LIGJI NR. 03/L-159 PËR AGJENCINË KUNDËR KORRUPSIONIT

1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI V / Nr. 65 / 05 SHKURT 2010


Ligji nr. 03/L- 159

PËR AGJENCINË KUNDËR KORRUPSIONIT



Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton


LIGJ PËR AGJENCINË KUNDËR KORRUPSIONIT


KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1
Qëllimi i ligjit

Ky ligj përcakton statusin dhe përgjegjësitë e Agjencisë kundër Korrupsionit në fushën e luftimit dhe
parandalimit të korrupsionit, veçanërisht në fushën e raportimit, zbulimit dhe hetimit të korrupsionit,
zbatimit të Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit.

Neni 2
Përkufizimet

1. Për qëllime të këtij ligji termet e përdorura kanë këtë kuptim:

1.1. Agjencia - Agjencia kundër Korrupsionit.

1.2. Komisioni - Komisioni Parlamentar Mbikëqyrës.

1.3. Korrupsion – çdo keqpërdorim të pushtetit apo çdo sjellje tjetër të personit zyrtar, personit
përgjegjës apo personit tjetër me qëllim të arritjes së një përparësie apo përftimi të
kundërligjshëm për veten apo për tjetrin.

1.4. Person zyrtar - personi zyrtar të definuar në Kodin penal të Kosovës.

1.5. Person përgjegjës - personi përgjegjës të definuar në Kodin penal të Kosovës.


KREU II
AGJENCIA KUNDËR KORRUPSIONIT

Neni 3
Statusi i Agjencisë

Agjencia është organ i pavarur dhe i specializuar për zbatimin e politikave shtetërore për luftimin dhe
parandalimin e korrupsionit në Kosovë.

2
Neni 4
Buxheti i Agjencisë

1. Me propozim të Agjencisë, Kuvendi i Kosovës aprovon buxhetin vjetor të Agjencisë.

2. Agjencia vendosë në mënyrë të pavarur për përdorimin të buxhetit.

Neni 5
Kompetencat e Agjencisë

1. Agjencia ka kompetencat e mëposhtme:

1.1. inicion dhe zhvillon procedurën e zbulimit dhe hetimit paraprak të korrupsionit dhe përcjellë
kallëzime penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente, nëse
për të njëjtin rast nuk zhvillohet procedurë penale;

1.2. bashkëpunon me institucionet vendore, të huaja dhe ndërkombëtare që kanë për mision
parandalimin dhe luftimin e korrupsionit;

1.3. në bashkëpunim me Komisionin, Qeverinë, institucionet e tjera dhe me organizatat
joqeveritare, harton strategjinë kundër korrupsionit dhe planin e veprimit;

1.4. monitoron dhe mbikëqyrë zbatimin e Strategjisë kundër Korrupsionit dhe planin e veprimit;

1.5. mbikëqyr dhe parandalon rastet e konfliktit të interesit dhe ndërmerr masat e parapara me
ligj të veçantë;

1.6. mbikëqyr pasuritë e zyrtarëve të lartë publik dhe personave të tjerë, siç parashihet me ligj
të veçantë;

1.7. mbikëqyr pranimin e dhuratave që kanë të bëjnë me kryerjen e detyrës zyrtare dhe
ndërmerr masat e parapara me ligj;

1.8. bashkëpunon me autoritetet publike kompetente për hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e
legjislacionit në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit;

1.9. përfaqësohet në takime ndërkombëtare që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e
korrupsionit si dhe merr pjesë në procesin e negociatave për lidhjen e marrëveshjeve bilaterale
dhe multilaterale apo miratimin e instrumenteve ligjore ndërkombëtare kundër korrupsionit;

1.10. bashkëpunon me institucionet kompetente të Republikës së Kosovës për realizimin e
detyrimeve që dalin nga aktet ndërkombëtare kundër korrupsionit dhe ofron rekomandime për
përmbushjen e detyrimeve të tyre;

1.11. merr pjesë dhe ofron këshilla për hartimin e kodit të etikës në sektorin publik dhe privat;

1.12. ofron opinione në lidhje me konfliktin e interesit dhe mbikëqyrjen e dhuratave që kanë të
bëjnë me kryerjen e detyrës zyrtare;

1.13. ofron sqarime në lidhje me mënyrën e deklarimit të pasurisë dhe çështje tjera nga
fushëveprimi i Agjencisë;

1.14. mbledh, analizon dhe publikon të dhënat statistikore ose të dhëna të tjera në lidhje me
gjendjen e korrupsionit në Kosovë;

1.15. bashkëpunon me institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile për ngritjen e vetëdijes së
publikut lidhur me korrupsionin;
3

1.16. i raporton Kuvendit një herë në vit dhe Komisionit çdo gjashtë (6) muaj për punën e
Agjencisë. Komisioni mund të kërkojë raporte edhe më të shpeshta nga Agjencia.

1.17. përgatit dhe propozon buxhetin vjetor të Agjencisë.

Neni 6
Pagat dhe kompensimet

1. Pagat dhe shtesat për nëpunësit e Agjencisë bazohen në kushtet e veçanta nën të cilat ata i kryejnë
detyrat dhe funksionet.

2. Pagat themelore dhe çdo shtesë për nëpunësit e Agjencisë përcaktohet dhe paguhet në përputhje me
procedurat e përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Neni 7
Drejtori i Agjencisë

1. Agjencia udhëhiqet nga Drejtori.

2. Drejtori i Agjencisë nuk mund ta ushtrojë asnjë funksion që paraqet konflikt interesi me funksionin e tij
sipas ligjit në fuqi.

Neni 8
Procedura e zgjedhjes së drejtorit

1. Komisioni gjashtë (6) muaj para skadimit të mandatit të Drejtorit të Agjencisë informon Kuvendin e
Kosovës në mënyrë që të fillojë procedurën për zgjedhjen e Drejtorit të ri.

2. Kuvendi i Kosovës, në pajtim me Rregulloren e punës, zgjedh Drejtorin e Agjencisë në bazë të
konkursit të hapur.

3. Kandidati për Drejtor të Agjencisë duhet të plotësojë kushtet e mëposhtme:

3.1. të jetë shtetas i Republikës së Kosovës dhe të ketë vendbanim të përhershëm në Kosovë;

3.2. të këtë së paku diplomë universiteti katërvjeçar ose master;

3.3. të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale;

3.4. të ketë integritet të lartë moral;

3.5. të ketë së paku pesë (5) vite përvojë pune profesionale.

4. Komisioni menaxhon procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve më të mirë, dy prej të cilëve ia
propozon Kuvendit të Kosovës për votim.

5. Kuvendi i Kosovës me votim të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë të votave zgjedh njërin prej
kandidatëve të propozuar.

6. Drejtori zgjidhet për mandat pesë (5) vjeçar dhe mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat tjetër.

Neni 9
Paga e drejtorit

Drejtori i Agjencisë ka një pagë në lartësinë e pagës së Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Kuvendit të
Kosovës.
4


Neni 10
Përfundimi i Mandatit të drejtorit

1 Funksioni i Drejtorit të Agjencisë përfundon :

1.1. me përfundimin e mandatit të paraparë me këtë ligj;

1.2. me humbjen e përhershme të aftësisë për të kryer funksionin e tij;

1.3. me dorëheqje;

1.4. nëse me vendim të plotfuqishëm gjyqësor është dënuar për vepër penale, për të cilën ligji
parasheh dënimin mbi 6 muaj burgim;

1.5. nëse ushtron funksione që janë në papajtueshmëri me funksionin e tij sipas ligjit në fuqi;

1.6. me shkarkim nga Kuvendi i Kosovës për shkak të dështimit në përmbushjen e mandatit ligjor;

1.7. me vdekje.

Neni 11
Përgjegjësitë dhe kompetencat e drejtorit

1. Drejtori i Agjencisë ka përgjegjësitë e mëposhtme:

1.1. udhëheq dhe organizon punën e Agjencisë;

1.2. mbikëqyr punën e nëpunësve të Agjencisë;

1.3. përfaqëson Agjencinë brenda dhe jashtë vendit;

1.4. menaxhon buxhetin e Agjencisë dhe është përgjegjës për mënyrën e shpenzimit të tij;

1.5. lidh marrëveshje bashkëpunimi me institucionet e tjera vendore dhe ndërkombëtare, në pajtim
me ligjin në fuqi;

1.6. vendos për angazhimin e ekspertëve jashtë Agjencisë;

1.7. ushtron edhe detyra të tjera të përcaktuara me ligj.

2. Drejtori autorizon me shkrim njërin nga varësit e tij/saj të drejtpërdrejt për ta zëvendësuar në rast të
mungesës së tij/saj të përkohshme.

