1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 82 / 21 TETOR 2010
LIGJI Nr. 03/L-202
PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PËR KONFLIKTET ADMINISTRATIVE
Neni 1
Objekti i ligjit
Me këtë ligj rregullohen kompetenca, përbërja e gjykatës dhe rregullat e procedurës, në bazë të të cilave
gjykatat kompetente, vendosin për ligjshmërinë e akteve administrative me të cilat organet kompetente të
administratës publike, vendosin për të drejtat, detyrimet dhe interesat juridike të personave fizik dhe
juridik dhe palëve të tjera, si dhe për ligjshmërinë e veprimeve të organeve administrative.
Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është sigurimi i mbrojtjes gjyqësore të të drejtave dhe interesave juridike të personave
fizik, juridik dhe palëve të tjera, të cilat të drejta dhe interesa janë cenuar me vendime individuale ose me
veprimet e organeve të administratës publike.
Neni 3
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Organ - organet e administratës publike, organet e qeverisjes qendrore dhe organet e tjera
në varësi të tyre, organet e vetëqeverisjes lokale dhe organet në varësi të tyre, kur në ushtrimin e
autorizimeve publike vendosin në çështjet administrative.
1.2. Akt administrativ - çdo vendim të organit të paraparë në nën-paragrafin 1.1. të këtij
paragrafi, i cili merret në fund të një procedure administrative në ushtrimin e autorizimeve publike
dhe që prek, në mënyrë të favorshme ose jo të favorshme të drejtat e njohura ligjërisht, liritë ose
interesat e personave fizikë ose juridikë përkatësisht palës tjetër në vendosjen e çështjes
administrative.
1.3. Çështja administrative - sipas këtij ligji është situata e veçantë e pakontestueshme e me
interes publik, në të cilën drejtpërdrejti nga dispozitat juridike, rezulton nevoja që sjellja e
ardhshme e palës, të përcaktohet në mënyrë juridike -autoritative
Neni 4
Parimi i ligjshmërisë
Në konfliktin administrativ gjykata kompetent vendos në bazë të kushtetutës dhe ligjeve.
2
Neni 5
Parimi i deklarimit të palës
Para nxjerrjes së aktgjykimit gjykata secilës palë do ti jap mundësi që të deklarohet, mbi të gjitha kërkesat
dhe pretendimet e palëve të tjera dhe mbi të gjitha faktet dhe çështjet juridike, që janë objekt i konfliktit
administrativ. Gjykata mund të vendos në konfliktin administrativ pa dhënien e mundësisë palës për tu
deklaruar, vetëm në rastet e parashikuara me ligj.
Neni 6
Parimi i shqyrtimit verbal
Në konfliktin administrativ, gjykata vendosë në bazë të shqyrtimit verbal, të drejtpërdrejt dhe publik.
Neni 7
Parimi i efikasitetit
Gjykata e zbaton konfliktin administrativ shpejtë dhe pa zvarritje, duke iu shmangur veprimeve dhe
shpenzimeve të panevojshme, me çka e pamundëson keqpërdorimin dhe zvarritjen e realizimit të të
drejtave të palëve, të pjesëmarrësve të tjerë në konflikt dhe vendimin e nxjerrë në afat të parashikuar.
Neni 8
Parimi i ndihmës së palës së painformuar
Gjykata kujdeset që mos informimi i palës dhe pjesëmarrësve të tjerë në konflikt, të mos jetë në dëm të të
drejtave, të cilat i kanë në bazë të ligjit.
Neni 9
Gjykata në konfliktin administrativ vendos për ligjshmërinë e akteve përfundimtare administrative, me të
cilat organet e administratës, në ushtrimin e autorizimeve publike, vendosin për të drejtat, detyrimet dhe
interesat juridike të personave fizikë dhe juridikë në çështjet administrative.
Neni 10
1. Të drejtë për të nisur konfliktin administrativ ka personi fizik si dhe personi juridik, nëse vlerëson se
me aktin administrativ përfundimtar në procedurën administrative, i është shkelur ndonjë e drejt apo
interes ligjor.
2. Organi i administratës, Avokati i Popullit, shoqatat dhe organizatat e tjera, të cilat veprojnë në mbrojtje
të interesave publike mund të fillojnë konfliktin administrativ.
3. Organi ka të drejtë të iniciojë konfliktin administrativ, kundër vendimit, që është marrë në bazë të
ankesës në procedurën administrative, nëse ai/ajo konsideron se është shkelur ndonjë e drejtë ose
interes i tij.
4. Nëse me aktin administrativ është shkelur ligji në favor të personit fizik, personit juridik, konfliktin mund
ta iniciojë prokurori publik kompetent ose organi tjetër i autorizuar me ligj. Organet e administratës kanë
për detyrë që, kur të kenë mësuar për to, të njoftojnë prokurorin publik kompetent ose organin e
autorizuar me ligj.
5. Konfliktin administrativ mund ta iniciojë edhe prokurori publik kompetent ose personi i autorizuar nëse
me aktin administrativ është shkelur ligji në dëm të organeve të qeverisjes qendrore dhe të organeve të
tjera në varësi të tyre, të organeve të vetëqeverisjes lokale dhe të organeve në varësi të tyre, kur janë
shkelur të drejtat pronësore të këtyre organeve.
Neni 11
3
Konflikti administrativ, sipas aktpadisë, zgjidhet nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës.
