LIGJI NR. 03/L-237 PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, TË EKONOMIVE FAMILJARE DHE TË BANESAVE

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 84 / 03 NËNTOR 2010

LIGJI Nr. 03/L-237


PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, TË EKONOMIVE FAMILJARE DHE TË BANESAVE



Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:


LIGJ PËR REGJISTRIMIN E POPULLSISË, TË EKONOMIVE FAMILJARE DHE TË BANESAVE

Neni 1
Qëllimi

1. Me këtë ligj përcaktohet:

1.1. mënyra e organizimit dhe e zhvillimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, të ekonomive
familjare dhe të banesave në Kosovë;

1.2. formimi, përbërja, kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve të cilat e organizojnë, e
ndihmojnë dhe e bëjnë regjistrimin;

1.3. fillimi, kohëzgjatja dhe përfundimi i procesit të regjistrimit;

1.4. dokumentacioni i nevojshëm për kryerjen e regjistrimit;

1.5. procedura për sistemimin, përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave të dala nga rezultatet e
regjistrimit;
1.6. mënyra dhe forma e publikimit të të dhënave nga institucioni përgjegjës për statistikat
zyrtare;

1.7. ruajtja e fshehtësisë së të dhënave individuale të regjistrimit (konfidencialiteti), dhe

1.8. masat administrative kundër shkelësve të dispozitave të këtij ligji.

Neni 2
Fushëveprimi

1. Me regjistrim përfshihen: grumbullimi, përpunimi dhe publikimi i të dhënave dhe informacione të tjera
për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat në Kosovë sipas standardeve ndërkombëtare.

2. Të dhënat e siguruara nga regjistrimi janë të nevojshme për institucionet shtetërore të Kosovës, për
organizatat ekonomike, institucionet akademike, për shoqërinë civile, si dhe për të interesuar të tjerë, me
qëllim të planifikimit dhe zbatimit të politikave të përgjithshme zhvillimore, për hulumtime shkencore dhe
analiza të tjera të nevojshme për fusha të ndryshme të shoqërisë.

3. Regjistrimi duhet të sigurojë të dhëna për:

3.1. numrin dhe shpërndarjen gjeografike të popullsisë në tërë vendin;

3.2. strukturën demografike dhe karakteristikat e tjera socio-ekonomike të popullsisë;

2
3.3. numrin, shpërndarjen gjeografike të vendbanimeve, të objekteve dhe të ndërtesave, që
shfrytëzohen për qëllime banimi apo destinim tjetër, si dhe vlerësimin e kushteve të jetesës së
popullsisë.

3.4. regjistrimi nuk do të përfshijë diplomatët e huaj të ambasadave, të zyrave të tjera ndërlidhëse
dhe stafin ushtarak të KFOR-it.

Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Popullsi rezidente - individët që kanë jetuar për një periudhë kohore të vazhdueshme në
vendbanimin e tyre të zakonshëm më shumë se dymbëdhjetë (12) muaj para ditës së regjistrimit,
ose kanë arritur në atë vendbanim gjatë dymbëdhjetë (12) muajve para ditës së regjistrimit me
qëllim që të qëndrojnë aty më gjatë se një (1) vit. Personat të cilët përkohësisht mungojnë për
një periudhë të shkurtër prej vendit të tyre rezident nga vendi i zakonshëm i banimit, për një
periudhë më pak se dymbëdhjetë (12) muaj, për arsye të ndryshme, si: punësimi, studimi,
udhëtimit, shërimit apo shkollimit, duhet të përfshihen në regjistrim, respektivisht në popullsinë
rezidente.

1.2. Lista suplementare - listën ku regjistrohen popullsia e Kosovës, që nuk konsiderohen si
popullsi rezidente e Kosovës, por që janë qytetarë të Kosovës dhe për të cilët vet personi ose
familjari jep të dhënat për ta me rastin e regjistrimit.

