1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 90 / 01 DHJETOR 2010
LIGJI Nr. 03/L-212
I PUNËS
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) dhe nenit 49 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
Duke pasur parasysh Konventat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Legjislacionin e BE-së dhe
parimet themelore të ekonomisë së hapur dhe të tregut të punës;
Me qëllim të krijimit të një baze ligjore funksionale, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për
marrëdhënien e punës,
Miraton
LIGJ TË PUNËS
KREU I
DISPOZITAT THEMELORE
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim të rregullojë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, siç përcaktohen me
këtë ligj.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të punësuarit dhe punëdhënësit e sektorit privat dhe publik në
Republikën e Kosovës.
2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për të punësuarit dhe punëdhënësit, punësimi i të cilëve
rregullohet me ligj të veçantë, nëse ligji i veçantë nuk parashikon zgjidhje për çështje të caktuara nga
marrëdhënia e punës.
3. Dispozitat e këtij ligji zbatohen edhe për të punësuarit me shtetësi të huaj dhe personat pa shtetësi, të
cilët janë të punësuar tek punëdhënësit në territorin e Republikës së Kosovës, nëse me ligj nuk është
rregulluar ndryshe.
4. Dispozitat e këtij ligji nuk janë të aplikueshme për marrëdhëniet e punësimit brenda misioneve
ndërkombëtare, misioneve diplomatike dhe konsullore të shteteve të huaja, Pranisë Ushtarake
Ndërkombëtare të vendosur në Republikën e Kosovës në bazë të Propozimit Gjithëpërfshirës për
Statusin dhe organizatat ndërkombëtare qeveritare.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
2
1.1. I punësuari - personi fizik i punësuar për të kryer punë ose shërbime me pagesë për
punëdhënësin;
1.2. Punëdhënësi - personi fizik ose juridik i cili i siguron punë të punësuarit dhe i paguan pagën
për punën ose për shërbimet e kryera;
1.3. Sektori publik - sektori i arsimit, të shëndetësisë si dhe ndërmarrjet publike të cilat janë
pronësi e Republikës së Kosovës apo e ndonjërës nga komunat e Republikës së Kosovës;
1.4. Dialogu Social - procesi demokratik i konsultimeve dhe i shkëmbimit të informatave në
mes të përfaqësuesve të punëdhënësve, punëmarrësve dhe përfaqësuesve të Qeverisë;
1.5. Këshilli Ekonomiko-Social (KES) - organi i nivelit nacional i cili udhëheq konsultimet për
çështjet nga marrëdhënia e punës, mirëqenia sociale dhe çështjet tjera të cilat kanë të bëjnë me
politikat ekonomike në Republikën e Kosovës;
1.6. Organizatat e të punësuarve - sindikatat të cilat janë të pavarura, vullnetare, e themeluar
për realizimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve;
1.7. Organizata e punëdhënësve - organizatë në të cilën punëdhënësit bashkohen vullnetarisht
për mbrojtjen e interesave të tyre;
1.8. Kontrata Kolektive - marrëveshja ndërmjet organizatave të punëdhënësve dhe
organizatave të të punësuarve me të cilën rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që
rrjedhin nga marrëdhënia e punës sipas marrëveshjes së arritur;
1.9. Akti i Brendshëm i Punëdhënësit - akti i cili rregullon të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë
që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, në pajtim me këtë ligj dhe me Kontratën Kolektive;
1.10. Marrëdhënia e Punës - një marrëveshje ose rregullim kontraktual ndërmjet një
punëdhënësi dhe të punësuarit për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive specifike nga i
punësuari nën mbikëqyrjen e punëdhënësit, kundrejt një pagese të dakorduar, zakonisht në
formë të parave;
1.11. Kontrata e Punës - akti individual e cila lidhet ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit,
me të cilën rregullohen të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga marrëdhënia e punës
në pajtim me këtë ligj, me Kontratën Kolektive dhe me Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit;
1.12. Praktikanti - personi i kualifikuar i cili themelon për herë të parë marrëdhënie pune, me
qëllim që gjatë punës praktike të aftësohet për punë të caktuara;
1.13. Paga - shpërblimi ose fitimi i çfarëdo niveli të llogaritur e shprehur në para për të
punësuarin;
1.14. Paga minimale - pagesa minimale e propozuar nga KES-i ndërsa e vendosur nga
Qeveria, sipas kritereve të përcaktuara me këtë në pajtim me këtë ligj;
1.15. Puna e detyruar ose e dhunshme - puna ose shërbimet të cilat kërkohen të kryhen nën
kërcënim me ndëshkim, për të cilat i punësuari nuk shpreh vullnet t’i kryejë;
1.16. Anëtarët e familjes së ngushtë - bashkëshorti/ja, fëmijët martesorë dhe jashtë martesorë,
fëmijët e birësuar, vëllezërit, motrat dhe prindërit;
1.17. Diskriminimi - çdo dallim që përfshin përjashtim ose dhënie të përparësisë në bazë të
racës, ngjyrës, gjinisë, fesë, moshës, gjendjes familjare, mendimit politik, prejardhjes kombëtare
ose sociale, gjuhës ose anëtarësisë sindikale, që e ka fuqinë e anulimit ose mosdhënies së
mundësive të barabarta për punësim apo profesion apo ngritje profesionale
1.18. Ministria - Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS);
3
1.19. IP - Inspektorati i Punës;
1.20. QRP -Qendra Rajonale e Punësimit;
1.21. ZP - Zyrat e Punësimit.
Neni 4
Hierarkia në mes të Ligjit, Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit dhe
Kontratës së Punës
1. Dispozitat e Kontratës Kolektive, Aktit të Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratës së Punës duhet
të jenë në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Kontrata Kolektive nuk mund të përmbajë të drejta më pak të favorshme për të punësuarin dhe
punëdhënësin se sa të drejtat e përcaktuara me këtë ligj.
3. Akti i Brendshëm i Punëdhënësit dhe Kontrata e Punës mund të përmbajnë dispozita me të cilat
përcaktohen më shumë të drejta dhe kushte të favorshme, nga të drejtat dhe kushtet e përcaktuara me
ligj, përveç nëse me këtë ligj është përcaktuar ndryshe.
Neni 5
Ndalimi i të gjitha llojeve të diskriminimit
1. Diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin,
promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose
çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi.
2. Ndalohet diskriminimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i personave me aftësi të kufizuara gjatë punësimit,
avancimit në punë dhe avancimit profesional, nëse për atë vend pune është i aftë ta kryejë punën në
mënyrë adekuate.
3. Nuk konsiderohet diskriminim, çdo dallim përjashtim ose dhënie e përparësisë, përkitazi me ndonjë
vend të caktuar pune, në bazë të kritereve të caktuara që kërkohen për atë vend pune.
4. Punëdhënësi është i obliguar që në rastin e punësimit të punëtorëve, për të njëjtin vend pune të
përcaktojë kritere dhe mundësi të barabarta si për femra ashtu edhe për meshkuj.
5. Dispozitat e Ligjit nr. 2004/3 Kundër Diskriminimit, do të zbatohen drejtpërsëdrejti kur është në pyetje
marrëdhënia e punës e lidhur në mes të të punësuarit dhe punëdhënësit.
Neni 6
Ndalimi i punës së detyruar ose të dhunshme
1. Puna e detyruar ose e dhunshme është e ndaluar.
2. Përjashtimisht punë e detyruar nuk konsiderohet puna ose shërbimi të cilin e kryejnë personat e
dënuar me aktgjykim të formës së prerë gjatë vuajtjes së dënimit ose në raste të gjendjes së
jashtëzakonshme, të shpallur sipas nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
KREU II
THEMELIMI I MARRËDHËNIES SË PUNËS
Neni 7
Kushtet dhe kriteret për themelimin e marrëdhënies së punës
1. Marrëdhënia e punës mund të themelohet me çdo person prej moshës tetëmbëdhjetë (18) vjeç.
4
2. Marrëdhënia e punës mund të themelohet edhe me personat në mes të moshës pesëmbëdhjetë (15)
deri në tetëmbëdhjetë (18) vjeç, të cilët mund të punësohen për punë të lehta që nuk paraqesin rrezik për
shëndetin ose zhvillimin e tyre dhe nëse ajo punë nuk është e ndaluar me ndonjë ligj ose akt nënligjor.
3. Asnjë punëdhënës nuk mund të lidhë kontratë pune me ndonjë person nën moshën pesëmbëdhjetë
(15) vjeç.
4. Për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore, punëdhënësi është i detyruar që të
punësuarin t’a lajmërojë në Administratën Tatimore të Kosovës, institucionet e tjera të cilat i menaxhojnë
dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat e tjera të obligueshme.
5. Sistemimi i punëve të lehta dhe të ndaluara nga paragrafi 2. i këtij neni për personat nën moshën
tetëmbëdhjetë (18) vjeç, rregullohet me akt nënligjor të nxjerrë nga Ministria.
Neni 8
Konkursi Publik
1. Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një
punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës.
2. Konkursi duhet të jetë i barabartë për të gjithë kandidatët e synuar, pa asnjë lloj diskriminimi, ashtu siç
parashihet me këtë ligj dhe aktet tjera në fuqi.
Neni 9
Punësimi i shtetaseve të huaj
Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi në Republikën e Kosovës themelojnë marrëdhënie pune sipas
këtij ligji, nën kushtet dhe kriteret e përcaktuara me ligj të veçantë për punësimin e shtetasve të huaj dhe
sipas konventave ndërkombëtare.
Neni 10
Kontrata e Punës
1. Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe nënshkruhet nga punëdhënësi dhe i punësuari.
Kontrata përfshin elementet e përcaktuara sipas nenit 11 të këtij ligji.
2. Kontrata e Punës mund të lidhet për:
2.1. një periudhë të pacaktuar;
2.2. një periudhë të caktuar;dhe
2.3. për punë dhe detyra specifike.
3. Kontrata e punës që nuk përmban kurrfarë hollësish për kohëzgjatjen e vet, duhet të konsiderohet si
kontratë në periudhë të pacaktuar.
4. Kontrata për periudhë të caktuar nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se dhjetë (10) vite.
5. Kontrata për një periudhë të caktuar që ripërtërihet në mënyrë të qartë ose të vetëkuptueshme për një
periudhë të punësimit më të gjatë se dhjetë (10) vite, konsiderohet si kontratë për një periudhë të
pacaktuar kohore.
6. Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një
(1) viti.
7. Personi që ka lidhur kontratë të punës për një afat të caktuar ose për një detyrë specifike, i ka të gjitha
të drejtat dhe detyrimet e parapara me këtë ligj, përveç nëse është paraparë ndryshe me ligj.
