1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 67 / 29 MARS 2010
LIGJI Nr. 03/L-160
PËR MBROJTJEN E AJRIT NGA NDOTJA
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,
Miraton
LIGJ PËR MBROJTJEN E AJRIT NGA NDOTJA
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Ky ligj ka për qëllim të rregulloj dhe garantoj të drejtën e qytetarëve për të jetuar në një mjedis me ajër të
pastër, duke mbrojtur shëndetin e njeriut, faunën, florën dhe vlerat natyrore e kulturore të mjedisit.
Neni 2
Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në ketë Ligj kanë këto kuptime:
1.1 Ajër mjedisor - ajri i jashtëm në troposferë, duke mos përfshirë atë në vendet e punës;
1.2. Ndotës - substancat që futen në mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthorazi në ajër, të cilat
shkaktojnë efekte të dëmshme në shëndetin e njeriut, florën, faunën dhe trashëgiminë kulturore;
1.3. Treguesi mjedisor - tregues që jep të dhëna për cilësinë e mjedisit duke e bërë atë të
perceptueshme përmes vlerës numerike, matjes dhe komunikimit;
1.4. Treguesi mjedisor i trysnisë në ajër - treguesi që jep të dhëna për trysnitë në ajër, nga
burimet e ndotjes;
1.5. Smog - përzierje e mjegullës, tymit dhe pluhurit që krijohet në rajonet industriale dhe urbane,
me pasoja të mëdha për shëndetin e popullatës;
1.6. Monitorimi - procesi i përcjelljes dhe matjeve sistematike të treguesve mjedisor;
1.7. Burim ekzistues i ndotjes - veprimtaria që ka filluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji;
1.8. Burim i ri i ndotjes” - veprimtaria që fillon pas hyrjes në fuqi të këtij ligji;
1.9. Vlera kufitare e cilësisë së ajrit - vlera më e madhe e lejueshme e një treguesi mjedisor të
gjendjes së ajrit dhe që shprehet me masë të një ndotësi në njësinë e vëllimit të ajrit;
1.10. Norma e depozitimit - vlera më e madhe e lejueshme e një treguesi mjedisor të gjendjes
së ajrit dhe që ushtron ndikim në mjedis dhe që shprehet në masë të tij në njësinë e sipërfaqes
për kohë të caktuar;
2
1.11. PM10 - grimca pesëdhjetë përqind (50%) e të cilave kalojnë nëpër selektorë me diametër
aerodinamik prej dhjetë (10) mikrometra;
1.12. PM 2.5 - grimca pesëdhjetë përqind (50%) e të cilave kalojnë nëpër selektorë me diametër
aerodinamik prej 2.5 mikrometra;
1.13. Operatori i burimit të ndotjes - çdo person fizik ose juridik, pronar i një burimi ndotjeje;
1.14. Autoriteti për mbrojtjen e ajrit - Ministria dhe organet e tjera të autorizuara me akte
nënligjore të nxjerra nga Qeveria;
1.15. Emision - lirimi (shkarkimi) i substancave prej çfarëdo burimi në ajrin mjedisor;
1.16. Burim i lëvizshëm - çdo mjet i lëvizshëm, i cili shkakton ndotjen e ajrit;
1.17. Niveli - përqendrimi i ndotësit në ajrin mjedisor ose depozitimi i tij në sipërfaqe në kohë të
caktuar;
1.18. Vlerësimi - çdo metodë e përdorur për matje, kalkulim, parashikim ose vlerësim të nivelit të
ndotësit në ajrin mjedisor;
1.19. Vlera kufitare e emisionit (VKE)- sasia më e madhe e lejuar e ndotësit, që shkarkohet në
ajër nga një burim ndotjeje, niveli i të cilit është caktuar në bazë të diturisë shkencore, më qëllim
të shmangies, parandalimit ose zvogëlimit të efekteve të dëmshme në shëndetin e njeriut dhe/ose
mjedisit në tërësi, që duhet të arrihet brenda periudhës së caktuar dhe mos të tejkalohet kur është
arritur;
1.20. Vlera e synuar - një nivel i fiksuar më qëllim të shmangies afatgjate të efekteve të
dëmshme në shëndetin e njeriut dhe/ose mjedisit në tërësi, arrihen sipas mundësisë gjatë
periudhës së caktuar;
1.21. Pragu i alarmit - niveli përtej së cilës ekziston rreziku për shëndetin e njeriut nga ekspozimi
i shkurtër i ndotjes për të cilën duhet të ndërmerrën masat e menjëhershme;
1.22. Margjina e tolerancës - përqindja e vlerës kufitare e cila vlerë mund të tejkalohet sipas
kushteve të përcaktuara me akte nënligjore;
1.23. Pragu i informimit - vlera përtej së cilës ekziston rreziku për shëndetin e njeriut nga
ekspozimi i shkurtër, në veçanti për pjesën e popullatës së ndjeshme, për të cilën është i
nevojshëm informimi i menjëhershëm;
1.24. Zona - pjesë e territorit ku janë të përcaktuar kufijtë me qëllim të vlerësimit dhe menaxhimit
të cilësisë së ajrit;
1.25. Zona me mbrojtje të veçantë - zona e përcaktuar nga ministria dhe pushteti lokal (komuna)
që i tejkalojnë normat e cilësisë së ajrit dhe që kërkojnë mbrojtje të veçantë të cilësisë së ajrit;
1.26. Aglomerati - zona ku dëndësia e popullatës, tejkalon dyqind e pesëdhjetë mijë (250. 000)
banorë ose ka dyqind e pesëdhjetë mijë (250. 000) banorë ose më pak, që arsyeton nevojën për
vlerësimin dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit mjedisor;
1.27. Gazrat serre - gazrat në atmosferë që absorbojnë dhe emitojnë rrezatim brenda spekrit
infrakuq(termik).
