1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 76 / 10 GUSHT 2010
LIGJI Nr. 03/L-182
PËR MBROJTJE NGA DHUNA NË FAMILJE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR MBROJTJE NGA DHUNA NË FAMILJE
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i ligjit
1. Ky ligj ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje, në të gjitha format e saj, me masa të
përshtatshme ligjore, të pjesëtarëve të familjes, që janë viktima të dhunës në familje, duke u
kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuara.
2. Ky ligj, po ashtu, ka për qëllim edhe trajtimin e kryerësve të dhunës në familje dhe lehtësimin e
pasojave.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:
1.1. Marrëdhënie Familjare konsiderohen personat nëse:
1.1.1. janë të fejuar apo ishin të fejuar;
1.1.2. janë të martuar apo ishin të martuar;
1.1.3. janë në bashkësi jashtëmartesore apo ishin në bashkësi jashtëmartesore;
1.1.4. bashkëjetojnë në ekonomi të përbashkët ose që bashkëjetuan në një ekonomi
të tillë;
1.1.5. përdorin një shtëpi të përbashkët dhe janë në lidhje gjaku, martese, adoptimi,
krushqie apo janë në lidhje kujdestarie duke përfshirë prindërit, gjyshërit, fëmijët,
nipat, vëllezërit dhe motrat, hallat e tezet, xhaxhallarët e dajallarët ose kushërinjtë;
1.1.6. janë prindër të një fëmije të përbashkët;
1.1.7. janë palë procedurale në një kontest nga marrëdhëniet familjare;
2
1.2. Dhunë ne familje - një ose më shumë vepra apo lëshime të qëllimshme që i bën një
person personit tjetër me të cilin është ose ka qenë në marrëdhënie familjare si këto, por
nuk kufizohet në:
1.2.1. përdorimin e forcës fizike ose presionin psikik të ushtruar ndaj anëtarit tjetër
të familjes;
1.2.2. çdo veprim tjetër i një anëtari të familjes që mund të shkaktojë apo kanos, se
do të shkaktojë dhembje fizike dhe vuajtje psikike;
1.2.3. shkaktimi i ndjenjës së frikës, rrezikshmërisë personale apo cenimin e
dinjitetit;
1.2.4. sulmi fizik pa marrë parasysh pasojat;
1.2.5. ofendimi, sharja, thirrja me emra ofendues dhe mënyra të tjera të shqetësimit
të vrazhdë;
1.2.6. përsëritja e vazhdueshme e sjelljeve me qellim te përuljes se personit tjetër;
1.2.7. marrëdhënia seksuale pa pëlqim dhe keqtrajtimi seksual;
1.2.8. kufizimi i kundërligjshëm i lirisë së lëvizjes ndaj personit tjetër;
1.2.9. dëmtimi apo shkatërrimi i pasurisë dhe kanosja që ta bëjë këtë;
1.2.10. vënia e personit tjetër në pozitën qe ai të frikësohet për gjendjen fizike,
emocionale dhe ekonomike;
1.2.11. hyrja apo largimi me dhunë nga banesa e përbashkët apo banesën e
personit tjetër;
1.2.12. rrëmbimi.
1.3. Pala e mbrojtur - personi ndaj të cilit është ushtruar dhuna në familje dhe vartësit në
dobi të të cilit është kërkuar urdhri për mbrojtje, urdhri për mbrojtje emergjente ose urdhri
për mbrojtjen e përkohshme emergjente.
1.4. Kërkesë - akti me të cilin kërkohet mbrojtja nga dhuna në familje.
1.5. Kryerësi i dhunës në familje - personi, i cili ka kryer një apo me tepër vepra të
dhunës në familje, kundër të cilit kërkohet urdhri për mbrojtje, urdhri për mbrojtje
emergjente. ose urdhri për mbrojtjen e përkohshme emergjente.
1.6. Viktimë - personi i cili i është nënshtruar dhunës në familje.
1.7. Përfaqësuesi i autorizuar - personi, i cili është i autorizuar për të mbrojtur interesat e
palës së mbrojtur, dhe për t’iu siguruar përkrahje e ndihmë viktimave.
1.8. Mbrojtësi i viktimave - personi i autorizuar zyrtar i cili ndihmon drejtpërdrejtë palën e
dëmtuar që nga kontaktet e para me organet kompetente të mbrojtjes, këshillon, inicion
procedurat për caktimin e masave të mbrojtjes, është i obliguar të marr pjesë në të gjitha
seancat gjyqësore, të monitoroj mbarëvajtjen e procesit gjyqësor.
