaktuar, ndërsa qendra informative është e detyruar të japë informacionin e kërkuar me të cilin
disponon, jo më vonë se shtatë (7) ditë pune nga data e pranimit të kërkesës.
Neni 36
Qasja në informacione nga siguruesit, autoritetet publike dhe këmbimi i këtyre të dhënave me
qendrën informative
1. Siguruesit të cilët ofrojnë sigurim të detyrueshëm, raportojnë për kontratat e lidhura dhe për ato të
cilave u ka përfunduar afati, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara nga BQK-ja.
16
2. Autoritetet përgjegjëse për monitorimin e trafikut, kalimit kufitar dhe shërbimit doganor duhet të
furnizojnë qendrën informative me të dhënat e parashikuara sipas këtij ligji.
3. Qendra informative duhet t’u japë autoriteteve përgjegjëse, nga paragrafi 2. të këtij neni, informacion
të përditësuar për mjetet motorike dhe të tjera të transportit, të cilat nuk kanë sigurim valid ose për të
cilat ka skaduar kontrata e sigurimit të detyrueshëm.
4. Autoritetet përgjegjëse, nga paragrafi 2. të këtij neni, duhet të marrin masa për ndalimin e
menjëhershëm të lëvizjes së mjeteve të pasiguruara.
5. Format, mënyrat dhe afatet e shkëmbimit të informacionit dhe të bashkëpunimit sipas këtij neni duhet
të përcaktohen me akt nënligjor, të nxjerr nga ministritë kompetente dhe BQK-ja.
KREU VI
MASAT NDËSHKIMORE
Neni 37
Masat ndëshkimore për siguruesit
1. BQK-ja shqipton dënime (sanksione), me gjobë nga pesëmijë (5.000) deri në dhjetëmijë (10.000)
Euro ndaj siguruesit kur kontraktuesit respektivisht të siguruarit nuk i vihen në dispozicion kushtet e
përcaktuara në paragrafin 4. të nenit 7 të këtij ligji.
2. Në rastin e shkeljeve të përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni, BQK-ja shqipton, gjithashtu, gjobë
nga njëmijë (1.000) deri në tremijë (3.000) Euro për drejtorin e siguruesit.
3. BQK-ja shqipton gjobë, nga dhjetëmijë (10.000) deri në pesëmbëdhjetëmijë (15.000) Euro ndaj
siguruesit kur siguruesi:
3.1. zbaton kushte sigurimi si dhe tarifa primesh, në kundërshtim me nenin 8 të këtij ligji;
3.2. ushtron veprimtari në sigurimet e detyrueshme pa qenë anëtare e Byrosë;
3.3. nuk paguan kontribute të përcaktuara për fondin garantues të kartonit të gjelbër dhe fondit
të kompensimit, në përputhje me nenet 31 dhe 32 të këtij ligji.
4. BQK-ja shqipton gjobë nga tremijë (3.000) deri në pesëmijë (5.000) për personat përgjegjës të
siguruesit, në rast të shkeljeve të paragrafit 3. të këtij neni.
5. BQK-ja shqipton gjobë nga pesëmijë (5.000) deri në dhjetëmijë (10.000) Euro ndaj siguruesit, kur
siguruesi:
5.1. refuzon ofertën për lidhjen e kontratës së sigurimit në kundërshtim me nenin 7 të këtij ligji;
5.2. fillon të zbatojë kushtet e sigurimit dhe tarifat e primeve në kundërshtim me nenin 8 të këtij
ligji;
5.3. nuk i jep një ofertë apo informacion të arsyetuar palës së dëmtuar, brenda afateve të
përcaktuara në nenin 26 të këtij ligji;
5.4. nuk i paguan palës së dëmtuar pjesën e dëmit jokontestues – paradhënien në përputhje
me dispozitat e paragrafit 4. të nenit 26 të këtij ligji;
6. Në rast të konstatimit të shkeljeve të përcaktuara në paragrafin 5. të këtij neni, BQK-ja shqipton
gjobë nga pesëqind (500) deri në njëmijë (1.000) Euro edhe ndaj personave përgjegjës të siguruesit.
17
7. BQK-ja shqipton gjobë nga pesëmijë (5.000) deri në dhjetëmijë (10.000) Euro ndaj siguruesit, në rast
të refuzimit të kontributit financiar dhe furnizimit me të dhëna, të parashikuara me dispozita të këtij ligji.