Neni 12
Aktgjykimet e gjykatës, të nxjerra në konfliktet administrative, janë të detyrueshme.
Neni 13
Konflikti administrativ
1. Konflikti administrativ mund të fillojë vetëm kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën
administrative në shkallë të dytë.
2. Konflikti administrativ mund të fillohet edhe kundër aktit administrativ të shkallës së parë, kundër të
cilit në procedurën administrative ankimi nuk është i lejuar.
Neni 14
Konflikti administrativ mund të fillojë edhe kur organi kompetent nuk ka nxjerrë akt përkatës administrativ
sipas kërkesës ose ankesës së palës, nën kushtet e parashikuara me këtë ligj.
Neni 15
1. Konflikti administrativ nuk mund të zhvillohet:
1.1. kundër akteve të nxjerra në çështjet, në të cilat është siguruar mbrojtja gjyqësore jashtë
konfliktit administrativ;
1.2. kundër akteve të nxjerra në çështjet rreth të cilave, sipas dispozitës së ligjit nuk mund të
zhvillohet konflikti administrativ;
1.3. kundër akteve administrative, që përbëjnë një detyrim të përgjithshëm, të nxjerra nga
organet e administratës, përveç kur ato cenojnë të drejtat e ligjshme të palëve.
2. Në çështjet nga nën-paragrafi 1.2. i paragrafit 1. të këtij neni mund të zhvillohet konflikti administrativ
kur organi me rastin e nxjerrjes së aktit administrativ i ka kapërcyer kufijtë e kompetencës.
Neni 16
1. Akti administrativ përfundimtar mund të kundërshtohet:
1.1. për shkak se nuk janë aplikuar fare ose nuk janë aplikuar drejt dispozitat ligjore;
1.2 . për shkak se akti është nxjerrë nga organi jo kompetent;
1.3. për shkak se në procedurë, që i ka paraprirë aktit, nuk është vepruar sipas rregullave të
procedurës, nuk është vërtetuar drejt gjendja faktike, apo nëse nga faktet e vërtetuara është
nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike;
1.4. për shkak se me aktin përfundimtar administrativ i nxjerrë sipas vlerësimit të lirë, organi i ka
tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor ose akti i tillë nuk është nxjerrë në pajtim me qëllimin e këtij
ligji;
1.5. për shkak se pala e paditur e ka nxjerrë përsëri aktin e vetë të mëhershëm, më parë të
anuluar më aktgjykimin e formës së prerë të gjykatës kompetente.
2. Akti administrativ nuk mund të kundërshtohet për aplikim jo të drejtë të dispozitave, kur organi
kompetent ka vendosur sipas vlerësimit të lirë në bazë të autorizimeve dhe në kuadrin e kufijve që i janë
dhënë me dispozitat ligjore, në pajtim me qëllimin për të cilin i është dhënë autorizimi.
4
Neni 17
Në procedurën e konfliktit administrativ mund të kërkohet edhe kthimi i sendeve të marra, si dhe
kompensimi i dëmit që i është shkaktuar paditësit me ekzekutimin e aktit që kontestohet.
Neni 18
Paditës në konfliktin administrativ mund të jetë personi fizik, personi juridik, Avokati i Popullit, shoqatat
dhe organizatat e tjera, të cilat veprojnë në mbrojtje të interesit publik, që konsideron se me aktin
administrativ i është shkelur ndonjë e drejtë apo ndonjë interes i drejtpërdrejtë ose i tërthortë, i bazuar në
ligj.
Neni 19
1. Kur personit fizik, që është anëtar i ndonjë organizate joqeveritare, e cila sipas rregullave të veta ka për
detyrë të mbrojë të drejtat dhe interesat të caktuara të anëtarëve të vet, me akt administrativ i është
shkelur ndonjë e drejtë apo interes i tillë, kjo organizatë mundet, me pëlqimin e anëtarit të vet, në emër të
tij, të paraqesë padinë dhe të zhvillojë konfliktin administrativ kundër aktit administrativ.
2. Organizata nga paragrafi 1. i këtij neni mundet, në çdo fazë të procedurës, me të drejtat e palës së
interesuar, të hyjë në konfliktin e filluar, në favor të anëtarit të saj dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e të
përdorë të gjitha mjetet juridike, nëse kjo nuk është në kundërshtim me deklaratat dhe veprimet e palës.
Neni 20
Palë e paditur në konfliktin administrativ është organi, akti i të cilit kontestohet, përkatësisht organi i cili
sipas kërkesës së palës ose ankesës së saj nuk e nxjerrë aktin në afatin e caktuar ligjor dhe të njëjtin
nuk ia dërgon palës.
Neni 21
Pozitën e palës në konfliktin administrativ e ka edhe personi, të cilit, anulimi i aktit administrativ të
kontestuar, do t’i sillte dëm të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Neni 22
1. Padia nuk e ndalon ekzekutimin e aktit administrativ kundër të cilit është paraqitur përveç kur kjo me
ligj është parashikuar ndryshe.
2. Me kërkesën e paditësit, organi, akti i të cilit ekzekutohet, gjegjësisht organi që është kompetent për
ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte
dëm paditësit, i cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, e
as që shtyrja do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar.