1.28. Kundërmimet - vetitë e aromës të cilat me shqisën e të nuhaturit shkaktojnë ndikim negativ
në shëndetin e njeriut;
1.29. Bashkëdyzimet organike të avullueshme - BOA - bashkëdyzime organike që në
293.15K, dhe në shtypje të avullit prej 0.01kPA ose më shumë, kanë avullim në kushte të
caktuara;
3
1.30. Impiant - bashkësia e pajisjeve të caktuara për kryerjen e procesit të caktuar;
1.31. Burim - çfarëdo burim i shkarkimit të substancave në ajër duke përfshirë burimet e
palëvizshme nga industria, amvisëria si dhe burimet e lëvizshme siç janë automjetet, burimet
pikore dhe difuzive;
1.32. Inspektori - Inspektori i Mbrojtjes së Mjedisit;
1.33. Ministria - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
1.34. Ministri - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor;
1.35. BE - Bashkimi Evropian.
TREGUESIT E CILËSISË SË AJRIT
Neni 3
Treguesit bazë mjedisorë
1. Treguesit bazë mjedisor të cilësisë së ajrit që shprehin përqendrimin në ajër të lëndëve të gazta, të
ngurta dhe të lëngëta, janë:
1.1. dyoksidi i sulfurit;
1.2. monoksidi i karbonit;
1.3. ozoni;
1.4. metalet e rënda (plumbi, merkuri, arseni, kadmiumi, nikeli dhe bashkë dyzimet e tyre);
1.5. oksidet e azotit;
1.6. halogjenët;
1.7. hidrokarburet (benzeni);
1.8. PM10, PM 2.5, PM1.
2. Treguesit tjerë mjedisor të cilësisë së ajrit me akt të veçantë nënligjor i përcakton ministria dhe i njofton
subjektet fizike dhe juridike.
3. Treguesit tjerë mjedisor të cilësisë së ajrit për zona të veçanta dhe në varësi të natyrës së shkarkimeve
në ajër, i përcakton Qeveria me akt nënligjor me propozim të ministrisë.
Neni 4
Përcaktimi i normave dhe standardeve të cilësisë së ajrit
1. Vlerat kufitare të cilësisë së ajrit, vlerat e synuara, pragjet e alarmit për materiet ndotëse dhe data e
hyrjes së tyre në fuqi, i përcakton Qeveria me akt nënligjor me propozim të ministrisë.
2. Për të garantuar mbrojtjen e cilësisë së ajrit, prodhuesit, importuesit, eksportuesit, transportuesit,
tregtarët dhe përdoruesit komercial të pajisjeve, prodhimeve, materialeve dhe substancave që ndotin ajrin,
janë të detyruar ti përmbahen legjislacionit vendor.
PËRCAKTIMI I NORMAVE DHE STANDARDEVE TË EMISIONEVE
4
Neni 5
Burimet e ndotjes dhe klasifikimi i tyre
1. Burimet e ndotjes së ajrit janë:
1.1. burimet e palëvizshme, të cilat përfshijnë impiantet teknologjike që kanë pajisje të
palëvizshme për djegien e lëndëve të ndezshme, pajisjet për procese teknologjike, mihjet
sipërfaqësore, zona me vetëndezje, veprimtaritë ku puna që kryhet mund të shkaktojë ndotje të
ajrit, magazinimet e lëndëve të djegshme, për lëndë të para, për produkte dhe mbetje;
1.2. burimet e lëvizshme të ndotjes që emitojnë ndotje në lëvizje;
1.3. burimet e vogla të ndotjes cilësohen pajisjet për procese teknologjike, që nuk përfshihen në
burimet tjera të ndotjes, veprimtaritë që shkaktojnë ndotjen e ajrit, magazinimet e karburanteve, të
lëndëve djegëse, të lëndëve të para, të mbetjeve dhe ndotësve të grumbulluar;
1.4. burimet difuzive përfshijnë pajisjet, sipërfaqet dhe hapësirat tjera nga të cilat materiet ndotëse
përhapen lirshëm, në ajër pa pasur tymtar apo mjete tjera të shkarkimit.
2. Qeveria me propozim të ministrisë do të rregullon me akte nënligjore çështjet e administrimit të
burimeve të reja të ndotjes deri më tani të panjohura.
Neni 6
Vlerat kufitare të emisioneve
Qeveria me propozim të ministrisë i përcakton vlerat kufitare të emisioneve (VKE) në ajër, konform
standardeve të BE dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Neni 7
Vlerat e Përkohshme Kufitare të Emisionit
1. Për burimet ekzistuese të ndotjes së ajrit, që funksionojnë edhe pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji, kur niveli
i teknikës dhe teknologjisë nuk lejon të zbatohen VKE sipas këtij ligji mund të zbatohen vlerat e
përkohshme kufitare të emisioneve.
2. Vlerat e përkohshme kufitare të emisioneve, mënyra e vendosjes, dhe kohëzgjatja e zbatimit të tyre,
miratohen me akt të veçantë nga Qeveria me propozimin e ministrisë.
3. Operatorët të cilët punojnë në bazë të dispozitave ligjore nga paragrafit 1. dhe 2. të këtij neni janë të
detyruar t`i zbatojnë standardet e përkohshme nga paragrafi 1. i këtij neni.
NDOTËSIT E AJRIT
Neni 8
Detyrimet e përgjithshme të burimeve të ndotjes
1. Çdo person juridik dhe fizik, duhet ta ruaj cilësinë e ajrit, ta mbrojë atë nga ndotjet e shkaktuara gjatë
veprimtarisë që ushtrohen në territorin e Republikës së Kosovës dhe detyrohet të:
1.1. monitoron emisionet;
1.2. minimizoj emisionin e ndotësve dhe kundërmimeve;
1.3. mos tejkaloj vlerat kufitare të emisionit.
2. Ndalohet djegia e lëndëve të tjera, të ndryshme nga:
2.1. ato të përcaktuara në lejen e përdorimit të objektit, nga prodhuesi i pajisjes, të prodhimit dhe
të tregtimit të lëndëve djegëse;
5
2.2. lëndët djegëse të përcaktuara me parametrat teknik ose me masat tekniko-organizative për
vënien në përdorim të burimeve të ndotjes.
3. Për ndërtimin e impianteve të reja dhe renovimin e impianteve ekzistuese, duhet të përdoren
teknologjitë më të mira të mundshme.
Neni 9
Detyrimet e veçanta të operatorëve të burimeve të ndotjes
1 Operatorët e burimeve të ndotjes detyrohen:
1.1. t’i përdorin këto burime vetëm sipas kushteve teknike dhe kushteve të vëna në lejen e
integruar ose lejen mjedisore;
1.2. të përgatisin rregullore teknike për funksionim e burimeve të ndotjes;
1.3. të kryejnë monitorimin e shkarkimeve në ajër dhe të dhënat të dërgohen në Ministri sipas
rregullave të parapara me akt të veçantë të cilin e nxjerr Ministria.
2. Operatorët e burimeve të ndotjes duhet të përgatisin listën e parametrave teknikë, operacionalë dhe
masat tekniko-organizative, për burimet e ndotjes.
Neni 10
Impiantet me djegie dhe impiantet tjera industriale
1. Dispozitave të këtij ligji i nënshtrohen impiantet me djegie me fuqi termike të barabartë ose më të
madhe se 50MWt.
2. Ministria mund të lejojë tejkalimin e përkohshëm të VKE për reparte të veçanta me djegie, të cilat
shfrytëzojnë lëndën djegëse të ngurtë.
3. Tejkalimi i përkohshëm i VKE nuk duhet të zgjatë më tepër se gjashtë (6) muaj dhe nuk mund të jetë dy
(2) herë më i lartë se VKE.
4. Qeveria me propozim të Ministrisë, me akt të veçantë, përcakton VKE dhe kërkesat për monitorim të
ndotësve për sektorët industrial.
Neni 11
Impiantet për djegien e mbeturinave
VKE për impiantet për djegien e mbeturinave i përcakton me akt të veçantë Qeveria me propozim të
Ministrisë, në pajtim me këtë ligj.
Neni 12
Lartësia e pajisjeve shkarkuese
1. Lartësia e pajisjeve shkarkuese varësisht nga kapaciteti, caktohet rast pas rasti, në lejen e integruar
ose lejen mjedisore.