5
8. Të punësuarit për një punë specifike, nuk i takon e drejta në pushim vjetor dhe të drejtat e tjera të
përcaktuara me Kontratë Kolektive dhe Kontratën e Punës.
9. Me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit, përcaktohet koha në rastet kur me të
punësuarin mund të themelohet marrëdhënia e punës në kohë të caktuar dhe punë specifike, në pajtim
me këtë ligj.
Neni 11
Përmbajtja e Kontratës së Punës
1. Kontrata e Punës përmban;
1.1. të dhënat për punëdhënësin (emërtimi, selia dhe numrin e regjistrimit të biznesit);
1.2. të dhënat për të punësuarin (emri, mbiemri, kualifikimi dhe vendbanimi);
1.3. emërtimin, natyrën, llojin e punës, llojin shërbimeve dhe përshkrimin e detyrave të punës;
1.4. vendin e punës dhe njoftimin që puna do të kryhet në lokacione të ndryshme,
1.5. orët dhe orarin e punës;
1.6. datën e fillimit të punës;
1.7. kohëzgjatjen e Kontratës së Punës;
1.8. lartësinë e pagës bazë, si dhe ndonjë shtesë ose të ardhur tjetër,
1.9. kohëzgjatjen e pushimeve;
1.10. përfundimin e marrëdhënies së Punës;
1.11. të dhëna të tjera për të cilat punëdhënësi dhe punëmarrësi i vlerësojnë të rëndësishme për
rregullimin e marrëdhënies së punës;
1.12. kontrata e Punës mund të përmbajë të drejta dhe detyra të tjera të parashikuara me këtë
ligj;
1.13. të drejtat dhe detyrimet të cilat nuk janë të përcaktuara me Kontratën e Punës, rregullohen
me dispozitat e këtij ligji, Kontratën Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit;
2. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për nevojat e punëdhënësve do të përgatisë mostra të
kontratave të punës sipas standardeve minimale, për periudhë të pacaktuar, të caktuar dhe për punë
specifike.
Neni 12
Vazhdimi i punësimit
1. Vazhdimi i punësimit të të punësuarit, nuk konsiderohet si ndërprerje e marrëdhënies së punës, si në
rastet e mëposhtme:
1.1. pas shfrytëzimit të pushimit vjetor, pushimit mjekësor, pushimit të lehonisë ose çfarëdo
pushimi tjetër të marrë në përputhje me ligjin;
1.2. pas suspendimit të tij nga vendi i punës me ose pa pagesë, në përputhje me këtë ligj;
1.3. ndërmjet ndërprerjes të kontratës së punës së tij dhe datës së rikthimit efektiv sipas vendimit
të gjykatës ose organit të ngjashëm në përputhje me këtë ligj;
1.4. me pëlqimin e punëdhënësit.
6
2. Vazhdimi i punësimit nga i punësuari nuk konsiderohet si i ndërprerë nga intervali kohor prej
përfundimit të punësimit deri me rifillimin e serishëm të punësimit që nuk kalon intervalin kohor më shumë
se dyzetepesë (45) ditë pune.
Neni 13
Të drejtat e të punësuarit me rastin e ndërrimit të punëdhënësit
1. Në rast të ndërrimit statusor, përkatësisht të ndërrimit të punëdhënësit, punëdhënësi i ardhshëm nga
punëdhënësi paraprak në përputhje me Kontratën Kolektive dhe kontratat e punës, i merr përsipër të
gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë nga marrëdhënia e punës të cilat janë të aplikueshme në ditën e
ndërrimit të punëdhënësit.
2. Punëdhënësi paraprak është i obliguar që punëdhënësin e ardhshëm ta informojë drejtë dhe plotësisht
për të drejtat dhe detyrimet nga Kontrata Kolektive dhe Kontrata e Punës të cilat barten te punëdhënësi i
ardhshëm.
3. Punëdhënësi paraprak është i obliguar që në formë të shkruar t’i informojë të gjithë të punësuarit për
bartjen e detyrimeve dhe përgjegjësive tek punëdhënësi i ardhshëm.
4. Nëse i punësuari refuzon bartjen e kontratës së punës apo nuk deklarohet në afatin prej pesë (5)
ditësh nga dita e marrjes së njoftimit sipas paragrafit 3. të këtij neni, punëdhënësi paraprak mund t’ia
shkëpusë kontratën e punës të punësuarit.
Neni 14
Fillimi i punës
1. I punësuari e fillon punën ditën e përcaktuar me Kontratën e Punës.
2. Në qoftë se i punësuari nuk e fillon punën në ditën e caktuar me Kontratën e Punës, do të
konsiderohet se nuk ka themeluar marrëdhënie pune, përveç në qoftë se është penguar të fillojë punën
për shkaqe të arsyeshme, ose në qoftë se punëdhënësi dhe i punësuari merren vesh ndryshe.
Neni 15
Puna provuese
1. Puna provuese përcaktohet me Kontratën e Punës.
2. Puna Provuese mund të zgjasë, më së shumti gjashtë (6) muaj në pajtim me këtë ligj, Kontratën
Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit.
3. Gjatë periudhës provuese të punës, punëdhënësi dhe të punësuarit, mund ta ndërpresin marrëdhënien
e punës me njoftim paraprak prej shtatë (7) ditësh.
Neni 16
Praktikantët
1. Punëdhënësi mund të lidhë Kontratë Pune me praktikantin.
2. I punësuari në cilësinë e praktikantit i cili ka lidhur kontratë pune me punëdhënësin, i realizon të gjitha
të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës sikurse të punësuarit e tjerë.
3. Punëdhënësi i cili pranon praktikant në ndërmarrjen e tij, është i detyruar që të ofrojë mbrojtje dhe
siguri në punë duke u bazuar në Ligji Nr. 2003/19 për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve
dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
4. Puna praktike e praktikantit me përgatitje pasuniversitare, universitare dhe të lartë mund të zgjasë
më së shumti një (1) vit, ndërsa puna praktike e praktikantit me shkollim të mesëm mund të zgjasë më së
shumti gjashtë (6) muaj.
7
5. Punëdhënësi në marrëveshje me personin e interesuar mund të angazhojë praktikant pa ndonjë
kompensim të pagës dhe të drejtave të tjera nga marrëdhënia e punës, përveç që duhet të ofrojë mbrojtje
dhe siguri në vendin e punës sipas ligjit. Punëdhënësi i cili e angazhon praktikantin pa kompensim page,
është i obliguar ta evidentojë praktikantin në listën e evidencave pa kompensim page.
6. Me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit, përcaktohet mënyra e aftësimit
profesional dhe kohëzgjatja e stazhit të praktikantit.
KREU III
SISTEMIMI I TË PUNËSUARIT NË VENDIN E PUNËS
Neni 17
Caktimi i të punësuarit në vendin e punës
1. I punësuari caktohet në vendin e punës, për të cilën ka lidhur Kontratë Pune.
2. Në rast të nevojës për ristrukturim apo organizim të ri të punës, i punësuari në pajtim me Kontratën e
Punës mund të sistemohet në vend tjetër të punës që i përgjigjet përgatitjes profesionale, aftësisë së tij
dhe nivelit të njëjtë të pagës, në pajtim me Kontratën e Punës.
3. I punësuari sipas nevojës mund të sistemohet në punë nga një vend në një vend tjetër, tek i njëjti
punëdhënës në pajtim me Kontratën e Punës, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën
Kolektive.
4. E punësuara gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë, e punësuara me fëmijë deri në moshën
tri (3) vjeç, prindi i vetëm me fëmijë nën moshën pesë (5) vjeç, prindi i punësuar me fëmijë me pengesa të
rënda në zhvillim, i punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç si dhe i punësuari me aftësi të
kufizuara, nuk mund të sistemohen jashtë vendbanimit të tyre, pa pëlqimin e tyre.
Neni 18
Sistemimi i përkohshëm
1. I punësuari mund të sistemohet përkohësisht në punë dhe detyra tjera, pa pëlqimin paraprak, kryerja e
të cilave kërkon përgatitje më të ulët profesionale nga përgatitja të cilin e posedon, në këto raste:
1.1. kur është krijuar gjendje e jashtëzakonshme si pasojë e tërmetit, zjarrit, vërshimeve ose
fatkeqësive tjera natyrore elementare;
1.2. kur ekziston nevoja që të zëvendësohet i punësuari i cili mungon nga puna ;
1.3. kur ka rritje të menjëhershme të vëllimit të punës, por jo më gjatë se tridhjetë (30) ditë pune;
1.4. në raste tjera të caktuara me Kontratë Kolektive.
2. I punësuari është i detyruar t’i kryejë punët nga paragrafi 1, nën-paragrafi 1.1, i këtij neni derisa të
ekzistojnë këto rrethana, ndërsa sipas nën - paragrafit 1.2. dhe 1.3. më së shumti deri në tridhjetë (30)
ditë pune.
3. Të punësuari i cili është sistemuar, në kuptim të paragrafit 1. të këtij neni, i takon e drejta në diferencë
të pagës të cilin e kishte në vendin paraprak të punës, nëse është më e volitshme për të punësuarit e
sistemuar.
Neni 19
Sistemimi i të punësuarit me pëlqimin e tij
1. I punësuari, me pëlqimin e tij mund të sistemohet përkohësisht, në punë te punëdhënësi tjetër, në bazë
të marrëveshjes të të dy punëdhënësve, në vendin e punës i cili i përgjigjet përgatitjes profesionale dhe
kualifikimit të tij, në rastet kur:
8
1.1. është konstatuar se ka pushuar nevoja për punën e të punësuarit;
1.2. ka ardhur deri te ndërprerja e përkohshme e punës ose zvogëlimi i vëllimit të punës;
1.3. hapësirat e punës, respektivisht mjetet e punës iu janë dhënë me qira përkohësisht,
punëdhënësit tjetër;
2. Punëdhënësi tek i cili i punësuari është sistemuar përkohësisht, lidh kontratë pune me të punësuarin.
3. I punësuari i cili është i sistemuar, në kuptim të paragrafit 1. të këtij neni, i pushojnë të drejtat dhe
obligimet te punëdhënësi paraprak.
4. I punësuari nga paragrafi 1. nën-paragrafi 1.1. i këtij neni, ka të drejtë të kthehet në punë, tek
punëdhënësi i mëparshëm ose ti sigurohet njëra nga të drejtat e caktuara me këtë ligj.
5. I punësuari nga paragrafi 1. nën-paragrafët 1.2. dhe 1.3. të këtij neni ka të drejtë që pas skadimit të
kohës së sistemimit të përkohshëm, të kthehet në punë te punëdhënësi i mëparshëm në të njëjtin vend
ose në vend tjetër pune, i cili i përgjigjet përgatitjes profesionale dhe kualifikimit të tij.