Neni 12
Raportimi për punën e Agjencisë

Agjencia paraqet raport vjetor të punës për vitin paraprak në Kuvendin e Republikës së Kosovës më së
voni deri me datën 31 mars.


KREU III
KOMISIONI MBIKËQYRËS I AGJENCISË

Neni 13
Komisioni
5

Kuvendi i Kosovës në bazë të këtij ligji dhe Rregullores së Punës së tij, themelon Komisionin Mbikëqyrës
të Agjencisë.

Neni 14
Kompetencat e Komisionit

1. Komisioni:

1.1. shqyrton raportet e Agjencisë;

1.2. mbikëqyrë dhe vlerëson në mënyrë periodike punën e Drejtorit të Agjencisë.

1.3. inicion procedurën për zgjedhjen dhe shkarkimin e Drejtorit të Agjencisë;

1.4. pas dorëzimit të raportit të Agjencisë, Komisioni mund të kërkojë raport të veçantë në lidhje
me lëndët në të cilat Agjencia ka pushuar hetimet;

1.5 raporti duhet të përmbajë shpjegimet në lidhje me arsyet e mbylljes së rasteve të tilla pa
përmendur identitetin apo të dhënat personale të personave të hetuar.

1.6. kontrollon dhe mbikëqyr pasurinë e deklaruar nga zyrtarët e lartë të Agjencisë dhe rastet e
konfliktit të interesit në pajtim me rregullat dhe procedurën e paraparë me ligje të veçanta.

Neni 15

Komisioni nuk ka të drejtë ndërhyrjeje në asnjë mënyre në rastet të cilat gjenden në procedurën e
hetimeve paraprake të Agjencisë.

KREU IV
STRATEGJIA DHE PLANI I VEPRIMIT KUNDËR KORRUPSIONIT

Neni 16
Strategjia kundër korrupsionit

1. Agjencia, në bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet e tjera qeveritare dhe joqeveritare harton
Strategjinë kundër Korrupsionit.

2. Agjencia përmes Qeverisë paraqet për miratim Strategjinë kundër Korrupsionit në Kuvendin e
Kosovës, dokument i cili përmban politikat kundër korrupsionit që duhet të zbatohen nga institucionet
përgjegjëse të Republikës së Kosovës, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Neni 17
Plani i Veprimit kundër korrupsionit

1. Në zbatim të Strategjisë kundër Korrupsionit, Agjencia harton Planin e Veprimit kundër Korrupsionit në
bashkëpunim me institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, dokument i cili përmban masat
konkrete kundër korrupsionit që duhet të zbatohen nga institucionet si në nivel qendror ashtu edhe në atë
lokal.

2. Plani i veprimit kundër Korrupsionit mund të ndryshohet dhe plotësohet në bazë të propozimeve nga
institucionet përgjegjëse ose me iniciativën e Agjencisë.

3. Agjencia monitoron zbatimin e Planit të veprimit kundër Korrupsionit nga institucionet e Kosovës si në
nivel qendror ashtu edhe në atë lokal. Për zbatimin e masave kundër korrupsionit, institucionet
përgjegjëse i raportojnë Agjencisë në mënyrë periodike një herë në gjashtë muaj si dhe kurdo që kjo
kërkohet nga Agjencia.
6


4. Në raportin vjetor të Agjencisë në Kuvend të Kosovës raportohet edhe për ecurinë e zbatimit të
Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër Korrupsionit.

KREU V
PROCEDURA E HETIMEVE PARAPRAKE

Neni 18
Hetimet paraprake

1. Agjencia zhvillon procedurën e hetimit paraprak në rastin e dyshimit për korrupsion sipas:

1.1. detyrës zyrtare; apo

1.2. sipas informacioneve të pranuara nga personat fizik apo juridik.

2. Për zbatimin e masave nga paragrafi 1 i këtij neni, Agjencia:

2.1. kërkon, mbledh, hulumton dhe analizon dokumentacionin dhe informacionet tjera relevante
për rastin;

2.2. kërkon informacione nga personat e përfshirë në rast;

2.3. ekzaminon rrethanat që kanë lidhje me rastin.

3. Hetimet paraprake duhet të përfundojnë brenda një periudhe kohore prej gjashtë (6) muajsh nga
momenti i inicimit të hetimit, përjashtimisht në raste të veçanta Drejtori i Agjencisë mund të lejoj zgjatjen e
afatit me së shumti edhe 6 muaj.

4. Zgjatja e afatit për përfundimin e hetimeve sipas paragrafit 3 të këtij neni duhet të arsyetohet me
shkrim nga drejtori dhe arsyetimi të vendoset në dosjen e lëndës.

