LIGJI NR. 03/L-176 PËR HETIM PARLAMENTAR

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 74 / 20 KORRIK 2010

LIGJI Nr. 03/L-176


PËR HETIM PARLAMENTAR


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton



LIGJ PËR HETIM PARLAMENTAR


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi i ligjit

Qëllimi i këtij ligji është të rregulloj funksionimin e Komisionit hetimor duke përcaktuar strukturën
organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësit e Komisionit hetimor.

Neni 2
Fusha e veprimit

1. Fusha e veprimit të Komisionit duhet të jetë në pajtim me kushtetutën dhe dispozitat ligjore të së
drejtës ndërkombëtare, duke mos e cenuar pavarësinë dhe duke mos e penguar veprimtarinë e organeve
të tjera.

2. Komisioni i themelohet për të hetuar probleme çështje ku janë drejt për së drejti të përfshira
përgjegjësit qeveritare apo shtetërore.

3. Komisioni themelohet me qëllim të konstatimit, përshkrimit të rrjedhës së ngjarjeve me qëllim të
qartësimit të asaj se çfarë ka ndodhur dhe të përcaktimit të përgjegjësisë së atyre që kanë qenë të
involvuar.

4. Komisioni themelohet me qëllim të informimit, rekomandimit, ushtrimit të mbikëqyrjes parlamentare dhe
të arritjes së një përfundimi.

5. Komisioni themelohet dhe funksionon mbi bazën e parimeve kushtetuese dhe rregullave të
përcaktuara me këtë ligj.

6. Komisioni përgatitë raportin përfundimtar lidhur me hetimet brenda afatit të caktuar nga Kuvendi dhe
në pajtim me ligjin.


Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:

1.1. Ditë – ditët kalendarike.

2
1.2. Komisioni- Komisioni parlamentar hetimor që themelohet nga Kuvendi i Kosovës.

1.3. KPPK - Kodi i Procedurës Penale të Kosovës.

1.4. KPK – Kodi Penal i Kosovës.

1.5. Personeli i Kuvendit - stafi civil i Kuvendit të Kosovës.

1.6. Hetimi parlamentar - veprime procedurale që ndërmerren nga Komisioni për të ndriçuar një
rast apo një çështje të caktuar, pa pasur të pandehur dhe pa ngritur aktakuzë.

1.7. Provë - çdo e dhënë, dëshmi, dokument apo fakt që i kontribuon nxjerrjes së konkluzioneve
të hetimit.

1.8. Pyetje të palejueshme - pyetje të cilat sipas KPP-se nuk janë të lejuara të shtrohen ose në
të cilat mund të refuzohet përgjigjja.

1.9. Propozuesi - Komisioni ose grupi i deputeteve qe propozojnë inicimin e Komisionit hetimor.


KREU II
DISPOZITAT THEMELORE


THEMELIMI I KOMISIONEVE HETIMORE

Neni 4
Procedura për ngritjen e Komisionit hetimor parlamentar

1. Të drejtën për të iniciuar procedurën për themelimin e Komisionit e kanë gjashtë (6) deputet, një
Komision i përhershëm parlamentar dhe një e treta (1/3) e anëtarëve të Kuvendit.

2. Propozimi për themelimin e Komisionit i dorëzohet Kryesisë se Kuvendit me shkrim dhe duhet të
përmbaj çështjen e cila do të hetohet, arsyetimin, nënshkrimin e grupit nismëtar, propozimin për numrin e
anëtarëve të Komisionit dhe afatin kohorë brenda të cilit duhet të mbaroj mandati i Komisionit i cili nuk
mund të jetë me i gjatë se gjashtë (6) muaj.

3. Në rastet kur kërkesa për themelimin e Komisionit parashtrohet nga një e treta (1/3) e deputetëve,
Kuvendi detyrimisht në seancë plenare themelon Komisionin për çështjen e kërkuar.

4. Në rastet e iniciativës nga një Komision i përhershëm parlamentar ose grup deputetesh qe përbejnë
me pak se një e treta (1/3) e anëtareve te Kuvendit, Kuvendi mund të vendose me shumicë të thjeshtë të
votave për ngritjen e Komisionit.

