LIGJI NR. 03/L-95 PËR TË DREJTAT E ISH TË DENUARVE DHE TË PËRNDJEKURVE POLITIKË

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 91 / 10 DHJETOR 2010

LIGJI Nr. 03/L-95



PËR TË DREJTAT E ISH TË DENUARVE DHE TË PËRNDJEKURVE POLITIKË



Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR TË DREJTAT E ISH TË DENUARVE DHE TË PËRNDJEKURVE POLITIKË


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

1. Me këtë ligj rregullohet statusi i ish të dënuarit politik, i ish të burgosurit politik dhe i ish të
përndjekurit politik.

2. Të drejtat e tyre të veçanta nga sigurimi pensional dhe invalidor, të drejtat në kompensim për dëmtimin
e shkaktuar si pasojë e burgimit, e dënimit ose e persekutimit dhe të drejtat e anëtarëve të familjes së
ngushtë të tyre.

3. Themelimi i organit kompetent për njohjen e statusit.

4. Procedura për realizimin e të drejtave, që përcaktohen me këtë ligj.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Ish i dënuar politik - personi, qytetari i Kosovës, që me akt gjyqësor është dënuar për
vepra të inkriminuara politike – ideologjike të regjimit totalitar në ish Jugosllavi.

1.2. Ish i burgosur politik - personi i arrestuar, i mbajtur në vend të caktuar në izolim, në arrest
shtëpiak dhe i burgosur për motive, për qëllime të pushtetit dhe për interesa politike, më tepër se
shtatëdhjetedy (72) orë në objektet e veçanta të pushtetit.

1.3. Ish i përndjekur politik - personi, qytetari i Kosovës, i cili me akt juridik të organit
kompetent, për motive politike është përndjekur nga organet e pushtetit.

1.4. Statusi i ish të dënuarve, të burgosurve dhe të përndjekurve politikë - pozita juridike e
tyre sipas kushteve, kritereve dhe proceduarave të përcaktuara me këtë ligj.

1.5. Anëtarë të familjes së personave të dënuar, të burgosur e të përndjekur politikë - janë
personat që përcaktohen me dispozitat e Ligjit për familjen.

2
1.6. Komisioni Qeveritar për të drejtat e ish të burgosurve, të ish të dënuarve e të ish të
përndjekurve Politikë - komision i themeluar me akt te posaçëm në pajtim me dispozitat e këtij
ligji.

1.7. Instituti për Integrimin e ish të burgosurve politikë - institut i themeluar me akt te
posaçëm në pajtim me dispozitat e këtij ligji.

1.8. Komisioni i Ankesave komision qeveritar i themeluar me dispozitat e këtij ligji.


KREU II
DISPOZITAT THEMELORE


SHTRIRJA KOHORE DHE HAPËSINORE E ZBATIMIT TË LIGJIT

Neni 3
Statusi dhe kategoritë e ish të dënuarve dhe ish të përndjekurve politikë

1. Statusin e personave të përcaktuar me këtë nen e gëzojnë këto kategori:

1.1. ish i dënuari politik;

1.2. ish i burgosuri politik; dhe

1.3. ish i përndjekuri politik.

2. Ish i dënuari politik, sipas këtij ligji konsiderohet qytetari i Kosovës, i cili me akt gjyqësor është dënuar
me procedurë gjyqësore në gjykatë civile ose në gjykatë ushtarake për vepra të inkriminuara politike –
ideologjike, atdhetare, gjatë regjimeve totalitare në ish Jugosllavi.

3. Ish i burgosur politik, sipas këtij ligji konsiderohet personi i arrestuar, i mbajtur në vend të caktuar në
izolim dhe i burgosur për motive, për qëllime dhe për interesa politike, më tepër se shtatëdhjetedy (72)
orë në lokalet e organeve të ndjekjes, përkatësisht në kampet e ndryshme të institucioneve zyrtare të
sigurisë (të policisë, të ushtrisë, të shërbimit sekret).

4. Ish i përndjekur politik, sipas këtij ligji konsiderohet personi-qytetari i Kosovës, kundër të cilit me akt
juridik të organit kompetent janë marrë masa ose veprime politike–juridike, që kanë ndikuar në mënyrë të
drejtpërdrejtë ose të tërthortë, në masën e suspendimit ose të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, të
shkollimit, marrjen e lejes, respektivisht ndalesën për ushtrimin e veprimtarisë me mjete në pronësi
personale, për shkak të bindjeve dhe të përcaktimit të tyre ose të lidhjeve të drejtpërdrejta ose të tërthorta
me persona, të cilët janë dënuar dhe janë përndjekur në bazë të dyshimit të supozuar politik ose të
inkriminimit politik.

5. Personat nga ky nen janë të dënuar dhe të përndjekur padrejtësisht dhe mbi këtë bazë janë të
pafajshëm për efekte morale, politike, sociale dhe ekonomike.

Neni 4

Statusi dhe të drejtat e personave nga neni 3 i këtij ligji u njihen për periudhën e sundimit të regjimeve
totalitare, që nga vendosja e tyre, përkatësisht nga data 1 mars 1913 deri më 12 qershor 1999,
përkatësisht për të dënuarit, që kanë mbetur në burg deri në lirimin e tyre.

Neni 5

1. Qytetarët e Kosovës, që, për shkak të burgosjeve politike, të presioneve edhe pas daljes nga burgu, të
frikësimeve, të kanosjes, të përndjekjes, të keqtrajtimit, të diskualifikimeve shoqërore ose të formave të
tjera të veprimeve të rrezikshme për ta janë detyruar ta lëshojnë Kosovën a ndonjë vend tjetër të ish
Jugosllavisë, madje nëse edhe në pjesët e tjera të ish Jugosllavisë ose në mërgim, jashtë ish
3
Jugosllavisë, janë burgosur dhe persekutuar për motive politike, i gëzojnë të drejtat e parapara me këtë
ligj.

2. Personat nga paragrafi 1. i këtij neni, të cilët janë privuar nga jeta në burg ose kanë vdekur si pasojë e
burgosjes dhe e pasojave te konstatuara të burgosjes në Kosovë, në territorin e ish Jugosllavisë, ose në
mërgim, i njihet statusi i dëshmorit dhe anëtarët - trashëgues të familjes i gëzojnë të gjitha të drejtat e
përcaktuara me ligj.

Neni 6
Të drejtat dhe mënyra e realizimit

1. Personat nga neni 3 i këtij ligji kanë të drejtë në rehabilitim juridik, moral, shoqëror e politik për pasojat
e burgosjes, të dënimit, dhe të trajtimit të padrejtë.

2. Të drejtat pasurore që lidhen me pronën e patundshme të konfiskuar dhe beneficionet që rrjedhin nga
ky status, mund të bartën tek pasardhësit në përputhje me dispozitat e Ligjit mbi të drejtat pronësore dhe
Ligjit mbi trashëgiminë të Kosovës.

Neni 7
E drejta e kompensimit

1. Personat nga paragrafi 2. i nenit 3 të këtij ligji dhe në raste të veçanta edhe ata nga paragrafi 3. i nenit
3 të këtij ligji, kanë të drejtë në kompensim adekuat gradual dhe material.

2. Rast i veçantë, sipas këtij ligji përfshihet personi nga paragrafi 3. i nenit 3 të këtij ligji që e ka vuajtur
dënimin me burgim më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë.

3. Kompensimi për një ditë të kaluar në burg bëhet sipas dispozitave në fuqi për kompensimin e
personave të dënuar pa faj.

4. Kriteret, forma, afatet dhe modalitetet e tjera të kompensimit rregullohen me akt të veçantë.

Neni 8

Personat nga neni 3 i këtij ligji që kanë mbetur me pasoja te faktuara psikike, fizike ose psiko-fizike, si
rezultat i veprimeve të dhunshme, frikësuese, të torturës, të traumave, të keqtrajtimeve dhe të
keqpërdorimeve të tjera, gjatë dhe pas procedurës hetimore, kanë të drejtë për rehabilitim, për mbrojtje
dhe për sigurim shëndetësor në përputhje me ligjin, duke përjashtuar ata që janë përfshirë në ndonjë
kategori përfituese mbi këtë bazë.

Neni 9
E drejta për sigurim pensional e invalidor

1. Personat nga neni 3 i këtij ligji, kanë të drejtë për sigurim pensional, respektivisht sigurim invalidor ,
në proporcion me kohen e kaluar ne burg, respektivisht me shkallen e inavliditetit te shkaktuar ne burg.

2. E drejta për sigurimin pensional, invalidor dhe për stazh, rregullohen me akt të veçantë.

3. Personat nga paragrafët 1. dhe 2. të nenit 3 të këtij ligji, të cilëve u është shkaktuar invaliditet i
përhershëm, marrin pension të veçantë nga buxheti Kosovës.

Neni 10
Njohja e stazhit te punës

Koha e kaluar në burg njihet si stazh i dyfishtë i punës për të burgosurit dhe të dënuarit politik.