1.9. Urdhër mbrojtje - urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat
mbrojtëse për viktimën.
3
1.10. Urdhër mbrojtje emergjente - urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate.
1.11. Urdhër mbrojtje e përkohshme emergjente urdhri i lëshuar jashtë orarit të punës së
gjykatave.
Neni 3
Juridiksioni i Gjykatës, organet kompetente dhe masat mbrojtëse
1. Gjykata Komunale e cila e ka juridiksionin në komunën ku parashtruesi i kërkesës ka
vendbanimin apo vendqëndrimin, është kompetente për shqiptimin e masave mbrojtëse.
2. Çdo gjykatë komunale është kompetente për të shqyrtuar kërkesën për urdhër mbrojtje ose
urdhër mbrojtje emergjente dhe për të shqiptuar urdhrin, nëse gjykata kompetente sipas paragrafit
1 të këtij neni e ka paraqitur kërkesën për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente në atë
gjykatë dhe nëse ajo gjykatë ka juridiksion në komunën në të cilën pala e mbrojtur e ka ndërruar
vendbanimin apo vendqëndrimin, apo nëse kjo bartje i shërben interesit më të mirë të palës së
mbrojtur.
3. Nëse në gjykatën kompetente është parashtruar kërkesa, e njëjta gjykatë është kompetente për
të shqyrtuar kërkesën për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente dhe për të shqiptuar
urdhrin.
4. Masat mbrojtëse shqiptohen me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e
personit që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë
në kryerjen e veprave tjera.
5. Gjykata komunale kompetente, me urdhër mbrojtje apo me urdhër mbrojtje emergjente mund të
shqiptojë një apo më tepër masa mbrojtëse.
6. Organ kompetent për ekzekutimin e masave mbrojtëse është Policia e Kosovës.
Neni 4
Masa mbrojtëse e trajtimit psikosocial
1. Masa mbrojtëse e trajtimit psikosocial, mund ti shqiptohet kryesit të dhunës në familje në
kombinim me ndonjë masë tjetër parandaluese, me qëllim të evitimit të sjelljeve të dhunshme të
kryerësit apo nëse ekziston rrezik i përsëritjes së dhunës në familje.
2. Masa nga paragrafi 1 i këtij neni, zgjatë derisa të përfundojnë shkaqet mbi bazën e të cilave është
shqiptuar, por nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
3. Ministria përgjegjëse për mirëqenie sociale në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për
Shëndetësi dhe institucionet përkatëse përgatisin dhe propozojnë për aprovim në Qeveri aktin
nënligjor me të cilin përcaktohet mënyra dhe vendi i zbatimit të trajtimit psikosocial.
Neni 5
Masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje
1. Masa mbrojtëse e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje si dhe vartësit të tij/saj dhe
personave tjerë nëse është e nevojshme, mund t’i shqiptohet personit i cili ka kryer dhunë në familje,
nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
2. Në urdhrin me të cilin shqiptohet masa e ndalimit të afrimit viktimës së dhunës në familje, gjykata
cakton vendin, regjionin dhe largësinë, brenda së cilës kryerësi nuk guxon t’i afrohet viktimës së
dhunës në familje.
4
Neni 6
Masa mbrojtëse e ndalimit të shqetësimit personave të ekspozuar dhunës
1. Masa mbrojtëse e ndalimit të shqetësimit në përputhshmëri me përkufizimin e dhënë në nenin 2
nën-paragrafi 1.2, të këtij ligji, mund t’i shqiptohet kryerësit të dhunës në familje, nëse ekziston
rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
2. Kujdestaria e fëmijës përkohësisht i besohet viktimës së dhunës në familje, ndërsa e drejta
prindërore përkohësisht i hiqet kryerësit të dhunës në familje.
Neni 7
Masa mbrojtëse e largimit nga banesa, shtëpia apo hapësira tjetër e banimit
1. Masa mbrojtëse e largimit nga banesa, shtëpia apo hapësira tjetër e banimit, i shqiptohet personit
që ka kryer dhunë ndaj anëtarit të familjes me të cilin jeton në banesë, shtëpi apo ndonjë hapësirë
tjetër banimi, nëse ekziston rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
2. Personi të cilit i është shqiptuar masa nga paragrafi 1. i këtij neni, obligohet menjëherë t’a lëshoj
banesën, shtëpinë apo hapësirën tjetër të banimit, në prezencë të zyrtarit policor.
Neni 8
Masa mbrojtëse e shoqërimit viktimës së dhunës
1. Masa mbrojtëse e shoqërimit të viktimës, mund të shqiptohet me qëllim të mbrojtjes gjatë marrjes
së gjësendeve personale.