5. Agjencia në ushtrimin e funksionit të vet, nëse has në vështirësi kërkon ndihmë nga policia.

6. Nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake konstatohet se ka të dhëna të mjaftueshme
apo/dhe dyshim të arsyeshëm se rasti mund të përbëjë vepër penale, Agjencia ia përcjellë rastin
prokurorisë kompetente për procedim të mëtutjeshëm.

7. Prokuroria kompetente informon Agjencinë për procedimin e mëtejshëm dhe vendimin final në lidhje
me rastin.

8. Në rast se nuk dyshohet për vepër penale por për shkelje administrative, Agjencia e përcjell rastin tek
organi administrativ kompetent.

9. Organi administrativ kompetent duhet ta informojë Agjencinë për procedimin e mëtejshëm dhe
vendimin final në lidhje me rastin.

10. Nëse pas përfundimit të procedurave hetimore paraprake Agjencia konstaton se nuk ka të dhëna të
mjaftueshme apo/dhe dyshim të bazuar se rasti mund të përbëjë vepër penale apo shkelje administrative,
Agjencia nxjerr vendim për mbylljen e rastit.

11. Rasti mund te rihapet në çdo kohë kur mund të paraqiten rrethana te reja.

12. Agjencia informon raportuesin e rastit në lidhje me vendimin final për rastin.


7
Neni 19
Raportimi i rasteve të korrupsionit

1. Kur një person dyshon për korrupsion, ai/ajo mund të raportojë rastin e tillë në Agjenci.

2. Në rast se një person zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare vjen në dijeni në lidhje me veprimin
korruptiv, duhet të njoftojë Agjencinë dhe njëkohësisht të ndërmarr masat e nevojshme për të ruajtur të
dhënat në lidhje me sjelljen korruptive.

3. Paragrafi 1 dhe 2 i këtij neni nuk përjashton mundësinë e personit për t’i raportuar rastet drejtpërdrejt
tek institucionet e tjera kompetente për zbatimin e ligjit.

Neni 20
Qasja në dokumentacion

1. Autoritet publike dhe private, autoritetet lokale dhe personat zyrtar janë të detyruar t’i ofrojnë Agjencisë
me kërkesën e saj informacionin e duhur për kryerjen e punëve të tyre si dhe të ofrojnë dokumentacionin
përkatës brenda afatit të arsyeshëm kohor të përcaktuar nga Agjencia.

2. Në rast se organet dhe institucionet e parapara në paragrafi 1 të këtij neni refuzojnë që të ofrojnë
informacionet e kërkuara, Agjencia njofton prokurorinë e shtetit, i cila vepron në pajtim me Kodin e
Procedurës Penale të Kosovës.

Neni 21
Pavarësia në ushtrimin e kompetencave

Zyrtarët e Agjencisë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare gëzojnë pavarësi të plotë dhe nuk mund t’iu
imponohet asnjë presioni nga jashtë për shkak të detyrës së tyre apo kur ndërmarrin veprime të caktuara
konkrete në pajtim me këtë ligj apo me ligjet e tjera në fuqi.

KREU VI
MBROJTA E TË DHËNAVE, RUAJTJA E SHËNIMEVE
DHE FSHEHTËSIA E INFORMACIONIT

Neni 22

1. Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni
për sekretin zyrtar gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si sekret çdo informacion
që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet informacion sekret.

2. Në kuptim të këtij ligji informacion sekret konsiderohen:

2.1. informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i
hetimit nga Agjencia,

2.2. të dhënat personale të raportuesve të rasteve të korrupsionin nëse një gjë e tillë kërkohet
nga raportuesit;

2.3. si dhe informacionet e tjera publikimi i të cilave mund të dëmtojë procesin e hetimeve.

Neni 23

Agjencia është e detyruar të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij
ligji dhe në pajtim me dispozitat e ligjit në fuqi.



8
KREU VII
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 24

Zgjedhja e Drejtorit sipas procedurës së paraparë me këtë ligj bëhet pas përfundimit të mandatit të
drejtorit aktual të Agjencisë.

Neni 25
Shfuqizimi

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen të gjitha dispozitat ligjore që janë në kundërshtim me të.

Neni 26
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ligji nr. 03/L - 159
29 dhjetor 2009

Shpallur me dekretin Nr. DL-006-2010, datë 19.01.2010 nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr.
Fatmir Sejdiu.