KREU IV
ORARI PUNËS
Neni 20
Përcaktimi i orarit të punës
1. Orari i punës nënkupton periudhën kohore, gjatë së cilës i punësuari kryen punë ose shërbime në të
mirë të punëdhënësit.
2. Orari i plotë i punës zgjat dyzet (40) orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
3. Orari i plotë i punës për të punësuarin, i cili është më i ri se tetëmbëdhjetë (18) vjeç, nuk mund të jetë
më shumë se tridhjetë (30) orë në javë.
Neni 21
Orari jo i plotë i punës
1. Orari jo i plotë i punës, është orar pune më i shkurtër sesa orari i plotë i punës.
2. Marrëdhënia e punës mund të themelohet me orar jo të plotë pune, në kohë të caktuar dhe të
pacaktuar.
3. I punësuari i cili punon me orar jo të plotë pune, i gëzon të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin
nga marrëdhënia e punës sikurse i punësuari me orar të plotë pune, në proporcion me orët e punës që ka
punuar i punësuari.
Neni 22
Orari i shkurtuar i punës
1. Orari i shkurtuar i punës caktohet për punët dhe detyrat e punës, për të cilat edhe përkundër aplikimit
të masave mbrojtëse, punëtori nuk mund të mbrohet nga ndikimet e dëmshme për shëndetin e tij.
2. Orari i punës shkurtohet në përpjesëtim me rrezikshmërinë për shëndetin dhe aftësinë punuese të
punëtorit.
3. Orari i shkurtuar i punës mund të reduktohet më së shumti deri në njëzet (20) orë në javë, për punët
me shkallë të lartë të rrezikshmërisë.
9
4. Punët dhe detyrat e punës nga paragrafi 1. i këtij neni përcaktohen në bazë të analizës profesionale
nga organi kompetent, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe me Aktin e Brendshëm të
Punëdhënësi.
5. Ministria në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, në afat prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në
fuqi të këtij ligji, do të nxjerrë akt nënligjor për klasifikimin dhe sistemimin e punëve të rrezikshme për të
punësuarit të cilat dëmtojnë rëndë shëndetin e tyre.
6. I punësuari i cili punon në punët dhe detyrat e punës nga paragrafi 1. i këtij neni, nuk mund të punojë
në punë dhe detyra të njëjta jashtë orarit të punës.
7. I punësuari i cili punon me orar të shkurtuar të punës, sipas paragrafit 1. të këtij neni, i gëzon të gjitha
të drejtat, sikurse të kishte punuar me orar të plotë të punës.
Neni 23
Puna më e gjatë se orari i plotë i punës
1. Në raste të jashtëzakonshme, me rritjen e vëllimit të punëve dhe në raste të tjera të domosdoshme,
me kërkesën e punëdhënësit, punëtori duhet të punojë me gjatë se orari i punës (puna jashtë orarit), më
së shumti deri në tetë (8) orë në javë.
2. Puna më e gjatë se orari i plotë i punës, në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, mund të zgjasë vetëm
për aq kohë sa është e domosdoshme.
3. Puna që e tejkalon kufirin e përcaktuar sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të bëhet edhe në rastet
emergjente për parandalimin e aksidenteve ose forcave madhore të paparashikuara.
4. Përveç punës shtesë të detyrueshme nga paragrafi 1. i këtij neni, i punësuari mund të bëjë punë
shtesë vullnetare në marrëveshje me punëdhënësin, me kompensim page sipas nenit 56 të këtij ligji.
5. Ndalohet puna jashtë orarit për të punësuarit nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç.
6. I punësuari i cili punon me orar të shkurtuar të punës nuk mund të punojë më gjatë se orari i plotë i
punës.
7. Punëdhënësi është i obliguar të mbajë të dhëna të sakta për punët jashtë orarit dhe t’i prezantojë ato
sipas kërkesës së Inspektoratit të Punës.
8. Inspektori i Punës ndalon punën jashtë orarit, nëse ajo ndikon dëmshëm në shëndetin dhe aftësinë
punuese të të punësuarit.
9. Punëdhënësi është i obliguar të shpallë orarin e punës në vend të dukshëm.
Neni 24
Ndarja dhe ndryshimi i orarit të punës
1. Ndarjen e orarit të punës në kuadër të javës së punës e përcakton punëdhënësi.
2. Java e punës mund të organizohet ndryshe, në rast se punëdhënësi e organizon punën me ndërrime,
gjatë natës ose kur natyra e punës e kërkon një gjë të tillë.
3. Punëdhënësi, është i obliguar që t’a informojë të punësuarin për ndarjen dhe ndryshimin e orarit të
punës, së paku shtatë (7) ditë para fillimit të punës.
Neni 25
Ndryshimi i orarit të punës
1. Punëdhënësi, mund ta ndryshojë orarin e punës kur e kërkon natyra e punës, si: organizimi i punës,
shfrytëzimi racional i mjeteve të punës, shfrytëzimi racional i orarit të punës dhe kryerja e ndonjë pune të
caktuar dhe të parashikuar me afat.
10
2. Në rastet nga paragrafi 1. i këtij neni, ndryshimi i orarit të punës bëhet në atë mënyrë që orari i punës i
të punësuarit gjatë vitit kalendarik, të mos jetë më i gjatë se orari i plotë i punës.
Neni 26
Ndalimi i zgjatjes së orarit të punës
1. Ndalohet zgjatja e orarit të punës për të punësuarin i cili është më i ri se tetëmbëdhjetë (18) vjeç.
2. Punëdhënësi nuk mund të bëjë zgjatjen e orarit të punës për të punësuarën gjatë kohës së
shtatzënisë, dhe prindin vetushqyes me fëmijë më të ri se tri (3) vjeç, ose me fëmijë të hendikepuar.
Neni 27
Puna e natës
1. Orët e punës ndërmjet orës 22:00 dhe 6:00 numërohen si punë nate.
2. Në qoftë se puna është e organizuar me ndërrime, është e domosdoshme që të sigurohen ndërrime
të atilla që i punësuari të mos punojë natën pa ndërprerë më gjatë se një (1) javë të punës.
3. Ndalohet puna e natës për personat nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç dhe të punësuarat shtatzëna
dhe gratë gjidhënëse. Ndërrimet e natës mund të kryhen nga prindërit e vetëm dhe gratë me fëmijë më të
rinj se tri (3) vjeç, ose me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, vetëm me pëlqimin e tyre.
4. Në qoftë se të punësuarit gjatë punës së natës, për shkak të punës së bërë sipas vlerësimit të organit
kompetent shëndetësor, i përkeqësohet gjendja shëndetësore, punëdhënësi është i detyruar ta caktojë
në punë të përshtatshme gjatë orarit të ditës.
KREU V
PUSHIMET DHE MUNGESAT NGA PUNA
Neni 28
Pushimi gjatë orarit të punës
1. I punësuari ka të drejtë për pushim gjatë ditës së punës, me orar të plotë të pandërprerë të punës, në
kohëzgjatje më së paku prej tridhjetë (30) minutash, i cili nuk mund të caktohet në fillim apo në mbarim të
kohës së punës.
2. I punësuari i cili punon më gjatë se katër (4) orë, dhe më pak se gjashtë (6) orë në ditë, ka të drejtë
për pushim gjatë punës në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjetë (15) minutash.
3. I punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare i cili punon më së paku katër (4) orë e tridhjetë
(30) minuta, ka të drejtë në pushim ditor në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) minutash.
4. Koha e pushimit nga paragrafi 1. dhe 2. i këtij neni, konsiderohet si kohë e kaluar në punë.
Neni 29
Përshtatja e pushimit me procesin e punës
1. Në qoftë se natyra e punës nuk lejon që puna të ndërpritet, organizimi i pushimit gjatë ditës së punës
bëhet në mënyrë që të mos shkaktohet ndërprerja e procesit të punës.
2. Vendimin për kohën e shfrytëzimit të pushimit gjatë ditës së punës e nxjerr punëdhënësi.
11
Neni 30
Pushimi ditor
1. I punësuari ka të drejtë në pushim ditor midis dy (2) ditëve të njëpasnjëshme të punës në
kohëzgjatje prej së paku dymbëdhjetë (12) orë pa ndërprerë.
2. Gjatë kohës së punës, në punët stinore, punëtori ka të drejtë pushimi nga paragrafi 1. i këtij neni, në
kohëzgjatje prej së paku njëmbëdhjetë (11) orësh pandërprerë.
Neni 31
Pushimi javor
1. I punësuari ka të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej së paku njëzetekatër (24) orë
pandërprerë.
2. I punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç ka të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej së
paku tridhjetegjashtë (36) orë pandërprerë.
3. Nëse të punësuarit i duhet të punojë në ditën e pushimit javor, atij duhet t’i sigurohet një ditë pushimi
gjatë javës së ardhshme.
Neni 32
Pushimi vjetor
1. I punësuari gjatë çdo viti kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së
paku katër (4) javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar.
2. Zgjatja e pushimit vjetor përcaktohet varësisht nga stazhi i punës, ku për çdo pesë (5) vite të përvojës
së punës, shtohet një ditë pune.
3. I punësuari i cili punon në punët dhe detyrat e punës për të cilat përkundër aplikimit të masave
mbrojtëse nuk mund të mbrohet nga ndikimet e dëmshme, ka të drejtë në pushim vjetor në kohëzgjatje së
paku prej tridhjetë (30) ditësh pune, për vitin kalendarik.
4. Nënat me fëmijë deri në tri (3) vjeç si dhe prindi vetushqyes dhe personat me aftësi të kufizuara kanë
të drejtë në pushim vjetor edhe për dy (2) ditë pune shtesë.
5. Ditët e pashfrytëzuara të pushimit vjetor nuk mund të kompensohen me para, përjashtimisht kjo mund
të bëhet kur marrëdhënia e punës i skadon të punësuarit.
6. Punët dhe detyrat e punës sipas paragrafit 3. të këtij neni, do të përcaktohen me akt nënligjor të
nxjerrë nga MPMS-ja.
Neni 33
Pushimi vjetor për punëtorët e arsimit
1. Pushimi vjetor i arsimtarëve të të gjitha niveleve, edukatorëve dhe personelit tjetër arsimor dhe
administrativ nëpër shkolla dhe në institucionet e tjera edukativo-arsimore, shfrytëzohet në kohën e
pushimeve verore të shkollave dhe mund të zgjasë deri sa të zgjasë pushimi nëpër institucionet
edukativo-arsimore.
2. Kur arsimtarët dhe edukatorët në kohën e pushimeve verore shkollore thirren në kurse për aftësim
profesional për kryerjen e punëve tjera në lidhje me përgatitjen për fillimin e vitit shkollor, si dhe për
kryerjen e aktiviteteve edukativo-arsimore të cilat i organizojnë institucionet edukative-arsimore,
kohëzgjatja e pushimeve verore caktohet në pajtim me këtë Ligj dhe Kontratën Kolektive.
12
Neni 34
Pushimi vjetor në ditën e festave zyrtare
1. Festat zyrtare që bien në ditë pune, sipas Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, nuk
llogariten ditë të pushimit vjetor.
2. Nëse i punësuari gjatë kohës së shfrytëzimit të pushimit vjetor sëmuret, koha e pushimit të lejuar
mjekësor, nuk llogaritet në pushim vjetor.
Neni 35
Pushimi vjetor për herë të parë
1. I punësuari i cili për herë të parë themelon marrëdhënie pune ose i cili nuk ka ndërprerje më tepër se
pesë (5) ditë pune, fiton të drejtën për shfrytëzimin e pushimit vjetor pas gjashtë (6) muajsh të punës së
pandërprerë, në proporcion me muajt e punuar.
2. Paaftësia e përkohshme për punë sipas dispozitave për sigurimin shëndetësor dhe mungesa me
pagesë nga puna, si dhe në rast të mungesës së arsyeshme nga puna, nuk konsiderohen ndërprerje në
punë, sipas paragrafit 1. të këtij neni.
3. I punësuari nuk mund të heqë dorë nga e drejta e shfrytëzimit të pushimit vjetor.
Neni 36
Pjesa e pushimit vjetor në përpjesëtim me kohën e kaluar në punë
1. I punësuari ka të drejtë, së paku një ditë e gjysmë (1.5) të pushimit, për çdo muaj kalendarik të kaluar
në punë, nëse:
1.1. në vitin kalendarik në të cilin për herë të parë ka themeluar marrëdhënie pune, nuk i ka
gjashtë (6) muaj të punës së pandërprerë;
1.2. në vitin kalendarik nuk e ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e pushimit vjetor për shkak të
ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
Neni 37
Orari i shfrytëzimit të pushimit vjetor
1. Orarin e shfrytëzimit të pushimit vjetor e përcakton punëdhënësi në marrëveshje me punëtorin, në
pajtim me këtë ligj, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
2. Me rastin e caktimit të orarit për shfrytëzimit e pushimit vjetor, punëdhënësi mund të marrë parasysh
kërkesën dhe vullnetin e arsyeshëm të punëtorit.
3. Për intervalin kohor të shfrytëzimit të pushimit vjetor, i punësuari duhet ta njoftojë punëdhënësin më së
paku pesëmbëdhjetë (15) ditë para fillimit të shfrytëzimit të pushimit vjetor.
4. Me rastin e lejimit të pushimit vjetor, punonjësit i lëshohet vendim për orarin dhe kohëzgjatjen e
pushimit vjetor më së paku pesë (5) ditë para fillimit të shfrytëzimit të pushimit vjetor.
5. Pushimi vjetor mund të shfrytëzohet në dy (2) apo më shumë pjesë, në marrëveshje me punëdhënësin.
6. Në qoftë se i punësuari e shfrytëzon në dy apo me shume pjesë pushimin vjetor, pjesa kryesore duhet
të shfrytëzohet për së paku dhjetë (10) ditë pune të pandërprera gjatë një (1) vitit kalendarik. Pjesa tjetër
e pushimit të pashfrytëzuar duhet të shfrytëzohet jo më vonë se 30 qershor të vitit të ardhshëm
kalendarik.
13
Neni 38
Kompensimi për mosshfrytëzimin e pushimit vjetor
1. Të punësuarit nuk mund t’i mohohet e drejta në shfrytëzimin e pushimit vjetor .
2. I punësuari që nuk e ka shfrytëzuar pushimin vjetor apo një pjesë të pushimit me fajin e punëdhënësit,
ka të drejtë për ta shfrytëzuar atë pushim gjatë periudhës vijuese e cila i konvenon punëmarrësit, apo
kompensim me të holla.
3. Lartësia e kompensimit nga paragrafi 2. i këtij neni, caktohet varësisht nga kohëzgjatja e pushimit
vjetor të pashfrytëzuar sipas të ardhurave të cilat i punësuari i realizon për muajin kur kompensohet .
Neni 39
Mungesa nga puna me pagesë
1. I punësuari ka të drejtë të mungojë nga puna me kompensim të pagës:
1.1. pesë (5) ditë në rast të martesës së tij;
1.2. pesë (5) ditë në rast të vdekjes së anëtarit të ngushtë të familjes;
1.3. tri (3) ditë për lindje të fëmiut;
1.4. në rastet e tjera të përcaktuara me Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm dhe Kontratën e
Punës;
1.5. një (1) ditë pune për çdo rast të dhënies vullnetare të gjakut.
Neni 40
Mungesa nga puna pa pagesë
1. Në bazë të kërkesës së të punësuarit, punëdhënësi mund të lejojë që i punësuari të mungojë nga puna
pa kompensim të pagës.
2. Për kohën e mungesës në punë pa kompensim të pagës nga paragrafi 1. i këtij neni, të punësuarit i
pushojnë të drejtat dhe detyrat nga marrëdhënia e punës, përveç të drejtave të cilat burojnë nga
pagesa e detyrueshme e kontributeve nga ana e të punësuarit.
Neni 41
Pezullimi i përkohshëm i të drejtave dhe detyrave nga marrëdhënia e punës
1. Të punësuarit i pushojnë të drejtat dhe detyrat nga puna dhe marrëdhënia e punës për kohë të caktuar,
përveç të drejtave dhe detyrave për të cilat me këtë ligj, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit dhe me
Kontratën e Punës është përcaktuar ndryshe, në qoftë se mungon në punë, për këto raste:
1.1. kur i punësuari është dërguar në punë jashtë vendit për përfaqësimin e interesave të vendit,
1.2. kur zgjidhet apo emërohet në funksione publike,
1.3. deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga Gjykata në kohëzgjatje deri në gjashtë (6)
muaj;
2. Pas pushimit të të drejtave të punës sipas paragrafit 1. të këtij neni, i punësuari ka të drejtë të kthehet
te punëdhënësi brenda afatit prej pesë (5) ditësh.
14
KREU VI
MBROJTJA DHE SIGURIA NË PUNË
Neni 42
Mbrojtja e përgjithshme në punë
1. I punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të
punës, në përputhje me këtë ligj dhe Ligjin për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe
mbrojtjen e ambientit të punës.
2. Punëdhënësi është i detyruar të sigurojë kushtet e nevojshme për mbrojtje në punë, me të cilat
sigurohet mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të të punësuarve në pajtim me ligjin.
3. Punëdhënësi detyrohet ta informojë punëtorin me shkrim para angazhimit të tij, për rreziqet në punë
dhe për masat mbrojtëse të cilat obligohet t’i marrë.
4. Punëdhënësi obligohet të japë udhëzime që tregojnë rreziqet në punë dhe masat mbrojtëse të cilat
duhet të merren në përputhje me udhëzimet e lëshuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
5. Punëdhënësi është i detyruar t’i zbatojë rregullat dhe procedurat e përgjithshme për mbrojtjen dhe
sigurinë në punë, që janë të përcaktuara me Ligjin për Siguri në Punë, Mbrojtje të Shëndetit të të
Punësuarve dhe Mbrojtjen e Ambientit të Punës.
6. I punësuari është i detyruar t’i përmbahet rregullave për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë, në
mënyrë që mos të rrezikojë shëndetin dhe sigurinë e vet, si dhe sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve të
tjerë.
Neni 43
Caktimi i të punësuarit në punët që janë me rrezik të shtuar
1. I punësuari nuk mund të caktohet që të punojë më gjatë se orari i plotë i punës apo në punë nate, nëse
në bazë të konstatimit të organit kompetent për vlerësimin e gjendjes shëndetësore, një punë e tillë mund
ta përkeqësojë gjendjen e tij shëndetësore.
2. Në punët dhe detyrat e punës në të cilat ekziston rreziku i shtuar i lëndimit, sëmundjes profesionale
ose i sëmundjeve tjera, mund të caktohet i punësuari, i cili i plotëson kushtet e veçanta për punë, në bazë
të:
2.1. aftësive shëndetësore;
2.2. kualifikimit profesional;
2.3. përvojës së fituar në punë; dhe
2.4. moshës.
Neni 44
Mbrojtja e të rinjve, femrave dhe e personave me aftësi të kufizuara
Femra e punësuar, i punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç dhe personi me aftësi të kufizuara,
gëzojnë mbrojtje të veçantë në përputhje me këtë ligj.
Neni 45
Mbrojtja e të rinjve
1. I punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç nuk mund të punojë në punët të cilat për nga natyra
apo rrethanat nën të cilat kryhen, mund të dëmtojnë shëndetin, sigurinë apo moralin e tij.
2. Punëdhënësi është i obliguar që të adoptojë masat e nevojshme për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit
të të rinjve, duke specifikuar rreziqet në procesin e punës.
15
3. Punëdhënësi duhet t’i zbatojnë masat e përcaktuara në paragrafin 2. të këtij neni, në bazë të vlerësimit
të rrezikshmërisë për vendet e punës së të rinjve.
4. Për mbrojtjen e plotë të të rinjve në punë, punëdhënësi duhet ta bëjë vlerësimin paraprak të
rrezikshmërisë për vende të punës, para se i riu t’ia fillojë punës.
5. I punësuari nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç nuk mund të punojë në punët e rrezikshme, si në
vijim:
5.1. në nëntokë, nën ujë, në lartësi të rrezikshme apo në vende të mbyllura,
5.2. me makineri të rrezikshme, në pajisjet dhe veglat, të cilat duhen shfrytëzuar, dhe në
transportimin e ngarkesave të rënda;
5.3. në mjedis jo të shëndoshë, i cili për shembull i ekspozon të rinjtë në substancat e
rrezikshme, faktorëve ose proceseve, temperaturave, zhurmave dhe dridhjeve që dëmtojnë
shëndetin e tyre;
5.4. nën kushte posaçërisht të vështira siç është puna me orar të gjatë, apo në rrethana të
caktuara gjatë natës, puna në mjedis të mbyllur.
6. Dispozitat që zbatohen për listën e llojeve të punëve të rrezikshme, duhet të shqyrtohen çdo vit, nga
organi përkatëse i përfaqësuesit e tyre të cilët janë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ministritë e
tjera përkatëse të Qeverisë, organizatat e punëdhënësve dhe organizatat të të punësuarve (sindikatat).
7. Për zbatimin e drejtë dhe të plotë të këtij neni, MPMS-ja do të nxjerrë akte nënligjore në afatin e
përcaktuar me ligj.