2. Pajisjet shkarkuese të burimeve të ndotjes duhet të kenë lartësi të tillë, që vlera e treguesit mjedisor të
gjendjes së ajrit të mos tejkalojë kufirin e lejuar të cilësisë për një ndotës të dhënë.
Neni 13
Burimet e lëvizshme të ndotjes
1. Operatorët e burimeve të lëvizshme të ndotjes duhet t’i:
1.1 përdorin dhe t’i mirëmbajnë ato në përputhje me kushtet e përcaktuara nga prodhuesit e tyre,
në pajtim me standardet e emisioneve;
6
1.2. të respektojnë masat që përcakton Ministria dhe pushteti lokal për zonat që kërkojnë mbrojtje
të veçantë të cilësisë së ajrit.
2. Prodhuesit dhe importuesit e burimeve të lëvizshme, duhet të prodhojnë dhe importojnë vetëm ato
mjete dhe pajisje që plotësojnë normat e shkarkimeve në ajër.
3. Burimet e lëvizshme me motorë me djegie të brendshme i nënshtrohen kontrollit të shkarkimeve të
gazeve ndotës, sipas rregullave që i përcakton Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit.
Neni 14
Normat e emisioneve nga burimet e lëvizshme
1. Normat e emisioneve për burimet e lëvizshme, përcaktohen mbi bazën e treguesve mjedisorë të
trysnisë në gazrat e shkarkuara nga këto burime, të cilat janë: përqendrimi i grimcave PM10, PM2.5,
monoksidit të karbonit, oksideve të azotit, hidrokarbureve, plumbit dhe sulfur dioksidit.
2. Normat e emisioneve nga burimet e lëvizshme i përcakton Qeveria me akt të veçantë me propozim të
Ministrisë.
Neni 15
Burimet e vogla të ndotjes
1. Dispozitat e këtij Ligji nuk zbatohen për emisionet në ajër nga aktivitetet shtëpiake dhe burimet e vogla
të ndotjes, fuqia termike e të cilave është më e vogël se 250 KW.
2. Ngrohtoret e qytetit nuk konsiderohen si burime shtëpiake.
3. Ministria me akt të veçantë në pajtim me këtë ligj përcakton VKE dhe kërkesat për monitorim të
ndotësve nga burimet e vogla të ndotjes.
Neni 16
Përmbajtja e sulfurit në lëndën djegëse
1. Vajrat e rënda tek të cilat përmbajtja e sulfurit e tejkalon një perqind (1%) të masës nuk mund të
shfrytëzohen si lëndë djegëse për impiante për djegie prej 1 janar 2014.
2. Qeveria me propozim të Ministrisë me akt te veçantë, përcakton përmbajtjen e lejuar te sulfurit ne
vajrat dhe lëndët djegëse nga paragrafit 1. i këtij neni.
3. Kufizimet nga paragrafi 1 të këtij neni nuk aplikohen për:
3.1. lëndët djegëse të destinuara për përpunim para djegies finale;
3.2. lëndët djegëse që përpunohen në industrinë e rafinerisë.
4. Lëndët djegëse për automjete duhet të jenë në pajtim me standarde të cilësisë të cilat janë të
përcaktuara me akt nënligjor nga Qeveria me propozim të Ministrisë.
Neni 17
Deponimi i lëndëve djegëse, naftës dhe derivateve te naftës
1. Dispozitat e këtij ligji aplikohen në objektet, impiantet, automjetet dhe pajisjet që shfrytëzohen për
deponim, ngarkim dhe transportim të karburanteve nga një terminal në tjetër ose nga terminali kryesor deri
te stacioni i karburanteve.
2. Objektet, impiantet, automjetet dhe pajisjet duhet të projektohen dhe shfrytëzohen në mënyrë që:
2.1. mbetjet e avullit duhet të mbahen në kontejner për derisa kryhet shkarkimi në terminal;
7
2.2. t`i pranojnë dhe mbajnë avujt kthyes nga terminali i Stacionit të karburanteve ose në
terminalin kryesor.
3. Dispozitat nga paragrafi 1. dhe 2. të këtij neni Qeveria në propozim të Ministrisë do të rregullohen me
akt të veçantë.
Neni 18
Bashkëdyzimet organike të avullueshme (BOA)
1. Qeveria në propozim të Ministrisë me akt të veçantë përcakton:
1.1. VKE për BOA;
1.2. substancat apo preparatet të cilat për shkak të përmbajtjes së BOA, klasifikohen si
kancerogjene, mutagjene, apo toksike për riprodhim biologjik.
2. Çdo person fizik dhe juridik duhet të i përmbahet VKE, të përcaktuara në paragrafin 1. nën paragrafi
1.1. të këtij neni.
3. Substancat nga paragrafi 1. nën paragrafi 1.2. i këtij neni duhet të zëvendësohen me substanca ose
preparate sipas legjislacionin të BE, më se voni deri në vitin 2017.
Neni 19
Mbrojtja e shtresës së ozonit
1. Mbrojtja e shtresës së ozonit ka të bëjë me substancat që e dëmtojnë shtresën e ozonit, prodhimet dhe
pajisjet që i përmbajnë këto substanca.
2. Kushtet, detyrimet dhe procedura për zvogëlimin deri në eliminim gradual të përdorimit të substancave
që e dëmtojnë shtresën e ozonit dhe zëvendësimi i tyre me substanca alternative që kanë ndikim më pak
të dëmshëm në mjedis dhe procedura për përdorim të prodhimeve që përmbajnë ose janë të përbëra nga
substancat që dëmtojnë mbështjellësin e ozonit Qeveria në propozim të Ministrisë i përcakton me akt të
veçantë.
3. Ministria mban evidencën për eksport, import dhe konsumim të substancave që e dëmtojnë
mbështjellësin e ozonit dhe paraqet raportin Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe institucioneve të BE-
së.
Neni 20
Gazrat serë
1. Pengimi dhe zvogëlimi i ndotjes së ajrit i cili ndikon në ndryshimin e klimës zbatohet me:
1.1. monitorimin e emisioneve të gazrave serë dhe zvogëlimin e sasisë së këtyre gazrave;
1.2. stimulimin për zbatimin e masave të zhvillimit të pastër.
2. Me qëllim të zbatimit të masave nga paragrafi i 1. i këtij neni përpilohet kadastri i emisioneve të
gazrave serë.
3. Kadastrin nga paragrafi 2. i këtij neni, e udhëheq Ministria.
4. Të dhënat nga kadastri i emisioneve të gazrave serë duhet të jenë publike.
5. Qeveria me akt të veçantë, me propozim të Ministrisë përcakton mënyrën dhe metodologjinë e
përcjelljes së emisioneve të gazrave serë dhe zvogëlimin e sasisë së këtyre gazrave.
8
Neni 21
Masat për zhvillim të pastër
1. Stimulimi i zbatimit të masave të zhvillimit të pastër nga neni 20. paragrafi 1. nën paragrafi 1.2. të këtij
Ligji sigurohet me zbatimin e programeve dhe projekteve për investimin e mjeteve në:
1.1. zhvillimin dhe shfrytëzimin e teknologjive, me të cilat parandalohet dhe zvogëlohet sasia
totale e emisioneve të gazrave serë në Republikën e Kosovës;
1.2. stimulimin e përdorimit të teknologjive të pastërta dhe shfrytëzimi i burimeve të ripërtritshme
të energjisë;
1.3 rritjen e efiçiencës së energjisë në degët e ndryshme ekonomike;
14. aktivitetet, proceset dhe mekanizmat me të cilat zvogëlohen emisionet e gazërave serë në
atmosferë.
2. Kriteret, kushtet dhe procedurat për stimulimin e masave të zhvillimit të pastër i përcakton Qeveria me
akt të veçantë me propozim të ministrisë.
3. Miratimin e programeve dhe projekteve nga paragrafi 1. i këtij neni në pajtim me kriteret e përcaktuara,
e bënë Ministria në koordinim me Qeverinë dhe në bashkëpunim me organizatat tjera relevante.
4. Programet dhe projektet nga paragrafi 1. i këtij neni të miratuara nga Qeveria i nënshtrohen verifikimit
dhe miratimit, të cilat bëhen në kuadër të mekanizmave të përcaktuara në marrëveshje ndërkombëtare për
ndryshimet klimatike.
5. Vendimet rreth miratimit të programeve dhe projekteve bëhen publike në afat prej pesë (5) ditë pune.
Neni 22
Kadastri i emisioneve
1. Të gjithë operatorët që emitojnë ndotës në ajër, komunat dhe institucionet profesionale, duhet t`i
raportojnë Ministrisë, informacionet për ndotjen e ajrit në përputhje me ligj.
2. Rregullat, procedurat dhe afatet e raportimit i përcakton Ministria me akt të veçantë.
3. Ministria përgatit kadastrën e emisioneve në nivel vendi, komune dhe për burimet individuale të ndotjes.
Një kopje e kadastrës i dërgohet Entit të Statistikës të Republikës së Kosovës.
ZONAT ME MBROJTJE TË VEÇANTË
Neni 23
Dispozitat e përgjithshme
1. Territoret e kufizuara të cilat tejkalojnë normat e cilësisë së ajrit, me propozimin e Ministrisë, shpallen
nga Qeveria si zona që kërkojnë mbrojtje të veçantë të ajrit nga ndotja dhe bëhen publike.