2. Masa nga paragrafi 1. i këtij neni zbatohet nën shoqërimin e zyrtarit policor.
Neni 9
Masa mbrojtëse e trajtimit mjekësor nga varësia prej alkoolit dhe substancave psikotrope
1. Masa mbrojtëse e trajtimit të obligueshëm mjekësor nga varësia e alkoolit dhe substancave
psikotrope i shqiptohet personit, i cili ka kryer dhunë në familje nën ndikimin e tyre, kur ekziston
rreziku i përsëritjes së dhunës në familje.
2. Ministria përgjegjëse për Shëndetësi nxjerr akt nënligjor, për mënyrën e trajtimit të personave ndaj
të cilëve është shqiptuar masa mbrojtëse e trajtimit të obligueshëm mjekësor nga varësia e alkoolit
dhe substancave psikotrope.
Neni 10
Masa mbrojtëse e marrjes së sendit
1. Masa mbrojtëse e marrjes së sendit me të cilin është kryer vepra, apo sendeve me të cilat
dyshohet se mund të përsëritet dhuna në familje, shqiptohet me qëllim të mbrojtjes së personit ndaj
të cilit është ushtruar dhuna në familje apo e personave tjerë.
2. Masa mbrojtëse nga paragrafi 1 i këtij neni zbatohet në pajtim me Kodin Penal të Kosovës.
Neni 11
Masat mbrojtëse pasurore
5
1. Gjykata, krahas masave të parapara në nenet 4 deri 10 të këtij ligji, mund të shqiptoj edhe masat
si në vijim:
1.1. urdhërimi i kryerësit të dhunës në familje që të lejojë palën e mbrojtur të shfrytëzojë
banesën të cilën e përdorin së bashku ose ndonjë pjesë të saj;
1.2. urdhërimi i kryerësit të dhunës në familje që të paguajë qiranë e banesës së
përkohshme të palës së mbrojtur ose të paguajë alimentacionin për palën e mbrojtur dhe
për fëmijë, për të cilin kryerësi i dhunës në familje ka obligim për ta mbajtur;
1.3. ndalimi i kryerësit të dhunës në familje ose palës së mbrojtur, bartjen si dhe çdo lloj
transaksioni të çfarëdo pasurie brenda një periudhe të caktuar kohore;
1.4. ofrimi i mundësisë palës së mbrojtur, që vetëm ajo të posedojë dhe të shfrytëzojë
pasurinë e caktuar personale të saj;
1.5. caktimi i ndonjë mase tjetër që është e domosdoshme për të mbrojtur sigurinë,
shëndetin ose mirëqenien e palës së mbrojtur apo personit me të cilin pala e mbrojtur ka
lidhje familjare;
1.6. t’i urdhërohet kryerësit të dhunës në familje që palës së mbrojtur t’i lejohet kthimi ne
shtëpi.
2. Kryerësi i dhunës në familje, ka të drejtë që me shoqërimin e policisë t’i merr gjërat e tij personale.
3. Masat mbrojtëse të parapara në nenet 4,5,6,7,8,9,10,11 shqiptohen në pajtim me kohëzgjatjen e
urdhrit mbrojtës.
Neni 12
Ndërlidhja me urdhrat e tjerë
1. Pavarësisht prej ndonjë urdhri tjetër të shqiptuar nga gjykata apo vendimi tjetër të nxjerrë nga
gjykata apo organ tjetër kompetent, urdhri për mbrojtje, urdhri për mbrojtje emergjente ose urdhri
për mbrojtje emergjente të përkohshme mund të shqiptohet në përputhje me këtë ligj.
2. Shqiptimi i urdhrit për mbrojtje, urdhrit për mbrojtje emergjente ose urdhrit për mbrojtje emergjente
të përkohshme nuk i cenon të drejtat pasurore ose të kujdestarisë së asnjë personi pas skadimit të
urdhrit.
Neni 13
Kërkesat për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente
1. Kërkesën për urdhër mbrojtje mund ta paraqesë:
1.1. pala e mbrojtur;
1.2. përfaqësuesi i autorizuar i palës së mbrojtur;
1.3. mbrojtësi i viktimave me pëlqimin e palës së mbrojtur;
1.4. përfaqësuesi i qendrës për punë sociale në komunën ku pala e mbrojtur ka
vendbanimin apo vendqëndrimin në rastet kur viktimë është i mituri.