Neni 11

Personat që në bazë të këtij ligji, pas përfundimit të procedurës gjegjëse, e fitojnë statusin benficues, do
të marrin certifikatë për beneficionet që i gëzojnë.
4





Neni 12

1. Personat nga neni 3 i këtij ligji me gjendje të rëndë ekonomike dhe shëndetësore në kushte të njëjta
kanë të drejtë edhe në këto forma përkatëse beneficimi:

1.1. përparësi në punësim;

1.2. përparësi për bursa dhe për vendosje të fëmijëve të tyre në konvikte;

1.3. përparësi në shfrytëzimin e teksteve shkollore pa pagesë;

1.4. lehtësi tatimore dhe doganore për mjetet dhe pajisjet e domosdoshme për rehabilitimin e
tyre shëndetësor;

1.5. lehtësi për shpenzimet e transportit me mjetet e transportit publik;

1.6. përparësi për ndihmë sociale e ekonomike;
1.7. për strehim;

1.8. kompensimin e shpenzimeve të varrimit.

2. Kushtet, kriteret dhe procedurat për realizimin e lehtësirave të lartpërmendura, rregullohen me akt të
veçantë.


KREU III
PROCEDURA E REALIZIMIT TË SË DREJTËS

Neni 13

1. Të drejtat e parapara me këtë ligj, kërkohen, përfitohen dhe realizohen me procedurë përkatëse
administrative, me kërkesë me shkrim dhe me dokumentacion të kompletuar.
2. Personat nga neni 3 i këtij ligji, kërkesën për njohjen e të drejtave, sipas këtij ligji, mund ta parashtrojnë
pasi t’u njihet statusi i përcaktuar me ligj.

3. Për njohjen dhe realizimin e të drejtave sipas këtij ligji, personat duhet t’i parashtrojnë me shkrim
kërkesën dhe provat e tjera të nevojshme.

4. Provë e nevojshme me shkrim është vërtetimi për vuajtjen e dënimit, aktgjykimi, përkatësisht
aktvendimi gjyqësor nga institucioni kompetent, me të cilin vërtetohen: veprimi, pasoja, koha e qëndrimit
në burg, dëshmia me shkrim e Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe e dëshmitarëve etj.

Neni 14

Institucionet dhe organet, që e kanë dokumentacionin e nevojshëm për dëshmimin e statusit të
personave nga neni 3 i këtij ligji, që e mbikëqyrin dhe e ruajnë atë dokumentacion, janë të obliguar, që
me kërkesë të palës së interesuar ta japin atë dokumentacion në afat më së largu prej gjashtëdhjetë (60)
ditësh nga dita e pranimit të kërkesës.

Neni 15

Në qoftë se personi nga neni 3 i këtij ligji ka vdekur para datës së paraqitjes së kërkesës për njohje të së
drejtës, kërkesën mund ta parashtrojë anëtari i familjes së tij.

5
Neni 16

Personit të cilit i është refuzuar kërkesa për njohjen e statusit të ish të burgosurit politik, ngase nuk ka
mundur t’i sjellë dokumentet e kërkuara, sipas këtij ligji, mund të parashtrojë kërkesë të re duke
bashkangjitur fakte e arsye të reja.

Neni 17

Lidhur me kushtet për përfitimin e së drejtës për pension, për lartësinë e pensionit, të procedurës së
sendërtimit të së drejtës, të pagesës dhe të harmonizimit të pensionit, si dhe të çështjeve të tjera, që nuk
janë rregulluar me këtë ligj, në mënyrë të përshtatshme zbatohen dispozitat ligjore mbi sigurimin
pensional dhe invalidor të punëtorëve.

Neni 18

Personat nga neni 3 i këtij ligji, që e përfitojnë statusin, respektivisht të drejtën përkatëse, të paraparë me
këtë ligj, pa bazë ligjore, detyrohen, t’i kthejnë shumat që i kanë marrë padrejtësisht.


KREU IV
KOMISIONI QEVERITAR PËR NJOHJEN E STATUSIT TË ISH TË DËNUARVE DHE TË ISH TË
PËRNDJEKURVE POLITIKË

Neni 19

1. Për njohjen e të drejtave të personave nga neni 3 i këtij ligji formohet një komision i posaçëm
qeveritar.

2. Komisioni Qeveritar, emërohet nga Qeveria dhe përbëhet nga:

2.1. një (1) përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë;

2.2. një (1) përfaqësues i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale;

2.3. një (1) përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë;

2.4. një (1) deputet i Kuvendit të Kosovës nga komisioni përkatës;

2.5. një (1) përfaqësues i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe

2.6. një (1) përfaqësues nga shoqëria civile - përkatësisht nga Shoqata e Juristëve të Kosovës.