2. Për zonat me mbrojtje të veçantë, Ministria dhe administrata lokale përkatëse, do të përcaktojnë masa
të veçanta për mbrojtjen e cilësisë së ajrit.
3. Për të stabilizuar dhe përmirësuar cilësinë e ajrit, operatorët duhet të zhvillojnë dhe aplikojnë masat
preventive.
4. Operatorët duhet të informojnë në mënyrë periodike Ministrinë, publikun dhe autoritetet lokale për
masat preventive të aplikuara.
9
Neni 24
Masat për tejkalimin e pragut të alarmit dhe cilësinë e dobët të ajrit
1. Kur pragu i alarmit tejkalohet dhe përcaktohet cilësi e dobët e ajrit, Ministria përcakton masat
paralajmëruese dhe informon Qeverinë, autoritetet relevante lokale dhe publikun.
2. Për parashikimin dhe paralajmërimin e gjendjes së smogut ose situatave me cilësi të dobët të ajrit,
Qeveria me propozim të Ministrisë, me akt të veçantë, përcakton masat për rregullimin e sistemit special
paralajmërues.
3. Në raste emergjente, për të normalizuar gjendjen, masat e ndërmarra duhet të koordinohen nga
Ministria, Qeveria dhe autoritetet lokale-komunat.
4. Ministria përcakton masat për rregullimin, ndaljen dhe kufizimin e shkarkimit në ajër nga burimet e
ndotjes.
5. Autoritetet lokale në bashkëpunim me Ministrinë, duhet të ndërmarrin masa emergjente për të
normalizuar gjendjen e cilësisë së ajrit.
6. Autoriteti lokal përcakton masat për rregullimin, ndaljen dhe kufizimin e burimeve të emisioneve të
ndotësve në ajër.
7. Për të zvogëluar ndotjen dhe përmirësuar cilësinë e ajrit, operatorët duhet t’i zhvillojnë dhe aplikojnë
masa preventive.
8. Operatorët duhet të ndërmarrin masat emergjente, për të normalizuar gjendjen e cilësisë së ajrit.
9. Operatorët duhet të informojnë në mënyrë periodike Ministrinë, publikun dhe autoritetet lokale për
masat preventive të aplikuara për zvogëlimin e ndotjes.
NJOFTIMI PËR NDOTJEN E AJRIT
Neni 25
Informimi i publikut
1. Ministria, siguron që informatat e përditësuara për përqendrimin e materieve ndotëse në ajër të jenë në
dispozicion të publikut dhe organizatave të interesuara.
2. Informimi i publikut bëhet se paku një herë në muaj përmes mediave elektronike dhe të shkruara.
Neni 26
Shkëmbimi i informatave
1. Ministria shkëmben informatat për cilësinë e ajrit dhe emisionet me organizatat ndërkombëtare dhe
shtetet tjera në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.
2. Mënyrën dhe afatet për shkëmbimin e informatave, me organet relevante, organizatat dhe BE, Ministria
e bënë sipas akteve ligjore të BE.
PAJISJA ME LEJE MJEDISORE E VEPRIMTARIVE QË NDOTIN AJRIN
Neni 27
Leja mjedisore për ndotësit e ajrit
10
1. Personat fizik dhe juridik vendas ose të huaj për të cilët nuk kërkohet leja e integruar, duhen të pajisen
me leje mjedisore nga Ministria në bashkëpunim me pushtetin lokal për:
1.1 ndërtimin dhe shfrytëzimin e burimeve të ndotjes, si dhe për ndryshimet e tyre të
mëvonshme;
1.2. ndryshime të standardeve teknike dhe normave të shkarkimeve në ajër nga burime të
ndryshme ndotjeje, kur zbatimi i tyre cenon cilësinë e ajrit;
1.3. ndërtimin e burimeve të ndotjes, kur dokumentacioni i tij nuk miratohet, sipas një tipi standard
ose projekt modeli;
1.4. zëvendësimin e lëndëve djegëse dhe të lëndëve të para, që përdor burimi ndotës;
1.5. prodhimin, importin dhe tregtimin e lëndëve djegëse, pajisjeve fikse, materialeve dhe
produkteve, që ndotin ose mund të ndotin ajrin;
1.6. ndryshimin e parametrave teknik, operacional dhe të masave tekniko-organizative të burimit
të ndotjes.
1.7. ndryshimin e veprimtarisë që dallon nga ajo bazë.
Neni 28
Planifikimi i mbrojtjes së ajrit nga ndotja
1. Planifikimi i mbrojtjes së ajrit nga ndotja bazohet në:
1.1. Strategjinë e cilësisë së ajrit;
1.2. Planin e veprimit për cilësinë e ajrit;
1.3. Planet lokale të veprimit për cilësinë e ajrit;
1.4. Raportet për zbatimin e planeve për cilësinë e ajrit.
Neni 29
Strategjia e cilësisë së ajrit
Strategjia e cilësisë së ajrit përcakton politikën e mbrojtjes dhe menaxhimin e cilësisë së ajrit për
periudhën dhjetë (10) vjeçare, të cilën e harton Ministria dhe e miraton Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Neni 30
Plani i veprimit për cilësinë e ajrit
Plani i veprimit për cilësinë e ajrit përcakton veprimet për përmirësimin e cilësisë së ajrit për periudhën
dhjetë (10) vjeçare, të cilin e harton Ministria dhe e miraton Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Neni 31
Planet lokale të veprimit për cilësinë e ajrit
1. Planet lokale të veprimit për cilësinë e ajrit definojnë politikën, menaxhimin e cilësisë së ajrit për
periudhën pesë (5) vjeçare dhe veprimet përbrenda territorit të komunës, në harmoni me Strategjinë e
cilësisë së ajrit.
2. Planet lokale të veprimit për cilësinë e ajrit janë pjesë integrale e planeve lokale për mjedis.
3. Raporti për zbatimin e planit shqyrtohet nga Kuvendet e Komunave.
Neni 32
11
Raportet për zbatimin e planeve
1. Raporti për realizmin e planeve të parashikuara me Strategjinë e cilësisë së ajrit i prezantohet Kuvendit
të Kosovës nga ana e Qeverisë së paku njëherë në vit.
2. Raporti përmban të dhënat për cilësinë e ajrit, ndotësit, tendencat e zhvillimit të emisioneve të ndotësve
të regjistruar në kadastër të emisioneve, matjet lidhur me përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe rezultatet nga
matjet.
MONITORIMI DHE MBIKËQYRJA INSPEKTIVE
Neni 33
Monitorimi
1. Monitorimi i cilësisë së ajrit bëhet nga Ministria, e cila siguron monitorimin e përhershëm të cilësisë së
ajrit dhe ndikimin në mjedis dhe shëndetin e popullatës.
2. Raportet e monitorimit bëhen publike.
3. Ministria me akt të veçantë, përcakton kriteret për caktimin e pikave monitoruese, numrin dhe
shpeshtësinë e matjeve, klasifikimin e ndotësve të cilët monitorohen, metodologjinë e punës si dhe formën
dhe kohën e raportimit të të dhënave.
4. Subjektet të cilat shkaktojnë ndotjen e ajrit janë të detyruar të organizojnë sistemin e monitorimit intern,
me qëllim të përcjelljes së shkallës së ndotjes.
Neni 34
Mbikëqyrja inspektive
1. Gjatë mbikëqyrjes inspektive për mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, me shfrytëzim edhe të
laboratorëve mobil, inspektori rregullisht mbikëqyrë:
1.1. zbatimin e masave mbrojtëse të definuara në procedurën e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis;
1.2. punën e pajisjeve të repartit dhe pajisjeve mbrojtëse në burimet e ndotjes;
1.3. përmbushjen e VKE dhe zbatimin e masave mbrojtëse;
1.4. zbatimin e matjeve të emisionit dhe hartimin e raportit;
1.5. zbatimin e programeve sanuese dhe programeve për mbrojtjen dhe përmirësimin e
cilësisë së ajrit;
1.6. zbatimin e masave për zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
FINANCIMI PËR MBROJTJEN DHE PËRMIRËSIMIN E CILËSISË SË AJRIT DHE INSTRUMENTET
EKONOMIKE
Neni 35
Financimi i mbrojtjes së ajrit nga ndotja
1. Mjetet e nevojshme për mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit sigurohen nga Buxheti i
Republikës së Kosovës, nga të hyrat e qeverisë lokale, donacionet, apo kreditë në pajtim me ligj.
2. Mjetet nga paragrafi 1. i këtij neni përdoren për:
2.1. hartimin dhe zbatimin e programeve dhe masave për parandalimin apo zvogëlimin e nivelit të
ndotjes së ajrit;
12
2.2. mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të popullatës, atëherë kur tejkalohen standardet;
2.3. për përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara me akte ndërkombëtare për mjedis;
2.4. për hulumtime shkencore ose aktivitete të nevojshme për zbatimin e dispozitave të këtij Ligji.
3. Kriteret, kushtet dhe procedurat për projektet nga paragrafi 2 i këtij neni i përcakton Qeveria me akt të
veçantë me propozim të ministrisë.
Neni 36
Tarifat për shkarkimet në ajër
Qeveria me propozim të ministrisë cakton tarifat, që drejtpërdrejt lidhen me ndotjen reale apo të vlerësuar
të ajrit, për ato nivele që janë të lejueshme për Republikën e Kosovës.
Neni 37
Ndihma ekonomike
Me propozim të Ministrisë, Qeveria mund të ofrojë subvencione, mbështetje të tjera financiare dhe masa
të ngjashme, për personat fizik dhe juridik, vendas dhe të huaj, për stimulimin e aktiviteteve që përdorin
teknologji të pastër dhe aktivitete të cilat kontribuojnë në zvogëlimin e ndotjes së ajrit.
DISPOZITAT NDËSHKUESE
Neni 38
1. Me gjobë në të holla në lartësi prej pesëmbëdhjetë mijë (15.000) deri në pesëdhjetë mijë (50.000) euro
dënohet për kundërvajtje personi juridik nëse:
1.1. prodhuesit, importuesit, eksportuesit, transportuesit, tregtarët dhe përdoruesit komercial të
pajisjeve, prodhimeve, materialeve dhe substancave që ndotin ajrin, nuk i përmbahen legjislacionit
vendor. (neni 4 paragrafi 2. i këtij ligji);
1.2. nuk i zbaton standardet (neni 7 paragrafi 3. i këtij ligji);
1.3. djeg lëndët në kundërshtim me nenin 8 paragrafi 2. i këtij ligji;
1.4. nuk i përmbushë detyrimet nga neni 9 i këtij ligji;
1.5. lejon tejkalimin e përkohshëm të VKE më tepër se gjashtë (6) muaj dhe dy herë më të larta se
VKE (neni 10 paragrafi 3. i këtij ligji);
1.6. nuk i përmbahet detyrimeve nga neni 12 i këtij ligji;
1.7. nuk prodhon dhe importon mjete dhe pajisje që i plotësojnë normat e shkarkimeve në ajër
(neni 13 paragrafi 2 i këtij ligji);
1.8. shfrytëzon vajrat e rënda si lëndë djegëse (neni 16. paragrafi 1. i këtij ligji);
1.9. nuk i përmbahet detyrimeve nga neni 17 paragrafi 2. i këtij ligji;
1.10. nuk i përmbahet detyrimeve nga akti i veçantë nënligjor nga neni 18 i këtij ligji,
1.11. nuk i përmbahet detyrimeve nga akti i veçantë nënligjor nga neni 19 paragrafi 2. i këtij ligji;
1.12. nuk i përmbahet detyrimeve nga akti i veçantë nënligjor nga neni 20 paragrafi 5. i këtij ligji;
1.13. nuk i raportojnë Ministrisë të dhënat për ndotjen e ajrit (neni 22 paragrafi 1 i këtij ligji);
13
1.14. nuk zhvillon dhe aplikon masa preventive për përmirësimin e cilësisë së ajrit (neni 23
paragrafi 3. i këtij ligji);
1.15. nuk informon në mënyrë periodike Ministrinë, publikun dhe autoritetet lokale për masat
preventive (neni 23 paragrafi 4. i këtij ligji);
1.16. nuk zhvillon dhe ndërmerr masa preventive (neni 24 paragrafi 7. i këtij ligji);
1.17. nuk ndërmerr masa emergjente për normalizimin e gjendjes së cilësisë së ajrit (neni 24
paragrafi 8. i këtij ligji);
2. Me gjobë në të holla në lartësi prej pesëqind (500) deri në dy mijë (2.000) Euro dënohet për
kundërvajtje nga paragrafi 1 i këtij neni personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik.
Neni 39
1. Me gjobë në të holla në lartësi prej tre mijë (3.000) deri në dhjetë mijë (10.000) Euro dënohet për
kundërvajtje personi juridik nëse:
1.1. nuk ruan cilësinë e ajrit dhe nuk e mbron atë nga ndotjet e shkaktuara nga veprimtaria që
ushtron në territorin e Republikës së Kosovës (neni 8 paragrafi 1.2 dhe 1.3 i këtij ligji);
1.2. nuk i përmbahen detyrimeve nga neni 13 paragrafi 1 i këtij ligji;
1.3. nuk i përmbahen detyrimeve nga akti i veçantë nënligjor sipas nenit 14 paragrafi 2. i këtij ligji;
2. Me gjobë në të holla në lartësi prej treqind (300) deri në një mijë (1.000) Euro dënohet për kundërvajtje
nga paragrafi 1. i këtij neni personi fizik dhe personi përgjegjës i personit juridik.
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 40
Dispozitat përfundimtare
1. Qeveria dhe Ministria në afat prej tetëmbëdhjetë (18) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet
t`i nxjerrin dispozitat për të cilat janë të autorizuara me këtë ligj.
Neni 41
Dispozitat shfuqizuese
Ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja (Ligji nr. 2004/30/
Rregullorja nr. 2004/48).
Neni 42
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-160
25 shkurt 2010
Shpallur me dekretin Nr. DL-012-2010, datë 12.03.2010 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.