1.3. Ekonomi familjare - secila familje apo bashkësi tjetër e personave, të cilët deklarojnë se
ata jetojnë së bashku dhe së bashku i shpërndajnë të ardhurat e veta për plotësimin e nevojave
themelore jetësore.

1.4. Banesë - kuptohet një ose më shumë hapësira, të destinuara për banim, që kanë një dalje
të pavarur dhe që në momentin e regjistrimit është e banuar apo është destinuar për banim të një
individi apo grupi individësh.

1.5. Institucioni kompetent i statistikave të Kosovës - nënkupton institucionin kompetent për
statistika zyrtare i përcaktuar me Ligjin për Statistika Zyrtare të Republikës së Kosovës.

1.6. Regjistrimi - nënkupton regjistrimin e popullsisë të ekonomive familjare dhe të banesave.

Neni 4
Obligimi për t’u përgjigjur

1. Obligohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës që gjatë regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia
ofrojnë të gjitha të dhënat e sakta për vete dhe për të afërmit e tyre, por kanë të drejtë të mos e
deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe religjioze.

2. Për personat nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç, zyrtarit për regjistrim ia ofrojnë të dhënat
prindërit ose kujdestari.

Neni 5
Autoriteti dhe metoda e regjistrimit

1. Regjistrimin e organizon dhe e realizon institucioni kompetent për statistika zyrtare të Kosovës përmes
organeve përkatëse të përcaktuara me dispozitat e këtij ligji, nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të
Komisionit Qendror të Regjistrimit.

2. Metoda e regjistrimit është tradicionale derë më derë, përmes pyetësorëve të regjistrimit.

Neni 6
Koha dhe afati i regjistrimit

3
1. Momenti kritik i regjistrimit është ora 24:00, në mes të 31 marsit dhe 01 prillit 2011. Regjistrimi i
popullsisë në Kosovë zbatohet nga data 01-15 prill 2011.

2. Pas përfundimit të regjistrimit, në periudhën prej 16-22 prill 2011 duhet të realizohet Anketa pas
Regjistrimit, e cila bazohet në një mostër reprezentative të qarqeve regjistruese deri në 0.5 % e
popullsisë, në mënyrë që të vlerësohen rezultatet dhe mbulimi i regjistrimit si dhe cilësia e të dhënave të
mbledhura në regjistrim.

Neni 7
Objekt i regjistrimit

Regjistrimi përfshin popullsinë rezidente, ekonomitë familjare dhe banesat në territorin e Republikës së
Kosovës.

Neni 8
Të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi

1. Të dhënat e grumbulluara nga regjistrimi kategorizohen në:

1.1. të dhënat për identitetin e individit: emri, mbiemri, gjinia, data e lindjes, vendi i lindjes së
personit (vendi, komuna), përkatësia etnike, fetare, shtetësia, niveli i shkollimit, adresa-
vendbanimi i përhershëm, statusi martesor, numri i fëmijëve të lindur gjallë, gjuha amtare, gjuhët
e tjera që i flisni, arsyeja e mungesës nga vendbanimi i zakonshëm, vendbanimi i mëhershëm,
ardhja në vendbanimin e zakonshëm, arsyeja e shpërnguljes, niveli i shkollimit në vijim, profili i
shkollimit në vijim dhe atij të kryer, aftësia për shkrim lexim, punësimi, emërtimi i organizatës ku
punon, profesioni, aftësitë e kufizuara, dhe çështje të tjera sociale dhe ekonomike;

1.2. të dhënat për ekonomitë familjare: emri dhe mbiemri i kryefamiljarit, raporti i anëtarëve me
kryefamiljarin, statusi i banimit, banuesit e ekonomive familjare kolektive apo ( shtëpia e pleqve,
bujtinat e punëtorëve, institucionet edukativo arsimore, burgjet, manastiret etj.), të dhënat për
bujqësinë, duke përfshirë sipërfaqen e tokës së punueshme për të lashtat, për blegtorinë, fondin
e makinerisë bujqësore, si dhe modalitete të tjera sipas udhëzimeve të tjera metodologjike;

1.3. të dhënat për banesë dhe ndërtesa: lloji i banesës, sipërfaqja e banesës, statusi i banesës,
lloji i pronësisë, numri i dhomave dhe pajisje të tjera të infrastrukturës për banesat, pajisjet e tjera
sanitare, viti i ndërtimit, lloji i materialit të ndërtesës, numri i kateve të ndërtesës;

2. Të dhënat për ish-anëtarët e ekonomisë familjare, që nuk janë pjesë e popullsisë rezidente të
Republikës së Kosovës, shënohen në listën suplementare.

Neni 9
Mbrojtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i tyre

1. Organet e përcaktuara në nenet 12, 14 dhe 15 të këtij ligji, gjatë dhe pas procesit të regjistrimit,
garantojnë:

1.1. ruajtjen e fshehtësisë së plotë të të dhënave individuale të ekonomive familjare dhe të
personave të regjistruar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, Ligjit përkatës për statistikat
Zyrtare, si dhe me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave personale;

1.2. parandalojnë qasjen e paautorizuar në bazën, qendrën ku është bërë memorimi i tërë
kontingjentit të regjistrimit të të dhënave grupore dhe individuale;

1.3. trajtimin si të dhëna anonime e të gjitha të dhënave personale të të regjistruarve, gjatë dhe
pas regjistrimit, kontrollit teknik dhe të vërtetimit të saktësisë së tyre;

2. Të dhënat e grumbulluara, qoftë ato grupore apo individuale, janë anonime për palën e tretë dhe si të
tilla mund t’i komunikohen vetëm me autorizim të konfidencionalitetit për qëllime që janë në harmoni me
qëllimet statistikore të regjistrimit. Pranuesi i të dhënave i nënshtrohet obligimit për mbrojtjen e
4
fshehtësisë profesionale të të dhënave. Pranuesi duhet t’i ndërmarrë masat përkatëse të sigurisë dhe të
garantojë se çdo publikim i rezultateve statistikore do të jetë në pajtim me dispozitat ligjore;

3. personeli i angazhuar në procesin e regjistrimit duhet t’i ruajë të dhënat nga regjistrimi derë më derë
si informacione konfidenciale dhe si të tilla ato janë të mbrojtura me ligj.

Neni 10
Rezultatet e regjistrimit

1. Institucioni kompetent i statistikave zyrtare publikon:

1.1. rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë në nivel komunal deri më 30 qershor 2011:

1.2. në rezultatet preliminare përfshihen:

1.2.1. numri i popullsisë rezidente;

1.2.2. numri i ekonomive familjare; dhe

1.2.3. numri i banesave.

1.3. rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë së Kosovës publikohen më së voni deri
më 31 dhjetor 2013.

Neni 11
Pyetësorët dhe dokumentacioni për regjistrim

1. Dokumentet për regjistrim, të përgatitura nga institucioni kompetent për statistika zyrtare, respektivisht
Zyra e Regjistrimit të Popullsisë, janë:

1.1. pyetësorët kryesorë:

1.1.1. pyetësori individual;

1.1.2. pyetësori i ekonomisë familjare;

1.1.3. pyetësori për banesë;

1.1.4. lista suplementare;

1.1.5. pyetësori për banesa kolektive; dhe

1.1.6. pyetësori për ekonomi familjare kolektive.

1.2. pyetësorët ndihmës:

1.2.1. lista e ndërtesave;

1.2.2. përmbledhja ditore;

1.2.3. lista e shënimeve përmbledhëse.

1.3. lista e shënimeve përmbledhëse është e veçantë për regjistruesin, kontrolluesin,
mbikëqyrësin dhe komisionet komunale të regjistrimit.

Neni 12
Komisioni Qendror i Regjistrimit

1. Institucioni më i lartë për mbikëqyrjen e regjistrimit është Komisioni Qendror i Regjistrimit.

5
2. Komisionin Qendror të Regjistrimit e zgjedh Kuvendi i Kosovës, me propozim të Qeverisë.

3. Komisioni Qendror i Regjistrimit drejton dhe mbikëqyr përgatitjen, organizimin dhe kryerjen e
regjistrimit.

4. Komisioni Qendror i Regjistrimit përbëhet nga Kryesuesi dhe gjashtëmbëdhjetë (16) anëtarë të tjerë
përfaqësues nga:

4.1. i emëruari nga Zyra e Kryeministrit, kryesues;

4.2. Ministria e Administratës Publike, zëvendëskryesues;

4.3. Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, anëtar;

4.4. Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural, anëtar;

4.5. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar,

4.6. Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar;

4.7. Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar;

4.8. Agjencia Kadastrale e Kosovës, anëtar;

4.9. Ministria e Drejtësisë anëtar;

4.10. Ministria për Komunitete dhe Kthim, anëtar;

4.11. institucioni kompetent për statistika zyrtare, anëtar;

4.12. zyrtari ndërkombëtar nga ICO, anëtar;

4.13. zyrtari ndërkombëtar nga Komisioni Evropian, anëtar;

4.14. një (1) përfaqësues nga komuniteti serb, anëtar;

4.15. një (1) përfaqësues nga komunitetet e tjera në Kosovë, anëtarë;

4.16. një (1) përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, anëtar;

4.17. një (1) përfaqësues nga shoqëria civile, anëtar;

5. Nëse një (1) anëtar i Komisionit largohet për shkaqe të arsyeshme, zëvendësimi i tij bëhet nga
institucioni përkatës dhe aprovohet nga Komisioni Qendror i Regjistrimit.

6. Mandati i Komisionit Qendror të Regjistrimit përfundon më 31 dhjetor 2011.

7. Pas 31 dhjetorit 2011, detyrat dhe përgjegjësit e Komisionit Qendror të Regjistrimit, deri në publikimin
e rezultateve përfundimtare të regjistrimit barten te Institucioni kompetent për statistika zyrtare.

Neni 13
Kompetencat e Komisionit Qendror të Regjistrimit

1. Komisioni Qendror i Regjistrimit:

1.1. miraton rregulloren e punës për Komisionin Qendror të Regjistrimit, si dhe pyetësorët dhe
dokumentacionin për regjistrim, të propozuara nga institucioni kompetent i statistikave zyrtare e
që janë në funksion të zbatimit të dispozitave të këtij ligji;

1.2. mbikëqyr fazat e përgatitjes dhe mbarëvajtjen e regjistrimit;
6

1.3. miraton anëtarët e komisioneve komunale të regjistrimit të ofruara nga komunat përkatëse,
si dhe ua përcakton detyrat dhe përgjegjësitë.

Neni 14
Institucioni kompetent i statistikave zyrtare të Kosovës

1. Detyrat dhe përgjegjësitë :

1.1. institucioni kompetent i statistikave zyrtare të Kosovës-Zyra e Regjistrimit të Popullsisë
drejton resurset humane dhe financiare në kuadër të projektit të regjistrimit të popullsisë, të
ekonomive familjare dhe të banesave;

1.2. personeli i angazhuar, brenda dhe jashtë organit kompetent të statistikave zyrtare të
Kosovës, në projektin e regjistrimit, kompensohet sipas projektit të regjistrimit;

1.3. përpilon programin e punës, përcakton metodologjinë, zgjedh mjetet përkatëse teknike
dhe programet e softuerit, harton pyetësorët, nxjerr udhëzime dhe vendime të nevojshme dhe
udhëheq në mënyrë të pavarur përgatitjet për realizimin e regjistrimit mbi baza shkencore;

1.4. udhëheq tërë procesin e regjistrimit dhe i raporton Komisionit Qendror të Regjistrimit,
përkitazi me shfrytëzimin e këtyre burimeve;