Neni 46
Mbrojtja e femrave të punësuara
1. Femrës shtatzënë dhe gjidhënëse i ndalohet të bëjë punë e cila është e përcaktuar si e dëmshme për
shëndetin e nënës apo të fëmijës.
2. Femrës shtatzënë dhe gjidhënëse i ndalohet të punojë në vendet e punës ku paraqiten punë
veçanërisht të rënda fizike, punë që i ekspozohen faktorëve biologjikë, kimikë apo fizikë të cilët
paraqesin rrezik për shëndetin riprodhues dhe rastet e tjera specifike.
3. Për sistemimin e punëve të rënda dhe të rrezikshme të cilat mund të dëmtojnë shëndetin e femrave
shtatzëna dhe gjidhënëse, Ministria nxjerr akt nënligjor;
4. Dallimi i punëve në nëntokë, nuk vlen për femra të cilat nuk janë shtatzëna e që kryejnë punë
udhëheqëse, për personel shëndetësor dhe studente gjatë punës praktike.
Neni 47
Mbrojtja e personave me aftësi të kufizuara
1. I punësuari tek i cili paraqitet aftësia e kufizuar, ka të drejtë të punojë në punën e tij ose sipas
përshkrimit të punës ose punë tjera përkatëse, nëse sipas aftësisë së mbetur për punë mund ta kryejë
atë punë pa rehabilitim profesional.
2. I punësuari të cilit i është zvogëluar aftësia shëndetësore për punë pas rehabilitimit profesional është
aftësuar të kryejë punë të caktuara, konsiderohet i aftë për kryerjen e atyre punëve;
3. Në rastet si në paragrafin 2. të këtij neni, punëdhënësi ka për detyrë që të punësuarit t’ia sigurojë atë
lloj pune për të cilën është aftësuar pas rehabilitimit profesional.
4. Në qoftë se i punësuari refuzon t’i pranojë punët sipas këtij neni, punëdhënësi me paralajmërim mund
t’ia shkëpusë kontratën e punës të punësuarit.
16
Neni 48
Mbrojtja e amësisë
1. Femra e punësuar gjatë kohës së shtatzënisë, nëna me fëmijë nën moshën tri (3) vjeç, nuk mund të
obligohet të punojë më gjatë se orari i rregullt i punës, dhe punë gjatë natës.
2. Prindi vetushqyes, me fëmijë të moshës deri tri (3) vjeç dhe me fëmijë me invaliditet të rëndë, nuk
mund të detyrohet të punojë më gjatë se orari i rregullt i punës dhe punë gjatë natës.
3. Të drejtat nga paragrafi 1. i këtij neni, mund t’i shfrytëzojë edhe adoptuesi i fëmijës, përkatësisht
personi tjetër që kujdeset për fëmijën, në rast të vdekjes së dy prindërve të fëmijës ose nëse prindi e
braktis atë.
Neni 49
Pushimi i lehonisë
1. Femra e punësuar gëzon të drejtën prej dymbëdhjetë (12) muajve, të pushimit të lehonisë.
2. Me prezantimin e certifikatës mjekësore femra e punësuar mund ta fillojë pushimin e lehonisë deri në
dyzetepesë (45) ditë para datës kur pritet të lindë. Në periudhën prej njëzetetetë (28) ditëve para datës
kur pritet të lindë, punëdhënësi me pëlqimin e femrës shtatzënë, mund të kërkojë që ajo ta fillojë pushimin
e lehonisë, nëse punëdhënësi mendon se femra e punësuar nuk është në gjendje t’i kryejë detyrat e saj.
3. Gjashtë (6) muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70%
të pagës bazë.
4. Tre (3) muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të
pagës mesatare në Kosovë .
5. Femra e punësuar ka të drejtë me këtë ligj që ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre (3)
muaj të tjera pa pagesë.
6. Nëse lehona nuk dëshiron ta shfrytëzoj të drejtën në pushim të lehonisë nga paragrafi 4. dhe 5. i këtij
neni, duhet ta lajmëroj punëdhënësin më së voni pesëmbëdhjetë (15) ditë para përfundimit të pushimit,
nga paragrafi 3. i këtij neni.
7. Babai i fëmijës mund të marrë të drejtat e nënës, nëse nëna vdes ose e braktis fëmijën para se të
përfundojë pushimi i lehonisë.
8. Të drejtat nga paragrafi 4. dhe 5. i këtij neni mund të barten te babai i fëmijës në marrëveshje me
nënën.
Neni 50
Të drejtat e të atit të fëmijës
1. Të drejtat e përcaktuara sipas nenit 49 të këtij ligji mund t’i realizojë edhe i ati i fëmijës me rastin e
sëmundjes së nënës, braktisjes së fëmijës nga nëna dhe vdekjes së nënës;
2. Babai i fëmijës ka të drejtën për:
2.1. dy (2) ditë pushim me pagesë me rastin e lindjes së fëmijës ose adoptimit të fëmijës;
2.2. dy (2) javë pushim të papaguar pas lindjes së fëmijës, ose adoptimit të fëmijës, në
periudhën derisa fëmija ta ketë arritur moshën tri (3) vjeç. I punësuari duhet të informojë
punëdhënësin për qëllimet e tij për ta marrë pushimin së paku dhjetë (10) ditë më herët.
17
3. Mbrojtjen, përkatësisht të drejtat nga paragrafi 1. të neni 49, mund t’i shfrytëzojë edhe adoptuesi i
fëmijës, përkatësisht kujdestari i fëmijës, në rast të vdekjes së dy prindërve, ose nëse prindërit braktisin
fëmijën.
Neni 51
Pushimi i lehonisë për humbjen e fëmijës
1. Nëse femra e punësuar lind fëmijë të vdekur, ose nëse fëmija i vdes para skadimit të pushimit të
lehonisë, ka të drejtë për pushim lehonie sipas konstatimit të mjekut, për sa kohë i nevojitet të këndellet
nga lindja dhe nga gjendja psiqike e shkaktuar nga humbja e fëmijës, por jo më pak se dyzetepesë (45)
ditë, dhe për këtë kohë i takojnë të gjitha të drejtat mbi bazën e pushimit të lehonisë.
2. Femra e punësuar sipas paragrafit 1. të këtij neni, mund të kërkojë nga punëdhënësi që të kthehet në
punë para skadimit të pushimit të lehonisë.
3. Në raste të fillimit të punës sipas paragrafit 2. të këtij neni, të punësuarës nuk i lejohet të shfrytëzojë
pushimin e lehonisë sipas paragrafit 1., 2. dhe 3. të nenit 49 të këtij ligji.
Neni 52
Mungesa nga puna për përkujdesje të veçantë të fëmijës
1. Fëmija i cili domosdo ka nevojë për përkujdesje të veçantë për shkak të gjendjes së rëndë
shëndetësore, respektivisht fëmija i cili është me aftësi të kufizuara të përhershme, njëri prej prindërve me
skadimin e pushimit të lehonisë ka të drejtë, që të punojë me gjysmë orari të punës derisa fëmija t’i
mbushë dy (2) vjeç.
2. Mbrojtjen dhe të drejtat nga paragrafi 1. i këtij nenin, mund t’i shfrytëzojë adoptuesi, përkatësisht
kujdestari i fëmijës, në rast të vdekjes së të dy (2) prindërve ose nëse prindërit e braktisin fëmijën.
3. Mënyra dhe procedura e realizimit të të drejtave nga paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, bëhet sipas
dispozitave të Ligjit për Përkujdesje Materiale për Familjet me Fëmijë me Aftësi të Kufizuara.
Neni 53
Ndalimi i shkëputjes së kontratës
Gjatë kohës së shtatzënisë, pushimit të lehonisë dhe mungesës në punë për shkak të përkujdesjes së
veçantë ndaj fëmijës, punëdhënësi nuk mund t’ia shkëpusë kontratën të punësuarit dhe t’ia ndërrojë
vendin e punës, përveç në rastet e shkëputjes së kontratës sipas nenit 76 të këtij ligji.
Neni 54
Lajmërimi për paaftësinë e përkohshme për punë
1. Në rast të sëmundjes ose paaftësisë së përkohshme për punë, i punësuari është i obliguar të informojë
punëdhënësin menjëherë ose më së largu gjatë ditës së mungesës nga puna;
2. Në rast të sëmundjes ose lëndimit serioz që parandalon të punësuarin për ta informuar punëdhënësin
sipas paragrafit 1. të këtij neni i punësuari duhet të bëjë përpjekje për të informuar punëdhënësin sa më
shpejt që është e mundur;
3. Nëse i punësuari nuk mund të dëshmojë se ka bërë përpjekje të arsyeshme për të informuar
punëdhënësin për mungesën e tij për vonesa të paarsyeshme, punëdhënësi mund të thirret në shkelje të
kontratës;
4. Nëse mungesa e lajmëruar nga puna zgjat më shumë se tri (3) ditë, punëdhënësi ka të drejtë të
kërkojë nga i punësuari certifikatën mjekësore që arsyeton mungesën nga puna.
18
KREU VII
PAGA DHE BENEFICIONET E TË PUNËSUARVE
Neni 55
Paga, kompensimi i pagës dhe të ardhurat e tjera
1. I punësuari ka të drejtë në pagë, e cila përcaktohet me Kontratën e Punës, në pajtim me këtë ligj,
Kontratën Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit .
2. Të drejtën për pagë, pagën shtesë, kompensimin në pagë dhe të ardhurat e tjera, i punësuari i realizon
sipas marrëveshjes së arritur me punëdhënësin për punën e kryer dhe kohën e kaluar në punë, të
përcaktuar me Kontratën e Punës.
3. Punëdhënësi duhet t’i paguajë femrave dhe meshkujve kompensimin e njëjtë për punën e vlerës së
njëjtë, kompensim i cili mbulon pagën bazë dhe shtesat e tjera.
4. Punëdhënësi duhet të nxjerrë një deklaratë për çdo pagesë dhe çdo shtesë tjetër të paguar të të
punësuarve. Pagat mund të paguhen përmes transferit bankar ose me para të gatshme me ç’rast
punëdhënësi duhet të mbajë regjistrin për pagesat e bëra.
5. Pagat në Kosovë paguhen sipas valutës zyrtare në Euro (€).
6. Paga, paguhet në afatet e përcaktuara me Kontratë Kolektive, Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit ose
Kontratën e Punës, më së paku një (1) herë në muaj.
Neni 56
Paga shtesë
1. Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për
punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë, në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe
Kontratën e Punës.
2. Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë, si më poshtë:
2.1. 20 % në orë për kujdestari;
2.2. 30 % në orë për punë gjatë natës;
2.3. 30 % në orë për punë jashtë orarit;
2.4. 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe
2.5. 50 % përqind në orë për punë gjatë fundjavës.
