1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 82 / 21 TETOR 2010
LIGJI Nr. 03/L-174
PЁR FINANCIMIN E SUBJEKTEVE POLITIKE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton:
LIGJ PЁR FINANCIMIN E SUBJEKTEVE POLITIKE
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj rregullon mënyrën, kushtet e financimit, administrimin, mbikëqyrjen, transparencën dhe raportimin
për shpenzimin e pasurisë dhe të ardhurave të subjekteve politike në Republikën e Kosovës.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Administrim - organizimi, drejtimi, përdorimi, kujdesi dhe shpenzimi me mirëbesim i
pasurisë nga subjektet politike;
1.2. Fletë bilanci - deklarimi financiar i pasurisë, të ardhurave dhe detyrimeve të subjekteve
politike;
1.3. Fondi për mbështetjen e subjekteve politike-Fondi - fondi për financimin e subjekteve
politike përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës i cili funksionon në kuadër të Komisionit
Qendror të Zgjedhjeve;
1.4. KQZ - Komisionin Qendror të Zgjedhjeve;
1.5. Kontributet - dhuratat (donacionet) ose ndihma e cilitdo lloj që i jepet subjektit politik, qoftë
në para të gatshme apo në të mira tjera materiale;
16. Kuotë anëtarësie - shumë e caktuar e të hollave, që paguhet çdo muaj ose çdo vit për
anëtarësinë në një organizatë;
1.7. Parti politike - çdo parti politike e regjistruar dhe e certifikuar nga organi kompetent për
regjistrim dhe certifikim;
1.8. Pasuri - tërësia e sendeve, e mjeteve materiale, parave dhe e vlerave tjera që ka një
subjekt politik;
1.9. Përfaqësuesi financiar - personi përgjegjës për mbajtjen e shënimeve financiare të subjektit
politik;
1.10. Subjekti politik - parti politike, koalicion, nismë qytetare ose kandidat i pavarur;
2
1.11. Subjekt i certifikuar politik - subjekti i certifikuar politike nga Komisioni Qendror i
Zgjedhjeve, në përputhje me ligjin në fuqi dhe me rregullat e KQZ-së;
1.12. Shpenzimet për fushatë - të gjitha shpenzimet dhe pagesat e bëra për mallra dhe
shërbime në pajtim me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme;
1.13. Të ardhura - çdo shumë monetare që subjekti politik ka pranuar nga personat fizik dhe
juridik, kuota e anëtarësisë dhe Buxheti i Republikës së Kosovës.
Neni 3
Statusi i subjektit politik
Subjekti politik është person juridik jo fitimprurës.
Neni 4
Burimet financiare dhe materiale
1. Burimet financiare dhe materiale të subjekteve politike përbëhen nga:
1.1. kuota (pagesat) e anëtarësisë;
1.2. kontributet
1.3. financimi nga Buxheti i Republikës së Kosovës;
1.4. çdo pasuri e fituar në mënyrë të paraparë me këtë ligj;
1.5. të ardhurat nga aktivitetet e subjektit politik të përcaktuara me nenin 6 të këtij ligji.
Neni 5
Kontributet për subjektet politike
1. Subjektet Politike lejohen të marrin kontribute nga:
1.1. personat fizikë, në vlerë prej, jo më shumë se dy mijë (2.000) Euro për një (1) vit kalendarik.
1.2. personat juridikë në vlerë prej - jo më shumë se dhjetëmijë (10.000) Euro për një (1) vit
kalendarik.
2. Subjekti politik i cila pranon një kontribut, origjinën dhe prejardhjen e të cilit, kontributdhënësi, nuk
mund ta dëshmojë, detyrohet, që brenda dy (2) jave, t’i njoftojë organet kompetente për vërtetimin e
prejardhjes së këtij kontributi.
3. Nëse nuk mund të dëshmohet prejardhja e kontributit, kjo vlerë mbetet në Buxhetin e Republikës së
Kosovës.
4. Ndalohen harxhimet e burimeve financiare, të referuara në paragrafët e mësipërm për përfitime
personale.
Neni 6
Të ardhurat nga aktivitetet e subjekteve politike
1. Subjekti politik nuk mund të ushtrojë veprimtari financiare fitimprurëse, përveç shitjes së të mirave siç
janë: publikimet, botimet, shitja e materialeve reklamuese, posterëve me emblemën ose akronimin e
subjektit politik dhe burimeve të tjera të lejuara me ligj.
2. Të gjitha të hyrat dhe të dalat nga aktivitetet financiare të subjekteve politike duhet të regjistrohen në
regjistrat financiare.
3
Neni 7
Fondi për mbështetjen e subjekteve politike
1. Financimi publik i subjekteve politike bëhet përmes Buxhetit të Republikës së Kosovës, nga Fondit për
mbështetjen e subjekteve politike.
2. Fondi për mbështetjen e subjekteve politike funksionon në kuadër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
3. Shuma e mjeteve buxhetore dedikuar Fondit për mbështetjen e subjekteve politike nuk mund të kalojë
(0.17%) të Buxhetit të Kosovës.
4. Burimet financiare publike, nga buxheti i Republikës së Kosovës, shfrytëzohen për financimin e
aktiviteteve parazgjedhore e zgjedhore, financimin dhe punën e Grupeve Parlamentare dhe financimin e
aktiviteteve të rregullta të subjekteve politike.
5. Ndarja e mjeteve të Fondit bëhet në bazë të kritereve të parapara në nenin 9 të këtij ligji.
Neni 8
Qëllimi i përdorimit të mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike
1. Mjetet nga Fondi mund të përdoren për këto qëllime:
1.1. financimi i aktiviteteve të subjekteve politike;
1.2. financimi i degëve të subjekteve politike;
1.3. për shpenzime materiale vjetore të deputetëve dhe punën e Grupeve Parlamentare për
aktivitete partiake;
1.4. për shpenzime për zgjedhjet lokale dhe qendrore, dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të
subjekteve politike.
Neni 9
Ndarja e mjeteve financiare publike
1. Për financimin e aktiviteteve të rregullta të subjektit politik, mjetet nga Fondi për mbështetjen e
subjekteve politike, ndahen në mes të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend në bazë të numrit të
ulëseve për atë mandat.
2. Nëse një deputet vendos të largohet nga subjekti politik, ku ka fituar mandatin, nuk do të bartë mjetet
financiare të ndara nga Fondi për atë mandat në subjektin e ri politik.
3. Subjekti politik për të përfituar nga ky fond duhet që kërkesës së tij t’ia bashkëngjes një deklaratë
financiare për vitin paraprak.
Neni 10
Ndarja e mjeteve financiare për fushatat zgjedhore
1. Për financimin e fushatës zgjedhore qendrore dhe lokale, për zgjedhje të rregullta dhe të
jashtëzakonshme, Kuvendi, nga Fondi, ndan mjete me propozim të Qeverisë por jo më shumë së 0.05%
të buxhetit të Kosovës.
2. Mjetet për financimin e fushatës para zgjedhore ndahen për subjektet politike të cilat marrin pjesë në
zgjedhje sipas këtyre kritereve:
2.1. 90% e mjeteve financiare ndahen në bazë të numrit të vendeve në Kuvend:
4
2.1.1. për zgjedhjet qendrore në bazë të vendeve në zgjedhjet e fundit qendrore;
2.1.2. për zgjedhjet lokale në bazë të vendeve në Kuvendet Komunale në zgjedhjet e
fundit lokale;
2.2. 10% e mjeteve financiare ndahen proporcionalisht për subjektet politike të posa regjistruara
dhe të certifikuara për zgjedhjet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Neni 11
Ndalimi i ndihmave financiare
1. Ndalohet ndihma financiare dhe materiale nga:
1.1. institucionet qeveritare dhe joqeveritare të huaja, si dhe personat fizikë dhe juridik të huaj;
1.2. personat anonim fizik dhe juridik;
1.3. dhuruesit (donatorët) anonim;
1.4. institucionet dhe ndërmarrjet me kapital të fituar nga bixhozi, bastoret e ndryshme apo lojërat
e fatit, si dhe nga;
1.5. entet vendase publike ose me pjesëmarrje të kapitalit shtetërorë.
2. Ndërmarrjet publike nuk mund t’i përkrahin financiarisht subjektet politike.
Neni 12
Ndalimi i ushtrimit të presionit
1. Ndalohet ushtrimi i çfarëdo forme të presionit politik në personat fizik dhe juridik për mbledhjen e
kontributeve për subjektet politike.
2. Ndalohet premtimi i privilegjeve apo përfitimeve personale kundërligjore ndaj dhuruesit (donatorit) të
ndonjë subjekti politik.
Neni 13
Mbledhja e mjeteve
1. Subjekti politik, përveç pagesës nga kuota e anëtarësisë, ka të drejtë të fillojë të mbledh mjete për
shpenzimet e saj zgjedhore, jo më shumë se gjashtë (6) muaj, para fillimit të fushatës zgjedhore.
2. Subjekti Politik, për qëllimet e parapara me paragrafin 1. të këtij neni, e hapë një llogari bankare të
veçantë, në njërën nga bankat komerciale të regjistruara në Republikën e Kosovës,
3. Subjekti Politik është i detyruar të mbajë shënime të sakta për prejardhjen, strukturimin dhe qarkullimin
e shumave të mjeteve të mbledhura.
Neni 14
Përgjegjësia për shfrytëzimin e mjeteve
1. Subjekti Politik cakton një zyrtar të autorizuar financiar i cili mban përgjegjësinë:
1.1. për regjistrimin e të ardhurave;
1.2. për shpenzimet e mjeteve;
1.3. për dorëzimin e raportit final të mjeteve të harxhuara;
1.4. për dorëzimin e Raportit të Deklarimit Financiar të Fushatës; dhe
5
1.5. për detyrimet tjera lidhur me të ardhurat, shpenzimet, paraqitjen e qëllimeve dhe ndarjen e
shumës së mjeteve të subjektit.
2. Zyrtari i autorizuar financiar i subjektit politik dhe kryetari i subjektit politik janë ligjërisht përgjegjës për
saktësinë e të gjitha informatave të dorëzuara në KQZ-së dhe Institucionet tjera ashtu siç kërkohet me
ligj.
Neni 15
Raportimi financiar
1. Subjektet e regjistruara politike ia dorëzojnë KQZ-së për çdo vit raportin vjetor financiar për, më së
largu deri më 1 mars të vitit vijues në mënyrën e paraparë nga KQZ – ja.
2. Secili raport financiar vjetor përmban:
2.1. bilancin e gjendjes, i cili tregon pasurinë, detyrimet dhe kapitalin e partisë, duke përfshirë të
gjitha degët e saj në ditët e para dhe të fundit të periudhës së përfshirë në raport.
2.2. pasqyrën e fitimit dhe të humbjeve, e cila tregon të hyrat dhe shpenzimet e partisë, duke
përfshirë të gjitha degët e saj gjatë periudhës së përfshirë në raport, dhe
2.3. pasqyrën e cila tregon çdo pagesë që i është bërë personit tjetër gjatë periudhës së
përfshirë në raport, nëse vlera e përgjithshme e të gjitha pagesave që i janë bërë atij personi
gjatë kësaj periudhe tejkalon pesëmijë (5.000) Euro, duke shënuar edhe qëllimin e pagesës.
3. Çdo raport financiar vjetor përmban kopjet e dokumentacionit vijues:
3.1. pasqyrën financiare të subjektit politik të regjistruar për periudhën e përfshirë në raport;
3.2. faturat për të gjitha shpenzimet që tejkalojnë shumën prej njëqind (100) Eurosh;
3.3. bilancet bankare për çdo llogari bankare të subjektit politik të regjistruar ose llogarive në
emër të saj, dhe
3.4. regjistrin e të gjitha kontributeve për subjektin e regjistruar politike të dhëna nga një burim i
vetëm, nëse vlera e përgjithshme e kontributeve nga ai burim ka tejkaluar shumën prej njëqind
(100) Eurosh gjatë periudhës së përfshirë në raport, i cili tregon:
3.4.1. vlerën e secilit kontribut të dhënë subjektit politik;
3.4.2. datën kur është dhënë secili kontribut, dhe
3.4.3. emrin e plotë, adresën dhe numrin personal, të pasaportës ose të patentë shoferit
të kontribuesit.
3.5. subjektet politike që pranojnë kontribute nga Ndërmarrjet Private, të cilat, përmes kontratave
me Institucionet e shtetit, kryejnë shërbime, duhet të përgatisin një listë të veçantë të kontributeve
të pranuara.
4. KQZ-ja duhet ti publikoj të gjitha raportet vjetore financiare së bashku me deklaratën e auditimit të
subjekteve politike në faqen zyrtare të saj.
Neni 16
Tatimi i të ardhurave të subjekteve politike
1. Të ardhurat nga kuota e anëtarësisë dhe të ardhurat e përcaktuara në nenin 6, nuk tatohen.
2. Të ardhurat tjera të subjekteve politike tatohen.
6
Neni 17
Kontrolli i brendshëm
1. Subjektet Politike janë të detyruara të definojnë në Statut mundësinë e ushtrimit të kontrollit të
brendshëm financiar të saj.