2. Kërkesën për urdhër mbrojtje emergjente mund ta paraqesë:
2.1. pala e mbrojtur;
6
2.2. përfaqësuesi i autorizuar i palës së mbrojtur;
2.3. mbrojtësi i viktimave me pëlqimin e palës së mbrojtur;
2.4. personi me të cilën pala e mbrojtur ka lidhje familjare;
2.5. përfaqësuesi i qendrës për punë sociale në komunën ku pala e mbrojtur e ka
vendbanimin apo vendqëndrimin në rastet kur viktimë është i mituri;
2.6. personi i cili është në dijeni të drejtpërdrejtë për një apo më tepër vepra të dhunës në
familje ndaj palës së mbrojtur.
3. Kërkesë për urdhër mbrojte ose për urdhër mbrojtje emergjente mund të paraqesin edhe OJQ-
të, që janë familjarizuar me problemin e viktimës, që janë njoftuar mirë për trajtimin e tyre.
Neni 14
Formulari i kërkesës për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente
1. Kërkesa për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente paraqitet me shkrim ose gojarisht
dhe përfshinë:
1.1. emërtimin e gjykatës;
1.2. emrin, adresën dhe profesionin e kërkuesit dhe të kryerësit të dhunës në familje;
1.3. emrin dhe adresën e palës së mbrojtur dhe të personit i cili ka kërkuar mbrojtjen për
palën ndaj së cilës është ushtruar dhuna, si dhe lidhja familjare e palës me personin i cili ka
shkaktuar dhunë në familje;
1.4. përshkrimi në hollësi i gjendjes faktike dhe kur është e mundur duhet të bashkangjes
edhe provat, si dhe arsyen e kërkesës për shqiptimin e urdhrit mbrojtës ose urdhrit për
mbrojtje emergjente;
1.5. propozimin e masës mbrojtëse.
2. Nëse zbulimi i vendbanimit apo vendqëndrimit të kërkuesit, të palës së mbrojtur ose të personit
me të cilin pala e mbrojtur ka lidhje familjare, e i cili duhet të mbrohet me anë të urdhrit për mbrojtje
ose urdhrit për mbrojtje emergjente, do ta rrezikonte atë person, atëherë mund të merren një apo
me tepër veprime, si më poshtë:
2.1. kërkesa duhet të sigurojë një adresë alternative;
2.2. adresa tjetër e siguruar në kërkesë duhet të jetë adresa e vetme që paraqitet në
dokumentet dhe dosjet publike të gjykatës; ose
2.3. nëse gjykata vendos se zbulimi i adresës në dosjet e gjykatës është i domosdoshëm,
ato dosje në të cilat shkruhet adresa duhet të jenë të mbyllura.
Neni 15
Shqyrtimi i kërkesave për urdhër mbrojtje
1. Gjykata kompetente vendosë përkitazi me kërkesën për urdhër mbrojtje brenda pesëmbëdhjetë
ditëve pas pranimit të saj.
7
2. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtje, gjykata e mban seancën e dëgjimit në mënyrë
që t’i dëgjojë personat në vijim:
2.1. pala e mbrojtur, përfaqësuesi i autorizuar ose mbrojtësi i viktimave;
2.2. kryerësi i dhunës ose përfaqësuesi i autorizuar;
2.3. parashtruesi i kërkesës;
2.4. përfaqësuesi nga qendra për punë sociale i komunës në të cilin jeton përherë ose
përkohësisht personi i përmendur më poshtë në rastin kur:
2.4.1. parashtruesi i kërkesës është i moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjet ose i
mungon zotësia e veprimit; ose
2.4.2. veprat e supozuara të dhunës në familje kanë ndikim në personin i cili është i
moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjet ose nuk ka zotësi të veprimit;
2.5. dëshmitarë të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.
3. Dëgjimi dhe shqiptimi bëhet në mungesë të kryerësit të dhunës në familje nëse kryerësi i dhunës
në familje është thirrur në mënyrë të rregullt dhe nëse kërkesa është mbështetur në dëshmi të
mjaftueshme.
4. Gjykata i thërret menjëherë personat e përmendur sipas paragrafit. 2 të këtij neni, në bazë të ligjit
për procedurën kontestimore.
5. Kërkesa konsiderohet si e tërhequr nëse në seancën e dëgjimit nuk paraqiten as pala e mbrojtur
e as përfaqësuesi i autorizuar i palës së mbrojtur dhe nëse këta individë janë thirr në mënyrën e
rregullt, ndërsa nuk e kanë njoftuar gjykatën për arsyet e mungesës së tyre.
6. Tërheqja e kërkesës nuk parandalon paraqitjen e kërkesës tjetër.
Neni 16
Shqyrtimi i kërkesës për urdhër mbrojtje emergjente
1. Gjykata vendos përkitazi me kërkesën për urdhër mbrojtje emergjente brenda njëzet e katër (24)
orëve pas parashtrimit të kërkesës.
