LIGJI NR. 03/L-224 PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS

1

GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 83 / 29 TETOR 2010


LIGJI Nr. 03/L-224



PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:



LIGJ PËR KËSHILLIN PROKURORIAL TË KOSOVËS


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi dhe Fushëveprimi i Ligjit

1. Ky ligj rregullon Këshillin Prokurorial të Kosovës (Këshilli-KPK), një institucion tërësisht i pavarur në
kryerjen e funksioneve të veta.

2. Këshilli siguron se të gjithë personat që kanë qasje të barabartë në drejtësi dhe prokurorët ta ushtrojnë
funksionin në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme.

3. Këshilli siguron se Prokurori i Shtetit pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës dhe parimet e barazisë
gjinore.

4. Këshilli është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për
zyrën prokuroriale si dhe vlerëson, ngrit në detyrë, disiplinon, shkarkon, transferon dhe ofron mbështetje
për trajnimin e prokurorëve.

5. Së bashku me Kryeprokurorin e Shtetit, Këshilli është përgjegjës për dërgimin dhe menaxhimin e
buxhetit të Këshillit dhe Prokurorit të Shtetit.

Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Ditë - ditë kalendarike.

1.2. Këshilli - Këshilli Prokurorial të Kosovës, institucion tërësisht i pavarur që ushtron detyrat
dhe përgjegjësitë siç parashihen në Kushtetutë dhe në këtë ligj.

1.3. Komision Disiplinor - Komisioni Disiplinor Prokurorial.

1.4. Kryeprokuror - personi që është në krye të një prokurorie me përjashtim të Kryeprokurorit
të Shtetit apo Kreut të Prokurorisë Speciale.

1.5. Kushtetuta – Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
2

1.6. Prokuror i Shtetit – institucion i pavarur i autorizuar dhe përgjegjës për ndjekjen e
personave të akuzuar për kryerje të veprave penale dhe akteve të tjera siç specifikohen me ligj
dhe përfshin si në vijim: Prokurorinë Themelore, Prokurorinë e Apelit, Prokurorinë Speciale,
Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe cilëndo njësi tjetër organizative që mund të krijohet për të
kryer funksione prokuroriale.

1.7. Propozimi mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse – Propozimi Gjithëpërfshirës për
Zgjidhjen e Statusit të Kosovës së 26 marsit 2007


KREU II
KOMPETENCAT, PËRGJEGJËSITE DHE PËRBËRJA E KËSHILLIT

Neni 3
Pavarësia e Këshillit

Këshilli është një institucion tërësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të veta me qëllim të sigurimit të
një sistemi prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm që pasqyron natyrën shumetnike të
Republikës së Kosovës dhe parimet e pranuara ndërkombëtarisht të barazisë gjinore.

Neni 4
Detyrat, Kompetencat dhe Kufizimet e Këshillit

1. Detyrat dhe kompetencat e Këshillit përfshijnë, por nuk kufizohen në:

1.1. të siguruarit që prokurorët veprojnë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme
gjatë kryerjes së të gjitha funksioneve prokuroriale;

1.2. rekrutimin dhe propozimin tek Presidenti të kandidatëve për emërim dhe riemërim në
prokurori, përfshirë kandidatët nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë,

1.3. të siguruarit se prokuroritë pasqyrojnë përbërjen etnike të zonës së tyre të juridiksionit në
përputhje me nenin 109.4. dhe 110.3. të Kushtetutës dhe Propozimit mbi Marrëveshjen
Gjithëpërfshirëse, Aneksi IV, neni 2.2.

1.4. propozimi i kandidatëve tek Presidenti për emërim si Kryeprokuror të Shtetit;

1.5. në bashkëpunim në Institutin Gjyqësor të Kosovës, themelon standardet për rekrutimin,
organizimin dhe shpalljen e provimit përgatitor për kualifikimin e prokurorëve.

1.6. shpalljen e konkursit publik për prokurorët.

1.7. përcaktimin e numrit të prokurorëve për secilën prokurori.

1.8. emërimin e Kryeprokurorëve për Prokuroritë Themelore dhe Prokurorisë së Apelit, në
përputhje me Ligjin mbi Prokurorinë e Shtetit.

1.9. në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit zhvillon politikat dhe strategjitë
prokuroriale për të luftimin efektiv të kriminalitetit;

1.10. i propozon Qeverisë dhe Kuvendit masat lidhur me sistemin prokurorial dhe për uftimin e
kriminalitetit.

1.11. raportimi tek Kuvendi i Kosovës, Presidenti dhe publiku mbi punën e Këshillit dhe të
Prokurorisë së Shtetit;

1.12. përgatitja e një raporti vjetor mbi veprimtaritë e Prokurorit të Shtetit dhe shpenzimet
e Këshillit.

3
1.13. siguron dhe publikon informacion dhe të dhëna statistikore mbi sistemin e prokurorisë;

1.14. mbikëqyr administrimin e prokurorive dhe personelit të saj.

1.15 mbikëqyrjen e Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë dhe nxjerrjen e
rregullave dhe rregulloreve në përputhje me kompetencat e veta.

1.16. ofrimin e mbështetjes për vlerësimet e rregullta periodike të ngarkesës me lëndë të
prokurorive dhe zbatimin e sistemit të shpërndarjes së lëndëve për të siguruar funksionimin
efikas të prokurorive.

1.17. përgatitjen, dërgimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit të sistemit prokuroria për të siguruar
funksionim efikas dhe efektiv të prokurorive dhe kontabilitetit për përdorimin e burimeve fiskale.

1.18. shpalljen e Kodit të Etikës Profesionale për anëtarët e Këshillit, shkelja e të cilit paraqet bazë
për sanksione, përfshirë shkarkimin nga Këshilli.

1.19. shpalljen e Kodit të Etikës Profesionale për prokurorët, shkelja e të cilit paraqet bazë për
sanksione, përfshirë shkarkimin nga zyra.

1.20. shpalljen e Kodit të Etikës Profesionale për punonjësit mbështetës, shkelja e të cilit paraqet
bazë për sanksione, përfshirë largimin nga puna.

1.21. percaktimin e procedurave për seancat dhe zhvillimin e seancave disiplinore;

1.22. kur kërkohet, ti rekomandojë Presidentit shkarkimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

1.23. përcaktimin e politikave, standardeve dhe udhëzimeve sa i përket trajnimit të prokurorëve
dhe personelit tjetër dhe mbikëqyrjen e zbatimit të trajnimit dhe zhvillimit profesional të
prokurorëve nga Instituti apo shoqata apo organizata tjera trajnuese.

1.24. bashkëpunimin me individë apo organizata përgjegjëse për monitorimin e pavarur të sistemit
prokurorial.