1.5. organizon punën për disenjimin dhe shtypjen e pyetësorëve, të udhëzimeve metodologjike,
të hartave të qarqeve regjistruese, pajisjet e parapara (logot dhe kartelat identifikuese,shenjim
tjetër kapelë, fanellë apo tjetër, llojet e pyetësorëve sipas gjuhëve zyrtare në Kosovë dhe sipas
gjuhëve që kanë statusin e gjuhëve zyrtare sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve;

1.6. bën pranimin e dokumentacionit të plotësuar pas regjistrimit;

1.7. emëron koordinatorët, mbikëqyrësit dhe kontrollorët nëpër komisionet komunale të
regjistrimit;

1.8. cakton kriteret për përzgjedhjen e regjistruesve, kontrollorëve , mbikëqyrësve dhe të
koordinatorëve;

1.9. organizon dhe mbikëqyr trajnimin profesional dhe metodologjik të anëtarëve të komisioneve
komunale të regjistrimit. Realizon punën në terren, në bashkëpunim me organet komunale të
regjistrimit, duke i regjistruar popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat;

1.10. siguron përkrahje profesionale dhe metodologjike për komisionet komunale në përgatitjen
dhe zbatimin e regjistrimit;

1.11. informon autoritet dhe organet përgjegjëse të qeverisë për hapat që duhet të ndërmerren
për regjistrimin, zhvillon fushatën e informimit të publikut dhe i raporton Komisionit Qendror mbi
zhvillimin e procesit të regjistrimit;

1.12. obligon komisionet komunale të regjistrimit për ndërmarrjen e të gjitha masave të
nevojshme për zbatimin me kohë, në cilësi, saktësi dhe besueshmëri, të të gjitha të dhënave me
rastin e procesit të regjistrimit;

1.13. ju dorëzon komisioneve komunale të regjistrimit gjithë materialin regjistrues;

1.14. dizajnon dhe përzgjedh mostrën për anketim pas regjistrimit, të cilën e realizon brenda dy
(2) javëve pas përfundimit të regjistrimit;

1.15. prezanton dhe publikon rezultatet preliminare dhe finale të regjistrimit.



7



Neni 15
Komisionet komunale të regjistrimit

1. Komisionet komunale të regjistrimit, në çdo komunë, përfaqësojnë strukturën etnike të popullsisë.

2. Komisionet komunale të regjistrimit formohen së paku gjashtë (6) muaj para ditës së regjistrimit.

3. Komisioni Komunal i Regjistrimit përbëhet nga nëntë (9) anëtarë: kryetari i komunës, pesë (5)
përfaqësues të tjerë të komunës, një (1) përfaqësuesi nga shoqëria civile, një (1) nga komuniteti jo
shumicë dhe një (1) përfaqësues nga institucioni kompetent i statistikave zyrtare.

4. Detyrat e komisionit komunal të regjistrimit janë:

4.1. organizon, zbaton dhe realizon projektin e regjistrimit në komunën e vet;

4.2. ndërhyn në çdo situatë që shfaqet si pengesë gjatë procesit të regjistrimit, mbikëqyr
regjistruesit, kontrollorët dhe stafin tjetër të angazhuar në komunën përkatëse dhe siguron
funksionimin normal gjatë fazës së regjistrimit;

4.3. siguron listën e vendbanimeve në komunën e vet tre (3) muaj para ditës së regjistrimit;

4.4. pranon dhe kontrollon materialet e regjistrimit nga kontrollorët, së bashku me mbikëqyrësit;

4.5. merr pjesë në përgatitjen e rezultateve të para të regjistrimit për komunë së bashku me
mbikëqyrësit në pajtim me nenin 10 të këtij ligji, dhe brenda dhjetë (10) ditësh pas përfundimit të
regjistrimit i dorëzon rezultatet e para dhe materialet e regjistrimit te institucioni kompetent i
statistikave;

4.6. siguron numrin e regjistruesve dhe të stafit tjetër rezervë, në mënyrë që të sigurohet
funksionimi normal dhe me kohë i regjistrimit;

4.7. në bazë të udhëzimeve dhe vendimeve të institucionit kompetent të statistikave, i ndërmerr
të gjitha masat e domosdoshme për zhvillimin normal të operacioneve të regjistrimit, kryen
përgatitjet dhe realizimin e regjistrimit në mbarë territorin e komunës, siguron informacionet dhe
ndihmon personelin e regjistrimit nëpër vendbanime;

4.8. i zgjedh dhe i trajnon, në bashkëpunim me institucionin kompetent të statistikave,
regjistruesit dhe kontrollon zbatimin e detyrave të tyre;

4.9. i raporton çdo javë institucionit kompetent të statistikave lidhur me zhvillimin e procesit të
regjistrimit brenda territorit të komunës, ndërsa gjatë javës së regjistrimit raporton çdo ditë;

4.10. siguron objektin, pranon dhe depoziton në mënyrë adekuate materialet të regjistrimit në
komunë dhe i dorëzon në institucionin kompetent të statistikave zyrtare.

Neni 16
Informimi

1. Institucioni kompetent i statistikave zyrtare bën publike, përmes medieve dhe fushatës së gjerë të
informimit, qëllimet, procedurat dhe obligimet përkatëse ligjore të regjistrimit.

2. Informimi, sipas paragrafit 1. të këtij neni, fillon së paku gjashtë (6) muaj para regjistrimit.

3. Fushata intensive informative duhet të fillojë së paku tre (3) muaj para fillimit të regjistrimit.

Neni 17
Hartat
8

Institucioni kompetent i statistikave zyrtare përgatit, së paku tre (3) muaj para datës së regjistrimit, të
gjitha hartat e nevojshme të përditësuara, për secilin qark regjistrues dhe listat e tjera përcjellëse.



Neni 18
Përpunimi i të dhënave

1. Institucioni kompetent i statistikave zyrtare përgatit Qendrën për Memorizimin e të Dhënave të tërë
kontingjentit regjistrues si dhe bën: kontrollimin, kodifikimin, përpunimin, sigurimin e të dhënave personale
dhe listën e tabelave si dhe tabelat e të dhënave të regjistrimit.

2. Hapësira punuese për regjistrim sigurohet së paku gjashtë (6) muaj para regjistrimit.

Neni 19
Personeli i regjistrimit

1. Detyrat dhe përgjegjësitë e personelit të regjistrimit:

1.1. regjistruesit - pajisen me autorizim zyrtar, shkojnë derë më derë për t’i intervistuar individët,
duke i plotësuar saktësisht pyetësorët e regjistrimit;

1.2. regjistruesit rezervë - pajisen me autorizim zyrtar për regjistrim dhe aktivizohen në punë
vetëm në rast të mungesës së regjistruesit;

1.3. kontrollorët - pajisen me autorizim zyrtar dhe si të tillë ndihmojnë dhe e kontrollojnë punën e
regjistruesve;

1.4. mbikëqyrësit - kanë për detyrë të ndihmojnë dhe e kontrollojnë punën e kontrollorëve;

1.5. koordinatori - bën koordinimin mes komisionit komunal dhe organit kompetent të statistikave;

1.6. shifruesit - kodojnë tërë kontingjentin e materialit të regjistrimit dhe e bëjnë të gatshëm për
ta dërguar në Qendrën Memorizuese;

1.7. operatorët.- i fusin të dhënat nga pyetësori në sistemin kompjuterik;

1.8. personeli menaxhues - organizon dhe përgatit informacionet, bënë sensibilizimin, logjistikën
dhe administrimin e regjistrimit në terren;

1.9. personeli i organit kompetent të statistikave, së bashku me ekspertët, përgatisin
infrastrukturën dhe instrumentet e regjistrimit, planifikimet, trajnimet, mbikëqyrjen, përpunimin,
analizimin, tabelën e të dhënave të grupuara, prodhimin dhe publikimin e rezultateve të
regjistrimit;

1.10. për shkak të specifikave dhe rëndësisë që ka projekti, gjatë procesit të regjistrimit mund të
angazhohen edhe nëpunësit civilë.