2. Me rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtje emergjente, gjykata duhet të mbajë seancë
në të cilën dëgjohen personat në vijim:
2.1. pala e mbrojtur, përfaqësuesi i autorizuar, ose mbrojtësi i viktimave;
2.2. kryerësi i dhunës ose përfaqësuesi i autorizuar;
2.3. parashtruesi i kërkesës; dhe
2.4. çdo dëshmitar, i cili ka njohuri për dhunën në familje.
3. Sipas nevojës, gjykata mund të bëjë dëgjimin dhe shqiptimin e urdhrit mbrojtës në mungesë të
kryerësit të dhunës ne familje, duke shfrytëzuar dhe mjetet tjera alternative përfshirë ato elektronike.
Neni 17
Shqiptimi i urdhër mbrojtjes dhe urdhër mbrojtjes emergjente
8
1. Gjykata kompetente e shqipton urdhër mbrojtjen apo urdhër mbrojtjen emergjente, në rastet kur
dyshon se kryerësi i dhunës pashmangshëm rrezikon sigurinë, shëndetin ose mirëqenien e palës së
mbrojtur dhe personit me të cilin pala e mbrojtur ka lidhje familjare dhe i cili duhet të mbrohet me
anë të urdhër mbrojtjes apo urdhër mbrojtjes emergjente.
2. Vendimi për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente ekzekutohet menjëherë me vendim
përkatës, i shqiptuar nga Gjykata kompetente dhe i`u dërgohet menjëherë kryerësit të dhunës në
familje Policisë së Kosovës, qendrave për punë sociale, si dhe palëve të tjera në procedurë.
3. Pas skadimit të urdhër mbrojtjes ose urdhër mbrojtjes emergjente, pushojnë të gjitha kufizimet e
shqiptuara.
Neni 18
Përmbajtja e urdhrit mbrojtës dhe urdhrit për mbrojtje emergjente
1. Në urdhrin për mbrojtje duhet të ceket:
1.1. masa mbrojtëse e caktuar nga gjykata;
1.2. moszbatimi i urdhrit mbrojtës është vepër penale;
1.3. njoftimi për të drejtën e ankesës;
1.4. njoftimi se kryerësit të dhunës mund t’i ofroj ndihmë përfaqësuesi i autorizuar.
2. Kohëzgjatja e urdhrit për mbrojtje nuk mund të jetë më e gjatë se dymbëdhjetë (12) muaj por me
mundësi vazhdimi jo më shumë se njëzetekatër (24) muaj.
3. Në vendimin për urdhrin për mbrojtje emergjente duhet të ceket:
3.1. masa mbrojtëse e caktuar nga gjykata;
3.2. moszbatimi i urdhrit për mbrojtje emergjente është vepër penale;
3.3. njoftimi për të drejtën e ankesës;
3.4. data e dëgjimit për vërtetimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, e cila duhet të jetë
brenda tetë (8) ditëve prej shqiptimit të urdhrit për mbrojtje emergjente;
3.5. njoftimi se kryerësit mund t’i ofrojë ndihmë përfaqësuesi i autorizuar.
4. Kohëzgjatja e urdhrit për mbrojtje emergjente skadon në fund të dëgjimit për vërtetimin e urdhrit
për mbrojtje emergjente.
5. Gjatë dëgjimit për vërtetimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, gjykata mund:
5.1. të jep urdhrin për përfundimin e urdhrit për mbrojtje emergjente; ose
5.2. të shqiptoj urdhrin për mbrojtje
Neni 19
Ankesat
9
1. Kundër vendimit të urdhrit për mbrojtje, mund të ushtrohet ankesë, brenda afatit tetë (8) ditor nga
dita e dorëzimit të vendimit.
2. Kundër vendimit të urdhrit për mbrojtje emergjente, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në
afatin prej tri (3) ditësh nga dita e dorëzimit të vendimit.
3. Parashtrimi i ankesës nuk e ndalon ekzekutimin e urdhrit mbrojtës apo urdhrit për mbrojtje
emergjente.
Neni 20
Ndryshimi, ndërprerja dhe vazhdimi i urdhër mbrojtjes
1. Kur rrethanat kanë ndryshuar, pala e mbrojtur ose kryesi i dhunës mund t’i parashtrojë kërkesë
gjykatës, për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit për mbrojtje, me ç’rast gjykata mund të vendosë
që urdhri për mbrojtje:
1.1. të mbetet në fuqi;
1.2. të ndryshohet;
1.3. të ndërpritet, nëse gjykata vlerëson se kanë pushuar të gjitha shkaqet mbi bazën e të
cilave është shqiptuar urdhri mbrojtës.