3. Bashkë me kërkesën për shtyrje duhet paraqitur prova, që tregon se padia është parashtruar.
4. Për shtyrje të ekzekutimit, organi kompetent nxjerr vendimin brenda tri (3) ditëve nga data e marrjes së
kërkesës për shtyrje.
5. Organi nga paragrafi 2. i këtij neni mund të shtyjë ekzekutimin e aktit të kontestuar edhe për shkaqe të
tjera të arsyeshme deri në vendimin definitiv gjyqësor, nëse nuk është në kundërshtim me interesin
publik.
6. Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen
e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni.
7. Për kërkesën, gjykata vendos brenda tri (3) ditëve nga data e marrjes së kërkesës.
5
Neni 23
Kompetenca dhe mjetet juridike
1. Për paditë kundër akteve administrative të të gjitha organeve vendos gjykata kompetente për çështjet
administrative në shkallë të parë, nëse me dispozita të tjera ligjore nuk është përcaktuar ndryshe.
2. Kundër vendimit të nxjerrë në konfliktin administrativ, ankesa mund të paraqitet te gjykata kompetente
për çështje administrative e shkallës së dytë.
Neni 24
1. Kundër vendimit të formës së prerë të gjykatës kompetente për çështje administrative të shkallës së
dytë, pala mund të parashtrojë Gjykatës Supreme të Kosovës kërkesën për rishqyrtim të
jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor.
2. Kërkesa nga paragrafi 1. i këtij neni mund të parashtrohet vetëm për shkak të shkeljes të drejtës
materiale ose të shkeljeve të dispozitave të procedurës, që do të mund të kishte ndikim në zgjidhjen e
çështjes.
3. Mbi kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit të gjykatës vendos Gjykata Supreme e
Kosovës.
Neni 25
1. Kundër vendimit të formës së prerë të gjykatës, prokurori publik mund t’i parashtrojë Gjykatës Supreme
të Kosovë kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, nëse me vendim të tillë është shkelur ligji, dispozitat e
tjera ose akti i përgjithshëm.
2. Mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë kundër vendimit të gjykatës vendos Gjykata Supreme e
Kosovës.
Neni 26
Procedura në bazë të padisë
1. Konflikti administrativ fillohet me padi
2. Me padi mund të kërkohet:
2.1. anulimi ose shpallja e pavlefshme e aktit kontestues;
2.2. nxjerrja e aktit administrativ, i cili nuk është nxjerrrur në afatin e parashikuar; dhe
2.3. kthimi i sendeve të marrura dhe kompenzimi i dëmit i shkaktuar me ekzekutimin e aktit
administrativ të kontestuar.
Neni 27
1. Padia paraqitet brenda tridhjetë (30) ditësh, që nga data e dorëzimit të aktit administrativ përfundimtar
palës.
2. Ky afat aplikohet edhe për organin e autorizuar për paraqitjen e padisë, nëse i është dorëzuar akti
administrativ. Nëse akti administrativ nuk i është dorëzuar, mund të paraqesë padinë brenda
gjashtëdhjetë (60) ditësh nga data e dorëzimit të aktit administrativ palës, në favor të së cilës është
nxjerrë akti.
6
Neni 28
1. Padia i dorëzohet gjykatës drejtpërsëdrejti ose i dërgohet me postë rekomandë. Padia mund të bëhet
edhe në proces verbal në gjykatë. Dita e paraqitjes së padisë në postë rekomande, respektivisht dita e
deklarimit të padisë në procesverbal, konsiderohet si ditë kur i është dorëzuar gjykatës.
2. Nëse padia nuk i është dorëzuar gjykatës, por organit tjetër jo kompetent, ndërsa i arrin gjykatës pas
skadimit të afatit për paraqitjen e padisë, do të konsiderohet se është paraqitur me kohë, nëse paraqitja e
saj në këtë organ ka qenë si pasojë e mos dijës apo e gabimit të hapur të paraqitësit.
Neni 29
1. Nëse organi i shkallës së dytë nuk e ka nxjerrë vendimin brenda tridhjetë (30) ditësh ose në një afat
më të shkurtër të caktuar me dispozita të veçanta rreth ankimit të palës kundër vendimit të organit të
shkallës së parë, ndërsa nuk e nxjerr as në afatin e mëtejmë prej shtatë (7) ditësh me kërkesë të
përsëritur, pala mund të fillojë konfliktin administrativ sikur t’i është refuzuar ankesa.
2. Në mënyrën e parashikuar në paragrafin 1. të këtij neni mund të veprojë pala edhe kur sipas kërkesës
së saj nuk është nxjerrë vendimi nga organi i shkallës së parë, kundër aktit të të cilit nuk mund të bëhet
ankesa.
3. Nëse organi i shkallës së parë, kundër aktit të të cilit mund të bëhet ankesa, nuk ka nxjerrë asnjë
vendim në bazë të kërkesës brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh ose në një afat më të shkurtër të paraparë
me dispozita të veçanta, pala ka të drejtë t’i drejtohet me kërkesë organit të shkallës së dytë. Kundër
vendimit të organit të shkallës së dytë, pala mund të fillojë konfliktin administrativ, por mundet, nën
kushtet nga paragrafi 1. i këtij neni, ta fillojë edhe nëse ky organ nuk ka nxjerrë vendim.