3. Kryetari i Komisionit zgjidhet me mandat një (1) vjeçar nga radhët e anëtarëve të Komisionit.

4. Komisioni Qeveritar për realizimin e të drejtave të ish të burgosurve politikë i përcakton kushtet,
kriteret, llojin dhe mënyrën e zhdëmtimit (kompensimit) të personave në përputhje me nenin 3 të këtij ligji,
me procedurë të caktuar me këtë ligj dhe me akte të tjera gjegjëse nënligjore.

5. Për ankesat lidhur me vendimet e Komisionit, sipas paragrafit 1. të këtij neni, vendos Komisioni i
veçantë i shkallës së dytë i Qeverisë (Komisioni i Ankesave). Për punën, për organizimin dhe për
funksionin e tij, Komisioni e nxjerr Rregulloren e punës, që e miraton Qeveria.


KREU V
INSTITUTI PËR ISH TË DENUARIT DHE PËR ISH TË PËRNDJEKURIT POLITIKË

Neni 20

1. Instituti themelohet për shqyrtimin, për hulumtimin dhe për publikimin e së vërtetës për ish të dënuarit,
për ish të burgosurit dhe për ish të përndjekurit politikë, si dhe për integrimin e tyre në shoqëri.
6

2. Instituti nga paragrafi 1. të këtij neni, është institucion i posaçëm dhe i përhershëm shtetëror që
veprimtarinë e vet e shtrin në tërë territorin e Kosovës.

3. Puna, fushëveprimi dhe aktivitetet e Institutit rregullohen me akt të veçantë.


KREU VI
AFATET PËR INICIMIN E PROCEDURËS DHE PËR REALIZIMIN E SË DREJTËS

Neni 21

Kërkesa për realizimin e së drejtës nga neni 3 i këtij ligji i paraqitet komisionit qeveritar të themeluar sipas
këtij ligji në periudhën katër (4) vjeçare duke filluar gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi.

Neni 22

1. Mjetet financiare për përmbushjen e obligimeve, që krijohen me njohjen e të drejtave sipas këtij ligji, i
siguron Qeveria nga Buxheti i Kosovës, pasuria e patundshme shoqërore, fondi i privatizimit, aksionet e
privatizimit etj.

2. Mbarëvajtjen e punës, zbatimin e ligjit dhe transparencën e Komisionit Qeveritar, në përputhje me
nenin 19 të këtij ligji, e përcjell dhe e mbikëqyr Kuvendi i Republikës së Kosovës.

3. Komisioni, nga neni 19 i këtij ligji, nëpërmjet Qeverisë, obligohet që rregullisht, të paktën një (1) here
në vit, t’i raportojë me shkrim Kuvendit për ecurinë dhe efikasitetin e realizimit të të drejtave të rregulluara
me këtë ligj.


KREU VII
DISPOZITAT NDËSHKIMORE

Neni 23

1. Moszbatimi i dispozitave të këtij ligji dënohet sipas ligjeve në fuqi.

2. Personat nga neni 3 i këtij ligji, që e kanë fituar statusin me dokumente të falsifikuara, kur kjo gjë
vërtetohet ligjërisht, përveç kthimit të shumës së përfituar, ndiqen edhe penalisht në përputhje me ligjin
në fuqi.

3. Në rastin kur personi nga neni 3 i këtij ligji, që është burgosur ose është dënuar rrejshëm nga shteti
nuk i gëzon të drejtat në bazë të këtij ligji.


KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 24

1. Ky ligj nuk e përjashton të drejtën e anëtarëve të familjes së personave të cilëve i është njohur e
drejta personale, që të përfitojnë nga Skema e Ndihmës Sociale.

2. Përfitimet familjare të përcaktuara me këtë ligj, e përjashtojnë të drejtën e përfitimit të po kësaj
familjeje nga Skema e Ndihmës Sociale.

3. Përfituesit nga ligji për pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe/ose përfituesit e pensioneve
të pleqërisë mbi moshën gjashtëdhjetepesë (65) vjeçare, mund të jenë shfrytëzues të të drejtave në
pajtim me këtë ligj.

Neni 25
7

Qeveria, përkatësisht ministritë përkatëse, obligohen në afat më së largu gjashtë (6) muaj nga dita e
hyrjes në fuqi e këtij ligji, ta formojnë komisionin nga nenit 19 si dhe Institutin nga neni 20 i këtij ligji dhe të
nxjerrin akte të parapara nënligjore dhe akte të tjera administrative që e rregullojnë fushën e të drejtave të
parapara me këtë ligj.

Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 03/ L-95
29 tetor 2010

Shpallur me dekretin Nr. DL-076-2010, datë 18.11.2010 nga u.d. Presidenti i Republikës së
Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.