3. Pagesa shtesë për punë gjatë fundjavës, festave dhe ditëve të lira sipas ligjit e përjashtojnë njëra-
tjetrën.
4. I punësuari mund të kërkojë nga punëdhënësi që në vend të pagës shtesë nga paragrafi 2. i këtij neni,
kompensimi t’i bëhet me ditë pushimi;
5. Punëdhënësi mund të vendosë që një pjesë të punës jashtë orarit të kompensohet me ditë pushimi, në
përputhje me përqindjet e parapara në paragrafin 2. të këtij neni. Kjo formë e kompensimit duhet të
parashihet në Kontratën e Punës ose në Aktin e Brendshëm të kompanisë.
Neni 57
Paga minimale
1. Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalanderik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshilli
Ekonomiko-Social.
19
2. Gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merren parasysh këto faktorë:
2.1. kostoja e shpenzimeve jetësore;
2.2. përqindja e shkallës së papunësisë;
2.3. gjendja e përgjithshme në tregun e punës;dhe
2.4. shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend.
3. Paga minimale përcaktohet në bazë të orëve të punës, për periudhën një (1) vjeçare, e cila publikohet
në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
4. Paga minimale mund të përcaktohet me marrëveshje në nivel kombëtar, në nivel dege dhe në nivel të
ndërmarrjes, por që nuk duhet të jetë më e ulët se paga minimale e paraparë në paragrafin 1. të këtij
neni.
Neni 58
Kompensimi i pagës
1. I punësuari ka të drejtë për kompensim në pagë, në rastet si në vijim:
1.1. gjatë ditëve të festave në të cilat nuk punohet;
1.2. gjatë kohës së shfrytëzimit të pushimit vjetor;
1.3. gjatë aftësimit dhe përsosjes profesionale për të cilën është dërguar, dhe
1.4. gjatë ushtrimit të funksioneve publike për të cilat nuk paguhet.
Neni 59
Kompensimi i pushimit mjekësor
1. I punësuari në rast të sëmundjes ka të drejtë në pushim mjekësor të rregullt mbi bazën, deri në
njëzet (20) ditë pune brenda një (1) viti me kompensim prej 100 % të pagës.
2. I punësuari ka të drejtë në pushim mjekësor pa pagesë sipas nenit 40 të këtij ligji.
3. I punësuari ka të drejtë në kompensim të pushimit mjekësor që është si pasojë e lëndimit ose
sëmundjes profesionale në punë e cila ndërlidhet me kryerjen e punëve dhe të shërbimeve për
punëdhënësin me kompensim prej 70 % të pagës së tij.
4. I punësuari ka të drejtë në kompensim të pushimit mjekësor sipas paragrafit 3. të këtij neni në
kohëzgjatje prej dhjetë (10) deri në nëntëdhjetë (90) ditë pune.
5. Pagesa për kompensimin e pushimit mjekësor bie mbi punëdhënësin.
6. Të drejtat e përcaktuara sipas këtij neni mund të parashihen edhe me Kontratën Kolektive, Aktin e
Brendshëm, por në asnjë rast nuk duhet të jenë më të ulëta se sa të drejtat e parapara me këtë ligj.
7. Dispozitat e këtij neni do të jenë të aplikueshme deri në kohën e hyrjes në fuqi të legjislacionit për
mbrojtjen dhe kujdesin shëndetësor.
Neni 60
Kompensimi i lëndimit në punë
1. Punëdhënësi është i obliguar që në rast të lëndimeve dhe sëmundjeve profesionale të të punësuarit, të
marra gjatë kryerjes së punës, t’ju ofrojë sigurimin për kompensimin e shpenzimeve sipas këtij ligji dhe
ligjeve tjera të aplikueshme.
20
2. Ministria nxjerrë akt nënligjor për të përcaktuar shtrirjen e sigurimit dhe për të klasifikuar lëndimet dhe
shkallën e kompensimit për lëndimet e shkaktuara në punë.
Neni 61
Mungesa në punë për shkak të pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit
1. Me vendim të organit të autorizuar shtetëror ose organit të autorizuar të punëdhënësit, për shkak të
pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë, i punësuari ka të drejtën e mungesës me arsye nga
puna.
2. Gjatë mungesës së përkohshme në punë për shkak të pasigurisë në vendin e punës, të punësuarit i
takon e drejta e kompensimit të pagës të cilën do ta kishte realizuar sikur të kishte punuar, por jo më
gjatë se dyzetepesë (45) ditë në vitin kalendarik.
Neni 62
Kompensimi i shpenzimeve për udhëtim zyrtar
I punësuari gjatë kohës së kaluar në udhëtim zyrtar jashtë vendit, ka të drejtë në kompensimin e
shpenzimeve sipas kushteve, mënyrës dhe lartësisë së përcaktuar me Aktin e Brendshëm të
Punëdhënësit.
Neni 63
Kompensimi i dëmit nga i punësuari
1. Nëse i punësuari në punë ose lidhur me punën, me qëllim ose me pakujdesi të plotë i ka shkaktuar
dëm punëdhënësit, ai është i obliguar ta kompensojë dëmin.
2. Nëse dëmi është shkaktuar nga ana e më shumë të punësuarve, secili i punësuar është përgjegjës për
pjesën e dëmit të cilin e ka shkaktuar.
3. Në qoftë se për secilin të punësuar nga paragrafi 2. i këtij neni, nuk mund të vërtetohet pjesa e dëmit
të cilit ai e ka shkaktuar, konsiderohet se të njëjtit kanë përgjegjësi të barabartë dhe dëmin e shkaktuar e
kompensojnë në pjesë ekuivalente.
Neni 64
Kompensimi proporcional i dëmit
1. Nëse disa të punësuar, me dashje ose me paramendim i kanë shkaktuar dëme punëdhënësit, për
dëmin e shkaktuar do të përgjigjen në mënyrë të barabartë;
2. Ekzistimi i dëmit, lartësia e tij, rrethanat në të cilat është shkaktuar, kush e ka shkaktuar dhe si bëhet
kompensimi i dëmit, përcaktohet në pajtim me këtë ligj, Kontratën Kolektive dhe Aktin e Brendshëm të
Punëdhënësit.
Neni 65
Kompensimi i dëmit për punëdhënësin
1. I punësuari i cili në punë ose lidhur me punën, me qëllim ose nga pakujdesia e plotë i ka shkaktuar
dëm personit të tretë, të cilin e ka kompensuar punëdhënësi, është i obliguar që punëdhënësit t’i
kompensojë shumën e dëmit të paguar;
2. Me Aktin e Brendshëm të Punëdhënësit, mund të përcaktohen kushtet dhe mënyrat e zvogëlimit ose
të lirimit të të punësuarit nga obligimi i kompensimit të dëmit.
Neni 66
Kompensimi sipas dispozitave tjera te aplikueshme
Për realizimin e të drejtave kur është në pyetje kompensimi i dëmit sipas dispozitave të neneve 63, 64
dhe 65 të këtij ligji do të zbatohen përshtatshmërisht dispozitat e Ligjit për Detyrimet.
21
KREU VIII
NDËRPRERJA E MARRËDHËNIES SË PUNËS
Neni 67
Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas fuqisë ligjore
1. Kontrata e Punës sipas fuqisë ligjore, ndërpritet:
1.1. me vdekjen e të punësuarit;
1.2. me vdekjen e punëdhënësit, kur puna e kryer apo shërbimet e ofruara nga punëtori janë të
natyrës personale, atëherë kur kontrata nuk mund të vazhdohet me pasardhësit e punëdhënësit;
1.3. me skadimin e kohëzgjatjes së kontratës;
1.4. kur i punësuari e mbush moshën e pensionimit, prej gjashtëdhjetë e pesë (65) vjeç;
1.5. në ditën e dorëzimit të aktvendimit të plotfuqishëm për vërtetimin e humbjes së aftësive për
punë;
1.6. nëse i punësuari shkon në vuajtje të dënimit i cili do të zgjasë më tepër se gjashtë (6) muaj;
1.7. me vendimin e gjykatës kompetente, vendim që pason ndërprerjen e marrëdhënies së
punës;
1.8. me falimentimin dhe likuidimin e ndërmarrjes;
1.9. rastet e tjera të përcaktuar sipas ligjeve në fuqi.
Neni 68
Ndërprerja e Kontratës së Punës me marrëveshje
1. Kontrata e Punës mund të ndërpritet me marrëveshje ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarit.
2. Marrëveshja nga paragrafi 1. i këtij neni bëhet në formë të shkruar.
3. Në rast të ndërprerjes së Kontratës së Punës me marrëveshje, punëdhënësi është i obliguar t’i
paguajë të punësuarit pagën, për ditët e punës deri në ndërprerje.
Neni 69
Ndërprerja e marrëdhënies së punës nga i punësuari
1. I punësuari ka të drejtën e ndërprerjes së Kontratës së Punës në mënyrë të njëanshme;
2. I punësuari me kontratë në kohë të caktuar për ndërprerjen e kontratës së punës, duhet ta informojë
punëdhënësin paraprakisht në formë të shkruar në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, ndërsa i
punësuari me kontratë në kohë të pacaktuar në afatin prej tridhjetë (30) ditësh.
3. I punësuari mund ta ndërpresë kontratën e punës pa njoftim paraprak në formë të shkruar të
përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni, në rastet kur është fajtor për mos përmbushje të detyrimeve të
cilat rrjedhin nga kontrata e punës.
Neni 70
Ndërprerja e Kontratës së Punës nga ana e punëdhënësit
1. Punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit me një periudhë paralajmërimi,
atëherë kur:
22
1.1. ndërprerja e tillë arsyetohet për arsye ekonomike, teknike ose organizative;
1.2. i punësuari nuk është më i aftë t’i kryejë detyrat e punës;
1.3. punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në rrethanat e përcaktuara në nën-
paragrafin 1.1. dhe 1.2., të këtij paragrafi nëse është e papërshtatshme për punëdhënësin që ta
transferojë të punësuarin në një vend pune tjetër, ta trajnojë a ta kualifikojë atë për ta kryer punën
ose ndonjë punë tjetër;
1.4. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit në periudhën e kërkuar të
paralajmërimit të ndërprerjes në:
1.4.1. rastet e rënda të sjelljes së keqe të punonjësit; dhe
1.4.2. për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.
1.5. punëdhënësi duhet ta njoftojë të punësuarin për largimin e tij/saj menjëherë pas rastit që
shpie në largim, ose sapo punëdhënësi të jetë vënë në dijeni të atij rasti;
1.6. punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e punës të punësuarit pa periudhën e kërkuar të
paralajmërimit të ndërprerjes, atëherë kur:
1.6.1. i punësuari është fajtor për përsëritjen e një keq sjelljeje më pak serioze ose të
shkeljes së detyrimeve;
1.6.2. performanca e të punësuarit mbetet e pakënaqshme përkundër paralajmërimit me
shkrim.