2. Subjektet Politike duhet të definoje qartë, me Statut, të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të
gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjës për
transaksione financiare.
Neni 18
Mospagimi i detyrimeve
Në rastet kur një subjekt politik nuk paguan detyrimet si gjoba, dënime gjyqësore, fatura etj., atëherë
shuma përkatëse i zbritet nga buxheti që i ndahet nga Fondi për mbështetje subjekteve politike.
Neni 19
Kontrolli financiar
1. KQZ-ja e bënë kontrollin e secilit raport financiar vjetor.
2. KQZ-ja e kryen kontrollin në përputhje me standardet e kontabilitetit të zbatueshëm në Kosovë.
3. Subjekti i regjistruar politik bashkëpunon ngushtë me revizorët e KQZ - së dhe u ofron atyre qasje të
plotë dhe të papenguar në shënimet financiare të partisë, duke përfshirë të gjitha shënimet pa kufizime.
4. KQZ - ja ia paraqet rezultatet paraprake të kontrollimit të raportit vjetor financiar organit më të lartë
ekzekutiv të subjektit politik, duke përfshirë edhe listën e gabimeve ose lëshimeve brenda gjashtëdhjetë
(60) ditësh nga fillimi i kontrollimit.
5. Subjekti i regjistruar politik brenda pesë (5) ditëve të punës nga marrja e rezultateve paraprake të
kontrollimit mund ta dorëzojë raportin e rishikuar financiar dhe shpjegimin lidhur me çdo gabim të
dukshëm ose lëshim të identifikuar nga KQZ - ja.
6. KQZ - ja përgatit raportin përfundimtar të revizionit partisë së regjistruar politike brenda dhjetë (10)
ditëve të punës nga dorëzimi i raportit paraprak të revizionit. Raporti përfundimtar identifikon çdo gabim
ose lëshim në raportin financiar, duke marrë parasysh çdo shpjegim ose rishikim të dorëzuar.
7. Pas kryerjes së raportit përfundimtar të kontrollimit, KQZ - ja ia dorëzon një kopje të organit më të lartë
të partisë së regjistruar politike.
8. KQZ-ja përgatit një raport vjetor për Kuvendin e Republikës së Kosovës për shpërndarjen dhe
shpenzimin e mjeteve nga Fondi.
Neni 20
Ndarja e pasurisë
1. Në rastin e ndarjes së subjekteve politike, ndarja e pasurisë bëhet me marrëveshje.
2. Kur nuk ka marrëveshje të subjekteve politike, ndarja e pasurisë bëhet përmes gjykatës kompetente.
Neni 21
Dispozitat ndëshkimore
1. Subjekti politik do të gjobitet prej tremijë (3.000) deri në dhjetëmijë (10.000) Euro, ndërsa, Kandidatët
për deputet dhe këshilltarë si dhe kandidatët e pavarur do të gjobitet prej pesëqind (500) deri në tremijë
(3.000) Euro, për cenim të dispozitave të këtij ligji, në qoftë se:
7
1.1. pranon mjete financiare në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionit tjetër në
fuqi;
1.2. mban shënimet në regjistrat e veta në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji dhe legjislacionit
tjetër në fuqi;
1.3. nuk i përmbahen dispozitave të këtij ligji dhe dispozitave tjera të ligjeve tjera në fuqi, për
zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale.
2. Një subjekt politik, i cili nuk e paraqet raportin vjetor financiar KQZ - së brenda afatit të përcaktuar me
këtë ligj, humb të drejtën për të përfituar nga fondi në vitin e ardhshëm.
3. Personi përgjegjës brenda subjektit politik, dënohet në shumë prej treqind (300) deri në njëmijë
(1.000) Euro për cenim e dispozitave të këtij ligji.
4. Të hyrat nga gjobat sipas këtij ligji derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Neni 22
Paraqitja e pasurisë
Subjekti politik detyrohet të paraqesë në KQZ të gjitha të dhënat për pasuritë e tij, të kategorizuara sipas
vlerës, llojit dhe origjinës.
Neni 23
Organi përgjegjës për nxjerrjen e akteve nënligjore
APK, KQZ dhe Qeveria, sipas nevojës nxjerrin akte të veçanta për zbatimin e këtij ligji.
Neni 24
Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohen të gjitha dispozitat që rregullojnë çështjet e financimit të
subjekteve politike, të cilat janë në kundërshtim me këtë ligj.
Neni 25
Hyrja në fuqi
Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-174
16 shtator 2010
Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80 paragrafi 5
të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.