Neni 30
1. Në padi duhen të përfshihen: emërtimi i gjykatës të cilës i paraqitet padia, emri, mbiemri dhe
vendbanimi, respektivisht selia e paditësit dhe e të paditurit, akti administrativ kundër të cilit është drejtuar
padia, arsyet pse ngrihet padia, si dhe në cilin drejtim dhe vëllim propozohet anulimi i aktit administrativ.
Bashkë me padinë duhet të bashkangjitët akti që kontestohet në origjinal ose kopje.
2. Nëse me padi kërkohet kthimi i sendit ose kompensimi i dëmit, duhet të shtrohet edhe kërkesa e
caktuar në pikëpamje të sendit apo të shumës së dëmit të pësuar.
3. Bashkë me padi, paraqitet edhe nga një kopje e padisë dhe e dokumenteve të bashkëngjitura për
organin e paditur dhe për çdo person të interesuar, nëse ekzistojnë të tillë.
Neni 31
1. Paditësi mund të heqë dorë nga padia derisa të mos merret vendimi. Në këtë rast gjykata e pezullon
procedurën me vendim.
2. Paditësi mund ta zgjerojë kërkesë padinë deri në përfundimin e shqyrtimit, ndërsa kur shqyrtimi nuk
zhvillohet, deri sa të mos nxjerret vendimi i gjykatës kompetente.
Neni 32
Çështja paraprake
Kur vendimi i gjykatës në konfliktin administrativ varet nga çështja juridike e cila përbënë tërësi të
mvetësishme juridike, e mbi të cilën gjykata tjetër ose organi tjetër nuk ka vendosur (çështja paraprake),
gjykata që zhvillon konfliktin administrativ, mund ta vendos atë çështje, nëse me ligj nuk është përcaktuar
ndryshe; ose mund ta ndërpresë procedurën deri në nxjerrjën e vendimit mbi çështjën paraprake, nga
ana e organit kompetent.
7
Vendimi i gjykatës mbi çështjën paraprake ka efekt juridik vetëm në konfliktin administrativ, në të cilin ajo
çështje është zgjidhur.
Neni 33
1. Nëse padia nuk është e plotë, është e pakuptueshme ose ka të meta, kryetari i kolegjit do të ftojë
paditësin, që brenda afatit prej tetë (8) ditëve t’i mënjanojë të metat e padisë. Në ftesë duhet të ceken
udhëzimet për të mënjanuar të metat e padisë dhe paralajmërimi për pasojat që do të lindin nëse nuk
vepron sipas kërkesës së gjykatës.
2. Nëse paditësi, brenda afatit të cekur, nuk i mënjanon të metat e padisë, kurse ato janë të atilla që e
pamundësojnë zhvillimin e procedurës, gjykata do ta hedhë poshtë me vendim padinë, nëse nuk
konstaton se akti administrativ i kontestuar është i pavlefshëm.
Neni 34
1. Gjykata e hedh poshtë padinë me vendim, nëse konstaton se:
1.1. padia është paraqitur pas kalimit të afatit ose është e parakohëshme;
1.2. akti që kontestohet me padi nuk është akt administrativ;
1.3. është e qartë se me aktin administrativ, që kontestohet me padi, nuk preken të drejtat e
paditësit ose interesi i tij i drejtpërdrejtë i bazuar në ligj;
1.4. kundër aktit administrativ, i cili kontestohet me anë të padisë, mund të bëhet ankimi, kurse
ankimi nuk është bërë fare apo nuk është bërë në kohën e duhur;
1.5. është fjala për çështjen për të cilën sipas dispozitës shprehimore të ligjit nuk mund të
zhvillohet konflikti administrativ;
1.6. ekziston vendimi i formës së prerë, i nxjerr në konfliktin administrativ, për të njëjtën çështje.
2. Për shkaqe të parashikuara në paragrafin 1. të këtij neni, gjykata mund të hedhë poshtë padinë në çdo
fazë të procedurës.
Neni 35
Nëse gjykata nuk e hedh poshtë padinë në bazë të paragrafit 2. të nenit 33, apo në bazë të nenit 34 të
këtij ligji, kurse konstaton se akti administrativ i kontestuar përmban të meta esenciale, që e pengojnë të
çmuarit e ligjshmërisë së aktit, e anulon me aktgjykim, aktin administrativ edhe pa e dërguar padinë në
përgjigje.
Neni 36
1. Nëse organi gjatë kohës së procedurës gjyqësore nxjerr aktin tjetër me të cilin revokohet ose
shfuqizohet akti administrativ kundër të cilit është ngritur konflikti administrativ, si dhe në rastin nga neni
29 i këtij ligji nxjerr më vonë aktin administrativ, ky organ, përpos paditësit, do ta njoftojë edhe gjykatën.
2. Në këtë rast gjykata do ta ftojë paditësin që brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh të deklarohet nëse me
aktin administrativ të nxjerrë në afatin e mëvonshëm:
2.1. është i kënaqur;
2.2. nuk heq dorë nga padia;
2.3. pjesërisht heq dorë nga padia;
2.4. ai/ajo padinë e zgjeron edhe në aktin tjetër.
8
3. Nëse paditësi deklaron se me aktin e nxjerr në afatin e mëvonshëm është i kënaqur apo nëse nuk e
jep deklaratën brenda afatit nga paragrafi 2. i këtij neni , gjykata do të nxjerrë vendimin mbi pezullimin e
procedurës.
4. Nëse paditësi deklaron se me aktin e ri nuk është ai/ajo i kënaqur, gjykata do ta vazhdojë procedurën.
Neni 37
1. Nëse gjykata nuk e hedh poshtë padinë, sipas të paragrafit 2. të nenit 33, apo në bazë të nenit 34 të
këtij ligji ose nuk e anulon aktin administrativ sipas nenit 35 të këtij ligji, gjykata do t’ia dërgojë nga një
kopje të padisë dhe të dokumenteve të bashkëngjitura në përgjigje palës së paditur dhe personave të
interesuar.
2. Përgjigjja jepet në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e dorëzimit të padisë në përgjigje palës.
3. Në afatin e caktuar pala ka për detyrë t’i dërgojë gjykatës të gjitha shkresat që kanë të bëjnë me
lëndën. Nëse pala e paditur edhe pas kërkesës së dytë nuk i dërgon shkresat e lëndës, apo nëse
deklaron se nuk mund t’i dërgojë, gjykata do të vendosë për çështjen edhe pa shkresat e lëndës.
Neni 38
1. Në konfliktet administrative gjykata vendos në seancë të hapur.
2. Gjykata vendos për gjendjen faktike përmes shqyrtimit verbal dhe vlerësimit të fakteve.
3. Në konfliktet administrative gjykata mund të vendosë në seancë të mbyllur në rast se mund të
zbulohen faktet që kanë të bëjnë me jetën private të palëve, mbi sekretin shtetëror, profesional, tregtar
dhe me adoptimin.
4. Palët, nëse ka nevojë edhe ekspertët dhe përkthyesit, duhet të jenë të pranishëm në seancën e
mbyllur.
5. Gjykata mund të vendosë çështjen pa shqyrtim verbal, nëse ka fakte të mjaftueshme dhe kur palët
kanë dhënë pëlqimin e tyre në formë të shkruar.
6. Për përjashtimin e publikut nga seanca, gjykata në bazë të vlerësimit të vet vendos me vendim
procedural i cili u komunikohet palëve.
Neni 39
1. Gjyqtari Mbikëqyrës cakton ditën e shqyrtimit dhe në shqyrtim do të ftojë palët dhe personat e
interesuar.
2. Shqyrtimi mund të shtyhet vetëm për shkaqe të arsyeshme, për të cilën vendos kolegji.
Neni 40
1. Shqyrtimi drejtohet nga Gjyqtari që gjyko çështjen.
2. Për shqyrtimin mbahet procesverbali, në të cilin përfshihen vetëm faktet dhe rrethanat esenciale.
3. Procesverbali nënshkruhet nga Gjyqtari që gjykon çështjen dhe procesmbajtësi.
Neni 41
1. Mungesa e palës në shqyrtimin verbal nuk e pezullon punën e gjykatës.
2. Për shkak të mungesës së palëve nuk mund të konstatohet se ato kanë hequr dorë nga kërkesat e
tyre, por do të lexohen parashtresat e tyre.
9
3. Nëse në shqyrtim nuk vjen as paditësi dhe as pala e paditur, ndërsa shqyrtimi nuk shtyhet, gjykata do
të shqyrtojë konfliktin edhe pa praninë e palëve.
Neni 42
Gjatë shqyrtimit, i pari e merr fjalën Gjyqtari që gjykon çështjen i cili parashtron gjendjen dhe esencën e
konfliktit, duke mos dhënë mendimin e vet. Pas kësaj i jepet fjala paditësit që ta arsyetojë padinë, e pastaj
përfaqësuesit të palës së paditur dhe personave të interesuar, që t’i arsyetojnë pretendimet e tyre.
Neni 43
1. Gjykata vendos për çështjen e konfliktit administrativ, në bazë të fakteve të vërtetuara në procedurën
administrative.
2. Nëse gjykata konstaton se konflikti administrativ nuk mund të shqyrtohet në bazë të fakteve të
vërtetuara në procedurën administrative për shkak se në pikëpamje të fakteve të vërtetuara ekzistojnë
kontradikta në akte, gjë që në pikat esenciale nuk janë vërtetuar plotësisht, e që nga faktet e vërtetuara
është nxjerrë konkluzioni jo i drejtë në pikëpamje të gjendjes faktike, ose konstaton se në procedurën
administrative nuk janë respektuar rregullat e procedurës, që do të kishin rëndësi për zgjidhjen e
çështjes, gjykata do të anulojë me aktgjykim aktin e kontestuar administrativ. Në një rast të tillë, organi
kompetent ka për detyrë të veprojë ashtu si është caktuar në aktgjykim dhe të nxjerrë akt të ri
administrativ.
3. Nëse anulimi i aktit administrativ, sipas paragrafit 2. të këtij neni dhe zhvillimi i përsëritur i procedurës
në organin administrativ kompetent do të shkaktonte për paditësin ndonjë dëm, i cili me vështirësi do të
riparohej, apo nëse në bazë të dokumenteve zyrtare ose të provave të tjera në shkresat e lëndës është e
qartë se gjendja faktike ndryshon nga ajo që është vërtetuar në procedurën administrative, apo nëse në
të njëjtin konflikt administrativ është anuluar një herë akti administrativ, kurse organi administrativ
kompetent nuk ka vepruar sipas aktgjykimit, gjykata mundet edhe vetë të vërtetojë gjendjen faktike ose
me anë të organit tjetër dhe në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar nxjerr aktgjykimin, respektivisht
vendimin.
Neni 44
1. Ligjshmëria e aktit administrativ të kontestuar shqyrtohet nga gjykata brenda kufijve të kërkesës nga
padia, por nuk obligohet nga shkaqet e padisë.
2. Për nulitetin e aktit administrativ gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare.
Neni 45
1. Gjykata nxjerr aktgjykimin, respektivisht vendimin.
2. Mbi këshillimin mbahet procesverbali i veçantë, të cilin e nënshkruajnë Gjyqtari që gjykon çështjen dhe
procesmbajtësi.
3. Këshillimi bëhet pa praninë e palëve.
Neni 46
1. Gjykata vendos për konfliktin administrativ me aktgjykim.
2. Me aktgjykim, padia aprovohet ose refuzohet si e pabazuar.
3. Nëse padia aprovohet, gjykata anulon aktin administrativ të kontestuar.
10
4. Kur gjykata konstaton se akti administrativ i kontestuar duhet të anulohet, mundet, nëse karakteri i
çështjes e lejon dhe nëse të dhënat dhe faktet e administruara gjatë procedurës japin bazë të sigurt për
këtë gjë, me aktgjykim të vendosë për çështjen administrative. Aktgjykimi e zëvendëson aktin e anuluar.
5. Me aktgjykim, me të cilin anulohet akti i kontestuar administrativ, gjykata do të vendosë edhe për
kërkesën e paditësit për kthimin e sendit, respektivisht për kompensimin e dëmit, nëse të dhënat e
procedurës japin për këtë gjë bazë të sigurt. Në të kundërtën, gjykata do ta udhëzojë paditësin që
kërkesën e vet ta realizojë në procedurën kontestimore.
6. Kur padia është paraqitur në bazë të nenit 29 të këtij ligji, ndërsa gjykata konstaton se është e
arsyeshme, do ta aprovojë padinë me aktgjykim dhe do të caktojë organin kompetent të nxjerrë
vendimin.
Neni 47
1. Nëse është zhvilluar shqyrtimi verbal, menjëherë pas përfundimit të shqyrtimit verbal dhe këshillimit,
gjykata shpallë aktgjykimin, respektivisht vendimin.
2. Në raste të ndërlikuara gjykata mund të heqë dorë nga shpallja verbale e aktgjykimit, respektivisht të
vendimit, por jo më vonë se brenda tetë (8) ditësh të nxjerrë aktgjykimin, respektivisht vendimin.
3. Nëse pas përfundimit të shqyrtimit verbal gjykata nuk e nxjerr aktgjykimin, respektivisht vendimin për
arsye se duhet më parë të vërtetojë faktin e atillë, për shqyrtimin e të cilit nuk nevojitet një shqyrtim i ri
verbal, gjykata do të nxjerrë aktgjykimin, respektivisht vendimin, brenda tetë (8) ditësh nga data kur ta
ketë vërtetuar këtë fakt.
Neni 48
1. Aktgjykimi, respektivisht vendimi përmban emërtimin e gjykatës, emrin dhe mbiemrin e Gjyqtarit që
gjykon çështjen e të procesmbajtësit, emërtimin e palëve dhe të përfaqësuesve të tyre, objektin e
konfliktit administrativ dhe ditën kur aktgjykimi, respektivisht vendimi është nxjerrë e shpallur, dispozitivin,
arsyetimin dhe udhëzimin për ankim, nëse është i lejuar.
2. Aktgjykimin , respektivisht vendimin e nënshkruajnë Gjyqtari që gjykon çështjen dhe procesmbajtësi.
3. Aktgjykimi, respektivisht vendimi u dërgohet palëve në kopje të legalizuara.
Neni 49
Procedura sipas mjeteve juridike
1. Kundër vendimit të gjykatës, ankesa i paraqitet gjykatës kompetente, në mënyrën e caktuar në nenin
28 të këtij ligji.
2. Ankesa paraqitet në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh, që nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës.
3. Në çështjet të tjera të procedurës sipas ankesës zbatohen dispozitat e këtij ligji për kërkesë padinë.
4. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor sipas nenit 24, si dhe kërkesa për
mbrojtjen e ligjshmërisë sipas nenit 25, i paraqitet në mënyrën e caktuar në nenin 28 të këtij ligji, gjykatës
për vendosje sipas kërkesës.
Neni 50
1. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor i dërgohet gjykatës brenda tridhjetë
(30) ditësh nga data e pranimit të vendimit kundër të cilit pala paraqet kërkesën.
2. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë paraqitet brenda nëntëdhjetë (90) ditëve nga data kur u është
dërguar palëve vendimi, kundër të cilit paraqitet kërkesa.
Neni 51
11
1. Kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë përmban
emërtimin e vendimit gjyqësor, si dhe shkaqet dhe vëllimin në të cilin propozohet rishqyrtimi ose mbrojtja
e ligjshmërisë.
2. Nëse kërkesa nga paragrafi 1. i këtij neni nuk është e plotë ose është e pakuptueshme, gjykata
vepron në pajtim me dispozitat e nenit 33 të këtij ligji.
Neni 52
1. Kërkesën e palejueshme, të paraqitur pas afatit apo kërkesën e paraqitur nga personi i paautorizuar,
gjykata do ta hedhë poshtë me vendim.
2. Nëse gjykata nuk e hedh poshtë kërkesën nga paragrafi 1. i këtij neni, atë do t’ia dërgojë palës së
kundërt, e cila, brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, mund të japë përgjigjen në kërkesën e bërë.
3. Gjykata, kundër vendimit të së cilës është paraqitur kërkesa për rishqyrtim të jashtëzakonshëm ose
kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe organi i paditur, kanë për detyrë që, me kërkesën e gjykatës, t’i
dërgojnë të gjitha shkresat e lëndës.
Neni 53
Gjykata vendos mbi kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm ose kërkesën për mbrojtjen e
ligjshmërisë, si rregull, në seancë të mbyllur, ndërsa vendimin e kundërshtuar e shqyrton vetëm brenda
kufijve të kërkesës.
Neni 54
1. Gjykata me aktgjykim refuzon ose e aprovon kërkesën.
2. Me aktgjykim me të cilin aprovohet kërkesa, gjykata mund ta anulojë ose ta ndryshojë vendimin
gjyqësor, kundër të cilit është paraqitur kërkesa.
3. Nëse gjykata e anulon vendimin gjyqësor, lënda i kthehet gjykatës, vendimi i së cilës është anuluar.
Kjo gjykatë e ka për detyrë të ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe t’i shqyrtojë çështjet, në të
cilat e ka paralajmëruar gjykata që ka vendosur për kërkesën.
Neni 55
Rishikimi
1. Pala e interesuar mund të kërkojë rishikimin e një vendimi, që ka marrë formë të prerë, kur:
1.1. pala mëson për fakte të reja, apo nëse konstaton ose krijon mundësi të përdorë prova të
reja, në bazë të së cilave konflikti do të mund të zgjidhej në mënyrë më të favorshme për të, po të
ishin shtruar ose përdorur këto fakte, apo prova, në procedurën e mëparshme gjyqësore;
1.2. vendimi i gjykatës ka ardhur si pasojë e veprës penale të gjyqtarit apo punëtorit në gjykatë
ose vendimi është nxjerrë me veprim mashtrues të përfaqësuesit ose të autorizuesit të palës, të
kundërshtarit të tij ose të përfaqësuesit apo të autorizuesit të kundërshtarit, kurse ky veprim
përbën vepër penale;
1.3. vendimi është bazuar në aktgjykimin e nxjerr në çështjen penale apo civile, kurse ky
aktgjykim është anuluar më vonë me vendim gjyqësor të formës së prerë;
1.4. dokumenti në të cilin bazohet vendimi është i falsifikuar, apo nëse dëshmitari, eksperti, ose
pala gjatë dëgjimit para gjykatës ka dhënë deklaratë të rreme, kurse vendimi i gjykatës është
bazuar në këtë deklaratë;
12
1.5. pala konstaton apo krijon mundësi ta përdorë vendimin e mëparshëm të nxjerrë në të njëjtin
konflikt administrativ; dhe
1.6. personit të interesuar nuk i është dhënë mundësia për të marrë pjesë në konfliktin
administrativ.
2. Për shkak të rrethanave nga nën-paragrafi 1.1 dhe nën-paragrafi 1.5 i këtij paragrafi rishikimi do të
lejohet vetëm nëse pala, pa faj të vet, nuk ka pasur mundësi që këto rrethana t’i shtrojë në procedurën e
mëparshme.
Neni 56
Rishikimi i vendimeve për rrethanat e parashikuara në nën-paragrafët 1.2 dhe 1.4 të nenit 55 të këtij ligji
lejohet kur ato rrethana janë vërtetuar me vendim të formës së prerë nga gjykata kompetente.
Neni 57
1. Rishikimi i vendimeve mund të kërkohet jo më vonë se brenda tridhjetë (30) ditësh nga data kur pala
të ketë mësuar për shkakun e rishikimit.
2. Nëse pala ka mësuar për shkakun e rishikimit para se të ketë marrë fund procedura para gjykatës,
ndërsa këtë shkak nuk ka mundur ta përdorë gjatë procedurës, rishikimi mund të kërkohet brenda
tridhjetë (30) ditësh nga data e dërgimit të vendimit.
3. Pasi të kenë kaluar tre (3) vjet nga data kur vendimi të ketë marrë formën e prerë, rishikimi nuk mund
të kërkohet.
Neni 58
Mbi kërkesën për rishikim vendos gjykata, që ka nxjerrë vendimin.
Neni 59
1. Në kërkesë për rishikim duhet theksuar:
1.1. aktgjykimi ose vendimi, i nxjerr në procedurë, rishikimi i të cilit kërkohet;
1.2. baza ligjore e rishikimit, provat dhe rrethanat që e bëjnë të besueshme ekzistimin e kësaj
baze;
1.3. rrethanat nga të cilat rezulton se kërkesa është paraqitur në afatin ligjor, dhe me cilat prova
vërtetohet;
1.4. në cilin drejtim dhe në cilin vëllim propozohet ndryshimi i aktgjykimit, respektivisht i vendimit
të nxjerrë në procedurë, rishikimi i të cilit kërkohet.
Neni 60
1. Mbi kërkesë për rishikim gjykata vendos në seancë të mbyllur.
2. Gjykata do ta hedhë poshtë kërkesën me vendim nëse vërteton se kërkesën e ka paraqitur personi i
paautorizuar ose kërkesa nuk është bërë në kohën e duhur, apo pala nuk e ka bërë të paktën të
besueshme ekzistimin e bazës ligjore për rishikim.
3. Nëse gjykata nuk e hedh poshtë kërkesën sipas paragrafit 2. të këtij neni, do t’ia dërgojë palës së
kundërt dhe personave të interesuar dhe do t’i ftojë që brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh t’i përgjigjen
kërkesës.
Neni 61
13
1. Pas skadimit të afatit për përgjigje në kërkesë për rishikim, gjykata vendos me aktgjykim mbi
kërkesën për rishikim.
2. Nëse lejohet rishikimi, do të shfuqizohet vendimi i mëparshëm tërësisht ose pjesërisht.
3. Veprimet e mëparshme procedurale, të cilat nuk ndikojnë në shkaqet e rishikimit, nuk përsëriten.
4. Me aktgjykim, me të cilin lejohet rishikimi, do të vendoset edhe për çështjen kryesore.
Neni 62
Në procedurën për rishikim do të zbatohen përshtatshmërisht dispozitat e këtij ligji për procedurën sipas
padisë dhe mjeteve juridike, nëse në nenet 55 deri 61 të këtij ligji nuk është caktuar ndryshe.
Neni 63
Dispozita të tjera të procedurës
Nëse ky ligj nuk përmban dispozita për procedurën në konfliktet administrative, do të zbatohen
përshtatshmërisht dispozitat e ligjit për procedurën kontestimore.
Neni 64
Në konfliktin administrativ secila palë i bart shpenzimet e veta.
Neni 65
Karakteri i detyrueshëm i aktgjykimit
Kur gjykata e anulon aktin, kundër të cilit ka filluar konflikti administrativ, lënda kthehet në gjendjen në të
cilin ishte para se të ishte nxjerrë akti i anuluar. Nëse sipas karakterit të çështjes, që ka qenë objekt i
konfliktit, duhet që, në vend të aktit të anuluar administrativ, të nxirret një tjetër, organi kompetent ka për
detyrë ta nxjerrë pa shtyrje, jo më vonë se brenda tridhjetë (30) ditësh nga data e dërgimit të aktgjykimit.
Organi kompetent, në këtë rast, është i obliguar nga pikëpamja juridike e gjykatës, si dhe nga vërejtjet e
gjykatës lidhur me procedurën.
Neni 66
Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme.
Neni 67
1. Nëse organi kompetent pas anulimit të aktit administrativ e nxjerr aktin administrativ në kundërshtim
me pikëpamjen juridike të gjykatës, apo në kundërshtim me vërejtjet e gjykatës lidhur me procedurën,
kurse paditësi paraqet një padi të re, gjykata do ta anulojë aktin e kontestuar dhe, si rregull, vetë do të
vendosë për çështjen me aktgjykim. Aktgjykimi i tillë e zëvendëson aktin e organit kompetent.
2. Me rastin e tillë, gjykata e njofton organin që ushtron mbikëqyrjen e organit administrativ.
Neni 68
1. Nëse organi kompetent pas anulimit të aktit administrativ nuk nxjerr menjëherë, e jo më vonë se
brenda tridhjetë (30) ditësh, aktin e ri administrativ ose aktin në zbatimin e aktgjykimit të nxjerrë në bazë
të paragrafit 4. të nenit 46 të këtij ligji, pala mund të kërkojë, me parashtresë të veçantë, nxjerrjen e aktit
të tillë. Nëse organi kompetent nuk e nxjerr aktin brenda shtatë (7) ditësh nga kjo kërkesë, pala mund të
kërkojë nxjerrjen e aktit të tillë nga gjykata që ka nxjerrë aktgjykimin.
2. Në bazë të kërkesës së tillë, gjykata do të kërkojë nga organi kompetent njoftimin mbi shkaqet për të
cilat akti administrativ nuk është nxjerrë. Organi kompetent ka për detyrë ta japë këtë njoftim menjëherë,
jo më vonë se brenda shtatë (7) ditësh. Nëse nuk e bën këtë, apo nëse njoftimi i dhënë, sipas mendimit
të gjykatës, nuk e arsyeton moszbatimin e aktgjykimit të gjykatës, gjykata do të nxjerrë vendimin, i cili e
zëvendëson aktin e organit kompetent. Këtë vendim gjykata do t’ia dërgojë organit kompetent për
14
ekzekutim dhe për këtë gjë njëkohësisht do ta njoftojë organin që ushtron mbikëqyrjen. Organi kompetent
për ekzekutim ka për detyrë që ta ekzekutojë vendimin e tillë.
Neni 69
Kur në konfliktin administrativ është nxjerrë aktgjykimi, ndërsa organi ka nxjerrë aktin administrativ për
ekzekutimin e këtij aktgjykimi, por pranë organit kërkohet rishikimi për këtë akt administrativ, rishikimi
mund të lejohet nëse shkaku i rishikimit ka lindur pranë organit që e ka nxjerrë aktin administrativ.
Neni 70
Dispozitat e fundit dhe kalimtare
Për paditë e paraqitura deri në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të zbatohen procedurat sipas
dispozitave të deritashme, përveç nëse ky ligj është më i favorshëm për palën.
Neni 71
Ky ligj shfuqizon të gjitha dispozitat e ligjit të aplikueshëm për konfliktin administrativ.
Neni 72
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-202
16 shtator 2010
Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80 paragrafi 5
të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.