2. Punëdhënësi mund ta ndërpresë kontratën e punës në bazë të nën-paragrafit 1.6. të paragrafit 1. të
këtij neni vetëm atëherë kur i punësuari ka marrë përshkrimin në formë të shkruar të performancës së
pakënaqshme, një afat të përcaktuar kohor brenda të cilit i punësuari duhet ta përmirësojë performancën
e vet, si dhe një deklaratë se dështimi për përmirësimin e performancës do të rezultojë me largim nga
puna pa asnjë paralajmërim të mëtejmë me shkrim.
3. Punëdhënësi duhet që të mbajë takim me të punësuarin për t’ia shpjeguar atij/asaj ndërprerjen e
kontratës së punës ose me qëllim që t’ia dorëzojë paralajmërimin, i punësuari ka të drejtë që të
shoqërohet nga një përfaqësues sipas dëshirës së vet.
4. Marrëveshjet Kolektive ose Aktet e Brendshme të Punëdhënësit mund t’i specifikojnë llojet e keq
sjelljeve ose të shkeljeve të detyrimeve të cilat bëjnë që i punësuari t’i nënshtrohet ndërprerjes të
kontratës së punës pa periudhë paralajmërimi, qoftë pas një rasti të vetëm dhe qoftë pas shkeljeve të
përsëritura.
Neni 71
Koha e njoftimit për ndërprerjen e kontratës së punës
1. Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës në kohë të pacaktuar në bazë të nenit 70, të këtij
ligji ne këto intervale kohore të njoftimit:
1.1. prej gjashtë (6) muaj deri në dy (2) vite punësim, tridhjetë (30) ditë kalendarike;
1.2. prej dy (2) deri në dhjetë (10) vite punësimi, dyzetepesë (45) ditë kalendarike;
1.3. mbi dhjetë (10) vite punësim, gjashtëdhjetë (60) ditë kalendarike.
2. Punëdhënësi mund të ndërpresë kontratën e punës për kohë të caktuar me njoftim prej tridhjetë (30)
ditësh kalendarike. Punëdhënësi i cili nuk ka për qëllim të ripërtërijë kontratën me periudhë të caktuar
duhet të informojë punësuarin së paku tridhjetë (30) ditë para skadimit të kontratës. Dështimi për ta
njoftuar nga punëdhënësi, do t’i japë të drejtën të punësuarit për zgjatjen e tridhjetë (30) ditëve
kalendarike shtesë me pagë të plotë.
23
Neni 72
Procedura para ndërprerjes së Kontratës
1. Vendimi për të ndërprerë kontratën e punës duhet të bëhet me shkrim dhe duhet të përfshijë
arsyetimin për ndërprerje.
2. Vendimi nga paragrafi 1. i këtij neni është përfundimtar ditën kur i dorëzohet të punësuarit.
3. Punëdhënësi është i obliguar të bëjë pagesën e pagës dhe të ardhurave të tjera, deri në ditën e
ndërprerjes së marrëdhënies së punës.
4. Punëdhënësi mund t’i ndalojë qasjen punonjësit në objektin e ndërmarrjes gjatë periudhës së njoftimit,
përkatësisht para ndërprerjes së kontratës së punës.
Neni 73
Largimi i përkohshëm nga puna
1. I punësuari mund të largohet përkohësisht nga puna, kur:
1.1. ndaj tij kanë filluar procedurat penale për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale;
1.2. i punësuari është në vuajtje të paraburgimit;
1.3. kryen shkelje të obligimit të punës të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 74
Kompensimi i pagës gjatë largimit të përkohshëm
Gjatë kohës së largimit të përkohshëm nga puna, sipas nenit 73 të këtij ligji, të punësuarit i takon e drejta
e kompensimit në pagë në lartësi prej 50%.
Neni 75
Kohëzgjatja e largimit të përkohshëm
Largimi i përkohshëm nga puna sipas nenit 73 të këtij ligji, mund të zgjasë më së shumti gjashtë (6) muaj,
periudhë në të cilën punëdhënësi është i obliguar që të punësuarin ta kthejë në punë ose t’ia shkëpusë
Kontratën e Punës.
Neni 76
Largimet kolektive nga puna
1. Ndërprerja e Kontratës së Punës sipas nën-paragrafit 1.1. të paragrafit 1 të nenit 70, të këtij ligji ku
përfshihen së paku 10% të të punësuarave por jo me pak se njëzet (20) të punësuar, të larguar brenda
intervalit kohor prej gjashtë (6) muajsh, konsiderohet si largim kolektiv nga puna;
2. Në rastet e largimit të shkallës së gjerë nga puna, zbatohen dispozitat nga paragrafi 3. i këtij neni.
3. Para se t’i zbatojë ndryshimet e tilla, punëdhënësi i njofton paraprakisht me shkrim një (1) muaj më
parë të punësuarit dhe sindikatën e të punësuarve, nëse janë të anëtarësuar në sindikatë, lidhur me
ndryshimet e planifikuara dhe me pasojat e tyre, duke përfshirë:
3.1. numrin dhe kategorinë e të punësuarve që duhet të largohen nga puna;
3.2. masat që duhet të ndërmarrë punëdhënësi, nëse ka të tilla, për ti zbutur pasojat e largimit
kolektiv, përfshin:
3.2.1. kufizimin ose ndërprerjen e punësimit të punëtorëve të rinj;
3.2.2. risistemimin e brendshëm të të punësuarve;
24
3.2.3. kufizimin e punës jashtë orari;
3.2.4. zvogëlimin e orëve të punës;
3.2.5. ofrimin e riaftësimit profesional;
3.2.6. të drejtat e të punësuarve të parashikuara me Kontratën Kolektive, Aktin e
Brendshëm të Punëdhënësit ose me Kontratën e Punës.
4. Me njoftimin e bërë sipas paragrafit 3. të këtij neni, punëdhënësi mund t’ia ndërpresë kontratën e
punës të punësuarve me një periudhë të paralajmërimit sipas nenit 71 të këtij ligji.
5. Punëdhënësi e njofton me shkrim Zyrën për Punësim, lidhur me largimin e të punësuarve nga puna,
në mënyrë që ZP-ja të ketë mundësi t’u ofrojë ndihmë atyre për të gjetur punësim tjetër.
6. I punësuari nuk mund të largohet nga puna, derisa punëdhënësi mos t’i ketë paguar atij një kompensim
të menjëhershëm në para.
7. Kompensimi i menjëhershëm në para, u paguhet të punësuarve me kontratë me periudhë të pacaktuar
në ditën e ndërprerjes së kontratës, sipas kësaj shkalle:
7.1. nga dy (2) deri në katër (4) vite të shërbimit, një (1) pagë mujore;
7.2. nga pesë (5) deri në nëntë (9) vite të shërbimit, dy (2) paga mujore;
7.3. nga dhjetë (10) deri në nëntëmbëdhjetë (19) vite të shërbimit, tri (3) paga mujore;
7.4. nga njëzet (20) deri në njëzetenëntë (29) vite të shërbimit, gjashtë (6) paga mujore; dhe
7.5. nga tridhjetë (30) vite të shërbimit ose më shumë, shtatë (7) paga mujore.
8. Nëse, brenda një periudhe prej një (1) viti nga ndërprerja e kontratës së punës të të punësuarve në
bazë të këtij neni, punëdhënësi ka nevojë për angazhimin e punësuarve me kualifikime ose trajnime të
njëjta, punëdhënësi nuk duhet të angazhojë persona të tjerë para se të ofrojë punën punonjësve të cilëve
iu janë ndërprerë kontratat.
9. Rastet kur të punësuarit e larguar nga puna për shkak të falimentimit dhe riorganizimit të administruar
nga gjykata, nuk i nënshtrohen dispozitave të këtij ligji.
Neni 77
Pensionimi
Pensioni i vjetërsisë dhe i parakohshëm rregullohen me ligj të veçantë.
KREU IX
PROCEDUARAT PËR REALIZIMIN E TË DREJTAVE NGA MARRËDHËNIA E PUNËS
Neni 78
Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit
1. I punësuari i cili vlerëson se punëdhënësi ka shkelur të drejtën e marrëdhënies së punës, mund të
paraqesë kërkesë te punëdhënësi apo organi përkatës i punëdhënësit nëse ekziston, për realizimin e të
drejtave të shkelura.
2. Punëdhënësi është i obliguar për të vendosur sipas kërkesës së të punësuarit, në afatin brenda
pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të kërkesës.
25
3. Vendimi nga paragrafi 2. i këtij neni, i dorëzohet të punësuarit në formë të shkruar brenda afatit prej
tetë (8) ditësh.
Neni 79
Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë
Çdo i punësuar i cili nuk është i kënaqur me vendimin me të cilin mendon se i janë shkelur të drejtat e tij,
ose nuk merr përgjigje brenda afatit nga neni 78 paragrafi 2. të këtij ligji, në afatin vijues prej tridhjetë (30)
ditësh, mund të inicioj kontest pune në Gjykatën Kompetente .
Neni 80
Vendosja gjyqësore lidhur me ndërprerjen e kontratës së punës
1. Nëse gjykata konstaton se ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit është joligjore,
në bazë të dispozitave të këtij ligji, Kontratës Kolektive ose Kontratës së Punës, atëherë do të urdhërojë
punëdhënësin që të ekzekutoj njërën prej këtyre dëmshpërblimeve:
1.1. t’i paguajë të punësuarve kompensimin, përveç shtesave dhe shumave tjera të cilat i takojnë
punonjësit në bazë të këtij ligji, Kontratës së Punës, Kontratës Kolektive ose Aktit të Brendshëm,
në shuma të tilla që gjykata i konsideron të drejta dhe adekuate, por të cilat nuk duhet të jenë më
pak se dyfishi i vlerës së çdo dëmshpërblimi që i takon punonjësit në kohën e shkarkimit; ose
1.2. nëse largimi nga puna vlerësohet si i paligjshëm sipas nenit 5 të këtij ligji, Gjykata mund ta
rikthej të punësuarin në vendin e tij të punës dhe urdhëron kompensimin e të gjitha pagave dhe
përfitimeve tjera të humbura gjatë gjithë kohës së largimit të paligjshëm nga puna.
2. Punëdhënësi është i obliguar që në afatin e caktuar të zbatoj vendimin e gjykatës kompetente.
Neni 81
Mbrojtja e të drejtave përmes ndërmjetësimit
1. I punësuari dhe punëdhënësi mund ti zgjidhin mosmarrëveshjet nga puna dhe në bazë të punës
përmes ndërmjetësimit.