2. Institucioni kompetent i statistikave zyrtare cakton kriteret për zgjedhjen, angazhimin dhe trajnimin e
personelit të regjistrimit.

3. Caktimin e regjistruesve e bëjnë komisionet komunale të regjistrimit;

4. Caktimin e kontrollorëve e bën institucioni kompetent i statistikave zyrtare, në bazë të propozimit të
Komisionit Komunal të Regjistrimit;

5. Caktimin e mbikëqyrësve e bën institucioni kompetent i statistikave zyrtare,

9
6. Institucioni kompetent i statistikave zyrtare zgjedh dhe cakton shifruesit, operatorët, personelin
menaxhues dhe ekspertët shkencorë dhe profesionalë.





Neni 20
Financimi i regjistrimit

1. Financimi i regjistrimit të popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave financohet nga dy (2)
burime, nga:

1.1. buxheti i Kosovës; dhe

1.2. donatorët.

2. Projekt llogaria e buxhetit përgatitet nga institucioni kompetent i statistikave zyrtare, në bashkëpunim
me Komisionin Qendror të Regjistrimit.

3. Marrëveshjet financiare për fondet që grumbullohen nga donatorët specifikohen përmes
memorandumeve të mirëkuptimit ose marrëveshjeve.

Neni 21
Ndalimi i grumbullimit te të dhënave të ngjashme

1. Brenda periudhës kohore prej tre (3) muajve para realizimit të regjistrimit, gjatë kohës së grumbullimit
të të dhënave, si dhe tre (3) muaj pas regjistrimit, u ndalohet të gjithë individëve, organizatave vendore
dhe ndërkombëtare, të grumbullojnë të dhëna të ngjashme brenda territorit të Kosovës. Gjatë kësaj
periudhe nuk duhet zhvilluar ndonjë aktivitet tjetër statistikor në nivel kombëtar apo lokal, që mund të
ndikojë në regjistrim.

2. Në pajtim me ligjin në fuqi, të gjitha subjektet, të cilat, gjatë periudhës së cekur më lart, synojnë
grumbullimin e të dhënave për individët dhe banesat apo aktivitetet e tyre private dhe komerciale, duhet
të kërkojnë autorizim special nga Komisioni Qendror i Regjistrimit.

Neni 22

Qeveria e Kosovës, brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, i paraqet për
miratim Kuvendit të Kosovës, anëtarët e Komisionit Qendror të Regjistrimit.

Neni 23
Sanksionet administrative

1. Personeli i angazhuar për regjistrim, për çdo shkelje të rregullave të parapara me nenin 9 të këtij ligji,
ndëshkohet me gjobë prej pesëqind (500) deri njëmijë (1.000) Euro.

2. Personi i cili refuzon t’i japë të dhënat, të cilat i kërkon regjistruesi ose personi tjetër i autorizuar për
regjistrim, të parapara me nenin 4 të këtij ligji, ose jep të dhëna jo të plota, ndëshkohet me gjobë prej
dyqindepesëdhjetë (250) deri pesëqind (500) Euro.

Neni 24

Obligohet Komisioni Qendror i Regjistrimit që, tre (3) muaj para fillimit të datës së regjistrimit, t’i aprovojë
pyetësorët dhe dokumentacionin përkatës për regjistrim në harmoni me dispozitat e këtij ligji.

Neni 25

10
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet Ligji Nr. 2003/16 për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive
Familjare dhe Banesave në Kosovë (,,Gazeta Zyrtare’’ e Institucioneve të Përkohshme të Vetëqeverisjes
në Kosovë / Prishtinë: Viti II / Nr.15/ 1 Gusht 2007).



Neni 26

Ky ligj hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.




Ligji Nr. 03/ L-237
7 tetor 2010

Shpallur me dekretin Nr. DL-056-2010, datë 22.10.2010 nga u.d. Presidenti i Republikës së
Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.