1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 67 / 29 MARS 2010
LIGJI Nr. 03/L-164
PËR FINANCIMIN E PROGRAMEVE TË VEÇANTA TË BANIMIT
Kuvendi i Republikës së Kosovës,
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR FINANCIMIN E PROGRAMEVE TË VEÇANTA TË BANIMIT
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i këtij ligji është krijimi i kushteve për banim të qëndrueshëm për familjet ose individët të cilët nuk
janë në gjendje ekonomike t’i përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave si dhe caktimi i mënyrës së
sigurimit dhe shfrytëzimit të mjeteve financiare për zhvillimin e programeve të veçanta të banimit .
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:
1.1. Programet e veçanta të banimit - banim i përshtatshëm dhe i përballueshëm për familjet
ose individët të cilët nuk janë në gjendje ekonomike t’i përballojnë ofertat e tregut të lirë të
banesave dhe kanë nevojë për ndihmën e shtetit;
1.2. Banesë - një ose më tepër hapësira të destinuara dhe të përshtatshme për banim së bashku
me hapësirat ndihmëse të cilat përbëjnë një tërësi dhe kanë hyrje të veçantë;
1.3. Mundësia e pagesës -shumë e mjeteve financiare që një familje mund t'i ndajë për pagesën
e qirasë, në raport me të ardhurat familjare;
1.4. Kontratë e qirasë - kontratë e lidhur ne mes dy palëve, institucionit dhe përfituesit të
programit të veçantë për banim ku niveli i qirasë kontrollohet nga institucioni përgjegjës, në pajtim
me dispozitat e këtij ligji;
1.5. Normë e banimit - koeficient që shpreh sipërfaqen minimale të banimit që duhet të ketë një
individ në banesë. Ky koeficient shprehet në m2/person;
1.6. Organizata joprofitabile- organizatë që vepron në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të
ndërtimit të banesave me qira;
1.7. Bonus banimi - dokument që përcakton shumën e subvencionit të ndarë nga Buxheti i
Republikës së Kosovës, për të mbuluar pjesërisht pagesën e qirasë;
1.8. Organi kompetent komunal- drejtori, sektor ose zyre që mbulon fushën e banimit në kuadër
të komunës;
1.9. Ministria – Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
2
KREU II
PROGRAMET E BANIMIT DHE KATEGORITЁ E FAMILJEVE QЁ MUND TЁ PЁRFITOJNЁ
Neni 3
Programet e veçanta të banimit
1. Sigurimi i banimit bëhet përmes financimit të programeve të veçanta të banimit me qira, ku përfshihen:
1.1. banesat e ndërtuara nga Komuna, Qeveria dhe donatorët të cilat jepen me qira;
1.2. banesat ekzistuese në pronësi të personave fizikë apo juridikë, të cilat mund të jepen me
qira për familjet që posedojnë bonus të banimit;
1.3. banesat tjera në pronësi të komunës, që mund të adaptohen për shfrytëzim në bazë të
programeve të veçanta për banim.
Neni 4
Kategoritë e familjeve që mund të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit
1. Kategoritë e familjeve që mund të përfitojnë nga programet e veçanta për banim përfshijnë familjet që:
1.1. nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi individuale ;
1.2. kanë mbetur pa banesë-shtëpi, si rezultat i dëmtimit të shtëpive gjatë luftës së fundit në
Kosovë,
1.3. posedojnë sipërfaqe banimi nën normat e banimit, të përcaktuara për atë kategori sociale
dhe ekonomike.
2. Administrimi i kërkesave për programet e veçanta për banim bëhet nga organi kompetent komunal.
3. Normat e banimit sipas nën-paragrafit 1.3. të paragrafit 1. të këtij neni, përcaktohen me Udhëzim
Administrativ.
Neni 5
Kriteret për përcaktimin e radhës së përparësisë
1. Kriteret për përcaktimin e radhës së përparësisë për sigurimin e banimit për personat nga paragrafi 1 i
nenit 4 të këtij ligji, janë:
1.1. statusi i Banimit;
1.2. lartësia e të ardhurave;
1.3. gjendja shëndetësore;
1.4. invaliditeti;
1.5. struktura e familjes.
2. Kriteret sipas paragrafit 1, të këtij neni, në mënyrë më të detajuar përcaktohen me Udhëzim
Administrativ.
KREU III
BANESAT NË PRONËSI TË KOMUNËS TË CILAT JEPEN ME QIRA
Neni 6
Përcaktimi i kufijve të të ardhurave
1. Kufijtë minimal dhe maksimal të të ardhurave të familjeve që mund të përfitojnë nga programi për
banesat me qira, sipas strukturës së familjes, përcaktohen me formulën:
3
K min = Vb x 0.04 x 0.5
12 x 0.25
K max = Vb x 0.04
12 x 0.25
ku:
1.1. Kmin - kufiri minimal i të ardhurave;
1.2. K.max - kufiri maksimal i të ardhurave;
1.3. Vb-Vlera e ndërtimit të banesave e cila llogaritet sipas sipërfaqes së shfrytëzueshme
të banesës dhe vlerës etalon të ndërtimit;
Vb=S x Ve
1.4. 0.25- mundësia e pagesës së familjes, që mbulon pagesën e qirasë mujore e cila
nuk duhet të kalojë njëzet e pesë përqind (25%) e të ardhurave të familjes;
1.5. 0,5- vlera maksimale e subvencionit të qirasë.
Neni 7
Mënyra e shfrytëzimit të banesave
1. Për shfrytëzimin e banesave lidhet kontrata me shkrim për qira, ndërmjet autoriteteve komunale dhe
familjes përfituese.
2. Përmbajtja e kontratës për qiranë, përgjegjësitë e palëve nga kjo kontratë si dhe çështjet tjera rreth
shfrytëzimit të banesave me qira, rregullohen me Udhëzim Administrativ të Ministrisë përgjegjëse për
fushën e banimit.
Neni 8
Administrimi dhe mirëmbajtja e banesave
1. Banesat me qira nga programet e veçanta te banimit administrohen nga Organi Kompetent Komunal.
2. Mirëmbajta e banesave me qira nga programet e veçanta e banimit kryhet nëpërmjet kontraktimit të
personave juridik te licencuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Neni 9
Përcaktimi i qirasë
1. Kuvendi komunal çdo vit aprovon shumën e qirasë vjetore për banesat me qira e cila përcaktohet sipas
formulës:
Qjm = Vb x 0.04 ku:
12
Qjm - Qiraja jo profitabile mujore
2. Qiraja e grumbulluar nga banesat shfrytëzohet për mbulimin e kostos se administrimit, mirëmbajtjes,
amortizimit, riparimet e rregullta dhe investuese të objektit të banimit .
3. Qiramarrësi, përveç qirasë, paguan edhe të gjitha shpenzimet tjera që lidhen me shfrytëzimin e
zakonshëm të banesës.
4. Vlera vjetore e qirasë nuk duhet të jetë më e madhe se katër përqind (4%) e kostos së ndërtimit të
banesës së shtetit, për ndërtim të ri, apo katër përqind (4 %) e vlerës së banesës në treg.
5. Kur banesat e programeve te veçanta financohen nga burime tjera te përcaktuara me nën-paragrafin
1.3 te nenit 15 dhe me nën-paragrafin 1.3 te nenit 19 të këtij ligji vlera e qerasë e shprehur me Euro/m2,
përcaktohet për çdo rast specifik në bashkëpunim në mes subjekteve qe financojnë dhe komunës ku
zbatohet projekti dhe miratohet me vendim të Kuvendit Komunal.
4
Neni 10
Subvencionimi i qirasë
1. Për familjet të cilat nuk kanë mundësi financiare të bëjnë pagesën e qirasë, shteti subvencionon deri në
pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së qirasë që duhet ta paguajë familja. Subvencionimi jepet vetëm
pas verifikimit të gjendjes ekonomike të familjes, sipas nenit 12, të këtij ligji.
2. Subvencionimi i qirasë, që përfiton çdo familje, bëhet nga të ardhurat e komunave dhe me aprovimin e
Kuvendit Komunal. Komunat që nuk arrijnë të realizojnë të ardhura të mjaftueshme mund të financohen
nga Buxheti i Republikës së Kosovës.
Neni 11
Përparësitë në përzgjedhjen e përfituesve
1. Përparësi në përzgjedhjen e përfituesve për subvencionim të qirasë kanë:
1.1. familjet me shumë fëmijë;
1.2. familjet që në përbërjen e tyre kanë persona me aftësi të kufizuara;
1.3. familjet ku kryefamiljari është grua-mbajtëse e familjes;
1.4. bashkëshorti ose bashkëshortja e shkurorëzuar që ka në përkujdesje fëmijë;
1.5. fëmijët me statusin e jetimit;
Neni 12
Verifikimi i gjendjes ekonomike të familjes
1. Përfitimi nga programet e banimit bazohet në verifikimin e gjendjes ekonomike të familjes.
2. Verifikimi i gjendjes ekonomike të familjes bëhet nga organi kompetent komunal.
3. Procedurat për përfitim nga programet e banimit përcaktohen me Udhëzim Administrativ nga Ministri i
Ministrisë që mbulon fushën e banimit.
4. Organi kompetent komunal e njofton familjen për rezultatet e verifikimit të gjendjes ekonomike. Pas
verifikimit të gjendjes dhe vlerësimit të familjeve përfituese lëshohet vendimi në afat prej tridhjetë (30)
ditësh kalendarikë.
Neni 13
Shkëputja e kontratës së qerasë
1. Organi kompetent komunal, shkëput kontratën për qiranë në rastet kur:
1.1. qiramarrësi ka bërë deklarim të rrejshëm për të ardhurat;
1.2. qiramarrësi ka përfituar një banesë tjetër dhe nuk ka njoftuar organin kompetent komunal;
1.3. qiramarrësi ia lëshon banesën me qira palës së tretë.
2. Pas shkëputjes së kontratës, qiramarrësi ftohet ta lirojë vullnetarisht banesën, në të kundërtën organi
kompetent kërkon largimin e dhunshëm nga banesa.
Neni 14
E drejta e ankesës
1. Kundër vendimit të Organit kompetent komunal, pala e pa kënaqur mund të parashtrojë ankesë me
shkrim – Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor .
2. Ministria duhet ta shqyrtojë ankesën dhe ta njoftojë me shkrim parashtruesin e ankesës për vendimin e
marrë, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë, pas pranimit të ankesës.
5
3. Pala e pakënaqur me vendimin e Ministrisë, sipas paragrafit 2, të këtij neni, ka të drejtë padie për
inicimin e konfliktit administrativ në Gjykatën Supreme të Kosovës, në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga
dita e pranimit të Vendimit.
KREU IV
BONUSET E BANIMIT
Neni 15
Mënyra e përdorimit të bonusit të banimit
1. Organet kompetente komunale, me vendim të Kuvendit Komunal, mund të lejojnë bonuse të banimit për
shfrytëzimin e banesave me qira nga tregu, për familjet që plotësojnë kushtet e përcaktuara me nenin 4
dhe 5, të këtij ligji, kur:
1.1. ndërtimi i banesave është më i kushtueshëm;
1.2. mungojnë fonde për investime të reja;
1.3. banesa sigurohet me financim nga organizatat joprofitabile.
Neni 16
Administrimi i bonusit të banimit
1. Bonusi i banimit aprovohet në Kuvendin Komunal, varësisht nga mundësitë buxhetore vjetore të ndara
për subvencionimin e qirave sipas nenit 10, të këtij ligji .
2. Përmbajtja e bonusit të banimit, përcaktohet me Udhëzim Administrativ të Ministrisë .
Neni 17
Përcaktimi i vlerës së bonusit të banimit
1. Vlera e bonusit të banimit nuk mund të jetë më e madhe se pesëdhjetë përqind (50%) e qirasë
minimale të banesave në tregun e lirë për komunën ku jepet ky bonus. Vlera maksimale e bonusit
përcaktohet çdo vit, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm dhe miratohet me vendim të Kuvendit
Komunal. Shuma e pagesës që duhet ta paguaj familja për diferencën ndërmjet qirasë së tregut dhe
vlerës së bonusit nuk duhet të kalojë tridhjetë përqind (30%) e të ardhurave të familjes. Mënyra e
llogaritjes së vlerës së bonusit të banimit përcaktohet me formulën :
C=Q-A x 0,3 ku C≤Qm x0,5
C- vlera e bonusit;
Q-qiraja aktuale të cilën e paguan familja;
A- të ardhurat e familjes;
O,3- mundësia e pagesës së qirasë nga familja, e cila nuk duhet ta kalojë tridhjetë përqind (30%)
e të ardhurave mujore;
Qm - vlera minimale e qirasë së banesave të tregut;
0,5- vlera maksimale e subvencionimit e cila nuk duhet të jetë më e lartë se pesëdhjetë përqind
(50%)
Cmax=Qm/2
ku:
Cmax - vlera maksimale e bonusit.
6
Neni 18
Vlefshmëria e bonusit të banimit
1. Familja që përfiton bonusin e banimit, duhet të lidhë kontratë mbi qiranë brenda tre (3) muajve nga data
e lëshimit të bonusit.
2. Kuvendi Komunal rishqyrton të drejtën e përfitimit të bonusit të banimit për çdo vit.
KREU V
FINANCIMI I PROGRAMEVE TË VEÇANTA PËR BANIM
Neni 19
Burimet e financimit të programeve të banimit
1. Programet e banimit mund të financohen nga :
1.1. buxheti i Republikës së Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
1.2. të hyrat e Komunës të dedikuara për banim ;
1.3. kontributet e donatorëve të ndryshëm.
Neni 20
Programet komunale të banimit
1. Organet kompetente komunale hartojnë programe tre (3) vjeçare të banimit për popullsinë që kanë nën
juridiksionin e tyre, duke u mbështetur në analizën e nevojave për banim, sipas parashikimeve të këtij ligji,
të cilat miratohen nga Kuvendi Komunal përkatës. Këto programe përmbajnë:
1.1. mënyrën dhe format, nevojat e financimit, që ndahen nga Buxheti i Republikës së Kosovës
brenda një (1) viti financiar, dhe burimet tjera financiare;
1.2. nevojat për banim sipas parashikimeve të këtij ligji, duke përcaktuar grupet e familjeve sipas
të ardhurave dhe gjendjes së tyre;
1.3. numrin dhe kategorinë e familjeve që do të përfitojnë banesa me qira;
1.4. sigurimin dhe pajisjen e truallit me infrastrukturë për ndërtimin e banesave, numrin dhe llojin e
banesave që nevojitet të ndërtohen, familjet që do të përfitojnë, si dhe formën e bashkëpunimit me
sektorin privat.
Neni 21
Kriteret e planifikimit të buxhetit për programet e banimit
1. Në bazë të programeve tre (3) vjeçare të Komunave bëhet planifikimi i buxhetit për programet e
veçanta për banim ku parashihet financimi i ndërtimeve të reja për banim, subvencionimi i qirasë dhe
bonuset e banimit për komunat e ndryshme të Kosovës.
2. Për planifikimin e buxhetit për programet e veçanta për banimit merren parasysh këta faktorë:
2.1. dendësia e popullsisë në nivel të komunave;
2.2. kërkesat e familjeve për nevoja të banimit;
2.3. kategoritë e familjeve të varfëra;
2.4. përparësitë e zhvillimit ekonomik të komunës.
7
KREU VI
ORGANIZIMI INSTITUCIONAL
Neni 22
Zbatimi
1. Autoritetet përgjegjëse për implementimin e programeve për banim, duke marrë parasysh kërkesat e
qytetarëve për banim si dhe mundësitë financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës, të dedikuara për
banimin, shpallin publikisht programet dhe procedurat për implementimin e tyre.
2. Ministria, në pajtim më kërkesat e paragrafit 1, të këtij neni, me Udhëzim Administrativ do të rregullojë
procedurën e shpalljes së programeve për banim, dokumentacionin që duhet ta paraqesë familja për të
përfituar nga këto programe, afatet brenda të cilave duhet të paraqiten kërkesat dhe administrimin e tyre.
Neni 23
Këshilli Qendror për Banim
1. Me këtë ligj themelohet Këshilli Qendror për Banim.
2. Këshilli Qendror për Banim është organ këshillëdhënës në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe
Planifikimit Hapësinor i cili zgjidhet me vendim të Qeverisë së Kosovës .
3. Këshilli Qendror për Banim jep këshilla për :
3.1. orientimet kryesore të zhvillimit të sektorit të banimit sipas objektivave të përcaktuara me
politikat e qeverisë dhe ligjet në fuqi;
3.2. programet e përgjithshme tre (3) vjeçare të banimit, të përgatitura nga Ministria, dhe bën
rishikimin eventual të tyre;
3.3. hartimin e dispozitave të reja ligjore dhe ndërmarrjen e veprimeve tjera.
4. Këshilli Qendror për Banim përbehet prej pesë (5) anëtareve, të cilëve iu takon kompensimi në formë te
mëditjeve për çdo takim.
5. Këshilli Qendror për Banim i raporton, njëherë në vit, Qeverisë së Kosovës.
Neni 24
Përgjegjësitë e Ministrisë
1. Për zbatimin e këtij Ligji, Ministria:
1.1. harton strategjinë tre (3) vjeçare për banim, në bazë të programeve tre (3) vjeçare të
komunave;
1.2. planifikon buxhetin për mbështetjen e realizimit të programeve vjetore të banimit;
1.3. krijon bazën e të dhënave në nivel qendror, në bazë të dhënave të marra nga komunat, ku
përfshihen:
1.3.1. nevojat për banim dhe llojet e programeve të banimit;
1.3.2. fondi i banesave me qira;
1.3.3. gjendja fizike e banesave me qira;
1.3.4. numri i familjeve të vendosura në banesat me qira;
1.3.5. sipërfaqja e nevojshme e truallit, që duhet pajisur me infrastrukturë për ndërtimin e
banesave;
1.3.6. sipërfaqja e trojeve të pajisura me infrastrukturë për ndërtimin e banesave;
8
1.3.7. kostoja mesatare vjetore për ndërtimin e banesave, në kuadër të programeve të
këtij ligji, e cila miratohet çdo vit me vendim të Qeverisë.
Neni 25
Përgjegjësitë e Komunave
1. Për zbatimin e këtij ligji, Komuna bënë:
1.1. identifikimin e nevojave për banim, sipas programeve të hartuara për popullsinë nën
juridiksionin territorial të tyre në bazë të këtij ligji;
1.2. hartimin e programeve dhe projekteve tre (3) vjeçare për banim, bazuar në burimet
financiare;
1.3. sigurimin e zonave për ndërtim dhe pajisjen e truallit me infrastrukturë, në zbatimin e
programeve të banimit;
1.4. paraqitjen e kërkesave për financimin e investimeve të reja dhe subvencioneve në Ministri,
deri në muajin mars;
1.5. krijimin dhe administrimin e bazës së të dhënave për familjet që përfitojnë nga programet për
banim;
1.6. sigurimin e ndërtimit;
1.7. administrimin dhe mirëmbajtjen e banesave me qira përmes organit kompetent komunal;
1.8. raportimin vjetor në Ministri deri më 31 mars të vitit vijues për ecurinë e programeve të
banimit;
1.9. kryerjen e përgjegjësive tjera të parashikuara me këtë ligj.
Neni 26
Ngritja e kapaciteteve
Kuvendi Komunal përcakton përbërjen, organizimin dhe mënyrën e funksionimit për zbatimin e këtij Ligji
në Komuna, sipas mundësive të burimeve financiare dhe njerëzore dhe në pajtim me Ligjin për
Vetëqeverisje Lokale nr. 03/L- 040.
Neni 27
Mbikëqyrja
Mbikëqyrja e zbatimit te dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të miratuara në bazë të këtij ligji do
të bëhet nga autoriteti përgjegjës për çështjet e banimit ne kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit
Hapësinor.
Neni i 28
Inspektimi
1. Mbikëqyrja inspektuese mbi zbatimin e këtij ligji dhe akteve nënligjore të miratuara në bazë të këtij ligji
do të bëhet nga Inspektoratit Komunal përmes inspektorëve të autorizuar të urbanizmit.
2. Inspektorët nga paragrafit 1 i këtij neni, gjatë kryerjes se inspektimit do të vërtetojnë shfrytëzimin e
rregullt te banesave në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore respektivisht normat e përcaktuara për
objektet e banimit.
Neni 29
Dispozitat Ndëshkimore
1. Në kuptim të këtij ligji, kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe
shqiptohen dënime me gjobë:
9
1.1. Për shkelje të paragrafit 1.1, të nenit 13 të këtij ligji, qiramarrësi detyrohet të largohet nga
banesa me qira dhe të kthej shumën e përfituar nga programet e veçanta për banim;
1.2. Për shkelje të paragrafit 1.2, të nenit 13 të këtij ligji, qiramarrësi gjobitet me të holla në shumë
prej dyqind (200) deri në katërqind (400) Euro;
1.3. Për shkelje të paragrafit 1.3, të nenit 13 të këtij ligji, qiramarrësi gjobitet me të holla në shumë
prej katërqind (400) deri në gjashtëqind (600) Euro;
2. Falsifikimi i bonusit të banimit dënohet sipas Kodit Penal në fuqi .
3. Shqiptimi i kundërvajtjeve bëhet nga organi kompetent komunal.
4. Kundër vendimit të organit kompetent komunal mund të bëhet ankesë brenda tridhjetë (30) ditësh
MMPH-së, përmes organeve komunale.
5. Kundër vendimit nga paragrafi 4 i këtij neni, pala e pakënaqur mund të inicioj kontest administrativ me
padi në Gjykatën Kompetente.
KREU VII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE
Neni 30
1. Banesat qe janë ndërtuar para marsit 1999 për strehimin e refugjateve nga organizatat ndërkombëtare
humanitare kalojnë ne pronësi te Komunave ku ato banesa ndodhen. Familjet qe vendosen ne këto
banesa përzgjidhen sipas kritereve te këtij ligji.
2. Banesat te cilat janë ndërtuar nga institucionet shtetërore pas vitit 1999 me fonde publike trajtohen
sipas dispozitave te këtij ligji.
3. Ministria në afat deri gjashtë (6) muajsh, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxjerr Udhëzime Administrative
për zbatimin e këtij ligji .
Neni 31
Dispozitat Shfuqizuese
Ky ligj shfuqizon çdo akt ligjor që bie në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji.
Neni 32
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-164
25 shkurt 2010
Shpallur me dekretin Nr. DL-013-2010, datë 12.03.2010 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.