8. BQK-ja shqipton gjobë nga pesëqind (500) deri në njëmijë (1.000) Euro për personat përgjegjës të
siguruesit në rast të shkeljeve të paragrafit 7. të këtij neni.
Neni 38
Masat ndëshkimore për Byronë
1. BQK-ja shqipton gjobë nga njëmijë (1.000) deri në tremijë (3.000) Euro ndaj drejtorit ekzekutiv të
Byrosë, kur:
1.1. nuk i jepet një ofertë apo njoftim i arsyetuar palës së dëmtuar brenda afateve të
përcaktuara në paragrafin 1. të nenit 26 të këtij ligji, ku Byroja është e detyruar të paguajë
kompensimin sipas këtij ligji;
1.2. nuk i paguan palës së dëmtuar pjesën jokontestuese të dëmit, respektivisht paradhënien
sipas paragrafit 4. të nenit 26 të këtij ligji;
1.3. nuk menaxhon dhe përdor fondin e kompensimit dhe fondin garantues, sipas mënyrës së
përcaktuar me këtë ligj, rregullore apo udhëzime përkatëse;
2. Në rast të shkeljeve të paragrafit 1. të këtij neni, BQK-ja shqipton gjobë nga njëmijë (1.000) deri
(3.000) Euro edhe ndaj personave të tjerë përgjegjës të Byrosë.
3. BQK-ja shqipton gjobë, në shumën nga njëmijë (1.000) deri në tremijë (3.000) Euro, ndaj Drejtorit
Ekzekutiv të Byrosë, kur:
3.1. nuk njofton BQK-në, sipas detyrimeve të parapara në paragrafin 10. të nenit 32 të këtij
ligji;
3.2. nuk i vë në dispozicion palës së dëmtuar apo çdo pale tjetër, të përfshirë në aksident
informacionin e disponueshëm, dhe nuk i mundëson përdorimin e këtij informacioni në
përputhje me parashikimet e këtij ligji.
4. Në rast të shkeljeve sipas paragrafit 3. të këtij neni, BQK-ja shqipton gjobë nga pesëqind (500) deri
në njëmijë (1.000) edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Byrosë.
Neni 39
Ndëshkimet ndaj pronarit të mjetit motorik
1. Personi fizik gjobitet me dyqind (200) ndërsa personi juridik me pesëqind (500) kur në cilësinë e
pronarit të mjetit motorik, shkel dispozitat e nenit 3 dhe 5 të këtij ligji.
2. Gjobat sipas paragrafit 1. të këtij neni do të shqiptohen nga organet kompetente.
Neni 40
Ndëshkimet ndaj drejtuesit të mjetit motorik
1. Drejtuesi i mjetit motorik gjobitet me pesëdhjetë (50) deri në njëqind (100) Euro, kur nuk i vë në
dispozicion personit të autorizuar policën e sigurimit apo ndonjë dokument vërtetues të sigurimit të
autopërgjegjësisë .
2. Kur drejtuesi i mjetit motorik me targa të huaja nuk është i pajisur me policën e sigurimit kufitar,
gjobitet me njëqindepesëdhjetë (150) Euro.
3. Gjobat sipas paragrafit 1. dhe 2. të këtij neni do të shqiptohen nga organet kompetente.
18
KREU VII
DISPOZITAT KALIMTARE
Neni 41
Harmonizimi me dispozitat e këtij ligji
1. Siguruesi i cili ushtron veprimtari në fushën e sigurimit të detyrueshëm motorik, është i detyruar të
harmonizojë kushtet e sigurimit me dispozitat e këtij ligji, brenda tre (3) muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
2. BQK-ja mbikëqyrë funksionimin e qendrës informative, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, dhe
siguron themelimin e kësaj qendre informative brenda një (1) viti nga hyrja në fuqi e ligjit.
Neni 42
Nxjerrja e akteve nënligjore
Pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, BQK-ja nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji në afat prej tre (3)
muaj.
Neni 43
Shfuqizimi
Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet çdo dispozitë e rregullores së UNMIK-ut 2001/25 që
rregullon sigurimin e detyrueshëm të autopërgjegjësisë si dhe aktet nënligjore të BQK-së “Për
sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike për përgjegjësinë ndaj personave të tretë” kur janë në
kundërshtim me këtë ligj.
Neni 44
Hyrja në fuqi
Ky ligj hynë në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës
Ligji Nr. 04/ L-018
23 qershor 2011
Shpallur me dekretin Nr.DL-003-2011, datë 05.07.2011 nga Presidentja e Republikës së Kosovës
Atifete Jahjaga.