2. Rregullat dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nga puna përmes ndërmjetësimit
përcaktohen me dispozitat e ligjit për ndërmjetësim si dhe me dispozitat tjera ligjore të
aplikueshme.
Neni 82
Mbrojtja e të punësuarit nga Inspektorati i Punës
1. I punësuari në çdo kohë mund t’ia dorëzojë ankesën Inspektoratit të Punës për çështje të cilat bien
nën kompetencat e këtij organi.
2. Inspektorati i Punës duhet të nxjerrë vendime lidhur me ankesën brenda tridhjetë (30) ditëve ose ta
informojë parashtruesin e ankesës lidhur me zgjatjen e afatit brenda të cilit duhet të merret vendimi.
Neni 83
Masat ndëshkuese
Për shkeljen e dispozitave të këtij ligji nga ana e punëdhënësit, Inspektorati i Punës do t’i shqiptojë
masat ndëshkuese bazuar në Ligjin për Inspektoratin e Punës.
Neni 84
Përgjegjësia e të punësuarit
1. I punësuari është i detyruar që në vendin e punës t’iu përmbahet detyrimeve të parapara me ligj,
Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës;
26
2. Nëse i punësuari me fajin e tij nuk i përmbush detyrat e punës apo nuk e respekton vendimin të cilin e
ka nxjerrë punëdhënësi, mban përgjegjësi për shkeljen e detyrave të punës, në pajtim me ligjin,
Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës;
3. Përgjegjësia Penale nuk e përjashton përgjegjësinë e të punësuarit për të kryer obligimet e punës, në
qoftë se veprimi përbën shkeljen e detyrave të punës.
Neni 85
Masat disiplinore për shkeljen e detyrave të punës
1. Për shkeljen e detyrave të punës, të punësuarit do t’i shqiptohet njëra nga këto masa ndëshkuese:
1.1. vërejte me gojë;
1.2. vërejtje me shkrim;
1.3. ulje në pozitë;
1.4. suspendim të përkohshëm;
1.5. ndërprerje të marrëdhënies së punës.
2. Masat ndëshkuese, vërejtje me gojë, vërejtje me shkrim dhe ulje, degradim të pozitës, do të
shqiptohen për shkelje të lehta të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e
Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
3. Masat ndëshkuese, suspendimi i përkohshëm dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës, do të
shqiptohen për shkelje të rënda të detyrave të punës në pajtim me Kontratën Kolektive, Aktin e
Brendshëm të Punëdhënësit dhe Kontratën e Punës.
Neni 86
Shqiptimin e masave
1. Vendimin për shqiptimin e masave ndëshkuese për shkeljen e detyrave të punës, e nxjerr:
1.1. organi kompetent i punëdhënësit apo punëdhënësi,
1.2. punëdhënësi i cili nuk e ka statusin e personit juridik ose personi të cilin ai e autorizon;
2. Autorizimi nga paragrafi 1. i këtij neni jepet me shkrim;
3. Vendimi i punëdhënësit duhet të bëhet me shkrim duke theksuar arsyetimin dhe këshillën për mjetet
juridike ndaj masave të shqiptuara.
Neni 87
Afati i parashkrimit
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga
dita e paraqitjes së kërkesës.
KREU X
ORGANIZATAT E TË PUNËSUARVE DHE TË PUNËDHËNËSVE
Neni 88
Liria e organizimit sindikal
1. Të punësuarve dhe punëdhënësve u garantohet liria e asocimit dhe veprimit pa ndërhyrje nga asnjë
organizatë ose organ publik;
2. Të drejtat dhe liritë e organizimit sindikal në Republikën e Kosovës rregullohen me ligj të veçantë.
27
Neni 89
E drejta e grevës
1. Për mbrojtjen e të drejtave të të punësuarve, organizatat e të punësuarve (sindikatat) kanë të drejtën e
organizimit të grevës;
2. Të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë për organizimin dhe pjesëmarrjen në grevë rregullohen me ligj
të veçantë.
DIALOGU SOCIAL
Neni 90
Marrëveshja Kolektive
1. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet ndërmjet:
1.1. organizatës së punëdhënësve ose përfaqësuesit të tij, dhe
1.2. organizatës së të punësuarve ose kur nuk ekzistojnë organizata, marrëveshjen mund ta
lidhin edhe përfaqësuesit e të punësuarve;
2. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet në:
2.1. nivel të vendit,
2.2. nivel të degës,
2.3. nivel të ndërmarrjes.
3. Marrëveshja Kolektive duhet të jetë në formë të shkruar, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës.
4. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri
(3) vjet.
5. Marrëveshja Kolektive vlen për ata punëdhënës dhe punëmarrës të cilët marrin përsipër detyrimet e
përcaktuara me Marrëveshjen e tillë Kolektive.
6. Marrëveshja Kolektive nuk mund të përfshijë dispozita të tilla që kufizojnë të drejtat e të punësuarve që
kanë si pasojë kushte më pak të favorshme të punës sesa ato të përcaktuar në këtë ligj.
7. Punëdhënësi u’a vë në dispozicion të punësuarve një kopje të Marrëveshjes Kolektive.
8. Marrëveshja Kolektive regjistrohet në Ministri, në pajtim me kushtet dhe kriteret e paracaktuar me aktin
nënligjor.
9. Për zgjidhjen e kontesteve të ndryshme në mënyrë paqësore dhe zhvillimin e konsultave nga fusha e
punësimit, mirëqenies sociale dhe politikave ekonomike të punës nga përfaqësuesit punëdhënësve,
punëmarrësve dhe Qeverisë në cilësi të partnerëve social me akt te veçantë ligjor-nënligjor themelohet
Këshilli Ekonomiko Social.
10. Çështjet e tjera të dialogut social rregullohen me akt ligjor ose nënligjor, varësisht nga marrëveshja e
arritur nga partnerët social.
Neni 91
Libreza e Punës
1. Libreza e punës është dokument publik identifikues i të punësuarit, e cila shërben për paraqitjen e të
dhënave personale dhe stazhit të punës.
28
2. Librezën e punës e lëshon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale .
3. I punësuari duhet ta ketë librezën e punës , të cilën ia dorëzon punëdhënësit me rastin e themelimit të
marrëdhënies së punës.
4. Në ditën e përfundimit të marrëdhënies së punës apo të ndërprerjes së kontratës së punës ,
punëdhënësi është i obliguar që të punësuarit t’ia kthejë librezën e punës , të plotësuar me të dhënat
personale dhe të stazhit të punës.
5. Në librezën e punës është e ndaluar të shkruhen të dhënat negative për të punësuarin .
6. Ministria nxjerr akt nënligjor për përmbajtjen dhe formën e librezës së punës për procedurën e
nxjerrjes , mënyrën e regjistrimit të të dhënave , procedurën për ndërrimin e librezës dhe për mbajtjen e
numrit të saktë të librezës.
KREU XI
DISPOZITAT NDËSHKIMORE
Neni 92
Gjobat
1. Personi fizik ose personi juridik që nuk i përfill dispozitat e këtij ligji , në procedurë ligjore , do të
dënohej me të holla pre njëqind (100) deri në dhjetëmijë (10.000) Euro.
2. Kur shkelja është bërë kundër të punësuarit nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeç, punëdhënësi apo
personit tjetër përgjegjës, do të gjobitet me gjobë në lartësinë e dyfishit të përcaktuar në paragrafin 1. të
këtij neni .
3. Cilido person që bën diskriminim, kundër personit i cili kërkon punë apo kundër të punësuarit, sipas
nenit 5 të këtij ligji, do të gjobitet në lartësinë e trefishit të përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni.
4. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nxjerr akt nënligjor për përcaktimin e gjobave dhe shumave
konkrete në rastet e shkeljes së dispozitave të këtij ligji.
Neni 93
Mjetet e grumbulluara nga gjobat
Të gjitha mjetet e grumbulluara nga gjobat e shqiptuara, barten në Buxhetin e Republikës së Kosovës.
KREU XII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDMTARE
Neni 94
Mbikëqyrja
Mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave të këtij ligji të cilat e rregullojnë marrëdhënien e punës, sigurinë dhe
mbrojtjen në punë, e bën Inspektorati i Punës në bazë të Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe Ligji Nr.
2003/19 për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të punësuarve dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
Neni 95
Harmonizimi i akteve të punëdhënësit
1. Punëdhënësit janë të obliguar që aktet e brendshme me të cilat rregullohen marrëdhëniet e punës, t’i
harmonizojnë me dispozitat e këtij ligji, jo më vonë se gjashtë (6) muaj pas hyrjes në fuqi të tij;
2. Deri në nxjerrjen e akteve të brendshme nga paragrafi 1. i këtij neni, drejtpërsëdrejti aplikohen
dispozitat e këtij ligji.
29
Neni 96
Realizimi i të drejtave sipas dispozitave në fuqi
Deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të punësuarit i realizojnë të drejtat dhe detyrat nga marrëdhënia
e punës në bazë të dispozitave që kanë qenë në fuqi.
Neni 97
Shërbimet Publike të Punësimit
1. Për zbatimin e politikave aktive dhe pasive të punësimit në Republikën e Kosovës, në kuadër të
MPMS-së themelohen Shërbimet Publike të Punësimit.
2. Përveç shërbimeve publike të punësimit, personat fizik dhe juridik për punët e ndërmjetësimit në
punësim mund të themelojnë edhe Agjencinë Private të Punësimit.
3. Themelimi, funksionimi, fushëveprimi dhe çështje tjera të rëndësishme të Shërbimeve Publike të
Punësimit dhe Agjencive Private të Punësimit rregullohen dhe përcaktohen me ligj të veçantë.
Neni 98
Nxjerrja e akteve nënligjore
Ministria në koordinim me ministritë e tjera të Qeverisë të Republikës së Kosovës, në afat prej një (1) viti
pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e drejt dhe efikas të këtij ligji.
Neni 99
Shfuqizimi i akteve ligjore
1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Rregullorja e UNMIK-ut, Nr. 2001/27 për Ligjin Themelor të
punës në Kosovë, të datës 8 tetor 2001, Ligji për marrëdhënien e punës i KSA të Kosovës i vitit 1989 dhe
Ligji i Punës i Jugosllavisë të vitit 1977 me amendamentet përkatëse.
2. Aktet nënligjore të aplikueshme nga fusha e punës dhe punësimit, vazhdojnë të zbatohen deri në
nxjerrjen e akteve nënligjore të parapara sipas nenit 98 të këtij ligji, deri në masën që nuk janë në
kundërshtim me këtë ligj.
Neni 100
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-212
1 nëntor 2010
Shpallur me dekretin Nr. DL-077-2010, datë 18.11.2010 nga u.d. Presidenti i Republikës së
Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.