2. Parashtrimi i kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit për mbrojtje, nuk e ndalon
ekzekutimin e urdhrit për mbrojtje.
3. Pesëmbëdhjetë ditë para skadimit të urdhrit për mbrojtje, pala e mbrojtur ose përfaqësuesi i
autorizuar, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e urdhrit për mbrojtje. Nëse nuk
parashtrohet kërkesa për vazhdimin e urdhrit për mbrojtje, ai ndërpritet menjëherë në ditën e
skadimit.
4. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit për mbrojtje, gjykata mund:
4.1. të ndërpres urdhrin për mbrojtje në datën e skadimit të tij; ose
4.2. të vendosë që të vazhdohet urdhri për mbrojtje, nëse nuk kanë pushuar shkaqet mbi
bazën e të cilave është shqiptuar masa mbrojtëse.
Neni 21
Ndryshimi, ndërprerja dhe vazhdimi i urdhër mbrojtjes emergjente
1. Gjykata mund të vendos për vërtetimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, ndryshimin ose
ndërprerjen e tij, pas shqyrtimit të ankesës së parashtruar nga kryerësi i dhunës në familje apo
personi i autorizuar.
2. Dy (2) ditë para skadimit të urdhrit për mbrojtje emergjente, pala e mbrojtur, përfaqësuesi i
autorizuar ose mbrojtësi i viktimave mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e urdhrit për
mbrojtje emergjente.
3. Nëse nuk parashtrohet kërkesa për vazhdimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, ai ndërpritet
menjëherë në ditën e skadimit.
4. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit për mbrojtje emergjente, gjykata mund:
4.1. të vendosë që të vazhdohet urdhri për mbrojtje, nëse nuk kanë pushuar shkaqet, mbi
bazën e të cilave është shqiptuar urdhri për mbrojtje emergjente.
10
4.2. të ndërpres urdhrin për mbrojtje emergjente në datën e skadimit të tij.
Neni 22
Urdhri për mbrojtjen e përkohshme emergjente
1. Jashtë orarit të punës së gjykatave, kërkesa për urdhër të mbrojtjes së përkohshme emergjente
mund t’i paraqitet Policisë së Kosovës nga :
1.1 pala e mbrojtur;
1.2. përfaqësuesi i autorizuar, ose mbrojtësi i viktimave;
1.3. personi me të cilin pala e mbrojtur ka lidhje familjare;
1.4. përfaqësuesi i qendrës për punë sociale ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin pala e
mbrojtur;
1.5. personi i cili është në dijeni të drejtë për drejtë për një vepër ose më shumë vepra të
dhunës në familje ndaj kërkuesit.
2. Kohëzgjatja e urdhrit të përkohshëm emergjent skadon në fund të ditës së ardhshme gjatë të cilës
gjykata punon.
3. Shefi i njësitit rajonal të Policisë së Kosovës kundër dhunës në familje, mund të shqiptojë urdhrin
për mbrojtje të përkohshme emergjente dhe të caktojë një ose disa prej masave të përmendura në
nenet 5,6,7 dhe 10 të këtij ligji, nëse ai ose ajo vërteton se:
3.1. ekzistojnë baza për të besuar se kryesi ka kryer ose është kërcënuar se do të kryejë
ndonjë vepër të dhunës në familje;
3.2. kryesi i dhunës paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të atypëratyshëm për sigurinë,
shëndetin dhe mirëqenien e palës së mbrojtur ose të personit me të cilin pala e mbrojtur ka
lidhje familjare, të cilët duhet të mbrohen me anë të urdhrit për mbrojtje dhe
3.3. shqiptimi i urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente është i domosdoshëm për të
siguruar shëndetin ose mirëqenien e palës së mbrojtur ose të personit me të cilin pala e
mbrojtur ka lidhje familjare, e që duhet të mbrohen me anë të urdhërit për mbrojtje.
4. Kërkesa për urdhër mbrojtje të përkohshme emergjente mund t’i paraqitet Policisë së Kosovës
edhe nga OJQ-të, që kanë njoftime të sigurta për dhunën në familje dhe që janë familjarizuar me
viktimën.
