LIGJI NR. 03/L-208 PËR RIPRANIM

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 74 / 20 KORRIK 2010

LIGJI Nr. 03/L-208


PËR RIPRANIM


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR RIPRANIM


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj përcakton rregullat dhe procedurat për ripranimin e një personi i cili është shtetas i Republikës së
Kosovës ose i huaji, i cili nuk përmbush ose nuk përmbush më, kushtet në fuqi për hyrje apo qëndrim
në territorin e shtetit kërkues.


Neni 2
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:

1.1. Ripranimi – akti i autoriteteve kompetente të Republikës së Kosovës për ripranim të
shtetasve të vet dhe shtetasve të vendit të tretë.

1.2. Shtetas i Kosovës - çdo person i cili posedon shtetësinë ose ka të drejtë për shtetësinë e
Republikës së Kosovës sipas Ligjit mbi Shtetësinë e Republikës së Kosovës.

1.3. I huaj - një person i cili nuk është shtetas i Republikës së Kosovës.

1.4. Dëshmi e shtetësisë së Kosovës – dëshmia e përcaktuar sipas ligjit për shtetësinë.

1.5. Autoriteti kompetent - Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës -Departamenti për
Shtetësi Azil dhe Migracion (DSHAM).

1.6. Shteti kërkues - çdo shtet i cili paraqet kërkesën për ripranim tek autoritetet e Republikës
së Kosovës për kthimin e një personi.

1.7. Autoriteti kompetent i shtetit kërkues - organi i autorizuar i shtetit kërkues i cili
parashtron kërkesën për kthim.

1.8. Kërkesa për ripranim - një kërkesë me shkrim e dërguar nga shteti kërkues autoriteteve
kompetente të Kosovës për kthimin e një personi në territorin e Republikës së Kosovës.

2
1.9. Të dhëna - të dhënat personale të një personi i cili është subjekt i kërkesës për ripranim që,
përmban : emri, mbiemri, data dhe vendi i lindjes, vendbanimi i fundit në Kosovë, të dhënat për
prindërit që janë të ruajtura dhe të përdorura vetëm për qëllim të ripranimit në përputhje me ligjin
për mbrojtjen e të dhënave personale.


KREU II
PROCEDURAT PËR RIPRANIM


Neni 3
Ripranimi i Shtetasve të Republikës së Kosovës

Autoriteti kompetent do të ripranojë në territorin e tij shtetasin i cili nuk përmbush ose nuk përmbush më
kushtet në fuqi për hyrje apo qëndrim në territorin e shtetit kërkues.


Neni 4
Dëshmia dhe e drejta për shtetësinë e Kosovës

Dëshmia për shtetësinë do të vërtetohet ose ne mënyrë te arsyeshme prezumohet kur personi ka
shtetësinë ose ka të drejtë që të merr shtetësinë e Republikës së Kosovës sipas nenit 28 dhe 29 të Ligjit
nr. 03/L-034 për Shtetësinë e Kosovës.


Neni 5
Prezumimi i shtetësisë së Kosovës

Prezumimi i shtetësisë bëhet nga kopjet e dokumenteve që dëshmojnë shtetësinë apo të drejtën për
shtetësinë sipas nenit 4 te këtij ligji, përfshirë edhe ato me afat të skaduar apo ndonjë dokument tjetër
përmes të cilit mund të prezumoj shtetësinë.


Neni 6
Ripranimi i te huajve në Republikën e Kosovës

1. Autoriteti kompetent do të ripranoj në territorin e tyre të huajin i cili nuk plotëson apo nuk plotëson
më, kushtet për hyrje dhe qëndrim të ligjshëm në shtetin kërkues, me kusht që i huaji:

1.1. plotëson kushtet për të hyr dhe qëndruar në mënyrë të ligjshme në Republikën e Kosovës
sipas ligjit mbi të huaj; apo

1.2. në mënyrë te kundërligjshme ka hyrë dhe qëndruar në territorin e Republikës së Kosovës
para hyrjes në shtetin kërkues.


Neni 7
Inicimi i procedurës së ripranimit

1. Pas marrjes së kërkesës së ripranimit nga një shtet kërkues, autoriteti kompetent do të konfirmojë
nëse personi subjekt i ripranimit:

1.1. ka shtetësinë e Republikës së Kosovës;

1.2. plotëson kriteret e së drejtës për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës, sipas
Ligjit për shtetësinë e Kosovës apo;

3
1.3. është i huaji i cili mban një vizë të vlefshme ose leje qëndrimi të lëshuar nga Republika e
Kosovës dhe nuk është në posedim të një vize të vlefshme dhe/ose ndonjë dokument tjetër që
do ta lejonte atë për të hyrë dhe/ose qëndrojnë në territorin e shtetit kërkues.

2. Ripranimi i personit i cili është subjekt i kërkesës së ripranimit bëhet pas konfirmimit nga autoriteti
kompetent.

3. Autoriteti kompetent do të informojë shtetin kërkues për vendimin e tij në formë të shkruar brenda
tridhjetë (30) ditë pune, pas marrjes së kërkesës, pas kalimit te këtij afati aprovimi për pranimin
konsiderohet i dhënë.

4. Në qoftë se personi, subjekt i kërkesës së ripranimit posedon dokument të vlefshëm udhëtimi,
autoriteti kompetent duhet të informojë shtetin kërkues për vendimin e tij brenda tri (3) ditë pune pas
marrjes se kërkesës.

5. Autoriteti kompetent mund të kërkojë informacion shtesë nga shteti kërkues në lidhje me
karakteristikat specifike të personit në fjalë, me kusht që informata e kërkuar nuk prek mbrojtjen e të
dhënave personale apo rregullat e privatësisë së shteteve kërkuese, pa cenuar detyrimin e tij për
ripranimin e shtetasve dhe të huajve sipas nenit 3 dhe 6 të këtij ligji.

6. Pranimi ose refuzimi i kërkesës për ripranim bëhet në formë të shkruar.


Neni 8
Dokumentet e udhëtimit për kthim

1. Pas konfirmimit të kërkesës për ripranim, autoriteti kompetent menjëherë dhe jo më vonë se brenda
pesë (5) ditë pune do të nxjerrë dokumentin e udhëtimit të nevojshëm për kthimin e shtetasit apo të
huajit që i nënshtrohet ripranimit sipas Ligjit për Dokumentet e Udhëtimit apo Ligjit për të Huajt.

2. Pas kalimit te afatit prej pesë (5) ditësh të përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni autoriteti
kompetent do të njohë dokumentin e udhëtimit të lëshuar nga shteti kërkues personit që i nënshtrohet
ripranimit.


Neni 9
Pikat e kalimit kufitar për kthimin

Ripranimi i të kthyerve do të bëhet në pikat e kalimit kufitar zyrtar të shpallur nga autoritetet e
Republikës së Kosovës.


Neni 10
Marrëveshjet për ripranim

Ky ligj krijon kornizën bazë mbi ripranimin, pa paragjykim të ndonjë marrëveshje për ripranim, ndërmjet
Republikës së Kosovës dhe çdo shtetit tjetër kërkues.


Neni 11
Mbrojtja e të dhënave

Në rast të shkëmbimit të të dhënave personale me qëllim të zbatimit të këtij ligji, të gjitha te dhënat
duhet të mblidhen, ruhen dhe të përpunohen në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Neni 12
Regjistri i personave të kthyer

Autoriteti kompetent mban, dhe ruan regjistrin e personave të ripranuar.
4


Neni 13
Zbatueshmëria

1. Procedura e ripranimit te shtetasve dhe të huajve bëhet në pajtim me Kushtetutën e Republikës së
Kosovës, konventën e Gjenevës të vitit 1951 si dhe protokollin mbi statusin e refugjatëve të vitit 1967.

2. Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë aktet nënligjore të nevojshme për zbatimin e këtij ligji


KREU III
DISPOZITAT PERFUNDIMTARE


Neni 14
Shfuqizimi

Me hyrjen ne fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha dispozitat ligjore që nuk janë në përputhje me këtë
ligj.


Neni 15
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së
Kosovës.


Ligji Nr. 03/ L-208
25 qershor 2010


Shpallur me dekretin Nr. DL-030-2010, datë 12.07.2010 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu