LIGJI NR. 03/L-166 PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E KRIMIT KIBERNETIKË

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 74 / 20 KORRIK 2010

LIGJI Nr. 03/L-166


PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E KRIMIT KIBERNETIKË


Kuvendi i Republikës së Kosovës;

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR PARANDALIMIN DHE LUFTIMIN E KRIMIT KIBERNETIKË


Neni 1
Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë me masa konkrete, parandalimin,
zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve përmes sistemeve kompjuterike, duke ofruar respektimin e të
drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të dhënave personale.


Neni 2
Fushëveprimi

Ky ligj aplikohet në territorin e Republikës së Kosovës në veprimtaritë e sistemeve kompjuterike. Është
i aplikueshëm tërësisht në ruajtjen e të dhënave në sistemet kompjuterike si dhe sanksionon metodat
dhe procedurat se si dhe nga kush këto të dhëna mund të përdoren



Neni 3
Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:

1.1. Krimi kibernetikë - një aktivitet kriminal të zhvilluar në rrjet që ka si objekt apo si mënyrë të
kryerjes së krimit keqpërdorimin e sistemeve kompjuterike dhe të të dhënave kompjuterike.

1.2. Sistemi kompjuterik - çfarëdo mjeti ose montim të mjeteve të ndërlidhura apo që janë në
lidhje operative, prej të cilave një ose më shumë ofrojnë të dhëna automatike që procesohen
me anë të programeve kompjuterike.

1.3. Procesimi automatik i të dhënave - proces me anë të të cilit të dhënat në sistemin
kompjuterik procesohen me anë të programeve kompjuterike.

1.4. Programi kompjuterik - grupin e udhëzimeve që mund të zbatohen përmes sistemit
kompjuterik në mënyrë që të fitohen rezultatet e caktuara.

1.5. Të dhënat kompjuterike - çdo përfaqësim i fakteve, informatave apo koncepteve në atë
formë që të mund të procesohen me sisteme kompjuterike. Kjo kategori përfshin çdo program të
kompjuterit që mund të inicioj sistemet kompjuterike të kryej funksione të caktuara.

2
1.6. Ofrues i shërbimeve - çdo person fizik ose juridik, që shfrytëzuesve ua ofron mundësinë e
komunikimit me sistem kompjuterik, si dhe personin, që i proceson ose që i mbledh të dhënat
për këta ofrues të shërbimeve dhe për shfrytëzuesit e shërbimeve të ofruara prej tyre.

1.7. Të dhënat mbi trafikun e të dhënave - ato të dhëna kompjuterike që kanë të bëjnë me
komunikimin që bëhet përmes sistemit kompjuterik dhe prodhimeve të tij, duke përfaqësuar një
pjesë të zinxhirit të komunikimit, duke treguar origjinën e komunikimit, destinimin, linjën, kohën,
datën, madhësinë, vëllimin dhe kohëzgjatjen, si dhe llojin e shërbimit të shfrytëzuar për
komunikim.

1.8. Të dhënat mbi shfrytëzuesit - çdo informatë që mund të shpijë tek identifikimi i
shfrytëzuesit, duke përfshirë llojin e komunikimit dhe shërbimin e shfrytëzuar, adresën e postës,
adresën gjeografike, adresën e IP-së, numrat telefonik apo çfarëdo numri tjetër të qasjes dhe
mjetet e pagesës për shërbimin përkatës si dhe çfarëdo të dhëne tjetër që mund të shpijë në
identifikimin e shfrytëzuesit.

1.9. Masat e sigurisë – shfrytëzim i procedurave të caktuara, mjeteve ose programeve të
specializuara kompjuterike me anë të të cilave qasja në sistemin kompjuterik është e kufizuar
ose e ndaluar për kategoritë e caktuara të shfrytëzuesve.

1.10. Materialet pornografike me të mitur - çdo material që paraqet një të mitur apo një
person të rritur i paraqitur si i mitur me një sjellje eksplicite seksuale apo imazhe të cilat, edhe
pse nuk paraqesin person real, simulon, në mënyrë të besueshme një të mitur me sjellje
eksplicite seksuale.

1.11. Interceptimi - marrjen, nxënien pa të drejtë të të dhënave nga persona të paautorizuar.


Neni 4
Veprimet e paautorizuara

1. Sipas këtij ligji veprimet e personit cilësohen veprime të paautorizuara, nëse personi:

1.1. nuk është i autorizuar sipas ligjit ose kontratës;

1.2. i tejkalon kufijtë e autorizimit;

1.3. nuk ka leje nga personi kompetent dhe i kualifikuar, sipas ligjit, për të shfrytëzuar,
administruar ose kontrolluar sistemin kompjuterik apo të kryej hulumtime shkencore në një
sistem kompjuterik.


Neni 5
Parandalimi, siguria dhe fushatat informative

1. Në mënyrë që të sigurohen sistemet kompjuterike dhe mbrojtja e të dhënave personale, autoritetet
dhe institucionet publike me kompetenca në këtë fushë, ofruesit e shërbimeve, organizatat joqeveritare
dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kryejnë aktivitete dhe programe për parandalimin e krimit
kibernetikë.

2. Autoritetet dhe institucionet publike me kompetencë në këtë fushë në bashkëpunim me ofruesit e
shërbimeve dhe organizatat joqeveritare si dhe përfaqësuesit e tjerë të shoqërisë civile zhvillojnë
politikat, praktikat, masat, procedurat dhe standardet minimale për sigurinë e sistemeve kompjuterike.

3. Autoritetet dhe institucionet publike me kompetenca në këtë fushë në bashkëpunim me ofruesit e
shërbimeve, organizatat joqeveritare dhe përfaqësuesit e tjerë të shoqërisë civile organizojnë fushata
informative mbi krimin kibernetikë dhe rreziqet për shfrytëzuesit e sistemeve të kompjuterit.

3

Neni 6
Mbajtja, plotësimi dhe shfrytëzimi i bazës së të dhënave

1. Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme mbajnë dhe plotësojnë
në mënyrë të vazhdueshme bazën e të dhënave mbi krimin kibernetikë.

2. Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës dhe
institucionet tjera relevante mundë të jenë shfrytëzues të bazës së të dhënave në përputhje me rregullat
dhe procedurat e mbajtësit të bazës së të dhënave.

3. Instituti Kombëtar i Kriminalistikës kryen studime periodike në mënyrë që të identifikoj shkaktarët dhe
kushtet që përcaktojnë dhe favorizojnë krimin kibernetikë.


Neni 7
Trajnimet dhe programet speciale

Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Transportit dhe Postë-
Telekomunikacionit, Ministria e Shërbimeve Publike dhe Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës zhvillojnë
programe speciale trajnuese për personelin me qëllim të parandalimit dhe luftimit të krimit kibernetikë
në përputhje me kompetencat që ushtrojnë.


Neni 8
Obligimet e pronarëve dhe administratorëve

1. Për një kategori sistemesh kompjuterike, në të cilat qasja është e kufizuar ose plotësisht e ndaluar,
pronarët, administratorët e këtij sistemi, detyrohen ta rregullojnë që në mënyrë të qartë dhe automatike
të paralajmërohet përdoruesi: me informacion, si dhe në çfarë kushtesh mund ta përdorë, ose se është i
ndaluar përdorimi i këtij sistemi kompjuterik dhe për pasojat ligjore për qasje të paautorizuar.

2. Mosrespektimi i detyrimit të përcaktuar në paragrafin 1 të këtij neni, është kundërvajtje dhe kryesi i saj
dënohet prej pesëqind (500) deri pesëmijë (5000) Euro.


Neni 9
Veprat penale kundër konfidencialitetit, integritetit dhe disponueshmërisë së të dhënave të
sistemeve kompjuterike

1. Qasja në mënyrë të paligjshme në sistemet kompjuterike është vepër penale dhe kryesi i saj dënohet
me burgim prej gjashtë (6) muaj deri tre (3) vite.

2. Kur vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni kryhet me qëllim të marrjes së të dhënave kompjuterike
kryesi i saj dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në katër (4) vite.

3. Kur vepra penale nga paragrafët 1 dhe 2 të këtij neni kryhet duke i shkelur masat e sigurisë së
sistemeve kompjuterike, kryesi i saj dënohet me burgim prej tri (3) vite deri në pesë (5) vite.




Neni 10
Interceptimi pa autorizim

1. Interceptimi pa autorizim i transmetimeve jopublike të të dhënave kompjuterike, nga, për, në, ose
brenda një sistemi kompjuterik, është vepër penale dhe kryesi i saj dënohet me burgim prej gjashtë (6)
4
muaj deri tre (3) vjet. Nëse kryhet nga pjesëtari i organizatës kriminale, kryesi i saj dënohet me burgim
prej një (1) deri pesë (5) vite.

2. Interceptimi pa autorizim i emetimeve elektromagnetike nga sistemet kompjuterike, që mbajnë të
dhëna jopublike kompjuterike, është vepër penale dhe kryesi i saj dënohet me burgim prej një (1) deri
pesë (5) vite.


Neni 11
Transferi i pa autorizuar

1. Ndryshimi, shlyerja, asgjësimi i të dhënave kompjuterike ose kufizimi i tyre pa autorizim është vepër
penale dhe kryesi i saj dënohet me burgim prej një (1) deri tre (3) vite.

2. Transferi i paautorizuar i të dhënave nga sistemet kompjuterike është vepër penale dhe kryesi i saj
dënohet me burgim prej tre (3) deri pesë (5) vite.

3. Transferi i paautorizuar i të dhënave nga baza e tyre me sisteme kompjuterike është vepër penale
dhe kryesi i saj dënohet me burgim prej tre (3) deri pesë (5) vite.


Neni 12
Pengimi i funksionimit të sistemeve kompjuterike

Pengesat serioze për funksionimin e sistemeve kompjuterike, duke futur informata, duke bartur,
ndryshuar, shlyer ose duke i shkatërruar të dhënat kompjuterike ose duke e kufizuar qasjen pa autorizim
në të dhënat e tilla, është vepër penale dhe kryesi i saj dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri tre (3)
vjet. Nëse kryhet nga pjesëtari i organizatës kriminale, kryesi i saj dënohet me burgim prej një (1) deri
pesë (5) vite.


Neni 13
Prodhimi, posedimi dhe tentativa e pa autorizuar

1. Prodhimi, shitja, importi, distribuimi ose ofrimi në dispozicion në çfarëdo forme, pa të drejtë, i pajisjes
ose programit kompjuterik i dizajnuar dhe i adaptuar për qëllim të kryerjes së ndonjë vepre penale, do të
dënohet me burgim prej një (1) deri në katër (4) vite.

2. Prodhimi, shitja, importi, distribuimi ose ofrimi në dispozicion, në çfarëdo forme, pa të drejtë, të
fjalëkalimit, kodit të qasjes ose të dhënave të tjera kompjuterike që lejojnë qasjen e plotë ose të
pjesshme në sistemin kompjuterik për qëllim të kryerjes së ndonjë vepre penale dënohet me burgim
prej një (1) deri pesë (5) vite.
3. Posedimi, pa të drejtë, i pajisjes, programit kompjuterik, fjalëkalimit, kodit të qasjes ose të dhënave
kompjuterike me qëllim të kryerjes së ndonjë vepre penale, dënohet me burgim prej një (1) deri gjashtë
(6) vite.

4. Kryesi, për tentativë të kryerjes së veprës penale, sipas paragrafit 2 ose 3 të këtij neni, dënohet me
burgim prej tre (3) muaj deri një (1) vit.





Neni 14
Veprat penale lidhur me kompjuterë

1. Futja e informatave, ndryshimi ose shlyerja pa autorizim e të dhënave kompjuterike ose kufizimi pa
autorizim i qasjes në të dhëna të tilla, që rezulton në të dhëna joautentike, me qëllim të shfrytëzimit të
5
tyre për përvetësim të një të drejte, është vepër penale dhe kryesi i saj dënohet me burgim gjashtë (6)
muaj deri tri (3) vite. Nëse kryhet nga pjesëtari i organizatës kriminale, dënohet me burgim prej një (1)
deri pesë (5) vite.

2. Për tentativë të kryerjes së veprës penale, sipas këtij neni, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) muaj
deri një (1) vit.


Neni 15
Shkaktimi i humbjes së pronës

1. Shkaktimi i humbjes së pronës tek një person tjetër duke futur informata, ndryshuar apo shlyer të
dhënat e kompjuterit me anë të kufizimit të qasjes në të dhënat e tilla apo me ndonjë ndërhyrje në
funksionimin e sistemit kompjuterik me qëllim të sigurimit të një përfitimi ekonomik për vete apo për dikë
tjetër, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vite.

2. Për tentativë të kryerjes së veprës penale nga paragrafi 1 i këtij neni, kryesi dënohet me burgim prej tre
(3) muaj deri një (1) vit.


Neni 16
Pornografia me fëmijë përmes sistemeve kompjuterike

1. Personi, që kryen vepër penale sipas nën-paragrafëve 1.1 deri 1.5 të këtij paragrafi, dënohet me
burgim prej gjashtë (6) muaj deri tri (3) vite. Nëse cilësohet se është kryer në rrethana rënduese, kryesi
dënohet prej një (1) deri dhjetë (10) vite.

1.1. prodhimin e pornografisë me fëmijë, me qëllim të shpërndarjes së tij nëpërmjet një sistemi
kompjuterik;

1.2. ofrimin apo vënien në dispozicion të pornografisë me fëmijë nëpërmjet një sistemi
kompjuterik;

1.3. shpërndarjen apo transmetimin e pornografisë me fëmijë nëpërmjet një sistemi kompjuterik;

1.4. prokurimin e pornografisë me fëmijë nëpërmjet një sistemi kompjuterik për vete apo për të
tjerët;

1.5. zotërimin e pornografisë me fëmijë nëpërmjet një sistemi kompjuterik apo në mediume
memoruese të të dhënave kompjuterike.

2. Kryesi i tentativës së veprës penale, nga paragrafi 1 i këtij neni, dënohet me burgim prej gjashtë (6)
muaj deri tri (3) vite.


Neni 17
Procedura e ndjekjes

1. Në rastet urgjente dhe plotësisht të arsyetuara, apo dyshime të bazuara në lidhje me përgatitjen ose
kryerjen e veprës penale me anë të sistemeve kompjuterike, me qëllim të mbledhjes së dëshmive ose
identifikimit të kryerësve, ruajtjes së shpejtë të të dhënave kompjuterike ose të të dhënave që i
referohen të dhënave mbi trafikun e të dhënave, duke iu nënshtruar rrezikut të shkatërrimit ose
ndryshimit, zbatohen dispozitat procedurale si vijon:

1.1. gjatë hetimit të krimit me kërkesë të organit hetues ruajtja e të dhënave urdhërohet nga
prokurori, ndërsa gjatë procedurës gjyqësore me urdhër të gjykatës;

6
1.2. masa që i referohet paragrafit 1 të këtij neni vlen për periudhën kohore deri nëntëdhjetë
(90) ditë, me mundësi të zgjatjes edhe për tridhjetë (30) ditë;

1.3. urdhri i prokurorit ose urdhri i gjykatës dërgohet, menjëherë, tek cilido ofrues i shërbimeve,
apo tek ndonjë person që posedon të dhënat që i referohen nën-paragrafit 1.1 të këtij paragrafi,
atëherë personi përkatës është i obliguar që ti ruaj shpejtë ato sipas kushteve të ruajtjes së
fshehtësisë;

1.4. në rastin kur të dhënat i referohen trafikut të të dhënave që janë nën posedimin e disa
ofruesve të shërbimeve, ofruesi i shërbimeve që i referohet nën-paragrafit 1.3 të këtij paragrafi
është i obliguar që menjëherë t’i ofroj organit të hetimit të krimeve informatat e nevojshme për të
identifikuar ofruesit e tjerë të shërbimeve për të qenë në dijeni mbi të gjitha elementet në
zinxhirin e shfrytëzuar të komunikimit;

1.5. prokurori është i obliguar që deri në fund të hetimit t’i njoftoj me shkrim personat që janë
nën hetime për krimet dhe të dhënat e të cilëve janë ruajtur.


Neni 18
Sekuestrimi, kopjimi dhe ruajtja e të dhënave

1. Për qëllimet e nenit 17 nën-paragrafi 1.2. prokurori propozon për sekuestrimin e objekteve, pajisjeve
që përmbajnë të dhëna kompjuterike, të dhëna mbi trafikun e të dhënave, të dhëna mbi shfrytëzuesin,
nga personi ose ofruesi i shërbimeve që i posedon ato, me qëllim të krijimit të kopjeve që mund të
shërbejnë si dëshmi.

2. Nëse objektet, pajisjet që përmbajnë të dhëna i referohen të dhënave për organet e drejtësisë në
mënyrë që të krijojnë kopje, sipas paragrafit 1 të këtij neni, urdhri i gjykatës për konfiskimin e detyruar i
komunikohet prokurorit, i cili ndërmerr masa për ta përmbushur atë.

3. Kopjet sipas paragrafit 1 të këtij neni krijohen përmes mjeteve teknike programeve kompjuterike dhe
procedurave që sigurojnë integritetin dhe sigurinë e informatave.

4. Prokurori në çdo kohë mund të urdhëroj kërkimin me qëllim të zbulimit ose mbledhjes së dëshmive të
nevojshme për hulumtim të sistemit kompjuterik ose pajisjes kompjuterike për ruajtjen e të dhënave.

5. Nëse organi për hetimin e krimit ose gjykata konsideron se konfiskimi i objekteve që përmbajnë të
dhëna të cilat i referohen paragrafit 1 ndikojnë shumë në aktivitetet e kryera nga personat që posedojnë
këto objekte, urdhëron krijimin e kopjeve që do shërbenin si dëshmi dhe të cilat janë krijuar sipas
paragrafit 3 të këtij neni.

6. Kur në rastin e hetimit të sistemit kompjuterik apo pajisjes së kompjuterit për ruajtjen e të dhënave
mësohet se të dhënat e kërkuara kompjuterike janë të përfshira në një tjetër sistem kompjuterik ose në
ndonjë pajisje tjetër kompjuterike për ruajtjen e të dhënave dhe që ofrohet qasja në to nga sistemi
fillestar apo pajisje, mund të urdhërohet kryerja dhe kërkimi në mënyrë që të hulumtohen të gjitha
sistemet kompjuterike ose pajisja kompjuterike për ruajtjen e të dhënave të kërkuara.




Neni 19
Qasja, nxënia ose incizimi i komunikimeve

1. Qasja në sistemin kompjuterik, si dhe nxënia ose incizimi i komunikimeve të kryera nga pajisjet e
sistemeve kompjuterike ndërmerren kur janë të dobishme për të gjetur të vërtetën si dhe faktet ose
identifikimin e kryerësve, e nuk mund të arrihen në bazë të dëshmive të tjera.

7
2. Masat që i referohen paragrafit 1 të këtij neni ndërmerren me propozim të prokurorit nga organet e
hetimit të krimeve me ndihmën e personave të specializuar, të cilët janë të obliguar të ruajnë
fshehtësinë e operacionit të kryer.



3. Autorizimi që i referohet paragrafit 2 të këtij neni jepet për tridhjetë (30) ditë, për arsye të bazuar
mund të shtyhet edhe për tridhjetë (30) ditë, ndërkohë që kohëzgjatja maksimale të mos kalojë
periudhën prej katër (4) muajve.

4. Prokurori është i obliguar që deri në fund të hetimit të informoj me shkrim personat kundër të cilëve
janë ndërmarrë masat e referuara në paragrafin 1 të këtij neni.


Neni 20
Bashkëpunimi ndërkombëtarë

1. Autoritetet kosovare bashkëpunojnë drejtpërdrejtë sipas dispozitave të ligjit duke respektuar obligimet
që dalin nga instrumentet juridike ndërkombëtare, me institucionet homologe të shteteve tjera, si dhe me
organizatat ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë.

2. Bashkëpunim sipas paragrafit 1 të këtij neni mund të konsistojë, në ndihmën ndërkombëtare ligjore
në çështjet penale, ekstradimin, identifikimin, bllokimin, konfiskimin, sekuestrimin e produkteve dhe
mjeteve të kryerjes së veprës penale, kryerjen e hetimeve, shkëmbimin e informatave, ndihmën teknike
apo mbledhjen e informatave, trajnimin e specializuar të personelit, si dhe aktivitete tjera.


Neni 21
Hetimet

1. Shtetet dhe organizatat tjera me kërkesën e tyre mund të kryejnë hetime në bashkëpunim me
autoritetet kosovare për parandalimin dhe luftimin e krimit kibernetikë në tërë territorin e Kosovës.

2. Hetimet e përgjithshme që i referohen paragrafit 1 të këtij neni kryhen në bazë të marrëveshjeve
bilaterale dhe multilaterale.

3. Përfaqësuesit e autoriteteve kompetente kosovare mund të kryejnë hetimet që kryhen në territorin e
vendeve tjera në pajtim me dispozitat e marrëveshjeve ndërkombëtare.


Neni 22
Pika e kontaktit

1. Në mënyrë që të sigurohet një bashkëpunim i përhershëm ndërkombëtar në fushën e krimit
kibernetikë, Qeveria e vë në dispozicion një pikë të përhershme kontakti.

