1
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / PRISHTINË: VITI IV / Nr. 59 / 29 TETOR 2009
Ligji Nr. 03/L-142
LIGJI PËR RENDIN DHE QETËSINЁ PUBLIKE
Kuvendi i Republikës së Kosovës;
Në mbështetje të nenit 65.1 te Kushtetutës së Republikës se Kosovës,
Më qëllim te vendosjes se rregullave ligjore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Miraton
LIGJI PËR RENDIN DHE QETËSINЁ PUBLIKE
KREU I
DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi
Qëllim i këtij ligji është rregullimi i sjelljes personale në mënyrë që të ruhet rendi dhe qetësia publike.
Neni 2
Fushëveprimi
Fushëveprimi i këtij ligji është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, duke përcaktuar kundërvajtjet kundër
rendit dhe qetësisë publike, si dhe duke paraparë ndëshkimet për kryerjen e kundërvajtjeve.
Neni 3
Përkufizimet
1. Termat e përdorur në këtë ligj kanë këtë domethënie:
“Rendi dhe qetësia publike” nënkupton respektimin e sistemit ligjor dhe të institucioneve publike nga
ana e qytetarëve, si dhe mbrojtjen e interesit ligjor dhe të lirive të personit.
“Vendi publik” nënkupton çdo hapësirë të mbyllur apo të hapur, qoftë private apo publike, ku qytetarët
kanë qasje nga e drejta apo në bazë të ndonjë ftese, të shprehur apo që nënkuptohet, qoftë me apo pa
pagesë në të holla, por jo edhe vendet që përdoren vetëm nga një apo më shumë persona për tubime
private ose për qëllime tjera personale.
“Hapësira private” nënkupton pronën me mundësi për të hyrë me lejen e pronarit, poseduesit apo
personit tjetër të autorizuar.
“Rrahja” nënkupton konfrontimin fizik në mes të dy apo më shumë personave, në përpjekje për t’i
shkaktuar lëndime njëri tjetrit.
“Prostitucioni” nënkupton kryerjen e akteve seksuale për përfitime materiale, me të holla ose me
ndonjë vlerë tjetër ekuivalente;
“Person zyrtar” nënkupton personin e zgjedhur ose të caktuar në një organ publik apo personin e
autorizuar në një organizatë afariste ose në ndonjë tjetër person juridik, i cili në saje të ligjit apo të ndonjë
dispozite tjetër të nxjerrë në përputhje me ligjin, ushtron funksione publike dhe i cili brenda këtyre
funksioneve ushtron detyra të veçanta, bazuar në autorizimet që ka në bazë të ligjit.
“Zhurma” është tingulli (zëri) i lartë dhe i padëshirueshëm.
2
“Organi Kompetent” nënkupton Ministria e Punëve te Brendshme.
KREU II
KUNDËRVAJTJET KUNDËR RENDIT DHE QETËSISË PUBLIKE
Neni 4
Sjellja arrogante
1. Kushdo që ne vend publik, nxitë ose merr pjesë në përleshje dënohet për kundërvajtje, përveç atëherë
kur paraqet vepër penale.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50) Euro deri
shtatëqind (700) Euro apo me dënimin me burg deri në pesëdhjetë (50) ditë.
3. Nëse kundërvajtja e paraparë në paragrafin 1 të këtij neni, kryhet ndaj personave zyrtar ose
personave tjerë që mbrojnë rendin dhe qetësinë publike sipas ligjit në fuqi për tubimet publike, ai/ajo do të
dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri nëntëqind (900) Euro apo me dënimin me deri në
gjashtëdhjetë (60) ditë.
Neni 5
Sulmi verbal
1. Kushdo që ne vend publik përdorë fjalë ofenduese, me qëllim që të provokoj prishjen e rendit dhe
qetësisë publike, dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind
(500) Euro apo me dënimin me burg deri në dyzet (40) ditë.
3. Nëse kundërvajtja e paraparë në paragrafin 1 të këtij neni, kryhet ndaj personave zyrtar ose
personave që mbrojnë rendin dhe qetësinë publike sipas ligjit të në fuqi për tubimet publike, ai/ajo do te
dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri shtatëqind (700) Euro apo me dënimin me burg deri në
pesëdhjetë (50) ditë.
Neni 6
Sjelljet e pa hijshme seksuale
1. Kushdo që në vend publik kryen ndonjë akt seksual, ose ekspozon ndonjë pjesë intime te trupit apo
bën ndonjë sjellje të pahijshme seksuale që shkakton shqetësim te qytetarët, dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri shtatëqind
(700) Euro apo me dënimin me burg deri në pesëdhjetë (50) ditë.
Neni 7
Marrja me Prostitucion
1. Kushdo që përfshihet në një akt seksual të prostitucionit, dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri nëntëqind
(900) Euro apo me dënimin me burg deri në gjashtëdhjetë (60) ditë.
Neni 8
Bezdisjet Publike– Shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën
1. Kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet të banorët për rreth
apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës
dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.
3
2. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohet me gjobë
prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro.
3. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi
përgjegjës i një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri shtatëqind
(700) Euro.
Neni 9
Dehja në vend publik
1. Kushdo që shfaqet në vend publik dukshëm i dehur ose nën ndikim të substancave të kontrolluara
(narkotike), jo te përdorura sipas terapisë dhe vë në rrezik veten, personat tjerë ose pasurinë dënohet
për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind
(500) Euro apo me dënimin me burg deri në tridhjetë (30) ditë.
Neni 10
Kërkimi i lëmoshës në vend publik
1. Kushdo që në vend publik kërkon lëmoshë në mënyrë të bezdisshme dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind
(500) Euro.
Neni 11
Ekspozimi i materialit të turpshëm dhe ofendues
1. Kushdo që shpërndan ose ekspozon ndonjë shkrim, shenje, ose paraqitjeje tjetër të dukshme e cila
ofendon ose turpëron dikë, me qëllim që të nxis prishjen e qetësisë dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej njëqind (100) deri tetëqind
(800) Euro apo me dënimin me burg deri në dyzet (40) ditë.
Neni 12
Mbikëqyrja e shkujdesur e shtazëve
1. Kushdo që në vend publik mbanë ose ka shtazë pa mbikëqyrje ose pa mjetet e duhura mbrojtëse,
dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes të paraparë në paragrafin 1 të këtij neni dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50)
deri pesëqind (500) Euro.
Neni 13
Mbrojtja e të miturve
1. Pronari ose personi përgjegjës i një veprimtarie afariste, i cili lejon të miturin nën moshën 16 vjeçare,
që pa shoqërimin e prindërve ose kujdestarit, të hyjë dhe/ose qëndrojë ne një lokal afarist, në të cilin prej
orës 22:00 deri në ora 07:00 shërbehen pije alkoolike, do të dënohet për kundërvajtje:
2. Kryesi i kundërvajtjes se paraparë në paragrafin 1 të këtij Neni, do të dënohet me gjobë prej
pesëdhjetë (50) deri shtatëqind (700) Euro apo me dënimin me burg deri në dyzet (40) ditë.
Neni 14
Lajmërimi i rrejshëm
1. Kushdo qe me dashje shkakton alarmim të rrejshëm lidhur me zjarrin apo ndonjë emergjencë tjetër tek
ndonjë organ i emergjencave dënohet për kundërvajtje.
4
2. Kushdo që me dashje shkakton panik në tubime publike, duke lajmëruar rrejshëm për alarm nga zjarri
dhe për kërcenim me bombë, do të dënohet për kundërvajtje.
3. Kryerësi i kundërvajtjes të paraparë në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni, dënohet me gjobë prej tridhjetë
(30) deri pesëqind (500) Euro apo me dënimin me burg deri në tridhjetë (30) ditë.
Neni 15
Krijimi i rrethanave te rrezikshme
1. Kushdo që vendos ndonjë send apo pajisje përpara ndërtesës, murit mbrojtës apo murit të jashtëm me
të cilën mund të shkaktoj lëndime fizike tek këmbësorët dënohet për kundërvajtje.
2. Kushdo që hedh në rrugë sendin ose mjetin ose vendos sende tjera në vend të pasigurt në ballkonin
ose në pjesën e jashtme(prag) të dritares të cilat mund të lëndojnë kalimtarin ose i shkakton ndonjë dëm
material personit tjetër, dënohet për kundërvajtje.
3. Personi fizik, pronari i biznesit apo personi përgjegjës i tij i cili nuk ndërmerr masat e nevojshme për ta
mbyllur apo siguruar pusin(bunarin), gropën, kanalin, instalimet elektrike dhe pajisjet tjera të cilat
paraqesin rrezik për këmbësorët dënohet për kundërvajtje.
4. Nëse kundërvajtjet nga paragrafët 1 deri 3 të këtij neni janë kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohen me
gjobë prej tridhjetë (30) deri pesëqind (500) Euro apo me dënimin me burg deri në tridhjetë (30) ditë.
5. Nëse kundërvajtja nga paragrafi 1 deri në paragrafin 3 të këtij neni është bërë nga pronari i një
subjekti juridik apo i autorizuari i tij , ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri tetëqind
(800) Euro apo me dënimin me burg deri në dyzet (40) ditë.
Neni 16
Mospërfillja e urdhrave te ligjshëm
1. Kushdo që me dashje nuk përfill urdhrin e ligjshëm të zyrtarit lidhur me rendin dhe qetësinë publike
dënohet për kundërvajtje.
2. Individi, pronari ose ndonjë person përgjegjës i një veprimtarie ekonomike, i cili nuk e zbaton urdhrin e
ligjshëm te ndonjë përfaqësuesi zyrtar nga kompania për ujë, rrymë elektrike apo nxehje, për ta ç’kyqur
përkohësisht nga rrjeti elektrik, i ujit apo i nxehjes, duke rrezikuar kështu qytetaret, apo nuk e zbaton
urdhrin e ligjshëm te përfaqësuesit zyrtar te kompanisë elektrike, te ujit apo nxehjes, për ta rikyçur në
shërbimet e përmendura më sipër, do të gjobitet për kundërvajtje.
3. Nëse kundërvajtja nga paragrafi 1 i këtij neni është kryer nga personi fizik, ai /ajo dënohen me gjobë
prej njëqind (100) deri shtatëqind (700) Euro apo me dënimin me burg deri në dyzet (40) ditë.
4. Nëse kundërvajtjet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni janë kryer nga pronari ose personi
përgjegjës në kuadër të një subjekti juridik, ai/ajo dënohet me gjobë prej njëqindepesëdhjetë (150) deri
tetëqind (800) Euro apo me dënimin me burg deri në gjashtëdhjetë (60) ditë.
Neni 17
Vandalizmi
1. Kushdo që me dashje, paramendim, apo me qëllim të keq shkakton dëm apo shkatërron strukturën
apo përmbajtjen (brendinë) e pronës publike ose private dënohet për kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjeve të parapara në paragrafin 1 te këtij neni dënohet me gjobë prej njëqind (100)
deri nëntëqind (900) Euro apo me dënimin me burg deri në gjashtëdhjetë (60) ditë.
Neni 18
Mos mbikëqyrja e të miturit
5
1. Nëse kundërvajtja është kryer si pasojë e dështimit të mbikëqyrjes së fëmiut nga ana e prindit apo
kujdestarit të fëmiut që ka kryer veprën e kundërvajtjes, sipas këtij ligji prindi apo kujdestari dënohet për
kundërvajtje.
2. Kryesi i kundërvajtjes nga paragrafi 1 i këtij neni dënohet me gjobë prej pesëdhjetë (50) deri
katërqindepesëdhjetë (450) Euro.
KREU III
SEKUESTRIMI I MJETEVE
Neni 19
Sekuestrimi i mjeteve dhe sendeve
1. Organi kompetent mundet menjëherë ta sekuestroj mjetin ose sendin e përdorur, të përfituar ose
mjetin përkatësisht sendin që do të përdoret për kryerjen e kundërvajtjes edhe në rast se kryesi i
kundërvajtjes nuk është pronari i pasurisë së sekuestruar.
2. Organi kompetent mund të sekuestroj mjetet ose sendet deri në marrjen e vendimit të plotfuqishëm
nga ana e gjykatës kompetente.
KREU IV
DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 20
Mbikëqyrja
Për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji, përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme.
Neni 21
Shfuqizimi
Ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji shfuqizohet Ligji mbi Rendin dhe Qetësinë Publike (“Gazeta Zyrtare”) e
KSAK Nr. 23/81.
Neni 22
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Ligji Nr. 03/ L-142
17 shtator 2009
Shpallur me dekretin Nr. DL-027-2009, datë 13.10.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,
Dr. Fatmir Sejdiu.