Neni 23
Përmbajtja e urdhrit të përkohshëm emergjent
1. Në urdhrin për mbrojtje të përkohshme emergjente duhet të ceket:
1.1. masa e caktuar nga Shefi i njësitit rajonal të Policisë së Kosovës kundër dhunës në
familje;
1.2. kohëzgjatja e urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente, e cila skadon në fund të
ditës së ardhshme gjatë të cilës gjykata punon;
1.3. vërejtja se shkelja e urdhrit për mbrojtje emergjente të përkohshme është vepër penale;
11
1.4. njoftimi se kryesit të dhunës mund t’i ofrojë ndihmë përfaqësuesi ligjor në procedurën
ligjore; dhe
1.5. shpjegimi se pas kalimit të afatit për mbrojtje të përkohshme emergjente, pala e mbrojtur
mund të paraqesë kërkesë për urdhër mbrojtje emergjente, e cila nëse lejohet, do t’i
nënshtrohej mbajtjes së një seance apo paraqitjes së kërkesës për urdhër mbrojtje kundër së
cilës ushtrohet ankesë.
2. Urdhri për mbrojtje të përkohshme emergjente i shqiptuar nga Shefi i njësitit rajonal të Policisë së
Kosovës kundër dhunës në familje, duhet t’i dërgohet menjëherë të kryerësit të dhunës në familje në
pajtim me ligjin.
3. Organet e zbatimit të ligjit u dërgojnë personave në vijim nga një kopje të urdhrit për mbrojtje të
përkohshme emergjente:
3.1. palës së mbrojtur dhe personave të tjerë, emrat e të cilëve janë shënuar në urdhrin
për mbrojtje emergjente;
3.2. kërkuesit;
3.3. stacionit lokal të policisë në vendbanimin ose vendqëndrimin e palës së mbrojtur dhe
personat tjerë të përmendur në urdhër për mbrojtje të përkohshme emergjente;
3.4. qendrës për punë sociale në komunën ku ka vendbanimin ose vendqëndrimin pala e
mbrojtur dhe personat e tjerë të përmendur në urdhrin për mbrojtje të përkohshme
emergjente;
3.5. gjykatës kompetente komunale; dhe
3.6. mbrojtësit të viktimave.
4. Urdhri për mbrojtje të përkohshme emergjente menjëherë pas shqiptimit nga ana e Shefit të
njësisë rajonale të Policisë së Kosovës kundër dhunës në familje hyn në fuqi dhe fillon të zbatohet
ndaj kryerësit të dhunës në familje pasi t’i jetë dorëzuar personalisht atij.
Neni 24
Përgjegjësitë e Policisë së Kosovës
1. Policia e Kosovës duhet t’i përgjigjet secilit njoftim për veprat ose kërcënimet e dhunës në familje
ose shkeljes së urdhrit për mbrojtje apo të urdhrit për mbrojtje emergjente pa marrë parasysh se
kush e bën njoftimin.
2. Nëse ekziston dyshimi i arsyeshëm se është kryer vepra që ka të bëjë me dhunën në familje,
Policia e Kosovës e ndalon kryerësin e supozuar në pajtim me ligjin.
3. Policia e Kosovës përdor mjete të arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar
dhunën, përfshirë, por duke mos u kufizuar vetëm në:
3.1. sigurimin e linjës së posaçme telefonike për raportim të dhunës në familje;
3.2. informimin e viktimës, përfaqësuesin ligjor ose mbrojtësin e viktimës për të drejtat e tij
në përputhje me këtë ligj, por edhe me të drejtën për të kërkuar urdhrin për mbrojtje të
përkohshme sipas nenit 22 të këtij ligji;
3.3. informimin e viktimës lidhur me shërbimet e ndihmës ligjore, psikologjike dhe ndihmave
të tjera në dispozicion nga institucionet qeveritare si dhe prej rrjetit të autorizuar të
organizatave joqeveritare të cilat ofrojnë shërbime për viktimat;
12
3.4. informimin e ofruesve përkatës të shërbimeve të përmendura sipas paragrafit 3.2 të këtij
neni lidhur me ndonjë rast të dhunës në familje dhe mundësimin e kontaktit mes ofruesit të
shërbimit dhe viktimës me kërkesën e viktimës;
3.5. sigurimin e transportimit të viktimës dhe vartësve të saj deri në objektin e duhur
mjekësor për trajtim ose kontrollim mjekësor;
3.6. sigurimin e transportimit të viktimës, e sipas nevojës edhe vartësve të saj deri në një
vendstrehim apo vendqëndrim tjetër të përshtatshëm dhe të sigurt, me kërkesën e viktimës;
3.7. nëse paraqitet nevoja, sigurimin e mbrojtjes për atë që ka lajmëruar dhunën në
përputhje me obligimet përkatëse ligjore lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve;
3.8. largimin e të pandehurit nga banesa ku e ka vendbanimin ose vendqëndrimin e palës
së mbrojtur apo ndonjë pjese të saj në rastin kur me anë të urdhrit për mbrojtje ose urdhrit
për mbrojtje emergjente caktohet masa e paraparë në nenin 7 të këtij ligji;
3.9. sigurimin e kontaktit zyrtar për viktimën ose përfaqësuesin e saj ligjor me nëpunësin
hetues në kuadër të Policisë së Kosovës nëse kërkohet ndihma e mëtejshme. Nëse
mungon nëpunësi hetues, atëherë ndonjë nëpunës tjetër i Policisë së Kosovës duhet t’i
ndihmojë viktimës.