2. Kjo pikë e përhershme kontakti ka kompetencat si vijon:

2.1. ofron ndihmë të specializuar dhe informata mbi legjislacionin në fushën e krimit kibernetikë
si dhe informon pikat e kontaktit të shteteve tjera;

2.2. urdhëron ruajtjen e shpejtë të të dhënave si dhe konfiskimin e pajisjeve që përmbajnë të
dhëna kompjuterike ose të dhëna që kanë të bëjnë me të dhënat mbi trafikun e të dhënave të
kërkuara nga autoriteti kompetent i huaj;

2.3. ekzekuton ose ndihmon ekzekutimin, sipas dispozitave ligjore, në rastet e luftimit të krimit
kibernetikë, duke bashkëpunuar me të gjitha autoritetet kompetente kosovare.

8
3. Qeveria në afat prej gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji me një akt nënligjor përcakton
krijimin e pikës së kontaktit të paraparë në paragrafin 1 të këtij neni.


Neni 23
Kërkesa për ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave

1. Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, autoritetet kompetente të huaja mund të kërkojnë
nëpërmes pikës së kontaktit ruajtjen e përshpejtuar të të dhënave kompjuterike ose të dhënave që kanë
të bëjnë me trafikun e të dhënave, që ekzistojnë brenda sistemit kompjuterik në territorin e Kosovës, në
lidhje me të cilat autoriteti i huaj ka bërë kërkesë të ndihmës ndërkombëtare ligjore në çështjet penale.

2. kërkesa për ruajtje të përshpejtuar sipas paragrafit 1 përmban të dhënat në vijim:

2.1. autoritetin që kërkon ruajtjen;

2.2. një prezantim të shkurtër të fakteve që i nënshtrohet hetimit të krimit dhe baza ligjore;

2.3. të dhënat kompjuterike që kërkohen të ruhen;

2.4. çdo informatë në dispozicion, e nevojshme për identifikimin e pronarit të të dhënave
kompjuterike dhe lokacionit të sistemit kompjuterik;

2.5. shërbimi i të dhënave kompjuterik dhe nevoja për ti ruajtur ato;

2.6. qëllimin e autoritetit të huaj për të formuluar një kërkesë të ndihmës ligjore ndërkombëtare
në çështjet penale;

3. Kërkesa e ruajtjes ekzekutohet sipas nenit 17 për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditëve. Kjo
ruajtje është e vlefshme deri sa vendimi të merret nga autoritetet kompetente kosovare, në lidhje me
kërkesën e ndihmës ligjore ndërkombëtare në çështjet penale;


Neni 24
Ruajtja e të dhënave

Nëse, në ekzekutimin e kërkesës së formuluar sipas nenit 23 paragrafi 1 të këtij ligji, një ofrues i
shërbimeve në një vend tjetër është kuptuar të jetë në posedim të të dhënave në lidhje me trafikun e të
dhënave, shërbimi për luftimin e krimit kibernetikë do të njoftoj menjëherë autoritetin kërkues të huaj mbi
këtë, duke komunikuar gjithashtu të gjitha informatat për identifikimin e ofruesit përkatës të shërbimeve.


Neni 25
Qasja në burimet e publike, të hapura

1. Autoriteti kompetent i huaj mund të ketë qasje dhe mund të pranoj, me anë të sistemit të vendosur në
territorin e tij, të dhënat kompjuterike të ruajtura në Kosove, nëse ka miratimin e personit të autorizuar,
sipas dispozitave ligjore, për të ofruar në dispozicion me anë të sistemit kompjuterik, pa bërë kërkesë
nga autoritetet kosovare.

2. Autoriteti kompetent i huaj mund të ketë qasje në burimet publike, të hapura, kosovare të të dhënave
kompjuterike duke mos bërë kërkesë tek autoritetet kosovare.


Neni 26
Dispozitat ligjore për dhënien e informatave dhe të dhënave, të nevojshme për autoritetet e huaja

9
Autoritetet kompetente kosovare mund të dërgojnë sipas detyrës zyrtare, tek autoritetet e huaja
kompetente, duke respektuar dispozitat ligjore në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale,
informatat dhe të dhënat, të nevojshme për autoritetet kompetente të huaja për të zbuluar veprat e
kryera me anë të sistemit kompjuterik apo për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me këto krime.


Neni 27
Dispozitat përfundimtare

Në rast të mospërputhjes së dispozitave të këtij ligji me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale vlejnë
dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Neni 28
Të hyrat

Të hyrat e krijuara sipas këtij ligji arkëtohen në Buxhetin e Republikës së Kosovës.


Neni 29
Hyrja në fuqi

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës


Ligji Nr. 03/ L-166
10 qershor 2010


Shpallur me Dekretin DL-028-2010, datë 02.07.2010 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr.
Fatmir Sejdiu