1.25. shpalljen e rregullave dhe rregulloreve në përputhje me ligjet mbi informimin publik lidhur me
menaxhimin dhe zbulimin e informacionit që mbahet nga Prokurori i Shtetit.

1.26. themelimin e komisioneve të cilat Këshilli i vlerëson si të nevojshme.

1.27. miratimi i rregullave të punës për funksionimin e Këshillit dhe komisioneve të veta dhe për
zgjedhjen e atyre anëtarëve të Këshillit që zgjidhen nga kolegët e tyre, rregulla këto që janë në
dispozicion të publikut.

2. Gjatë ushtrimit të detyrave dhe kompetencave, Këshilli vepron në atë mënyrë që respekton dhe ruan
pavarësinë e prokurorëve derisa këta kryejnë funksionet e tyre të ndjekjes. Këshilli nuk do të urdhërojë
apo ndikojë, të përpiqet të ndikojë apo të ndërmarrë në ndonjë mënyrë tjetër ndonjë veprim apo të japë
çfarëdo deklarate e cila në mënyrë të arsyeshme mund të shihej si ndërhyrje apo përpjekje për ndërhyrje
në pavarësinë e funksionit të prokurorisë në raport me cilindo person, hetim apo lëndë.

Neni 5
Përbërja dhe Përzgjedhja e Anëtarëve të Këshillit

1. Këshilli përbëhet nga nëntë (9) anëtarë të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, pesë (5) nga të
cilët janë prokurorë.

2. Nga pesë (5) prokurorët që shërbejnë si anëtarë të Këshillit përfshihen:

2.1. Kryeprokurori i Shtetit;

4
2.2. një (1) prokuror nga Prokuroria Speciale që zgjidhet nga prokurorët që shërbejnë në atë
zyrë;

2.3. një (1) prokuror nga Prokuroria e Apelit që zgjidhet nga prokurorët që shërbejnë në atë zyrë,
dhe

2.4. dy (2) prokurorë nga Prokuroria Themelore që zgjidhen nga prokurorët që shërbejnë në atë
zyrë.

3. Anëtarët jo-prokurorë të Këshillit emërohen nga Këshilli bazuar në një listë prej së paku pesë (5)
kandidatësh për secilën pozitë të dërguar nga organet relevante dhe kjo përfshin:
3.1. një (1) anëtar nga Oda e Avokatëve të Kosovës i cili ka specializuar në të drejtën penale,
me anë të propozimit të Këshillit Ekzekutiv të Odës së Avokatëve;
3.2. një (1) profesor nga fakultetet juridike të Republikës së Kosovës sipas propozimit të
Departamentit për Arsim të Lartë apo të autoritetit relevant që lidhet me arsimin e lartë;

3.3. një (1) përfaqësues nga shoqëria civile me përgatitje të lartë profesionale dhe me njohuri
nga fusha e të drejtave të njeriut.

4. Ministri i Drejtësisë është anëtarë i Këshillit ex officio.

5. Këshilli zgjedh Nën-Kryesuesin nga radha e anëtarëve të Prokurorëve të vet për një mandat tre (3)
vjeçar. Të zgjedhurit në këtë pozitë nuk zgjat mandatin e një anëtari të Këshillit.

6. Anëtarësia e Këshillit pasqyron përbërjen shumë-etnike të Republikës së Kosovës dhe parimet e
pranuara ndërkombëtarisht të barazisë gjinore. Së paku një anëtar i Këshilli i zgjedhur sipas paragrafit 2.
të këtij neni është nga radha e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

7. Kryeprokurori i Shtetit shërben ex officio si Kryesues për aq kohë sa ai apo ajo mban zyrën e
Kryeprokurorit të Shtetit.

Neni 6
Mospërputhshmëria mbi Anëtarësinë

1. Është në mospërputhje me anëtarësinë në Këshill kur një anëtar është:

1.1. gjyqtar;

1.2. prokurori i cili nuk është emëruar për të shërbyer si Prokuror Shteti;

1.3. anëtari i Kuvendit të Republikës së Kosovës apo cilitdo Kuvend Komunal;

1.4. anëtari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, me përjashtim të Ministrit të
Drejtësisë,

1.5. personi që mban post apo ushtron çfarëdo detyre në ndonjë parti politike apo në ndonjë
shoqatë apo fondacion që është e lidhur me cilëndo parti politike, me përjashtim të Ministrit të
Drejtësisë;

1.6. personi që punon për administratën, përfshirë personat që kryejnë detyra në
Qeverinë e Republikës së Kosovës apo në organe administrative apo nën-
administrative të themeluara me Kushtetutë apo të krijuara me anë të
legjislacionit; ose

1.7. personi që është dënuar për vepër penale, me përjashtim të kundërvajtjes siç përkufizohet
me ligj.

Neni 7
5
Mandatet e Anëtarëve të Këshillit

Përveç anëtarëve ex officio, anëtarët e Këshillit zgjidhen apo emërohen me një mandat pesë (5) vjeçar.
Një (1) anëtar mund të zgjidhet për një mandat shtesë pesë (5) vjeçar jo të njëpasnjëshëm.


Neni 8
Përfundimi i Mandatit

1. Mandati i anëtarëve të Këshillit përfundon:

1.1. me vdekje;

1.2. me humbjen e zotësisë për veprim për më shumë se tre (3) muaj për shkak të arsyeve
mjekësorë të vërtetuara;

1.3. me dështimin e vazhdueshëm për të marrë pjesë në veprimtaritë e Këshillit për më shumë se
tre (3) muaj;

1.4. me pushimin e statusit mbi të cilin bazohet emërimi, nëse emërimi bazohet në një status të
caktuar;
1.5. me dorëheqje, duke informuar Këshillin me njoftim paraprak prej tridhjetë (30 ) ditësh; ose

1.6. kur dënohet për vepër penale, me përjashtim të kundërvajtjes siç përkufizohet me ligj.

2. Nëse një vend në Këshilli lirohet para skadimit të mandatit të një anëtari, pozita e lirë plotësohet në të
njëjtën mënyrë si për anëtarin të cilit i ka skaduar mandati. Personi, përpos Kryeprokurorit të Shtetit apo
Ministrit të Drejtësisë, i cili zgjidhet të plotësojë një vend të lirë në Këshill emërohet apo zgjidhet me një
mandate të plotë pesë (5) vjeçar.

Neni 9
Pavarësia e Anëtarëve të Këshillit

Anëtarët e Këshillit ushtrojnë detyrat e tyre zyrtare në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

Neni 10
Imuniteti

1. Anëtarët e Këshillit gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile apo shkarkimi për veprimet e
kryera, vendimet e marrura apo për shprehjen e mendimeve që janë brenda fushëveprimit të
përgjegjësive të tyre si anëtarë të Këshillit.