5. Komisioni nuk mund të themelohet gjatë gjashtë (6) muajve të fundit të një mandati të Kuvendit.

Neni 5
Pushimi i punës së Komisionit

1. Kuvendi vendose për pushimin e punës se Komisionit para përfundimit të mandatit të tij vetëm me
kërkesën e propozuesit dhe me shumicë të votave të të gjithë deputetëve.

2. Ne rastet kur Kuvendi shpërndahet para përfundimit të mandatit të rregullt, Komisioni gjithashtu do të
pushoj se ekzistuari.

3. Çështjet qe kane qenë një herë objekt i hetimit parlamentar në njërën nga legjislaturat e Kuvendit, nuk
mund të jenë objekt i hetimit parlamentar, përveç rastit të paraparë në paragrafin 2 të këtij neni.



3



Neni 6
Mandati i Komisionit

1. Çështja e cila është përcaktuar për hetim parlamentar me vendim nga Kuvendi mund të ndryshohet
ose zgjerohet me vendim të Kuvendit me vone, nëse propozuesi për inicimin e Komisionit është pajtuar
me ndryshimin.

2. Komisioni është i obliguar ti përmbahet mandatit të tij të dhënë nga Kuvendi. Ndryshimi ose zgjerimi i
mëvonshëm i mandatit mund të behet vetëm në pajtim me paragrafin 1 të këtij neni.

3. Mandati për hetimin e një çështje është gjashtë (6) muaj brenda të cilit Komisioni duhet të paraqet
raport përfundimtar.

Neni 7
Detyrimet e organeve të Kuvendit

1. Kryetari i Kuvendit, jo më vone se shtatë (7) ditë nga data e marrjes së kërkesës për ngritjen e
Komisionit thërret Kryesinë e Kuvendit për ta diskutuar nismën.

2. Pavarësisht nga propozimi i nismëtarëve lidhur me numrin e anëtarëve të Komisionit, Kryesia e
Kuvendit para themelimit te Komisionit mund t’i propozojë Kuvendit zgjerimin ose zvogëlimin e numrit të
përgjithshëm të anëtarëve të Komisionit.

3. Kryesia i propozon Kuvendit përbërjen e Komisionit në bazë të nominimeve të grupeve parlamentare
për anëtarë të Komisionit. Në rast se një Grup Parlamentar nuk i përgjigjet kërkesës së Kryesisë me kohë,
kryesia i propozon Kuvendit përbërjen nga nominimet e bëra nga grupet parlamentare dhe pozitat e pa
nominuara mbeten të zbrazta.

4. Kryesia e Kuvendit radhitë kërkesën për ngritjen e Komisionit në rend te ditës jo me vonë se tri (3) javë
kalendarike pas datës së paraqitjes se kërkesës nga propozuesi. Ne rast se kryesia nuk arrin ta radhitë
kërkesën ne afatin e lartpërmendur, kërkesa e inicuesit shqyrtohet pa propozimin e kryesisë ne mbledhjen
e parë të radhës se Kuvendit.


KREU III
ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI I KOMISIONIT HETIMOR

Neni 8
Përbërja e Komisionit

1. Anëtarë të Komisionit mund të jenë vetëm deputetët e Kuvendit të Kosovës.

2. Komisioni përbehet nga jo me pak se shtatë (7) dhe jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) anëtarë.
Numri i anëtarëve të Komisionit duhet të jetë gjithnjë tek.

3. Çdo Grup Parlamentar i Kuvendit përfaqësohet në Komision me se paku një (1) anëtar.

4. Në parim, gjatë përcaktimit të përbërjes së Komisionit duhet të merret parasysh proporcioni i
përfaqësimit të grupeve parlamentare në Kuvend. Megjithatë Komisioni duhet te përbëhet nga deputetët e
partive të pozitës dhe opozitës, në raporte sa më të përafërta përfaqësimi. Diferenca e anëtarëve te
përgjithshëm në raport pozitë opozitë në Kuvend nuk mund të jetë me shume se një (1) anëtar i
Komisionit.

Neni 9
Largimi nga Komisioni Hetimor

4
1. Anëtari i Komisionit mund të largohet nga Komisioni vetëm me iniciativën e tij në çdo kohë, përveç në
periudhën pas përfundimit të procedurës së hetimeve dhe fillimit të shqyrtimit të rezultateve nga
Komisioni.

2. Komisioni vendosë detyrimisht për largimin e një anëtari të Komisionit, nëse ai mungon tri (3) herë
radhazi në punimet e Komisionit pa arsye të përligjshme.

3. Ne rast largimi të një anëtari të Komisionit, kryetari i Komisionit informon menjëherë Kryesinë e
Kuvendit për largimin e anëtarit të Komisionit.

4. Anëtarët e larguar të Komisionit duhen të zëvendësohen nga grupimi politik që ata përfaqësojnë,
përveç rasteve kur konstatohet se anëtari pa arsye pengon punën e Komisionit.

5. Kuvendi në seancën e ardhshme vendosë për emërimin e anëtarit të ri të Komisionit.

Neni 10
Kryesuesi i Komisionit

1. Kryesuesi i Komisionit emërohet nga Kuvendi me rastin e themelimit te Komisionit. Kryesuesi zgjidhet
nga radhët e njërit grup parlamentar i cili nuk është iniciator i Komisionit hetimor dhe nuk i përket partisë
së koalicionit qeverisës. Zëvendës kryesuesi emërohet nga Kuvendi me propozim te iniciatorit ose grupit
iniciator te Komisionit.

2. Kryesuesi i Komisionit udhëheq punën e Komisionit në përputhje me këtë ligj dhe vendimin e Kuvendit
për themelimin e Komisionit. Ne mungesë të kryesuesit, detyrat e tij kryhen nga zëvendëskryesuesi.

Neni 11
Mbledhjet e Komisionit

1. Mbledhja e parë Komisionit thirret nga kryesuesi i Komisionit, jo më vonë se katërmbëdhjetë (14) ditë
nga data e marrjes së vendimit të Kuvendit për themelimin e Komisionit.

2. Kryesuesi thërret mbledhjet e Komisionit konform planit të punës i cili miratohet nga Komisioni në njërën
nga mbledhjet e para të Komisionit.

3. Me kërkesë të një të tretës (1/3) së anëtarëve të Komisionit, kryesuesi detyrimisht thërret mbledhjen e
Komisionit për datën e kërkuar nga grupi propozues.

4. Anëtarët e Komisionit dhe stafi mbështetës obligohet të ruajë sekretin lidhur me informata dhe ecurinë e
punës së Komisionit.

5. Dispozitat për punën e Komisioneve të përhershme të përcaktuara me Rregulloren e Punës të Kuvendit
janë të zbatueshme përshtatshmërish edhe për Komisionin hetimor, përveç rasteve kur ky ligj rregullon
ndryshe.

Neni 12
Vendimmarrja

1. Mbledhjet dhe seancat e Komisionit mbahen nëse më shumë se gjysma e anëtarëve të tij është
prezent (kuorumi).

2. Komisioni merr vendime me shumicën e thjeshtë të anëtarëve të pranishëm.

3. Në rastet kur gjatë mbledhjes konstatohet mungesa së kuorumit kryesuesi ndërpret mbledhjen për një
kohë të caktuar. Ne rast se brenda kësaj kohe nuk arrihet kuorumi, kryetari përfundon mbledhjen dhe
thërret një mbledhje tjetër për një afat jo më të gjatë se shtatë (7) ditë.

4. Nëse një anëtar i një grupi parlamentar nuk merr pjesë tri (3) herë radhazi pa arsye atëherë Komisioni
nga Kuvendi kërkon që anëtari të zëvendësohet, jo detyrimisht nga grupi i njëjtë parlamentar.

5







KREU IV
KRYERJA E HETIMEVE PARLAMENTARE

Neni 13
Të drejtat e dhe detyrat e Komisionit gjatë fazës së hetimeve

1. Me qëllim të ushtrimit të hetimeve, Komisioni ka të drejtë:

1.1. ti thërras bartësit e funksioneve publike të dëgjohen para Komisionit;

1.2. të thërras persona të tjerë fizik dhe juridik të dëgjohen para Komisionit;

1.3. të thërras persona nga pika a dhe b te japin dëshmi nën betim;

1.4. te ketë qasje të pakufizuar në të gjitha dokumentet zyrtare;

1.5. të kërkoj dhe të ngritë prova;

1.6. të urdhëroj sjelljen e detyrueshme të personave nga nën-paragrafët 1.1., 1.2. dhe 1.3. të këtij
paragrafi të thirrur për të jap dëshmi para Komisionit;

1.7. të krijoj një grup hetues nga anëtarët e Komisionit për të zhvilluar hetime të caktuara nga
radhët e anëtarëve të Komisionit.

2. Komisioni ka të drejtë të kërkojë ekspertizën e ekspertëve të pavarur gjatë kryerjes së detyrës. Mjetet
financiare për këtë ekspertizë sigurohen nga Kuvendi.

3. Puna e Komisionit mbështetet nga personeli i Kuvendit.

Neni 14
Fazat e punës së Komisionit

1. Puna e Komisionit ndahet në tri faza kryesore:

1.1. faza e hetimeve;

1.2. vlerësimi i hetimeve;

1.3. përgatitja e raportit final.


Neni 15
Faza e Hetimeve

1. Komisioni e përpilon dhe e miraton planin e veprimit për çështjen e cila është objekt hetimi.

2. Plani i veprimit përmban veprime procedurale, hetimore dhe afatet kohore që do të ndiqen nga
Komisioni për hetimin të çështjes, si dhe rrethin e personave që do dëgjohen dhe që merren si dëshmitarë
ose ekspertë.

3. Plani i veprimit mund të ndryshoj gjatë zhvillimit të hetimeve, ne rastet kur ndodhin ngjarje të reja ose
dalin prova të reja që lidhen me çështjen që hetohet.

6
4. Çdo anëtarë i Komisionit mund të propozojë veprime procedurale, ngritje të provave dhe veprime
hetimore lidhur me çështjen.





Neni 16
Publiciteti i mbledhjeve të Komisionit

1. Mbledhjet e Komisionit janë publike, përveç rasteve kur parashihet ndryshe me ligj ose me rastet kur
Komisioni vendos për seance te mbyllur.

2. Mbledhjet e Komisionit janë detyrimisht te mbyllura kur Komisioni bene vlerësimin e provave te
mbledhura dhe me rastin e vendimmarrjes lidhur me to.

3. Komisioni vendos për seance te mbyllur në rastet kur kjo është e nevojshme për:

3.1. ruajtjen e fshehtësisë zyrtare;

3.2. ruajtjen e informacionit të fshehtë i cili do të rrezikohej nga shqyrtimi i hapur;

3.3. ruajtjen e rendit dhe respektimin e ligjit;

3.4. mbrojtjen e jetës personale ose familjare të një personi që është i prekur nga proceduara;

3.5. mbrojtjen e te dëmtuarve ose dëshmitarëve; dhe

3.6. mbrojtjen e sekretit të ndërmarrjes.

4. Komisioni mund të vendos për mbledhje mbyllur ose me pjesëmarrje të kufizuar të publikut me
shumicë të thjeshtë votash. Ne ketë rast Komisioni vendosë për rrethin e personave qe janë të autorizuar
të jenë prezent në mbledhjen e Komisionit.

5. Kërkesën për seancë të mbyllur ose pjesëmarrje te kufizuar mund ta bëjë;

5.1. një (1) anëtarë i pranishëm Komisionit;

5.2. dëshmitari;

5.3. eksperti;

5.4. personi qe dëgjohet nga Komisioni.

6. Vendimin për mbledhje të mbyllur ose të kufizuar e benë publik kryesuesi i Komisionit në mbledhjen e
hapur.

7. Seancat e Komisionit incizohen vetëm përmes mjeteve elektronike zyrtare të Kuvendit dhe ruhen si
sekret zyrtar përveç nëse Komisioni vendos ndryshe.

8. Ne mbledhjen e ardhshme të Komisionit aprovohet procesverbali i mbledhjes, i cili pas aprovimit
nënshkruhet nga kryesuesi.

Neni 17
Mbajtja e rendit ne mbledhjet e Komisionit

1. Për mbajtjen e rendit në mbledhjet e Komisionit përkujdesët kryesuesi.

7
2. Çdo pjesëmarrës prezent, përveç anëtarëve të Komisionit i cili nuk i përmbahen rendit në mbledhjet e
Komisionit mund të largohet nga salla e mbledhjes. Nëse ata refuzojnë largimin, mund të urdhërohet
largimi me dhunë nga organet e rendit.

3. Kundër personave nga paragrafi 2 i këtij neni mund të kërkohet nga prokuroria inicimi i procedurës
gjyqësore.

4. Komisioni gjithashtu mund të vendos t’u mohoj personave nga paragrafi 2 i këtij neni të drejtën për
pjesëmarrje në mbledhjet e Komisionit.


Neni 18
Provat

1. Komisioni vendos për marrjen dhe shqyrtimin e provave.

2. Dispozitat e KPPK lidhur me provat dhe dëshmitarët janë të zbatueshme përshtatshmërisht.

3. Me kërkesë të së paku 1/3 të anëtarëve të Komisionit duhet të ngritët çdo provë, përveç rasteve kur kjo
nuk është konform procedurave ligjore.

4. Të gjithë personat fizik dhe juridik privat ose publik janë të obliguar ti dorëzojnë Komisionit të gjitha
dokumentet ose provat tjera materiale qe kërkohen nga ata.

5. Në rast të refuzimit ose vonesës së paarsyeshme të dorëzimit të provave nga subjektet e paragrafit 4
të këtij neni, Komisioni kërkon nga gjykata kompetente qe ajo të siguroj provën përkatëse të kërkuar.

6. Gjykatat janë të obliguara t’i dorëzojnë Komisionit provat e kërkuara nga paragrafi 5 i këtij neni.

Neni 19
Dëshmitarët

1. Komisioni harton listën e dëshmitarëve.

2. Lista mund të azhurnohet deri në fazën e mbylljes së hetimeve.

3. Komisioni edhe gjatë fazës së mbylljes së hetimeve kur konsideron që dëshmia e dëshmitarit mund ta
ndryshoi esencialisht rrjedhën e procesit mund të vendos që ta dëgjoi edhe në fazën e përfundimit.

4. Komisioni thërret dëshmitarë për ti sqaruar rrethanat e ndryshme që lidhen me çështjen qe hetohet.

5. Radhitja e dëshmive para Komisionit vendoset me konsensus. Nëse Komisioni nuk arrin konsensus
radhitja vendoset me shumicën e thjeshtë të votave.

6. Dëshmitarët janë të obliguar ti përgjigjën letërthirrjes se Komisionit për të dhënë dëshmi. Letërthirrja
duhet të përmbaj datën dhe orën, vendin, çështjen për të cilën është ngritur prova, të drejtat e dëshmitarit
në procedurë si dhe pasojat ligjore në rast të mos përgjigjes së dëshmitarit letërthirrjes se Komisionit.

7. Ne rast se dëshmitari nuk i përgjigjet letërthirrjes së Komisionit, Komisioni mund të kërkoi që ndaj
dëshmitarëve të merren masa konform ligjeve në fuqi.

8. Dispozitat e KPPK lidhur me dëshmitarët janë përshtatshmërisht edhe për procedurën hetimore të
Komisionit.

9. Organet publike janë të obliguara tu lejojnë nëpunësve ose punonjësve publik dëshminë para
Komisionit, përveç rasteve kur ligji e parasheh ndryshe.

10. Dëshmitari është i detyruar të dëshmoj konform procedurave të këtij ligji dhe KPPK. Në të kundërtën
dëshmitari mund ti nënshtrohet sanksioneve ligjore të parapara me ketë ligj. Komisioni mund të kërkoj
8
gjithashtu ngritjen e procedurës penale kundër dëshmitarit i cili nuk dëshmon konform detyrimeve të tij me
ketë ligj ose me dispozitat e KPPK.



Neni 20
Intervistimi i dëshmitarit

1. Dëshmitarët intervistohen nga anëtarët e Komisionit.

2. Kryesuesi i Komisionit e informon dëshmitarin para fillimit të marrjes së dëshmisë lidhur me të drejtat
dhe përgjegjësitë e tij në procedurë.

3. Dëshmitari është i obliguar ti përgjigjet pyetjeve të Komisionit, përveç rasteve kur parashihet ndryshe
me dispozitat e KPPK.

4. Dëshmitari mund të refuzoj përgjigjen në pyetjet e palejueshme. Kryesuesi i Komisionit ka për detyrë të
intervenoj ndaj një pyetje të palejueshme.

Neni 21
Ekspertiza

1. Ekspertet propozohen dhe caktohen nga anëtarët e Komisionit.

2. Ekspertët thirren dhe kanë detyrime, sipas dispozitave të parashikuara në KPPK.

3. Personi i cili thirret si ekspert ka për detyrë ti përgjigjet thirrjes dhe të jap ekspertizën e tij, përveç
rasteve të parapara me nenin 178 KPPK.

4. Komisioni dhe eksperti merren vesh lidhur me afatin kohor për dhënien ose dorëzimin e ekspertizës.
Afati kohore është i detyrueshëm për ekspertin. Ne qoftë se eksperti e vonon ekspertizën për arsye të
pajustifikueshme, Komisioni mund të kërkoi që ndaj dëshmitarit të merren masa konform ligjeve në fuqi.

5. Ekspertët japin ekspertizën e tyre duke u bazuar ne parimin e profesionalizimit dhe paanësisë

Neni 22
Përfundimi i hetimit

1. Hetimet përfundojnë me vendim të Komisionit, kur përmbushen pikat e planit të hetimeve dhe kur
Komisioni krijon bindje të qartë për çështjen e objektit të hetimit.

2. Komisioni vendos për përfundimin e fazës së hetimit me konsensus. Ne rast se nuk arrihet konsensusi
Komisioni vendos me shumicë të thjeshtë votash.


KREU V
RAPORTI PËR KUVENDIN

Neni 23
Raporti përfundimtar

1. Pas përfundimit të hetimeve dhe vlerësimit të tyre përgatitet raporti përfundimtar i Komisionit. Raporti
duhet të pasqyroj në mënyrë objektive rrjedhën e procedurës, konkluzionet e hetimeve, provat që kane
quar Komisionin në konkluzione dhe propozime për Kuvendin lidhur me çështjen e trajtuar.

2. Detajet mbi burimet e provave nuk publikohen në raportin përfundimtarë.

3. Raporti përfundimtar miratohet nga Komisioni me konsensus. Në rast se Komisioni nuk arrin
konsensus vendoset me shumicë të thjeshtë votash.

9
4. Anëtarët e Komisionit të cilët nuk pajtohen me konkluzionet ose përmbajtjen e raportit përfundimtar
kanë të drejt, ti paraqesin pikëpamjet e tyre lidhur me raportin më një mendim të veçantë me shkrim. Ky
mendim duhet të përmbajë arsyetimin dhe duhet ti bashkëngjitet detyrimisht raportit përfundimtar.

5. Kryetari i Komisionit ia dorëzon raportin përfundimtar të Komisionit Kuvendit brenda dhjetë (10) ditëve
nga dita e aprovimit të tij nga Komisioni. Kryesia e Kuvendit duhet ta radhisë në rend dite shqyrtimin e
raportit në mbledhjen e Kuvendit brenda një afati pasues prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e dorëzimit.

6. Raportit përfundimtar gjithashtu i bashkëngjitet vendimi i Kuvendit për themelimin e Komisionit dhe
plani i hetimeve të Komisioni.

7. Provat materiale, dëshmitë e hetimit dhe ekspertiza arkivohen dhe ruhen në pajtim me ligjin.

8. Nëse është evidente se Komisioni nuk mund të arrijë të përgatisë raportin përfundimtar para
përfundimit të legjislaturës përkatëse, Kuvendi mund të kërkoj raport të Komisionit mbi gjendjen aktuale të
hetimit.

9. Me vendim të Kuvendit mund të kërkohet edhe raport i përkohshëm nga Komisioni.


KREU VI
DISPOZITAT E TJERA

Neni 24
Buxheti i Komisionit

1. Për veprimtarinë e tij, Komisioni e ka fondin e veçantë të miratuar nga Kuvendi me propozim të
Komisionit.

2. Komisioni menaxhon në mënyrë autonome me buxhetin e caktuar nga Kuvendi dhe paraqet raport
sipas nevojave të Kuvendit.

3. Dispozitat përgjithshme ligjore të zbatuara nga gjykatat lidhur me kompensimin dhe shpenzimet lidhur
me ekspertët dhe dëshmitarët janë të aplikueshme edhe për Komisionin.

Neni 25
Dispozitat përfundimtare

1. Komisioni mund të nxjerr rregulla të brendshme sipas nevojës, të cilat nuk mund të jenë në kundërshtim
me ketë ligj dhe me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Ligji Nr. 03/ L-176
4 qershor 2010

Shpallur me dekretin Nr. DL-024-2010, datë 28.06.2010 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.