4. Policia e Kosovës e përpilon raportin lidhur me rastin pavarësisht se a është kryer vepra apo jo, a
është ndaluar dikush apo jo dhe një kopje të këtij raporti ia japin viktimës, përfaqësuesit të saj ligjor
dhe mbrojtësit të viktimës.
5. Nëse viktima është e moshës nën tetëmbëdhjetë (18) vjet ose nuk ka zotësi të veprimit, apo kur
veprat e dhunës në familje janë aq të rënda sa ndikojnë në qetësinë a sigurinë e personit të moshës
nën tetëmbëdhjetë (18) vjet, ose që nuk ka aftësi të plotë të veprimit dhe jeton në banesën e njëjtë,
Policia e Kosovës duhet të raportoj për rastin menjëherë në qendrën për punë sociale të komunës
ku ai person ka vendbanimin ose vendqëndrimin.
6. Nëse ekziston dyshimi i bazuar se është kryer një vepër që ka të bëjë me dhunën në familje
pavarësisht se a është arrestuar kryerësi ose është gjetur vendndodhja e tij, Policia e Kosovës
duhet ta njoftoj rregullisht viktimën apo përfaqësuesin ligjor dhe mbrojtësin e viktimës për gjendjen e
hetimeve, duke përfshirë informatat lidhur me vendndodhjen e kryerësit të supozuar ose lirimin e tij a
të saj nga burgimi.
Neni 25
Shkelja e urdhrave mbrojtës
1. Kush e shkel në tërësi ose pjesërisht urdhrin për mbrojtje, urdhrin për mbrojtje emergjente ose
urdhrin për mbrojtje të përkohshme emergjente kryen vepër penale që dënohet me gjobë prej dyqind
(200) euro deri më dymijë (2000) Euro ose me burgim deri në gjashtë muaj.
2. Përsëritja vazhdueshme e shkeljes në tërësi ose pjesërisht e urdhrit për mbrojtje, urdhrit për
mbrojtje emergjente ose urdhrit për mbrojtje të përkohshme emergjente konsiderohet rrethanë
rënduese për kryerësin e veprës.
Neni 26
Ndjekja e veprave penale që kanë të bëjnë me dhunën në familje
1. Shkelja e urdhrit për mbrojtje, e urdhrit për mbrojtje emergjente ose urdhrit për mbrojtje të
përkohshme emergjente do të ndiqet ex officio.
13
2. Shqiptimi i urdhrit për mbrojtje dhe urdhrit për mbrojtje emergjente me vendim gjykate nuk i
ndalon palët e interesuara të nisin procedurë penale, për sa i përket veprimeve dhe mosveprimeve
që përbëjnë veprat penale.
Neni 27
Programi i Kosovës Kundër Dhunës në Familje
Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me: Ministrinë e Shëndetësisë,
Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrinë e Punëve të
Brendshme, Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit dhe me atë të Arsimit, është përgjegjëse
për mbështetjen dhe për ngritjen e strukturave ndihmëse dhe të infrastrukturës së nevojshme, që
shërben për mbështetjen dhe për plotësimin e nevojave të personave ndaj të cilëve është ushtruar
dhuna në familje, përfshirë këtu asistencën sociale dhe shërbimet mjekësore, në pajtim me
legjislacionin në fuqi.
KREU II
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 28
Zbatimi
1. Qeveria e Kosovës, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxjerr akte nënligjore që burojnë
nga ky ligj.
2. Lëndët në të cilat ka filluar procedura gjyqësore deri në momentin e hyrjes ne fuqi të këtij ligji,
do të zbatohen dispozitat e aplikueshme.
Neni 29
Shfuqizimi
Ky ligj shfuqizon Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2003/12 për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Neni 30
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në gazetën zyrtare të Republikës së
Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-182
1 korrik 2010
Shpallur me dekretin Nr. DL-036-2010, datë 15.07.2010 nga Presidenti i Republikës së
Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu