LIGJI NR. 03/L-189 PËR ADMINISTRATËN SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 82 / 21 TETOR 2010

LIGJI Nr. 03/L-189



PËR ADMINISTRATËN SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS



Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:


LIGJ PËR ADMINISTRATËN SHTETËRORE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1
Qëllimi i Ligjit

1. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kornizës ligjore për organizimin, bashkëpunimin dhe menaxhimine
organeve të cilat ushtrojë kompetenca ekzekutive.

Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këtë kuptimë:

1.1. Autoritetet e larta të administratës shtetërore - Qeverinë si tërësi, Kryeministrin,
Zëvendës Kryeministrat dhe ministrat.

1.2. Organet e larta të administratës shtetërore - Zyra e Kryeministrit dhe Ministritë janë
organet e larta të administratës shtetërore përmes të cilave Autoritetet e Larta të Administratës
Shtetërore ushtrojnë kompetencat e tyre qeveritare dhe administrative.

1.3. Organet qendrore të administratës shtetërore - organet vartëse të administratës
shtetërore të cilat kryejnë funksione joministrore ose funksione të tjera administrative.

1.4. Organet lokale të administratës shtetërore - organet komunale të administratës
shtetërore.

1.5. Organet e pavarura të administratës shtetërore - personat juridikë që ushtrojnë veprimtari
shtetërore administrative për të cilën kërkohet shkallë e lartë e pavarësisë në interes publik.

1.6. Rregulloret e Qeverisë - aktet nënligjore, të cilat miratohen nga Qeveria në bazë të
autorizimit i cili është dhënë shprehimisht me këtë ligj dhe të cilat kanë për qëllim përcaktimin në
detaje të parimeve dhe standardeve të përcaktuara në këtë ligj.

1.7. Bartësit e detyrave, përgjegjësive, kompetencave dhe autorizimeve të administratës
shtetërore - janë nëpunësit e saj.




2


KREU II
DISPOZITAT THEMELORE

Neni 3
Fushëveprimi i ligjit

Me këtë ligj rregullohet fushëveprimi i organeve të administratës shtetërore. Administrata shtetërore kryen
punët e administratës në suaza të të drejtave, përgjegjësive dhe detyrave të Republikës së Kosovës.
Administrata shtetërore funksionin e saj e ushtron dhe punët i kryen në bazë të kushtetutës, ligjit,
dispozitave të tjera dhe akteve të përgjithshme.
Punët e administratës shtetërore ngërthejnë zbatimin e drejtpërdrejt të ligjit, nxjerrjen e dispozitave për
aplikimin e tyre, ushtrimin e mbikëqyrjes administrative dhe kryerjen e punëve të tjera administrative dhe
profesionale.

Neni 4
Punët e administratës shtetërore

1. Punët e administratës shtetërore janë:

1.1. propozimi i politikës së brendshme dhe të jashtme;

1.2. zhvillimi i politikës zhvillimore;

1.3. veprimtaria normative;

1.4. zbatimi i ligjeve dhe dispozitave të tjera;

1.5. ushtrimi i mbikëqyrjes administrative;

1.6. vendosja në procedurën administrative mbi të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve dhe
personave juridik;

1.7. veprimi në procedurën për kundërvajtje;

1.8. sigurimi i kryerjes së punëve të interesit publik;

1.9. kryerja e punëve të tjera të administratës shtetërore.

Neni 5

1. Punët e administratës shtetërore i ushtrojnë organet, agjencitë përkatëse dhe organizmat e tjerë
kompetent, rrjedhimisht të autorizuar të administratës shtetërore (në tekstin e mëtejmë:Organet e
administratës shtetërore).

2. Organet, autoritetet dhe organizmat e tjerë të administratës shtetërore sipas këtij ligji janë: Ministritë,
Organizatat e administratës shtetërore dhe organet e tjera të administratës.

3. Disa punë të caktuara të administratës shtetërore mund ti kryejnë edhe organet e tjera në nivel
qendror ose lokal;themelatat dhe personat e tjerë juridik, si autorizime publike, nëse ato punë,
përkatësisht autorizime iu janë bartur, rrjedhimisht besuar atyre.

Neni 6
Natyra e punës së administratës shtetërore

Puna e organeve të administratës është publike.



3


Neni 7
Ushtrimi i kontrollit dhe mbikqyrjës së punës së administratës shtetërore

1. Administrata shtetërore dhe puna e saj i nënshtrohet kontrollit dhe mbikëqyrjes.

2. Kontrolli i punës së administratës shtetërore realizohet përmes mbikëqyrjes administrative dhe
formave tjera; nëpërmjet kontrollit gjyqësor; formave dhe modaliteteve të tjera të kontrollit, në përputhje
me Kushtetutën dhe ligjet.

Neni 8

1. Organet e Administratës Shtetërore i themelon Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me
ligjin.

2. Qeveria e Republikës së Kosovës e harmonizon dhe mbikëqyrë ushtrimin e punëve të Administratës
Shtetërore.

3. Me aktin e themelimit të organit të administratës shtetërore përcaktohet ministria përgjegjëse, që do
të ushtrojë mbikëqyrje mbi ligjshmërinë e punës së organit të administratës.

Neni 9

Administrata shtetërore në punën e saj, në suaza të kompetencave dhe autorizimeve ligjore, është
transparente, profesionale, efikase dhe efektive, e pavarur dhe e paanshme.

Neni 10
Statusi i organeve të administratës shtetërore

1. Organet e administratës shtetërore, në përputhje me aktin e themelimit, kanë statusin e personit
juridik.

2. Në suaza të fushëveprimtarisë së tyre, organet e administratës, mund të kryejnë shërbime edhe për
personat fizik dhe juridik me kompenzim ligjor.

Neni 11

Organet e administratës shtetërore janë të detyruar që në mënyrë të ligjshme, efikase dhe në suaza të
afateve ligjore, të vendosin mbi çështjet e ndryshme administrative,në kompetencën e tyre.

Neni 12
Mospërputhshmëria e manifestimit dhe organizimit politik në organet e administratës shtetërore

Në organet e administratës shtetërore, ndalohet çfarëdo forme e manifestimit, organizimit dhe veprimit
të aktiviteteve politike ose të animit e të favorizimeve në baza politike të punonjësve të administratës.
Nëpunësve të administratës shtetërore, gjatë kryerjes së punëve të tyre brenda orarit të punës, iu
ndalohet të shprehin dhe përfaqësojnë bindjet dhe orientimet e tyre politike.

Neni 13

Republika e Kosovës është përgjegjëse për dëmin që organi i administratës shtetërore e shkakton me
punën e tij të paligjshme ose të parregulltë.

Neni 14
Ushtruesit e punëve në administratën shtetërore

1. Punët e administratës shtetërore në organet dhe organizmat e saj i kryejnë nëpunësit shtetëror, të
cilët pranohen në bazë të vlerave dhe meritave, përmes konkursit publik, po që se me ligj nuk është
përcaktuar ndryshe.
4

2. Të drejtat, detyrimet, përgjegjësitë dhe autorizimet e nëpunësve të administratës shtetërore
përcaktohen me dispozitat e ligjit për shërbimin civil dhe atij të pagave të shërbyesve civil.

Neni 15
Sigurimi i mjeteve për funksionimin dhe punën e administratës shtetërore

Mjetet për punën dhe veprimtarinë e organeve të administratës shtetërore sigurohen me buxhetin
Republikës së Kosovës.

Neni 16
Struktura organizative, funksionale dhe e veprimtarisë së organeve të administratës shtetërore

1. Struktura organizative funksionale dhe e veprimtarisë së organeve të administratës shtetërore
rregullohet në përputhje me këtë ligj, përveç nëse është përcaktuar ndryshe me ligje të veçanta.

2. Ky ligj nuk zbatohet për:

2.1. administratën e Kuvendit

2.2. administratën e Presidentit,

2.3. administratën e gjykatës kushtetuese

2.4. administratën e gjyqësorit dhe të prokurorisë;

2.5. administratën e institucioneve të pavarura të përcaktuara në Kapitullin XII të Kushtetutës;

2.6. administratën e institucioneve publike të arsimit të lartë.

3. Administrimi i cili ushtrohet nga komunat rregullohet në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale,
sa ka të bëjë me kompetencat e tyre vetanake dhe të zgjeruara.

4. Ndërmarrjet publike - rregullohen në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike.

Neni 17
Parimet dhe kriteret për organizimin dhe sistemimin e brendshëm në organet e administratës
shtetërore

1. Parimet dhe kriteret për organizimin dhe sistemimin e brendshëm në organet e administratës
shtetërore i përcakton Qeveria e Republikës së Kosovës.

2. Organizimin dhe sistematizimin e brendshëm të punëve, pozitave dhe detyrave të punës në organin e
caktuar të administratës shtetërore, e rregullon ministria përgjegjëse, me akt të veçantë të saj.

Neni 18
Parimet

1. Struktura organizative e administratës shtetërore të Kosovës siguron që:

1.1. shërbimet të ofrohen në përputhje me parimin e sundimit të ligjit;

1.2. administrata të veprojë në mënyrë të paanshme, apolitike dhe e orientuar nga qytetarët;

1.3. detyrat të ushtrohen në mënyrë efikase, efektive dhe transparente;

1.4. organet administrative të bashkëpunojnë në interes të publikut;

1.5. kompetencat të përcaktohen në bazë të parimit të subsidiaritetit;

5
1.6. barazia gjinore dhe parimi i një shoqëri multietnike të mbrohet dhe të promovohet

Neni 19
Modernizimi

1. Administrata shtetërore e Kosovës do të modernizohet në mënyrë të vazhdueshme në përputhje me
parimet e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji. Qeveria do të sigurojë personelin e nevojshëm dhe do të
krijojë parakushtet organizative dhe teknike për mbështetjen e këtij procesi.

2. Ministria përgjegjëse për administratë publike përgatit propozimet dhe organizon procesin e reformimit,
avancimit dhe të modernizimit të administratës.


KREU III
INSTITUCIONET DHE ORGANET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Neni 20
Institucionet e administratës

1. Administrata në Republikën e Kosovës ushtrohet nga institucionet e administratës së drejtpërdrejtë dhe
të tërthortë shtetërore.

2. Institucionet e administratës së drejtpërdrejtë shtetërore janë:

2.1. organet e larta të administratës shtetërore;

2.2. organet qendrore të administratës shtetërore;

2.3. organet lokale të administratës shtetërore;

2.4. komunat, sa kanë të bëjë me kompetencat e deleguara shtetërore.

3. Institucionet e administratës së tërthortë shtetërore janë:

3.1. komunat, sa kanë të bëjë me kompetencat e tyre vetanake dhe të zgjeruara (decentralizimi);

3.2. organet e pavarura të administratës shtetërore me statusin e personit juridik;

3.3. personat juridikë të cilëve u janë deleguar kompetenca shtetërore.

Neni 21
Autoritetet e larta të administratës shtetërore

Qeveria në tërësi, Kryeministri, Zëvendës Kryeministrat dhe ministrat janë autoritetet e larta të
administratës shtetërore. Ata udhëheqin dhe mbikëqyrin administratën shtetërore në fushat e tyre
përkatëse të përgjegjësisë.

Neni 22
Organet e larta të administratës shtetërore

1. Organet e larta të administratës shtetërore ushtrojnë detyra tjera administrative në bazë të ligjit ose
nëse ushtrimi i këtyre detyrave nga një organ i lartë i administratës shtetërore është më efikas dhe efektiv
se delegimi i detyrave në një organ tjetër të administratës shtetërore.

2. Fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive përcaktohen me
rregullore nga Qeveria pas propozimit nga Kryeministri dhe ministrat. Kjo rregullore e Qeverisë dhe
ndryshimet e mëpasshme të saj botohen në “Gazetën Zyrtare”.

3. Kryeministri dhe ministrat, me aprovimin e Qeverisë, kanë të drejtë të themelojnë organe lokale të
administratës shtetërore për ushtrimin e detyrave administrative në nivel territorial (lokal).
6


Neni 23
Organet qendrore të administratës shtetërore

1. Organet qendrore të administratës shtetërore ushtrojnë kompetenca të cilat shtrihen në tërë territorin e
Kosovës. Ato janë vartëse të një ministrie të caktuar ose, në raste të veçanta zyrës së kryeministrit.

2. Organet qendrore të administratës shtetërore ushtrojnë:

2.1. detyra joministrore, posaçërisht detyra të natyrës përgatitore, këshillëdhënëse ose
shqyrtuese;

2.2. detyra të tjera administrative, me qëllim të lirimit të ministrisë përkatëse nga detyrat rutinore
dhe nga detyrat, për kryerjen e të cilave kërkohet shkallë e lartë e specializimit.

3. Pas miratimit nga Qeveria sipas propozimit të organit mbikëqyrës të administratës shtetërore, organet
qendrore të administratës shtetërore kanë të drejtë të themelojnë organe lokale të administratës
shtetërore për ushtrimin e detyrave administrative në nivel rajonal (lokal).

Neni 24
Organet lokale të administratës shtetërore

1. Organet lokale të administratës shtetërore janë organe komunale të administratës shtetërore.

2. Kompetencat territoriale të organeve lokale të administratës shtetërore korrespondojnë me territorin e
një ose më shumë komunave.

3. Qeveria përcakton me rregullore kompetencat territoriale të organeve lokale të administratës shtetërore
dhe selinë e tyre.

4. Organet lokale të administratës shtetërore janë vartëse të një organi të lartë të administratës shtetërore
ose të një organi qendror të administratës shtetërore

Neni 25
Delegimi i kompetencave administrative komunës

1. Kompetencat administrative shtetërore u delegohen komunave, përveç nëse ka arsye ligjore ose
arsye të tjera që këto kompetenca të ushtrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga një organ tjetër i
administratës shtetërore.

2. Organet e administratës shtetërore me rastin e delegimit të kompetencave duhet t’u sigurojnë
komunave, mjete të mjaftueshme financiare për zbatimin e tyre.

Neni 26
Organet e pavarura të administratës shtetërore

1. Organet e pavarura të administratës shtetërore janë persona juridikë të themeluar për ushtrimin e
vazhdueshëm të veprimtarive administrative shtetërore, të cilat kërkojnë shkallë të lartë të pavarësisë në
interes të publikut.
2. Shkalla e pavarësisë lidhur me emërimin e personelit, menaxhimin financiar, organizimin e brendshëm
dhe ushtrimin e veprimtarisë administrative dhe mbikëqyrëse, e cila i jepet organit përkatës korrespondon
me nevojat e veprimtarisë administrative e cila ushtrohet nga organi përkatës.

3. Kompetencat dhe shkalla e pavarësisë përcaktohen në ligjin për themelimin e organit të pavarur
përkatës të administratës shtetërore.




7

Neni 27
Personat juridik si bartës të punëve të administratës shtetërore

1. Ushtrimi i kompetencave administrative mund t’i bartet një personi juridik si bartës të punëve të
administratës shtetërore.

2. Zgjedhja e personit juridik si bartës të punëve të administratës shtetërore për këtë qëllim bëhet me
konkurrencë të hapur.

3. Në aktin përkatës përcaktohen detyrat e bartura, kompetencat, financimi, kryerja e detyrave, organi
mbikëqyrës i administratës si dhe fushëveprimi dhe instrumentet e mbikëqyrjes.

4. Pranuesi i kompetencave të bartura administrative ka të drejtat dhe detyrimet e njëjta si organet e
administratës shtetërore gjatë ushtrimit të këtyre kompetencave. Rregulloret ose vendimet e pranuesve të
kompetencave të bartura shtetërore duhet të jenë në përputhje me dispozitat përkatëse ligjore.


KREU IV
THEMELIMI DHE SHPËRBËRJA E ORGANEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Neni 28
Themelimi dhe shpërbërja e organeve të administratës shtetërore

1. Organet e Larta të administratës shtetërore themelohen dhe shpërbëhen në përputhje me Kushtetutën
dhe Ligjin për Qeverinë.

2. Organet qendrore të administratës shtetërore themelohen dhe shpërbëhen me ligj. Ligji përkatës
përcakton emrin, selinë dhe kompetencat e organit përkatës.

3. Organet lokale të administratës shtetërore themelohen me vendim të organit përkatës mbikëqyrës të
administratës shtetërore dhe me miratim të Qeverisë. Vendimi i lartpërmendur duhet të përcaktojë emrin,
selinë dhe kompetencat e organit lokal dhe territorin për të cilin është themeluar. Organet e përbashkëta
lokale të administratës shtetërore mund të themelohen nga organet mbikëqyrëse të administratës për një
territor të caktuar me vendim të ndërsjellë.

4. Organet e pavarura të administratës shtetërore themelohen me ligj. Ligji duhet të përcaktojë emrin,
selinë, organizimin, regjimin financiar, emërimin e drejtorit dhe personelit, kompetencat, procedurat dhe
vijën e llogaridhënies të drejtorit.

Neni 29
Kompetencat e Organeve të administratës shtetërore

1. Kompetencat e organeve të administratës shtetërore për ushtrimin e aktiviteteve të cilat mund t’i prekin
të drejtat individuale të qytetarëve, duhet të përcaktohen me ligj.

2. Kompetencat territoriale dhe kompetencat e tjera të organeve të administratës shtetërore duhet të
përcaktohen në atë mënyrë që veprimtaria e tyre të ushtrohet në mënyrë efektive, efikase dhe i orientuar
nga qytetarët.

3. Në parim, kompetencat administrative të një lloji duhet të ushtrohen nga një organ i administratës.
Dyfishimi dhe ndërthurja e kompetencave nuk lejohet.

Neni 30
Regjistri i organeve të administratës shtetërore

1. Ministra përgjegjëse për administratë publike do të mbajë një regjistër zyrtar të të gjitha organeve të
administratës shtetërore.

2. Regjistri publikohet periodikisht në gazetën zyrtare.
8

3. Ndryshimet në regjistrin zyrtar të organeve të administratës shtetërore publikohen pa vonesë në
gazetën zyrtare.


KREU V
ORGANIZIMI I BRENDSHËM I ORGANEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

NËN-KREU 1
Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës

Neni 31
Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës

Organizimi i brendshëm dhe sistematizimi i vendeve të punës do të përcaktohet për secilin organ të
administratës shtetërore me Rregullore të Qeverisë.

Neni 32
Përmbajtja e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës

1. Rregullorja duhet të përmbajë si vijon:

1.1. strukturën organizative të organit të administratës shtetërore duke përfshirë përcaktimin e
niveleve përkatëse drejtuese, të funksioneve dhe të përgjegjësive;

1.2. numrin, nivelin e vendeve të punës në pajtim me ligjin vjetor të buxhetit;

1.3. ndarjen e punëve në kuadër të strukturës organizative ndërmjet vendeve të punës (duke
përfshirë titujt dhe përshkrimet e punës, zëvendësimet etj);

1.4. kushtet për secilin vend të punës;

1.5. në ministri: detyrat e zëvendësministrave dhe të këshilltarëve politikë si dhe raportin e tyre
me hierarkinë e shërbimit civil; si dhe kushtet për emërimin e këshilltarëve politikë.

1.6. skemën organizative.

Neni 33
Procedura për miratimin e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve
të punës

1. Rregullorja përgatitet nga organi përkatës i administratës shtetërore.

2. Konsultimi me Ministrinë përgjegjëse për financa dhe ministrinë përgjegjëse për administratë publike
është i detyrueshëm.

3. Rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës dorëzohet për miratim
në Qeveri.

4. Rregulloret përkatëse të organeve qendrore dhe lokale të administratës shtetërore miratohen nga
organi përgjegjës për mbikëqyrjen e tyre dhe përfshihen si kre i veçantë në rregulloren e organit
mbikëqyrës

5. Rregulloret përkatëse të organeve të pavarura të administratës shtetërore miratohen nga udhëheqësi i
organit pas konsultimit në përputhje me paragrafin 2. të këtij neni.

6. Ndryshimet dhe plotësimet eventuale të rregullores i nënshtrohen procedurës së njëjtë.

7. Pas miratimit, rregullorja botohet në gazetën zyrtare.

9

Neni 34
Përgatitja e rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës

1. Projekt rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës duhet të
përgatitet nga organi përkatës pas analizimit të hollësishëm dhe vlerësimit të gjendjes ekzistuese dhe
nevojave të ardhshme që kanë të bëjnë me strukturën organizative dhe me proceset.

2. Standardet e hollësishme lidhur me rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e
vendeve të punës do të përcaktohen me Rregullore të Qeverisë të përgatitur nga ministria përgjegjëse
për administratë publike.

NËN-KREU 2
Organizimi i Ministrive

Neni 35
Struktura Organizative e Ministrive

1. Ministritë përbëhen nga strukturat në vijim:

1.1. Ministri;

1.2. Sekretari i Përgjithshëm

1.3. Departamentet;

1.4. Divizionet.

2. Ministritë kanë të drejtë të përdorin emërtime të ndryshme për nivelin strukturor të departamentit dhe
divizionit.

3. Zëvendësministri është zyrtar i lartë i ministrisë përkatëse, i cili kryen punë të parapara me ligjin e
Qeverisë dhe aktin gjegjës të sistematizimit të detyrave të punës. Zëvendësministri zëvendëson ministrin
në punët e caktuara me autorizimin e tij.

4. Këshilltarët politikë nuk ushtrojnë kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative të
ministrisë.

5. Struktura organizative e Zyrës së Kryeministrit do të përcaktohet me rregullore të veçantë.

Neni 36
Menaxhimi i Divizionit

1. Divizioni drejtohet nga udhëheqësi i divizionit..

2. Udhëheqësi i divizionit i raporton udhëheqësit të departamentit.

3. Kompetencat dhe përgjegjësitë në kuadër të divizionit përkufizohen në mënyrë të qartë.

4. Udhëheqësi i divizionit zëvendësohet, në rast të mungesës ose paaftësisë nga nëpunësi civil i rangut
më të lartë pas udhëheqësit të divizionit, siç përcaktohet në Rregulloren për Organizimin e Brendshëm.

Neni 37
Roli i Departamentit

1. Divizionet të cilat ushtrojnë kompetenca në fusha të ndërlidhura grupohen në një departament si nivel i
dytë i hirearkisë.

2. Departamenti drejtohet nga udhëheqësi i departamentit.

10
3. Udhëheqësi i departamentit i raporton sekretarit të përgjithshëm.

4. Në rast të mungesës ose paaftësisë, udhëheqësi i departamentit zëvendësohet, nga një udhëheqës
tjetër departamenti, siç përcaktohet në Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e
vendeve të punës.

Neni 38
Sekretari i Përgjithshëm

1. Sekretari i përgjithshëm është udhëheqësi administrativ i ministrisë dhe i raporton drejtpërdrejtë
ministrit.

2. Sekretari i përgjithshëm ka përgjegjësitë kryesore si në vijim:

2.1. siguron këshilla të politikave për ministrin;

2.2. siguron që vendimet e politikave dhe masat tjera të ministrisë të zbatohen në mënyrë
efikase dhe efektive;

2.3. siguron që masat zbatuese të ministrisë të monitorohen rregullisht dhe që të merren masa
korrigjuese në rast të pengesave;

2.4. menaxhon nëpunësit civil dhe punonjësit tjerë të ministrisë;

2.5. menaxhon financat dhe burimet tjera të ministrisë;

2.6. menaxhon rrjedhën e informacionit në ministri;

2.7. bashkëpunon me sekretarët e ministrive tjera në bazë të rregullt;

2.8. koordinon raportin e ministrisë me organet e saj vartëse administrative.

Neni 39
Roli i divizionit

Divizioni është komponenti themelor strukturor i ministrisë; divizioni është shprehimisht përgjegjës për
fushën e caktuar të përgjegjësisë brenda kompetencave të përgjithshme të ministrisë.

Neni 40
Strukturat e veçanta

1. Si përjashtim mund të themelohen departamente dhe divizione, të cilat i raportojnë drejtpërdrejt
ministrit. Kjo vlen edhe për divizionet të cilat i raportojnë drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm.

2. Arsyet për krijimin e këtyre formave të veçanta të raportimit sipas paragrafit 1 të këtij neni përcaktohen
në rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës.

3. Në kuadër të ministrisë, gjithashtu, mund të themelohen trupa punuese të cilët përbëhen nga
punonjësit e divizioneve dhe/ose departamenteve të ndryshme, për aktivitete të përkohshme komplekse
dhe me shtrirje të gjerë. Nëpunësi civil i rangut më të lartë i cili është anëtar i trupit punues kryeson trupin
punues.

4. Për menaxhimin e burimeve njerëzore, të çështjeve financiare, të TI-së dhe të detyrave të tjera të
zakonshme, në secilën ministri do të themelohet një strukturë e veçantë (departament ose divizion), i cili i
raporton drejtpërdrejt Sekretarit të Përgjithshëm.





11

Neni 41
Personeli i ministrisë

1. Të gjitha vendet e punës, të cilat janë cilësuar si pozita të shërbimit civil në Rregulloren për
Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke përfshirë edhe pozitën e
Sekretarit të Përgjithshëm, do të plotësohen me nëpunës civil në përputhje me Ligjin e Shërbimit Civil.

2. Çdo nëpunës civil apo punonjës tjetër, i cili mban një vend pune në ministri do të bëhet pjesë e një
njësie organizative.


NËN-KREU 3
Organizimi i organeve qendrore të administratës shtetërore

Neni 42
Struktura Organizative e organeve qendrore të administratës shtetërore

1. Organet qendrore të administratës shtetërore organizohen në këto nivele:

1.1. drejtoratet;

1.2. sektorët.

2. Organet qendrore të administratës shtetërore kanë të drejtë të përdorin emërtime të ndryshme për
nivelin e drejtoratit dhe sektorit.

Neni 43
Roli i sektorit në organin qendror të administratës shtetërore

1. Sektori është komponenti themelor strukturor i organit qendror të administratës shtetërore.
2. Sektori është shprehimisht përgjegjës për fushën përkatëse të përgjegjësisë në kuadër të
kompetencave të përgjithshme të organit qendror të administratës shtetërore.

Neni 44
Udhëheqja e sektorëve në organin qendror të administratës shtetërore

1. Sektori drejtohet nga udhëheqësi i sektorit.

2. Kompetencat dhe përgjegjësitë në kuadër të sektorit përkufizohen në mënyrë të qartë.

3. Udhëheqësi i sektorit i raporton udhëheqësit të drejtoratit.

4. Udhëheqësi i sektorit zëvendësohet, në rast të mungesës ose paaftësisë, nga nëpunësi civil i rangut
më të lartë pas udhëheqësit të sektorit, siç përcaktohet në Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe
Sistematizimin e Vendeve të Punës, të organit përkatës.

Neni 45
Drejtorati

1. Sektorët të cilët ushtrojnë kompetenca në fusha të ndërlidhura grupohen në një drejtorat si nivel i dytë i
hierarkisë në organin qendror të administratës shtetërore.

2. Drejtorati udhëhiqet nga udhëheqësi i drejtoratit.

3. Udhëheqësi i drejtoratit zëvendësohet, në rast të mungesës ose paaftësisë, nga një udhëheqës tjetër i
drejtoratit, siç përcaktohet në Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të
Punës, të organit qendror përkatës.


12

Neni 46
Strukturat e veçanta në organin qendror të administratës shtetërore

1. Në kuadër të organit qendror gjithashtu, mund të themelohen trupa punuese, të cilat përbëhen nga
punonjës të sektorëve dhe/ose drejtorateve të ndryshme për aktivitete të cilat kërkojnë një qasje më
komplekse dhe me shtrirje të gjerë. Këta trupa punues kryesohen nga nëpunësi civil i rangut më të lartë
në trupin punues.

2. Për menaxhimin e burimeve njerëzore, çështje financiare, TI dhe detyra tjera të zakonshme, në secilin
organ qendror të administratës shtetërore do të themelohet një strukturë e veçantë e cila i raporton
drejtpërdrejtë drejtorit, përveç nëse këto shërbime sigurohen nga ministria mbikëqyrëse.

Neni 47
Personeli i organeve qendrore te administratës shtetërore

1. Të gjitha vendet e punës të cilat janë cilësuar si pozita të shërbimit civil në Rregulloren për Organizimin
e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës, duke përfshirë edhe pozitën e drejtorit të
përgjithshëm, do të plotësohen me nëpunës civilë ose punonjës tjerë në përputhje me Ligjin e Shërbimit
Civil.

2. Çdo nëpunës civil ose punonjës tjetër i cili mban një vend pune në organin qendror të administratës
shtetërore do të bëhet pjesë e një njësie organizative.

3. Një nëpunës civil mund t’i caktohet drejtpërdrejt drejtorit të përgjithshëm.


NËN-KREU 4
Organizimi i organeve lokale të administratës shtetërore

Neni 48
Struktura organizative e organeve lokale të administratës shtetërore

1. Organet lokale të administratës shtetërore udhëhiqen nga shefi.

2. Personeli i organit lokal të administratës shtetërore i raporton drejtpërdrejt shefit.

3. Njësitë themelohen në kuadër të organit lokal të administratës shtetërore vetëm nëse organi ushtron
veprimtari komplekse dhe madhësia e organit në fjalë kërkon themelimin e strukturave të veçanta
organizative.

4. Shefi i një organi të përbashkët të administratës lokale shtetërore emërohet me vendim të ndërsjellët të
organeve të cilat e kanë themeluar organin e përbashkët.

5. Në aspekte të tjera, dispozitat mbi organizimin e organeve qendrore të administratës shtetërore
aplikohen në mënyrë analoge për organet lokale të administratës shtetërore.

Neni 49
Shërbimet e Përbashkëta

1. Në parim, menaxhimi i burimeve njerëzore, financat, TI dhe shërbimet e tjera të përbashkëta për
organet lokale të administratës shtetërore, do të sigurohen në mënyrë qendrore nga organi mbikëqyrës i
administratës.

2. Shërbimet e përbashkëta për organet e administratës shtetërore të cilat veprojnë në të njëjtin territor
mund të ofrohen bashkërisht nga organet mbikëqyrëse administrative ose qendrore.

3. Detajet do të përcaktohen në një marrëveshje të organeve mbikëqyrëse administrative dhe në
rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës të organit përkatës të
përbashkët të administratës lokale shtetërore.
13



NËN-KREU 5
Organizimi i organeve të pavarura të administratës shtetërore

Neni 50
Struktura organizative e organeve të pavarura të administratës shtetërore

1. Parimet për organizimin dhe menaxhimin e organeve të pavarura të administratës shtetërore
përcaktohen në ligjin për themelimin e organit përkatës të pavarur.

2. Detajet per organizimin dhe menaxhimin e organeve të pavarura të administratës shtetërore do të
përfshihen në Rregulloren për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës.

3. Organi i pavarur i administratës shtetërore udhëhiqet nga drejtori/kryetari, i cili zgjidhet në përputhje me
dispozitat e Ligjit për Shërbimin Civil. Drejtori i përgjigjet Kryeministrit ose ministrit të përcaktuar në aktin e
themelimit të organit të pavarur.


KREU VI
ZHVILLIMI I PROCEDURËS NË ORGANET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Neni 51
Procedura

1. Përveç nëse përcaktohen ndryshe me ligj të veçantë, procedura e organeve të administratës
shtetërore në raport me qytetarët do të zhvillohet në përputhje me Ligjin për Procedurën Administrative.

2. Qeveria nxjerrë rregullore për vendosjen e standardeve të përbashkëta për menaxhimin e organeve të
administratës shtetërore, përkatësisht për menaxhimin e burimeve njerëzore, procedurave zyrtare dhe
bashkëpunimit ndërmjet organeve të administratës shtetërore

Neni 52
Metodat e brendshme të punës

1. Kryeministri, ministrat, drejtorët e organeve qendrore dhe të pavarura të administratës për organet
përkatëse nxjerrin urdhëresa lidhur me punën, mënyrën dhe cilësinë e punës e të sjelljes së punonjësve
të administratës shtetërore.

2. Urdhëresat për organet lokale të administratës shtetërore nxirren nga organi i administratës shtetërore,
përgjegjës për themelimin e organit lokal të administratës shtetërore.

Neni 53
Puna publike e organeve të administratës shtetërore dhe komunikimi i tyre

1. Organet e administratës shtetërore e informojnë publikun lidhur me punën e tyre administrative.

2. Detajet për mënyrën e informimit përcaktohen në rregulloren e Qeverisë të përcaktuar në paragrafin 2.
të nenit 51 të këtij ligji.

Neni 54
Bashkëpunimi dhe koordininimi i organeve të administratës shtetërore -me institucionet qendrore
të Republikës së Kosovës

Marrëdhëniet e organeve të administratës shtetërore me presidentin dhe Kuvendin e Republikës së
Kosovës, mbështeten në të drejtat dhe detyrimet e përcaktuara me kushtetutë, me ligj dhe me dispozita
të tjera.
14
Organet e administratës shtetërore janë të obliguara që presidentit të vendit dhe Kuvendit t’iu ofrojnë
informata, shënime dhe të dhëna të tjera nga fushëveprimtaria dhe kompetencat e tyre, të cilat informata
dhe të dhëna atyre iu janë të nevojshnme për punën dhe aktivitetet e tyre.
Organet e administratës shtetërore i zbatojnë aktet e presidentit të nxjerra në kohë të luftës ose të paqës.

Neni 55
Marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të koordinimit në mes të organeve te administratës shtetërore
dhe qeverisë

Marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të koordinimit në mes të organeve të administratës shtetërore dhe
Qeverisë së Republikës së Kosovës, bazohen në të drejtat dhe detyrimet e tyre, të përcaktuara me
kushtetutë dhe me ligj.
Në punën dhe aktivietete e tyre organet e administratës shtetërore janë të detyruara që të iu përmbahen
akteve të ligjshme dhe të plotëfuqishme të Qeverisë.

Neni 56
Bashkëpunimi i organeve të administratës me qytetarët

Organet e administratës shtetërore janë të detyruara, që qytetarëve t’iu mundësojnë realizimin e
papenguar, ligjor dhe me kohë të të drejtave të tyre dhe detyrimeve; t’iu japin informata të nevojshme dhe
shënime; t’iu ofrojnë ndihmën juridike pa diskriminim; të respektojnë dinjitetin dhe personalitetin e secilit
qytetar; të ruajnë dhe avansojnë nivelin dhe autoritetin e organeve të administratës shtetërore
rrjedhimisht të bashkëpunojnë, në suaza të kornizave ligjore, korrekte dhe civilizuese me qytetarët e
Republikës së Kosovës dhe me secilin individ që i drejtohet me gojë apo me shkrim për ndonjë kërkesë,
nevojë, të drejtë ose interes juridik, ekonomik ose qytetar.

Neni 57
Bashkëpunimi dhe koordinimi i organeve të administratës shtetërore në mes veti

1. Organet e administratës shtetërore janë të detyruara të bashkëpunojnë për të gjitha çështjet e
përbashkëta dhe të shkëmbejnë të dhënat dhe informacionin e nevojshëm për ushtrimin e funksionit të
tyre.

2. Për realizimin e plotë, efikas, të gjithanshëm dhe të vazhdueshëm të bashkëpunimit reciprok, organet
e administratës shtetërore themelojnë trupa punuese të përbashkëta për kryerjen e punëve
administrative, të cilat për nga natyra e tyre kërkojnë bashkëpunimin e një numri të organeve
administrative.

3. Trupat punuese nga paragrafi 2. i këtij neni, kryesohen nga nëpunësi civil i organit përkatës.

4. Themelimi dhe funksionimi i trupave punuese të përbashkëta rregullohet në hollësi me Rregullore të
Qeverisë.

Neni 58
Ndihma juridike administrative

1. Organet e administratës shtetërore mund të kërkojnë ndihmë në kryerjen e detyrave të tyre
administrative nga organi tjetër administrativ ose ndonjë tjetër organ apo organizëm, nëse organi
përkatës nuk është në gjendje t’i kryejë këto detyra për shkaqe të ndryshme ligjore ose faktike.

2. Qeveria me rregullore përcakton detajet lidhur me ndihmën administrative.

Neni 59
Konflikti i kompetencave

Në rast të konfliktit lidhur me kompetencat e organeve të ndryshme të administratës shtetërore, kontesti
zgjidhet në shkallën e parë nga ministri përgjegjës për administratën publike. Qeveria është përgjegjëse
për vendimin përfundimtar administrativ.


15



KREU VII
MBIKËQYRJA E VEPRIMTARISË SË ORGANEVE TË ADMINISTRATËS SHTETËRORE

Neni 60
Mbikëqyrja e organeve të administratës shtetërore

Organet e administratës shtetërore mbikëqyren nga Qeveria, përveç nëse përcaktohet ndryshe me ligj.

Neni 61
Qëllimi i mbikëqyrjes

1. Mbikëqyrja ushtrohet dhe ka të bëjë me:

1.1. ligjshmërinë dhe përshtatshmërinë, duke përfshirë efikasitetin dhe efektivitetin e veprimtarisë
administrative të organit përkatës të administratës shtetërore;

1.2. menaxhimin e brendshëm të organit përkatës të administratës shtetërore; duke përfshirë
organizimin e brendshëm, menaxhimin financiar, menaxhimin e kohës dhe menaxhimin e
burimeve njerëzore.

Neni 62
Përgjegjësia për mbikëqyrjen

1. Mbikëqyrja e ligjshmërisë dhe përshtatshmërisë së veprimtarisë administrative të organit përkatës
administrativ ushtrohet nga organi mbikëqyrës administrativ.

2. Mbikëqyrja e menaxhimit të brendshëm të organit përkatës administrativ ushtrohet nga ministria
përgjegjëse për administratë publike përmes inspektorëve.

3. Detajet e procesit të mbikëqyrjes/inspektimit përcaktohen me rregullore të veçantë të Qeverisë.

Neni 63
Instrumentet e mbikëqyrjes

1. Organi mbikëqyrës ka të drejtë të kërkojë informacion dhe raporte nga organi, i cili i nënshtrohet
mbikëqyrjes. Organi mbikëqyrës, gjithashtu, ka të drejtë të inspektojë dokumentet, të kryejë auditime dhe
kontrolle të tjera, si dhe të hyjë në zyrat e organit të mbikëqyrur, të nxjerrë udhëzime të përgjithshme dhe
udhëzime në lidhje me një rast të veçantë.

2. Në qoftë se udhëzimet nuk merren për bazë pa vonesë nga organi i mbikëqyrur, organi mbikëqyrës
mund të marrë masat e mëposhtme:

2.1. të pezullojë ekzekutimin e një vendimi ose akti tjetër të organit të mbikëqyrur;

2.2. të kërkojë ndryshimin e vendimit ose të aktit tjetër të organit të mbikëqyrur;

2.3. të urdhërojë zëvendësimin e vendimit ose të aktit tjetër nga organi i mbikëqyrur.

3. Organi mbikëqyrës është i detyruar të veprojë në vend të organit të mbikëqyrur në rast të rrezikut të
vonesës ose nëse kryerja e rregullt e detyrës përkatëse nga organi i mbikëqyrur nuk mund të sigurohet.

4. Dispozitat në ligje të veçanta, të cilat i zgjerojnë ose kufizojnë kompetencat e mbikëqyrjes, nuk preken
nga ky ligj.




16



Neni 64
Mbikëqyrja e organeve të pavarura të administratës shtetërore

1. Organet e pavarura të administratës shtetërore i nënshtrohen mbikëqyrjes sa ka të bëjë me
ligjshmërinë e veprimtarisë së tyre. Detajet përcaktohen me ligjin për themelimin e organit të pavarur të
administratës shtetërore.

2. Në rast të dyshimeve, instrumentet e mbikëqyrjes të përcaktuara në nenin 63 të këtij ligji zbatohen në
mënyrë analoge nga organi mbikëqyrës.

Neni 65
Mbikëqyrja e komunave

1. Komunat i nënshtrohen mbikëqyrjes që ka të bëjë me ligjshmërinë në ushtrimin e kompetencave të tyre
vetanake dhe të zgjeruara, me kusht që kjo mbikëqyrje të kryhet në përputhje me Ligjin për
Vetëqeverisjen Lokale.

2. Komunat të cilat ushtrojnë kompetenca të deleguara nga administrata shtetërore i nënshtrohen
mbikëqyrjes që ka të bëjë me ligjshmërinë, përshtatshmërinë si dhe efikasitetin dhe efektivitetin në
ushtrimin e atyre kompetencave.

3. Organi mbikëqyrës nuk do të ndërhyjë në menaxhimin e brendshëm të komunës.

4. Instrumentet e mbikëqyrjes të përcaktuara me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale janë të aplikueshme.

Neni 66
Raporti vjetor

Ministria përgjegjëse për administratë publike do të përgatisë një raport vjetor në të cilin bën
përmbledhjen e aktiviteteve të organeve të administratës shtetërore.


KREU VIII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 67
Transformimi i organeve ekzistuese të administratës shtetërore

1. Organet ekzistuese të administratës shtetërore, të cilat janë themeluar me ligj dhe të cilat nuk janë në
përputhje me dispozitat (tipologjinë) e këtij ligji, do të transformohen brenda një (1) viti pas hyrjes në fuqi
të këtij ligji.

2. Organet ekzistuese të administratës shtetërore, të cilat nuk janë themeluar me ligj, mund të
transformohen, shpërbëhen, ristrukturohen ose bashkohen me organe tjera të administratës shtetërore
me anë të një vendimi të Qeverisë brenda një (1) viti pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

3. Ministria përgjegjëse për administratë publike do të përgatisë legjislacionin e përcaktuar në paragrafët
1. dhe 2. të këtij neni brenda gjashtë (6) muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 68
Harmonizimi i rregulloreve për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës

1. Organet e administratës shtetërore, të cilat kanë miratuar rregullore për organizimin e brendshëm dhe
sistematizimin e vendeve të punës ose akte të ngjashme, do t’i rishikojnë dhe ndryshojnë këto akte për t’i
harmonizuar me dispozitat e këtij ligji, brenda dy (2) muajve pas hyrjes në fuqi të legjislacionit të
përcaktuar në nenin më lart.

17
2. Rregulloret e ndryshuara dhe të plotësuara do të hyjnë në fuqi brenda katër (4) muajve.


Neni 69
Aktet Nënligjore

Aktet tjera nënligjore të parapara me këtë ligj do të miratohen brenda gjashtë (6) muajve pas hyrjes në
fuqi të legjislacionit të përcaktuar në nenin 67 të këtij ligji.

Neni 70
Nëpunësit Civilë

Për ndryshimet e titujve të nëpunësve civilë, që rezultojnë nga ky ligj, do të vendoset në përputhje me
dispozitat përkatëse të legjislacionit për shërbimin civil të Kosovës.

Neni 71
Personat juridikë

1. Personat fizikë dhe juridikë të së drejtës private, të cilët ushtrojnë detyra të deleguara administrative,
do të vazhdojnë t’i ushtrojnë këto detyra për dymbëdhjetë (12) muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

2. Pas kësaj periudhe do të vendoset nëse këto kompetenca publike do të përtërihen apo jo.

Neni 72
Data e hyrjes në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Ligji Nr. 03/ L-189
16 shtator 2010

Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80 paragrafi 5
të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.