2. Anëtarët e Këshillit nuk gëzojnë imunitetin nga paragrafi 1. te nenit 10 të këtij ligji dhe mund të
shkarkohen nga detyra nëse këta kanë kryer shkelje të qëllimshme të ligjit.

3. Në rast kur ndaj një anëtari të Këshillit ngritet aktakuzë apo kur ky arrestohet, ai apo ajo duhet sa më
parë të njoftojnë Kryesuesin e Këshillit.

Neni 11
Procedurat Disiplinore për Anëtarët e Këshillit

1. Këshilli përcakton dhe publikon rregullat dhe procedurat disiplinore të zbatueshme ndaj anëtarëve të
vet duke përfshirë ato procedura që përcaktojnë hetimin, pezullimin apo rekomandimin për shkarkim të
cilitdo anëtari të Këshillit.

2. Një komision i përbërë nga tre (3) anëtarë i themeluar nga Kryesuesi vendos mbi bazat për disiplinim
dhe sanksione, përfshirë pezullimin dhe shkarkimin e cilitdo anëtari të Këshillit.

6
3. Një anëtar i cili është pezulluar nga Komisioni gëzon të drejtën e ankesës para Këshillit të plotë
brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga vendimi për pezullim.

4. Me rekomandimin e komisionit, një anëtar i Këshillit mund të shkarkohet me anë të dy të tretave (2/3)
të votave të anëtarëve të Këshillit.

5. Një (1) anëtar i Këshillit i cili është shkarkuar gëzon të drejtën të ankohet kundër vendimit
drejtpërsëdrejti në Gjykatën Supreme brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e marrjes së vendimit
për shkarkim.

Neni 12
Selia e Këshillit, Kuorumi dhe Natyra Publike e Takimeve

1. Selia e Këshillit është në Prishtinë.

2. Kuorumi për takimet e Këshillit është me gjashtë (6) anëtarë dhe vendimet e Këshillit merren me
shumicë të thjeshtë të votave nga anëtarët e pranishëm, përveç nëse ligji e përcakton ndryshe.

3. Të gjitha takimet e Këshillit janë të hapura për publikun. Rendi i ditës së Këshillit do të jetë publikisht
i hapur së paku dyzetetetë (48) orë para takimit. Këshilli mund të mbyllë takimin me shumicën e votave të
anëtarëve kur diskutohet për çështje si në vijim:

3.1. një sekret shtetëror zyrtar zbulimi i të cilit do të përbënte shkelje e ligjit;

3.2. çështjet e personelit që kanë të bëjnë me prokurorin apo punonjësin, përveç takimit të Këshillit
ku merret një vendim përfundimtar disiplinor kundër një prokurori;

3.3. vlerësimi i performansës se prokurorëve dhe nëpunësve të tjerë;

3.4. informacioni pronësor zbulimi i së cilës mund të paragjykonte interesat e cilësdo palë që
konkurron për një tender qeveritar;

3.5. zbulimi i informacionit apo i të dhënave që do të rrezikonin jetën apo sigurinë e cilitdo person;

3.6. një hetim në vazhdim për sjellje të pahijshme apo veprimtari kriminale zbulimi i së cilës në
masë të arsyeshme do të rrezikonte objektivitetin dhe efikasitetin e hetimit;

3.7. informacione pronësore të biznesore, të dhëna, procese apo kode kompjuterike të cilat janë
konfidenciale sipas marrëveshjes kontraktuese apo marrëveshjes për mos zbulim ndërmjet tregtarit
dhe Këshillit; ose

3.8. cilido informacion tjetër zbulimi i të cilit do të përbënte shkelje të ligjit.

4. Për çdo takim të mbyllur nga Këshilli, Kryetari do të deklarojë për shënimet zyrtare arsyen e
përgjithshme apo arsyet për mbylljen e takimit dhe do të regjistrojë votën e anëtarëve të pranishëm të
Këshillit. Pasi që Këshilli të ketë mbyllur takimin asnjë anëtar i Këshillit apo person pjesëmarrës në takim
nuk diskuton mbi natyrën, përmbajtjen apo rezultatin e takimit derisa shumica e anëtarëve të Këshillit të
votojnë për zbulimin e informacionit të tillë, përveç nëse një zbulim i tillë është i ndaluar përmes ligjit të
zbatueshëm. Kryesuesi i Këshillit do të largojë nga takimi i mbyllur mbarë personelin i cili përndryshe nuk
është i nevojshëm për zhvillimin e takimit punues të Këshillit gjatë seancës së mbyllur.

5. Këshilli mund të thërrasë takim urgjent për të adresuar çështjet që lidhen me sigurinë e godinave ose
personelit apo kur rrethana të veçanta kërkojnë veprim të menjëhershëm. Këshilli mund të mblidhet për
seancë emergjente me thirrjen e Kryesuesit, apo nëse ky mungon, më thirrjen e Nën-kryesuesit. Obligimi
për njoftim prej dyzetetetë (48) orësh i cekur në paragrafin 1. të nenit 12 te këtij ligji hiqet kur bëhet fjalë
për seancat emergjente të Këshillit. Brenda njëzetekatër (24) orësh pas përfundimit të seancës
emergjente Kryesuesi i zbulon publikut natyrën e emergjencës si dhe pikat e diskutuara në takim, përveç
nëse zbulimi përjashtohet me paragrafin 1. te këtij neni.

Neni 13
7
Buxheti Vjetor

1. Në konsultim me Kryeprokurorin e Shtetit dhe Kryeprokurorët, Këshilli përgatitë buxhetin vjetor operues
të Këshillit dhe të zyrave Prokuroriale. Këshilli i dërgon buxhetin e propozuar drejtpërsëdrejti Qeverisë siç
përcaktohet me ligj. Nëse Ministri i Ekonomisë dhe Financave dërgon një buxhet për Këshillin dhe
prokuroritë i cili ndryshon nga ai që është propozuar nga Këshilli, Ministri i Ekonomisë dhe Financave po
ashtu do të i dërgojë për konsiderim Kuvendit të Kosovës buxhetin e rekomanduar fillimisht nga Këshilli
dhe çfarëdo komenti mbi këtë.

2. Këshilli edhe Kryeprokurori i Shtetit menaxhojnë buxhetin vjetor për Këshillin dhe prokurorinë mënyrë
të pavarur dhe mbajnë përgjegjësi për mbikëqyrjen e shpenzimeve, alokimin e fondeve, mirëmbajtjen e
llogarive të sakta dhe aktuale dhe kryerjen e auditimeve financiare.

Neni 14
Mbështetja Administrative për Këshillin

1. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron mbështetje administrative nëpërmjet një sekretariati me
personel të nevojshëm për t’ia mundësuar Këshillit t’i kryejë detyrat në më mënyrë efektive dhe të
shpejtë.

2. Në sigurimin e kësaj mbështetjeje dhe në përmbushjen e këtij funksioni administrativ, Zyra e
Kryeprokurorit të Shtetit do të veprojë në një mënyrë që respekton dhe mbron autoritetin dhe
kompetencat e Këshillit siç urdhërohet me Kushtetutë dhe me këtë ligj. Kryeprokurori i Shtetit, në
kapacitetin e mbështetjes administrative, ndër të tjera, ka detyrë të:

2.1. ndihmojë Këshillin në administrimin e zyrave prokuroriale dhe në zbatimin e rregullave,
rregulloreve dhe politikave sa i përket personelit, buxhetit dhe administrimit të prokurorive dhe të
Këshillit.

2.2. propozojë rregulla të nevojshme administrative për zbatimin e urdhëresave të Këshillit. Të
gjitha rregullat e tilla do të dërgohen tek Këshilli për miratim nga ky i fundit.

2.3. propozojë rregulla dhe rregullore të reja kurdoherë që është e nevojshme për administrimin
efektiv dhe efikas të Këshillit dhe prokurorive.

2.4. raportojë rregullisht tek Këshilli mbi veprimtaritë e prokurorive dhe ofrimin e rekomandimeve
për përmirësime.

2.5. në përputhje me udhëzimet e Këshillit, përgatit dhe administron një buxhet të konsoliduar për
Këshillin dhe Prokuroritë.

2.6. sipas udhëzimeve të Këshillit, mbikëqyr të gjithë personelin administrativ dhe mbështetës
duke përfshirë alokimin e personelit në prokurori bazuar në ngarkesën me lëndë, mirëmbajtjen e
regjistrave të personelit, themelimin e një sistemi për vlerësimin e personelit, sigurimin e
disiplinimit të duhur të punonjësve administrative dhe mbrojtjen e të drejtave të punësimit.

2.7. sipas kufizimeve buxhetore dhe udhëzimeve të Këshillit, siguron se prokurori janë të
furnizuara siç duhet me materialet e nevojshme për kryerjen efektive dhe efikase të detyrave
prokuroriale.

2.8. ndërmarrjen e detyrave dhe autorizime të atilla siç mund të udhëzojë Këshilli dhe të cilat bien
brenda kompetencave udhëzuese.

3. Këshilli dhe Kryeprokurori i Shtetit së bashku do të zhvillojnë dhe miratojnë
rregullore që ndërlidhen me strukturën organizative dhe funksionin mbështetës
administrativ.

Neni 15
Njësiti për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë

8
1. Sipas udhëzimit të Këshillit, Njësiti për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë raporton mbi punën
e zyrave prokuroriale.

2. Këshilli zhvillon dhe miraton rregullore që ndërlidhen me strukturën organizative dhe funksionimin e
Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë.

3. Njësiti për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë ka një buxhet të ndarë brenda buxhetit të
konsoliduar të Këshillit dhe i raporton Këshillit në mënyrë të pavarur mbi shpenzimet e veta. Kryeprokurori
i Shtetit nëpërmjet një sekretariati me personel të nevojshëm ofron mbështetje administrative për
Njësitin për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë siç mund të udhëzojë Këshilli.

Neni 16
Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë

1. Drejtori i Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë zgjidhet dhe emërohet nga Këshilli në
përputhje me procedurat, kriteret dhe kualifikimet që do zhvillohen dhe miratohen nga Këshilli përmes
rregulloreve të cilat janë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe detyrimet e rregulloreve të
zbatueshme për personelin. Vendi i lirë i punës plotësohet duke u bazuar në një proces konkurrues, të
bazuar në meritë dhe të hapur pas publikimit të pozitës.

2. Drejtori është përgjegjës ndaj Këshillit për administrimin efikas dhe efektiv të Njësitit për Shqyrtimin e
Performansës së Prokurorisë. Drejtori i raporton drejtpërsëdrejti Kryesuesit të Këshillit dhe i përgjigjet të
gjitha kërkesave të anëtarëve të Këshillit për informata.

3. Këshilli cakton pagën e Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performansës së Prokurorisë. Drejtori nuk
pranon kompensim shtesë për detyra apo punësim tjetër nga cilido burim tjetër përveç rimbursimit për
shpenzime të arsyeshme dhe të nevojshme.


KREU III
REKRUTIMI, PROPOZIMI DHE EMËRIMI I PROKURORËVE

Neni 17
Rekrutimi dhe Përzgjedhja e Kandidatëve

1. Për rekrutimin e kandidatëve për prokurorë, Këshilli përmes një shpallje publike fton të aplikojnë të
gjithë profesionistët e kualifikuar ligjor.

2. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin e zbatueshëm, Këshilli zhvillon dhe zbaton procedura për
rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim si prokurorë.

3. Në përputhje me Kushtetutën dhe Propozimit mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, Këshilli zbaton
fushata rekrutimi si dhe masa të tjera të cilat i konsideron të nevojshme dhe të duhura për të siguruar që
një zyrë prokuroriale pasqyron përbërjen etnike të zonës së juridiksionit përkatës.

Neni 18
Propozimi për Emërim dhe Riemërim

1. Këshilli, sipas nevojës, ndërmerr masa të tilla duke mëtuar që në mesin e prokurorëve që shërbejnë në
Kosovë apo ndonjë pjesë të saj të rrisë numrin e prokurorëve nga Komunitetet që nuk janë shumicë në
Kosovë. Këshilli nga aplikantët njëlloj të kualifikuar për të shërbyer si prokurorë u jep përparësi anëtarëve
nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovës, ashtu siç është paraparë me nenin 109 (4) dhe 110
(3) të Kushtetutës, dhe Propozimit mbi Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse, Aneksi IV, neni 2.2.

2. Me përfundimin e secilit regjistrim të popullsisë dhe së paku çdo pesë (5) vjet, Këshilli studion
përbërjen etnike të prokurorive dhe sipas nevojës kërkon financim shtesë për të rritur numrin e
prokurorëve nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë për të siguruar se prokuroritë pasqyrojnë
përbërjen etnike në zonën e juridiksionit të tyre.

9
3. Para dorëzimit të propozimeve për emërim ose riemërim, Këshilli kërkon mendimin e prokurorisë
përkatëse në të cilën kandidati është propozuar për emërim apo riemërim.

4. Këshilli, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, i dërgon me shkrim Presidentit propozimet për
kandidatët për emërim apo riemërim si prokurorë. Gjatë procesit të nominimit të kandidatëve për emërim
apo riemërim, Këshilli merr parasysh edhe kriteret si në vijim:

4.1. njohurinë profesionale, përvojën dhe performansën e punës, duke përfshirë njohjen dhe
respektimin e të drejtave të njeriut;

4.2. zotësinë për arsyetim ligjor ashtu siç është dëshmuar përmes veprimtarive profesionale në
fushën ligjore, duke përfshirë veprimtaritë si gjykatës, prokuror apo avokat, punët akademike dhe
veprimtaritë tjera profesionale;

4.3. aftësinë profesionale të bazuar mbi rezultatet e karrierës së mëparshme, duke përfshirë
pjesëmarrjen në trajnime të organizuara ku është vlerësuar performansa;

4.4. aftësinë dhe zotësinë për analizimin e problemeve ligjore;

4.5. aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, të ndërgjegjshme, me zell, me
vendosmëri dhe përgjegjësi;

4.6. aftësitë e komunikimit;

4.7. sjelljen jashtë zyrës; dhe

4.8. integritetin personal.

5. Të gjitha propozimet për emërime dhe riemërime të prokurorëve arsyetohen me shkrim.

Neni 19
Emërimi dhe Riemërimi i Prokurorëve

1. Me propozim të Këshillit, Presidenti bën emërimin dhe riemërimin e Prokurorëve në përputhje me
Kushtetutën dhe ligjin.

2. Nëse Presidenti i Kosovës refuzon të emërojë apo riemërojë ndonjë kandidat, atëherë Presidenti duhet
që brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve ti ofrojë Këshillit arsyet me shkrim mbi refuzimin. Këshilli mund që
kandidatin e refuzuar së bashku me arsyetimin me shkrim të ia paraqesë edhe njëherë Presidentit, apo
Këshilli mund të propozojë një kandidat tjetër.

3. Mandati i emërimit është siç parashihet në nenin 109 .5. të Kushtetutës.

Neni 20
Emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve

1. Këshilli bën nominimin e Kryeprokurorit të Shtetit nga radhët e Prokurorëve dhe ai emërohet nga
Presidenti për një mandat shtatë (7) vjeçare, pa mundësi riemërimi.

2. Këshilli emëron Kryeprokurorët për të gjitha njësitë e tjera të Prokurorit të Shtetit. Çdo prokuror i cili
është subjekt i kualifikimeve të përcaktuara me Ligjin mbi Prokurorët e Shtetit ka të drejtë të propozohet
për postin e Kryeprokurorit.

3. Kryeprokurori emërohet nga Këshilli për një periudhë katër (4) vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për
një mandat shtesë.

4. Në mënyrë që të sigurohet se Prokurori i Shtetit pasqyron natyrën shumetnike të Kosovës, Këshilli
përpiqet të sigurojë që anëtarët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë të emërohen në role
menaxhuese.

10
5. Nëse një kandidat i propozuar për Kryeprokuror është anëtar i Këshillit, ai apo ajo nuk mund të merr
pjesë në shqyrtime apo votimin për emërimin e Kryeprokurorit.

6. Këshilli autorizohet të largojë një Kryeprokuror nga ajo pozitë, në pajtim me vlerësimet e performansës
të ndërmarra në përputhje me ligjin e zbatueshëm, ose me rastin e konstatimit të sjelljes kriminale, keq-
menaxhimit, jo-kompetencës, apo dështimit në kryerjen e detyrave të pozitës.



KREU IV
VLERËSIMI DHE TRANSFERIMI I PROKURORËVE

Neni 21
Vlerësimi i Performansës së Prokurorëve

1. Mënyra dhe procedura e vlerësimit të performansës së Prokurorëve përcaktohet përmes rregulloreve
dhe rregullave të përpiluara dhe lëshuara nga Këshilli.

2. Këshilli pëcakton kriteret për vlerësimin dhe promovimin e Prokurorëve që përfshijnë por nuk kufizohen
në:

2.1. njohurinë profesionale, përvojën e punës dhe performansën, duke përfshirë njohjen dhe
respektimin e të drejtave të njeriut;

2.2. zotesine per arsyetim ligjor;

2.3. aftësinë profesionale, përfshirë pjesëmarrjen në forma të organizuara të trajnimit në të cilën
është vlerësuar performansa;

2.4. aftësinë dhe zotësinë për analizimin e problemeve ligjore;

2.5. aftësinë për të kryer detyrat në mënyrë të paanshme, ndërgjegjshme, me zell, vendosmëri
dhe përgjegjësi;

2.6. aftësitë e komunikimit;

2.7. sjelljet jashtë zyrës, dhe

2.8. integritetin personal.

3. Çdo Prokuror i cili i është nënshtruar vlerësimit i merr rezultatet e vlerësimit dhe mund të paraqesë
kundërshtimet me shkrim kundër çdo përfundimi apo gjetje.

Neni 22
Transferimi i Prokurorëve

1. Me paraqitjen e kërkesës nga Kryeprokurori, Këshilli mund të transferojë një prokuror në një prokurori
tjetër për një periudhë kohore jo më të gjatë se gjashtë (6) muaj për një herë.

2. Transferimi sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të ndërmerret në rastet kur një prokurori ka numër të
pamjaftueshëm të prokurorëve për të kryer lëndët që i ka në kompetencë.

3. Për raste të jashtëzakonshme, Kryeprokurori i Shtetit mundet përkohësisht të transferojë një prokuror
në një prokurori tjetër. Transferim i ndërmarrë sipas kësaj dispozite nuk mund të tejkalojë tridhjetë (30)
ditë përveç nëse Këshilli miraton një periudhë më të gjatë.

4. Prokurorët nuk mund të transferohen në ndonjë prokurori tjetër kundër vullnetit të tyre përveç nëse ky
ligj e përcakton ndryshe.

11
5. Me rastin e aplikimit pranë Këshillit, një prokuror mund të transferohet në një prokurori tjetër në
mënyrë permanente.

6. Këshilli shpallë rregullat dhe rregulloret që përcaktojnë standardet dhe procedurat që qeverisin
ankesat.

7. Kur kryhet një zhvendosjeje apo transferim i përhershëm që tejkalon gjashtë (6) muaj, Këshilli
përpiqet të sigurohet se zhvendosja apo transferimi nuk do të ndryshojë përbërjen etnike të prokurorisë e
cila ndikohet nga zhvendosja apo transferimi.


KREU V
PROCEDURAT DISIPLINORE

Neni 23
Komisioni Disiplinor i Këshillit


Komisioni Disiplinor përbëhet nga tre (3) anëtarë të Këshillit, dy (2) nga të cilët duhet të jenë prokurorë.
Kryesuesi i Komisionit është prokuror

Neni 24
Sjellja e pahijshme

1. Për qëllime të këtij ligji, sjellja e pahijshme nga ana e prokurorëve përbëhet nga:

1.1. vendimi i formës së prerë për një vepër penale, me përjashtim të kundërvajtjes siç
përcaktohet me ligj;

1.2. neglizhenca në kryerjen e detyrave, dështimi për të kryer, apo keqpërdorimi i funksioneve
prokuroriale;

1.3. dështimi për të kryer funksionet prokuroriale në mënyrë të pavarur dhe të paanshme;

1.4. shkelja e Kodit të zbatueshëm të Etikës.

2. Komisioni Disiplinor mund të suspendojë pa pagesë prokurorin gjatë cilësdo periudhë të hetimit apo
gjatë procedurës disiplinore.

Neni 25
Inicimi i procedurës disiplinore

1. Zyra e Prokurorit Disiplinor i rekomandon Komisionit Disiplinor të Këshillit fillimin e procedurës
disiplinore kundër një prokurori mbi bazën e hetimeve të bëra.

2. Me rastin e paraqitjes së rekomandimit për inicimin e procedurës disiplinore, Zyra e Prokurorit
Disiplinor njofton me shkrim Komisionin, Këshillin, dhe prokurorin i cili gjendet nën hetim.

Neni 26
Seancat disiplinore

1. Me fillimin e procedurës disiplinore, prokurori nën hetim njoftohet mbi bazat e procedurës disiplinore
dhe ftohet nga Komisioni Disiplinor që të paraqitet personalisht në një seancë të mbyllur e cila mbahet
brenda tridhjetë (30) ditëve nga data e njoftimit.

2. Një anëtar i Zyrës së Prokurorit Disiplinor apo Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor i paraqet
Komisionit Disiplinor rekomandimet për veprim disiplinor dhe dëshmitë e nxjerra nga hetimet që
mbështesin zbulimin e një sjellje të pahijshme dhe sanksionet disiplinore.

12
3. Prokurorët gëzojnë të drejtën për të përfaqësuar veten e tyre apo për të caktuar një mbrojtës të
autorizuar për mbrojtjen e tyre dhe kanë qasje në gjitha dëshmitë e grumbulluara gjatë hetimeve dhe në
të gjitha shkresat e lëndës.

4. Vendimi i Komisionit mbi atë nëse është kryer sjellja e pahijshme apo mbi shqiptimin e një sanksioni
bëhet në pajtim me procedurat dhe rregullat që do të nxirren nga Këshilli me qëllim të kryerjes të zhvillimit
të procedurave disiplinore. Vendimi duhet të jetë në formë të shkruar dhe përmban arsyetimin.

5. Një kopje e vendimit i dërgohet prokurorit të akuzuar dhe Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Neni 27
Masat disiplinore

1. Komisioni mund të shqiptojë masat disiplinore si në vijim:

1.1 qortim;

1.2. qortim me urdhër për ndërmarrje të veprimeve korrigjuese;

1.3. zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) duke marrë parasysh
natyrën e sjelljes së pahijshme; apo

1.4. ulje në detyrë brenda sistemit prokurorial; apo

1.5. propozim për largimin nga detyra të Prokurorit të Shtetit.

2. Komisioni Disiplinor shqipton sanksionin që është në përputhje me rrethanat, nivelin e përgjegjësisë,
dhe pasojat e sjelljes së pahijshme.

3. Nëse prokurori lirohet nga akuzat në përfundim të procedurës disiplinore, ai apo ajo me vendim të
Këshillit kthehet në zyrën e mëhershme prokuroriale.

Neni 28
Shkarkimi nga detyra i Prokurorëve


1. Në bazë të procedurave disiplinore Këshilli vendos nëse sjellja e pahijshme e një prokurori arsyeton
shkarkimin nga detyra. Çdo rekomandim nga Këshilli për shkarkim të një prokurori duhet të përfshijë
arsyet me shkrim për një rekomandim të tillë dhe konkluzionet e Komisionit.

2. Rekomandimi i Këshillit për shkarkim i dorëzohet Presidentit dhe prokurorit në fjalë brenda
pesëmbëdhjetë (15) ditësh, ashtu siç parashihet në paragrafin 1. te këtij neni.

3. Presidenti vendos mbi rekomandimin e Këshillit për shkarkim, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë ligj.

4. Para zbatimit të vendimit të tillë, prokurori njoftohet zyrtarisht nga Këshilli lidhur me vendimin e
Presidentit për miratimin apo mosmiratimin e shkarkimit nga detyra.

Neni 29
Ankesat ndaj vendimeve disiplinore

1. Ankesat kundër vendimeve të Komisionit Disiplinor mund të i dorëzohen Këshillit përmes Kryesuesit.
Një anëtar i Këshillit që ka marrë pjesë në procedurat e Komisionit Disiplinor nuk mund të merr pjesë në
shqyrtimin e ankimit.

2. Prokurori i cili është subjekt i procedurave si dhe Zyra e Prokurorit Disiplinor munden që para Këshillit
të paraqesin ankesë kundër vendimit të Komisionit brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga pranimi i
vendimit përfundimtar.

13
3. Afati për paraqitjen e ankesës sipas këtij neni mund të vazhdohet me kusht që kërkesa për vazhdim të
afatit kohor të jetë parashtruar në Këshill brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve të cekura. Këshilli nuk
pranon vazhdimin e afatit kohor të kërkuar dhe parashtruar pas pesëmbëdhjetë (15) ditëve, në rast se
nuk është rezultat i rrethanave të jashtëzakonshme apo katastrofave.

4. Ankesa e ushtruar brenda këtyre afateve kohore e pezullon ekzekutimin e vendimit disiplinor siç
parashtrohet në nenin 27 te këtij ligji.


Neni 30
Arsyet për ankesë

1. Ankesa mund të ushtrohet shkaku i:

1.1. shkeljes së ligjit apo akteve nënligjore të zbatueshme për prokurorët;

1.2. vërtetimit të gabuar apo prova jo të plota të situatës faktike;

1.3. shkeljes së procedurës disiplinore.

2. Ankesa në formë të shkruar i dorëzohet Këshillit brenda afateve kohore të parapara me këtë ligj.

3. Ankesa përmban:

3.1. identifikimin e ankuesit;

3.2. vendimin që atakohet;

3.3. datën e pranimit të vendimit; dhe

3.4. bazën specifike të ankesës.

Neni 31
Afati për Shqyrtimin e ankesës

Bazuar në veprimet e Komisionit Disiplinor, Këshilli shqyrton dhe vendos cilëndo ankesë brenda tre (3)
muajsh nga data e parashtrimit së ankesës.

Neni 32
Refuzimi i ankesës

1. Këshilli mund të refuzojë një ankesë, pa mbajtur fare seancë dëgjimore, brenda pesë (5) ditëve, nëse
vërtetohet që:

1.1. ankuesi nuk është njëra nga palët me të drejtë ankimi kundër vendimit;

1.2. ankesa nuk përmban një apo më shumë arsye që kërkojnë parashtrimin e ankesës;

1.3. ankesa nuk është paraqitur në afatin e përcaktuar kohor.


KREU VI
ZYRA E PROKURORIT DISIPLINOR

Neni 33
Zyra e Prokurorit Disiplinor

Zyra e Prokurorit Disiplinor themelohet si organ i ndarë dhe i pavarur që i shërben Këshillit Gjyqësor të
Kosovës edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sa i përket sistemit prokurorial, Prokurori Disiplinor është
14
përgjegjës për hetimin e supozimeve për sjellje të pahijshme të prokurorëve dhe paraqitjen e provave dhe
lëndës pranë Komisionit Disiplinor në mbështetje të veprimeve disiplinore për sjelljen e pahijshme.

Neni 34
Pavarësia dhe Paanshmëria e Zyrës së Prokurorit Disiplinor

1. Zyra e Prokurorit Disiplinor vepron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.

2. Sipas dispozitave të paragrafit 3. të nenit 26 te këtij ligji, asnjë person nuk ka të drejtë të ushtrojë
ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, apo të përpiqet të ushtrojë ndikim mbi funksionet e Prokurorit
Disiplinor sa i përket çfarëdo hetimi, rekomandimi apo paraqitjes së një lënde pranë Komisionit Disiplinor.

Neni 35
Përgjegjësitë e Zyrës së Prokurorit Disiplinor

1. Zyra e Prokurorit Disiplinor është përgjegjëse për hetimin e prokurorëve aty ku ekziston bazë e
arsyeshme për të besuar që mund të jetë kryer sjellja e pahijshme si dhe për ofrimin e rekomandimeve
dhe paraqitjes pranë Komisionit Disiplinor të provave në mbështetje të veprimit disiplinor.

2. Zyra e Prokurorit Disiplinor inicion hetime në rastet kur:

2.1. pranë Zyrës së Prokurorit Disiplinor është paraqitur ankesa e paraqitur nga cilido person
fizik apo juridik;

2.2. me vet iniciativë, kur ekziston bazë e arsyeshme për të besuar se një prokuror mund të jetë
përfshirë në sjellje të pahijshme.

3. Të gjitha ankesat, pavarësisht origjinës së tyre, dërgohen për hetim në Zyrën e Prokurorit Disiplinor.

4. Zyra e Prokurorit disiplinor heton hollësisht të gjitha çështjet që i referohen, vendos nëse
rekomandimet për veprime disiplinore duhet të i paraqiten Komisionit Disiplinor si dhe njofton me shkrim
Komisionin Disiplinor dhe prokurorin e dyshuar lidhur me rezultatin e hetimit.
5. Zyra e Prokurorit Disiplinor ka të drejtë të thërrasë dëshmitarët si dhe grumbullojë dokumentet e
nevojshme për hetim dhe të përcaktojë nëse rekomandimet për veprim disiplinor duhet të paraqiten tek
Komisioni Disiplinor.
6. Zyra e Prokurorit Disiplinor i paraqet Komisionit Disiplinor rekomandimet për veprime disiplinore si dhe
provat në mbështetje të veprimit disiplinor për sjelljen e pahijshme.

Neni 36
Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor

1. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor përzgjidhet me dy të tretat (2/3) e anëtarësisë së përbashkët të
Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës në përputhje me rregulloret e
personelit. Vendi i lirë plotësohet duke u bazuar në një proces konkurrues, të bazuar në meritë dhe të
hapur pas shpalljes publike të pozitës.

2. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor është përgjegjës si për Këshillin Gjyqësor të Kosovës ashtu
edhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës mbi administrimin efikas dhe efektiv të Zyrës së Prokurorit
Disiplinor dhe ushtron përgjegjësitë e tij apo saj përkitazi me rregullat dhe rregulloret e shpallura nga të
dy Këshillat.

3. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor pranon pagë ekuivalente të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit.
Drejtori nuk pranon kompensim shtesë për detyra apo punësimin tjetër nga çfarëdo burimi tjetër, përveç
rimbursimit për shpenzime të arsyeshme dhe të nevojshme.

Neni 37
Kualifikimet e Drejtorit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor

15
1. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor duhet të përmbushë kualifikimet si në vijim:

1.1. të jetë shtetas dhe banor i Kosovës;

1.2. të ketë diplomë të vlefshme universitare të juridikut, drejtësisë penale, administrimit policor
apo në një fushë të ngjashme sipas ligjeve të Kosovës;

1.3. të ketë së paku pesë (5) vite përvojë punë relevante si avokat, gjyqtar apo zyrtar policor,
prokuror apo në një fushë të ngjashme në zbatimin e ligjit apo të administrimit të së drejtës
penale;

1.4. të ketë reputacion profesional pozitiv dhe integritet moral;

1.5. të ketë përfunduar me sukses cilindo trajnim të kërkuar për pozitën e mandatuar së bashku
nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës; dhe

1.6. të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale, me përjashtim të kundërvajtjes siç përkufizohet
me ligj.

Neni 38
Përzgjedhja dhe Kualifikimet për Personelin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor

1. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor, në konsultim me Këshillin dhe sipas kritereve kualifikuese të
cekura në këtë nen, autorizohet të përzgjedhë, emërojë dhe shkarkojë prokurorët disiplinorë. Zyra
ndihmon në paraqitjen e rekomandimeve pranë Komisionit Disiplinor për veprime disiplinore kundër
prokurorëve si dhe provat në mbështetje të veprimit disiplinor. Të gjitha vendet e lira plotësohen duke u
bazuar në një proces konkurrues, të bazuar në meritë dhe të hapur pas shpalljes publike të pozitës.

2. Punonjësit e Zyrës së Prokurorit Disiplinor duhet të përmbushin kualifikimet si në vijim:

2.1. të jenë shtetas dhe banorë të Kosovës;

2.2. të kenë diplomë universitare në juridik, drejtësinë penale, administrim policor apo në një
fushë të ngjashme sipas ligjeve të Kosovës;

2.3. të kenë së paku tre (3. vite përvojë pune relevante si avokat, gjyqtar, zyrtar policor, prokuror
apo të një fushë të ngjashme në zbatimin e ligjit apo administrimin e së drejtës penale;

2.4. të kenë reputacion pozitiv profesional dhe integritet moral;

2.5. të kenë përfunduar me sukses cilindo trajnim të kërkuar për pozitën e përbashkët nga Këshilli
Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës;

2.6. të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale, me përjashtim të kundërvajtjeve siç
përkufizohet me ligj.

3. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor autorizohet, sipas kritereve të përzgjedhjes të përcaktuara në
këtë nen, që të përzgjedhë, emërojë dhe shkarkojë inspektorët. Inspektorët ndihmojnë në zhvillimin e
hetimeve për të cilat është përgjegjës Prokurori Disiplinor. Të gjitha vendet e lira plotësohen duke u
bazuar në një proces konkurrues, të bazuar në meritë dhe të hapur pas shpalljes publike të pozitës.

4. Një inspektor i Zyrës së Prokurorit Disiplinor duhet të përmbushë kualifikimet si në vijim:

4.1. të jetë shtetas dhe banor i Kosovës;

4.2. të ketë së paku tre 3 vite përvojë relevante pune në fushën e zbatimit të ligjit, punë policore,
administrim të së drejtës penale apo në një fushë të ngjashme;

4.3. të ketë reputacion pozitiv në shoqëri;

16
4.4. të ketë mbaruar me sukses cilindo trajnim të kërkuar për këtë pozitë të mandatuar së
bashku nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës;

4.5. të mos ketë qenë i dënuar për vepra penale, me përjashtim të kundërvajtjeve.

5. Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor është i autorizuar që sipas nevojës, të përzgjedhë, emërojë dhe
shkarkojë, në përputhje me detyrimet Kushtetuese dhe kërkesat e rregulloreve të zbatueshme për
personelin, administratën dhe personelin mbështetës që ofron mbështetje administrative për funksionet e
personelit të drejtorit, prokurorëve disiplinorë dhe inspektorëve të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

Neni 39
Buxheti për Zyrën e Prokurorit Disiplinor

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor çdo vit i dërgon Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave në mënyrë
të drejtpërdrejtë një buxhet të ndarë për financimin e pagave të personelit të Zyrës së Prokurorit
Disiplinor, përfshirë drejtorin, prokurorët disiplinorë, inspektorët dhe personelin administrativ dhe
mbështetës si dhe shpenzimet e tjera operative të Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Buxheti i Zyrës së
Prokurorit Disiplinor administrohet nga Sekretariati i Këshillit Gjyqësor të Kosovës me udhëzimin dhe
vërtetimin nga Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor. Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka pushtet të
kufizojë apo të drejtojë në ndonjë mënyrë tjetër shpenzimet e Zyrës së Prokurorit Disiplinor dhe po ashtu
Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka pushtet të ri-alokojë buxhetin e Zyrës së Prokurorit Disiplinor apo të
përdorë për çfarëdo qëllimi tjetër fondet që janë caktuar për Zyrën e Prokurorit Disiplinor. Drejtori i Zyrës
së Prokurorit Disiplinor do të raportojë në baza vjetore para një seance të përbashkët të Këshillit Gjyqësor
të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës mbi veprimtaritë dhe shpenzimet e Zyrës së Prokurorit
Disiplinor.


KREU VII
TRAJNIMI I PROKURORËVE

Neni 40
Politikat e trajnimit, standardet dhe udhëzimet

1. Këshilli në bashkëpunim me Institutin Gjyqësor të Kosovës i përcakton politikat, standardet dhe
udhëzimet per rregullimin e trajnimit te prokuroreve, te kandidateve për prokurorore dhe stafit tjetër
prokurorial.

2. Këshilli mund të krijojë shoqata apo organizata të tjera për zbatimin e trajnimit të mëtutjeshëm
profesional të prokurorëve .

3. Këshilli mund të bashkëpunojë me shoqata ose me organizata të tjera për ngritjen profesionale te
prokuroreve dhe te stafit tjetër prokurorial.


KREU VIII
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Neni 41
Vlefshmëria e Veprimeve të Mëparshme të Këshillit themeluar sipas Rregullores Administrative të
UNMIK-ut 2005/52 dhe Ligjit mbi Përbërjen e Përkohshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës


1. Të gjitha veprimet e mëparshme administrative të Këshillit të marra nën Rregulloren Administrative të
UNMIK-ut 2005/52 apo në bazë të Këshillit të themeluar në bazë të Ligjit mbi Përbërjen e Përkohshme të
Këshillit Gjyqësor të Kosovës, dhe të cilat janë marrë para themelimit të këtij Këshilli dhe transferimit të
kompetencave, përfshirë shpalljen e cilësdo rregull, rregullore, skemë tarifore, urdhëresë apo veprimi
tjetër zyrtar, do të mbeten të vlefshme dhe në fuqi përpos nëse shfuqizohen me këtë ligj apo deri në një
kohë kur veprimet e tilla Këshilli do t’i ndryshojë, shfuqizojë apo sqarojë.

17
2. Të gjitha veprimet e mëparshme të Këshillit lidhur me emërimin, transferimin apo disiplinën e
prokurorëve mbeten të vlefshme dhe në fuqi përpos nëse shfuqizohen përmes këtij ligji apo akti pasues
ligjor.

3. Të gjitha veprimet e mëparshme të Këshillit për personelin sa i përket emërimit, ngritjes në detyrë,
transferimit apo shkarkimit të punonjësve administrativ mbeten të vlefshme dhe në fuqi përpos nëse
shfuqizohen me këtë ligj apo me veprim pasues të Këshillit.


Neni 42
Përbërja fillestare e Këshillit

1. Pavarësisht nenit 5 të këtij ligji , përbërja fillestare e Këshillit është si në vijim:

1.1. kryeprokurori i Shtetit

1.2. prokurori që deri në atë kohë shërben si anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës;

1.3. prokurori Special që shërben në Këshillin gjyqësor të Kosovës;

1.4. ministri i drejtësisë.

1.5. një (1) prokuror i qarkut dhe një prokuror komunal të zgjedhur nga anëtarët e mësipërm, njëri
nga të cilët duhet të jetë nga komunitetet që nuk janë shumicë në Kosovë.

1.6. tre (3) anëtarët e tjerë të zgjedhur nga Këshilli siç ceket në nenin 5 paragrafi 3. i këtij ligji, jo
më vonë se tre (3) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 43
Transferimi i kompetencave

1. Me themelimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës siç ceket me këtë ligj, detyrat dhe kompetencat që
deri në atë kohë janë ushtruar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës transferohen tek Këshilli.

2. Prokurorët të cilët në kohën e themelimit të këtij Këshilli siç ceket me këtë ligj, janë anëtarë të Këshillit
Gjyqësor të Kosovës, transferohen në Këshill dhe mbesin aty deri në skadimin e natyrshëm të mandatit të
tyre.

3. Jo më vonë se tre (3) muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Ministria e
Drejtësisë transferojnë në Këshill të gjitha dosjet që kanë të bëjnë me prokurorët.

Neni 44
Shfuqizimi

Ky ligj shfuqizon dhe zëvendëson Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2005/52 si dhe të gjitha dispozitat tjera
ligjore të cilat bien ndesh me këtë ligj.

Neni 45
Hyrja në Fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më 1 Janar 2011, në përputhje me nenin 80 (6) të Kushtetutës të Republikës së
Kosovës.

Ligji Nr. 03/ L-224
30 shtator 2010

Shpallur me dekretin Nr. DL-051-2010, datë 18.10.2010 nga u.d. Presidenti i Republikës së
Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.


18